• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAIK KONICA, ATDHETAR I DENJË I KOMBIT SHQIPTAR

March 14, 2017 by dgreca

FAIK KONICA:(15.03.1876 = 15.12.1942)/

“Një nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë…”/

Shkruan: Safet N. Ramolli/

   Është një nga vlerësimet e shumta që Fan Noli formulon për Faik Konicën. Po cila është skematikisht biografia e tij? Bashkatdhetari dhe bashkëshoku i tij Qamil M. Panariti, që duhet të jetë autobiografi më i besueshëm, pohon se Faiku u lind në Konicë të Shqipërisë, prej nga mori edhe mbiemrin, fshat ky i lënë jashtë trojeve të trungut shqiptar nga viti 1912.

   Qysh kur ishte fëmijë i vogël filloi mësimet e arabishtes në vendlindje. Kur ishte 9 vjeç shkoi pas të motrës, e cila ishte martuar me një oficer, në Shkodër. Kështu iu krijua mundësia që të vijojë një vit në Shkollën e Jezuitëve. Mandej do të vijojë një vit në një shkollë greke, por njëherësh vijonte të merrte mësime intensive në greqishten e vjetër dhe në latinishte. Në vitin 1889, djalosh 14-të vjeç, do të shkonte në Francë, ku studjoi në një lice e kolegj. Inteligjent nga natyra, por edhe këmbëngulës e me vullnet të pazakontë për studime, do të përfitonte nga dy klasë në një vit. Në të pastajman vazhdoi studimet në Liceun Perandorak të Galata Serajit, një shkollë kjo me prirje frenge, ku edhe mësoi frengjishten. Kështu F. Konica do të zotëronte gjuhën gotishte, sanskrishte, frëngjishte, gjermanishte, italishte, dhe gjithë gjuhët e Ballkanit.

   Më 1895, pra kur ishte njëzetvjeçar, pranohet në fakultetin e letërsisë në Universitetin e Dizhonit, duke iu krijuar kështu mundësia, që jo vetëm të njihte mirë historinë e popullit frances, por edhe të thellohet sidomos në njohjen e letërsisë së gjerë e të begatë franceze. Pas provimeve që dha, fitoi gradën “Bachelor i Letrave dhe i Filologjisë”. Njëkohësisht vijoi studimet e filologjisë romane.

   Tip i veçantë, studiues i etur për të fituar me studime intensive, vijon studimet në Universitetin e Harvardit të Kembrixhit në Masaçusets të SHBA-së, ku në vitin 1912, kur ishte 37-të vjeç, fitoi gradën e Mjeshtrit të Arteve në Letërsi (“Master of arts”).

   Si rrallëkush “zhytet” në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që kur ishte i ri, vetëm 22 vjeçar, por me pseudonimin Trank Spiro Beg për t’i shpëtuar survejimit të administratës turke. Bashkëshoku i tij Fan Noli formulon vlerësimin se, nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja. Gjatë këtyre viteve (1896-1909 S.R) boton në Bruksel revistën e mirënjohur “Albania”, përmes së cilës mbron si rrallëkush me argumente dhe pathos patriotik çështjen e drejtë shqiptare. Ai tashmë ka të konsoliduar sentencën: “Çdo popull të përpiqet të çlirohet, të qytetërohet, të përparojë për hesap të tij, që të mos mbetet asnjë element i errët në faqe të dheut…”.

   Në vitin 1912, së bashku me Nolin dhe udhëheqës të tjerë, themelon Federatën Gjithëshqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila në vitet që do të pasonin, do të luante një rol të madh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të Shtetit të Ri Shqiptar të sapokrijuar. Me cilësinë e drejtuesit të “Vatrës”, por edhe me atdhetarizmin e zjarrtë që e karakterizonte, në vitet 1912-1921, do të ndërmerrte një veprimtari të dendur diplomatike në vende të ndryshme të Evropës, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Mesa duket, jo kudo gjeti dëshirën e mirë për të ndihmuar popullin shqiptar, prandaj me një farë deziluzioni shprehet se, ndërsa “Ne (shqiptarët S.R) kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë së Evropës…”, disa herë Fuqi të Mëdha kanë bërë lojë të rrezikëshme në kurriz të popullit tonë. Në kuadrin e kësaj veprimtarie diplomatike, më 1913 viziton edhe Shqipërinë, por mbeti i pakënaqur nga puna e qeverisë së I. Qemalit, ish-kryetar i përkohshëm i shtetit të vogël që po lindëtte. Analistët dhe biografët, e vlerësojnë “gabim të hidhur” vendimin e Konicës për të bashkuar forcat me Esat Pashë Toptanin, “… njeri tiran i egër ky…”. Me sa duket nuk u orientua drejt me situatën dhe realitetin shqiptar. Më 1914, edhe pse ishte vlerësuar si “udhëheqësi shqiptar më i shquar dhe eksponenti më agresor për një Shqipëri Demokratike”, nuk pranoi asnjë pozitë në qeverinë e Princ Viddit. Po këtë vit takon në Vjenë për herë të parë Ahmet Zogun, me të cilin u bë mik për shumë kohë. Në zhvillimet e viteve 1920-1924, mori pjesë aktive duke kontribuar fuqishëm për krijimin e shtetit modern shqiptar. Po në dhjetor të vitit 1924, me sa duket bije në gabimin e dytë: pranon humbjen e nacionalistëve progresivë në lojën me A. Zogun, ashtu si deklarohet, se lufta e mëtejshme kundër Zogut nuk kishte kuptim, dhe se nuk ishte në interes të vendit. Si shpërblim, thonë analistët, Zogu do ta emëronte Konicën të dërguarin e Qeverisë Shqiptare në Uashington, ku do të qëndronte deri në pranverën e vitit 1939, kur vendi ynë do të pushtohej nga Italia. Ky qëndrim do t’u jepte shkak shumë shqiptarëve liberalë, që F. Konicën të mos e shikonin më “si kampion të lirisë e të demokracisë”, besim të cilin ai nuk do ta fitonte më kurrë në të ardhmen. Megjithatë, kontributi i Konicës në Uashington për propagandimin dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, do të mbetet me vlerë. Një gazetar amerikan, pesë ditë pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, shprehet edhe sa vijon: “Si përfaqësues i një vendi të vogël pakkush nga diplomatët i ka bërë vetes një vend kaqë të rëndësishëm në Uashington sa Faik Konica, ministër i qeverisë së rrëzuar të Shqipërisë”.

   Jetoi shkurt, vetëm 66 vjet, por ishte një jetë e tejmbushur me veprimtari sa personale, aqë edhe mbarëkombëtare. Në përgjithësi mbetet një bashkëkombas jo i zakonshëm, prandaj dhe ka tërhequr mjaft vëmendjen e studjuesve të veprës dhe të biografisë së tij, të cilët janë më të shumtët të huaj, por edhe shqiptarë. Bëri një jetë të pazakontë, i pakujdesshëm ndaj shëndetit, duke mbetur në përgjithësi një njeri i palumtur, pasi edhe nuk konkludoi asnjëherë që të ndërtonte një jetë familjare. Gjithësesi, si jetë u shua i nderuar dhe i respektuar. Më 14 dhjetor 1942 pati një goditje, dhe ditën tjetër vdiq nga hemoragjia cerebrale duke mbyllur karrierën e shquar të një prej bijve më të përmendur të Shqipërisë. Nderimet e fundit iu bënë më 20 dhjetor 1942 në sallën New England Mutual Hall, në zemër të Bostonit. Edhe pse ishte mot i ftohtë, kishin ardhur qindra adhurues të tij të afërt e të largët. Kishin ardhur edhe përfaqësues nga Miduesti, Detroiti, Miçigani, Ohajo dhe Virxhinia Perëndimore. Një kurorë me lule dërgoi mbreti Zog nga Anglia, të cilën e pagoi shoqëria “Vatra”. Fjalën e përzishme, në një mjedis të trishtuar e të pikëlluar, e mbajti bashkatdhetari, bashkëluftëtari dhe bashkëshoku i tij, Fan Noli, i cili në fund u lut: “Zoti i Plotfuqishëm i dhëntë paqen e përjetëshme!”.

Faik Konica është anatemuar nga qeverisja e viteve 1945-1990

   Edhe pse ka qënë një personalitet madhor i politikës dhe i letrave në periudhën midis shek. XIX dhe XX, me kontribute të çmuara, ai nga qeverisja e dalë pas përfundimit të Luftës II Botërore është përbaltur me dashakeqësi deri në kufijtë e mënjanimit dhe të mohimit. Nuk është rastësi që në periudhën e mësipërme, vepra e tij nuk gjen pasqyrim në asnjë tekst shkollor të të gjitha niveleve të ndryshme, as edhe në ndonjë antologji apo botim tjetër shtetëror. Njëherësh, në asnjë veprimtari që ka të bëjë me letrat shqip, qofshin ato përkujtimore, muaji i letërsisë dhe arteve, simpoziume të ndryshme etj.etj. emri i tij nuk zihej ngojesh. Në se i referohemi Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, viti 1985, edhe ky shpreh qëndrimin zyrtar ndaj Konicës (nuk e kuptoj se si mund të titullohet i tillë një punim nga institucioni më i lartë shkencor në vend, por që s’ka asgjë të përbashkët me shkencën, veçse bën biografinë e drejtuesve të partisë-shtet, edhe kjo e deformuar dhe larg së vërtetës S.R), personaliteti shumëdimensional i Konicës sulmohet në mënyrën më anakronike dhe më barbare të mundëshme. Akuzohet sikur gjatë gjithë jetës së tij, u përpoq të mbronte interesat e bejlerëve, po edhe sikur lëvizjen patriotike u përpoq ta kufizonte vetëm në kërkesa kulturore, kur dihet fare mirë se populli shqiptar atëmot nuk e kishte parësore çështjen e kulturës, por probleme të tjera madhore që kishin të bënin me sigurimin e lirisë dhe tërësisë territoriale, ndërkohë që Konica është mjaft kritik ndaj bejlerëve të tipit “bejlurçina”, duke shkarkuar mbi ata fshikullime sarkazme të ashpra. Mandej akuzohet sikur ishte kundër organizimit të kryengritjeve më 1906-1807, duke mohuar qëllimin e tyre për sigurimin e lirisë dhe pavarësisë, dhe sikur ka propoganduar idenë e autonomisë por nën Perandorinë Austro-Hungareze, dhe që pas përfundimit të Luftës I Botërore, Shqipëria të ishte nën protektoratin italian. Është një akuzë pa asnjë bazë, sepse përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, ai spikat mes bashkëluftëtarëve për atdhetarizëm të zjarrtë, duke sulmuar ashpërsisht shtetet që synonin copëtimin e territoreve shqiptare, por edhe duke u bërë thirrje të drejtpërdrejta shqiptarëve të bashkohen rreth çështjes kombëtare. (kujtojmë vjershën “Avropi”). Më tej akoma, akuzohet sikur Luftën e Vlorës më 1920, e vlerësoi si shprehje të “verbërimit” politik, por edhe sikur në vitet 1921-1924, mbrojti interesat e çifligarëve e të bejlerëve, duke u përpjekur të ulte vrullin e lëvizjes demokratike antifeudale. Por është krejt i qartë qëndrimi i tij për ruajtjen dhe sigurimin me çdo kusht të tërësisë territoriale, ndërkohë që në lëvizjen politike në vitet 1921-1924, ai i bashkua me krahun më progresiv të politikës, duke u rreshtuar me luftëtarë atdhetarë si F. Noli, H. Prishtina, B. Curri etj. Akuzat nuk kanë të sosur, sikur pas dështimit të lëvizjes së armatosur në qershor 1924, u vu në shërbim të A. Zogut duke pranuar emërimin ambasador i kësaj qeverie reaksionare në Uashington, por edhe sikur në revistën e mirënjohur “Albania”, të cilën e drejtoi në vitet 1896-1909, mbisundonte toni i sarkazmës dhe fyerja ndaj kundërshtarëve politikë personalë, por edhe sikur në disa vepra letrare shprehte mosbesimin për aftësitë e popullit shqiptar për t’u integruar në rrugën e përparimit ekonomik e shoqëror. Qëndrimi i F. Konicës pas dështimit të qeverisë jetëshkurtër të F. Nolit, të dalë pas lëvizjes së armatosur të qershorit 1924, nga analistë dhe biografë në zë,por edhe nga autoritete të huaja, është vlerësuar i drejtë. Në thelb ai u përkiste intelektualëve që bënin thirrje për pushimin e grindjeve dhe të luftës “brenda llojit”, dhe të bashkoheshin për të ngritur kombin shqiptar në lartësinë e kombeve të tjera të Evropës. Ndër të rrallët, Konica e ka stigmatizuar portretin e A. Zogut me epitete therës pejorativë, ndërsa ka gjetur bashkëpunëtorë atdhetarë pa dallim krahinor në gjithë Shqipërinë. Për atë çka ishin vëllezërit Frashëri ishte edhe At Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. Konica ishte një evropian i vërtetë, i kompletuar me dije të qëndrueshme, njihte shumë mirë historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, dhe e dëshironte administrimin e popullit shqiptar brenda ligjeve dhe të drejtave themelore si popujt e tjerë të Evropës. Nuk mund të pajtohej me punonjës të administratës që s’kishin haber për këtë shërbim, dhe për më tej që shpërdoronin besimin e ngarkuar nga populli, prandaj edhe shprehej me tone të larta kundër tyre. Por gjejmë edhe mjaft akuza të tjera të tipit “sikur”, që sipas akuzuesve “cënonin interesat kombëtare”.

   Po, a mund të akuzohet një intelektual kompetent dhe brilant, një personalitet që përfaqësoi qeverinë shqiptare në opinionin botëror me diapazon kulturor të gjerë, me argumente bindëse dhe me guxim si rrallëkush?!!! Për habinë edhe të opinionit botëror, kjo ngjau për këtë personalitet poliglot, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me akuzat monstruoze të montuara me dashakeqësi të skajshme.

Po, kush ishte në fakt Faik Konica?

 Veprimtaria e Faik Konicës në fushën e krijimtarisë.

I kompletuar me kulturë oksidentale, por edhe me aftësinë për t’u shprehur jo vetëm verbalisht, por sidomos me shkrim, fillon të botojë që herët kur ishte akoma student. Ishte tepër i gjerë dhe i thellë në mendime. Realitetin e përceptonte me lehtësi, ashtu si e pasqyronte me vërtetësi dhe kurajo atë. “Trokiti” në dyertë e poezisë, të prozës poetike, të portretit dhe të prozës së shkurtër; të kritikës e të essesë; të përkthimeve, ashtu sikurse provoi me sukses edhe lëvrimin e prozës së gjatë. Por, gjithësesi studjuesit e biografisë dhe të krijimtarisë së tij, kanë rënë “në emërues të përbashkët” se, ndërsa kishte horizont të gjerë dhe në krijimtari rrokte tematikë të larmishme dhe interesante, në përgjithësi nuk kishte durimin e duhur për t’i çuar punët deri në fund. Megjithatë, Ai spikat ndër bashkëkohësit si një ndër etërit e artit e të kulturës moderne.

   E donte atdheun dhe popullin, prandaj i grishte bashkëqytetarët e tij, që të krenoheshin me vlerat patriotike dhe morale të të parëve të tyre, duke e stigmatizuar popullin e tij si: “… një komb trimash…”, i cili ngrinte flamurin në ballë të betejave sa herë që armiku e kërcënonte. Lirinë e bashkëkombësve dhe të kombit nuk e gjykon si një sofist, por me realizëm. Ai mendon se, s’mund të ketë komb të lirë pa qytetarë të lirë. Për lirinë e individit formulon këtë frazeologjizëm të artë filozofik: “Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe për të bërë atë që i pëlqen, me kusht, që të mos e dëmtojë asnjeri tjetër”. Konica pranon, që atdheu dhe malli për atë është i shtrenjtë dhe i dhembshëm, prandaj i revoltuar nga qëndrimet e disa turkomanëve, dhe të tjerëve që pranojnë shtypjen, shkruan edhe me mllef të mbingarkuar dhe me keqardhje përmes vargjeve: “…Është turp prej kësij krimbash, / Të mundohet një komb trimash…”, ose “… As nder, as turp, as gjak s’kini, / Unjni kryet dhe po rrini…”.

   U është mirënjohës paraardhësve dhe bashkëkombësave, të cilët çështjen shqiptare e bënë dhe e quajtën gjithmonë të tyren. Avdyl Frashërin e lartëson, kur në kujtimet për atë, posë të tjerash, shprehet edhe sa vijon: “… Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në ato ditë të lumtura për mua, fjalët që dilnin si zjarr i qëruar nga goja e tij”. Për Naim Frashërin veçon epitetet e spikatura: “… zemërqëruar, mendjehollë, fjalëkripur, ndjesëhollë”, e të tjera si këto. Për Ali Pashë Tepelenën veçon togfjalëshin: “… luani që i vuri shpatën Turqisë…”. Jeronim De Radën e kualifikon ndër shqiptarët, që e kanë dashur vendin e tyre me zjarr, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe atdhetarë. Atë Gjeçovin e veçon midis të tjerëve si një njeri me mendje të ndritur, me zemër të mirë, me fjalë të paka por me vend, si “… një nga njerëzit më të lartë…”, që ka patur Shqipëria; “…një lartësi e përulur, … një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur…, një njeri që shpërndante veç fjalë të urta dhe ngushëllime njerëzore, i ditur me një dituri pa tingëllim, por edhe shqiptar i kthjellët”. Për Bajram Currin veçon të tjera epitete, të cilat shprehin thelbin e kodit moral të shqiptarit, duke e paraqitur si njeri fisnik, të mençur nga natyra, trim, etj., “… liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë…, i patrembur në armët…, një besnikëri e patundur në fjalën që jepte…”. Është fakt historik që, Fan Nolin e ka patur bashkëshok e bashkëpunëtor, por edhe kundërshtar, por e vlerëson si një fytyrë historike, që ka luajtur rol të madh në lëvizjen patriotike shqiptare. Prandaj edhe do të shpalosë mendimin se është: “…mendjehapur…, që nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane…”, vlerësim që rrallë tjetërkush e ka bërë për këtë figurë madhore të politikës, të letrave e sidomos të klerit.

   Si për të mbyllur portretizimet, të cilat Konica i bën me aqë finesë, aqë të goditura, të artikuluara mjeshtërisht dhe besnikërisht, le të nënvizojmë, se si e dëshironte ai portretin e shqiptarit në përgjithësi. “Vetëm një gjë duam të shtojmë: Shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kudo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen e provohen: SHQIPËTARË! Thënie e mençur kjo, që ngërthen më së miri çështjen kombëtare.

   Disa nga krijimet dhe thëniet e Konicës mbeten margaritarë të rrallë për gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm për problemet që servir, për mënyrën si i koncepton dhe i trajton, por sidomos për mënyrën e paraqitjes. Nën okelion “Çipi i palaçove”, në mënyrë shumë konçize dhe me një satirë tepër të goditur, fshikullon lojën e rrezikëshme që kanë bërë disa herë Fuqitë e Mëdha në kurriz të popullit shqiptar. Përmes lojës së fjalëve “Avropa” dhe “Evropi”, ai bën prezent faktin, që të mëdhenjtë kanë luajtur me të vegjëlit lojën e “Maces me miun”. Konica ndërmjet “Avropit” dhe “Evropit” vë një top, për të cilin ata gjoja zihen dhe goditen, por që tek e fundit: “Bam “Avropa”, bam “Evropi”, / Ulurijnë: ku ishte topi? / Evropa bën sehir… / Dhe pastaj na rrëmben shkopin…”. Të rrallë janë personalitetet shqiptare në historinë e kombit që të sintetizojnë me kaq zgjuarësi, mprehtësi dhe elokuencë, sjelljet dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj popullit shqiptar.

   Në artikullin “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, Ai prezantohet si një estet i mirëfilltë dhe i kompletuar si kritik letrar. Kështu, vlerëson vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin. Pashko Vasë Pashën, Thimi Mitko, De Rada, e të tjerë, të cilët hapin rrugën ”… për përparimin e gjuhës shqipe…”. Artin e të shkruarit e krahason me mjeshtërinë e ndërtuesit, sepse që të ndërtosh një shtëpi duhet “… t’i vësh gurët radhë me radhë që të lidhen dhe të qëndrojnë shëndoshë e bukur”. Letrari, nënvizon Konica, e ka domosdoshmëri, që para se të marrë penën e të shkruajë, duhet të ketë të qartë objektin e shkrimit, mënyrën si do ta ekspozojë, rrëfimin pjesë-pjesë, dhe konkluzionin apo përfundime.

   Një perlë e vërtetë e krijimtarisë së Konicës është shkrimi: “Lutja e shkrimtarit”. Në pamje dhe në përmbajtje i ngjan një epitafi. Në jo më shumë se 7-8 rreshta shpaloset një filozofi e tërë. Prandaj për të mos i prishur bukurinë po e citojmë ashtu si e ka shprehur autori. Ja si pohon Konica: “Ati ynë që je në qiell. Jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë në të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit! Ashtu qoftë!”, e mbyll “lutjen” me shpresë e besim, se atë e dëgjojnë ata që kanë veshë por edhe dëshirë për të dëgjuar.

   Sikurse mund të gjykohet, edhe nga sa evidentuam më sipër, Konica është një figurë mjaft komplekse. Në ndonjë rast gjykimi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët i ngjason paragjykimit të një Kasandre. Në raste të tjera paraqitet eklektik, sidomos në gjykimin e dyzuar që bën ndaj A. Zogut, por edhe ndaj Fan Nolit. Por gjithësesi ai meriton plotësisht epitetimet që i janë rezervuar si: “… një enciklopedi e gjallë për njohuritë e gjera dhe fushat e ndryshme të njohjes…”, apo “… ambasador i kulturës dhe i letërsisë shqipe në botën e huaj… Princ i gjuhës shqipe…, kryelëronjës i gjuhës sonë…”, dhe shumë të tjera si këto. Më 20 shtator 1938, At Gjergj Fishta i dhuron librin “Lahuta e Malëcis”. Në kopertinë shkruan dedikimin: “Njeriut më të ditur, Faik Konicës, gjykatësi i letërsisë shqipe më elegantë, me miqësi të përherëshme e të përulur!”. Fan Noli nënvizon se: “… Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve”.

   Biografi i tij më i besuar, Qamil Panariti, nënvizon se Konica ishte një pamfletist i tipit të këndëshëm por të ashpër, “… një lloj Volteri shqiptar me sarkazmin e tij të hidhur…,  ka qenë burrë i përsosur, një pritës i pakapërcyeshëm, një rrëfimtar i rendit të parë dhe zotëronte një kujtesë të shkëlqyer e të fortë… të gjithë të huajtë e quanin “Faiku i butë” … Atë e kanë çmuar të huajtë më tepër se sa shumë nga bashkëatdhetarët e vet”.

   Anglezi H. Breislford, një mik i popullit shqiptar për afër një shekull në librin e tij “Makedonia” për Konicën shprehet edhe sa vijon: “… Një dijetar e studjues, njohuritë e të cilit në filologji janë po aqë të shënuara sa edhe toleranca dhe qartësia e tij në politikë… Filolog që dinte gotishten dhe sanskrishten, ashtu siç dinte frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe gjithë gjuhët e Ballkanit…”.

   Tek e fundit, vlerësimi i lartë që Konica i bënte Shqipërisë dhe vendit të vet, do të shprehet në Testamentin që i drejton Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës (Lame Kodrës S.R) në prag të ndarjes nga jeta në vitin 1942, kur shprehet se “…Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, në se ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të më tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pajetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ti i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet!”

   Ishte një amanet i dhembshëm si gjithë amanetet e tjera në përgjithësi, por që për kushtet e të qenurit në luftë, e sidomos për rrethanat që u krijuan në përfundim të saj, nuk do të realizohej. Duhej të vinte viti 1995 që eshtrat e shqiptarit të nderuar Faik Konica të shkelnin në tokën e amëshuar shqiptare. Ato prehen në Parkun Kombëtar pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

   Ja kjo ishte motua e një jete të madhe, që mendoi e punoi vetëm për Atdhe e Komb.

Safet N. Ramolli, Mars, 2017

Filed Under: Vatra Tagged With: Atdhetar i denje, Faik Konica, Safet Ramolli

Kemi nevojë për qeveritarë, jo për xherahë e kasapë

February 25, 2017 by dgreca

Shkroi: Faik Konica/

1_Faik-Konica2

« Drita », fletë shqipe që del në Sofie, shkruan në numër të 4 marsit 1905 : « Nesër, kur t’i dalë shpirti së ngordhurës Turqi, atëherë të gjithë shqiptarëẗ lypset të bëjnë kështu : çdo shqiptari mysliman, kur të flasë turqisht e të thotë ekemk, su, si dhe çdo shqiptari ortodoks, kur të flasë greqisht e të thotë psomi, nero, t’u presim me thikë jo vetëm gjuhën, po edhe hundën e veshët ». − Tani jam i sigurt se kemi edhe ne një burrë shteti (fr. homme d’État) ! Bravo, i lumtë atij që shkruajti ato fjalë, të cilat dëftojnë se çfarë vetash janë disa ndër ata që thonë se « punojnë për kombin ».

Të presim gjuhë, hundë e veshë !… Domethënë paska ndër ne një anë politike e cila ka shpresë ta qeverisë një ditë vendin me mënyrat e kanibalëve. Shumë bukur ! Sa për anën tjetër, ana e shqiptarëve që janë armiq të kanibaliesjës, e që më parë se çdo tjetër gjë kërkojnë të sigurojnë jetën edhe paqen e secilitdo, ajo anë do të sillet në këtë mënyrë përpara atyreve që « thonë ekmek, su, psmoni, nero » : « nuk do t’u japë patentë të hapin dyqan a të tregtojnë përveç atyreve që do jenë të zotët ta mbajnë defterin e tyre në gjuhë shqipe. Kjo do arrihet, dhe aq do ta bëjë ana e shqiptarëve të qytetëruar, në qoftë se kombi çlirohet një ditë dhe në qoftë se puna vete gjer atje. Shqiptarët me mend s’duan të punojnë me thikë për t’iu turrur botës. Kemi nevojë për qeveritarë, jo për xherahë e kasapë.

(Albania, nr. 1, janar 1905).

Filed Under: Opinion Tagged With: Faik Konica, jo për kasapë, Kemi nevojë, për qeveritarë

Alibali: Një reformë e suksesshme duhet të burojë nga brenda Shqipërisë

February 22, 2017 by dgreca

1 agron AlibaliNga Keida Kostreci/Zeri i Amerikes/Analisti Agron Alibali, paraqiti gjejtjet e tij gjatë punës për librin në shqiptaro-amerikan “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, një një aktivitet në Bibliotekën e Kongresit, në Uashington. Si studiues jo vetëm i figurave historike por edhe së drejtës ligjore dhe kushtetues, duke folur për Zërin e Amerikës, ai mori shkas nga tradita diplomatike e trashëguar nga figura si Konica dhe Musine Kokalari, për të theksuar se reformat në Shqipëri duhet të jenë produkt i brendshëm bazuar në traditën kombëtare.

Zoti Alibali tregon se çfarë portreti i Faik Konicës shfaqet nga kërkimet dhe dokumentat e gjetura prej tij.“Këtu paraqitet një Faik, si të themi me të gjitha dritëhijet e tij dhe për këtë arsye, ai paraqitet më njerëzor, më i afërt dhe mendoj që ai do të vazhdojë si personalitet me veprën e tij, do të vazhdojë të ketë interes në botën kulturore shqiptare”.Zoti Alibali thotë se Konica ishte ambasador i kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe një gjigant përsa i takon paraqitjes sa më me dinjitet dhe pozitive të kombit të vet të lashtë.“Ai fuqizoi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në një periudhë kritike midis dy luftrave botërore, ndërkohë që shteti i Mbretit Zog po fuqizohej përherë e më shumë përmes reformave shumë të rëndësishme kushtetuese dhe juridike të Mbretit Zog dhe nga ana tjetër Konica ishte negociatori dhe gjatë periudhës së tij u lidhën katër marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.Por duke nxjerrë në pah kompleksitetin e një personazhi të tillë, zoti Alibali thotë se nga ana tjetër mund të thuhet se ai nuk u tregua një faktor bashkues përsa i takon komunitetit shqiptar sidomos në lidhje me mbështetësit e Fan Nolit në rrethet e Masaçusetsit dhe më gjerë.

Duke bërë një lidhje mes atyre kohëve dhe situatës së sotme politike në Shqipëri, zoti Alibali thotë se kontributi i Konicës, ishte në mbështetje të një doktrine kushtetuese moderne, mbështetur në traditën vendase.

Ai i referohet madje edhe shkrimtares dhe aktivistes antikomuniste dhe antifashiste, Musine Kokalari, e cila në një dokument që i paraqiti me kolegët e saj misionit amerikan dhe britanik në vitin e vështirë 1945, shprehej se do të bëheshin përpjekje që reformat “të mbështeteshin në traditën vendase”.

Ndërsa në Shqipëri së fundmi ka pasur debate ldhur me shkallën e angazhimit të Ambasadorëve të huaj, përfshirë atë amerikan, Donald Lu në politikën shqiptare dhe në përpjekjet për reformën e drejtësisë, zoti Alibali shpreh vlerësimin më të lartë për rolin e diplomatëve amerikanë në lidhje me Shqipërinë, megjithatë shton se:

“Do të ishte një gjë shumë, shumë e bukur dhe vërtet e vlerësueshme që çdo diplomat i huaj në republikën e Shqipërisë të veprojë në bazë të rregullave diplomatike dhe të konventës së Vienës për marrëdhëniet diplomatike dhe kodit të hershëm zakonor diplomatik”.

Zoti Alibali e pranon se ka munguar mbështetja e politikës në vend për të luftuar korrupsionin që ai thotë se është shpërndarë pothuajse në çdo pjesë të jetës shqiptare, dhe se klasa politike e vendit ka pasur më shumë se një herë mundësi që ta zgjidhë këtë çështje, por ai këmbëngul që kushtetuta duhet të reflektonte parimet e qenësishme të së drejtës krahasimore dhe të jetë e kuptueshme nga populli.

“Gjendja e jashtëzakonshme sigurisht që kërkon masa të jashtëzakonshme mirëpo unë kam mendimin që një reformë e suksesshme në drejtësi dhe në kushtetutë dhe në sistemin e zgjedhjeve nuk mund të kryhet nga lart dhe nga jashtë, duhet të kryhet nga brenda dhe nga poshtë dhe të jetë gjithëpërfshirëse”.

Zoti Alibali thotë se reforma mbetet një problem i brendshëm, pasi është për qytetarin shqiptar i cili duhet “të ishet i pari që përfshihet në këtë reformë dhe ai duhet të jetë përfituesi i parë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, dritehijet, Faik Konica, reforma ne Shqiperi

“FAIK KONICA-DRITEHIJET E NJE DIPLOMATI” PROMOVOHET NE TIRANE

December 20, 2016 by dgreca

-Libri “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” i autorit Agron Alibali, q u promovua në Bbliotekën Kombëtare në Tiranë, fitoi cmimin”KONICA” në Konkursin e shpallë nga VATRA dhe Gazeta Dielli” në kuadër të “VATRA-2016-VITI I KONICES”/

1-faik-vesh1-faik-konica15540902_1839769512973712_684485596968429002_o15541036_1839769319640398_2432971400796957589_o15626090_1839769216307075_8453414090028240482_o

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të përmbylljes së vitit kulturor “Faik Konica”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, u promovua ditën e Premte, 16 dhjetor, vepra studimore “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” të autorit Agron Alibali, me pjesëmarrjen e veçantë të Prof. Aleks Luarasi, Prof. Pëllumb Xhufit, ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe studies të shquar nga vendi dhe Kosova. Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e BKSH-së, Prof. Dr. Persida Asllani u shpreh se “kjo vepër studimore risjell në vëmendje një prej figurave më të shquara të kulturës dhe diplomacisë shqiptare, Faik Konica”.

Studimi “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” i Agron Alibalit, i mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivin e Legatës Shqiptare në SHBA, trajton gjerësisht rolin e Vatrës si “qeveri në mërgim”, marrëdhëniet komplekse midis dy “shokëve të armëve”, Konicës e Nolit; raportet e Konicës me koloninë shqiptare në SHBA etj., ku dalin në pah sidomos edhe “dritëhijet” e tij. Në libër shfaqet figura e Konicës si përfaqësuesi informal diplomatik i Kosovës në SHBA, roli i tij thelbësor për shqipen juridike e diplomatike etj. Rëndësi të veçantë në libër paraqet botëkuptimi shtetformues e kushtetues i Faik Konicës, çka paraqet vlera të posaçme aktuale. Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog. Në pjesë e tij të fundit trajtohet edhe çështja e bibliotekës së tij të famshme, deri vonë të konsideruar të humbur, si dhe punën për gjurmimin dhe kthimin e kësaj pasurie të çmuar pranë Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë, sikurse e pat lënë amanet vetë Konica.
Pak kohë më parë rreth 270 libra të kësaj biblioteke janë bërë pjesë e fondit të vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, një pjesë e të cilave u ekspozuan për pjesëmarrësit e këtij aktiviteti.

Filed Under: Featured Tagged With: agron alibali, Faik Konica, libri, Tirane, Vatra

ME 15 DHJETOR NDERROI JETE FAIK KONICA

December 15, 2016 by dgreca

1-faik-konica-6

Ne Foto: Faik Konica ne tetor 1909, i veshur me kostumin toske, me fustenelle, zbriti ne Boston…./

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Konica, Ilir Ikonomi, ME 15 DHJETOR, nderroi jete, Si Sot

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT