• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

50-vjetori i një çmendurie kombëtare

February 8, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/Në historinë e kombeve të mëdha e të vogla ndodhin lloj-lloj fatkeqësishë: luftëra, pushtime, fatkeqësi të natyrës, e tjera.  Gjysëm shekulli më parë, pikërisht më 6 shkurt të vitit 1967 ndodhi një ngjarje që mund të cilësohet, për nga përmasat dhe pasojat fetare, kombëtare dhe kulturore, si një ditë fatkeqe në historinë moderne të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Atë ditë, regjimi komunist, me Enver Hoxhën në krye, filloi një luftë të ashpër kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve fetare, duke shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, diçka që as deri atëherë dhe as deri më sot nuk e ka bërë ndonjë popull ose komb tjetër në botë.  Është kjo një ditë fatzezë në historinë e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve, që Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit, i Përndershmi Angelo Massafra, në kujtim të këtij 50-vjetori fatzi, shkruan në portalin katolik peregrinus.al,  se ky përvjetor shënon ditën kur Enver Hoxha deklaroi “vdekjen” e Perëndisë, “duke u mbrojtur pas një ideologjie të korruptuar, të imponuar me anë të terrorit”, një ditë kur, “një njeri i jepte vetes të drejtën të cenonte lirinë e njerëzve të tjerë.  Ishte kjo një ditë kur, “Përball Fjalës Krijuese të Hyut, Shqipëria zgjidhte fjalën shkatërrimtare të diktatorit të vet”, shprehet Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit në shkrimin e tij.

Në Shqipërinë tonë post-komuniste — u kërkoj falje miqëve të mijë të cilët, ndoshta me të drejtë, më korigjojnë shpeshëherë për këtë përcaktim të sistemit politik të këtyre 25 viteve të fundit atje – sidomos vitet e fundit, vihen re tendenca për të riabilituar regjimin diktatorial komunist dhe figurën e Enver Hoxhës me qëllim për të revizionuar historinë e asaj periudhe, dhe me kollajllëk për të “harruar” përvjetorë si ky.  Në një mungesë totale të solidarizimit me viktimat e kësaj politike të çmendur 50-vjetë më parë, me sa kam venë re, ky përvjetor nuk tërhoqi ndonjë vëmendje nga institucionet shqiptare, as nga media, dhe as nga udhëheqsit politikë të cilët në faqet e tyre elektronike mezi presin të shënojnë çdo gjë, me rëndësi e pa rëndësi, historike dhe jo aq historike.

Por, sa për kujtesë, ishte Shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull, ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai, shpalli luftë kundër ”ideologjisë fetare” dhe ”zakoneve prapanike”, duke e sanksionuar me ligj Shqipërinë kundër Zotit dhe si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.  Fjalimi i diktatorit, mund të konsiderohet edhe si mbarimi i luftës kundër klerit dhe i tre institucioneve fetare të shqiptarëve, sepse kalvari i tyre, në të vërtetë, kishte filluar ç’prej vitit 1945.   Shumica e klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe i të dy feve të tjera, mysimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist, në periudhën 1945-1960.   Numri i saktë i klerikëve të vrarë ose të vdekur nepër burgjet dhe kampet e përqëndrimit — katolikë, myslimanë dhe ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore të asaj periudhe — ndoshta nuk do të dihet kurrë.  Deri më 1950, komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar deri në një pikë sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve.  Ironia tragjike e kësaj situate është se e gjithë këjo çfarosje ndodhi ndërsa njëkohsisht, kushtetuta e Shqipërisë komuniste garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Përveç ndalimit të fesë, me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj bazuar në  Revolucionin Kulturor Kinez, duke e zhytur kështu kombin shqiptar në një katastrofë kulturore përmasash historike të paparë ndonjëherë, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, duke zhdukur pjesëtarët më të dalluar të elitës intelektuale dhe fetare shqiptare dhe së bashku me ta edhe një pjesë të madhe të thesarit të kulturës, të letërsisë dhe të traditave mija vjeçare të kombit shqiptar.  Në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – vërtetsisht një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe ideologjik të Kinës Komuniste – nuk mund të kuptohet as të shikohet ndryshe veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike, kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar. Ishte kjo një ideologji që kishte për qëllim zhdukjen e elitës fetare dhe kulturore shqiptare, e cila ndonsë e përbuzur dhe e zhdukur fizikisht — atëherë dhe sot dëshmon gjithnjë vlerat njerëzore, intelektuale, shpirtërore dhe shoqërore, të cilat nuk zhduken kurrë ndër shqiptarët.

Nuk besoj të ketë ndonjë popull tjetër – kur të merret parasyshë numri ipopullësisë së Shqipërisë – që të ketë pësuar vuajtje, procese gjyqësore dhe tortura më të mëdha dhe më të tmershme gjatë shekullit të kaluar se populli shqiptar.  Duke iu referuar periudhës komuniste, Papa Gjon Pali i Dytë me të drejtë është shprehur se: “Historia nuk ka parë ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.  Prandaj, është shumë e vështirë të merret me mend se si është e mundur që udhëheqsit politikë shqiptarë, institucionet shtetërore dhe kulturore të vendit — në një përvjetor si ky — të mos ndjejnë asnjë obligim ose përgjegjësi morale për të kujtuar këtë njollë të zezë të historisë kombëtare dhe viktimat e asaj periudhe. Ata heshtin   duke mbajtur qendrime indiferente ndaj gjenocidit fetar në Shqipëri dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrveshjeve ndërkombëtare të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare të asaj kohe.  Ndoshta miqët e mi kanë të drejtë se përcaktimi “periudha post-komuniste” në Shqipëri, duhet të cilësohet disi ndryshe.

Sidoqoftë, ajo që mund të bëjmë në këtë 50-vjetor, nëqoftse asgjë tjetër, të pakën të kujtojmë këtë çmenduri kombëtare dhe viktimat e saj të pafajshme — të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë — me shpresën që ato krime të mos përsëritën më — në ato forma ose ndryshe — në trojet shqiptare, nga shqiptari kundër shqiptarit ose nga të huajt kundër shqiptarëve.

Por për fat të mirë, Perëndia nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe shqiptarët.  Ashtu siç është shprehur edhe Dom Simon Jubani, gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, “Kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.

Por jo vetëm kaq.  Në këtë përvjetor të harruar le të shikojmë drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, duke iu bashkuar mesazhit shpresëdhënës të Papa Gjon Palit të II, në vizitën që bëri në Shqipëri më 25 prill, 1993, drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe në Tiranë, ku mes tjerash ka thënë: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin. Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.   Me atë rast, Papa Gjon Pali i II porositi gjithashtu shqiptarët se, ”Kjo liri e besimit fetar të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.  Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjia, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror….Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon pali i II në Tiranë, në prill të vitit 1993.

Në këtë 50-vjetor të ndalimit të fesë në Shqipëri dhe të fjalimit famkeq të Enver Hoxhës,  është një obligim moral dhe përgjegjësi politike dhe shoqërore që të kujtojmë krimet dhe viktimat e regjimit komunist, por njëkohsisht të mos harrohen, por të kultivohen përjetsisht, vlerat e vëllazërimit dhe të harmonisë jo vetëm fetare — për të cilën dallohen shqiptarët — por të zhvillohet edhe harmonia politiko-shoqërore, si një thesar për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjetori, Frank shkreli, i një çmendurie kombëtare

POLITIKA E JASHTME AMERIKANE DHE SHQIPTARËT…

February 6, 2017 by dgreca

…NJË POLITIKË E MBËSHTETUR NGA DY PARTITË KRYESORE/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Zgjedhjet e fundit për president në Shtetet e Bashkuara shkaktuan debate të ashpra jo vetëm midis kandidatëve të dy partive kryesore të këtij vendi, republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, por edhe në radhët e mbështetsve të tyre – debate që shpesh ishin dhe vazhdojnë të jenë përçarse — mbi politikat e mbrendshme dhe të jashtme që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara.Pjesë e këtij debati, ishte një konferencë dy-ditëshe që u mbajt muajin e kaluar në Institutin e Shteteve të Bashkuara për Paqë në Washington, tubim ky që kaloi gati pa bujë dhe pothuaj me aspak mbulim nga media, por ishte një takim i rëndësishëm dhe domethënës për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, në të kaluarën por edhe për angazhimin e administratës së re në punët botërore dhe për rolin që Washingtoni duhet të luaj në këtë fushë.   Ishte kjo një konferencë ku morën pjesë, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e ish-Presidentit Obama, Susan Rice dhe Këshilltari i ri Sigurisë Kombëtare në adminsitratën e Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn.  Në konferencë ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Senatori republikan, Lindsey Graham dhe qindra ish-zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të administratës së re, diplomatë dhe ekspertë të pavarur të çështjeve ndërkombëtare të cilët përfaqsonin pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e marrëdhënieve të Amerikës dhe mbi rolin e saj në botën e jashtëme.  Ndryshe nga debatet mbi zhvillimet e politikave të mbrendëshme, shpesh të acaruara politike dhe ekonomike, midis Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqsve të Partisë Demokrate, ky takim ku u diskutua pothuaj ekskluzivisht politika e jashtme e Shteteteve të Bashkuara — sipas Institutit për Paqë i cili sponsorizoi takimin —  ishte një tubim që vërtetoi se me anë të dialogut të mirëfilltë dhe ndërtues, mund të përcaktohen bazat e një politike të jashtme efektive,  që mund  të mbështetet nga dy partitë kryesore amerikane – një politikë që në të vërtetë është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në një njoftim mbi zhvillimet e konferencës dy ditore thuhet se pjesëmarrsit në atë tubim, arritën përgjithsisht në marrëveshje mbi perimetrat e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, me të cilat përballen sot Shtetet e Bashkuara.  Për një menazhim më efektiv të këtyre sfidave, pjesmarrsit në konferencë u dakorduan se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara është i pazevëndsueshëm dhe se si i tillë nevojitë aleatë, anë e mbanë botës.  Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn u tha të pranishëmve se administrata e re amerikane beson se Shtetet e Bashkuara, “Duhet të marrin përsipër një rol më të madh — pa marrë parsyshë nëse kjo na pëlqen ose jo – pasi bota e kërkon një gjë të tillë.  Ai shtoi duke thënë se administrata e re do të “Rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet anë e mbanë botës.”Në debatet e tyre, përfaqsuesit demokratë dhe republikanë ishin të njëjtit mendim se më së pari Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë bazën e mbrendshme nga e cila varet roli i jashtëm i këtij vendi, e që sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, që ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit George W Bush, “nevojitë forcimin e ekonomisë ssë vendit, një politikë më bashkpunuese midis palëve dhe një ushtri më të fortë.”  Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit Bill Clinton, si edhe pjesëmarrës të tjerë civilë dhe ushtarakë, nënvijuan se Amerika në rolin e saj botëror ka nevojë gjithashtu edhe për përdorimin e mjeteve të forta të diplomacisë, të zhvillimit dhe të pajtimit ndërkombëtar.  Pjesëmarrsit në atë konferencë u pajtuan se Amerikës i duhet një përgjigje e mbështetur nga dy partitë kryesore të këtij vendi ndaj sulmeve që po kërcënojnë rregullat dhe rendin e tanishëm ndërkombëtar.  Udhëheqsit e të dy partive politike amerikane në atë tubim, shprehën gjithashtu edhe shqetësimin e tyre në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, mbi manovrimet ushtarake në rritje nga ana e Kinës si edhe ndaj dobësimit të kohezionit në radhët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke i cilësuar këto dukuri si shënjë e dobësimit të rendit ndërkombëtar, një sistem ky që pak a shumë, ka ruajtur paqën botërore gjatë 70-viteve të fundit.

Natyrisht se në një debat të tillë mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, ku morën pjesë ish-udhëheqës dhe zyrtarë të lartë me qendrime të ndryshme, nga administratat demokrate dhe republikane, nuk do të ketë gjithmonë një harmoni të plotë të pikëpamjeve. Por të gjithë pjesëmarrsit –pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike dhe partiake – treguan ashtu siç është  shpesh traditë në Amerikë, një angazhim që në fillim të administratës së re të punojnë drejtë një politike të përbashkët mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë — gjithmonë në interesin kombëtar të këtij vendi — duke treguar se megjithë ndasitë dhe përçarjet politike të mbrendshme shpesh të ashpëra – politika e jashtme e këtij vendi dhe roli që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë, gëzojnë gjithnjë mbështetjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të dy partive kryesore të Amerikës, por edhe diplomatëve dhe ekspertëve të pavarur të çështjeve ndërkombëtare.

1 Suzan Rice flynn

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-Gjenerali Michael Flynn dhe ish Këshilltarja e Presidentit Barack Obama për Sigurinë Kombëtare, Suzan Rice morën pjesë në konferencë/Krahaso këtë mbështetje të politikës së jashtme amerikane dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nga dy partitë kryesore dhe nga eskpertë e diplomatë të ndryshëm amerikanë, me politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos kohët e fundit. Duke u mbështetur në disa burime të medias shqiptare, kjo politikë po zhvillohet në dy platforma të ndryshme të ndjekura nga dy partitë kryesore, nga ajo Socialiste dhe ajo Demokrate.  Dy kampe pra të ndara në politikën e tyre ndaj shtetit strategjik numër një për kombin shqiptar, njëra pro “sorosiane” e tjera pro “Trump”.   Edhe nëqoftse në thelb kjo politikë e Tiranës ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e vërtetë, kam drojë se nga të përfolurat deri tani mbi këtë çështje dhe nga debatet e analistëve kryesisht të njëanshëm në televizionet shqiptare, dëmi është bërë tanimë.  Shtetet e Bashkuara, me vendimin e tyre, kurrë nuk do të jenë armike të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, siç është provuar historikisht, vetëm shqiptarët mund të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç bëri dikur Enver Hoxha.  Prandaj, qendrimet e fundit të politikës dhe disa mediave shqiptare ndaj Amerikës dhe zhvillimeve në këtë vend, duket se kanë krijuar një atmosferë jo të këndshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, që për ndryshe deri më sot janë përshkruar si të shkëqyeshme midis Washingtonit dhe Tiranës.  Prandaj, lindë pyetja kush është motori që inkurajon një pasiguri të tillë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dhe pse?  Nuk kini nevojë të përlaheni e të përçaheni për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane se kini mjaftë fushë të tjera ku mund ta beni këtë.  Nëqoftse dikush dëshiron, që në vend të miqësisë midis dy vendeve, falë politikës shqiptare ndaj Shteteve të Bashskuara, Washingtoni të detyrohet të marrë qendrim indiferent politik dhe diplomatik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, politika e tanishme ose më mirë të themi heshtja zyrtare ndaj dukurive të tilla, do të shkaktonte dëme të mëdha në interesat kombëtare të shqiptareve në Ballkanin Perëndimor, duke kënaqur kështu jo vetëm armiqtë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe armiqtë e interesave kombëtare të shqiptarëve.Marrëdhënjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë tepër të rëndësishme që të bëhen objekt mosmarrveshjesh ndaj nuk guxohet të luhet me to ose të manipulohen në këtë mënyrë, qoftë nga individë ose parti politike për qëllime të ngushta, personale ose politike.  Pretendimet tuaja, të nderuar politikanë,  se mund të keni mbështetjen e njërit ose tjetrit udhëheqës ose parti politike e zyrtarë amerikanë janë fals dhe mos gënjeni votuesit shqiptarë.  Politika zyrtare amerikane nuk ka përkrahur kurrë ekskluzivisht ndonjë politikan ose parti politike të vetme shqiptare.  Washingtoni zyrtar nuk do të bëjë një gjë të tillë as tani, kështuqë “sorosianë” dhe “trumpist” shqiptarë dhe mbështetsit tuaj, më mirë kujdesuni bashkë pa dallim partie, për interesat afatgjata politike, ekonomike dhe të sigurisë të shqiptarëve që mund të vinë nga marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane. Shtetet e Bashkuara, janë mirënjohëse ndaj ndjenjave historikisht, pro-amerikane të kombit shqiptar.  Shqipëria, nga ana e saj, ka përkrahur pa mëdyshje politikën amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe merr pjesë në operacione ushtarake në kuadër të NATO-s.  Mos e prishni pra këtë miqësi historike. Siç thashë më lartë, mjafton një qendrim indiferent i Washingtonit ndaj Shqipërisë për të dëmtuar këtë miqësi dhe njëkohsisht për të kënaqur dhe për të inkurajuar armiqët.  Jo vetëm Washingtoni zyrtar por edhe Kombi shqiptar pret prej jush – si politikanë individ dhe si parti — që para Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të saj të flisni me një zë dhe të paraqiteni të bashkuar në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, përfshirë zhvillimin dhe mbarëvajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore që ekzitojnë tani midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Prandaj, ashtu siç është mbështetse dhe bipartizane politika amerikane, pa dallime politike, ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve, e tillë duhet të jetë edhe politika e Shqipërisë dhe e klasës politike të saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shqiptaret, dy partite, Frank shkreli, POLITIKA E JASHTME AMERIKANE

KUNDËR APATISË POLITIKE – PËR NJË REVOLTË ELEKTORALE

February 1, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/Për problemet politike dhe ekonomike — përfshirë trazirat dhe grindjet politike të pafund të këtyre 25-viteve të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, e sidomos problemet serioze si  korrupsioni, droga, mashtrimet dhe batakçillëqet e lloj-llojshme të klasës politike shqiptare të kësaj periudhe —  fajin kryesor e kanë, natyrisht, vetë politikanët e djeshëm dhe të sotëm.  Ata janë arkitektët e vërtetë të këtij “monumenti” politik dhe ekonomik, të cilit fatkeqsisht nuk mund t’i thuren lavde.  I ashtuquajturi tranzicion nga komunizmi në demokraci, mund të konsiderohet tani zyrtarisht si i dështuar.  Shqipëria dhe Kosova, në krahasim me vende të tjera europiane dhe bazuar në standarde botërore të qeverisjes së mirë dhe të lirisë e demokracisë, vazhdojnë të cilësohen gjithnjë si, “vende pjesërisht të lira.”  Me të thënë të drejtën nuk jam krejt i sigurt se ç’do të thotë “pjesërisht i lirë”, është si të thuash “gjysëm shtatëzënë”.  Në mendjen time, ose je i lirë ose nuk je.  Megjithkëtë, cilado qoftë domethënja, sipas Freedom House,  Shqipëria dhe Kosova as kësaj radhe nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve që cilësohen si të lira.

Për gjëndjen e pa shpresë kaotike në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore që mbretëron sot gjithandej trojeve shqiptare, kredia duhet t’i shkojë në radhë të parë klasës politike të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, por për këtë “normalitet”nuk mund të shfajësohet as një pjesë e madhe e qytetarëve-votues që kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë larg pjesëmarrjes së tyre aktive në proceset politike të vendit.  Shumë ankohen se janë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe të lodhur nga arroganca  e udhëheqësve të tyre politikë, nga korrupsioni, nga mashtrimet dhe të shqetësuar nga aleanca të ndryshme të politikës me krimin e organizuar, por megjithkëtë nuk ushtrojnë të drejtën e pjesmarjes në proceset politike, me qëllim për të ndryshuar gjërat për më mirë.  Shumë kanë deklaruar se për të dalur nga kjo situatë, e vetmja rrugë është emigrimi jashtë vendit, siç vihet re edhe në sondazhet e fundit.  Qytetari i thjeshtë e ndjenë veten krejtësisht të pafuqishëm ndaj kësaj situate të krijuar dhe përballë këtyre forcave të errëta, por të plotfuqishme dhe siç duket imune ndaj sundimit të ligjit. I zhgënjyer dhe i mundur, votuesi shqiptar fatkeqsisht ka vendosur të dorëzohet para këtyre forcave, madje edhe duke mos ushtruar as të drejtën e votës, i bindur nga përvoja e 25-viteve të fundit se vota e tij nuk ka asnjë vlerë, sepse pa marrë parasyshë se për cilën parti ose politikan që voton, asgjë nuk përmirësohet dhe as nuk ndryshon në jetën e tij.   Kësaj i thonë apati politike, e cila në botën shqiptare fatkeqsisht fryhet e zmadhohet edhe nga një pjesë e medias për interesat e saja klienteliste, një media që shërben si myshteri dhe si zëdhënse e partive dhe grupeve të ndryshme interesi – por të cilat duke mbrojtur interesat e politikës, gjithmonë veprojnë kundër interesit të përbashkët.

Apatia politike është e rrezikshme njësoj siç është edhe politika e pa kontrolluar.  Apatia e shqiptarëve ndaj politikës dhe pjesmarrjes në proceset politike, rrezikon kombin aq sa edhe korrupsioni, droga, papunësia dhe probelme të tjera me të cilat përballen shqiptaët çdo ditë.   Të dëshpëruar përballë kësaj situate të krijuar, Shqiptarët po “votojnë me këmbë”, po largohen masivisht nga trojet e veta si asnjë herë më parë.  Madje as në kohën e komunizmit nuk kishte largime të tilla në masë.  Shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga vise të tjera shqiptare, pothuaj po garojnë — për vend të parë për nga numri më i madh i imigrantëve që kërkojnë strehim në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara — me popuj siç janë sirianët, të cilët përballen me vite tani me një luftë shkatërruese civile që ka shkaktuar vdekjen e qindra mijërave dhe largimin e miliona të tjerëve nga vendi i tyre i shkatërruar.  Por emigrimi nuk është zgjidhje as për vet këta shqiptarë që mendojnë se rrugët e botës do u sjellin një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre dhe as për të ardhmen afatgjatë të trojeve shqiptare, të cilat dalngadalë duket se po zbrazen si rrjedhim i politikave të dështuara dhe mungesës së sundimit të ligjit, të ndjekura nga politikanët shqiptarë deri më sot.

Natyrisht se kurrë nuk është vonë për të ndryshuar drejtim. Kryesisht është në dorë të kësaj klase politike që të ndryshojë punët për më mirë.  Por, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk ka gjasë që, me të njëjtit protagonistë, të ndodhë tani ose në të ardhmen, pasi kemi të bëjmë me të njëjtën klasë politike të këtyre 25-viteve të fundit, pothuaj me të njëjtit persona, të cilët besoj se nuk kanë as vullnetin dhe as njohuritë e nevojshme politike dhe intelektuale për të ndryshuar.  Prandaj i mbetet qytetarit të thjesht shqiptar që të pakën, me pjesëmarrjen e tij më aktive në proceset politike, të provojë të ndryshojë gjendjen në të cilën jetojnë sot shqiptarët.   Deri më sot, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është parë ndonjë aktivizim serioz i shoqërisë që të pakën do bënte që politika dhe insitucionet qeveritare të merrnin parasyshë  ndrshsime thelbësore dhe plotësimin e nevojave bazë të mbijetesës dhe që të pakën të tregojnë sado pak vullnet për tu marrë me hallet shqiptarëve.  Si rrjedhim, për të shpëtuar kombin nga gjëndja që është katandisur, nevojitet një angazhim më i madh politik nga qytetarët, si shpresë e fundit për dalur nga kjo situatë, ose të pakën për të ngadalësuar përkeqsimin e saj.  Nuk është e mjaftueshme, që për të qenë qytetar i mirë, duhet vetëm të paguash taksat dhe të zbatosh ligjet që vet ligjvensit nuk i zbatojnë.  Duhet një pjesëmarrje shumë më aktive dhe një rol i përhershëm i qytetarëve në jetën publike.  Për më tepër, nevojitet një revoltë paqësore e elektoratit duke marrë pjesë më aktive dhe duke luajtur një rol më të madh në jetën politike, pikësëpari duke votuar –me qëllim për t’i dërguar një mesazh të pa dyshimt klasës politike se status-koja politike dhe ekonomike është e pa tolerueshme.  Pjesëmarrja më e madhe e publikut në proceset politike është e vetmja shpresë për të pasur një shoqëri dhe qeveri të lirë, si dhe një qytetari dhe sistem politik që varet nga sundimi i ligjit.  Shpresë për të pasur një qeverisje që pikëspari mbron interesat kombëtare duke luftuar korrupsionin mbytës në radhët e veta dhe një pushtet që angazhohet seriozisht për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve pa dallim, sidomos të atyre që janë më në nevojë e të cilët shoqëria i ka lënë mbrapa. Kjo është një garanci, aq sa është e mundur, që duhet të mundësojë edhe funksionimin normal të institucioneve qeverisëse në interes të popullit dhe në mbrojtje të drejtave bazë të qytetarëve duke u përballur drejtë për drejtë me hallet e përditshme të qytetarëve.   Ky duhet të jetë roli i qeverisë, por votuesi shqiptar – me aktivizimin e tij më të madh në proceset politike, mbi të gjitha me votën e tij — duhet të mbajë përgjegjës pushtetarët, që këtë rol t’a luajnë si duhet dhe gjithmonë në interesin e përbashkët të shoqërisë dhe të kombit. 1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Fatkeqsisht, në radhët e popullit ekziston aq shumë indiferencë politike ndaj asaj që po ndodhë në trojet shqiptare sot, sidomos indiferencë ndaj zhvillimeve politike nga një pjesë dërmuese e qytetarëve.  Njerzit janë lodhur dhe kanë humbur shpresën.  Kjo mund të jetë një situatë apatie që i ka rrënjët në praktikat institucionale shtetërore dhe qeveritare të çerek shekullit të kaluar por dhe në trashëgiminë komuniste që jo vetëm kufizon, për të mos thënë se e ndalon, por sigurisht që nuk e inkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike.  Historikisht, qeveritë jo demokratike të zhytura në korrupsion, përbëjnë rreziqe të mëdha për shoqërinë, por ama edhe indiferenca e njerëzve të thjeshtë dhe e votuesve ndaj politikave jo demokratike dhe qeverisjes korruptive të pushtetarëve, përbën gjithashtu një rrezik tepër të madh për zhvillimin normal të një shoqërie të lirë dhe demokratike.  Kjo pra është një apati që nëqoftse nuk ndryshojnë punët — në thelb – rrezikon jo vetëm të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare, por kërcënon edhe vet ekzistencën dhe identitetin e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: ELEKTORALE, Frank shkreli, KUNDËR APATISË POLITIKE -, PËR NJË REVOLTË

KORBAT E ZI I TURREN PRAPË AMERIKËS

January 27, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183Nga Frank Shkreli/Donald Trump është zgjedhur dhe javën që kaloi u betua si president i Shteteve të Bashkuara.  Dua të them nga fillimi, ashtu siç jam shprehur edhe në disa shkrime gjatë fushatës për president të Amerikës se me Donald Trump nuk më lidhin shumë gjëra dhe vazhdoj të kemë rezervimet e mia mbi disa prej politikave të tija të prononcuara deri më tani.  Donald Trump u zgjodh president nga populli amerikan dhe si i tillë duhet të respektohet vota e zgjedhsve amerikanë, të pakën deri atëherë kur të kemi arsye që të themi se paskemi bërë gabim.  Por edhe po të ndodhte një gjë e tillë,  për ata që dinë diçka për sistemin politik të SHBA-ave, është vet ky sistem që do të kujdeset për të qenë gati për çdo eventualitet, prandaj korbat e zi përtej oqeanit nuk kanë nevojë të derdhin kot lotë krokodili për të ardhmen e Amerikës sepse fati i saj është në dorë të popullit amerikan dhe të përfaqsuesve të tij dhe jo në dorë të një ose më shumë individësh, sado të pushtetshëm të jenë ata.  Këto mendime që pasojnë, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë aspak me Donald Trump-in si president, por kanë të bëjnë me ata korbat e zi të cilët, me zgjedhjen e Donald Trump në krye të Amerikës, po njellin fundin e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç e njohim sot Amerikën.  Nga entuziazmi që tregojnë, kjo shfaqje, në të vërtetë, duket më shumë si një dëshirë nga ana e tyre se sa një shqetsim.

Socialistët dhe social demokratët majtistë të Evropës së bashku me mediat e tyre pothuajse e kanë shpallur tanimë fillimin e luftës civile në Amerikë.  Për më tepër, ata shfaqin gjoja “shqetsimin” e tyre  për fundin e Amerikës, por edhe se zgjedhja e Donald Trump-it do të shkaktojë luftën e tretë botërore, e tjera parashikime të zymta.  Madje, edhe në disa media shqiptare që e konsiderojnë veten majtiste shoh shkrime por edhe programe selektive në televizion, në të cilat komentuesit paraqesin Amerikën në dritën më negative që është e mundur, si rrjedhim i zgjedhjes së presidentit Trump.  Ndërkohë botohen e ribotohen shkrime në disa gazeta, disa prej të cilave janë artikuj të përkthyer të autorëve majtistë evropianë, të selekcionuar me kujdes nga redaktorët shqiptarë, në përputhje ideologjike me pikpamjet e tyre, e të cilët veç njellin zi për Amerikën.  Një prej atyre shkrimeve, nga një autor i huaj i uronte mirëseardhjen Amerikës në “klubin” e vendeve Arabe.  Sikur media shqiptare – me ndonjë përjashtim të dalluar — nuk ka me çka tjetër të merret, veç të ribotojë shkrime anti-amerikane të majtistëve evropianë!  Sikur Shqipëria nuk i ka hallet e veta të cilat duhej të trajtoheshin nga media vendase, për gjetje zgjidhjesh.  Por, duket sikur një segment i medias shqiptare ka marrë përsipër të qajë hallin e Amerikës nën administratën Trump në vend që të përballet me sfdiat e vendit.  Nuk jam i sigurt nëse kjo dukuri në median shqiptare është në të vërtetë një përpjekje për të kamufluar problemet e mbrendshme të Shqipërisë, apo është një politikë editoriale e qëllimshme, nga disa qarqe, për të kritikuar dhe sulmuar Amerikën si dikur në kohën e komunizmit.  Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, në përgjithsi, një nivel i tillë kritikash nuk vihet re, për të njëjtën periudhë, në mediat e Republikës së Kosovës, ç’prej zgjedhjes së Donald Trump-it president të SHBA-ave.

Këto komente në media por edhe në radhët e disa politikanëve evropianë, të sjellin në kujtesë kulmin e luftës së ftohtë gjatë 1980-ave kur president i Amerikës ishte Ronald Reagan.  Dëshmitarët e asaj kohe mbajnë mendë se vendet komuniste e madje edhe disa vende perëndimore, përfshirë mediat e tyre, shpreheshin se Presidenti amerikan Ronald Reagan me deklaratat dhe politikat e tija të ashpra anti-komuniste do të shkaktonte shpërthimin e luftës së tretë botërore.  Akuza këto që më në fund përfunduan në protesta të mëdha organizatash të majta komuniste dhe neo-komuniste, të cilat organizonin protesta anë e mbanë Evropës perëndimore me pjesëmarrjen e qindra mijëra demonstruesve kundër Shteteve të Bashkuara dhe politikave të “kaubojcit” amerikan Reagan.  Për rezultatet e politikës së jashtme dhe të mbrendshme të Presidentit Ronald Reagan flet vet historia. Sot, ai konsiderohet si njëri prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë.

Kësaj radhe, Amerika zgjodhi një president ndryshe dhe një gjeneratë tjetër korbash të zi matanë oqeanit prap, ashtu si në kohën e Presidentit Reagan, parashikojnë fundin e Amerikës, mbarimin e botës dhe luftën e tretë botërore të shkaktuar nga Amerika.  Fjalori shqip e shpjegon se korbi është një zog me pendë të zeza që e bën folenë në drurë, zakonisht në vende të vetmuara.  Të vetmuar në pikpamjet e tyre, këta korba të cilët si rrjedhim i vetmisë së izolimit shpirtëror dhe intelektual të tyre, sidomos të izolimit nga vlerat morale dhe politike të popullit amerikan, nuk kanë shumë njohuri nga bota e sidomos nga bota e Shteteve të Bashkuara dhe as njohuri se si në të vërtetë funksionon sistemi politik amerikan.Amerika nuk është Donald Trump, as Barak Obama, as George Bush dhe as Bill Clinton.  Të gjithë këta — disa më të mirë e disa më të këqij – megjithse kjo i lihet historisë t’i gjykojë — janë ushtrues të detyrës bazuar në një sistem politik të përcaktuar shekuj më parë nga themeluesit e këtij kombi, një sistem ky i cili përcakton kufizime të qarta ndaj pushtetit që mund të ushtrojë presidenti në politikat e mbrendshme, të jashtme dhe ushtarake, pa pasur mundësi të shkelë vijat e kuqe që ia përcakton kushtetuta.  Janë degët e tjera të qeverisë federale — Kongresi dhe Gjyqësori – ato që kontrollojnë punët e presidencës, por është edhe presioni publik, siç ishin demonstratat masive anë e mbanë Amerikës një ditë pas betimit të Presidentit Trump.  Demonstrata të tilla nuk njellin fundin e Amerikës, siç mendojnë korbat e zi evropianë, as nuk tregojnë dobësinë e sistemit amerikan, por përkundrazi venë në dukje vitalitetin dhe gatishmërinë e shoqërisë amerikane për të shfaqur kundërshimet e saj kur e sheh të nevojshme — në mënyrë entuziaste dhe të organizuar me një numër të madh pjesmarrësish — ndaj politikave të veçanta të Presidentit ose qeverisë federale, shtetërore e vendore, ose në favor të kauzave të ndryshme, në përgjithsi.  Është një detyrë dhe përgjegjësi e shenjtë, tradicionale e amerikanëve për të venë gjithmonë në dyshim vërtetësinë e premtimeve dhe zbatimin e këtyre premtimeve nga të zgjedhurit në pushtet, përfshirë presidentin (always question authority”).

Prandaj mos kini merak — se cilat do qofshin ose jo problemet e amerikanëve me Presidentin Trump, ose me presidentë të tjerë në të ardhmen, ata do t’i zgjidhin vet atë probleme me votë të lirë, me protesta po se po, por kryesisht me mjete ligjore dhe kushtetuese, në Kongresin Amerikan dhe në Gjykatën e Lartë, po të jetë nevoja, ashtu siç ka ndodhur me skandalin “votergejt” në fillim të 1970-ave, një rast ky që ndryshoi përgjithmonë dhe mund të thuhet për më mirë Washingtonin dhe politikën amerikane.  Ashtu pra, siç kanë bërë historikisht amerikanët me presidentë të tjerë të mëparshëm por edhe me sfidat kombëtare – të mbrendshme dhe të jashtme — siç ishte për shembëll Lufta e Vjetnamit, me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara në të kaluarën, ashtu do të ndodhë edhe në të ardhmen, po të jetë e nevojshme.  Prandaj, qetësohuni, merruni me punën e pushtetarëve tuaj dhe mos tu frikësojë Trump-i dhe deklaratat e tija, se ka kush kujdeset dhe kush të kontrollojë, të qortojë dhe të korigjojë punën e tij, nëqoftse paraqitet nevoja.  Flini rehat se megjithse Amerika ka mjaft probleme, ajo i ka edhe institucionet e saj të sprovuara dhe me përvojë të gjataë për tu përballur me to.

Ky në të vërtetë ishte edhe mesazhi, ditët e fundit, i një analisti evropian.  Max Hoffman i Deutsche Welle-s, ka shkruar se Evropa ka nevojë të jetë e shqetësuar më pak për Trump-in e më shumë për vet-veten.  Analisti gjerman u bën thirrje diplomatëve dhe politikanëve që drejtojnë institucionet e Bashkimit Evropian që të jenë më pak të shqetësuar për presidentin e ri amerikan se ç’shprehen tani, duke thënë se parashikimet për presidentin Trump dhe administratën e tij mund të dalin të vërteta ose jo, por në cilindo rast qoftë, Evropa nuk do të mund të influencojë Shtetet e Bashkuara.  Sipas tij, ajo që duhet të bëjnë tani shtetet evropiane është, “që të pilotojnë vet anijen e tyre.”  Ai përfundon duke thënë se Evropa, “Duhet të ndërtojë një bazë më solide për të ardhmen e vet” dhe nënvijon duke shtuar se “Nëqoftse shqetësimet evropiane ndaj Trump-it, bëjnë që si përfundim Evropa të jetë më e bashkuar dhe më e vendosur, atëherë,thekson analisti gjerman, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të ketë bërë diçka të mirë për vet shtetet e Evropës, duke u hapur sytë që të jenë më të bashkuara dhe më të vendosura për fatin e tyre të përbashkët.

Kjo është një këshillë e mirë, jo vetëm për Evropën por edhe për segmente të posaçme të botës shqiptare që kanë shprehur gjoja shqetsimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e presidentit Trump, që të kenë kujdes punët e veta për të cilat janë përgjegjës para votuesve dhe kombit të vet dhe të shqetësohen më shumë për hallet e vendit se sa për problemet e Amerikës nën udhëheqjen e presidentit të saj të ri.  Sepse, me Trumpin ose pa Trumpin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan – megjith problemet e tanishme ose në të ardhmen — do të  sigurojnë që ky vend, megjithë të metat e tija, të mbetet gjithnjë lakmia e botës dhe të vazhdojë të jetë vendi i lirisë, i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për të gjithë.  Prandaj, ka më shumë gjasë që në të ardhmen, korbi të hajë korbin, para se t’i vijë fundi Amerikës, siç parashikojnë tani disa korba të zi përtej detit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, I TURREN, KORBAT E ZI, PRAPË AMERIKËS

KOL BIB MIRAKAJ: MË NË FUND NJË E VËRTETË HISTORIKE

January 24, 2017 by dgreca

1-Frank-300x212-1Nga Frank Shkreli/Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjëherë, në këto 25 vitete fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve shqiptar, Kolë Bib Mirakajt, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit sip është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptare, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.  Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por përmendur kurr rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.   Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga dora vet e tij, si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë sëa saj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda vepra e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazura në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj, spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.  Një nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar, jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mire nga vendi — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.    Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Pal Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi” se me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”
Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, se me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentura nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asja periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë  jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Histori Tagged With: 2000 hebrej, Faik Quku, Frank shkreli, Kol Bibe miraka, te shpetuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT