• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova për vazhdimin e Misionit të EULEX-it

June 10, 2016 by dgreca

Në foto: Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri parë, Hajredin Kuçi dhe zëvendëskryeministri Kujtim Shala në mbledhjen e qeverisë së Kosovës/
-Qeveria kosovare miraton projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë/

-Kryeministri Isa Mustafa: Qeveria vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë/

-Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi:  Mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti/

Nga Behlul Jashari-Gazeta DIELLI/ PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 92-të të rregullt, të 24-tën në vitin 2016, në të cilën ka miratuar projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

 Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa tha se qeveria e Republikës së Kosovës mbetet edhe më tutje e përkushtuar fuqimisht për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si një nga prioritet më të rëndësishme të qeverisjes së saj.

“Qeveria e ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me të gjitha mjetet institucionet e drejtësisë, prokurorinë, gjyqet dhe policinë që ta bëjnë punën e tyre në luftën kundër krimit dhe ndjekjen e shkelësve të ligjit, në mënyrë që vlerat vitale të shtetit tonë dhe qytetarëve t’u sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të jetuar dhe për të punuar”, tha ai.

Qeveria, vijoi Mustafa, vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

“Sot, me rastin e aprovimit të këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Njëkohësisht, vijoi ai, qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqendrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim.

“Ne jemi të vetëdijshëm se për vazhdimin e mandatit të EULEX-it duhet të vendoset në Kuvendin e Republikës së Kosovës jo më larg se më datë 14 qershor të këtij viti. Meqenëse është një afat i shkurt dhe kohë pushimesh, e që deputetët të njihen paraprakisht me përmbajtjen e këtyre projektligjeve, sepse kërkohet një shumicë e cilësuar, ne kemi vendosur që sot t’i procedojmë këto dy projektligje dhe që kurdo që paraqitet nevoja, të plotësojmë çdo kusht të nevojshëm formal”, theksoi kryeministri kosovar.

Ai njoftoi se, ditëve të fundit ka pas diskutime në nivel të institucioneve kosovare, respektivisht presidentit, kryetrarit të Kuvendit, qeverisë, përfshirë institucionet vendore të drejtësisë.

“Ka pasur takime edhe me përfaqësues të BE-së dhe të SHBA-ve, që janë dakorduar që edhe më tutje të vazhdojmë prezencën e misionit të EULEX-it në Kosovë”, theksoi Mustafa.

Kryeministri tha se është i informuar se presidenti i Republikës së Kosovës i ka dërguar letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Mogherini, ku së bashku me falënderimin për kontributin e EULEX-it viteve të fundit në sistemin e drejtësisë, poashtu është kërkuar që ky mision të vazhdojë me prezencën e vet në Kosovë edhe në vitet e ardhshme.

“Qeveria e Kosovës pret që në një të ardhme të afërt të kemi përgjigje pozitive edhe nga BE-ja, në mënyrë që të sigurohet baza ligjore dhe kushtetuese e vazhdimit të misionit të EULEX-it, që mos të ketë moment vakumi në trajtimin e rasteve penale, civile dhe kushtetuese, që janë në kompetencë të EULEX-it, që qytetarëve që janë subjekt i këtyre procedurave të mos iu cenohet e drejta për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, u shpreh Mustafa.

Si qeveri, siguroi ai, mbetemi thellë të përkushtuar që të ndërtojmë një shtet demokratik, të zhvilluar ekonomikisht si pjesë të familjes së vendeve të BE-së, gjithnjë duke thelluar partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë, por edhe në të gjitha fushat tjera dhe jemi të bindur se këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një nga aleatët tonë kryesorë në shtetndërtimin e vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.

 Qeveria e Kosovës, më tutje, miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

 Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar Projektligjin.

“Ashtu sikur e dimë tanimë, mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti, sikurse që është paraparë në letrat e shkëmbimit të Presidentes në atë kohë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014. Ne jemi të informuar se Presidenti i Republikës ka dërguar letër po ashtu për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë qysh në shtator të vitit 2015 ka hartuar një plan strategjik për transferimin e kompetencave”, tha Kuçi.

Ky plan, vijoi zëvendëskryeministri i pare, është ndarë në disa çështje që ka rëndësi të veçantë për institucionet qendrore, por edhe në raport me përfaqësuesit e BE-së. “Deri më tani kemi pasur si rrjedhojë të konkludimit të shumë negociatave të përbashkëta që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it dhe në muajt që kemi kaluar po ashtu kemi pas përfaqësues edhe të BE-së nga Brukseli, respektivisht edhe nga komanda për operacione civile por edhe përfaqësues të tjerë të BE-së që janë në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës, jemi munduar që ta koordinojmë në mënyrën më të mirë dhe ta unifikojmë këtë proces, duke e koordinuar aktivitetin në plotëni me presidentin e Republikës, me kryeministrin, me kryetarin e Kuvendit, po ashtu edhe me përfaqësuesit e gjyqësorit të Kosovës, përfshirë Këshillin Gjyqësor, Prokurorial, kryetarin e Gjykatës Supreme, kryeprokurorin e Shtetit nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë.

Natyrisht, vijoi ai, gjatë procesit të negocimit ne kemi tentuar t’i harmonizojmë qëndrimet dhe kompetencat tona.

“Kemi ardhur në përfundim që mandati i EULEX-it të vazhdojë edhe për së paku dy vite në Republikën e Kosovës, që nënkupton deri në qershor të vitit 2018. Po ashtu, jemi pajtuar së bashku me BE-në që EULEX-i të transferoj një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore të cilat konsiderohen të transferueshme dhe mund të trajtohen me sukses nga institucionet vendore. Në këtë drejtim, po ashtu, kemi propozuar që një numër i rasteve të cilat kanë filluar më herët të mbetën në kompetencë në kuadër të EULEX-it dhe transferi i tyre të jetë në mënyrë diskrecionale nga EULEX-i për një arsyetim dhe llogaridhënie që mund të jetë te institucionet vendore”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri i parë theksoi se, pozicioni, po ashtu, i BE-së por i dakorduar edhe me ne është që mandati i tre gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës të vazhdojë dhe në rastin eventual që ndonjëri nga ata të tërhiqet zëvendësimi do të jetë me gjyqtarë vendorë.

“Jemi pajtuar që të ketë vazhdim të mandatit të gjyqtarëve të EULEX-it në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në panelin e AKP-së dhe në panelet e tjera. Po ashtu, jemi pajtuar që të vazhdohet edhe më tutje në mbështetjen e EULEX-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe funksionalizimin e plotë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës, respektivisht në very”, tha Kuçi.

Kontributi i EULEX-it, vijoi zëvendëskryeministri i parë, do të vazhdojë edhe në shërbime tjera mbështetëse, qoftë ato procedurale, penale, hetimore, mjekësi ligjore, njësitë rajonale policore dhe të tjera.

“Natyrisht përmes shërbimeve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit te disa institucione ku nuk do të ketë kompetencë ekzekutive.  Në këtë drejtim ne kemi ngritur çështje që kanë të bëjnë në veçanti me raste të reja që i quajmë ne dhe ka nevojë që të ketë parasysh secili që të hartohet një plan strategjik i cili do të jetë i koordinuar me misionin e EULEX-it që parasheh afatet kohore dhe mënyrën e transferimit të kompetencave, por edhe hapjen e rasteve të reja. Çështje me rëndësi që është ngritur gjithsesi ka mbetur saktësimi i politikës së mundësisë për marrjen e rasteve të reja, që kjo paraqet një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit tonë deri më tani dhe po ashtu në raport me BE-në. Politikat e tilla të mundësisë së marrjes së rasteve të tilla duhet të definohen qartë edhe në rastin e ligjit, por edhe rrethanat e jashtëzakonshme që i kemi quajtur ne, që parashihen në raport edhe me BE-në. Në këtë drejtim ka mundësi që sipas shkëmbimit të letrave të ketë përjashtim për rastet e reja në këtë proces, në veçanti për panelet me shumicë të cilat do të jenë me kërkesë të arsyetueshme të kryetarit të Gjykatës Supreme dhe me kërkesë të EULEX-it dhe miratim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku në raste të caktuara mund të jenë të panelit të përbërë nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it. Po ashtu, dua të them që transferimi i këtyre lëndëve te institucionet vendore mund të bëhet në cilëndo fazë me një arsyetim të veçantë. Ndërsa duhet të pranojmë faktin se nuk kemi arritur të konkludojmë në tërësi marrëveshjen finale me BE-në sa i përket qëndrimit të rasteve të reja që mund të merren nga prokurorët e EULEX-it pa një pëlqim paraprak nga kryeprokurori i shtetit. Natyrisht se është një mision në interesin tonë por besoj edhe të vetë BE-së të kemi një mision të BE-së edhe për një kohë në Republikën e Kosovës për krijimin e kapaciteteve tona dhe po ashtu të kemi parasysh që t’i ngrisim kapacitetet tona dhe të jenë të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që duhet. Këto dokumente sot paraqiten për miratim në qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i pare, Kuçi.

Më pas, kryeministri Mustafa tha po ashtu se qeveria do të mbetet gjithmonë e hapur deri në mbledhjen e Kuvendit, që çdo çështje edhe më tutje duhet të harmonizohet ose të plotësohet çdo formalitet ligjor i nevojshëm.

 Kabineti Qeveria, pas shqyrtimit aprovoi edhe plotësim-ndryshimet e Projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.

 Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar këtë pikë.

“Natyrisht, në reflektim të letrës së presidentit të Republikës së Kosovës dhe të projektligjit paraprak që miratuam, që besoj se do të miratohet fillimisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pastaj do të reflektoj edhe në këtë projektligj që ndërlidhet me ndryshimet e mundshme për mandatin e  EULEX-it në Kosovë.

Ky projektligj ka për qëllim që t’i përshtat ndryshimet që ndërlidhen me ligjet në vijim, që ka të bëjë me mandatin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në vendin tonë. Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës natyrisht se do të pësojë ndryshimet e veta, po ashtu edhe ndërlidhet edhe me ligjet e tjera që ka kompetenca misioni i EULEX-it në Kosovë. Në veçanti, Ligji mbi juridiksionin dhe kompetencat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit që ndërlidhet me mandatin për sundimin e ligjit në vendin tonë si dhe Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, tha Kuçi.

Ai vijoi se, në reflektim të letrës, këtu parashihet edhe mundësia e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për dy vitet e ardhshme që mendoj Kuvendi i Kosovës në ligjin paraprak do të reflektoj. “Natyrisht që ky Projektligj, e përmenda edhe më herët pikën që e ka dalluese e të gjitha tjerat takuese, e ka atë që ka të bëjë me rastet e reja. Unë jam i bindur që me propozimin tonë do ta zëmë afatin kohor për miratim në Kuvendin e Kosovës, se data 15 në orën 24:00 do ta zë Kosovën me një vendim për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Në këtë drejtim besoj që edhe Qeveria e Kosovës, edhe Presidenca, po edhe Kuvendi i Kosovës, do të kryejmë detyrat tona në mënyrë që me datën 16 misioni i EULEX-it të ketë bazën legale për funksionim në vendin tone”, përfundoi Kuçi.

 Kryeministri Mustafa, tha se sipas procedurës, Kuvendi njëherë duhet të aprovojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare, i cili pastaj krijon bazë që aprovohet ndryshimi dhe plotësimi i projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it.

“Kështu që, ky Projektligj mund të trajtohet në Kuvend vetëm pasi që të aprovohet i pari. Qëllimi jonë ka qenë që ne t’ua prezantojmë këtë Projektligj deputetëve, në mënyrë që ata ta lexojnë dhe ta kenë të njohur. Pastaj, në qoftë se Kuvendi kërkon ndonjë procedurë formale tjetër nga ne, ne ndërkohë do të plotësojmë të gjitha procedurat formale”, tha kryeministri Mustafa.

 Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane KfW Frankfurt Am Main për programin “Masat e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në Nivel Komunal në Kosovë”.

 U aprovua edhe projekt-rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Eulexi, Kuci, Mustafa

EULEXI, Gjermania dhe vendosja e ligjit në Kosovë

June 29, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri/

Shumica e banorëve të vendit,me gjithë heshtjen e pakuptueshme e cila vazhdon,deklarohen se janë për vendosjen e rendit dhe drejtësisë,si dhe për sjelljen para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë bërë krime,apo çfarëdo të dyshuari tjetër i cili mund të ketë vepruar kundër ligjit,në dëm të popullit dhe shtetit të tyre.

Madje,shqiptarët e varfër nëse i referohen vetëm Raportit të “Freedom House”, dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ata vërtetë kanë arsye të forta për tu brengosur dhe ndjerë tejet të shqetësuar, sidomos për shkakun serioz,që në këtë raport përmend përfshirjen në krime të zyrtarëve dhe qeveritarëve të vendit, veçantë në trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndaj,nëse vërtetë EULEX-i, është i ftuar nga qeveria e Kosovës, për çuarjen e drejtësisë në vend,atëherë është e natyrshme të kërkohet me këmbëngulje nga ky mision që ta kryej si duhet detyrën e tij dhe ti vejë para përgjegjësisë të gjithë të dyshuarit për çfarëdo lloj keq-bërje, anë e mbanë vendit, që nga ato të luftës-nëse ka të tilla në mesin e shqiptarëve, deri te çrrënjosja e krimit të organizuar,korrupsionit,e nepotizmit apo çfarëdolloj krimesh qofshin ato.

Duke u nisur nga këto sa u thanë, çudit fakti sesi disa njerëz marrin guximin jo vetëm të kundërshtojnë përpjekjet e misionit të BE-së, për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Evropës.

Madje ata, kritikojnë e ngrihen hapur si kundër EULEX-it, ashtu edhe kundër Gjermanisë dhe diplomatit të saj Bernd Bochard, i cili për momentin udhëheq këtë misionin të sigurisë në Kosovë,edhe pse si për ndihma e investimeve ashtu edhe për mbështetjen politike ndaj Kosovën,pas Amerikës, vendin e parë në kontinentin e vjetër e mbanë Gjermania e cila padyshim ofron më së shumti nga i gjithë Unioni Evropian, për vendin tonë.

Përveç tjerash, edhe ushtarët gjerman janë të përqendruar në pikat më nevralgjike të vendit,dhe tregohen më të vendosurit për sigurimin e rrugëve dhe lëvizjes së lirë në veri ,duke kontribuar kështu drejtpërsëdrejti në ruajtjen e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës, pa harruar trysnin shtetërore të Gjermanisë mbi Serbinë, që ajo detyrimisht, të bëj implementimin e marrëveshjes së arritur me vendin tonë.

Të gjithë e dinë se as EULEXI,nuk erdhi vetë këtu, ai u ftua nga qeveria jonë për ta ndihmuar atë në vendosjen e ligjit dhe shtet-ndërtimit,ringjalljen e gjyqësorit – nga vdekja klinike, që për kohë të gjatë pothuajse fare nuk funksionon dhe instalimin e së drejtës e cila në Kosovë,gati se nuk ekziston.

Sepse,që shumë kohë,siç është e ditur tanimë për të gjithë, në këtë pjesë të Evropës ku bën pjesë edhe Kosova,tash e 14 vite,asnjëri nga këto komponentë jetike, nuk lejohet të arrihet nga pengesat që nxjerr, kuazi – “drejtësia” e korruptuar vendore.

Megjithatë,disa nga shqiptarët shajnë e ofendojnë,jo vetëm udhëheqësin momental të këtij misioni,diplomatin gjerman- Bernd Borchard, por nuk kursejnë as atdheun e tij Gjermaninë, të cilët si “mbiekspert” që mbahen,nuk hezitojnë t`ua kujtojnë atyre Nyrnbergun dhe procesin e drejtësisë të mbajtur para afro 70 vitesh atje.

Gjermanët edhe Nyrnbergun ditën ta kalonin burrërisht dhe përjetonin në mënyrën më njerëzore,duke e trajtuar si diçka të hidhur por të pakthyeshme dhe që i takon vetëm të kaluarës.

Ndaj,pak kush,mund ta sqaroj,këtë far lloj “krahasimi” cinik,pasi që shumica dërmuese e popullit gjerman me gjithë dhembjet,pranoi zbatimin e drejtësisë në vendin e tyre,njohu forcat Amerikane si çlirimtare nga nazizmi,si dhe u pajtua me stacionimin e forcave aleate të Amerikës në Gjermani,pra ushtarët Anglez dhe Francezë,të cilët ishin rivalët më të mëdhenj të të gjitha kohërave për gjermanët,me të cilët u përballën gjatë dhe përgjakën deri në fund të luftës së dytë botërore.

Pra,unë nuk shoh kurrfarë pikëtakimi në mes gjykimit të Nyrnbergut dhe veprimeve të tanishme të EULEX-it, edhe nëse ky mision përpiqet të vendos rendin e munguar dhe forcoj ligjin sipërfaqësor të pakët dhe jofunksional në vend,si dhe bëjë sjelljen e ndonjë të dyshuari para drejtësisë në Kosovë, gjë që e ka për detyrë si obligim i marrë përsipër,me bekimin shtetëror të Kosovës?!

Ndaj,athua nuk janë të vetëdijshëm “publicistët” e tillë, të cilët nuk hezitojnë të shkruajnë edhe pa argumente kundër Gjermanisë,apo nuk duan ta shohin realitetin dhe pranojnë faktin e pamohueshëm se që nga paslufta,ata që përgjaken për Kosovën,nuk janë më shqiptarët, por pjesëtarët e KFOR-it, ndërkombëtar në ballë të të cilëve qëndrojnë ushtarët e Gjermanisë.

Për Kosovën,jo vetëm ushtarët dhe shteti gjerman,por pati edhe individ të këtij nacionaliteti të madh,si Roland Bartezko i cili në moshën 30-31vjeqare, sakrifikoi rininë dhe lirinë e tij ,duke u dënuar me 23 vite burg për hedhjen në erë më 18 Prill të vitit 2001, të ish zyrave të MUP-it,serb në Prishtinë.

Për ata që me kalimin e viteve mund të kenë harruar, menjëherë pas luftës, strukturat e larta shtetërore të policisë së fshehtë të Serbisë, u kthyen pa asnjë pengesë, si “në shtëpi të babës së tyre” dhe patën zënë vend në mes të kryeqytetit të vendit tonë,ku vepronin të lirë e të pa trazuar nga shqiptarët-duke lëshuar dokumente ilegale serbe dhe sfiduar hapur shtetin e Kosovës,mu në mes të Prishtinës.

Por, falë një trimi gjerman, kjo do të zgjaste vetëm deri më 18 Prill të vitit 2001,kur nga parashutisti i atëhershëm,31 vjeçar Roland Bartezko, do të vritej hiq më pak se vet Koloneli Aleksandër Petroviq ,njeriu më i fuqishëm në shërbimin sekret serb dhe udhëheqësi kryesor i byrosë serbe në Prishtinë, për lëshimin e pasaportave të Serbisë, banorëve shqiptar në Kosovë.

Madje,është e ditur për të gjithë se edhe ushtarët gjerman jo vetëm vitin e kaluar u përgjakën disa herë nga barrikadistët dhe ekstremistët serb në pjesën veriore të vendit tonë, të cilët edhe tani,sot e përditë përballen me këto struktura funksionale dhe të organizuara serbe,në përpjekje për mbajtjen e rendit dhe qetësisë, për aq sa është e mundur në atë pjesë, ku këmba shqiptare, ende nuk guxon të shkel e lirë.

Kurse shembulli më i freskët është marrëveshja me Serbinë e cila implementon pjesë që ajo dëshiron dhe vetëm aq sa asaj i nevojitet për afrim me Bashkimin Evropian.

Ndaj,edhe kur para lojërave të saj të pandershme,të gjitha shtetet tjera të BE, heshtin,bile derisa edhe vet kryeministri aktual i Kosovës në vend se të konsultohet me kabinetin e tij,ai vendos me Daqiqin që në Bruksel, se kur duhet të mbahen zgjedhjet e radhës në vendin tonë të lirë, “sovran”, e të “pavarur” vetëm Gjermania nga i gjithë Unioni Evropian,është ajo e cila hapur i vë kushte qeverisë së Serbisë për lehtësimin e procesit të shtet-shtrirjes së Kosovës, ne gjithë territorin e saj.

Ajo e vetmja, kërkon publikisht nga Serbia, shuarjen e strukturave paralelo-pushtuese në Veriun e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,duke pamundësuar edhe marrjen e datës së fillim-bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE, pa implementimin në praktikë të marrëveshjes së arritur me 19 Prill, në mes të Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel.

Duke u nisur vetëm nga faktet e lartë-cekura,secili që mendon sado pak,bindet menjëherë se sjelljet dhe vjelljet e pakontrolluara të disa shqiptarëve, sa janë të padrejta-po aq, janë edhe të pamoralshme,ndaj një vendi mik-siç është Gjermania.

Ajo, falë mundësive të mëdha politike dhe ndikimit të gjithanshëm ekonomiko-financiar që ka në BE ,praktikisht bënë shumë më shumë, se shumica e shteteve tjera të këtij unioni,e padyshim-edhe shumë më tepër se vet Kosova dhe dy shtetet shqiptare bashkë, për implementimin e marrëveshjes,në rast nevoje-edhe me vënie kushtesh e detyrim,si asnjë vend tjetër në rajon,sa herë që kjo mbetet si e vetmja gjuhë të cilën e kupton Serbia.

Ndaj në një vend dhe shtet funksional, ku sundon rendi dhe ligji, nuk do të mund të paramendoheshin veprime të tilla të ulëta, që edhe miqve më besnik, tu rezervohen trajtime këso-fare, me fushata fyese e denigruese ndaj tyre, duke i quajtur edhe antishqiptar shkelës të vlerave dhe të motivuar politikisht, pa pasur arsyetime bindëse.

Tendencat si këto, rrezikojnë bllokimin e plotë të sistemit të drejtësisë edhe ashtu të degraduar totalisht në Kosovë, si dhe mos-zbardhjen për shumë kohë të vrasjeve të pa zbuluara, korrupsionit dhe padrejtësive tjera të shumta të cilat vazhdojnë ti rëndojnë gjithnjë e më tepër, fatkeqësitë e njerëzve edhe sot në Kosovë.

Veprimet e EULEX-it,duhet të shihen si ndihmë ndaj shtetit dhe atyre që ende vuajnë për më të dashurit e tyre të vrarë e të pagjetur deri në këto kohë, pasi që sistemi mafioz i gjyqësisë së korruptuar të Kosovës,për 14 vitet e pasluftës nuk qe asnjëherë ne gjendje të zbardhë çfarëdo rasti, qoftë edhe një të vetëm- me rëndësi,i cili do të na bënte krenar dhe meritonte të përmendej.

Nga zhvillimet e deritanishme është e njohur për secilin se jo vetëm drejtësia e cila në kuptimin e plotë të fjalës,përveç shkrimit të saj në letër si teori, praktikisht në Kosovë ajo nuk ekziston fare, kështu që shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa ndihmën e Amerikës dhe të BE-së, ata nuk mund të ecin si popull dhe as mbijetojnë si shtet, ndaj nëse ne nuk jemi në gjendje që ti zgjidhim vet problemet tona të grumbulluara në shtëpinë ku jetojmë,ky është faji i ynë e jo i EULEXI-it, dhe as i shtetit gjerman.

BE dhe Gjermania,nuk mund të fajësohen, vetëm pse sistemet e tyre juridike,nuk parashikojnë shpërblime për korrupsion dhe dekorata e mirënjohje për keqpërdoruesit e mundshëm të ligjit dhe të jetës së njerëzve, siç mund të praktikohet në ndonjë rast në Kosovë,por veprojnë konform ligjit dhe kërkojnë sjelljen e cilit do të pandehuri të mundshëm për çfarëdo dyshimi qoftë, para drejtësisë për tu vërtetuar fajësia apo edhe pafajësia e tyre e mundshme.

Madje njeriu çuditet me të madhe sa herë dëgjon pyetjet e njerëzve si kjo; pse EULEX-i, nuk arreston edhe kriminelët në Serbi.

Pyetja është e arsyeshme dhe plotësisht me vend,por në adresë të gabuar, megjithëse është e kuptueshme që fajtorët duhet arrestuar kudo qofshin ata, por një gjë shqiptarët duhet ta kenë parasysh edhe në raste të tilla, sepse Kosova fatmirësisht-njëherë e përgjithmonë është divorcuar nga martesa e dhunshme me Serbinë,ndaj ne jemi shtet më vete i lirë dhe i pavarur,kurse misioni i BE-së,është i ftuar nga qeveria e vendit, për veprim me mandat të kufizuar kohor e hapësinor,dhe vetëm brenda territorit të Kosovës,duke mos guxuar nga rezoluta e famshme e OKB-së, ti prekë as serbët nën juridiksionin e Serbisë në veriun e Kosovës.

Kështu që edhe po të donte Shefi i EULEXI-it,gjë për të cilën unë personalisht jam i bindur se Bernd Borchard e dëshiron,por misioni të cilin ai udhëheq,nuk ka mandat ligjor,as fuqi juridike, të kaloi dhe bëj arrestime në territorin e Serbisë, e as në veriun e Kosovës,të administruar ende nga serbët, ani pse atje dihet se ka shumë kriminel dhe keqbërës të panumërt,sidomos ndaj shqiptarëve, përgjatë gjithë kohës së pushtimit si dhe gjatë zhvillimit të luftës në Kosovë.

Pra,është koha e fundit që edhe shqiptarët të mësohen dhe kuptojnë se të gjithë pa dallim janë të barabartë para ligjit,ndaj më në fund duhet të bëhet e pranueshme edhe për ata, se cilido që mund ta ketë thyer ligjin,është e natyrshme të bart përgjegjësi penale dhe të jap llogari para drejtësisë, për çfarëdo vepre antiligjore.

Për fat të mirë,ne si shtet i ri, në këtë drejtim kemi edhe ndihmën e Amerikës, Gjermanisë, misionit të BE-së etj, të cilët jo vetëm se kontribuojnë për vendosjen e rendit dhe ligjit në vend,por ata na mbështesin dhe përkrahin edhe në rrugën e shtet-ndërtimit tonë,pranimin e Kosovës në të gjitha institucionet me rëndësi ndërkombëtare si dhe njohjen e saj kudo në botë.

Madje shtetet tona mike,tregojnë shumë durim me ne, edhe duke na shpjeguar me dashamirësi se në Kosovë, nuk gjykohen njerëz vetëm për krime ndaj serbëve por edhe ndaj shqiptarëve,siç gjykohen për korrupsion e keqpërdorime tjera që bien ndesh me ligjin, në vendin tonë.

Gjermania jo vetëm se është mbështetësja jonë e drejtpërdrejtë më e madhja dhe më seriozja në të gjitha fushat dhe pikëpamjet,e dëshmuar për miqësi të sinqertë dhe përkrahëse kryesore për të gjitha proceset që zhvillohen në vendin tonë, por ajo është edhe shembulli më i mirë për ligj dhe drejtësi në rajon,nga e cila neve na duhet ende ndihmë e gjithanshme dhe kemi nevojë të mësojmë shumë.

Ndaj edhe veprimet e EULEX-it,i cili është ftuar nga qeveria si mision,nëse janë në interes të vendit, forcimit të ligjit,vendosjes së drejtësisë dhe në të mirën e popullit tonë,megjithëse aty këtu ato kundërshtohen me forcë, për qëllime ende të pa- shpjeguara tërësisht, atyre duhet t`u bashkohen edhe organet vendore,në mënyrë që më në fund të mësohen shqiptarët kudo se Kosova nuk është pronë e individëve por shtet i banorëve të saj, ku përfundimisht duhet të vendoset ligj i njëjtë për secilin dhe sundojë drejtësi e barabartë për të gjithë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Eulexi, Gani Qarri, gjermania, vendosja e ligjit ne Kosove

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT