• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR E VEHBI SKËNDERIT NGA PARAJSA PËR 20 SHKURTIN

February 19, 2015 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ*/
do të kisha arritur/
nga fundi i botës/
sot më 20 shkurt /
23 vjet /
pas asaj dite/
kur Zoti kishte zbritur në/
Tiranë për të mbjellë/
tek rinia/
trimërinë dhe/
shpresën/
e jetës/
tonë të vrarë/
për së gjalli/
në mënyrat
më të përbindshme
të tokës tonë
që pikon
në vend të shiut
lot

do të kisha marrë
avionin
trenat
do ta kisha kaluar
Adriatikun dhe Jonin
me not
do të kisha zbritur
rendshëm
shkallëve të qiellit
nga fryma
do të isha bërë
rishtas

do të kisha ecur
pa u ndalur
me ditë e muaj
natën e ditën
do t’u kisha hypur
kuajve të stuhisë

do të isha bërë 20 vjeç
si ata djemtë e vajzat
më 20 shkurtin 1991
që sot janë dyzetë
e ca vjeç
të gjithë të zhgënjyer
si unë

do të kisha ardhur
edhe i vdekur
nëse nuk do të më
kishin vrarë
të gjallë
dalë e ngadalë
pronarët e lirisë
sikur liria të ishte
jo shenjtore
por prostitutë

do të isha aty
i pari
me mish e kocka
me kocka e shpirt
nëse
nuk do të më
kishte rivrarë
prapë për së gjalli
diktatura e tranzicionit
duke i zëvendësuar
torturat reale
me plumbat
abstraktë
të indiferencës
shurdh-memece
nën breshëritë
e kryetitujve
ku shfaqej
Mesia
ndërsa mëkatonte
si satanai
pa vrarje ndërgjegjeje

ishte një vrasje e ngadaltë
e pabesë
heshtas
për njëzetë vite rresht
pa plumba
me këngët e sorrave
duke i nxjerrë të tepërt
poetët
nga dheu që i lindi
nga qielli e dielli
që i mbuloi
e u dha frymëzimin
edhe në kohën e kolerës

ju u bëtë shpirti binjak
me persekutorët
që i mbajtët rreth vetes

ju ishit artileria e rëndë
e antilirisë
me skuadrën e pushkatarëve
që i shkrepin karikatoret
e të vrasin me heshtjen
kriminale

unë do të isha aty
i gjallë apo i vdekur
nëse Tirana
do të merrte frymën
që Zoti i dha rinisë
atë 20 shkurt
23 vjet më parë
kur unë u futa mes atij oqeani
shpresash njëzetëvjeçare
i gatshëm të vdisja
nga plumbat
që mezi prisnin urdhërat të shtinin
nga tarracat
tek muzeumi
tek 15 katëshi
tek pallati i kultures

ju e mashtruat rininë
e mashtruat Tiranën
i mashtruat poetët
që besojnë të parët
por që e ndjejnë
po të parët tërmetin e
zhgënjimit
andaj rebelohen
të parët

ju ishit falls
ju shitës
ambulant sloganësh
ju ishit falls
si paret falls
me të cilat nuk blihet asgjë
aq më pak liria

ishit një iluzion
që shkrumboi
miliona ditë
shqiptarësh

tani i pafuqishëm
të ripërsërisësh skenarin
e dramës që luhet
për 23 vjet
unë që prehem
diku në Zvicër
jam shumë më i fuqishëm se ti

sepse duke i patur të gjitha çelësat
në duar
me to u hapën
zgafellat e urrejtjes
sikur nuk na mjaftoi koha
kur na detyruan
të urreheshim
pa asnjë tjetër
rrugëzgjedhje

rrugët tona tashmë
janë të ndara
një herë
e përgjithmonë
unë do të vazhdoj të rend
si shpirt i lirë
pas rinisë
që nuk njeh kurrë plakje
që nuk njeh kurrë vdekje
që rilind
20 vjeçarë
çdo 20 shkurt

ti s’je ndalur
duke i zvarritur shqiptarët
sa herë ka ardhur 20 shkurti
për 23 vite rresht
nëpër tranzicionin
makabër

shumëzoji
23 vite me 5 milionë shqiptarë
sa milenarë jete bëjnë

tashmë një kapitull
i historisë
është mbyllur
si dështim i përkryer
i poetëve dhe popullit

tani asnjë dhe askush
nuk do të të mundë
të imitojë më
këta 23 vjet tërheqjezvarrë
të gjithë
dishepujt e tranzicionit
majtas apo djathtas
tash e mbas janë
buratinë letre
përpara oqeanit
të rinisë

sa për mua
nëse do të rilindja
nga universi i hirit
apo do të ngrihesha nga varri
i baladave
bashkë me të gjithë
shpirtrat e poetët
që i dhanë shpirtin
këtij vendi
për ta bërë më të mirë
s’do bënim gjë tjetër
veç do t’i bashkoheshim
rinisë
për të përsëritur
20 shkurtin…

(E shkruar më 20 shkurt 2014. Kjo poemë është përfshirë në librin poetik të Elida Buçpapajt “Anticirkland”, Onufri,2014)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Elida Buçpapaj, leter, parajsa, VEHBI SKËNDERI

I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI PAVARËSINË E KOSOVËS…

February 10, 2015 by dgreca

…. DHE PRANONI VISAR ZHITIN AMBASADOR NË VATIKAN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
I dashur Papa Françesk,/
Po ju drejtohem me një lutje të dyfishtë sepse kam besim tek Ju Ati i Shenjtë. Besimin që na e ka shuar politika, na e keni ringjallur Ju. Ju keni sjellë në botë një erë të re shprese. Pavarësisht se cilit besim i përkisni, pavarësisht se cilit besim i përkasim, se cilës race i takojmë, të çfarëdo etnie apo religjioni qofshim, Ju na keni ringjallur shpresën për drejtësi, pasi njeriu dhe njerëzimi nuk mund të ekzistojnë pa të drejtat e tyre legjitime, ndërsa ne të gjithë jemi bijtë e Zotit.
1.Për ne Shqiptarët Ju At i Shenjtë jeni vijues i rrugës së Paqes që hapi e përshkoi Papa Gjon Pali II, i cili mori pjesë aktive në ndryshimin e historisë në favor të lirisë e njeriut, siç ishte përmbysja e sistemit komunist që mbështetej në terrorin e diktaturës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, duke shkaktuar miliona e miliona viktima, njëjtaz si nazizmi. Papa Vojtila ishte shumë i afërt me Nënë Terezën, Nënën shqiptare të gjithë të përvuajturve të botës, e bekuar nga Kisha Katolike në pritje të Shejtërimit të saj.
Ju jeni vijues i Papa Vojtilës, i cili pavarësisht se shqiptarët e Kosovës ishin me shumicë myslimane, Papa Gjon Pali II u lut për shqiptarët dhe kërkoi ndaljen e kasaphanës së fundit të ish-Jugosllavisë.
Ju Ati i Shenjtë në qershor, ju qoftë udha e mbarë, do të vizitoni një tjetër vend mysliman, Bosnjen që ka përjetuar një tragjedi të paparë prej indiferencës njerëzore.
Shën Françesko i Assisit thotë: „Filloni dhe bëni çfarë është e nevojshme, pastaj çfarë është e mundshme dhe papritmas ju do të bëni të pamundurën.” Pra Zoti i ka dhënë mundësi njeriut të bëjë të pamundurën për të ndalur vuajtjen dhe njeriu nuk po e bën këtë detyrë të vetën. E Ju Ati i Shenjtë po i tregoni rrugën njeriut, që e ka humbur, sepse synon të pasurohet, pa iu bërë vonë se në çdo sekondë një fëmijë vdes, ngaqë nëna që e sjell në jetë nuk ka me se ta ushqejë, ndërsa tonelata e tonelata me ushqime që mund të ngopnin me miliona e miliona barqe të uritur përfundojnë në plehra!
Në konfliktin e 1998-1999, Perëndimi arriti të ndalte spastrimin etnik dhe vrasjet masive e kështu banorët e Kosovës patën mundësi të rikthehen në vatrat e tyre, me shpresë për të mjekuar plagët e trupit e shpirtit dhe për të rifilluar jetën.
Megjithatë, pas çlirimit, Kosova e njohur nga 109 shtete të mbarë botës dhe nga pothuaj të gjitha anëtaret e BE, nuk është njohur ende si shtet i pavarur nga Vatikani. Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Sepse shqiptarët kanë patur historikisht marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin. Mjaftojmë të kujtojmë Skënderbeun, Atletin e Krishtit dhe mbrojtësin e Krishtërimit.
Një lidhje të pazgjidhëshme mes Vatikanit dhe Shqiptarëve ka krijuar – mjafton këtu të përmendim – Perandori Konstandini i Madh i njohur si Shën Konstandini (Flavius Valerius Aurelius Constantinus Augustus 272 AD – 22 May 337 AD), me origjinë ilire, i cili e ka njohur i pari krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake.
Pastaj, Shqipëria e Kosova janë shtete europiane dhe me Vatikanin janë larg vetëm 1 orë me avion.
Mosnjohja e Kosovës po shkakton një dramë të re për këtë shtet të ri, që për nga mosha është më i riu në Europë, që do të thotë se ajo është e populluar më së shumti nga rinia, ky është bekim i Zotit, por që nuk ka me se t’i ushqejë ëndërrat dhe shpresat, sepse aty papunësia shkon në 70% e për rrjedhojë të kësaj gjendjeje dramatike, nga Kosova ka filluar një valë e re eksodi, kësaj here jo nga Milosheviçi, por nga diktatura e frikës prej varfërisë.

Sot Kosova është një Geto në zemër të Europës dhe njohja e pavarësisë nga Vatikani, do të ishte shumë e rëndësishme për fatin e popullit të Kosovës. Andaj Ju lutem At i Shejtë që ta kryeni këtë akt shtetëror, njerëzor e Hyjnor.

Po të ishte gjallë Papa Vojtila, ai do ta kishte njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe Ju jeni vijues i udhës së Tij të ndritur nga Zoti.
Kjo njohje do të ishte në të mirë të Paqes dhe të drejtave njerëzore.
2.I dashur At i Shejtë,
Ashtu si Ju e dini, Shqipëria është vendi që gjatë Luftës të Ftohtë ka përjetuar një diktaturë mizore dhe shqiptarët janë martirë të persekutuar edhe për arsye të ideve të tyre, edhe për arsye të besimit të tyre.
Gati 22 vjet më parë, në homazh të vuajtjeve të shqiptarëve dhe tolerancës fetare, më 25 prill 1993 Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali II, ashtu si do ta na nderonit edhe Ju At i Shenjtë me vizitën Tuaj më 21 shtatorin e vitit 2014.
Të dyja vizitat janë historike, jo si një akt formal, por si një lidhje midis shtetit tuaj, Vatikanit dhe shtetit tonë, Shqipërisë.

Nga ana tjetër, midis Shqipërisë dhe Vatikanit po mbushen 25 vjet nga dita e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa riorganizimi i Kishës Katolike në Shqipëri rifilloi më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në Shqipëri i dhuroi Kishës Katolike të martirizuar nga diktatura hierarkinë e re të pasdiktaturës që niste me katër ipeshkvij të rinj shqiptarë, ish-të burgosur në burgjet e diktaturës. Ata ishin Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni që sot nuk jetojnë më, dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Shqipërisë, ndërsa më 26 nëntor 1994 Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II emëroi Kardinalin e parë shqiptar Mikel Koliqin, po ashtu i mbijetuar i burgjeve dhe torturave komuniste. Edhe Kardinal Koliqi ka kaluar në Amshim.
Më 2006 Papa Benedicti XVI, pas vdekjes të Ipeshkvijëve shqiptarë, duke vijuar me riorganizimin e hierarkisë të Kishës Katolike në Shqipëri emëroi katër ipeshkvij të rinj. Ata ishin: Imzot Dodë Gjergjin, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Cristoforo Palmieri dhe Imzot George Anthony Frendo. Nga dhjetë Ipeshkvij që ka sot Shqipëria, vetëm katër janë shqiptarë, tre prej të cilëve janë emëruar nga Papa Vojtila. Emërimet e Ipeshkvijve shqiptarë nga Papa Vojtila, janë bërë në homazh dhe nderim të katolicizmit shqiptar. Por me ikjen në Amshim të tyre, ipeshkvijtë shqiptarë janë zëvendësuar me Ipeshkvij jo shqiptarë.
Unë mendoj se katolicizmi shqiptar gjithmonë është dalluar për nga vlerat dhe përkushtimi ndaj Zotit, Atit të Shenjtë dhe popullit, prandaj e meriton hierarkinë e lartë.
3.I dashur Papa Françesk,
Nëse Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni dhe Kardinal Mikel Koliqi sot do të ishin gjallë, ata njerëz të përndritur do t’i tregonin Shenjtërisë Tuaj se kishin qenë në burgjet e diktaturës bashkë me poetin, shkrimtarin dhe diplomatin Visar Zhiti, kandidatura e të cilit si Ambasador në Vatikan, sipas shtypit shqiptar, që citon Imzot George Frendon të ketë thënë se Vatikani „do një Ambasador katolik jo mysliman“, nuk ka qenë e mirëpritur.
Ky lajm ka shkaktuar trishtim në opinionin shqiptar, për faktin se marrëdhëniet mes dy shteteve tona nuk janë fetare, pasi, siç dihet, Shqipëria është një shtet laik, që respekton shtetin e Vatikanit, katolicizmin dhe çdo besim fetar prandaj Ju At i Shenjtë gjatë vizitë Tuaj në Shqipëri na thatë me të drejtë se “Populli fisnik shqiptar meriton respekt dhe admirimin sepse është shembull i tolerancës fetare”.
Dhe kjo është e vërteta si drita e diellit. Ne e kemi tolerancën në gjak, por shtetin e kemi sekular, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është katolik dhe katolikët përbëjnë 10% të popullsisë. Katolikë i kemi patur dy Kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, njëri martir i lirisë dhe Mandela i Europës, z. Pjetër Arbnori dhe tjetra zonja Jozefina Topalli.
Prandaj, ju lutem i Përndrituri At i Shenjtë pranojeni Visar Zhitin, poetin e burgosur nga diktatura, i cili ka përkthyer aq mjeshtërisht poezitë e Papa Vojtilës, që të ketë nderin e të jetë Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, sepse e meriton këtë nder. Ju lutem gjithshtu që ta mbani gjithmonë derën e hapur për çdo shtetas shqiptar, i cilit do besim qoftë, pasi çdo qytetar shqiptar e vlerëson Vatikanin dhe rolin Tuaj.
Sepse përndryshe toleranca fetare si do të kuptohej.
4.I dashur At i Shejtë,
Në marsin e vitit 1993, bashkë me bashkshortin tim dhe dy kolegë, të katër gazetarë myslimanë nga Shqipëria na priti në Vatikan në audiencë dhe na dha bekimin Papa Gjon Pali II. Ky bekim më shoqëron në jetën time si njeri dhe gazetare, më ndriçon rrugën dhe më kujton gjithmonë atë sentencën tjetër të Shën Françeskut që thotë se: „Nëse Zoti mund të veprojë përmes meje, Zoti mund të veprojë përmes çdokujt!“.
Me vete mbaj gjithmonë një Shën Mëri që ma ka dhuruar Nënë Tereza, edhe ajo më ka bekuar dhe më ka treguar rrugën për të shkuar tek e vërteta.
Të qënit myslimane, paçka se nuk jam praktikante, s’më pengon kurrë t’i lutem Zotit në Kishën Katolike që e kam pranë banesës time, s’më krijon asnjë pengesë që t’Ju besoj Ju me gjithë shpirt se do të vijoni rrugën e Papa Gjon Palit II, në të mirën e përbashkët të gjithë Njerëzimit, sepse ne na bashkon të gjithëve i njëjti Qiell dhe njëjti Zot.
Po kështu, të qënit myslimane ma forcon dëshirën që një ditë të bekuar t’Ju takoj i dashur Ati i Shejtë, si i dërguar i Zotit në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, për të ndihmuar Njerëzimin që ndodhet në ditë të vështira.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI, pavaresine e Kosoves

LEXOJENI KËTË HISTORI – NICHOLAS WINTON, SCHINDLERI BRITANIK QË SHPËTOI 669 FËMIJË

February 4, 2015 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/
Sir Nicholas Winton George, lindur Nicholas Wertheim (Londër, 19 maj 1909), është një filantrop anglez, i njohur si “Schindleri Britanik”.
Midis viteve 1938 dhe 1939, Winton shpëtoi 669 fëmijë (kryesisht hebrej) nga Çekosllovakia e pushtuar,duke organizuar udhëtimin e tyre me tren në Britani të Madhe dhe duke u siguruar atyre strehim. Gjithçka që kishte bërë kishte mbetur e panjohur deri kur një ditë, në vitin 1988, gruaja e tij Greta zbulon rastësisht një album ku jepeshin detajet për jetët e shpëtuara. 80 prej këtyre fëmijëve jetonin në Angli.
Në një program të BBC titulluar “That’s Life” po në vitin 1988, ku ishte i pranishëm edhe Nicholas Winton me të shoqen, ai pa patur kurrë farë dijenie, e gjen veten përpara një të papriture të jashtëzakonshme, të rrethuara nga burra e gra, të cilët ishin fëmijët që ai dikur kishte shpëtuar.
Bota zbuloi tek ai burrë heroin e vërtetë i cili e kishte mbajtur në zemrën e tij veprën e tij heroike. Tashmë fëmijët që ai kishte shpëtuar nga ferri nazist ishin burra e gra të rritur, gjyshe e gjyshër, por nuk e harronin kurrë se jetën ia dedikonin atij burri, që quhet Nicholas Winton.
Nicholas Winton mbush në maj 106 vjeç. Jetët që ka shpëtuar i kanë shtuar atij jetën!
Më 1 shtator 2009 një Tren special me emrin Treni Winton u nis nga stacioni i Pragës. Ai drejtohej nga një lokomotivë dhe vagona të përdorur në vitet ‘30 kur Winton i kishte organizuar udhëtimin nga nga Praga në Londër. Në bordin e trenit ishte Winton, tashmë 100 vjeçar dhe disa nga fëmijët, tashmë edhe ata të moshuar, që ai kishte shpëtuar 70 vjet më parë, më 3 shtatorin e vitit 1939.
Në stacionin qendror të trenit në Pragë, me atë rast u inaguruar një memorial nga Flor Kent, që i dedikohet këtij burri. Është ky që jeni duke parë.
Winton është po ashtu tre herë kandidat për Nobelin e Paqes.
Sikur të gjithë ne do të bënim vepra të mira, mendoni se sa e bukur do të ishte bota.

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Buçpapaj, Lexojeni kete histori, Nicholas Winton

DEPUTETJA E AAK DONIKA KADAJ-BUJUPI: ISHTE POLICIA QË PROVOKOI E PARA TURMËN DUKE LËSHUAR GAZIN LOTËSJELLËS

January 30, 2015 by dgreca

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ/
DONIKA KADAJ-BUJUPI: Kosova ka vuajtur mjaft dhe në memorien kolektive të qytetarëve tanë vazhdon të jetojë dhuna si mjet i përdorur kundër tyre masivisht dhe për dekada. Qeveria duhet të reflektojë
Pyetje: Zonja Donika, pushteti dhe opozita në Kosovë vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për dhunën e shkaktuar në protestat e së martës në Prishtinë, ju ishit dëshmitare, si është puna?
Donika Kada-Bujupi: Së pari dua të theksoj që jemi kundër çdo lloj dhune të ushtruar në protestë. Na vjen keq për çdo lëndim që ka ndodhë dhe dëshirojmë rehabilitim sa më të shpejt të të gjithë qytetarëve.
Kosova ka vuajtur mjaft dhe në memorien kolektive të qytetarëve tanë vazhdon të jetojë dhuna si mjet i përdorur kundër tyre masivisht dhe për dekada. Ngjarja ishte prapakthim edhe emocional në të kaluarën e hidhur. Qeveria duhet të reflektojë.
Pyetje: Kush e nxiti dhunën?
Donika Kadaj-Bujupi: Kush e nxiti dhunën? Është fakt i cili mund të argumentohet nëse shohim në arkivat e mediave ku Qeveria dy ditë radhazi para mbajtjes së protestes ka përdorë të gjitha mjetet propagandistike për të tensionuar situatën. Në ditën e protestës tensioni asht ngritë fillimisht artificialisht dhe provokuar paraprakisht me anë të barikadave dhe me anë të opinionit të krijuar përmes mediave të caktuara dhe diskursit tallës e fyes që përdori Qeveria në raport me protestuesit.
Policia nuk guxon të përdoret nga politika si instrument i dhunës. Problemet e grumbulluara me vite kërkojnë vigjilencë dhe veprim politik – kjo është zgjidhja e vetme, por jo dhunë, jo masa policiore. Paramendoni situatën kur policët ndoshta kanë patur në protestë fëmijët e tyre dhe anëtarët e familjes, ndaj të cilëve kanë qenë të detyruar të përdorin dhunë ! Kjo është e dhimbshme në Kosoven e lirë dhe të pavarur.
Pyetje: Zonja Donika ju ishit dëshmitare në protestë, ju e morët edhe fjalën aty.
Donika Kadaj-Bujupi: Po, isha në protestë dhe isha dëshmitare. Në momentin kur përfundova fjalimin dhe kishim edhe dy folës të paralajmëruar, para fillimit të çfarëdo reagimi nga protestuesit përveç thirrjeve të tyre, ndjeva se fyti m’u ngushtua dhe fillova të ndiej shtrëngim nga gazi i cili u hodh pa asnjë paralajmërim shumë shumë pranë vendit ku qëndronim ne.
Turma filloi të levizë në përpjekje për të frymuar lirshëm, sepse ishte ndjenjë e rëndë. Për një moment policia u vërsul mbi kamionin me zërin, e konfiskoi, i ndali mikrofonat dhe zërin. U krijua përshtypja sikur po hakmerrëshin, sepse kishte shumë mllef dhe agresivitet. Në fakt pushteti i trembur nga zëri i mijëra qytetarëve hakmerrej duke i shpallur luftë popullit i cili kërkonte të drejtën e tij legjitime që të protestojë.
Pyetje: Por qeveria fajësoi menjëherë organizatorët e protestës.
Donika Kadaj-Bujupi: Ngjarjet që pasuan na tmerruan. Na habiti instrumentalizimi që bëri qeveria, kur dolën në një konferencë për shtyp të “dy kryeministra paralelisht”, Kryeministri Mustafa dhe “Kryeministri” Thaqi, i cili, edhe pse në fakt është ministër i Jashtem ai po sillet si kryeministër paralel. Në rrethana normale është Ministri i Punëve të Brendshme ai i cili do të duhej të prononcohej për protesten, dhunën, policinë etj, por në rastin e qeverisë sonë ishte ministri për Punë të Jashtme, thua se Kosova për Qeverinë është çështje e jashtme….
Zonja Donika, zoti Mustafa dhe Thaqi thanë se opozita nuk e ka respektuar dialogun në Kuvend.
Donika Kadaj-Bujupi: Po ashtu është, ata thanë “që debati të bëhet në Kuvend dhe jo në rrugë ». Por janë pikërisht ata që e detyruan opozitën të dalë në protestë sepse ata e hodhën poshtë kërkesën për debat që bëri opozita ditën e hënë, 24 orë para protestave përmes një iniciative për seancë të jashtëzakonshme. Rregullorja e Kuvendit tonë parasheh që të mblidhen 40 nënshkrime për të inicuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme. Gjatë 12 orëve, u përpoqëm dhe grumbulluam 36 nënshkrime, na duheshin edhe katër. Kishte disponim nga disa deputetë të pozitës për të vënë nënshkrimet e tyre, por pesë minuta para mbylljes ata u thirrën duke u bërë presion që të tërhiqen. Rekomandimet tona në kërkesë ishin pikërisht kërkesat e protestueseve: 1. Shkarkimi i Ministrit të Kthimit Jabllanoviq dhe 2. Ligji për Trepçen të vjen në Kuvend.
Ndërsa ajo që tha Kryeministri Mustafa dhe Thaqi në Konferecën për shtyp, do te thotë, që apeli i dy kryeministrave për dialog në kuvend ishte hipokrizi e Qeverisë, përderisa ajo ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat për të mos e lejuar seancën e jashtëzakonshme 24 orë para proteste.
Pyetje: Zonja Donika, Kosova po përballet edhe me një eksod të paparë.
Donika Kadaj-Bujupi: Po është shumë e vërtetë, një plagë e re që i është hapur Kosovës. Të njejten ditë, pra të hënën, 24 orë para protestes, ne patën në Kuvend debat për ikjen e qytetarëve të Kosovës nga vendi e që ka marrë përmasa të eksodit, por Kryeministri Mustafa dhe anëtarët e kabinetit të tij bojkotuan seancën, duke mos marrë parasysh asnjë nga rekomandimet e deputetëve për një çështje e cila nuk i takon një partie një subjekti por të gjithe deputetëve. Me këtë qasje dhe arrogancë Qeveria nuk e kthen shpresën, por përkundrazi, e rrit dëshprimin dhe e ul besimin për një perspektivë në këtë vend.
Pyetje: Opozita ka shprehur qendrimin se është rritur ndikimi i Serbisë në Kosovë.
Donika Kadaj-Bujupi: Po, kështu mendojmë, se është shumë shqetësuese edhe rritja e ndikimit të Serbisë në Kosovë përmes veprimeve të njëpasnjëshme që nga marrja e përgjegjësive të kësaj Qeverie, Mustafa –Thaqi – Jabllanovic.
Së pari fyerja ndaj nënave shqiptare, pastaj fyerjet e radhës, injorimi nga Qeveria, tërheqja e Ligjit për Trepçën, pas kërcënimeve nga Beogradi, sjellja e Krajlit në Graçanicë dhe deklaratat e Isa Mustafës, kthimi i barikadës në Shterpcë ku shqiptarëve ju kërkohet të paguajnë taksën për kalim etj.etj.
Pyetje: Zonja Donika si do të veprojë opozita në ditët e ardhme?
Donika Kadaj-Bujupi: Të marten Kryeministri do të jetë në interpelancë sipas kërkesës sonë të dorëzuar më 19 janar. Rekomandimi është shkarkimi i Jabllamoviqit. Të mërkurën jemi në protestë gjithëpopullore në të cilën deri tani vetem në rrjetin social fb kanë konfirmu pjesëmarrjen 13 mije qytetarë. Pra presim që për të drejtën e vet legjitime në mbrojtje të Trepces dhe në mbrojtje të nderit dhe integritetit do të jemi bashke në një protestë gjithëpopullore. Me shpresë që ky Zë i popullit do të trokasë në ndergjegjen e Qeverise e cila duhet të veprojë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, flet deputetja

KOSOVA NJË GETO NË ZEMËR TË EUROPËS

January 29, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kosova një Geto në zemër të Europës. Titulli i këtij shkrimi është tmerrues, por ky është realiteti në Kosovë. Për t’i shpëtuar kësaj getoje, qytetarët e Kosovës, kryesisht të rinjtë kanë marrë ikën përmes Serbisë. Duket sikur dialogu Kosovë-Serbi i ka shërbyer vetëm këtij eksodusi absurd. Stastistikat tregojnë se vetëm vitin që shkoi Kosovën e kanë lënë rreth 50 mijë shqiptarë të Kosovës, kryesisht të rinj, por këto shifra janë zyrtare që do të thotë se realisht ky numër duhet të jetë shumë më i madh.
Sot Kosova përballet me dy rreziqe: I pari nga një qeverisje dhe koalicion si në Republikat e Bananeve; i dyti nga pretendimet territoriale të Serbisë.
Reagimi i qytetarëve ndaj këtyre dy rreziqeve është braktisja e vendit dhe protestat.
Kosova zbrazet pasi nga brenda qytetarët e saj ndeshen me keqqeverisje, korrupsion, papunësi dhe varfëri, ndërsa sinjalet që vinë nga Europa janë indiferencë ndaj popullsisë dhe mbështetje ndaj Hashim Thaçit, i cili shihet si një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje katastrofike që mbizotëron në Kosovë.
“Ne vimë, raportojmë, fotografojmë, e xhirojmë dhimbjen e tyre dhe asgjë nuk ndryshon”. Këto janë fjalët e gazetarit të luftës Anthony Loyd mbi situatën në Siri, por që pasqyrojnë një konkluzion therës dhe të hidhur për të gjitha zonat e krizave. Zona krizash janë ato që kanë luftë ose papunësi. Sepse papunësia gjithmonë prodhon trazira. Gazetarët tregojnë të vërtetën, por lodhen kot, duke rrezikuar jetën.
Konkluzioni i Loyd, që e ka pasë mbuluar edhe luftën në ish-Jugosllavi, vlen edhe për situatën kritike që mbizotëron në Kosovë tash 16 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s. Kosova ishte tragjedia e fundit në zinxhirin e tragjedive gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila u shoqërua me krime kundër popullsisë civile shqiptare dhe spastrim etnik, por duke mos mjaftuar kjo, Kosova vazhdon të ketë mbetur një Geto në zemër të Europës.
Në 1 qershorin e vitit 1999, i Mbijetuari i Holokaustit dhe Nobelisti i Paqes Elie Wiesel do të shoqëronte Presidentin Clinton në kampet e refugjatëve nga Kosova në Cegrane të Maqedonisë. Ai duke evokuar eksperiencat e tij të hidhura do të thoshte: “Unë kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i shumë ngjarjeve, dhe kur djalli apo e keqja e tregon fytyrën e tij, ju mos prisni, mos e lejoni atë të forcohet, ju duhet të intervenoni, të ndërhyni menjëherë”. Ndërsa gazeta The New York Times e citonte Z. Wiesel të ketë thënë në Washington D.C. “se nëse Perëndimi do të kishte reaguar ndaj Milosheviçit dhjetë vite më parë, tragjedia e Kosovës do të ishte parandaluar”. Por Perëndimi nuk reagon. Ose reagon shumë vonë. Ashtu si reagoi shumë vonë në Bosnje.
Disa ditë më parë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin “L’angelo di Sarajevo” – “Ëngjëlli i Sarajevës”– me skenar të mbështetur në librin e gazetarit të luftës Franco Di Mare “Non chiedere perché”- “Mos pyet përse”, botim i Rizzoli, 2011, ku gazetari italian dëshmon se ajo kasaphanë ndaj boshnjakëve myslimanë që ngjau në Sarajevë e Bosnje, në praninë e Kaskave Blu, krahasohet vetëm me atë që ngjau në Auschwitz.
Dhe ndërsa Gjermania më 27 janar kujtonte 70 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Auschwitzit, me një ceremoni në Bundestagun gjerman, në Prishtinë populli i Kosovës protestonte për largimin e Jabllanoviçit, ministrit serb të pakicave në qeverinë e Kosovës dhe në mbrojtje të Trepçes si pasuri kombëtare e Kosovës.
Presidenti gjerman Joachim Gauck, nga të paktat figura me të cilat mund të përfaqësohet sot Europa, tha në parlament se „nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin”. “Kujtimi i Holokaustit është një shqetësim i të gjithë gjermanëve, i të gjithë atyre që jetojnë në Gjermani.”
Kështu do të duhej të thoshte edhe presidenti i Serbisë për atë që ngjau në ish-Jugosllavi. Kështu do të duhej të thoshte edhe Ministri i pakicës serbe në Kosovë i cili pretendon të mos dijë asgjë nga tragjedia e Kosovës për të cilën flet Nobelisti i Paqes Elie Wiesel. Ky ministër që i quan Nënat zemërdjegura të Kosovës „egërsira“ pretendon të mos dijë asgjë as nga masakra në Mejë të Gjakovës, ku forcat kriminale serbe kanë ekzekutuar në prillin e 1999 rreth 500 burra e djem shqiptarë, nga mosha 14 vjeç deri 60 vjeç. Ai justifikohet me pretendimin se ka qenë adoleshent, ndërkohë që ka futur në fjalorin e tij arkaizma që tashmë nuk ekzistojnë më dhe kanë dalë nga fjalori si „Kosovë e Metohi“. Adoleshent ka qenë edhe Elie Wiesel kur e dërguan në kapin e përqëndrimit në Buchenwald dhe e ka të memorizuar në kujtesën e tij Holokaustin, ndërsa presidenti aktual i Gjermanisë ka lindur në vitin 1940 dhe prapë kërkon ndjesë për Auschwitzin. Dhe jam e bindur se Gjermani edhe pas një shekulli apo një milenari do të vijojë të mbajë përgjegjshmërinë për Shoah sepse vetëm duke kërkuar ndjesë do të çlirohet nga pesha e rëndë e fajit dhe nga ajo e shkuar turpi.
Ndërsa Serbia jo vetëm që nuk kërkon ndjesë tash e 16 vjet pas çlirimit të Kosovës, jo vetëm ka katapultuar në qeverinë e Kosovës një ministër që hiqet të paktën injorant, por më e madhja është se Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet ndaj sovranitetit territorial dhe pasurive kombëtare të Kosovës, siç është Trepçja apo Brezovica.

Ndërsa Bashkimi Europian hesht. Pasi ka dirigjuar një dialog të dështuar prej katër vitesh midis Kosovës dhe Serbisë, i cili, në vend t’iu ketë shërbyer urave lidhëse të bashkekzistencës paqsore midis dy vendeve fqinj, sipas interesave bilaterale, Bashkimi Europian rri i heshtur ndaj orekseve të Beogradit, të cilat dihet që e kallën në zjarr e flakë ish-Jugosllavinë dhe aktualisht kanë ndezur protestat popullore në Prishtinë.

Kosova ishte viktimë e një konflikti. Po përse trajtohen sot qytetarët e saj të pafajshëm si të kenë qenë një ushtri agresore që ka shkaktuar tragjedi? Përse Kosova nuk integrohet në asnjë institucion Euro-Atlantik? Përse Kosova nuk ka të drejtë të jetë anëtare e NATO-s? Përse shqiptarët e Kosovës janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk gëzojnë të drejtën të përfitojnë nga liberalizimi i vizave? Përse shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë të dorës të fundit të Europës? Përse Bashkimi Europian toleron një qeverisje e cila sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare rradhitet si një nga më të korruptuarat në rajon? Përse shqiptarët e Kosovës duke qenë kombi më tolerant në Europë për bashkëjetesën fetare vazhdojnë të ndëshkohen nga Bashkimi Europian sepse janë me shumicë myslimane?
A ka shpresa për rininë e Kosovës, ku papunësia këtu arrin 70 %, kur varfëria këtu është e frikëshme, ndërsa është vendi me mesatare moshe më të re në Europë?
Dihet se konvertimi i shqiptarëve në myslimanë ka qenë tepër i vonët. Ai ka ndodhur në kuadrin e sundimit otoman. Por shqiptarët janë Evropianë doc, ashtu si gjermanët, francezët apo italianët. Po si e harron Europa Skënderbeun, i cili ia ndali hovin Sulltan Muratit III dhe birit të tij Sulltan Mehmetit për të pushtuar të gjithë Europën deri në Atlantik.
Më 7 janarin e këtij viti në mes të Parisit dy të rinj francezë me origjinë nga vendet ish-koloni të Francës dhe të besimit myliman kryen një akt terrorist dhe vranë 12 francezë të tjerë, artistë dhe gazetarë, duke shokuar dhe shkaktuar indinjatë të thellë në gjithë Perëndimin.
Pas këtij akti terrorist, elita franceze i bëri pyetjen vetes nëse ka gabuar diku Franca, që të prodhojë një urrejtje të tillë, ku francezët të shndërrohen në kriminelë xhihadistë dhe të vrasin francezë të pafajshëm. Dhe nuk do të vononte kur kryeministri i Francës Manuel Valls do të deklaronte se „në Francë ekziston një aparteid territorial, social, etnik” “Nuk bëhet fjalë të justifikojmë asgjë, por kemi nevojë edhe ta shikojmë realitetin e Atdheut tonë në sy” ka thënë ai.
Por në Kosovë është një realitet shumë më tronditës se në Francë. Sepse Kosova është një Geto në zemër të Europës, Geto e krijuar prej vetë Europës, për faktin e vetëm se popullsia e Kosovës është me shumicë myslimane. Nuk ka arsye tjetër. Shqiptarët e Kosovës paragjykohen, izolohen, ekskomunikohen lihen në mëshirën e fatit dhe atyre nuk u mbetet asgjë për të bërë veç të ikin, dhe ata që mbeten të protestojnë dhe rebelohen.

DUHET NDËRHYRJA E SHBA

Që Kosova të dalë nga Getoja dhe populli të fitojë besimin e humbur tek të gjithë, duhet ndërhyrja e SHBA. S’ka ilaç tjetër. Kështu u ndal spastrimi etnik dhe vrasja e civilëve të pafajshëm në konfliktin e 1999. Me ndërhyrjen e SHBA u ndal edhe kasaphana në Bosnje e cila zgjati pothuaj katër vjet. Po i referohem rishtas Elie Wiesel, dëshmitarit të Holokaustit, si një Ndërgjegje e Pastër e Vlerave të Perëndimit, i cili ndërhyrjen në Kosovë të amerikanëve e ka quajtur me të drejtë si një „luftë morale“. Por morali i asaj lufte ishte që Kosovës t’i hiqej konotacioni shekullor si “Fuçi Baruti”, çka e përjashton absolutisht kthimin e Kosovës në një Geto. Sepse transformimi në Geto ia kthen Kosovës prapë konotacionin e vjetër dhe rajonit ia kthen rishtaz pasigurinë. Po përse NATO bëri luftë atëherë?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KOSOVA NJË GETO, NË ZEMËR TË EUROPËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT