• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT BUMÇI: KUSH JANË SHQIPTARËT DHE ÇFARË DUAN ATA?

August 15, 2020 by dgreca

-Për herë të plotë nga origjinali- Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris-

– Me rastin e 100 vjetorit – -Përkthyer për herë të parë e përgatitur për botim sipas origjinalit në frëngjisht –

Nga Fotaq Andrea-

Konferenca e Paqes në Paris në mbarim të Luftës së parë botërore, organizuar nga shtetet fituese të saj (janar 1919 – qershor 1920), shënon një ngjarje tejet të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, që vulosi përfundimisht, pas një mbijetese historike të paepur, fatet e tij brenda kufijëve të sotëm territorialë të shtetit shqiptar. 

Meritë dhe lavd u takon delegacioneve shqiptare që morën pjesë në Konferencë, e në radhë të parë përfaqësuesve të qeverisë së Durrësit dhe të diasporës shqiptare që ditën të bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimet e tyre politike e diplomatike për zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes kombëtare dhe njohjen e domosdoshme të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Delegacioni kryesor shqiptar në këtë Konferencë, me në krye ImZot Luigj Bumçin dhe sekretar Atë Gjergj Fishtën, pasuar nga një plejadë e tërë patriotësh, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, Mid’had Frashëri, Mihal Turtulli, Lef Nosi etj. shkëlqeu në përpjekjet e tij të suksesshme për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të kombit shqiptar, kërcënuar vazhdimisht me coptim e zhdukje nga shtetet fqinje. Historiografia shqiptare i ka një borxh të madh pasqyrimit në gjerësi e thellësi të kësaj veprimtarie të fuqishme atdhetare, dhe 100 vjetori i kësaj ngjarjeje të shënuar, pasuar nga 100 vjetori i Kongresit të Lushnjës përbënin rastin më të mirë për organizimin e një konference shkencore në rrafsh të lartë institucional e kombëtar, ndonëse nuk munguan shkrime, studime e artikuj seriozë, sidomos nga publicistët e mirënjohur Fritz Radovani, Frank Shkreli, Dalip Greca, etj. Për më tepër që edhe vetë konteksti aktual në Kosovë, përballur me makinacionet politike dhe rivendikimet e përhershme serbe në kurriz të shtetit të ri kosovar e kërkon si një domosdoshmëri jetike analogjinë dhe referencën historike të themelimit të shtetit të parë shqiptar, për t’u mbështetur në mësimet e tij se si mbrohet me dashuri të shenjtë dhe dinjitet kombëtar çdo pëllëmbë trualli kombëtar. 

Është fakt i njohur historik se, që para Konferencës së Paqes në Paris, takimi i Fan Nolit me ish presidentin amerikan Wilson në korrik 1918, si dhe premtimi i tij për të mbështetur çështjen shqiptare në kuadrin e të drejtës së mbarë kombeve për sovranitet dhe integritet territorial, i çelën udhë njohjes së shtetit të ri shqiptar dhe të të drejtave të Shqipërisë etnike dhe të shqiptarëve si komb, viktimë e hershme e Perandorisë osmane, e fqinjëve grabitqarë, e Kongresit të Berlinit më 1878 dhe e vetë Traktatit të Londrës së vitit 1913. 

Delegacionet kryesore shqiptare në Konferencën e Paqes, mbështetur mbi një bazë të fuqishme përfaqësuesish të diasporës dhe veçanërisht të Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, nuk rreshtën së paraqituri promemorie e protesta të fuqishme në emër të kombit shqiptar kundër padrejtësive historike, kundër krimeve të vijueshme serbo-greke ndaj shqiptarëve, kundër pretendimeve absurde greke për të shpallur territore greke krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, dhe po ashtu kundër makinacioneve italiane për të mbajtur të zaptuara Vlorën dhe rrethinat e saj. Kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencë, ImZot Luigj Bumçi, “me aftësi gjeniale”, siç shprehet me të drejtë për të studjuesi Fritz Radovani, luajti rol parësor në takimet e tij të shumta me krejt delegacionet e vendeve pjesëmarrëse në Konferencë kundër planeve për coptim dhe zhdukje të Shqipërisë, e sidomos gjatë takimit me papa Benediktin XV, të cilit i kërkoi drejtpërdrejt të ndërhynte që Korça dhe Gjirokastra të mbetshin krahina shqiptare, duke hedhur kësisoj poshtë marrëveshjen Titoni-Venizellos që i shkëpuste këto krahina nga trungu i Shqipërisë etnike1. 

E ndërsa, jo pa dëshpërim, Shoqëria “Vatra” do të kërkonte në mars 1920 që Shqipërisë t’i “liheshin të paktën kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës (më 1913) dhe t’i shmangej një copëtim të ri”2, kur Greqia dhe Serbia kërkonin ethshëm të zgjeroheshin ende në kurriz të Shqipërisë, Esat pasha, i vendosur në Paris që më 1918, në ambicien e tij politike si i vetëshpallur mbret në kurriz të interesave kombëtare, deklaronte me cinizëm në prill 1919: “Mora vesh, në të vërtetë, se ardhja ime [në Konferencë] pothuajse përkoi me të ashtuquajturit delegatë shqiptarë që e kaluan pjesën më të madhe të kohës gjatë luftës në Vjenë, në Kostandinopojë a gjetkë. Nuk e di përse kanë ardhur në Paris e çfarë mund të bëjnë këtu; por di që gjatë gjithë periudhës së gjendjes së luftës, ndërsa unë isha duke luftuar në krye të trupave të mia përkrah Antantës, ata mezi lodheshin në favor të aleatëve. Sot, ata do të ishte më mirë dhe më saktë t’i cilësojmë si delegatë të Hohenzollern-it a të Habsburgëve, por jo si përfaqësues të Shqipërisë. Përveç kësaj, unë nuk kam ndërmend të kujdesem për atë që ata dashkan të bëjnë këtu.”3 

Shfaqet në këtë deklaratë, veç akuzave të rreme, mashtrimit, cmirës, fodullëkut e injorimit të kundërshtarëve sivëllezër politikë, edhe sëmundja e hershme e politikave të vogla separatiste dhe egoiste, që i ka bërë historikisht – dhe vazhdon t’i bëjë – dëm të madh çështjes kombëtare. Sepse është fakt po aq historik që në këtë ngjarje madhore për fatet e Shqipërisë, siç ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, një numër delegacionesh shqiptare shkonin mjerisht të përçara, me interesa të ngushta rajonale e fetare, duke zgjedhur gjithkush “aleatin” e vet të jashtëm për mbështetje klanore, por gjithnjë në dëm të tërësisë etnike dhe integritetit territorial të kombit shqiptar. Dhe do ndodhte në këtë kuadër vdekja e papritur para Konferencës së Paqes e Ismail Qemalit, kryetar i Partisë së Kombit, vdekje e cilësuar “misterioze”, por aspak e tillë në kontektin e kohës, si dhe vrasja e Esad Pashës në emër të tradhtisë kombëtare, si “zgjidhje” këto të dëshpëruara e të përshpejtuara me anë të zhdukjes fizike të personazheve politikë, duke i çelur rrugën vrasjeve dhe atentateve politike që do pasonin në vitet ’20 e më tej, kur Faik Konica kishte paralajmërur tashmë që më 1906 “dëmin e madh që mund t’i sjellë kombit tonë një politikë shtazërisht e gjakshme…[kur] krimi politik është një luftë vëllavrasëse, …[kur] krimi i ka duart me gjak, i ka duart e zeza”.4

Në këtë kuadër të errët përçarës, me mungesë të theksuar të kohezionit politik e të largpamësisë – sëmundja foshnjore kjo e krejt politikave të djeshme dhe të sotme shqiptaro-kosovare që mban peng e në vend numëro përparimin dhe europianizimin e kombit  – del edhe më në pah merita e madhe historike dhe patriotike e ImZot Luigj Bumçit që predikoi parreshtur “bashkimin e plotë, urtësinë e madhe, durimin dhe nderin për njeni-tjetrin”, për të shuar “hidhënimet e mënitë që na ndajnë, për të respektuar mendimet e shokëve tanë, për të mos ftohur e ashpërsuar marrëdhaniet në mes të Shqiptarëve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të vijnë. Për të mirën e Atdheut, – thekson ai (nënvizojmë) – duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve”5. Ja këtu një apoftegmë e pavdekshme e ImZot Bumçit, me vlerë proverbiale për domosdoshmërinë jetike të bashkimit të shqiptarëve, shenjtëruar që në vargun e parë të Himnit kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Vetë shtypi francez i kohës nuk mungonte të theksonte këtë bashkim nën titullin “Myslimanë e të krishterë, të bashkuar në një zë në Shqipëri”.“Delegacioni shqiptar pranë Konferencës së Paqes, vinte në dukje gazeta “Paris-Midi”, u shtua me dy anëtarë të rinj. Janë ImZot Bumçi, peshkop i Alessios dhe anëtar i qeverisë së përkohëshme, dhe Atë Goerges Fishta, franciskan i Skutarit dhe poet i madh kombëtar shqiptar. Këta dy delegatë të rinj, që u pritën në audiencë nga Papa në Romë, morën miratimin e Atit të Shenjtë dhe afirmuan në Konferencë bashkimin e ngushtë të krishterëve të Shqipërisë me myslimanët në kërkesat e tyre kombëtare që parashtruan”.6 Pikërisht, këta dy delegatë në Konferencë, ImZot Bumçi dhe Atë Fishta do të përbënin një binom bashkëpunimi të ngushtë, rreth të cilëve nuk do vononin të gumëzhinin e vepronin si përreth një koshereje bletësh punëtore mori emrash të shquar të Rilindjes shqiptare, përfaqësues të drejtpërdrejtë të kombit dhe të diasporës, delegatë nga SHBA-ja, Rumania, Zvicra, Turqia, Egjipti, etj., duke lënë në bisht e të izoluar do emra “pashallarësh” fanatikë e dritëshkurtër, si Esad Pasha. Në këtë kontekst bashkëpunimi të shëndoshë atdhetar, integrohet edhe Fjala e ImZot Bumçit gjatë Konferencës së Paqes në Paris, e cila, siç dihet, u përgatit – me argumente të fuqishme diplomatike, politike, historike, etnografike, etj. por mbi të gjitha me bukuri të veçantë letraro-artistike në gegërishte të ëmbël – nga “Eksperti”, siç mbiquhej ndryshe me respekt të thellë Ati i Ndritur (Révérend Père) Gjergj Fishta, patriot i flaktë dhe penë e zjarrtë e orëve të para të Rilindjes, që do merrte pjesë në Konferencë në cilësinë e Sekretarit të delegacionit shqiptar, ndërkohë që shtypi italo-francez nuk do mungonte ta cilësonte edhe “poeti kombëtar shqiptar”,“Akademiku”, “Tirtaiosi shqiptar”7, (Tirtaios – poeti spartan i shek. VII p.e.s. i këngëve luftarake për edukimin e të rinjve). 

Atë Fishta do ta shoqëronte kështu ImZot Bumçin në Konferencë dhe në takimet e shumta me delegacione të tjera me një energji e urtësi shembullore, e mbi të gjitha me një frymë të fuqishme besimi se vepra e madhe atdhetare që po realizonin me përkushtim tërë patriotët e vërtetë do jepte doemos frytet e veta e do nderohej në shekuj nga breznitë e ardhshme të kombit shqiptar, siç e vinte në dukje gazeta franceze “La Croix” më 1930 : “Franciskani Georges Fishta konsiderohet si një nga artizanët më aktivë të pavarësisë dhe unitetit të Shqipërisë, që e përfaqësoi atë në Paris”8.

Deri më sot njihen dhe janë botuar në shtyp dy variante të Fjalës së mbajtur në Konferencën e Paqes titulluar “Të drejtat e Shqipërisë etnike” dhe përgatitur nga Atë Fisha. Varianti i parë, jo i plotë, nis me forcë e bukuri të veçantë poetike drejtpërdrejt me fjalët: “Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakerauneve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe kombeve”. Varianti i dytë, më i plotësuar nga vetë Fishta, me shtesa të gjata dhe përpunim teksti për t’i dhënë këtij një paraqitje sa më diskursive, nis me fjalët: “Zotnij – me ç’kohë të Luftës turko-ballkanike e tektej, zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferenë të Londrës së 1913 ma se gjysën  e Shqipnisë e plot nji milion Shqiptarë nën zgjedhë të randë  t’anmiqëve të tyne kufitarë…”

Një përqasje e këtyre dy varianteve nxjerr në pah se varianti i parë i shkurtër ka shërbyer si “projekt”, apo si dorë e parë për variantin e dytë, më të plotësuar, që do të shërbente si bazë përkthimore në gjuhën frënge, gjuha kryesore e punës e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Ky variant i dytë i Fishtës shfaqet më i pasur në ide, është më koherent dhe ndjek përgjithësisht një linjë kronologjike me ngjarjet kryesore madhore të historisë së Shqipërisë, ku i është dhënë hapësirë e veçantë epokës skënderbejane dhe kontributit të saj në rrafsh europian e më tej. Kështu, i  janë shtuar variantit të parë që në fillim gjashtë paragrafë hyrës, si më pranë aktualitetit, përqendruar në  padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar që nga Kongresi i Berlinit, në lakmitë e parreshtura të fqinjëve armiqësorë për të coptuar e zhdukur Shqipërinë etnike, në shpifjet, pengesat dhe vështirësitë që ata përhapin e krijojnë kundër afirmimit të të drejtave të kombit shqiptar, duke i stigmatizuar pa dorashka fqinjët lakmiqarë e grabitqarë, po prapë me ton disi të matur, siç e kërkonte vetë atmosfera diplomatike e pasluftës gjatë Konferencës së Paqes. Ky variant i plotë në shqip është botuar në Shkodër me titullin “Shqyptarët e të drejtat e tyne”, më 1929, nga Shtypshkronja Franciskane dhe përmban si nëntitull: “Teksti shqyp i konferencës s’mbajtme frëngjisht prej të Përshnditshmit e të Përnderueshmit Emzot Luigj Bumçit, Ipeshkvit të Lezhjes, në salë t’Universitetit Katolik në Paris.” Kohët e fundit, i njëjti tekst është ribotuar nga studjuesi Fritz Radovani në forumin “Zemra Shqiptare”, etj. nën titullin : “Fjalimi i plotë i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes – 100 vjetori i Fjalimit “Shqiptarët e të drejtat e tyne”, në Konferencën e Paqes Paris, 20 qershor 1920.” 

Duke bërë një përqasje të këtij varianti të dytë të plotësuar të Fjalimit në shqip me tekstin frëngjisht dorëzuar në Sekretariatin e Konferencës, vërejmë përsëri ndryshime të konsiderueshme, ku shfaqet tashmë, – do thonim – një variant i tretë origjinal, i ripunuar e i ripërpunuar, me redaktime të shumta, bashkime paragrafësh apo paragrafë të rinj, me një gjuhë më pak letraro-artistike dhe më shumë politike e diplomatike. Kështu, që në paragrafin e parë bien në sy ndryshime të shumta redaktoriale, dhe konkretisht fjalia e origjinalit shqip “…zemrat e Shqyptarvet kanë pikue gjak prej dhimet e mjerimit”, thjeshtësohet në variantin frëngjisht të përkthyer: “Zemra e shqiptarëve u gjakos”, ku domosdo forca e fjalëve në gegënishte e ka humbur bukurinë e vet shprehëse. Po në të njëjtin paragraf të fillimit, fjalia në shqip: “… Europa e gjytetnueme përkuli në Konferencë të Londonit të 1913 ma se gjymsën e Shqypnies e plot nji milju Shqyptarë nën zgjedhë të randë t’anmiqëve të tyne kufijëtarë” është dhënë në frëngjisht, – përkthejmë: “… Europa e qyterëruar, të nesërmen e luftërave ballkanike dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, i shkëputi tokës mëmë dhe ia nënshtroi zgjedhës së huaj më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë, së bashku me trojet e tyre të pasura.”

 Vetëm në këtë fjali të paragrafit të parë hyrës, dallimet janë të dukshme: 1. ka shtesë ideore “të nesërmen e luftërave ballkanike”; 2. është shmangur termi “anmiqtë”, që është dhënë në variantin frëngjisht me togfjalëshin “zgjedhë e huaj”; 3. është zhdukur nga origjinali shqip ideja e numrit “plot nji milju Shqyptarë”të shkëputur, duke u mjaftuar me togëfjalshin “më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë”, por duke shtuar njëkohësish togëfjalëshin “së bashku me tokat e tyre pjellore”, kur originali shqip ishte më i dretjpërdrejtë: “ma se gjymsën e Shqypniës”. Me një fjalë, kjo përqasje nxjerr në pah se 22 rreshtat apo dy paragrafët e parë të variantit të dytë të Fjalimit të Atë Fishtës janë përgjysmuar e përmbledhur në variantin e tretë frëngjisht në një paragraf të vetëm me 11 rreshta, që do të thotë se përkthimi nuk i përmbahet aspak besnikërisht tekstit shqip, por shfaqet një përkthim i lirë, i lirshëm, më konciz, kur do shprehje e figura letrare me bukuri të veçantë në gegënishte zhduken gjatë përkthimit ose “rrumbullakosen”, të themi, dhe kur të tjera shprehje në frëngjisht shfaqen aty ku mungjnë në origjinalin shqip. Kështu, zhduket deri edhe shprehja e bukur “Thika ka mrrijt m’asht”, po nuk është ngurruar të jepet në frëngjisht në mënyrë letrare: “… pa kurrfarë argumenti tjetër në mbështetje, veç atij të ujkut që lakmon çka i pëlqen përballë qengjit të shkretë dhe pa armë tjetër përveç nënkuptimeve keqdashëse”, kur e tërë kjo fjali mungon në origjinalin shqip.

Mund të vijohet kësisoj me shembuj të shumtë që shfaqin dallime thelbësore redaktoriale të variantit të tretë në frëngjisht me variantin e dytë të gegënishtes së Atë Fishtës, ku vërehet para së gjithash shmangia e gjuhës “së ashpër” apo thënia e gjërave troç, që përbën një ton më të drejtpërdrejtë akuzues, për t’ia lënë vendin gjuhës së zbutur e diplomatike. Kështu për Sllavin, ndërsa Fishta e cilëson si “i kadalshëm e i ngathët, qi, përulë mbi shat der dje pa nji ukaz të Tzarit të vet autokrat, s’i bahej, të thuesh as me marrë frymë…”, apo për Grekun – “si ajo skilja e vjetër – qi gjithmonë si një bimë parasite iu njesh ma të fortit për me gjallue n’shpinë të tij”, në variantin e tretë frëngjisht të tëra këto cilësime zhduken për t’ia lënë vendin një fjalie më koncize e diplomatike dhe konkretisht : “Historia e pushtimit osman të Ballkanit është e pranishme për të vërtetuar se grekët e serbët nuk bënë gjë tjetër veçse u nënshtruan dhe iu përshtatën sundimit turk, ndërkohë që shqiptari, me besim vetëm në forcën dhe armët e tij, i ndershëm ndaj miqve, mikpritës ndaj të huajit, i frikshëm ndaj armiqve që i përbuz pa i urryer, kurrë nuk iu nënshtrua  asnjë zgjedhe.” Më tej, hiqet një citim i bukur i Miss Durham nga teksti origjinal i Fishtës për të përmendur një studim mbi Shqipërinë nga italiani Pedrotta, por duke lënë të plotë citimin e Fishtës marrë nga francezi René Pinon lidhur me cilësitë historike të Shqiptarit. Ndryshime fjalish dhe paragrafësh të tërë janë bërë po ashtu për periudhën historike të shek. XV, kur është hequr tërësisht në frëngjisht ky portretizim i bukur i Skënderbeut i originalit shqip të Fishtës: “Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti”.  

Me sa duket, varianti i tretë përfundimtar i Fjalimit në frëngjisht që do të mbahej në kuadër të Konferencës së Paqes në auditoriumin e lartë të Universitetit katolik të Parisit është mbështetur mbi kriterin bazë që Fjalimi t’i përshtatej sa më mirë atmosferës së përgjithshme dhe gjuhës diplomatike të Konferencës, duke shmangur hollësitë apo përshkrimet letrare dhe duke e ngjeshur e mbrujtur sa më shumë tekstin frëngjisht me ide të reja. Në fakt, që më 1906, Faik Konica porosiste në artikullin frëngjisht “Shënime” të “Albania-s” se si ndërtohet një promemorie apo një fjalim i destinuar për Konferenca ndërkombëtare: “…Është për të ardhur keq, thekson ai, njëfarë stili i fryrë dhe ndonjëherë agresiv, që do tingëllonte më drejt në ndonjë “mbledhje” socialiste. Madje një nga këto promemorie (ajo e shqiptarëve të Egjiptit) sikur shkon tepër larg në euforinë e vet”. Dhe, duke i cilësuar “foshnjëri inkoherente” fjalitë bombastike, ai vijonte:”… Pak më shumë thjeshtësi do t’u bënte mirë dhe do t’i nxirrte edhe më në pah… Të përdorësh fjali më shumë bombastike se sa të dobishme nuk është gjë tjetër veçse një ushtrim i kollajtë i një retorike të ulët. Gojëtaria e vërtetë është një parashtrim i ngjeshur faktesh të sakta harmonizuar bukur. Le ta kenë këtë parasysh redaktorët e ardhshëm”9.

Nisur nga kjo porosi e F. Konicës dhe nga frëngjishtja tepër e saktë dhe elegante e Fjalimit të ImZot Bumçit, për një hop menduam se përkthyesi dhe rishkruesi i tij mund të ishte vetë Faik Konica. Por jo, në atë kohë, ai ndodhej në Itali dhe nuk luajti ndonjë rol të veçantë për Konferencën e Paqes, duke ia lënë, me sa duket, vendin e “primadonës” familjare për Konferencën vëllait të tij Mehmetit, anëtar aktiv i delegacionit shqiptar në Konferencë dhe nga të paktët “ekspertë” shqiptarë të gjuhës angleze, si gjuhë e dytë e punës në Konferencë. 

Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Kush është përkthyesi dhe rishkruesi i Fjalimit të ImZot Bumçit në Konferencën e Paqes? Ndonëse nuk kanë munguar këtu hamendësimet pa vend se është vetë Fishta ai që ka paraqitur e përgatitur edhe tekstin e tij në gjuhën frënge. Jo aspak. Sepse Fishta, si autor i variantit të dytë shqip të Fjalimit nuk mund të “tradhtonte” assesi vetveten për të mos i qendruar besnik atij varianti dhe për t’i hyrë për të tretën  herë rishkrimit të tij nga e para. Nga ana tjetër, Atë Fishta nuk njihet dhe aq për përkthime nga shqipja në frëngjisht apo për shkrime drejtpërdrejt në këtë gjuhë tepër delikate e të saktë. Kur ndërkohë, nga vetë përqasja midis variantit të dytë shqip të Fjalimit dhe përkthimit të tij në frëngjisht na del në pah një penë zanatlliu në të përkthyer e në të shkruar me finesë të gjuhës frënge. E në këtë rast, ka shumë të ngjarë të jetë, për mendimin tonë, pena e fuqishme e Mid’hat Frashërit në ndërtimin e variantit të plotë të tretë të Fjalimit. E mbështesim këtë hamendësim tonin jo vetëm në faktin se Mid’hat Frashëri – anëtar aktiv i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, delegat i Qeverisë së Durrësit, i Shoqërisë “Vatra”, i kolonisë shqiptare të Turqisë dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”10 –, kishte një përvojë të pasur e të gjatë në punën publicistike e përkthimore, dhe sidomos në përgatitje memorandumesh, por edhe në faktin e dukshëm që nënvizuam se teksti në frëngjisht i Fjalimit është një përkthim krejt i lirë, i lirshëm, me fluiditet po se po në frëngjisht, por aspak një përkthim besnik, literal. 

Sigurisht që rishkrimi dhe përkthimi në frëngjisht i Fjalimit ka kaluar më pas në shumë duar, ka marrë më së pari “bekimin” e vetë Atë Fishës, të Dhimitër Beratit si njohës i mirë i frëngjishtes dhe të tjerëve anëtarë të delegacionit, e mbi të gjitha të kryetarit të tij ImZot Bumçit, duke dëshmuar kësisoj për punë ekipi të nivelit të lartë, për punë solidare e koherente, kur tërë anëtarët ishin të ndërgjegjshëm se ky Fjalim historik, pas mbajtjes në Universitetin Katolik, në kuadër të Konferencës së Paqes, me një auditor të gjerë të Shoqërisë së Ekonomisë sociale, do të dorëzohej e arkovohej në Sekretariatin e Konferencës si një dokument bazë i delegacionit shqiptar. Për rrjedhojë, Fjalimi në frëngjisht merr kësisoj vlerë zyrtare, të themi, ndonëse vetë Shqipërisë iu mohua që në fillim një pjesëmarrje zyrtare në Konferencën e Paqes11. Dhe, i veshur me këtë cilësi të re, Fjalimi në gjuhën frënge i ImZot Luigj Bumçit merr domosdoshmërisht edhe autorësinë e vetë referuesit, duke qenë se teksti në frëngjisht shihet tanimë si origjinal më vete dhe kur dihet nga ana tjetër që vetë përkthimi është po ashtu edhe krijim. Fakti është se ky fjalim në frëngjisht, i botuar në revistën franceze “La Réforme sociale”, janvier-juin 1920, Paris,12 është regjistruar, skeduar dhe referuar nën emrin e Imzot Luigj Bumçit në anale bibliotekash,13 ku gjejmë edhe një të dhënë interesante, se ImZot Bumçi ka drejtuar meshën kryesore në Kishën e Shën Trinitesë në Paris më 20 prill 1919 në ceremoninë solemne të pasditës, pas fjalës së rastit të mbajtur nga abati Delor.14   

Po japim më poshtë të përkthyer për herë të parë nga origjinali frëngjisht Fjalën e plotë të ImZot Luigj Bumçit, në emër të delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve të saj, kur Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe Konferenca e Londrës e vitit 1913 kishin shkëputur tashmë nga trualli kombëtar më shumë se gjysmën e territoreve të tij dhe kur Shqipëria rrezikohej të zhdukej plotësisht. Fakti historik është që Republika e Kosovës me dy milionë shqiptarë do të rilindte e rigjallërohej në agim të shekullit XXI, kur që në dhjetor 1920, publicistja dhe mikja e Shqipërisë Elise Aubry parandjente tashmë fuqinë ripërtëritëse apo ringjalljen si një feniks të kombit shqiptar, tek shkruante gjithë besim : “Më në fund, Shqipëria u njoh nga Fuqitë. E di fare mirë që ka dy coptime në Veri dhe në Jug, por jam e bindur që pak nga pak shqiptarët do t’i marrin të gjitha tokat e tyre”15. E për t’i marrë, nuk duhet lëshuar më as edhe një pëllëmbë tokë shqiptare, boll na kanë rrjepur! A e dëgjoni këtë thirrje nga shpirti i popullit, o politikarucë?! 

Fjala e plotë Imzot Luigj BUMÇIT, peshkop katolik i Lezhës, mbajtur në mbledhjen mujore të Shoqërisë së Ekonomisë sociale, të 8 dhjetorit 1919.

Botuar në revistën franceze LA REFORME SOCIALE,  

janar-qershor 1920, Paris, 1920

KUSH JANË SHQIPTARËT DHE ÇFARË DUAN ATA?   – Kumtesë e përkthyer nga origjinali frëngjisht 

Zotërinj, 

Zemra e shqiptarëve u gjakos nga dita kur Europa e qytetëruar, të nesërmen e luftërave ballkanike dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, i shkëputi tokës mëmë dhe ia nënshtroi zgjedhës së huaj më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë, së bashku me trojet e tyre të pasura. Tek pamë shtypësit tanë më të fortë në numër dhe më të mbështetur në përkrahjet e fuqishme, humbëm shpresën që t’ua shkëpusnim këtë pre nga duart e tyre gllabëruese. Mirëpo, ja që nga muaji nëntor i vitit të shkuar, ushtarët tuaj të guximshëm erdhën në Shqipëri e na thanë se tanimë çdo popull e çdo komb, sado i vogël qoftë,  kishte të drejtën për të pasur në duart e veta fatin e tij politik e ekonomik, si dhe të rivinte në vend të gjitha padrejtësitë e shkaktuara nga traktatet e mëparshme ndërkombëtare; sepse, na thoshin ata, ky është ideali për ngadhënjimin e të cilit ata kishin zhvilluar një luftë të tmerrshme e të paparë në historinë e kombeve; dhe plagët e tyre dëshmonin për ashpërsinë dhe dhunën e kësaj lufte.

Kombi shqiptar, duke u dridhur nga emocioni tek dëgjonte këto fjalë, dhe me besimin për një të ardhme më të mirë, u mblodh, në dhjetor të vitit të shkuar, në një kuvend të madh e solemn, për të shpallur njëzëri pavarësinë e tij politike e ekonomike; dhe, me qëllim që të vërë në vend ndreqjen e gabimit të shkaktuar nga Traktati i Berlinit dhe nga Konferenca e Londrës, përmendur më sipër, emëroi një delegacion me mandatin për të mbrojtur kauzën e tij përpara Konferencës së Paqes.

Dhe ne, veç kur do të çuditeshim pa masë tek vumë re, me të mbërritur në qytetin tuaj të mrekullueshëm ku është përqendruar aeropagu i botës, se zotëruesit e padrejtë të territoreve shqiptare, jo vetëm nuk deshën të na kthenin atë që na takonte me shumë të drejtë, por kishin edhe pretendime të reja ndaj Shqipërisë, pa kurrfarë argumenti tjetër në mbështetje veç atij të ujkut që lakmon çka i pëlqen përballë qengjit të shkretë dhe pa armë tjetër përveç nënkuptimeve keqdashëse. 

E ç’nuk thanë e ç’nuk shkruan kundër Shqipërisë? E gjer ku nuk e shtrinë fushatën e tyre kundër shqiptarëve në një pjesë të shtypit që mbështet kauzën e tyre? Madje një nga autorët e tyre arriti gjer aty sa shkroi e botoi në shumë gjuhë se edhe fiziologjikisht e biologjikisht, shqiptarët qenkëshin inferiorë ndaj krejt racës njerëzore.

Mos u çudisni Zotërinj, në guxoj të paraqitem para jush për t’ju folur në një gjuhë që nuk është e imja, për Shqipërinë e shqiptarët, në këtë çast suprem kur vendoset fati i botës. Edhe unë, edhe bashkëkombësit e mi dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për Z. Du Maroussem, i cili me dashamirësinë e tij të zakonshme më dha mundësinë për t’u shprehur këtu. 

Nuk e di në të vërtetë se deri në ç’pikë fjalët e mija mund të kenë ndikim lidhur me fatin e vendit tim; por kam të drejtën të shpresoj prej jush një fjalë të mirë e dhembshurie për fatin tonë. S’ka si të mos jetë ngushëllim, për atë që e ndjen veten të braktisur, tek sheh se ekziston ende në botë një zemër që ndjen në thellësi të saj njëfarë përdëllime. 

*          *          *

Je e dini po aq mirë sa unë Zotërinj, se që prej kohëve më të lashta të Historisë, familja e madhe Trako-Ilire banonte nga brigjet e Euksinit e gjer në majën e Alpeve Juliane dhe që nga malet Akrekerauniane deri te ato të Karpateve. Kjo familje, roli i së cilës ka qenë aq i madh në botë, nuk ekziston më sot. Koha e përpiu në valën e saj dhe lavdia e saj u shua ditën kur në vitin 168 para Jezu Krishtit, Genti, mbreti i fundit i Ilirisë zbukuroi ngadhënjimin e Paul-Emilit. Shkatërruar në disa vende, shkrirë gjetiu me familje të tjera, ajo humbi në rrjedhën e ngjarjeve fizionominë e vet karakteristike. 

Mirëpo, nga shkatërrimi i kësaj familjeje të madhe Trako-Ilire, ashtu si të shpëtuarit e një mbytjeje, mbijetuan disa bërthama fisesh të gjalla mbrojtur në malet e tyre, apo në fushat pjellore – fat i lumtur nga perënditë e Lashtësisë – duke sfiduar me energjinë e pamposhtur të racës së tyre rrjedhën e shekujve dhe padrejtësinë njerëzore. Pajisur me një forcë qëndrese të jashtëzakontë, këto grupe njerëzish flasin ende edhe sot gjuhën e të lashtëve të tyre, ruajnë karakterin që kanë pasur dhe punojnë ende të njëjtën tokë që stërgjyshërit e tyre kanë punuar që prej ditëve të para të Historisë. Ata ndjenë peshën e fuqisë romake dhe presionin e botës sllave; barbaria e Azisë u lëshua mbi ta për më shumë se katër shekuj; por ata nuk humbën asgjë, as unitetin kombëtar, as zakonet e lashta, as idealin e tyre. Vazhdon ende të jetë i njëjti popull i pamposhtur, tek rron në ato male dhe në ato fusha ku të parët e tyre fabrikonin armët nga hekuri për të nënshtruar botën nën këmbët e Aleksandërit dhe për t’i bërë gratë romake të derdhnin lot të hidhur përpara fitoreve të Pirros.

E pra, Zotërinj, ky popull nuk është tjetër veçse populli i vogël shqiptar, aq pak i njohur dhe aq keq i gjykuar në Europë. Po aq i lashtë sa fosilet dhe stalaktitet e shpellave në malet e tij dhe lindur, të themi, nga vetë toka mëmë e Shqipërisë, ai është zot autokton dhe i pamohueshëm i trojeve të veta. Sllavët ende nuk kishin dalë nga pyjet e Uralit dhe përzierja e sotme neo-helenike, shumëngjyrëshe e heteroklite ende nuk ish formuar, kur populli shqiptar e kishte përfunduar tashmë një cikël të historisë së tij. Kush e ka punuar tokën ballkanike para shqiptarit? Historia është këtu Zotërinj, dëshmitare për të folur qartë; dhe më kot përpiqen të mbysin zërin e saj me anë notash e memorandumesh; ky zë vjen që nga thellësitë e shekujve.

Po prapë, kam të drejtë të dyshoj dhe dyshoj fort se aluzionet e kundërshtarëve tanë, të maskuara nën vellon e qytetërimit të kuptuar keq, duhet të kenë mbërritur gjer tek ju dhe duhet të kenë zënë vend për t’ju bindur se shqiptarët, jo vetëm nuk na qenkan një popull, një komb, por se ata na përfaqësokan thjesht një aglomerat fisesh, pa vetëdijen më të vogël për liri e kombësi dhe të zhveshur nga çdo aftësi për progres e qytetërim. Andaj dhe e quaj të domosdoshme, para se t’ju shpreh aspiratat dhe kërkesat e tyre të ligjshme, t’i hidhni poshtë thëniet e tyre pa baza.

Është për fat të keq tepër e vërtetë se shqiptarët, braktisur krejt, pa marrëdhënie me popujt me të cilët kanë pasur lidhje të ngushta miqësie, shtypur nga brenda nga një sundim i pamëshirshëm, rrezikuar nga jashtë nga lakmia e fqinjëve me kthetrat nxjerrë, u desh të izoloheshin, jashtë çdo kontakti në mospërputhje me racën e tyre, me natyrën që i rrethonte, dhe mbi bazën e së cilës brumosën karakterin që kanë dhe shkruan faqe historie. Është po ashtu e vërtetë se prej shumë kohësh dhe si rrjedhojë e shtypjes nga sundimi i huaj, kombi shqiptar nuk arriti të shfaqej përpara Historisë si një njësi kompakte e mëvetësuar. Por prapë, as që bëhet fjalë se shqiptarët na qenkan barbarë e të egër, siç ua ka qejfi t’i paraqesin fqinjët e tyre. A është e vërtetë se popujt e Spartës, Athinës e të Tebës ishin barbarë se jetonin në republika të izoluara nga njëra tjetra? Sigurisht që jo dhe kujtimi i tyre është po aq i përjetshëm sa dhe kujtimi i Romës, fuqia e së cilës u shtri gjer në kufijtë e skajshëm të botës. Shkalla e qytetërimit të një populli nuk matet me shtrirjen e territorit të vet, por siç e dini, me vetëdijen që ai formon për detyrat e tij shoqërore dhe me aftësinë që tregon për t’i përmbushur ato dhe për të siguruar zhvillimin e tij. 

Pa dashur të shpërdoroj kohën në dispozicionin tuaj, e shoh me vend t’ju paraqes një përmbledhje të shkurtër të organizimit shoqëror, të legjislacionit dhe të poezisë popullore, për të vërtetuar që populli shqiptar nuk është më pak i qytetëruar nga të gjithë popujt e tjetër po qe se këta do të ishin gjendur në të njëjtat kushte me të tijat dhe të kishin kaluar të njëjtat tallaze historike.

Por cilët janë ata që i kritikojnë shqiptarët se nuk kanë as dashuri për lirinë, as ndërgjegje kombëtare? Historia e pushtimit osman të Ballkanit është e pranishme për të vërtetuar se grekët e serbët nuk bënë gjë tjetër veçse u nënshtruan dhe iu përshtatën sundimit turk, ndërkohë që shqiptari, me besim vetëm në forcën dhe armët e tij, i ndershëm ndaj miqve, 

mikpritës ndaj të huajit, i frikshëm ndaj armiqve që i përbuz pa i urryer, kurrë nuk iu nënshtrua  asnjë zgjedhe. E kush nga ju Zotërinj, e ka parë ndonjëherë shqiptarin të ulë ballin para ndokujt? Qëkurse bota ekziston, shqiptari nuk e ka ulur kokën veçse përpara Zotit të tij. Shqipëria ka njohur sundues, por askush nuk e ka sunduar shqiptarin. Pushtuesit e vendit mund të mburren se kanë lënë pas tyre shfarosje e rrënim, por ama asnjëherë nuk e kanë vënë Shqipërinë nën zgjedhën e tyre. Këto nuk janë konstatime të reja; këto janë thënë nga mjaft publicistë. Autori italian Z. Pedrotta, në një studim mbi Shqipërinë, i shpreh këto qartë; para disa kohësh, një autor anglez vërente se sundimet e ndryshme, që kanë pasuar njëri-tjetrin në Shqipëri, nuk kanë lënë më shumë gjurmë tek shqiptari nga vetë uji në trup të rosakut; dhe Z. René Pinon, autoriteti i të cilit për çështjet ballkanike është i madh, madje edhe jashtë Ballkanit, në një studim për Shqipërinë botuar në numrin e dhjetorit 1909 në revistën Revue des Deux Mondes, shkruante: “Bullgari ul kurrizin mbi shat dhe punon tokën e turkut në fushat e Maqedonisë; shqiptari është mbret në malet e veta. Gjuetar, bari, ushtar, cub, nuk i bindet veç zakoneve të veta dhe dyfekut që mban në sup”. Dhe është tepër e vërtetë Zotërinj, që shqiptari ka sakrifikuar gjithçka për lirinë e  tij: shtëpinë, tokën, jetën dhe pasurinë. Dhe fqinjët tanë, konkretisht grekët, janë të bindur për këtë; e nëse sot Greqia gëzon lirinë dhe pavarësinë e vet, të cilën e përdor aq keq kundër nesh, këtë ia detyron më shumë sesa vetë flotave europiane elementit shqiptar që u kryengrit kundër Turqisë për pavarësinë e greke dhe e çoi luftën gjer në fund vetëm me forcat e tij.

Por ajo që na trishton më shumë është kur shohim të kritikohemi nga njëfarë shtypi keqdashës ndaj nesh se gjoja na mungon ndërgjegjja kombëtare dhe se nuk paskemi bërë asgjë për të fituar pavarësinë tonë. Jo vetëm që është një akuzë e padrejtë, e dëmshme për pajtim midis popujve, pa të cilën nuk mund të vendoset një paqe e qëndrueshme, por është edhe një mosnjohje flagrante e së vërtetës historike; dhe për të vërtetuar falsitetin e saj, mjaft të përmend dëshminë e publicistëve tuaj si dhe atë të kundërshtarëve tanë që kanë ilustruar e përcjellë që herët bëmat e lavdishme të kombit shqiptar duke luftuar për pavarësinë dhe lirinë e tij.

Fuqia turke po rritej në Azi aty nga shekulli XV. Sulltani, në krye të ushtrisë më të fuqishme të botës përshkoi Bosforin, duke u betuar të lartojë gjysmëhënëzën mbi Shën Sofi dhe t’u japë kuajve të tij për të ngrënë tërshërë në tregjet e Shën Pjetrit në Romë. Duke mos qenë si shumë të tjerë njeri që kërcënonte në erë apo të llomotiste kot, perandori e frone të tëra veç kur u shembën dhe qytetërimi veç kur u drodh nën goditjet e tij. Në gjirin e Bizantit të degjeneruar dhe të Europës së përçarë nga luftërat e brendshme dhe nga smirat tradicionale, cili princ i krishterë do mund të guxonte dhe guxoi për t’iu kundërvënë marshimit të ngadhënjimtarit? 

Dhe ja ku mbi bedenat e kështjellës së Krujës, u lartua figura burrërore e Gjergj Kastrioti Skënderbeut! Nën thirrjen e tij, Shqipëria e tërë u ngrit në këmbë, e dëshiruar dhe e etur për mbrojtjen e pavarësisë dhe të lirisë, duke shtrënguar radhët rreth tij dhe duke krijuar përballë kundërshtarit një mur të pakapërcyeshëm; i kundërvuri dyndjes së pareshtur të masave armike guximin e luftëtarëve të saj dhe vendimin e tyre të pashpresë që më mirë të vdisnin, se sa të dorëzoheshin. Filloi kështu një luftë që zgjati njëzet e katër vjet, luftë e përgjakshme, e egër, legjendare; 150.000 vetë nën urdhrat e ngadhënjimtarit të Bizantit [sulltan Mehmetit] rrethuan Krujën dy herë; gati desh e morën, por nuk e mposhtën dot qëndresën e saj, dhe vala e sulmuesve u thye përballë asaj kështjelle; Skënderbeu shpëtoi kështu Europën mbarë nga pushtimi. Autorë të shumtë francezë e të huaj i kanë kënduar lavdisë së tij; dhe kur Papa Piu II u përpoq të organizonte një kryqëzatë kundër turqve, pikërisht atij burri donte t’ia besonte komandën e saj, në mirënjohje të shërbimeve të tij dhe si dëshmi e vlerës që ai kishte treguar. 

E ndërsa populli shqiptar luftonte e vdiste për kauzën e krishtërimit e të Shqipërisë, çfarë bënin popujt fqinj që na akuzojnë sot se s’paskemi bërë asgjë për pavarësinë tonë? Grekët kishin humbur në mosmarrëveshjet e kota fetare dhe despoti i Serbisë, drejtues i një kombi luftarak e të fuqishëm kremtonte martesën e vajzës së tij me sulltanin; pengonte bashkimin e ushtrisë së Skënderbeut me atë të Jan Huniadit, duke i lejuar kështu turqit të vinin nën zgjedhën e tyre, nëpërmjet fitores në Varna, më shumë se gjysmën e Europës. Dhe ngaqë s’na paska bërë asgjë për pavarësinë e vet kombëtare, siç duan të thonë, Shqipëria u dashka sot të copëtohet nga armiqtë e saj!

Në fakt, etja për pavarësi nuk është se u shua me vdekjen e Skënderbeut në shpirtin shqiptar. Edhe pse shqiptari lidhi marrëveshje me turqit, edhe pse shteti osman e respektoi në njëfarë mase autonominë shqiptare, historia turke regjistron jo më pak se 54 kryengritje të mëdha shqiptare vetëm gjatë katër shekujve; dhe Shqipëria do ia kish dalë mbanë të hidhte poshtë me forcat e veta zgjedhën osmane sikur shtetet ballkanike të mos e kishin penguar në këtë drejtim. 

Të bindur se nën regjimin teokratik të sundimit osman, dallimi midis tyre dhe kombeve të tjera kishte ardhur duke u zmadhuar, shqiptarët i imponuan atëherë sulltanit Kushtetutën më 1908. Kjo Kushtetutë, që ushqeu tërë ato shpresa në Europë dhe që vetë Europa e priti me aq simpati e zell është vepër e shqiptarëve; dhe kur xhonturqit deshën të shfrytëzonin këtë ngadhënjim për interesat e tyre dhe në kurriz të shqiptarëve, ishin pikërisht këta të fundit që ngritën krye, duke kërkuar decentralizimin; pikërisht nën presionin e tyre dhe të disa Fuqive të huaja, sulltani u detyrua më në fund të dorëzohej. Dhe atëherë, shtetet ballkanike, duke pasur frikë se mos u shpëtonte nga duart Shqipëria, të cilën e konsideronin prej vitesh të tëra si prenë e tyre, i shpallën luftë Turqisë. Kjo luftë në të vërtetë u përshëndet nga një pjesë e shtypit europian si lufta çlirimtare e popujve të krishterë të shtypur nga zgjedha turke; në të vërtetë, ajo nuk ishte veçse lufta e të krishterëve kundër kombit të mjerë shqiptar. Ja përse shqiptarët kundërshtuan të luftojnë përkrah shteteve ballkanike; më shumë rrezikonin të bëheshin pjesë e shteteve ballkanike se sa të vuanin nën sundimin osman.

Dhe mos pandehni Zotërinj, se shtetet kufitare kanë komplotuar më pak nga turqit kundër pavarësisë shqiptare, tek maskonin qëllimet e tyre me lloj-lloj mënyrash. Gjithmonë e kanë gjetur nga një shkak në çdo rast që u jepej për të shtënë në dorë Shqipërinë; kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë se shqiptarët janë një popull mizor, të paaftë për qytetërim, të paaftë për t’u vetëqeverisur. A është e vërtetë se ata janë ashtu siç duan të flasin kundërshtarët e tij? Kemi të bëjmë këtu me thelbin e çështjes, mbi të cilin duam të këmbëngulim, pa dashur të shpërdorojmë kohën që keni në dispozicion; në fakt, vetë drejtësia e kërkon që, si dëgjuat akuzat e kundërshtarëve tanë, ju duhet të dëgjoni edhe zërin e popullit shqiptar. Do ishte ndoshta e kotë të rrinim e të flisnim për kritikën që u bëhet se shqiptarët se na qenkan barbarë, pikërisht të nesërmen e një lufte që tregoi, për vetë mënyrën se si u zhvillua, se barbaria e një populli as hyn fare në këtë mes, për vetë shkallën e qytetërimit dhe frymën e pavarësisë që e karakterizoi. Por prapë, ka rëndësi të theksojmë edhe një herë se shqiptarët janë larg së qeni të tillë.

Nëse rregullat mbi të cilat mbështetej gjer vitet e fundit jeta e tyre shoqërore, vazhdonin të frymëzoheshin disi nga zakonet e mesjetare, kjo ndodhte padyshim për shkak të kushteve të veçanta të regjimit osman karakterizuar nga arbitrariteti e dhuna. Në fakt, në Shqipëri, gjatë një periudhe të gjatë sundimi osman nuk pati as shkolla kombëtare, as gjykata, as forcë të armatosur organizuar nën shembullin e popujve të tjerë të Europës perëndimore. Fanatikë për pavarësinë dhe lirinë e tyre, shqiptarët nuk pranonin t’i nënshtroheshin arbitraritetit të administratës e të drejtësisë turke; nga ana e tij sulltani, i interesuar për të drejtat e tij si sovran, nuk e lejonte popullin të krijonte një pushtet legjislativ, ekzekutiv e politik që dilte jashtë autoritetit të tij. Nga ku nevoja për shqiptarët të mbërtheheshin fort pas zakoneve të tyre të lashta, të cilat u lejonin të ruanin të paprekura traditat e tyre dhe të mbroheshin ndaj orvatjeve për shkombëtarizim. 

Është e vërtetë – dhe nuk mund ta mohojmë – se këto zakone paraqisnin, konkretisht nga pikëpamja morale, të meta të theksuara dhe se shpërdorime të papajtueshme me qytetërimin e vërtetë janë vënë re gjatë këtyre viteve të fundit.

Por kur mendojmë për dhunën e ushtruar nga pasionet njerëzore, si dhe për rrethanat e veçanta që ka kaluar vetë kombi shqiptar, jo vetëm që nuk duhen konsideruar shqiptarët si barbarë thjesht sepse janë kryer vrasje në vendin e tyre, por do duhej në të kundërt të habiteshim se si ka mundësi që një popull, i braktisur përgjatë shekujve, nuk ka dhënë shembuj më të shpeshtë dhune e mizorie. Ju e dini më mirë se unë se ç’mund të bëjë një popull kur gjatë një revolucioni rrëmben armët dhe kur pushteti është i pafuqishëm për ta përmbajtur. Statistikat kriminale regjistrojnë çdo vit në vendet e qytetëruara një numër të madh krimesh dhe në disa nga këto vende ky numër arrin gjer në tre për mijë të popullsisë së tyre të përgjithshme.

Atëherë, përderisa tërë ai gjak arrin të derdhet edhe ndër popuj të qytetëruar që kanë shkolla, gjykata, polici e xhandarmëri, a është e drejtë të akuzohen shqiptarët për barbari, kur gjer kohët e fundit nuk kanë pasur as shkolla, as gjykata, as xhandarmëri? Dhe prapë, Zotërinj, përqindja e vrasjeve nuk i kalon tek ne një për mijë. Ja pse kërkojmë drejtësinë tuaj, duke ju parë juve të paanshëm dhe në rolin tuaj të gjykatësit për një konflikt të një rëndësie shumë të madhe midis shqiptarëve dhe kundërshtarëve të tyre.

Këta na kritikojnë ne se qenkemi të paaftë ndaj qytetërimit dhe përparimit. Në këtë drejtim, s’më mbetet veç të parashtroj fakte, të bëj krahasime dhe të nxjerr konkluzione.

Malazezët, falë pozitës së tyre gjeografike dhe frymës luftarake që kanë, vazhdimisht e kanë ruajtur pavarësinë dhe lirinë; madje kanë pasur, gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, dhe nën mbretërimin e Nikollës I-rë edhe një qeveri sipas modelit të shteteve të tjera. E pra, ndërsa populli malazez, në prag të luftërave ballkanike nuk kishte veçse një të vetme tipografi, madje qeveritare, nuk kishte asnjë shkollë private e të pavarur që të mbahej vetëm me shpenzimet e popullit, në Shqipëri, në po të njëjtën periudhë, dhe që prej kërkesës për Kushtetutën osmane, ne kishim 7 tipografi, mbi 26 gazeta e revista, një shkollë normale dhe një numër të madh shkollash fillore, të mirëmbajtura nga shoqëri private; u përgatitën tekste shkollore për shkollat e arsimit fillor, madje edhe të mesëm; në këtë mënyrë, sot në Shqipëri, arsimi bëhet tërësisht në gjuhën shqipe; nga ana tjetër, janë botuar vepra letrare aq shumë në numër e me aq vlerë, sa e kanë ngritur në shumë pak kohë ndjenjën kombëtare dhe i kanë dhënë një zhvillim aq të fuqishëm gjuhës, sa kjo u përshtat si gjuha zyrtare në të gjitha zonat e me sukses të plotë gjatë pushtimit austriak; dhe në të njëjtën periudhë janë mbajtur tre kongrese gjuhësie, etj.; dhe tërë kjo, natyrisht pa mbështetjen më të vogël nga ana e qeverisë osmane, armiqësore ndaj çdo lëvizjeje përparimi në Shqipëri.

Përse pra inteligjenca e popullit malazez, e cila që prej pesëdhjetë vjetësh nuk i ka sjellë asgjë prodhimit intelektual, u dashka të mbahet si superiore ndaj asaj të popullit shqiptar, i cili, në pak vite ka krijuar një gjuhë letrare dhe ka shndërruar shpirtin e kombit?! Populli shqiptar i ka dhënë njerëz të shquar Perandorisë Bizantine; diplomatët më të mirë dhe gjeneralët më të mëdhenj të Turqisë ishin shqiptarë; shqiptar khedivi [nënmbreti] i Egjiptit, shqiptar Francisco Crispi, burri i shtetit italian, shqiptar kardinal Albani dhe papa Klementi XI. Dhe Z. Venizellos pranon më në fund të na mësojë sot, në memorandumin e paraqitur për Konferencën e Paqes se drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe flotës greke janë me origjinë shqiptare.

Dhe për t’iu bindur edhe më shumë se shqiptarët nuk janë racë më e ulët se popujt e tjerë të Ballkanit, a nuk ia vlen t’i referohemi më mirë dëshmisë së autorëve që janë marrë me vendin tonë?

Francezi Hecquart, në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ka thënë se historia e shqiptarëve “jep prova të shkëlqyera energjie, zgjuarsie e veprimi”; se këta “kanë ruajtur traditat dhe zakonet kalorësiake ashtu siç shfaqen në këngët e tyre të kreshnikëve”; se “përherë i kanë dhënë individualitete të shkëlqyera Greqisë së lashtë, Turqisë dhe Greqisë moderne.” Lord Bajroni ka thënë për ta: “Në shkëmbinjtë e Sulit dhe në brigjet e Pargës gjendet gjurmët e një race siç krijohej dikur nga nënat dorike; gjenden ende familje që gjaku i Heraklidëve rrjedh në damarët e tyre”. Dhe  kini parasysh Zotërinj, se këto janë dëshmi të tilla që i bëjnë nder edhe një kombi të madh të qytetëruar. 

*          *          *

Dhe, si ju paraqita Zotërinj, se cilët janë shqiptarët, më mbetet tani t’ju them se çfarë kërkojnë ata. Mund të përmblidhet e tëra me dy fjalë:

  1. Pavarësinë politike dhe ekonomike të kombit.
  2. Që shteti shqiptar të ketë kufijtë e tij të natyrshëm, gjeografikë e etnikë.

Nuk kërkojnë asgjë tjetër më shumë nga sa i ka premtuar botës Konferenca e Paqes dhe atë çka po u jep popujve në prag të saj.

Për sa i përket pavarësisë së kombit shqiptar s’kam ndonjë gjë të veçantë, për të mos thënë asgjë, duke qenë se kjo pavarësi është njohur dhe garantuar që në muajin dhjetor 1912 nga Fuqitë e Antantës; ato deklaruan solemnisht se i konsideronin traktatet ndërkombëtare jo copa letrash, por akte nëpërmjet të cilave garantohej nderi i tyre kombëtar: vetëm sepse nderi i saj vihej në lojë për të garantuar asnjanësinë e Belgjikës, Britania e madhe hyri në konfliktin e madh të vitit 1914. Pavarësia e Shqipërisë është pra për ne një e drejtë e arritur, e vendosur nën garancinë e Fuqive të mëdha; kështu që s’mbetet tjetër veç të përcaktohen kufijtë e natyrshëm të shtetit shqiptar, gjë që paraqet jo më pak rëndësi nga çështja e pavarësisë së saj.

Sundimi i huaj dhe politika e lëkundur e diplomacisë së vjetër kaq shumë e kanë ndryshuar fizionominë gjeografike e etnike të Shqipërisë, sa është e vështirë për një të huaj ta njohë me pamje të parë; nga ku nevoja për të përcaktuar elementët e domosdoshëm me anë të së cilëve mund të realizohet vendosja e kufijve të natyrshëm të Shqipërisë. Në bazë të parimit të vetëvendosjes, çdo popull që ka një karakter etnik homogjen, ashtu sikurse përcaktohet në mesazhin wilsonian ka, ose të paktën duhet të ketë të drejtën për të vendosur lirisht për fatet e veta politike e ekonomike dhe të krijojë shtet të lirë e të pavarur. Gjeografikisht, ky shtet duhet të shtrihet gjer aty ku vazhdon ky homogjenitet; dhe nëse do kishte në ndonjë pjesë të territorit të tij elementë të huaj kompaktë e në numër të konsiderueshëm, atëherë aty do t’ia vlente të vendosej me anë plebishiti në kushtet e një çiltërsie absolutisht të garantuar. 

Si parashtruam këtë, është e logjikshme që shteti shqiptar të shtrihet gjeografikisht deri aty ku kombi shqiptar mbetet homogjen shekuj pas shekujsh, duke qenë se e drejta e vetëvendosjes nuk i jepet një kategorie të caktuar individësh apo grupesh, por masës tërësore që përbën kombin. Rrjedhimisht, çdo zvogëlim territorial i Shqipërisë duhet konsideruar si arbitrar dhe nga ky çast i padrejtë. 

Së dyti, për të përcaktuar shtrirjen reale të kombit shqiptar, ne duhet të marrim për bazë gjuhën, që është një element i sigurt vlerësimi dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mënjanë.

Populli shqiptar flet një gjuhë që e ka krejt të vetën dhe që, sipas kërkimeve më të fundit gjuhësore – duke përjashtuar këtu disa ndikime të pashmangshme, dhe depërtim elementesh të rrallë të huaj – nuk mund të ketë përafri tjetër me idiomat kelte, latine, gjermanike, sllave e helenike veçse në kuadrin e origjinës së përbashkët ariane apo indo-europiane. Për rrjedhojë, të gjithë ata që flasin këtë gjuhë kanë një kombësi të ndryshme nga ajo e popujve të tjerë europianë. Nuk mund të mendohet në fakt që një popull tjetër që jeton në Europë t’i ketë imponuar kombit shqiptar një gjuhë që të mos ishte e veta dhe që të mos flitej nga popuj të tjerë, një gjuhë pra të vdekur. Po ashtu, nuk mund të pranohet që kombi shqiptar t’i ketë imponuar gjuhën e vet elementëve të huaj. Gjuha u imponohet të tjerëve me anë të forcës apo nëpërmjet qytetërimit dhe kulturës. Mirëpo, si nga njëra ashtu dhe nga tjetra pikëpamje e çështjes, kombi shqiptar gjithnjë ka qenë në gjendje pakice në krahasim me popujt fqinjë nga dita kur pati fatkeqësinë të gjendet në kontakt me ta. E si mund të thuhet atëherë se ata që flasin shqip nuk qenkan të kombësisë shqiptare, dhe nga ky çast, shteti shqiptar nuk u dashka shtrirë gjeografikisht gjer aty ku shtrihet gjuha shqipe? 

Si parashtruan këto parime dhe këto elemente, le të shqyrtojmë cilët duhet të jenë konkretisht kufijtë?

Për të pasur sa më shumë paanësi në një çështje që kundërshtarët tanë përpiqen ta shtrembërojnë me aq shumë dashaligësi, po i referohemi edhe një herë autorit të shquar përmendur më lart, Z. René Pinon, i cili ka vizituar Shqipërinë për të vështruar de visu  thelbin e çështjes.

Në artikullin që përmendëm botuar në revistën Revue des Deux Mondes, ai thotë: “Nga fushat e Vardarit gjer në Adriatik, nga Thesalia gjer në Mal të Zi, shqiptari është zot në bazë të së drejtës si zotërues i parë i këtij trualli dhe në bazë të së drejtës të më së fortit”. Rrjedhimisht, tërë fusha e Kosovës, që i është shkëputur padrejtësisht Shqipërisë nga Konferenca e Londrës dhe që i është dhënë Serbisë, si dhe krejt Epiri që duan t’ia japin në tërësi Greqisë janë të banuara nga shqiptarë dhe duhet të jenë pjesë e shtetit shqiptar bazuar në drejtësi.

As edhe një pikëpyetje nuk mund t’i vihet pohimeve të bëra nga Z. Pinon, kurrfarë ekzagjerimi nuk ka në to. Kjo vërtetohet në mënyrë të padiskutueshme nga vetë statistikat e bëra që më 1909, ku përcaktohet përqindja e kombësive të ndryshme që jetojnë në Shqipëri. Këto statistika zyrtare të bëra si nga ana e Turqisë, ashtu dhe nga ana e Austro-Hungarisë dhe e Bullgarisë tregojnë se në rajonet shqiptare që i janë dhënë Serbisë e Greqisë nga Konferenca e Londrës, të paktën 8% për qind [gabim i rëndë shtypi në origjinalin frëngjisht: 80%] e banorëve janë krejtësisht shqiptarë. 

Dhe për të vërtetuar se sa i arsyeshëm është përcaktimi i bërë nga Z. Pinon i kufijve të Shqipërisë, e shohim me vend të përmendim atë çka i shkruante lordi Fritz Maurice, anëtar i Komisionit të Rumelisë orientale Foreing Office-it dhe që është botuar në Livre Bleu më 1880. “Kombi shqiptar do duhej shtrirë në fund të fundit përtej kufijve serbë e malazezë; dhe krahina e Kosovës, duke filluar nga Mitrovica, është tërësisht shqiptare me një përqindje fare të lehtë serbe. Statistikat bullgare e greke mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës mbështesin pretendimet e tyre mbi Manastirin, Ohrin, Korçën janë të gabuara dhe me dashje të shtrembëruara: statistikat greke janë hartuar në mënyrën më të paturpshme”.

Gjithmonë sipas mendimit të diplomatit të shquar anglez, Shqipëria do duhej shtrirë afërsisht nga Vardari në Adriatik dhe nga Thesalia në Mal të Zi, dhe Konferenca e Paqes do të bënte një krim të vërtetë nëse, mbështetur mbi statistika absolutisht të gabuara, nuk do të urdhëronte kthimin Shqipërisë të territoreve shqiptare që u janë dhënë padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Londrës serbëve dhe grekëve.

Parashtruam se shqiptari, për arsye që kanë të bëjnë me historinë, gjeografinë dhe entologjinë, zotëron tërë cilësitë materiale e morale të duhura për të formuar një popull të pavarur. Nga ana tjetër, territori i tij është mjaft pjellor, nëntoka mjaft e pasur, lumenj të shumtë me prurje të bollshme, duke pasur kështu të gjitha burimet e nevojshme për të përballuar detyrimet e një shteti të qytetëruar. Nga tërë trojet ballkanike, Shqipëria favorizohet në mënyrë të veçantë nga pikëpamja e klimës së butë. Është vendi i bereqetit, i vreshtave, i ullirit, i portokallit, i limonit që hasen në zonat e Qendrës dhe të Jugut. Misri kultivohet në mënyrë të veçantë në fushat e Shkodrës, të Myzeqesë e të Vlorës. Mënyrat e kultivimit të tokës janë ende primitive, por kjo është një e keqe kalimtare që rregullohet shpejt me përdorimin e metodave intensive. Po kështu edhe për pasuritë pyjore ende të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së rrugëve. Për të njëjtën arsye, ka qenë e pamundur deri më sot të shfrytëzohej nëntoka, që përmban minerale të ndryshme, si dhe një sasi të madhe qymyri. 

Veç rrugëve në gjendje të mirë që mungojnë në Shqipëri, edhe nga ana e bregdetit ka mjaft për të bërë. Portet ende nuk ekzistojnë, por mjaft të bëhen disa rregullime për të bërë në Vlorë, Durrës e Shën Gjin limane të shkëlqyer. 

Është e qartë se  ditën kur hekurudhat do të kenë depërtuar në luginat e Drinit, Shkumbinit, Devollit e Vjosës, që do të lidhin Perëndimin me rajonet e Lindjes, Shqipëria do të bëhet qendra tregtare e ekonomike më e lulëzuar e gadishullit ballkanik.

Ja, Zotërinj, gjithë sa doja t’u thosha nga zemra lidhur me shqiptarët dhe aspiratat e tyre kombëtare. Duke ju falënderuar me gjithë zemër për vëmendjen dashamirëse që më kushtuat këtë mbrëmje, po e përfundoj këtë fjalë duke shprehur shpresën se të drejtat tona të shenjta do merren në konsideratë nga ana juaj, dhe se Providenca, nga e cila varet fati i popujve, nuk do të na braktisë në këtë çast që është vendimtar për kombin tonë. (Duartrokitje të forta). 

ImZot BUMÇI

Peshkop katolik i Lezhës.   

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Fjalimi i Imzot, Fotaq Andrea, Luigj Bumci, ne Konferencen e Paqes

SHQIPËRIA VEND I HERONJVE DHE I NJERËZVE TË BUKUR

August 14, 2020 by dgreca

Shkruan:Thanas L. GJIKA-

  • Mbi veprën “Pena të arta franceze për shqiptarët – 1332-2007”të antologjistit Fotaq Andrea-

Pas ndërrimit të regjimit diktatorial, në Shqipëri u krijua një klasë politike e përbërë kryesisht prej ish-komunistësh, ish-sigurimsash besnikë të PKSh / PPSh-së. Këta njerëz duke punuar për interesat e xhepit dhe për të përjetësuar enverizmin, kanë krijuar me sjelljet e tyre dhe me median një imazh të keq për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të tillë pushtetarë gjatë këtyre 30 vjetëve nuk reaguan kur u hodh baltë mbi figurat më madhore të kombit tonë si Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shenjtores Nënë Tereza, shkrimtarit me vlera botërore Ismail Kadare, etj. U nënvleftësuan krijues të shquar si At’ Gjergj Fishta, Arshi Pipa, Martin Camaj, etj. Nuk iu dha vendi dhe vlera që ka letërsia e burgjeve, u fyen dhe iu kërcënua jeta e personaliteve të shquar që kanë dalë në mbrojtje të vlerave të të përndjekurve të ndërgjegjes si Visar Zhiti, Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot Dervishi, etj.

Studiuesi dhe përkthyesi i talentuar Fotaq Andrea i doli ndesh kësaj politike zhvlerësuese të popullit shqiptar. Duke e ndjerë si mision, vënien në dukje të vlerësimeve pozitive që kanë bërë gjatë shekujve e deri në ditët tona njerëz të shquar të botës frënge për popullin shqiptar, ai zgjodhi, përktheu, përgatiti dhe botoi në shqip antologjinë “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)” GENT GRAFIK, Tiranë 2009, 762 faqe në format të madh, pajisur me ilustrime të shumta veprash artistike, me foto e faksimile dorëshkrimesh.

Vepra hapet me një përkushtim të bukur “Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të madh të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare në botë, Jusuf Vrionit”, dhe mbyllet me shkrime rreth jetës dhe veprës së këtij personaliteti të shquar të frankofonisë dhe mentor i Fotaq Andreas. Gjest ky që shpalos karakterin mirënjohës të kvtij studiuesi.

Kjo antologji mund të quhet pa hezitim “vepër monumentale”, që ngërthen pas njv pune shumëvjeçare një pasuri të madhe përzgjedhur nga dyqind libra e dhjetra artikuj, gjetur nëpër biblioteka e arkiva të ndryshëm. Shkrimet janë hartuar prej 140 autorësh të shquar francezë mbi historinë, artin, kulturën, etninë dhe letrërsinë shqiptare.

E themi që në fillim se kjo vepër vlen të merret si model prej studiuesve të tjerë që të mbledhin, përzgjedhin, përkthejnë e të botojnë në shqip antologji me vlerësime të shkruar prej personalitetesh anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, etj. Kështu do të ndihmohen lexuesit kuriozë e sidomos studiuesit tanë të shkencave albanologjike për të shfrytëzuar sa më mirë materiale burimore të shumllojshme të dhëna prej udhëtarësh, historianësh, etnografësh, arkeologësh, shkrimtarësh, kritikësh të letërsisë dhe zyrtarësh të huaj, të cilët kanë dhënë vëzhgime të holla, mendime, përshtypje, gravura, piktura, foto dhe vlerësime për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, si dhe për personalitete të shquar të artit dhe të kulturës së popullit tonë gjatë shekujve.

Ajo që të bën shumë përshtypje në pëmbledhjen e frankofonit dhe antologjistit Andrea, nuk është përshkrimi i gjendjes së varfër në të cilën jetonte populli ynë gjatë pushtimit osman, por dëshmia e këtyre autorëve për virtytet, dinjitetin, dashurinë për armët, krenarinë, pamjet trupore elegante të burrave dhe grave, për veshjet e bukura, si dhe për fisnikërinë, besën e mikëpritjen shqiptare. Shumë prej këtyre autorëve kanë theksuar se këto veti të çmuara njerëzore i dallonin shqiptarët midis popujve të gadishullit Ballkanik.

Libri paraprihet nga një parathënie e thukët, hartuar prej vetë studiuesit Andrea, ku përmenden aspektet kryesorë të shkrimeve dhe emrat e penave më të rëndësishme të botës frënge që kanë shkruar me dashuri për popullin shqiptar dhe për njerëzit tanë të shquar si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Marko Boçari e luftëtarët arbërorë (arvanitët), Faik Konica, Nënë Tereza, Ismail Kadareja, etj. Duke përfundur parathënien, autori thekson: “Eshtë e vërtetë që historia e çdo populli është në radhë të parë e mbi të gjitha histori lufte dhe qëndrese, aksiomë kjo e përgjithëshme së cilës nuk i ka shpëtuar kush, domosdo as shqiptarët, të njohur madje si zanatllinj të armëve apo për kultin e armëve. E megjithatë duhet thënë se po aq sa luftohej e vajtohej për rënien në luftë apo degdisjen në dhe të huaj, po aq edhe punohej e i këndohej dashurisë për vatrën e vatanin, dashurisë për jetën, gjithmonë në ngadhënjim me vdekjen” (Parathënie f. V).

Fotaq Andrea është ndër ata studiues që e rithekson dëshminë e hershme të shekullit XIV sipas së cilës populli ynë e shkruante gjuhën e vet me shkronja latine. Antologjia hapet pikërisht me relacionin me të cilin kryepeshkopi katolik i Tivartit, Gijom Adam, që më 1332, njoftonte Papatin për gjendjen e popullsisë së dhjetë qyteteve që vareshin nga Kryepeshkopata e Tivarit.

Kryepeshkopi Adam sqaron së pari për përbërjen demokrafike të krahinës e të qyteteve që vareshin prej tij. Ai shkruan se brenda kështjellave të gjashtë qyteteve Antibari (Tivari) Katari (Kotori), Dulcedine (Ulqini), Suacinense (Shasi), Scutari (Shkodra) dhe Drivaste (Drishti) mbizotëronte popullsia latine (veneciane), të cilët kishin gjashtë peshkopë. Kurse jashtë mureve jetonin albanienët (shqiptarët). Latinët, pra venecianët, nuk jetonin nëpër fshatra dhe nuk kishin prona tokësore. Kurse shqiptarët zotëronin katër qytete Polatin e Madh (Pultin e Madh), Polatin e Vogël (Pultin e Vogël), Sabbatën (Sapën) dhe Albanian (Albanin / Albanopolin e lashtë). Pas këtyre të dhënave kryepeshkopi jep sqarimin: “Dhe sado që Albanienët (shqiptarët) kanë një gjuhë tjetër, fare të ndryshme nga ajo e Latinëve (Venecianëve), megjithatë, ata kanë në përdorim, si dhe në të gjitha librat e tyre shkronjën latine” (f. 1). Kjo dëshmi tregon qartë se kryepeshkopi Adam kishte parë me sytë e tij jo një e dy, por shumë letra e libra të shkruar shqip me alfabetin latin, kuptohet në dorëshkrim sepse shtypshkronja ende nuk ishte krijuar. Pra, populli shqiptar, të paktën pjesa veri-perëndimore që jetonte në këto dhjetë qytete, nën ndikimin e italishtes së shkruar që përdornin venecianët, e kishte shkruar dhe ai gjuhën e vet me alfabet latin si në letërkëmbime familjare dhe në libra. E thënë ndryshe, kjo dëshmi duhet të nxisë institucionet shtetërore të shkencës dhe arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që të nxjerrin fonde për kërkime në Bibliotekën e Vatikanit dhe në Arkivin e Venedikut, si dhe të qyteteve të tjerë të Italisë së Veriut, sepse mund të gjendet të paktën një ose disa libra dhe letra të shkruara shqip me alfabetin latin gjatë shekullit XIV, pra një shekull para librit të Gjon Buzukut.

Pas këtij relacioni, materialet e mbledhur në këtë antologji ndahen në tre pjesë: 1-“Skënderbejada”, ku janë vendosur shkrime të gjinive të ndryshme të shkruar në kohë të ndryshme për vlerat e Heroit tonë Kombëtar.

2-“Për shqiptarët dhe vendndodhjet e tyre”, ku janë riprodhuar në linjë kronologjike shkrime me tematikë të larmishme mbi tipare tipikë të botës shqiptare, vlera e virtyte historike të shqiptarit. Po aty janë renditur dhe shkrime për shqiptarë e shqiptare të talentuar si për shkrimtaren Dora D’ Istria, balerinin Angjelin Prelocaj, për shkrimtarë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, për Nënë Terezën, për arritjet e pelazgologut Mathieu Aref, i cili me studimet e tij ka vërtetuar origjinën pellazgjike të popullit shqiptar dhe se gadishujt që quhen sot Ballkan dhe Azia e Vogël kanë qenë banuar prej fiseve pellazgjike shumë kohë para se të vinin aty fiset greke. Qytetërimi pellazg edhe pse u asimilua prej qytetërimit grek, ka luajtur rol dhënës gjatë bashkëjetesës me këtë qytetërim në disa fusha. Këtë rol Prof. Aref e argumenton me të dhëna arkeologjike, me shkrime të vetë autorëve antikë grekë e romakë dhe me shpjegimin e kuptimit të shumë fjalëve të greqishtes me anën e gjuhës shqipe, pasardhëses së pellazgjishtes.

3-“Shkrime rreth veprës së Isamail Kadaresë dhe për Jusuf Vrionin”, ku janë shkrime vlerësuese për veprën e shkrimtarit tonë botëror I. Kadare dhe për përkthyesin e tij, fisnikun J. Vrioni, frankofoni më i shquar shqiptar.

Vlerësimi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut bëhet në disa shkrime në prozë (esse, novelë, romane, etj) dhe në poezi (sonet, poema, tragjedi e luajtur si opera, monografi shkencore, etj). Këta autorë janë mbështetur në librin “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut…” të Marin Barletit, duke bërë shumë shtesa nga fantazia e tyre.

Midis këtyre veprave tërheq vëmendjen thënia e Fransua Marie A. Volter (1694-1778), shkrimtar e mendimtar i famshëm, i quajtur “njeriu universal i shekullit të vet”. Në veprën e tij mbi historinë e njerëzimit vlerësohet lart Gjergj Kastrioti, kur shkruhet për Perandorinë e Bizantit:: “Po të kishin qenë Skënderbej perandorët grekë, Perandoria e Orientit do të ishte ruajtur”.

Tërheqëse është dhe thënia e historianit Kamij Paganel (1797-1859) autor i monografisë “Historia e Skënderbeut, ose turqit dhe të krishterët në shek. XV”. Ky autor e quan Skënderbeun “Ushtar i Jezu Krishtit, mbrojtës i Pavarësisë Europiane”.

Me pak fjalë, materialet e kësaj pjese theksojnë ndihmesën e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj Kastriotit për mbrojtjen e lirisë së Europës, pra të qytetërimit europian. Të tilla thënie, si dhe të tjera qv do t’i riprodhoj më poshtë, mendoj se duhen shfrytëzuar prej zyrtarëve tanë në takimeve ndërkombëtare për të ngjallur ndjenjën e mirënjohjes ndaj popullit tonë, i cili dikur sakrifikoi shumë për mbrojtjen e qytetërimit europian, për të na ndihmuar që të hyjmë në Bashkimin Europian dhe të realizojmë bashkimin kombëtar, krijimin e shtetit kombëtar që na është mohuar pa të drejtë.

Pjesa e dytë “Për Shqiptarët dhe vendndodhjet e tyre” zë pjesën kryesore të librit në f. 46-691, një letërsi e tërë me përshkrime ambjentesh, njerëzish, krahinash, zakonesh, rrëfim ngjarjesh, analiza, portrete, gravura, vizatime e fotografi të shumta, që të mbushin me krenari për bëmat trimërore, virtytet shpirtërore, pamjen trupore dhe veshjet e bukura të burrave dhe grave, për jetën dinjitoze, kryengritjet e shpeshta, e mbi të gjitha shtrirjen e tij në një sipërfaqe prej mbi 80.000 km katrorë, etj…

Fransua Pukëvil (1770-1838), si vëzhgues i hollë që ishte, ndalet dhe në përshkrimin e tipareve trupore të shqiptarëve: “Gegët shihen si banorët më të ashpër të Shqipërisë. Fëmijë luftarakë… me një strukturë atletike, sy të zinj, hundë të rregullt, dhëmbë të fortë e të shkurtër, mjekër të dendur, një shkëlqim fuqie dhe shëndeti tregojnë se janë nga raca e lashtë e njerëzve…

Mirditasit dhe fiset e krishtera latine (katolike) përhapur në luginat dhe mes maleve… kanë në tipare diçka të ashpër e melankolike. Të nënshtruar por pa qenë skllevër, kanë në ballë gjurmët e lavdisë së ushtarëve të Skënderbeut; dhe po aq sa janë besnikë, janë dhe luftëtarë sypatrembur, e nuk durojnë as përbuzje, as të shkelen me këmbë dhe as të poshtërohen nga tirania” (f. 57)

Sa i ndryshëm është ky përshkrim i tipareve burrnore të malësorëve tanë dhënë prej Pukëvilit gjatë sundimit turk krahasuar me përshkrimin që u ka bërë Migjeni në vitet e regjimit monarkist, dhe me nënshtrimin që kemi parë vetë gjatë regjimit diktatorial komunist. Kjo, për mendimin tim, tregon se malësori shqiptar, ashtu si gjithë populli ynë, i rezistoi sundimit e tiranisë së huaj duke ruajtur tiparet e krenarisë dhe mosnënshtrimin e plotë, por iu nënshtrua plotësisht pushtetit të shtetit të vet dhe i humbi tiparet e krenarisë si asnjëherë. Atë që ta bën pushteti yt totalitar ose diktatorial, nuk ta bën as pushtuesi i huaj më i egër.

Pukëvili është ndalur të tregojë edhe tiparet e grave shqiptare. Në anët e Drinit, gruaja shqiptare ishte armëmbajtëse si burrat, gëzonte të drejta krejt të ndryshme nga gratë e Orientit. “…vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë, shton ai, tregonë se ato janë bashkëshortet e nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar në rreziqet, që po aq sa s’ njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vdekjen si të mos ishte gjë” (f. 59). Kurse gratë e Myzeqesë dhe të Labërisë ai i mëshiron, sepse bukuria e tyre është për pak vite: “Ashtu si trëndafilat me vetmitë e tyre, madhështia që ato kanë nuk zgjat shumë. Të martuara dymbëdhjetë vjeçe, nëna parakohe, rrudhat e pleqërisë nisin të lënë shenjë në ballin e një gruaje njëzete pesë vjeçare… As që shpreson më t’u hyjë në sy të tjerëve. I nënshtrohet hidhërimit, duke e parë veten të lënë pas dore”. (f. 61) Edhe më e rëndë ishte gjendja e grave myslimane, burrat e të cilave ishin sundimtarë absolutë dhe i vlerësonin vetëm si qenie pjellorie dhe, kur e humbnin këtë aftësi, ato zhvlerësoheshin krejt.

Përshkrime gati të njëjta për karaktrin e burrave shqiptarë japin edhe udhëtarë të ndryshëm francezë kur kanë shkuar në Epir dhe më në jug të Ballkanit, ku kanë njohur nga afër shqiptarët e Çamërisë dhe arbërorët, të cilët grekët i quanin arvanitë, veshja e të cilëve shquhej për fustanellën e bardhë deri te gjuri, armët e praruara, elegancën trupore, ecjen krenare, etj.

Gratë arbërore në More, Atikë dhe në ishullin Evia (Eubea) përshkruhen me nota shumë të larta simpatie për bukurinë trupore, krenarinë, veshjet, punët bujqësore, amvisërinë, etj. Këtu hyjnë shkrimet e piktorit e arkitektit A. L. Kastelan (1773-1838), shkrimtarit të famshëm F. R. Shatobrian (1768-1848) dhe të dhjetra autorëve të tjerë.

Shumë udhëtarë i ka tërhequr jeta e Ali Pashë Tepelenës në sarajet e Janinës, dhe e ushtarëve të tij shqiptarë, masakrimi i zonave të lira me popullsi shqiptare të krishtere, si Suli, Himara, Kardhiqi, etj. Këta autorë, ndonëse e pëlqejnë pashain e Janinës për ngritjen e pashallëkut të tij në rang gati të një shteti autonom brenda Perandorisë Turke, e kritikojnë për karakterin e tij dredharak, kriminal dhe despotik.

Ajo që tërheq më shumë është shpalosja e ndihmës së madhe që dhanë shqiptarët arbërorë dhe bijtë e Çamërisë dhe ata të Sulit për lirinë e Greqisë. Të prekin faqet e romanit “Bubulina” / “La Bouboulina” shkruar si rrëfim të jetës prej vetë haroinës në vetën e parë. Autori bashkëkohor Mishel dë Gres është francez me origjinë nga familja mbretërore greke. Pëveç talentit si narrator, atë e shquan dhe objektiviteti në shpalosjen e karakterit trimëror të Bubulinës, babait të saj, nënës së saj dhe të luftëtarëve të tjerë arbrërorë (arvanitë). Ai nuk nguron të thotë se sunduesit turq “kishin ngado spiunë dhe skuqem nga turpi kur pohoj se shumica ishin grekë” (f.112). Me gojën e heroinës, ky autor jep sqarimin më të goditur për etninë arbërore: “… në Speci flitej arvanitika, domethënë shqip, gjuha jonë. Ime më, im atë, unë vetë, ne të tërë, ishim grekë, po në fakt pa qenë të tillë. Grekë me zemër, me mendje, me fe, me ideal, domosdo, grekë të sakrificës, meqenëqë jepnim jetën tonë për Greqinë, por jo grekë për nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë në të vërtetë jam një arvanite, një shqiptare. Raca jonë, që në kohë të lashta që ekziston, ka pasur emra të ndryshëm. A jemi pellazgë, ilirë? Gjuha jonë a është vallë drejtpërdrejt e prejardhur nga sanskritishtja, siç thonë specialistët? Unë vetëm di që ne kemi mbërritur në Ballkan para mijëvjeçarësh dhe që u shpërndamë nëpër koloni kudo në Greqi. Hidra është shqiptare. Speci është shqiptar” (f. 116-117).

Vend të veçantë u ka dhënë hartuesi i antologjisë edhe këngëve popullore shqiptare historike që kishin mbledhur disa vëzhgues francezë si Klod Foriel (1772-1844) për disa bëma gjakatare të Ali Pashës, si dhe këngëve heroike mbledhur nga Luis Jan Nepomysen Lëmersie (1771-1840). Përshkrimet mbi jetën lluksoze dhe krimet e Ali Pashës janë të shumta, por ajo që më tërhoqi ishte vlerësimi i Alfons Dë Boshamp (1767-1832) se deri ku shkonte kriminaliteti i këtij sundimtari: “Megjithatë, cilado qoftë jeta e tij (dhe mund të gjykojmë për të), cilatdo qofshin krimet me të cilat është veshur, asnjëherë Aliu, nën shembullin e tërë atyre përbindshave të Orientit, nuk ka kryer mizorira thjesht për t’u larë me gjakun e njerëzve të tij. Egërsia natyrore që kish, duket sikur ndalet në çast kur është fjala për të afërmit dhe miqtë e tij… Ai ruajti gjer në çastin e fundit atë rini të mendimit, atë shqetësim të zhurmshëm që i jep krejt jetës së tij një ngjyrë të veçantë troshitjeje furtuneske dhe romaneske” (f. 152-153).

Kjo thënie mendoj se i trondit nostalgjikët e diktatorit Hoxha, i cili u la në gjakun e njerëzve të farefisit të vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si Koçi Xoxe, Beqir Balluku, Hito Çako, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Nevzat Haznedari e shumë të tjerë, të cilët pasi i futi në rrugën e krimit dhe i shfrytëzoi mirë, i bëri therror për të mbajtur pushtetin dhe për t’ia lënë trashëgim bashkëshortes dhe Ramiz Alisë, njeriut të bindur të saj.

Duke folur për marrëdhëniet e Ali Pashës me Napoleon Bonapartin, shkrimtari i shquar Viktor Hygo ka theksuar se Aliu “është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën” (f. 159)

Të dhëna me interes për etnografinë dhe demografinë e popullit shqiptar jep Siprien Rober, profesor i slavistikës në Kolegjin e Francës, i cili sqaron se emri Alban / Albanez do të thotë “Popull i bardhë”, dhe se ky popull dikur shtrihej në pjesën më të madhe të gadishullit Ballkanik, gjë që kuptohet nga toponimi shqip që kanë shumë qytete dhe qyteza në të cilat banojnë sot sllavët dhe grekët. Madje në kohën e tij rreth vitit 1860, ai kishte parë ekzistencën e shqiptarëve në shumë fshatra në thellësi të Bosnjës, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Sipas tij, shqiptarët po përjetonin një tkurrje: “Megjithëse të shpërndarë në një territor kaq të gjerë, raca shqiptare po pakësohet dukshëm, dhe sot nuk mund të numërohen më shumë nga një milion e gjysëm shqiptarë të vërtetë në këtë tokë ku para dyzet vjetësh, nën Aliun e Janinës ushqeheshin ende dy milion vetë…” (f. 216)

Pas formimit të shtetit grek të pavarur, vëzhguesit francezë vijuan të vinin në dukje jo vetëm kontributin e shqiptarëve dhe të arbërorëve (arvanitëve, që shpesh herë i quanin dhe këta shqiptarë) për çlirimin e Greqisë, por edhe për sasinë e arbërorëve që përbënin një të katërtën e popullsisë së shtetit të ri grek, dhe për karakterin e drejtimin e tyre në jetë: “Është një racë e fortë dhe e durueshme, po aq e aftë në bujqësi sa ç’ janë helenët në tregti. Shqiptarët, popull i ngulur dhe vllehët (arumunët), popull nomad e blegtor, punojnë për të ushqyer helenët. Nuk kërkojnë ofiqe dhe nuk kanë aspak ambicie për të hyrë në zyra” (f. 211), shkruan midis tjerash anëtari i Akademisë Franceze, Edmond Abu (1828-1885) në librin e tij “Greqia bashkëkohore”. Duke shkruar për fiset mirditase, ai vë në dukje se shqiptarët e asaj krahine ruajnë më mirë zakonet e lashta: “e shpallin çiltërsisht si urrejtjen, ashtu dhe miqësinë e tyre; shumë të butë në marrëdhëniet e zakonshme, ndonëse të zymtë dhe të heshtur, ata kanë të metën që s’ dijnë të falin. Hakmarrjet e tyre janë të pamëshirshme; por në të gjitha rastet e tjerë, mëshira e tyre është e tillë sa që një familje mirditore nuk bie kurrë në skamje, ngaqë menjëherë i jepet dora dhe mëkëmbet nga fqinjët e vet” (f. 218-219).

Tërheqëse janë përshkrimet e poetit Alfons dë Lamartin (1790-1869) nxjerrë prej veprës së tij “Histori e Turqisë”, libri II-të, krerët XI-XII: “E vetmja gjë e pandryshueshme tek shqiptarët është pasioni i tyre për liri dhe lavdi (F. 298) … Sikundër thyhet, Homeri gjeti aty Akilin, Greqia Aleksandrin, turqit Skënderbeun, njerëz të së njëjtës racë, të së njëjtit gjak, të të njëjtit gjenialitet (f. 299) … Shpirti i tyre është poetik sikurse zakonet që kanë; këngët popullore, sidomos ato të periudhës heroike nën drejtimin e bashkatdhetarit Skanderbeg, të kujtojnë këngët homerike, më shumë nga këngët plogështuese të Greqisë moderne. Mpleksin, sikurse Akili, poezinë, muzikën dhe vallen me luftën” (f. 300).

Pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, vëzhgues francezë vijuan të vizitonin vendin tonë, dhe antologjisti Andrea zgjedh prej shkrimeve të tyre ato pjesë ku këta autorë dalin kundër propagandave antishqiptare: “Thuhet se shqiptari nuk e njihte dashurinë, por vetëm dëshirën. Pa dashur të përzihem në këtë çështje delikate”, shkruan Frederik Zhibert në librin e tij “Viset e Shqipërisë dhe historia e tyre” botuar më 1914, “do të japim më poshtë disa vjersha që përgënjeshtrojnë një mendim të tillë” (f. 453) dhe riprodhon një seri këngësh dashurie, dasme e vaje të krahinave të ndryshme, pra në dialekte të ndryshme të shqipes dhe në të folmen e arbëreshëve të Italisë.

Më tej, Andrea, i mirënjohur si përkthyes, ka sjellë shumë faqe nga poeti kryesor francez i dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XX Gijom Apoliner (pseudonim i Wilhelm Albert Vladimir Apollinaris 1880-1918). Ky europian me shije të lartë artistike, mik i intelektualëve më të shquar europianë të kohës, u pushtua prej shqiptarit të ditur Faik Konica. Apolineri thekson disa tipare të Faik Konicës si katolicizmin e tij, jetën familjare, erudicionin, njohjen e gjuhëve kryesore europiane dhe aziatike, zotërimin e disa veglave muzikore (f.479), e mbi të gjitha vlerëson studimin e Konicës “Esse sur le langues Naturelles et les langues artificielles” / “Ese për gjuhët natyrale dhe artificiale”, ku Pyrrhus Bardhyli (pseudonim i F. Konicës) jep dhjetë argumente kundër gjuhës artificiale ndërkombëtare pse ajo nuk mund të zëvendësonte gjuhët natyrale (f. 489), etj.

Të tilla vlerësime dhe sidomos epitetet që Apolineri i veshi Konicës “Enciklopedi e vërtetë lëvizëse” dhe “Ky Volter i Ballkanit” e intriguan studiuesin Andrea që t’i kushtonte disa vjet studimit të jetës së Faik Konicës dhe revistës së tij “Albania”, punë e cila u kurorëzua me botimin e studimit të thellë e dinjitoz “Faik Konica – Përlindësi Modern” ZENIT 2016, me 448 faqe.

Plaga që iu shkaktua Shqipërisë nga vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, kur iu shkëput më shumë se gjysma e territoreve të saj shqipfolëse, e ka shtyrë studiuesin Andrea që edhe kur gjen një mendim sado të përmbledhur për korrigjimin e këtij krimi, ai e riprodhon: “Më në fund, Shqipëria u njoh nga Fuqitë. E di fare mirë që ka dy coptime në Veri dhe në Jug, por jam e bindur që pak nga pak shqiptarët do t’i marrin të gjitha tokat e tyre” (f. 504). Këtë pjesë dhe disa të tjera, përmbledhësi i ka riprodhuar nga korrespondenca e zonjës Eliz Obri drejtuar Luigj Gurakuqit në vitet 1920-1921.

Edhe pas L2B, francezët nuk hoqën dorë nga vizitat në Shqipëri. Disa prej tyre gjetën rrugën e hyrjeve në Shqipërinë e mbyllur komuniste si marksistë-leninistë. Si të tillë, partia shtet e Shqipërisë i ftonte për vizita falas. Përmendim mes tyre politikanin Gaston Monmuso (1883-1960) ish-luftëtar i rezistencës franceze kundër nazizmit, anëtar i byrosë politike të Partisë Komuniste Franceze dhe drejtues i gazetës “La vie ouvriere”. Prej tij Andrea ka zgjedhur përshkrimin e qytetit të Gjirokastrës, një përshkrim plot ndjenja simpatie për këtë qytet të veçantë që e tërhoqi vizitorin francez (f. 566-568).

Jo të pakta janë edhe shkrimet e përzgjedhura të antologjisë nga studiues bashkëkohorë francezë që merren me lashtësinë e popullit shqiptar, si Zahari Majani, Doktor i Shkencave në Universitetin e Parisit, autor i dy librave studimorë “Etruskët filluan të flasin” dhe “Fundi i misterit etrusk”; po ashtu, Mathieu Aref agrumentuesi më i mirë i tezës se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, etj.

Veçojmë po ashtu historianin e shquar Alen Dyselie (Alain Ducellier), Doktor i Shkencave Historike për Mesjetën, specialist i Perandorisë Bizantine, prej të cilit Andrea ka zgjedhur disa faqe nga historia e Durrësit dhe Vlorës. E gjej me vend të theksoj këtu se në veprën e tij “Gjurmime shqiptare në Letrat franceze”, vëll.1, EDFA, Tiranë 2016, Fotaq Andrea ka dhënë të përkthyera dy studime të plota madhore të prof. Ducellier dhe konkretisht “Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit në shekujt XI-XII” dhe “Shqipëria, shprehje e kombit të madh e të lashtë ilir”, ku shfaqet dukshëm kontributi i rëndësishëm i këtij autori për historinë e Shqipërisë mesjatare.

Prej studiuesit francez me origjinë shqiptare Profesor Aleksandër Zotos, i shquar për shkrime, përkthime dhe hartim përmbledhjesh në frëngjisht nga proza e poezia shqipe, si dhe ajo ballkanike, Andrea ka përkthyer studimin hyrës të librit të tij “Antologji e prozës shqiptare”. Ky studiues pasi shpall, ashtu si I. Kadareja te libri “Eposi i Kreshnikëve”, se origjina e ciklit të kreshnikëve “është plotësisht shqiptare”, shkon më tej dhe thotë një të vërtetë tjetër: “Duke pohuar këtë, nuk ka pikë dyshimi se nëse shqiptarët ngulmojnë t’u njihet drejtësisht dhe plotësisht trashëgimia e tyre, këtë nuk e bëjnë për shovinizëm, as për ksenofobi ndaj dikujt” (f. 603). A. Zoto si vëzhgues i hollë ka vënë në dukje se populli shqiptar është një popull shumë krijues: “Kjo gjeni artistike e popullit shqiptar është shprehur fillimisht e sidomos nëpërmjet poezisë gojore. Pikërisht në të has fuqishëm kultin që ai i kushton së bukurës dhe jetës në atë që çka është më e ngrohtë dhe më e çmuar, lidhjen e saj me tokën stërgjyshore, marrëveshjen e fshehtë. Gjithë poezia e tij kalon nëpër këtë poezi” (f. 605-606). A. Zoto vë në dukje se shkrimi i gjuhës shqipe ka qenë dëshmuar përveç se prej kryepeshkopit të Tivarit botuar më 1332 edhe prej thënies së Skënderbeut përmendur prej Barletit si “kronikat tona” te “Historia e Skënderbeut…”.

Po kaq i saktë tregohet studiuesi Zoto edhe kur jep vlerësimet e veta për veprën e Barletit “Rrethimi i Skodrës” si lloj letrar: “Eshtë një rrëfenjë që nga vetë mënyra e të konceptuarit i paraprin në formën moderne romanit historik, me lëndë të marrë nga dokumente të vjetër në shqip dhe nga vetë përvoja që ka përjetuar Barleti, duke qenë se ka qenë i pranishëm në muret e Shkodrës gjatë tre rrethimeve të qytetit…” (f. 606).

Interesant është dhe vëzhgimi i Ksavie Dënio, politikan, Sekretar shteti, Sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Kryetar i Shoqërisë së Etnografisë së Parisit, i cili në numrin 106 të vitit 1989 të revistës “L’ Ethnographie”, numër special kushtuar Shqipërisë, theksoi midis tjerash rolin e madh të poetëve të Rilindjes sonë: “Është shkruar se Greqia moderne u krijua nga marinarë e tregtarë, atdheu shqiptar, dikur me famë në epopenë e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, u krijua nga poetët” (f. 612).

Pas ndërrimit të rregjimit, intelektualë, shkrimtarë, kritikë letrarë, studiues dhe botues gazetash e revistash franceze, vijojnë ta vizitojnë Shqipërinë dhe ta vlerësojnë atë dhe shqiptarët. Më 1993, edhe pse kishte filluar shkatërrimi i plantacioneve me agrume në Bregdet, Dominik Syrato, ingjinier gjeograf pas vizitës së parë në Shqipërinë e Jugut shkroi: “Riviera shqiptare, sunduar nga male që arrijnë 1500-2000 metra dhe që bien vende vende pothuaj thikë mbi det, është për mendimin tim, një nga brigjet më të bukura të qarkut të Mesdheut” (f. 622).

Mësimdhënës për shumë shqiptarë të sotëm që janë zhgënjyer nga korrupsioni i qeveritarëve të këtyre viteve dhe përsërisin thënien “Shqipëria s’ bëhet” është libri “Udhërrëfyes për Shqipërinë”, botuar më 1995 prej studiuesit bashkëkohor Zhilber Gard, i cili midis tjerash thekson: “Shqiptarët nuk janë një komb leckamanësh të urritur e të krisur, që lypin dyerve të Europës. Shqiptarët janë një komb me diasporë të përhershme, që gjithnjë i ka dhënë gjallëri vendeve ku kanë jetuar” (f. 625). Dhe vijon me detyrën që ky udhërrëfyes ka marrë përsipër për rivenien në vend të një padrejtësie që duket sheshit dhe përfundon duke tërhequr vëmendjen për ta futur këtë vend në Bashkimin Europian: “Shqipëria nuk vjen duarbosh, Evropa ka nevojë për Shqipërinë. Shqipëria dhe plazhet e saj të gjera, që rrahin detin me shiritat e tyre ranorë, presin vizitorë; sikurse e thotë një fjalë e urtë: ‘Shtëpia e shqiptarit është vatra e mikut dhe e udhëtarit‘” (f. 625).

Edhe më tej e shpie këtë vlerësim optimist për shqiptarët dhe Shqipërinë Moris Dryon, Ministër kulture i Francës, autor i mbi 30 veprave, kur shkruan më 1999: “Shqiptarët janë njerëz që dëshirojnë nga të tjerët t’i duan, dhe lypset që këta t’i duan, sepse vetë janë mbrekullisht të dashur, dhe jo t’i duan pavarësisht nga paradokset e tyre, por pikërisht për shkak të paradokseve të tyre” (f. 633). Më tej ai thekson se shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë historikisht, stërgjyshërit e tyre morën pjesë në Luftën e Trojës të drejtuar prej Akilit, nëna e Aleksandrit të Madh ishte princeshë nga vendi i tyre, Romës i dhanë katër perandorë, përkthyesin e ‘Biblës‘ në latinisht Shën Jeronimin, vezirë të panumërt Turqisë, Greqisë i dhanë çlironjësit e saj, Egjiptit themeluesin e shtetit modern Mohamet Aliun, etj. Populli shqiptar është popull që ka ëndrra.

Studiuesi Fotaq Andrea i ka dhënë rëndësi dhe përshkrimeve ku jepet gjendja e besimit fetar te shqiptarët, kur u kthyen në myslimanë, a i ndante besimi si komb, sa ishin besimtarë bijtë e këtij populli, etj.

Kështu prej historianit francez Zhan Klod Faverjal (1817-1893) sjell gjendjen e besimit fetar te shqiptarët e Jugut në mes të shek XVIII: “…bejlerët dhe agallarët e vendit ishin kthyer në myslimanë pikërisht për të ruajtur ndjenjat patriotike në interes të ruajtjes së pozicioneve territoriale. Kleri grek nuk u mësonte më dogmën dhe moralin e krishterë dhe kështu ata bënë vullnetarisht flijimin për një fe, tek e cila nuk kuptonin asgjë. Mirëpo interesat familjare dhe ndjenja kombëtare i bënë armiq ndaj një qeverie, së cilës, në parim nuk i ishin nënshtruar veçse për të ruajtur pronat e tyre, ose një ndikim të tyre në po këto prona” (f. 51).

Prej albanologut të mirënjohur Prof. Robert d’ Anzheli (1893-1966) janë sjellë pjesë nga libri i tij me gjashtë vëllime “L’ Enigme / Enigma” vëll IV, dhe konkretisht paragrafët ku tregohet se pushtuesit turq gjatë shekullit të parë e lanë gati të pandryshuar gjendjen administrative, ekonomike dhe atë fetare. Pas dështimit të lëvizjes kryengritëse të vitit 1612, shton ky autor: “… pasoi në Epir apo Shqipëri një periudhë presionesh të ashpra, sidomos nga ana e spahinjve të islamizuar, që ngjalli në mendjen dhe shpirtin e popullsisë një prirje të përgjithëshme për apostazinë, ose shndërrimin në islamizëm, me qëllim që t’i jepej fund vuajtjeve duke ndryshuar fenë… Popullsia myslimane, që gjer në shekullin XVII përbënte një të pestën e banorëve të krejt Epirit, ose Shqipërisë, pas këtyre kthimeve masive, mori një përhapje shumë të gjerë” (f. 56). Po ky autor vë re se në Shqipërinë e Jugut, edhe mbas viteve të Luftës së Parë Botërore, kur ai e kishte vizituar, “ekziston ende një përzjerje e çuditshme dhe karakteristike zakonesh të veçanta, qoftë në familje të krishtera, qoftë myslimane, që e bëjnë fenë e Muhametit tërësisht origjinale… Profetit Elia (Ilia) i bëhet nga ana e shqiptarëve myslimanë një nderim krejt i veçantë, dhe po ashtu, në qendrat e banuara sot nga myslimanët, ruhen ende dhe mirëmbahen edhe kishat e krishtere” (f. 56).

Gazetari, shkrimtari, historiani dhe vëzhgues i kujdesshëm, Gabriel Lui-Zharre pas dy udhëtimesh nëpër Shqipëri në vitet 1909 dhe 1913 shkroi dy libra, ku midis tjerash duke u ndalur te ndërgjegja kombëtare e shqiptarit mysliman, theksoi: “As edhe një pikë dyshimi që shqiptari mysliman është para së gjithash shqiptar” (f. 448).

Të njëjtën gjë thekson edhe Eliz Obri, veprimtare e flaktë e mbrojtjes së interesave të Shqipërisë pas Konferencës së Londrës; “Shqiptari ka një tolerancë fetare të pashembullt ndër popujt e tjerë ballkanikë, e që mund t’u shërbejë si shembull ‘klerikëve dhe antiklerikëve’ të kryeqytetit tonë…” (f. 501).

Midis personaliteteve të shquar shqiptarë të letërsisë, artit dhe shkencës që kanë vlerësuar penat e arta franceze, Fotaq Andrea i jep kryet e vendit Ismail Kadaresë, veprës së të cilit Franca i kushtoi rëndësi të madhe që me botimin e romanit “Gjeneral i ushtrisë së vdekur” dhe nuk ka pushuar as sot së përkthyeri, botuari e vlerësuari veprën e tij komplekse shumëvëllimshe.

Me këtë kujdesje për vlerësimin e veprës së Kadaresë prej botës franceze antikomuniste, Andrea u jep përgjigje gjithë atyre shqiptarëve, qofshin shkrimtarë mediokër, ose kritikucë, që nuk pushojnë së vëni në dukje disa dobësi të veprës rinore të tij, ose dobësi karakteri.

Në fund, dua të theksoj se hartuesi i kësaj antologjie ka bërë një punë të kujdesëshme edhe përsa i përket gjetjes dhe riprodhimit të shumë pikturave, disa prej të cilave janë kryevepra, si Portreti “Shqiptarja” 1872 i Kamij Koro (1796-1875) e ekspozuar në muzeun Bruklin NY, tabloja “Kalorës shqiptar” e Ezhen Delakrua (1798-1863) e ekspozuar në Muzeun e Luvrit, tabloja “Nënë Tereza” e piktorit Artur Shabani, që ruhet në fondin e veprave të artit në Vatican, disa portrete të Skënderbeut, të Marko Boçarit, portrete luftëtarësh të armatosur, tabloja “Çift shqiptarësh” e Theodor Valerio 1875, etj.

Thënë shkurt, antologjia madhore “Pena të arta franceze për shqiptarët”, e cilësuar vepër e formatit akademik, i ka dhënë përgjigje bindëse idesë se Shqipëria dhe shqiptarët vijnë nga lashtësitë e kohës me histori të pasur, me qëndresë dhe mbijetesë epike, me cilësi të larta si komb që i ka dhënë e i jep vazhdimisht bashkësisë europiane kontributin e vet të çmuar. Po ashtu, kjo vepër dëshmon dhe flet bindshëm për të ardhmen e shkëlqyer të Shqipërisë në Europën e Bashkuar, kur pengesë deri më sot në rrugën e përparimit të saj janë bërë klasat drejtuese politike që shquhen për korrupsion e politikë jo demokratike dhe kur sot shtrohet nevoja më shumë se kurrë për mënjanimin e tyre nga skena politike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fotaq Andrea, Thanas L. Gjika

Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom

June 15, 2020 by dgreca

Fotaq Andrea me Moikom Zeqon/

FOTAQ ANDREA-Strasburg/

Na iku… më iku… një Mik… një Shok…/

Ishte i veçantë, erudit si Ai, me shpirt sublim, artistik e filozofik, me bukuri fjale poetike, si një Ciceron që e bëri vargun shqip të cicërijë.

Ishte super i veçantë, kur e njeh për vite të tëra nga afër, sidomos vitet e fundit, i pamposhtur nga sëmundja, tek trupi i rreshkej, mpakej, mplakej, po mendja i rinohej, freskohej, madhështohej, me energji krijuese të pashterrshme.

Ishte tejet i veçantë, i pakapshëm, i paarritshëm, sa krijoi në poezinë moderne shqipe “tipologjinë moikomiane”, me natyrë të dyfishtë e të trefishtë metaforike, me subjekte polifonike e orkestrime harmonike të Bukurisë e Madhështisë së Fjalës Artistike.

Ishte Mendjendritur. Ishte Poet. Me lulëzim të fuqishëm botëkuptimor. Përherë i prirë drejt progresit dhe modernitetit shqiptar. Ishte me mendje të hollë plot sqimë artistike për lexues kalibri, duke thyer kornizat e provincializmit në kohë krize të përbotshme të poezisë.

  Ishte i pashtershmi shqiptar në omnishkencë, me përkushtim e angazhim intelektual e patriotik të klasit të lartë, kundër politikës politiciene të intrigave, politikës blozë, haxhiqamiliste, klanore e bajraktare. Ishte i drejtpërdrejtë në intervista të gjalla plot kritikë konstruktive, ishte Njeri i lartë i shoqërisë, i gjithënjerëzishëm, i kudo e kujdogjindshëm, me dashuri e ngrohtësi humane, që çmonte vlerën e përbuzte antivlerën.

Ishte usta i fjalës, usta i penës, që mendimin e kishte haik e ajkë, sintetik deri në përpikmëri. Luftonte me forcë shpirtërore sëmundjen organike bela-keqe në vetvete, dhe me po atë forcë shpirtërore paralizonte rreptë mendjemykurinë, meskinitetin, shpirtëzinë, lakminë, regresin. Ishte me paepuri shembullore, vullnet të kalitur prej zotash dhe frymëzim hyjnor.

Vetëm një herë e kundërshtova (Ndjesë pastë!)  kur përvuajtjen e tij fizike e kishte sintetizuar në vargjet: “Në kohë leucemike, / Me kometa të përflakura të hemoglobinës, / Në muze të kotë të Vdekjes…”. E kundërshtova gjithë dashuri, thjesht për t’i thënë me shpirt se “Vetë Jeta, vetë Jeta e tij është një muze aq i përplotë e kuptimplotë”. Dhe vijoja: “Pena tek ty, si tek rrallë kush, mposht çdo të keqe dhe është ilaçi kurativ më i mirë që të harbon në frymëzime gjeniale, në haralisje idesh dhe dehje e ngazëllim të fuqishëm jetik e jetesor, tek është kthyer lumi i kristaltë i prozës dhe i poezisë tënde në ujë jetësor (la sève), po edhe me shumë, në gjak Krishti, kur vetë zemra tënde shfaqet tanimë si kupa e artë me gjak të shenjtë” (nga letra ime drejtuar Moikomit e datës 31 janar 2017). Dhe vura re kohët e fundit, në një koment kuptimplotë personi anonim – që “pagëzonte” plot dashuri një foto të Moikomit me librin e tij në dorë – tek shprehej tekstualisht: “Shën Libri në duart e Shën Moikomit”. Nuk ka më mirë e bukur!

Kishte, vitet e fundit, diçka të veçantë tek Ai: u vinte poezive të tij vite të hershme shkrimi,  si ta prapa-shtynte bukurisht kohën me vite të arta të shkuara, si të donte të ecte së prapthi 15-20 vjet të shkuara, për t’iu drejtuar moshës së rinisë së përjetshme, moshës së artë, një rinie të dytë. Mbartnin shkrimet e tij kësisoj fuqishmëri shkëlqimi, si çdo diell që kur shpërthen përfundimisht në mbarim të jetësisë së tij 10 miliard vjeçare, shkëlqen edhe më shumë se kurrë me krejt forcën dhe energjinë e vet të brendshme. 

  Ai ishte dhe mbetet Mjeshtër i Bukurisë së Mendimit dhe Fjalës Shqipe, tek i përshtatet plot hijeshi shprehja e Viktor Hygoit “Le livre, c’est l’homme” – (Libri është vetë Njeriu). 

Po e shoqëroj këtë shkrim timin për humbjen e rëndë e të pazëvendësueshme të Njeriut Moikom – shkrim i nxjerrë nga kuintesenca e korrespondencës sime 15 vjeçare me Moikom Zeqon, dhe me duart që ende më dridhen që nga mëngjesi e zemra me shtrëngon e ligështon – me prezantimin që i bëra veprës dhe poezisë së tij në “Takimin Botëror të Poezisë” në Strasburg, nëntor 2018:  

 “Moikom shqiptari, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej – përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.

Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.

Është i përkthyer në shumë gjuhë.”

Moikom, të më falësh, që shpesh zemra më ka lëshuar e të kam qarë për së gjalli, sa herë dëgjoja në telefon zërin tënd të mekur në spital, tek më përshëndesje: “Mirëupafshim Andrea”. Më fal 1000 herë, Moikom, në përlotem. Lamtumirë Mik i shtrenjtë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Moikom Zeqo, Strasburg

19 vjet më parë- Shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit

May 31, 2020 by dgreca

Jusuf Vrioni-(16 mars 1916 – 1 qershor 2001)./

Shkruan: FOTAQ ANDREA-STRASBURG/

Ai ishte i pari, Ai ishte mbi të gjithë ne/

Është e vështirë të shkruash për mbresa dhe vite të shkuara, mbërthyer në kuadrin e tyre të caktuar historik, politik e shoqëror, ku përfshihet një pjesë e mirë e jetës sonë, sidomos vitet më të ethshme të rinisë profesionale. Është e vështirë, sepse, ndonëse nga një pikëpamje ato mund të cilësohen si “vite të humbura në marrëzi të kohës”, përsëri, pleksen në kujtesë edhe ndjenja të ngrohta, një jetë kolektive nga më kompaktet, mall e miqësi e vyer, deri në dashuri vëllazërore, kur shok e miq tashmë na mungojnë dhe kur gjithkush, nga ai kolektiv i atëhershëm përkthyesish e redaktorësh të Redaksisë së Gjuhëve të Huaja vijoi udhën e vet të fatit në jetë.  

E tillë ishte koha : kohë totalitare, sistem i ngërthyer politiko-shoqëror, ku gjallonte izolimi nga Perëndimi, lufta e klasave, militarizimi i plotë paralizues me bunkerizimin e shpirtrave, mendjeve, vetëdijës. Për fatkeqësinë tonë, si të një populli të tërë përvuajtur historikisht, ne ishim produkt i asaj kohe dhe totalitarizmi domosdo ushtrohej mbi ne me të gjitha format e veta; donim s’donim, ne ishim pjesë e tij dhe puna jonë profesionale, e detyruar dhe e kontrolluar nga lart, ishte pjesë e mbijetesës të një populli nën diktaturë, kur lypsej mençuri, maturi dhe dashuri për të jetuar jetën.

Veçse, për ata përkthyes e redaktorë të gjuhëve të huaja që përbënin numerikisht redaksinë më të madhe të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, vetë gjuha e huaj ishte si një dritare e hapur drejt botës, e mbi të gjitha drejt Perëndimit, që i “thyente” disi kornizat e indoktrimimit total dhe të izolimit totalitar për njëmijë arsye. Mbi të gjitha, sepse vetë gjuha e huaj është qytetërim e kulturë, përfaqëson shpirtin e ndritur të popullit që e flet, penën e shkëlqyer të njerëzve të mëdhenj të Letrave, që e kanë përpunuar atë në rrjedhë të Historisë. Dhe një përkthyes i mirë duhej të kapte pikërisht shpirtin e asaj gjuhe, të mendonte në të dhe të kish njohuri të gjera për lëndën që përpunonte gjatë përkthimit, pa harruar parimin kryesor të atij “zanati” nga më të vështirët, që përkthimi, mbi të gjitha, është art. Fakti është që, në mjetet e punës të përkthyesit, krahas fjalorëve të vëllimshëm gjuhësorë – te sektori i frëngjishtes ndodhej Le Grand Robert prej 6 vëllimesh shoqëruar nga Le Supplement (fjalorë këta që e shfaqin gjuhën frënge nëpërmjet një pafundësie citimesh nga autorë të ndritur për të pasqyruar kuptimin më të saktë dhe nuancën më të hollë të fjalës – mbi tryezën e punës ndodheshin edhe Fjalorët Enciklopedikë (Si Larousse, tre vëllime), ilustruar me ngjyra, ku domosdo flitej në to me gjuhën e artit, shkencës, historisë, letërsisë klasike dhe moderne. Pra, fjalorët, dhe në raste të veçanta, ajo letërsi e paktë bashkëkohore që gjenim në Lidhjen e Shkrimtarëve, përbënin njëfarësoj mjetet minimale të punës së përkthyesit. Sigurisht, nuk duhet harruar këtu tërë ajo letërsi klasike politike e përkthyer që vilej për frazeologji dhe për nuanca gjuhësore.

Por, le të hyj më mirë drejt e në kujtime, duke shmangur teorizimet e njohura në këtë fushë, shkollat e ndryshme përkthimore, ku rrugë të mundimshme kishte çelur shkolla ruse që në vitet 1920-30, tek kishte bërë emër me talentet rusë të bardhë ushqyer nga shkolla klasike frënge e Rusoit me shokë. 

Në fakt, ende pa filluar të flas për ato vite, dhe veç kur stepem në çast. Përpara më del figura e Mjeshtër Vrionit, si një ikonë. Po, po. Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu Fisnik, që nuk u thye një herë nga hallet dhe vuajtjet. Me gjak shqiptar dhe zemër franceze, ai na çeli dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe qytetërimit frëng. Mbërthehem nga emocion, nga shumë emocion dhe pesha e nostalgjisë më bllokon, më mban një hop frymën, më ndal gishtat mbi tastierë, më dretjon halën e shpinës si në një minutë heshtjeje, sa të ngopem mirë me frymë, të shfryj një “heeeeh” të zgjatë e të çlirohem nga tërë ai mall. E shoh, si të jem ndarë me Profesor Vrionin jo më larg se dje, përherë të gjallë, në lëvizje plot energji, tek vjen në zyrë çdo mëngjes rruar freskët, veshur gjithë elegancë, me kombinim këmishe, pantalloni e xhakete, me kravatë plot gusto e me frymën që i merrej pak, pasi kish ngjitur tre katet e godinës me lehtësinë sportive të kërcimit në litar. E shoh të lëshojë “bonjour”-in e tij të ngrohtë, duke i mëshuar fort rrokjes së parë, por duke ëmbëlsuar me zgjatje të r-së rrokjen dytë me atë theks parisiani. E shoh të prekë e të rregullojë alfabetikisht që në fillim Fjalorët në krye të tryezës, atë çka përfaqësonte mrekullisht Perëndimin, si të merrte që andej energjinë vitale ditore dhe, oburra! kërcitja e menjëhershme si muzikë vagneriane e gërmave të makinës së shkrimit mbi cilindrin metalik…

Përkthim, përkthim, përkthim… Redaktim; pa fund redaktim; deri në boca; mbi shtatë a tetë herë redaktim; pasandaj, korrigjim, konfrontim, stërkorigjim e stërkonfrontim; dhe tërë kjo vetëm për një tekst, për një libër, për një autor… Shkruaj me laps, hidh në makinë, fshi me gomë. Qindra faqe, mijëra faqe. Apo më konkretisht, 33 mijë faqe të botuara, kaluar shumë herë me radhë në duar nga secili anëtar i redaksisë, për njëzet e kusur vjet rresht, tek i besojmë humorit të hollë të Mjeshtrit të Madh të përthimit Zef Simoni. Shtereshin kështu gjer në fund energjitë, kapacitetet, talentet, dhe vetë institucioni i lartë i punës shtrydhte pikën e tij të fundit, kur dita efektive e punës shkonte deri në 14 orë, sidomos në valë “aksionesh” që pasoheshin pandalshëm si valë deti. O tempora o mores! Ishte si një industri e tërë përkthimi, sidomos kur grupoheshin gjithandej përkthyes, redaktorë e daktilografë në tetë a dhjetë gjuhë të huaja në SHQUP, ardhur nga Radio Tirana, ATSH-ja, 8 Nëntori, etj., mbi pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vetë, e kur kërcisnin, taratata, makinat e shkrimit në garë, për të përkthyer urgjentisht, e me stap mbi kokë (me roje te dera hyrëse) materiale “top sekret”, si në një kantier e bunker përkthimi…

Dhe ja ku përsëri, përpara më shfaqet Jusufi tek i fluturojnë gishtat mbi tastierë, tek i renditen papushim rreshtat e përkthyer, paragrafët, faqet, njëzet e pesë faqe përkthim në ditë, një normë përkthimore rekord, e barabartë me normën ditore të daktilografimit. 

Po se mos veç kaq. Ashtu si në rininë e tij të hershme, kur ishte kampion tenisi dubël dhe lojtar në hokej mbi akull i ekipit kombëtar francez Sélection de Paris në vitet 1932-1933 (oh! ç’kënaqësi për mua kur gjeta emrin e tij te disa numra të revistës frënge Neige et Glace, mes patinatorëve Thomas, Bottenheim e Belanger), ai mbeti kampion në artin e përkthimit letrar, tek çau i pari në Perëndim, që në vitet 60, rrugën e Letrave shqipe me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë. Si një argjendpunues i vërtetë anonim, e punoi dhe e përpunoi variantin frëngjisht disa herë me radhë, tek nxori nga duart një stoli të rrallë përkthimi nga më intrigueset për Perëndimin, një rubin vetëtitës që do merrej për bazë përkthimi në shumë gjuhë të huaja jo vetëm i asaj vepre, por edhe i krejt veprës pasuese të shkrimtarit të madh shqiptar.  

Pak, shumë pak, fliste Profesori për vete, për punën e tij jashtë zyrës, e sidomos për vitet e tij të shkuara, të lumtura a të përvuajtura. Të lumtura, në ato vite 30 shtrausiane të cilësuara  “années folles”, që sikur paralajmëronin furtunën e luftës së dytë botërore dhe tërë atë periudhë të gjatë të vuajtjes në tortura e izolim që do pasonte për vetë Jusufin tonë, intelektualin e klasit të parë me disa diploma në xhep dhe me shpirt rinor sportiv, të cilin e ruajti tërë jetën. 

Më kujtohet si sot kur na fliste tepër i kursyer, shkarazi, për garat e rinisë së tij të hershme në slalomin gjigand alpeve franco-zviceriane, për Chamonix-in, për ndeshjet e tenisit dhe mini-kampionatet gjatë viteve 1945-46 te Shallvaret në Tiranë, dhe kur të ardhurat modeste që vinin nga spektakli i atyre ndeshjeve shkonin të gjitha në favor të viktimave të luftës dhe të bonjakëve. 

Rezervohej, ruhej, druhej, i gjori Profesori ynë, të fliste për të shkuarën, për më tepër se mos keqinterpretohej, i rrahur me vaj e me uthull siç ishte, e mbi të gjitha, nuhatës i finesës kuptimore të fjalëve, i ambivalencës semantike e sidomos i vetë tipave e karaktereve që e rrethonin në lagje e kudo. Sepse e dinte më së miri që gjuha e ligë kocka s’ka, por kocka thyen. Andaj dhe ishte i kursyer shumë në fjalë, kur spiunllëku e keqdashësia vepronin sheshazi e skuthazi, dhe kur te Naim Frashëri arrestoheshin brutalisht përkthyes e redaktorë thjesht “për të dhënë shembullin”, me mesazhin: “Mos na lëvizni bishtin!” Madje edhe kur donte të pohonte diçka pozitive nga përvoja e tij e pasur, sidomos profesionale, Jusufi i dashur e fillonte fjalinë me një shprehje të bukur në frëngjisht që, si shumë të tjera, më është ngulur në mendje: Sans fausse modestie, je dois dire que (pa modesti të shtirur, me duhet të them që). 

Nuk është një fjalë goje të thuash: Jusufi ishte shkollë për ne, ishte profesori ynë. Tek kishte moto të tij Stili është vetë njeriu, ai ishte i prirë jo thjesht pas përkthimit të saktë, por sidomos pas elegancës gjuhësore, pas bukurisë së frëngjishtes, duke pasur parasysh sa postulatin “Traduttore, traditore” që në çdo çast të merrte keqas në qafë, aq edhe “postulatin e tij personal”, në kushte të reja të fatit në jetë, “je traduis, donc je vis” (përkthej, pra jetoj). 

Në fakt, pa kurrfarë emfaze, lypset të them se në përkthimin që Profesori nxirrte nga dora,  kishte krijimtari, dozuar bukur, si mjeshtër i lidhjes së fjalëve plot zhdërvjelltësi; kishte krijimtari edhe kur një lëndë shterpë dhe e ngurtë, me varfëri ideore, ai e bënte të shfaqej bukurisht shterpë dhe bukurisht të ngurtë e të thatë. Me mjeshtëri të rrallë e lëmonte fjalinë, hiqte të tepërtat e saj, (e zbuste llafollogjinë), duke mos harruar një çast se në gjuhë nuk ka sinonimi absolute a papërkthyeshmëri, por ka transpozim ideor përmes pengesash gjuhësore që duhen kapërcyer artistikisht bukur, apo “sportivisht” të themi, në mënyrën e tij jusufiane. Qëllonte shpesh që teksti shqip, politik e letrar, shfaqte, veç ngurtësisë ideore, edhe një ftohtësi artistike, një varfëri e monotoni leksikore, me stil të rëndë a të rëndomtë (na kishte qëlluar të lexonim shqip në një faqe dialogu intensiv letrar deri në dymbëdhjetë herë fjalën “tha”, “tha ai, thashë unë” etj). Po Jusufi, me kurajo profesionale e guxim krijues, e bënte tekstin e përkthyer të këndshëm, duke përdorur aq bukur në frëngjisht të barasvlefshmit e foljes “tha” në format: “u përgjigj”, ‘ia pati”, “ia priti”, “ia ktheu”, “ia preu”, etj. tek shfaqte kësisoj vetë gjendjen emocionale të personazheve në dialog. Në këtë drejtim, në ato vite 70, dhe në atë nivel të caktuar përpunimi që kishte arritur gjuha dhe sidomos letërsia shqipe, Jusufi jep shembullin e përmirësimit dhe të përsosjes së vetë stilistikës shqipe, si ta tërhiqte nga lart, ta “kapte për leshrash”, për ta zhdërvjelltësuar gjuhën e shkruar shqipe. Dhe nuk do ta teproja po të thosha se mjaft shkrimtarë, me përkthimin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe të Lettres albanaisesmësuan pikërisht në shkollën e tij si të shpreheshin shqip me elegancë, dhe jo thjesht e vetëm me figura letrare.   

Kishte Profesori një gjë tepër të veçantë: i konsultonte fjalorët shumë më shpesh nga ne, dhe pa kurrfarë përtese; madje i shfletonte me mjaft kënaqësi, edhe pse koha kishte për të një vlerë të veçantë, kur darkave gjer vonë e prisnin përherë përkthimet letrare e shkencore. Vazhdimisht na e këshillonte këtë praktikë edhe neve, që përtonim pakëz, përderisa vetë fjalorin e gjallë, Jusufin, e kishim para syve, një metër larg, “fjalor” që na joshte e na përshtatej për bukuri, sepse përgjigjen e pyetjes sonë, ai e kishte përherë të gatshme, në majë të gjuhës. Dhe jo një, por dy-tre përgjigje radhazi sipas kontekstit të fjalës a shprehjes.  

Po kishte Profesori edhe një teknikë mahnitëse të përdorimit të vetë fjalorit: brenda dy sekondash, e çelte vëllimin te germa e parë e fjalës që kërkonte; me dy-tre fluturime të shpejta të faqeve që ritmoheshin një pas një nga gishti i madh, binte shi te fjala që hulumtonte; dhe pasandaj, me një rrëshqitje të shpejtë të tre gishtave të mesit të bashkuara, kërkonte me vështrim përthithës kolonave të gjata shpjeguese nuancën që donte, në morinë e germave të vogla, duke ditur paraprakisht se çfarë konkretisht po gjurmonte. E tëra nuk zgjaste më shumë se 15-20 sekonda, dhe hop, fjalori i trashë mbyllej me një përplasje të lehtë, e në çast renditej në etazherin e tij të vogël. Ishte një proces hulumtimi si të kërkonte të rizgjonte në kujtesë, falë ngacmimeve shpjeguese terminologjike, pikërisht atë çka kishte ditur shumë më parë, por fashitur. Dhe kishte të drejtë kur na thosh: “Një gjë që nuk e di, s’ke si ta gjesh në fjalor. Fjalori është thjesht për të vërtetuar diçka që e ke me dyshim”. Ja pse e pikaste me shpejtësi atë për të cilën ngulmonte, aq sa kishte raste kur e dinte paraprakisht edhe vendin e shpjegimit të nuancës në tërë atë piko fjalor, gjë që fliste për një memorie të rrallë e të gjallë vizuale. Dhe nëse Profesori na rekomandonte ne të rinjve konsultimin e shpeshtë të fjalorit, kjo sepse, duke ngulmuar për atë që donim të gjenim, do të ishim të detyruar të lexonim edhe shpjegime të tjera shtojcë. Kësisoj, drejtpërdrejt a tërthorazi, nën shembullin e Mjeshtrit, hidhte rrënjë të thella te ne të rinjtë profesionalizmi dhe vinte duke u zgjeruar diapazoni ynë gjuhësor e kulturor. 

Puna me fjalorët ishte njëra anë e medaljes, ana tjetër ishte puna me skedat gjë që, me thënë të drejtën, me gjithë ngulmimet e drejtuesve, neglizhohej, na dukej si punë angari. Fakti është që, nën kujdesin e Jusufit, ishte ndërtuar një lloj skedari në sektorin e frëngjishtes nga Rajmonda Vuçini, veterania e sektorit, përkthyese e zonja, gjithë gjallëri e energji, vetë motori ndërsektorial i frymës së shëndoshë kolektive të redaksisë. Kishte në ato skedina mori shprehjesh frazeologjike të vështira, proverba shqipe me të barasvlefshmet e tyre frëngjisht, terma të rrallë, nuanca semantike e ndonjëherë edhe struktura të bukura stilistikore në frëngjisht. 

Por çka dua të vë këtu në dukje është se shpesh Jusufi, kur konsultonte letërsi franceze – politike a artistike qoftë -, me një lexim të mahnitshëm gati vertikal, dinte të pikaste pikërisht një shprehje të veçantë, një strukturë të bukur gramatikore, një elegancë gjuhësore. Dhe atëherë nuk mungonte të vendoste në margjinë diezisin e tij të famshëm #, për të tërhequr vëmendjen, një zakon që unë vetë e kam ruajtur prej tij, krahas shkurtimit nb (nota bene) me atë vizimin e tij të lehtë me laps, anash.

Nga ana tjetër, kishte në përkthimin e Mjeshtrit një siguri dhe një përgjegjësi të plotë për atë që nxirrte nga dora. Shpesh e dëgjonim, të mahnitur, tek e lexonte me zë të ulët tekstin që kishte përkthyer ai vetë, sidomos kur bëhej fjalë për tekste letrare, konkretisht për përshkrime peizazhesh a portretesh, apo për dialogë intensivë me tonalitet të lartë dramatik. E lexonte tekstin me zërin e tij murmuritës, për të ndjerë me veshë bukurinë muzikore të rrjedhshmërisë në frëngjisht, ritmikën e rreshtimit të fjalëve në fjali, dhe në çast ndalej kur një term nuk ishte në vendin e vet; shpejt e korrigjonte dhe rifillonte sërish leximin; ndalej përsëri, për të vënë një presje të shpejtë, presjen e famshme jusufiane, aq elegante, dhe që hapi aq telashe meskine kur vuri me guxim në kopertinë titullin frëngjisht “l’Eurocommunisme, c’est de l’anticommunisme”, sipas modelit prudonian “La propriété, c’est le vol”. Po për këtë histori, me sa më kujtohet, ka folur edhe ai vetë në librin e tij Kujtimet e një europiani, libër gjithë përkorë e modesti jusufiane.      

Veçse ia vlen këtu të përmend një episod të veçantë, tepër domethënës. Me rastin e një turneu jashtë shtetit të Ansamblit të Këngëve e Valleve, P.K., që e njihte disi Profesorin, i jep një tekst të përkthyer në frëngjisht që do botohej si fletëpalosje (historiku i shkurtër i Ansamblit) dhe i thotë: “Hidhi një sy, do paguhesh”. Aq u desh që Profesori të shpërthente: “E çfarë do të thotë “hidhi një sy”? Që t’i jap një të lexuar e shko tutje? Kaq të sigurt jeni për përkthimin që keni bërë? Atëherë, pse ma jepni mua? Po qe për të më paguar, ja ku po ju paguaj unë ju, më parë, dhe shkoni gjeni një përkthyes tjetër që t’i “hedhë një sy”. Jo, kjo punë s’bëhet në këmbë. Ose do ulem e ta punoj, ose gjeni një tjetër, dhe e paguaj unë”. I zënë ngushtë, tjetri u përligj se “nuk kishin kohë, se ishin në minutë të fundit dhe se priste shtypshkronja”, ashtu sikurse ndodh gjithmonë te ne edhe sot e kësaj dite kur gjërat bëhen alla shqiptarçe. 

Ndonëse ky episod më bën të vë edhe sot buzën në gaz për fuqinë e arsyetimit të Jusufit, që e kapte shpesh mat, me logjikë të shëndoshë, bashkëbiseduesin kur e kundërshtonte, ka në të dy elementë për t’u vënë në dukje: së pari, mendimi “po e pa Jusufi përkthimin, e ka parë Perëndia”, domethënë po vuri dorë ai, është siguria dhe përsosmëria vetë; së dyti, mendimi “ç’e ka Jusufi një përkthim, është kaq i shpejtë dhe kaq i saktë, sa ta jep “llokum” në dorë”. E vërteta  e thjeshtë është se ai kishte edhe shpejtësi, edhe saktësi, pikërisht atë çka përbën një tipar gjeniu. Po ama, vullneti dhe këmbëngulja e tij për të arritur më të mirën e mundshme ishin vërtet për t’u admiruar. Ngulmonte për të bukurën përherë i pakënaqur nga vetja, tek e ripunonte një tekst si ta qendiste, dhe variantet përkthimore vinin valë-valë te ai, gjer te bocat e shtypshkronjës. Aq sa u qiste “telashe” linotipistëve të papërtuar, duarartit Gjergji me shokë, faqosëses së qeshur Lejla me shoqe. Dhe një gjë mësuam më së miri në shkollën e tij: bocat ishin pasqyra e vërtetë e librit, përpjekja e fundit dhe përfundimtare për të arritur maksimalen (gjithnjë të mundshme), si vetë ajo provë gjenerale për një shfaqje të suksesshme. Andaj dhe u bëmë mjeshtër të lexonim në shtypshkronjë paragrafë të tërë së prapthi, nga fundi në fillim të rreshtave, drejt e në plumb, qoftë gjatë radhimit, qoftë gjatë faqosjes, madje të pikasnim në çast gabimin tipografik, makar një spacio tepër. 

Nga puna në shtypshkronjë atyre viteve, më kujtohet një pasdite vonë kur përgjegjës Stathi më thërret në kthinën e tij për të më dhënë fashikuj në frëngjisht dhe, në prani të Shqipes, një grua e fortë dhe e zonja në profesion, më pyet me zërin e tij të ngrohtë por të trashë, si t’i gërryente honinë e grykës: “Si e shpjegon ti që Jusufi bën gjithë këto ndryshime në boca? Pse s’i keni bërë më parë korrigjimet, po i lini për t’i bërë këtu te ne? Na e keni bërë gjithë punën çorap! Kaq të pazotë jeni?” I zënë në “faj”, për më tepër që duart e buavitura dhjamore të Stathit po më tmerronin me ato plagë gjak të psoriazisit që i kishte shkaktuar rrezatimi i plumbit për 30 vjet në shtypshkronjë, u mundova të shpjegoj se të bësh ndryshime papushim – jo vetëm në përkthim, por edhe në shqip – nuk është paaftësi, përkundrazi, është zotësi, aftësi që tregon se përsosja s’ka të sosur. Dhe kjo arrihet vetëm kur ke njohje të thellë të gjuhës dhe të profesionit. Pasandaj u ripërsërita shprehjen e Zaferit kur thosh: “Bocat janë si ai thesi i zbrazur i miellit, që shkunde sa të duash, prapë miell do qisë”. Zaferi, në mos gaboj, ishte pinjoll i familjes fisnike të Vila-Frashëllinjve me emër, një burrë elegant tek të gjashtëdhjetat, simpatik e me mustak të bardhë, mik i hershëm i Jusufit, që korigjonte e konfrontonte bocat me të ëmblën Eli, e cila do martohej më pas me kolegun dhe mikun tim aq të mirë e të zotë Eqerem Mete. Zaferi, me humor të hollë, të cilin e mbulonte me një pamje serioze prej babaxhani, çdo qui të shpeshtë të frëngjishtes e shqiptonte shkarazi gjatë konfrontimit në mënyrën e vjetër dialektore të shqipes qi, dhe ne mezi mbanim buzëqeshjen, edhe pse ai gjoja vërenjtej e rrudhosej si për të na thënë: “Po ju, ç’keni, pse zgërdhiheni?”

Po le t’i rikthehem Mjeshtrit, pa u hallakatur kujtimeve. Eh, Jusuf përsosmëria! Sa do desha sot, o Zot, të më binte në dorë një faqe daktilografimi mbushur me redaktime jusufiane, një tekst krejt të nxirë nga portamina e tij, ku formohej ajo perla e përsosur përkthimore brenda guaskës së vet të nxirë! E ta merrja atë faqe daktilografike ta vija në kornizë që ta kisha përherë të shenjtë para syve, si hajmali përkthimi!

E vërteta e thjeshtë është që unë vetë mësova të përkthej thjesht nga korrigjimet e Jusufit. Qindra, mijëra faqe të redaktuara, të nxira krejt nga dora e Mjeshtrit, më është dashur t’i kaloja në makinë ato vite të para pune, të dekriptoja shkrimin e tij të imët si ata murgjit mesjetarë që kopjonin e rikopjonin tërë jetën tekstet e shenjta. Falë asaj pune të dorës së dytë, të dorës së tretë, të korrektorit letrar a teknik, punë disi “bedeli”, por sidomos falë punës intensive gjatë netëve të tëra në shtypshkronjë, në prani të Mjeshtrit, do mund të ecja fillimisht këmbadorazi profesionalisht, për t’u ngritur shpejt e me siguri në këmbë. Sepse, përmes varianteve të njëpasnjëshme gjuhësore të Jusufit, do pikasja forcën, saktësinë dhe bukurinë e veçantë të përkthimit të tij. 

Ja një episod tjetër i atyre viteve, përsëri aq domethënës (dhe episode të tilla do thoja, kam plot, që do t’ia vlente një ditë t’i hidhja në letër). Kërkohej nga lart, aty nga mesi i viteve tetëdhjetë, një listë shprehjesh të vështira në shqip për çdo botim, për të ditur se si ishin përkthyer ato në gjuhë të huaj, e në radhë të parë në frëngjisht. Ishin shprehje të tipit “bëj be e rrufe” (jurer les grands dieux), “nxis urat” (jeter de l’huile au feu), “t’i rikthehet copa në diell”” (regagner sa place au soleil), “mbërritën si kofini pas të vjelave” (ils arrivèrent comme la moutarde après le dîner), e plot të tilla, që për fat të mirë i kam ruajtur. Dhe ja ku shfaqet në shqip, si shprehje e vështirë për përkthim, shprehja “të shtrëngojmë rripin”. Dhe Mjeshtër Vrioni që e përkthen bukur: serrer la ceinture d’un cran (të shtrëngojmë rripin një vrimë). Po pyetja drejtpërdrejt nga lart në margjinaturë të fletës daktilografike ngulmonte: “përse një vrimë?” I sikletosur për të dhënë përgjigje, Profesori vjen e më takon në shtëpi (sa kënaqësi për time më kur e përshëndeste ëmbël: “mirëdita Zonjë!”, ndërkohë që fjala “Zonjë” ishte zhvlerësuar krejt në thelbin e vet të fisnikërisë). Dhe më “qahet”: “Fotaq, të lutem, një a dy vrima, zgjidhe këtë muhabet ti vetë, po unë kam dashur të japë idenë e sakrificës, se të shtrëngosh rripin gjer në fund të barkut është si të bësh hara-kiri.” Ia ktheva me buzëqeshje, ëmbëlsi e mirëkuptim, e qetësova tek folëm gjatë në dhomën time modeste që ai e pëlqente, ku mbisundonte një bibliotekë faqe muri me serinë e librave klasikë të Garnier Flammarion. E sigurova plotësisht se do bëhej siç e kishte përkthyer ai. Dhe ashtu ndodhi: profesori im i dashur u çlirua edhe nga ai siklet!…  

Vihej re përgjithësisht një dallim midis intelektualëve shqiptarë të formuar në Perëndim para çlirimit dhe atyre të formuar në ish Bashkimin Sovietik, dallim që e kanë pasqyruar në librin e tyre 57, Boulevard Stalin, Paris, 1990 edhe çifti i pedagogëve frëngj në Shqipëri  në atë kohë Elisabeth e Jean Pierre Champseix: intelektualët e grupit të parë shfaqeshin më sportivë, më elegantë në trup, më “bons viveurs”. (Ja ku po ndesh këtu në vështirësi përkthimi shqip. Jo, kjo shprehje nuk është thjesht në kuptimin “qejflinj”, siç e jep Prof.Vedati në Fjalor, me njëfarë konotacioni negativ që e ka vetë shqipja; një “bon viveur” a një “bon vivant” (le të kujtojmë që nuk ka sinonimi absolute!) është përherë një njeri me humor të gëzueshëm, që shijon kënaqësitë e jetës, pa shpërdorime, është pra një njeri i dashuruar pas vetë artit të të jetuarit – pikërisht kjo që na ka munguar historikisht.)

Pra, në atë grup intelektualësh të shquar, nga të parët që kanë bërë me biçikletë itinerarin Tiranë-Durrës (plazh) gjatë sezonit të verës kanë qenë Petro Zheji, Sherif Delvina, Dhimitri Pilika, vëllezërit Kokona, Jusuf Vrioni, Riko Konica, Zafer Vila, etj. Shpirti i tyre sportiv shfaqej në tërë format dhe natyra (det, mal, pyje, rërë, liqen, diell) mbetej burim i pashtershëm për energji jetësore. 

Dhe ja ku aty nga fundi i viteve 70, Jusufi më kërkon një ditë qershori, me shumë drojë, në mund të flija netëve në shtëpinë e tij për nja dy javë gjatë verës, si për t’i  ruajtur shtëpinë, kur vetë do shkonte familjarisht në plazh të Durrësit. Pa e vrarë shumë mendjen dhe nisur nga adhurimi që kisha për të, i premtova, dhe ashtu bëra: fjeta në shtëpinë e Profesorit dhe mbrëmjet e gjata i kaloja në kabinetin e tij të vogël të punës, ulur në tryezën e punës të Mjeshtrit, duke shfletuar libra nga etazheri i tij i vogël me pesë rafte, e sidomos fjalorë të vyer që ndodheshin të rreshtuar në të. Më është ngulur në mendje që nga ajo kohë një fjalor analogjik i trashë, një fjalor i vështirësive gramatikore, një manual për pastërtinë e gjuhës frënge (me përshtatje të foljes dhe emrit), libra këto të vjetër, ashtu sikurse edhe ca vizatime në format të vogël, me fletë të zverdhura nga koha e me korniza të holla metalike varur në murin e sallonit të pritjes mbi një tryezë të madhe që, vërtet ishin antikuare, por flisnin për luks të dikurshëm dhe për dhuratë të vyer. Dhe një ditë prej ditësh, kur unë “bëja roje” në shtëpinë e vogël dykatëshe të prof. Vrionit, venë e i thonë tim eti, duke i fryrë gjërat, se “yt bir shkon në shtëpinë e filanit, se kështu e ashtu”, për ta tmerruar. I qetë, im atë jep përgjigjen: “Po mirë, ai bën punë të nderuar, e dini ju?” Dhe andralla, për fat të mirë, u mbyll me aq. 

Flet me hollësi Profesori te libri i tij Kujtimet e një Europiani për atë ditë gushti 1984 kur në moshën 68 vjeçare i ra infarkt në plazh në 30° C (u fol se kishte luajtur volejboll me një grup të rinjsh dhe se, më pas, kish bërë me not pash 100 metrat e tij të përditshme.) Vetë Jusufi e përshkruan me detaje dhe gjithë dramaticitet atë shuarje graduale të pulsit dhe atë “ikje” të mjegullt lehtake, si një “ngritje” e ngadaltë në ajër e trupit të tij, me atë pëshpëritje e lutje të fundit në buzë: “më lini, mos më ngacmoni, më lini të ikë kështu”, apo siç shprehet ai vetë mrekullisht bukur në libër: “më lini t’i bëj reverencën e fundit kësaj jete”. 

Edhe sot e kësaj dite, Sherif Delvina, miku dhe adhuruesi im, më kujton herë-herë, me atë të folur të tij elegante e të gjallë prej poeti, se si ia kishte përshkruar skenën e infarktit vetë Jusufi në shtratin e reanimacionit, ku nuk mbeti shok e mik pa i vajtur në spital. “Isha – kujton Sherifi fjalët e Jusufit -, si në një ëndërr të bukur. Ah! Ajo re e trëndafiltë që po më merrte me vete, po më çonte përpjetë, aq ëmbël, puhizë e vërtetë qiellore. Sa e desha, sa e kërkoja një ëmbëlsi të tillë, një fund të tillë, një shpërblim të tillë, pa pikë vuajtje!”…

Por flet me adhurim Profesori te libri i tij jetëshkrimor edhe për dy miqtë e tij të dashur të punës: lopata, në vitet e prangosjes së lirisë së tij dhe makina e shkrimit Triumf, me të cilën triumfoi betejave të vështira të përkthimit. Dhe më kujtohet fare mirë ajo ditë kur mbollëm pemë kolektivisht në kopshtin e vogël para godinës së Shtëpisë Botuese: ca shkurraje gjelbrane si gardh përgjatë trotuarit dhe disa ligustra me trung të brishtë e të shtrembër, përkrah dy pishave të larta të hershme, njëra prej të cilave ekziston edhe sot e kësaj dite. Admirova atë ditë mënyrën si e manipulonte mjeshtërisht lopatën Jusufi, tek e mbushte me dhé pa sforcim, me një ritmikë të rregullt, dhe tek kalonte lehtë majën e gjuhës në buzën e poshtme, si për ta njomur, tepër i përqendruar e serioz, si t’i jepte jetë pemës nga vetvetja, nga djersa e tij. 

Sot, pas kaq vjetësh, sa herë që më bie rruga të kaloj nga ish Shtëpitë Botuese, nuk përmbahem pa u ndalur një hop me admirim përpara të vetmes ligustër që ka mbetur aty, pa kaluar dorën përgjatë trungut të saj dhe pishës së lartë, tek i përkëdhel lehtë si për të përshëndetur tërë atë plejadë përkthyesish, redaktorësh, korrektorësh, tërë atë kolektiv që gjallonte e gumëzhinte në atë godinë për vite të tëra, me ato mbrëmje vallëzimi “Te Xhaja” dhe fytyra të qeshura që më janë skalitur në mendje. Pikërisht, në një nga ato mbrëmje, më 1981, me rastin e 65 vjetorit të lindjes së tij, pata fatin dhe nderin t’i vendosja në gjoks Mjeshtrit një dekoratë (Urdhërin Naim Frashëri) dhe duart po më dridheshin nga emocionet. Nuk po arrija dot të mbërtheja nga pas telin e sertë me majë të dekoratës, dhe një çast u shpova në gisht. Tek pa pikëzën e gjakut në gishtin tim, i emocionuar sa dhe unë, Jusufi më pëshpëriti në vesh, me një buzëqeshje të ëmbël, nga ato që shkëmbenim shpesh me shumë domethënie: “U la me gjak edhe kjo punë, mon cher”. 

Vite më vonë, me ardhjen e demokracisë, u takova me Jusufin kur drejtonte Komitetin shqiptar të Helsinkit për të drejtat e njeriut. U interesua me se merresha, më këshilloi të mos hiqja dorë nga përkthimi, duke më përmendur përvojën e fituar. Më pas, do takoheshim në Pallatin e Europës në Strasburg në maj 1998, do admironim bashkërisht statujën e Poseidonit në lëndinën përpara Këshillit të Europës, ku më shpjegoi gjithë finesë të pazakontë se “statuja origjinale me siguri duhet të ketë pasur edhe heshtën tredhëmbore, përderisa dora e djathtë e statujës është mbledhur rrumbullak, si të mbajë diçka, dhe kur krejt pozicioni i saj është ai i një heshtari”. Shëtitëm krah për krah të lidhur, nën një diell të rrallë pranveror alzasian, ku vozisnin në ajër një çiflt lejlekësh të Parkut të Oranzhërisë dhe ndjehesha i lumtur, fatlum që vazhdoja të kisha përkrah Mjeshtër Jusufin. 

Ruaj nga ai takim, si kujtim të çmuar, një fotografi me të në holin qendror të Këshillit të Europës, ku në mes kemi vënë Meritën, time shoqe. Por kujtimin më të vyer nga Profesori kam pikërisht librin e tij me autograf, ku më përshëndet Frater – Paternellement (Vllazërisht e Atërisht) atë nëntor 1998.

Vite më pas (2007), i kushtova Mjeshtrit antologjinë time Pena të arta franceze për shqiptarët, me rreth 150 autorë, duke e mbyllur vëllimin me kapitullin “Shkrime rreth jetës dhe veprës së Jsuf Vrionit” nga miqtë e tij francezë, Eric Faye, Jacques Lang, Marc Semo, Vincent Hugeux, Alain Salles, Yves Mabin, etj. Dhe, ashtu si në vëllim, po e mbyll edhe këtë shkrim për Mjeshtrin dhe Profesorin e nderuar me përshëndetjen tonë, të përditshme e të përhershme: “Bonjour Jusuf”. 

*(botuar në librin “Përkthimi një histori pasioni”, nga prof. Eshref Ymeri)

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, Jusuf Vrioni

« Faleminderit miq shqiptarë » !

May 1, 2020 by dgreca

NGA FOTAQ ANDREA-STRASBURG/

Është ky titulli i një punimi vizatimor, realizuar këto ditë nga artisti i shquar italian Fabio Vettore, të cilin ai e konkretizoi me shumë dashuri e mirënjohje në përgjigje të vatjes së mjekëve shqiptarë në Itali (mars 2020) për të luftuar pandeminë në rajonet veriore të Italisë  më të prekura nga kovid19.

Ky grafist e ilustrator, që prej 40 vjetësh ka në qendër të veprave të tij në gjini të ndryshme artistike, “botën simbolike të thneglave”, të cilën e has kudo, në krejt apsektet e mjediseve njerëzore e natyrore, në mal, det, qytete, monumente, e ku nuk tjetër, për të përcjellë, shpesh me humor e stil të zhdërvjelltë krijues një mendim, një reflektim, një opinion, një përfytyrim. Shpaloset kësisoj bota e pasur e “Le formiche di Fabio Vettore-s”, të palodhshmet milingona të njëmimjë e një zanateve, si simbolikë e fuqishme e ndjenjës së punës, organizimit dhe solidaritetit. Bota njerëzore nëpërmjet botës së mizave të dheut, ja karakteristika stilistikore e Fabio Vettore-s që shumëfishon apo më mirë i mizëron personazhet e tij në një kuadër apo skenë të jetës njerëzore, duke përcjellë një mesazh konkret, duke shfaqur madje edhe një ndjenjë falë stilizimit të thneglave të veta me dy pika sy të gjallë, me dy duar e dy këmbka karthi fijekëputur, futur në allasoj “potinash” të rënda për t’u gjendur kudo, me ato njolla të zeza në noçkë të fytyrës, në bark e trup, tre elementët përbërës sferikë, harmonizuar e lidhur si me fije “çeliku” dhe po të brishtë, të mizave punëtore.   

Në veprën “Faleminderit miq shqiptarë” sheh gjallërisht gjithçka: entuziazmin e nisjes për ndihmë të “milingonave mjeke”nga qendra e njohur e kryeqytetit shqiptar, një buzëdet Adriatiku ku shtrihet Shqipëria bashkëngjitur me rajonin verior të gadishullit Apenin të Italisë, ku nuk mungon për së largu e për së afërmi njëkohësisht mikëpritja e fatkeqëve italianë mbërthyer rëndë nga pandemia, tre autombulanca si simbole të gjendjes së rëndë pandemike në shtetin fqinj, flamuj e simbole zemrash fluturake, sa solidarizuese aq edhe miqësore, po ku enden tepër rrezikshëm rreth-rreth vetë simbolet toptha të koronavirusit të hopshëm e të hovshëm në gjurmim të llahtarshëm e fatal për të mbërthyer ku të mundë viktima e therorë. Skenë e përplotë, dramatike e festive njëkohësisht, për të shënuar një çast të veçantë historik, atë solidaritet të fuqishëm falë ndihmës fisnike plot bujari nga ana e popullit shqiptar për popullin vëlla italian në ditët më të këqija të tij.

Faleminderit Z. Vettore që përjetësuar bukur e tepër simbolikisht këtë çast të rrallë e të veçantë historik. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fabio Vettore, Fotaq Andrea

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT