Nga Elida BUÇPAPAJ/
Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Që do të thotë, kishin shkuar të gjithë, përveç opozitës. Sa pështirë që ishte. Kur i shikoje politikanët e Tiranës, botuesit, e me rradhë të cilët krenoheshin përpara kamerave se ia kishin kaluar mirë tek dasma e Erion Veliajt.
Nuk kishte ngelur as mace dhe as qen pa shkuar në dasmën e Erion Veliajt. Por nuk kishte shkuar as kryeministri, megjithëse kishte dërguar djalin e madh, ndërsa ai kishte preferuar të rrinte me të voglin.
Nuk ka gjë më të bukur se të kalosh kohën me fëmijët e tu dhe gjë më të pështirë se të ishe në dasmën e Erion Veliajt. E cila në vetvete nuk përbën asnjë lloj lajmi.
Punë e madhe fort se është martuar Erion Veliaj. Kush është ky Erion Veliaj? Shkrimtar i madh, shkencëtar, një lloj Bill Gates i rilindur, Mark Zuckerberg apo Steve Jobs; sportist që ka thyer rekorde dhe i ka sjellë vendit medalje të arta; artist që ka interpretuar magjikshëm, një i ri që ka dhënë kontribute për vendin e vet, një shqiptar i ndershëm që ka sakrifikuar pasurinë e vet në të mirë të shoqërisë shqiptare, për të zbutur plagët e varfërisë dhe shtresave vulnerabile dhe në nevojë. Jo, nuk është asnjëri nga ato që përmenda më sipër. Nuk është askushi Erion Veliaj.
Qenka ministër? Punë e madhe fort. Në Shqipëri mjafton ta kesh mirë me kryetarin e partisë dhe bëhesh ministër. Mjafton që të jesh kotna si koti dhe je ministër. Je çfarë të duash. Por me kusht që të jesh kotna si koti.
Le të na e tregojë Erion Veliaj CV-në e tij. Ku ka punuar deri tani që i ka lejuar vetes një dasëm të tillë? Në cilat firma? Sepse ai një kohë e ka kaluar me studime.Ne si publik dimë se ai është marrë vetëm me shoqërinë civile. Po shoqatat e shoqërisë civile janë joqeveritare dhe jo profitabël. Ku i bëri paret Erion Veliaj për një dasëm të tillë?
Ai ka vetëm një vit që është ministër i mbështetjes sociale. Me një rrogë të mirë, por që nuk i lejon një lluks të tillë, me thërrit në dasëm me qen e me mace. Në një dasëm që festohet në të njëjtën ditë me arrestimin e Fullanit! Fullani të paktën e ka patur rrogën 10 herë më të madhe se të Erion Veliajt, dhe ka një karrierë pune gati 40 vjeçare.
Me çfarë logjike e justifikon këtë harbim grotesk Erion Veliaj, kur qeveritë shqiptare deri më tani janë akuzuar për korrupsion dhe Edi Rama ka premtuar se do të bëjë një qeveri ndryshe. Por dasma e Erion Veliajt dëshmon se historia vazhdon.
Sepse një harbim i tillë ishte i denjë vetëm për një kronikë në faqet e kronikës rozë. Kaq dhe asgjë më tepër. U martua ai dhe ajo. Sepse të jesh Ministër i mirëqenies kur mirëqënie kanë vetëm ministrat, do të thotë të jesh zero. Sepse nuk është VIP Erion Veliaj. Very Important Person. Nuk është aspak i rëndësishëm, sepse nuk ka bërë asgjë që të ketë rëndësi, veç këtë dasmëm të çmendur, të denjë për republikat e bananeve, të denjë për njerëz të rëndomtë.
Mund të bënte një dasëm normale dhe të denjë Erion Veliaj, që të mos i kishte ftuar qentë dhe macet, sepse nuk i ka miq ata që ka ftuar. Pasi në dasëm njeriu fton njerëzit më të afërt, miqtë më të afërt pasi është diçka shumë personale, jo Pazar i Gabit.
Edhe duke iu referuar realitetit. Të ardhurat që merr Erion Veliajt nuk ia lejojnë atë harbim. Por edhe sikur të ishte i pasur, harbimi i tij nuk përbën lajm për opinionin publik.
Përbën lajm vetëm në sens tjetër, që populli t’i kërkojë llogari se ku i ka gjetur të hollat për të bërë shpenzime të tilla, i xhiruar live, si të ishte dasma e trashëgimtarit të Anglisë apo atij të Monte Karlos, si të ishte dasma e princit William, apo e Albertit II Grimaldi të Monakosë, të dy trashëgimtarë froni me pasuri të trashëguar nga familja mbretërore dhe Principata e Monakosë. Po Erion Veliaj nuk është trashëgimtar froni. Nëna e tij merr si pension 100 Euro. Dhe pensioni i së jëmës duhet ta bënte Erion Valiajn të ecte me këmbë në tokë dhe t’i vinte gishtin kokës!
Po dasma e Veliajt përbën lajm, për t’i hapur sytë edhe kryeministrit të Shqipërisë. Sepse për Guvernatorin Fullani, Edi Rama nuk kishte kompetenca, por për Erion Veliajn i ka, dhe i ka të plota.
O ME POPULLIN, O ME KUPOLËN – RRUGË TJETËR S’KA!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Aktivistët e shoqërisë civile, ata që janë organizatorët e Peticionit për shkarkimin e Fullanit sot kanë ftuar firmosësit dhe të gjithë shqiptarët të protestojnë përpara Parlamentit të Shqipërisë me moton “Nëse nuk shkarkoni kryetarin e Bordit të BSH, ma kthe votën që të dhashë dhe largohu ti Deputet, sepse ti nuk më përfaqëson as mua dhe as ata 12 mijë firmëtarë të Peticionit anti Fullhajn.”
Kaluan 40 ditë që kur plasi skandali i BSH, ndërkohë u mbush muaji që grupi i aktivistëve të lëvizjes civile kalojnë 14 orë të ditës duke mbledhur firma.
Peticioni kundër Fullanit do të hyjë në historinë moderne të Shqipërisë si fillimi i erës të re për vendin.
Sepse në mënyrë civile, pa shkaktuar asnjë çrregullim në jetën e përditëshme apo anomali në jetën e kryeqytetit dhe qyteteve ku po mblidhen firmat, por tregojnë forcën që kanë qytetarët për të shpëtuar shtetin nga kapja, sistemin nga rënia dhe për t’î dhënë një fytyrë të re klasës politike.
Gazetarja Elisabeta Ilnica me të drejtë shkruante në statusin e saj në Facebook :
“Për pak minuta mbyllet Gushti dhe këtë muaj ua dedikoj Ajtanga Lubonjës, Zirkon Dishës, Basir Collakut, Bruna Ismailit, Indrit Hoxhas, Julian Hoxhajt, e atyre kontribuesve te tjere qe kane mbledhur me durim firmat per shkarkimin e Fullanit. Respekt per sakrificen tuaj… Ftoj kedo qe i ka paragjykuar, qe ta provoje te rrije per nje ore ne diell, siç ndenjen keta per nje muaj, me nga 14 ore. Vetem kauzat nuk i djeg dot dielli…”
Ndërsa njëri prej orzanizatorëve kryesorë dhe më aktivë të kësaj lëvizje Zirkon Disha shton edhe emra të tjerë që janë përfshirë në këtë lëvizje që do të iniciojë ndryshimin e faqes të Shqipërisë. “Janë Leonard Mrishaj (Kamëz), Irel Elezi dhe Bledar Bajraktari (Kukës), Donald Spaho, Korçë, Altin Goxhaj, Durrës, Senida Mesi dhe Forumi Shkodran, (Shkodër), Ida Nurçe (Tiranë)”. Të më falni nëse kam harruar ndonjë emër shton ai. Pastaj falenderon edhe te gjithe gazetaret qe i janë kushtuar nismes. Pastaj falenderon prapë gazetaret e shtypit te shkruar, qe çdo dite kane pasqyruar ecurine e nenshkrimit te peticionit. Pa harruar mediat online, me gazetaret si Elida Buçpapaj, Elvi Fundo, veçanerisht VOA – Zëri i Amerikës. Patjetër dhe këtu do kemi harruar disa, shton Zirkoni.
Po natyrisht që Zirkon Disha ka harruar dikënd, sepse mbështetësit e kësaj lëvizje qytetare po shtohen dita ditës, pasi kjo është mënyra që do t’i sjellë qytetarëve shtetin e së drejtës, jo shtetin e kupolës, për fëmijët e kupolës, për partiakët e kupolës. Shteti demokratik nuk është përkatësi e Kupolës. Kupolat janë përkatësi të Republikave të bananeve dhe shteteve rogue ose mafioze.
Prandaj sot të gjithë shqiptarët pa dallime politike t’i bashkangjitemi protestës përpara Parlamentit të Shqipërisë, për t’i paralajmëruar deputetët e këtij parlamenti o me popullin o me kupolën. Sepse populli i ka votuar që t’i ketë shërbëtorë të tij, jo që populli të jetë shërbëtor i kupolës, që të gjitha të mirat e vendit dhe privilegjet t’i përfitojë kupola!
Kush është shqiptar, sot të shkojë tek Parlamenti. Kush nuk mundet të shkojë le të jetë me zemër atje, sepse vendi jonë i dashur është i rrezikuar nga kupola.
Kryeministri i Shqipërisë i ka premtuar kancelares të Gjermanisë të kryejë reformat që i duhen shtetit. Për të parë degradimin e shtetit ligjor dhe rrënimin e sistemit kaloni në rivistë të gjithë punonjësit e BSH. A nuk janë bijtë e bijat, gratë e burrat e deputetëve dhe ministrave të këtij parlamenti!
Po ne e rrëzuam diktaturën që të shpëtojmë nga Nexhmija dhe nomenklatura, jo që të biem në thonjtë e Nexhmijeve, Fullanëve dhe nomenklaturës të kupolës-
Kush është shqiptar është me aktivistët e Peticionit antiFullan. Ky peticion nuk lidhet me një emër. Ky peticion lidhet me emrat që kanë kapur sistemin. Në çdo kushtetutë Perëndimore është i dënushëm dhe i patolerushëm konflikti i interesit, ndërsa në parlamentin e Shqipërisë është gati gjysma e deputetëve me konflikt interesi, sikur e kanë trashëguar pushtetin nga baba dhe jo nga vota e Sovranit që është e plotfuqishme.
Të gjithë ne shqiptarët, pa dallime politike le t’i bashkohemi kësaj lëvizje, e cila për nga organizimi është e varfër, (kujtoni pak çadrat pompoze të grevave të politikës), por nga qëllimi është e madhërishme dhe ka hyrë në histori.
Prandaj do të jemi përpara Parlamentit të Shqipërisë. Sepse organizatorët e këtij Peticioni janë heronjtë e kohës tonë, e cila është bërë pis dhe ndyrë nga politika. Organizatorët e këtij peticioni që janë duke mbledhur firmat e popullit e deri më tash kanë mbledhur 12 mijë firma janë ata që i duhet Shqipërisë, sepse nuk mund të ketë demokraci pa shtet të së drejtës. E shteti i së drejtës përjashton abuzimin me pushtetin.
Ky grup i vogël njerëzish, shumica të rinj, ka midis tyre një grua të paepur e cila pasi ka vuajtur tmerret e diktaturës, ka provuar për 22 vjet tmerret e tranzicionit. Ajo është Ajtanga Lubonja. Mendoni, Ajtanga nuk ka një strehë ku të fusi kokën dhe jeton në një dhomë konvikti, ndërsa deputetët e Shqipërisë kanë pallate e vila. Po nga kush i trashëguan. Më 22 marsin e 1992 ata mezi e kishin nga një apartament të vogël, po sot ? Ata nuk i thërrasin ndërgjegjes së tyre blozë, ata nuk i bëjnë ndonjëherë llogaritë, atyre nuk u skuqet faqja kur një pensionist merr 100 Euro në muaj, ndërsa ata me 100 euro paguajnë vetëm një kapriçio të çastit.
Prandaj ne do të jemi sot tek Parlamenti, fizikisht, me shpirt e zemër për t’iu bashkuar kësaj lëvizje e cila i ka treguar shqiptarëve se nuk është partia ajo që u jep punë, por shteti ligjor që siguron tregun e lire dhe lirine e individit! Dhe nuk ka liri tregu dhe individi kur shteti është i kapur nga nepotizmi, klientelizmi, që e mban guvernatorin e BSH ende në zyrën e tij, duke i kthyer deputetet e Parlamentit në mumje të kallura në lluks!
Prandaj ne jemi me këtë grup aktivistësh që janë heronjtë e kohës tonë, sepse kanë me vete një kauzë fisnike që mbron interesat e vendit, e cila po i zgjon nga gjumi i indiferencës shqiptarët.
Prandaj ne jemi me këta heronj, prandaj Shqipëria është me ju!
Mos e ndalni këtë mision fisnik! Mos hiqni dorë nga kjo ëndërr e bukur deri sa të kthehet në realitet, që të bëhet Shqipëria një vend demokratik i vërtetë, me qëllim që t’u ofrojë shqiptarëve një jetë të denjë. Kjo gjë arrihet vetëm me politikanë të denjë!
VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI NUK KA KUSH T’I KUJTOJË …
… PS DHE PD JANË ANËT E SË NJËJTËS MONEDHË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipërinë e cila përjetoi për gjysmë shekulli diktaturën më mizore të Europës nuk kujtohet dita ndërkombëtare e viktimave të komunizmit, e njohur si Dita e Fjongos së Zezë. Kryeministri i Shqipërisë shkroi diçka në Facebook, që nuk ka asnjë sens kur gjithë Europa kujton Ditën e Memories, ndërsa Shqipëria rezulton të jetë pa memorie, në gjendje konfuzioni dhe kaosi.
Në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë për të treguar se jemi populli të cilin diktatura e përçundoi. Në Shqipëri nuk ka asnjë muzeum të krimeve të komunizmit, nuk ka asnjë ditë të kujtesës, nuk ka asnjë përmendore, ku qytetarët të vendosin lule dhe kurora. Në Shqipëri nuk ka mbetur asnjë shenjë që të dëshmojë se në këtë vend shqiptarët janë futur në burgje, janë pushkatuar, varur në litar, janë dërguar familjarisht nëpër Lagerat e diktaturës, ndërsa fëmijët e të dënuarve kanë mbetur pa shkollë, pa të ardhme, duke vuajtur ekskomunikimin nëpër kampe përqëndrimi ku ju mohohej e drejta e jetës.
Në Shqipërinë e tiranisë komuniste që e vrau elitën, dhe shqiptarët i ktheu në armiq të njëri-tjetrit nuk ka kujtesë, nuk ka memorie për të blatuar nderim ndaj viktimave të pafajshme të diktaturës. Janë sheshuar deri burgjet kur të dënuarit kanë vuajtur.
Viktimat e komunizmit kujtohen në Washington D.C., kujtohen në Europë, veç në Shqipëri nuk kujtohen.
Hebrejtë kanë Muzeumin e Yad Vashemit, i cili është ngritur duke patur katër qëllime themelore 1.Për të kujtuar dhe mos harruar; 2. Për të dokumentuar atë që ka ndodhur; 3.Për qëllime studimi dhe hulumtimesh; dhe 4.Për të edukuar brezat.
Bota e qytetëruar bashkë me hebrejtë kujtojnë çdo 27 janar Shoahun, Holokaustin, si një gjëmë të njerëzimit.
Në Shqipëri, klasa politike hipokrite dhe mizerabël kujton gjoja Holokaustin, ndërsa ka mbuluar në harresë Holokaustin që u shkaktoi diktatura gjysmë shekullore shqiptarëve.
Klasa politike postdiktaturë është përgjegjëse e harresës kolektive për atë që ngjau në Shqipëri.
Në 3 Qershor 2008 me iniciativën e Vaclav Havel dhe Joachim Gauck u nënshkrua Deklarata e Pragës, e cila i bënte thirrje gjithë Europës t’i dënojë krimet e komunizmit. Por Shqipëria nuk e nënshkroi këtë Deklaratë.
Në 25 shkurt 2010 u nënshkrua po në Pragë Deklarata e Krimeve të Komunizmit, ku që në pikën e parë të saj shkruhet se “regjimet komuniste në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kryer krime kundër njerëzimit”. Duke vendosur shenjën e barazimit midis Shoah dhe metodave të shfarosjes që janë përdorur nga regjimet totalitariste. Këtë deklaratë e kanë nënshkruar midis personaliteteve të njohura të Europës, Presidenti aktual i Gjermanisë Joachim Gauck dhe simboli i disidencës europiane Vaclav Havel. Por Shqipëria jo.
Ishte nisma e Parlamentit Europian 2008/2009 që 23 gushti të jetë Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, ose Dita e Fjongos së Zezë – Black Ribbon Day për të mos harruar viktimat e shkaktuara nga regjimet kriminale si komunizmi, stalinizmi, fashizmi dhe nazizmi, e cila u mbështet edhe nga Deklarata e Vilnusit më 2009 dhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. U zgjodh kjo datë që na kthente prapa në kohë kur më 23 gushtin 1939 u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop, ku Hitleri dhe Stalini u morën vesh që të ndanin Europën Lindore midis tyre.
Dita e Fjongos së Zezë u vendos si Dita e Memories për të mos harruar kurrë viktimat, dëbimet masive dhe shfarosjet, me qëllim promovimin e vlerave demokratike, si dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në Europë.
23 Gushti njihet si Dita e Memories jo vetëm nga shtete të BE-së por nga shtete jashtë BE siç janë SHBA, Kanadaja dhe Gjeorgjia. Por jo nga Shqipëria!
Prandaj themi se viktimat e komunizmit nga kjo klasë politike nuk ka kush t’i kujtojë.
PS është vazhduese e Partisë Komuniste e cila pretendon të reformohet. Por si mund të refomohet duke mbuluar me harresë atë që ka ndodhur. E si mund të reformohet duke patur si gazetë të partisë Zërin e Popullit krijuar nga vetë diktatori stalinist.
Viktimat e komunizmit e kishte si obligim t’i kujtonte PD, sepse ky ishte misioni i saj, prandaj u mbështet prej popullit, që me rrëzimin e diktaturës, të rehabilitonte viktimat, të zbardhte krimet dhe të promovonte shtetin e së drejtës.
Sali Berisha tha “bashkvuejtës- bashkfajtorë”! E si mund të jenë viktimat bashkëfajtorë me persekutorët e tyre!
Ne shohim sot se si në Europën ish-komuniste drejtësia ndëshkon të inkriminuarit e regjimeve diktatoriale. Por në Shqipëri jo.
Pas rënies së shtetit më 1997, PS, me t’u rikthyer në pushtet, e zhburgosi dhe e rehabilitoi kastën e nomenklaturës, ku eksponentët e diktaturës ishin të dënuar për abuzime shpenzimesh për kafe dhe lëngje frutash, duke i dëmshpërblyer për tri-katër vitet e burgut.
Ndërsa edhe sot e kësaj dite PD i ka lënë viktimat e diktaturës të parehabilituara, të pa dëmshpërblyer as materialisht dhe as moralisht.
Viktimat e djeshme të diktaturës Hoxhiste tani janë viktima të PS-PD.
Prandaj themi se nuk ka se kush t’i kujtojë në Shqipëri viktimat e komunizmit.
Në PD-në e sotme nuk ka asnjë figurë që të ketë përjetuar persekutim nga diktatura. Asnjëri prej tyre nuk e ka njohur vuajtjen. Të gjithë do të duhej të ishin anëtarë të PS edhe de jure. Vetëm Jozefina Topalli e cila i ka prerë lidhjet me shtresën që ka përfaqësuar. Ajo ka idol Sali Berishën në vend që të ketë Pjetër Arbnorin.
Që PD kishte hequr dorë përfundimisht nga idealet antikomuniste, kjo u pa qartë kur, në rikthimin e saj më 2005, kjo parti hoqi nga listat e deputetëve Pjetër Arbnorin, i cili jo vetëm që kishte përjetuar burg më tepër se Mandela, por përfaqësonte një nga figurat më emblematike të viktimave të diktaturës.
Pjetër Arbnorin – PD e zëvendësoi me njerëz me lidhje me Komitetin Qendror të Partisë të cilët i lançoi Ramiz Alia, por që janë figura pa kurrëfarë identiteti dhe kanë mbetur të pakonvertuar dhe mjeranë.
Me këtë kastë PD e ka kthyer në strategji harresën e periudhës më tragjike të kombit. Siç e patë PD nuk ka nënshkruar asnjë nga dokumentat e mësipërme të cilat datojnë në periudha kohe kur ajo ishte në qeverisjen e Shqipërisë.
Por kjo histori nuk mund të vazhdojë më.
Të harruar do të jenë ata që janë përpjekur të fshijnë nga memoria kolektive tragjedinë kombëtare, e cila duhet të kujtohet jo si hakmarrje, por si domosdoshmëri, sepse nuk mund të retushohet dot historia. Viktimat presin drejtësi!
Ndërsa historinë e retushojnë vetëm diktatorët dhe regjimet rogue.
NË KONFERENCËN PËR SHTYP KRYEMINISTRI RAMA I VURI NË GJUMË GAZETARËT DHE NERVOZOI PUBLIKUN
Opinion Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Opinioni publik e priti me interes daljen e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Twitter, gjë nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina.
Që në fillim, ai shkeli ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katrastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se Shqipëria ishte vizituar nga 1 milionë e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.etj.
Për të pare se ku është Shqipëria sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë.
Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë.
Dhe dihet se përse nuk vijnë. Për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare.
Edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre.
Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit.
Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se e ritha se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi e cila nuk pipëtinte gjumshëm.
Pra, kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd. Nuk do t’ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirëshme të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet.
Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm.
Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSh dhe skandalit i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS.
Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thosh atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100 fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton.
Edhe kur iu bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’i gjente paratë kryeministri? Po ku t’i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor sepse aty ka konflikt interesi.
Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë. Ishte i kontraktuar.
Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.
Po e sjell ad literam se çfarë tha kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel:
„Ishte momenti, tregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me të njëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….“
Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste, Kryeministri e mbylli si epilog konferencën e për shtyp.
Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – „Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.
OKTAPODI PO IA MERR FRYMËN VENDIT, SE SISTEMIN E KA GLLABËRUAR
KUSH GËNJEN ERMELINDA MEKSI APO KËSHILLI MBIKQYRËS?/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sot në mëngjes gazetat e Tiranës botonin në faqen e parë lajmin se zonja Ermelinda Meksi, njëra prej anëtareve të Këshillit Mbikqyrës dhe ish-deputete e PS kishte propozuar shkarkimin e Guvernatorit. Por propozimi i saj kishte shkuar kot, pasi ishte mundur nga shumica me rezultatin 1:6. Ja disa tituj gazetash: „Këshilli Mbikqyrës i Bankës rrëzon propozimin e Ermelinda Meksit. Dështon shkarkimi i Fullanit“; „Përplasja në Këshillin Mbikqyrës: Ermelinda Meksi kundër Fullanit“;”Këshilli Mbikqyrës shpëton Fullanin. Rrëzohet kërkesa e Ermelinda Meksit, për të vënë përpara përgjegjësisë drejtuesit e BSH”.
Këtë temë e kishte marrë po sot në mëngjes, me të drejtë, edhe gazetari Artur Nura në programin e Televizionit A1 REPORT „Shtypi dhe Ju“, në sondazhin se me kë ishte publiku shqiptar – me Meksin apo me ata të gjashtë që kishin votuar kundër. Dhe publiku shqiptar, ishte me Meksin, natyrisht, që kishte kërkuar largimin e Fullanit.
Është e ditur që opinioni shqiptar është kundër Guvernatorit të Bankës Shtetërore. Këto arrestimet që bëhen tani, opinioni shqiptar nuk i ha. Sepse janë “koka turku“. Që dalin menjëherë të pafajshëm. Si dolën ata dy personat që u akuzuan për vrasjen e Artan Santos.
Që shqiptarët janë kundër mogulit Fullani, mjafton të shihni Facebook-un si zjen nga të gjitha anët. Kush e fiton bukën me djersën e ballit është për largimin e guvernatorit Tycoon. Kush e ka krijuar pasurinë me djersën e ballit është kundër kastave të privilegjuara me pasuritë kombëtare. Që do të thotë shumica e shqiptarëve. Jo vetëm ata 1 milionë shqiptarët që votuan kundër qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës. Kundër kapjes të shtetit janë 3 milionë shqiptarët brenda Shqipërisë Londineze; 3 milionë shqiptarët e dëbuar nga Shqipëria Londineze gjatë regjimit kriminal çerek shekullor të trazicionit. Plus edhe të gjithë bashkëkombasit nga trojet shqiptare dhe nga diaspora. Si gazetare nuk kam parë askënd që të mbrojë Guvernatorin. Vetëm kasta e mbron. Dhe njerëzit pranë kastës. Kasta është e rrezikshme. Shpëtojini shqiptarët nga kasta. Qeveria e Edi Ramës ta mbajë premtimin ose të japë dorëheqjen.
Prandaj edhe sondazhi i Artur Nurës doli në favor të Meksit. Se Meksi na dilte si – thuhet në Testamentin e Ri – Gruaja Samaritane tek pusi – Samaritan woman at the well – që u takua me Jeziun. Sepse drejtësia nuk është fiksion, por obliguese.
Por puna na del më vonë. Ermelinda Meksi nuk paska qenë Samaritania. Sepse Këshilli Mbikqyrës nuk vonoi dhe i përgënjeshtroi mediat e Tiranës në të ashtuquajturën mbledhjen e apostrofuar nga gazetat, ku është propozuar shkarkimi i Fullanit. Se, në fakt, nuk qenka propozuar. Dhe mediat kanë rrejtur. Për ta mashtruar opinionin publik se këta të PS janë ata që duhen, meqë Ermelinda Meksi ka qenë ish-deputete e PS. Ose kanë dashur që të jetë ashtu, në fund të fundit. Që të dalë dikush me flamurin e drejtësisë, kundër klientelizmit, nepotizmit, kastës që si oktapodus po ia merr shpirtin vendit, sepse sistemit ia ka marrë frymën.
Ja çfarë deklaron Këshilli Mbikqyrës: “Në vijim të lajmit të publikuar sot, “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.”
Me këtë deklaratë edhe Këshilli Mbikqyrës tallet me opinionin publik, sepse shtiret sikur ka integritet. Ky njoftim për mediat është një trushplarje për opinionin publik, sepse duket sikur i thuhet se fajin e paska patur Meksi që nuk paska bërë propozimin se ata na paskan qenë gati për të votuar. Rrenë e gjitha. Sepse, nëse Këshilli Mbikqyrës do të kishte integritet vërtetë, përfshi edhe zonjën Ermelinda Meksi, që nuk ka bërë kurrëfarë propozimi për shkarkimin e tycoonit Adrian, ata do të kërkonin takim të jashtëzakonshëm dhe do të kërkonin dorëheqjen e Fullanit në kor. Jo dje. Por ditën ku u lajmërua vjedhja e 7 milionë $. Ta japnin edhe ata dorëheqjen. Ky është integriteti.
Por s’mund ta bëjnë se janë në funksion të tentakulave të oktapodit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 33
- 34
- 35
- 36
- 37
- …
- 58
- Next Page »