Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Noli për çështjen e mbrojtjes së kufijve
Fan Stilian Noli është padyshim një nga figurat më erudite në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha, si dhe në fushën ushtarake. Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, si të ushtrisë, të bejlerëve, të liberalëve, të progresistëve etj. Në Kabinetin e tij qeveritar Kasëm Qafëzezi, u bë ministër i Luftës.
Një vëmendje të madhe, Noli i kushtoi çështjes së mbrojtjes së kufijve dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në këtë drejtim ai tregoi aftësi të mëdha ushtarake dhe diplomatike dhe arriti suksese. Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në 1913, kishin mbetur ende pa një vendim përfundimtar, ose pa u zbatuar vendimet e marra në lidhje me Vermoshin, Shën Naumin dhe 25 fshatrat në Korçë. Për këto të fundit ishte vendosur që 14 fshatra t’i mbeteshin Shqipërisë, kurse 11 t’i kalonin Greqisë, por Greqia nuk pranonte t’i dorëzonte. Noli dhe qeveria e tij i kushtoi rëndësi të madhe këtyre çështjeve në takimet në Lidhjen e Kombeve, gjatë vizitës dy mujore në Gjenevë, në muajt shtator-tetor 1924.
Fan Stilian Noli për Skënderbeun
Në vitin 1921, personaliteti i shquar, brilant dhe i gjithanshëm i jetës shqiptare, shfaqet edhe si autor studimesh historike ushtarake për një temë madhore e të përhershme kombëtare, siç ishte historia e Skënderbeut. Përsëri ishte një prift shqiptar, por tashme ortodoks, Fan Stilian Noli, i cili atë vit botoi në Boston të Amerikës, veprën me titull “Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”. Më pas ai do ta ribotonte këtë vepër, në një variant të ri me titull “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468)”, në Nju Jork, më 1947. Por libri pati edhe një botim tjetër pasuses, më 1950, tashmë nën titullin “Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405-1468)”.
Në të tre variantet e paraqitura nga Noli, si botime të planit historik, janë të pranishme elementet e historisë ushtarake, që sjellin shumë të dhëna për planet e betejave të zhvilluara, për strategjinë dhe taktikat e të dy palëve, për fortifikimin, organizimin ushtarak dhe të tjera. Këto, si dhe përshkrimi i saktë dhe i plotë i dinamikës së zhvillimit të veprimeve luftarake, brenda dhe jashtë kufinjve të vendit, e dallojnë veprën e Nolit për frymën realiste, bindëse dhe shkencore. Në të vërtetë Noli nuk është vetëm një përshkrues i aftë dhe realist, por njëherësh edhe një analist kritik i besueshëm, që me stilin e tij rigoroz e argumentues solli një frymë dhe ndihmesë të ndjeshme në historinë shqiptare në tërësi dhe në atë ushtarake në veçanti. Për më tepër se kaq ai i pasuroi ato me një vepër të re.
Ushtria e Skënderbeut sipas Nolit
Organizimi dhe stërvitja e një ushtrie ishte vepra më rëndësore, të cilës iu përvesh Skënderbeu që kur u kthye në Krujë, veçanërisht posa dinte që s’ish e largme koha kur do të ndodhej ballë për ballë me ushtrinë e Perandorisë Turke. Nga ushtarët dhe vullnetarët që u mblodhën, mbajti vetëm 15.000, 8.000 kalorës dhe 7.000 këmbësorë, të gjithë luftëtarë të sprovuar, të zgjedhur me kujdes, të tjerët i ndau nëpër fortesa a i dërgoi në shtëpi, që t’i thërriste kur t’i duheshin.
Gjithë në këtë kohë, futi në principatën e tij rekrutimin, gjë për të cilën asnjeri s’ish menduar gjer atëherë në Europë dhe e cila qe një reformë e padëgjuar në Shqipëri dhe bëri lista të plotë të meshkujve që mund të mbanin armë, që t’i mblidhte kurdoherë që të ish nevoja. Kësaj gjëje Skënderbeu i jep aq rëndësi, sa u vu në krye të komisionit dhe doli fshat me fshat, për të shikuar njerëzit dhe bërë listat.
Vlerën e një ushtrie të rregullshme, të gjithanshme dhe të gatshme për luftë në çdo minutë, Skënderbeu e kishte mësuar nga Turqia, ku pa me sy shërbimet e vyera të jeniçerëve. Fitimet e tyre turqit ja detyronin këtij trupi ushtarak, të zgjedhur, të cilin e themeloi sulltan Orhani. Skënderbeu e solli këtë shërbim në Shqipëri dhe formoi një trup të zgjedhur prej më tepër se 2 mijë shqiptarë, të cilët nga disiplina, trimëria dhe besnikëria, s’kishin shokë në botë. Emrat dhe trimëritë e cilitdo prej tyre i dinte Skënderbeu me gojë, hante shumë herë në një tryezë me ta dhe pas fitimit të ndonjë beteje, i pinte shëndetin dhe i jepte të pijë me kupën e tij atij që kishte rrëfyer më tepër trimëri, pa ndryshim shkallë dhe ofiqi… Barleti e përmend këtë gardë mbretërore, të cilën e quan “proetoria cohors”, në Betejën e Torviollit. Pjesa kalorëse e gardës përbëhej prej 600 krutanë të zgjedhur. Skënderbeu kujdesej veçanërisht për ushqimin, veshjen dhe pagesën e ushtarëve të gardës.
Pastaj bëri fortifikata të reja rreth Krujës, vizitoi të gjitha kështjellat, të cilat i vuri në shtet-mbrojtje, studioi hollësisht topografinë e Shqipërisë, duke mos lënë as mal, as fushë, as pyll, as lumë, as vijë, as përrua, as grykë pa matur nga pikëpamja strategjike. Dhe atyre që kish pas u thoshte që, për një gjeneral të mirë, është aq nevojë të dijë vendin që ka për të mbrojtur, sa dhe numrin dhe cilësinë e ushtrisë armike.
Ushtrinë e re e mbante gjithnjë në lëvizje dhe në ushtrim, dhe në pak kohe e bëri gati për luftë dhe aq të disiplinuar, sa dukej sikur ishte stërvitur vite me radhë e ish pjekur e rrahur në zjarrin e betejave. Ushtarëve të rinj s’u rrihej vendit nga mosdurimi që të përleshen me armikun. Cilido ngrihej në mëngjes gati që të nisej, i fliste kalit, shpatës, krahut, ftonte shokët të bashkohen e të mos presin më. Skënderbeu mezi i përmbante dhe uronte me gjithë zemër që ushtria turke të vinte një orë e më parë …
Kënga popullore “dokument” që vërteton faktet historike
Këngën popullore Noli e dëshironte jo vetëm t’iu kundërvihej mendimeve që nuk përputheshin me të vërtetat e dëshmuara, por dhe të ngrinte lart, të çmonte së tepërmi cilësitë dhe karakteristikat e popullit shqiptar. Kjo do të përbënte dhe një veçori Noliane në të përcjellurit dhe vlerësimin në një mënyrë elegante të trashëgimisë folklorike shqiptare. Por duhet thënë se Noli krijimtarinë folklorike e ka shqyrtuar dhe për ta vlerësuar atë si një “dokument” që vërteton faktet historike. Më së qarti e gjejmë këtë në një nga bisedat e tij lidhur me ekzistencën te shqiptarët të ndjenjës së patriotizmit. Ai, duke iu kundërvënë të gjithë atyre që shprehen se shqiptarët s’kanë pasur patriotizëm, për të vërtetuar të kundërtën, merr në konsideratë vëllimin e Thimi Mitkos, “Bleta shqiptare”, botuar më 1878, duke shkëputur prej tij për të analizuar këngën kushtuar Rrapo Hekalit.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Noli thotë se vjersha popullore që do t’ju deklamoj tani është krijuar më 1850, kur u bë kryengritja e Labërisë në kohën e Tanzimatit. Turqia desh të impononte Tanzimatin një kanun të përgjithshëm për gjithë viset e Turqisë. Kjo do të thoshte që ca të drejta të pakta vetqeverimi që kishin shqiptarët, do t’i merrte Turqia dhe kështu vendi do të robërohej fare. Dhe populli u ngrit. Pikërisht krye trima të kësaj lëvizjeje, Rrapo Hekalit, Hodo Nivicës dhe Gjolekës, u bën jehonë kënga që Noli e merr në konsideratë. Në vazhdim, pasi ka dhënë vargjet e njohura tashmë të kësaj kënge popullore, Noli shprehet: “Ato tri radhët e fundme (e ka fjalën konkretisht për këto vargje: Pse, lufton a derëzi? / As për mua, as për ti/ Po për gjithë Shqipëri) tregojnë se qëllimi i kësaj kryengritjeje ishte për tërë Shqipërinë”. Dhe në vazhdim të analizave dhe sjelljes së shembujve konkretë Noli arrin në përfundimin “që nuk e shpikëm patriotizmën shqiptarë, e gjetëm”. Kjo ishte mënyra me të cilën Noli analizonte dhe shpaloste tiparet dhe virtytet e shqiptarëve, të pasqyruara nga kënga popullore shqiptare.
Poezitë e Nolit kanë në brendinë e tyre një ngjarje. E tillë është edhe poezia më e parapëlqyer e tij “Rent, or Maratonomak!”. Në këtë poezi realizmi shkrihet me një romantizëm shumë optimist. Ashtu si Maratonomaku që vrapon për të shpurë sa më shpejt lajmin e gëzuar të fitores, ashtu siç dalin njëra pas tjetrës nëna, motra dhe nusja, po ashtu edhe vargu pa lidhëza ecën me ritëm të shpejtë e të vrullshëm. Një figurë tjetër poetike që përdoret si burim shprehësie është përsëritja. Folja “rent” përdoret shtatë herë në këtë poezi për të theksuar ngulmimin dhe dëshirën për të çuar sa më shpejt lajmin e fitores. Në përputhje me tonin stilistik të poezisë, përdoren edhe sinonime stilistike të fjalës “rent”, si: “shpejt”, “turru tej”, “tutje”, “mbahu”, “haj dhe pak”, të cilat dallohen për shkallën e intensitetit dhe paraqitjen e idesë me gradacion. Te poezia “Rent, or Maratonomak!”, përsëri është fjala “maratonomak” dhe tokmak, -or Maratonomak; lark or lark-or Maratonomak, haj dhe pak or Maratonomak.
Në krijimtarinë poetike të Nolit një vend të veçantë zënë edhe elegjitë me karakter ushtarak si “Syrgjyn-vdekur” dhe “Shpella e Dragobisë”. Elegjia për Luigj Gurakuqin është lirikë dhe e ëmbël, kurse elegjia për Bajram Currin është epike, himnizuese e luftarake. Me epitetet “gojëmjaltë”, “zemërhekur”, “shpirt të bardhë” e “vigan liberator” portretizohet Luigj Gurakuqi dhe me epitete të një natyre tjetër si: div, dragua, legjendar Ante, trim tribun dhe yll i rrallë i burrërisë portretizohet Bajram Curri. Vëlla e quan të parin, baba të dytin.