nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prej dates 4-5 Dhjetor në Qendrën e Kongresit të Bazelit u mbajt Këshilli i 21 Ministror i OSBE-së. Zvicra ishte mikpritësja dhe drejtimin e rradhës për vitin 2014 e kishte Ministri i Jashtem dhe njëkohësisht Presidenti i Konfederates Helvetike zoti Didier Burhalter.
OSBE, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, ku janë të anëtarësuara 57 vende nga Europa, Amerika e Veriut dhe Azia është organizata më e madhe e sigurisë rajonale në botë që vepron për garantimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetin për gati 1 miliardë banorë.
Këshilli Ministror është trupi vendimmarres dhe qeverisës i OSBE-së. Ky Këshill mblidhet një herë në vit, me pjesmarrjen e ministrave të jashtem dhe rreth 70 delegacioneve, që vijnë nga vendet anëtare dhe organizma të ndryshme interesi i të cilave lidhen me problemet e sigurisë.
Është e dyta herë qe Zvicra ka udhëheqjen e rradhës të OSBE-së.Për herë të parë e ka patur në vitin 1996. Atë kohë drejtohej nga Këshilltari i Departamentit të Punëve të Jashtëme Flavio Cotti dhe atë vit OSBE ishte shumë kritike ndaj Shqipërisë pas zgjedhjeve të 1996. Zvicra është anëtare e OSBE që prej 1975 kur është krijuar ky organizëm. Shqipëria është anëtarësuar në OSBE-së në qershorin e 1991.
Presidenca e Zvicrës për vitin 2014 është udhëhequr nga motoja “Krijo sigurinë e komunitetit për të mirën e te gjithëve” duke u fokusuar “në tre objektiva supreme që përqendrohen në vlerat themelore të sigurisë, lirisë dhe përgjegjshmërisë”.
Gjatë gjithë 2014 në qendër të vemendjes të OSBE-së ka qenë kriza në Ukrainë e tani në bilancet e fundvitit mund të themi se pak ose aspak është bërë në zgjidhjen e kësaj krize. Po përmend këtu Ministrin e Jashtem ukrainas Pavlo Klimkin, i cili në fjalën e tij gjatë takimit të 21-të të Këshillit Ministror deklaroi se vendi i tij ka nevojë për një armëpushim të vërtetë e jo për deklarata boshe.
Po aq e fuqishme është edhe deklarata e kryesuesit të rradhës i OSBE-së, Didier Burhalter i cili që në fjalën e hapjes të punimeve të KM të OSBE-së e përshkroi në mënyrë alarmante situatën në Ukrainë. Z.Burkhalter permendi Donjeckun, qytetin me një skuader të famshme futbolli që në vitin 2012 mikpriti pesë ndeshje të finaleve të kampionatit evropian, prej të cilit tani kanë mbetur vetëm gërmadhat që mbahen nën kontrollin e paramilitareve. Këto ngjarje përfshirë aneksimin e Krimesë nga Rusia, i kanë vënë në dyshim parimet që në kontinentin tonë dukej se kishin triumfuar në mbarim të Luftës së Ftohtë, nënvizoi Burkhalter, duke “vendosur pikpyetjen nëse objektivi për të krijuar një bashkësi të sigurtë nga Vankuveri në Vladivostok a do të jetë më aktual”.
Qendrimi skeptik i kryesuesit të rradhës të OSBE-së zotit Didier Burhalter, do t’i bashkohej skepticizmit të përgjithshëm, duke mos harruar të vinim re edhe kryesuesen e rradhës të OSBE-së që për vitin 2015 do të jetë Serbia, e njohur për marrëdhëniet speciale që ka me Rusinë.
“B” SI BAZEL – QYTETI KU U MBAJT KËSHILLI MINISTROR I 21-TË I OSBE-SË
Bazeli shtrihet buzë lumit Rhin, burimi kryesor i të cilit gjendet në akullnajat paradiziake të Graubündenit, kantonit më lindor i Zvicrës, por degë të tij vijnë edhe nga Liqeni i Konstancës duke përshkuar Zvicrën, Francën, Belgjikën, Hollandën, Gjermaninë, Austrinë, Liechtensteinin, Italinë.
Rhini vëzhgohet mrekullisht nga Urat e që e kalërojnë duke i dhënë magjinë qytetit dhe Konfederatës Helvetike lidhjen me Detin e Veriut, aty ku derdhet në Rotterdam.
Toponimia e “Dreiländereck” – “Trekëndëshi ku bashkohen tre shtetet – Zvicra-Gjermania-Franca, si një gadishull në miniaturë i rrethuar nga Lumi Rhin i takon Bazelit. Edhe Universiteti më i lashtë i Konfederatës, që daton vitin 1460 dhe që lidhet me emrin e humanistit të madh Erasmus von Rotterdam duke kujtuar thëniet e tij se “njeriu për njeriun është ose Zot ose ujk” apo “Ndriço dhe errësira do të zhduket vetëvetiu”. A nuk përkon deduksioni i tij filozofal me binomin fjalësor “Mehr Licht!”, dy fjalët e fundit shqiptuar në frymën e fundit nga Johann Wolfgang von Goethe! Në Bazel ka jetuar po ashtu Friedrich Nietzsche, krijuesi i Übermensch-it, Supernjeriut – në veprën e tij fondalendale Kështu foli Zarathustra – Also Sprach Zarathustra.
Zvicra i jep rëndësi të madhe imazhit të shtetit. Këshilli Federal i Konfederatë Helvetike e zgjodhi Bazelin, ai qytetin mikritpritës të Këshillit Ministror të 21-të të OSBE-së që në shtatorin e 2012.
Duke qenë si pike takimi midis tre shteteve Zvicër-Gjermani-Francë pranë një aeroporti ndërkombëtar, si të thuash qyteti ndodhet në zemër të Europës. Me TGV Parisi është vetëm tre orë larg. Amstardami vetëm rreth 600 km, Brukseli rreth 500 e sa, Frankfurti rreth 250 km, pastaj me tren aeroporti i Zürichut- Kloten nga Bazeli mban vetëm një orë. E kështu me rradhë.
Congress Center me kapacitet deri 4000 mijë vetë ka infrastrukturën ideale për një event të tillë, për të treguar se Zvicra është një vend ideal për organizimin e Konferencave Ndërkombëtare.
Bazeli ka një traditë të gjatë si Qytet i Paqes. Përmendim këtu Asamblenë Ekumenike me temën “Paqja në Drejtësi” mbajtur më 1989 («Frieden und Gerechtigkeit in der Bewahrung der Schöpfung») apo njëqindvjetorin e Kongresit Sionist mbajtur më 1997 etj.etj.
Të mos flasim pastaj për Art Basel, Baselworld, Messe Basel,Karnavalet e Bazelit, Fasnacht Basel, që festohet pas të Mërkurës të Hirit, si e ka titullin Ash Wednesday poema e T.S.Eliot. Të mos përmendim pastaj panairet e përvitshme ndërkombëtare, ku Bazeli krenohet se ka traditë fantastike në organizimin e eventeve botërore. Të mos harrojmë edhe Kampionatin Europian të Futbollit, ku Bazeli demonstroi se ishte qyteti ideal për të mikpritur miq nga e gjithë bota.
Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së do të ndikojë për t’i dhënë Bazelit një qendërvemendje të re, si qytet që organizon ngjarje të kalibrit botëror. Bazeli po ashtu jep një kontribut aktiv në promovimin ndërkombëtar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës, sigurisë dhe paqes. Qendra e Kongresit e Bazelit është e veçantë sepse duke mbizotëruar qelqi, të kujton “pallatin e xhamtë” të OKB-së në New York.
Bazeli gjithmonë është i interesuar për “Return on Investment”, për investime. Prandaj mikpritja e Bazelit ndaj rreth 2000 miqve pjesmarrës në Këshillin Ministror të 21-të të OSBE-së ku përfshiheshin edhe gazetarët padyshim që do të ishte e shkëlqyer.
TRE GAZETARË SHQIPTARË NË KËSHILLIN MINISTROR TË 21-TË OSBE-SË
Në mesin e 2000 të ftuarve, midis të cilëve Sekretari i Shtetit të SHBA John Kerry, ministri i jashtëm i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier dhe Ministrat e jashtëm nga 50 vende të OSBE-së përfshi Ministrin e jashtëm të Shqipërisë, ishim edhe rreth 230 gazetarë të akredituar nga e gjithë bota.
Akreditimi i gazetarëve kishte nisur të paktën një muaj më parë dhe gazetarët e akredituar mbaheshin të përditësuar permes internetit vazhdimisht në lidhje me aktivitetin që do të vinte. Me mbërritjen në Bazel, bashkë me çantën e gazetarëve si dhuratë në pikën e akreditimit, aty do të ndaheshin distinktivat që gazetarët duhet t’i mbajnë në raste të tilla në mënyrë dalluese, ku nuk mungonte as një Tobleronte zvicerane dhe sidoms Media Handbook, një lloj libërxhepi – ku faqja e parë hapej me urimin e mirëseardhjes nga mikpritësi, Ministri i jashtëm zviceran dhe kryesuesi i rradhës i OSBE, Didier Burhalter dhe pastaj aty jepej i gjithë programi i hollësishëm nga mbërritja e deri tek largimi i tyre nga Bazeli.
Në raste të tilla ndihesh krenar për profesionin që ke, por kjo e rrit dozën e përgjshmërisë. Qendrimi i gazetarëve në Bazel niste nga 1 deri më 5 dhjetor. Qendra e mediave ku ishim të vendosur zinte një hapësirë shumë të madhe. Në tavolinat e gjata ishin të vendosur laptope, telefona fix dhe pjesa më e madhe e aktiviteve ndiqej live përmes ekranëve gjigandë që ishin të instaluar në sallën gjigande.
Gazetarët nëpër qytet udhëtonin gratis, mjafton që të tregonin distinktivin. Po ashtu në sallën e mediave ishin snackbaret për të konsumuar ushqimin e njohur të gazetarëve, siç janë sandwiches, snacks-et, kafetë, çaji, coca-cola dhe fruta. Dreka po ashtu konsumohej brënda qendrës të Kongresit ku gazetarët i priste menyja e një restauranti japonez.
Të gjithë qytetarët e Bazelit dhe Basel-Landit mirëinformoheshin që në autobuzë dhe trama, se gjatë ditëve që do të mbahej Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së, prej 3-5 dhjetor, në Qendrën e Kongresit do të ishte i bllokuar qarkullimi. Kush e njeh Bazelin e di se në Qendrën e Kongresit gërshetohen shumë trama. Nga ajo anë e qytetit që vinim ne, linjat e tramave e përfundonin rrugën tek stacioni i Klarastrasse dhe aty ishin të detyruar të zbrisnin të gjithë. Pikërisht aty prisnin forcat e sigurisë dhe lejohej kalimi i vetëm ne gazetarëve duke treguar distinktivat tona.
Që ditën e parë, posa mbërritëm në mëngjes herët në sallën e madiave, të parën gjë që bëmë, u interesuam nëse kishte gazetarë shqiptarë. Përveç ne të dyve që ndihemi shumë mirë si shtetas të Zvicrës, por që nuk i harrojmë kurrë rrënjët nga vimë, mësuam se aktivitetin nga Shqipëria do ta mbulonte edhe Rezar Balla nga RTSH bashkë me operatorin.
U takuam me Rezarin dhe i kujtuam se me vëllain e tij Sokol Ballën, që nga samiti i Strasbourgut kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, e kemi lënë të takohemi përsëri në Strasbourg, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së!
Pyetja është se kur do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së?
E veçanta e takimit të 21-të të Këshillit Ministror të OSBE-së ishte kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në fjalën e tij u ndal në rolin që duhet te luajë OSBE-ja në respektimin dhe nxitjen e të drejtave të bashkëkombësve tanë në rajon si dhe në afrimin e Kosovës me organizatën.
“Ne besojmë fuqimisht se Kosova duhet të ketë vendin e saj në OSBE, si pjesë e rëndësishme e përfaqësimit të saj në organizmat rajonal dhe ndërkombëtar, pasi kjo do të rriste efikasitetin e vet Misionit të OSBE-së në Kosovë”. tha Bushati.
Kosova është pjesë e përhershme e axhendës diplomatike të Shqipërisë, por pa arritje të prekëshme. Kosova nuk është e anëtarësuar ende as në Këshillin e Europës dhe rezulton që të jetë ishull i izoluar, si i vetmi vend që nuk gëzon as të drejtën nga liberalizimi i vizave. Viti 2014 ka qenë një vit dështimi për diplomacinë shqiptare në përgjithësi edhe Prishtinën, pasi gjatë 2014 kanë qenë vetëm katër shtete të reja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra faktet flasin vetë.
HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT TË KUJTON SKANADALET BANKARE NË SHQIPËRI
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri këto gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur dy krime ekonomike të nivelit më të lartë shtetëror. Vrasja e drejtorit të Credins Bank Artan Santo dhe vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar, që u shoqërua me arrestimin e Guvernatorit dhe të disa zyrtarëve të këtij institucioni.
Deri tani shteti shqiptar nuk ka zbardhur asnjë nga këto krime, të cilat duhet t’i zbardhë me çdo kusht. Asnjë investitor i huaj nuk ka siguri të vijë në Shqipëri, nëse vendi nuk garanton shtetin ligjor. Shtet ligjor i dënon shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh postet e larta që ata mbajnë, prandaj thuhet se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
Megjithë pengesat, barrierat, vështirësitë, gjithçka duhet të jetë e tejkalueshme, sepse në një sistem demokratik, shteti i së drejtës duhet të triumfojë. Ne të gjithë duhet të besojmë se në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë shtetarë të aftë e të ndershëm që ta kryejnë me devocion detyrën ndaj shtetit dhe qytetarit. Sepse ndryshe sistemi demokratik do të degradojë në sistem mafioz.
Këto ditë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin – “Qualunque cosa succede” –Çfarëdo që të ngjasë-, një miniseri televizive kushtuar Giorgio Ambrosolit. Një film kushtuar po Ambrosolit, me titullin “Un eroe borghese“, mban firmën e Michele Placidos.
Po kush ishte Giorgio Ambrosoli? Duke cituar Carlo Azeglio Ciampi, ish-Presidentin e Italisë « Giorgio Ambrosoli ishte një qytetar italian në shërbim të Shtetit, i cili thjeshtësisht dhe normalisht kreu detyrën». Ndërsa në fjalët që motivojnë Medaljen e Artë të Vlerave Qytetare midis të tjerave thuhet se “Giorgio Ambrosoli ishte shembull i shkëlqyer i sensit të lartë të detyrës dhe të integritetit moral absolut, deri në sakrificën ekstreme”.
Më thjeshtë, Giorgio Ambrosoli ishte një avokat profesionist me kompetenca, shumë i aftë dhe i ndershëm që sakrifikoi jetën për hir të vlerave të shtetit ligjor.
Pas crack-ut të Bankës Private të Italisë, Giorgio Ambrosoli emërohet në shtator të 1974 prej guvernatorit të atëhershëm Guido Carli komisar likuidues i kësaj banke, me qëllim hetimin e situatës ekonomike, ku dyshohej për krim ekonomik. Siç rezultoi, në këtë aferë mafioze kishte përfshirje të politikës, eksponentëve të financës së lartë, deri të figurave të Vatikanit si dhe mafies siçiliane këtej e përtej oqeanit, do me thënë në SHBA, që e kishin kthyer Bankën Private të Italisë në një kupolë të krimit të malavitës dhe shtetarëve të korruptuar.
Duke qenë se fjala ishte për fitime me miliona e miliona dollarë, Giorgio Ambrosoli merr sinjale kërcënimesh menjëherë sapo emërohet dhe pesë muaj pasi kishte marrë detyrën, në shkurtin e vitit 1975, i ndërgjegjshëm për situatën kritike, ai do t’i shkruante një letër së shoqes, ku i linte amanet rritjen e fëmijëve. Në fakt, ajo që priste do t’i vinte 4 vjet e sa më vonë, në 12 korrikun e 1979, kur ai gati e kishte mbaruar detyrën që kishte caktuar vetes, të paraqiste prova të mjaftueshme kundër Michele Sandonan, pronarit kryesor të Bankës Private të Italisë që kishte shumicën e aksioneve. Sandonan drejtësia do ta dënonte me burgim të përjetshëm, me akuza të provuara për veprimtari kriminale mafioze dhe si mandant (porositës) i vrasjes të Giorgio Ambrosolit.
Që kur e mori detyrën e deri në vrasje, Giorgio Ambrosoli pati pak mbështetës nga ana e shtetit, aq sa dukej sikur shteti mbante anën e mafies. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e guvernatorit të Bankës të Italisë, Paolo Baffit, i cili kishte zëvendësuar Guido Carlin dhe të Mario Sarcinellit, që atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës së Italisë dhe përgjegjës për mbikqyrjen e bankave të kreditit.
Për t’i dhënë goditjen përfundimtare Giorgio Ambrosolit, drejtësia e kapur italiane, në marsin e 1979, vetëm katër muaj përpara vrasjes, arreston edhe të dy mbështetësit e tij, Guvernatorin Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli, që akuzohen nga Prokuroria e Romës për shpërdorim të detyrës dhe favoritizëm personal. Sarcinelli u arrestua dhe doli nga burgu vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa Baffit iu shmang burgu për shkak të moshës.
Arrestimi i dy figurave të shquara të botës të financës u prit me indinjacion të thellë dhe manifestime solidariteti, ku vlen të përmendet një apel publik i firmosur nga 147 ekonomistë nga më të famshëm të Italisë. Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli dolën të pafajshëm, por Baffi nuk pranoi më të vijonte detyrën e Guvernatorit të Bankës të Italisë, të cilën pas tij në gushtin e 1979, vetëm një muaj pas vrasjes të Giorgio Ambrosolit, e mori Carlo Azeglio Ciampi, i cili në vitin 1999 për dy mandate rresht, do të ishte Presidenti i Republikës Italiane.
E tregova këtë histori e cila ka shumë ngjashmëri me aktualitetin shqiptar, sa i përket krimit ekonomik, për të treguar se lufta kundër shkelësve të ligjit nuk ka lindur as sot dhe as dje, se kjo luftë është permanente dhe ku fitues duhet të jetë gjithmonë shteli ligjor dhe qytetari, pavarësisht bindjeve politike.
PROTESTA E PD – DEKLARIMI I EDI RAMËS PËR HAPJEN E DOSJEVE DHE PREMTIMI QË AI I KA BËRË ANGELA MERKELIT
*Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
*Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!/
Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ndërsa përballë kryeministrisë dje konsumohej protesta e rradhës këtë çerek shekulli, nga periferia e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë konsumonte edhe ai një deklaratë të rradhës, siç ishte hapja e Dosjeve.
Lulzim Basha thërriste në shesh për plagët e shoqërisë shqiptare, kur partia që sot drejton ai ka qeverisur vendin për 8 vjet rradhazi prej 2005-20013, duke i lënë të pamjekuara ato plagë. Në atë kohë Edi Rama si lider i opozitës organizonte protesta dhe bojkote.
Duke ricikluar njëri-tjetrin.
Sot Lulzim Basha shqetësohet për papunësinë, pensionet e ulta, bile shqetësohet edhe për fatin e të përndjekurve, kur ne e kemi parasysh se si u vetëdogjën të persekutuarit politikë mu në zemër të Tiranës dhe Lulzim Basha, nuk mori as mundimin që t’i takonte ata njerëz të mjerë, dhe i la në mëshirën e fatit.
Ndërsa vetë kur bëjnë greva – i keni parë se si i ngrejnë çadrat e bardha – me salltanet sulltanësh!
Në protestën e Lulzim Bashës morën pjesë ata që janë pushuar nga puna me ardhjen në pushtet të PS. Nga ana e saj PS punësoi ata që kishte pushuar nga puna PD kur kjo forcë politike kishte dalë në opozitë. Pra protestojnë punëmarrës që kanë humbur vendin e punës nga punëdhënësi i ri, dhe prandaj duan punëdhënësin e vjetër.
Ky është trafikim i pastër dhe turpi i kësaj klase politike mizerabël! I barabartë me trafikimin e qenieve njerëzore. Sepse ua ble votën në shkëmbim të një vendi pune!
Këtu konsiston thelbi i pseudoqeverisjes, që sa here vijnë në pushtet iu bëjnë shërbim klientelist votuesve, që marrin trajtën e klaneve tribale!
Edi Rama ka premtuar 300 mijë vende pune, premtim që nuk e paska mbajtur, sipas Lulzim Bashës. Domethënë që Edi Rama ka gjetur një papunësi drastike prej qeverisjes tetëvjeçare të PD. Natyrisht që po.
Prandaj që të rifitojë kredibilitetin e humbur, Lulzim Basha duhet të shajë veten dhe partinë e tij, të paktën të bëjë autokritikë.
Edi Rama ka gjetur papunësi drastike dhe 10 miliardë Euro në vit sipas Guardia di Finanza të Italisë, prodhim hashashi nga tregu mafioz.
Prodhim, të cilin kërkon që ta kthejë nga një produkt të mafies, në një produkt të shtetit mafioz deputeti i PS Koço Kokëdhima, sepse, sipas tij, për marihuanën e prodhuar në Shqipëri ka kërkesa të mëdha në Europë, pasi është e cilësisë më të mirë!
Cilësia e hashashit po, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës është përtokë.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet t’i tregojnë elektoratit se vendet e punës nuk i krijon partia ku ata votojnë, por shteti ligjor i cili siguron lirinë e tregut për investitorët e huaj.
Po si mund të flitet për liri të tregut, kur shteti shqiptar ende nuk i ka zbuluar vrasësit e Artan Santos dhe nuk i ka shkuar deri në fund vjedhjes dhe sistemit klientelisto-nepotik të Bankës të Shtetit. Sepse Ardian Fullani ishte vetëm shërbëtor i bindur i politikës.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!
Shqipëria, një perlë e Mesdheut, duhej të ishte tregu i parë për turizmin europian. Aty do të duhej të zbarkonin me miliona turistë gjermanë, suedezë, finlandezë, zviceranë, polakë, hungarezë. Nuk vjen asnjë prej tyre. Preferojnë të shkojnë në plazhet e Turqisë.
Sepse në Shqipëri nuk kanë siguri, nuk ndjehen të sigurt.
Kjo është e vërteta. Prej këtu nis edhe shtetbërja, edhe opozita.
Edi Rama nuk ka se përse të shqetësohet me protestat. Janë një riciklim. Ai e di mirë se si organizohen. Se si sillen njerëzit me autobusë nga rrethet, se si autobusët i paguan partia, ua paguan edhe drekën për orët e humbura.
Edi Rama, nëse i hap Dosjet, do të mbetet në histori, por do të bëjë vetëm detyrën.
Por atij i duhet së pari të mbajë premtimet që i ka dhënë kancelares Angela Merkel, për të çuar përpara drejtësisë peshkaqenët e politikës shqiptare atje ku e kanë vendin.
Këtyre ditëve në TV e Tiranës u intervistua zonja Monica Luisa Macovei, sot anëtare e Parlamentit Europian, e cila ishte Ministre e Drejtësisë e Rumanisë nga 2004-2007. Ajo tha për audiencën shqiptare se rruga e vetme e Shqipërisë për të hyrë në BE është përmes reformave në drejtësi. Pastaj ajo tregoi se si, kur kishte qenë Ministre e Drejtësisë, kishte drejtuar reformën anti-korrupsion. Me këtë rast ajo kishte krijuar Direktoratin Kombëtar të Antikorrupsionit dhe kishte filluar të hetonte dhe të fuste brenda si kolegë të saj, deputetë e ministra nga krahu politik që përfaqësonte, ashtu edhe nga krahu tjetër.
Gjë që Edi Rama nuk e ka bërë dot prej 15 muajsh që ka marrë në dorë frenat e shtetit.
Për këtë gjë duhet të shqetësohet!
LDK, MES VLAN-IT DHE HASHIMIT!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në këta gjashtë muaj katrahurë pas 8 qershorit, e vetmja gjë që të jepte shpresë ishte koalicioni VLAN – ku LDK-VV-AAK dhe Nisma, pavarësisht nga ofertat e majme për pushtet ofruar nga Hashim Thaçi, nuk u dorëzuan dhe qëndruan bashkë.
Megjithë presionet e kriptothaçistëve, VLAN qëndroi stoik dhe i vendosur në qëndrimet e tij, duke krijuar një bllok të pathyeshëm me qëllim shpëtimin e Kosovës nga katastrofa ku e ka degjeneruar një regjim antidemokratik.
Se në çfarë udhëkryqi gjendet sot Kosova, e tregon fakti se Hashim Thaçi kërkon pushtet me çdo kusht, me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat, me të gjitha çmimet duke shkelur parimin themelor të demokracisë, ku fitues është shumica. Dhe VLAN është shumicë.
Për të tejkaluar bllokadën e Thaçit, me qëllim konstituimin e parlamentit dhe institucioneve, dhe duke respektuar kërkesën e SHBA, VLAN hapi rrugë që vendi i kryekuvendarit t‘i kalojë PDK.
Ky lëshim që u bë për hir të interesave të vendit, nuk e ndryshonte marrëveshjen e VLAN.
Por ky lëshim do t’u shërbente kriptothaçistave brenda LDK-së që të rifillonin fushatën e tyre! Se gjoja e duan Isa Mustafën kryeministër. Këta që gjatë këtyre 6 muajve kanë bërë fushatë anti Isa Mustafa, tani po u djeg zemra për Isa Mustafën! Rrenë klluqe! Ata po digjen për Hashim Thaçin!
Prandaj, mjaft më! Mjaft më klanit brenda LDK-së, mjaft më probatimave të Hashimit në LDK, që e duan Isa Mustafën kryeministër me qëllim që ata të vazhdojnë aferat që kanë pasur me Hashimin. Klani i njohur brenda LDK-së për lidhjet me Hashim Thaçin, është armik i VLAN-it, sepse VLAN ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ndërtojë shtetin ligjor.
Ky është misioni historik i VLAN-it. Të shpëtojë Kosovën.
Natyrisht që LDK në koalicionin katër-partiak është partia e parë dhe nga kjo i gëzon të gjitha privilegjet si e tillë por në kontekstin e koalicionit – ajo nuk i ka votat që t’i imponohet VV-AAK dhe Nismës. LDK ka 30 deputetë – VV 16 – AAK 11 dhe Nisma 6. Dmth janë 30 me 33! Edhe sikur t’i kishte. Me votat e saj nuk krijon shumicë.
Gjatë marrëveshjes së koalicionit të 10 Qershorit u vendos formati i njohur. Ky format do të ruhej nëse do të kishte rrjedha normale, të cilat nuk i lejon Hashim Thaçi.
Tash LDK është midis VLAN-it dhe Hashimit!
Në marrëveshjen e 10 qershorit mund të qe vendosur që Isa Mustafa të bëhej kryeministër dhe Ramush Haradinaj kryeparlamentar. Por u vendos që të jetë Isa Mustafa. Po të qe vendosur Ramush Haradinaj, atij do t’i duhej ta lëshonte këtë post dhe nuk do të kishte të drejtë të kërkonte vendin e kryeministrit, por do të kompensohej. Edhe për Isa Mustafën humbja e vendit të kryeparlamentarit duhet të kompensohet. LDK ka të drejtë të ketë postin e presidentit të Kosovës dhe deri atëherë ka të drejtë që Isa të jetë nënkryeministër i parë dhe të ketë postin e Ministrit të Financave, për shembull.
Kjo arrihet me një shtesë aneksi në marrëveshjen e 10 qershorit të VLAN.
Por mos harroni se qëllimi i partive nuk është akaparimi i pushtetit, por shpëtimi i vendit dhe ndërtimi i shtetit. Pra LDK kujdes!
Sepse LDK e ka provuar aleancën me PDK! Dhe prej kësaj aleance LDK-së i ka kushtuar shumë shtrenjtë, pasi ka humbur çerek milioni votues, ndërkohë që qeverisja me Thaçin ia humbi fytyrën, sepse u pa qartë që LDK e humbi identitetin dhe u kthye në parti vasale të Hashim Thaçit!
Nëse LDK, për hir gjoja të Isa Mustafës kryeministër, del nga VLAN, prishja e aleancës me bllokun është krejtësisht në interes të Hashim Thaçit, paçka se Hashimi do ta gradojë Isa Mustafën kryetar qeverije, duke mbajtur për vete postin e presidentit të Kosovës, PDK do të ketë shumicën dhe do t’i luajë zarat vetë Hashimi. Ashtu si veproi me Fatmir Sejdiun!
Natyrisht, nëse LDK me pretendimet e Isa Mustafës kryeministër, rikalon në aleancë me PDK, kjo do të jetë humbja përfundimtare e saj.
Ndërsa nëse dëshiron që të ruajë fytyrën, LDK duhet të mos krijojë asnjë barrierë dhe të operojnë si bllok me VLAN-in.
RRETH VIZITËS SË KRYEMINSTRIT RAMA NË BEOGRAD DHE BLLOKADËS SË BERAT BUZHALËS NË FACEBOOK
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Gazetaria shqiptare pa dallim është më e diskredituara, si e shitur tek politika dhe oligarkët. Gazetarë të preferuar të politikanëve, si puthadorë të tyre, bëhen kryeredaktorë, deputetë, ministra. Jo se i shërbejnë opinionit publik, por sepse iu shërbejnë interesave të politikanëve.
Berat Buzhala është njëri prej tyre. Nga kryeredaktor i Express, kaloi automatikisht deputet i PD-së dhe prej andej është i katapultuar në çdo televizion në Kosovë dhe Shqipëri. Pra, ai nuk është gazetar i pavarur. Ka patur një karrierë në ngjitje falë Hashim Thaçit. Por kjo nuk e ka ndalur që të rritet si personalitet. Shpesh me Berat Buzhalën kam ndarë mendime të njëjta, por edhe kur nuk i kam ndarë, nuk më ka shkuar mendja që ta bllokoj në Facebook si bëri ai, kur unë e ironizova pas shfaqejes së tij tek Opinion duke anatemuar deklaratën e kryeministrit Rama në Beograd. Berat Buzhala merr nëpër gojë të mbarë e të mbramë, por nuk toleron assesi që dikush ta kritikojë. Kjo është mendësi diktatorësh të vegjël.
Në fakt, Berati po në Facebook kishte bërë të ditur se ai do të ishte i ftuar tek Opinion. Unë e dëgjova Beratin se çfarë tha, pra tregova respekt deri në fund ndaj fjalëve të tij dhe reagova, ndërsa ai nuk tregoi as respektin minimal dhe as tolerancën minimale. Mendësi autokratësh të vegjël.
Para disa kohësh, ishte Berati që po në Facebook më tha se “ti Elida nuk je nga Kosova”. Më erdhi keq. Por u përpoqa që t’ia ndërrojë mendjen. I thashë se djali jonë i madh quhet Prizren. Më tha me cinizmin e gjakftohtësinë e reptilëve se kjo për Berat Buzhalën as do të thotë asgjë dhe nuk tregon gjë për ne prindërit e tij, pastaj më ironizoi se ne dhe djemtë tanë jetojmë në Europë. Por unë prapë i thashë se emri Berat për mua do të thotë shumë, gjë që nuk i bëri përshtypje fare. Berati më tha gjithashtu se ai “na paska amnistuar” mua dhe Skënder Buçpapajn, kryeredaktorin dhe editorialisten e Bota Sot për dhjetë vjet, prej 1998-2008!!! Këtu ai arriti kulmin e paranojës. I thashë Berat Buzhalës se ne kemi bërë detyrën si gazetarë, se kemi kërkuar pavarësinë e Kosovës kur ai i binte maces me lugë dhe se nëse ai amniston dikënd duhet të amnistojë njerëzit e partisë së tij, sepse Bota Sot i ka katër dëshmorë të fjalës të lirë, ndërsa ai Berat Buzhala si politikan dhe gazetar nuk duhet të rrijë me ndërgjegje të qetë për sa kohë këto vrasje nuk janë zbardhur. Po ashtu, i thashë Berat Buzhalës se nuk duhet të ndihet me ndërgjegje të pastër deri sa qeverisja e Hashim Thaçit, ku ai ka qenë deputet, ka imponuar censurën dhe ka përdorur diktatin politik për të larguar nga puna gazetarë me kontribute. Këto janë qëndrime që i kanë mbajtur pushtuesit, të cilat i kanë imituar Thaçi me Beratin.
Por si Thaçi si Berat Buzhala janë realitete shqiptare. As Skënder Buçpapaj dhe as unë, nuk kemi dashur që t’i përjashtojmë kurrë. Si kanë vepruar ata. Largimin tonë nga Kosova, sepse atje ishim të pranishëm për çdo ditë përmes shkrimeve tona një dekadë të plotë, nuk e pamë dramë. Në fund të fundit një nga aspiratat tona, kryesorja u realizua dhe Kosova sot është e pavarur. Që na larguan, dmth na kishin problem, sepse ne kishim ndikim tek opinioni në Kosovë.
Tani t’i kthehem Beratit mbrëmë tek Fevziu. Ai mbajti një qëndrim thellësisht të papërshtatshëm dhe arrogant deri në histeri ndaj deklaratës të kryeministrit Rama për Kosovën. Berati ishte në unison me Vuçiçin kur tha se Rama ishte thellësisht provokativ.
Berat Buzhala ishte arbitrar në qëndrimin e tij ndaj Ramës, sepse vinte tek Opinion kur një nga analistët më me emër të Ballkanit Daniel Serwer ishte shprehur tek Zëri i Amerikës se deklarata e Ramës nuk ishte provokative. Daniel Serwer, një think tank, i vjetër është analist i panshëm. Ai jepte në një fare mënyrë edhe qëndrimin e SHBA. Dhe Berat Buzhala e kishte lexuar qendrimin e Serwerit kur shfrynte kundër Ramës tek Fevziu,
Por problemi kryesor i Berat Buzhalës dhe synimi i tij që kishte shkuar tek Opinion ishte të devijonte dhe ndryshonte rrjedhën e temës për ta kaluar atje ku donte ai, që kryeministri Rama dhe klasa politike në Shqipëri të ushtrojë ndikimin e saj dhe bindë faktorin politik të Kosovës, dmth VLAN-in, që të shkelë mbi të gjitha parimet demokratike, e t’i dorëzojë Hashim Thaçit mandatin e tretë. Jam e sigurt se Hashim Thaçi i ka premtuar Beratit një post ministri.
Berat Buzhala kishte ardhur në Tiranë të ndëshkonte dhe të dënonte kryeministrin e Shqipërisë dhe t‘i impononte Tiranës zyrtare makutërinë për pushtet të Hashim Thaçit.
Prandaj Berat Buzhala ishte krejtësisht jashtë lojës. Ai nuk vinte aty në emër të popullit të Kosovës. Ai nuk fliste aty në emër të popullit të Kosovës. Aty fliste në emër të Hashim Thaçit. Prandaj i thashë „të mos ndërhyjë në punët e Shqipërisë dhe të kryeministrit të shtetit amë.“
Dhe këtë që them e mbroj me argumenta sepse asnjë politikan shqiptar nga shteti amë, në rrangjet më të larta të shtetit, megjithë sherret që kanë midis tyre, pra as Edi Rama, as Sali Berisha dhe as Lulzim Basha nuk i kanë thënë apo diktuar Hashim Thaçit, si kryeministër i Kosovës se çfarë duhet t’i thotë Daçiçit gjatë 40 takimeve që kanë bërë së toku në Bruksel apo se si duhet të flasë Thaçi me Daçiçin. As nuk kanë reaguar kurrë negativisht ndaj këtyre raunde takimesh, përkundrazi e kanë mbështetur dialogun Kosovë-Serbi. Liderët e Tiranës nuk i kanë thënë kurrë Hashim Thaçit se ka dështuar me këtë dialog, gjë që duhet ta bënin, ashtu si thonë ekspertët ndërkombëtar sepse Hashim Thaçi dështoi pasi e shndërroi dialogun në dy kokësh dhe jo ndërmjet dy vendeve.
Ky është standardi që unë mbroj.
Ndërkohë, jam dakord me ata që thanë se, nëse Rama në Beograd nuk do të kishte folur për Kosovën si një realitet të cilën tashmë e njohin 108 shtete në OKB dhe 23 shtete në BE, do ta akuzonin për tradhtar. Kryeministri Rama mbajti një qëndrim shumë korrekt. Ai i tha Vuçiçit se, nëse kryeministri i Serbisë vjen në Tiranë, askush, përfshi kryeministrin e Shqipërisë nuk do t’i quajë provokime deklarimet e tij, sido qofshin. Sepse realitetin nuk e ndryshojnë deklaratat.
Kryeministri Rama udhëtoi në Serbi, pas 68 vitesh bllokadë, kur marrëdhëniet me Beogradin i kishte monopolizuar një klan profiter. Kryeministri Rama e vizitoi Begradin në kuadrin e strategjisë së integrimit BE, që drejtohet nga vetë kancelarja gjermane. Ballkani ka nevojë për investime, investitorë dhe rimëkëmbje ekonomike. Që të ketë investime rajonale nga BE në sektorët e energjisë, infrastrukturës, kërkohet një komunikim rajonal. Pra vizita e kryeministri Edi Rama në Beograd nuk ishte inicuar as nga pala pritëse, as nga pala jonë. Por nga Angela Merkel, SHBA dhe BE. Sepse shqiptarët dhe serbët janë një realitet i pandryshueshëm në Ballkan, ata janë, pa marrë parasysh radikalizmin apo tolerancën. Ndërsa gjeneratat e reja meritojnë të jetojnë një jetë të denjë, me shkollim, punësim, me lëvizje të lirë, pa urrejtje dhe në paqe afatgjatë, rajoni duhet të jetojë në paqe, me çdo kusht.
Na bie ne shqiptarëve detyra që të tregojmë se duam të ndërtojmë ura, edhe kur ato ngrihen mbi lumenjtë e gjakut dhe të urrejtjes. NKursee e bëjmë sepse duam t’i jepet fund kësaj paranoje dhe këtij kalvari shekullor.
Kurse, siç e tregoi edhe prania e Berat Buzhalës tek Opinion, ne shqiptarët kemi probleme me veten tonë, sepse nuk arrijmë të ndërtojmë ura midis nesh. Ne na duhet imperativisht të ndërtojmë ura midis vedi. Kur të kemi një strategji konstruktive kombëtare, ne do të faktorizohemi si komb, gjithmonë si komb paqsor dhe tolerant. Nuk është rastësi që edhe Konstandini i madh, edhe Skënderbeu, edhe Nënë Tereza edhe Ibrahim Rugova janë shqiptarë.
Kjo gjë arrihet vetëm duke e shpëtuar Shqipërinë, Kosovën nga klientelizmi dhe nga babëzia e politikanëve për pushtet. Ndërtimi i shtetit ligjor është imperativ, duke respektuar parimet themelore të demokracisë, ku në politikë vijnë më të mirët, kur tre pushtetet duhet të ruajnë pavarësinë dhe pushteti i katërt duhet të mbrojë interesat e opinionit publik. Prandaj i them Berat Buzhalës të me heqë murin e bllokadës në Facebook. Sepse bllokada e tij ndaj meje sot, kur festohet 25 vjetori i rrëzimit të Murit Berlinit që njihet si muri i ndarjes përmes urrejtjes dhe idelogjisë staliniste, është absurditeti më qesharak.
Sepse kushdo qofsh ti Berat Buzhala, ti mban emrin e qytetit një mijë vjeçar, të kultures, të Onufrit, e kuqja e të cilit është shumë më e bukur se e kuqja e Ticianit, qytetit të bardhë që shtrihet buzë Osumit, nën hijen e Tomorrit dhe nën qiellin dhe diellin shqiptar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 30
- 31
- 32
- 33
- 34
- …
- 58
- Next Page »