nga Shpend Sollaku Noè/
Një aristokrat i poezisë në yjetekën shqiptare/
Rikthimi i poetit Etëhem Haxhiademi po sjell pa dyshim një prishje të re ekuilibrash në letërsinë shqipe. Ai po i imponohet kritikës letrare dhe lexuesit kombëtar me forcën e një poeti kurrë të shuar në kujtesën e letërsisë tonë, edhe në vitet e errëta të degradimit të tij si njeri e poet.
Pasi me poet të mirëfilltë kemi të bëjmë edhe kur lexojmë tragjeditë e tij, dhe jo vetëm vëllimin “Lyra” – këtë dëshmi të çmuar të nivelit të poezisë shqiptare të viteve ‘30, ashtu si u pëlqente profesorëve tanë ta gruponin letërsinë e asaj periudhe.
Për kënaqasinë time të madhe kam rinisur ta lexoj të gjithin këtë autor, por jo duke u nisur nga tragjeditë. Intuita më sugjeroi leximin e tij duke filluar nga vëllimi poetik “Lyra”, pasi kuptova që këtë autor duhet ta studioja fillimisht si poet, para se të thellohesha në cilësitë e tragjedianit. Nuk mund t’i lexoja siç duhet tragjeditë haxhiademiane pa njohur mirë stilin e këtij poeti. Ky mendoj se duhet të jetë edhe çelësi i leximit të ardhshëm të tragjedive të klasikut elbasanas. Pasi edhe ato tragjedi jane poetike, dhe jo vetëm sepse shprehen nëpërmjet vargut.
Pas leximit e rileximit të disahershëm të “Lyra”-s, mendimi i parë i natyrshëm për këtë autor është inkuadrimi i tij në panteonin e letrave shqiptare.
Ç’vend ka për të zënë Etëhem Haxhiademi në letrat shqipe këtej e tutje?
A do ta trajtojmë edhe këtë poet si shumë martirë të tjerë, që u flijuan vërtetë në altarin e lirisë së fjalës por nuk arritën dot të imponoheshin edhe me forcën e artit?
Haxhiademi deri tani nuk ka ndonjë monument të rëndësishëm, por kjo është vetëm çështje kohe. Ndërkaq ai monumentin artistik të tij e ka ndërtuar vetë, nëpërmjet magjisë së vargut. Siç mund ta keni kuptuar tashmë, këtu do të flas për të vetëm duke u përqendruar tek “Lyra”. Kësaj here. Duke shpresuar t’ju shqetësoj përsëri me poetikën e tragjedive të tij.
“Lyra “ – kjo “Vilë e Magjishme Poetike”
Vëllimi i çmuar çelet me një “Parathanëje” të vetë Haxhiademit. Janë rreshta sa të dlira aq edhe plot nëntekste, sa të dhimbshme aq edhe tërheqëse, me stilin e dikujt që e njeh gjuhën shqipe të kohës në mënyrë të përsosur, edhe pse asnjëherë nuk heq dorë nga shkrimi sipas të folmes së Elbasanit, – një zonë e njohur gjuhësisht si kalimtare, ndërmjet toskërishtes e gegnishtes. Ai përdorim elegant i të folmes së qytetit të tij, sidoqoftë, nuk ia ndërpret asnjëherë, edhe sot, komunikimin me lexuesin shqiptar të çfarëdollojshëm.
Që nga rreshtat e para të kësaj “Parathanëje” nisim të njohim kredon poetike dhe njerëzore të poetit. “Artisti apo shkrimtari shqiptar, që t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet ma përpara të merret me ndonji punë t’jetër… qi ep bukë…” shkruan. “…Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi…”.
Eh, një manifest i tërë, shumë aktual edhe sot, do të shtoja unë. “Parathanëja” mban datën 14 mars 1937, që na e ndan mirë kohëzgjatjen e shkrimit të këtyre lirikave.
E para poezi që na prezantohet prej Etëhem Haxhiademit është ajo me titullin “Galatés”. Vargu i gjërë metrikisht dhe strofa e bollshme arrijnë të përshkojnë tek lexuesi dhimbjen e një të riu që studion jashtë atdheut dhe kur kthehet gjen nën dhè vajzën që ia mbushte ëndrat. Fillim i gjetur, për të prezantuar natyrën e poetit që i ka vënë vetes si qëllim pasurimin e poezisë kombëtare. Vargjet mbajnë datën 6 janar të vitit 1927, por duken shumë më të mëvonshme për shkak të paraqitjes së tyre mjaft moderne për kohën, qoftë nga ideja, qoftë nga forma.
Fill pas saj lexuesi gjen një nga kryeveprat e Haxhiademit: poema “Nymfat e Shkumbinit”,shkruar në vitin 1933. Kanë kaluar pothuaj shtatë vjet nga shkruajtja e “Galatés”. Subjekti tip i një romantiku, derdhur me mjeshtërinë dhe saktësinë e një klasiku. Strofat katërshe janë melodikisht të përsosura, fjalët të zgjedhura për një poezi madhore. Nyfat, Najadat, Triadat… bëhen prej poetit të prekshme, si vajzat e Elbasanit. Lumi i dashur – Shkumbini, shndërrohet në banesën e qenieve përrallore, të kredhura në atë lumë, duke e shndërruar në të magjishëm. Dashuria për vendlindjen dhe lumin e saj i ka dhënë kësaj poeme ndjenja të larta pse jo, edhe patriotike, nëse për patriotizëm nuk quajmë vetëm dhënien e gjakut, por edhe lartësimin e vendlindjes. Në fund të leximit të kësj poeme ndihemi të tronditur jo vetëm prej bukurisë, por edhe prej zhgënjimit nga dashuria e pamundshme. Strofat katërshe shprehin në mënyrë të zhdërvjellët synimet e autorit. Rimat e kryqëzuara – a, b, a, b – i japin harmoninë e një pjese të zgjedhur muzikore, të ngritur me 3 vargje njëmbëdhjetërrokësh dhe një shtatërrokësh që mbyll srofën.
“Lyra” vijon me të njëjtin nivel artisktik, por me një dhimbje më ngjethëse nëpërmjet elegjisë “Nata e zezë”, shkruar më 14.04.1934. Është humbja e nanës leitmotivi i këtij poemthi, të ndërtuar me vargje shumëshprehës, të ndërthurur vazhdimisht qoftë sipas metrikës, qoftë sipas rimës (anaforës). Mbetet gjithmonë vargu klasik, por i shkruajtur në mënyrë novatore. Strofa dhjetëvargëshe, vargje dhjetërrokësha (shpesh me të njëmbëdhjetin të shurdhuar apo të patheksuar) të pasuara nga dy shtatërrokësha të përceptuar edhe si gjashtërrokësha, nëse injorojmë pothuaj të pashqiptuarat pas theksit të fundit që melodia e vargut i shurdhon. Këtu kemi një mënyrë tjetër të thurjes së rimave, si përzierje të atyre të puthura me ato të ndërthurura: – a, b, b, a, c, d, d, c, e, e.
Tek poemthi “Naim Frasherit”, (maj 1934), strofat nëntëvargëshe mbushen me dy vargje 11-12 rrokësh, ndjekur prej një shtatërrokëshi, të pasuar nga një 11-12 -sh , edhe ky i ndjekur më poshtë nga tre shtatërrokësha, të ndjekur edhe ata nga dy njëmbëdhjetësha. Rimat e këtushme janë të ndryshme, ato zakonisht ndërthuren në mënyrë të tillë : a, b, b,/a, c,/ d, d, c/e, e. Që poetët janë profetët e vërtetë këtu vjen si një mendim jo vetëm për Shqipërinë, dhe kjo ia zgjeron forcën e idesë që tejkalon kufijtë kombëtarë.
Lirizmi i mirëfilltë e merr përdore lexuesin edhe tek poezia “Prej së largu”. Edhe ky krijim është i majit të vitit 1934. Vargjet janë ndërthim mjeshtëror i ndjenjës së frikës për humbjen e dashurisë së Sofisë me xhelozinë e ëmbël për gruan e largët, mpleksur me dëshirën për të mbetur i lirë jashtë kafazeve të kohës. Është një shikim modern i jetës, nëse kihet parasysh viti kur kjo poezi është shkruajtur. Këtu, nga ana teknike, kemi të bëjmë me strofa tetëvargëshe, (2×4), me një varg 8 rrokësh, të shkëmbyer me një shtatërokësh, sipas rimave të kryqëzuara a,b, a,b,/ c,d. c,d/.
Ndërkaq tek poezia “Asaj” – poezi e dashurisë pa përgjigje – lirizmi është akoma më i theksuar, dëshpërimi nuk ia lë vendin shpresës, ide kjo e shprehur me metafora në dukje më të thjeshta se në vargjet e mëparshme, por njëherazi prekëse e rrëmbyese. Ritmi i vargjeve ngërthen lexuesin nëpërmjet një mjeti tjetër struktural: Strofa gjashtërrokëshe të mbushura me vargje kësaj here shtatërrokësh, me rimat e kryqëzuara a,b a,b të ndjekura nga dy rima të puthura c,c. “Ah, po të ulesh zemra/ Dhe të ndëgjoje zanin,/ Do t’lshohesh der’ te themra/ Për me të puth fustanin,/ E petkun t’im do t’shtroje,/ Qi për mbi te të shkoje.”
Poema alegorike “Lufta e dragonjve me kuçedrën” na imponon një Haxhiadem të ri, të papritur për lexuesin e rëndomtë që ndoshta që tani ka fiksuar shabllonin e një poeti – nënpunës, që nuk kish pasë qëllime kundërshtimi me pushtetin. Ngritja krye kundër padrejtësisë apo edhe kërcënimit ndaj jetës është thelbi i këtij krijimi letrar, pak të njohur e të pastudjuar siç duhet të poetit martir elbasanas. Një nga idetë kryesore të mbrujtura në këto vargje është që zhvillimi i një vendi bëhet i mundur vetëm nëse ai gëzon lirinë dhe të drejtën për të buzëqeshur. Ndoshta prej këtyre ideve, aludimit për qëndresë, ngritjes krye për të jetuar më mirë dhe në liri, ky poemth edhe mund të ketë ndikuar shumë në trajtimin si armiqësore të veprës Haxhiademiane prej regjimit të kuq. “Në kët mënyr’ kështu kuçedra tretet,/ Qi qe aq shumë e frikshme,/… / … dhe far’ e egërsinës krejt çfarohet”. Edhe këtu, ashtu si tek “Nata e zezë” autori i shpreh idetë nëpërmjet një strofe dhjetëshe, por me vargje dhjetërrokësh të thyer menjëherë nga një shtatërrokësh, që ndiqet nga një tjetër dhjetërrokësh të ndjekur pastaj nga dy shtatërrokësh të tjerë, që radhiten para dy dhjetërokëshish; pas tyre gjejmë sërish një shtatërrokësh, të plotësuar në ide nga dy dhjetërrokëshat e fundit. Ideja që kërkon të na shprehë autori sigurisht që do t’kërkonte përdorimin e një vargu të tillë, me mundësira shprehjeje të shumanshme.
Lirika “Andra e jetës” ndërkaq është nga më të magjishmet e shkruar prej Etëhem Haxhiademit, qoftë nisur nga lirizmi dhe latimi i përsosur i vargut, qoftë per idenë themelore që e përshkruan: “Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë/ Dhe krenarin qi t’fali ty gjithsija,/ Të mos e lshojsh tyke kërkuë mëshirë/ Nga plogështija”. Kjo poezi është e janarit të vitit 1935 dhe dëshmon një hop cilësor të rëndësishëm të poetit.
Edhe me tercinat që ka shkruajtur poezinë “Kohë e kalueme” Haxhiademi dëshmon që ka qenë vazhdimisht në kërkim të përsosjes artistike e ideore. Vargjet janë shprehje të një romantizmi tipik shqiptar, që realizmi socialist e katalogoi si romantizëm reaksionar. Ndikim nga romantizmi europian? Edhe nga neoklasicizmi, por tek Haxhiademi kjo vjen në një mënyrë krejt të tijën.
“Kanga Shekullore 1912-1937” mbyll me një baxhà të florinjtë këtë ndërtesë të rëndësishme të letërsisë shqiptare që mund të quhet pa mëdyshje Vila Përrallore “Lyra”.
Shkruar për ngritjen në piedestal të 25 vjeorit të pavarësisë të Shqipërisë, ajo shërben si një përcjellje e diellit në vargjet e këtij poeti unik. Strofat tetëshe edhe këtu janë ngritur nga vargje njëmbëdhjetësh me natyrshmërinë që i mbyllin rimat a, b, a, b, a, b, c, c, . Figuracioni letrar i harlisur si edhe në krijimet e trajtuara prej meje më lart i jep të drejtën kësaj poeme, bashkë me “Nymfat e Shkumbinit”, të jetë ndoshta nga më përfaqësueset e poetit. Goditja e përmendoreve të shndërruara në piramida të paskrupujsh është edhe aktualiteti i sjellë nga kjo poemë që trajton vërtetë lavdinë e 1912-s, por nëpërmjet indinjimit për shpërdorimin e lavdisë dhe të lirisë, të parë nga dritarja e vitit 1937.
Lexuesi arrin në vargjet e fundit të kësaj poeme por nuk është nginjur ende. Urinë për të njohur deri në fund poetin e shquar mund ta shuajë më tej vetëm duke lexuar tragjeditë e tij të mëdha, pasi edhe në to, si shumë kolegë të tjerë botërorë, Haxhiademi është poet i mirëfilltë, mjeshtër i rrallë i vargut, që tingëllon edhe si një muzikë harmonioze në veshin e lexuesit, sidomos me kadencat ritmike 1-2, 1-2, 1-2, 1-2, 1-2, (3), që dëshmojnë për nga melodia se Haxhiademi njeh mjaft mirë jo vetëm poezinë botërore bashkëkohore, por, dhe sidomos, edhe atë folklorike shqiptare. Sigurisht, të sjella tek “Lyra” në një mënyrë krejt origjinale.
Dhe tani pyetja më e vështirë për skematikët e mjerë: ku ta vendosim këtë poet? Cili është ubikacioni më i drejtë për të në yjetekën e artit shqiptar?
Ju lexojeni me vëmendje, skeptikë të kushtëzuar ende nga politika.
Sa për mua e për shumë të tjerë, Etëhem Haxhiademi është poeti më i shquar i të kaluarës së afërt. Ai duhet inkuadruar në studimet e letërsisë shqiptare si autor i viteve tridhjetë, më i ploti nga ana ideore, mjeshtër i ndryshueshmërisë së vargut, ai që më shumë se çdo tjetër ka mbrujtur jo vetëm romantizmin e vonë por edhe neoklasicizmin shqiptar, të çimentosur edhe nëpërmjet veprës dramatike.
Dhe jemi akoma në fillimin e njohjes së thellësisë së tij letrare. Blu e errët, si në qendër të oqeanit.