• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË

November 8, 2014 by dgreca

NGA NJËRA ANË VLAN &PDK – NGA ANA TJETËR AMERIKA & AMBASADA E SHBA NË KOSOVË – Zonja Clinton nuk do ta kishte toleruar këtë situatë 5 muaj
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
SHBA – Aleat jetik për shqiptarët
Një nga temat e mia të papreferuara është të shkruaj për Ambasadorët Amerikanë në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë nuk i jam shmangur as kësaj teme kur e ka lypur nevoja. Është një temë delikate, sepse SHBA janë aleati jetik i shqiptarëve. Dhe kritikat ndaj një diplomati të lartë të cilin e ka sjellë aty presidenti i SHBA, keqinterpretohen nga dashakeqët. Në fakt nuk është e lehtë sepse të duhet të kritikosh përfaqësuesin e shtetit më aleat, që i shpëtoi shqiptarët nga zhbërja, shfarosja, deportimi dhe u plotësoi më në fund dëshirën e tyre shekullore për pavarësi.

Kjo është Amerika për shqiptarët.

Siç dihet në 8 qershor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat i dhanë PDK-së në aleancë me Partinë e Drejtësisë dhe disa parti të vogla një fitore si të Pirros, që nuk mund të prodhonte një mandat të tretë për Thaçin nëse PDK nuk do të rikonfiguronte një koalicion të ri me ndonjë nga partitë e opozitës, që ishin LDK, VV, AAK dhe Nisma.
Dhe pikërisht këtu nis drama për PDK-në dhe kthesa historike për klasën politike të Kosovës, çlirimi i klasës politike nga kthetrat e liderëve partiakë që për interesa të pushtetit personal venë në lojë interesat e vendit dhe sovranit. Hashim Thaçi i luajti të gjitha gurët që të krijonte aleancë me ndonjë nga partitë që përmenda më sipër, por asnjëra nuk pranoi.

VLAN-in e prodhoi dialogu, konsensusi dhe kompromisi

LDK, VV, PDK dhe Nisma që për arsye të ndryshme në zgjedhjet e 8 qershorit kishin bërë secila një fushatë individuale, pas zgjedhjeve arritën të hynin në bisedime dhe të gjenin gjuhën e përbashkët të konsensusit e të kompromisit. LDK, paçka se ishte partia më e madhe, lëshoi pe dhe postin e kryeministrit, lëshime të tilla iu bënë edhe VV. Të katër forcave politike iu deshën një raund tryezash që më në fund të dilnin si një bllok politik me aleancën që mban emrin VLAN. Ky ishte një sukses i demokracisë në Kosovë.
Faktori ndërkombëtar, në vend që ta përshëndeste këtë përparim të nivelit të demokracisë në Kosovë, ka pesë muaj që rri heshtur.
Ndërsa qeveria Thaçi akuzohet nga institucione ndërkombëtare me emër si Transparency International si nga më të korruptuarat në Ballkan, heshtja e faktorit Ndërkombëtar, përfshi edhe SHBA, përkthehet nga Hashim Thaçi si mbështetje e Amerikanëve dhe BE që i jepet atij për një mandat të tretë!
Por kjo s’ka si të jetë e vërtetë. Që SHBA të mbështesin Hashim Thaçin. Edhe sikur të jetë e vërtetë. Sepse demokracia ka ligjet e veta, me të cilat askush nuk mund të bëjë as lëshime dhe as kompromis aty ku fitues është shumica.
Dhe shumica në Kosovë përfaqësohet nga VLAN me rreth 400 mijë votues, ndërsa PDK me me Partinë e Drejtësisë ka rreth 220 mijë vota.
Votimi i 8 qershorit ishte legjitim. Përfshi Haradinajn dhe Limajn, të cilët me vendime gjykate dolën të pastër nga drejtësia, pas procesesh të gjata në Hagë apo edhe në Kosovë.

E rrezikon stabilitetin e Kosovës PDK?

Nëse Perëndimi dhe SHBA janë të shqetësuar për stabilitetin e Kosovës, kjo s’do të thotë që, prej frikës të stabilitetit, të mbështesin atë forcë politike që e rrezikon stabilitetin, dmth PDK! Aq më tepër, kur në Kosovë integritetin territorial e garanton NATO përmes KFOR-it.
Në këta pesë muaj stanjacion, të cilat ishin në disfavor të popullit të Kosovës dhe të interesve të vendit, u dëshmua qartë se VLAN nuk ndërmori asnjë hap destabilizues, kur në fakt të protestosh apo të demonstrosh është një instrument legjitim demokratik.
VLAN ka respektuar kërkesat e SHBA për tryeza me presidenten, e cila ka marrë rolin e kukullës, sepse pushtetin që asaj ia garanton Kushtetuta, ajo ia kaloi Gjykatës Kushtetuese, e cila dhënien e një vendimi që mund të jepej për disa orë, e shtyu për disa muaj, duke dëshmuar se pushteti i tretë, ai juridik është i varur dhe i kapur nga Hashim Thaçi.
VLAN kanë shkuar në tryezat aspak produktive tek Jahjaga, për hir të SHBA, duke pritur që më në fund, SHBA të dilnin me një qëndrim zyrtar përmes DASH. Po të ishte në krye të DASH zonja Clinton, ajo do të dilte hapur dhe qartë dhe nuk do ta kishte toleruar këtë situatë dramatike për popullin, sepse politikanët e Kosovës majmen në luks, ndërsa papunësia në Kosovë është 70%.

Vizita e Murphyt ngjalli shpresë ndërsa zgjedhjet në SHBA kambanë alarmi

Gjithsesi u krijua shpresë sidomos pas vizitës të Senatorit Christopher Murphy, i cili në fjalën që mbajti në Uashington, lidhur me turin e kryer në Ballkan, i përcolli administratës amerikane mesazhin se paqja në rajon është ende e brishtë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë vëmendjen dhe të riangazhohen aty.
Por kambana më e fortë e alarmit vjen nga zgjedhjet e 4 Nëntorit në SHBA, ku Partia Demokratike e Presidentit Obama humbi kontrollin edhe në Senat. Dhe një nga pikat e dobëta që kritikohet administrata e Obamës është pikërisht politika e jashtme. FORBES ka dy vjet që presidentin Obama e ka kaluar në vendin e dytë dhe vendin e parë si njeriu më i fuqishëm i botës e ka marrë Putini, i cili ka interesa në Ballkan.

Një bravo për durimin e hekurt të Vlan

Por VLAN këto 5 muaj ka treguar durim dhe vullnet të hekurt dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje që bie ndesh me kërkesat Amerikane, qofshin këto në kurriz të vlerave të demokracisë. Ka vepruar mirë, paçka se kjo ka pasur çmim për vendin.
Ndërkohë, në debatin e Lëvizjes Fol – Fol Hapur zonja Ambasadore e SHBA kritikoi rreptë udhëheqësit politikë të Kosovës për t’i dhënë fund bllokadës pesëmuajshe politike në vend.
Në fakt, Kosovën nuk e kanë bllokuar liderët e VLAN, por Hashim Thaçi. VLAN i ka përdorur të gjitha instrumentat e demokracisë, bisedimet, dialogun, konsensusin dhe kompromisin. Ka gabuar sepse ka pritur 5 muaj zvarritje. Këtu ka gabuar.

Vlan të lidhet me lobin shqiptaro-amerikan në SHBA

Çfarë duhet të bënte VLAN këta pesë muaj zvarritje? Unë do të sugjeroja që të organizonin një delegacion me përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës e të bënin një vizitë zyrtare në SHBA, duke kontaktuar me lobin shqiptaro-amerikan dhe bashkë me to të merrnin kontakt me Departamentin e Shtetit ku të sqaronin gjithçka. Sepse demokracia në Kosovë duhet të ketë të njëjtat standarde që ka në SHBA. Kur humb zgjedhjet Presidenti Obama, e përse të shqetësohemi kaq fort se humbi zgjedhjet njëra nga qeveritë më të korruptuara të Ballkanit, si ajo e Hashim Thaçit! Përkundrazi. Të kënaqemi.
Në kërkesat e saj tek ‘Fol Hapur’, Ambasadorja Amerikane kishte të drejtë në faktin se, deri sa nuk është konstituar parlamenti, politikanët i kanë duart e lidhura.
Parlamenti mund të konsituohej shumë lehtë. Mjafton që SHBA t‘i bënin thirrje direkt Thaçit që të lejonte procedimin e Kushtetutës, apo këtë thirrje t’ia bënin Presidentes së Republikës së Kosovës, që, pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet nuk arriti dot të krijojë shumicën, ajo t’ia lëshonte vendin koalicionit paszgjedhor VLAN.
Të flasësh hapur, duhet të tregosh se kush është shkaktari i vërtetë i bllokadës.
Dhe shkaktari i vërtetë është Hashim Thaçi që kërkon me çdo kusht pushtet politik përmes një mandati të tretë ose kolltukun e Presidentit të Kosovës.
Diçka e pamundur, sepse në demokraci fuqinë për të operuar me çdo kusht e ka vetëm shumica. Ashtu si thotë Aristoteli (Aristotle), Vullneti i shumicës është suprem! The will of the majority is supreme.

Duke iu referuar aktualitetit, VLAN bëri lëshimin e rradhës

Unë mendoj se në demokraci lëshimet nuk tolerohen të bëhen në këtë pikë, kur shumica del nga roli që ka dhënë Kushtetuta e vendit. Veprimi i VLAN justifikohet rishtas si dëshmi loyalitetit ndaj Aleatit jetik që janë SHBA, por vetë SHBA i janë loyalë vetëm parimeve të demokracisë.
Gjithsesi ky lëshim i VLAN e largon nga skenari banalitetin që ka ofruar Flora Brovina e cila besnike i është shefit të saj Hashim Thaçi dhe i hap rrugën krijimit të institucioneve.
Por le të mos harrojmë se kryekuvendari duke qenë gur shahu në duart e Hashim Thaçit nuk të lë asnjë shteg për të parashikuar asgjë pozitive.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do t’i jepnin fund këtij tmerri pa fund, por kanë një tingull të pasens dhe nonsens sepse e përjashton nga e drejta dhe nuk i lejon shumicës, dmth VLAN, të marrë atributet që ia garanton ligji.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, kosova, VILAN& PDK

DEKLARATA E AMBASADORES JACOBSON DHE STATUSI I MOHUAR I DORUNTINA E.MALOKUT

November 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ambasadorja Amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson në një debat të organizuar sot nga FOL nën sloganin Fol Hapur, në deklarimin e saj, përveç të tjerave, përdori një zhargon popullor të gjuhës shqipe, i cili në rrjetet sociale pati reagime të ndryshme, të cilat e mbështesnin dhe jo mënyrën jo diplomatike të Ambasadores Tracey Jacobson.
Kur po mbushen 5 muaj plot pas mbajtjes të zgjedhjeve dhe kur pritet një ndërhyrje nga Faktori Ndërkombëtar, sidomos ai Amerikan, zonja Jacobson në deklaratën e sotme u shpreh hapur kundër thirrjeve për protesta. Po ashtu, ajo tha se të gjitha palët janë të ngatërruara me afera korruptive, se “korrupsioni është traditë e liderëve” dhe në fund përdori shprehjen shqip “Mos i dhini punët”, çka çoi që, brenda disa minutash, deklarata e saj të bënte xhiron e botës, e shpërndarë përmes Youtube-it dhe e botuar në të gjitha gazetat dhe platformat e gjuhës shqipe.
Nëse do të kishte përdorur ndonjë shprehje anglisht, nuk do të shkaktonte këtë reaksion, por në gjuhën shqipe ngjalli përshtypje. Duket qartë se Ambasadorja Amerikane ka njohuri të gjuhës shqipe dhe kjo është diçka shumë pozitive, pasi njohja e gjuhës shqipe e ndihmon të mos ketë nevojën e interpretëve për të marrë direkt informacione dhe kontakte, por gjithsesi duhet të ketë kujdes, sepse, nëse disa ekspresione të tipit që ajo përdori në shqip, ato në anglisht mund të kenë përdorim të gjërë, përfshi edhe zhargonin diplomatik, ndërsa në rastin konkret, kumtuar në shqip pati një tingëllim bizar. Ajo ndofta e përdori këtë ekspresion nisur nga tema e debatit “Fol Hapur”.
Siç e thashë, deklarata e zonjës Jacobson mori dhenë. Ajo u botua dhe u shpërnda kudo, përfshi edhe rrjetin social Facebook. Dhe menjëherë pas saj reagoi deputetja e LDK-së Doruntinë E.Maloku përmes një statusi vendosur në profilin e saj zyrtar, i cili menjëherë pati të njëjtën shpejtësi qarkullimi si deklarata e zonjës Ambasadore. Në status Doruntina shkruan tekstualisht si më poshtë: “A eshte roli i nje diplomati te nivelit te larte, siç eshte ambasadori, qe t’u tregoje lidereve te nje shteti te pavarur e demokratik se a e kane dh.. apo jo punen ne vendin e vet?” “Për me shume” vazhdon më tutje Doruntina “hapeni faqen e Departamentit te Shtetit te SHBA -se dhe shihni rolin qe ka ne nje shtet te huaj – nje ambasador i emeruar nga Presidenti i Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe i konfirmuar nga Senati!”.
Statusin e Doruntinës e botoi menjëherë gazeta Express, e cila po ashtu me shpejtësinë e dritës botoi përgënjeshtrimin po nga Doruntina, sipas të cilës këtë status nuk e kishte shkruar ajo, por një administrator i saj.
Një tjetër flop brenda ditës. Kësaj here nga një deputete e re e Parlamentit të Kosovës, e bija gazetarit dhe publicistit të shquar Enver Maloku, martir i fjalës të lirë, i cili në kohën e terrorit prej pushtimit nuk frikësohej por e përhapte të vërtetën që përjetonte populli i Kosovës.
Doruntina E.Maloku ishte një nga deputetet e votuara nga sovrani më 8 qershor, pikërisht si bija e Enver Malokut. Është normal. Fatmirësisht tani lufta ka marrë fund dhe Doruntina nuk i ka ato vështirësi që përballte i jati i saj i nderuar. Por duhet të ketë kujdes. Të mos ia lejojë vetes që të bëjë këtë figurë aspak interesante që bëri duke e shkruar statusin dhe duke e hequr, ose duke mos e shkruar ajo statusin, por duke e shkruar në murin e saj, me emrin e saj një lloj administratori. Kjo është e papranushme. Aq më tepër kur deputetët e Kosovës janë të papunë prej 5 muajsh dhe të paktën të mos ua lënë profilet e tyre zyrtare të Facebook-ut administratorëve, por t’i mbajnë vetë, sepse aty kanë emrin dhe fotot e tyre, të cilat i ndërrojnë për të treguar se janë të bukura. Po Doruntina është e bukur pa dyshim, por duhet të bëjë edhe politikanen, sepse kur thotë se është person publik, duhet t’i dale zot kësaj pune. Dhe jo vetëm ajo.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, STATUSI I MOHUAR

TË KRAHASOSH ZVICRËN ME SHQIPËRINË

October 30, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri ka nisur aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Çdo vit vjedhja arrin në 150 milionë Euro. Dhjetë vjet bëjnë 1.5 miliardë Euro. Shqipëria edhe sot e kësaj dite e ka problem furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm, por problemin më të madh e ka me informalitetin. Vjedhjen që i bëhet shtetit. Sipas statistikave informaliteti në Shqipëri e kalon shifrën 50 % dhe dihet risku që krijon ekonomia informale, gri apo e zezë, e cila gëlon kur nuk ekziston kultura e ndëshkimit. Atëherë ekonomia e vendit kthehet në ekonomi mafioze. Në këtë prag gjendet Shqipëria. Shumë ekspertë të fushës thonë se Shqipëria është shtet kuazi mafioz. Pra aksioni për të çuar në burg vjedhësin është i mirëpritur. Sepse vetëm kështu do të fillojë të funksionojë shteti i së drejtës, sepse deri tani drejtësia në Shqipëri është fantazëm, inekzistente. Kemi parë ne që një peshkaqen nga ata që vjedhin dhe abuzojnë me pushtetin të shkojë në burg? Asnjë. Prandaj aksioni kundër vjedhjes së energjisë na duket iluzion. Nëse Edi Rama e realizon, bën gjënë e duhur.
Për të krijuar një vizion të qartë, që qytetari të mos ndihet se shteti po vepron si diktaturë, duke futur në burg vjedhësin, po marr si paralel krahasues Zvicrën. Konfederata Helvetike është një shtet që nuk është pjesë e BE, por, megjithatë, nga thelbi simbolizon Perëndimin, sepse i garanton të gjitha liritë e individit dhe krijon kushte optimale për liri tregu dhe një jetë të denjë, gjithmonë duke respektuar ligjin, ku qytetari edhe gëzon të drejta, por edhe detyrime.
Kush vjen në Zvicër për herë të parë dhe kërkon këshilla, një mik i mirë do tî thotë, “kujdes me taksat dhe faturat”. Që do të thotë asnjë taksë dhe asnjë faturë të mos mbetet pa paguar. Kur je në kërkim të një vendi pune, qofsh zviceran apo me leje qendrimi, përveç kompetencave, aftësive, CV dhe edukimit, punëmarrësi të kërkon që të jesh patjetër me “Leumund”- reputacion të pastër. Për këtë duhet të paraqitësh nga Departamenti Federal i Drejtësisë në Bernë një dokument – Excerpt from the swiss criminal record – Auszug der Strafregisterauszug – ku vërtetohet se je njeri i pastër, pa precedentë penalë. Që përkthehet, veç të tjerave, që t’i kesh kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kërkon banesë, qiradhënësi, veç të dhënave të të ardhurave, të kërkon po ashtu një dokument, lëshuar jo më larg se tre muaj, nga Betreibungsregisterauszug – the Debt Enforcement Office – Zyra e Përmbarimit ku vërtetohet se nuk ke borxhe ndaj shtetit apo enteve private.
Në Zvicër çdo qytetar është shumë i kujdesshëm të respektojë ligjin. Respektimi i ligjit është kulturë, është instikt i edukuar, është pjesë e personalitetit. Që fillon tek klaksonët. Në Zvicër nuk dëgjon klaksonë veturash. Në apartamente nuk dëgjon ahengje, muzikë me volum të lartë, sepse shqetëson fqinjët. Kush ka jetuar në Shqipëri, e di se aty është kulturë që plehrat të hidhen nga dritaret. Nëse dikush e bën këtë shkelje në Zvicër paguan gjobë, por nëse nuk paguan taksat, ke kryer krim për të cilin dënohesh sipas shkallës. Edhe nëse nuk paguan faturat, ke kryer krim dhe problemet janë të pafundme. Pra në Zvicër nuk ka qytetarë apo biznese që nuk paguajnë energjinë. Kush nuk paguan penalizohet menjëherë. Sipas ligjeve të Zvicrës, faturat duhet të likuidohen përgjithësisht brenda afatit mujor. Nëse nuk paguhen, të vijnë tre Mahnung-e – kujtesa, e para pa gjobë plus, e dyta dhe e treta me gjoba në rritje dhe nëse nuk i likuidon edhe pas këtyre tre paralajmërimeve, atëherë të çojnë direkt në Betreibungsamt, autoriteti kantonal i zbatimit të ligjit për ndjekjen penale të borxhliut. Për borxhliun atëherë nisin hallet. Nëse je në kërkim të shtetësisë dhe ke borxhe të palikuiduara, harroje atë punë, nuk e merr shtetësinë, sepse nuk je qytetar i denjë.
Siç e thashë që në krye, shteti ligjor të kërkon respektimin e ligjeve, por, së pari, ia garanton qytetarit liritë dhe kushtet për të jetuar. Në këtë kontekst, Zvicra është një nga vendet model për t’u marrë si shembull, ku shteti i së drejtës funksionon si sahati Omega, ku ka liri tregu, shtyp të lirë, ku korrupsioni është një fenomen që luftohet dhe, sipas Transparency International (TI), Zvicra për vitin 2013 zinte vendin e 7 pas Danimarkës, Zelandës së Re, Finlandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Singapurit, pra hynte në top vendet me më pak korrupsion, ndërsa Shqipëria e Kosova ndajnë vendet 116 dhe 111.
Në këtë periudhë krizash për Europën dhe botën, papunësia në Zvicër nuk i kalon 3% dhe shteti është në kërkim të mënyrave për ta ulur edhe më tepër këtë nivel, duke hapur tregje pune, duke krijuar siguri për investime dhe mundësi kualifikimi sidomos për rininë. Në Zvicër biznesit i krijohen kushte optimale për të investuar, por ndërkohë shteti, përmes ligjit, i shpall luftë informalitetit.
Në Zvicër po ashtu funksionon shteti social, për të papunët dhe sidomos për shtresat vulnerabile. Zvicra nuk ka varfëri apo drama sociale si ato të Shqipërisë, ku mjerimi bashkë me mungesën e shtetit ligjor mbetet diktatura më e egër e shoqërisë. Pra shteti i krijon të gjitha mundësitë që qytetari të mos bëhet shkelës ligji, por kush e shkel ligjin, ndëshkohet pa dallim.
Andaj e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin dhe qytetarin është zbatimi i ligjit dhe dënimi i shkelësave të ligjit deri sa edhe në Shqipëri të krijohet shteti i së drejtës me respektivisht qytetarin e tij të përgjegjshëm.
Në fund po ju sjell një sentence të Graham Green-it që ka jetuar dhe prehet këtu në Zvicër. Sepse mund të mësojmë prej saj nëse duam. E kam përdorur edhe në një intervistën time, por ia vlen të përsëritet. Green thotë se . “Zviceranët kanë dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin, ata kanë 500 vite demokraci dhe paqe, dhe e dini se çfarë prodhojnë? Orën me ku-ku”. Humor tipik anglez. Sepse ajo që kanë krijuar zviceranët është 500 vite demokraci dhe paqe. Le ta perifrazojmë këtë deduksion të Green-it në raport me veten tonë, le të fillojmë duke thënë se ne shqiptarët kemi dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin….Humor tipik anglez edhe ky!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, me Shqiperine, TË KRAHASOSH ZVICRËN

KOSTANDIN GRILLO:NË STADIUM NA PRISTE NJË FERR I VËRTETË…

October 23, 2014 by dgreca

STADIUMI SA HYMË OSHËTINTE „VRITINI, VRITINI SHQIPTARËT“…/
PYETJE:Ju ishit pjesë e ekipit shqiptar në Beograd?
Kostandin Grillo: Jo,une isha me delegacionin e Radio Televizionit Shqiptar që kishte te drejtat eksluzive te transmetimit te ndeshjes nga stadiumi Partizani i Beogradit. Ishim 8 veta dhe u nisëm të henen ne mengjes me dy autovetura nga Tirana nëpermjet Shkupit.
PYETJE:Pra ju nuk fluturuat në një avion me ekipin tonë?
Kostandin Grillo: Jo s‘kishim asnjë lidhje me delegacionin e perfaqesueses. Ata u vendosen ne Hotel Crown Plaza në Beogradin e ri, ndërsa ne ishim akomoduar ne Hotel Moskwa m’u ne qender te Beogradit, ngjitur me pedonalen e famshme Knjaz Mihajlov. Në kete hotel sipas te thenave ishte arrestuar patrioti Hasan Prishtina dhe kishte qendruar per nje kohe te gjate Ahmet Zogu
PYETJE:Ekipi jonë mbërriti më 13 tetor ?
Kostandin Grillo: Po në 13 tetor. Edhe ne në 13 tetor. U takuam në stadium në darke kur kreu seancen stervitore dhe trajneri De Biazi dha konferencen e shtypit te programuar nje dite para takimit.
PYETJE: Si ishte klima e pritjes ?
Kostandin Grillo: E kam thene edhe gjate transmetimit, nuk mbante era ndeshje fare. Që në kufi kur u futem me 2 autoveturat e TVSH. Kaluam për 1 minute. As na kontrolluan bagazhet fare. Ndaluam ne rruge para Presheves dhe Bujanocit dhe beme foto me djemte (në autostrade). Nuk u futem ne qytet sepse nxitonim qe te gjendeshim ne stadium per akreditimet dhe ndjekjen e konferencave te shtypit te dy trajnereve dhe ndjekjen e stervitjes se ekipit kombetar ne oren 19:00 ne stadiumin Partizani.
Çdo gje ishte ne nje klime krejt ndryshe nga ajo qe perjetuam ne stadium diten e ndeshjes. Na dukej vetja si ne Tirane, sepse ne mbremje dolem me shoket neper kafe dhe patëm vetem ngacmime per rezultatin e ndeshjes. Dëgjonim (unë komunikoj serbisht) të na thonin do t‘ju mundim me 2-0 3-0 4-0.
PYETJE: Ndeshja do të kryhej pa tifozë shqiptarë dhe pa simbole. Si i kishte pranuar këto kushte Federata Shqiptare e Futbollit ?
Kostandin Grillo: Kjo eshte nje çeshtje qe ka ne dore UEFA dhe të dy federatat respektive, ka marrevshje qe te dy takimet te luhen pa tifozet e te dyja skuadrave, sepse ne raste te ngjashme ka patur edhe ne te kaluaren per shembull Turqi-Greqi pa tifozet që te udhetojne ne Athine apo Stamboll, keshtu qe mendoj se ky nuk eshte nje problem i rendesishem. E mira eshte qe te kete tifoze, por në të tilla raste edhe UEFA i keshillon te dyja federatat. Asnje tifoz serb nuk do te vinte ne ndeshjen e kthimit ne Shqiperi, ashtu si ne nuk do te shkonim atje.
PYETJE: Po djemtë e ekipit tonë ndiheshin nën presion psikologjik një ditë përpara ndeshjes – kur ju jeni takuar me ta dmth në mbrëmjet e 13 tetorit?
Kostandin Grillo: Aspak, në stadium ishte një qetësi absolute. Isha une vete dhe televizioni yne se bashku me supersportin. Shumë qetë ishte. U takuam me ekipin një ditë përpara ndeshjes. Kishte forca te shumta policie qe ruanin stadiumin brenda dhe jashte dhe s‘pati asnje lloj incidenti. Deri më 14 tetor në orën 18:00.
Edhe paraditja e 14 tetorit ishte ne kushte te qeta. Diku aty nga ora 16:00-17:00 në qender te Beogradit, takoj se bashku me Edmond Gëzdarin, të cilin e kishim pjese te delegacionit tone te TVSH, Igli Taren dhe 2 ish-futbolliste te kombëtares, Ardian Aliaj qe i ka shenuar gol Greqise në fitoren e 2004 dhe Ervin Fakaj si edhe nje djale me emrin Ëngjell i veshur me kostum qe me duket se punonte në Ministrine e Jashtme tonën. U ulem bashkarisht dhe pime nga nje kafe. Ata sa kishin ardhur nga Roma me avion dhe ky Ëngjelli se me kë komunikoi në ato çaste dhe i thanë që kanë ndaluar 30 veta qe kane ardhur ne aeroport në atë orë nga Tirana, midis tyre Olsi Rama, i vellai i kryeministrit,Bledi Fevziu,Andi Bushati,Sokol Balla, deputeti Spartak Braho dhe disa te tjerë.
NË STADIUM NA PRISTE NJË FERR I VËRTETË STADIUMI SA HYMË OSHËTINTE „VRITINI, VRITINI SHQIPTARËT“
PYETJE: Le t’i kthehemi 14 tetorit orës 18:00 – çfarë ndryshoi në atë orë?
Kostandin Grillo: Ne në orën 18 e kishim lene te niseshim nga hotel Moskwa me 2 taksi(makinat i kishim mbyllur ne garazh qe nje nate me pare)per ne stadium se do të benim edhe prova. U ndamë me Igli Taren dhe shoqeruesit e tij për të shkuar te hoteli…Atje e gjetem hotelin te rrethuar nga forca te shumta policie. Na thane se nuk do shkonim në stadium se ishte e rrezikshme,por do te shkonim tek hoteli i perfaqesueses,Crown Plaza dhe qe atje qe te gjithe lojtarë, drejtues dhe ne do te niseshim te shoqeruar ne stadium.Nga Radio Televizioni Shqiptar bashkë me mua ishin Defrim Metasani,Edmond Gezdari,juristi Sokol Gjoshi, Dritan Mile kryinxhinieri,Kleart Duraj drejtori i maredhenieve me jashte dhe Elton Kadisi i marketingut se bashku me Gjergj Smokthinen,pra kemi qene 8 veta. Te Crown Plaza e kuptuam se gjerat kishin ndryshuar. Forca të shumta policie, speciale të ndërhyrjes së shpejte por edhe me uniforma ushtarake na kishin rrethuar gjithandej, perveç forcave civile të policisë që ishin të shumtë. Harrova te them se ajo qe me beri pershtypje ishte se ndermjet policive kishte dhe disa qe flisnin paster shqip.
Në oren 19.30 u nisëm të gjithe per ne stadium: i pari autobuzi i lojtareve dhe stafit drejtues,një autobuz i dyte me 2 kate ku ishin tifoze dhe gazetare dhe një mikrobuz me pak vende nja 20 vende qe mbante mbrapa nje rimorkio me canta dhe valizhet e atyre qe pas ndeshjes do te fluturonin direkt per ne Tiranë.
Nga hoteli në stadium ishte nje distancë me makinë prej 10 minutash, e cila kaloi qetë por rruga ishte boshatisur dhe çdo 50 metra ishte një polic i armatosur.
Në stadum pastaj ishte nje ferr i vertetë. Një frike, nje panik i madh.
PYETJE:Nga ana juaj ?
Kostandin Grillo: Nga të gjithe ne 100-150 veta qe ishim. Kishin ardhur shume biznesmene nga Shqiperia kryesisht
ISHTE SI GJENDJE LUFTE E PAMUNDUR TË LUHEJ FUTBOLL, SHASHKA, FLAKË E TYM NGA DO
PYETJE: Tifozët serbë 32 mijë. Ndërsa ju gjithësej jo më shumë se 100-150 veta?
Kostandin Grillo: Jo. I gjithë delegacioni me futbollista dhe gazetare dhe shoqerues të ekipit. Na akomoduan në tribunat VIP disi te izoluara nga publiku. Ne u futem ne kabinen e transmetimit dhe atje degjoheshin vetem sharje ofendime thirrjet « ubi ubi shiftari » dhe shume te tjera. Ishte e veshtire të merrej vesh, sepse dëgjohej nje oshetime e pafundme, por ne shprehjet kryesore i kuptuam.
Ishte si ne nje gjendje lufte…dhe une mendoj se ishte e pamundur atje te luaje futboll. Ishte mendimi im kur e pashe atë situatë.
Ne ishim që të tetë nga RTSH në kabinë. Si mund te luhej në ate atmosfere qe vetem për futboll nuk ishte e pershtatshme. Shashka, flakë e tym ngado.
PYETJE: Po De Biazi si e pranoi që të luhej ndeshja në ato kushte ?
Kostandin Grillo: Këto pastaj jane çeshtjet e federates dhe UEFA-s. Kabina jonë ndodhej në anen e kundert te tyre,s‘kishim asnje lloj kontakti me ata. Ishim në katin e sipërm dhe në të kundërt me ta.
PYETJE:Shashkat i hidhnin që në fillim të ndeshjes ?
Kostandin Grillo: Po, po, shashka, bomba, tym, flakë, sharje qe kur u futem ne ne staidum. Ata do kishin kohe qe ishin futur. Tifozet e tyre do ishin aty qe nga ora 18:00.
PYETJE:Po si e pranoi Duka bashkë me De Biazin që ekipi shqiptar të luante në këto kushte? Të luanin në ferr?
Kostandin Grillo: Prandaj thashe une që kam shkuar ne shume stadiume, por te tille tmerr s‘kisha perjetuar kurre. Ata janë që vendosin. Ne s‘mund te nderhyjme. Për mua ata duhej të mos e fillonin lojën, por vetem se eshtë pergjegjese UEFA, se ajo të dënon nëse nuk zbret ne fushe sipas regulloreve
DUKA-DE BIAZI I KANË RREZIKUAR DJEMTË E EKIPIT
PYETJE:Ju keni bërë një komentim të jashtëzakonshëm sepse i keni treguar opinionit se si është situata. Unë si gazetare mendoj që as Duka dhe as De Biazi nuk kanë vepruar si duhet sepse kanë rrezikuar djemtë.
Kostandin Grillo: Në mikrofon nuk kam treguar gjysmen e frikes sepse s‘doja te perhapja panik,plus qe drejtuesit e TVSH-së na thanë të kishim kujdes ne komente se na monitoronte EBU-ja. Edhe une jam i njejtit mendim me ju
EKIPI SHQIPTAR SHUMË GJAKFTOHTË – TIFOZËT SERBË DUKESHIN SI KRIMINELË TË DROGUAR – SERBËT E KUPTUAN SE NUK DO TË FITOIN DOT
PYETJE: Po ekipi shqiptar në fushë si reagonte ndaj kësaj situate?
Kostandin Grillo: Shume korrekt, shume te qete, shume gjakftohte …dhe une mendoja se pasi kaloi vrulli i 20 minutave të para se nuk do te na mundnin kurre.
PYETJE: A nuk po luante ekipi nën një presion të paparë psikologjik?
Kostandin Grillo: Ata ishin te gjithe te perqendruar. Ata jane profesioniste te vertete, plus qe ajo atmosfere dhe sharjet i ngriten nga ana psikologjike duke vene zemren ne rradhe te pare.
PYETJE: Një gjë për saktësi sharjet „vritini shqiptarët“ dhe shashkat me tym kur filluan ?
Kostandin Grillo: I gjetem atje, edhe sharjet edhe tymueset. Ata ishin kriminelë tifozet, të shperfytyruar, të droguar, jua shikoja fytyrat dhe kisha frike edhe une qe isha lart.
Ndeshja filloi me hymnin qe s‘u degjua fare. Ne atje te pakten s’e degjuam. E kendonin vetem me ze, me duket pa muzike fare, lojtaret. Gjithsesi se dhane veten lojtaret tane.
Nja 20-25 minuta serbet bene nje lloj presioni,ndihmuar mendoj pak edhe nga gjyqtari anglez Atkinson,i cili i ndihmoi ne disa raste. Nuk iu dha kartone, që duhej të jepte për ndërhyrje të egra. Nga minuta e 25 ndryshoi çdo gje dhe atëherë mendoj unë se filloi rrëmuja.
Në 3 pika te stadiumit qe une i kisha perballe shikoja qe tifozet filluan të tentonin te futeshin ne fushe. Ata e kuptuan se loja e futbollisteve serbe nuk mund te prodhonte ate fitore te madhe qe ata enderronini(2-3-4 me 0) dhe filluan të gjuanin edhe me sende edhe me fishekzjarre.
Diku aty nga minuta e 30 kur fituam goditjen e pare nga kendi,shkoi Agolli ta egzekutonte dhe ata filluan ta godisnin. Për pak sekonda gjyqtari e nderpreu ndeshjen dhe shkoi me duket kapiteni tyre atje dhe ata e lane Agollin ta egzektuonte.
Këto ishin perpara se te shfaqej banderola. Një gjuajtje ishte rast i Mavrajt e priti portieri,edhe 2 goditje te tjera kendi per ne,pra 3 te tilla ne favorin tone vetem 1 ne favorine tyre,por edhe rasti i madh per gol i Lorik Canes me koke e agravuan situaten.
Atehere filluan te fishkellin edhe tifozet serbe lojtaret e tyre,sepse po ndjenin lageshti. Ne themi nje shprehje jo te mire ne futboll,u rane te mbathurat,i vume perpara.
Kjo solli ate situatë qe pastaj si pretekst u perdor banderola qe u shfaq diku afer fundit te pjeses se parë. Erdhi nga jashte stadiumit lart ne erresire deri sa nuk kuptohej se çfare ishte.
Une e pashe dhe e kuptova qe ishte harta e Shqiperisë etnike dhe mendova se shkruhej Kosove bile e thashe edhe ne transmentim. Banderola u shfaq kur në stadium s’ishte lënë gjë pa u bërë. Banderola s’erdhi nga stadiumi. Ajo komandohej nga jashtë, thuhej 2-5 kilometra larg. Pas takimit, ne pala shqiptare, pa përjashtim u kontrolluam të gjithë nje per nje dhe nuk u gjet asgje.
PYETJE: Sepse dyshohej se mos banderolën e kishin sjellë shqiptarët ? U kontrolluan të 150 vetat ?
Kostandin Grillo: Të gjithë, pashaporta dhe kontroll trupor dhe çantat apo gjithshka qe kishin neper duar. Na mblodhën të gjithëve, jashtë stadiumit, në një vend diku.
PYETJE: Bashkë me ekipin ?
Kostandin Grillo: Jo ekipin e kishin kontrolluar ne dhomat e zhveshjes. I ke pare pamjet besoj ne TV.Edhe vellain e kryeministrit e kontrolluan bashke me te tjeret. Që te gjithe, asnje nuk linin te hypte ne autobuz pa e kontrolluar dhe pa pashaporte
PYETJE: A kishte kërkuar arbitri ridaljen në fushë të ekipit tonë ?
Kostandin Grillo: Më thane që jo arbitri, por përfaqësuesi i UEFA-s. Delegati i UEFA-s kishte pyetur nese ishin ne gjendje te dilnin në fushë lojtarët. Gjithsesi,Federata e ka lene pak ne erresire kete çeshtje kryesore per ne,nuk ka dale zyrtarisht ta pergenjshtrojë atë që eshte thene.

PYETJE: Çfarë është thënë ?
Kostandin Grillo: Sepse ne altoparlantet e stadiumit u tha 2-3 here qe ndeshja do rifillonte dhe nese kryhej edhe nje hedhje me e vogel cigareje apo sendi atehere ndeshja mbyllej pergjithmone. Bile doli edhe trajneri i tyre, avokati dhe rezervat ne fushe e bankine. Ata kane thene se u pyeten nese ishin ne gjendje te vazhdonim por sipas UEFA-s atyre u eshte thene qe te dilnin te vazhdonin, nuk e dime se cili genjen ose nuk thote te verteten.
PYETJE: Kur u shfaq banderola:
Kostandin Grillo: Banderola doli nga minuta 37-38. Por bëri 2-3 minuta ne ajër. Erdhi nga mbrapa portes në cep te stadiumit ku ishte i vendosur portieri serb.
PYETJE: Po, por deri atëherë në stadium ishte bërë nami apo jo, ishin sharë shqiptarët, ishte përdhosur hymni, ishin hedhur sende goditëse në fushë, shashka, tym e flakë, ishin goditur shqiptarët tek VIP – Në këto kushte normalisht a luhet një ndeshje sipas standarteve të UEFA-s, kur pala shqiptare kishte respektuar vendimin e UEFA-s që të vinte pa tifozë dhe pa simbole ?
Kostandin Grillo: Ka rregullore qe ato dënohen me gjoba dhe pezullim fushe ne ndeshjet e ardhshme që të luhen pa tifoze,ndersa sulmi i tifozeve ndaj lojtareve tane eshte automatikisht nderpreje takimi dhe dhenie 3 pike ne tavoline.
RREZIKOHEJ GJAKDERDHJE
PYETJE: Dmth ju thoni se ndeshja do të fitohet në tavolinë me gjithë presionin duke filluar nga Platini ?
Kostandin Grillo: Tashme qe u ngaterruam me kembet tona me banderolat per mua eshte 70 perqind per ne ne tavoline dhe 30 perqind perseritje e takimit ne vend asnjanes pa tifoze.
PYETJE: Unë nuk mendoj se ka arsye që do ta penalizonte ekipin tonë për një banderolë që mund ta ketë hedhur gjithkush. A nuk ishte pala serbe përgjegjëse për të garantuar mbarëvajtjen, ndërsa deklarata e Platinisë ishte thjeshtë një marrëzi për mendimin tim.
Kostandin Grillo: Gjithsesi une jam i mendimit se nese nje futbollist serb do kishte qelluar me grusht ndonjerin prej lojtareve tane ose anasjelltas (vetem pak te shtyra patën)atehere do kishte gjakderdhje. Deklaratat janë kot sepse verdikti jepet nga komisioni. Natyrisht serbet kane lobing me te forte se ne.
PYETJE: Po lojtari jonë i qëlluar me stol? Një pyetje tjetër
a mund të toleronte skuadra italiane apo franceze apo gjermane një situatë të tillë ?
Kostandin Grillo: Asnjehere, kurre.
PYETJE: E pra kaq mjafton, ky diferencim diskriminues, sepse standartet janë njëlloj. Kështu duhet t’i ketë UEFA si garantuese.
Kostandin Grillo: Serbët i kanë vene emrin e Platinisë ne nje kompleks te madh sportiv qe kane ndertuar perpara ca kohesh dhe Duka ka qene prezent ne ceremoni.
PYETJE: Po shqiptarët kanë votuar për Platininë.
Kostandin Grillo: Me këmbë e duar.
PYETJE: Avokat Ngjela bënte këto ditë thirrje për largimin e Dukës. Unë mendoj se Duka ka mbajtur një qendrim shumë të papërgjegjshëm ndaj ekipit tonë, përfshi edhe De Biazin.
Kostandin Grillo: Nuk e largojnë.
PYETJE: Çfarë do të thoshe diçka që vlen ta përmendim.
Kostandin Grillo: Unë them se po te mos ishim marre me banderolen ne fitonim edhe ne fushe edhe ne tavoline me ata njeqind perqind.
KËRCËNIMI I JETËS TË FUTBOLLISTËVE TANË ISHTE ARMA JONË, FEVZIU ME SHOKË MERRESHIN ME BANDEROLËN
PYETJE: Jo, unë nuk mendoj kështu, sepse banderolën nuk e sollën lojtarët shqiptarë në fushë. Cili është argumenti kryesor i ekipit tonë?
Kostandin Grillo: Kërcenimi i jetes se futbollisteve ishte arma jone. Më e forta dhe me e sakte, sipas rregullores të UEFA-s. Ndërsa Fevziu me shokë merreshin me banderolen.
PYETJE: Por ne nuk merremi me banderolën, sepse ndeshja është ndjekur nga publiku shqiptar, por edhe nga futbollistë dhe ekspertë. Dhe ti e the shumë bukur se banderola ishte ajo ishte pretekst. Ata edhe kur filluan Luftën e Parë Botërore gjetën një pretekst.
Kostandin Grillo: Ajo nuk duhej te ishte permendur fare, sepse dhuna erdhi nga paraqitja jo e mire e lojtareve serbe, per mua, dhe jo nga banderola. Këtë po them pretekst që edhe mediat tona jua dhuruan. Gazetaret e politikes nuk njohin rregulloren e futbollit sikurse ata te futbollit nuk e njohin regulloren e politikes
PYETJE: Kur u pa se po rrezikohej jeta e ekipit tonë?
Kostandin Grillo: Filloi qe ne hedhjen e sendeve ne drejtim te Ansi Agollit ne goditjen e pare nga kendi shume minuta perpara se te shfaqej banderola ne stadium aty nga minuta e 28-30 mendoj ne mos gaboj.
PYETJE: Diçka për kthimin.
Kostandin Grillo: Po ju them edhe nje detaj tjeter. Pasi u larguam te shoqeruar me 2 eskorta policie nga stadiumi ne hotel Moskwa ne rreth 10-12 veta qendruam shume afer me hotelin ne nje lokal deri ne oren 3 te mengjesit duke ngrene diçka dhe duke pire nga nje birre, nderkohe qe policia na pyeti te qendronte me ne apo jo, ne u thamë nese kemi problem, hoteli eshte shumë afer dhe ju lajmerojme, keshtu qe u larguan dhe s’na ngacmoi njeri. Të nesermen u nisem ne mengjes ne oren 11-11:30 nga hoteli me dy makinat tona, dhe para nesh edhe Petri Bozo me makinen e tij drejt kthimit, por kete here i rame nga kufiri me Kosovën. Shikonim fytyra te ngrysura por ngacmime nuk patem.
Ndërsa pjesa tjetër, qe te gjithe te tjeret u larguan me aeroplan. Ekipi jonë u kthye me çarter rreth orës 2-3:00 të natës. Vetëm ne 8 pjestaret e TVSH-së dhe rreth 20 veta qe kishin ardhur me kompanine turistike Guliver te Erion Hoxhes ndermjet tyre dhe gazetari Artan Hoxha i News 24 me me bashkeshorten e tij,qendruam bashkarisht ne hotel Moskwa. Ata u larguan 1 dite pas nesh pra me 16 tetor, ne me 15.
PYETJE: Ke diçka për të thënë, për të shtuar?
Kostandin Grillo: Fitoren me 3 pike patjeter!
PYETJE: I nderuar Kosta të falenderoj si gazetare, por edhe në emrin e opinionit shqiptar, sepse bashkë me Gëzdarin dhe me Dëfrim Methasanin gjatë komentimit të ndeshjes, përveç profesianlizmit të lartë, keni dëshmuar besnikërisht atë që ngjau në stadium.
Ju flm shumë.(Intervista u mor për VOAL nga Elida Bucpapaj)

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste me Kostandin Grillon, Stadiumi oshetinte

DAÇIÇ JEP DORËHEQJEN

October 15, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Daçiç jep dorëheqjen sepse ti po e le Serbinë të mbetet peng i së shkuarës.
Ti je përgjegjës që nuk krijove kushte që ndeshja e futbollit midis shqiptarëve dhe serbëve të luhej normalisht e të lejonte mbushjen e stadiumit gjysëm për gjysëm me tifozë shqiptarë e serbë si për të treguar se ishte tejkaluar një barrierë e historisë, për të hapur një kapitull të ri në të mirën e përbashkët, sepse jemi dy vende fqinj.
Ti ke qenë kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë e tash je ministër i Jashtëm dhe deklarata jote ishte skandaloze, sepse i fajësoje shqiptarët se sollën vetëm një flamur përballë atyre mijra e mijra flamujve të Serbisë që valviteshin aty.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse vazhdon t’i shohësh shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit, çka shkaktoi konfliktin e fundit në ish-Jugosllavi, duke u ndaluar, siç bëre më 14 tetor 2014, një nga gjërat më normale dhe të bukura të botës, të vinë e të shohin një ndeshje futbolli.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse ti i prite futbollistët e Shqipërisë sikur midis dy vendeve të ishte gjendje lufte.
Ti nuk lejove që ndeshja në Beograd të ishte një takim sportiv midis dy shteteve, ku tifozët gëzohen apo trishtohen për humbjen apo fitoren e vendit të tyre, ashtu si ndodh kudo në çdo shtet të Europës.
Ti lejove që stadiumi të përfshihej nga histeria ku bëheshin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke krijuar një klimë të tmerrshme psikologjike për lojtarët shqiptarë, të cilët detyroheshin të luanin në kushte terrorri psikologjik.
Ti lejove që në stadium të merrnin pjesë elementë të dënuar nga drejtësia si shkaktarë të dhunës në ndeshjen midis Italisë dhe Serbisë në stadiumin Marassi.
Ti ke qenë kryetari i delegacionit të Serbisë me kryeministrin e Kosovës dhe ke zhvilluar për vite të tëra bisedime për dialog midis dy popujve dhe ja rezultati që ke arritur, të na risjellësh në stadiumet e Serbisë dhe Europës Ivanin e Tmerrshëm.
Ty të ka ngelur ora e historisë në shekullin e përgjakshëm që lamë pas, por harron se gjeneratat e reja nuk janë as pjesmarrëse dhe as fajtorë të saj tragjedie që ndodhi në Ballkan dhe duan ta jetojnë jetën normalisht, duke lëvizur të lirë në çdo qytet të Ballkanit dhe të Europës.
Ti vendose Perden e Hekurt në kohën e integrimeve, kur Serbia pretendon të jetë anëtare e BE-së.
Ti deklaron në mënyrë skandaloze se nuk është Serbia përgjegjëse për atë që ngjau në Beograd, ku ju ishit i gjithë shteti, ndërsa shqiptarë ishin vetëm skuadra e lojtarëve dhe delegacioni shoqërues.
Ti justifikove arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë me akuza fallco, duke shkaktuar një incident diplomatik, sepse një aparat fotografik t’u duk si një telekomandë e avionit të vogël që solli në stadium të vetmin flamur midis mijra e mijrave flamujve të Serbisë.
Ti akuzove kryeministrin e Shqipërisë, duke shkaktuar prapë incident diplomatik, se në rrjetet sociale përshëndeti futbollistët shqiptarë dhe dënoi atë turp që ngjau në stadiumin tuaj, në vend që t’i kërkoje ndjesë për atë skandal që e la gjithë botën e qytetëruar pa frymë. Pse, sipas teje, çfarë të bënte!
Ti duhet të japësh dorëheqjen dhe qeveria e Serbisë t‘iu kërkojë ndjesë shqiptarëve për atë që ngjau më 14 tetor, duke e konsideruar si një ëndërr e keqe të një kapitulli që duhet të ishte i mbyllur në fund të shekullit që lamë pas.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, jep doreheqjen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT