Nga Mimoza Dajçi/
Debatet e kohëve të fundit ndër shqiptarë mbi përdhunimin ose jo, tek femrat në burgjet politike tregon se dikush ndoshta pa dashje “dërgon ujë në mullirin” e persekutorëve. Ndërkohë që kemi disa kundërshtare femra që mbështesin fuqishëm këtë term torture: “Po – thonë ato – ka ndodhur përdhunimi tek femrat në qeli, dhomat e burgimit apo paraburgimit”. Janë studiuesja australiane Dr. Shanoon Woodcock dhe ish drejtoresha e Arshivës së Shtetit Nevila Nika që e pohojnë një fakt të tillë.
Nisur nga këto ngjarje dhe probleme të parealizuara që shqetësojnë femrën ish të persekutuar politike Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane (The Women’s Organization “Hope & Peace”) zhvilloi një takim me Konsullen e Përgjithshme të Republikës së Estonisë në New York Znj. Eva – Maria Liimets. Takimi u zhvillua në një nga ambjentet e Konsullatës së Estonisë në Manhattan me disa gra e vajza që në Shqipëri kanë përjetuar persekucion politikë. Konsullja njëherësh edhe gazetare e njohur e shtypit estonez vlerësoi qëllimin e kësaj vizite dhe u tregua shumë dashamirëse duke dëgjuar me vëmendje çdo bisedë. Edhe anëtaret e organizatës “Hope & Peace” po ashtu i dhanë rëndësinë e duhur takimit me dipllomaten e huaj, të largët por të afërt përsa i përket pikëpamjeve për dënimin e krimeve të komunizmit në të gjithë vendet e lindjes e lëvizjes feministe në botë.
Pasi falenderuan Znj. Liimets për pritjen biseda filloi mbi rolin, misionin e angazhimet që merr gruaja në diapsorë për ndërgjegjësimin e të drejtave të saj në familje e shoqëri. U fol për gruan e persekutuar e martirizuar në të gjitha trojet shqiptare në Kosovë, Mal të Zi. Çamëri, Preshevë e Maqedoni, si dhe për përpjekjet që duhen bërë për të dënuar krimet e komunizmit. Gjatë bisedës u ndalën edhe tek figura e Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza, për të cilën thanë se ndihemi krenare që jemi trashëgimtaret e saj. Më pas u paraqit një “resume” e shkurtër rreth situatës në Shqipëri dhe Estoni përsa i përket pjesës së popullsisë që ka përjetuar persekutim politik gjatë rregjimeve diktatoriale, me këtë rast falenderuan me gjithë zemër qeverinë e Estonisë për angazhimin serioz që ka ndërmarë për dënimin e krimeve të komunizmit. Konsullja Znj. Liimets ofroi disa materiale me foto ku flitej për genocidin komunist në Estoni si dhe foli ndër të tjera për pushkatimet e internimet politike në masë të popullsisë së pafajshme gjatë atij rregjimi.
Edhe pse vendi ynë akoma nuk i është bashkangjitur Estonisë në ngritjen e një institucioni ndërkombëtarë për dënimin e krimeve të komunizmit sipas platformës së gjyqit të Nurembergut, gratë shqiptare deklaruan, edhe pse larg atdheut nuk do të ndalin zërin e tyre derisa e drejta e ish të burgosurve, pushkatuarve e të internuarve politikë të shkojë në vend. Ne nuk jemi hakmarrëse thanë ato, por e drejta duhet të triumfojë, sepse pasojat akoma po i vuan ajo shtresë mbi kurriz. Tetë vende të lindjes e kanë mbështetur nismën madhore iniciuar nga Ministri i Drejtësisë së Estonisë Z. Urmas Reinsalu, përjashtuar Shqipërinë. Çudi!! Vendi ynë që ka përjetuar diktaturën më të egër në Europë hesht e qëndron indiferent ndaj kësaj iniciative që ka vënë në lëvizje botën mbarë.
Por edhe pse qeveritë shqiptare nuk kanë interes të dënojnë krimet e komunizmit, Organizata e Gruas “Hope & Peace” me qendër në New York, asnjëherë nuk ka për të qëndruar indiferente ndaj situatës në të cilën ndodhet shtresa e persekutuar politike, për faktin se një pjesë e anëtareve të saj rrjedhin nga koha e shkuar si familje me “damkë në biografi” të “deklasuara” apo “armike të popullit”, divorcuar nga lufta e klasave, rritur fëmijët jetimë me prindër gjallë, përjashtuar nga e drejta e lartë e studimit, burgosur, internuar etj. Pas fjalës së Znj. Liimets, histori e ngjarje tronditëse nga e kaluara paraqitën edhe zonjat Dava Mirakaj, Emine Ndreu, Mimoza Dajçi etj, ku diktatura komuniste nuk kurseu as gratë as fëmijët ku mes tyre pushkatoi edhe gruan shtatzanë Liri Gega.
Me keqardhje ndjekim zhvillimet në vend, duke deklaruar se nuk do të pushojmë së kërkuari zbardhjen e genocidit 50 vjecarë që kryen ata kriminelë që sot akoma krekosen nëpër poltronet e sallat e parlamentit shqiptarë. Edhe pse kanë kaluar 25 vite pas përmbysjejs së rregjimit komunist në Shqipëri akoma vendi ynë nuk po hedh hapa përpara për dënimin e krimeve monstruoze kryer mbi burrat, pleqtë, fëmijët e femrën shqiptare. Mendoj se nuk është mirë të flitet për gruan ish të dënuar politike nëpër burgjet e birucat e sigurimit të shtetit, si dhe për torturat e tyre sikur ata – burrat të kishin qenë prezent në çdo moment të torturave të tyre nëpër dhomat e izolimit apo torturës.
Personalisht si autore e këtij shkrimi deklaroj se edhe masakra të përdhunimit kanë përjetuar motrat, e nënat tona të mira, të bukura, inteligjente, dashamirëse të jetës, paqes, familjes, fëmijëve, bashkëshortëve, të dënuara politikisht e padrejtësisht nëper ato kanale mizerabël të diktaturës komuniste.
Në fletët e bardha të shtypit shqiptar një ish i burgosur politikë e quan këngëtaren – ish të burgosur politike Alida Hisku të shëmtuar. Alida është një nënë e mirë, perlë e muzikës shqiptare. E dënuan për xhelozi profesionale me nenin agjitacion – propagandë kundër pushtetit popullor. Ajo nuk ishte e shëmtuar, ishte e bukur.
“Çdo femër është e bukur” – shprehja klasike e mjekut gjinekolog Dr. Ilir Gjylbegu.
Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Ramize Gjebrea, Drita Kosturi, Marie Dvorani, Rita Sami Koçi, Makbule Frashëri, Neta Paci, Lavdie Petrela, Bjanka Balliçi, Jolanda Tahmizi, Fatime Dega, Rita Koka, Rukie Rama, Vera Dema, Didi Biçaku, Lili Mitrovica e mijra të tjera edhe pse nën pranga ishin perëndesha të bukurisë, femra të emancipuara, simpatike, largpamëse të lirisë e demokracisë.
Nga afër kam patur rast të dëgjoj nga disa ish të burgosura politike (e theksoj nga disa) edhe për këto ndodhi kur kam bashkëpunuar nga afër me Shoqatën e Grave ish të Persekutuara e ish të Burgosura Politike të Shqipërisë. Ngjarje nga më të rëndat e më të tmerrshmet të përdhunimit më kanë treguar, ku edhe elektroshotin nuk u a ndanin më pas duke i quajtur të çmëndura.
Në bazë të dëshmive, fakteve, kushteve e kohës kur është ushtruar e përjetuar tortura është absurde ta çosh nëpër mend, e jo më ta mohosh torturën e përdhunimit tek femrat nëpër burgjet shqiptare.
Të gjithë ne shqiptarët që jetojmë jashtë kemi mësuar tashmë se; Nëse dikush të shikon gjatë në sy, ose prek me duar qoftë edhe pa dashur dikë që nuk e njeh, ka një reagim të menjëhershëm nga tjeri/a përballë. Ky akt quhet i dënueshëm, ngacmim apo provokim seksual. Çfarë duhet të themi ne për femrën shqiptare izoluar e torturuar fizikisht e mendërisht nga hetuesit apo torturuesit nëpër biruca ku nuk i shikonte askush, e ato nuk kishin as rroba për tu ndruar, mbuluar e asnjë lloj kushti minimal të higjenës personale?
Femra shqiptare qëndron shumë lartë. Ajo simbolizon shqiponjën krenare që di të ruajë e mbrojë me dinjitet personalitetin e familjen. Ka pranuar më mirë heshtjen, e ngritur zërin aty ku duhet të flasë, e ku e ka ndjerë veten të sigurtë se mund të tregojë vujtjet e saj shpirtërore, fizike e morale. Ka folur tek mediat e huaja, tek dikush apo edhe unë që isha shumë afër e pranë tyre me Shoqatën e Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë. Janë dosjet e arshivës së shtetit që ulërasin matanë mureve të kalbura të burgut 313 të Tiranës, e në të gjithë Shqipërinë. Nuk mund të flisnin femrat shqiptare me vitalitetin e tyre qe i karakterizon – vend e pa vend – çfarë përjetuan nëpër qelitë e errëta e gjithë lagështi, ku “miqtë” e tyre më të afërt – që as drita e diellit nuk u hynte – ishin minjtë. Shumë mirë kanë vepruar me heshtjen e tyre. Heshtja është ilaçi më i mirë thotë populli. Dhe ato si “armë mbrojtëse” zgjodhën heshtjen duke injoruar çdo lloj individi që flet pa përgjegjësi e pa kontroll për gjëra që nuk i takojnë. Kjo tregon se shoqëria jonë ka akoma vend për civilizim e ndërgjegjësim të së shkuarës së hidhur, për ti dhënë respektin e mirënjohjen e duhur nënave e motrave tona që qëndruan stoike edhe pse me duar nën pranga.
Ato janë heroinat e popullit tonë. Janë ato që shpalosën virtutet më të lartë të femrës shqiptare edhe nëpër burgjet e diktaturës. I paharuar qoftë kujtimi i atyre që nuk jetojnë më, e atyre viktimave që akoma po përballen me problemet shëndetësore të së shkuarës, që akoma jetojnë në skamje, mjerim, të pa streha e pa marë dëmshpërblimin që u takon.
Takimi me Konsullen Gjenerale të Republikës së Estonisë Znj. Eva – Maria Liimets kaloi i ngrohtë e miqësor dhe i hapur për veprimtari të tjera.(Fotot Fisnik Boletini)
New York, nëndor 2015