• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Pushteti i ISIS”-it përballë sistemeve të sigurisë

July 11, 2016 by dgreca

Nga Faton Mehmetaj/*

Pas shembjes së komunizmit u deklasifikua edhe “lufta e ftohtë”. “Bota e tretë” e humbi kuptimin, vendet e painkuadruara pothuajse e pushuan aktivitetin politik. Rrëzimi i Murit të Berlinit e kapitalizoi mendimin e Gjermanisë për të qenë qendra e Europës dhe boshti i mendimit për Europën e Bashkuar.

Shkatërrimi i kullave binjake në ShBA nga Al-Qaida, rrëzimi i pushtetit diktatorial të Saddam Husseinit, përmbysja e Muammar Gaddafit nga pushteti, “Pranvera Arabe”, vendosja e bazave antiraketore në disa vende të Ballkanit, të Europës e të botës, aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë dhe luftimet në Ukrainë, pretendimet e shteteve të fuqishme për të dominuar kontrollimin e linjave të gazit, luftërat në Afganistan dhe problemet tjera atje prodhuan efekte domino në shumë vende të Lindjes, të cilat e trazuan botën arabe. Siria u bë arenë luftimesh, ku fuqitë e mëdha po e testojnë forcën. Bota nuk ka qenë më e destabilizuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pa hyrë në detaje, Rusia, nëpërmjet bisedimeve të fshehta, kishte rënë në ujdi për bashkëpunim sekret me Iranin. Kishin bërë plane të fuqishme për t’iu kundërvënë ShBA-ve dhe për ta shtrirë dominimin në Ballkan dhe në Europë. Irani po mundohet të rikrijojë Perandorinë Perse,  që të marrë kontrollin në Lindjen e Mesme.

Irani dhe Rusia nëpërmjet ndikimit politik dhe ekonomik që e kanë në Turqi, por edhe nëpërmjet shantazheve, siç është bërë e ditur më vonë, kishin arritur ta fusin në lojën e tyre edhe Presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan. Si pasojë e kësaj loje dhe humbjes së ekuilibrit, Turqia ka hyrë në një qorrsokak me shumë pak gjasa të arritjes së një stabiliteti të shpejtë. Mbreti i Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, e ka akuzuar Turqinë se ka eksportuar terroristë në Europë, dhe se sipas tij, Erdogani, beson se “Islami radikal është zgjidhje për rajonin”. Më tutje, në intervistën e tij të datës 11 janar 2016, dhënë Kongresit Amerikan, siç u bë publike në medie, Mbreti i Jordanisë, ka vënë në dukje se Turqia jo vetëm që i mbështetë grupet radikale në Siri, por ka mbështetur grupe të tilla edhe në Libi e Somali dhe se “radikalizmi është prodhuar në Turqi”.Në anën tjetër, një varg sulmesh terroriste janë kryer nga terroristët islamikë edhe në Turqi. Gjatë sulmeve terroriste që ndodhën në Turqi, më 10 tetor 2015, nga sulmet terroriste humbën jetën 103 persona; nga sulmi i 12 janarit 2016 humbën jetën 10 persona; nga sulmi i 18 shkurtit humbën jetën 29 persona; nga sulmi i 13 marsit humbën jetën 37 persona; nga sulmi i 19 marsit humbën jetën 5 persona. Gjithsejtë si pasojë e sulmeve terroriste të kryera kohëve të fundit në Turqi, kanë vdekur 184 persona, e qindra të tjerë janë plagosur. Kurse nga forcat e rendit në Turqi prej 7 qershorit të vitit 2015 deri më 5 janar 2016 janë vrarë 254 pjesëtarë të forcave të rendit. Ky është tregues i qartë se përgjegjësit e shërbimeve të inteligjencës së Erdoganit, në parim do të duhej të jepnin dorëheqje për shkak të dështimit të tyre. Por, gjithçka që ka ndodhur në Turqi kohëve të fundit, shkon përtej teorive konspirative, që është përpjekur t’i përdorë Erdogani.

Fanatikët fetarë vetëvrasës të dy organizatave më të mëdha, të “Al-Qaeda”-s dhe të “Shtetit Islamik”, po përpiqen që nëpërmjet akteve terroriste kundër Perëndimit, ta shtyjnë BE-në dhe ShBA-të të dorëzohen. Siç dihet, “Shteti Islamik” fillimisht është krijuar pas tërheqjes amerikane nga Iraku. Ka nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut. Pas fillimit të kryengritjes në Siri e ka shfrytëzuar gjendjen kaotike në këtë vend për të okupuar pjesë të mëdha të këtij vendi. Ka qenë aktiv gjatë muajve të fundit edhe në Libi. Tani ka për qëllim marshimin drejt Pakistanit, Tunizisë e vendeve të tjera të Afrikës,  etj. Qëllimi i IS është krijimi i një kalifati. IS financohet në masë të madhe nga shitja e karburanteve, ndër tjera edhe në Turqi. Ata në të ardhmen e afërt do të provojnë të  provokojnë forcat e të djathtës ekstreme prapa të cilave qëndrojnë klanet e rrevolucionarve dhe grupet e ish-bllokut komunist te cilët janë forcuar shumë këto vitet e fundit nënë aleancën e ekstremit të djathtë. Sigurisht përplasjet e tilla mund të ndodhin për ta zhvendosur luftën mes grupeve të ekstremit të djathtë dhe myslimanëve qe jetojnë ne botën perëndimore. Operacionet e “Al-Qaidës” dhe “Shtetit Islamik” (IS) po përpiqen që ta dështojnë Bashkimin Europian, si dhe segmentet e tjera në zhvillimet politike, nëpër të cilat po kalon Europa, Ballkani e më gjerë. Nëpërmjet  provokimeve të vazhdueshme terroriste, po bëjnë përpjekje ta këpusin ndonjë hallkë të sigurisë, për të krijuar panik dhe pasiguri në rajon, duke krijuar rrugë e hapësira për nxitjen e ndryshimeve dramatike.

Kryeministri italian, Matteo Renzi, për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve propozoi formimin e një shërbimi sekret të BE-së, i cili do të luante rol të madh në parandalimin e veprimtarisë së këtyre grupeve terroriste,  duke i koordinuar të gjitha shërbimet e shteteve të Ballkanit dhe të Europës rreth aktiviteteve të grupeve terroriste dhe përgatitjen e bazës së të dhënave të terroristëve potencialë. Po ashtu, ekspertët e sigurisë kanë vënë në dukje se shkëmbimi i informacioneve brenda Europës duhet të thellohet më tej që të ndajnë më shumë të dhëna me njëri-tjetrin për personat që dyshohet se janë islamikë radikalë, ngase aktet terroriste po ndodhin e bashkëpunimi më i mirë ndërkombëtar i shërbimeve të inteligjencës, sigurisht se do ta rriste efikasitetin dhe do ta gjente mënyrën më të mirë për shmangien nga aktet radikale të planifikuara nga organizatat terroriste.

Ballkani Perëndimor është shndërruar në një lloj “porte hyrëse” për luftëtarët islamikë. Rajoni cilësohet si shtegu i preferuar për luftëtarët xhihadistë, ndërkaq shihet edhe si “stacion” për islamikët radikalë nga Gjermania, Franca, Belgjika, Austria dhe Holanda, të cilët kanë për synim pjesëmarrjen në luftimet në Lindjen e Mesme. Në këto shtete, më shumë se 5 për qind e popullatës së përgjithshme janë të komunitetit mysliman. Vetëm në lagjen Molenbeek të Brukselit ka 22 xhami. Në këtë vend shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve është 40 për qind. Situata e papunësisë dhe varfëria u shfrytëzuan nga “Sharia4Belgium”, grup i formuar në vitin 2010, i cili merrej me promovimin e ligjeve islamike, por që më vonë i përqendroi energjitë e veta në rekrutimin e luftëtarëve islamikë për në Siri. Në disa raste,  instruktorët e celulave të organizatave ekstremiste, me veprim në shtetet e Perëndimit, lansuan lajme të rreme se X personi ka rënë martir, pra ka vdekur. Rastet e tilla i kishin konfirmuar familjet, gazetat e portalet e ndryshme, që janë nën menaxhimin e këtyre grupeve. Mirëpo, hetuesit e ndryshëm, të cilët janë marrë me përcjelljen dhe survejimin e tyre, kanë konstatuar se raportimi për “rënien martir” të disa personave, ishte një mashtrim për inteligjencën perëndimore, në mënyrë që të mos pengohen rikthimi i tyre në Europë. (Sa për ilustrim përmendim rastin e Lavdrim Muhaxherit, për të cilin ishte proklamuar se ishte vrarë në Siri, por nuk doli e vërtetë).

Nëpërmes Ballkanit, “Shteti Islamik” po i afrohet Europës. Vështirësitë për parandalimin e akteve terroriste janë më të vështira për t’u identifikuar dhe për t’u parandaluar për shkak se sulmuesit nuk janë jashtë,  por veprojnë edhe brenda shteteve të Ballkanit, Europës, ShBA-ve, etj. Planet sekrete të shteteve arabe, Iranit, Irakut e vendeve të tjera që e mbështetin “Shtetin Islamik”, para më shumë se dhjetë vitesh i kanë përgatitur celulat e veta terroriste, që operojnë në shumicën e shteteve të Ballkanit, të Europës e më gjerë.  Këto celula po i përdorin për ta forcuar pozicionin e vet në shtetet e BE-së, duke i goditur këto shtete nëpërmjet  akteve terroriste për t’i dekurajuar në projektin e Bashkimit Europian. Përveç tjerash, një prej synimeve të  “Shtetit Islamik”, është edhe shpërbërja e projektit të Europës së Bashkuar (BE-së) për të depërtuar më lehtë, për të realizuar projektet e veta në hapësirat e disa shteteve të Ballkanit e të Europës.

Investimi i Emirateve të Bashkuara Arabe në disa projekte të mëdha në Ballkan për punësim, pastaj investimi i Iranit, i qarqeve të caktuara të Turqisë e shteteve të tjera të Lindjes në disa parti politike në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak, Bosnjë etj., është tregues i qartë se edhe “Shteti Islamik”, pos akteve terroriste nëpërmjet të cilave po shkakton frikë e panik, po investon gradualisht edhe në fushën politike dhe ekonomike.

Si kundërpeshë e kësaj, bashkëpunimi i shërbimeve të inteligjencës të shteteve të rajonit duhet të jetë më i pranishëm edhe për t’iu kundërvënë të gjitha shërbimeve të kundërzbulimit, që i mbështesin organizatat terroriste me informacione e materiale të tjera, duke ua mundësuar që t’i kryejnë më lehtë sulmet e parapara nga organizata e “Al-Qaeda”-s dhe “Shtetit Islamik”. Instruktorët e organizatave terroriste islamike, nëpërmjet strukturave të veta të kundërzbulimit qëllimisht kanë përcjellë informacione të gabuara për t’i dezinformuar organet përkatëse të ndjekjes. Njësitet e shërbimeve sekrete të “Shtetit Islamik” në shtetet e Europës, por edhe në ato të Lindjes, mbajnë lidhje dhe kontakte me firma të ndryshme teknologjike, veprime këto të cilat i bëjnë këto organizata shumë dinake dhe të përgatitura në të gjitha dimensionet. Shërbimet e inteligjencës të shteteve të Perëndimit (amerikanë, gjermanë, francezë etj.),  është thënë se kanë qenë të shqetësuara për faktin se atentatorët e Parisit ishin të ndikuar nga jashtë dhe se kanë qenë të lidhur me militantë të tjerë islamikë. P.sh.: disa individë të përfshirë në sulmet në Paris, në të cilat u vranë 130 persona, kanë luftuar edhe në Siri, por kanë qenë të lirë t’u shpëtojnë kontrolleve policore me t’u kthyer në atdhe. Kurse përgjegjësinë për sulmin e mëhershëm ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” e kishte marrë dega e “Al-Qaeda”-s në Jemen.

“Shteti Islamik” dhe “Al-Qaeda” në një kohë kanë pasë dallime ndërmjet veti, por me ndërhyrjen e ideologëve të këtyre dy organizatave më të mëdha terroriste gjatë historisë, ato dallime duket se janë mënjanuar. Drejtuesit e këtyre dy organizatave, që i kanë përmasat edhe të lëvizjes, e kanë brenda vetes sistemin e këshilltarëve dhe bordeve këshilluese nga njerëz shumë të spikatur të botës arabe. Këto organizata, “Shteti Islamik” dhe Al-“Qaeda” tërheqin pas vetes gjeneralë dhe ushtarakë të zotët të Saddam Husseinit, ish-struktura udhëheqëse të Libisë, Irakut, Sirisë, etj. Kanë pas vetes fise të mëdha të vendeve të botës arabe, e veçmas në Iran. Ata rekrutojnë luftëtarë nga grupet rivale, që kanë ndikim në botën arabe. Përmes fondeve të pafund që i kanë siguruar nga tregtia me naftë e ngjashëm, organizojnë financimin e operacioneve terroriste në shtetet perëndimore, por edhe në vende të tjera.

Siç është thënë nga ekspertët e kësaj fushe, “Shteti Islamik” i ka spastruar pothuajse të gjithë rivalët islamikë dhe sunitë. Shumë grupeve me ndikim në Irak, Iran, Siri, Libi e vende të tjera u shpallën luftë dhe i nënshtruan,  duke ua dhënë një mundësi: të zgjedhin në mes të vdekjes dhe pendimit. Thirrja e prijësve të “Shtetit Islamik” dhe të “Al-Qaeda”-s në një xhihad të pamëshirshëm kundër “heretikëve shiitë, të krishterëve  të kryqëzatës, tradhëtarëve hebraikë dhe ateistëve kurdë”, nuk është për t’u nënçmuar. Ata u bëjnë thirrje çdo ditë myslimanëve të Perëndimit që t’u bashkëngjiten atyre dhe ta mbështesin luftën e tyre të nisur kundër shteteve të Perëndimit. Siç është parë dhe siç është bërë e ditur publikisht, ata kanë jo pak grupe e celula në shumë vende të Ballkanit, Europës e shteteve të tjera të Perëndimit. “Shteti Islamik”, siç u përmend edhe më lartë ka marrë pushtet në disa shtete të botës arabe, por edhe më gjerë. Luftëtarëve të “Shtetit Islamik” u kanë shprehur përkrahje edhe grupet terroriste në Egjipt, Gazë, Jordani, Liban, Arabinë Saudite, Tunizi, Jemen dhe Libi. Përdorimi i taktikave strategjike për të arritur qëllimet, ka bërë që ideologët e organizatave xhihadiste ta ndërrojnë strategjinë e disa grupeve, të cilat historikisht i kanë përdorur bombat vetëvrasëse. Ato u janë kthyer sulmeve me armë zjarri, si një mjet i arsyeshëm i dhunës. Njerëzit e ngarkuar për sulme kamikaze, në shumicën e rasteve kanë trajnuar në kampet e “Al-Qaeda”-s e më vonë edhe të “ISIS”-it (Shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit). Ndryshimi i këtij koncepti, në rrafshin e sigurisë, paraqet rrezik të dyfishtë. Në disa raste është bërë thirrje dhe janë lëshuar dokumente nga “Shteti Islamik”, në të cilat japin edhe detaje dhe kërkohet haptazi që pakistanezët, afganët-talibanët, të bashkohen me ushtrinë e “ISIS”-it, duke përfshirë këtu edhe kërkesën drejtuar “Al-Qaeda”-s për ta ndihmuar dhe bashkuar me “ISIS”-in kur kërkohet nevoja. Me theks të veçantë, islamofobia është rritur pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në ShBA. Këtu duhet vënë në dukje edhe lidhjet e “Al-Qaeda”-s në Gadishullin Arabik (AQAP).

Disa prej anëtarëve të kësaj organizate, sipas hetuesve francezë, janë të dyshuar për pjesëmarrje në sulmet në Paris, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera terroriste. Në disa raste, siç përmendet në shtypin e përditshëm,  rrjeti i Jemenit i ka stërvitur të rinjtë për të kryer akte terroriste në shtetet e Perëndimit. Për përgatitjen e terroristëve ka shërbyer edhe kampi për trajnimin e terroristëve në Afganistan. “Shteti Islamik” ka skica dhe projekte të detalizuara të funksionimit të tij prej udhëheqjes deri tek niveli lokal, duke përfshirë këtu deri në detaje edhe listën e përgjegjësive individuale.

Në bazë të studimit dhe hulumtimit të materialeve të publikuara, “Shteti Islamik” ka një mekanizëm shumë funksional të strukturës së inteligjencës, që i ngjet shumë ish-shërbimit sekret gjerman “Stasi”. Në shumë vende të Europës kanë ngritur Qendra misionare islamike, në të cilat rekrutohen njerëz të caktuar për spiunimin, të cilët bashkëpunojnë me shtete të fuqishme të cilat janë kundër ShBA-ve, me të cilat shkëmbejnë informacione, i përpunojnë ato dhe i përdorin më pastaj për qëllime të “Shtetit Islamik”, “Al-Qaeda”-s e organizatave të tjera që i luftojnë shtetet e BE-së, ShBA-ve e aleatëve të tyre. Tashmë Europa po kërcënohet seriozisht nga terrorizmi i radikalëve islamikë dhe, për këtë, duhet mobilizuar të gjitha forcat.

Në këtë mes, një gjë duhet sqaruar rrënjësisht: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia nuk paraqesin rrezik për Ballkanin, për Europën as për Perëndimin në përgjithësi sa i përket aspektit të radikalizmit islamik. Këto shtete me qindra vjet kanë bashkëjetuar me fetë e tjera dhe asnjëherë gjatë gjithë historisë nuk e kanë sulmuar askënd, por vetëm janë mbrojtur. Për më shumë se një shekull e gjysmë me radhë Serbia ka zhvilluar terror, gjenocid e shfarosje masive ndaj popullit shqiptar mbi baza fetare e nacionale, duke bërë përpjekje për ta asimiluar e dëbuar me dhunë nga trojet e veta etnike, për t’ia grabitur tokën e pasurinë. Populli shqiptar ka pesë fe të ndryshme, por kurrë nuk ka pasë problem as me vetveten as me të tjerët. Shquhet në botë, madje është shembull unikat në botë, për bashkëjetesë e tolerancë ndërfetare. Shqiptarët gjatë gjithë historisë i kanë respektuar edhe fetë e tjera të popujve joshqiptarë,  të pakicave që jetojnë në hapësirat e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës e vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. Edhe pse, sipas medieve e gazetave të ndryshme, kryesisht të atyre prosllave, rreziku më i madh po buruaka nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Sanxhaku, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Sa i përket kësaj dukurie, këto vende nuk dallojnë prej vendeve të tjera të Ballkanit dhe të Europës. Në këto qarje të mëdha fetare shpesh herë shoqëria jonë (edhe ajo mediale) nga mllefi dhe urrejtja ndaj “ISIS”-it, ka pasur mbireagime, të cilat kanë prodhuar efekte negative. Kohë pas kohe njerëz të caktuar kanë lansuar mendime të ndryshme, të cilat përveç faktit se janë false, janë  edhe destruktive. Me këto veprime, mendojnë ta orientojnë Kosovën kah Lindja e Mesme.

Që të mposhtet terrorizmi, është e detyrueshme që t’i kuptojmë faktorët të cilët i motivojnë myslimanët europianë që të bashkëngjiten me luftëtarët e “Shtetit Islamik”. Secili qytetar i yni dhe i huaj e di se Kosova as tash as në të kaluarën nuk ka shkuar kah Lindja e Mesme por nga Europa. Kosova prej shekujsh ka qenë e orientuar drejt Europës dhe progresit botëror. Jo rrallë herë kemi reaguar në mënyrë naive ndaj paraqitjes së ekstremizmit islamik në hapësirat e ndryshme ballkanike e më gjerë. Konceptet nacionaliste nuk ndërtohen me elemente fetare, ato janë një pjesëz e vlerave tona të çmuara, por nuk është tërësia. Prapa nxitjes, financimit dhe rekrutimit të pjesëtarëve islamikë radikalë nga Kosova qëndron Serbia.

Nuk është e rastit se një nga portalet më të njohura që publikon lajme në gjuhën shqipe dhe bën thirrje për ekstremizëm islamik – portali botaislame.com, siç është bërë publike, ishte hapur në Suedi, në vitin 2007, nga pjesëtari i JSO-së famëkeqe, serbi Millutin Jovanoviq, ndërkaq më vonë informatat e uebsite-it janë fshehur me pagesë. Përkujtojmë se JSO-ja (Jedinica za Specijalne Operacije/Njësia për Operacione Speciale), ose siç është njohur ndryshe edhe me emërtimin “Beretat e Kuqe” (“Crvene Beretke”), ishte njësit ekzekutiv i Shërbimit Sekret Serb RDB (“Resor Državne Bezbednosti”), të cilët i kanë kryer krimet më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në vet Serbinë. Madje, në vitin 2003, JSO e ekzekutoi edhe kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq.

Infiltrimi i shërbimeve serbe në organizatat fetare, synim të vetëm e kanë paraqitjen e shqiptarëve si popull me prirje ekstremiste fetare. Involvimi i shërbimeve sekrete serbe dhe ndikimi ruso-serb në përgjithësi në Kosovë dhe tek shqiptarët në përgjithësi, është i dukshëm dhe i qartë: paraqitja e shqiptarëve si ekstremistë radikalë fetarë në Ballkan dhe si potencial i mundshëm i akteve të terrorizmit. Në analizat e radhës do të flasim për ekstremizmin dhe terrorizmin ortodoks dhe konvertimin e disa prej tyre në ekstremistë islamikë. Edhe përkundër pjesëmarrjes së disa shqiptarëve në Siri, edhe përkundër faktit se disa shqiptarë janë vrarë në luftime të ndryshme në Siri, edhe përkundër sinjaleve që grupe të caktuara radikale po mbajnë mbledhje të fshehta, edhe përkundër faktit se shumë imamë të rinj lokalë e qendrorë janë trajnuar dhe indoktrinuar në seminare të ndryshme fundamentaliste të Arabisë Saudite e vende të tjera arabe, të cilët po i drejtojnë shumë xhami në të gjitha hapësirat e Shqipërisë natyrale, shqiptarët nuk përbëjnë rrezik për vendet perëndimore, sepse në natyrën e shqiptarit dhe në historinë e tij nuk ekziston terrorizmi. Populli shqiptar i përkrahë fuqishëm ShBA-të e Perëndimin, botën e qytetëruar. Shqiptarët janë bindshëm populli më proamerikan në Europë e më gjerë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në shtator të vitit 2015, e ka aprovuar Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020. Në njërin prej paragrafëve të kësaj strategjie (Paragrafi 4.3.2.1) thuhet se “disa imamë me prirje radikale, qoftë në Kosovë apo në rajonin e Ballkanit, kanë luajtur një rol në inkurajimin apo në mënyrë aktive rekrutimin e kosovarëve për të shkuar dhe për të luftuar në Siri. Përveç kësaj, disa nga ta kanë ndikuar edhe në zhvillimin e një ideologjie ekstremiste fetare gjatë këtyre viteve të fundit”.

Kërcënimi nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm që shpie në terrorizëm, në Kosovë, tani për tani është i ulët. Celulat e grupeve ekstremiste të “Al-Qaeda”-s, që veprojnë në shtetet e Perëndimit përdorin udhërrëfyes-udhëzues të kodit të sjelljes, me qëllim që t’i kontrollojnë veprimet e përditshme për të mos rënë në gracka të shërbimeve. Udhëzuesit e tillë kanë 12 kapituj me 64 faqe dhe më shumë shërbejnë për të ashtuquajturit “ujq të vetmuar”, por edhe për “celulat” e vogla islamike, se si mund të kryhen sulmet terroriste. Shpesh herë udhëzuesit e tillë janë publikuar nga militantët e “Shtetit Islamik”.

Kohëve të fundit, “Al-Qaeda” në Gadishullin Arab po bën presion tek grupet më të vogla, por edhe tek luftëtarët e “Shtetit Islamik” me qëllim që ta merr primatin e punëve në Europë e më gjerë. Ata po i përdorin taktikat e “ujqve të vetmuar” për të kryer operacione terroriste në botën perëndimore, për shkak se janë më pak të kontrollueshëm, nuk bien në sy të shërbimeve sekrete dhe janë lehtë të menaxhueshëm nga instruktorët e organizatës. Sipas analistëve ushtarakë që janë marrë me këto çështje, mjaft pak nga shërbimet sekrete janë të kontrollueshëm edhe rrjeti i prodhuesve të bombave dhe hallkat e instruktorëve që përgatisin amelitë – njerëzit vetëvrasës, të cilët sipas rregullit nuk guxojnë të dalin asnjëherë jashtë deri sa të hedhen në erë.

Filozofia e përgatitjes dhe e përhapjes së doktrinave të “Shtetit Islamik”, të “Al-Qaeda”-s dhe organizatave të tjera terroriste islamike për ta shtrirë ndikimin e tyre në shtetet e Arabisë dhe në shtetet e Europës dhe të Ballkanit është shumë komplekse. “Shteti Islamik” i ka trupat elite të njohura si “Inghemasiyoun”, që në gjuhën arabe do të thotë njerëz që e sakrifikojnë veten. Trupat elite të “Shtetit Islamik” janë një lloj njësiti i forcave speciale, që veprojnë potencialisht me forcat e rregullta.

Në disa raste, pjesëtarët e “Shtetit Islamik” kanë marrë të dhëna të papublikuara nga grupet e hakerëve, të cilët  veten e quajnë “Divizioni i hakerëve të Shtetit Islamik”,  të kontraktuar posaçërisht për gjurmimin dhe hulumtimin e të dhënave strategjike të shteteve perëndimore. Ky është një tregues i qartë se “Shteti Islamik” i përdorë të gjitha forcat dhe mjetet për të arritur qëllimet e veta, në mesin e tyre edhe imponimi i një rendi politik, i mbështetur nga disa shtete me ndikim.

Sipas analistëve të ndryshëm, Rusia po e minon sigurinë rajonale dhe si pasojë e kësaj, e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Qëllimet strategjike ruse, për të gjetur territor në hapësirën e BE-së, realizohen duke lëvizur kujdesshëm, rast pas rasti me shtetet e vogla që akoma nuk kanë arritur ta instalojnë demokracinë dhe të zhvillojnë ekonominë në standarde perëndimore. Për shumë arsye Rusia kohë më parë iu ka “afruar” këtyre vendeve përmes shërbimeve të fshehta, të cilat i kanë mbajtur nën kontroll këto vende si një element bazë strategjik për të aderuar në Ballkan dhe në Europë, që është synim i saj i vjetër, i përpjekjeve të saj strategjike për ta kthyer në skenë Perandorinë e Madhe Ruse (Le Grand Tsar), por në konceptet e një Rusie moderne. Në interes të kësaj strategjie, Rusia ka nisur krijimin e të ashtuquajturit “Bashkim Eurazian”, për të krijuar një kundërpeshë të Bashkimit Europian. Irani, siç vënë në dukje agjencitë e ndryshme të lajmeve dhe analistë ushtarakë, po përzihet dhunshëm në shtetet e tjera, duke i synuar edhe armët bërthamore, duke e rrezikuar sigurinë. Roli i Iranit në këtë mes është i veçantë, ai e ka mbështetur Sirinë prej vitit 2011. Ky vend ka dërguar  mijëra ushtarë në brigadat mercenare.

I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura,  vlerëson se Irani brenda një viti jep rreth 6 miliardë dollarë amerikanë për të mbështetur regjimin e Assadit. Ekspertë të tjerë thonë se i jep 20 milionë dollarë në vit Hezbollahut. Milicia shiite nga Libani me një lidhje të ngushtë me financuesit nga Irani, lufton po ashtu në anën e Assadit dhe paraqet grupin e dytë më të madh të trupave të këtij regjimi. Rusia, po ashtu, është një partner tjetër i rëndësishëm i Damaskut. Këtu duhet përmendur edhe kurdët, të cilët janë një faktor i rëndësishëm në Siri dhe luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër “IS”. YPG – Njësitë e Mbrojtjes Popullore – krahu i armatosur i PYD – Partisë Demokratike Kurde të Sirisë, numërojnë 50 000 luftëtarë. PYD është një degë e kurdëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK) me seli në Turqi. Edhe pse SHBA e  ka mbështetur me mjete logjistike dhe municion YPG-në, Turqia i lufton kurdët. Rusia e mbështet hapur PYD-në. Në mesin e gjithë kësaj, Perëndimi i sheh kurdët si aleat kryesor për t’iu kundërvënë xhihadistëve.

Shërbimi sekret i Iranit në bashkëpunim me atë rus, të cilët janë shumë të pranishëm në Ballkan dhe në Europë, i kanë përgatitur grupet e më vonë rrjetet e ekstremistëve për t’i goditur caqet e dëshiruara në Ballkan, Europë e në botë. Shërbimi sekret i Iranit, fillimisht i ndërtoi rrjetet e “revolucionarëve islamikë” në shumicën e vendeve të Ballkanit dhe të Europës. Ata ishin të ngarkuar me detyra për të formuar celula aty ku kishin mundësi të lidhura me “Al-Qaeda-n” e organizata si kjo. Shërbimi sekret i Iranit – MOIS (Ministria për Shërbime Sekrete dhe Siguri), rrjetet e “revolucionarëve islamikë” i ka formuar duke u bazuar në mbështetjen e serbëve, me theks të veçantë të shërbimeve diplomatike dhe të atyre sekrete, të kombinuara edhe me shërbimet ruse. Për formimin e këtyre celulave, Irani, Rusia, Serbia e shtete të tjera të kyçura në këtë aleancë të fshehtë,  derdhën fonde të mëdha. I ashtuquajturi Mision Humanitar i Rusisë në Nish, pa hezitim, është cilësuar nga Bashkimi Europian, si një qendër komanduese e shërbimit sekret rus për të destabilizuar Ballkanin. Pjesëtarë të këtyre njësive, në koordinim me drejtuesit e sigurisë në Maqedoni morën pjesë në aksionin në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku në përleshje me këto forca dhe me forcat maqedonase u vranë 10 shqiptarë në rrethana të pasqaruara, për disa prej të cilëve dyshohet se janë ekzekutuar derisa gjendeshin në paraburgim. Mossqarimi i rrethanave dhe i tërë asaj që ndodhi në majin e vitit të kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, është vërejtje dhe dobësi e madhe edhe për mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, të cilët kanë heshtur para këtij agresioni, por njëkohësisht është kërcënim direkt edhe i sigurisë në rajon dhe tendencë për t’i sfiduar forcat e KFOR-it në Kosovë. Prandaj është e udhës që pa vonesë të ngritet një Komision Ndërmbëtar që do të hetonte ngjarjet e Kumanovës.  Qendra Ruse e Emergjencave me seli në Nish, njëkohësisht punon edhe për tubimin e grupimeve ekstremiste, për ta rritur unifikimin e forcave nacionaliste në Serbi. Ka dhjetë vite që destabiliteti i Ballkanit po vjen nga Serbia, e mbështetur dhe e financuar nga Rusia. Që kur Mali i Zi e mori ftesën për anëtarësim në NATO, ndërmjet Podgoricës e Moskës kanë ndodhur një varg incidentesh, si presion i Rusisë ndaj Malit të Zi, pse Mali i Zi e ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Kryeministri i Malit të Zi, Mile Gjukanoviq, në një intervistë për një televizion të Moskës, e akuzoi publikisht qeverinë ruse se ajo i ka nxitur dhe i ka mbështetur trazirat kundër NATO-s në territorin e Malit të Zi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Rasmussen, në një konferencë, në fillim të majit 2014, në Bruksel, deklaroi se agresioni i Rusisë e ka sfiduar idenë themelore, që është e drejta e shteteve sovrane për të zgjedhur rrugën e tyre. Lidhur me këtë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se marrëdhëniet ndërmjet Moskës në njërën anë dhe të Bashkimit Europian e NATO-s në anën tjetër “kërkojnë një shqyrtim serioz” për shkak të krizës në Ukrainë.

Siç dihet, diplomacia e ka spiunazhin brenda. Në këtë rast, spiunazhi është arma kryesore. Rusia, Irani, e deri diku edhe Turqia i përdorën ambasadat e tyre në shtetet e Ballkanit e më gjerë dhe infrastrukturën e tyre për ta përhapur vijën e ekstremizmit islamik në hapësirat e këtyre shteteve, por edhe të shteteve të Perëndimit, me qëllim që ky instrument – ekstremizmi, të përdoret si levë për manipulime politike dhe presione në arenën ndërkombëtare.

Ata së bashku arritën të rekrutojnë në linjat e tyre njerëz të fuqishëm të dijes, intelektualë në zë, imamë me ndikim, grupe dhe individë me peshë, të cilët ishin bindur që të punojnë për përgatitjen e “Revolucionit Islamik” në Ballkan e më gjerë. Ekzistimi i këtyre celulave dhe aktiviteti i tyre u mor me skepticizëm dhe jo seriozisht nga ana e shërbimeve të ndryshme të shteteve të Europës e më gjerë, sepse kundërzbulimi serb, shërbimet ruse dhe ai i Iranit e mbulonin aktivitetin e tyre me shumë kujdes.  Me kalimin e kohës celulat e vogla u bënë organizata dhe morën përmasa të mëdha, morën përmasa aq të mëdha saqë shpesh herë po e tronditin Ballkanin, Europën e shtetet tjera me ndikim, aq shpesh saqë janë bërë kërcënim real për to. Në këto vende diplomacia ruse është shumë aktive, sidomos në rajonin e Ballkanit, më parë Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi etj., duke iu ofruar ndihmë ekonomike. Pos kësaj, mbajtja peng prej kohësh e Serbisë nga rusët ka krijuar trazimin e Ballkanit. Ekspertët e fushës së sigurisë të rajonit por edhe ata perëndimorë, nuk kanë investuar sa duhet në identifikimin dhe plotësimin e dosjeve të instruktorëve të këtyre organizatave dhe akterëve me ndikim në këto organizata, të cilat u zhvilluan fuqishëm në Ballkan, në Europë e në botë.

Përgjegjësit e sektorëve operativë të shteteve të Europës dhe më gjerë në shumë raste janë mashtruar sepse kanë menduar se nëpërmjet njerëzve që kanë arritur t’i infiltrojnë dhe rekrutojnë nëpër këto celula e organizata ekstremiste, do ta mbajnë situatën nën kontroll dhe menaxhim të plotë. Mirëpo, shërbimet e kundërzbulimit të Iranit, Rusisë, Serbisë e shteteve të kësaj aleance të fshehtë, janë përkujdesur edhe për këtë, ata kanë përgatitur rrjete të tëra që janë marrë me dezinformacione e lansime të rrejshme, duke përgatitur edhe bashkëpunëtorë të specializuar për shërbimet perëndimore të Ballkanit e më gjerë.

Mirëpo, e gjithë kjo që ka ndodhur kohëve të fundit nga operacionet e “Shtetit Islamik”, është tregues i qartë se lufta e të gjitha këtyre formacioneve ushtarake e paraushtarake që ndërlidhen me “Shtetin Islamik” me “Al-Qaeda”-n e organizata të tjera të kësaj natyre, ka kaluar në një front të ri shumë më të unisuar kundër Perëdimit e vendeve të tjera që kanë lidhur aleanca për ta luftuar “ISIS”-in. Lidershipi i Rusisë dhe Iranit është i sinkronizuar në veprime kundër një varg shteteve të Europës e botës perëndimore në përgjithësi. Në vitin 2013, regjimi i Teheranit e paralajmëroi Shqipërinë që të mos i pranojë anëtarët e organizatës “Muxhahidinët e Popullit Iranian” sepse do të rrezikojnë sigurinë kombëtare të këtij vendi. Në anën tjetër, opozita iraniane, apo Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran (NCRI) kishte akuzuar regjimin e Teheranit se ka ngritur një stacion të shërbimit sekret në Shqipëri. Irani i kishte kërcënuar disa vende që të mos i pranojnë anëtarët e “Organizatës së Muxhahidinëve” dhe të “Kampit të Lirisë” si kundërshtarë të regjimit të Teheranit. Sipas opozitës iraniane, në dimrin e vitit 2013, regjimi i Teheranit dërgoi në Shqipëri, në petkun e diplomatit, një nga agjentët e tij, Fereydoun Zandi Aliabadi, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kreun e agjencisë MOIS në Iran me pseudonimin “Sajjad”  dhe me agjentin e MOIS në Turqi, “Haj Ali Navidi” për të menaxhuar “Organizatën e Muxhahidinëve të Iranit” dhe të “Kampit të Lirisë”, që gjendet në Shqipëri. Për praninë e pjesëtarëve të shërbimit sekret iranian nëpërmjet aktiviteteve të diplomatëve ka qenë e dyshuar edhe Bosnja. Agjencia Kroate e Sigurisë ka vlerësuar se në Bosnjë-Hercegovinë aktualisht jetojnë rreth 4 000 ekstremistë të Shtetit Islamik. E të njëjtit mendim me atë të agjencisë kroate është edhe e përditshmja e Zagrebit “Globus”. Në maj të vitit 2013, me urdhër të Ministrisë për Siguri të Bosnjës, ishin dëbuar dy diplomatë iranianë, Hamzeh Dolab Ahmad dhe Jadidi Sohrab, për të cilët është vërtetuar se edhe pse në Ambasadën Iraniane në Sarajevë ishin evidencuar si sekretarë, ata faktikisht kishin punuar për Sigurinë Kombëtare të Iranit.

“ISIS”-i ka marrë armë në Irak, diku në vlerë prej 1 miliard dollarësh, që të gjitha moderne, të cilat ishin armë të ushtrisë irakiane që i kishte lënë ushtria amerikane. Gjithashtu në tregun e zi, “ISIS”-i i ka marrë armët nga Turqia, të sponsorizuara nga Arabia Saudite e Katari. Duhet vënë në dukje se prej këtyre shteteve kishin ardhur shumë organizata humanitare për ta ndihmuar Kosovën pas përfundimit të luftës, por më pas dolën të lidhura me rrjetet terroriste dhe sponsorizuese të shumë organizatave terroriste.

“Shteti Islamik” ka në gjirin e vet shumë pjesëtarë të shërbimit sekret të ish-regjimit të Saddam Husseinit, të Gadafit, Iranit, Afganistanit e vendeve të tjera, të cilët së bashku e bëjnë të fuqishëm vijën zinxhirore të “Shtetit Islamik”. Madje, njëra ndër figurat kyçe të “Shtetit Islamik”, numri 2 i “ISIS”-it, ishte Abu Muslim al-Turkmani, ish kolonel i inteligjencës ushtarake, që raportohet të jetë vrarë gjatë një bombardimi ajror amerikan në gusht të vitit 2015.

Në një shkrim të gazetës gjermane “Der Spiegel” (prill 2015), thuhet “Koloneli i forcave të inteligjencës së Saddam Husseinit, Samir Abu Muhamed al-Halifi i njohur edhe si Haji Bakr e kishte organizuar “Shtetin Islamik” dhe kishte planifikuar marrjen e një pjesë të madhe të shtetit të Sirisë dhe Irakut. Haji Bakr edhe pse ka qenë figurë kryesore në Haji në formimin e “Shtetit Islamik” kurrë nuk është ditur roli i tij i saktë. Sidoqoftë, hetuesit e ndryshëm, të cilët i kanë mbajtur nën vëzhgim xhihadistët me veprim në shtetet e Perëndimit sadopak e kanë amortizuar aktivitetin e këtyre organizatave.

Përkundër mijëra vullnetarëve të huaj, ideologët xhihadistë thonë se forcat e “IS”-it përbëhen 90 për qind nga irakianët dhe 70 për qind nga sirianët në dy epiqendrat kryesore të saj ku kanë rreth 40 000 luftëtarë dhe 60 000 mbështetës. Këtu duhet përmendur se një rol të veçantë e luajnë xhihadistët veteranë me përvojë në luftërat në Afganistan, Çeçeni, Somali e vende të tjera, të cilët kanë sjellë me vete njohuri të çmuara dhe mjaft strategjike për veprim dhe zhvillim te “Shteti Islamik” në përgjithësi.

Ky defekt, që është kuptuar tash së voni, ua kishte mundësuar atyre celulave të ngiten në organizata e organizatat në ushtri siç është “ISIS”-i etj., të cilat po e kërcënojnë botën. Për të mos u dukur, shërbimet e lartpërmendura kishin organizuar qindra organizata humanitare ndërkombëtare dhe vendore, të cilat kryesisht kishin lidhje me vendet e Lindjes, e në disa raste edhe me “Al-Qaeda”-n, për t’i financuar aktivitetet dhe infrastrukturën e këtyre organizatave. Në vijim po i  përmendi disa nga këto organizata, që kanë qenë më të rëndësishme: “Shoqata Bamirëse e Kuvajtit” e dizajnuar për të përkrahur terrorizmin e rrjetit të “Al-Qaeda”-s,  “RIHS” nga Kuvajti ka operuar edhe në Kosovë e Shqipëri, misioni i saj ka qenë financimi i terrorizmit, “Dora e Mirësisë”, “Thirrja për urtësi”, “Al-Haramain”, “Asambleja Botërore e Rinisë Myslimane (WAMY)”, “AlRasheed Trust”, “FAl-Haramain”, etj., e kanë mbështetur ekstremizmin islamik në Kosovë si dhe  “Fondacionet Ndërkombëtare për Bamirësi (BIF)”, “Fondacioni Botëror për Ndihmë dhe Mirësi”, kanë qenë të lidhura me financimin e terrorizmit. Në veçanti “Komiteti i Përbashkët Saudit i Ndihmës për Kosovë dhe Çeçeni (SJRC ) përfshin IRO dhe Al-Haramain”. Komisioni i Përbashkët Saudit i Ndihmave për Kosovën dhe Çeçeninë (SJRC), kishte bartur 47 milionë dollarë për persona të përfshirë në terrorizëm. Pastaj, “Ndihmat Islamike në Mbarë Botën (IRW)”, siç është thënë edhe më lartë,  është tregues i ndërsjelljes së lartë me botën e financimit të terrorizmit. Këto organizata në Kosovë kanë ndërtuar mbi 20 xhami dhe kanë investuar në grupe të caktuara që kanë asistuar me programe të veçanta, të cilat i ka mbikëqyrë Ministri i Brendshëm i Arabisë Saudite, princi Nazif bin Abdul Aziz. IRW-ja, SJRC dhe disa organizata të  tjera në Kosovë, i kanë kanalizuar donacionet nëpërmjet  Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Për këto organizata,  të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në Kosovë, ka raportuar edhe Agjencia Federale e Zbulimit në Amerikë (FBI).

Në një raport zyrtar, i cili gjendet online në uebfaqen zyrtare të FBI-së, thuhet se organizata Fondi i Tokës së Shenjtë për Ndihmë dhe Zhvillim (HLF), ka financuar, sipas tyre, organizatën “Hamas”. Kjo organizatë cilësohet si terroriste në SHBA dhe Shtetet e Bashkimit Europian. Mbi 20 milionë dollarë kanë hyrë në Kosovë nga shtetet arabe gjatë vitit 2013. Zakonisht, fondacionet në Kosovë kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara Arabe, Algjeria, Egjipti, Kuvajti, Katari, Libani, Libia, Tunizia, Arabia Saudite, etj. Në Kosovë ka vepruar edhe organizata turke “Iniciativa Ndërkombëtare Humanitare (IHH)”.

Policia turke, në janar të vitit 2014, i kishte arrestuar 25 persona të kësaj organizate të dyshuar se rekrutonin shqiptarë për luftë në Siri. Financimin nga IHH të organizatës AKEA e kanë konfirmuar vetë drejtuesit e kësaj organizate, e cila ka qenë e dyshuar për lidhjet me “Al-Qaeda”-n.

Kthimi në retrospektivë dhe analizat e ngjarjeve që po ndodhin sot, tregojnë qartë se gjendja nëpër të cilën po kalojmë është mjaft komplekse. Turqia, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Kosova janë vende të përshtatshme, të mos themi ideale, përmes të cilave luftëtarët e “Shtetit Islamik” dhe organizatat tjera xhihadiste, që kanë programe të caktuara ndaj BE-së, e shteteve të Perëndimit, mund të kalojnë fare lehtë në shtetet e Europës.

Sipas disa statistikave të publikuara gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit rreth numrit të luftëtarëve të huaj, që iu kanë bashkangjitur grupit militant të “Shtetit Islamik” dhe grupeve të tjera salafiste në Siri dhe në Irak, sillet nga 27 000 deri në 31 000 persona, të cilët vijnë nga 86 vende të ndryshme të botës. Prej tyre, 875 thuhet se vijnë nga shtetet e Ballkanit, rreth 800 prej tyre nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, etj. Kjo do të thotë se luftëtarët e këtyre organizatave, që vijnë nga Ballkani, i njohin fare mirë rrugët dhe shtigjet nëpër vendet e lartpërmendura, sepse kanë lëvizur shpesh në këto hapësira. Si pasojë e veprimtarisë dhe aktiviteteve të dendura të pjesëtarëve të këtyre organizatave, vetëm në Kosovë janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë vrarë në luftime në Siri e në Irak mbi 46 prej tyre. Duke i parë këto zhvillime, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, vitin e kaluar kishte publikuar një hartë interaktive në të cilën paraqiteshin vendet me kërcënim të lartë për sulmet e mundshme terroriste. Ajo e ka cilësuar Kosovën, përveç Italisë, Gjermanisë, Greqisë e Bosnjës, si vend me kërcënueshmëri të lartë.

Janë disa faktorë që ndikojnë në shkallën e rrezikshmërisë nga mundësia e ndonjë akti terrorist në vendin tonë. Pos faktorëve të tjerë, ndër kryesorët e mundshëm është fakti i numrit të shtetasve të Kosovës në vatrat e luftës në Siri e Irak si pjesëtarë sektarë të “ISIS”-it. Pastaj, prania e ushtarëve të NATO-s në misionin e KFOR-it në Kosovë, si dhe fakti se Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Luftimin e Terrorizmit, përkatësisht anti-ISIS, koalicion që udhëhiqet nga SHBA-të, mund ta bëjnë Kosovën cak të mundshëm të ndonjë sulmi terrorist. Radhitja e Kosovës në shkallën e lartë të kërcënimeve nga aktet terroriste, sipas Ministrisë së Jashtme të Britanisë dhe ekspertëve të tjerë të sigurisë vendore e ndërkombëtare e obligon Kosovën dhe mekanizmat e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare për ta ngritur nivelin e sigurisë në shkallën superiore në angazhimin maksimal të parandalimit të akteve të tilla në territorin e vendit tonë. Edhe pse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është formuar para disa vitesh dhe nuk e ka përvojën e duhur në luftimin dhe në  parandalimin e terrorizmit të këtyre përmasave, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë SHBA-të, NATO-n dhe BE-në e ngritin shkallën e sigurisë në nivel të duhur për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Edhe pse mendoj se Kosova është larg të qenit në rrezik permanent të përmasave dhe dimensioneve të mëdha të akteve terroriste, siç kanë ndodhur në Paris, Londër, Turqi, Bruksel e ngjashëm. Kosova nuk shfrytëzohet shumë si vend transit për luftëtarët e huaj, për terroristë apo ekstremistë.

Kosova, por edhe të gjitha trojet shqiptare para një kohe ishin përfshirë nga një ekspansion i shumë rrymave të radikalizmave fetarë, ku më së shumti prinë ai i ardhur nga Arabia. Si rezultat i pasyçelësisë së klasës politike, por edhe i shërbimeve të inteligjencës, për shumë vite organizatat terroriste në Kosovë, janë lënë të veprojnë lirshëm dhe askush nuk është marrë me to dhe me aktivitetin e tyre.

Kurse në rastet e organizatave që janë dënuar në vende të ndryshme të botës është ndryshe. Shumica e organizatave ekstremiste, akuzohen për bashkëpunim në aktivitetet e terrorizmit ndërkombëtar dhe bashkëpunim e bashkëveprim me luftëtarët e “Shtetit Islamik”. Organizatat ekstremiste, për të cilat po bëjmë fjalë, të cilat fshihen pas “Shtetit Islamik” dhe që veprojnë në shtetet e Ballkanit, Europës e më gjerë, janë organizata që kanë krijuar baza financiare të qëndrueshme e vende-vende shumë të fuqishme.

Pas përhapjes së luftës në Siri, këto organizata i thyen bankat atje dhe i plaçkitën shumë prej tyre, prandaj baza materiale e tyre, bazuar edhe në informacionet e qarqeve perëndimore dhe të shërbimeve inteligjente,  numëron qarkullime ditore apo fitime ditore nga 200.000 deri në 1,5 milionë dollarë. E gjithë kjo vjen nga shitja e derivateve të naftës, e cila në tregun normal shitet 50 dollarë për fuçi, ndërsa “ISIS”-i e shet për 20 dollarë. Sipas analistit Oscar Williams-Grut, “ISIS”-i shumicën e fondeve i grumbullon sipas këtyre mënyrave: bankave mashtruese, shitjes së antikiteteve dhe artefakteve, haraçit, naftës, taksave, donacioneve, etj. Në këtë kohë “ISIS”-i tashmë është një tërësi shumë më e madhe sesa numri i luftëtarëvë të tij. Sigurimi i kësaj baze kaq të madhe financiare i krijon komoditet dhe epërsi në kryerjen e akteve terroriste karshi strukturave të shërbimeve të ndryshme sekrete, që merren me përcjelljen, hulumtimin dhe zbulimin e këtyre organizatave. Këto organizata kanë anëtarësuar në rrjetet e tyre me mijëra njerëz anekënd globit. Pos kësaj,  mbështeten edhe nga njësitë elitare të ushtrive të një varg shteteve që i kundërshtojnë SHBA-të dhe nuk pajtohen me politikën e disa shteteve të Europës. Këshilltarët e këtyre organizatave, të cilët vijnë nga radhët e shërbimeve sekrete ushtarake, kanë lidhur aleanca me këto organizata dhe i përdorin si paravan për t’i arritur objektivat e veta, janë njerëz shumë me ndikim në shtetet e ndryshme të botës arabe, por edhe në Rusi dhe në bllokun ortodoks. Kërcënimet që vijnë nga këto organizata nuk janë kërcënime nga grupe të caktuara terroriste, por nga blloqe me ndikim që pretendojnë t’ia ndërrojnë formën rajonit. Një provë e tillë është loja me refugjatë, që është bërë në bashkëpunim me shërbimet sekrete ruse, ato të Iranit dhe me implikimin e Turqisë. Qeveria Turke ua ka hapë rrugën miliona refugjatëve nga Siria e vendet e tjera të botës arabe, të cilët i kanë mësyer masovikisht vendet e Europës e të botës perëndimore. Ekzistojnë të  dhëna publike, në të cilat thuhet se Turqia në vitin 2013 i kishte lëshuar ta kalojnë kufirin e Turqisë mbi 4 mijë  persona, të cilët figurojnë në listat e personave të ndaluar. Madje, Qeveria amerikane i ka kërkuar Qeverisë turke që të aplikojë politika më agresive në kufirin me Sirinë.

Sektorët e veçantë të “ISIS”-it, siç kanë deklaruar zyrtarët francezë për publikun, kanë krijuar një “industri” të tërë të krijimit të pasaportave të falsifikuara,  të vjedhura në Irak, në Siri dhe në Libi. Të paktën dy nga ekstremistët e “ISIS”-it, që kanë kryer sulme të tmerrshme në Paris, në nëntor të vitit 2015, kanë përdorur rrënjët e imigrantëve përgjatë Europës, duke pretenduar se ishin refugjatë, derisa përdornin pasaporta siriane.

Lidhur me këtë, autoritetet e SHBA-ve kanë folur për shqetësimet e tyre, që “ISIS”-i mund të ketë siguruar një makinë për printimin e pasaportave në përpjekjet e tyre për ta infiltruar Perëndimin nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Këto lajme kanë ardhur pas publikimit të raportit prej 17 faqesh të Investigimeve të Sigurisë së Brendshme, ku paralajmërohej për përdorimin e pasaportave të falsifikuara.

Kontrabandistët që janë dorë e zgjatur e këtyre shteteve kanë fituar miliarda euro për t’i depërtuar mbi një milion refugjatë në vendet perëndimore. Sipas burimeve publike dhe atyre diplomatike del se luftëtarët e “Shtetit Islamik” janë duke u trafikuar në Europë nga bandat e Mesdheut. Këtë e ka deklaruar, pos tjerësh, edhe ambasadori i Egjiptit në Britaninë e Madhe, në maj të vitit 2015. Loja me refugjatë mes tri fuqive botërore me ndikim global, Iranit, Turqisë dhe Rusisë, ishte kërcënim i luftës speciale në shtetet e Ballkanit dhe të Europës. Mbase Turqia hyri në këto kombinime për t’iu hakmarrë shteteve të BE-së, të cilat nuk ia kishin dhënë vizën presidentit Taip Erdogan dhe e kishin penguar Turqinë për t’u bërë anëtare e BE-së. Tani problemi i Sirisë u bë edhe problem i Turqisë. Paqja dhe demokracia në një varg shtetesh të botës, po sulmohen në shumë drejtime dhe kanë marrë përmasat e një rreziku global.

Edhe pse feja islame në esencë nuk është fe radikale dhe e dhunshme, qarqe të caktuara janë përgatitur brenda shteteve islamike, për t’i bërë një varg sulmesh në shumë shtete të botës, duke i fshehur ato nën petkun fetar dhe keqinterpretimet dhe interpretimet e gabuara për interesa të larta të blloqeve me ndikim, të cilët fenë e shfrytëzojnë për t’i realizuar më lehtë këto projekte dhe programe të makinerive të mëdha ushtarako-politike të “Shtetit Islamik” dhe aleancave të shteteve të tjera, që iu kanë bashkuar këtij projekti për rindarjen e botës në blloqe të reja ushtarako-politike.

Organizatat ushtarako-politike, që e përbëjnë “Shtetin Islamik”, kanë arritur ta formojnë një rrjet të fuqishëm të kundërzbulimit, i cili funksionon në shumicën e vendeve të Ballkanit, Europës e botës perëndimore në përgjithësi. Qindra njerëz kanë infiltruar në rrjete të ndryshme, me detyra të caktuara për ta dezorientuar opinionin me qëllim të fshehjes së qëllimeve të vërteta për të operuar më lehtë. Ka shumë raste kur organet e hetuesisë kanë shkuar pas “mjekrave”, por kryesit e akteve kanë qenë të rruar, madje kanë bartur edhe kryqe në qafë. Me sa është parë deri më tani, disa shërbimeve sekrete u mungojnë ekspertët e mirëfilltë, të cilët e mbulojnë boshllëkun dhe vakuumin e krijuar brenda këtyre shërbimeve lidhur me funksionimin dhe operimin e këtyre organizatave, të cilat kanë marrë përmasa globale. Pjesëtarët dhe grupet e rrjetit të “Shtetit Islamik” janë të informuar mirë, nxjerrin gazeta të ndryshme në vendet e Ballkanit, kanë pavarësuar shumë xhami nga Bashkësitë  Islame, kanë shtëpi botuese të fuqishme, shpërndajnë dhe shtypin literaturë, që është në përputhshmëri me konceptet indoktrinuese të qarqeve të caktuara, kanë në dispozicion radio dhe TV lokale, kanë stilin e veshjes së tyre, simbolet dhe rrjetin legal ekonomik me mjaft biznese gjigante. Proceset gjyqësore që janë ngritur kundër grupeve radikale në vendet e ndryshme të Ballkanit, Europës e botës, po i përdorin për t’i frymëzuar rekrutët e organizatave të tyre ekstreme, por edhe për legalizimin e veprimtarisë së tyre dhe për qëllime propaganduese, për të krijuar kulte ndaj luftëtarëve, që pretendojnë shtetin panislamik dhe rivendosjen e kalifatit. Burgjet dhe gjykatat për ekstremistët islamikë janë bërë një lloj inkubatori. Këtu veprojnë dy-tri grupe që merren me shpëlarjen e trurit të të rinjve, duke i bindur ata që pastaj të marrin pjesë në komplote terroriste, kur të dalin nga burgjet. Grupet e komplotistëve përbëjnë një hallkë të rëndësishme të shtrirjes së “Shtetit Islamik” në Europë. Ata veprojnë në hije dhe me ta maten sukseset e grupeve terroriste. Një pjesë prej tyre janë shkolluar në kolegjet katolike. Në Shqipëri janë dënuar dy-tri grupe që kanë qenë pjesë e celulave të “Al-Qaeda”-s dhe janë financuar nga  fondacionet që po ashtu i kanë mbështetur financiarisht rrjetet e organizatave të “Al-Qaeda”-s që nga viti 1999 e këndej. Rekrutimi i të rinjve për të shkuar në vijat e frontit në Siri e gjetiu është bërë nëpërmjet  hoxhallarëve të caktuar, pjesa dërmuese e të cilëve kanë vepruar legalisht e publikisht. Pasi që rekrutët kanë pranuar, eprorët e tyre i kanë transportuar drejt bazave të trajnimit. Bazuar në burime publike, shumica e shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, trajnimet fillestare i kanë kryer në bazat ushtarake Reyhanli të Turqisë, në jug të provincës turke Hatay. Nga dosjet e prokurorisë dhe hetimet e bëra nga viti 1999, të cilat janë publikuar, del se të gjithë besimtarët myslimanë, të dërguar nga Shqipëria për të luftuar në Siri, nuk luftojnë në krah të të ashtuquajturve “Ushtarë të lirisë”, që janë pjesë e opozitës siriane kundër regjimit të Bashar Al-Assadit. Ata luftojnë në krah të grupit militant të lidhur me “Al-Qaeda”-n, që njihet me emrin “Al-Nustra”. Po supozojmë se organizata “IHH”, e cila operon nën ombrellën e aktiviteteve bamirëse, dhe e cila siç është bërë publike, vepronte në koordinim të plotë me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu (tash kryeministër i Turqisë), ka rekrutuar qindra shqiptarë për të shkuar në luftimet e Sirisë. Kjo organizatë del të jetë e lidhur edhe me grupet vehabiste  të Arabisë Saudite. Qëllimi i shqiptarëve, të rekrutuar nga kjo organizatë dhe organizatat tjera, që kanë shkuar për të luftuar në Siri ka qenë përmbysja e qeverisë së Assadit dhe krijimi i një shteti panislamik në bazë të Sheriatit (kodi moral dhe ligji fetar i islamit) dhe rivendosja e Kalifatit.

Teologët e rrymës tekfiriste (Tekfirit) predikojnë parimet e islamit radikal dhe i kundërshtojnë të gjitha institucionet shtetërore, policinë, FSK-në, janë kundër votimit, kundër dhënies së dorës, mbajnë lidhje me imamë e struktura me pikëpamje radikale brenda vendit, në rajon, dhe me personat që aktualisht gjenden përkrah grupeve ekstremiste në Siri. Këtë ideologji e përfaqëson organizata terroriste e “ISIS”-it. Ajo në disa pjesë të vendeve të botës arabe e ka shpallur Kalifatin. Baza ideologjike e “takfirit” është në Egjipt. Djegia për së gjalli e njerëzve të pafajshëm, heqja e kokës së pengjeve dhe heqja e kokave në masë, vrasja e njerëzve të forcave të sigurisë, publikimi i videove trishtuese në portale e linka të tyre të posaçëm, është një lloj qasje për ta implementuar konceptin e kalifatit. Me këtë gjuhë pseudo-fetare dhe sektare, xhihadistët e “ISIS”-it e kanë nisur misionin e tyre të shenjtë për ta ringritur botën arabe në një unifikim të tërësishëm. Megjithatë, disa gjëra janë jashtë kontrollit të grupeve terroriste të xhihadistëve. Rekrutët shqiptarë në përgjithësi, nga të gjitha trojet shqiptare, kur arrijnë në destinacionet e caktuara (apo në kampin ku stërviten shqiptarët) i presin përgjegjësit apo komandantët e tyre disa prej të cilëve janë imamë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, etj., dhe mbajnë emra të tjerë, si: Ebu Muxhahidi, Ebu Belkisa, Zeyd Al Albani, Abdylmelik Kosova, etj. Sa për sqarim,  këtu duhet përmendur kundërshtarët e Assadit, siç janë Armata e Lirisë Siriane (FSA), e cila është krijuar fillimisht nga forcat demokratike opozitare për ta mbrojtur popullatën civile, pastaj grupet e FSA-së të cilat e kontrollojnë zonën veriperëndimore dhe pjesë të mëdha të jugut. Kjo armatë nuk ka pasur gati asnjë mbështetje ndërkombëtare. Por, ka shumë financues islamikë, ndaj në këtë grup kanë kaluar shumë grupe islamike, të cilat tani luftojnë kundër regjimit të  Daschaisch Al-Fatih, i cili ka një grup të madh. Ajo bashkon grupet më të moderuara dhe ekstremiste, ndër to edhe radikalët e Frontit Al-Nustra (një degë e “Al-Qaeda”-s), por edhe milicët islamikë të Ahrar al-Scham. Në këtë grup luftojnë prej vitesh grupe xhihadiste nga Jordania, Algjeria, Afganistani, Çeçenia dhe vende të tjera. Në këtë mes, Arabia Saudite e mbështetë grupin radikal Ahrar al-Scham, ndërsa Rusia disa grupe opozitare që mund të përafrohen me Damaskun. Shumica prej këtyre grupeve i kanë degët dhe mbështetësit e tyre edhe jashtë Sirisë e që paraqesin rrezik më vete për sigurinë. Para këtij rreziku të ri, shtetet e Ballkanit, të Europës e të Perëndimit, duhet të unifikohen me strategji të reja, duke i konfiguruar komplet vijat e sigurisë dhe të bëjnë ridizajnimin e vijave strategjike të ekonomisë, një pjesë të të cilës në vendet që kanë kaluar nëpër luftëra e kanë në dorë klanet e pakontrolluara dhe mbajtjen nën kontroll dhe menaxhim të plotë të informacioneve strategjike, të cilat nëse nuk menaxhohen dhe nuk  mirëmbahen ashtu siç duhet, mund ta prishin balancin në rajon e në botë.

Bota është para një sfide të re, para të cilës po maten forcat e superfuqive botërore. “Shteti Islamik”, në aventurën e tij, në këtë kohë të përplasjeve të mëdha të rendit të ri botëror, i ndihmuar nga aleatët e përmendur  më lartë, e përbën boshtin e një aventure tjetër të re, që paraqet rrezik me përmasa globale. Bota e qytetëruar ka pasur dhe ka fuqi për tejkalimin e rreziqeve të tilla dhe mbajtjen nën kontroll të rendit dhe të qetësisë, të promovimit të demokracisë, barazisë dhe vlerave të lirisë.

Burimet dhe literatura:

Shtypi ditor i Kosovës: “Epoka e Re”; “Zëri”; “Koha Ditore”; “Kosova Sot”; “Die Welt” – e përditshme gjermane; Jonathan S.Landay-Gazeta “Mcclathy”, Fars News, US Exekutive Order 13224 (f. 64); Prononcim i Denis Haxhoviqit, drejtor i Qendrës për Studime Strategjike, institut politikash në Sarajevë, për “Kohën Ditore”; Raportet e ndryshme të sigurisë (BE, DG, GB, SV, etj.); Revista të ndryshme ushtarake për siguri; shtypi ditor i Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Turqisë etj.; Intervistë e Alison Pargeter, analist për Libinë në Institutin Mbretëror Britanik të Shërbimeve; Intervistë e Skënder Hysenit-Ministër i Punëve të Brendshme, dhënë “Zëri”-t më 23.7.2015; Raporte të Qendrës Kosovare për Studime e Siguri (QKSS); Frank-Walter Steinmeier, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Të bashkuar në luftë kundër ISIS-it (analizë). Intervistë e Frank J. Grass, gjeneral amerikan  në Botasot.Info; “Globus” e përditshme kroate, Vlerësim i publikuar i Akbar Ahmed, shef i Studimeve Islamike në Universitetin Amerikan, në Uashington; “Radio Kosova e Lirë”, “BBC”, “Zëri i Amerikës”, Dosjet e prokurorisë të organizatave ekstremiste qe janë dënuar në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri etj.

*Derguar per Diellin nga autori

Filed Under: Analiza Tagged With: “Pushteti i ISIS”-it, Faton Mehmetaj, përballë sistemeve të sigurisë

MISTERI I VRASJEVE TE PJESTAREVETE UÇK-së

February 19, 2015 by dgreca

Vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së si po klasifikohen: politike, parapolitike, të qëllimta, të porositura nga Serbia apo nuk llogariten fare?!
Nga Faton Mehmetaj/
Vrasjet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vite që komentohen në Kosovën e pasluftës, nëpër gazeta, në rrjetet sociale, në çarshi e në jetën e përditshme. Shumica prej komentuesve shprehin mllef, shprehin mendimet e tyre, secili i ndikuar nga subjektiviteti i vet. Disa e lavdërojnë UÇK-në, disa të tjerë e poshtërojnë atë, e disa të tjerë bëjnë sehir e derdhin lot krokodili. Prej të gjitha këtyre shtresave rrallëkush ka bërë pyetje dhe e ka ngritur zërin në përjashtim të familjarëve, të cilët kanë pritur nga shteti se do të ketë drejtësi për familjarët e tyre. Pse janë heshtur vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së?! Pse askush apo rrallëkush e ka ngritur çështjen e tyre?! Pse të gjitha hetuesitë, deri në ditët e sotme, i kanë anashkaluar këto lëndë, e disa prej tyre i kanë mbyllur fare?! Në këto pyetje është dashur të përgjigjej hetuesia, policia, UNMIK-u më herët, EULEX-i tani, gjykatat vendore dhe ato ndërkombëtare, prokuroria e shtetit dhe organet tjera kompetente. Vrasjet tragjike të mbi njëqind figurave të rezistencës shqiptare, shumica eprorë dhe ushtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur në harresë.
Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet rresht, por edhe përkundër premtimeve të dhëna se do të zbulohen të gjitha vrasjet e pasqaruara, duke i përfshirë këtu edhe vrasjet e disa prej drejtuesve të UÇK-së në periudhën e ilegalitetit, deri më tani nuk doli asgjë. Neglizhencën, pengimin dhe moszbulimin e këtyre vrasjeve e kanë bërë struktura të lidhura me shtetin. E kanë bërë ata që nuk e kanë dashur unitetin e Kosovës, e kanë bërë ata që nuk e dëshirojnë progresin e Kosovës. Që nga paslufta e këndej janë vrarë mbi njëqind çlirimtarë, shumica prej tyre strategë luftarakë, vizionarë, eprorë të shquar për profesionalizëm, të urtë në përditshmëri e të pathyeshëm në vijat e frontit. Dyshimet janë të bazuara se këto vrasje ishin të organizuara nga shërbimet sekrete serbe, të ndihmuara nga veglat e tyre të ngjashme me “opriçnikët” e Ivanit të tmerrshëm rus. Këto vrasje nuk po ndriçohen qëllimisht nga një shtresë e njerëzve të paaftë dhe injorantë, madje jo vetëm të tillë, që kanë ardhur në pozita të caktuara përmes servilitetit, duke u paraqitur viktimë e duke u strukur e nënshtruar para akëcilit që ka qenë i veshur me pushtet. Kjo shtresë e njerëzve e ka dëmtuar imazhin e organeve tona shtetërore, policisë, hetuesisë e gjyqësisë. Këto vrasje e kanë dëmtuar Kosovën pa masë duke e shndërruar në një shtet kaotik pa qenë. Gjendja në të cilën jemi sot, është meritë e këtyre shtresave. Duhet përmendur se vrasjet enigmatike apo të pasqaruara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në njërën anë dhe të disa personaliteteve politike të Kosovës në anën tjetër, e kanë rrezikuar gjendjen e sigurisë skajshmërisht, ato kanë reflektuar shumë në destabilitetin politik dhe në prishjen e imazhit të Kosovës në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Në përgatitjen e skenarëve të vrasjeve serike, që ndodhën në Kosovën e pasluftës, padyshim se janë të involvuara agjenturat serbe, pasi që qeveritë e Serbisë që nga përfundimi i luftës në Kosovë e këndej të vetmen rrugë për rimarrjen e sërishme të Kosovës e shohin nëse arrijnë ta destabilizojnë apo ta vietnamizojnë Kosovën: t’i fusin shqiptarët në konflikt të dyfishtë: ndërmjetveti dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Dyshimet se Serbia ka dorë në organizimin e këtyre vrasjeve rriten edhe më shumë ngase shumica e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në gjyqet dhe në proceset e montuara kundër eprorëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka rezultuar se paraprakisht kanë qenë dëshmitarë të përpunuar në Serbi. Madje, dëshmitari N. B. i ka kushtuar mbi 4 milionë euro buxhetit të Kosovës dhe deri më tani me dëshmitë e tij nuk ka kontribuar në asnjë proces gjyqësor për zbardhjen e të vërtetës. Ky person më shumë ka qenë i porositur për ta njollosur UÇK-në se sa ka qenë dhe është dëshmitar i besueshëm i ndonjë procesi të mirëfilltë gjyqësor. Serbia nëpërmjet rrjetit të bashkëpunëtorëve që i ka të instaluar në Kosovë dhe të nomenklaturës që ka arritur ta inkorporon në institucionet e Kosovës, ka ndërmarrë veprime dhe fushata të orkestruara në forma të ndryshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, varësisht si u ka rezultuar pas analizës së personaliteteve të tyre veç e veç.
Shoqëria kosovare, organet kompetente të hetuesisë e të drejtësisë duhet të mbledhin prova e fakte konkrete, pos atyre që kanë mbetur, sepse një pjesë e këtyre fakteve janë shkatërruar nga UNMIK-u, pas dështimit të drejtësisë në Kosovë. Për ta implementuar drejtësinë në Kosovë ka dështuar UNMIK-u, EULEX-i (shih për këtë aferat tepër të rënda korruptive që janë bërë publike prej vet pjesëtarëve të këtij misioni), por ka dështuar edhe drejtësia vendore, e cila ka qenë e politizuar dhe e shantazhuar. Këto janë disa nga arsyet pse vrasjet politike të asnjë profili nuk janë zbuluar. Mbi njëqind veta është numri i pjesëtarëve të vrarë të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj., vrasjet e të cilëve nuk janë zbardhur ende. Çështja është se gjykata speciale që pritet të formohet, a do ta konsiderojë këtë shtresë të barabartë për trajtimin e rasteve të vrasjeve të tyre në këtë gjykatë, e cila edhe ashtu po ngitet posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, apo do të anashkalohen e heshten rastet e tyre siç ka ndodhur deri më tani?!
Për zbardhjen e vrasjeve të cilësuara me motive politike, që kanë ndodhur pas luftës, gjatë luftës, apo para luftës janë bërë thirrje të vazhdueshme nga shtresat e ndryshme të shoqërisë, është bërë thirrje tek UNMIK-u, EULEX-i e organet e drejtësisë për të dhënë kontribut në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por kjo nuk ka ndodhur. Kanë kaluar mbi pesëmbëdhjetë vite e gjykatat tona, të ndihmuara edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kanë arritur të zbulojnë makar një rast. Ky hendikep po ndodhë për shkak se drejtësia – organet e drejtësisë nuk janë të liruara nga ndikimet politike. Nëse arrihet të bëhet një gjë e tillë, ky mund të jetë edhe njëri nga çelësat e suksesit për zbardhjen e këtyre rasteve dhe dhënien fund manipulimeve të shumta në emër të tyre. Nëse akuzat nuk janë të argumentuara dhe të bazuara realisht, nëse ndodhë të jenë të motivuara politikisht dhe të ngriten për qëllime të dyfishta, prapë do të bëhen gjyqe sa për të thënë, viktimat dhe familjarët e tyre nuk do të marrin drejtësi dhe do të bëhen padrejtësi të mëdha. Nuk duhet të përsëriten praktikat e UNMIK-ut, kur dosjet gjyqësore përgatiteshin në Serbi e UNMIK-ku i zbatonte në Kosovë.
Vrasjet enigmatike të periudhës së pasluftës, të luftës dhe të paraluftës, duhet trajtuar njëlloj të gjitha e jo në mënyrë selektive. Janë mbi 100 pjesëtarë të UÇK-së të vrarë pas luftës, por që askush nuk është marrë me zbardhjen e tyre. Që nga ajo kohë e gjer më sot për këto vrasje është heshtur. Ata që i urdhëruan vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pavarësisht çfarë tabori i takojnë e kanë bërë punën e Serbisë. Kjo do të thotë se mosndriçimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve u shkon përshtati më së shumti atyre që i kanë sponsorizuar krimet dhe kriminelët.
S’do mend se drejtësia nuk ka funksionuar në Kosovë për një kohë të gjatë sepse ka qenë e kapur nga klanet e mafies politike. Kjo është njëra nga arsyet e prolongimit të zbardhjes së vrasjeve që ndodhën në Kosovën e pasluftës. Këto vrasje u heshtën nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore për shkak të lidhjeve të ngushta të klaneve të krimit të organizuar me shtetin. Si pasojë e kësaj u likuiduan edhe shumica e dëshmitarëve të proceseve gjyqësore, shumë prej të cilave procese të montuara, për të vazhduar anonimiteti rreth këtyre vrasjeve me qëllim që prapë sa herë të duan të krijojnë procese të reja, jo për të vënë drejtësi për viktimat, jo për ta ndriçuar të vërtetën, por më shumë për pazare politike, siç mund t’i konvenojë dikujt.
Siç e kemi parë në shtyp, në fushatat elektorale, në gjykata e në jetën e përditshme lufta mes klaneve të mafies politike ka qenë e ashpër dhe për pesëmbëdhjetë vite nuk kanë zbritur fare tensionet. Duke u marrë me vetveten e me njëri-tjetrin e kemi harruar ndërtimin e shtetit, ndërtimin e të ardhmes për brezin e ri, i cili po shpërngulet në vendet e Europës e të botës tash e pesëmbëdhjetë vite herë më pak e herë më shumë.
Serbia gjatë të kaluarës për t’i mbajtur më lehtë nën sundim shqiptarët, i nxiti vëllavrasjet ndërmjet tyre, thuri intriga e shkaktoi ngatërresa të mëdha, pasojat e të cilave shqiptarët i bartën mbi supe me dekada. Dhe tërë këto nuk kanë qenë të ngjarje të rastit, por të parapara me planprograme antishqiptare, të hartuara e të zbatuara nga organet zyrtare të Serbisë. Ndonjë prej këtyre dosjeve është bërë publike vetëm pas njëqind vjetësh! Ky fenomen është i njohur e i trajtuar me qindra herë të paktën qysh kur Serbia e pushtoi Kosovën më 1912 dhe ka vazhduar pa e humbur efikasitetin gjer në ditët e sotme. Interesi dhe prania e lartë e agjenturave serbe në Kosovë dhe ndikimi i tyre tek bashkëpunëtorët dhe lidhjet e veta, qoftë nëpërmjet influencimit apo shantazhit, ka krijuar një klimë të volitshme që Serbia t’u hyn proceseve për të tentuar t’i barazojë krimet e forcave okupuese serbe (ushtrisë, policisë, paramilitarëve serbë…) me ato të shqiptarëve! Serbia ka botuar mbi 400 libra, shkrime, lansime nga më të ndryshmet në shtypin e Serbisë dhe atë ndërkombëtar, duke bërë çmos për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e shenjtë të saj. Si produkt i angazhimit të Serbisë dhe luftës speciale që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Serbia kundër drejtuesve të UÇK-së, është iniciuar edhe formimi i gjykatës speciale për t’i gjykuar ekskluzivisht ish-pjesëtarët e UÇK-së, gjykatë kjo e vetmja në rajon që do të formohet kundër shqiptarëve e që do të ketë karakter të gjykatës etnike, sikurse gjykata e Nurembergut e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, veçse me një dallim të madh: gjykata e Nurembergut nuk i gjykoi viktimat (hebrenjtë) por agresorin (nazistët) e në rastin e Kosovës po ndodh e kundërta, madje edhe me selektime tendencioze brenda llojit. Kjo qasje është mashtrim i opinionit dhe dhunim i drejtësisë ndaj njërës palë.
Në Kosovën e pasluftës vrasje dhe krime ka bërë kush ka mundur e më së paku pjesëtarët e UÇK-së, megjithëse janë cilësuar si fajtorë kujdestarë për çdo gjë që ka ndodhur, ndonëse fajësia e tyre në më shumë se 80 për qind të rasteve nuk është vërtetuar.
Sidoqoftë, i gjithë angazhimi i shoqërisë kosovare duhet të fokusohet në gjetjen e vrasësve të vërtetë, të cilët, sigurisht se nëse zbulohen do të tregojnë për urdhërdhënësit dhe prapaskenat e moszbardhjes së deritashme të këtyre krimeve. Partitë politike në Kosovë pa dallim duhet të bashkohen për ta luftuar fenomenin e vrasjeve politike dhe të vrasjeve me porosi si dhe të gjitha tentativave që qojnë kah vëllavrasja dhe destabilizimet e mundshme të përplasjeve, që mund të vijnë nga grupet dhe klanet e caktuara të mafies politike. Pse të mos zbulohen vrasjet e mbi njëzet eprorëve të TMK-së?! Pse të mos zbulohet vrasja e ish pjesëtarit të UÇK-së, Avni Elezajt, i cili si 17-vjeçar gjatë kohës së luftës likuidoi njërin ndër kriminelët më famëkëqij të Serbisë, Vidomir Shalipurin, që hyn në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së? Avni Elezaj u vra më 12 tetor 2002, në Pejë, bashkë me Bekim Mustafën nga Klina e Poshtme e Skënderajt me banim në Arbnesh (ish- Vitomiricë) të Pejës, edhe ky ish-pjesëtar i UÇK-së. Pos kësaj, më 17 mars 2004, u vra edhe babai i Avnisë, Smajl Elezaj, vetëm pak orë para shpërthimit të protestave të marsit në Pejë. Pse të mos zbulohet vrasja e Avdi Mujajt, nga Strellci i Deçanit, i cili më 1 tetor 2003, u vra në oborrin e shtëpisë së vet në prani të familjes së tij, me ç’rast u plagosën rëndë edhe tre kushërinj të tij?! Pse të mos zbulohet vrasja e vëllezërve Brahim e Rexhep Nikqi, djemtë e atdhetarit të shquar Sylë Mehmeti, të dy aktivistë të çështjes kombëtare dhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët u vranë në një pritë në Shqipëri në gusht të vitit 1999, derisa po vinin në Kosovë?!
Pse të mos zbulohen dhe dënohen denoncuesit apo pjesëmarrësit e mundshëm në pritën në Pestovë, ku u vranë disa nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së?! Pse të mos zbulohen rastet e mjekut Hafir Shala e veprimtarit Xhavit Haziri, të arrestuar e më pas të zhdukur nga policia sekrete serbe; vrasjet e Hyzri Tallës, Ilir Durmishit, Afrim Maliqit, të vrarë nga policia sekrete serbe në Prishtinë në fillim të dhjetorit të vitit 1998, në prag të fillimit të ofensivës në Llap. Pse të mos zbulohen organizatorët e pritës në Bishtazhin, Goden e Rogovë të Hasit, në janar të vitit 1999, ku u vranë mbi tridhjetë shqiptarë, prej tyre 21 pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe disa komandantë të njohur të Zonës Operative të Dukagjinit? Pse të mos zbardhet prita ku u vra nga forcat serbe njëri ndër organizatorët e orëve të para të UÇK-së, Mujë Krasniqi bashkë me 41 bashkëluftëtarë të tjerë në Gorozhub të Hasit në dhjetor të vitit 1998?! Pse të mos zbulohet vrasja e Ekrem Rexhës-komandant “Drinit”, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, për të cilën UNMIK-u organizoi edhe një proces gjyqësor, ku u akuzuan për vrasjen e tij bashkëluftëtarët e tij, në mesin e tyre eprorë të lartë të UÇK-së, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm, por që karrierën ushtarake ua shkatërruan përjetësisht?! Pse të mos sqarohet vrasja e Skënder Gashit, nga Sopniqi i Rahovecit, luftëtar i dalluar i UÇK-së dhe pjesëtar i TMK-së, i cili u masakrua në afërsi të fshatit të tij, e që pesë ditë më vonë si pasojë e kësaj i vdiq edhe babai?! Pse të mos ndriçohet vrasja e Ali Ajetit, Ali Ukajt, Ilir Konushevcit, Agron Rrahmanit, Bahri Fazliut, Sadri Ramqajt, Enver Haradinajt, Shaqir Krasniqit, Agim Makollit, Sadik Ukës e dhjetëra të tjerëve…
Vrasjet në moh, në prita, në pabesi, vrasjet e liderëve politikë, të udhëheqësve ushtarakë e kombëtarë, vrasjet e prijësve kulturorë e fetarë gjatë historisë dhe vrasjet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës së fundit kundër Serbisë dhe dëbimit të forcave ushtarako-policore e paramilitare serbe nga Kosova, nuk janë risi, janë një lloj përsëritjeje e ngjarjeve të hidhura që kanë ndodhur gjatë historisë ndër shqiptarë edhe më parë. Brenda një kohe të shkurtër u vranë liderët më të shquar të kombit shqiptar, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi e qindra të tjerë. Vetëm me emrat e tyre do të mbusheshin disa libra shumëfaqëshe, aq i madh është numri i atdhetarëve të popullit shqiptar, të vrarë për motive politike me porosi të armiqve apo të eliminuar për shkaqe revanshiste, karrieriste apo të luftës së brendshme mes klasave politike. Ky fenomen paraqet rrezik të lartë për popullin shqiptar, ngase vrasjet e motivuara politikisht kanë një kontinuitet, por edhe një tradicion me vrasjet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe kanë vazhduar gjer më sot.
Nga historia mund mësojmë dhe të marrim sinjale të qarta prej nga vijnë nxitjet e vëllavrasjes në Kosovë dhe në hapësirat mbarëshqiptare, sepse hetime të mirëfillta për këto vrasje nuk janë bërë pothuajse asnjëherë, kuptohet as për vrasjet e kësaj cilësie që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës së fundit. Vet fakti se këto vrasje nuk janë zbuluar tash e pesëmbëdhjetë vite e disa edhe më shumë, e tregon mosseriozitetin dhe mosangazhimin e shoqërisë tonë në këtë drejtim, veçanërisht të organeve kompetente, duke lënë hapësirë për manipulime të shumta. Për vrasjet politike është folur e përfolur, por edhe është debatuar në kohë fushatash e momentesh sensitive nëpër të cilat ka kaluar populli ynë këto vitet e pasluftës, në vitet e lirisë, për të cilën është derdhur shumë gjak, është dhënë mund e janë bërë shumë sakrifica. Secili qytetar pyet me të drejtë se pse me të vërtetë nuk janë zbuluar këto vrasje kaq gjatë, kur në Kosovë që nga fillimi e gjerë më tani sundimi i ligjit dhe i drejtësisë është mbikëqyrur dhe është zbatuar nga instancat ndërkombëtare, siç janë: UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i, OSBE, por edhe nga instancat vendore, që kanë qenë mbështetës e deri diku edhe zbatues të vendimeve të instancave ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë dhe e ndajnë drejtësinë. Ndoshta nuk pritet aq shumë nga shtresa të caktuara të shoqërisë sonë, të cilat çdo ditë e më shumë po e mohojnë shtetësinë e Kosovës, që të punojnë sinqerisht dhe intensivisht në zbardhjen e këtyre vrasjeve që presin drejtësi tash sa vite.
Vrasjet e pazbardhura politike në Kosovë më shumë janë përdorur nga nomenklatura të caktuara të shoqërisë sonë si gogol për t’i frikësuar grupimet e caktuara me qëllim që t’i mbajnë nën kontroll dhe t’i disiplinojnë ato, e shumë pak ka pasur të interesuar që t’i zbardhin ato vrasje, të ketë drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre.
Qarqe te caktuara, të porositura, mirë të financuara, menjëherë pas mbarimit të luftës kanë organizuar një fushatë të orkestruar kundër elementit progresiv në Kosovë, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ish të burgosurve politikë dhe pjesës tjetër që ka mbajtur qëndrim të profilizuar për zhvillimin dhe progresin e vendit. Rrathët koncentrikë të këtyre qarqeve kanë qenë dëshmitarë në të gjitha proceset gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës dhe në proceset gjyqësore të organizuara në Kosovë, procese këto që janë analoge me proceset e gjyqeve të regjimit komunist në ish-Jugosllavi, të organizuara për ta shkatërruar klasën kundërshtare, duke i përdorur aparaturat e shtetit. Për zgjidhjen e kësaj situate ka qenë dashtë një veprim më direkt, por ka heshtur secili, asnjëri nuk ka marrë guxim por edhe nuk kanë qenë të interesuar për ta trajtuar problemin e vrasjeve të pasluftës. Kjo çështje tepër e ndjeshme më shumë ka shërbyer për të ngjallë urrejtje e armiqësi ndaj grupeve të caktuara, veçanërisht ndërmjet LDK-së dhe krahut të luftës, sesa ka qenë një këmbëngulësi për t’i zbardhur këto vrasje, duke lënë hapësirë që sipas dëshirës apo interesave për t’ua vënë në barrë individëve apo grupeve të caktuara. Për t’i zbardhur vrasjet politike, pra vrasjet e aktivistëve të LDK-së dhe vrasjet e eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, TMK-së, Policisë së Kosovës, etj. që sigurisht shumë prej tyre janë politike apo akudohet se janë politike, nuk është vonë kurrë, por nuk duhet keqpërdorur e politizuar këto raste, meqenëse është duke u formuar gjykata speciale, ngase politizimi është imponim direkt i përzierjes së politikës në këto procese, të cilat edhe mund të dështojnë si herëve tjera po qe se i lejohet politikës t’i futë duart dhe të ndikojë politikisht në këto procese.
Shpesh herë janë organizuar fushata me porosi nga qarqet e Serbisë për komprometimin dhe shantazhimin e udhëheqësve të ish-UÇK-së, duke shkruar vetëm zi. Fatkeqësisht, kundër këtyre fenomeneve kanë heshtur organet shtetërore, ka heshtur klasa intelektuale, drejtësia, hetuesia, etj., edhe pse e kanë pasur të qartë se kemi të bëjmë me shpifje dhe me fushata të organizuara e të përpunuara në laboratorët e shërbimeve sekrete serbe. Duke u bazuar në fushata të tilla shpifjesh, janë ngritur dhjetëra procese gjyqësore në të cilat janë gjykuar shumë pjesëtarë të UÇK-së, kanë vuajtur me dhjetëra vite burg gjatë qëndrimit në paraburgim, nga gjykimet e deritanishme kanë mbajtur të gjithë bashkë qindra vjet burg dhe më pas më se 80 për qind e tyre ka dalë të jenë të pafajshëm. Edhe pse ata kanë dalë të pafajshëm atyre iu ka shkatërruar karriera politike e ushtarake, janë njollosur moralisht pa të drejtë, iu ka shkatërruar ekonomia familjare dhe u është rrënuar e ardhmja. Kjo shtresë e shoqërisë është keqtrajtuar dhe denigruar skajshmërisht. Mbi 45 pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, sepse nuk kanë mundur ta durojnë gjendjen në të cilën i katandisi shoqëria kosovare ekonomikisht e politikisht. Shumë prej tyre janë bërë personazhe të rregullta të kronikave televizive e gazetaresve për ilustrimin e skamjes e mjerimit në Kosovë. Afërsisht pesëdhjetë libra janë shkruar kundër UÇK-së nga shkrimtarë, gazetarë të huaj e shqiptarë, çka s’u tha kundër UÇK-së, që rezultuan edhe me procesin Dick Marty, i cili pos akuzave që e dëmtuan shumë rëndë imazhin e UÇK-së, të Kosovës e të shqiptarëve përgjithësisht, baza e të cilave ishte dhe është në Serbi, të gjeturat e bëra publike deri më tani nuk e materializuan asnjë prej akuzave skandaloze të tij.
Gjeneralët serbë kanë deklaruar publikisht se nuk mund të kthehen në Kosovë pa e gjunjëzuar UÇK-në, dikush që ka emër e mbiemër po punon pandërprerë për këtë. Çdo ditë përbaltoset figura e UÇK-së nga kjo shtresë. Mbi tetë mijë shqiptarë të kosovës kanë azil në vende të ndryshme të Europës e botës si të përndjekur nga UÇK-ja, për ta siguruar azilin partitë politike u kanë dhënë dëshmi këtyre njerëzve që janë të përndjekur nga UÇK-ja. Për çudi ka prej tyre që krahas statusit të të përndjekurit politik nga UÇK-ja të marrë në ndonjërin nga shtetet europiane bashkë me të gjithë anëtarët e familjes, kanë ushtruar edhe poste të larta në institucionet e Kosovës! Shoqëria jonë e ndihmuar edhe nga një shtresë e kriminalizuar e pushtetit ia ka dhënë rastin akëcilit që do, t’i quajë kriminelë pjesëtarët e UÇK-së, t’i vret e askush të mos përgjigjet për këto vrasje. Fatkeqësisht, ky është vetëdijesimi ynë. Siç dihet edhe publikisht me qindra lëndë të krimit të organizuar, korrupsionit e lëndë të tjera janë zhdukur nëpër prokurori, sa e sa prova janë zhdukur, sa e sa raste janë fshehur, sa e sa dosje janë bartur në Beograd, sa e sa dëshmitarë janë vrarë vetëm për ta fshehur të vërtetën, sepse një shtresë e shoqërisë sonë është mësuar ta ndërtojë karrierën mbi mundin, djersën, gjakun, sakrificat e fatkeqësitë e të tjerëve. Shoqëria jonë duhet të vetëdijesohet të unisohet dhe t’i zbardhë të gjitha vrasjet që ndodhën pas luftës, e jo të qaset në mënyrë selektive ndaj këtyre rasteve, sepse sipas logjikës që po kultivohet po i bie se UÇK-ja i ka vrarë pjesëtarët e LDK-së e LDK-ja ata të UÇK-së. Siç është dëshmuar publikisht, shumë prej dëshmitarëve të montuar janë joshur me premtime të ndryshme për t’i përdorur kundër UÇK-së, qoftë për rregullim statuti të azilit në vende të ndryshme të botës, qoftë me para, apo benificione të tjera, por ka ndodhur që kur nuk ua kanë përmbushur kushtet dhe kanë dështuar në dëshmitë e rrejshme edhe janë vrarë.
Edhe përkundër pranisë së madhe të forcave të KFOR-it, të policisë së UNMIK-ut, Policisë së Kosovës, pranisë së shërbimeve të shumta inteligjente, pastaj kontingjentit të hetuesve, prokurorëve ndërkombëtarë e vendorë, drejtësia në Kosovë dështoi në zbardhjen e veprave kriminale dhe të vrasjeve të pasluftës, duke mos i vënë fajtorët para drejtësisë. Kjo nuk është vetëm një mungesë vullneti për t’u përballuar me strukturat e krimit të organizuar, por edhe një mungesë e vendimeve politike për të ndërmarrë masa ndaj këtyre strukturave. Kjo logjikë çon në luftë vëllavrasëse, provokon luftë qytetare, nxitë urrejtje, shkakton pakënaqësi, e të gjitha bashkë e bllokojnë progresin e Kosovës drejt integrimit në BE, në NATO e në instancat tjera ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Mehmetaj, MISTERI I VRASJEVE TE, PJESTAREVETE UÇK-së

Kujdes, Serbia po e teston luftën speciale në Kosovë

January 16, 2015 by dgreca

Nga Faton Mehmetaj/
Dërgesa me mbi 12 kilogramë eksploziv nga qarqet e shërbimeve sekrete serbe, që ditë më parë u zu në Kosovë, me qëllime terroriste ishte një mesazh i Qeverisë së Serbisë i vazhdimit të dhunës dhe destabilizimit të mëtutjeshëm në territorin e Kosovës, e motivuar politikisht kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Megjithatë dërgesa e tillë nga ana e Qeverisë së Serbisë nuk është e re për Kosovën.
Rasti i fundit kur serbi Slobodan Gavriq (1968), u zu në mes të Prishtinës me eksploziv C4, është tregues i qartë se është pjesë e mekanizmave zbatues të programeve të Serbisë për ta shantazhuar dhe destabilizuar Kosovën. Qëllimi ishte i qartë, por nuk ishte i ri: të ndizet konflikti ndërfetar mes shqiptarëve, në të cilin Serbia ka më shumë se njëzet vite që është duke investuar intensivisht.
Sipas cilësimeve të medieve, çka është edhe logjike, Slobodan Gavriq kishte patur në plan ta hidhte në erë Katedralen Shqiptare “Nënë Tereza” në Prishtinë. Po të ndodhte ky akt i rëndë terrorist, për të cilin do të fajësoheshin shqiptarët, në aspektin politik do ta paraqiste Kosovën të paaftë në mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe përveç pasojave të paevitueshme në njerëz, do ta godiste rëndë gjithashtu edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Edhe pse ky rast duhet shikuar dhe trajtuar me kujdes, ngase forma e zënies dhe komplet rasti është i mjegullt, megjithatë, shërbimet sekrete serbe nëpërmjet këtij rasti kanë luajtur lojëra të shumëfishta dhe kanë bërë testime në fushat e sigurisë së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare. Pos kësaj, rasti lë për të dyshuar se si Ministri i Brendshëm i Serbisë u tregua aq i gatshëm që të “bashkëpunojë” me EULEX-in, kur Serbia nuk e njeh Kosovën dhe sovranitetin e saj. Ata po bëjnë çmos për ta rikthyer Kosovën në pikën zero.
Vetura e tipit “Renault Clio” në të cilën u gjetën mbi 12 kilogramë eksploziv ushtarak ishte me targa të Beogradit (BG-479-GC), ndërsa personi Slobodan Gavriq, tek i cili u gjet eksplozivi është shtetas i Serbisë, i lindur, i rritur e me banim në Beograd, i martuar, baba i dy fëmijëve, punëtor i Ministrisë së Bujqësisë në detyrën e inspektorit të veterinarisë. Siç u tha, ai bashkë me gruan e tij, e cila punon në Ministrinë e Brendshme në Beograd, dhe fëmijët, jetojnë në një banesë në Beogradin e Ri, kurse fillimisht mediet Gavriqin e paraqitën si person nga Rashka dhe me banim në Rashkë, ku policia serbe kishte urdhëruar për t’ia bastisur shtëpinë e tij po ashtu në Rashkë.
Një gjë dihet hapur, kur operacionet e sigurisë së lartë të Serbisë dështojnë, siç ndodhi edhe në rastin konkret, atëherë shërbimet sekrete të kundërzbulimit lansojnë lloj-lloj tezash e pista të rreme për ta tërhequr vëmendjen e opinionit për të krijuar opinione të rreme. Në të kundërtën përgatitja për akte terroriste të përmasave të tilla nuk ka kurrfarë shanse të jetë bërë pa dijeninë dhe organizimin e organeve më të larta të shtetit serb. Materia e dyshuar është testuar me skaner elektronik nga sigurimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe ka rezultuar të jetë Eksploziv RDX (eksploziv i fuqishëm ushtarak plastik) me sasi 12 kilogramë e 219 gramë. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në mediat tona, “gjatë ekzaminimit është vërejtur se në brendi të materies gjendeshin bulona të metalit të cilët përdoren në eksplozive për fragmentim”. Ky eksploziv, si u tha më lartë, është eksploziv plastik me fuqi tejet të madhe shkatërruese, prandaj për tërheqjen e tij nga magazinat ushtarake duhet kaluar një varg procedurash nga persona kompetentë me leje të veçanta. Pra, sasia e këtij lloji të eksplozivit ka mundur të tërhiqet vetëm pas kalimit të një varg procedurave verifikuese zyrtare. Slobodan Gavriq jo rastësisht kishte me vete edhe hartën dhe skicën e planit të largimit nga vendi i ngjarjes. Në hartë paraqitet qartë rruga nëpër të cilën duhet të kalojë, e cila është rruga më e shkurtër për t’u larguar nga territori i Kosovës. Nuk është rastësi as zgjedhja e kohës për ta kryer këtë vepër terroriste. Gavriqi kishte ardhur për ta kryer ketë vepër terroriste në një kohë të veçantë, në prag të festave të fundvitit ku secili prej nesh ka qenë i preokupuar me përmbylljen e vitit dhe me përgatitjen për kremten e festës se ndërrimit të moteve. Së dyti, serbi në fjalë, u vendos në Hotel “Grand”, pra mu në qendër të kryeqytetit ku dendësia e popullatës gjithherë është më e madhe. Është për t’u habitur pse Gavriq pasi ishte akomoduar në hotel “Grand”, lëvizi në afërsi të Ambasadës së SHBA-ve, ku edhe u zu nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku përveç selisë së Ambasadës Amerikane gjenden edhe disa përfaqësi të tjera diplomatike. Pas zënies është thënë se Gavriq është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesinë.
Se Gavriqi kishte ardhur në Kosovë me qëllim për të kryer punën e tij të ngarkuar nga qarqe të larta të sigurisë në Serbi tregon edhe fakti se më 24 dhjetor kishte marrë një dhomë me qira në hotelin “Grand”. Pikërisht aty, para se të hynte në hotel, ku e kishte kaluar natën, Gavriqi kishte parkuar makinën në një parking shumë afër Grandit. Pasi ishte akomoduar aty, kishte shkuar në Serbi ku ishte ngarkuar me eksploziv dhe përmes veriut ilegalisht dhe në forma të planifikuara përmes pikës kufitare në Rudnicë kishte hyrë në Kosovë. Pas zbulimit të rastit, për një kohë mbizotëroi heshtje e plotë jo vetëm nga qeveria serbe por edhe nga mediet e atjeshme. Disa ditë më vonë, mediet e Beogradit tërhoqën disa paralele, kinse Gavriq është zbuluar nga një tregtar i drogës nga Novi Pazari, e plasime të tjera kinse eksplozivi ka pasur për t’u shitur në Shqipëri, gjë që s’mund të jetë e qëndrueshme. Arrestimi i mëvonshëm në Beograd i Zhelko Todoroviqit (42 vjeçar) lidhur me rastin, apo deklarimet e tij se Gavriq ishte futur në borxhe dhe paska dashur të bëjë tregti me eksploziv, apo se informacionet e zbulimit të Gavriqit kanë rrjedhë nga një qytetar bullgar, i cili dyshohet se është pjesëtar i shërbimit informativ bullgar, i cili e paska dekonspiruar rastin, nuk janë asgjë tjetër veçse pjesë e makinacioneve të shërbimit sekret serb për ta zhvendosur rastin në një rrafsh tjetër.
Dëshmitë që lidhen me rastin duhet parë dhe trajtuar me kujdes, për të zbardhur kush qëndron nën hijen e këtij rasti. Sidoqoftë, nga ekspertë të sigurisë së brendshme, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë, rasti është cilësuar si akt terrorist.
Pos ekspertëve të fushave të sigurisë, sipas deklarimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, përfshirë Presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i dyshuari po përgatiste një sulm terrorist në Kosovë. Ka pasë zëra nga burime brenda institucioneve të sigurisë, se objektiv i mundshëm sulmit mund të ketë qenë hoteli “Grand” ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama. Kjo mbetet të verifikohet por megjithatë agjenda e kryeministrit shqiptar kishte ndryshuar, sepse ai nuk erdhi në mbrëmje në Prishtinë, sipas agjendës së paraparë, por erdhi të nesërmen.
Sipas të dhënave policore eksplozivi ka qenë i ndarë në dhjetë njësi të veçanta, dhe i njëjti, do të mund të hidhej në erë me telekomandë në pikat të cilat kanë qenë në shënjestër të sulmuesit.
Sulmuesi në Kosovë kishte ardhur nga Serbia përmes veriut të Kosovës, pa hasur në asnjë pengesë, sepse edhe më tutje kjo pjesë kontrollohet nga strukturat paralele legale e ilegale të kontrabandës dhe krimit të organizuar. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për zbardhjen e këtij komploti terrorist dhe njëkohësisht e ka përgëzuar policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky operacion u bë, siç u bë e ditur, ishte drejtuar direkt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, për shkak të ndjeshmërisë së rastit edhe pse këtë operacion ka mundur ta udhëheqë drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit apo ngjashëm. Sidoqoftë, është fatbardhësi që është zbuluar rasti dhe është kapur personi në vepër.
Padyshim, Serbia është ndër vendet më të militarizuara në Ballkan dhe në Europë, me një ushtri të pa reformuar, diku me një personel prej 37 mijë pjesëtarëve profesionistë dhe mbi 100 mijë rezervistë, me një buxhet prej afro 700 milionë euro në vit. Është fakt i pamohueshëm se mafia politike dhe ushtarake në Serbi i kontrollon pothuajse të gjitha strukturat dhe bizneset e shtetit serb. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), del se policia e Serbisë i numëron 45 mijë punonjës. Edhe më tutje, për çdo vit Serbia i shpenzon mbi 500 milionë euro në mbështetje të strukturave paralele që veprojnë jashtëligjshëm në Kosovë. Shërbimi sekret serb mbanë të angazhuar në Kosovë mbi 150 anëtarë të BIA-s dhe mbi 50 organizata sekrete serbe të cilat e përbëjnë pushtetin paralel serb në Kosovë dhe përdoren nga shërbimi sekret i Serbisë për ta mbajtur peng sigurinë në Kosovë.
Armët e Serbisë, eksplozivi i Serbisë i nxjerrë nga magazinat ushtarake të sigurisë tepër të lartë është përdorur edhe me rastin e sulmit terrorist të “Al Kaeda”-s që ndodhi në metrotë e Londrës, në korrik të vitit 2005, kur Britania e Madhe u godit pikërisht në ditën kur vendet e zhvilluara mbanin një konferencë për t’i ndihmuar vendet e pazhvilluara, ku humbën jetën dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” në këtë sulm vinte nga Beogradi. Menjëherë pas aktit terrorist, ekspertja e njohur kundër terrorizmit, Giora Shamis, kryeredaktore e gazetës “Debka” të Izraelit, deklaroi se materiali i përdorur në këtë sulm, kishte prejardhje nga Serbia dhe kjo nuk ishte hera e parë që përpjekjet për prishjen e paqes në botë i provokon shteti serb. “Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” gjatë sulmeve në Londër rrjedhë nga Beogradi. Bëhet fjalë për kanal të organizuar mirë për tregti me armë”, kishte thënë Shamis.
Sipas burimeve të hapëta, të publikuara edhe në vija mediale, eksplozivi plastik ushtarak, i prodhuar në Serbi, është verifikuar se është përdorur edhe në Irak dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme nga organizatat terroriste të lidhura me “Al Kaedan”. Kjo është verifikuar edhe nga ekspertë të SHBA-ve, nëpërmjet ekzaminimit të eksplozivëve dhe të armëve të kapura në Irak.
Po ashtu Serbia e ka ndihmuar regjimin e Sadam Hyseinit, me armë dhe me ekspertë ushtarakë, ashtu siç e ka ndihmuar edhe Gadafin.
Mercenarët e parë të huaj në Libi qenë serbët që iu bashkuan regjimit të Gadafit. Legjionarët serbë që morën pjesë në mbështetjen e Gadafit ishin veteranë nga luftërat e ish-Jugosllavisë. Përpos ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe të policisë, pjesa më e madhe kanë qenë pjesëtarë të “Beretave të Kuqe”, që tashmë janë shpërndarë nëpër botë. Njësitë paramilitare serbe qëndruan përkrah Gadafit deri sa është rrëzuar regjimi i tij. Nga të bëmat e ushtarakëve serbë dhe programet shoviniste serbomëdha të Akademisë së Shkencave të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve u frymëzua dhe u motivua edhe terroristi Anders Behring Breivik. Është me rëndësi të theksohet se në traktin e shpërndarë të të ashtuquajturës “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës” paralajmërohej ekzistenca e “kalorësve serbë” me të cilët ndërlidhej monstrumi norvegjez, Anders Behring Breivik, i cili më 22 korrik të vitit 2011, në dy sulme të ndara në Norvegji (në sulmin me bombë në Oslo dhe atë me armë në ishullin Utoja), vrau 77 persona dhe plagosi 242 të tjerë. Për sulmet e tij masive, Breivik, ka thënë se është frymëzuar nga nacionalistët serbë dhe se i ka takuar organizatës djathtiste “Kalorësit Tempullarë”.
Edhe sot Serbia është në mesin e vendeve kryesore për nga prejardhja e municionit që e përdorin ekstremistët e Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe në Siri, thuhet në hulumtimin e Conflict Armament Reasearch. Po ashtu në listën e re ku janë publikuar rreth 82 organizata terroriste në botë, në mesin e tyre është edhe organizata “Otpor” nga Serbia, e cila krahasohet me organizatat Boko Haram dhe ISIS-in.
Rrezikimi i sigurisë në Kosovë ka të bëjë edhe me zhvillimin e politikave globale.
Qysh në vitet 2004-2005, Serbia kishte nënshkruar disa marrëveshje interne me Iranin për ta goditur Kosovën ushtarakisht. Në përmbajtjen e njërës prej këtyre marrëveshjeve thuhej se “forcat serbe do të hyjnë në Kosovë, në rast se SHBA-të sulmojnë Iranin”. Në kuadër të angazhimeve të ndërsjella të Serbisë dhe të Iranit në fushën e sigurisë, në një kohë kritike për Iranin por edhe për Serbinë, mbetet e paditur se a do të kenë vetëm këmbime informacionesh, pajisjesh armatimi apo edhe aleancë të fortë ushtarake.
Situatat e tilla tregojnë qartë se sa është e përgatitur Serbia për të ndërhyrë në Kosovë. Në fakt, sipas burimeve të ndryshme, Irani ka një rrjet të garantuar të agjentëve të vet në Kosovë, të cilët edhe janë të gatshëm të provokojnë luftëra në rajon, të karakterit lokal. Këto struktura janë të lidhura me elementin serb, si në vija diplomatike si në ato ushtarake dhe të sigurisë, nëpërmjet të cilave i mundësohet konsolidimi, organizimi dhe veprimi elementit ekstremist mysliman në hapësirat e ish-Jugosllavisë e më gjerë. Problemet tjera nxitëse deri në shkallën e pasigurisë janë edhe disponimi antishqiptar që do të nxisë pakënaqësi në rajon.
Serbia nëpërmjet shërbimeve sekrete, e mbështetur edhe nga aleati i saj i përhershëm Rusia, ka investuar në ngritjen e strukturave të ekstremizmit mysliman në Ballkan e më gjerë, veçmas në trojet shqiptare, duke krijuar edhe një opinion tek popullata nëpërmjet propagandës, medieve dhe mekanizmave të shërbimit sekret serb.
Kur flitet për militarizimin e Serbisë duhet përmendur edhe baza ushtarake ruse në Nish, e formuar më 20 tetor 2009, me rastin e vizitës së ish-kryetarit të Rusisë, Dimitrije Medvedev, në Serbi, ku temë e bisedimeve ndërmjet Medvedevit dhe udhëheqjes së lartë serbe ka qenë arkitektura e hapësirës euroaziatike dhe krijimi i bazës ushtarake ruse në Nish, mbase si kundërvënie ndaj bazës ushtarake amerikane në Bonstill. Baza ruse në Nish po merr përmasa të mëdha si bazë ushtarake, e cila është edhe baza e parë ushtarake jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik, e cila Serbinë e bën edhe më të fortë ushtarakisht dhe më kërcënuese të sigurisë në rajon.
Duhet përmendur se pas fitores së Putinit, ndër planet e tij ushtarake afatmesme ka qenë edhe prania ushtarake ruse në Ballkan. Vendosja e kësaj baze ushtarake në Serbi nga ana e Rusisë është një shqetësim i brendshëm ndërkombëtar, sepse kjo përkon me një lëvizje të re strategjike të Moskës në Ballkan.
Për militarizimin e Serbisë tregojnë edhe faktet e industrisë së armatimit në Serbi, duke pasur një qarkullim rekord. Gjatë vitit 2008 Serbia ka eksportuar armatim në vlerë prej 520 milionë dollarësh, kurse në vitin 2009 kjo shumë është ngritur në 650 milionë dollarë. Rreth 90 për qind e prodhimit të armatimit në Serbi është e paraparë për eksport. Kjo tempo ka vazhduar edhe në vitin 2010, 2011, 2012 e tutje. Duhet theksuar se vetëm kontrata me Irakun kapte vlerën prej 350 milionë dollarësh.
Serbia i shet armë legalisht dhe ilegalisht Irakut, Libisë, Indisë, Indonezisë, Pakistanit, Afganistanit e vendeve të tjera që kanë konflikte të brendshme, apo me shtetet fqinje, apo me NATO-n.
Aktet terroriste apo përgatitjet e tilla për akte terroriste si kjo e Slobodan Gavriqit kanë të bëjnë me grupe ekstremiste, radikale politike, nacionaliste apo fetare të kontrolluara direkt nga shteti serb, i cili i përdorë struktura e tilla në pamundësi për ta zotëruar mundësinë reale të sundimit të Kosovës, pas dëbimit të forcave ushtarako-policore serbe dhe shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Po në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, grupet e tilla i dogjën pikat kufitare me Serbinë dhe kanë vazhduar me akte terroriste dhe akte të dhunës, që janë të evidentuara në raportet e strukturave të sigurisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Rreth 350 policë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës bashkë me stafin civil e lëshuan punën në shenjë solidariteti me grupet ekstremiste në mars të vitit 2008. Kurse për praninë e strukturave paralele ushtarako-policore të Serbisë në Kosovë flet edhe “Raporti për strukturat paralele 2006-2007” i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE). Shumica prej këtyre strukturave janë aktuale edhe sot e kësaj dite. Disa prej tyre vitin e kaluar kanë hyrë pa kaluar nëpër testin e sigurisë në departamente të sigurisë në Kosovë edhe pse nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Aktet terroriste të kryera në Kosovë, ku është përdorur eksplozivi nuk janë risi. Rasti Gavriq ishte atakimi i radhës, që fatmirësisht u parandalua. Jemi dëshmitarë të një varg sulmesh me lëndë plasëse, në të cilat përveç dëmeve materiale kanë humbur jetën edhe disa njerëz, madje edhe nga radhët e policisë ndërkombëtare. Jo rrallë herë, sulmet me lëndë plasëse ishin të drejtuara edhe ndaj institucioneve të vendit, pjesëtarëve të sigurisë etj. Që nga viti 1999 e gjerë më sot në Kosovë kanë ndodhur mbi dy mijë eksplodime. Çuditërisht, që nga ajo periudhë e deri më sot nuk u identifikuan kryesit e pothuajse asnjë vepre të kësaj natyre edhe pse pistat hulumtuese në disa raste janë përafërsisht të ditura. Në këtë lojë politike u viktimizuan shumë njerëz të pafajshëm. Loja me eksplodime po vazhdon edhe sot. Një shpërthim i fuqishëm në Termocentralin Kosova A, mu në kohën e përfundimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare në qershor të vitit 2014, që la pas vetes të vdekur dhe të plagosur mund të klasifikohet pjesë e zinxhirit të sabotimeve të përgatitura nga Qeveria e Serbisë, e cila minoritetin serb të Kosovës në pjesën veriore të vendit e ka shkëputur nga rrjeti elektrik i Kosovës. Serbia ka krijuar një varg lidhjesh për ta rrëzuar pushtetin në Kosovë, për ta paraqitur të paaftë për udhëheqje dhe për ta pasur nën kontroll. Vitin e kaluar u hodh një bombë në pjesën veriore të Mitrovicës, me ç’rast u plagosën nëntë persona. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në Klinë, ku u hodh në erë shtëpia e një malazezi, e ndërtuar në kuadër të projektit për kthim. Të kësaj natyre ishin edhe disa eksplodime që ndodhën në Dragash, të cilat kishin në shënjestër disa shtëpi të goranëve, me qëllim të iritimit të popullatës. Me këtë lloj eksplozivi qe vrarë edhe Selver Haradinaj në shtëpinë e tij në Mitrovicë, e dhjetëra raste të tjera. Në të gjitha rastet eksplozivi kishte origjinën nga Serbia. Edhe eksplozivi me telekomandë, sidomos eksplozivi C4 që është përdorur në shumë raste, e kishte origjinën nga Serbia. Eksplodime në seri kanë ndodhur prej 14 vitesh në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në vendbanime të banuara me serbë, që më shumë ishin një fushatë politike për ta diskredituar gjendjen e sigurisë në vend. Por akti i fundit i zënies së Slobodan Gavriqit në vepër me mbi 12 kilogramë eksploziv, e zbardhë dhe e ndryshon qasjen e natyrës së presioneve me lëndë plasëse. Ky akt merr përmasa të terrorizmit rajonal, i motivuar nga kriminaliteti politik dhe i përkrahur nga strukturat e sigurisë së Serbisë. Ky akt është vazhdimësi e akteve tjera që e përbëjnë tërësinë e problemit të quajtur luftë speciale e Serbisë në Kosovë nëpërmjet të cilës Serbia mendon ta kthejë sovranitetin e Kosovës në njësi të mëhershme administrative, meqenëse Kosova konsiderohet shtet në ndërtim e sipër dhe si çdo shtet i ri edhe Kosova i ka problemet e veta. Kosova edhe pas gati shtatë vitesh pavarësi, edhe më tutje në Kushtetutën e Serbisë rezulton si pjesë integrale e saj!
Xhandarmëria serbe me qindra herë gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës, ka ndaluar e arrestuar njerëz, ka keqtrajtuar, ka kryer operacione të ndryshme, etj. Për një periudhë të shkurtër nga fshati Karaçevë, në kufi me Serbinë, janë shpërngulur mbi 125 persona nga presionet e xhandarmërisë serbe. Kjo po ndodhë para syve të qeverisë dhe organeve të rendit. Mbi 30 protesta i kanë bërë banorët e këtij fshati kundër presioneve të xhandarmërisë serbe, duke kërkuar mbrojtje dhe siguri, por askush nuk e ka dëgjuar zërin e tyre.
Pos tjerash, duhet përmendur rasti i kidnapimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa ishin në detyrë në brezin kufitar me Serbinë, më 31 shkurt të vitit 2012, më saktësisht në fshatin Dumnicë të Podujevës. Sipas video-incizimeve të publikuara edhe në mediet elektronike nga pala serbe shihen dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të shtrirë përtokë, të lidhur dhe të poshtëruar. Kurse pjesëtarët e xhandarmërisë serbe, sipas fotove dhe postimeve të tjera i takojnë njësisë speciale të xhandarmërisë (ish JSO-së famëkeqe), pjesëtarët e të cilës kanë marrë pjesë edhe në disa operacione të tjera në brendi të territorit të Kosovës.
Sipas raporteve të portalit beogradas B/92, të datës 24 nëntor 2011, Daçiqi kishte kërcënuar se “për Kosovën mund të shkojmë deri në luftë”. Prononcime të kësaj natyre kohë më parë bëri edhe udhëheqësi i organit ilegal të përkohshëm të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, i cili deklaroi se shteti serb është i vendosur që të qëndrojë në Kosovë.
Sa për ilustrim po përmendi rastin kur në natën ndërmjet 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, forcat serbe i vranë 11 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë, i plagosën mbi 40 të tjerë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it, dhe brenda 24 orëve i dëbuan 1 564 familje shqiptare me 11 364 anëtarë nga pjesa veriore e Mitrovicës. Është e ditur publike se ekspeditën për dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës e kanë udhëhequr strukturat e MUP-it serb në krye me ish-komandantin Dragan Delibashiq.
Si pasojë e kësaj, Kosova është bërë ndër vendet më të blinduara në aspektin e sigurisë. Sipas të dhënave, misioni i KFOR-it ka në Kosovë përafërsisht 5 mijë pjesëtarë nga 29 shtete, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, pastaj Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), AKI-në, MPB-në, Policinë e Kosovës, që ka afërsisht 8 mijë pjesëtarë të uniformuar, 1 100 staf civil të angazhuar në shërbimet mbështetëse, administrative dhe teknike me një sistem të organizimit unik dhe të centralizuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Me të gjitha këto blindime të sigurisë dhe shpenzime marramendëse për ta siguruar sigurinë në Kosovë, ajo u mungon qytetarëve të Kosovës, si pasojë e ndërhyrjeje të jashtëligjshme të Serbisë, të cilat u toleruan dhe u minimizuan. Në këtë kontest duhet përmendur edhe misionin e EULEX-it, i cili u themelua në vitin 2008, kur Kosova e shpalli zyrtarisht pavarësinë e vet. Ky mision i Unionit Europian, veç tjerash, kishte premtuar që të ndihmojë në zhdukjen e korrupsionit dhe në “kapjen e peshqve të mëdhenj”, mirëpo me kalimin e kohës doli se edhe vet EULEX-i ishte pjesë e “peshqve të mëdhenj”, e marrjes së ryshfetit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke prolonguar e shkatërruar shumë prova të një varg proceseve të krimit të organizuar në Kosovë.
Duhet përmendur se për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës, shtetet anëtare të Unionit Europian e financojnë EULEX-in me shumën prej 165 milionë eurosh në vit. EULEX-i i ka të punësuar rreth 3 mijë punonjës. Një numër i konsiderueshëm i tyre, madje edhe në pozitat kyçe në këtë mision, vijnë nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë gjithë kohës ky mision është kritikuar, veçanërisht se ka dështuar në fuqizimin e sistemit ligjor në Kosovë, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në shkallë të lartë, si dhe për koston me të cilën po e drejton organizatën. Një reportazh i transmetuar kohë më parë nga televizioni gjerman “Deutsche Welle”, tregonte për shpenzimet marramendëse të këtij misioni dhe punën e policëve të tij në veri të Kosovës. Gjithashtu, tregoheshin edhe kalimet ilegale të kufijve nga serbët që nuk i njohin pikat kufitare të Kosovës. Një ndërrim doganierësh e policësh me helikopter, kushtonte 4 mijë euro, thuhej në reportazh. Deri tash vetëm për këtë llogaritet të jenë harxhuar rreth 400 mijë euro, kurse krejt misioni deri tashti ka kushtuar rreth 400 milionë euro. Me gjithë shpenzimet marramendëse për këtë pjesë (veriun e Kosovës) ende nuk ka një zgjidhje. Edhe ashtu veturat zyrtare të EULEX-it dhe personeli i tij dhjetëra herë janë sulmuar, por edhe shkatërruar nga grupet ekstremiste serbe në veri, të organizuara dhe të orkestruara nga Beogradi zyrtar.
Me të gjitha këto vështirësi, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste. Mirëpo, provokimet janë të vazhdueshme dhe të padurueshme nga ana e palës serbe. Me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse këtë vit, njëri nga ministrat e Qeverisë së Isa Mustafës, Aleksandar Jabllanoviqi, përdor fjalor fyes e shovinist, duke i quajtur nënat tona “egërsira” (kujto Vulinin që vitin e kaluar në të njëjtin rast i quajti “jo njerëz”), fjalor ky i elaborateve shfarosëse të akademikëve dhe Akademisë së Shkencave të Serbisë, të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë vazhdimisht nga zyrtarë të Serbisë, por është i papranueshëm kur vjen nga një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është sinjal i keq dhe veprim antikushtetues kur ministrat nuk e njohin shtetin në të cilin ushtrojnë detyra të ekzekutivit, është e papranueshme dhe antikushtetuese kur deputetët e Parlamentit të Kosovës, nuk e njohin Kosovën si shtet!
Sjelljet e tilla shprehin haptazi urrejtje të papërmbajtur ndaj palës shqiptare, sikurse edhe eksplozivi i gjetur tek Slobodan Gavriqi, që është dëshmi e shprehjes së urrejtjes dhe tendencë e vrasjes në masë të njerëzve të pafajshëm. Është shumë me rëndësi të theksohet se akti terrorist i mbetur në tentativë në rastin Gavriq, për kryerjen e të cilit domosdoshmërisht do të fajësoheshin shqiptarët, do të ishte “mesazh” që do t’i paraprinte presidentit serb Tomislav Nikoliqi, në shpalljen “planit të përhershëm” për zgjedhjen e çështjes së Kosovës! Ky plan nuk është as i pari, as i rastit. Të tilla pranprograme antishqiptare kanë përpiluar vite më parë, por atëherë së bashku në emër të Partisë Radikale Serbe: Vojisllav Shesheli, Tomislav Nikoliqi, Aleksandër Vuçiqi…, për të mos i përmendur të gjithë të tjerët.
Rasti Gavriq është atakim direkt i drejtuar kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dyshuar terrorist, ajo mbetet shumë e përkushtuar që Kosova të jetë vend i paqes dhe tolerancës, dhe kërkon nga organet përkatëse të hetojnë në tërësi këtë akt të dyshuar terrorist, dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë”. Megjithatë, struktura të caktuara duhet të vihen para përgjegjësisë me theks policia dhe dogana në Mitrovicë, e cila pothuajse është nën kontrollin e strukturave paralele që veprojnë në këtë pjesë.
Kosova nëpërmjet bisedimeve ka rënë në lajthitje diplomatike dhe nëpërmjet këtyre bisedimeve ka krijuar varshmëri politike nga Serbia, nga ky ndikim që është i dukshëm duhet liruar me kalimin e kohës.
Trevat shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) importojnë nga Serbia mallra në vlerë prej një miliard euro në vit! Serbia në bashkëpunim me miqtë dhe përkrahësit e saj është duke i përdorur teoritë e komplotit nëpërmjet strukturave të saj të instaluara gjithandej Kosovës për ta paraqitur Kosovën të paaftë para qarqeve ndërkombëtare dhe qendrave vendosëse. UNMIK-u më herët dhe tani EULEX-i e kanë mbajtur dhe po e mbajnë direkt anën e Serbisë.
Duhet përmendur edhe rastin e para dy vjetëve kur më 7 janar 2013, Aleksandër Vulini, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili e kishte të lëshuar një fletarrest nga Qeveria e Kosovës (urdhër ky që u tërhoq më vonë) dhe pas kësaj ai e kishte vizituar Graçanicën, në mënyrë provokative i veshur me rroba të njësisë së ashtuquajtur “Mbrojtja Civile Serbe”, bashkë me truprojat e tij po ashtu të veshur me të njëjtën uniformë, për çka disa prej këtyre truprojave të Vulinit u arrestuan nga Policia e Kosovës në Graçanicë, pasi që të njëjtit si të tillë kanë paraqitur rrezik për sigurinë. Për arrestimin e truprojave të Vulinit me uniforma të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, zyrtarët serbë bënë shumë zhurmë, duke e konsideruar këtë arrestim si “provokim të rëndë”. Pas gjithë kësaj, pas presionit të Serbisë, Prokuroria e EULEX-it i akuzoi njëmbëdhjetë pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative (ROSU): Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Avdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Keriqi, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi, duke i akuzuar se i paskan maltretuar truprojat e ministrit serb Vulin, i cili kishte hyrë ilegalisht në Kosovë. Që nga ajo kohë e gjerë më sot pjesëtarët e ROSU-së, pas presioneve të Serbisë, u suspenduan dhe u nxorën para gjyqit vetëm pse e kanë kryer detyrën konform ligjit. Edhe më tej ata gjenden duke u përplasur me sistemin e drejtësisë që për ta deri më tani është treguar i njëanshëm dhe shumë i padrejtë. Barazo me atë që e bëjnë Policët e Kosovës nga radhët e minoritetit serb, për të cilën askush flet asgjë.
Këto probleme me të cilat po ballafaqohet Kosova janë të zgjidhshme dhe kanë rrugëdalje. Interesat e vendit nuk duhet t’i kenë dy kuptime, por një, dhe ne duhet t’i zgjidhim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Mehmetaj, Kujdes, po e teston luftën, Serbia, speciale në Kosovë

NJE LIBER PER BASHKJETESEN NDERFETARE I FATON MEHMETAJ

December 27, 2014 by dgreca

NJOFTIM/
PRIJËSIT FETARË SHQIPTARË–BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE NË SHTETNDËRTIM, eshte libri me i ri i pergaditur nga autori tash me i mirnjohur i trojeve shqipetare Faton Mehmetaj (dr. kandidat), qe se shpejti pritet te dal nga shtypi . Libri është i paraparë të realizohet me botimin e një Albumi me fotografi/portrete dhe biografi të mbi 600 prijësve fetarë, që u takojnë komuniteteve tona fetare: myslimanë, katolikë e ortodoksë, shumica prej tyre dijetarë dhe njerëz të shquar të kulturës e të shkencës, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një letërnjoftim unikat në botë mbi bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare të popullit shqiptar, është një tablo e historisë sonë e pa trajtuar gjerë më sot nga ky këndvështrim.
Në këtë projekt përfshihen prijësit fetarë të të tri feve nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga diaspora e nga kolonitë shqiptare anekënd botës, duke përfshirë një hark kohor mbi 300-vjeçar, të të gjithë atyre prijësve fetarë që morën pjesë në rilindjen e kombit shqiptar, në Shpalljen e Pavarësisë, në beteja e përpjekje për ta mbajtur gjallë gjuhën e kulturën e popullit tonë, për t’i ruajtur kufijtë dhe tërësinë shtetërore; të atyre që u sakrifikuan për çështje kombëtare gjatë periudhave të ndryshme nëpër të cilat kaloi kombi ynë.
Nëpërmjet trajtimit të këtyre figurave historike paraqitet e tërë historia dhe ngjarjet më të rëndësishme historike, që kanë të bëjnë me lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar. Personalitetet që përfshihen në këtë projekt janë ndër figurat më të dashura dhe më emblematike të popullit tonë, të cilat kurrë nuk e ngatërruan konceptin fetar me atë kombëtar. Edhe pse ishin prijës fetarë (të feve të ndryshme), për ta gjithmonë mbi të gjitha ishte fjala postulat për orientim: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Ata botuan libra, gazeta, përpiluan manifeste e memorandume, konstruktuan programe, duke arritur në rrumbullakësimin e një platforme të përbashkët për ruajtjen tërësisë territoriale, të gjuhës, dokeve e zakoneve, historisë e të Shqiptarisë në përgjithësi. Një pjesë e prijësve fetarë të të tri feve tona ishin të angazhuar edhe në shoqëri kulturore në Stamboll, në Bukuresht të Rumanisë, në Itali, SHBA, shtete të Europës e kudo tjetër, të cilët me punën dhe aktivitetin e tyre patriotik ndihmuan ta bindin botën e qytetëruar për ta mbështetur popullin shqiptar në momente kyçe dhe kritike nëpër të cilat kaluam shpeshherë si popull.
Ata ditën të jenë pjesë e unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Morën pjesë në Kongresin e Manastirit, në Komisinë Letrare të Shkodrës, hapën shkolla, botuan libra, duke e nderuar vendin e tyre me përpjekjet dhe mundin që dhanë, i cili gjatë gjithë historisë ka mbetur i paharruar. Ashtu siç e dëshmon historia, gjatë Rilindjes tonë Kombëtare (1830-1912), prijësit fetarë shqiptarë (myslimanë, ku shquhej edhe komuniteti i bektashinjve, katolikë dhe ortodoksë) dhanë ndihmesë të vyer në procesin historik, në të gjitha aspektet e lëvizjes kombëtare, në të gjitha trojet shqiptare: në kryengritjet kundër reformave centralizuese të Tanzimatit; në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare, “ulemaja” ishin drejtues pothuajse të të gjitha degëve dhe komiteteve të kësaj Lidhjeje; ata i gjejmë kudo në luftën për zhvillimin e kulturës e të arsimit kombëtar.
Me punën, përpjekjet, mundin e sakrificat mbinjerëzore këta burra ia vunë bazat shtetndërtimit, duke e pavarësuar atë dhe duke i dhënë dimensione të reja pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912 e pas kësaj, duke e transformuar atë në një shtet modern. Ata kontribuuan tërë jetën për çështjen kombëtare pa u ndalur kurrë. Një pjesë e madhe prej tyre edhe pse kishin pozita të larta në shoqëri, u vranë, u syrgjynosën dhe u pushkatuan, por kurrë nuk u ligështuan dhe nuk hoqën dorë nga idealet e larta të atdheut dhe qëllimi i tyre për ta përparuar dhe arsimuar popullin e tyre. Roli i prijësve fetarë dhe i klerikëve shqiptarë në përgjithësi ishte i madh edhe në mbrojtjen kombëtare të Shqipërisë Etnike (1941-1945).
Veprimet e komunitetit fetar në trojet shqiptare myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashianë e protestantë, rreth çështjes kombëtare ishin një dhe të pandara, të unisuara dhe kishin një plan dhe program të organizimit për ta mbrojtur dhe lartësuar atdheun e tyre. Ata luftuan për themelimin e institucioneve shtetërore, arsimore, fetare e kulturore mbi baza të mirëfillta kombëtare. Ata ishin bashkë për ta luftuar secilin pushtues. Ata i gjejmë në organizim dhe në krye të çetave e grupeve që e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, Kongresin e Berlinit dhe i mbrojtën me gjak tokat shqiptare në Mal të Zi, në Sanxhakun e Nishit, e anekënd hartës etnike ku kishte nevojë populli shqiptar. Morën pjesë dhe i organizuan kryengritjet e vitit 1910, 1911 e 1912, morën pjesë në luftën e Carralevës, në Grykë të Kaçanikut, ngritën flamurin në Deçiq, në Vlorë, në mbrojtjen e Shkodrës më 1913, etj. Formuan komitete të fshehta, shkruan pa fund shkrime publicistike e shpërndanë kudo trakte politike, hartuan himne e platforma kombëtare, formuan çeta, organizata e shoqëri që i dolën në ndihmë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Prijësit tanë fetarë ishin burra kuvendesh, ishin të penës e të pushkës, disa prej tyre u dalluan edhe si komandantë të shquar, vizionarë e diplomatë që e habitën botën me zgjuarsinë e tyre. Të njëjtit i shohim në përpjekjet për të hapur shkolla, për të përhapur abetaret e para, në përpjekje për ta shkruar dhe unifikuar gjuhën shqipe. Me aktivitetin e tyre luftarak, politik, kulturor e arsimor, ata bënë që Shqipëria të njihet ndërkombëtarisht. Jo pak nga këta prijës fetarë morën pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), në atë të Lushnjës, të Dibrës e të Vlorës. Shumica prej tyre u përndoqën, u vranë, u syrgjynosën e u dëbuan nga atdheu i tyre, por ata që mbijetuan nuk e ndalën aktivitetin e tyre për të mirët e atdheut të vet, kudo që ishin. Të tilla ishin kolonitë shqiptare në Stamboll, Itali, Misir (Egjipt), Rumani, Amerikë e në vende të tjera të botës. Atje shkruan fjalorë, mblodhën folklorin, e shkruan historinë, prapë u vunë në krye të lëvizjeve përparimtare, nuk pushuan kurrë për ta afirmuar dhe për ta rreshtuar Shqipërinë krah vendeve të përparuara. Prijësit tanë fetarë ishin mendja, zemra dhe shpirti i të gjitha lëvizjeve përparimtare gjatë periudhave të ndryshme të historisë. Ata, me shembullin e vet, me besim, me dituri e me pasurinë e tyre që e vunë në shërbim të kombit, dëshmuan me devotshmëri se për shqiptarët nuk ka jetë pa Shqipëri.
Disa prej këtyre figurave janë misionarë të përmasave botërore si Nënë Tereza, disa të tjerë kanë përmasa të diplomatëve që e afirmuan çështjen shqiptare në tubime e konferenca të mëdha siç ishte Noli. Në gjirin e kolonisë shqiptare në SHBA me gjithë kundërshtimin e Patrikanës Fanariote, më 1908 u krijua edhe kisha e parë shqiptare ortodokse me priftërinj shqiptarë.
Kishte në mesin e këtyre personaliteteve prijës të lëvizjeve të mëdha, në mesin e tyre Hafiz Ymer Prizreni, njëri nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Myderriz Haxhi Zeka, kryetar i Lidhjes së Pejës “Besa-Besë”; Në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 1912, Don Nikollë Kaçorri; i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër, Hoxhë Kadri Prishtina; pastaj të Lidhjes së Dytë të Prizrenit 1943, Sheh Musa Shehzade, etj.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare doli një gjerdan burrash si Hoxhë Tahsini, Daut Boriçi, Gjerasim Qiriazi, Don Ndoc Nikaj, Papa Kristo Negovani, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Babë Dudë Karabunara, Shtjefën Gjeçovi, Hafëz Riza Ulqinaku, Rexhep Voka, Vehbi Dibra, Hasan Hoxhë Moglica, etj. Kishte të atillë që u vunë në krye të çetave e grupeve tjera të armatosura, siç ishte Mulla Idriz Gjilani, Aqif Blyta, mulla Agan Koja, Mulla Zekë Bërdyna, Patër Anton Harapi e shumë të tjerë.
Qëllimi i botimit të këtij Albumi, është që të ilustrojmë me materiale fotografike e dokumentare aktivitetin e prijësve fetarë të të tri feve (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë), duke mos e lënë anash as aktivitetin e bujshëm të bektashinjve në periudhat më të ndritura të historisë – periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, duke përfshirë këtu edhe aktivitetet politiko-ushtarake dhe kulturore të shpalljes së Pavarësisë, pas saj e deri në mbarim të shek. XX.
Ky projekt me mbi 300 biografi të prijësve fetarë me fotografitë e tyre dhe me nga 20-30 rreshta shkrim biografik, është një histori më vete, me pak fjalë e me një domethënie të madhe, që u tregon brezave të rinj, i tregon botës për kontributin e prijësve fetarë në përpjekjet shekullore për komb e atdhe. Është një shembull unikat i bashkëjetesës fetare në gjithë botën, është dëshmi e të qenit gjithmonë bashkë për Pashkë e për Bajram, në kremtet e bektashinjve dhe të klerit ortodoks. Një pjesë e madhe e prijësve fetarë të të tri feve u përballën me vështirësi të mëdha, sidomos pas ndalimit të fesë në vitin 1967 dhe shkatërrimin e një pjesë të objekteve të kulteve fetare; disa prej drejtuesve fetarë i burgosën, një pjesë i pushkatuan e shumë të tjerë i izoluan, i internuan, i dërguan në kampe pune, shumë prej të cilëve vdiqën nga mundimi dhe torturat. Një pjesë e vogël nga radhët e komunitetit fetar arritën të dalin jashtë vendit për ta shpëtuar kokën. Sidoqoftë, gjatë gjithë historisë, një pjesë e madhe e xhamive, medreseve, kishave e teqeve ishin vënë në shërbim të çështjes kombëtare, pa dallim feje, duke u bazuar në thënien hymn: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria!” Këtë do ta dëshmojë me argumente të mirëfillta edhe ky projekt.
Përzgjedhja e kësaj tematike është bërë sepse ka pak studime dhe trajtime të këtij spektri, ku trajtohen prijësit fetarë në një dimension kombëtar pa dallim feje, ku xhamia, kisha, teqeja e luajnë të njëjtin rol në dobi të çështjes kombëtare. Tek e fundit populli shqiptar është një shembull unikat në botë ku bashkëjetesa dhe toleranca ndërfetare është vetëdijesim, është normë, është domosdoshmëri. Bajrami, Pashkët, Kërshëndellat e festat e bektashinjve festohen bashkë. Shqiptarët bashkë janë kudo edhe në festa kombëtare, por edhe në dasma e morte, sepse kanë gjuhën e përbashkët, i kanë doket e zakonet, e kanë historinë, gjuhën, alfabetin dhe shqiptarinë e përbashkët. Ne jemi i vetmi popull i qytetërimit europian, me identitete të ndryshme fetare, që nuk e pengojnë njëra-tjetrën, edhe pse identiteti mysliman e përbën shumicën. Këto identitete nuk e penguan formimin kombëtar shqiptar, por ndihmuan që shqiptarizmi si platformë e identitetit kombëtar të ngritet mbi këto identitete për t’u kthyer në program të lëvizjes kombëtare, me të cilën luftohej për shtetin shqiptar. Kështu në hartën e re shtetërore dhe atë politike europiane, shqiptarët u shfaqën si ekzemplari më i veçantë i një populli që ia doli që ndeshjen shekullore të besimeve, të mos e kthejë në luftë të brendshme, siç u kishte ndodhur shumë popujve, por natyrshëm e ndërtuan programin e bashkëjetesës. Myslimanë dhe të krishterë, sunitë dhe shiitë, katolikë dhe ortodoksë, protestantë e të tjerë, bashkërisht deklaruan vullnetin e tyre si shqiptarë.
Libri më i ri i Faton Mehmetajt, PRIJËSIT FETARË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE NË SHTETNDËRTIM, është i ndërtuar në bazë të parimit tematik. Janë vënë në dukje me anë të portreteve jo të gjithë, por ata që kanë kontribuar dhe kanë qenë të përfshirë në ngjarjet kryesore dhe momentet më të rëndësishme të periudhave që i përmendëm më lartë. Figurat e prijësve fetarë shqiptarë janë radhitur kronologjikisht në bazë të periudhës kohore kur kanë jetuar dhe vepruar.
Autori i librit fton bisnesmenet dhe afaristet Shqipetaro-Amerikan po edhe Qendrat Fetare Shqipetaro-Amerikane qe ta perkrahin financiarish botimin e kesaj vepre madhore dhe te veqante te historise e bashkejeteses sone nderfetare.
Per me shume informacione mund te kontaktoni ne numerin e telefonit: 646-247-1817.

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Faton Mehmetaj, liber per bashkjetesen

KUJTESE- HEROI SHKELZEN HARADINAJ

April 20, 2013 by dgreca

Në përkujtim të viganit orakull të UÇK-së, heroit të kombit Shkëlzen Haradinaj, lavdia e të cilit nuk shuhet kurrë/

 Shkruan: Faton Mehmetaj/

Katërmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 16 prill, tamam si në legjenda ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 ”Jusuf Gërvalla”: Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të gjithë nga Gllogjani. Ata ranë dëshmorë në njërën ndër betejat më të rrepta e më heroike në malet e Maznikut, kur u luftua për jetë a vdekje në mbrojtje të mijëra civilëve shqiptarë, të strehuar në malet e Duboçakës.Komandanti Shkëlzen Haradinaj, është njëra ndër figurat më emblematike të UÇK-së. Ishte bir i vërtetë i polenit shqiptar, i cili u shqua për trimëri të ashpër, burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt e krenari raciale, për qëndresë titanike dhe për rënien më të lavdishme për Atdhe, që e ka ruajtur me fanatizëm gjer më sot jeta shqiptare. Është njëri nga burrat më të çmuar të kombit tonë, i cili e zuri këtë vend me madhështinë që kishte, me vetëmohimin dhe me përkushtimin e pafund ndaj çështjes kombëtare. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, Shkëlzeni asnjëherë nuk u largua nga lufta. Dhimbjen e ktheu në forcë e forcën në veprim deri në fund. Ishte dhe mbeti njëri ndër komandantët më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte figurë shumëplanëshe, me potencial të fuqishëm shpirtëror, filozofik e kulturor. Ishte një drejtues i përgatitur, i aftë në organizim e në veprime luftarake.

Shkëlzeni e ndërlidhi me sukses periudhën e gjatë të ilegalitetit në radhët e UÇK-së me periudhën e veprimit frontal, duke korrur suksese në të gjitha betejat. Që nga Beteja e parë frontale më 24 Mars 1998 në Gllogjan e deri në rënien e lavdishme, pothuajse të gjitha betejat që u zhvilluan në Zonën Operative të Dukagjinit, mbajnë emrin e Shkëlzenit, i cili ishte nderi dhe krenaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është heroi tipik i Lahutës së Malcisë, protagonist i denjë i shumë veprave letrare e historike, që bashkë me shokë e ndryshuan historinë.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars të vitit 1970, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare e dalluar brez pas brezi në luftë për liri, sidomos që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e këndej, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet dhe kryengritjet për liri e çlirim kombëtar.

Shkëlzeni është fëmija i dytë i prindërve Hilmi Haradinaj e Ruke Brahimaj-Haradinaj, të cilët kushtrimit të luftës iu përgjigjën familjarisht. Shtëpia e tyre në Gllogjan ishte njëra ndër bazat më të hershme e më të fuqishme të UÇK-së në mbarë Kosovën. Si rrallëherë në histori kjo familje luftës për liri ia dha katër gjeneralë dhe dy heronj të kombit: Luanin dhe Shkëlzenin. Djali i pestë i familjes, Enveri, njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i dalluar në shumë fronte në luftës, i plagosur rëndë në betejën e 9 gushtit 1998 në luftimet e zhvilluara në Gramaçel, u vra pas luftës, më 15 prill 2005.

Dëshmori i kombit Shkëlzen Haradinaj shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Irzniq me sukses të shkëlqyeshëm. Gjatë gjithë jetës u shqua për edukatë të shëndoshë dhe sjellje shembullore në familje e në shoqëri. Është njëri ndër luftëtarët më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëherësh njëra ndër figurat qendrore të kësaj lufte, si gjatë veprimtarisë ilegale si pas shpërthimit të luftës frontale. Si njëri ndër komandantët më të shquar luftarakë të UÇK-së gjatë gjithë kohës u shqua për virtytet më të larta njerëzore që e karakterizojnë kombin shqiptar, për trimëri, urtësi e burrëri luftarake, drejtësi të pashembullt, krenari raciale e qëndresë titanike.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhua aktivisht që në fillim të vitit 1993, krahas të vëllait Luanit, i cili ishte njëra ndër shtyllat kulminante të UÇK-së në Kosovë. Gjatë veprimtarisë ilegale në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vepruar me emrat e luftës “Skifteri” dhe “Xeni”. Këso kohe kishte lidhshmëri të punës profesionale me vëllezërit e tij Luan e Ramush Haradinaj, dajën e tij Lahi Brahimaj, Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Rexhep Selimin, Mujë Krasniqin, Sylejman Selimin, Hashim Thaçin, Naser Brahimajn, Kadri Veselin e shokë të tjerë, duke patur një bashkëveprim të fuqishëm me nënzonën e Drenicës, të Llapit, të Pashtrikut etj., ku shpeshherë ka qëndruar e vepruar me detyra lufte, sidomos në Nënzonën e Drenicës.

Në kuadër të Njësitit të UÇK-së së Dukagjinit ka bashkëvepruar ngushtë me të vëllanë Dautin, djalin e axhës Bujarin, Gazmend Mehmetajn (Rrudhanin), tani dëshmor i kombit, të vëllanë më të madh Ramushin, Muhamet Avdijajn etj., duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në furnizimin me armë, në zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në kryerjen e aksioneve të shumta guerile. Është karakteristike se Shkëlzeni gjithë veprimtarinë e tij luftarake për më së gjashtë vjet radhazi pandërprerë e zhvilloi në Kosovë dhe për lirinë e saj. Edhe pse i plagosur rëndë disa herë radhazi në luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe, asnjëherë nuk pranoi të largohej nga Kosova. Me plagë të pashëruara kthehej në krye të detyrës, madje edhe në vijat e para të frontit.

Një kohë të gjatë Shkëlzeni ka bashkëvepruar ngushtë edhe me Mujë Krasniqin – Kapuçin, të cilin e donte dhe e çmonte sikur ta kishte vëlla. Muja gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh herë rrinte me javë të tëra në familjen e Shkëlzenit, veçanërisht pas rënies së Luanit. Bashkë luftonin e bashkë këndonin. Shkëlzenit e Mujës bashkë u jehonte pushka e kënga kushtrim.

Shkëlzeni me bashkëluftëtarët e vet gjatë periudhës së ilegalitetit kreu një varg aksionesh kundër patrullave të ushtrisë jugosllave përgjatë brezit kufitar Kosovë – Shqipëri nga drejtimi i Hulajve etj., në periudhën 1995-1998; mori pjesë në sulmet e ndërmarra kundër bazës së policisë serbe në Baballoç dhe në sulmet e ndërmarra disa herë radhazi kundër stacionit famëkeq të policisë serbe në Irzniq të Deçanit, ku duhet veçuar sulmin e datës 29 gusht 1995, kur u vranë dy policë serbë dhe u plagosën 4 të tjerë, pastaj atë të datës 24 gusht 1997, të datës 12 shtator 1997 dhe 27 nëntor 1997, me ç’rast vriten disa policë serbë.

Rënia heroike e të vëllait Luanit, në krye të detyrës në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 6 maj 1997, nuk e ligështoi, përkundrazi bëri që të luftojë edhe më me vendosmëri. I bindur se liria nuk fitohet pa gjak, Shkëlzeni e shtoi dukshëm aktivitetin e vet në luftë për liri.

Në këtë periudhë, Shkëlzeni pati një rol të veçantë në bartjen dhe në furnizimin me teknikë luftarake të njësiteve të UÇK-së në gjithë Kosovën, dhe në përcjelljen e ushtarëve të furnizimit për në Shqipëri dhe anasjelltas.

Shkëlzeni gjithnjë u ka prirë shokëve, duke zhvilluar një veprimtari të gjithanshme. Janë të rralla aksionet guerile, patrullimet në rajonin e Dukagjinit, por më vonë edhe betejat frontale, në të cilat nuk ka marrë pjesë. Me të marrë vesh për sulmin e forcave serbe të ndërmarrë kundër komandant Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Drenicës, në mars të vitit 1998, Shkëlzen Haradinaj me shokë që vepronin në Nënzonën e Dukagjinit, vetëm brenda një nate kanë kryer mbi 22 aksione të armatosura kundër bazave ushtarake, policore e paramilitare serbe në rajonin e Dukagjinit.

Shkëlzeni ishte një luftëtar i devotshëm, që aktivisht veproi në të gjitha etapat e zhvillimit të UÇK-së, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në ballë të luftës. Ai u kalit në luftë, duke i arritur majat më të larta të organizimit luftarak të Zonës Operative të Dukagjinit, që shkëlqeu në të gjitha përballjet me forcat pushtuese serbe.

Dëshmori Shkëlzen Haradinaj në Betejën Heroike të 24 marsit 1998, në Gllogjan, u dallua si organizator e luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve Ramushit, Dautit, Enverit, djalit të axhës Bujarit e luftëtarëve të tjerë si dëshmorëve Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, të cilët patën fatin e madh të jenë dëshmorët e parë të lirisë, të rënë në luftë frontale në Zonën e Dukagjinit. Në këtë betejë të lavdishme në të cilën morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Shkëlzenit, babai Hilmiu, vëllai Frashëri, motra Mejremja e bashkëluftëtarë të tjerë, forcave serbe iu shkaktuan dëme të mëdha në njerëz e në teknikë lufte, duke i detyruar të tërhiqen me turp pa i realizuar synimet e tyre shfarosëse. Vetëm Shkëlzeni atë ditë kishte shkatërruar dy blinda të forcave serbe, njërën afër shtëpisë së tij e tjetrën tek Ura e Zallit që gjendet në mes të fshatit.

Pasi që komandanti Ramush Haradinaj, ishte plagosur rëndë në Betejën e 24 marsit, për një kohë Shkëlzeni drejtoi organizimin e mëtutjeshëm të luftës, duke bërë zgjerimin e vijave frontale fillimisht në fshatrat përreth Gllogjanit, për të përfshirë brenda një kohe të shkurtër pothuajse gjithë Rrafshin e Dukagjinit, duke bërë rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe duke i përmbushur kërkesat për armatimin e domosdoshëm.

Pas Betejës së 24 marsit, së pari u sulmua vija e frontit në Baballoç e në Gramaçel, më 21 prill, sulm ky që paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera frontale të ushtrisë dhe të policisë serbe në Dukagjin. Në Baballoç  Shkëlzen Haradinaj organizoi një qëndresë të pashembullt bashkë me bashkëluftëtarët Maliq Ndrecaj, Ilir Faniqi, Naser Morina, Lulzim Morina, Ajet Potera, Fazliun nga Podujeva, Bekim Birinxhikun, Ramiz Batushën (dëshmor), Zenun Matajn (dëshmor), etj. Në luftimet e zhvilluara në Baballoç, më 28 prill 1998, Shkëlzeni u plagos rëndë në nofullën e majtë dhe në kraharor, për çka i duhet një kohë bukur e gjatë për t’u shëruar pjesërisht. Por edhe në këtë gjendje, Shkëlzeni ishte në krye të detyrës, duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e punëve në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (SHORRD) me qendër në Gllogjan.

Pas luftimeve të rrepta gjatë ofensivës serbe të ndërmarrë në fund të muajit korrik dhe në fillimin e muajit gusht 1998, kundër pozicioneve të luftës në gjithë rajonin e Dukagjinit, në kohën kur bijtë më të mirë po luftonin që nga Smolica në Junik, në Gllogjan e Shqiponjë, më 9 gusht 1998, pas plagosjes së vëllezërve Enverit tepër rëndë dhe Dautit më lehtë në frontin e Gramaçelit, kur forcat serbe po i afroheshin Shtabit në Gllogjan, Shkëlzeni, si heronjtë e legjendave shtrëngon plagët dhe gjendet në ballë të frontit.

Se Shkëlzen Haradinaj, ishte i pathyeshëm para pengesave e vështirësive të çfarëdo natyre dhe se ishte përcaktuar me njëmendësi për të luftuar e për ta fituar lirinë e popullit të vet me çdo kusht, tregon edhe fakti se Shkëlzeni ishte faktori vendimtar për përballimin e pasojave të ofensivës së shtatorit 1998. Ai ishte këmbëngulës për të qëndruar e luftuar në Kosovë, edhe pas kësaj goditje të rëndë se përndryshe “edhe po të kthehemi me njëqind mijë djem dhe ta çlirojmë Kosovën, ikja nga Kosova do të na shënohet tradhti për tërë jetën”, do të shprehej ai para bashkëluftëtarëve në Broliq.

Me t’u bërë riorganizimi i Komandës së Zonës, në muajin shtator, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Shkëlzen Haradinajn e emëroi Ndihmëskomandant për Mbrojtjen Territoriale të ZOD-it, i cili i kreu me sukses të lartë të gjitha detyrat e ngarkuara si inspektimin e pozicioneve luftarake, rregullimin e tyre, përgatitjen e zjarrit dhe planit luftarak. Për riorganizimin e radhëve të UÇK-së, zgjerimin e territoreve të kontrolluara nga UÇK-ja dhe organizimin e qëndresës së pathyeshme në të gjitha vijat e frontit, padyshim se meritat më të mëdha i  ka Shkëlzeni.

Ndërkaq, në fillim të muajit nëntor, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shkëlzen Haradinajn e emëron Ndihmëskomandant për Operacione Luftarake të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, detyrë kjo që e kreu me nder e përgjegjësi të lartë deri në rënien heroike.

Komandant Shkëlzeni ishte njeri i veprimit e jo i fjalëve të mëdha. Ishte njeri i organizimit, por edhe i aksioneve konkrete, duke marrë pjesë personalisht edhe në aksionet e kryera në prapavijë të armikut. Në njërën nga këto aksione të kryera në prapavijë të armikut, më 18 nëntor 1998, në magjistralen Deçan-Gjakovë, në rrugën e Dujakës, ku u vranë gjashtë policë serbë, Shkëlzeni u plagos sërish.

Komandant Shkëlzeni u shqua në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku falë gjeturisë së tij, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arritën të çajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratish.

Vijat e frontit në Ratish të Epërm e në Dashinoc, nën drejtimin e komandant Shkëlzenit me bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 131 “Jusuf Gërvalla” dhe 134 “Bedri Shala” etj., do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe, që tani e tutje deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditë me radhë, në acarin e janarit, prej datës 9 deri më 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë qëndruan stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa. Në këtë betejë, Shkëlzeni sërish mori plagë të reja.

U shqua edhe në Betejën e Pozharit, të zhvilluar prej datës 27 mars deri më 2 prill 1999, me ç’rast forcat serbe që deri atëherë gjendeshin të stacionuara në Lumbardh e në Pozhar i detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Në këtë përballje të lavdishme forcat serbe patën dhjetëra të vrarë, në mesin e tyre edhe disa oficerë të lartë si dhe dëme të konsiderueshme në teknikë lufte.

Shkëlzen Haradinaj gjatë ditëve të prillit qëndroi në ballë të frontit edhe në Gërgoc e Kralan. Më 5 prill, drejtoi operacionin për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut. Edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në magjistralen Pejë – Mitrovicë), pararoja e drejtuar nga Shkëlzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Selmon Lajçin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe të vazhdojnë rrugën, duke e kryer me sukses këtë operacion. Edhe në komunën e Istogut, në Vrellë, Ruhot, Saradran etj., Shkëlzeni ndihmoi organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit.

Më 15 prill, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me të cilët zakonisht ka qëndruar e luftuar Shkëlzen Haradinaj, për shkak të përgjegjësisë që e ka pasur brigada, kthehen dhe vendosen në rrethinat e Maznikut. Rrethimi i hekurt vazhdonte në të katër anët. Vetëm një ditë më vonë, në Malet e Maznikut, në një betejë të ashpër, të zhvilluan gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe, në mbrojtje të popullatës civile, që ishte e strehuar në grykën e Duboçakës, në malet ndërmjet Zhebelit dhe Maznikut, komandanti Shkëlzen Haradinaj bie heroikisht në Altarin e Atdheut bashkë me bashkëluftëtarët Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj. Luftimet ishin tepër të rrepta dhe zhvilloheshin në afërsi dy-tri metra. Forcat serbe edhe kësaj radhe patën dhjetëra të vrarë. Disa herë radhazi Shkëlzeni me shokë edhe bombat arrin t’ua kthejë prapa. Deri në kupë të qiellit jehonte kënga dhe kushtrimi i këtyre trimave të lirisë. Shkëlzenin me fortësinë e shkëmbit, me madhështinë e bjeshkës e qëndresën vigane, nuk e rrëzoi plumbi që e mori në gjoks. Ai ashtu i plagosur e likuidon edhe një armik dhe dikur një plumb e merr në ballë. Shkëlzeni me shokë dha jetën e tij, por shpëtoi mijëra jetë të fëmijëve, grave e pleqve, jetë njerëzve të popullit të vet, të cilët falë tyre i shpëtuan masakrës.

Rënia e Shkëlzen Haradinajt, që kishte bërë gjashtë vjet luftë të pakompromis, që kishte kaluar dhjetëra beteja të njëpasnjëshme, ishte humbje e tepër e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar. Bashkëluftëtarët nuk e kishin besuar kurrë se mund të vritej Shkëlzeni. Rënia e tij ishte kushtrim për ta çuar luftën deri në fund, gjë që vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e bënë realitet. Më shumë se katërqind mërgimtarë që deri atëherë gjendeshin në mërgim, me të dëgjuar për rënien e komandant Shkëlzenit, u nisën drejt luftës në Kosovë, shumica prej tyre luftuan e vepruan në frontin e Koshares.

Shkëlzeni bashkë me Fatmirin fillimisht u varrosën me nderime ushtarake në Malet e Maznikut. Të nesërmen atyre iu bashkua edhe Hasimi, ndërkaq trupi i Luanit të plagosur, pushoi te Stanet e Gllogjanit në Bjeshkë të Strellcit, deri më 24 gusht 1999, kur këta dëshmorë, bashkë me shumë dëshmorë të tjerë në ditë lirie u rivarrosën në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

Batalioni Gardist i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, që u formua pas rënies së Shkëlzenit, me nder e krenari e mbajti emrin e Shkëlzen Haradinajt. Edhe Batakioni Gardist i Zonës së Tretë të Mbrojtjes së TMK-së me nder e mbajti emrin e tij. Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, qëndron krenar busti i heroit, bashkë me lapidarin me emrat e të gjithë dëshmorëve të komunës së Pejës, aty në Sheshin “Shkëlzen Haradinaj”.

Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është dekoruar me urdhrin e Hero i Kombit.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Faton Mehmetaj, heroi- Shkelzen Haradinaj, Kujtese

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT