• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR

October 15, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë binte shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard – në mënyrën më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit fetar.
Ceremonia u zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e t’i kërkojnë Zotit t’i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal – pa shtëpinë e Zotit – kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë shembullore.

Toleranca fetare që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.

Komuniteti mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotësojë identitetin tonë kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan / Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »

Toleranca fetare është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij, dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë, duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.

E pra ta lësh këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth 2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën tempullin e qiellit të hapur.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, kurban Bajrami, ne qiell te hapur, Tirane

TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA, DJATHTAS KARIBDA?!

October 13, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas rezultatit të 23 qershorit, një student 22 vjeçar i ftuar tek Opinion i Fevziut tha se «e ardhmja e rinisë shqiptare nuk duhet të orientohet dhe të jetë në varësi për të mbushur rradhët e militantëve të partive”! E kam edhe tek blogjet e botuar tek libri im Traumat e Tranzicionit, që është një detyrim kombëtar për cilëndo parti, si kusht sine qua non – për një qeverisje fair.
Po liderët e partive në Shqipëri nuk duan t’ia dinë. Ata krenohen kur shpërndajnë sa më shumë tesera partie në rradhët e rinisë, në vend që t’i jepnin rinisë siguri dhe mundësi pune për të ardhmen.
Këtyre ditëve një deputet i PD-së pati ditëlindjen. Në facebook kjo reflektohet. E njoh këtë deputet. Ka qenë bashkëpunëtori ynë kur kontribuonim tek Bota Sot. Ia botonim kolumnat. I takon gjeneratës së studentëve të dhjetorit. „E kujtoj me nostalgji atë kohë“, më ka thënë gjatë një komunikimi, kur i kujtova bashkëpunimin me ne. E pra, thashë, edhe si mik që e kam në Facebook, po e uroj. Ky zotëri në profilin e tij mban si cover foto atë të Sali Berishës, ndofta brenda kraharorit të tij mban edhe ritmet e zemrës të liderit historik të PD, por urimit tim do të duhej t’i përgjigjej, ashtu si veproi me të tjerët. Kritikat tona në adresë të PD-së kanë bërë që nëna parti të na shpallë armiq të saj. Kështë ndodh edhe sa herë kritikoj majtas. Si ngjau pas një shkrimi kritik për një gafë të Ditmir Bushatit, në postin e Ministrit të Jashtëm në OKB, kur në programin më të shikuar kabllor Amerikan të FOX TV, i pyetur nga gazetari se „A është vend fisnik Amerika ?“– Ditmir Bushati përgjigjet „Kjo është një pyetje komplekse“(!!!), kur për shumicën e shqiptarëve Amerika është vend fisnik.
Karakteristikë e politikës është se ata ndihen imun,  të pagabueshëm, Zoti në qiell, ata në tokë, për konsekuencë të pakritikueshëm, tamam si Partia e Punës.
Nëse do të vazhdohet të zbulohet dhe ndëshkohet si armik gazetari që kritikon, tatëpjeta është përfundimtare. Sepse kështu po bëhet luftë klasash në kushtet e integrimeve Euro-Atlantike. Absurde dhe autoritariste kjo mendësi. Kanë plasur dasitë politike brenda familjeve si në diktaturë. Shqiptarët nuk presin këtë gjë nga Edi Rama. Partia mund të presë këtë gjë, por Shqipëria jo! Ndërkohë, që në ditët e para të qeverisjes fushata e largimeve nga puna ka arritur kulmin. Edi Rama ka premtuar se do të largojë militantët, ata që janë edhe burim i keqpërdorimit të pushtetit. Kjo do të thotë që këtë qëndrim ai duhet ta mbajë edhe për militantët e tij.
Në Shqipëri sa herë ka zgjedhje – fitorja apo humbja lidhet direkt me përfitimet apo humbjen e përfitimeve prej marrjes apo lënies së pushtetit. Dmth sa herë vjen në pushtet njëra palë, pala tjetër shpronësohet nga përfitimet e pushtetit që de jure i takon popullit. Deri tani, të dyja palët kanë qenë uzurpatore të pushtetit të popullit sepse e kanë shpërdorur këtë pushtet. Asnjëra palë nuk synon të ndërtojë shtetin e së drejtës – por veç të ndajnë plaçkën e « luftës » – sipas shprehjes « To the victor belong the spoils » – Fitimtarit i takon plaçka – e luftës.

Lufta për ndarje trofesh e postesh ka dy dekada që nuk ndalet në një Shqipëri të sfilitur nga diktatura. Partitë kanë pronë të tyre gjithçka, përfshi «superstrukturën» e kohës të diktaturës dhe elitën e tranzicionit, që tani ka hyrë në shërbim të pastër klientelist. Kemi shkrimtarët, gazetarët, këngëtarët, poetët e PS dhe të PD. Këta fitojnë privilegje dhe i humbin ciklikisht, për mbrojtjen që i bëjnë interesave të partive nga përfitojnë.
Në Shqipëri ka mijëra OJQ këtë çerek shekulli tranzicion, pasuri e madhe po të ishin në funksionin që kanë, por ato asnjëherë nuk i janë përmbajtur detyrimit ligjor dhe kanë mbetur atavizma të dy partive kryesore.
Në Perëndim ekziston institucioni think tank, i pavarur nga partitë politike, megjithëse nuk përjashtohen edhe think tank-et brenda partive, të cilët në mënyrë të pavarur analizojnë politikat publike në të gjithë sektorët që përmbledh sistemi politik – nga politikat sociale deri në strategjitë politike, të ekonomisë, shkencës, kulturës. Këto institucione janë të shenjta, në kuptimin, se qëndrimet e tyre duhet të pranohen a priori nga politika, sepse përballë deputetëve sharllatanë – janë bodyguard-ët e shtetit të së drejtës.
Rolin e një think tank-u me autoritet të pakundërshtueshëm institucional në Shqipëri do të duhet ta luante së pari Akademia e Shkencave, e cila është inekzistente. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të duhej të kishte përcaktuar politikat afatgjata të vendit, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, përfshirë « vizat e kuqe »- të cilat nuk mund t’i shkelë asnjë parti, cilat do qofshin preferencat apo interesat e saj, përfshi politikën e jashtme. Politika e jashtme e Shqipërisë është një.
Në Shqipëri nuk ka organizma think-tank, por ka intelektualë që përfaqësojnë këtë lloj institucioni. Si Profesor Romeo Gurakuqi, i cili përbën një rast sui generis, pasi nuk shndërrohet në një konsumator të arritjeve të tij personale, në planin akademik, produkt i meritokracisë, por paraqitet në publik me qëndrime kritike, në të mirë të sistemit, i cili në Shqipëri është i rrezikuar. Po të isha unë në vend të Ed Ramës, për të garantuar suksesin, njerëz si Prof. Romeo Gurakuqi, do t’i mbaja sa më afër.
Në një prononcim nga më të fundit në një blog të tij, titulluar « Miradministrim i i Shtetit përball frymës së spoils system dhe synimeve jakobiniste » Prof. Romeo Gurakuqi konstaton duke vënë alarmin se rotacioni rrezikon të kthehet në jakobinizëm. “Spoil system” – kur fitimtari, në rastin tonë partia merr gjithçka. Jakobinizmi është një doktrinë që e organizon pushtetin në mënyrë shumë burokratike dhe shumë të centralizuar. Si lëvizje historike jakobinizmi në shekullin XX u shfaq tek BRSS. Jakobinizmi i mbështetur në justicionalizëm krijon premisa për konfrontime. Profesor Romeo Gurakuqi thotë se kësisoj vendi mbahet në një “Luftë të Ftohtë permanente”. Ku fituesit dhe humbësit kthehen në dy ushtri në luftë të hapur kundër njeri-tjetrit. Pa parime, pa moral, pa integritet – tip Ligji Xhungle.
Por qeverisje të stilit jakobinist dhe justicionaliste rrezikojnë rendin dhe sigurinë e vendit. Këtë rrezik Edi Rama duhet ta përjashtojë.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Karibda, majtas Shila, rreziku, Te ndertojme shtetin

POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS

October 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këto ditë na panë sytë një tragjedi e cila nuk u luajt në një skenë teatri apo amfiteatri. Nuk ishte një tragjedi greke as e mesjetës. Nuk ishte e shkruar as nga Eskili, as nga Shakespeare. Por për nga përmasat i tejkalonte edhe tragjeditë e antikitetit grek e romak edhe tragjeditë shekspiriane. E kalonte tragjedinë e Persëve, Prometeut të lidhur. E sfidonte Othellon, Hamletin apo Romeo e Zhulietën. Tekstin e saj nuk e kishte shkruar asnjë dramaturg shqiptar. Dramaturgët shqiptarë shkruajnë skeçe e vazhdojnë të kenë në kokat e tyre skemat e dramave të realizmit socialist. Kjo tragjedi nuk u luajt nga aktorët e teatrove shqiptare, të cilët sot ndihen si lypsarë dhe të mjerë.
Kjo tragjedi mirëfilli shqiptare u interpretua „live“. Nga një zonjë e moshuar 87 vjeçare mbetur në mes të katër rrugëve, e cila  vdiq „live“ përpara syve tanë. Sepse e lamë ne që të vdesë. Vdekja e kësaj gruaje të moshuar është produkt i asaj që ka prodhuar politika shqiptare këto 23 vjet. Tragjedia e kësaj nëne dhe gjysheje është pasojë e indiferencës së shoqërisë në degradim.
Zonja Sofie Qendro shërbeu si subjekt i gazetave dhe televizioneve. Mjerimi i saj u fotografua, xhirua dhe shërbeu si mall për botën multimediale shqiptare, e cila konkuron për nga teknika me vendet më të pasura të botës. Sofie Qendro u la të vdesë pak e nga pak, ne të gjithë e lamë atë të vdiste. Ne të gjithë e vramë pak e nga pak. E para ishte politika, e dyta ishte shoqëria civile, i treti pushteti i katërt, pastaj vinim të gjithë ne, shoqëria shqiptare.
Ajo grua vdiq dhe askush nuk çau krye për këtë vdekje tragjike të imponuar nga një shtet që ka dalë nga funksioni dhe për një shoqëri e cila ka hequr dorë nga vlerat që e kanë bërë t’iu mbijetojë të gjitha tallazeve. Asaj gruaje i vunë vizën që në gjallje. Cinizmi i ne të gjithëve ishte kanibalesk. Sepse vetëm kanibalët ushqehen me mish njeriu, me mishin e më të dobtëve, pjesës më vulnerabël të shoqërisë.
Në Shqipëri janë mijëra banesa bosh – ndërtuar nga biznesi i ndërtimeve. Në Shqipëri s’ka fabrika, si tha Peter Lucas. S’ka fabrika por ka kazino. S’ka bukë, por ka biskota! Në Shqipëri s’ka fabrika por banesa bosh ka me mijëra, ku mund të strehohej shumë mirë zonja Sofie Qendro, nëse do të shqetësohej dikush, por në asnjë nivel nuk u mor askush me dramën që po luhej para syve tanë, e cila nga çasti në çast pritej të shndërrohej në tragjedi. Klasa jonë politike ka disa shtëpi, në qytet e det. Vilat e tyre ishin bosh dhe asnjëri prej tyre nuk u tregua i mëshirshëm, human, solidar sa për të gjetur një zgjidhje të përkohëshme deri tek zgjidhja definitive. Që ajo zonjë të mos vdiste, këtu para syve tanë, nën dritën e projektorëve, blitzave dhe kamerave të televizioneve.
Disa ditë më parë, shtypi i Tiranës ishte fokusuar tek luksi i veshjeve të klasës politike, si një narracion pa asnjë pikë kritike. Për të treguar shijet e VIP-ave shqiptarë që këtë luks dhe prosperitet e kanë prej taksave të shqiptarëve, dmth, prej taksave tona!

Para disa ditësh në një intervistë Adelina Mamaqi një shkrimtare për fëmijë tregonte se pensioni i saj është 130 mijë lekë të vjetra dmth 90 Euro, ashtu si gjysmë milioni pensionistë, nënat dhe baballarët tanë! Po këpucët e grave të politikës sa kushtojnë? Disa fish më tepër se pensioni i Adelina Mamaqit!

Ku jemi duke shkuar kështu ?

E çfarë qeraje për banesë mund të paguajë një e moshuar si zonja Sofie Qendro me 100 Euro pension? Në çdo shoqëri normale, në çdo vend normal është shteti që jep përkrahje sociale, është shoqëria civile që tërheq vemendjen, janë mediat që ngrejnë në këmbë opinionin publik që të mos lejohet kurrë „live“ ekzekutimi i një gruaje të moshuar, prej inkuizicionit të indiferencës sonë! E lamë ne të vdesë prej mungesës së mëshirës dhe ndjenjave njerëzore.
Nuk ka asnjë lloj justifikimi për tragjedinë „live“. Kjo tragjedi e ekzekutuar përpara nesh, tregon se ndërgjegjia jonë është blozë. Sofie Qendro na akuzon ne! Sofie Qendro është e pafajshme. Ne jemi fajtorë të vdekjes së saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politika shqiptare, Sofie Qendro

Ç’DO BËJË EDI RAMA ME GAFAT E DITMIR BUSHATIT NË NEW YORK– ASSESI TË MOS IA GËLLTISË!

October 5, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Më 17 shtator në Pallatin e Qelqtë u hap sesioni i 68-të i Asamblesë të Përgjithshme të OKB, që kishte bërë të zbarkonin në New York burrat e shteteve të të gjithë botës për të mbajtur fjalime, për dialog dhe takime të nivelit më të lartë. Me këtë rast në New York kishte arritur edhe delegacioni shqiptar, që drejtohej nga kryeministri i posazgjedhur i vendit Edi Rama, nën shoqërinë e ministrit të Jashtëm të posazgjedhur Ditmir Bushati.
Pikërisht për të përcjellë atmosferën nga Pallati i Qelqtë, gazetari dhe komentatori i famshëm politik Bill O’Reilly, që drejton tek Fox News Channel – The O’Reilly Factor – programin më të shikuar në televizionet kabllore të lajmeve në Amerikë, kishte dërguar aty gazetarin Jesse Watters, i njohur për intervistat e tij “On-The-Street” – në rrugë –për të marrë mendime por edhe për të peshkuar aty ndonjë scoop a gafë mes të ftuarve që në rastin konkret ishin Ambasadorë, Ministra të Jashtëm etj.etj.
Dhe në grepin e gazetarit ra pikërisht ministri jonë i Jashtëm, dmth ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë.
Pyetja që Jesse Watters u drejtoi diplomatëve më të lartë ishte kjo: “A është Amerika një vend fisnik?” – Kur Watters pyeti PhD Simona-Mirela Miculescu, një diplomate kariere rumune, e cila është Ambasadorja e përherëshme e Rumanisë në OKB, ajo e çuditur se si gazetari mund të bënte të tilla pyetje absurde, në mënyrë eksklamative iu përgjigj “Natyrisht, që është, natyrisht Amerika është një vend fisnik” –
Kur i erdhi radha ministrit tonë të Jashtëm, e në ekran dilte i titruar emri, posti që mbante e vendi që përfaqësonte – dhe ishte një rast i mrekullueshëm që me anglishten e tij të mirë të shfaqte performancën e tij përpara publikut amerikan -, kur Jesse Watters e pyeti: “A është Amerika një vend fisnik?”, Ditmir Bushati përmes një gafe 24 karatshe iu përgjigj: “Është një pyetje shumë komplekse !”
Ditmir Bushati nuk gjeti argument në kokën e tij për t’i dhënë një përgjigje pozitive pyetjes ashtu si u përgjigj me eksklamacion përfaqësuesja e Rumanisë për vendin më demokratik të botës, krijuar prej emigrantëve. Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që, të paktën gjatë dy dekadave të fundit, qindra mijë bashkëqytetarë të tij, ikur prej një Shqipërie gjithnjë në trazicion dhe me një demokraci të rrezikuar, të gjejnë këtu strehë, vatër e mundësi për të qenë pjesë e këtij vendi dhe këtij kombi; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA iu gjet në krahë Kosovës për të ndalur konfliktin dhe për t’i dhënë fund shpërnguljes së 1 milion shqiptarëve nga trojet e veta; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA i janë gjendur në krah Shqipërisë për ta anëtarësuar në NATO; Ditmir Bushatit nuk i ka mjaftuar fakti që SHBA për Shqipërinë përbëjnë Aleatin jetik, më të rëndësishëm. Ditmir Bushatit nuk i kanë mjaftuar këto fakte dhe është përgjigjur sikur të jetë ministër i jashtëm i kohës së republikave sovjetike.
Por ashtu si ndodh rëndom, gafa e Ditmir Bushatit, ministrit të Jashtëm u fsheh në Shqipëri. Nëse gafa e tij kishte marrë dhenë në SHBA, në Shqipëri askush dhe asnjë nuk tregoi dhe reagoi për të, qofshin gazetat, qofshin televizionet, qofshin anchormen-ët, qoftë opozita, qoftë lideri i opozitës, i cili ka qenë edhe vetë ministër i Jashtëm, qoftë Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin e Shqipërisë, qoftë shoqëria civile. Askush. Sikur Shqipëria të jetojë në kulmin e izolimit, të cilin Edi Rama e shpreh figurativisht me bunkerat. Merreni me mend sikur gjithë këta që përmenda unë më sipër të hanin në bunker, të pinin e të flinin në bunker, bile edhe programet televizive me të ftuarit e tyre të përhershëm t’i xhironin në bunker, përfshi edhe Sokol Ballën me Ipodi-in e tij, të gjithë pa asnjë përjashtim në bunker! Me gojë të mbyllur, për hir të gafave të Ditmir Bushatit!
Por rroftë Facebook-u dhe komuniteti i shqiptarëve në NY, të cilët ndihen të fyer kur vendin e tyre e përfaqëson një njeri që pyetja më e thjeshtë për shqiptaret, atij i duket më kompleksja e botës dhe nuk di se si t’i përgjigjet! Por çfarë diplomati qenka ky!
Ndërkohë, gafa e Ditmir Bushatit nuk fshihet dot. Ajo është një fait accompli, e kryer tashmë. Nëse numri 1 i diplomacisë shqiptare vë në dyshim dhe nuk gjen asnjë arsye për t’u përgjigjur pozitivisht se “Amerika është një vend fisnik”, mendoj se kryeministri i Shqipërisë nuk ka pikën e dyshimit se Amerika është një vend fisnik. Atëherë çfarë do të bëjë shefi i qeverisë shqiptare me Ditmir Bushatin, do t’ia gëlltisë gafat – të cilat kur shqiptohen nga një ministër i kabinetit adresohen si gafat e tij! A ia vlen që kryeministri të përfaqësohet me diplomatë që dëmtojnë imazhin e qeverisë Rama, që në hapat e saj të para, kur qeverisjes i duhen njerëz seriozë, të përgatitur të cilët duhet assesi të bëhen cironka që i kap grepi me herën e parë!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Gafat e Bushatit, ne New York

FJALËT I KAM PËR NJERËZIT JO PËR DYKËMBËSHAT

September 29, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Fjalët i kam për njerëzit/

atyre ua kushtoj/

atyre/

ua dërgoj fjalët në eter/

me postierë-pëllumba/

janë fjalë zemre/

të pastra/

jo si uji me microbe/

që pihet në Tiranë/

janë

si uji i burimeve

që kanë mbetur të paprekura

prej dorës së barbarëve

barbarët janë aty

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

të cilëve shqiptarët u falen

sikur të jenë Zota

duke u dhënë

ciklikisht vota

si të jenë klone

robotësh

për t’u rifutur

nëpër labirinthet

e tranzicionit

torturë

si Spaçi

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për dykëmbëshit

veshur me rroba firmato

që kalërojnë qiellin

e bredhin me vetura

të markave të fundit

paguar nga taksat tona

ata dykëmbëshat

parazitë

që nuk e njohin

punën

as si nocion

ata dykëmbëshit

e zbrazur nga çdo

organ njerëzor

me zemër, zorrë

stomak dhe mëlçi

çeliku

si një vepër

mirëfilli e realizimit socialist

po na rrjepin sa më mirë

lëkurën

po na lënë

veç skeletin

sipas atij proverbit

se i joti

mishin ta ha

e kockën ta le

ne viktimat

e reja

të mathauzenit

dhe auschwizit

të tranzicionit shqiptar

të mileniumit

të tretë

të kohës

të IPhone-it

dhe rrjeteve sociale

 

dykëmbëshat

nuk të çojnë

direkt

nëpër kremtariume

për të na bërë sapun

po na vrasin

pak e na pak

përmes

pritjeve boshe

ti prit e prit

një vit

një pesëvjeçar

një dekadë

dy dekada

njëçerek shekulli

prej kohës kur

fëmijëve

po u ndërroheshin

dhëmbët e qumështit

e tani u kanë dalë

thinjat e para

…

 

fjalët i kam për njerëzit

jo për servilët

jo për hipokritët

jo për shpifësit

jo për intrigantët

për ata fjalët e mia

qofshin

si flakët

e ferrit

që t’ua djegë

të keqen

le të mos më jenë mirënjohës për

nderin që u bëj

nuk dua asnjë

falenderim prej tyre

me ta nuk kam asnjë fjalë

asnjë rrokje

nuk e shqiptoj për ta

 

kohën time të çmuar e kam

për njerëzit

fjalët e mia të zemrës

të pastra

pa asnjë sarkazëm, mllef,

pa asnjë dykuptimësi

pa asnjë rrengbrënda

apo dyfytyrësi

që i kanë dykëmbëshit

me pushtetin e votës

tonë

të ne budallëve

më të mëdhenj

që ka parë shekulli i parë

i mileniumit

të Steve Jobsit

dhe Mark Zuckerbergut

 

ne të marrët

që u dhamë pushtetin

për çerek shekulli

dykëmbëshave

 

ne naivët

që mbetëm fëmijë

ne që besuam

që ditëm të besojmë

që patëm stomak e zemër

të besojmë

 

të të besojë njeriu

është mrekulli e Zotit

por ata janë të gjithë

ikonoklastë

Zotit i falen ditën

dhe natën

blasfemojnë

ose shkojnë në Mekë

për të shpëtuar

prej mëkateve

për vrasjen që i bënë kohës

si vrasesit e kohës

tonë

 

për dykëmbëshat

s’kam asnjë fjalë

si t’ja bëj

për atë kohë që iku

e nuk vjen më

për besimin që u dhamë

për të na sjellë

vërdallë

me pasqyrka

fjalësh

llamburitëse

por

sharrllatane

sepse

vinin nga zgafellat

e blozave

të të pazotëve

të të pafeve

të të pashpirtëve

të dykëmbëshave

që pasuan

diktaturën

dhe që sollën

veç

tranzicion

dhe asgjë tjetër

veç eksod dhe asgjë tjetër

veç ekskomunikim

nga Europa

dhe asgjë tjetër

na larguan prej saj edhe më

na hodhën

në Azinë e largët

kur më 1992

ne ishim vetëm dy hapa larg saj

atëherë kur ishim fare të rinj

kur fëmijët nuk i kishim

lindur ende

apo posa i kishim sjellë

në këtë botë

dhe u premtuam

atë që na premtuan

dykëmbëshit mizorë

Tokën e Premtuar

u premtuam

e tani fëmijët

që lindëm në tranzicion

po bëhen

sa ishim ne

kur besuam se

Shqipëria

po bëhej nga zhbërja…

 

fëmijët tanë po bëhen

gati të lindin

fëmijët e tyre

dhe tranzicioni

vazhdon si serialet

e filmave turq

me hakmarrje primitive

si mallkim

për besimin që ne

u dhamë dykëmbëshave

 

sepse njeriu i beson Zotit

i beson Njeriut

por kurrësesi jo Antinjeriut

dykëmbëshave

si vampirë

që na e pinë gjakun

e kohës tonë

dhe pastaj na shesin mend

në panairet e metropolit

të kurrgjësë

ku njerzve në vend të lirisë

u japin qofte

hiçgjëje

në mejhanet politike

të mosgjësë

të dykëmbëshave

që mbetën

qyqanë

megjithë se pushteti

u solli lluksin

makbethian

ata të pangopur

mbetën

barkthatë

mbetën

nga tranzicioni

çerekshekullor

duan

ta çojnë

tranzicionin

një gjysmëshekulli

 

ky është

objektivi i tyre

qëllimi i tyre

të na largojnë

sa më shumë

nga ëndërra

 

pikërisht ata

dykëmbëshat

që unë nuk u hedhë

asnjë lëmoshë fjale

asnjë tingull

asnjë rrokje

asnjë bashkim tingujsh

asnjë bashkim rrokjesh

prej nga formohen fjalët

 

o Zot sa të bukura janë

fjalët

që i shkëmbejmë midis nesh

fjalët zbusin gurin

o Zot sa të bukura janë

fjalët që shqiptojmë

midis nesh njerzve

që populluam këtë tranzicion

të trishtë

që shkëmbejmë

për t’i shkrumbuar

prej indiferencës tonë

dykëmbëshit

e formuar prej kotit

prej asgjësë

por që kanë

në barkun e tyre

makabër

kanë gëlltitur si lubi

kohën e të gjithë shqiptarëve

miliona e miliona sekonda

miliona e miliona minuta

miliona e miliona orë

duke pritur Godonë

duke pritur barbarët

kur

barbarët janë aty

 

dhe dykëmbëshat

na lanë gjithnjë prapa listave

na hoqën fare nga listat

na çeuropianizuan

ne që jemi nga të parët

që e lindëm

kontinentin plak

 

fjalët e mia

i kam për njerëzit

çdo fjalë ka zemrën që bën tak-tak

që kërkon të trokasë e

gjejë derën e hapur

të një shpirti tjetër njeriu

njeriu të vërtetë

që nuk është servil

që nuk është hipokrit

që nuk është intrigant

që nuk është arrivist

por sidomos

që nuk është dykëmbësh

……………………

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dykembshat, Elida Buçpapaj, fjalet i kam per njerezit, poeme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT