• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kongresisti Engel, thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna

February 26, 2016 by dgreca

Dje, një ditë përpara seancës në parlament për zgjedhjen e presidentit të ri, ligjvënësi amerikan Eliot Engel i bën thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna. Përdorimi i dhunës e bën më të vështirë për Shtetet e Bashkuara që ta mbështesin shtetin e ri për t’u anëtarësuar në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Në një intervistë me shefin e shërbimit tonë Arben Xhixho, zoti Engel tha se ai nuk mban anë në argumentet mes palëve dhe u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës të kuptojnë se asnjë individ i veçantë nuk është më i rëndësishëm se vendi. Ligjvënësi nga Nju Jorku prej kohe është një ndër mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongresin amerikan.

 Zëri i Amerikës: Kosova po kalon sot një krizë që filloi para gjashtë muajsh dhe që askush nuk e di si do të përfundojë. Sa i shqetësuar jeni ju nga situata në Kosovë?

Eliot Engel: Jam i shqetësuar, dhe ja përse. Le t’i hedhim një sy historisë së fundit, në Ballkan ose në Kosovë: Gjërat filluan të ndryshojnë më 1999 kur NATO-ja ndërhyri për t’i dhënë fund luftës. Qysh atëherë, Kosova po ndërton demokracinë dhe shumë nga mbështetësit e saj në Uashington, si unë, argumentojnë se ajo duhet të jetë në Bashkimin Evropian, një ditë edhe në NATO. Unë besoja dhe ende besoj tek këto. Megjithatë është bërë shumë e vështirë të argumentosh, ose të bindësh të tjerët se Kosova duhet të jetë pjesë e këtyre dy institucioneve, kur ata shohin tensionin politik që ekziston atje. Nuk më shqetësojnë çështjet për të cilat debatohet, pasi njerëzit mund të mbajnë qëndrime të ndryshme, mund të jenë dakord ose jo me marrëveshjet me Serbinë, ose me kufirin me Malin e Zi, por në demokraci këto mos-pajtime trajtohen në mënyrë demokratike, pra jo me rrugën e dhunës. Dhe dhuna që kam parë në Kosovë, në parlament me gaz lotsjellës, djegia e makinave dhe e zyrave, nuk është e mirë për Kosovën. Kur njerëz si unë mbrojmë Kosovën, duke thënë se ajo është një demokraci dhe duhet ta mbështesim, ka të tjerë që mendohen dhe thonë: por dhuna nuk tregon se ai vend është demokraci. Prandaj dhe jam i shqetësuar.

Zëri i Amerikës: Para disa ditësh, ju bëtë thirrje përmes një artikulli, për ta mbajtur Kosovën në rrugën e demokracisë. A po rrëshqet prapa Kosova?   

Eliot Engel: Shpresoj që jo. Por kjo varet nga banorët e Kosovës dhe nga politikanët e zgjedhur prej tyre. Ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm. Unë nuk mbaj ndonjë anë në mosmarrëveshjet politike. Në artikull përmenda rastin e zgjedhjeve të kontenstuara të vitit 2000 në Shtetet e Bashkuara, kur George W. Bush, u zgjodh president, ndërkohë që shumë prej nesh, duke më përfshirë mua, mendonim se në fakt kishte fituar Al Gori. Ne mbetëm të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Lartë, që me rezultatin e ndarë në linja partiake 5 me 4 ia dha presidencën George Bushit. Ne nuk ishim të kënaqur me këtë vendim. Por ne nuk filluam dhunën, nuk dogjëm ndërtesa dhe nuk dolëm për të bërë dhunë nëpër rrugë. Ne e lamë demokracinë të triumfonte. Pikërisht këtë dua të shoh unë në Kosovë. Udhëheqësit e Kosovës duhet të ulen dhe ta kuptojnë se asnjë individ i veçantë nuk është më i rëndësishëm se vendi.

Zëri i Amerikës: Ju jeni mbështetës i Kosovës prej një kohe tepër të gjatë, duke lobuar për të, siç e përmenët më lart. Por, çfarë ndikimi kanë tek përpjekjet tuaja lobuese  zhvillimet e fundit në Kosovë?

Eliot Engel: Nuk ndikon tek përpjekjet e mia lobuese, pasi unë e dua Kosovën dhe popullin e saj dhe unë përherë do ta mbështes Kosovën. Por kur unë përpiqem të argumentoj në favor të Kosovës tek  Bashkimi Evropian për shembull, që procesi të vazhdojë dhe që të merren masa që, nëse Serbia bëhet vend anëtar, ajo të mos jetë në gjendje të bllokojë anëtarësimin e Kosovës, kjo bëhet e vështirë, pasi zyrtarët në BE, kur shohin dhunën në Kosovë, shtrojnë pyetjen, a është ky vend vërtet demokratik? A është ky një vend që ne vërtet duam ta pranojmë në radhët tona? Pra, dhuna t’i heq argumentet në favor të saj, se në Kosovë është duke u ndërtuar një demokraci e re, në një vend të ri. Përsëri e theksoj se nuk mbaj qëndrim për çështjet që po debatohen, ato janë çështje politike legjitime, me të cilat njerëzit mund të mos jenë dakord, problemi është tek taktikat që po përdoren, kjo më shqetëson. Dhuna nuk është zgjidhja në një demokraci. Kjo e dëmton Kosovën. Udhëheqësit e Kosovës duhet të ulen në mënyrë paqësore dhe demokratike e të përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që dhuna të mos përsëritet më.

Zëri i Amerikës:  Kritikët në Kosovë thonë se pas dy marrëveshjeve, sidomos pas asaj për krijimin e asociacionit të komunave serbe, Serbia fitoi, sepse u hapën negociatat. Po vetë Kosova a fitoi ndonjë gjë?

Eliot Engel: Këto janë çështje legjitime, që kërkojnë përgjigje legjitime, por nuk mund të përdoret dhuna për të fituar argumentin. Prandaj e them që unë nuk mbaj qëndrim për çështjet e kontestueshme, por mbaj qëndrim për mënyrën se si njerëzit po e shprehin kundërshtimin e tyre. Çështja duhet parë më gjerë: a do të pranohet Kosova në OKB? A do të hyjë Kosova në gjirin e komunitetit të vendeve dhe të njihet nga të gjitha ato? Pati një tërheqje, kur Kosova nuk arriti të anëtarësohet në UNESCO për vetëm pak vota. Para dy-tri vitesh Kosova u përpoq të anëtarësohet në Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ne ishim në gjendje të ndikonim tek vende të ndryshme, duke siguruar votat e duhura që Kosova të pranohej dhe ky ishte një hap i madh përpara.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi tek roli i Shteteve të Bashkuara. Opozita në Kosovë është izoluar nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore. A mendoni se kjo është një strategji e mirë?  A mos duhet angazhuar ajo në bisedime?

Eliot Engel: Po, duhet angazhuar në bisedime, por ata duhet të ndalin taktikën e dhunës. Arësyeja që nuk po bisedohet me ta është se dhuna nuk mund të shpërblehet. Ata kanë ngritur çështje serioze dhe legjitime, por mënyra se si po veprojnë, mendoj se e minon oreksin për pranimin e Kosovës në organizatat shumëkombëshe.

Zëri i Amerikës: Prova e vërtetë do të jetë nesër, kur parlamenti të përpiqet të zgjedhë presidentin e ri. Cili është mesazhi juaj për popullin e Kosovës një ditë përpara seancës.

Eliot Engel: Mesazhi im do të ishte ky: shpresoj që ky votim të bëhet me drejtësi; shpresoj që cilido që e humbet votën nuk do ta kotestojë atë përmes dhunës. Shpresoj që procesi të funksionojë. Shikoni: Kosova ka një kushtetutë, ka një Deklaratë të Pavarësisë, që unë e kam edhe në mur. Ajo duhet të sillet si vend demokratik. Nëse atje ka dhunë, atëherë për të gjitha palët do të jetë keq, siç thotë edhe shprehja që ne kemi në anglisht: A plague on both your houses (mortaja në shtëpinë time është edhe në tënden). Pra, të gjithë duhet të jenë përgjegjës, sepse askush nuk do të ndihmojë, nëse populli i Kosovës nuk ndihmon veten. Unë ndihem zemërthyer, sepse unë besoj me gjithë shpirt që Kosova do të jetë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara gjithnjë do ta mbështesin Kosovën. Unë gjithnjë do ta mbështes Kosovën. Por puna jonë bëhet më e vështirë nëse njerëzit përdorin dhunë. Kaq mund të them.

VOA: Kosova ndeshet edhe me një sfidë tjetër, atë të qytetarëve të saj që i janë bashkuar grupit ISIS. Kosova ka numrin më të madh të atyre që i janë bashkuar ISIS-it për frymë popullsie mes vendeve evropiane. Pas ndihmës që mori Kosova nga Shtetet e Bashkuara dhe perëndimi për pavarësinë, si shpjegohet ky radikalizëm që bie ndesh me vlerat perëndimore?

Eliot Engel: Është një pyetje e vështirë, që të gjithë ne përpiqemi t’i përgjigjemi. Përse të rinj, që vijnë nga familje të klasës së mesme, nga familje të respektuara, tërhiqen nga një organizatë terroriste si ISIS? Nga një organizatë që vret njerëz të pafajshëm e që kryen akte terori? Nuk dua të barazoj atë që ndodh në Kosovë me ISIS, por përsëri do të theksoja se asnjë kauzë nuk mund të justifikojë aktet e dhunës.  ISIS është një organizatë e rrezikshme. Gjithë bota duhet ta luftojë atë.  Kosova që unë njoh ka shumë njerëz, myslimanë ose jo, që respektojnë besimin e tjetrit, fenë e tjetrit, që janë laikë. Ne duhet të kuptojmë nga tërhiqen ata që radikalizohen. Kosova mund të ketë për frymë numrin më të madh, por ky është një problem me të cilin ndeshet edhe vende të tjera, përse të rinj që janë rritur në një mjedis relativisht të qetë i bashkohen ISIS-it?  Për fat të keq në Kosovë, por edhe në vende të tjera, papunësia është e lartë, të rinjtë e kanë të vështirë të gjejnë punë, kur të rinjtë nuk kanë ç’bëjnë shtohet rreziku të merren me gjera që nuk duhet të merren. Disa bien pre e propagandës. Prandaj ne duam ta ndërtojmë Kosovën. Në se të rinjtë kanë punë dhe në se ju dëgjohet zëri për demokracinë në vendin e tyre, do të pakësoheshin shanset që t’i bashkoheshin organizatave si ISIS, apo të imigronin nga vendi i tyre. Kosova po ndeshet edhe me rrjedhjen e trurit. Të rintë po largohen drejt Evropës dhe vendeve të tjera. Për çdo të larguar, Kosova humbet një njeri të mirë. Këto janë çështje që zyrtarët e zgjedhur duhet t’i diskutojnë me njeri tjetrin për të gjetur zgjidhje e jo të hyjnë në këto situata të tensionuara.

Filed Under: Interviste Tagged With: Engel, Jo dhune, politikes kosovare

NJU JORK-Flamuri kuq e zi – u ngrit në shtizën e Bashkisë Yonkers

November 24, 2015 by dgreca

Majori i Yonkersit Mike Spano, me Proklamat nderoi festën kombëtare të shqiptarve 103 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit/

Beqir SINA New York/
YONKERS NY – Jehona festive e Pavarësisë së Shqipërisë – ka filluar të ndjehet kudo në bashkësinë shqiptare në Amerikë. Përgatitjet, për t’a festuar me madhështi këtë festë, kuq e zi, i sheh kudo në qendrat më të banuara, me shqiptar, aty ku ka më shumë shqiptaro -amerikanë, pra në shumicën e qyteteve dhe shteteve të ndryshme të Amerikës, ku edhe shqiptarët janë më shumë të organizuar.
Nën kujdesin e Bashkisë Yonkers, New York, mbrëm është bërë ngritja e flamurit shqiptarë, në shtizën para ndërtesës së kësaj Bashkie, kurse “Kulla e Sahatit”, pjesa më e lart mbi ndërtese, për her të parë është ndriçuar me ngjyrë të kuqe, shkruan faqja zyrtare e Bashkisë Yonkers, New York.
Kryetari i Bashkisë Yonkers, zoti Mike Spano, së bashku me zyrtarët e kësaj bashkie, dhe një grup përfaqësuesish të komunitetit shqiptar, banorë të kësaj bashkie, u mblodhën për të ngritur me solemnitet flamurin shqiptar në City Hall – në nderim të përvjetorit të 103 të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Mike Spano, nderoi me këtë rast me një Proklamat 103 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe veprimtarin e këtij komuniteti Henry Gjonbalaj,
Ngritja e flamurit shqiptar, u bë nga Kryetari i Bashkisë Spano dhe kongresmenin Eliot Engel – në shtizën në oborrin e Bashkisë Yonkers City
Kurse, në këtë ceremoni morën pjesë : Kryetari i Bashkisë Mike Spano, Avokati Naim Bajraktari, Angjelina Nika, Mike Breen, Harry Bajraktari, Frankie Hudak, Michael Sabatino, George Latimer, David Tubiolo, Shelley Mayer, Gezim Nika, dhe Kongresmeni Eliot Engel.
Ky është viti i dytë – me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, komuniteti shqiptarë në Bashkinë e Yonkersit së bashku me autoritetet lokale janë mbledhur për të festuar ngritjen e flamurit kuq e zi, në shenjë solidariteti  flamuri shqiptar valvitet së bashku me flamurin amerikan.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Engel, Flamuri shqiptar, harry bajraktari, Mike Spano, Yonkers

Engel: Drejtësia nuk vihet në vend me fushata

July 23, 2015 by dgreca

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, i quan shpifje pretendimet se udhëheqësit e Kosovës po luajnë lojë të dyfishtë me Gjykatën e Posaçme.
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të mërkurën se drejtësia në Kosovë do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj një shkrimi të autorit me prejardhje nga hapësirat e ish Jugosllavisë, Chuck Sudetic i cili akuzoi zëvendëskryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi se siç thuhet, po e rrezikon gjithë Kosovën për të shmangur përballjen e mundshme me Gjykatën e Posaçme.
Në një tekst me titullin “Banditët që e drejtojnë Kosovën” ai shkruan se Hashim Thaçi po e mashtron Amerikën dhe Evropën, duke bërë thirrje që të votohet Gjykata e Posaçme për krime lufte, por qëllimisht i ka nxitur disa prej deputetëve që ta bllokojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj. Ai citon diplomatë e ish-diplomatë perëndimorë pa i identifikuar ata të kenë folur për pasojat që do të ketë Kosova nëse nuk e themelon gjykatën. Ai citon një ish diplomat të ketë thënë se krimi i organizuar në Kosovë përfshinë transportim të paligjshëm të drogave, trafikim me njerëz, kontrabandë me mallra, trafikim të grave dhe prostitucion, shpëlarje parash, trafikim organesh etj. Sipas tij, nëntoka e Kosovës punon bashkë me grupe kriminale në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Shqipëri.
Gazetari Sudetic është bashkautor i librit “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, në të cilin ajo ngrinte pretendime për përfshirje të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ligjvënësi Eliot Engel tha se shkrimi i gazetarit Sudetic, “i mbështetur në kërcënime e shantazhe anonime, thashetheme të pabaza dhe gënjeshtra të qarta dhe të ndyta, përbën një përpjekje transparente për t’i njollosur dhe diskredituar disa udhëheqës të Kosovës dhe për të minuar shtetin e ri, i cili po punon drejt forcimit të sundimit të së drejtës. Shumë nga akuzat në këtë artikull, të tilla si trafikimi i drogës, janë demaskuar për të satën here, madje edhe nga CIA në raportin publik të vitit 2000. Drejtësia do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve”, tha Engel.
“Ne amerikanët e dimë nga vet historia jonë se ndërtimi i demokracisë ishte diçka e vështirë që kërkon një punë me përkushtim të madh. Kosova po i tejkalon këto sfida tani, edhe pse zërat e mbërthyer nga e shkuara po punojnë për të minuar përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe kampionët e lirisë në Evropë dhe gjetiu duhet të vazhdojnë të mbështesin Kosovën. Derisa shpifësit si Chuck Sudetic përsërisin të njëjtat pretendime të pabazuara, parapëlqej të punoj krah për krah me qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e zgjedhur të tyre drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme”, thotë zoti Engel.
Shpifje e ka cilësuar shkrimin edhe Daniel Serwer, profesor në Shkollën Johns Hopkins për Studimet e Avancuara Ndërkombëtare në Uashington. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se nuk sheh “ndonjë provë për këtë vlerësim në artikullin e tij, përveç personave të paidentifikuar dhe nuk mund të flas me siguri për burime pa emër”.
Zoti Serwer beson në përkushtimin e Kosovës për të ngritur Gjykatën e Posaçme, me gjithë vështirësinë për ta bërë një gjë të tillë.
“Nuk kam folur me ministrin e Jashtëm Thaçi gjatë muajve të fundit, që nga vizita e tij disa muaj më parë. Por ai ka bërë deklarata shumë të fuqishme në parlament si dhe për mediat, lidhur me nevojën e krijimit të kësaj gjykate. A është e mundur që ai në prapaskenë të jetë duke e penguar ngritjen e gjykatës? Shumica e politikanëve në Ballkan janë të aftë për gjëra të tilla. Nuk mund të them jo. Por mendoj se është me rëndësi të kuptohet që zoti Thaçi e ka mbështetur publikisht dhe me forcë krijimin e kësaj gjykate. Mendoj se për disa motive mjaft të arsyeshme, të gjitha këto akuza nuk do të sqarohen dot pa u shqyrtuar në një gjykatë të përshtatshme”, tha ai.
Shkrimi i gazetarit Sudetic që nxiti reagime edhe në Kosovë, nga disa vëzhgues të pavarur shihet si një formë trysnie për përshpejtimin e procesit të ngritjes së gjykatës së posaçme.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.
Qeveria po pret të sigurojë votat e mjaftueshme para se të ridërgojë në Parlament ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare
Më 26 qershor, parlamenti dështoi të sigurojë këtë shumicë.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Interviste Tagged With: Engel, GJYKATA SPECIALE, kosova, Serwer

Në Vitin 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë

July 2, 2015 by dgreca

Në Kuvendin e Kosovës seancë solemne, shkruhet në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990
Nga Prishtina: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Korrik/.-Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.
Me pjesëmarrjen edhe të Presidentës së Republikës, Atifete Jahjaga dhe shumë të ftuarëve, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës, mbajti sot një seancë solemne, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit. Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës, delegatët e Kuvendit të Kosovës të Legjislaturës – dhjetor 1989 – maj 1992, të kryesuar nga Ilaz Ramajli, ambasadorë të vendeve të ndryshme nga bota,si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Seancën solemne e hapi me një fjalë rasti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili përgëzoi deputetët për këtë datë të shënuar, duke spikatur njëkohësisht edhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe senatori amerikan Eliot Engël dhe kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989 maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991 e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike.
Në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
“Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë…”, pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri, pavarësi e demokraci,
e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe nga komunitete të tjera, para dyerve të Kuvendit kosovar, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi, që kishte vendosur gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor.
Engel tha se Kosova do të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s, sepse nuk ka asnjë arsye të mos jetë pjesë e BE-së dhe të mos ndodhë liberalizimi i vizave.
“Çdokush që vjen në zyrën time i them pse duhet të njihet pavarësia e Kosovës. U kam thënë që duhet të jetë edhe pjesë e OKB-së ”, ka thënë ai.
Engel kujtoi kohën e viteve 99, kur është njoftuar për atë çfarë ndodhi në Kosovë dhe kohën kur ishte i vendosur që Kosovës duhet t’i sjellim pavarësinë.
Ai tregoi kur nuk është lejuar të hyjë në Kosovë dhe takimin me Sllobodan Milosheviçin, kur i ka thënë do të vinte dita kur do ai nuk do ta lejonte Millosheviçin të hynte në Kosovë.
Duke falënderuar Kuvendin e Kosovës për mbajtjen e kësaj seance Ramajli edhe një herë ka rikujtuar ditën kur para 25 vjetësh delegatëve të asaj kohe nuk iu lejua futja në sallën e Kuvendit nga ana e policisë serbe.
Përkundër kësaj, sipas Ramajlit para dyerve të mbyllura dhe nën qiellin hapur shpallën Deklaratën Kushtetuese me të cilën Kosova merr të drejtën për vetëvendosje.
“2 Korriku i vitit 1990 është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, e cila pasoi me lëvizjen paqësore për liri dhe pavarësi e që kulmoi me luftën çlirimtare të UÇK-së “, tha Ramajli. Ai po ashtu ka rikujtuar 28 delegatët, të cilët në atë kohë votuan Deklaratën Kushtetuese por që nuk janë në mesin e të gjallëve.
Gjatë seancës solemne u shfaq filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik 1990.
Delegati Muharrem Shabani, që ka lexuar Deklaratan Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës një kopje të filmit dokumentar per atë ngjarje historike ia dha ATSH-së – korrespondentit në Kosovë, që ka qenë pranë delegatëve atëherë dhe ka shkruar në 2 Korrik 1990 redaksionalin e gazetës Rilindja “Fillim i së nesërmes”. Kjo ishte edhe një shprehje mirënjohje e vlerësimi për raportimet e ngjarjeve historike në Kosovë.

VESELI DHE ENGEL BISEDUAN PËR ZHVILLIMET AKTUALE NË KOSOVË DHE SFIDAT QË E PRESIN ATË NË TË ARDHMEN

Pos pjesëmarrjes e përshëndetjes në seancën solemne, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kongresmenin amerikan Eliot Engel, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të saj, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeparlamentari Veseli i shprehu kongresmenit Engel falënderime të veçanta për angazhimet dhe kontributin e tij të pandalshëm, si në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, ashtu edhe në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi, të cilat u finalizuan më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari Veseli e njoftoi kongresmenin amerikan edhe me proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke i shpalosur edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet.
Kongresmeni Eliot Engel, nga ana e tij, duke çmuar të arriturat e deritashme të Kosovës, premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

VESELI: DEKLARATA KUSHTETUESE E 2 KORRIKUT TË VITIT 1990 PËRBËN NJË MOMENT TË RËNDËSISHËM NË HISTORINË E LËVIZJES SONË KOMBËTARE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT XX

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i mbajtur në Seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni që në fillim, në emrin tuaj, t’i shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel.
Welcome mr. Engel.
Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, në nderim dhe respekt të 2 korrikut të vitit 1990.
Në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese.
Sot, kemi nderin t’i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
– Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968,
– ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe,
– kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981,
– për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit ‘88, ‘89, ‘90.
Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.
Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.
– Serbia kërkonte më pak se 74-shi.
– Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë.
Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike.
Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav.
Barazi ose shkëputje – Ky ishte vullneti politik i asaj kohe.
Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës.
Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974.
1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve,
– Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit ’89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë.
Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur.
– Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.
Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje.
Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim i kësaj baze legale.
Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë.
Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.
– Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë.
Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike.

Të nderuar të pranishëm,
– Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.
Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje,
– e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike.
Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare.
Ne besojmë në këtë vlerë.
Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t’i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit.
Ne do të kemi sukses!
Ju faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: 2 korriku, Engel, Ne kuvendin e Kosoves

Kongresisti Engel, i bëri thirrje Sllovenisë të lirojë Haradinajn

June 19, 2015 by dgreca

Serbia të dëshmojë se do normalizim duke i tërhequr urdhër-arrestet nga Interpoli/

WASHINGTON, DC—Kongresisti Eliot L. Engel, demokrati më i lartë në Komitetin e Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, lëshoi sot deklaratën e mëposhtme që i bën thirrje qeverisë së Sllovenisë të lirojë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari i AAK-së ndodhet i ndaluar në Ljubjanë, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga “Serbia dhe Mali i Zi”, një shtet që nuk ekziston më.

“Ramush Haradinaj ka dalë dy herë i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale për ish-Jugosllavinë dhe duhet të çlirohet nga abuzime të tilla. Ndërkohë që shpresoj se ky veprim ka qenë një gabim, mendoj se qeveria sllovene dhe sistemi gjyqësor mund ta lajë në një farë mënyrë gabimin e bërë duke e lejuar ish-kryeministrin Haradinaj që të kthehet në shtëpinë e tij në Kosovë”.

“Mirëpo, që të sigurohemi që gabime të tilla të mos përsëriten më kurrë, Beogradi duhet të tërheqë “Kartat e Kuqe” nga Interpoli, të cilat janë edhe rrënja e problemit. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me synimet e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nëse Serbia dëshiron vërtet të demonstrojë se është gati të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, ajo duhet t’i japë fund kësaj gjuetie shtrigash”./B.SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: Engel, Serbia, te terheqe, urdher arrestin nga Interpoli

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT