• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTERIA PËR KARANTINËN E TVSH!

May 4, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në rrjetin social u festua me histeri glorioze 60 vjetori i TVSH, institucionit më të zi të informimit të diktaturës, i cili konsiderohej nga regjimi  i rëndësisë të veçantë, sikur vetë KQPPSH. Edhe selia e RTSH gjendej në kuartierin gjeneral të udhëheqjes komuniste.

E qartë se në kohë karantine, njerëzit i kap nostalgjia për vitet që ikin tutje dhe nuk kthehen më bashkë me vitet e jetës së tyre, dakord!

Por bashkë me nostalgjinë a nuk kishte vend për një reflektim, për një ndjesë ose për të pohuar të paktën të vërtetën se nga ajo ndërtesë përhapej propaganda më trushplarëse, filmat më skematikë dhe idiotë, koncertet ku kompozitorët digjeshin kur notat në pentagram kërcenin pak me ritëm apo kur këngëtarët guxonin të vishin diçka apo të bënin një xhestikulacion pa marrë leje nga partia.

Shqiptarët duhet ta dinë se në TVSH e kohës të diktaturës, punonin njerëz që kishin besimin e plotë të partisë të punës, që kishin lidhje direkte ose indirekte, të tërthortë apo të përdrejtë.

Do të thoni se i gjithë populli ishte besnik i partisë, por partia nuk i besonte, sepse aty zbulonte armiqtë e saj dhe prandaj për të ruajtur kontrollin dhe terrorizuar deri edhe psikën e shqiptarëve, operonte me shpatën e egër të diktaturës të proletariatit e luftës të klasave, me ushtri, polici, sigurimin e shtetit dhe me superstrukturë.

Gazetarët që punonin në aty, si aparatçikë ishin në kontakt direkt me aparatin e KQPPSH, edhe redaksitë e tjera programin e kishin të aprovuar nga lart, bujqësia i bënte jehonë kooperativave, kultura skemës të njohur antikombëtare të politikave përçarëse. TVSH mbante të njëjtin qendrim të egër, kërcëllitës, vëllavrasës!

A ju kujtohet se programi i TVSH fillonte në orën 18:00 të mbrëmjes dhe përfundonte rreth orës 22:00!

A ju kujtohet se çfarë thatësire shpirtërore përcillte ajo kuti, nga ku censurohej historia, kultura prangosej, bujqësia kolektivizohej,  sikur i kolektivizohej edhe truri i shqiptarëve.

Kur thuhej TVSH nënkuptohej partia dhe vice versa! TVSH ishte arma e propagandës komuniste që vriste guximin njerëzor.

Ju lutem, kush ka punuar në atë institucion ato vite, le të thotë shqip se ishte i privilegjuar, ose se ishte me fat, ndryshe nga shqiptarët e tjerë që kishin probleme në biografi, të cilëve nuk u lejohej kurrë t’i ngjisnin ato shkallë apo të shfaqeshin në atë ekran!

Për çfarë mund të krenohen punonjësit e TVsh ? Që u bënë zëdhënës të një regjimi mizor ?

Natyrisht që nuk mund të vepronin ndryshe. Nuk kishin shans!  Ata bëheshin më fanatikë se edhe vetë udhëheqja!

Por të paktën të heqin dorë nga deliri i madhështisë si ishët e institucionit trushplarës të popullit shqiptar që mbrohej me polici dhe ushtri sepse prej asaj kutie përhapej propaganda indoktrinuese e regjmit stalinist.

Natyrisht ka nostalgji kolegësh, kjo është e justifikuar, por si nuk ka asnjë reflektim, si nuk ka asnjë ndjesë për audiencën, që i mohohej e drejta të shihte atë që dëshironte, të shprehte atë që mendonte, të tregonte të vërtetën sikur ishte!

Ndërsa diktatura vriste, burgoste, internonte, nga TVSH si krahu i djathtë i regjimit, shpërndahej helmi dhe vreri!

Të mos flasim pastaj se në sa e sa gjuhë të Radios shpërndaheshin rrenat e regjimit dhe si denoncohej kapitalizmi dhe Perëndimi!

Të kujtosh sot me brohërima kohën e trushplarjes, të burgosjes dhe izolimit të shqiptarëve është e frikëshme!

Tani që jetojmë prej më pak se dy muaj në lockdown – karantinë dhe ndihemi me të drejtë të izoluar, e kemi për detyrë të denoncojmë lockdown-in dhe karantinën 40 vjeçare të diktaturës, padyshim edhe me ndihmën e TVSH!

Po e përmbyll me një dialog midis Winston Smith dhe O’Brien tek viti 1984 i George Orwell që shpreh në mënyrë kuintesenciale thelbin e autokracie dhe levave të saj:

“Winston Smith: A ekziston vërtetë Vëllai i Madh?
O’Brien: Natyrisht që ai ekziston.
Winston Smith: A ekziston ai si ti dhe unë?
O’Brien: Ti nuk ekziston.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Histeria, Karantina, TVSH

Karantina dhe sensi i kohës

May 1, 2020 by dgreca

Esse nga Rafael Floqi/

Pandemia e koronavirusit dhe distancimi shoqëror që kërkon, po i prek të gjithë në mënyra të ndryshme. Disa njerëz e kanë gjetur veten me më shumë, dhe me tepër kohë nëpër duar se sa dinë dhe sa munden për ta menaxhuar atë. Të tjerët – përfshirë këtu edhe profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe ata që kujdesen për anëtarët e familjes së tyre të sëmurë edhe prindërit e fëmijëve të vegjël,- janë të mbingarkuar me kërkesa dhe punë të shumëllojshme gjatë gjithë ditës sa s’kanë kohë.

Por nëse ekziston një element universal në të gjitha përvojat tona të përjetimit karantinës së pandemisë, është ajo se po na deformon sensin tonë mbi kalimin e kohës.

 P.sh. muaji shkurt apo koncertet e 8 marsit, ndjehet sikur kanë ndodhur një dekadë më parë. E tani ditët po na mjegullohen së bashku, dhe orët alternative po fluturojnë tej e gjithnjë e më me ngadalë duke u zvarritur, në varësi të asaj se sa të shqetësuar, ose të mërzitur po e ndiejmë veten gjatë kësaj kohe dhe sa kujtime të reja po krijojmë ndërkohë.

Koha është bërë refreni i pandemisë së koronavirusit, një reflektim i asaj, se si të gjitha ditët na duken të turbullta dhe se kohët e fundit, ne nuk po vërejmë as detajet më të thjeshta. Të martat janë bërë të enjte, janë bërë dhe të mërkura, janë dhe të diela. Nuk ka më ditë javësh, as fundjave. Ka vetëm dje, sot dhe nesër.  

Tani së bashku me gjithë këto ndjenja çorientimi, mund të na duket, sikur është më e vështirë të përqendrohemi, dhe se na duhet më shumë kohë për të kryer punët e ndryshme, edhe na duket sikur truri ynë po punon më me ngadalë. Nëse edhe ju po ndjeni vërtet, sikur truri juaj po u tkurret, atëherë ju nuk jeni të vetmit. Ekspertët thonë se e gjitha kjo ka të bëjë me atë, se si pandemia është duke ndikuar në shëndetin tonë, në aftësinë tonë për të menduar qartë, për të mësuar dhe për të mbajtur mend. 

Kjo shpjegohet me atë se këto ndërrime në perceptimin tonë të përkohshëm, ndodhin, kur ne humbasim pikat normale të referencës, që i ankorojnë dhe i lidhin e i endin ditët dhe javët tona në kalendarin e memories.  Unë mendoj, se ajo çka po ndodh, ose të paktën tek unë, sidomos me fëmijët në shtëpi, tregon se jam duke bërë më shumë gjëra gjatë kësaj kohe. Po merrem me ta. Po përgatis emisionet on-line për TV. Po punoj nga shtëpia. Unë jam duke përgatitur për disa gjëra të tjera, po shkruaj artikuj, ese si kjo dhe poezi dhe të eci duke ruajtur distancën (a)sociale në mëhallë. Nga ana tjetër, mua më duhet të merrem edhe me gjera praktike të ekzistencës. të sigurohem që të blej edhe sendet ushqimore për familjen, të punoj në kopsht të mbjell lulet, madje, edhe t’i korr barin dhe komshinjve të moshuar, etj. Kështu, këtu po flas për vete, unë jam duke bërë më shumë gjëra në një ditë të caktuar se sa bëj zakonisht. Dhe andaj ditët ndryshojnë më shpejt. E pas gjithë këtyre, unë mendoj se kështu mua duket sikur koha po më fluturon nga dritarja. Në fakt koha shpejton, nëse ju bëni më shumë gjëra gjatë ditës. Por kur të reflektoni në mbrëmje përsëri mbi kohën, atëherë ju gjithashtu mund të radhisni me mend gjithë atë listë të gjatë gjërash që keni bërë. Kështu që pastaj dita në retrospektivë, do të ndjehet e do të duket super e gjatë, sepse ju po ndjeheni të kënaqur, se keni arritur të bëni kaq shumë gjëra, edhe duke qenë mbyllur brenda në karantinë. Duke vepruar kështu çdo ditë si unë edhe ju do ta kemi kohën e zënë dhe kjo do të na bëjë të zbulojmë gjëra të reja më interesante. 

Por nëse nuk e jeni i zënë me disa punë brenda një dite, atëherë dita juaj do të bëhet si një nga ato ditët e plazhit, ku ju jeni mirë dhe i shtrirë në diell dhe shijoni plazhin. Por në fund të ditës, ju me të vërtetë, ju do të mendoni, se nuk keni bërë asgjë. Kjo mund të jetë e këndshme për disa ditë, por nëse keni shumë nga këto ditë, atëherë, e gjitha kjo shtrirje kohe, do të bëhej ndoshta mjaft e mërzitshme, madje, dhe sikur të reflektoni përsëri mbi të, do të thoni se s’ka ndodhur asgjë. 

Por çfarë po ndodh gjatë karantinës dhe çfarë mund të bëjmë për ta shmangur këtë situatë? Psikologët thonë duhet të ringjallim rutinën tonë të përditshme që është zhdukur. Por edhe kur nuk jemi duke bërë shumë gjëra, duke pasur një rutinë për çdo ditë, ndoshta s’e ndjejmë atë vërtet në moment, por në retrospektivë, do ta kuptojmë se dita do të kalojë më shpejt.

Pra, cila është mënyra që njerëzit, me shumë kohë në dorë, ta përdorin atë më me mençuri, pasi siç thotë populli ynë, ”koha është flori”?  

Sugjerimi im do të ishte: gjetja e gjërave të reja për të bërë. Përpiquni ta stërvitni veten me gjëra të reja, që do t’ju ndihmojnë për një punë, për një objektiv, ose në bërjen e gjëra që janë më shumë si hobi, për zbavitje të cilat keni dhe ndjeni kënaqësi për t’i bërë. Zbuloni një hobi të ri apo ngjallni një të harruar dhe dita juaj do të si një supermarket “ Hobby lobby”.  P.sh. vëllai im nga Tirana në Viber, më tregonte me kënaqësi, se si kishte bërë qofte vegjetariane për fëmijët e tij, pasi ata si pëlqenin zarzavatet e gjalla dhe kishin ngrënë me qejf qoftet me mish një ditë më  parë,  dhe më  thoshte që s’po e kuptonte se si i kishte ikur koha, pa u marrë me disa kurse që i duheshin për punën. Por ai kishte zbuluar tek gatimi një pasion të ri. 

Pra mos prisni, hidhuni, provoni eksperienca të reja! Nëse mund të stërviteni me diçka, apo të zbuloni aftësi të reja tek vetja. Unë vë bast, se kjo gjë do t’ju bëjë të ndjeheni të paktën, se keni bërë më shumë gjëra për të bërë brenda një dite, duke e copëzuar gjithë atë shtrirje kohore prej 16 orësh. Sepse kështu në fund të fundit, në fund asaj dite, ju do të ndjeheni, se vërtet keni bërë diçka, dhe se dëshironi të ndjeheni optimist dhe me fat, sikur keni realizuar vërtet diçka shumë me vlerë.

Është interesante, dhe unë e ndjej dhe e kuptoj atë që disa njerëz, nuk e ndjejnë sikur koha po u ikën kot, dhe u duket, sikur mendja e tyre po merret me gjëra të reja. Por ka shumë njerëz të tjerë, që, ndoshta realisht, nuk kanë mundësi për këto përvoja. Ata  janë ndoshta më të shqetësuar, ose janë në situata të tilla që ua bën të pamundur, si për shembull, ndodhen në linjat e para të luftës kundër pandemisë, si: mjekët, infermierët, punonjësit e ndihmës së shpejtë, si dhe ata të kujdesit shëndetësor, ashtu si edhe punëtorët e domosdoshëm të dyqaneve ushqimore e të shërbimeve të rendit, që duket se po përjetojnë një ndjesi të kundërt për kohën. 

Në fakt, ata po marrin kaq shumë informacione të reja, kaq shumë informacione kërcënuese edhe për jetën dhe ekzistencën, sa u duket se jeta e tyre nuk ka më marsh automatik, por vetëm manual, dhe se duhet të shqetësohen për gjërat që zakonisht ne i marrim për të mirëqena dhe i bëjmë pa menduar, në mënyrë automatike apo instiktive. Dhe këto veprime të vogla në dukje, bëhen më  të mëdha, duke pasur parasysh kërcënimin për jetën, pasi ata nuk mendojnë se koha po shpejton, po për ta ka ngecur. E kundërta është e vërtetë dhe duket se, pothuajse, sikur ata po bëjnë gjithçka me një lëvizje të tepër të ngadaltë, si me një “moviolë futbolli, para dhe mbrapsht, me “slow motion” për autokontroll, për të shmangur çdo gabim, që mund të ishte fatal për ta dhe për shëndetin. Këtë e ilustron më së miri përgjigja e infermieres nga Michigani, Riana Dragu, në një intervistë të kohëve të fundit për “Zërin e Amerikës” që më bëri përshtypje. 

“ Orari është 12 orë, tha ajo. Disa punojnë edhe 16 apo 18 orë. Fillimi është pak i rëndë, sepse kur përgatitesh për punë mendohesh 100 herë – a po vishem si duhet? A po kujdesem aq sa duhet? Mendohesh nëse duhet të blesh ndonjë gjë që nuk ma jep spitali. Sa herë e lëviz maskën mendohesh a mos e preka, ku nuk duhej? A i kam dorezat? Pra ndonjëherë është mendja që të lodh sesa vetë puna”.

Në fakt, siç e tregon ky rast,  kjo është një periudhë, kur të gjitha përvojat tona në lidhje me kohën janë kaq jashtëzakonisht të ndryshme. Të marrim një veprim të thjeshtë siç është në këto kohë blerja e ushqimeve. Ne fillojmë të mendojmë për gjëra që më  parë i quanin të mirëqena dhe automatike,  tani na duhet të mendojmë: a është mirë të shkoj në dyqan apo të ma sjellin në shtëpi, në ç’ orë duhet të shkoj që të ketë sa më pak njerëz në radhë, a është dyqani me hapësira të mëdha, a e kam maskën apo dorezat, a kam desinfektant, etj. Dhe pasi i sjellim ushqimet në shtëpi, a duhet t’i laj të gjitha, si të veproj?    

Por sidoqoftë, jetët e të gjithë njerëzve gjatë kësaj Pandemie po rrjedhin me kalimin e kohës dhe, pavarësisht se sa brutal mund të jetë ky moment, apo sa i mbushur me pikëllim, dhimbje apo frikë është, koha fizike po rrjedh, ora po ecën, dhe të gjitha jetët e njerëzve në mënyrë të barabartë po rrjedhin, edhe pse  përvojat nuk janë të njëjta. Sepse ashtu siç thoshte, filozofi i lashtë grek, Herakliti : “Askush nuk lahet kurrë në të njëjtin lumë dy herë, sepse nuk është i njëjti lumë dhe sepse ai vetë nuk është i njëjti njeri.”

Por të kthemi tani tek koha dhe rutina. “It’s a hard thing to leave any deeply routine life, even if you hate it.” shkruante romancieri i madh amerikan, John Steinbeck, në librin e tij  “East of Ede”. Që në shqip më vjen kështu: “Është e vështirë të largohesh nga jeta e thellë rutinore, edhe nëse e urren atë”.  Kështu që  tani ne, na duhet në vend të themi “shtëpi e ëmbla shtëpi“ do të duhet të themi “rutinë e ëmbla rutinë”, kjo se ndoshta jemi mërzitur me shtëpinë. Kështu duket pra.  tani pasi ne kemi humbur të gjithë rutinën e një jave tipike pune, dhe kjo do të thotë ta kesh fundjavën, si një sinor, si pushim ose si një ndarje, ose si diçka, një datë një ngjarje e caktuar, një ditëlindje, një festë si pashka, apo tani dita e nënave, të cilën shpresojmë ta festojmë vetëm në shtëpi. Dhe pasojë dhe ilustrim i këtij frustrimi janë dhe parullat e protestuesve, për hapjen dhe heqjen e bllokimit të karantinës ku shkruhet ” No Mothers day, No Flowers, No Family , No liberty”.  “ Jo ditë të nënës, Jo lule, Jo familje, jo liri!

Ndërkohë që tani edhe “weekend-i” pra fundjava, nuk është më me atë fjalën “fund”, që i kep kuptim dhe është  bërë “ never-ending story”, pasi është njësoj si një ditë e rëndomtë jave. Kjo për shkak se për shumë njerëz, puna është bërë shtëpi dhe shtëpia është bërë punë. Madje disa, ndër ta, edhe unë, siç thonë amerikanët si workaholic që jam, apo siç i thonë shqip “qen i punës”, (duket se ne shqipove që na ka dalë nami, se s’e kemi aq qejf dhe punën, por kur është puna “për të paguar billat” është tjetër gjë, paskemi gjetur një fjalë disi ofenduese dhe për atë që punon, pavarësisht se qeni është kafshë besnike dhe por na vjen keq, kur na thonë qen),  dhe pra ky “qen bir qeni” mund ta gjejnë veten, duke punuar me orë të gjata edhe gjatë fundjavave, nëse nuk do të ketë një rutinë të caktuar. 

Humbja e rutinës gjithashtu tregon se duhen shpenzuar më shumë energji mendore për të vendosur se çfarë do të bëjmë çdo ditë.  Këto ndryshime natyrisht shkaktojnë stres. Dhe fakti që të mos jemi në gjendje të kujtojmë se çfarë dite është mund të jetë, një simptomë stresi. Pandemia është duke u bërë një burim i stresit kronik, duke pasur parasysh që po vazhdon me javë, apo edhe muaj për disa njerëz. Nivelet e larta të stresit dëmtojnë përqendrimin dhe vëmendjen tonë, dhe mund të ndikojnë edhe në kujtesën afatshkurtër, thonë psikologët.

Madje edhe një efekt tjetër i stresit, është se ai mund të përkeqësojë cilësinë e gjumit. Shpesh nëse ndihemi të stresuar ose ndiheni në ankth, me mendime dhe ndjenja dhe makthe e bëjnë të vështirë të biem në gjumë. E kjo pagjumësi, nga ana tjetër, mund të na dëmtojë edhe më tej aftësinë, për t’u përqendruar dhe shkakton humbjen e kujtesës afatshkurtër. Shakespiri, i madh na e kujtonte këtë tek komedia “Ëndrra e një Nate Vere”, kur thekson se edhe në ëndrrat tona ne forcojmë kujtesën e kohës që shkoi:   

“Katër ditë shkasin vërtik drejt netësh;

 Katër net ëndërrojnë mbi kohën që shkoi.”

Që koha fizike objektive është relative, të gjithë e dimë që nga shkolla e që e ka vërtetuar Ajnshtajni me teorinë e tij dhe me paradokset e tij me binjakët, dhe kur vetë koha është relative, aq më tepër perceptimi subjektiv i kohës është krejtësisht relativ. Por atëherë, çfarë mund të bëjmë që ky perceptimi ynë relativ subjektiv e  i çorientuar të jetë sa më afër realitetit? 

Koha është në thelb një iluzion i krijuar nga mendja për të ndihmuar sensin tonë të pranisë së përkohshme në oqeanin e gjerë të hapësirës. Pa neuronet  tona që duhen për të krijuar një perceptim virtual të së kaluarës dhe të ardhmes bazuar në të gjitha përvojat tona, nuk ka ekzistencë aktuale, as të së kaluarës dhe as të ardhmes. Pra gjithçka që ekziston, është vetëm e tashmja.

Ndaj psikologët rekomandojnë që të përpiqemi të ruajmë një sens të strukturës së rutinave, në atë masë që është e mundshme, për të ruajtur margjinat e kohës. Të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh në të njëjtën kohë çdo ditë, është një strategji efektive që mund të ndihmojë në këto kohë pandemie. Ata gjithashtu rekomandojnë që të bëjmë pushime të shpeshta, të ushtrohemi fizikisht dhe të hamë shëndetshëm.  Dhe nëse këto veprime ju bëjnë të ndjeheni mirë, edhe pse askush nuk do ta dijë saktë, se çfarë dite është pa parë kalendarin, punë e madhe, pasi koha është veç një iluzion.

“Unë e di shumë mirë këtë, shkruante autori britanik, Julian Barnes, në romanin e tij “ Sense of an Ending,  botuar më 2011, “se ka një kohë objektive, por edhe një kohë subjektive. Objektive është ajo që mbani në pjesën në kyçin e dorës, pranë pulsit. Dhe subjektive është koha personale, e cila është koha e vërtetë, është ajo që matet me marrëdhëniet tuaja me kujtesën mbi ngjarjet”. Vetëm duke bërë diçka me vlerë, ju mund ta kujtoni atë për mirë. Por fatkeqësisht ne si qenie kujtojmë më shumë zhgënjimet dhe fatkeqësitë.

Nga ana tjetër ç’të bëjmë në karantinë, pasi koha nuk ikën, ajo vazhdon…, apo siç e thotë ndryshe filozofia indiane “Koha nuk lëviz, vetëm ne ndryshojmë” sidomos kur jemi të kyçur brenda. 

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Karantina

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT