• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIMI NE FAMILJE PO MERR JETE NJEREZISH

February 5, 2019 by dgreca

 Nga Gëzim Tushi & Fran Gjoka/*

1 krimi

Është e paimagjinueshme, por ja që ndodh dhe kështu. Akte makabre e veprime të rënda antisociale në aspektin psikologjik, social dhe human. Vrasje të grave në mënyra të ndryshme, dhunë të tmerrshme, që do t’ua kishte zili dhe inkuizicioni! Quo vadis?! Veçanërisht  zonat e varfëra të qytetit apo të fshatit, pothuajse përherë përjetojnë thyerje të strukturave sociale, duke çuar në rritje krimesh. Dhe ndodh që krimi të ketë një sistem koncentrik, me rrathët e “ferrit” që zgjerohen, gjithnjë në ngritje të dhunës dhe terrorit në familje. Njerëz të stresuar, të deziluzionuar, që nuk dinë të respektojnë as normat më elementare shoqërore në strukturën familjare.

Ne duhet ta pranojmë ekzistencën e këtij turpi social. Krimi në familje tashmë për fat të keq në shoqërinë shqiptare ka marrë përmasa shqetësuese, pa frikë mund të themi se është bërë një nga dukuritë tejet shqetësuese për mbarë shoqërinë tonë në tërësi. Rritja e përmasave të dhunës, zgjerimi i veprimeve kriminale në familje dhe shoqëri janë bërë problem i madh kompleks i politikës si të tillë, politikave sociale, ligjore, që kanë të bëjnë me trajtimin e tij nga të dy objektet kryesore të shikimit. Si në aspektin e parandalimit por edhe të rehabilitimit. Natyra sociale e krimit është e lidhur me shumë faktorë ekonomikë dhe shoqërorë, të traditës dhe të zhvillimit, me kulturën dhe tipologjinë e familjes tonë.

Fenomeni i krimit në familje ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo jo vetëm që nuk ka qënë në këto përmasa, por edhe pasqyrimi dhe interpretimi i tij si dukuri sociale është trajtuar dhe interpretuar nga pozita ideologjike të caktuara, duke tentuar që të publikoheshin sa më pak të ishte e mundur, duke ruajtur pozitivitetin fals të shoqërisë së indoktrinuar politikisht. Por është fare e vërtetë që dukuria e krimit në familje, pati nje “shpërthim” të vërtëtë sidomos pas viteve 90, kur shoqëria jonë kaloi nga diktatura në demokraci, nga totalitarizmi në liri.

Kjo është arsyeja pse në shumë raste me mëndjelehtësi sociale disa njerëz mendojnë se shkaktare e lulëzimit në këto përmasa të krimit në familje, është liria dhe krimi duket sikur është produkt i tij.

Pavarësisht niveleve të analizës dhe interpretimit, shqetësues është fakti që pothuaj çdo ditë media zhurmëmadhe jep raste të krimit në familje. Vetëvrasje dhe vrasje. Me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet nga një i vdekur apo gati për të vdekur nga vetëhelmimet, hedhjet nga lartësitë ose duke përdorur mjete e rrugë të tjera. Akoma edhe më të shëmtuara janë rastet kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në truallin shqiptar sa që shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur po mësohen me to. Nuk qarkullon kot mendimi tek qytetarët, sipas të cilit në Shqipëri tashmë asgjë s’na bën përshtypje. Shkurt: Kronikat e zeza na kanë lodhur. Krimi në familje po na rrënon. Po vë në diskutim ekzistencën e familjes dhe pas kësaj të shoqërisë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën e humbur se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politika dhe pushtetbërësit do t’i vënë gishtin kokës për të shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të kohës.

Pas rastit të përditshëm të krimit familjar, që jepen me aq zell nga media, vijnë prej saj edhe shkaqet, motivet: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…” Janë të rralla rastet kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumentave“, që s’bindin askënd. Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut është njëra prej detyrave funksionale të medias, por jo e gjitha.

Qytetarët dhe shoqëria në tërësi duan të dalin përtej konstatimit, duan analiza dhe konkluzione për problemin. Duan të njihen me shkaqet e këtij krimi makabër, duan të dinë pse-të jo thjeshtë për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese. Në pamundësi për të mënjanuar dukurinë, së pari, për ta zbutur, mund të bëjnë presion mbi shtetin në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij dhe mbi të gjitha institucionet e edukimit dhe të arsimit për formën e qeverisjes dhe të drejtimit.

Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjeshtë një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, sepse gjendjet depresive tek njerëzit nuk krijohen menjëherë, se budallenjtë, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit. Përtej këtyre “motiveve“ vrastare, teje tronditëse e shkatërruese për familjen e sotme, janë shkaqe, motive dhe arsye të tjera me arsye sociale, psikologjike dhe ekonomike, që duan analiza dhe konkluzione që studiuesit e të gjitha fushave dhe gazetarët duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime shoqërisë dhe shtetit për ta kapërcyer fenomenin rrënqethës.

Ndërkaq shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës, për të kapërcyer konfliktet e brendshme që krijohen tek të rinjtë nga dëshira për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, financiare, psikologjike e traditë e familjes për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkakton lodhje të mëdha mendore tek nxënësit, çka nënkupton një mundësi më shumë për të kryer krim. Shkolla, sidomos ajo e mesme dhe me një numër të madh nxënësish, ka nevojë për një psikolog ose sociolog për t’u marrë me shëndoshjen e mendjes të të rinjve të stresuar.

Sipas studimit, “Strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social”, tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është analfabete. Ky grup i madh social përbën kontigjentin më të pranueshëm për krim. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjellurit dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.

Presionet, kërcënimet, dhuna në formën emocionale dhe fizike, neglizhimi dhe ndalimi i adoleshentëve nga më të rriturit për ta bërë jetën sipas perceptimit të tyre, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Një fëmijë i dhunuar dhe i keqtrajtuar në familje do të sillet e të veprojë si i tillë edhe ai kur të rritet. Dhuna gjeneron vetëm dhunë. Kontingjenti i fëmijëve të dhunuar është më i rriskuar për t’u vetëvrarë, sidomos tipat e ndjeshëm, që preken shpejt, janë më të zbuluar ndaj kësaj forme krimi.

Familja ka nevojë të rikthehet në funksionin e saj vërtet edukues. Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, vrasjes në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë, t’i argëtojë e shkollojë fëmijët. Të papunët përbëjnë pjesën më të madhe të të dënuarve.

Papunësia, për të përballuar kushtet minimale të jetesës, është shtyesi kryesor që çon të zotët e shtëpisë drejt vetëvrasjes pasi zgjidhja është e papranueshme. Aq më tepër që situata në familje me një veprim të tillë nuk lehtësohet, përkundrazi rëndohet.

Në këto raste vrasja nuk ndodh rastësisht, përkundrazi ajo ka një skenar të parapërgatitur nga autori. Në mendjen e vrasësit zhvillohet një luftë e frikë psikologjike e të kundërtave. Gjatë periudhës së përpunimit kriminal, ai shpeshherë rri i mërzitur dhe më vete. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dinamik, pa objektiva dhe ideale e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në një jetë boshe. Në këtë kuptim, njerëzit duhet ta jetojnë jetën larg burgut të vetmisë. Shokët dhe të afërmit duhet t’i ndihmojmë për t’u integruar me shoqërinë. Hallet e njerëzve duhen dëgjuar e vlerësuar me shumë kujdes.

Zyrtari, kushdo qoftë ai, duhet të bëjë të pamundurën për t’ja zgjidhur në kohë dhe brenda kuadrit ligjor ankesën që ka parashtruar qytetari. Së paku, ta mbajë me shpresën se diçka do të bëhet dhe për aq kohë sa ai ta kapërcejë krizën momentale nervore.

Zbutja e varfërisë përmes përmirësimit të politikave të punësimit, një farë drejtësie relative sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e njerëzve, do të ulnin numrin e rasteve të krimit familjar dhe tentativës për ta kryer atë. Shumë konflikte në familje agravojnë deri në ekstrem dhe bëhen vrasës si rezultat i xhelozisë që ushqehet nga mjedisi përrreth, nga komuniteti i vogël, ku si rregull jetohet me trillime.

Emancipimi i shoqërisë deri në atë masë që askush të mos hyjë në jetën private të individit mbetet detyrë parësore e shkollës, familjes, OJF, institucioneve shtetërore të specializuara etj.

Besoj se nuk ka njeri normal dhe qytetar të përgjegjshëm që të mos pranojë se krimi në familje është një nga format më të shëmtuara, më të këqija të mundshme të krimit, që pasi ndodh shoqërohet pastaj me një varg pasojash zinxhir që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së familjes e cila pëson deformime të rënda strukturore, funksionale dhe sociale.Nga krimi në familje krijohet situatë që fëmija humbet babanë ose nënën dhe mbeten jetimë, burri humbet gruan dhe shkatërron përfundimisht familjen, motra humbet vëllanë nga konflikti i tij me babën ose vëllai humbet motrën nga një nxitim dhe gjykim sipërfaqësor dhe nga parime të vjetra morale.

Natyrisht nuk është e lehtë të japësh rekomandime se si mund të parandalohet dhe zbutet krimi në familje, por megjithatë ka ardhur koha për t’i thënë jo krimit, duke mos qënë indifferent përballë tij. Në këtë kontekst do të ishte një veprim politik, social dhe ekonomik kompakt i shtetit, politikës dhe shoqërisë civile, për të krijuar një atmosferë mbytëse ndaj krimit në familje duke siguraur për cdo njeri të pacënuar të drejtën e jetës. Këta aktorë socialë janë natyrisht strukturat përgjegjëse që kanë mundësitë e ndërtimit të politikave antikrim, duke ndikuar jo vetëm në sensibilizimin social dhe emancipimin njerëzor, por dhe në përmirësimin e kushteve materiale dhe të jetës që ndikojnë pozitivisht në zbutjen e shkaqeve që sjellin konflikt dhe më pas krim në familje.

Në këtë kontekst na duhet të kemi një vetëdije të re sociale dhe të pranojmë se krimi në familjë është krimi ndoshta më barbar sepse ndodh midis njerëzve që kanë lidhje gjaku midis tyre, që janë të afërt dhe jetojnë bashkërisht në komunitetin familjar. Shumica e formave të krimit janë me natyrë morale, pasurore, financiare, të lidhura me çështje pushteti dhe autoriteti familjar. Padyshim është e pamundur që me një shkrim gazetaresk të trajtosh tërë problematikën komplekse të krimit në familje dhe ca më pak të japësh zgjidhje përfundimtare rrugëve të parandalimit dhe frenimit të tij.

Në këtë kontekst ka ardhur momenti kur politika, shteti, familja, shkolla, shoqëria civile dhe institucionet fetare të angazhohen seriozisht për të bërë një analizë e plotë të shkaqeve të lulëzimit të krimit në familjen shqiptare. Ne mendojmë se në të njëjtën kohë dhe paralelisht, kjo do të kërkonte një angazhim të madh të strukturave hulumtuese e studimore të shkencave sociale, do të kërkonte angazhim të forcave më të kualifikuara për të parë dhe interpretuar fenomenin e “krimit në familje në një kontekst shumë të gjërë.

*Dergoi per Dielli, Fran Gjoka

Filed Under: Analiza Tagged With: FRAN GJOKA, Gezim Tushi, Krimi ne Familje

Militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit

October 10, 2018 by dgreca

“Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”./

                               Frederik Vilhelm/

1 fran-gjoka-2

Shkruan: Shkruar nga Fran Gjoka,Lezhë*/

Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive që kanë mbetur në letër, por një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe rrethesh të vendit. Në këtë kuptim, jo kushdo mund të bëhet drejtues, pavarësisht nga vullneti e dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se militantizmi e ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, por që kanë vepruar ndryshe, duke i emëruar drejtuesit mbi bazën e kritereve të tjera si ato nepotike, partiake e, pse jo, edhe korruptive e servile, e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar mendimin e gabuar se drejtor arsimi dhe, për më tepër, drejtor shkolle, mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim është paradoksale dhe i ofrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, kur drejtori, “që ka fituar” të ashtuquajturin konkurs, ka më pak arsim dhe përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë.

“Meritat”e tij ai le t’i shfaqë në një vend pune tjetër, por kurrsesi në fushën e arsimit, këtë sektor delikat, prioritar dhe shumë të ndjeshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

Të shqetëson fakti se në mesin e vitit shkollor MAS bën ndryshime, duke ndryshuar strukturën e orëve dhe lëndëve mësimore. Pra tre lëndë të ndryshme në një ditë, nga gjashtë lëndë që bëheshin. Kjo demagogji afatshkurtër e peshës së çantës së lehtë do të zëvendësohet ngadalë  me dije të cunguara të nxënësve. Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë e përligj me faktin se s’kemi shkollë e kushte minimale të domosdoshme për punë në shumë fshatra e qytete të vendit, prindërit s’kanë pasur ndonjë informacion paraprak për orët e ndryshuara, kuadrin ligjor dhe, mbi të gjitha, s’janë parë kushtet sociale dhe ekonomike të familjeve shqiptare.

                               Portali “Mësues për Shqipërinë”  i huazuar dhe formal 

I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë”,  është huazuar në formën më të  shëmtuar në arsimin tonë. Është paradoks i vërtetë, aplikimi i kësaj formule abstrakte, kur në Itali dhe vende të tjera europiane bazohet në meritë dhe është i vërtetë e kuptimplotë. Për Italinë mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë dhe jetesë. E kundërta ndodh në sistemin tonë arsimorë. Ky është portal që po shërben  si fasadë djallëzore e MAS–s, dhe Drejtorive Rajonale e ZA – ve,  për të mbuluar korrupsionin në këto drejtori të vendit, që si pasojë sjell një paligjshmëri të vërtetë që po bëhet  me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve. Vazhdojmë me metodën “alla shqiptarçe”. Me të drejtë Frederik Vilhelm thoshte “Shkolla vlen aq sa vlen edhe mësuesi”. E kemi thënë edhe herë të tjera se kemi drejtorë shkollash që po e shkatërrojnë sistemin tonë arsimor, që nuk i shërbejnë vendit të punës, që janë nën nivelin e formimit shkencor – pedagogjik dhe profesional të mësuesisë në shkolla.

Me keqardhje shikojmë aty-këtu një liberalizim të theksuar të veprimtarisë mësimore dhe edukative. Në shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësit, ku mësuesi e sidomos nxënësi, fillon e mbaron ditën e mësimit duke lëvizur sa andej – këtej dhe, më keq akoma, duke e lënë vetëm klasën e tij në kujdestari. Në pikun e punës së ditës mësimore grupe mësuesish i gjen kafeneve, të ulur për shtatë palë qejfe, madje shpesh, bashkë me drejtuesin, ndaj ndodhin dhe ngjarje të pakëndshme në shkollat tona.

                     Drejtues shkollash dhe të ZA-ve  që janë kthyer në feudalë

Kemi drejtues shkollash që kanë mbi 25 – 30 vjet në drejtim dhe janë kthyer si feudalë, apo pronarë në shkollat e tyre. Ka ardhur koha të kemi një lidership të formuar në mënyrë të plotë, kundër konformist e racional, që me kurajë civile dhe guxim intelektual pranon se ky sistem arsimor duhet ndryshuar, të gjenerojë intelekt e qytetari, duke iu larguar “lidershipit të tenderëve e bandave” të të gjitha niveleve që ka kapur për fyti sot shumë drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve të vendit.

Fatkeqësisht, sot kemi drejtorë qarqesh dhe të ZA-ve, që kanë hyrë në vitin e gjashtë të drejtimit. Kjo zgjatje e pasuksesshme në drejtimin e arsimit ka dhënë mundësinë e pasurimit të tyre përmes emërimeve pa kriter. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive dhe korruptive, nga media e shkruar dhe ajo vizive. Me sa vëmë re, MAS nuk e ka pikën e impenjimit për të parë në se është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha nivelet në arsimin tonë. Si në çdo institucion tjetër, edhe administrata rajonale e arsimit ka nevojë urgjente për një reformim total të saj.Mendoj se duhet të vendosen në krye të arsimit rajonal, apo të ZA – ve drejtues që kanë guxim intelektual, persona apolitikë dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime të mëdha: aktin e pastrimit dhe të ndryshimit në administratën publike të arsimit. E themi këtë, se ka mbi 20 vjet që qëndrojnë  në një vend pune, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik, apo didaktik, në një kohë që kemi breza të rinjsh që janë të shkëlqyer e me një apo dy mastera shkencor e profesionalë, që i mbajmë larg institucionit të arsimit rajonal.

Kjo administrate, do të thosha e fryrë, po mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, nuk ka një sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR dhe ZA-ve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore vartëse, gjë e cila le për të dëshiruar. Në çdo drejtori qarku apo dhe të ZA-ve të arsimit ka specialist, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkollë pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur vetëm në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesin, vështirësitë e punës së tij, nuk merret askush. Fatkeqësisht u hoq kontrolli i inspektoriatit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë për MAS-n. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore.

Sado të flasim, përsëri është politika që po e shkatërron sistemin arsimor,  sepse simpatizantët po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Ka ardhur koha që drejtorët e arsimit duhet të largohen, duke sjellë prurje të reja në drejtimin e arsimit në qarqet dhe rrethet e vendit. Vetëm kështu i bëjmë nder shkollës dhe komunitetit arsimdashës. Vetëm kur të heqim dorë nga preferencat politike dhe servilizmat në punën me kuadrin në arsim dhe të orientohemi vetëm nga ana profesionale, do të garantojmë disi realizimin me sukses të reformës dhe plotësimin e standardeve në arsim.

             Vijon formalizmi në përmbajtjen e shkollës.

Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit, për libra të mbingarkuar me material pa vlerë, për asimilim të vështirë të marrjes së njohurive nga nxënësit, për peshën e rëndë të çantës etj. Çfarë po ndodh me tekstet shkollore, ku janë vlerat intelektuale kombëtare që përçohen me anë të tyre? Po bota akademike pse është mënjanuar në mënyrën më të qëllimshme dhe më dashakeqëse përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë dhe vlerat tona të çmuara kombëtare. Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e lirisë së shfrenuar, në emër të liberalizimit të dijes, e cila ashtu si edhe në ekonomi, ka prodhuar fakte të renda në arsim. Me keqardhje janë krijuar në të gjithë vendin “një xhungël” e vërtetë shkollash e universitetesh private, që nga numri i tyre në raport me popullsinë zor se gjen në një vend tjetër të botës si Shqipëria, ku dihet se arsimi është një e mirë publike, e cila nuk mund te ndahet me privatin në këtë mënyrë. Aq më tepër që e ka të pamundur të kontrollojë nivelin e dijeve që merren tek privati. Fatkeqësisht nuk ka ende një standard shtetëror të dijeve që duhet të përvetësojnë fëmijët në çdo hallkë të sistemit arsimor.

Ne zgjedhjet politike të 2013-tës  Edi Rama e cilësoj arsimin si “emergjence kombëtare”. Dhe shpresuam se do t`ia ndryshonte faqen për mirë arsimit tonë kombëtar. Por realisht arsimi mbetet për t`u dëshiruar. Kjo ka ardhur edhe nga papërgjegjshmëria në vendosjen e dy mandateve radhazi të Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe kjo e fundit në mungesën e përzgjedhjes së individëve vizionarë për menaxhimin e së ardhmes së gjeneratës së re të vendit.

Nuk janë alternative dhe “frymë e re” as portalet e mësuesve, as tekstet e reja të future “an block” as provimet e mësuesve apo blerje kreditesh, as formularët e maturanteve dhe, ajo që e shqetëson më shumë komunitetin e prindërve, është rritja galopante e çmimeve të teksteve shkollore e shumë veprimtari të tilla. Fatkeqësisht, kemi në institucionet qendrore dhe rajonale me diploma fallco të marra në universitetet private si “Kristali” apo ndonjë tjetër të vendit, ku i shoqëron një brez sharlatanësh me diploma dhe servile të regjimit.

Në çdo takim që kryenin mësuesit, ku përbetoheshin se Rilindja do të rrisë këtë mandate pagën e mësuesit në masën 40%, pra çdo vit nga 10%. Por, korriku dhe gushti ikën me vapën e madhe, ndërsa rritjen e pagës se mësuesve nuk u kujtua askush. Duke qenë mësuesi i nëpërkëmbur, i denigruar dhe i keq paguar, të gjithë të rinjtë po i largohen sektorit të arsimit.

Për të shkuar në rrënjë të problemit, duhet të kthehemi te qëllimi themelor i menaxhimit intelektual të arsimit që, me keqardhje, themi se askush nga drejtuesit e arsimit në qarqe dhe ato të ZA – ve e shkollave se kanë marrë ende seriozisht dhe të kenë një përgjigje se si duhet drejtuar dhe administruar në të ardhmen arsimi ynë kombëtar. Ne na duhet gjithashtu, ta shndërrojmë këtë në mesazh sensibilizimi për shkollën, që arsimi ynë të jetë sakaq i pranishëm dhe frymëzues për të ardhmen e brezit të ri. Ai të mos jetë si riprodhim i një shoqërie të korruptuar dhe konfliktuale, por si institucion që gjeneron inteligjencë e qytetari.

*E falenderojme autorin per bashkepunimin me Gazeten “Dielli”, SHBA

Filed Under: Politike Tagged With: FRAN GJOKA, Lezhe, milatitantizmi, shkolla

HOMAZH PER SHKENCETAREN VLORA MEHMETI

November 11, 2017 by dgreca

shkenctarjaNJË HUMBJE E MADHE PËR FAMILJEN, KOMBIN DHE SHKENCËN/

Nga FRAN GJOKA- Lezhe/
  

Nuk mund të mos ndjesh emocion, dashuri dhe dhimbje njëkohësisht për njerëzit që luftojnë, arrijnë dhe ndahen nga jeta në një moshë kur aftësia dhe përkushtimi i tyre janë në kulmin e mundësive për arritje të larta shkencore. Një ndër këta është shkencëtarja shqiptare, Vlora Mehmeti – Tërshani, e cila u nda nga jeta në moshën 35 vjeçare, kur kishte arritur formimin e saj shkencor dhe profesional në mënyrë të shkëlqyer dhe kur ishte renditur ndër njerëzit exelentë, në radhët e shkencëtarëve me emër në botë në fushën e farmaceutikës.

Është e trishtueshme kur mendon se ajo vajzë shqiptare nga Kosova, e lindur me 20. 03. 1982, në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë, nuk jeton më fizikisht. Vërtetë jeta është e tillë që njerëzit lindin dhe ndahen nga jeta, por mosha dhe aftësitë e Vlorës nuk kishin arritur në atë pikë që të largohej kështu, duke lënë pas emrin, aftësitë, virtytin e lartë dhe dhimbjen në shpirtin tonë. Ajo duhej të jetonte, sepse i tregoj botës vlerat e saj. Ajo ishte e para dhe e vetmja nxënëse emigrante, që në gjithë historinë e gjimnazit në Vjenë nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës, por arriti që të vazhdonte dhe ta mbaronte gjimnazin me rezultate të larta dhe në një kohë rekord, duke u cilësuar për këtë një rast i veçantë në historinë e këtij gjimnazi. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë si një ngjarje e madhe.

Vlora rrjedh nga një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe aktualisht Kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri.

Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin “Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës.

Arritjet e kësaj vajze shqiptare nisën herët. Me aftësinë, këmbënguljen dhe pasionin e saj përfundoi fakultetin e Farmacisë me arritje të  larta në kryeqytetin austriak, Vjenë. Gjithashtu Vlora mbrojti dhe Temën e Magjistraturës në Tokio të Japonisë me Profesorin e njohur japonez, shkencëtar në fushën e tij, Asakawa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke arritur të vlerësohet me notë të lartë, nga një paraqitje dinjitoze me një mbrojtje të shkëlqyeshme, ku la mbresa të veçanta nga ekipi që monitori mbrojtjen e Temës së kësaj vajze me ambicje shkencore dhe profesionale në rrugën e nisur tashmë nga ajo dhe që kërkonte t’i shkonte deri në fund, jo vetëm përgatitjes shkencore dhe profesionale, por dhe zbulimeve të reja në këtë fushë.

Kjo vajzë shqiptare, shkencëtarja kosovare, vazhdoi të punojë në Universitetin e Vjenës, në sektorin e njohur laboratorik për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën mikrobiologjike. Puna e saj shkencore dhe hulumtuese i dha të drejtën që ajo të prezantojë Universitetin e Vjenës në disa Kongrese Botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë dhe mikrobiologjisë, ku mori vlerësime të larta për rezultatet e saja të arritura hulumtuese. Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore me plot dinjitet shkencor dhe siguri profesionale.

Studimet e doktoraturës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës dhe Austrisë në përgjithësi.

Vlora, nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolës edhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës. Ajo ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departamentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjise molekulare në botë.

Paisja e saj me dijet shkencore, me metodat e kërkimit shkencor, aftësia për të punuar dhe hulumtuar në këtë fushë ku ajo u kualifikua, i dha asaj krenarinë dhe dinjitetin shkencor dhe përfaqësimin e kombit të saj shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke treguar kështu se kombi ynë është komb me vlera dhe tradita, ashtu siç ka patur në histori shembuj të tjerë në të gjitha fushat e jetës. Prandaj puna shkencore afirmative e studiueses kaq të re shqiptare tregon se është një shembull që duhet ditur dhe nga gjenerata e re dhe meriton vlerësimin maksimal nga të gjithë, për t’u bërë një shembull udhëheqës në të ardhmen e tyre për ambicje të reja profesionale dhe shkencore në rrugët e tyre në jetë.

Vlora Mehmeti –Tërshani

Duhet mësuar nga të gjithë brezat e ardhshëm shqiptarë se Vlora Mehmeti –Tërshani u lind në fshatin Beçiq (Besnik) të Drenicës, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në Vushtrri, Gjimnazin dhe Universitetin në Vjenë, gjithmonë me sukses të shkëlqyesheme. Vlora bëri histori në gjimnazin “Schopenhausesstrasse BRG 18 të Vjenës dhe në historinë e këtij gjimnazi është e para dhe e vetmja nga nxënësit e ardhur, e cila nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Pra, ajo vinte nga një familje e thjeshtë shqiptare e Kosovës, me një edukim dhe personalitet të formuar, por mbi të gjitha me një dëshirë dhe vullnet të pamposhtur drejt dijes. Dija, kultura dhe edukata nuk janë monopol i familjeve “aristokrate”, por janë “pronë” e atyre që duan dhe dinë të punojnë me vullnet dhe dashuri për të arritur objektiva.

Lajmi i hidhur i vdekjes së saj ka tronditur jo vetëm familjen e saj të nderuar, por gjithë opinionin shoqëror e kombëtar, gjithë botën shkencore akademike, që e njohën dhe e kuptuan se kush ishte Vlora Mehmeti – Tërshani. Kjo është një humbje e thellë për familjen, që gjithë jetën punuan ndershmërisht për të edukuar dhe formuar fëmijë, të cilët do të ishin e ardhmja e plotësuar edukative dhe shkencore e shoqërisë.Ajo gjatë shërbesës së saj shkëlqeu për kulturë dhe dituri.Falë dhuntive të saj në profesionalizëm mundi t’u shpëtojë fushatizmave dhe ideologjizmave të kohës,duke mbetur gjithmonë ashtu siç në fakt ishte,një misionare hambarplotë e farmaceutikës.Ndërrimi i jetës së saj krejt papritur tek të gjithë ata që e njohën ,dhe sidomos për prindërit dhe të afërmit ,kolegët dhe studentët e saj sollën një trazim të madh shpirti e keqardhje.Por emri dhe kontributi i saj,do të  mbeten përjetësisht të salvuara në memoriet e tyre si një ndër emrat më të nderuar e respektuar.Ky lajm i dhënë nga stomatologu,  Xheladin Ujkani, njëherësh drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, përfaqësuese e së cilës organizatë për Austri ishte edhe e vetë e ndjera, tronditi gjithë kombin dhe botën shkencore – akademike.

Punimet e saja shkencore janë botuar në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore dhe janë vlerësuar në të gjitha qarqet akademike – shkencore si hulumtime shkencore të suksesshme. Ajo ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.

Dhe z. Enver Hoxha, ministër në qeverinë e Kosovës, gjatë ngushëllimit të familjeve Mehmeti e Tërshani, mes të tjerash, tha: “Humbja e një shkencëtareja kaq të zellshme është humbje e madhe për kombin e shkencën në përgjithësi.  Të kryesh Doktoratë në UN e Vjenës do shumë mund e sakrificë, andaj Vlora, me rezultatet e hulumtimeve të saj, ishte e nivelit evropian e botëror. Puna e saj shkencore do shkëlqejë bashkë me kujtimin e përhershëm për Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani.”

Dhe ne, me këtë rast, shprehim ngushëllimet tona për familjet Mehmeti nga Vushtrria dhe Tërshani nga Shtimja për këtë humbje kaq të madhe familjare, kombëtare dhe shkencore.

Filed Under: Histori Tagged With: FRAN GJOKA, HOMAZH PER SHKENCETAREN, Vlora Mehmeti

SA MË SHUMË JAM MARRË ME STUDIMIN E SHQIPES, AQ MË SHUMË MË ËSHTË SHTUAR DËSHIRA QË T’I KUSHTOHEM ASAJ

August 10, 2015 by dgreca

(Flet gjuhëtari prof.dr. Tomor Osmani, Mjeshtër i Madh)/
Nga Fran Gjoka – Lezhe*/
– Prof.Tomori: Keni një jetë të tërë që merreni me gjuhësinë shqiptare si në rrafshin sinkronik, ashtu edhe në atë diakronik, cili ka qenë motivi kryesor që ju ka shtyrë të merreni për një kohë kaq të gjatë me këtë fushë studimi?
*Unë nuk jam një gjuhëtar i ri. Ishte një dëshirë, një pasion që të merrem me gjuhësi dhe me studimin e gjuhës shqipe. Edhe vetë profesioni si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë dhe që në vitin 1963 si pedagog i gjuhës amtare në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (Sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”) më nxiti që t’i kushtohem ekskluzivisht studimit të kësaj gjuhe, duke u përpjekur që të zbuloj “të fshehtat e saj”, kur kam pasur mundësi. Sa më shumë jam marrë me studimin e shqipes, aq më shumë më është shtuar dëshira që t’i kushtohem asaj, duke studiuar, por edhe duke botuar shkrime në shtypin shkencor dhe periodik. Edhe në këtë moshë që jam, ndjej kënaqësi që të kontribuoj me ato mundësi që kam, për të dhënë diçka në të mirë të gjuhës, kulturës dhe arsimit kombëtar.
– Duke njohur fushën e veprimtarisë shkencore të familjes së njohur Osmani, shohim se ju e keni thyer disi kornizën e fushës studimore. Pse pikërisht, përveç kontributeve të tjera gjuhësore, jeni marrë me historinë e alfabeteve të shqipes?
Unë nuk e kam thyer kornizën e fushës studimore të familjes sime. Trashëgova fillimisht profesionin e mësuesit dhe pastaj atë të pedagogut. Nëse babai im, Ethem Osmani, Mësues i Popullit, iu kushtua veprimtarisë pedagogjike, duke drejtuar një shkollë të arsimit të përgjithshëm, vëllai, Shefik Osmani, një didakt i mrënjohur, ndërsa unë vazhdova traditën arsimore si mësimdhënës dhe studiues i gjuhës amtare.
Duken ndjekur historikisht zhvillimet e gjuhës shqipe që nga dokumentet e para e në vazhdim, më tërhoqi vëmendjen problemet e historisë së alfabetit të gjuhës shqipe. Ndonëse shumë studiues janë marrë me këtë temë, janë botuar studime dhe monografi, por unë kërkoja të shkelja në atë shtigje, kur nuk ishin thënë të gjitha për këtë çështje. Qëllimi parë imi ishte që çdo botim që kishte lidhje me historinë e alfabetit të shqipes ta shihja fizikisht dhe çdo të dhënë ta merrja jo nga të tjerët, por nga origjinali i veprës. E dyta, do të merresha jo me artikujt dhe veprat e shkruara gjatë viteve, por vetëm me ata që kishin hartuar alfabete, variante dhe nënvariante, që do të pasqyroheshin përmes pasqyrave të hartuara posaçërisht. Kështu arrita që të botoj monografinë “Histori e alfabetit të gjuhës shqipe” në vitin 1987, më pas veprën e pasurova me të dhëna të reja, me vlerësime dhe interpretime të një dimensioni të ri, duke e dyfishuar edhe si material, të cilën e titullova “Udha e shkronjave shqipe”(1999). Edhe ribotimi i kësaj vepre në vitint 2008 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë njohu përmirësime në sasi e cilësi.
-Një nga studimet tuaja më të arrira ka qenë edhe botimi i monografisë “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” (1916-1918). Si arritët të kryeni një studim kaq të plotë, kur mungonin shumë dokumente.
“Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” ishte një ngjarje e madhe në fushën e kulturës së cilës nuk i ishte dhënë vendi që i takonte gjatë viteve, që nga krijimi i saj, më 1916, afro 100 vjet më parë. U mora me një ngjarje të tillë, pasi arrita të gjej disa dokumente të reja si procesverbalin e mbledhjeve, si dhe broshurën “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, nr.2. Mbi bazën e studimeve dhe të dokumenteve arrita të hartoj një monografi për veprimtarinë e saj, duke saktësuar kohën kur ka filluar aktivitetin e saj dhe sa kohë ka vazhduar, cilët kanë qenë misët, pjesëmarrësit dhe të ftuarit, duke precizuar personalitetet që morën pjesë në mbledhjet e organizuara gjatë tri vjetëve të punës së saj, diskutimet për gjuhën e përbashkët dhe drejtshkrimin e saj, për zhvillimin e letërsisë , hartimin e e teksteve shkollore dhe i termave të tyre etj.
Për mendimin tim, ajo ka qenë institucioni i parë shkencor në vendin tonë. Në shkrimet e botuara për këtë ngjarje janë dhënë disa konsiderata me vlerë për veprimtarinë e saj. “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” ishte nismëtarja e standardizimit të shqipes së shkruar…(B.Beci), Me Komisia Letrare Shqipe në Shkodër nis kodifikimi në shkallë kombëtare i shqipes standarde…(Xh.Lloshi), Me punën që kreu “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër”, shqipja hyri në një etapë të re të përpunimit të saj të vetëdijshëm, hyri në hullinë e kodifikimit të saj…(S. Mansaku). “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër”, një institucion me vlera të veçanta shkencore, historike, gjuhësore, letrare e kulturore për kohën u karakterizua nga kompetenca shkencore, toleranca, larg qendrimeve të ngushta lokaliste, duke dhënë zgjidhje sa shkencore, aq edhe të pranueshme për gjuhën shqipe dhe njëkohësisht i dha një shtytje të veçantë procesit të konvergjencës gjuhësre që ndikoi në zhvillimin e shqipes moderne për shumë kohë.
-Një jehonë të veçantë në qarqet shkencore bëri edhe vepra juaj studimore “Shejzat për gjuhën shqipe”. Diçka rreth rolit të kësaj reviste për zhvillimin e gjuhës shqipe.
Revista “Shejzat” ishte një organ i botuar jashtë atdheut, që nuk qarkullonte në Shqipëri, pasi drejtuesit e saj ishin persona të përndjekur nga regjimi monist. Ajo u botua gjatë viteve 1957-1974 me një numër përkujtimor në vitin 1978. Pronar i revistës ishte shkrimtari Ernest Koliqi dhe kryeredaktor Martin Camaj për aq kohë sa qendroi në në Itali. Duke qenë se lexuesi shqiptar është pak i njohur ose aspak me lëndën e kësaj reviste, e quajtëm të arsyeshme që shkrimet e saj t’i shohim në rrafshin gjuhësor. Në artikujt e përfshira në këtë revistë disa kishin karakter problemor, por edhe njohës, informues, recensa, kronika etj. Në këtë organ u aktivizuan dhe dhanë ndihmesën e tyre për gjuhën shqipe shumë personalitete të kulturës shqiptare, por që ishin të padëshirueshëm nga regjimi monist në Shqipëri, si : E.Koliqi, M.Camaj, K.Gurakuqi, M.Kruja, Z.Valentini, L.Marlekaj, T.Kolgjini, atë Daniel Gjeçaj etj. U botuan artikuj për gjuhën e përbashkët, për historinë e alfabetit të shqipes dhe fjalorët e saj; u trajtuan çështje me karakter morfologjik, drejtshkrimor, leksikor e leksikografi, por nuk mbetën jashtë edhe shumë figura emblematike, vepra dhe autorët e tyre.
Kjo revistë për kohën kur u botua, qe një organ i preferuar i shqiptarëve jashtë atdheut.
-Keni një jetë të tërë që merreni me studentë. Keni nxjerrë mjaft talente sidomos në fushën e letërsisë.Si e shpjegoni mungesën e studiuesve të rinj në fushën e gjuhësisë?
Nuk mund të them se kemi një deficit të studiuesve në fushën e gjuhësisë.Kjo është e kushtëzuar nga disa faktorë. Dihet se gjuhësia është një shkencë e vështirë, kërkon mobilizim të vazhdueshëm, studim sistematik dhe kjo është e kushtëzuar edhe me individin që duhet të ketë dëshirë dhe pasion për këtë shkencë dhe disiplinat e saj. Gjithashtu edhe shteti, shoqëria ka rolin e vet, duke nxitur studiuesit e rinj, por edhe duke investuar financiarisht për ato shkenca që kanë nevojë për t’u ndihmuar. Një fakt pozitiv që vihet re këto dekadat e fundit është që shumë studiues të rinj kanë zgjedhur temat për doktoraturë nga fusha e gjuhësisë, si në universitete, ashtu edhe në qendrat shkencore, por këta duhen stimuluar. Ky kontigjent i ri që është kualifikuar deri tashti, apo vazhdon kualifikimin pasuniversitar po jep frytet me botimet nga fusha e gjuhës shqipe si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
-A jeni i kënaqur, professor, me nivelin e përgatitjes së studentëve në rrafshin gjuhësor si mësues të ardhshëm. A ka vend për përmirësimin e punës metodike dhe shkencore në këtë drejtim.
Përgatitja e studentëve nuk është në nivelin e kërkuar.Ata i kanë të gjitha kushtet për të studiuar.Çdo universitet ka bibliotekën e vet në shërbim të studentëve që sa vjen e pasurohet. Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër biblioteka shkencore është shumë e pasur me botime të traditës dhe të sotmes, me kushte shumë të mira për të studiuar, por duhet nga ana e studentëve vullnet dhe dëshirë për të studiuar. Nuk mund të themi se s’ka vend për permirësimin e punës metodike dhe shkencore. Duhet të gjenden forma puna nga ana e pedagogëve që i shërbejnë procesit mësimor, përmirësimit të tij. Një fakt pozitiv është se i gjithë personeli mësimdhënës është i kualifikuar, ka interesa të veçanta për disiplinën gjuhësore që mbulon, duke botuar jo vetëm artikuj e studime shkencore , por duke kaluar në botimin e monografive.
Me lejoni t’ju uroj jetëgjatesi, shëndet të plotë, krijimtari përseri të frytshme për kulturimin dhe lartësimin e virtyteve më të mira të gjuhësisë shqiptare.

*Autori i intervistes, Fran Gjoka

Filed Under: Interviste Tagged With: FRAN GJOKA, Prof. dr. Tomorr Osmani, studimi i gjuhes shqipe

FRAN GJOKA,MËSUESI DHE GAZETARI

February 13, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Fran Gjoka! Si mik i vjetër po ju pyes: a ka kohë pushimi për gazetarin dhe krijuesin? E ndjej përgjigjen që e ke në majë të gjuhës: “Jam në pension. Kohën e kam me bollëk, por s`më tepron, pasi ajo ikën si pa u ndjerë, ngase s`më le “sevdaja” për gazetarinë”.
Kisha deshirë t`i thosha e të dëgjoja këto fjalë, pasi ka mbi 40 vjet, që në shtypin e përditshëm nuk pushojnë shkrimet që mbajnë emrin dhe firmën e gazetarit të njohur Fran Gjoka. Pa të keq, madje po e them me admirim, se vitet shkojnë, flokët t`u thinjën e rrudhat u`u shtuan e ti mbete po ai Frani energjik, që nuk t`u zbeh deshira e nuk t`u thye pena për të shkruar? Pas pyetjes së parë, tjetra që më shkon në mendje është: Po kohë të pushosh, a gjen o koleg i hershëm? S`ka nevojë për përgjigje, pasi e gjen vetë secili, mjafton ta njohësh fare pak natyrën, vullnetin dhe këmbënguljen e mikut tonë penështruar.
Kam përshtypjen se shumë nga kolegët mësues e drejtues, kanë menduar e besuar se, kur ai të dalë në pension, vetvetiu do ta braktisë edhe gazetarinë e do t`i bashkohet grupit të dominove në lulishte, apo kafesë, ku duke përtypur kujtimet, i shtyn me përtesë orët e ditës, aq sa do të bezdiset bufisti dhe kamarjeri i lokalit. Ja që nuk ndodhi kështu. Me Franin gabojnë. Zëri i tij përsëri vazhdon të dëgjohet në faqet e shtypit të ditës, sepse natyra e tij e gjallë e dinamike, nuk e pranon të qendrojë me orë të tëra kot, aqsa e ka të vështirë të rrijë pa u marrë me asgjë. Mbase kolegët nuk e dinë sekretin që e mbart në shpirt çdo krijues, në këtë rast edhe heroi ynë Frani, që për gazetarin, studjuesin dhe krijuesin nuk ka as moshë pensioni, po as edhe kufinj vitesh. Është kjo e fshehtë e pashkruar dhe e pashpallur, që nuk e le t`i plaket trupi dhe mendja, ndaj për të mos u shkëputur nga veprimtaritë shoqërore, kërkon të jetë përherë i pranishëm dhe i dobishëm. Shtojmë këtu, se edhe zemra i rreh vetëm për punë, që e shtyn të jetë i papërtuar për të gjetur e bërë intervista me kolegë dhe përsonalitete të arsimit dhe shkencës, njëkohësisht për t`u ndjerë i palodhur në pjesëmarrje veprimtarish, ku nuk harrojnë ta thërrasin e t`i kërkojnë fjalë e mend.
Duhet ta pranojmë se Frani është intelektual që vepron dhe që nuk i ndahet edhe librit e bibliotekës, sepse vendosmëria dhe detyra i kërkon me doemos kohën, për lexime e studime të vazhdueshme. Ky është ushqim mendor e shpirtëror, për t`u thelluar e përfshirë në përplasjet, lidhur me problemet që dalin e dukuritë që hasen nëpër shkolla, gjuhësi, letërsi e ndërvarësi shoqërore, duke kërkuar shtigje për rrugët e zgjidhjes së tyre. Është një debat i vazhdueshëm, në të cilin Frani, gazetari ynë fjalë bukur, nuk shmanget e as i bën dredha. Kurdoherë kërkon ta thotë fjalën e tij, duke menduar e shpresuar se njohja, kultura dhe përvoja shumë-vjeçare, ndihmon sado pak. Për të vazhduar më tej akoma, Frani me kurajo ngacmon e thërret në diskutim mësuesit, drejtorët, komunitetin, të mençurit e të diturit, më tej akoma, edhe ideatorët e vendimarrësit, në bazë e dikaster, duke shtruar me llogjikë të fortë mendimet dhe shqetsimet, lidhur me reformat në arsim dhe zbatimi i tyre në praktikë, në jetën e përditshme të çdo institucioni.
Me emrin e Franit jam njohur shumë herët nëpërmjet gazetës “Mësuesi”, ku shkrimet e tij i gjeja, gati në çdo numër. Ndërsa u bëmë miq këtu e njëzet vjet më parë, kur edhe unë nisa të shkruaj po në këtë gazetë. Me një fjalë, na lidhi gazeta “Mësuesi”. Frani nga Lezha dhe unë nga Durrësi, meqë ishim më pranë Tiranës, shkrimet tona, të shkruara së shumti me dorë e makinë shkrimi, për më kollaj i sillnim vetë në redaksi, për të shmangur vonesat dhe burokacinë e postës. Na pëlqeu muhabeti dhe u miqësuam shpejt, pasi të dy ishim mësues, si të thuash zanatçinj në një “ndërmarrje”, kështu natyrisht edhe problematika e bisedave dhe shkrimeve përqëndrohej tek mësimi, nxënësi, mësuesi, prindi, drejtori, shkolla, tekstet, metodat dhe figurat e shquara që e shkrinë jetën në arsim. Harroheshim në bisedë, pavarësisht se koha shkonte dhe duhet të vraponim tek furgonët apo tek autobusi, për t`u kthyer në qytetet tanë. Kënaqeshim kur kryeredaktori i gazetës Z. Viron Kona, na ftonte për kafe në lokalin brenda oborrit të Ministrisë, dhe me atë natyrën e tij bujare e gazmore, si vlonjat që ishte, na mburrej: “Jam i nderuar se kam dy miq nga dy qytete nga më të vjetërit; njëri nga Dyrrahu e tjetri nga Lisus”. Këto fjalë i thoshte me zë të lartë, sidomos kur ishe mes shokësh, sepse meqë ra fjala, çuditërisht asnjëherë nuk e gjenim vetëm dhe ne na vinte mirë ky lloj perzantimi.
Duke shkruar këto pak radhë për Franin, i them se ka dy privilegje që s`i gëzojnë të tjerët, por që i lakmojnë me tepri :
Së pari, është mësues dhe si i tillë është një misionar në udhën e vështirë të mësimit dhe edukimit, sepse përhap e ushqen dije në mendjen dhe shpirtin e të rinjëve, që të bëhen të dobishëm dhe kështu të kërkojnë e luftojnë për më të mirën për vete dhe shoqërinë.
Së dyti: Frani njëherazi është edhe gazetar, kështu i jep mundësi vetes të shprehë mendimin, të nisë e të nxisë diskutime, të përhapë përvojën pozitive të vetes dhe kolegëve, njëkohësisht të mbajë qendrim ndaj problemeve të shumta që ka shkolla dhe arsimi. Natyrisht këto janë pjesë e deshirës, pasionit, talentit dhe intelektit të tij, që e shtynë drejt gazetarisë, pa më të voglin interes vetiak e pasuror. Thjesht të pasqyronte atë që ndjente, për vete dhe kolegët.
Këtu nuk mbaron historia, pasi pa dashje, ai u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij. Askush nuk e ve në mëdyshje fjalën e tij. Me të padrejtë dikush që njeh vetëm botën e parasë, do të shprehet: Kujt i vlen gjithë kjo punë e ky mund?
Unë dhe mijëra kolegë, mësues e gazeatrë e përbuzim këtë lloj pyetje, që tundon dhe thyen njeriun. Më bukur përgjigjen e jep vetë Frani, me mbi 2000 artikujt e shkruar prej tij, që kanë brenda frymëzimin dhe idealizmin e njeriut fisnik. Çdo artikull është një lloj fotografie që fikson kohën, jetën shoqërore, ngjarjet dhe veprimtaritë, problemet dhe shqetësimet me të cilat ndeshemi përdit. Të gjitha këto përbëjnë në vetvete një arkivë dokumentash, që mund të shfletohen bukur për historinë e zhvillimin e arsimit në Lezhë e më gjërë. A nuk është edhe kjo një “pasuri” shpirtërore për Franin? Në fund të fundit, ç`e dallon intelekualin nga zanatçiu, veçse puna krijuese që u mbetet trashëgim brezave?
I urojmë Franit shëndet e jetë të gjatë mes miqëve dhe shokëve, njëkohësisht edhe sa më shumë shkrime nëpër gazetat tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: FRAN GJOKA, Kadri Tarelli, MËSUESI DHE GAZETARI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT