Esse nga Rafael Floqi/
Pandemia e koronavirusit dhe distancimi shoqëror që kërkon, po i prek të gjithë në mënyra të ndryshme. Disa njerëz e kanë gjetur veten me më shumë, dhe me tepër kohë nëpër duar se sa dinë dhe sa munden për ta menaxhuar atë. Të tjerët – përfshirë këtu edhe profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe ata që kujdesen për anëtarët e familjes së tyre të sëmurë edhe prindërit e fëmijëve të vegjël,- janë të mbingarkuar me kërkesa dhe punë të shumëllojshme gjatë gjithë ditës sa s’kanë kohë.
Por nëse ekziston një element universal në të gjitha përvojat tona të përjetimit karantinës së pandemisë, është ajo se po na deformon sensin tonë mbi kalimin e kohës.
P.sh. muaji shkurt apo koncertet e 8 marsit, ndjehet sikur kanë ndodhur një dekadë më parë. E tani ditët po na mjegullohen së bashku, dhe orët alternative po fluturojnë tej e gjithnjë e më me ngadalë duke u zvarritur, në varësi të asaj se sa të shqetësuar, ose të mërzitur po e ndiejmë veten gjatë kësaj kohe dhe sa kujtime të reja po krijojmë ndërkohë.
Koha është bërë refreni i pandemisë së koronavirusit, një reflektim i asaj, se si të gjitha ditët na duken të turbullta dhe se kohët e fundit, ne nuk po vërejmë as detajet më të thjeshta. Të martat janë bërë të enjte, janë bërë dhe të mërkura, janë dhe të diela. Nuk ka më ditë javësh, as fundjave. Ka vetëm dje, sot dhe nesër.
Tani së bashku me gjithë këto ndjenja çorientimi, mund të na duket, sikur është më e vështirë të përqendrohemi, dhe se na duhet më shumë kohë për të kryer punët e ndryshme, edhe na duket sikur truri ynë po punon më me ngadalë. Nëse edhe ju po ndjeni vërtet, sikur truri juaj po u tkurret, atëherë ju nuk jeni të vetmit. Ekspertët thonë se e gjitha kjo ka të bëjë me atë, se si pandemia është duke ndikuar në shëndetin tonë, në aftësinë tonë për të menduar qartë, për të mësuar dhe për të mbajtur mend.
Kjo shpjegohet me atë se këto ndërrime në perceptimin tonë të përkohshëm, ndodhin, kur ne humbasim pikat normale të referencës, që i ankorojnë dhe i lidhin e i endin ditët dhe javët tona në kalendarin e memories. Unë mendoj, se ajo çka po ndodh, ose të paktën tek unë, sidomos me fëmijët në shtëpi, tregon se jam duke bërë më shumë gjëra gjatë kësaj kohe. Po merrem me ta. Po përgatis emisionet on-line për TV. Po punoj nga shtëpia. Unë jam duke përgatitur për disa gjëra të tjera, po shkruaj artikuj, ese si kjo dhe poezi dhe të eci duke ruajtur distancën (a)sociale në mëhallë. Nga ana tjetër, mua më duhet të merrem edhe me gjera praktike të ekzistencës. të sigurohem që të blej edhe sendet ushqimore për familjen, të punoj në kopsht të mbjell lulet, madje, edhe t’i korr barin dhe komshinjve të moshuar, etj. Kështu, këtu po flas për vete, unë jam duke bërë më shumë gjëra në një ditë të caktuar se sa bëj zakonisht. Dhe andaj ditët ndryshojnë më shpejt. E pas gjithë këtyre, unë mendoj se kështu mua duket sikur koha po më fluturon nga dritarja. Në fakt koha shpejton, nëse ju bëni më shumë gjëra gjatë ditës. Por kur të reflektoni në mbrëmje përsëri mbi kohën, atëherë ju gjithashtu mund të radhisni me mend gjithë atë listë të gjatë gjërash që keni bërë. Kështu që pastaj dita në retrospektivë, do të ndjehet e do të duket super e gjatë, sepse ju po ndjeheni të kënaqur, se keni arritur të bëni kaq shumë gjëra, edhe duke qenë mbyllur brenda në karantinë. Duke vepruar kështu çdo ditë si unë edhe ju do ta kemi kohën e zënë dhe kjo do të na bëjë të zbulojmë gjëra të reja më interesante.
Por nëse nuk e jeni i zënë me disa punë brenda një dite, atëherë dita juaj do të bëhet si një nga ato ditët e plazhit, ku ju jeni mirë dhe i shtrirë në diell dhe shijoni plazhin. Por në fund të ditës, ju me të vërtetë, ju do të mendoni, se nuk keni bërë asgjë. Kjo mund të jetë e këndshme për disa ditë, por nëse keni shumë nga këto ditë, atëherë, e gjitha kjo shtrirje kohe, do të bëhej ndoshta mjaft e mërzitshme, madje, dhe sikur të reflektoni përsëri mbi të, do të thoni se s’ka ndodhur asgjë.
Por çfarë po ndodh gjatë karantinës dhe çfarë mund të bëjmë për ta shmangur këtë situatë? Psikologët thonë duhet të ringjallim rutinën tonë të përditshme që është zhdukur. Por edhe kur nuk jemi duke bërë shumë gjëra, duke pasur një rutinë për çdo ditë, ndoshta s’e ndjejmë atë vërtet në moment, por në retrospektivë, do ta kuptojmë se dita do të kalojë më shpejt.
Pra, cila është mënyra që njerëzit, me shumë kohë në dorë, ta përdorin atë më me mençuri, pasi siç thotë populli ynë, ”koha është flori”?
Sugjerimi im do të ishte: gjetja e gjërave të reja për të bërë. Përpiquni ta stërvitni veten me gjëra të reja, që do t’ju ndihmojnë për një punë, për një objektiv, ose në bërjen e gjëra që janë më shumë si hobi, për zbavitje të cilat keni dhe ndjeni kënaqësi për t’i bërë. Zbuloni një hobi të ri apo ngjallni një të harruar dhe dita juaj do të si një supermarket “ Hobby lobby”. P.sh. vëllai im nga Tirana në Viber, më tregonte me kënaqësi, se si kishte bërë qofte vegjetariane për fëmijët e tij, pasi ata si pëlqenin zarzavatet e gjalla dhe kishin ngrënë me qejf qoftet me mish një ditë më parë, dhe më thoshte që s’po e kuptonte se si i kishte ikur koha, pa u marrë me disa kurse që i duheshin për punën. Por ai kishte zbuluar tek gatimi një pasion të ri.
Pra mos prisni, hidhuni, provoni eksperienca të reja! Nëse mund të stërviteni me diçka, apo të zbuloni aftësi të reja tek vetja. Unë vë bast, se kjo gjë do t’ju bëjë të ndjeheni të paktën, se keni bërë më shumë gjëra për të bërë brenda një dite, duke e copëzuar gjithë atë shtrirje kohore prej 16 orësh. Sepse kështu në fund të fundit, në fund asaj dite, ju do të ndjeheni, se vërtet keni bërë diçka, dhe se dëshironi të ndjeheni optimist dhe me fat, sikur keni realizuar vërtet diçka shumë me vlerë.
Është interesante, dhe unë e ndjej dhe e kuptoj atë që disa njerëz, nuk e ndjejnë sikur koha po u ikën kot, dhe u duket, sikur mendja e tyre po merret me gjëra të reja. Por ka shumë njerëz të tjerë, që, ndoshta realisht, nuk kanë mundësi për këto përvoja. Ata janë ndoshta më të shqetësuar, ose janë në situata të tilla që ua bën të pamundur, si për shembull, ndodhen në linjat e para të luftës kundër pandemisë, si: mjekët, infermierët, punonjësit e ndihmës së shpejtë, si dhe ata të kujdesit shëndetësor, ashtu si edhe punëtorët e domosdoshëm të dyqaneve ushqimore e të shërbimeve të rendit, që duket se po përjetojnë një ndjesi të kundërt për kohën.
Në fakt, ata po marrin kaq shumë informacione të reja, kaq shumë informacione kërcënuese edhe për jetën dhe ekzistencën, sa u duket se jeta e tyre nuk ka më marsh automatik, por vetëm manual, dhe se duhet të shqetësohen për gjërat që zakonisht ne i marrim për të mirëqena dhe i bëjmë pa menduar, në mënyrë automatike apo instiktive. Dhe këto veprime të vogla në dukje, bëhen më të mëdha, duke pasur parasysh kërcënimin për jetën, pasi ata nuk mendojnë se koha po shpejton, po për ta ka ngecur. E kundërta është e vërtetë dhe duket se, pothuajse, sikur ata po bëjnë gjithçka me një lëvizje të tepër të ngadaltë, si me një “moviolë futbolli, para dhe mbrapsht, me “slow motion” për autokontroll, për të shmangur çdo gabim, që mund të ishte fatal për ta dhe për shëndetin. Këtë e ilustron më së miri përgjigja e infermieres nga Michigani, Riana Dragu, në një intervistë të kohëve të fundit për “Zërin e Amerikës” që më bëri përshtypje.
“ Orari është 12 orë, tha ajo. Disa punojnë edhe 16 apo 18 orë. Fillimi është pak i rëndë, sepse kur përgatitesh për punë mendohesh 100 herë – a po vishem si duhet? A po kujdesem aq sa duhet? Mendohesh nëse duhet të blesh ndonjë gjë që nuk ma jep spitali. Sa herë e lëviz maskën mendohesh a mos e preka, ku nuk duhej? A i kam dorezat? Pra ndonjëherë është mendja që të lodh sesa vetë puna”.
Në fakt, siç e tregon ky rast, kjo është një periudhë, kur të gjitha përvojat tona në lidhje me kohën janë kaq jashtëzakonisht të ndryshme. Të marrim një veprim të thjeshtë siç është në këto kohë blerja e ushqimeve. Ne fillojmë të mendojmë për gjëra që më parë i quanin të mirëqena dhe automatike, tani na duhet të mendojmë: a është mirë të shkoj në dyqan apo të ma sjellin në shtëpi, në ç’ orë duhet të shkoj që të ketë sa më pak njerëz në radhë, a është dyqani me hapësira të mëdha, a e kam maskën apo dorezat, a kam desinfektant, etj. Dhe pasi i sjellim ushqimet në shtëpi, a duhet t’i laj të gjitha, si të veproj?
Por sidoqoftë, jetët e të gjithë njerëzve gjatë kësaj Pandemie po rrjedhin me kalimin e kohës dhe, pavarësisht se sa brutal mund të jetë ky moment, apo sa i mbushur me pikëllim, dhimbje apo frikë është, koha fizike po rrjedh, ora po ecën, dhe të gjitha jetët e njerëzve në mënyrë të barabartë po rrjedhin, edhe pse përvojat nuk janë të njëjta. Sepse ashtu siç thoshte, filozofi i lashtë grek, Herakliti : “Askush nuk lahet kurrë në të njëjtin lumë dy herë, sepse nuk është i njëjti lumë dhe sepse ai vetë nuk është i njëjti njeri.”
Por të kthemi tani tek koha dhe rutina. “It’s a hard thing to leave any deeply routine life, even if you hate it.” shkruante romancieri i madh amerikan, John Steinbeck, në librin e tij “East of Ede”. Që në shqip më vjen kështu: “Është e vështirë të largohesh nga jeta e thellë rutinore, edhe nëse e urren atë”. Kështu që tani ne, na duhet në vend të themi “shtëpi e ëmbla shtëpi“ do të duhet të themi “rutinë e ëmbla rutinë”, kjo se ndoshta jemi mërzitur me shtëpinë. Kështu duket pra. tani pasi ne kemi humbur të gjithë rutinën e një jave tipike pune, dhe kjo do të thotë ta kesh fundjavën, si një sinor, si pushim ose si një ndarje, ose si diçka, një datë një ngjarje e caktuar, një ditëlindje, një festë si pashka, apo tani dita e nënave, të cilën shpresojmë ta festojmë vetëm në shtëpi. Dhe pasojë dhe ilustrim i këtij frustrimi janë dhe parullat e protestuesve, për hapjen dhe heqjen e bllokimit të karantinës ku shkruhet ” No Mothers day, No Flowers, No Family , No liberty”. “ Jo ditë të nënës, Jo lule, Jo familje, jo liri!
Ndërkohë që tani edhe “weekend-i” pra fundjava, nuk është më me atë fjalën “fund”, që i kep kuptim dhe është bërë “ never-ending story”, pasi është njësoj si një ditë e rëndomtë jave. Kjo për shkak se për shumë njerëz, puna është bërë shtëpi dhe shtëpia është bërë punë. Madje disa, ndër ta, edhe unë, siç thonë amerikanët si workaholic që jam, apo siç i thonë shqip “qen i punës”, (duket se ne shqipove që na ka dalë nami, se s’e kemi aq qejf dhe punën, por kur është puna “për të paguar billat” është tjetër gjë, paskemi gjetur një fjalë disi ofenduese dhe për atë që punon, pavarësisht se qeni është kafshë besnike dhe por na vjen keq, kur na thonë qen), dhe pra ky “qen bir qeni” mund ta gjejnë veten, duke punuar me orë të gjata edhe gjatë fundjavave, nëse nuk do të ketë një rutinë të caktuar.
Humbja e rutinës gjithashtu tregon se duhen shpenzuar më shumë energji mendore për të vendosur se çfarë do të bëjmë çdo ditë. Këto ndryshime natyrisht shkaktojnë stres. Dhe fakti që të mos jemi në gjendje të kujtojmë se çfarë dite është mund të jetë, një simptomë stresi. Pandemia është duke u bërë një burim i stresit kronik, duke pasur parasysh që po vazhdon me javë, apo edhe muaj për disa njerëz. Nivelet e larta të stresit dëmtojnë përqendrimin dhe vëmendjen tonë, dhe mund të ndikojnë edhe në kujtesën afatshkurtër, thonë psikologët.
Madje edhe një efekt tjetër i stresit, është se ai mund të përkeqësojë cilësinë e gjumit. Shpesh nëse ndihemi të stresuar ose ndiheni në ankth, me mendime dhe ndjenja dhe makthe e bëjnë të vështirë të biem në gjumë. E kjo pagjumësi, nga ana tjetër, mund të na dëmtojë edhe më tej aftësinë, për t’u përqendruar dhe shkakton humbjen e kujtesës afatshkurtër. Shakespiri, i madh na e kujtonte këtë tek komedia “Ëndrra e një Nate Vere”, kur thekson se edhe në ëndrrat tona ne forcojmë kujtesën e kohës që shkoi:
“Katër ditë shkasin vërtik drejt netësh;
Katër net ëndërrojnë mbi kohën që shkoi.”
Që koha fizike objektive është relative, të gjithë e dimë që nga shkolla e që e ka vërtetuar Ajnshtajni me teorinë e tij dhe me paradokset e tij me binjakët, dhe kur vetë koha është relative, aq më tepër perceptimi subjektiv i kohës është krejtësisht relativ. Por atëherë, çfarë mund të bëjmë që ky perceptimi ynë relativ subjektiv e i çorientuar të jetë sa më afër realitetit?
Koha është në thelb një iluzion i krijuar nga mendja për të ndihmuar sensin tonë të pranisë së përkohshme në oqeanin e gjerë të hapësirës. Pa neuronet tona që duhen për të krijuar një perceptim virtual të së kaluarës dhe të ardhmes bazuar në të gjitha përvojat tona, nuk ka ekzistencë aktuale, as të së kaluarës dhe as të ardhmes. Pra gjithçka që ekziston, është vetëm e tashmja.
Ndaj psikologët rekomandojnë që të përpiqemi të ruajmë një sens të strukturës së rutinave, në atë masë që është e mundshme, për të ruajtur margjinat e kohës. Të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh në të njëjtën kohë çdo ditë, është një strategji efektive që mund të ndihmojë në këto kohë pandemie. Ata gjithashtu rekomandojnë që të bëjmë pushime të shpeshta, të ushtrohemi fizikisht dhe të hamë shëndetshëm. Dhe nëse këto veprime ju bëjnë të ndjeheni mirë, edhe pse askush nuk do ta dijë saktë, se çfarë dite është pa parë kalendarin, punë e madhe, pasi koha është veç një iluzion.
“Unë e di shumë mirë këtë, shkruante autori britanik, Julian Barnes, në romanin e tij “ Sense of an Ending, botuar më 2011, “se ka një kohë objektive, por edhe një kohë subjektive. Objektive është ajo që mbani në pjesën në kyçin e dorës, pranë pulsit. Dhe subjektive është koha personale, e cila është koha e vërtetë, është ajo që matet me marrëdhëniet tuaja me kujtesën mbi ngjarjet”. Vetëm duke bërë diçka me vlerë, ju mund ta kujtoni atë për mirë. Por fatkeqësisht ne si qenie kujtojmë më shumë zhgënjimet dhe fatkeqësitë.
Nga ana tjetër ç’të bëjmë në karantinë, pasi koha nuk ikën, ajo vazhdon…, apo siç e thotë ndryshe filozofia indiane “Koha nuk lëviz, vetëm ne ndryshojmë” sidomos kur jemi të kyçur brenda.