• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët e Amerikës

June 4, 2016 by dgreca

VOTA SHQIPTARE MUND TA KUALIFIKOJE Serena Buçaj SI MISS USA 2016/

  BIJËS SONË SERENA BUÇAJ, PRINCESHË SHQIPTARE E BUKURISË, QË DI TË RENDË ME HAP SHTOJZOVALLEJE/

– Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët/

Nga Fotaq Andrea/

E dashur Miss Serena, bija-motra jonë,/

Në këto ditë të shënuara për ty e për gjithë shqiptarët, kur po votohet Miss USA 2016, më lejo të të dërgoj – si kurorë nga Panteoni i lashtë i bukurisë shqiptare – këto fjalë zemre për t’u ngrohur dhe ndjerë edhe më krenare, për t’i dhënë edhe më shumë hir e nur bukurisë tënde vezulluese me aureolë agimesh të bjeshkëve të dheut tonë.

Me të drejtë Beqir Sina të pagëzoi “Princeshë shqiptare e bukurisë”, kur je shpallur tashmë “Miss Bukuria” e New Yorkut dhe kur po konkurron denjësisht për më tej. Më lejo me këtë rast të të kujtoj se Gjeniu shqiptar Faik Konica, një ndër etërit themelues të Shoqërisë “Vatra” – e cila sot drejtohet plot patriotizëm e përkushtim nga yt gjysh Dr. Gjon Buçaj – shkruante në frëngjisht tek “Albania” e tij që më 1897 një shënim titulluar “Më të bukurat”, ku thotë: ” Shqiptarkat janë përgjithësisht të një bukurie mahnitëse. Por askund tjetër kjo bukuri nuk është aq mrekullore sa në Lahnokastër. Ky fshat i hijshëm, me shtëpiza plot dritë nga bardhësia ndodhet në komunën e Voshtinës (në Shqipërinë e Jugut). Linjë e derdhur trupore, floknajë e vrrullshme, sy magjeps, pamje të madhërishme plot qetësi e hijeshi, kostume piktoreske; – ndoshta është fshati i vetëm në botë ku nuk mund të gjesh kurrsesi gra të pahijshme dhe ku bukuria është aq pranë idesë së përsosmërisë.” (Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897, f. 87.)

Ja Serena, fjalë mjeshtërore nga Konica, që ka shkruar dhjetëra faqe për vashat shqiptare, për emancipimin dhe rolin e tyre në familje e shoqëri, që nga Mrika 16  vjeçare që i shpëtoi jetën në fushë të betejës Kryetrimit shqiptar Skënderbeu e gjer te Shega e “Lules së Maleve”, që nga Helena e Trojës, simbol i bukurisë e “i zjarrit që ndezi vetë” gjer te  Greta Garbo “Hyjnorja”, të cilën Konica e adhuronte dhe admironte me sy prej sfinksi.

Por le të mos shkoj më tej, dhe më lejo, Zonjushë Serena – sa fjalë të bukur ka gjuha shqipe që nga “Zot-Perëndi” bën femëroren “Zojë-Zonjë” në shkallën më të lartë të dinjitetit femëror dhe që këtej “Zonjushë – Mësuese” – më lejo pra, të të  bëj me dije se 76 vjet më parë, në maj 1935, në Orientin ende të paemancipuar, ku gratë edhe sot mbajnë perçe, konkretisht në Tunis, kryeqyteti i Tunizisë, shpallej “Miss Bukuria” një shqiptare: Jorgjeta Temo (Georgette Temmos), me siguri pinjolle nga familja patriotike shqiptare e Ibrahim Temos. 20 vjeçarja Jorgjeta, që ruante ende theksin shqiptar karakteristik në të folurën e saj, do mbante kësisoj lart “flamurin e sharmit sekret të Orientit”, siç shprehet revista franceze “Afrika e Veriut” e 16 majit 1935 dhe do të konkurronte atë vit për titullin Miss Europa në garën ndërkombëtare të bukurisë në qytetin britanik Torquay.

Po në atë periudhë do vërejmë se piktori i famshëm botëror Henri Matisse, në një cikël vizatimesh e tablosh të viteve 30 të shekullit të kaluar, titulluar “Tema e Variacione” (170 vizatime) ka në qendër të tyre edhe një modeliste me origjinë shqiptare (nga nëna dhe babai) që quhet Nezi Hamide Shefqet, ish stërmbesë e sulltanit Abdyl Hamidit me një bukuri të përkryer. Tabloja e Matisës që ka pra në qendër 22 vjeçaren “Nezi shqiptarja” u shit më 1998, 44 milionë stërlina në ankandin Sotheby’s të Londrës, një çmim ky rekord.

Por, duke u kthyer tek ti, bija e motra jonë Serena, me këtë emër të lashtë latin që ngjall qetësi e lumturi shpirtërore të kulluar, nuk ka si të mos sjellim ndër mend përshkrimin më të përsosur që i ka bërë vashës shqiptare francezi Pukëvil, tek i shihte ato, që në fillim të viteve 1800, si shtojzovalle të vërteta, me bukuri hyjnore, që kullosnin bjeshkëve bagëtinë, me të vetmin rojtar një qen molos besnik, që çapitnin lehtë, me hap vallëzues tek rrihnin ajrin me tingëllat e tyre të praruara mbi gjoks, në atë krahol të shtrënguar mbi xhubletën 3000 vjeçare ku vetëtinte mbi brezare një dorezë kame për të vetmin mjet mbrojtës të tyre. Ato vasha shqiptare, që u këndoi Lord Bajroni dhe i personifikoi te “Hajdeja” e tij, ato që vetë “Zoti u shtonte vallen” në Eposin e Kreshnikëve, ato që kënga iso-polifonike himarjote i quante “Vajza të Valëve”, ato ishin dhe mbetën kështu simbol i bukurisë femërore shqiptare. Simbol bukurie, për nga floknaja rica-rica pis e zezë apo për nga gërshetat leshraverdhë të Bejkës së bardhë të malit, me sytë e tyre të zgjuar e  zhbirilues, me gojën kuti e dhëmbët inxhi, me qafën si sorkadhe mali dhe faqkat kuq si molla, me lëkurën bardhëllore si qumështi i dhisë, simbol i zanave dhe i përkrenares skënderbejane.

Sepse, Miss Serena, ti engjëll i bukurisë shqiptare, me siguri e di nga prindërit dhe familja që Olimbia, e cila lindi Aleksandrin e Madh, ishte iliro-molose-shqiptare; se mbretëresha Teuta arriti të sfidojë për tre vjet rresht Romën e lashtë dhe Senatin duke kontrolluar Adriatikun me flotën e saj; se princesha Argjiro, së bashku me Rozafën e Kalasë së Shkodrës, po edhe me Gratë suljote më pas, vërtet do të flijoheshin, por gjoksi i tyre do vazhdonte të pikonte jetë për të mëndur foshnjat;  se Shkëmbi i Ruginë Balshës në Llogara edhe sot vazhdon të rënkojë për krejt dhembjet historike të nënave shqiptare; se Vojsava do shihte në ëndërr një dragua tek do lindte dragoin shqiptar Skënderbe; se Donika 20 vjeçare do martohej me të dhe do mbronte kalanë e Krujës, kryeqytetit mesjetar të Arbrit; dhe se, më në fund,  bukuroshja Shote Galica, ashtu si Janica, Zhan d’Arka shqiptare, do udhëhiqte çetën e saj patriotike për liri me tërë ata burra mustak-rëndë dhe, tek do plagosej në kofshë, nuk do pranonte assesi të shihej nga sy mashkullorë, por do nxirrte fillikat vetëm rrëzë shkëmbit plumbin në këmbë me plumb, duke qëlluar drejt e mbi plagë, që do ta përthante më pas me raki, barot e duhan. “Hej grua shqiptare që ke ditur të lindësh burra!”, do mund të thërriste atëherë nga shpirti shqiptaro-rumunia Dora d’Istria, princesha e kulturës evropiane, me një bukuri e sqimë të rrallë, plot sharm, për nder të së cilës në Paris do ndiqej “Moda Dora d’Istria”.  Pale të shikosh fotot me bukuri të rrallë të Sadije Toptanit në shekullin XIX, Nënëmadhes së familjes mbretërore Zogu, apo të mbretëreshës Geraldina , e cilësuar kohët e fundit nga të huaj si e denjë për të qenë “Yll Hollivudi”.

Ti Serena i di këto, se në deje të vërshon shqiptari, dhe ne, duke të shikuar të parakalosh në piedestal të bukurisë si sirenë e zanë mali shqiptare, domosdo do shkojmë ndër mend bukurinë hyjnore të Shën Angjelina Komnenës, dashurinë qiellore të Zojës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë, ajo Nan e Kshillit t’Mir për të cilën aq bukur këndoi e u lut At Fishta madhështor : “Të falemi, o Mri! virgjina e dlir’, …/  O nana e bukur e K’shillit t’Mir; / Lutu, po, e derdhi hiret e m’dhaja / Si n’kohët e mocme n’kishë te Kalaja,/ Ku t’lutej Shkodra plot me dobi; /Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!”

Ja, me këto lutje qiellore në gojën e poetit gjeni që dalin nga shpirti shqiptar, do dëshironim – o Serena, o yll i bukurisë, o e adhuruara e Perëndisë! – të merrje ti tërë votat e shqiptarëve të Amerikës, për t’u shpallur MISS USA 2016. Sepse për mrekulli, ky vit përkon edhe me shpalljen e “Nënë Terezës Shenjtore” në 4 shtator nga Papa Francesku, një ngjarje kjo madhore për popullin tonë që nxori nga gjiri i tij Nënë Terezën – Shenjtorja botërore e Bamirësisë.

SHQIPTARË, O BURRA VOTONI PRINCESHËN SHQIPTARE TË BUKURISË!

Një falënderim gjigand për Serenën, që po na nderon!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, Leter per shqiptaret e Amerikes, SERENA BUÇAJ

FOTAQ ANDREA, STUDJUES DHE ZBULUES NË FUSHËN ALBANOLOGJIKE,ANTOLOGJIST E PËRKTHYES I NIVELEVE TË LARTA

May 9, 2016 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/

(Ese për frankofonin shumëdimensional Fotaq Llazi Andrea)/

Në Shqipërinë e shekullit të XX-të, si edhe në vendet e tjera ballkanike, gjuha frënge ka qenë gjuha më e përhapur si gjuhë e politikës shtetërore. Këtë pozitë frëngjishtja nuk e humbi as kur gjuha ruse u bë gjuha e huaj më e njohur midis pushtetarëve komunistë të formuar në Bashkimin Sovjetik dhe as kur gjuha italiane u bë gjuha e huaj më e përhapur, për shkak të televizionit italian që shihej fshehtas në Shqipërinë e etur për Perëndimin gjatë regjimit komunist. Mirëpo, me gjithë këtë privilegj që kishte frëngjishtja mbas Luftës së Dytë Botërore (LIIB), frankofonët e shquar nuk ishin shumë. Midis njohësve të thellë të frëngjishtes dhe përkthyesve cilësorë dalloheshin Jusuf Vrioni me përkthimin në frëngjisht të romanit Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur të I. Kadaresë që në vitet ’60, si dhe më pas, të krejt veprës së këtij autori të shquar shqiptar; Vedat Kokona me Fjalorët e tij dhe me përkthimin e një vargu autorësh klasikë francezë; Misto Treska, me përkthimin në shqip, ndër të tjera, të romanit Të Mjerët të Viktor Hygoit; Hamit Kokalari e Kolë Luka, në sektorin e përkthimeve albanologjike e letrare, etj.

Në vitet ’70, do të shfaqej një brez i ri përkthyesish në ekipin e Jusuf Vrionit, që përkthenin nga shqipja në frëngjisht. Ndër ta dhe Fotaq Andrea, një djalosh i lindur në Delvinë më 1953 dhe i rritur në Laprakë të Tiranës në familjen e një mjeku infeksionist. Ky  filloi të shquhet këta dy dhjetëvjeçarët e fundit edhe si studiues e gjurmues në fushën albanologjike, krahas hartimit të veprave antologjike në përmasa të mëdha, si Libri i artë i prozës franceze, Arbëreshët e Italisë dhe Pena të arta franceze për shqiptarët. Zbulimet dhe studimet e tij i ka përqendruar kohët e fundit rreth jetës e veprës së Faik Konicës dhe Dora d’ Istrias, duke nxjerrë në dritë dimensionet sa më të vërteta të këtyre dy figurave të shquara, të Dora d’Istras si princeshë e kulturës evropiane dhe të Faik Konicës si shkrimtarin e mendimtarin modern të letërsisë shqiptare.

Gjithçka që ka arritur Fotaq Andrea janë rezultat i punës së tij këmbëngulëse si studiues i palodhur e i talentuar dhe i dashurisë së tij për Letrat franceze dhe albanologjinë.

*  *  *

Pas disa përmbledhjesh të vogla antologjike për moshat e reja, si Mrekulli njerëzore – përralla fabula, legjenda nga bota, që njohu sukses te brezi i ri shkollor me një tirazh tepër të lartë, kur u shpërngulën në Shqipëri së bashku me prindërit rreth 300 mijë fëmijë nga Kosova gjatë Luftës. Andrea botoi antologjinë e tij të parë në përmasa të mëdha Libri i artë i prozës franceze, që njohu dy botime, në vitet 2000 dhe 2002. E veçanta e këtij libri me 430 faqe është se përmbledh mbi 150 autorë francezë të të gjitha periudhave historike, shkollave dhe rrymave letrare, nga rrëfenjat popullore dhe fabliotë e famshme franceze të Mesjetës, me Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët dhe Tristani e Izolta në qendër, deri të autorët modernë, si Marsel Prust, Andre Malro, nobelisti Zhan Mari Lë Klezio, filozofi Alan (Emil Ogyst Shartrier), Zh. P. Sartrë dhe Albert Kamy, duke kaluar nëpërmjet krejt plejadës së shkëlqyer të shkrimtarëve klasikë dhe iluministë francezë, ku bien në sy emrat e ndritur të Hygoit, Balzakut, Lamartinit, Apolinerit, Mopasanit, Alfons Dodesë, Shatobrianit, Panjolit, Bodëlerit, etj. etj. Për vetë ndërtimin e antologjisë me 10 kapituj, që përbëjnë në vetvete 10 libra, me një diapazon të gjerë interesi letraro-kulturor për tërë moshat shkollore, kjo antologji do të bëhej që në fillim mjaft e dashur për të rinjtë dhe do të njihte sukses kur 26 gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit” do të mbanin një sesion të posaçëm letrar dhe do të botonin më 2003, referatet dhe kumtesat e tyre në librin Përballje me Librin e artë të prozës franceze. Botimi i këtij libri me 180 faqe nga të rinjtë gjimnazistë për vlerat e antologjisë së Fotaq Andreas shënonte një ngjarje të veçantë te rinia shkollore e kryeqytetit. Por siç shprehet vetë studiuesi Andrea, suksesin më të madh, ai do ta njihte në promovimin që i bëri librit të tij te shkolla 8-vjeçare “Ramazan Jerani” në prani të drejtorit të shkollës, poetit Jorgo Papingji. Një vajzë 14-vjeçare kishte zgjedhur për recitim në takimin e autorit me nxënësit prozën poetike Nderim tërë nënave të botës. Me zë të dridhur artistik, nxënësja filloi të recitonte: Bij të nënave që i keni ende gjallë, mos harroni se nënat tuaja do vdesin një ditë… Qofshi çdo ditë të ëmbël me nënat tuaja. T’i doni ato më shumë se ç’ kam dashur unë vetë nënën time. Dhurojuni çdo ditë nga një gëzim, këtë po ua them unë, në emër të dhembjes sime, me keqardhjen më të thellë në këto çaste të zisë sime… Nderim për ju, nëna të të gjitha vendeve… Nëna të mbarë tokës, Zonja të nderuara nëna, ju përshëndes të dashurat e mia flokëthinjura. E teksa nxënësja recitonte, Fotaqit iu mbushën sytë me lot dhe do t’i vinin në mendje çastet tepër të dhembshme kur përkthente këto rreshta duke ngashëryer për humbjen tragjike të nënës së tij dhe kur shpirtërorja pleksej ngushtë me profesionalen tek i rrëshqisnin gishtat mbi tastierë si lotët në faqe. Përkthimi del nga shpirti, shprehet Andrea, andej nga buron vetë arti.

Jusuf Vrioni, mentor i Fotaq Andreas

Kush pati rast ta njihte Jusuf Vrionin, intelektualin europian të niveleve të larta, nuk mund të harrojë elegancën e tij të shumanshme: në pamje e sjellje, në biseda e përkthime dhe në çdo hap të jetës, me të cilat ai na pushtonte që në lidhjet e para. Jusuf Vrioni ishte një i burgosur dhe i internuar gjatë regjimit komunist, por për shkak të aftësive të tija si frankofon, iu imponua diktatorit. Duke qenë se ai ishte numëri një, që mund të përkthente me nivel të lartë veprat e diktarit në frëngjisht, ky u deturua ta shkelete parimin e luftës së klasave ndaj frankofonit Vrioni dhe ta emëronte përkthyes të veprave të tij në frëngjisht.

Fotaq Andrea ka pasur fatin e mirë të punonte në vitet 1975-1980 në sektorin e përkthimeve nga shqipja në frëngjisht në Shtëpinë Botuese 8 Nëntori bashkë me mjeshtrin Jusuf Vrioni. Përveç aftësive të tija personale dhe zotërimit të thellë të frëngjishtes, kur lexon veprat e Andreas të përkthyera nga frëngjishtja, ose të hartuara drejtpërderejt në shqip, nuk ka si të mos dallosh ndikimin e elegancës Vrionase, të cilën ai e ka përvetësuar gjatë bashkëpunimit me mentorin e tij.

Kjo elegancë bie në sy në punën Fotaqit si antologjist, ku e përzgjedh dhe e ndërton veprën si një buqetë lulesh të shumëllojshme, ku plekset brenda një emri edhe autori, edhe përkthyesi. Andrea, pasi përktheu me sukses tre libra të Albert Kamysë dhe Shkrime rreth dënimit me vdekje të Viktor Hygoit, e në mënyrë të veçantë një ndër kryeveprat e Letrave frënge, Gargantua-në e klasikut të madh frëng Fransua Rable, do t’i hynte përgatitjes së antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007), botuar më 2007 dhe ribotuar më 2009. Këtë antologji, ai e çel me përkushtimin: Në nderim të kujtimit të Mjeshtrit të Madh të përkthimeve në frëngjisht dhe Përçuesit të vlerave shqiptare nëpër botë, Jusuf Vrionit. Librin e mbyll po ashtu me shkrimin Mirëdita fisniku Jusuf Vrioni, ku i thur himn karakterit fisnik të mentorit të tij, të cilin e quan me respekt profesor, duke e portretizuar me dashuri si një përkthyes erudit, me potencial të fuqishëm intelektual e profesional, me shije të hollë, si njeri i Letrave dhe i Kulturës në shkallë sipërore. Dhe për të dytën herë, Andrea do t’i rikthehet, pas disa viteve, kujtimeve për profesorin e tij Vrioni, me shkrimin: Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, botuar në librin e Eshref Ymerit Përkthimi – një histori pasioni.

Këtë radhë Fotaqit i shfaqet figura e Mjeshtër Vrionit si një ikonë, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu fisnik, që na çeli, – vë në dukje ai – dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe të qytetërimit frëng. Diplomën e përkthyesit, thotë Fotaqi, e mora në Universitetin Vrioni, me të cilin punova e bashkëpunova për vite të tëra. Dhe vetë Vrioni do t’ia shpërblente Andreas, aq ngrohtësisht, tërë atë punë të përbashkët kur i dhuroi librin e tij Botë të Fshira – Kujtime të një Europiani, me përkushtimin: Për Fotaqin, këtë libër të gjorë, që thotë aq shumë pak gjëra, në kujtim të çasteve aq të ngrohta vëllazërore gjatë një pune shpesh tepër delikate, Vëllazërisht e atërisht, – Jusuf Vrioni, Paris, 10 nëntor 1998. Kjo lidhje e dy brezave, siç e përshkruan me hollësi Andrea, ishte mbi të gjitha shpirtërore, kur në halle e vështirësi, përkthimi bëhej në të tëra kohërat, për një kategori të caktuar intelektualësh, mjeti shpëtimtar, duke ndjekur postulatin “Je traduis, donc je vis” (Përkthej, pa jetoj)1.

–Ti tani, je një përkthyes i talentuar, mos iu ndaj përkthimit! – ishte këshilla atërore e Vrionit për Fotaqin që në vitet e para të demokracisë, dhe nxënësi ndoqi këshillën dhe rrugën e mësuesit të tij, pa iu ndarë një çast pasionit për përkthim dhe pasionit për hulumtim e zbulim.

Antologjia Pena të arta franceze, me dy ribotimet e saj, do të gjente jehonë të gjerë brenda vendit dhe në diasporë. Në Wikipedia u theksua që në fillim: Pena të arta franceze për shqiptarët, përbën kulmin e tij (të Fotaq Andreas) në lëmin e zbulimit dhe publikimit të muzave dhe temave me substrat shqiptar tek krijuesit francezë. Është një vepër e vlerësuar nga një radhë akademikësh vendas ndër më të njohurit dhe mbi të gjitha, një vepër e formatit akademik, që mund të ishte tipik produkt i një institucioni shkencor e jo thjesht i një individi. Është një vepër me përmasa kombëtare, që hap një portë deri dje gjysmë të hapur në raportet shqiptaro-franceze në fushën e krijimtarisë letrare dhe të historisë dokumentare.

Në promovimin e librit mes studentëve të Fakultetit Histori-Filologji (nëntor 2009), ku ishte i ftuar edhe konsulli francez Z. Chaffaurt, autori lexoi dy letra që kishte marrë nga Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner dhe nga prof. Sami Repishti, të cilët ngrinin lart vlerat e kësaj vepre që përbën një pasuri kombëtare në Letrat shqipe të përkthyera. Po ashtu, autori theksoi se kjo vepër përmban ajkën historike të letërsisë frënge për kombin shqiptar dhe se atij i ishin dashur shtatë vjet punë hulumtuese e këmbëngulëse në rreth njëzet burime arkivore dhe biblioteka, duke fotokopjuar rreth 8.000 faqe. Konsulli francez nga ana e tij, duke u ndalur gjatë në vlerat e librit, përfundoi me buzëqeshje: kjo vepër do duhej tashmë edhe për publikun francez kështu siç është përgatitur në shqip, apo me fjalë të tjera “do duhej “përkthyer” në frëngjisht…

E veçanta e antologjive të Andreas është se ato janë të gjitha të ilustruara dhe përbëjnë në vetvete edhe një lloj albumi me vepra artistike e grafike; dhe kjo për vetë faktin se Andrea është edhe koleksionist i grafikës historike me temë shqiptare. Mjaft të kujtojmë këtu se ai ka hapur deri tani në Shqipëri e Itali tre ekspozita me tematikën Shqiptarët në shekuj, duke bashkëpunuar ngushtë me koleksionistin e antikuareve Dritan Muka në Kanada. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se në të gjitha rastet, autori e ka bërë promovimin e librave të tij mes nxënësve e studentëve, për ta afruar kështu sa më shumë librin te një publik i gjerë. Nga vetë mënyra e ndërtimit, me tematikë të larmishme dhe shkrime koncize, antologjitë e tij janë të këndshme, lexohen me një frymë, nuk kanë moshë e publik të përcaktuar, janë sa shkencore dhe popullore, për më tepër që janë të huajt, emra të nderuar që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pas antologjisë Pena të arta franceze për shqiptarët do të pasonte, si një vëllim i dytë i saj, antologjia tjetër e përmasave të mëdha Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 (me 75 autorë francezë), botuar më 2012 me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nën kujdesin e profesorëve Francesco Altimari, Luan Malltezi e Sherif Delvina. Ky libër i kushtohet diasporës shqiptare në Itali, e cila ruajti me fanatizëm gjithçka të vyer historike shqiptare, thelbin e vetëdijes kombëtare, gjuhën, kulturën dhe kujtimin e epokës së lavdishme skënderbejane. Andrea e promovoi librin në Kozenca të Italisë, ku çeli ekspozitën e tij “Shqiptarët në shekuj”, ndërkohë që në Muzeun Historik Kombëtar çeli për 100 vjetorin e Pavarësisë ekspozitën “Arbëreshët në histori” me rreth 450 riprodhime veprash artistike që shfaqin botën historike shqiptare në Itali që me stradiotët e parë të gardës skënderbejane.

Andrea, hulumtues, zbulues e studiues

Për vite me radhë, Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, duke i furnizuar me artikuj e ese pas hulumtimeve në fushën albanologjike, të cilat nuk kanë reshtur një ditë. Këto ditë shtëpia botuese EDFA po përfundon botimin e librit të tij Gjurmime shqiptare në Letrat franceze, vëllimin e parë, ku përfshihen një pjesë e këtyre shkrimeve si dhe përkthime nga albanologë të shquar francezë. (Në parantezë, veprën Kujtime nga Shqipëria e Epërme të Alexandre Degrand (1901), i cili pati zbuluar që në shekullin XIX Kulturën e Komanit, Andrea parapëlqeu ta përkthejë të plotë, dhe sot e ka dorëzuar për botim). Në veprën e tij Gjurmime shqiptare në plan të parë shfaqet zbulimi madhor: objekti i pestë fizik që ka qenë në pronësi të drejtpërdrejtë të Kryeheroit shqiptar dhe të familjes Kastrioti, pas shpatës, përkrenares dhe dy kodikëve të njohur: Libri i Uratave dhe enciklopedia Libri i Skënderbeut. Ky zbulim, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me Dritan Mukën, përqendrohet rreth kodikut Libri i Petrarkës, i cili përmban dy emblema kastriotase të dëmtuara, ku bie në sy simboli i luanit ngritur në këmbë, po ku është shuar përballë tij (me dashje e paragjykim) simboli i shqiponjës kastriotase me yllin e Davidit mbi krye. Mbështetur në argumentet shkencore të prof. Robert G. Calkins të Universitetit Cornell të Itakës (USA), që hedh, që më 1972, idenë se ky kodik duhet të ketë qenë në pronësi të Skënderbeut, Andrea shkon edhe më larg në argumentet e tij historike e heraldike, duke vërtetuar idenë madhore të Prof. Kristo Frashërit se Figura e Skënderbeut nuk duhet parë ngushtë si figura e një Luftëtari me beteja të lavdishme, por si figura e një Burri shteti, me kancelari të zhvilluar në nivele europiane, me diplomaci të gjallë, rrethuar nga bashkëpunëtorë e humanistë të shquar, e domosdo edhe me bibliotekë të pasur, duke u nderuar me kodikë të rrallë të kohës dhe emra të nderuar të Rilindjes europiane, siç ishte Francesco Petrarka, libra që domosdo Skënderbeu i lexonte, si ato rreth artit ushtarak të kohës së tij, ashtu dhe Pirron e Plutarkut apo vargjet më të bukura të poezisë së Petrarkës. Këtë zbulim, Andrea e paraqiti në Konferencën shkencore të Institutit Alb-Shkenca, që u botua në shqip nga ANASH, Approching Science më 2008, si dhe në frëngjisht në revistën prestigjioze Studia Albanica të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fillim të vitit 2012, me rastin e çeljes në forumin Zemra Shqiptare të rubrikës “Shqipëria bën pa secilin nga ne, po nuk bën dot pa Gjergj Kastrotin”, krahas emrave të nderuar që do të shpreheshin me zjarr për figurën e Skënderbeut, si Ismail Kadare, Neki Lulaj, Enver Bytyçi, Ilia Karanxha, Lis Bukuroca, Ndue Ukja, Sami Repishti, Fahri Xharra, Gjon Keka, Kozeta Zylo, Visar Zhiti, etj. Fotaq Andrea, duke goditur pseudo studiuesit që përpiqen të “çmitizojnë” figurën e Kastriotit të madh do të shkruante: Identiteti i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me figurën emblematike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në tërë kohërat, Shqiptarët e vërtetë kanë për flamur lavdie, krenarie dhe shqiptarie emrin e tij… Në ka pasë, në ka e në do ketë komb shqiptar, ai është i lidhur historikisht e përjetësisht si mishi me thoin me figurën e Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar, është i mishëruar njëherë e përgjithmonë në vetëdijen tonë shqiptare, si dy krerët dhe dy flatrat e shqiponjës sonë, Gegëri e Toskëri, me dy dialektet e tyre kryesore të gjuhës shqipe, që bëjnë një e vetëm një… Po e përfundoj, vijon Andrea, me revoltë kundër atyre që cenojnë Heroin tonë kombëtar, nderin dhe lavdinë tonë, me fjalët: të gjithë ata që mohojnë Skënderbenë tonë janë të tredhur, të pjerdhur, antishqiptarë, pemë pa kokrra, gomarë pa koqe. Një revoltë e tillë u komentua gjatë nëpër forume.

Zbulime të tjera po aq të rëndësishme të hulumtuesit Andrea ishin disa portrete të panjohura të Skënderbut nga piktorë të shquar botërorë, si Skënderbeu i Giorgiones, i Ticianit, Guercinos, Landon-it, C. Weigel, J. Schrenck, Seltener, Charles Guenot, Paul Nocquet – ky i fundit, me porosi të Faik Konicës, zbukuroi ballinën e revistës Albania me portretin e Skënderbeut në një stil mjaft origjinal (sot këtë ballinë të revistës Albania, Fotaq Andrea e disponon me ngjyra në një riprodhim të bukur). Por në mënyrë të veçantë Skënderbeu i Rembrandit ishte një nga zbulimet e tij më pasiononte, kur shkoi drejt e në Muzeun e Nansisë për ta parë nga afër dhe për të vërtetuar tërë hipotezat e ngritura. Studimi i tij i hollësishëm për këtë vepër të shquar u përkthye në disa gjuhë dhe u botua nga mjaft revista shkencore e forume interneti.

Gjurmime shqiptare përmban edhe një mori shkrimesh mjaft interesante, artikuj e studime që kanë bërë jo pak bujë, si “Grurë nga Vlora për popullin e uritur të Parisit“; “Orientalet“ e Viktor Hygoit dhe figura e Ali Pashë Tepelenës“; “Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare – Letër Presidentit të Republikës Alfred Moisiu”; Figura e bukuroshes arbëreshe në disa vepra të artit evropian; Albanuaja, kapela historike shqiptare dhe stradiotët shqiptarë në shekujt XV-XVII (Andrea vë në dukje se këtë kapele shqiptare e kanë mbajtur dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV, duke sjellë ilustrimet përkatëse). Po ashtu, artikuj të tjerë mund të përmendim: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit; Shqiptari, ky Sizif – Fat tragjik në mbijetesë shekullore; Amazonat shqiptare; Festa e luleve për Skënderbeun; Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë; Edit Durham, Xhonturqve, në gusht 1911: Ju e humbët përgjithnjë Shqipërinë; Rekord botëror në tatuazh në shekullin XIX – Shqiptari Gjergj Aleksandër Kostandini; Një kryevepër e bukurisë femërore shqiptare pas një historie të rrallë; Moj Shqiptarka këmbëlehtë – romancë franceze e vitit 1833, etj. Tërë këto shkrime kanë stil të këndshëm, gjuhë të pasur me figuracion artistik dhe mbi të gjitha kuadër të caktuar historik që ngre lart vlerat shqiptare nëpër botë.

Fotaq Andrea dhe Faik Konica

Kulmi i zbulimeve të Andreas do të arrihej në dhjetor të vitit 2010, kur piketon, gjen dhe vërteton praninë e dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, shkruar rreth viteve 1908-1909 në frëngjisht dhe botuar më 1911 me pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës), titulluar Martesa e Lejlës dhe Sotiri e Mitka. Fillon në këtë mënyrë për Andrean, nga viti 2011, aventura Konica. Për të vërtetuar gjithçka në mënyrë shkencore, ai i hyn studimit me hollësi të revistës Albania, të epistolarit të gjerë të Konicës, artikujve dhe veprave që rilindësi i madh kishte botuar në gjuhë të huaja, hulumton në Arkiva e biblioteka të Francës e Belgjikës, hyn në lidhje të ngushtë me studiuesin Sherif Delvina, pinjoll i familjes Konica-Delvina, i cili, me personalitetin e tij, me erudicionin dhe vizionin modern që ka për shoqërinë shqiptare, fiton simpatinë dhe miqësinë e ngushtë të Andreas. Prof. Delvina e orienton tanimë Andrean në shumë drejtime, e ndihmon me zbulimet që kishte bërë ai vetë, duke i dhënë edhe pemën gjenealogjke të familjes Konica-Delvina.

Nga kjo periudhë, zbulimet e Andreas për Konicën nuk do reshtin: vërteton me dokumente arkivore praninë e djalit të Konicës që quhej Henrik Lohengrin bej Konitza, duke botuar edhe një letër të tij drejtuar Fan Nolit; nxjerr në dritë fakte të reja nga jeta shoqërore e Konicës, miqësinë e tij me Apolinerin, Paul Nocquet e veçanërisht me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres, duke vërtetuar se si Konica u bë përçues i letërsisë dhe i kulturës avanguardiste europiane në Amerikë; po ashtu, Andrea zbulon fakte nga jeta private e Faikut, bashkëjetesën e tij me dy mikesha, në kohë dhe vende të ndryshme; rrethanat e konvertimit të papërfunduar të Faik Dominik Konicës; zbulon, përkthen dhe boton në shqip esenë e Konicës Mbi Edukimin, artikullin e tij të parë Shqipëria dhe Turqit; zbulon dhe boton Hartën koniciane të trojeve shqiptare në gjuhën shqipe, si harta e parë në llojin e vet; ngre lart vlerat e mini-enciklopedisë Kalendari i Maleve,(1900-1901) si vepër më vete po e Faik Konicës. Nga ana tjetër, Andrea ndërton dhe përgatit për botim, me një hyrje të gjatë, Letrat e Faik Konicës drejtuar Apolinerit (libër në proces), çel te Tirana Observer rubrikën Fletore Koniciane, duke botuar gjer tani 20 numra me fakte të reja nga jeta dhe vepra e Konicës, si dhe rubrikën Faik Konica dhe realiteti ku Andrea boton me pseudonimin Monet Maneshi mbi 30 shkrime të Konicës, paraprirë nga kritikë e ashpër politiko-shoqërore për zhvillimet e sotme në Shqipëri, etj.

Tanimë për Andrean, Konica është një minierë e vërtetë ari, kur ai sheh tek personaliteti i tij, te jeta dhe vepra e tij, mendimtarin modern dhe eruditin shqiptar të paarritshëm, gjithëpërmasor e novator, që ka ëndërruar e punuar për një shtet e komb modern shqiptar të prirë drejt Europës perëndimore të zhvilluar. Dhe sa më shumë punon në këtë drejtim, ky studjues bindet që shpesh Konica është paragjykuar e keqinterpretuar nën optikën brutale “bardhë e zi”, shkëputur nga “fryma e kohës”, ose duke rendur drejt “ekzotikes koniciane”, nuk është depërtuar në thelbin e mendimit politiko-shoqëror konician.

Në shkrimet për Konicën, Andrea larton figurën e rilindasit nën shembullin e Apolinerit, i cili, duke përdorur një figurë të shkëlqyer mitike e ka quajtur Faik Konicën një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun2, që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. I ndërgjegjshëm se është mjaft e vështirë për të përcaktuar përmasën enciklopedike të Konicës, dobësinë apo prirjen parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet, historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën, gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, pedagogjia etj., studiuesi Andrea ngulmon për ta parë Faik Fisnik Konicën, siç e quan ai, si gur themeli dhe nismëtar të guximshëm në tërë këto fusha të lëvruara me sukses prej këtij Rilindasi të Madh, i cili zbuloi flamurin e Skënderbeut dhe solli të gjallë kujtimin e tij për të mbrujtur shqiptarët me patriotizëm dhe me ndjenjën e lirisë e të pavarësisë. Dhe jo vetëm kaq, por Andrea nxjerr në pah se tërë këto lëndë të bukura, Konica do t’ ishprehte me gjuhë të bukur shqipe, e mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një botëkuptim të përparuar perëndimor.

Shpallja e vitit 2016 VITI FAIK KONICA prej shoqërisë “Vatra” të Amerikës në kuadrin e 120-vjetorit të themelimit të revistës madhore Albania, ishte nismë e nxitur prej studiuesit Andrea, të cilin Vatra do ta ketë të pranishëm në gjirin e saj për të promovuar dy romanet e panjohura të Faik Konicës zbuluar prej tij, si dhe për të çelur një ekspozitë me faksimile dokumentesh dhe vepra arti të veçanta kushtuar figurës së Konicës.

Andrea dhe Dora d’Istria

Prej vitesh Andrea ka arritur të mbledhë një material të pasur bibliografik e artistik për Dora d’ Istrian, duke përkthyer gati krejt esetë e saj për popujt e Europës, si dhe duke qëmtuar në epistolarin dhe në librat e saj gjithçka për shqiptarët, për historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre, e në radhë të parë për origjinën e hershme shqiptare të familjes së madhe Gjika. Andrea e ka trajtuar figurën e saj me disa ese e artikuj, duke filluar nga viti 2007 dhe aktualisht ka paraqitur për botim vëllimin e parë të veprave të saj titulluar Dora d’ Istria, princeshë e kulturës evropiane, që zënë rreth 800 faqe libër, të cilat po pasohen nga një vëllim i dytë me shkrime të Dora d’Istrias kryesisht për shqiptarët. Andrea ka botuar gjer tani dy jetëshkrime të Dora d’Istrias shkruar prej Armand Pommier dhe Charles Yriarte, ka marrë pjesë në Sesionin shkencor të Fondacionit Saadi Shirazi (shkurt 2009) me kumtesën Dora d’ Istria dhe bota perse, po ashtu, në Sesionin shkencor Dora d’Istria dhe përmasa evropiane e kulturës shqiptare, organizuar në Tetovë në maj 2011, ku Andrea mbajti kumtesën Përmasa europiane e veprës së Elena Gjikës si dhe përshëndeti këtë sesion me artikullin Moda Dora d’Istria në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës. Ai solli në këtë mënyrë fakte të reja nga jeta e kësaj humanisteje të shquar europiane, bashkëpunimin e saj me Garibaldin dhe arbëreshët, duke shfaqur edhe idenë e qarqeve politike franceze të shekullit XIX për të zgjedhur Dora d’Istrian si kryetare të “Federatës ballkanike” (ide që mbeti në gjendje projekti të parealizuar). Në bashkëpunim me piktorë shqiptarë në zë, si Anastas Kostandini, Artan Shabani, Vehap Kokalari, Llazar Taçi, i ndjeri Milto Jorgji, Agim Janina, etj. studiuesi Andrea ka ngulmuar për një paraqitje artistike sa më tipike e sa më shqiptare te kësaj figure erudite, duke kërkuar që ajo të ilustrohet artistikisht në takimin e saj me De Radën, me poetin amerikan Longfelow, me Humboldin  e madh dhe me mbretin e Prusisë, etj. Janë nga veprat më të bukura artistike që ilustrojnë shkrimet e Andreas për figurën e Dora d’ Istrias, vepra të artistëve shqiptarë që janë përdorur jo vetëm në sesione shkencore, por në radhë të parë në dokumentarin Elena Gjika – Dora d’  Istria, pararendëse e Europës pa kufij, realizuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë nga regjizori Engjëll Ndocaj, ku Andrea pasqyron gjatë jetën dhe veprën e humanistes shqiptaro-rumune.

Fotaq Andrea si diplomat

Në shtator 1997, Andrea emërohet Përfaqësues i Përhershëm shqiptar në Këshillin e Europës (KiE)3 – organizata më e vjetër evropiane me seli në Strasburg, ndërkohë që profesori i tij Jusuf Vrioni emërohet Përfaqësuesi shqiptar pranë UNESCO-s në Paris.

Vitet 1997-2000, ishin tepër të ngjeshura në ngjarje të mëdha, në Shqipëri e Ballkan. Në diplomacinë europiane shumëpalëshe, sidomos në KiE ku Andrea u emërua ambasador, duhej përmirësuar mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë pas rënien së shtetit më 1997. Në atë kohë përfaqësuesi rus “me të drejtën e shtetit të madh kontributor në KE këndonte këngën e gjelit për të denigruar shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës dhe për të mbrojtur si përherë serbët. Shpejt pasuan ngjarjet e rënda të vitit 1998 me vrasjen e Azem Hajdarit, përplaset e egra, deri edhe me armë, të klasës politike shqiptare dhe më pas Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake e NATOS.

Puna në këto vite pranë KiE-së ishte jo vetëm me përgjegjësi, por edhe shumë e ngjeshur dhe e tensionuar. Dëshmojnë në këtë drejtim mbi 1.500 fakse të protokolluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme dërguar prej ambasadorit shqiptar, që raportonte me hollësi për mbledhjet politike të Komitetit të Ministrave të KiE-së, ku ai e merrte fjalën në emër të Shqipërisë dhe hidhte poshtë akuzat sidomos ruse që e konsideronin UÇK-në si organizatë terroriste. Njohja e thellë e gjuhës frënge dhe bagazhi i gjerë në fushat socio-kulturore e etno-historike e ndihmonin atë të ishte mjaft aktiv e me vizion të veçantë diplomatik. Krahas mbledhjeve politike 2-3 herë në javë në Komitetin e Ministrave, ambasadori Andrea mbante dhe konferenca në Universitet, jepte intervista, bënte takime në krejt zonën e Alzasës, organizonte fushata për mbledhje ndihmash për Kosovën, ndërkohë që këmbëngulte për nënshkrimin dhe ratifikimin nga ana e Shqipërisë të mbi 30 Konventave dhe Protokolleve europiane. Gjatë kësaj periudhe, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në KiE, Andrea shquhet si ideator për krijimin e grupeve të punës lidhur me hartimin e “Strategjisë kombëtare për Fëmijën, Gruan dhe Kulturën në Shqipëri”, mbështetur nga Komiteti i Ministrave të KiE-së; si koordinator për reformat e institucioneve demokratike në Shqipëri; për decentralizimin e pushtetit lokal nëpërmjet një serie seminaresh e konferencash; për realizimin e tryezave të punës lidhur me Paktin e Stabilitetit në Evropën Jug-lindore, konkretisht në Shqipëri e Kosovë; si iniciator për futjen e Shqipërisë në Fondin e Zhvillimit Social të KiE-së, në GRECO e në marrëveshje të tjera të Këshillit të Evropës; si organizator për grupet e punës në Komitetin e Ministrave të KiE-së lidhur me krizën e Kosovës, si dhe të konferencave rajonale në Alzasë e Lorrenë për sensibilizimin e opinionit publik francez lidhur me çështjen e Kosovës. Nga ana tjetër, ky ambasador i Shqipërisë do të ndërmerrte drejtpërdrejt nismën lidhur me disa veprimtari kulturore në Strasburg dhe në Këshillin e Europës për propagandimin dhe vizibilitetin e vlerave shqiptare,  konkretisht çeljen e ekspozitës për Nënë Terezën nga tre piktorë shqiptarë, organizimin e një vizite pune të Jusuf Vrionit në Komisionin e Venecias, të vizitës së veteranëve frankofonë shqiptarë në Strasburg, të vizitës së nxënësve të një shkolle tetëvjeçare fshati në KiE, si dhe të një ekipi futbolli të të rinjve “Iliria Viking”, etj.

Por mbi të gjitha, ambasadori Andrea shquhet për përgatitjen e dosjes së plotë drejtuar Presidentit Meidani lidhur me heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri, si kusht i ndërkombëtarëve për realizimin e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës. Në këtë drejtim, ai u angazhua drejtpërdrejt duke përkthyer e botuar gjatë atyre viteve librin Para gijotinës të Albert Kamy-së, me parathënie të Bronislav Gueremek – ish ministër i punëve të jashtme të Polonisë. Ky libër përmban edhe një vlerësim publik të Lord Russell Johston (ish-Kryetar i Asamblesë parlamentare të KiE-së) për ambasadorin Andrea4. Këtë vlerësim publik të një personalitetit të lartë, Andrea e konsideron me të drejtë si një diplomë më shumë për të në fushën e diplomacisë. Ky vlerësim publik për punën e tij në fushën diplomatike u kurorëzua edhe me Pllakën e argjendtë që iu dha ambasadorit Andrea nga Komiteti i Ministrave, në mirënjohje për punën e kryer në KiE. Heqja e dënimit me vdekje ishte një çështje tepër delikate për kushtet e Shqipërisë në fund të shekullit XX, kur lulëzonte krimi dhe në psikologjinë e popullit e të pushtetarëve mbisundonte mentaliteti se “dënimi me vdekje në Shqipëri nuk mund të hiqet për shkaqe historike, si gjakmarrja”. Në këtë mes, duke respektuar Konventat evropiane dhe politikën e KiE-se për heqjen pa kushte të dënimit me vdekje, ambasadorit tonë iu desh shpesh herë të përplasej egër me autoritetet e vendit të vet, të cilët nuk e honepsnin kundërshtimin dhe deklaronin hapur në KiE se kriminelët do varen në shesh të Tiranës. E megjithatë, në Shqipëri, dënimi me vdekje u hoq.

Aktivizimi shumë i gjallë i ambasadorit tonë në Komitetin e Ministrave të KiE-së, bëri që ky organ i lartë i organizatës më të vjetër evropiane të diplomacisë shumëpalëshe ta zgjidhte Fotaq Andrean, që në muajt e parë të veprimtarisë, në funksionin e Raporterit për shoqërinë civile europiane dhe për Organizatat Jo Qeveritare (OJQ-të) kombëtare e ndërkombëtare, detyrë të cilën ai e kreu me sukses përmes takimesh me shoqërinë civile në disa vende të Europës.

Në kulmin e veprimtarisë së suksesshme diplomatike, kur ende nuk i kishte mbushur tre vjet në detyrë si afati minimal për tërheqjen e një ambasadori, ambasadorit Andrea iu komunikua nga Tirana kthimi në Ministrin e Punëve të Jashtme në një detyrë të re, sepse zëvendësohej me dikë tjetër. Kuptohej që dikush i kishte vënë syrin postit të tij. Eprorët duhej të plotësonin hatëret dhe interesat e ngushta meskine, kur administrata dhe klasa politike shqiptare as që pyeste për meritokraci e dinjitet shtetëror. Në rastin e tij, nuk respektohej as minimalisht statusi i nëpunësit, pale i diplomatit. Sigurisht, shumëkush u habit nga një zëvendësim i tillë i papritur, e mbi të gjitha vetë administrata e lartë e KiE-së që nuk mungoi të interesohej e të kundërshtonte, por Tirana zyrtare e mashtroi se gjoja kishte nevojë për Fotaq Andrean në detyrën e re: emërohej Drejtor i Arkivit të M.P.J.-së– një sajesë e kotmëkotshme, për ta hequr qafe. Dhe nuk ishte vetëm rasti i tij në këtë heqje aq të papritur. Hiqej, po në atë periudhë, nga detyra e ambasadorit shqiptar në Madrid eruditi i madh Zef Simoni, i vlerësuar aq shumë nga bota dhe njerëz të letrave si Kadareja. Politika dhe administrata shqiptare e drejtuar nga palo politikanë të rinj e të papërgjegjshëm, që nuk kishin punuar asnjë ditë në administratën shtetërore, por që nga bankat e shkollës u emëruan politikanë e shtetarë të zotë, filluan e vijuan të masakronin gjithçka shtetërore e administrative për interesa të ngushta vetjake, duke parë vetëm mbushjen e shpejtë të xhepave nga pseudo-kapitalistë të rinj “afaristë”, të pasuruar edhe këta me vjedhje e krim dhe që kërkonin, jo vetëm të mbanin e të kontrollonin medoemos tërë fijet e pushtetit për të shtuar si e si fitimet, por edhe poste diplomatike për përkrahësit dhe këpucëlëpirësit e tyre. Kështu, ambasadori Andrea u viktimizua dhe u detyrua të ulte kokën e t’i rikthehej përsëri profesionit të përkthyesit, profesion që kishte mbajtur në mbijetesë edhe Isuf  Vrionin, Zef Simonin, Aristidh Ristanin, etj.

Andrea publicist e përkthyes

Pa u ndalur gjatë në fushën e publicistikës, ku Andrea ka qenë mjaft aktiv në mediat e shkruara dhe në revistat shkencore Sociologjia dhe Perla, theksojmë se ai ka botuar rreth njëqind artikuj me tematikë të larmishme si dhe ka hedhur në internet dy përkthime : Për Europën, nga Robert Shuman, njëri nga baballarët e themelimit të Europës së Bashkuar, si dhe librin Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi, nga Jacques Semlin. Në të njëjtën kohë, përkthimi dhe botimi nga ana e tij i librit Korrupsion të Pierre Lascoumes (2002), shoqërohet nga një parathënie e gjatë e studiuesit Andrea, që merr në analizë korrupsionin në Shqipëri si dukuria më tipike e shoqërisë dhe e klasës politike shqiptare gjatë tranzicionit demokratik.

Ashtu si disa shokë të tij me të cilët ka punuar e bashkëpunuar si Edmond Tupja e Viktor Kalemi, Fotaq Andrea, është një përkthyes që dallon për përkthime nga shqipja në frëngjisht dhe nga frëngjishtja në shqip. Krahas antologjive që përmendëm më sipër dhe dy antologjive të reja që kanë parë dritën e botimit kohët e fundit Përralla perse e arabe – 2 vëllime dhe Antologji e përrallës frënge, Andrea ka përkthyer e botuar edhe romanin historik Shqiptarka dhe urrejtja e saj të Pierre Chanlaine, si dhe romanin tjetër historik të Leon Cahun Hasan Jeniçeri – historia e një shqiptari më 1516. Kjo vepër – të cilën e botoi më 2005 –, përbën edhe pikënisjen e studiuesit Andrea për t’u orientuar drejt Faik Konicës, i cili që herët kishte huazuar si pseudonim emrin e personazhit kryesor të këtij romani: Thrank Spirobeg, duke qenë mik i ngushtë i orientalistit të shquar Cahun, me të cilin kishte bashkëpunuar në Paris për vite të tëra. Por vetë Andrea, nëse do të shtrëngohej të vinte gishtin mbi përkthimin e tij më të mirë në shqip, do të përzgjidhte romanin Gargantua të Rabëlesë, libër tepër i vështirë që e përktheu nga gjuha e vjetër frënge e vitit 1534. Në përkthimin e kësaj vepre, Andrea i vuri si qëllim vetes të pasqyronte gjuhën e bukur të Rablesë, këtij klasiku të Letrave frënge, cilësuar si Mjeshtri i saj hyjnor, me një gjuhë shqipe disi të vjetër, por të bukur e të pasur për të përballur këtë kryevepër të letërsisë botërore. Po ashtu, edhe përkthimi i tij i fundit Legjendat e Mesjetës, që kanë në qendër “Kalorësit e Tryezës së rrumbullakët të mbretit Artur”, karakterizohet nga një bukuri dhe ëmbëlsi e veçantë e shqipes së tij.

Në përkthimet nga shqipja në frëngjisht, Fotaq Andrea që herët ka dhënë kontributin e tij kur punonte si përkthyes në Shtëpinë botuese me ekipin e Jusuf Vrionit, por më pas, i prirë për t’i hyrë më të vështirës në përkthime, ai dha në frëngjisht librin me fabula të fabulistit të talentuar Ferit Lamaj Dhelpra e Trojës, libër që u vlerësua me çmimin ndërkombëtar Çmimi La Fonten. Tek mori pjesë në Konferencën Eposi i kreshnikëve, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare, Prishtinë, gusht 2010, me kumtesën e tij Vështrim historik i këngëve heroike shqiptare në Letrat franceze, Andrea u zotua të përkthente në frëngjisht dokumentarin Lahutari i fundit në kuadrin e përgatitjes së dosjes Eposi i Kreshnikëve, vlerë e trashëgimisë botërore gojore për t’u marrë nën mbrojtje nga UNESCO. Andrea kujton këtu vështirësitë tepër të mëdha që hasi në përkthimin në frëngjisht të këtij filmi, kur detyrohej të përkthente një gjuhë gegërishte mjaft të rëndë në gojën e pleqve 80 vjeçarë, që flisnin me dialekt të lashtë plot hundorëzime, si të shëmbeshin, thotë Fotaqi, vetë shkëmbinjtë e moçëm nga lartësitë e maleve të Rugovës. Andrea ia arriti edhe këtij qëllimi dhe filmi u shfaq gjithandej, deri edhe në Pekin. Këtë vështirësi në përkthim, Andrea e hasi po ashtu edhe te Përrallat shqiptare në frëngjisht, një antologji që ai ndërtoi me përralla të zgjedhura nga visaret e kombit tonë, të cilën e ka në fazë të fundit përpunimi. Vështirësia përkthimore në gjininë e folkloristikës e të fabulës është e njohur nga të gjithë, dhe kërkon vullnet e durim, këmbëngulje e pasion të veçantë për t’ia dalë mbanë.

Ndërkaq, në prill 2015, ai botoi në Francë librin Guri i shpirtit – Kronika shqiptare, një përmbledhje me 14 tregime të tij të zgjedhura, shkruar gjatë viteve 1997-2004. Këtu ai pasqyron periudhën e tranzicionit të dhimbshëm demokratik shqiptar. Kohët e fundit, duke analizuar një për një këto tregime të tij në frëngjisht, prof. Anton Papleka, me një ese të gjatë, e krahason stilin e Andreas me stilin e Migjenit tek shkruan: Fotaq Andrea, vazhdues i traditës migjeniane.

Një kontribut më vete përbën përkthimi i tij i librit të Sami Repishtit Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux (Onufri 2011), ku Andrea, me një shkrim përmbledhës për vlerat e veçanta të kësaj vepre rinore të profesor Repishtit, shfaq potencialin e fuqishëm intelektual të këtij personaliteti të shquar të botës shqiptaro-amerikane që na mahnit me freskinë dhe forcën e mendimit të tij… E në këtë forcë të madhe shpirtërore – vijon Andrea -, Repishti student i ngre himn nënës së vet dhe gjithë nënave të përvuajtura të Shqipërisë, që me dashurinë e tyre mbanin të ndezur flakadanin e jetës dhe vetë optimizmin për të.

Si intelektual me interesa të gjera Andrea bashkëpunon dhe me shkollat e larta të Shqipërisë për përkthime veprash për programe mësimore si libri i historianit të shquar amerikan Moses Finlay Demokracia e lashtë greke dhe demokracia moderne.

E mbyllim këtë ese për Fotaq Andrean me projektet e tij për të studiuar së shpejti jetën dhe veprën e rilindasit Sotir Kolea, pa iu ndarë Konicës, Dora d’ Istrias, përkthimit të veprës së Rablesë Pantagrueli si dhe hulumtimeve në fushën e albanologjisë.

Do të shtonim se Andrea është studjuesi e hulumtuesi më i përgatitur për të gjurmuar e mbledhur dhe shkrime të penave franceze për arbërorët e Greqisë, të cilët ashtu si arbëreshët e Italisë kanë vlera të mëdha për kulurën tonë arbërore-shqiptare. Një vepër e tillë si volum i dytë i antologjisë Arbëreshët e Italisë, 1413-2007 duhet kryer sa më parë sepse arbërorët e Greqisë janë drejt asimilimit të plotë dhe nuk mbrohen e nuk studjohen nga institucionet shkencore të shtetit grek.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, STUDJUES DHE ZBULUES NË FUSHËN ALBANOLOGJIKE, Thanas L Gjika

FAIK KONICA, ZBULUESI I FLAMURIT TË SKËNDERBEUT,IDEATOR PËR NJË HIMN KOMBËTAR

March 28, 2016 by dgreca

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

Fletore koniciane nr. 20 /

 Nga Fotaq Andrea/

 Për Mjeshtrin Taso (Anastas Kostandini), piktori pogradecar me penel të vrullshëm kombëtar/

  1. Fan Noli i njeh Faik Konicës, bashkëluftëtarit të tij në Kryqëzatën e shenjtë Kombëtare, meritën e zbulimit të Flamurit të Skënderbeut.1 Meritë madhore, për gjithë sa simbolizon vetë flamuri kombëtar, sidomos kur sjellim në vëmendje ato kohëra të errëta e të egra që përjetonin shqiptarët nën pushtimin osman.

Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre “shqiptarëve mëmëdhe-dëshërimtarë për t’u mbledhur rreth e rrotull flamurit tonë”2. Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e  Albanisë, emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij. Solli në koren e kësaj kryevepre emblemën me shqiponjë të Skënderbeut, vargjet e popullit për Kryetrimin, si dhe vargjet e veta e të rilindësve për atë që u quajt “Dragoi i Shqipërisë”, “Babai i Kombit”, “Mbreti i Shqiptarëve”. Vuri në qendër të prozës poetike Mrikën 17 vjeçare, “me leshrat që i derdheshin gjer në vithe të kalit” dhe që mbrojti Skënderbeun në shesh të betejës me gjoksin e saj të njomë shpuar tejpërtej nga shigjetë e turkut.3 E shenjtëroi vashën luftëtare shqiptare si gruan e thjeshtë të popullit francez me gjoksin zbuluar majë barrikadës në tablonë e Delacroix “Liria udhëheq popullin”. Solli Shegën, “Lulen e Maleve”, “Perëndeshën e luftës”, siç thotë, atë zanë e Dianë shqiptare që ra edhe ajo në shesh të betejës, kur plumbi i halldupit “i prekojti siskën e rrumbullakët dhe ndoti me të kuq bardhësinë e saj”.4 Dhe, pas Mamicës e Vojsavës në lot për vdekjen e Kryetrimit dhe rënien e Krujës, pas “Vajtimit për robëri të shqiptarëve”5 ringjalli  në Kujtesën e Kombit – si një Feniks që rilind nga hiri çdo pesëqind vjet – edhe vetë Kryeheroin, atë vit fatlum 1912 kur, me emrin dhe “Flamurin e tij të kuq dhe shqiponjë të zezë dykrenare”, dha kushtrimin final për t’u dhënë turqve dërrmën e fundit dhe kur shqiptarët, “duke parë atë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe e prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit”.6

Por, përtej këngës së tij me patos rilindës dhe simbolikë të goditur, përtej romantizmit të fuqishëm si tipar dallues i Përlindjes shqiptare, Konica hulumtoi e gjurmoi – mbi bazë të gjerë dokumentare dhe shkencore -, Historinë e Arbrit gjatë periudhës kastriotine, kërkoi e nxori në dritë portretin autentik të Skënderbeut, bashkë me emblemën e tij, si dhe studioi e analizoi nga afër armët dhe përkrenaren e Heroit shqiptar drejtpërdrejt në muzeume, arkiva e biblioteka të Europës. Po ashtu, iu referua me kujdes e frymë kritike autorëve perëndimorë që e kishin trajtuar gjerësisht figurën e tij. Dhe tërë këto hulumtime i pasqyroi te “Albania”, me pendë të tillë që  gdhend fjalën shqipe e frënge, ndihur nga peneli plot mjeshtëri i artistëve blegë Paul Nocquet e Alfred Bastien, të cilët ilustruan revistën koniciane për mikun e tyre të ngushtë shqiptar. Krejt “Abania” është kësisoj një pasqyrë dhe dëshmi e gjallë e ringjalljes së lavdisë skënderbejane, me gjuhë të freskët e të fuqishme, është një valëvitje e stuhishme flamuri për zgjim e bashkim kombëtar në betejat për pavarësi. “Flamuri i kombit shqiptar, nënvizon revista, kur shqiponja e Shqipërisë ndriste dhe ishte përmbi gjithë kombet e Ballkanit, ishte i dëgjuar e i nderuar prej gjithë kombeve të Europës, duke qenë mbajtur nga duar të shëndosha të gjyshërve tanë, të cilët nuk dinin të mendoheshin ndryshe përveçse shqip”.7

Më 1899, Konica thuri me vargje klasike poezinë “Flamuri”. Që në strofat e para dy-vargëshe, që shquhen për ritmikë luftarake, si një marsh i vërtetë, ai e sheh simbolin flamur të lidhur fort me emrin e Skënderbeut, burim frymëzimi shpirtëror për shqiptarët: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte, / Ish e fortë ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë, / Një shqiponjë me dy krerë, / Ai lirisht hapej n’ erë “.8

Pa u ndalur në një koment të hollësishëm të kësaj “poezie flamur” për flamurin kombëtar – ku Konica e ngjesh vargun me lot e revoltë për gjendjen mjerane në të cilën ishin katandisur shqiptarët e kohës së tij, tek zëvendësuan flamurin historik kombëtar me bajrakun klanor dhe tek “u bashkuan me aganë” për të mbetur pa dritë, kur “kordhat u ndryshkën e në baltë na ra flamuri i naltë!” dhe kur “zuzarët ulërijnë se janë shqiptarë, [por] po bëhen tradhtarë e shërbëtorë”, – është me interes të theksohet në poezinë “Flamuri” thirrja koniciane me peshë aktuale, kundër të gjithë bajraktarëve të sotëm të politikës shqiptare, molepsur keq në korrupsion, që pengojnë sot e kësaj dite përparimin e shpejtë të Kombit shqiptar në rrugën e demokracisë: “Luftë për ca zuzarë, që u lindën shqiptarë… / Është turp për kësi krimbash / Të mundohet një komb trimash!”9  – Heeej Konicë! me fjalën plumb, që bumon e shpon drejt e në zemër!

Më tej, rilindësi i pjekur e i thekur që në moshë të re, i kthehet e rikthehet “Flamurit” me disa shkrime radhazi në prag të shpalljes së pavarësisë (1911), për të nënvizuar idenë se “Flamuri Shqiptar” është i tillë që vetëm syri, zemra, shpirti i një njeriu me ndjenja të larta mund ta kuptojë gjuhën e tij të pashkruar, se “Flamuri Shqiptar”, që nga koha lavdimadhe e Skënderbeut, përherë ka qenë vetëm “Flamur për vetëmbrojtje, me mundime të palodhura dhe trimëria të gjata e të forta”, dhe kurrsesi “jo një flamur lakmirash e rrëmbimesh”10. Dhe Konica që konkludon si rrallëkush, plot urti: “Nga kjo pikëpamje, mund të mburremi se flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit në botë, është dhe një nga më të drejtët”.11

Një nga më të drejtët!… Në një Europë që u tregua aq e padrejtë historikisht ndaj shqiptarëve!… Po as këtu Konica nuk ia përtoi kritikës fshikulluese e ironike, siç dinte veç ai, tek shkroi në frëngjisht te “Albania” më 1897: “Model mirënjohjeje – Europa është kërcënuar dy herë nga një pushtim turk: në mesin e shekullit XV dhe më 1683. Herën e parë u shpëtua nga Georges Kastriot Skanderbeg, dhe herën e dytë nga Jan Sobieski. Sobieski ishte nga Polonia, Skanderbegu nga Shqipëria. Ja pse Europa lejon që shqiptarët të shtypen nga të egrit turq dhe polakët nga të egrit moskovitë.”12

Një tjetër shkrim me bukuri koniciane, për idenë e fuqishme që përmban, është edhe proza e titulluar “Feja e Flamurit”. Sigurisht që flamuri kombëtar, “flamuri i nderit e i lirisë”, tek simbolizon e sintetizon idealin dhe dashurinë për mëmëdheun, përfaqëson edhe krejt lavditë e djeshme, të sotme e të nesërme në vijimësinë e brezave. Dhe Konica, në emër të flamurit të Shqipërisë, veç kur befason duke iu drejtuar me thirrje oshtime rinisë shqiptare, si e ardhmja e vendit që mban në duar fatet e kombit. Tek e don të ndërgjegjësuar për rolin e saj në rrugën e përparimit kombëtar, ai thekson: “U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kurdoherë kanë mësuar nga të rinjtë. Djelmuri e Shqipërisë, mësoi Kombit shqiptar Fenë e Flamurit”.13

Po ashtu, edhe në ditën më të zezë të pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Konica i kthehet prapë e prapë flamurit të Shqipërisë, flamurit të lirë të Skënderbeut, që vazhdon të valëvitet në zemrat shqiptare “me shpresë se dielli do të dalë përsëri në qiell”, ngaqë shqiptari ka sedër, nder dhe kuptim se çdo të thotë Flamur i Shqipërisë, Flamur i Kastriotit të Madh, “që ka për të valuar, sa kohë që do mbetet në faqe të dheut një shqiptar i vërtetë”.14

Te Konica, si tek tërë rilindësit, flamuri është kështu vetë qëndresa historike, vulosur me emrin e Skënderbeut, është bashkimi i njëzëshëm i shqiptarëve për unitet kombëtar, si domosdoshmëri historike. Nga kjo pikëpamje, simbolika e  Flamurit Kombëtar për bashkim e vëllazërim, do të kërkonte natyrshëm edhe zërin e përbashkuar të shqiptarëve për një himn mbarëkombëtar që, siç e thekson me të drejtë prof. Vasil Tole në veprën e madhore “Himni kombëtar” do të quhej si askund tjetër “Himni i Flamurit”, në të cilin shkrihen në një të vetme ideja e himnit dhe ideja e flamurit15.

Himni Kombëtar Shqiptar ka, edhe ai, zanafillat e veta, dhe historiku i tij përbën objekt studimesh të rëndësishme, ku domosdo edhe Konicës i njihet një rol parësor në ideimin e këtij himni, që do të ndiqte rrugën e vet të natyrshme nga krijimi i këngës shqiptare me muzikë klasike (viti 1902)16, nga themelimi i bandave orkestrale shqiptare dhe i muzikës korale (organizimi i koreve kishtare më 1907-1908) gjer te përgatitja e partiturave të para të vetë Himnit nga Hilë Mosi e Ilo Tashko, e më tej te Asdreni me shokë që dhanë Himnin Kombëtar, këtë “fakt të ndritur historik”,17 vulosur me gjak e sakrifica. Ishte vetë nevoja shpirtërore e një populli të tërë të përvuajtur që, në prag të Pavarësisë, kërkonte – si dikur thirrja e luftarake e Lekë Dukagjinit “E mbë ta!” (E mbi ta!) në furinë shqiptare ndaj turkut pushtues – thirrjen kushtrim të Himnit: “Rreth flamurit të përbashkuar!”, atë thirrje mobilizuese për qëndresë në çdo kohë e rrethanë, që përherë mban lart zemrat dhe ndjenjën kombëtare. Andaj dhe shohim Konicën, më 15 maj 1911 në Saint Louis, Missouri, t’i hyjë një ndërmarrjeje të re, siç di e befason ai, tek përshtat lirshëm e bukur në shqip vargjet e “Marsejezës” franceze, me ritmikë marshi gjithë gjëmim:

“Përpara, djem’ të Shqipërisë! / Zër’ i kushtrimit po gjëmon! … / I ndryri [i përgjakuri] flamur po valon! / Malet tona po ushtojnë… Egërsirat ju kërkojnë / Nder e gruas, gjakn’ e djalit! / Burra, kush është trim, / Në luftim me nxitim, / Me hov, me hov! I bini me tërbim, / Armikut për shpërblim…”.18

“Marsejeza shqiptare”, me fuqinë e një force koniciane tingëllon kështu po aq energjike sa “Marsejeza franceze”, ku fjala, ritmi, rima na japin “këngën luftare”, siç e quan Konica himnin, tek sheh në kuintesencën e tij zgjimin e ndjenjës së trimërisë, lirisë e atdhedashurisë, “që ndez zemrën e ushtarit me atdhesi”.19 Si jep historikun e “Marsejezës”, që shpejt do bëhej himni kombëtar francez, për vetë rolin madhor që luajti në lavdinë e Francës, Konica ndalet në përshtatjen që ai i bën në shqip tekstit të këngës franceze duke bërë, siç thotë, një “përkthim équirythmique”, domethënë përkthim vargu me barasvlerë ritmi për të njëjtat nota muzikore. Është kjo, një punë tejet e vështirë, që kërkon sa përkthim, aq edhe përshtatje e krijim të zhdërvjelltë, profesionalizëm të lartë, por edhe talent të veçantë, kuptuar vetëm nga ata që dinë ç’do të thotë në thelb përkthim, por që dinë ç’do të thotë në thelb edhe muzikë, në harmoninë e notës muzikore me fjalën poetike.

Me përshtatjen në shqip që i bëri “Marsejezës”, si dhe me historikun dhe komentin e saj, Konica, që nga Amerika dha jo vetëm thelbin e saj patriotik që sintetizon e pasqyron shpirtin dhe ndjenjën kombëtare të popullit francez, (gjest i lartë internacionalizmi nga ana e tij), por edhe modelin perëndimor të ndezjes së ndjenjës kombëtare shqiptare, për ndërgjegjësim të popullit, në një shkallë më të lartë vetëdijeje, në prag të Pavarësisë, kur Himni Shqiptar do të shihte dritën e parë të shfaqjes së tij më 21 prill 1912, një vit më pas nga “Marsejeza shqiptare” koniciane.

  1. Në numrin e fundit të “Albania-s”, botuar në shkurt-mars 1909, tërheq vëmendjen një shënim i shkurtër i Faik Konicës titulluar “Pilori” – huri i dikurshëm (i Mesjetës), siç shpjegon ai, ku lidheshin në sheshin publik keqbërësit “për t’u bërë sehir”. Por Konica e përdor këtu termin si titull rubrike për të denoncuar “ca të thëna të botëshme, poshtërsia karakteristike e të cilave meriton më tepër se të kasnecohet…”.20 Godet kështu gazetën “Lirija” të Selanikut, e cila nuk kishte munguar të denigronte në atë kohë simbolin e çmuar të shqiptarëve, “flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenaresh” tek shkruante: “S’mund të themi se ajo lëvere është flamur i Shqipërisë”.21 Aq do duhej, që rilindësi i flaktë, i cili nuk linte organ shtypi pa kaluar në duar kur flitej për shqiptarët, të gatiste kopaçen e vet, çomangen koniciane, dhe të hartonte një shkrim tejet të argumentuar për flamurin shqiptar (artikulli i mëposhtëm – pjesa III), shkrim që, për fat të keq, nuk është ribotuar që nga koha e “Albania-s”.

Duke e lënë lexuesin të shijojë plotësisht penën e Konicës, dhe pa dashur të perifrazojmë një grimë argumentimin e tij mbështetur mbi bazë dokumentare, po parashtrojmë përmbledhtas katër etapat që njohu stilizimi i shqiponjës në emblemat e konceptuara nga Faik Konica dhe të realizuara nën kujdesin e tij.

Fillimisht, vihet re në ballinën e revistës “Albania” përgatitur nga piktori e skulptori Paul Nocquet (duke filluar nga nr. 1, viti II, 1898 i revistës), emblema kastriotase, që vendoset në krye të anës së majtë të revistës, sikundër vetë zemra qëndron në anën e majtë të trupit njerëzor. Përmban shqiponjë të zezë krahëhapur në fushë të artë dhe të kurorëzuar në dy krerët e saj. Në ballë të emblemës, gjendet një shqytëz në formë trekëndëshe, në ngjyrë të kaltër, e me një yll të artë gjashtëcepësh (shpjegimet këtu janë të vetë Konicës). Në fakt, “Ky armor është blazon i shekullit XVI, dhe paraqet emblemën që u skalit rreth vitit 1500 në Napoli, mbi varrin e Kostandin Kastriotit, nipi i Skënderbeut, nën kujdesin e Donika Kastriotit”.22 E quajtur “shqiponja heraldike e Kostandin Kastriotit”,23 ajo dallon për trupin e mbushur e të mbledhur, për qafat e paraqitura në lartësi dhe bishtin në gjatësi, duke pasur, kështu vertikalitet si emblemë.

Duke filluar nga nr. 8, shtator 1900, “Albania” e ndërron plotësisht ballinën e vet apo “kryefytyrën” sipas termit konician, për të na dhënë emblemën e saj të re, që do të botohet periodikisht, gjer në numrin e fundit të revistës, mars 1909. Hyjmë kështu në etapën e dytë të stilizimit të “‘shqiponjës koniciane”, gati mbretërore, nëpërmjet një embleme të fuqishme, që përmban shumë elementë karakteristikë. Emblema është vepër e piktorit belg Alfred Bastien, i cili realizoi për revistën “Albania” edhe një mori vinjetash e ilustrimesh, mbi bazën e kërkesave të Konicës, ku bien në sy stilizime të “Lule Shëngjergjit” për nder të Gjegj Kastriotit, dhe stilizime të vetë shqiponjës. Por le të ndalemi konkretisht te emblema “Albania”,24 që jepet në bardhë e zi, kur origjinali me siguri duhet të ketë qenë me ngjyra, nisur nga vetë tonet e së zezës. Emblema sundohet nga një shqiponjë (e artë) dykrenore sqeponjë-klithëse dhe masive, me krahët e shpalosura dhe një flakadan mes krerëve, përshkuar nga një shirit ku shkruhet latinisht “Unitas” (“Bashkim”). Në gjoks të shqiponjës qëndron flamuri i Arbërit dhe, duke pasur parasysh emblemat e familjeve fisnike shqiptare të kohës,25 mendojmë se ky flamur ka pasur këto ngjyra: tre shirita vertikalë, nga të cilët, dy anësorët në ngjyrë blu dhe shiriti i mesit i verdhë;  në krahun e djathtë, sipër, qëndron një kryq i kuq dhe poshtë, në krahun e majtë, është vendosur një gjysmë hënë dhe përballë saj një yll me gjashtë cepa, po të kuq (sigurisht ngjyrat po i japim të pavërtetuara). Po ashtu, flamuri ndahet diagonalisht në dy pjesë nëpërmjet një vizimi nga e majta në të djathtë. Kemi të pasqyruar nëpërmjet këtij flamuri të Arbrit idenë e lashtësisë shqiptare, nga kryqi i krishterimit te simbolet bizantine të hënës së re dhe yllit me gjashtë cepa (rreze), i njohur si ylli i Davidit. Krejt gjoksi i shqiponjës dhe flamuri i Arbërit, përshkohen nga një shirit i dytë ku është shënuar latinisht viti i botimit të “Albania-s” (Anno 1896) dhe vetë emri i emblemës “Albania”. Një shirit i tretë mbahet nga kthetrat e shqiponjës ku shkruhet: “Unguibus et Rostris”. “Kjo fjalë latinishte, shpjegon Konica, bie shqip “Me qipe e me thonjë”, domethënë shqipja dykrerëse i ruan të drejtat e saj me qipe e me thonjë.”26 Është në fakt motoja e lashtë e qytetit të Avinjonit në kohën papale, e barasvlershme me shprehjen “me dhëmbë e thonj” për të ruajtur diçka të shenjtë, ashtu si shqiponja dykrenore e Sienës në Itali.

Në një etapë të tretë, Konica e ndryshon kryekëput konceptin e tij për shqiponjën dykrenore duke u frymëzuar këtë herë drejtpërdrejt nga Barleti. Merr shkas nga një fjalë e vetme  “Distincta” në përshkrimin që i bën Barleti shqiponjës kastriotase për ta paraqitur këtë herë si shqiponjë të zezë në fushë të kuqe, pa kurora mbi krye, por me flatrat ngritur mjaft përpjetë, duke theksuar në këtë mënyrë idenë e një shqiponje krenare, si e ardhur drejtpërdrejt nga frontet e luftërave ngadhënjyese skënderbejane. Këtë shqiponjë, ai e konceptoi në fillim të shekullit XX dhe e shohim të shfaqur kryesisht te kartolinat që botoi Aladro Kastrioti me rekomandim të Konicës dhe që u shpërndanë në mjaft kopje në Shqipëri në vitet 1904-1910 për të propaganduar flamurin kombëtar. Po ashtu e shohim këtë shqiponjë më pas, me rastin e botimit të organit “Trumbeta e Krujës” në Sent Luis, Amerikë, më 1911. Dhe vetë Konica që e komenton me hollësi këtë shqiponjë te “Dielli” i 25 nëntorit 1938: “Kryefytyra e Trumbetës së Krujës është përvijësuar me mjeshtri nga një artist i Bostonit, Z. Morse,27 pas planit dhe dokumenteve që i dhashë. Vëreni re mirë dhe kuptojeni: më një anë, kalaja e Krujës, gjysm’e prishur. Në majë të një mur-kulle, ka dalë një ushtar i veshur me çelik e hekur, si në kohë të Skënderbeut… Më anë tjetër, si një shpresë e largme, por jo e kotë, shohim flamurin e Skënderbeut, por flamur feste dhe jo lufte… Më të mëngjër e më të djathtë janë të dy dokumentet katërqind vjeçare të vjetra, që provojnë se me të vërtetë kështu ish flamuri i Skënderbeut”.

Në një etapë të katërt, shohim të na shfaqet tanimë shqiponja dykrenore, e stilizuar në disa variante, kryesisht shqiponja e gazetës “Flamuri” dhe sidomos ajo e gazetës “Dielli”, që do të njohë disa stilizime: fillimisht me krahë mjaft të shtrira dhe herë me diellin mes kryeve dhe rrezatime të gjata a të shkurtra, herë me diellin në gjoks, pa rrezatime, ose pastaj shqiponjë me krahë të drejta horizontale që simbolizojnë edhe vetë rrezet e diellit. Nuk mungon as shqiponja me një lakore të madhe diellore në formë shiriti që kurorëzon krejt emblemën e gazetës “Dielli”.

Në fakt, simbolin e diellit e kemi te “Albania” koniciane që me fillimet e revistës në ilustrimin e Nocquet, si dhe te ilustrimet  “Farëhedhësi” dhe “Malet e Shqipërisë”, nga i njëjti piktor. Po ashtu edhe te vinjetat e Alfred Bastienit përdorur te “Albania”. Veçse, pas shpalljes së Pavarësisë, simboli i shqiponjës do të vijë duke u stilizuar përherë e më shumë, siç na e dëshmon studiuesi virtuoz Jaho Brahaj. Në flamujt e shpalljes së Pavarësisë dhe të shtetit të ri shqiptar, por edhe në emetimet e para të pullave postare dhe prerjet e monedhave shqiptare gëlojnë stilizime të mahnitshme të shqiponjës dykrenore, sidomos te flamuj të shoqërive patriotike brenda dhe jashtë vendit. Tanimë, shqiponja dykrenore e flamurit të Skënderbeut, zbuluar e iniciuar nga Konica – si krejt zbulimet dhe Punët e tij të mëdha Kombëtare –  e kishte bërë punën e vet për t’u shndërruar shpejt në Flamur Kombëtar dhe në version zyrtar.

III.  Nga Faik Konica

Shqipëria e ka një flamur autentik? – Përgjigje për një të sharë xhonturqve

Solli në shqipen e sotme Fotaq Andrea/

Xhonturqit, për të shuar idealizmin në zemrat e shqiptarëve, përhapën dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur autentik, që flamuri i kuq me të zezën shqiponjë dykrerëshe, është i përbërë rrenësisht tani shpejt, dhe që kjo “lëvere” s’ka ndonjë rëndësi fare. Oh jo, o xhonturq, nuk është ashtu! Lajthiteni shumë. Në kini dyshim, pyesni kockat e stërgjyshërve tuaj, dhe do të mësoni lartin dhe madhërinë e atij flamuri. Dhe jo kockat e kraharorit, po kockat e kurrizit – se turqit, stërgjyshërit tuaj, të mundur prej atij Flamuri në jo më pak se njëzet e dy luftëra, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë.

Por, që t’u presim guximin xhonturqve, dhe t’u provojmë shqiptarëve padrejtësinë e armiqve të kombit tonë, do të shtrojmë përpara secilitdo tekste autentike që dëftojnë, pa lënë fare vend për dyshim, vjetërsinë dhe vërtetësinë e flamurit që përdorim.

Kur bisedohet një pikë historie, duhet më parë të marrim librat më të vjetra  dhe më të shëndosha që e ngasin atë pikë. U botuan latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hispanisht, portugisht, suedisht, greqisht, më tepër se njëqind vepra përmbi jetë të Skënderbeut. Por, lënda e të gjitha këtyre veprave është e marrë, rrjedh nga një burim. Thashë “burim”, dhe këtë fjalë mbajeni mend, se nuk është një metaforë e ardhur pa kërkuar nën pendën time, por është pikërisht fjala teknike e përdorur nga historianë; Thonë frëngjisht “les sources” , “burimet” e një çështjeje historiake. Kënduat ngandonjëherë fjalën “bibliografi” të përdorur këtu [te “Albania”]. I ndjeri Emile Legrand gatonte një bibliografi shqiptare. Puna e bibliografëve është të ngrehin lista metodike librash përmbi aksh e aksh subjekt, që jo vetëm studentët e një çështjeje të shohin se ç’u botua përmbi atë, po të dinë edhe burimet nga u hoqnë [nxorën] ato botime.

Mjerisht, “burimet” e Skënderbeut tonë janë aq të pakta, sa s’kemi nevojë për kërkime të veçanta, dhe i dimë që janë dy.

I pari burim është një libër i shtypur më 1480 (vetëm 13 vjet pas vdekjes së Mbretit!), në Venedik, latinisht, nën këtë titull: “Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensum. Venetiis impressa industria, atque impensa Erhadi Radolt de Augusta  anno Domini 1480. Die 2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco  inclyto Duce”.  Do me thënë: “Historia e Skënderbeut e botuar prej një shqiptari. U shtyp në Venedik me mundim dhe me të holla t’Erhard Radolt-it në vit të përlartë të Zotit 1480, ditën e 2-të të muajit të Prillit, kur ish në fron (të Venedikut) Joanni Mocenigo, duka i shkëlqyer”. Për autorin, i cili me modesti të tepërt, nuk e shfaqi emrin e tij, dimë këto: Ish nga Tivari, dhe një vëlla i tij qe zyrtar ndër truprojësit e Skënderbeut. Nga ky vëlla, autori shqiptar i mësonte të gjitha punët e Mbretit pothuaj ditë pas dite: zakonet e veçanta të Skënderbeut, marrëveshjet diplomatike, fushat e luftës, të tëra janë shkoqitur me shumë kujdes. Një tregim [episod] do t’u tregoj vërtetësinë e autorit tonë: kur arrin në histori të luftës së Skënderbeut në Itali, ku Mbreti ynë kishte vajtur t’i ndihte mbretit Ferdinando të Napolit kundër frënqve, shkronjësi kërkon ndjesë nëse bën lajthime, sepse, thotë, këto të ngjara i mësoj nga dorë e dytë, duke qenë që i vëllai i tij, i sëmurë në atë kohë, qe i shtrënguar të mbetet në Shqipëri: “Frater meus, qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cujus traditiones ego potissimum sequebar, eo tempore morbo implicitus domi manere coactus fuerit”. Si e shihni, libri i shkronjësit të Tivarit është një burim shumë i vlershëm për jetën e Skënderbeut. Për fat të keq, s’ka mbetur më sheshit asnjë ekzemplar; po me gjithë këtë, e njohim me anë të priftit Biemmi, i cili e përdori, pothuaj e përktheu, në jetë të Kastriotit që botoi italisht më 1742 në Brescia.28

I dyti burim i jetës së Skënderbeut është vepra e Barletit: “Historia de vita et gestis Scanderbegi, etc”. (“Histori e jetës dhe e të bërave të Skënderbeut, etj). Barleti qe shkodran dhe e kish parë me sy Skënderbenë. Kur ra Shkodra në duar të barbarëve, Barleti u ngrit e shkoi në Venedik, dhe atje botoi më parë historinë e luftës së Shkodrës. Më 1508, botoi latinisht jetën e Skënderbeut, e cila pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Edicion i parë, 1508, është shumë i rrallë; po British Museum-i, i cili është fort i pasur në libra për Skënderbenë, ka jo një, po dy ekzemplarë nga ky edicion!

Pas këtyre burimeve, mund të shtojmë një vepër shumë edicionesh (i pari të cilin e kujtoj këtu, doli në Paris më 1576) të Lavardinit: “Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roy d’Albanie. Par Jacques de Lavardin, etc., Paris, 1576”. Libri i Lavardinit, i hequr nga i Barletit, nuk mund të quhet një burim, po ka një vlerë: si e dëftova aq herë te pjesa frëngjisht e “Albania-s”, në atë kohë mbretërit e Francës kishin një trupë shqiptarësh në ushtri të tyre. Lavardini, si burrë i luftës, kish raste mjaft që të piqej me këta ushtarë, të cilët do kishin dëgjuar qindra herë  nga pleq të vendit të tyre të ngjarat dhe punët e Skënderbeut. Lavardini pra qe i zoti të kontrollonte të thënat e Barletit; dhe në mos e akseptofshim si burim, se burim nuk është, kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të dobishëm të burimeve.29

Le të kërkojmë tani në këto vepra me rëndësi në bëhet fjalë për flamurin e Skënderbeut dhe ç’thuhet.

I.” Anonimi i Tivarit”, 1480 (i cituar prej Biemmi-t, f.23) thotë: “L’insegna di Scander begh era un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso.” Do me thënë: “Flamuri i Skënderbeut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”.

  1. Barleti, 1508 (fletë XV) thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta30 aquilis gerebat Scanderbegus.” Do me thënë: “Skënderbeu mbante flamurë të kuq të shtruar, me shqiponja të zeza dhe dy krerësh”.

III. Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë: “Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portit une Aigle noire à deux testes.” Do me thënë: “Në flamur të tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kish një Shqiponjë të zezë me dy krerë”.

Si e shihni pra, o vëllezër, flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lëvduarit e botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetërit. Turqit le të thërrasin “lëvere” flamurin e tyre, i cili është i përlyer dhe i kalbur nga lot dhe nga gjaku i armenëve dhe i aq kombeve të tjera.

Albania, vëll. XII, 1909. 

1 Në seancën e parlamentit shqiptar më 1923 dhe gjatë fjalës së tij ditën e varrimit të Konicës.

2 “Programi tonë”, Albania nr 6, f. 90-91; “Si të punojmë”, Albania n° 5, f. 65.

3 F. Konica, Vepra 1 , f. 150, bot. Dudaj.

4 Po aty, f. 89.

5 Po aty f. 70. “Albania”, n°5, vëll. X, 1906, f. 94.

6 Vepra 1, cit. f. 176, “Gatitjet e Skënderbeut kundër turqve”..

7 “Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897 f. 65.

8 Po aty, f. 67.

9 Po aty, f. 68-69.

10 Po aty, f. 105.

11 Po aty.

12 “Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897, f. 88.

13 Vepra 1, cit. f. 107.

14 Po aty, f. 106.

15 Aristotel Mici, “Rreth librit “Himni Kombëtar” të etnomuzikologut prof. Vasil Tole”, https://gazetadielli.com/rreth-librit-himni-kombetar-i-etnomuzikologut-prof-vasil-tole/

16 F. Andrea, “Fletore koniciane n° 19”, botim “Dielli”, 11 mars 2016.

17 A. Mici, vep.cit.

18 Vepra 1, f. 72, 110-111.

19 Po aty, f. 110.

20 “Albania”, vëll. XII, 1909, f. 16-17.

21 Po aty.

22 Gjin Varfi, “Heraldika Shqiptare”, bot. Dituria, Tiranë, 2000, f. 31.

23 Jaho Brahaj, “Flamuri i Kombit shqiptar, origjina, lashtësia”, Tiranë, 2007, f. 79. Vetë Konica e komenton këtë emblemë  tek “Albania” nr. 1 (XIII), 30 maj-15 qershor 1898, duke na dhënë  edhe burimin nga e ka marrë : “Libri gjenealogjik i Kastriotëve nga Komandori Padiglione“, Napoli 1879.

24 Një përshkrim të kësaj embleme ka bërë edhe studiuesi Efthim Dodona në artikullin “Alfred Bastien dhe pikturat për Konicën”. Gazeta shqiptare (“Milosao”, suplement). – Nr. 4100, 13 janar, 2008, f. IV.

25 Emblemat e familjeve fisnike shqiptare Sokoli, Maruli, Avloniti, ndër të tjera, kanë pasur të pasqyruar simbolin e gjysmë hënës, si në ngjyrë të artë, ashtu dhe të kuqe. Gjin, Varfi, vep.cit. “Heraldika shqiptare”.

26 “Albania”, nr.8, 10 shtator 1900, viti IV vëll. E, f. 9.

27 C.H.D. Morsl. – nënshkruar në pjesën fundore të ilustrimit “Trumbeta e Krujës”.

28 Humbja e Librit të Tivarasit nuk është një e ngjarë e rrallë në historinë e librave. Një tragjedi e Thomas Corneille-it (vëllait të Corneille-it të madh) u botua në shekull të XVII, u shit, u bisedua [komentua] në shkrime, u loz në theatro, – dhe sot nuk mund të gjendet asnjë copë gjëkund. (“Brunet, Manuel du Libraire” E citoj nga kujtimi). Shihni veprën e Budit “Speculum Confessionis” (Rome, 1621), qenien e së cilës e shfaqa për të parën herë dy vjet më parë te “Albania”: ndodhet në botë vetëm një copë e njohur, në Bibliothèque Mazarin të Parisit (n° 24, 582). Libri i Tivarasit u botua 150 vjet më parë se ai i Budit dhe nja 200 më parë se ai i Th. Corneille-it. Por prapë, jam i sigurt që një ditë do të gjendet një ekzemplar në ndonjë libërtore të Italisë. (Shënim i F. Konicës).

29 Kjo ide e Konicës mund të jetë e vlefshme edhe për sa i përket “burimit bibliografik të Biemmi-së” i njohur si “Anonimi i Tivarasit”, i cili, deri më sot (me përjashtim të Konicës, A. Gegaj e Nolit), nuk ka qenë pranuar nga Historiografia shqiptare. Prof. Kristo Frashëri, në veprën e tij “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra“, e trajton gjerësisht çështjen e ekzistencës, autenticitetit dhe vlerës së “Anonimit të Tivarasit”, duke e lënë, me të drejtë, çështjen të hapur për diskutim e studim objektiv e shkencor, mbi bazën e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë të veprës së Biemmi-së me dokumente të kohës. (K. Frashëri, “Skënderbeu…” bot. Toena, 2002, f. 5-20).

30 Kjo fjalë, e përdorur natyrisht edhe prej Biemmi-t, është hequr nga terminologjia heraldike, dhe “thuhet gjithnjë për pendët e hapura me majë të kthyera përpjetë.” (Shënim i F. Konicës –  nënvizimi ynë).

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, I FLAMURIT TË SKËNDERBEUT, IDEATOR PËR NJË HIMN KOMBËTAR, ZBULUESI

KUR BAJRONI KËNDONTE LABÇE… DHE KONICA BËNTE KËNGË ME MUZIKË KLASIKE

March 11, 2016 by dgreca

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

Fletore koniciane nr. 19/

 Nga Fotaq ANDREA/

 I-Nuk kemi të bëjmë këtu me fantazi, aq më pak me pompozitet titulli. Është Konica që na sjell nëpërmjet “Albania-s” një episod të bukur – botuar këtu më poshtë – nga jeta e Bajronit, gjeniut të Letrave klasike botërore, kur, rrethuar mes miqsh, ai këndon një këngë shqipe, gjatë një shëtitjeje me anije mbi lumin Rhin… në Gjermani… në kërthizë të Europës.

Le ta përfytyrojmë një çast skenën: një perëndim dielli që flakëron valët e qeta të Rhinit; një anije e vogël që rrëshqet mbi të dhe, mes litarësh të një direku, një rini gazmore e gumëzhitëse. Dhe ja një Bajron – të cilin e përfytyrojmë edhe të veshur shqiptarçe – ulur bash këmbëkryq në bash të anijes, tek ia merr një labçeje… labçe me sa në kokë, që e ka mësuar mes trimave të tij shqiptarë! Një skenë e tillë përfytyruese, e denjë për pikturë murale nuk ka si të mos shfaqet po aq madhështore sa dhe vetë tabloja e Thomas Phillips që përjetësoi Bajronin veshur me kostumin shqiptar.

Që Bajroni është pikë referimi e Konicës nga “Albania” te “Dielli” e deri te “Shqipëria, kopshti shkëmbor…”, kjo është e qartë dhe nuk po themi këtu ndonjë të re. (“Sa e vështirë është të thuash gjëra të reja!” – shprehej Bajroni). Por, përveçse pikë referimi – si dhe pikë krahasimi midis shqiptarëve e grekëve -, Bajroni na shfaqet edhe si pika e fillesës e veprës koniciane, kur rilindasi shqiptar i njeh Poetit të Madh vendin e nderit te revista e tij, duke e vënë në krye të kryeveprës “Albania”. Fakti është se që në shkrimin e parë monumental hartuar në frëngjisht “Gjuha e bijve të shqipes“, që çel “Albania-n”, Konica i referohet Bajronit sepse, më mirë se kushdo, ai “ka përshëndetur i entuziazmuar shqiptarët me vargje të pavdekshme”, në këngë “me burim hyjnor”.1 Dhe, po në numrin e fillimit të “Albania-s”, në një shkrim të dytë, qëndisur përsëri në frëngjisht dhe posaçërisht për lexuesin e huaj, Konica jep “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, duke përkujtuar kohën “kur Ballkani gjëmonte nga emri i një Shqiptari”, Ali Tepelenit, dhe kur lavdia e këtij Burri, nga brumë i moçëm pirrik “ishte shtrirë gjer në Perëndim”.

Është i qartë synimi i Konicës tek larton shqiptarët e Bajronit, arvanitasit dhe suljotët e famshëm të Misolongjit, si për t’i thënë botës mbarë: Mbani vesh, është Bajroni që po ju flet, po ju flet për shqiptarët! Për shqiptarët e vërtetë, fisnikë të virtytit, mikpritës dhe miq të besës, trima krenarë, me armët që u vezullojnë “maleve të Shqipërisë, me bukuri të zymtë e madhështore”; është Bajroni që po ju shpreh admirimin e tij për bijtë e lashtë të shqipes!

E tillë ishte gjenia e Bajronit për të ndriçuar në botë figurën e shqiptarit epik në fillim të shekullit XIX. E tillë ishte edhe gjenia e Konicës – me fjalën e Bajronit në gojë – për të ndërgjegjësuar Europën dhe vetë shqiptarët, në atë fund të shekullit XIX, për fatin e tyre të mallkuar nën Turqinë osmane, kur tepër shumë po u bihej në qafë e po masakroheshin nga fqinjët lakmitarë. “Për ne, të mjerët shqiptarë, thuhet në një “Letër nga Shqipëria ” botuar te “Albania”, asnjë fjalë të ëmbël Europa s’e ka thënë, edhe gjithnjë, fqinjët armiq tanë, të gjitha të zezat kanë thënë kundër nesh… Vërtet ca njerëz të shquar dhe zemërbardhë si Lord Byron e të tjerë që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri edhe kanë vënë re mirë punërat, kanë shkruar të vërtetën edhe kanë lëvduar Shqipërinë tok me shqiptarët, kaq sa Europa mund të çuditet kur të shfaqen paskëtaj, sepse gjer tani kanë qenë të fshehura edhe të pakuptuara prej njeriu”.2 Ja, me dy fjalë që në atë kohë, fati tragjik i shqiptarit, i injoruar nga Europa, i luftuar nga fqinjët.

Andaj dhe Bajroni i duhej Konicës, një Bajron si simbol i botës së qytetëruar e i romantizmit të përparuar. Dhe ky Bajron shfaqet te “Albania” e më gjerë, në mënyrë të tillë sa duket sikur vetë Konica i mban iso këngës së Bajronit për shqiptarët, duke e jehonizuar atë në rrjedhë të viteve si vetë jehona e këngës polifonike. Sepse një Bajron i tillë si burim frymëzimi, me krejt veprën dhe jetën e tij, sidomos një Bajron theror i Misolongjit dhe i Greqisë, i shërbeu Konicës sa në idenë e ringjalljes së krenarisë kombëtare, aq edhe në idenë e ndërgjegjësimit për Fatin shqiptar dhe të martirizimit për Nënën Shqipëri – vetë thelbi i Rilindjes dhe i lëvizjes sonë patriotike. Në këtë mënyrë, siç nënvizon bajronisti ynë i shquar prof. Afrim Karagjozi, Faik Konica, “renditet i parë në rikthimin e Bajronit në Shqipëri… ai ka çelur një çast historik në kulturën shqiptare… [dhe] nisi një udhë që shkelet sot e kësaj dite”.3

Nga ana tjetër, duhet theksuar se, në shurdhërinë e qarqeve politike europiane ndaj çështjes shqiptare shtruar për zgjidhje që në shekullin XIX, adhurimi i Bajronit për pasardhësit e Skënderbeut e bëri pak a shumë efektin e vet ndikues (kryesisht gjatë viteve 1820-1860), qoftë edhe thjesht në planin ekzotik. E nxiti kështu Viktor Hygoin të krahasonte në poemat e tij Ali Pashain me Napolon Bonapartin, duke i vënë përballë shoshoqit si tigri me luanin, apo si skifteri me shqiponjën; frymëzoi Aleksandre Dumas, Pierre Loti e Oscar Wilde të vishnin edhe ata kostumin shqiptar; kurse piktorët e mëdhenj, Auguste, Delakrua, Collin, Dupré, Deveria, Gerome, Decamps, etj., shpejt do realizonin tablo nga më të mahnitshmet për shqiptarët, ndërkohë që Lamartin, Gobineau, Degrand e një mori autorësh udhëpërshkrues do shkruanin faqet më të bukura për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Konica nuk kishte idhuj. Idhull i tij i vetëm ishte Shqipëria, të cilën ai e përjetësoi te “Albania” e vet. Ishte liria e Shqipërisë dhe Shqipëria moderne. Konica e filloi “Albania-n” me Bajronin, sepse edhe vetë Bajroni e filloi “Çajld Haroldin”, veprën e tij famëmadhe në Janinë, kryeqyteti i  atëhershëm i Shqipërisë. Konica e filloi “Albania-n” me kozmopolitin fisnik Lord Bajron, sepse edhe vetë Faik Bej Konica rridhte nga gjaku fisnik i Ali Tepelenit, i atij Pashai që me trimat e vet u bë mburoja e Bajronit në Greqi. E filloi me Bajronin sepse ishin pikërisht vargjet e tij të fuqishme që shenjtëruan “Dheun e Shqipërisë që lindi dy Iskanderë”, Aleksandrin e Madh dhe Gjergj Kastriotin, si dhe bekuan “Shqiptarët që e pritën me mireseardhe në dyert e tyre të hapura”4. Andaj dhe populli i këndon Bajronit, sa tund dhenë:

“Lord Baroni ill i rrallë, / Që kish mik Ali Pashanë, / Shkoi e luftoi për Elladhë, / Po trimat i kish shqiptarë, / Si besnikë e kordhëtarë.”5 

 II

 Kur një figurë shumëpërmasore si ajo e Faik Konicës, na shfaqet, sipas përcaktimit që i ka bërë Apolineri si “një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun”6 –  (që do të thotë të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka) – është e vështirë të përcaktosh në përmasën e tij enciklopedike dobësinë apo prirjen parësore që ai kishte për këtë a për atë fushë, për letërsinë, artet, historinë, gjuhësinë, kritikën letrare, bibliografinë, përkthimologjinë, folkloristikën, gazetarinë, e gjer te shkencat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, pedagogjia, etj. Në tërë këto fusha që i lëvroi me sukses, Konica do të ishte nismëtar i guximshëm për t’i pasqyruar ato jo thjesht e vetëm me gjuhë të bukur shqipe, por mbi të gjitha, duke na i shfaqur në nivele bashkëkohore, me hapin e mendimit estetik e filozofik të kohës dhe me një botëkuptim të përparuar perëndimor.

Njihen fillesat e hershme të muzikologjisë shqiptare (asaj profesionale dhe jo folkloristike) që me Jan Kukuzelin e shekujve XII-XIII e më pas me Palok Kurtin e Frano Ndojën që krijuan në Shkodër më 1898 orkestrën e parë frymore në vend, e cila do pasohej edhe nga banda të tjera sikurse “Banda e Lirisë” (1908), Shoqëria “Afërdita”, 1908, orkestra “Dodona” dhe banda “Vatra,” të krijuara nga Thoma Nasi në Amerikë në vitet 1915-1916, etj. Veçse, pak është folur për kontributin e drejtpërdrejtë të Faik Konicës në fushën e muzikologjisë, konkretisht të përshtatjes së Muzikës së Madhe klasike me fjalën e kënduar shqipe. Edhe në këtë fushë ai ka qenë konkret, prodhues dhe me propozime konstruktive, siç dëshmon, ndër të tjera, shkrimi i tij i mëposhtëm “Një copë muzikë”.

Në fakt, aty nga fundi i vitit 1902, Faik Konica i kishte kërkuar Filip Shirokës të hartonte një vjershë destinuar për t’u kënduar mbi bazën e një kompozimi nga Beethoven. Dhe Shiroka, si bashkëpunëtor i ngushtë i “Albania-s” ia plotëson kërkesën, duke i dërguar vjershën “Mërgimi” së bashku me partiturën. Nuk do vononte dhe në fillim të vitit 1903 do të mblidhej një kuvend nga shqiptarët e Dalmacisë (Borgo-Erizzo), ku ndër të tjera do të kërkohej nga kryetari i kuvendit Mati Markuçi të hartoheshin, për nevojat e rinisë shqiptare, vjersha shqipe që të hidheshin në këngë nga mjeshtër të muzikës, qoftë edhe kundrejt një pagese që do ta mbulonte kuvendi.7 Nëpërmjet “Albania-s”, për të shmangur shpenzimet, Konica do të propozonte në këtë rast që të përzgjidheshin partitura “muzikantësh të lartë, nga Mozart, Schubert, etj.” dhe, mbi bazën e tyre, të hartohej teksti shqip i këngës. Kuptohet se në atë kohë as që bëhej fjalë për muzikë të lehtë dhe orkestrimet në këtë gjini do fillonin shumë më vonë. Po e rëndësishme këtu është se Konica kërkon që në fillim t’i vihen baza të shëndosha, me muzikë klasike, muzikologjisë shqiptare orkestruese në lindje, si dhe të ushqehen rinia dhe bota shqiptare me shije të larta artistike, sikurse ndodhte në Vjenë, Romë, Paris e Londër. Menjëherë pas Shirokës, edhe vetë Konica do t’i hynte Rameau-së, kompozitorit të madh francez që njihet edhe si teoricieni i parë i harmonisë klasike, për të bërë një këngë shqiptare me muzikën e tij.

Atë vit 1903, kur Shqipëria ndodhej në stadin më të prapambetur e më të zymtë të historisë së saj, ideja koniciane për këngë shqipe me Muzikë të Madhe është shkëndija e parë e një flakadani tejet ndriçues e përlindës. Sepse, nga njëra anë, Konica dëshmon për forcën dhe zhdërvjelltësinë e shqipes që i përshtatet bukurisht muzikës klasike; dhe, nga ana tjetër, vetë ai jep shembullin konkret si të popullarizohet kjo muzikë, për të prekur ndjenjat dhe shijet e holla të popullit. Dhe kur Konica shkruan mbi partiturë: “Me zurna, me fyell me violi, / Të zëmë vallen pleq e të ri“, kaq do mjaftonte për të dhënë ritmin e vargut muzikor me një bukuri të thjeshtë, të qartë, të kulluar, ku gjithçka është koniciane koncize, e vrullshme dhe e fuqishme. Kënga “Valle Fushore” tingëllon kështu si një himn i Konicës për gjuhën shqipe dhe tingulli i fyellit në këtë këngë shfaq krejt virtuozitetin e shqipes në një majë të lartë muzikaliteti.

Sot, me mundësitë e krijuara, një arranxhim dhe orkestrim i kësaj “Valleje fushore” të Konicës (si edhe i “Mërgimit” të Filip Shirokës me muzikë të Beethovenit), do të ishte një nder jo vetëm për muzikën klasike interpretuar nga orkestrat tona të mrekullueshme simfonike, por edhe për gjininë e muzikës së lehtë me një përpunim artistik mjeshtëror nga ndonjë personalitet i shquar i muzikologjisë shqiptare, si prof. Zhani Ciko.

*    *     *

Është i njohur parapëlqimi Faik Konicës për muzikën klasike kur, që nxënës në kolegj, vizitonte kishat e Francës për të dëgjuar muzikën e organos që jehonte kubeve. E jo vetëm, po kur kthehej në konvikt, do t’i duhej të ushtrohej me seriozitetin më të madh për të mësuar me flaut pentagrame të tërë notash, për orën e muzikës, e cila ishte lëndë e detyrueshme në kolegj. Veçse, për një adoleshent me dhunti e prirje të veçanta si Konica 13-14 vjeçar, çdo detyrim shkollor do të zhbëhej me kollajsi përpara pasionit dhe etjes për të përvetësuar gjithçka. Muzika do të depërtonte kështu në poret e trupit të djaloshit Konica dhe flauti do të mbetej për të në rrjedhë të viteve instrumenti i tij më i dashur muzikor. Na e dëshmon Apolineri kur i vajti për vizitë në shtëpi në fillim të nëntorit 1903. “Qëndrimi im në Londër, thotë poeti francez, qe shumë i këndshëm. Faik Bej Konica ishte i dhënë pas klarinetës, obojës dhe bririt anglez. Kishte në sallonin e vet një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve prej druri. Në mëngjes, duke pritur të hamë, gjithmonë me vonesë, mirëpritësi im këndonte me hundë për mua melodi të vjetra, dhe rrinte ndenjur, me sy të ulur, me pamje serioze, para pupitrit të vet.”8

Një stërvitje e tillë muzikore, gati rituale, flet për një zakon të vjetër, për një pasion të ushqyer rregullisht, kur me flautin në dorë, Konica ndihej si në parajsën e vet, tek komprimonte gjoksin për të kërkuar harmoninë e tingullit me fonemën. Muzika ishte bërë kështu pjesë e jetës së tij, ashtu sikurse libri, shkrimi, muzeu, teatri, biblioteka, koncertet.

Nuk është rastësi që lidhja e Konicës me Apolinerin fillon në shtator 1903 pikërisht për çështje debatuese të muzikës klasike. Që në letrën e parë që Konica i dërgon poetit francez përmenden konkretisht “Organoja e Barbarisë”, “Simfonia pastorale” e Beethoven-it dhe “Anketa mbi Wagnerin”. Lihet të kuptohet se Konica kishte dërguar një shkrim (ese) për muzikën klasike në redaksinë e revistës frënge “l’Européen”, ku punonte Apolineri. Dhe me propozim të Konicës, Apolineri do të çelte në revistën e tij “le Festin d’Esope” një “Anketë për muzikën” për të ndjekur evolucionin orkestral që prej 200 vjetësh, anketë ku do merrnin pjesë dhe do shfaqnin mendimet e tyre muzikologë europianë nga më të shquarit.

Por Konica, siç e vëmë re te “Albania”, shkonte tepër larg anketimeve për Muzikën e Madhe, duke i kërkuar Muzat (nga ku vjen fjala “muzikë”) në tre kordat e një lire mitike, aty ku vetë Natyra gatuan tingullin me ngjyrën brenda harmonisë së tyre të përjetshme. Kështu, në shkrimin “Zërat dhe tingujt” të rubrikës “Kohëtore shkencëtare” te “Albania”, Konica flet për arritjet e shkencës në kohën e tij, tek thekson se të gjithë dukuritë e natyrës “bëhen nga cicërime” (vibrime) që shkakton tingulli i dalë nga një pickimi të kordës vokale. Flet me hollësi kur kalohet nga baset te altot (73.000 cicërime në sekondë) dhe kur veshi i njeriut nuk kap më vibrime, por përtej 134 trilionë vibrimeve për çdo sekondë, syri fillon e ngacmohet për të “shquar dritëra” apo valët me ngjyra. Dhe Konica që shkruan: “E kuqja bëhet me 483 trilionë cicërime për dyttare [sekondë],  e portokallta, me 513 trilionë cicërime, e verdha, me 543 trilionë, e gjelbra me 576 trilionë, e kalldeta (mavia), me 630 trilionë për dyttare.” 9

Natyra Mëmë shfaqet kështu nën penën e Konicës në harmoninë e vet të përkryer, kur tingulli martohet me ngjyrën, muzika me pikturën në Artin e pafund e të amshuar aq të dashur nga Konica. Ai vetë, e ka cilësuar “muzikën që dëgjohet në parajsë, të perëndishme, hyjnore, qiellore”, duke e kërkuar shpëtimin nga hallet e tij gjatë luftës së parë botërore te Muzika e Madhe dhe koncertet e Vjenës, kur edhe pa bukë mund të rrinte në varfërinë që njihte, po kurrë pa ushqimin muzikë.10 A nuk ishte shprehur Beethoven-i i pavdekshëm se “Muzika është një e vërtetë më e thellë nga çdo urtësi e filozofi, është jeta ideale… [dhe] Kush depërton thelbin e muzikës mund të çlirohet nga mjerimet që mbajnë lidhur njerëzit”?11

Dhe pikërisht, këtë rrugë drejt Muzikës së Madhe në Shqipëri dhe për shqiptarët, çelur tashmë me larguamësi nga Konica me shokë, shpejt do ta ndiqte edhe Fan Noli që nuk do mungonte të shquhej në muzikologjinë shqiptare me punën dhe veprat e tij artistike e liturgjike.

 Nga Faik Konica/

 Dy këngë shqipe të mbledhura prej Lord Bajronit/

Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen. [Ne, po japim këtu vetëm variantin e ndërtuar nga Faik Konica për këto dy këngë.]

Kënga e ndërtuar:  “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme  / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?

 ***

Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove  / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë  vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .”

 (Albania, tetor 1903, nr. 10, viti 7).

 Këngë nga Faik Konica – VALLE FUSHORE

Muzikë e J. Ph. Rameau-it.

(Njerrë nga Hippolyte e Aricie – opera me pesë akte nga Rameau).

[Teksti i këngës nga Faik Konica]

 1.

Me zurna, me fyell, me vjoli, të zëmë

Vallen pleq e të ri. Ejani në shesh

Të gjelbër, e mblidhuni! Me zurna e me

Vjoli. Të zëmë vallen pleq e të ri.

2.

Fyelli po fërshëllen fy-fy. Edhe

Zurnaja këndon ty-ty! Dejlmë edhe çupa

Venë e vij [në] – në dy nga dy. Fyelli po

Vërshëllen fy-fy. Edhe zurnaja këndon ty-ty!

 (Albania, nr 4, prill, 1903, viti 7).

 Një copë muzike  –  nga Faik Konica

******************************* 

Ndodhie për të vënë ‘re! Si i ishim lutur të ndritëshmit bashkëpunëtorit t’onë Geg Postrippës të shkruaj një vjershë për muzikën e Beethovenit, që po shtypim, si na erdhi “Mërgimi” e  e gatitmë këtë numër, muarmë edhe prej një atdhetari atë letrë nga Dalmacia qi na mëson se Shqiptarët e Arbneshvet (Borgo-Erizzos) dëshërojnë të kenë të muzikuara disa këngë shqipe.

Mendim të mirë kanë Shqiptarët e Borgo-Erizzos. Vetëm më duket se s’duhet t’i ngarkojnë nonjë muzikani barën të bëjë muzikë të re përmi vjersha shqipe, – edhe qeh për ç’shkake: të parën, shoqëria e Shqiptarëve do të prishë të holla dy herë, për të paguar muzikanin e për të paguar të shtypurit e këngëve; të dytën, ajo muzikë e re munt të jet’ e mirë, po ka më tepër të ngjarë të jetë e poshtër [e keqe].

Pra, [a] nuk është më mirë [që] ata Shqiptarë, vëllezërit t’anë, të zgjedhin ca copë muzikanësh të lartë – si Mozart, Schubert, etj. – e t’u luten vjershëtorëve shqiptarë të shkruajnë për ‘to vjershat e nevojshme? Me atë mënyrë, kushtimi do të jetë më i pakët, arrimi [rezultati] më i math – edhe Shqiptarët e Borgo-Erizzos do të mjaftojnë dëshirën e tyre për të kënduar shqip.

Ashtu, do të bëjnë edhe një tiatrë të mirë: do të bëhen shkak të përhapin në Shqipëri pak muzikë të mirë, në vend t’ atyre këngëve për të fjetur që kemi ndëgjuar të gjithë, – e qi na janë mërzitur të gjithëve.

Këngë nga Geg Postrippa (Filip Shiroka) – MËRGIMI

Këngë (Lied) Muzikë e Beethoven-it

(Vjershë e Geg Postrippës)

Atdheu! Atdhe, për ty qan zemr’ e mjerë.

Q’ atë ditë që të lash’, kurrë s’të harroj;

Se qé bukur, dhé me nji herë je -‘e-ta ime,

Je -‘e-ta ime sa keq mmaroj.

Ti qytet i bukur, ti që më ke pa-mun,

T’vogël e t’gzum, ty zemra të lakmon,

Ty dhé i dashtun, zemra rri tuj qamun.

Se n’dhé t’huj, kjo zemmr’ e mjer keq lingon!

Shqipëri! Shqipëri për ty vajtoj gjithherë.

Atdhe, gjithher’ ty të kujtoj;

Sa je i bukur vent i mjerë.

Sa dit t’kalojn, sa dit t’kalojn, ma shum t’dëshiroj!

Ty Shqipëri, ty atdhe, synt’t’mi tuj qamun

Janë bâ porsi kryqi rrjedh e s’pushon;

Frig kam me sy mâ nuk kam për t’pamun,

Se tuj ddek, zemmra gjak për ty pikon!

 (Albania, janar 1903, nr. 1, viti 7).

1 “Albania”, nr. 1, vëll. A, mars 1897, f. 6, 11-13. Prof. Koli Xoxi, në veprën e tij “Bajroni në betejat për drejtësi e liri”, Plejad, 2005, f.66-66, citon Fan Nolin që thotë se “…numri i parë i “Albana-s” së Konicës, që doli më 25 mars 1897, kishte … dhe këto vargje të “Çajld Haroldit” të Bajronit vendosur në krye: “Vendi i Shqipërisë, ku lindi Iskënderi, / Temë e të riut, fener i të urtit”.

2 “Albania”, nr. 3, 1897, A41.

3 Afrim Q. Karagjozi, “Miti shqiptar për Bajronin”, Plejad, 2002,  f. 34.

4 “Albania”, nr. 4, 1897, f. 49.

5 Mbledës të Folklorit, vëll. 8, Këngë popullore të Laërisë, nga Fatos Mero Rrapaj, !Tiranë 1991, f. 814.

6 G. Apollinaire, “Rreth dy veprave për çështjen e gjuhëve artificiale”, “la Revue Pan”, 1909, përkryer në antologjinë F. Andrea, “Pena të arta franceze për shqiptarët”,  Tiranë, 2007, f. 486.

7 “Albania”, janar 1903, nr. 1 viti 1907,vëll. H, f. 12.

8 Luan Starova, “Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire, Një miqësi evropian e”, Onufri, 2001, f. 46.

9 “Albania”, nr. 6-7, qershor-korrik 1902, f. 173-174.

10 Faik Konica, Vepra 4, bot. Dudaj, Tiranë 2001, f. 213-214.

11 Beethoven, Letër drejtuar Bettina Bretano-s, 28 maj 1810.  Gazette musicale de Paris, 1836, vëll.3, f.150.

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: Fotaq Andrea, KËNDONTE LABÇE... DHE KONICA BËNTE KËNGË, KUR BAJRONI, ME MUZIKË KLASIKE

Vangjel Zhapa apo Vangjel Zhaba?-Një saktësim nga Faik Konica

March 3, 2016 by dgreca

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

 Fletore koniciane nr. 18/

Nga Fotaq Andrea/

Edhe pse ndodh që një emër, për më tepër i shquar, merr historikisht një trajtë të caktuar, gjer edhe të gabuar, përsëri, onomastika, si fushë e studimit të emrave të përveçëm, shfaq mundësitë hulumtuese për të gjurmuar rreth origjinës, kuptimit dhe etimologjisë së atij emri në evolucionin e vet. Nga ky këndvështrim, nxitur nga një shkrim i revistës “Albania” (nr. 11, nëntor 1903) që po e botojmë këtu më poshtë, mund ta paraqesim në një formë të re mbiemrin e filantropit të madh shqiptar: Zhaba dhe jo Zhapa, siç njihet gjer më sot.

Është vetë Faik Konica që, me autoritetin e tij gjuhësor dhe eruditiv, këmbëngul për deformimin fonetik që i është bërë këtij mbiemri. Dhe kjo, thjesht për faktin se ai kërkon t’i japë këtij mbiemri kuptimin e vet të mirëfilltë me ngjyrim tërësisht shqiptar, duke hedhur poshtë mënyrën greke të shfaqjes së këtij mbiemri (Zappas apo Zapas).

Kuptohet se në mbiemrin Zhaba nuk kemi të bëjmë assesi me ndonjë nofkë, as me ndonjë mbiemër me konotacion negativ, e aq më pak fyes. Jo. Vëmë re, do thoshim, dukurinë e shqipes që shfaq një emër fisi apo një toponim nisur nga një element karakteristik natyror, dhe në rastin konkret zhaba e familjes së kafshëve amfibe. Në këtë mënyrë do mund të shpjegohet se toponimi Labova e Zhabës që përcakton Labovën e Madhe në dallim nga Labova e Vogël, duhet të jetë më i hershëm historikisht se vetë emri i Vangjel Zhapës, kur sot e kësaj dite thuhet se është pikërisht kjo figurë e shquar historike, shpallur “Nder i Kombit”, që i ka dhënë emrin fshatit, nga gjiri i të cilit ai ka dalë. Në këtë rast, kemi të drejtë të hamendësojmë se një toponim i tillë shqiptar i kahershëm mund të ketë qenë i përligjur nga vetë relievi gjeografik që favorizonte ndoshta praninë e dikurshme të ndonjë zone moçalore dhe të botës amfibe në të, në luginën midis Drinos dhe malit të Lunxhërisë. Vetë fshatrat përreth, për më tepër, kanë emra toponimikë shqiptarë, Hundëkuq, Kodra, Shkalla e Zezë, Rrëzë, Tërbuq, etj. Në këtë rast, këmbëngulja e Faik Konicës për trajtën mbiemërore shqipe Zhaba dhe jo Zapas gjen, do thoshim, përligjjen e vet.

Jo rastësisht, dhe për herë të parë e të vetme te “Albania”, Konica e firmos shkrimin portretizues “Vangjel Zhaba” me pseudonimin Dushku i Dodonës1, si një përgjigje ndaj pretendimeve greke të megaliidhesë, duke bërë kështu një lidhje mjeshtërore midis Labovës së Zhabës nga njëra anë, dhe Dodonës, si kërthizë e Epirit dhe Çamërisë, nga ana tjetër, që të dyja treva po aq fqinje sa dhe shqiptare, etnikisht e historikisht.

Krejt shkrimin, Konica e ndërton në formë kujtimi, gati si rrëfenjë folklorike vjelë nga goja e një plaku të moçëm. E mbështet mbi një episod konkret nga jeta e Vangjel Zhabës, që shpëtoi nga vdekja vajzën e ish mbretit të Moldavisë Alexandru Moruzi, episod që, me sa duket, ka njohur dy variante: vuajtjet e princeshës së re nga një abces në këmbën e gangrenizuar që rrezikohej t’i pritej, si varianti më i njohur gjer më sot; dhe vuajtjet e saj si pasojë e një abcesi në gji (mastit) kur ajo ushqente foshnjën e vet, si një variant “i ri” nën penën e Konicës, mbështetur në kujtimet e plakut K.P. Ky variant i fundit na duket më i besueshëm, për vetë shkakun e natyrshëm të sëmundjes në jetën plot përkujdesje të oborrit mbretëror dhe për vetë burimin nga është marrë.

Sidoqoftë, Konica ngre lart këtu bëmën e Vangjel Zhabës dhe aftësitë e tij kirurgjikale e mjekësore, mbështetur mbi një traditë të hershme të gjithë zonës së Odrijës, Lunxhërisë e Dropullit, traditë e shtrirë edhe më tej, në krejt zonën e Bregut dhe të Himarës, siç na e vërteton Pouqueville, ish konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës. Sepse, në njihet historikisht që shqiptari ka pasur si zanat e mjeshtëri të tij luftën dhe armët, po aq njihet historikisht edhe tradita e tij në shërimin e plagëve që merrte në luftë. Dhe, nëse do duhej përcaktuar një ditë zanafilla e kirurgjisë shqiptare, këtë duhet ta kërkojmë të paktën që në fund të shekullit XVIII (1798), kur kirurgët shqiptarë të Athinës operonin me sukses jo vetëm plagë të infektuara në shesh të betejës, por edhe apendicite e hernie tek udhëtarët e huaj, si dhe inflamacione nga më të vështirat.

Vangjel Zhaba

Nga Faik Konica

Solli në shqipen e sotme Fotaq Andrea

Në kohë të gjyqit greko-rumun, emri i Zhabës u dëgjua më tepër se kurdoherë, prandaj nuk e shohim të paudhë t’u tregojmë këndonjësve të “Albania-s” se si i ndjeri Vangjel Zhaba (dhe jo Zapas) bëri gjënë e tij.

I lindur në Labovë, si tërë bashkëqytetarët e tij, Vangjeli u dha pas kirurgjisë (xherallëkut), e cila është e vetmja mjeshtëri e atij vendi.

Ndo se puna s’i vente mbarë, ndo se fati e mësoi, Vangjeli la Shqipërinë dhe vate në Vllahi. E bijë e Princit (atëherë Vllahia qe mbretëri), në atë kohë ish e sëmurë prej sisës dhe i kishin ardhur për me e vështru më të mëdhenjtë shëronjës të Austrisë, Gjermanisë dhe Francës. Si e panë, mjekët u mejtuan gjerë e gjatë dhe s’gjetën tjetër shpëtim, përveç t’i presin sisën. Në këtë, u kundërvu e ëma e çupës, për fat të mirë të së bijës dhe të Zhabës.

Na dëgjon dhe Vangjeli për këtë, dhe pa humbur kohë, si zemërfortë që ish, vete në pëllasë [pallat] duke kërkuar të shohë edhe ai princeshën. Ish i veshur edhe me floke. Shëronjësit, kur e panë, qeshën dhe thanë që jo vetëm flokati s’mund të shëronte princeshën, por edhe është turp të vërë dorë mbi të. [Në një mendje] Me ta ish dhe Princi; po Princesha, e ëma e çupës, si u mejtua mirë, e thërret Labovitin dhe i tregon të bijën që dhembjet e kishin mbajtur tri ditë pa gjumë.

Me të parë plagën, Zhaba qeshi dhe i tha:

– Çupa do të jetë mirë pas tri ditësh, dhe pas gjashtë orësh, do shikoni përparimin e mjekësisë sime; por, në qoftë që të mos bëhet kështu, lë kokën time në duart tuaja.

Pa humbur kohë, e mjera nënë mbyll odën e së bijës, që të mos hynte njeri i huaj veç saj, xherahut dhe së sëmurës. Vangjeli zbulon plagën dhe, si ja pa edhe një herë, zu ta thëthinjë me gojë një të katërt ore, sa i nxori një barrë qelb; çupa, e qetuar pak, e vdekur për gjumë kërkoi të flerë, pasi e lanë.

Kur hapën dyert, gjetën Princin në prag, ku i helmuar priste, dhe i mjerë kujtonte [parashikonte] të keqen.

– Si është çupa? – pyet të shoqen.

– Fle e qetuar.

I tërbuar nga gazi, vete u thotë mjekëve, të cilët mbetën të mahnitur…

Si fjeti tri orë çupa, e çuan prapë dhe [ai] ia thëthin sërish ndonjë të katërt ore plagën dhe prapë e lanë të flerë tri orë, dhe prapë e zgjuan. Këtë herë, çupa kërkoi të hajë. I sollën dhe hëngri, ia thëthiu sërish plagën dhe e lanë të flerë.

Tri ditë dhe tri net, as Princesha, as Zhaba s’u ndanë që përmbi krye të çupës. Pas tri ditësh, u hapën dyert që të hyjnë shëronjësit e Universiteteve të Parisit, Vjenës dhe Berlinit ku, të mahnitur, panë të qeshur princeshën e vogël t’i japë sisë foshnjës [së saj] nga sisa e sëmurë… përpara tri ditësh.

Të tërë i shtrënguan dorën Labovitit dhe e uruan.

Princi i dha për pagë dy çifligje dhe Princesha me fisin tjetër i mblodhi 10, 000 mince.

Kjo është historia e vërtetë e fitimit të emrit dhe kamjes prej Vangjel Zhabës. Këtë histori e dëgjova prej një plaku, Zotit K.P., i cili e njihte.

Kur vdiq Vangjeli, la ç’la në Greqi, po prapë s’e harroi të mjerën Labovë. La gjë [pasuri] dhe nga kajti [shuma] i kësaj gjëje, lahen gjithë pagimet e Labovës dhe kështu Labovitët s’paguajnë gjer më sot.

Të tilla histori di shumë dhe jam gati t’i shpall, në iu pëlqen këndonjësve të së ndershmes ALBANIA.2

Dushku i Dodonës.  (Albania, nr. 11, nëntor 1903, viti 7.)

1 Nisur nga gjuha, stili, përzierja e formave dialektore gege e toske, “Dushku i Dodonës” nuk është tjetër veçse një pseudonim më shumë i Faik Konicës te “Albania” e tij.

2 Note [Shënim] – Janë historira për të vënë re. Edhe në qofshin ca pak si folk-lor, prapë kanë vlerën e tyre. “Albania” (Shënim i Faik Konicës).

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, saktesimi, Vangjel Zhaba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT