Nga Fadil LUSHI/ Disa ditë më parë lexova një opinion gazete dhe, mes të tjerash, më ra në sy një koment i shkurtër, por kuptimplotë, rreth një shkrimi, ku thuhej edhe: “E gjithë kjo katrahurë është pasojë e skamjes sonë mendore!”. Se ky koment ishte pronë e mbamendjes së ndonjë studenti, arsimtari apo dikujt tjetër, nuk është me rëndësi, për ne është me vlerë fakti se kjo fjali reflekton një filozofi, por po aq dhe një urtësi popullore. Thonë se skamja materiale disi mund të kapërdihet, “por skamja mendore” assesi nuk mund të tejkalohet, pasi kjo e fundit i pjell të gjitha skamjet e tjera, qofshin ato materiale, morale, kulturore, gjuhësore, arsimore, historike, filozofike, politike e të tjera. Parashtrohet pyetja, a mos vallë kjo thënie sot e gjithë ditën e Perëndisë duhet të ngelë jashtë vëmendjes a ndërgjegjes sonë kolektive…, a mos vallë është një mendim i shtrembëruar a i sajuar ose, në instancë të fundit, kështu siç lakohet duhet t’i vihet pika. Gjithsesi, jo. Pavarësisht si mund të interpretohet kjo e thënë, ne besojmë se i shkon këtij vështrimi gazete të radhës, ndonëse, miqtë që m’i lexojnë mendimet më thonë se në aspekt të fjalorit gazetaresk, (“kinse”) i kam paksa agresive a të rebeluara. Edhe përtej faktit se ata kohë pas kohe më “paragjykojnë” dhe me të “drejtë reagojnë”, ne do të vazhdojmë t’i nderojmë me opinionet në fjalë deri sa ata nuk do të bezdisen e nuk do të thonë mjaft më. Nëse ne kemi të drejtë, të vazhdojmë të shkruajmë, atëherë do t’i referohemi datës 14 qershori të motit 2014, kur në një rrjet social, deputeti Nard Ndoka, përçoi a e bëri të ditur këtë haber: “Një lajm shumë i mirë për besimtarët katolikë dhe për Shqipërinë, më datë 21 shtator, Papa Françesku do ta vizitojë vendin tonë. Vëmendja e gjithë botës do të jetë te Shqipëria, bekimi i Papës Françesku do të jetë për ne”, shkruante Ndoka në Facebook.
“Arabaxhiu” i nderuar më tha: “Kur Papa Françesku vajti në Tiranë kishte ndërmend që shqiptarëve toptan t’u përcjellë mesazh paqeje, pavarësisht se ata janë katolikë, myslimanë, ortodoksë, bektashinj dhe afetarë, mesazh për “piktorin”, mesazh urimi për “doktorin”, për “Lulin”, për “pasanikun”, për “fukaranë”, për gegët, për toskët, për fusharakët, për malësorët, për veriorët a për jugorët, për të katandisurit, për gjyqësorin e korruptuar, për ata që janë pronarë të kioskave ku shesin “gazeta fakultetesh” dhe për shumë të tjerë (jo) të tillë si ata. Pos këtij mesazhi, ai edhe i bekoi gjithë shqiptarët (Eh, punë e madhe se Papa Françesku i paskësh bekuar shqiptarët, kur këta nuk bekojnë njëri-tjetrin!?). Paçka se Papa Françesku bekoi edhe ata që ndihen inferiorë, edhe ata që ndihen të kompleksuar, edhe ata që janë të anashkaluar, edhe ata që “padrejtësisht” ndihen të privilegjuar, edhe ata që parapëlqejnë ta transmetojnë fjalën e lirë a atë fjalën a mendimin ndryshe. Ani se Ai, bekoi edhe njerëzit apo “djajtë me fytyrë engjëllore a të veshur me kostumin e njeriut me shpirt të pastër!”…, ani se uroi dhe bekoi njerëzit mendjemëdhenj të cilët nuk parapëlqejnë dhe denjojnë të identifikohen me njerëzit e rëndomtë…, ani se bekoi njerëzit që fëmijët e tyre nuk duan t’i identifikojnë me ata të fukarasë, paçka se i bekoi fëmijët e jetimores së Tiranës, kur atyre edhe më tej u mungon ajo përkujdesja serioze institucionale, ani se i bekoi edhe ata fëmijë të cilët gjithë ditën bredhin rrugëve për të mbledhur kanoçe, paçka se bekoi fëmijët romë me buzë të mavijosura, kur ata edhe më tej frekuentojnë udhëkryqet e kryeqendrës në kërkim të njerëzve që japin lëmoshë, ani se i uroi edhe i bekoi zyrtarët që vodhën lekët që Evropa ua kishte destinuar të pastrehëve, paçka se bekoi viktimat a të përndjekurit dhe të burgosurit politikë të Enverit që sot e kësaj dite nuk gëzojnë të drejtën e dëmshpërblimit, ani se i bekoi (post mortum) klerikët që pësuan në vaktin e diktaturës, qofshin ata përkrahës e pasues të katolicizmit, qofshin myslimanë, bektashinj dhe ateistë…, ani se i uroi dhe i bekoi njerëzit që kanë me bollëk dhe që të marrin për fukara dhe për injorantë…, ani se i uroi dhe i bekoi shqiptarët nga Kosova, kur atyre nuk ua njeh sovranitetin e shtetit të tyre, paçka se u tha se kjo çështje nuk është e protokolluar në agjendën e vizitës së tij dhe shumë të tjera “paçka a ani se”.
Se këtë mesazh paqeje dhe këtë bekim e kishte me tamam, nuk e kishte, pasi ditën që braktisi vendin e shqiponjave, nuk i doli “hesapi” as atij, por as neve, as Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, as Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, po as partive të tjera minore…, paçka se i uroi dhe i bekoi të përzgjedhurit e popullit, kur ata në parlamentin a kuvendin e Republikës së Shqipërisë, bënë hallakamën, aty ku turfulluan atë zhurmën e mbytur, të zgjatur e të rëndë, aty ku shfrynë tërë inatin e tyre të akumuluar kundër kundërsh-tarit, kundër vëllait, motrës, kundër gjithsecilit që mendon ndryshe. Ani se Papa Françesku uroi dhe bekoi edhe njerëzit e veshur me kostumin politik, kur këta të fundit në institucionin ligjdhënës e shndërruan mendjen e shëndoshë në grushte, në fyerje më të ulëta, në mendje të trazuar, në fjalor rrugaçërie, ani se i bekoi deputetët kur këta, në vijimësi anashkalojnë a deformojnë edhe atë pak imazh të shtetit, që pretendon strukturat euro-atlantike…, paçka se i bekoi deputetët e inatosur dhe me mendje të trazuar, deputetë të cilët në vijimësi “ i shkojnë pas avazit të sherreve”. Punë e madhe se na solli paqe mes fesh, mes komunitetesh fetare, kur mungon ajo paqja partiake a politike, apo ajo filozofia e politikëbërjes së mirëfilltë, çka se na bekoi, kur neve na mungon ndjenja vetjake a kolektive e përgjegjësisë morale për sjelljet dhe veprimet ndaj të tjerëve dhe atdheut, çka se i marrim uratat, kur ato në vijimësi i përqeshim a i tallim (Fjala e urtë popullore thotë: “S’bëhet vreshti me urata, po me shata e me lopata”…, po edhe me urtësi)…, paçka se na uroi, kur neve përherë na mungon llogaridhënia përpara sovranit dhe votës së tij deliberative.
Paçka se ne vazhdojmë të shkruajmë për këtë mesele, paçka se Papa Françesku na uroi e na “lavdëroi” për paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin në politikën shqiptare, kur në kuadër të “… debatit të Komisionit të Ligjeve degjeneroi përleshja fizike mes deputetëve të shumicës dhe opozitës. Në atë sherr u përfshinë deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe socialistët Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga. Sherri u konsumua në korridorin e kryesisë së Kuvendit , ndërsa mes Prengës e Strazimirit pati edhe përplasje fizike. Zanafilla e përplasjes mes ligjvënësve erdhi pas deklaratave të deputetit demokrat Gent Strazimiri në Komisionin e Ligjeve!?”. E bekuar (dhe e lavdëruar) qoftë mendja e shqiptarit! Dhëntë Zoti!!!
“KUJDES, MOS MË BËHESH PRE E MARRËZISË NË SHQIPËRI!“
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Kjo ishte porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në vitin 1914 u nis drejt Shqipërisë. “Ndoshta në momentet e zbarkimit në portin e Durrësit, këto fjalë paralajmëruese të xhaxhait të tij të madh, i kishin mbetur vath në vesh të tij”.
Miqtë e mi të nderuar, ndonëse unë me profesion nuk jam historian, do të kërkoj falje nga njerëzit të cilët merren me studimin e së kaluarës njerëzore. Do të bëj përpjekje që në këtë shkrim gazete të radhës assesi të mos e zvetënoj hisen dhe kontributin që i kanë dhënë dhe që i japin ndriçimit të antropologjisë humane dhe emancipimit të çështjes së kauzës shqiptare. Fillimisht shkrimin do ta nis me një kalorës të vonuar shumë të “katandisur” (që më pastaj të vazhdoj artikulimin e kryefjalës), i cili realitetit tonë politik ia ka hedhur sytë së prapthi. Se është i marrë, i marrë është, dhe këtu nuk ka vend për të dyshuar dhe diskutuar, se “është syrtyk”, është “syrtyk” me tamam, edhe këtë e dimë dhe të tjerët e dinë, se është paksa i vonuar në zhvillimin mendor, është goxha i vonuar, se është bërë pronar i deleve të qehajait, edhe këtë e dimë, se i qeth delet dhe leshin e tyre e shet për lesh…, se ua rrjep lëkurat edhe këtë e dimë, se dikur e hiqnin zvarrë si ata zagarët e pashait…, se për nga fjalori duket si debil…, se për nga veshja duket si çun Stambolli, për nga këpucët si aga Anadolli…, se në “fiqir” duket si shpellar dhe trap…, edhe këtë e kemi si informacion, por ama se do ta “thante atë gotën e mbushur me ujin e Skraparit”, me një frymë dhe me një gëlltitje, lëre që hiç nuk ma kapi “fiqiri”, por edhe nuk doja të besoj. Jo se kishte “takat” (atë moti kohë e kishte lënë), por pse e bëri me inat dhe për inatin tim…, kishte marrë ca “habere” se unë kisha hequr dorë nga kjo e keqe. Më tha – nëse je burrë nuk do të thotë se je mur prej “qerpiçi”…, ia ktheva – nëse nuk jam burrë mund t’i “kthehem origjinës dhe identitetit!?”. Dhe, papritur ky kalorësi i vonuar, shpërtheu njësoj si ai “budallai” që padrejtësisht dhe i paftuar merr vend në ndejën e njerëzve të urtë. Mbase këtë shpërthim e ka të trashëguar. Historia e këtij “syrtyku” nuk është i veçantë…, me një të tillë shpërthim do të karakterizohen edhe ca shqiptarë të cilët dikur moti mëtuan të bëjnë politikë!?
Historia jonë shekullore shpjegon a lakon edhe këtë fakt: shqiptarët, sa herë që shpërthejnë dhe rebelohen, aq herë e përjashtojnë dhe e nëpërkëmbin qetësinë dhe urtësinë, aq herë e anashkalojnë tolerancën, aq herë i ngatërrojnë parimet dhe aq herë shtrembërojnë buzët, sa herë do të shpërthejnë, aq herë do të ngatërrojnë mendimet a atë filozofinë puro shqiptare.
Shpërthimi i parë i shqiptarëve do të hetohet “…, më datë 21.2.1914, kur në një banket të madh (diku në një cep të Evropës “hileqare”), shoqëruar me muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan…”
Se kjo ishte një diletantizëm dhe një marrëzi politike e parë dhe e fundit nuk ishte. Sot, të thuash se në atë kohë Shqipëria nuk kishte një figurë politike që do të udhëhiqte vendin, do të ishte një marrëzi. Kjo marrëzi nuk ishte e fundit. Një e tillë me shumë gjasa do të përsëritet së shpejti në rastin e institucionit qendror, siç është rasti i bankës së Shqipërisë, ku kohë më parë ndodhi ajo “hajdutëria çerekshekullore”…, si dhe çështja e guvernatorit të Bankës në fjalë. Gjithandej diskutohet a lakohet emri i një trashëgimtari të Ardian Fullanit!? Për këtë dhe arsye të tjera, me të drejtë nga ana e Presidentit do të vijë një shpërthim zemërimi, me çka sipas tij duhet të shuhen përfundimisht shpresat për një guvernator të huaj për bankën e Shqipërisë. Tekefundit, Kushtetuta parashikon që në krye të bankës shqiptare duhet të qëndrojë një guvernator shqiptar dhe jo i huaj. Parashtrohet pyetja a mos vallë edhe pas 102 vjetësh, na duhet një Princ Vid, i cili do të ulet këmbëkryq në kryeminderin e thesarit shqiptar, a mos vallë ky guvernator “jabanxhi” do t’i shërbejë bankës apo do ta sundojë atë, a mos vallë Shqipëria, sot nuk ka “burra, gra dhe vajza a djem të aftë për të marrë në dorë fatet e vendit”, a mos vallë shqiptarët edhe sot e kësaj dite duhet të konsumojnë gjellët e kuzhinave politike të së shkuarës, të asaj të Konferencës rospi të Londrës, a mos vallë nuk ndërgjegjësohemi e të themi se ato vakte për ne shqiptarët ishin disfatiste, a mos vallë ato vakte nuk janë të tejkaluara e të harruara.
Të thuash se njerëzit që hedhin këto ide a propozime për institucionin e guvernatorit janë “axhami”- nuk janë, të thuash se vrapojnë pas pushtetit – vrapojnë…, por ama të mos thuash se e gjithë kjo është budallaki, atëherë vetë je budalla.
Shpërthimi i fundit u hetua para 9 muajsh, kur me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit u ngrit Komisioni për rishkrimin e historisë së sistemit parauniversitar në Shqipëri. Kryetar i këtij Komisioni u emërua Paskal Milo, një ish-diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo ide është vërtet humane dhe emancipuese, por ama që kaptinën e Luftës Nacional-Çlirimtare a periudhën e komunizmit në Shqipëri do ta shkruajë historiani gjerman, Fisheri (jo Princ Vidi), është jashtë çdo logjike. A mos vallë prapë të huajt do të na e shkruajnë historinë…, a mos vallë këndvështrimi i tyre do të jetë më “objektiv” se yni, a mos vallë ata nesër nuk do të akuzohen për “njëanshmëri” apo, në instancë të fundit, do t’u themi “faleminderit që edhe kësaj radhe ndërmjetësuat a futët hundët në punët tona dhe që na e shkarravitët të kaluarën tonë pavarësisht si ishte ajo!??”. Të gjithë ata që do t’i besojnë kësaj ideje a këtij propozimi, o janë të marrë, o janë “hyzmeqarë të pagdhendur”, o janë “topallë mendorë”. Kjo mesele i vjen njësoj sikur ujkut t’ia varësh në qafë mëlçitë e qengjit…, dhe ti, vëlla i dashur, mendon se ujku nuk do t’i hajë ato mëlçi.
Thonë se çdo “tenxhere” kërkon kapakun e vet, pavarësisht se çfarë çorbe zihet në të…, qoftë ajo të jetë e fukarasë a e pasanikut, qoftë evropiane a shqiptare.
“LAPIDARËT” DHE SHQIPTARI ME “FENER” NË DORË!
Nga Fadil LUSHI/
Që ky vështrim i radhës të jetë deri në fund i strukturuar dhe që të mos krijojë huti te miqtë tanë, s’do mend se fillimisht na duhet të gjykojmë argumentet dhe pastaj na duhet t’i referohemi (si gjithmonë) Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe në lidhje me dy fjalë a nocione, siç janë: HESHTJERËNDË mb. poet. Që e ka mbuluar një heshtje e thellë, ku s’pipëtin asgjë; që rri në heshtje dhe është shumë i ngrysur; që është mbuluar nga heshtja e plotë. Njeri heshtjerëndë…, rri heshtjerëndë dhe, ZHURMËMADH mb. 1. Që nxjerr shumë zhurmë, që bën zhurmë të madhe, i zhurmshëm. Lumë (përrua) zhurmëmadh. Ujëvarë zhurmëmadhe. Aeroplan (traktor, tank) zhurmëmadh. 2. Që ka shumë lëvizje dhe zhurmë, i zhurmshëm; që bëhet me zhurmë të madhe. Jetë zhurmëmadhe. Dëfrim zhurmëmadh. 3. Që flet me zë të lartë, që bën zhurmë e rrëmujë; i zhurmshëm. Njeri zhurmëmadh. Të rinj (fëmijë) zhurmëmëdhenj. Turmë zhurmëmadhe. 4. keq. Që bëhet qëllimisht me shumë zhurmë e bujë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve; i bujshëm, zhurmëshumë. Mbledhje zhurmëmadhe. Deklarata zhurmëmëdha. Reklamë (propagandë) zhurmëmadhe.
Tekefundit, parashtrimi i argumenteve tona si dhe (ri)shpjegimi i dy nocioneve të lartpërmendura, besojmë se do përjashtojnë çdo keqkuptim a përplasje me lexuesit, qoftë ajo të jetë edhe në distancë, sidomos me ata që dinë të lexojnë mes rreshtash dhe që nuk dinë a nuk parapëlqejnë që çështjet, vakitë a meseletë t’i paragjykojnë. Për këtë e për disa arsye të tjera, jam në të drejtën time të besoj se këtë që shkruaj është me tamam. Ne, ç’është e vërteta, në këtë vështrim nuk do të bëjmë denoncime në adresë të askujt, përkundrazi do të mundohemi të parashtrojmë vetëm ca fakte a prova sa i përket mega-projektit “Shkupi 2014”, sheshi i të cilit është shndërruar në një kantier të madh lapidarësh. Se a do t’i quash lapidarë, buste a statuja nuk ndryshon gjë, sepse në etimologjinë dhe në sintaksën e tyre kanë pothuaj një kuptim. Se ata lapidarë u ngjitën a u vendosën me (pa) të drejtë gjithandej hapësirave të sheshit të Shkupit, se ato buste kishin a kanë shikim nga Greqia, Serbia, Bullgaria, Shqipëria dhe nga orienti (hiq mënjanë oksidentin, sepse me oksidentin kanë pak gjë të përbashkët), është pak e rëndësishme. Nuk është me rëndësi dita a data kur edhe u ideua “Shkupi 2014”…, apo se ideatori ishte i marrë a një nacionalist provincial, se ky projekt është një marrëzi a edhe çmenduri që habiti shumë njerëz e shtete, nuk është me rëndësi, se me vendosjen e lapidarëve dikush mendoi se do t’i kthehet historisë së humbur dhe të harruar, se me këta lapidarë do të kërkojë identitetin…, edhe kjo ka pak rëndësi…, se gjithë ai debat mediatik që u bë për këtë vaki kishte moral apo jo, nuk na hyn në punë, se dikush në kuzhinat politike kishte zier atë çorbën bajate, nuk ka rëndësi…, për ne me rëndësi është prova apo pyetja: “Ç’kërkuan” shqiptarët në projektin “Shkupi 2014”…, pse pranuan që të kenë hise në të, pse që në fillim nuk e kundërshtuan…, pse sot reagimet e tyre duhet të jenë të zbehta, joserioze, pse sot me “fener” në dorë duhet të kërkojmë një cep për të vendosur lapidarin e shqiptarit e të tjera e të tjera.
Në fund të fundit, a mos vallë shqiptarët nuk e dinin se një ditë sheshi i Shkupit, do të jetë “një shprehje jokorrektese e dalë nga nacionalizmi i shfrenuar kolektiv maqedonas”, një “jokorrektesë” politike ndaj komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, një shesh me lapidarë të vdekur, të ngurosur, të shtangur dhe pa identitete, pa çehre, pa shije dhe, së fundi, pa estetikë. Parashtrohet pyetja, si i provokoi “Shkupi 2014”, shqiptarët!? Kur duhej që të gjithë të bënim zhurmë, ne heshtëm, kur duhej të heshtnim ne u rebeluam, kur duhej të bërtasim ne ramë në heshtje varri, kur duhej ta themi të vërtetën, atëherë (o për hatër, o nga “frika”) e shtrembëruam atë…, atëherë heshti politikani, heshti edhe historiani, heshti edhe komuniteti intelektual, heshti edhe institucioni, heshti edhe ai që më pak duhej “të lidhte gojën”, heshti edhe “zhurmëtari” dhe daullexhiu më i madh (që mbase heshtjen asnjëherë nuk e ka pasur në natyrën e vet), heshti edhe “gjyqi i ndërgjegjes sonë kolektive”, heshtëm të gjithë dhe i besuam fjalës së palës tjetër. Dhe, në vend që ta heshtim “gabimin” tonë, ne sot vazhdojmë të bëjmë zhurmë të pakontrolluar, vazhdojmë të bërtasim…, dhe, në fund, kur nuk na del “hesapi”, atëherë të gjithë bëjmë “hyxhym” duke thënë se ne kishim të drejtë, ne u thamë se kjo kështu është, se e gjithë kjo dihej se kështu do të bëhet!? Ne shqiptarët e kemi në “natyrë” atë inatin që kur duhet ta themi të vërtetën, ne ndahemi në dy taborë, tabori i parë thotë se “gënjeshtra lakuriqe” është e vërtetë dhe tabori i dytë thotë se e vërteta është një sajesë jona. Sheshi i Shkupit apo “Shkupi 2014”, lëre që u bë një shesh lapidarësh, por u bë edhe “mollë sherri” mes shqiptarësh, një shesh që i doli boja, një shesh që nuk na nderon, nuk na përfill, nuk na hesapon së paku kur bëhet fjalë për vendosjen e lapidarëve dedikuar figurave tona, një shesh që i përçau shqiptarët dhe partitë e tyre politike, një shesh që prodhoi një mal thashethemesh dhe akuzash mes shqiptarësh(!?)…, një shesh hileqar që detyroi shqiptarët të marrin fenerin në dorë dhe, pas kushedi sa vitesh, të kërkojnë një vend në hapësirat e Shkupit 2014, për të vendosur një lapidar për një rilindës shqiptar…, dhe sot e kësaj dite edhe “përtej të gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk e gjetën dot!? ”
Nëse mua “do më shkonte” fjala, do të kisha thënë: Më mirë të ndërtosh një shkollë, qoftë edhe të vockël, për fëmijët e atij fshati afër Velesit, sesa “të bësh” një lapidar, më mirë të hapësh një kopsht fëmijësh, sesa “të bësh” një statujë, më mirë të ndërtosh një shkollë në Luboten, në Sllupçan, në Gjermë, në Tanushë, në Neproshten, në Vijcë…, sesa “të bësh” një bust, i cili një ditë nuk do të mirëmbahet dhe pastaj do të mbetet në mëshirën e kalorësit të rastit dhe të ndershëm… (Të tillë lapidarë të lanë pas dore ka me dhjetëra në Shqipëri…, ai i Çajupit, i Ndre Mjedës, i Migjenit, i…).
Njohësit e shkëlqyeshëm të historisë së arbëreshëve thonë se burrat arbëreshë në jetën e tyre asnjëherë nuk kanë qenë lypsarë, asnjëherë nuk e kanë shtrembëruar fjalën, asnjëherë nuk kanë lëshuar lot hidhërimi, ata asnjëherë nuk harruan vatanin, ata asnjëherë nuk harruan gjuhën, nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe traditat e tyre të pasura, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe. Të gjitha i ruajtën me fanatizëm. Po ne, që nuk “jemi me tamam arbëreshë”, çka (nuk) harruam sot!?
Imzot Fan Noli, në një fjalim të tij memorial (1924) dedikuar presidentit të Amerikës, Wilson, pos të tjerash, kishte thënë: “Lufta jote s’ka qenë e kotë. Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë dhe ngjallje”. Rrjedhimisht, në sheshin e Shkupit nuk ka varre (dhe Burmali xhami) dhe, logjikisht, sot nuk mund të ketë (bashkë)jetë dhe ngjallje. A ia vlen sot të jesh “heshtjerëndë dhe zhurmëmadh”!? Ku ta dijë njeri.
“LARGOJENI KËTEJPARI KËTË SURRATIN E DYSHIMTË!”
Nga Fadil LUSHI/
Disa ditë më parë nga Dardanelet më erdhën ca përshëndetje prej motrës sime. Disa ishin paksa “qortuese”, qortuese sepse ka shumë kohë që nuk e kam vizituar dhe përqafuar…, përshëndetjet e tjera ishin humane dhe emancipuese: më përgëzonte për faktin se kam hequr dorë nga ajo “gotë” që kohë pas kohe ma “çekuilibronte rehatinë emotive”. Këtyre “selameve” ua kishte shtuar edhe fjalinë: “Ki kujdes me shëndetin e mendjes!”. Nuk desha t’ia kthej e t’i them se nga kjo mendje “Nuk ka ngelur gjë fare, thjesht është bërë rrafsh, livadh”. Sa për shëndetin e të tjerëve, nuk di gjë…, tekefundit lëre që nuk më hyn në punë, por edhe nuk është në “detyrimet” e mia.
Këtë shkrim a opinion gazete të radhës që e kam me “porosi” (shkrimet me “porosi” nuk më dalin me “tamam”) nuk do ta vazhdoj me “protagonistin”, por me viktimën e tij, gjegjësisht me shokun e klasës të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, me atë fshatarin fisnik, të cilit “kryepersonazhi” i vështrimit në fjalë, dikur moti ia kishte marrë “masën e samarxhiut!?”. Ky miku im (i cili krahas problemeve materiale me të cilët ballafaqohet, punët gjithmonë i merr urtë e butë) më takoi “rastësisht” dhe më tha: “Do të shkruash për mua për gazetë, por ama nuk do ma citosh emrin, nuk jam me emrat dhe për emër, sepse edhe këtë kështu si e kam disi më rëndon…, në nuk e bën këtë, respektivisht nëse vakia a meseleja ime nuk duket a hetohet në gazetë, atëherë “samarxhiun” duhet ta kthesh andej nga degdisi…, atje në plehërishtat e “kasabasë” sate (aludonte në Tetovën time të vjetër prej bejlerësh, prej pashallarësh, prej patriotësh, prej arsimdashësish, prej kërkuesish të lirisë së vonuar të vatanit dhe prej aristokratësh). I premtova se do të shkruaj me kusht nëse më “lejohet” që edhe unë të them ca fjalë për “moralin” e njeriut, të cilin (moral) në vaktin e njëmendjesisë (jo enveriste) titiste ia kishin “kultivuar” bythëpraptas. Kur i parashtrova pyetjen se pse pikërisht unë duhet ta kthej andej nga ku kishte ardhur, më tha se edhe ty ta kishte marrë masën e…, mbase ti e njeh më mirë “shehërliun”. I sugjerova po edhe i propozova: “ Lere aty ku është…, Zoti ka filluar t’ia numërojë ditët!?” (shpresoj se kjo fjali nuk do të më ngarkojë “gjynahe”). Kështu siç e filloi “bisedën”, thash ndër dhëmbë se shkrimin do të ma bëjë paçavure.
Ky fshatar, në nevojë materiale dhe shpirtërore, fillimisht më tha se këtu në Tetovë dhe përreth ende “frymojnë idetë e moralit komunist”, ende duket ajo egërsia e njëmendjesisë (pavarësisht se e ka moshën e shtyrë a të vjetër). Shoku i klasës kur takon bashkëmoshatarët e tij, nuk u jep hapësirë që edhe ata të thonë ndonjë “llaf”. Duke e vazhduar “bisedën” tha: “Sot kanë “ardhur” do kohë që më mirë është të dish e të shohësh deri te maja e hundës sate, sesa të kesh informacione për “anatominë e bythës së pleshtit”, për anatominë e njerëzve mendjemëdhenj, për anatominë e krimit të organizuar, për anatominë e jovlerave, për moshat e lëneshave, për thashethemet politike mëhallësh e “kapixhikësh”, për inatin dhe xhelozinë (ndër)shqiptare…, më mirë është të jesh konfuz a i ngatërruar në “fiqir”, sesa të jesh njësh në “tubime”, më mirë është që të të njohë vetëm mëhalla, sesa e gjithë “dynjaja” shqiptare, më mirë është të kesh shokë “budallenj”, sesa të kesh e të shoqërohesh me miq letargjikë dhe megalomanë si ata miqtë e “samarxhiut”, të cilët sa herë ua do qejfi, aq herë të heqin veshin dhe të kapin për hunde dhe për “salltanetet mashkullore”…, sa herë që do të bësh përpjekje t’ua thuash të vërtetën lakuriqe, aq herë do të shtiren sikur nuk të dëgjojnë a nuk t’i kuptojnë dertet…, ata të urdhërojnë të mbyllësh gojën, të ndërrosh mendjen dhe të qëndrosh mënjanë. Kur do t’u thuash se “unë mendoj”, ata ta kthejnë: ti s’ke ç’mediton, për ty mendon sovrani dhe kërbaçi i tij. Ky miku im vazhdoi edhe më tutje të inatoset duke thënë se…, samarxhiu dhe të tjerët si ai, dikur vetë e bënin ligjin, vetë e bënin moralin, vetë e bënin ndejën dhe vetë e emëronin kryeparin e ndejës. Dikur moti, vetëm ata e dinin epiqendrën e së vërtetës, epiqendrën e së keqes, atë të hiles, atë të varfërisë, “solidaritetit” (po ku kishte solidaritet në atë kohë), të padrejtësisë dhe epiqendrat e tjera…, mbase kryekëput të sajuara… Kur këta “të shtrijnë përfundi” dije se të bëjnë për legen dhe si legen (kur jemi te legeni, fjalori i gjuhës së sotme shqipe, për këtë nocion e jep këtë shpjegim: 1. Enë e madhe, e rrumbullakët dhe mjaft e thellë prej metali a prej ndonjë lënde tjetër, që shërben për të larë fytyrën, duart e këmbët, për të larë rroba etj. 2. fig. bised., mospërf. Njeri që nuk është serioz e i qëndrueshëm në sjelljet e në veprimet e tij, njeri pa vlerë e llafazan, të cilin e trajtojnë të gjithë me mospërfillje e si të duan).
Legenin nuk e përmendi ai, e përmenda unë…, ai nuk i bënte të gjithë me faj…, përkundrazi, “samarxhiu” i ishte fiksuar në kujtesë dhe ndaj tij parashtroi një mal me ankesa dhe vërejtje. Një ditë kishte shkuar në “beledie” (kështu e quan bashkinë) të kryejë një punë dhe “padashur” e kishte takuar pordhamanit që ishte “konvertuar në qatip pashai”. Ia kishte prishur rehatinë njeriut që njihet për “humorin e tij të zi” dhe sikur kishte dashur t’i thoshte se “po pate pak çehre njeriu dhe po pate pak moral dhe përgjegjësi, mblidh leckat dhe shporru që këtej (ani se këtij burokrati nuk i kishte asnjë hak dynjaje dhe ahireti). Nuk ia kishte mbaruar punën, ndonëse dy javë me radhë kishte pritur që ky, me “demek” legeni, ta pranojë në zyrën e tij (një zyrë, sikur të ishte njësoj si e atij të presidentit të shtetit.). Hallin e këtij njeriu fisnik, burokrati e konceptonte si një zë në shkretëtirë, një zë lëre që nuk shkon në vesh të njeriut që i prin karvanit të deveve, po as në “vesh të Zotit!?”. Aq keq e kishin mësuar fshatarin në nevojë, që sa herë do t’i duhej të trokiste në derën e zyrës së këtij farë “qatipi”, aq herë detyrohej ta përsëriste atë refrenin: “Ju, zotërote, na falni që ju shqetësuam, na ndjeni që ju morëm kohën tuaj të lirë dhe shumë të çmuar, na falni që ju bezdisëm dhe ju… sikletosëm”. “Samarxhiu” (dhe të tjerë të tillë si ky) sot e kësaj dite nuk do të pendohet hiç fare për bëmat e tij dhe të tajfës që i takonte. Thonë se një kohë të gjatë punoi si “hyzmeqar në bordelet komuniste” e shkuara komuniste…, e konceptonin si një njeri që nuk dallon dot “gomarin nga samari”. Është një proverb popullor ku, pos të tjerash, thuhet: “Të ndyrës ia ka ënda për qelbësirën”.
P.Sh.
Kur mikut tim i thashë se ky shkrim duhet të redaktohet, ma ktheu si me “inat: “Shkrimet me porosi nuk redaktohen…, mbase dalin më popullorçe, kuptohen më lehtë. Në fund, për këtë e për shumë çështje të tjera ramë dakord.
NE, KONICA dhe britmat….
Nga Fadil LUSHI/
“Nyja Gordiane”, në mitologjinë greke ishte një lidhje e komplikuar dhe e bashkuar fortë prandaj i rezistoi çdo përpjekje për ta zbërthyer.., derisa nuk u zgjidh me shpatë nga ana e Aleksandrit të Madh! Shprehja në fjalë përdoret edhe në ditët tona, sidomos nga politikanët, gjithmonë si metaforë për çështje që nuk zgjidhen.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim gazete, do të bëjmë përpjekje që sadopak të mënjanojmë apo përjashtojmë çdo paralelizëm a krahasim mes njerëzve që kanë jetuar dhe vepruar në periudha të caktuara kohore. Faik Konica, një njeri i cili në komunitetin intelektual shqiptar, konsiderohet si një ndër eruditët më të mëdhenj, kushedi sa herë kishte bërë përpjekje ta rrënojë atë kështjellën e inatit homerik të bashkëkohanikëve të tij. Nuk e bëri dot, sepse edhe ai “këmbë krye ishte pjesë e inateve në fjalë”. Të tilla inate kishte me Fan Stilijan Nolin, Shahin Kolonjën dhe me të gjithë kongresistët e Manastirit (hiq mënjanë Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën). Njohësit e mirëfilltë të biografisë së tij thonë, se ai pos që ishte një njeri mendjefemër, njëkohësisht konceptohej a njihej me “higjienën e tij cerebrale” skajshëm të zhvilluar, dhe si rrjedhojë e gjithë kësaj nuk i duronte po edhe nuk i parapëlqente “retorikat spekulative” të njerëzve që i shkonin vërdallë. Për këtë dhe çështje tjera, Arshi Pipa në vitin 1944, shkroi këtë paragraf briliant “.., e sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.
Mbajmë mend vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ne kalamanjtë e lagjës sonë, “hanim dajak” nga bashkëmoshanikët, dhe kur nuk na e mbante prapanica që t’ ua kthejmë me të njëjtën masë, fillimisht i shanim dhe më pastaj e lakonim atë fjalinë: “Do shihni kur do kaloni kah mëhalla e jonë?” Dhe ata nuk kalonin dot kah mëhalla jonë. Sot dhe si përherë, ka do gjëra që janë dhunti të Perëndisë, ca të tjera janë dhunti të natyrës, do të tjera pjellë të trashëgimisë familjare, politike dhe ca të tjera që me kohë kalojnë në vese negative. E ato mbase duhet të jenë sharjet (një herë në një opinion t’imin kisha shkruar se kjo “dynja e jona shqiptare u kurdis me të shara”). Tekefundit, sharjet tona ishin fëmijënore, ishin sharje të përditshme, mujore dhe “sharje sezonale, siç sot do të thotë doktori i lagjës sonë”. Po cilët ishin sharjet e të përzgjedhurve të popullit shqiptar!?.., rrahjet dhe sharjet mes deputetësh shqiptar, në institucionin ligjdhënës të Republikës së Maqedonisë (para ca ditësh), mos vallë ishin një “delikatesë politike” e zbehtë dhe e shëmtuar, a mos vallë ishte një “sihariq i madh”, një dijarizëm dhe diletantizëm i radhës apo një shfaqje rebelizmi i kurdisur, i sajuar dhe mbase edhe (mos dhashtë Zoti) i porositur!? Pavarësisht se të gjithë ishin me faj, pavarësisht se të gjithë kishin të drejtë, pavarësisht se të gjithë, sot e gjithë ditën vuajnë padrejtësitë e “pronarit të kazinos politike të Shkupit”, pavarësisht se të gjithëve u shteret durimi, megjithatë, atyre nuk mund t’u lejohet që kur do t’ua dojë qejfi e kur do u teket të hapin trastën e tyre të mbushur me: kushedi sa palë mend, me kushedi sa palë siklete, me kushedi sa palë qejfe e fodullëke, me kushedi sa mijë inate, me kushedi sa “furgona” të (mbi)ngarkuar me britma a ulërima, me kushedi sa fyerje që nuk janë në natyrën e burrërisë shqiptare, me kushedi sa e sa derte.., megji-thatë ata nuk kanë të drejtë të fyejnë nënën dhe motrën, ata nuk kanë të drejtë t’i bëjnë “zullum” të drejtës së çdo shqiptari për të qenë në pozitë a opozitë, nuk kanë të drejtë ta kontestojnë mendimin ndryshe.., nuk kanë të drejtë që në “emër të ca budallakive” të tyre që sakaq të nxisin e ndezin armiqësinë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet njëri-tjetri, ata nuk kanë të drejtë të krijojnë gënjeshtra dhe më pastaj tu besojnë verbërisht. Ju të nderuar, që lexoni këtë vështrim gazete, pa më kallxoni e më thoni, se ç’faj kanë nënat dhe motrat tona, ç’faj ka sovrani dhe vota e tij deliberative, e tjerë.
Në çdo profesion dhe në veçanti në kuadër të lëmisë së filozofisë së politikëbërjes, ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh i paragjykuar. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektëve të tyre” të mos konceptohet si ajo e kalamanjëve të vaktit tonë, do të ishte mirë që deputetët a të përzgjedhurit e popullit, refrenet e tyre paranojake t’i zëvendësojnë me ato të arsyes, me ato të aristokratit, me atë të butësisë dhe urtësisë së atdhetarit të mirëfilltë.., dhe, nëse këto nuk do t’i bëjnë, atëherë misioni i tyre politik (zyrtar) përgjithmonë do mbetet si ai mendimi i padrejtë, i paqartë, i paredaktuar dhe në instancë të fundit si ajo Puna e Sizifit.
Thonë, se fukaraja nuk ngopet me bukë, dikush me frymë, tjetri me inate, dikush me cinizëm, me gjëra të paqena, me veprime mashtruese, me sajime të rrezikshme, të kota dhe skajshëm të ulëta.., intelektuali nuk ngopet me perceptime a mendime të kualifikuara, ca të tjerë nuk ngopen me shtrembërimin a nëpërkëmbjen e gjenealogjive të familjeve të njohura, ca nuk ngopen me fjalët dhe buzëqeshjet cinike, ca të tjerë nuk ngopen me thashetheme, me fodullëke, me budallakina dhe të gjithë (toptan) edhe me paragjykime. Të gjitha këto (mos) ngopje nuk ua zgjidhin hallet dhe dertet e jetës qofshin ato materiale, morale, politike, atdhetare e tjerë halle. Askush nuk dialogon me arsye po as nuk merret me qetësi. Dhe kur nuk e bëjnë këtë, atëherë hallin e trashin dhe e shndërrojnë në “Nyjë gordiane”: gjegjësisht në një çështje shumë të ndërlikuar.
Nga kjo mesele e koklavitur që u “hetua” në hapësirat e kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithsecili shqiptar i ndërgjegjshëm detyrimisht duhet të distancohet.., jo nga frika, jo nga hatëri, jo për hirë të përcaktimit partiak (politik), jo për interesat personale a edhe të dikujt.., por thjeshtë për hirë të vëmendjes dhe ndërgjegjës sonë kolektive.., thuaj për mirëqenien tonë materiale dhe kulturore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 20
- Next Page »