• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Udhëtarët e ngujuar në Aeroportin e Prishtinës

August 14, 2013 by dgreca

Nga Fatmir Aliu/

“Prapë në lajme e dëgjova dje”!

Është një prej bisedave më të zakonshme që do të dëgjonit në Aeroportin e Prishtinës, po u rastisi të shkoni.Brenda ndërtesës, ndërkaq, ka familje të tëra që bënin radhë, për t’u informuar nëse fluturimi i tyre do të shkojë me kohë apo jo.

Muharremi jeton dhe punon në Holandë. Të martën ai s’kishte për të udhëtuar prapa nga aeroporti, por megjithatë kishte ardhur për të vizituar një prej avio-kompanive, nga e cila bleu biletën.

“S’po ma merr mendja hiç, që do të fluturojë ky aeroplan të martën”, i thotë njërit nga punëtorët e agjencisë Muharremi.

“(Qeshet) Pse s’po ta merr mendja që nuk fluturon aeroplani? Problemi është që tash i keni bërë rezervimet!”, ia kthen punëtori.

“Po e shoh përditë në lajme…” ia ndërpret Muharremit fjalën punëtori i agjencisë dhe ia kthen me “…dëgjomë ti vetëm pak! Ne e marrim përgjegjësinë!”.

32-vjeçari i rrëfehet zotërisë së avio-kompanisë se ka pak muaj që është punësuar, andaj nuk dëshiron që ai dhe bashkëshortja të humbin punën për shkak të papërgjegjësisë së dikujt. Punëtori duket se bashkëndien me të, dhe për ta siguruar i thotë se një prej kolegëve të tij do të jetë gjithnjë në aeroport ditën e fluturimit, më 21 gusht.

“Përgjegjësia është e jona. Uroj të mos bëhet ndonjë tërmet, e që s’kemi fluturime. Por përndryshe, rri i qetë për këtë punë!”, thoshte punëtori. “Veç puna e përgjegjësisë! Më 22 jemi (ai dhe bashkëshortja) në punë, sa ditë vonohem, nga 200 euro është përgjegjësia jote”, thotë Muharremi.

Por, as këtu nuk ndahen mirë, sepse punëtori i agjencisë i thotë klientit që ka blerë biletën se gjithçka mund të bëhet, përjashtuar kthimin e 600 eurove sa i kanë kushtuar Muharremit biletat.

“Garancia është që ky fluturon. Vetëm dil me kohë në aeroport. A po kupton? Pa asnjë problem! Në rast se eventualisht, nuk shkon fare fluturimi, e që mund të ketë defekt, pra ai realizohet maksimumi të nesërmen. Por, jo vetëm për ty, por për të gjithë udhëtarët. Nëse eventualisht ka probleme teknike, probleme politike, që bëhen për të gjithë njësoj, t’i heqim ato që kompania e merr përsipër. Nëse t’i mbetesh në aeroport, për problem të biletës, çdo garanci tjetër ke prej ne!”, thoshte punëtori i agjencisë.

Dhjetëra persona kanë mbetur të ngujuar në Aeroportin e Prishtinës gjatë fundjavës, në pamundësi për të hipur në aeroplanin për të cilin kishin biletë. Sipas ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, problemet më të mëdha janë shfaqur me kompaninë “Belle Air”. Dhe, për këtë gjë, që ai e quajti si papërgjegjësi, Makolli tha se do të pasojnë sanksione.

“Këta operatorë e kanë një leje të operimit në Aeroportin e Prishtinës. Nuk u janë përmbajtur kushteve dhe rregullave të përcaktuara, dhe në këtë drejtim duhet gjithsesi që të sanksionohen! Unë pres që Departamenti i Aviacionit Civil, të ndërmarrë veprime ndaj këtyre operatorëve të papërgjegjshëm, cilido qoftë ai. Ndërkaq, për të ardhmen të merren masa preventive për të parandaluar raste të tilla”, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri Makolli.

Por, në zyrat e kompanisë që apostrofoi ministri, askush s’deshi të flasë të martën.

Në sportelin e tyre në aeroport, thanë se menaxheri s’është aty për të dhënë çfarëdo komenti apo përgjigje për udhëtarët që mbetën të ngujuar për disa ditë aty.

Megjithëse nuk deshën të flasim para mikrofonit, thonë se problemi qëndron te shitja e tepërt e biletave, “që e kanë të gjitha kompanitë” e jo vetëm ata.

Por, fajin për këtë problem që u përsëritet nga viti në vit kosovarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ia vesh edhe vetes një zyrtar qeveritar. “E ndiej veten fajtor për këtë gjendje! Dhe, me këtë dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre që janë prekur, në çfarëdo lloj forme nga kjo, edhe pse kjo nuk është në mandatin e Ministrisë së Diasporës, por është përgjegjësi e jona morale, dhe do ta ndreqim”, deklaroi ministri Makolli.

Filed Under: Komente Tagged With: e ngujuar, Fatmir Aliu, ne Prishtine, udhetaret

KFOR-i s’e përjashton mundësinë e partneritetit me Mbrojtjen Civile Serbe

May 14, 2013 by dgreca

“Mbrojtja Civile Serbe” që vepron në pjesën veriore të Kosovës, mund të jetë partner i paqeruajtësve të NATO-së në të ardhmen, sinjalizon komandanti i KFOR-it Volker Halbauer, sipas të cilit baza juridike për cilëndo organizatë në Kosovë duhet të sqarohet paraprakisht.
Gjeneral-Majori gjerman që udhëheq misionin e NATO-së në Kosovë, tha të martën se gjëja kryesore në përzgjedhjen e partnerëve në terren, është që ata t’i përshtaten mandatit të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt.
“Unë nuk do të argumentoj rreth bazës ligjore të cilësdo organizatë në Kosovë. Kushdo që ka bazë ligjore, kjo është çështje tjetër, dhe vendimi duhet të merret nga autoritetet tjera. Për ne si KFOR, kushdo që kontribuon për një mjedis të qetë dhe të sigurt, është partner joni, e kush nuk e bënë këtë gjë, nuk është partner i joni”, u përgjigj Halbauer kur është pyetur rreth një partneriteti të mundshëm me “Mbrojtjen Civile”.
Ky trup, të cilin autoritetet në Prishtinë e konsiderojnë si ilegal, është shfaqur në nëntor të vitit të kaluar në publik në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pjesëtarët e saj janë të uniformuar, dhe komandohen nga Kërstimir Pantiq, që është shef i shtabit të Mbrojtjes Civile matanë lumit Ibër.(Kortezi Fatmir Aliu Europa e Lire0
Pantiq ka pati deklaruar për mediet serbe se kjo organizatë është e formuar në kuadër të ligjit për situata të jashtëzakonshme të Republikës së Serbisë, dhe në përputhje me Konventën e Gjenevës, si një organizatë komunale nën kontroll të autoriteteve lokale.
Por për komandantin e KFOR-it Volker Halbauer përveç çështjeve ligjore që duhet të definohen për “Mbrojtjen Civile Serbe”, një gjë është e qartë se kjo organizatë nuk ka të drejtë të bartë armë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Fatmir Aliu, Kfor, Mbrojtja civile serbe

SULMOHET ZYRA E IVANOVIQIT NE MITROVICE

April 2, 2013 by dgreca

OIliver Ivanoviq: Më sulmuan ata që s’e duan politikën time/

Nga Fatmir Aliu/

Është sulmuar të hënën mbrëma zyra e politikanitOlliver Ivanoviq në pjesën veriore të Mitrovicës, ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në selinë e partisë së tij politike.
Sipas forcave të rendit, sulmi ka ngjarë pak para mesnatës, ndërsa në objektin e djegur tërësisht të Iniciativës Qytetare Serbia Demokracia dhe Drejtësia (IG-SDP), fatmirësisht nuk ndodhej askush.
Ivanoviq, i cili udhëheq me këtë subjekt, i ka thënë policisë se është i bindur që motivi i sulmit ishte kryekëput politik.
Të njëjtën gjë u ka thënë edhe medieve serbe në veri.
“Më mbetet të konkludoj se vetëm politika ime, dhe ajo me të cilën merrem, mund të jetë motiv për ndonjë ekstremist që të në këtë mënyrë t’i zgjidh dallimet”.
“Nëse dikush ka ankesa për qëndrimet e mia politike, atëherë këto ankesa duhet me i tregu. Por më së shpeshti del se sugjerimet dhe qëndrimet e mia pranohen nga popullata e gjerë”, i tha Ivanoviq agjencisë serbe Tanjug.
Pjesa veriore e Kosovës ka qenë arenë e shpërthimeve të shumta gjatë muajit mars dhe shkurt, të cilat i ka përmendur edhe vet kryeministri Hashim Thaçigjatë paraqitjes së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sipas raportit të tij, të paktën 30 sulme ka ngjarë gjatë dy muajve në atë zonë, kurse përgjegjësinë për veprat kriminale, shefi i qeverisë në Prishtinë Thaçi, ia pati atribuuar strukturave paralele të sigurisë, që i financon Beogradi zyrtar.
Policia pati nxjerr një motiv të mundshëm për këto incidente, se kishin për nishan serbët nga pjesa veriore, që punojnë për institucionet e administruara nga autoritetet kosovare, e jo ato të Serbisë.
Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, i tha Radios Evropa e Lirë të martën, se zjarrvënia në selinë e partisë së Olliver Ivanoviq, ishte e qëllimshme, dhe se policia ka gjet prova në vendin e krimit që e udhëzojnë tek ky konstatim.
“Është gjetur një shishe e cila besohet se ka pas materie ndezëse, kryesisht derivate të naftës brenda saj, dhe besohet se e njëjta është hedhur brenda zyrës së zotit Ivanoviq, me qëllim që të shkaktojë dëme materiale”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Forcat e rendit ende nuk kanë asnjë të dyshuar për këtë rast.
Por, teknikët e kriminalistikës, në vendngjarje kanë marr si provë edhe një leckë e cila është përdorur për t’ia vënë flakën zyrës së partisë së Olliver Ivanoviq. Kurse prapa objektit, janë gjetur edhe shkallët që janë përdorur për të depërtuar brenda zyrave.

Filed Under: Kronike Tagged With: Fatmir Aliu, Olliver Ivanoviq, sulmohet zyra ne Mitrovice

NATO-ja arsyetoi ekzistimin e saj më 24 mars 1999

March 24, 2013 by dgreca

Kështu dëgjohej alarmi gjithandej Kosovës dhe Serbisë më 24 mars të vitit 1999.
Sirenat u dëgjuan për 78 ditë rresht, aq sa zgjati edhe fushata ajrore e NATO-së ndaj caqeve serbe të sigurisë.
Për njohësit e çështjeve ushtarake, bombardimi ishte i domosdoshëm. Por, ai zgjati më tepër sesa që e kishte menduar Aleanca Veri-atlantike.
Ali Aliu, që është shqiptari i parë dhe i fundit pilot në aeroplanët reaktiv dhe supersonik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se NATO-ja ia arriti qëllimit të saj që ta gjunjëzojë Serbinë, pa u futur në luftë frontale me këmbësori.
“Bombardimi ka qenë i domosdoshëm dhe ka zgjatur më tepër se që është planifikuar, sepse ashtu ka qenë situata, domethënë është dashur të shkohet deri te kapitullimi. Deri në fund. Praktikisht, është nënshkruar nga Serbia, kapitullimi i asaj Jugosllavie. Dhe, qëllimi është arritur. Për të parën herë në histori, sepse nuk ka ndodhur përpara, që qëllimi i luftës të arrihet vetëm me fushatë ajrore”, thotë Aliu.
Sipas tij, 14 vjet më parë, Aleanca Veri-atlantike edhe arsyetoi ekzistimin e saj, meqë si rezultat i kapitullimit të Serbisë, refugjatët u kthyen në shtëpitë e tyre dhe intervenimi humanitar dha rezultatet e veta.
Por, jo vetëm kaq. Sipas pilotit kosovar, një ndërmarrje e tillë vështirë se do të mund të bëhej nga një shtet i vetëm, qoftë ajo edhe superfuqia më e madhe botërore. Ndërsa me përfshirjen e NATO-s, edhe pakti mori një arsyetim tjetër për funksionimin e tij në të ardhmen.
“Po mos të ishte NATO, unë nuk besoj që do të kishte mundur ndonjë shtet i vetëm, vetvetiu të merrte një aksion të tillë, qoftë ajo edhe Amerika. Edhe për atë arsye, në një farë mënyre, e ka arsyetuar ekzistimin edhe NATO-ja, në këtë rast”, shprehet Aliu.
Mirëpo, kujtimi për fillimin e bombardimeve, nxjerr në pah edhe pritjet, të cilat, sipas tij, nuk u përmbushën as 14 vjet pas. Ish-piloti në Armatën Popullore të Jugosllavisë, vlerëson se procesi i normalizimit ishte i ngadaltë, kurse fajin e sheh si te klasa politike vendore, ashtu edhe te faktori ndërkombëtar.
“Për çfarë arsye ne nuk e kemi armatën? Përse nuk i kemi pasur që më herët të definuar çështjen e kufirit, por tash duhet pas 14 vjetësh të diskutojmë për çështjet, të cilat është dashur të zgjidhen shumë më herët?!”, thekson Aliu.
Përgjigjen në këtë dilemë e arsyeton zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bejtush Gashi. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se edhe për ushtrinë e ardhshme do të dihet së shpejti.
Sipas zëvendësministrit të Forcës së Sigurisë, e cila u ngrit pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse që trashëgoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, brenda tre muajve do të dihet se çfarë kompozicioni ushtarak do të ketë vendi.
“Në qershor do të jetë para autoriteteve vendimmarrëse vendore, që të nxjerrin vendim për strukturën e ardhshme të sektorit të sigurisë dhe përgjegjësive të secilit sektor në kuadër të kësaj strukture. Në këtë drejtim, Forca e Sigurisë së Kosovës shkon kah një ushtri, e cila do të jetë në raport me kërkesat që sektori i sigurisë ka.Përkatësisht, standardet që kërkohen për të funksionuar dhe për të qenë kompatibile me strukturat ku ajo planifikon të anëtarësohet, pra në strukturat e NATO-s. Shpresoj dhe besoj se data kur Kosova do të ketë ushtrinë e saj nuk është shumë e largët”, deklaron Gashi.
Zëvendësministri i FSK-së thotë, po ashtu, se përpos orientimit që po merr kjo forcë dhe shoqëria në përgjithësi, në ditën kur kujtohet ndërhyrja e NATO-s, të gjithë duhet të tregojnë më shumë kujdes që t’i përmbushin kërkesat e të gjithë qytetarëve.
Gashi pajtohet se pritjet, të cilat kanë qenë më 14 mars 1999, për fat të keq nuk kanë arritur të përmbushen që të gjitha. Por, arsyeton se ato ishin më të mëdha sesa realiteti, nëpërmes të cilit ka kaluar dhe po kalon Kosova.

/Thaçi: Intervenimi i NATO-s ishte në mbështetje të lirisë/

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se intervenimi i NATO-s kundër pranisë së regjimit të Serbisë në Kosovë ishte në mbështejte të lirës së popullit të Kosovës.
“Katërmbëdhjetë vite më parë, Aleanca veriatlantike e NATO-s intervenoi në Kosovë kundër pranisë së dhunshme të aparatit shtetëror serb në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”, theksoi Hashim Thaçi.
Mëtutje, në njoftimin nga Zyra e kryeministrit, thuhet se “Aleanca e perëndimit për lirinë e Kosovës ishte rikonfirmim i fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, një luftë në mbrojtje të vlerave më kulmore të qytetërimit botëror”.
Zoti Thaçi konsideron se “në këtë ditë të shënimit të këtij përvjetori të madh, kujtojmë me nderimin dhe respektin më të lartë institucional sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata janë themelet e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës”.
Tash, sipas Thaçit, një dekadë e gjysmë më vonë, Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurtë drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike, me një angazhim institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

/Serbi: Në përvjetorin e sulmeve të NATO-s, Daçiqi i nderon të rennet/

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, sot në 14 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, ka vendosur kurorë në përmendoren e pjesëtarëve të ushtrisë së ish Jugosllavisë, në komunën beogradase, Rakovica.
“Kanë kaluar 14 vite nga bombardimet e Jugosllavisë dhe në ditën e sotme, të gjithë duhet t’i përkujtojmë ata, që e dhanë jetën për mbrojtjen e atdheut”, u tha Daçiq gazetarëve, pas vendosjes së kurorës.
Mëtutje, ai ka theksuar se Serbia, në të ardhmen, duhet të ketë politikë të tillë, e cila qytetarëve të vet u siguron që të jetojnë në vendin e tyre, e jo të vdesin për të.
“Problemet që kanë ekzistuar në të kaluarën, ekzistojnë edhe sot dhe për këtë arsye është e nevojshme pajtueshmëria e plotë e të gjithë faktorëve politikë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Daçiq.(Kortezi:FATMIR ALIU R, Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: ekzistimin e saj, Fatmir Aliu, me 24 mars 1999, Nato arsyetoi, Radio Evropa e Lire

Vlora Çitaku: Uashingtoni e Brukseli reflektojnë si Prishtina

March 23, 2013 by dgreca

Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojëdhe të pranojë marrëveshjen, e cila është në dobi të Prishtinës, të Beogradit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku.

RADIO EVROPA E LIRË- Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është zhvilluar të premten debati i radhës për Kosovën, ku ende ka dallime mes palëve. Kurse, kemi edhe dialogun në Bruksel, i cili nuk është se po sjell rezultate?! Na thoni ju lutem se çka duhet pritur?

VLORA ÇITAKU-Është jashtëzakonisht e rëndësishme të potencohet se Kosova është e gatshme për marrëveshje, realisht ne kemi qenë të gatshëm për marrëveshje qysh nga 4 marsi, mirëpo është pala tjetër, është Serbia, ajo e cila nuk është ende në gjendje të kuptojë se realiteti ka ndryshuar, dhe marrëveshja në Bruksel nuk mund të reflektojë asgjë tjetër, përveç realitetit që e kemi tani – Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Normalisht, që është proces i vështirë, normalisht që është proces shumë sfidues, është proces, i cili qoftë në opinionin publik në Serbi, apo në Kosovë, është përcjellë shpeshherë me shumë pikëpyetje, me shumë paqartësi, por është e rëndësishme që të potencohet se çfarëdo lloj marrëveshjeje të arrihet, do të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ne kemi bërë ofertën tonë. Oferta jonë është substanca e Pakos gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisaari. Është e qartë që pala tjetër, përkatësisht Beogradi ka shqetësime, sepse sigurisht që kanë pritur shumë më shumë.
Fillimisht, kanë pasur projektin e ndarjes, pastaj projektin e krijimit të Republika Srpskas në Kosovë, pastaj projektin e krijimit të një nivelit të tretë të pushtetit. Por, për fat të mirë, edhe BE-ja, edhe SHBA-ja, edhe vendet kyçe anëtare të BE-së, e kanë refuzuar një platformë të tillë. Andaj, pozicioni i Kosovës dhe ai i BE-së në këtë fazë është identik.

RADIO EVROPA E LIRË- Sa jeni të sigurt se Prishtina nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i saj?

VLORA ÇITAKU-Po e ripërsëris. Ne qysh nga 4 marsi, kemi qenë të gatshëm për marrëveshje. Pala kosovare është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët kyç ndërkombëtarë. Dhe, unë dua të them hapur që nuk jemi palë të kundërta.
Përkundrazi Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojë, t’i kthehet realitetit, dhe të pranojë marrëveshjen, e cila në fund të fundit është në dobi të Prishtinës, është në dobi të Beogradit dhe është në dobi të së ardhmes evropiane të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË-Thatë se Beogradi duhet të pranojë marrëveshje…ose përndryshe çka do të ndodhë?

VLORA ÇITAKU-Ne nuk jemi ata, të cilët i takojmë kushtet dhe ndëshkimit që do të pasojë, por është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të tërë rajonit. Beogradi nuk mund të ketë dy qasje kontradiktore. Një qasje pro-evropiane karshi Brukselit, dhe një qasje tërësisht anti-evropiane karshi Kosovës. Esenca e këtij procesi është që Beogradi, përkatësisht Serbia të detyrohet, të sillet në mënyrë evropiane me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË-Të detyrohet?

VLORA ÇITAKU-Po normalisht, sepse ky është një proces, i cili është orkestruar, dizajnuar, dhe formësuar nga ana e BE-së për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë një kapitull të errët të historisë.(Intervistoi Fatmir ALIU)

Filed Under: Interviste Tagged With: Fatmir Aliu, Interviste, Vlora Citaku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT