• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRUSHPLARËSVE

December 29, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

…ndër shqiptarët/

nuk ka shtyp të lirë/

liri të fjalës/

ka liri të plotë/

të trushplarjes/

si e doni trushplarjen /

oferta të trushplarjes/

ka plot/

në çdo sezon/

janë zemërgjërë/

trushplarësit/

lavatriçet/

janë të markave/

më të fundit/

 

ndër shqiptarët

nuk ka shtyp të lirë

ku fjala shqipe të

gurgullojë lirshëm

nga burime drite

 

festohet tallshëm

nëpër gala

me maska

ditërrëzimi

i statujave

festohen tallshëm

përvjetorët

e lirisë

të trushplarjes

 

sepse fjala

është e prangosur

më keq se të burgosurit

politikë të

ndërgjegjes

në kohën e shqiptarofobisë

apo kur shqiptari

e vriste shqiptarin

me armë të shfarosjes

veç sepse ishte i armatosur

me mendime

të ndryshme

nga sloganët

uniformë

si uniformat

e lagerave

me vija dhe me një numur

në vend të emrit

 

ndër shqiptarë

nuk ka fjalë të lirë

që të fluturojë si zog zemër më zemër

në vend të tyre

ka sorra jeniçere

 

ndërsa

fjala e pafrymë

përpëlitet

duke i provuar të gjitha llojet

e ekzekutimit makabër

në dukjen e mosdukjes

abstrakte

nga xhelatët e shekullit XXI

që shfaqen në ekranë dhe kopertina

gazetash

si personat

më të rëndësishëm

të Ballkanwood-it

shqiptar

rrethuar nga shpurat

gollomeshe

të vulgaritetit

 

dhe tutorët dhembfloriri

që janë pronarët-xhonglerë

të cirkut politik

prenë e tyre

e zgjedhin

duke ua kontrolluar dhëmbët

e dhëmballët

si në tregun

e skllevërve…

të mileniumit të tretë

 

kur dhembët e qenit,

apo prerës nuk e

përtypin aq sa duhet

fjalën

nuk e coptojnë

ashtu si duhet për t’ia

hequr shpirtin

dhe rrënjësisht kuptimin

apo kur

kurorat dhembore

nuk bëhen dot

burg i sigurt

për fjalët

atëherë

tutori permes

xherahëve

të shkolluar në Perëndim

ua çrrënjos dhembdhëmballët

një për një

dhe pastaj ua mbjell

një për një

duke marrë garanci

se tash e mbas

nga gojët

e dhembdhëmballëçrrënjosurëve

dhe dhembdhëmballëmbjellurve

nuk do të ketë asnjë lloj hapësire

për të rrjedhur

asnjë fije floku

të fjalëve

asnjë rrokje

asnjë presje

bile asnjë pikë pikë pikë

retiçense…

 

ndër shqiptarët

nuk ka

liri të fjalës

 

ka liri të plotë

të trushplarjes

si ta doni trushplarjen

ka oferta me çmime

konkuruese

të trushplarjes

në çdo sezon

 

janë zemërgjërë

trushplarësit

të pakursyer

për të blerë

lavatriçe

të markave

më të fundit…

 

29 dhjetor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, trushplaresve

EDI RAMA MOS LUAJ ME ZJARRIN – PENSIONISTËT PRESIN T’UA PAGUASH GJELIN E VITIT TË RI!

December 17, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

„Harram vota jonë nëse nuk na paguan gjelin“. Kështu mallkoi sot një pensioniste nga Gjirokastra përmes emisionit shumë popullor të Bashkim Hoxhës „Ora për t’u zgjuar“ – tek News24.
Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë e Shqipërisë tallen me popullin shqiptar, sidomos me shtresën më vulnerabile që janë pensionistët. Popullsia e moshës së tretë që përbën rreth gjysmë milioni votues mbijeton me 100 Euro në muaj. Me 100 Euro mund të mbash vetëm frymën gjallë, si skllav por jo si qytetar. 
Të jetosh me 100 Euro do të thotë të jetosh nën diktaturën e varfërisë.
Ka dy lloj diktaturash. Diktatura e frikës nga regjimet totalitariste dhe diktatura e varfërisë nga regjimet e korruptuara, të vendeve në tranzicion, si Shqipëria, ku klasa politike pasurohet ndërsa populli shkon në zgrip të varfërisë.
Ka 23 vjet që klasa politike e ka shpërdorur votën e popullit shqiptar, e sidomos të pensionistëve të Shqipërisë, duke u pasuruar në kurriz të shtresës më të përvuajtur të shoqërisë.
Pensionistët e Shqipërisë, ose një e gjashta e popullsisë së mbetur në Shqipëri, pasi 3 milionë të tjerë jetojnë në emigracion, janë prindërit tanë të cilët mbijetuan kalvarin e diktaturës dhe tani në vend që të gëzojnë qetësinë e merituar në kapitullin e fundit të jetës, kur i kanë kryer të gjitha detyrimet si prindër e shtetas, u duhet të luftojnë për bukën e gojës.
100 Euro sa paguhen në muaj pensionistët, për deputetët, ministrat dhe klasën politike të Shqipërisë është një fjalë goje, një kapriçio e vogël nga jeta e tyre e mbuluar nga lluksi dhe kamja përmes taksapaguesve, abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
100 Euro për klasën politike të Shqipërisë kushton një kollare, një palë të brendshme Victoria Secret, apo një mani-pedicure, manikyri për duart e këmbët në një sallon bukurie, ndërsa për pensionistët e Shqipërisë 100 Euro do të thotë torturë, sepse duhet të ndahen në 30 ditë të muajit, me të cilat duhet të paguajnë ushqimin,energjinë elektrike, telefonat, veshjet dhe gjithçka.
100 Euro për klasën politike kushton qeni apo macja nëpër vilat dhe apartamentet e tyre, ndërsa për pensionistët janë ankthi i çdo muaji, në epilogun e jetës së tyre.
100 Euro për klasën politike janë lojë fjalësh, ndërsa për gjysmë milioni shqiptarë, të shtresës vulnerabile janë luftë për ekzistencë!
Qeveria e mëparëshme i mëshironte pensionistët e Shqipërisë dhe u paguante nga 50 $ me rastin e festave të fundvitit, për të blerë gjelin dhe për të festuar! Vitin e fundit gjelin e bëri gjysmagjel. Dhe kryeministri i atëhershëm krenohej me këtë gjest të tij bamirësie!
Çfarë ironie! Pushtetarët e Shqipërisë të mbuluar në lluks prej taksave dhe shpërdorimit të pushtetit, u hedhin pensionistëve si lëmoshë gjelin e Vitit të Ri! Dhe pastaj krenohen sikur t’ua kenë falur nga xhepat e tyre të fryrë si derrat e dhjamosur.
Por klasa politike e Shqipërisë harron kryesoren se pushteti i tyre do t’i ketë gjithnjë orët e numëruara kur populli vuan dhe ata pasurohen!
Klasa politike e Shqipërisë ta vari vath në vesh se pensionistët e Shqipërisë nuk lypin mëshirë! Pensionistët e Shqipërisë lypin të drejtat e tyre. Pensionistët e Shqipërisë kanë të drejtë të jetojnë një jetë me dinjitet.
Sepse rroga mujore e një deputeti, ministri apo kryeministri, përveç përfitimeve dhe privilgjeve, është mesatarisht të paktën sa pensioni mujor i 20 pensionistëve të Shqipërisë. Po ashtu, vendet e punës, privilegjet i përfitojnë familjarët e pushtetarëve, rrethi i ngushtë klientelist e kështu hendeku midis pakicës profitere prej votës të popullit edhe vetë popullit bëhet i tillë ku populli kthehet në skllav dhe pushtetari në skllavopronar.
Tani Edi Rama ka vendosur që t’ua heqi edhe gjelin e Saliut pensionistëve, e t’i lejë pa festë e festime, ndërsa vetë të zdërhallet, i përkëdhelur nga shpura e servilëve të rinj të pushtetit!
Si ai do të zdërhallen edhe klasa politike e Shqipërisë, pas së cilës vjen mallkimi i asaj zonjës pensioniste nga Gjirokastra, që i tha Edi Ramës, „harram votën që të dhamë më 23 qershor“. 
Edi Rama të mos e harrojë se ai fitoi më 23 qershor 2013, jo se populli votoi për të, por sepse populli votoi kundër regjimit të korruptuar të Sali Berishës. Nëse Edi Rama do të jetë kopje e atij regjimi, aq më keq, do të jetë kopje e keqe, sepse mesa duket po kërkon që të mbushë gropat e krizës, duke u prerë paret e gjelit pensionistëve, është e sigurt se kësisoj do të presë ditët e tij si kryeministër i Shqipërisë!
Shqiptarët kanë 23 vjet që rrëzuan diktaturën totalitariste, tani do t’u duhet të rrëzojnë diktaturën e varfërisë, shkaktuar nga shpërdorimi i votës, shpërdorimi i besimit, shpërdorimi i pushtetit! 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, gjelin e vitit te ri, mos luaj me zjarrin, pensionistet presin

RUGOVËS I DOLI NË KRAH AKADEMIK MARK KRASNIQI SI SHENJTORI I GJALLË

December 12, 2013 by dgreca

RUGOVËS ADEM DEMAÇI T’I KËRKOJË NDJESË!/ Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ E dëgjova me dhimbje sulmin e Adem Demaçit drejtuar Rugovës që nuk jeton më. E dëgjova me lot në sy mbrojtjen që i bëri Akademik Mark Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit indipendentist, i përjashtuar nga koalicioni i LDK-së menjëherë pas vdekjes së Rugovës. Më mirë se Mark Krasniqi askush nuk mund t’i dilte në krah Ibrahim Rugovës. Mbrojtjen e Rugovës nuk mund ta bënte asnjë nga lidërshipi i LDK-së ardhur postmortum Rugovës. Mark Krasniqi, si një shenjtor i lirisë mbi tokë, me të drejtë ishte plot pezm, sepse nuk e ka menduar që Adem Demaçi të shkonte deri këtu. Mirë kur Rugova ishte gjallë, por tani! Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë tre nga ikonat e luftës për liri dhe pavarësi me kompleksitetin që ka patur koha e vështirë, kur midis shqiptarëve ishte ngritur Muri i Berlinit dhe kur pushtuesi ushtronte të gjitha mjetet për të mos lejuar të ndodhte ajo që tani është realitet. Natyrisht që Ibrahim Rugova është lideri i pavarësisë. Dhe nëse pavarësia simbolizon kulmin, atëhere Ibrahim Rugova është mbi këtë kulm. Por kjo nuk e ul veprën e Adem Demaçit që ky të shfrynte mësime historie duke fyer Ibrahim Rugovën që nuk është më midis të gjallëve. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë, të gjithë jemi bashkëkohës të historisë dhe e dimë se pavarësia e Kosovës ishte ideali më i paarritshëm në botë. Ibrahim Rugova, Akademik Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë emra të ndritur që bëjnë pjesë në listën e sakrifikuesve për lirinë e Kosovës, ata që do t’ia mbajnë përherë Kosovës themelet e lirisë të forta. E dëgjova me dhimbje kur Adem Demaçi e portretizoi liderin indipendentist si „frikacak“. Ibrahim Rugova tash mbush shtatë vjet që ndodhet në botën e përtejme, në parajsë pranë Zotit, nga të paktët politikanë shqiptarë pa mëkate, jo si mëkatar, ashtu si e kanë zënë rrugën për në ferr shumica e politikanëve shqiptarë. Sa ishte gjallë, gazetat e majta të Kosovës i mbushnin për ditë faqet me sulme të paskrupullta kundër Ibrahim Rugovës, me shpifje, intriga, spekulime, sepse e dinin se, nëse rrëzonin Rugovën, betejën politike e kishin të fituar. Ndërsa ne të paktët gazetarë që mbronim liderin gandist, na etiketonin si „ekstremistë“ dhe pastaj na kërcënonin me jetë dhe e quanin veten „çlirimtarë“. Shikoni se çfarë paskrupullësie. Që do të thotë se vazhdon, përderi sa Adem Demaçin dikush e frymëzoi që ta etiketojë pas vdekjes Ibrahim Rugovën, e t’i bëjë aq dëm me fjalët e veta, vetë Adem Demaçit. Sa ishte gjallë Rugova, beteja e politikanëve të të gjitha ngjyrave ishte gjithmonë e humbur, me gjithë luftën mediatike dhe të të gjitha mënyrave kundër tij. Kur vdiq Rugova, PDK i fitoi zgjedhjet dhe hyri menjëherë në aleancë me Fatmir Sejdiun dhe LDK-ja mori të tatëpjetën, duke e lënë jetim elektoratin Rugovian. Adem Demaçi që, për nga vepra, i takon gjithë historisë të Kosovës, bën gabim kur e ndan popullin e Kosovës, i cili ka vuajtur dhe është ngritur i gjithi në këmbë për hir të idealit të lirisë. Adem Demaçi nuk ka nevojë për partitë e Kosovë. As t’u bëjë shërbim atyre, siç veproi kur e fyeu edhe të vdekur Rugovën si „frikacak“! Po kush është trim, sipas Demaçit, ata që i bënin atentat Rugovës për ta vrarë! Ata janë burracakë, frikacakë, kriminelë! Kudo qofshin i pret rruga për në ferr, sepse biletën për atje e kanë prerë me bëmat e tyre. Po Demaçi çfarë ka! Pas vdekjes të Rugovës, filluan të përfitojnë të majtë e të djathtë prej mospranisë së tij, ndërkohë që tani thonë se të gjithë kanë qenë rugovistë. Po të shihni pelegrinazhet tek varri i Rugovës, ai është vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga mëkatarët – nga ata që ia kanë nxirë jetën Rugovës kur ishte gjallë. Ndofta janë penduar, ndofta i kërkojnë ndjesë, ndofta i luten që t’ua fali atë çka ata i punuan kur ai frymonte mes nesh. Ta dinë se Rugova i ka falur! Me një kusht, që të mos e vazhdojnë rrugën e qoftëlargut me luftue shqiptari kundër shqiptarit. Ndërsa për sulmet më të fundit që Demaçi nisi kundër Rugovës së vdekur nuk gjej asnjë sens. Adem Demaçi për vitet e burgut meriton të quhet njëri nga Mandelat e Europës. Ne shqiptarët kemi dy, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin, emrat me të cilët duhet të krenohen Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. Po përse e nëpërkëmb emrin e vet Adem Demaçi , me gojën e vet, duke nëpërgojuar Ibrahim Rugovën? Nuk jam dakord me ata që thonë se asht plakë e rrokatë tash Demaçi. Jo, e kam dëgjuar plotë herë Demaçin kur flet ashtu si duhet, me marr mend ne të gjithë prej tij! Po çka atëherë! Qëndrimi i Rugovës, për të cilin Adem Demaçi spekulon kësaj here duke e cilësuar si frikacak, ishte vetëm në mbrojtje të popullit të Kosovës, sepse, asaj kohe, as SHBA dhe aq më pak Europa, nuk ishin të gatëshme ta mbronin Kosovën ashtu si vepruan më 1999. Deri kur Presidenti George Bush senior shpalli „vijën e kuqe“, qendrimi Amerikan ishte autonomi për Kosovën. Le të kujtojmë se tragjedia që ndodhi në Bosnje do të ripërsëritej në Kosovë, me një skenar edhe më të përkryer për shkak të homogjenitetit të popullsisë. Mua më erdhi tmerrësisht keq kur e dëgjova Adem Demaçi që bëhej mashë për ata që i pret ferri, dhe nuk e le Rugovën të prehet i qetë në parajsë, pas atyre të gjitha poshtërsive që ia punuan kur ai ishte në gjallje. Përballë lapsusit lajthitës të Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës i doli në krah Akademik Mark Krasniqi, shenjtori i gjallë i Kosovës. Atij i kishte hije edhe pezmi ndaj Demaçit. Mark Krasniqi i doli në krah Rugovës së vdekur, sepse asnjërit nga lidërshpi i LDK-së nuk i kanë hije fjalët. Me që Demaçi na ktheu pas, e kam të freskët kohën kur, ndërsa qeveria hije e Kosovës jetonte me plot komodidete në Perëndim, Ibrahim Rugova qëndronte me familjen në Kosovën e pushtuar. Dhe i viheshin në diskutim pagesat e biletave dhe udhëtimeve në SHBA dhe Europë, ku ai lobonte për pavarësinë e Kosovës! Nuk gjej asnjë sens në sulmet e Demaçit kundër Rugovës. Adem Demaçi dha kontributin e tij si Mandela i Kosovës, i burgosur në burgjet e pushtuesit, Ibrahim Rugova si lideri Indipendentist, i cili përmes mënyrës gandiste dhe europianiste e sendërtoi pavarësinë, e ktheu nga një iluzion në realitet. Të dy i duhen Kosovës. Shqiptarofobia ishte sëmundje e Ballkanit, e cila do ende kohë të shërohet plotësisht. Pavarësia e Kosovës, lideri i së cilës është Ibrahim Rugova, ngjante si një „kataklizmë“ për mentalitetin ballkanik, pasi shqiptarët gjithmonë shiheshin si qytetarë të dorës së fundit aty ku jetonin. E Pavarësia, ky objektiv që e ideoi dhe sendërtoi Rugova me të gjithë ata që iu bashkangjitën, kërkonte burrëri të madhe, jo burracakëri. Prandaj Ibrahim Rugova ishte burrë, burrështeti! I pari në historinë e Kosovës moderne! Dhe këtë gjë e di mirë Adem Demaçi, të cilit i ka hije që t’i kërkojë ndjesë Rugovës. Mjaft u fye nga burracakët Rugova i gjallë! Nuk dua të pranoj se Adem Demaçi është burracak, sepse kam respekt për burgun e tij. Edhe Demaçi vetë, nëse ka respekt për vetë Adem Demaçin, duhet t’i lypë ndjesë Rugovës të vdekur dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët idealin e Rugovës e mbajnë në shpirtrat e tyre gjithnjë të gjallë!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Rugova

PRESIDENTI NISHANI E DEKRETOI TE BIRIN E XHELIL GJONIT

December 7, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Autorja e këtyre rradhëve i dërgoi më 3 dhjetor 2013 një Letër të Hapur Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkonte të mos dekretonte Ambasador në Zvicër të birin e Xhelil Gjonit, ish-eksponent i nomenklaturës komuniste. Kjo letër iu ridërgua Bujar Nishanit po përmes dy këshilltarëve të tij për diasporën në rrugë elektronike më 4 dhjetor, shoqëruar me Apelin “Bashkohuni me ne – Jo në Ambasada e Konsullata njerëz me lidhje me diktaturën“, i cili u mbështet përmes Facebook-ut dhe portalëve online nga shqiptarë të ndryshëm, në mesin e tyre edhe figura publike. 
Por Bujar Nishani nënshkroi dekretin më 5 dhjetor 2013 sa hap e mbyll sytë. Askush nuk dyshonte se do të vepronte ndryshe. Sepse Bujar Nishani njihet si një yesman i bindur. Kësisoj i ka ngjitur shkallët më të larta të pushtetit. I binduri i Berishës. 
Bujar Nishani nuk përfaqëson unitetin e kombit. Ai është shprehja më brilante e klientelizmit të pushtetit. Atë e zgjodhi në postin e kryetarit të shtetit një maxhorancë me një shumicë minimale,  produkt i trafikimit të deputetëve. Kjo maxhorancë pastaj do të humbiste katastrofikisht më 23 qershor 2013.
Bujar Nishani mund të mos e kishte nënshkruar me kaq ngut dekretin. Gjatë nëntorit ai u përfol në shtypin e Tiranës se kishte refuzuar, nën presionin e Berishës, të firmoste largimin e Neritan Cekës nga posti i Ambasadorit në Romë. Ndërsa nuk e mori absolutisht parasysh Letrën e Hapur të një gazetareje dhe as Apelin për të mos e hedhur firmën për një emër që lidhet në mënyrë shumë të qartë me nomenklaturën e lartë të shtetit diktatorial. 
Midis emrave që iu bashkuan Apelit përmes Facebook-ut, i cili u botua tek Zëri i Shqiptarëve www.voal-online, tek gazeta Dielli e Vatrës në SHBA si dhe në disa platforma albanofone në Perëndim – dhe vetëm tek gazeta e Durrësit në Shqipëri, – ka përfaqësues nga bota akademike, ish-të burgosur politikë, është bashkëshortja e Mandelës shqiptar, Pjetër Arbnori, është Kryetari i Vatrës Z. Gjon Buçaj, ka artistë, veprimtarë, humanistë, mjekë, gazetarë, botues, juristë, mësues, njerëz të thjeshtë, pa asnjë dallim politik dhe kufizim kufijsh. Por Bujar Nishani nuk bëri as mundimin më të vogël për të vendosur asnjë lloj komunikimi as përmes këshilltarëve të tij për diasporën, të cilët nuk u lodhën të kthenin asnjë gjysmë fjale përgjigje, ndërsa linqet që i vendosa në faqen zyrtare të Nishanit në facebook u hoqën menjëherë. 
Ishte pikërisht po ky Bujar Nishani që nuk pranoi të ushtronte rolin që i jep Kushtetuta e Shqipërisë kur ish- të përndjekurit e regjimit komunist u futën në grevë urie në vjeshtën e vitit 2012. Ai as komunikoi dhe as pranoi të takohej me grevistët, megjithë lutjet e atyre njerëzve të përvuajtur dhe apelit të faktorit ndërkombëtar.
Në Letrën e Hapur i kërkova Nishanit që të kontaktonte me këshilltarin e tij të kulturës, Amik Kasoruho, një ish i burgosur i ndërgjegjes dhe vuajtës i Gulagëve shqiptarë, të jatin e të cilit diktatura e kishte pushkatuar pa gjyq, por Bujar Nishani e bëri veshin shurdh e syrin qorr. Sepse është një president kukull.
Bujar Nishani mund të kontaktonte edhe me figurat që i bënin Apel. Disa prej tyre, përfaqësues të nderuar të diasporës shqiptaro-amerikane, e kanë pritur me nderime në SHBA, si përfaqësues i unitetit kombëtar, por Bujar Nishani nuk ka si të jetë simbol i këtij unitetit, kur nuk i përfaqëson viktimat e dala nga regjimi totalitarist. Prandaj ai është një president kukull. 
I tillë është sistemi zgjedhor në Shqipëri, që prodhon deputetë kukulla, institucione kukulla të cilat varen nga njëshi, që futen në lista nga njëshi, që dalin prej listave po nga njëshi. Produkt i të cilit është edhe presidenti kukull i Shqipërisë.
Sepse, nëse do të përfaqësonte unitetin kombëtar, ai do të duhej të merrte parasysh historinë bashkëkohore të shqiptarëve, përshkuar nga një diktaturë mizore; ai duhej të merrte parasysh vuajtjet e viktimave të pafajshme; ai do të duhej të merrte parasysh iniciativat e Vaclav Havelit dhe Presidentit të Gjermanisë Joachim Gauck që janë „Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Europës dhe Komunizmin“, 2008 dhe “Deklarata mbi krimet e komunizmit”, 2010, ku bëhet thirrje për “dënimin e krimeve të diktaturave komuniste, të cilat duhet të vlerësohen si krime kundër njerëzimit, në të njëjtën mënyrë si krimet e Nazizmit që u dënuan nga Tribunali Nurembergut”.
Haveli dhe Gauck, ndërgjegja humaniste e Europës, kanë njohur tragjedinë e shkaktuar nga sistemi totalitarist, prandaj kanë kërkuar drejtësi, e cila nuk lejon që në administratën e lartë të shtetit, të një vendi që thuhet se ka përmbysur diktaturën më 22 mars 1992, të punësohen ose ish-zyrtarë të lartë sistemit totalitarist ose njerëz me lidhje gjaku me nomenklaturën më të lartë. 
Por Bujar Nishani nuk i kupton iniciativat e Vaclav Havelit dhe Joachim Gauck. Sepse ai është një president kukull.

Filed Under: Analiza Tagged With: dekretoi te birin, e Xhelil Gjonit, Elida Buçpapaj, Nishani

BASHKOHUNI ME NE – JO NË AMBASADA E KONSULLATA NJERËZ ME LIDHJE ME DIKTATURËN

December 4, 2013 by dgreca

(Lista është në përditësim të vazhdueshëm)/

Nëse jeni pro, ju lutem, bashkohuni me ne/

Pas Letrës të Hapur drejtuar Presidentit të Republikës, po i drejtohem të gjithë shqiptarëve kudo ku frymojnë, në shtetin amë, diasporë dhe gjithë hapësirën kombëtare që të refuzojmë sjelljen në përfaqësitë diplomatike, Ambasadat dhe konsullatat e Shqipërisë në Europë dhe botë figura me lidhje gjaku me nomenklaturën diktatoriale.

Nëse jeni pro, ju lutem, bashkohuni me ne.

Deri tani kanë pranuar:

Elida Buçpapaj, poeteshë, botuese
Skënder Buçpapaj, shkrimtar, botues
Edlira Dedja, artiste, pedagoge, politikane, Zvicër
Rita Saliu, Humaniste, poete, veprimtare e të drejtave të njeriut, SHBA-Kosovë
Prof.Dr. Romeo Gurakuqi, Europian University of Tirana, Tiranë, Shqipëri
Isabela Çoçoli, gazetare pranë Zërit të Amerikës, Washington D.C.
Shenida Bilalli, regjizore televizive, dokumentariste, gazetare në Televizionin publik të Kroacisë
Rezart Jasa, gazetar, Paris, Francë
Domenika Dodaj,kordinatore për projektin Leonardo da Vinci në bashkpunim me Universitetin e Bielefeldit, Gjermani
Agim Gashi, poet, këngëtar, veprimtar, Gjermani-Kosovë
Mimoza Nazarko, Artiste, Zvicër
Shpresa Toptani, Vjenë, Austri
Jeronim Cetta, Zvicër
Fahri Xharra, historian, publicist, Kosovë
Sabit Gecaj, poet, gazetar, Zvicër
Suzana Arbnori, mësuese, bashkëshortja e Pjetër Arbnorit, Tiranë
Aishe Mulliqi Gashi, Shqipëri
Sandra Papa, inxhiniere, Boston, Amerikë
Eri Koliqi Gajtani, artiste, piktore, Tiranë
Eneida Koraqe, artiste, balerinë, Itali
Zamir Faja, Berlin, Gjermani
Dritan Gani, Turqi
Eduarard M.Dilo, SHBA
Robert Qafzezi, Artist, Paris, Francë
Lekë Zef Pepkolaj, Shqipëri
Dasha Gusho, Shqipëri
Rezarta Gina Kastrati
Fatmire Nallbani, Zvicër
Ajtanga Lubonja, gazetare dhe e përndjekur politike
Lumturi Aliaj, SHBA
Nimete Vokopola, Gjermani
Futura I. Kola, Shqipëri
Mirjan Daci, Strasburg, Francë
Arif Molliqi, shkrimtar, Kosovë, Gjermani
Merita Bajraktari – McCormack, gazetare, veprimtare e Vatrës, Virxhina, SHBA
Xhesika Malo, Vlorë, Shqipëri
Zamira Bushati, Tiranë
Mariza Xoxa, Tiranë
Semiha Bruci Gorenca, Tiranë
Hyra Hasangjekaj, Gilan, Kosovë
Emil Asdurian, neurokirug, Nju Jork, SHBA
Artur Vrekaj, poet, publicist, SHBA
Petrit Kuçana, gazetar, Britani
Dr. Gjon Bucaj-Kryetar i Vatres= New York, Dalip Greca, publicist, botues i Diellit, SHBA
Feim Kurhasani, gazetar, Kosovë
Raimonda Moisiu, gazetare, publiciste, SHBA
Shpresa Demolli, veprimtare, Zvicër
Brikena Smajli
Fetah Salihu
Qemal Rexha
Veronika Dedushi
Myrvete Rudi
Leon Mirakaj
Përparim Mulosmani
Ardi Rasha
Hyra Hasangjekaj
Musa Osmani, Zvicër
Reshat Murati, Pejë, Kosovë
Afrim Ademi, Kosovë, Suedi
Flutura Zavalina, president “NEW LIFE” JETA E RE, AACO NY, USA PUBLISHER IN OUR WORD NY,USA
Arjan Kalaja, Tiranë, Shqipëri
Sinan Kërpaçi, poet, përkthyes, Tiranë, Shqipëri
Alisetar Ramadani, Zvicër
Laureta Petoshati, shkrimtare, Vlorë, Shqipëri
Simon Mirakaj, i përndjekur politik, Tiranë, Shqipëri
Viktor Martini, i përndjekur politik, SHBA
Arjan Kalaja, Avokat, Shkodër, Shqipëri
SAKO SATKA, Ohio, SHBA
Jozefina Traboini, juriste, Shkodër, Shqipëri
Prof.Dr. Vlera Ejupi, Ligjëruese në UEJL, Tetovë, Maqedoni
Syle Dobroshi, veprimtar, Kosovë-Gjermani
Violeta Gjoka, gazetare
Marjan Dodaj, Kosovë
Prof.Shaban Topalli, Salzburg, Austri
Donika Vokopola-Pojani, Tennessee, SHBA
Elmira Muja, gazetare, Nju Jork
Ilir Seci, gazetar, Nju Jork
Marie Gusho, e bija e poetit të shquar Lasgush Poradeci
Rexh Kelmendi, albanolog, Universiteti Iliria, Prishtinë
Besire Cena, ligjëruese, Universiteti i Prishtinës
Bardha S. Azari, gazetare, Gjermani
Doloresa Kroi, mësuese, Ontario, Kanada
Eva Idrizllari, moderatore televizioni, gazetare, Tiranë, Shqipëri
Mentor Thaqi, shkrimtar, Gjermani
Dibran Idriz Gashi, inxhinier elektrik, Prishtinë
Engjëllushe Papa, Greqi
Çerçiz Loloçi, shkrimtar, gazetar, Tiranë, Shqipëri
Riza Ademi, Shkodër, Shqipëri
Berat Shaqiri, mësues, Kosovë
Naser Rugova, politikan, Kosovë
Ermira Zyrakja, pianiste, Gjenevë, Zvicër
Rexhep Shahu, shkrimtar, Tiranë
Rubena Maçi, studente, Itali
Dode Progni, Tiranë, Shqipëri
Man Hoti, Zvicër
Fedra Blido, pianiste, drejtore shkolle muzike, Gjermani
Merita Trimçev, ekonomiste, Tiranë, Shqipëri, Tonin Mirakaj- Ish N/Kryetar i Vatres,  ish Kryetar i Kshillit te Kishes Zoja e Shkodres,ne N.Y., Viktor Daragjati-SHBA,

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Elida Buçpapaj, Letra per Nishanin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT