ESSE NGA PIRRO LOLI/
…” Ne nga Homeri rrjedhim të gjithë”… Poshtë leshit të deshve që kullufiste Polifemi, do të dilnin nga shpella shkrimtarët e të gjithë botës…
…” Në këtë botë që gjithnjë ngushtohet, secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Duhet ta kërkojmë njeriun, gjithkund ku mund të jetë “…Faleminderit , Jorgo Seferis, faleminderit, poet !…Edhe unë s’e kapërcej dot ngërçin që më mbetet në fyt, kur ma vënë në dyshim origjinën, kulturën, universitetin, akademinë, këngën e madhe të popullit tim, letërsinë, historinë, kombin…Por unë e kam frikë edhe ksenofobinë time. Më duhet ta kapërdij vetveten si ngërç se shpërfillja e, aq më tepër, urrejtja ndaj të tjerëve janë më të dukshme tek i vogli dhe tek i varfëri…
…”Njeriu që kalon masën, duhet të ndëshkohet nga erimitë- thotë Seferi- ka thënë dhe Herakliti- As dielli nuk e kapërcen masën, ndryshe ndërhyjnë erinitë, zbatuese të së drejtës “…
… E, nëse kërkoni një model, ndiqeni dramën deri në fund se vetëm letërsia dhe arti grek, na ndriçojnë rrugët për të gjetur njeriun e bukur…
MREKULLIA E ATHINËS
Do t’ia vlente që të gjitha bibliotekat të mbanin në ballor fytyrën e Pisistratit të lashtë të Athinës. 600 vjet (p.e re) ky sundimtar i mençur dha urdhër që të mblidheshin e të shkruheshin veprat e Homerit, që deri atëherë qarkullonin vetëm gojarisht. Këtu nis “Mrekullia e Athines”,(term i përdorur nga eseisti i famshëm austriak Karl Poperi, cituar nga A. Plasari te “letersia dhe muret, f.13). Mrekullia i kish dhënë shenjat që me Solonin, që drejtoi Athinën me dorë të butë, që e ngriti artin e udhëheqjes mbi bazën e drejtpeshimit të interesave. Ai ishte dhe poeti i parë i Athinës dhe e nxiti poezinë duke e mbrojtur me ligje të veçanta… Pisistrati në fronin e tij, do vinte të gjithë pasurinë (edhe një minierë argjendi) për zhvillimin e kulturës. Ky e endi fillin e mrekullisë duke organizuar festivalet, panairet, konkurset, shfaqjet e tragjedive si vatra edukimi. “Iliada dhe Odiseja”- siç dëshmon dhe Ciceroni – prej Pisistratit – do të qarkullonin si libra të veçantë, duke e bërë kështu redaktorin dhe botuesin e parë në botë.. Këto akte , filluar 2600 vjet më parë, do ta cilësonin Athinën si kryeqytetin e kulturës që në fillesa e do të kishin pasoja shkëlqimtare në historinë e qytetërimit botëror. Nuk është e rastit që në Athinën e asaj kohe do të “shpikeshin” arti dhe letërsia, estetika, tragjedia,. filozofia e do vendosnin gurë themeli të gjitha disiplinat shkencore si matematika, gjeometria, astronomia, mjekësia, fizika, poezia, arkitektura etj. Nuk është e rastit që çdo degë e dijes njerëzore ka në themele emrat e grtëkëve te mëdhenj si Homeri, Platoni, Aristoteli,Thalesi, Herodoti, Pitagora, për të mos përmendur një dorë poetësh të mëdhenj të tragjedive të pavdekshme. Nuk është e rastit që, gjenia greke, zbulimet e mëdha të njerëzimit i pagëzoi me gjuhën e vet, greqishten, një nga gjuhët më të vjetra e më të pasura në botë, që dhe sot mbetet bazë e etimologjisë për shumë gjuhë të cilat kanë preferuar të mbajnë terminologjinë e zbulimeve fillestare. Nuk është e rastit që, falë gjuhës së shkruar greke, kudo që shkelte elementi grek, do linte monumentet e veta, arkitekturën, stilin, gjuhën në krejt bregun perëndimor të Adriatikut, në shumë qytete të Ilirisë, Epirit deri lart në brigjet dalmate e domosdo në Azinë e Vogël, Egjipt, Persi, Irak, Siri, Indi etj, fakt, që edhe sot, mendësia aventureske e politikanëve dritëshkurtër grekë, apo historianëve miopë,, pretendon vulën e një qenësie të lashtë.
Unë nuk e di nëse keto mrekulli rezultuan në kryemrekullinë greke, demokracinë, apo kjo shtroi shtratin e një zhvillimi të paparë të dijeve njerëzore. Karl Poperi, në shpjegimet e Plasarit, shkakun e mrekullise athiniote, e kërkon te takimi kulturave të ndryshme, te qarkullimi universal i vlerave. (Platoni dëshmon se që në vitin 399(p.e) në Athinë kish lulëzuar tregu i librit. Dhe nuk ka dyshin se kjo tregëti dijesh kish filluar me Pisistratin). Dëshira e grekëve për librin, fillimisht një grup i vogël, që u quajtën helenë, nxiti shkrim leximin masiv. Libri i vjetër si ata të Anaksagorës, Heraklitit etj, nuk do të qarkullonte më në pak kopje nën mbikqyrjen e disa priftërinjve, por si të Homerit, do qarkullonin masivisht në treg. Kjo zgjidhje gjeniale në qarkullimin e vlerave, lindi konceptin për shkrimtarin dhe lexuesin e mirëfilltë. Ky shtrat i ngritur kulturor u bë shkas që helenet(greket e mësuar) të ngrinin godinën e parë të demokracisë, që edhe sot, pas 2500 vjetësh mbetet aspiratë e mbarë njerëzimit. Plasari te “Muret”(dhe jo vetëm), ka të drejtë që këmbëngul në qarkullimin e vlerave dhe rëndësinë e përkthimeve. “Ky fill të shpie lehtësisht nga Homeri te Dantja, nga Bibla te Karpentieri, nga Gilgameshi te Fausti…nga Eskili te O`Nili..”(f.16)…
Ne nga Homeri rrjedhin që të gjithë…
BIZANTI, MREKULLIA E DYTE
Mendësia shqiptare në lidhje me Bizantin është e paplotë, në mos e gabuar. Ajo nuk e ka parë këtë si një nga kulturat madhështore në dijet njerëzore. Reduktimi i këtij qytetërimi vetëm në lidhje me ikonat kishtare, mozaikët e famshëm anë e kënd Evropës, luftat e brendshme, përçarjet fetare, obskurantizmin etj, është vetëm një pjesë e pamjes, rrjedhimisht, këndvështrim i porovincës së tejme të tij, nga ku drita vinte e përthyer e nga ku , në fakt raca shqiptare, fitoi shumë me pak se të tjerat.
Sipas Ougust Bajit, 1000 vjetet e Bizantit(395-1453) me kulturën greke në epiqendër, janë epoka e një qytetërimi të paparë. Në thelb, gjithë këta shekuj u bënë edukatoret e botës perëndimore, zbuluan krejt botën shpirtërore të Lindjes, ndihmuan jo vetëm në mbarë Evropën, por edhe në Azi e Afrikë. Në kuptimin figurativ, Bizanti u bë pushtues i botës si Aleksandri i Madh dhe elementi grek, duke rilindur mrekullinë e parë athiniote e romake, njëkohësisht, ndërtoi një supermaci fantaziste aristokrate me vezullime mbresëlënëse, pa i shpëtuar hegjemonizmit dhe diktatit lindor. Roli i perandorit u shndërrua në idhull me sovranitet absolut. Ai trashëgoi, jo vetëm imperiumin romak, por dhe despotizmin skajor të Lindjes. Kjo bëri dukshëm të pranueshëm luftën dhe intrigat për pushtet, atë luftë të hipjes e të zbritjes së dhjetëra perandorëve, që nga shkëlqimi marramendës, falë aftësive të një Kostandini(me origjinë shqiptare), të një Justiniani (edhe ky me origjinë shqiptare), a të një Theodhosi, deri në greminat e dhjetëra të tjerëve që përfundonin me prerje kokash. Për dhjetë shekuj perandoria romake e Lindjes mbeti vatra kryesore e qytetërimit, që nuk e arriti askush. Njohja e kristjanizmit ligjërisht dhe braktisja graduale e Romës, faktikisht e zëvendësuan qytetin e Remit e të Romulit me Kostandinopojën, fillimisht, pa e prishur ekuilibrin e botes kristjane. Kostandinopoja u bë qyteti më madhor, një qytet kështjellë rrethuar me tri shtresa muri (10 m. të lartë)e përbrenda me arkitekturën dhe urbanistikën më moderne të kohës. Atje u grumbullua e u përpunua ari i tre kontinenteve, aq sa shpesh me flori blihej paqja e kjo nxiti xhelozi të panumërta të grup popujve të fuqishëm e barbarë, njeri prej të cilëve, turku, do ta kthente në gërmadha.
Bizanti ishte një qytetërim , produkt i kryqëzimit të kulturave, ndërtuar edhe mbi bazën e parimeve të asgjësimit të vetvetes, por ndikimet evropiane të Bizantit, kryesisht u dukën në fushën e artit. Nga shek.V deri XII, ai u bë jo vetëm kështjellë e kristianizmit, por edhe udhërrëfyes estetik i perëndimit. Pasojat më të ndritshme të Kostandinopojës do të ndiheshin në Itali e Francë, sidomos në Romë, Ravenë, Napoli, Venetik e Firencë. Mozaikët e famshëm të Ravenës, Shën Vitalit, Apolonit, ansamblet e paarritshme dekorative të mjeshtërve të Lindjes, frymëzimi tronditës i këtij arti që ndërtoi mauzoleumin e Gala Plaçidios, zbukurimi mahnitës i qindra kishve, Toriçeli me kryeveprat e bazileut, Venetiku me flakadanin aq misterioz të Shën Markut, monumentet e shumta në Romë, Palermo, Monreal, Cefalu, Grata Ferrata…etj. janë vetëm disa nga mrekullitë artit bizantin. Pararilindasit e mëdhenj Cimabu, Ducio, Xhoto etj, kanë pirë në burimet e asaj kulture. Në parim, Perëndimi i detyrohet shumë mësuesit të vet dhe jo vetëm në art, por dhe si frymëzues i mendimit, kulturës unike, jurispopdencës justiniane. Ishte ky prioritet në shumë fusha që sollën edhe dominimin helen në krahina e popuj të shumtë mesdhetarë. Rilindja e më vonshme evropiane gjeti mbështetje të gjithanshme në humanizmin dhe erudicionin lindor. Filozofë, gjuhëtarë, profesorë të helenizmit, do kontribuonin në universitetin e Kostandinopojës, nga më të famshmit në fushën e dijes e të kulturës, që do ta ruante traditën e shkollave lindore, nga më të fuqishmet në botë, edhe në kohët e vona. Prej këtyre jehonave do të lindte mrekullia tjetër, në Firencen latine këtë herë, që do të bëhej nderi i kontinentit evropian. Shkëlqimi i ri me “il dolçe stil nuova”, do të niste me Kavalkantin e do pasohej me gjenialitetet e Dantes e Petrarkës në poezi, me Bokaçion në prozë, me Xhoton në pikturë e Makiavelin në politikë…
* * *
Rënia e Bizantit(1453), sipas Dukasit, është një nga katastrofat e njerëzimit. E çuditshme nuk është barbarizmi i katërqind mijë trupave osmane që e rrethuan dhe e shkatërruan metropolin e artë të Bizantit, por (?!) divergjencat me kishën perëndimore të Romës. Mbi këtë përçarje, të pabesët , të komanduar nga Muhameti i dytë , kryen mbi qytet masakra kanibaleske. Drama nuk është vetëm te shembja e pashmangshme, por edhe më e madhe, ajo e mos bashkimit me Romën. Pikërisht kjo solli ngadhnjimin turk dhe rrukullisjen pa kthim të perandorisë… Perandori Kostandini XI u vra si ushtar dhe koka e tij u ngul në një shtyllë. Perla e botës, Shën Sofia, u mbush me kufoma e u kthye në kasaphanë,(vini re: dhe sot nw 2020, sullani i ri i turqisw e ktheu Shwn Sofinw nw xhami) të gjithë funksionarët e lartë u masakruan, grekët e të gjitha moshave të lidhur me zinxhirë u dërguan si skllevër në Adrianopojë, kishat u zaptuan nga hoxhwt, Krishti ra e thirrjet “allah, allah” si dallgë deti përmbytën brigjet e dy kontinenteve. Evropa shtangu nga tmerri dhe ashtu e ndarë diametralisht me të kundërta lindje-perëndim, nuk ishte e aftë të luante as gishtin ndaj krimit të përbindshëm që bënë barbarët ndaj vlerave të saj mijra vjeçare. Disfata e kristjanizmit qe e llahtarshme e autori i shquar i saj, Dukasi, rënkon e drithërohet kur shkruan : “O Zot, përse na braktise kështu?! Dridhu diell, dhe ti ,o tokë.!. Dhe vajto rrënimin e kombit tonë, që Zoti ,me drejtësinë e tij, ka urdhëruar si ndëshkim për mëkatet tona.” [(O.Bajl, “Perandoria e Bizantit”,f.270)]
HIJET
Sa më të larta të jenë pallatet aq më të larta janë dhe hijet. Mrekullitw e dritws shkwlqimtare u pasohen nga hije tw terrta. Qytetërimet e mëdha ngërthehen në kontradita të pashmangshme deri sa vjen një kohë e rrëzohen. Shumica bien nga vetvetja. Roma ra kur u bë më provinciale se provincat dhe Athina, gjithashtu. Të dyja mrekullitë greke, e Athinës dhe e Kostandinopojës, ndërsa nuk mohohet influenca e trashëgimitë pozitive të së parës ndaj Bizantit, përbëjnë dhe një kundërshti të egër, papajtueshmërinë e demokracisë së lashtë e paganizmit pagan me Krishtwrimin ortodoks. Këtë kundërshti do ta ruante të pakëputur vetëdija mijëvjeçare greke, duke u munduar, artificialisht, ta mbajë të parën si dekor, duke montuar monoteizmin kristian me politeizmin.
Që në kohën e mbretërimit të Teodosit të Madh(395), kur mbretwria e Romës u nda midis dy djemve të tij, Arkadit për të sunduar në Lindje dhe Honorit në Perëndim, në fakt, nisi të hendeksohej Lindja me Perëndimin, hendek që do të vinte gjithmonë duke u thelluar dhe duke mohuar dhe urat lidhëse që kishin përbërë shtyllat e perandorisë. Uniteti fetar i këtij qytetërimi ishte vetëm një iluzion e, me kryqwzatat, do përfundonte deri në shfaqje gjakatare të Perëndimit ndaj Lindjes. Dukuria e grindjeve fetare, përçarjet, do të percipitonin deri në luftra civile. Stërhollimet e sofizmit grek, obskurantizmi, fondamentalizmi ortodoks i dogmave fetare, (një nga stonaturat e Greqisë së sotme në BE), do ta gërryenin perandorinë sistematikisht, do ulnin fuqinë mbrojtëse ndaj fiseve barbare aq të shumtë e të fuqishëm si gotët, ostrogotët hunët, visigotët deri tek sllavët dhe turqit. Bizanti , i ngopur me lavdi të tepruar, me hundën të florinjtë gjithnjë e më tepër i shkëputi lidhjet bazale me papatin duke u bërë një perandori e pavarur greko-lindore. Në fakt perëndimi i shkajti nga dora Bizantit. Nëpër shekuj kjo do ravijëzonte në horizontin lindor rritjen e Rusisë bizantine si shtet i fuqishëm, problem ky, që edhe pse perandoria otomane do ishte i vetmi pushtues potencial,, Rusia , në sfondin e tejmë lindor, do ishte frikë dhe kërcënim i vazhdueshëm. Flirtimet e vazhdueshme të Rusisë me vende të veçanta evropiano lindore, do shtonin përçarjet e do bënin që asnjëherë vendet evropiane të mos ishin në një mendje edhe ndaj armiqve të përbashkët. Bazileu II i dha motrën(Anën) princit rus Vladimir, me kusht që populli rus të pranonte krishtërimin ortodoks. Rusia e pranoi këtë. Kjo përbën ngjarjen më të madhe të hegjemonizmit bizantin, por nxiti dhe xhelozitë ruse për të zënë vend qendror në Lindje.
Perandoria lindore do të regjistronte në historinë e saj edhe krime përçudnime të racës njerëzore, si prerje kokash, varje, tortura, gjymtime, të shoqëruara me dinakëri, tradhti të tipit bizantin. Tipike në kohën e Justinianit II(dhe ky përfundoi kokëprerë) është urdhri i bazileut të II, (1014), që pesëmbëdhjet mijë bullgarëve t’u nxirreshin sytë.(vetëm 150 prej tyre shpëtuan me një sy). Nga ky fakt lindi termi bullgarokton e kjo na kujton një farë Thanasi, tiran në Janinë, që para se t’i vriste shqiptarët, mbushte shporta me sy e me veshë të tyre e për meritë, u quajt shqiptarokton. Bizanti ra nw rrafshinw nga kundërshtitë e brendshme. Në sintezë , historia e tij u trondit nga 65 revolucione, nga 107 perandorë, abdiguan 65, të cilët u mbytën, u qorruan, u gjymtuan, u torturuan me tredhje, çarje barku e koka të prera.
Pa dyshim një luftë e paskrupullt në jetën e tij ishte e ashtuquajtura ikonoklazma(shembja e ikonave). Kulti i ikonave kish pushtuar krejt botën greke si mendësi dhe veprim për “afrimin”e Zotit me njeriun. Kjo ra ndesh me Perëndimin që nuk pajtohej me imazhet konkrete të Krishtit. Kjo luftë e egër mori shumë viktima dhe vazhdoi 150 vjet. Ikonoklazma që u dekretua dhe me ligj, u përhap brenda Bizantit si një akt tepër i përgjakshëm. Në fakt kulti i virgjëreshës ishte ngopur me paganizmin grek dhe me mistiçizmin oriental, problem dhe dukuri, që vjen deri në ditët tona, si një njollë e mbetur, duke e veçuar kishën greke si dishepullin më fanatik të ikonave çudibërëse. E, sidoqoftë, zëvendësimi i ikonave nga ikonoklistët, do të sillte më vonë frymëzimet e Rilindjes me humanistët dhe artistët e mëdhenj italianë, ku në epiqendër të artit, nuk vunë ikonat e mistershme , por bukurinë e njeriut, të natyrës e të kafshëve.
Gremina e Bizantit nisi tatwpjetwn pwrfundimtare kur turqit selxhukë pushtuan Azinë e Vogël (1010) e kur më 1076 depërtuan në Jeruzalem dhe përdhosën vendet e shenjta. Perandoria nuk ishte e zonja ta mbronte krishtërimin kundër islamizmit sepse ishte e përçarë pikpamjesh diametrlisht të kundërta, aq sa, si dhe turku, perëndimi u lëshua kundër Lindjes, me preteksin e pushtimit të vendeve të shenjta, duke shfryrë të gjithë urrejtjen e mbledhur kundër Bizantit, me thirrjet emocionale “Zoti na kërkon”. Nga 1100-a, dallgë dallgë deri më 1450, me katër kryqëzata gjakatare , në fakt, Evropa ndëshkoi barbarisht Azinë. Gremina kish nisur më parë brenda vetvetes me gabime trashanike në unitetin Lindje –Perëndim, deri në aktin final(kryqëzata e tretë, prill, 1204), kur forcat e perëndimit pushtuan Bizantin, duke e bastisur e përdhunuar forcërisht, aq sa, me të drejtë shumë analistë thonë se, dita e vdekjes së Perandorisë, nuk është 1453-i nga turqit, por rrënimi I Kostandinopojës nga latinët.
* * *
…E sidoqoftë, maja e çdo qytetërimi, përcaktohet nga majat ku e lartëson artin dhe poezinë. Poetët dhe artistët bëhen ndërgjegje njerëzore, ndaj e kemi lehtë të themi se Homeri, Eskili, Sofokliu…Ricosi, Seferi, Eliti e dhjetëra të tjerë, janë tejpërtej e gjithë Greqia. Ndërgjegje e trazuar dhe përgjegjësi, krenari për rrezet e diellit dhe dallgët e detit(kulturor) të kombit të tyre, por dhe dhimbje, dhimbje e thellë që shoqëron tatëpjetat e qytetërimeve e brezat e rinj janë të detyruar të thonë “Na ishte njëherë……
Ne nga Homeri rrjedhim që të gjithë…
DOMINIMI KULTUROR
Dominimi kulturor, në veçanti ai gjuhësor, është kështjella më solide e një race, fisi, kombi apo shteti, në veçanti dominimi gjuhësor, vetëm kur sundon si qytetërim, i ri edhe në pozitën e të pushtuarit si viktimë. Qytetërimi nuk është vetëm zhvillim ekonomik, që edhe mund të rrënohet nga pushtuesi, por është dhe mendësi, kulturë, gjuhë e kultivuar, letërsi, art, arkitekturë, libra, teatwr, këngë, valle. E këto nuk i rrëzon dot as shpata e plumbi e zjarri. Këtu grekët kanë qenë prioritarë e jo më kot ,romakët thanë se kur pushtuan Athinën(në kuptimin kulturor), njëkohësisht ishin të pushtuar prej saj. Grekët dominuan në mendimin filozofik, shkencor dhe artistik, dhe jo babilonasit e lashtë që, gjithashtu, kishin arritje dhe vëzhgime me interes, sepse ,mbi të gjitha atje mungonte regjimi politik demokratik, si dukuria më progresiste e prodhimit dhe e shpërndarjes. Metafora greke në sferën e kulturës e mundi metaforën mesopotame. Partenoni grek, simboli i kësaj kulture, është plot dritë dhe me atë arkitekturë fantastike, çliron ndjenjën qiellore të lirisë. Kjo e bën të pakrahasueshëm me piramidat e Lindjes, që, megjithëse, arkitekturë e çuditshme dhe enigmatike, e ngushtojnë shpirtin e njeriut, sepse arti i tyre simbolizon tiraninë e keopsëve dhe shehlerëve të botës arabe. Liria athiniote pranonte kudo diskutimin dhe kundërshtimin alternativ, si burim zhvillimi në të gjitha fushat. Sidoqoftë, kjo temë meriton trajtim të veçantë.