Nga Elida Buçpapaj/
Mbushen 17 vjet nga dita kur është vrarë Agim Ramadani, në lulen e moshës, kur nuk i kishte mbushur ende 36 vjeç. Ai ishte njëri nga strategët e Luftës Çlirimtare të Kosovës për liri e pavarësi.
Agim Ramadani, artisti, poeti, ushtaraku, intelektuali dhe njeriu që i mungon sot Kosovës më tepër se kurrë, sepse ishte njeri i dijes dhe profesionist i formuar.
E kemi njohur Agimin në Zvicër, e kishim mik, bisedonim me të për letërsinë, poezinë, pikturën dhe për çështjen kombëtare. Vitin e mbrapshtë 1997 Agimi e përjetoi me shumë dhimbje, sepse tek shteti Amë ai mbështeste shpresën për të ardhmen e Kosovës.
Gjatë viteve 1996-1997, në takimet me diasporën, kishte një segment që e paragjykonte Agim Ramadanin, për faktin e vetëm, se ai kishte kryer Akademinë Ushtarake në Zagreb, pra se ishte një njeri i kompletuar.
Kur takoheshim me Agimin, një njeri i edukuar, paqësor, i kultivuar, poet, artist, shumë elitar e kishe të vështirë të besoje se do të kishe përpara një epror të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paçka se shqetësim i jetës së tij ishte thyerja e kufirit ndërshqiptar dhe çlirimi i Kosovës, çka ai e shprehte si në bisedat me ne ashtu edhe përmes artit, në poezitë dhe pikturat e tij.
Jemi takuar për së fundit herë me Agim Ramadanin në Lozanë, posa kishte nisur vera e vitit 1997 në ekspozitën e tij, ku mbizotëronte e kuqja dhe e zeza, simbolet tona kombëtare.
Përpara se të vritej, kur erdhi në Zvicër në janarin e vitit 1999, për një seri takimesh sensibilizuese me diasporën, na kërkoi në redaksi, por ne atë ditë nuk ndodheshim aty dhe na ka mbetur peng që nuk mundëm të takoheshim dot, sepse me Agim Ramadanin ishim gjithmonë në sintoni.
Vrasja e Agim Ramadanit, sikur e gjithë Eprorëve të UÇK-së, është tragjedi kombëtare e dyfishtë, për faktin se në Botën Shqiptare qarkullon gjithmonë varianti se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët, ashtu sikur edhe Sali Çekajn, sikur do të vrisnin edhe Komandant Drinin e Komandantë të tjerë.
Nëpër tubimet e diasporës në Zvicër kjo “gojëdhanë” ndihet. E turpëshme është për ata që e dëgjojnë dhe qendrojnë indiferentë sikur t’i kenë veshët e dyllosur apo sikur të mos e kenë fare shqisën e dëgjimit. Gojëdhana ndëgjohet dhe ndërkohë mbetet temë tabu.
Midis viteve 1999-2000 kam botuar dy intervista me Shukrie Ramadanin, bashkëshorten e Agim Ramadanit. Ajo nuk është shprehur rreth kësaj teme, as unë nuk e kam pyetur, veç ka treguar pengun e saj se për faj të largësisë nuk kishte mundur të shihte trupin e Agimit përpara se të varrosej.
Kur ia kam marrë intervistën e parë, mesa kujtoj, lufta nuk kishte mbaruar ende, ndofta gaboj, por intervistat janë të botuara, kështu është lehtë të shihen datat, Shukria kishte sjellë në redaksi fletore të Agimit, të shkruara me një kaligrafi dhe me një shqipe të përsosur, impresionuese për çdokënd. Ra fjala për Tahir Zemën. Shukria më tha se në front thuhej se Tahir Zemaj kishte braktisur luftën, unë i thashë se Kolonel Zemaj ishte larguar nga fronti sepse ishte i këcënuar me jetë. Këtë pohim e mbështesja pasi vetë Tahir Zemaj kishte ardhur në redaksi dhe na e kishte treguar këtë fakt. Dhe vrasja e trefishtë disa vite më vonë, në Kosovën e çliruar, e vërtetoi atë çka na tregoi Tahir Zemaj me gojën e tij atëherë.
Megjithëse Agim Ramadani është një nga figurat e nderuara dhe respektuara, pas vdekjes, nga shteti i ri Kosovës, ai është Hero i Kosovës që ka dhënë jetën për lirinë dhe bashkimin e kufirit ndërshqiptar, gjithësesi për sa kohë do të ekzistojë i pazbardhur varianti i gojëdhënës se Agim Ramadani është vrarë nga shqiptarë që kanë përfaqësuar krahun jo institucional, pra jo atë që përfaqësonte Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, edhe ky i vrarë barbarisht në mes të Tiranës, kjo do të mbetet njollë e zezë e institucioneve të Kosovës dhe faqe e zezë e shtetarëve të saj.(voal.ch)