• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË MOS NËNÇMOHET LIRIA E VOTËS SË AMERIKANËVE

November 15, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 “Duhet të bëjmë një punë më të mirë për të shpjeguar se Amerika do të thotë liri — liri e fjalës, liri e fesë, liri e iniciativës.  Dhe se liria është diçka e veçantë dhe e rrallë.” Ronald Reagan…

Kështu ka thënë, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan.   Ishte periudha e luftës së ftohtë dhe politika që kishin ndjekur deri atëherë presidentët amerikanë, përfshirë Riçard Nixon  Xherald Ford  dhe Xhimi Karter — quhej “détente”, sidomos në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.  Ishte një politikë që kënaqte vetëm mbështetsit e saj që mendonin, gabimisht, se ajo sillte një “bashkjetesë paqësore” midis lindjes dhe perëndimit. Por kritikët e detantës, konsideronin se vazhdimi i kësaj politike nuk përmirsonte lirinë, as nuk njihte të drejtat e njeriut për popujt e vendeve të ish-perandorisë komuniste.  Për më tepër, thonin ata, kjo politikë jo vetëm që nuk pengonte përhapjen e dominimit komunist sovjetik anë e mbanë botës, por detanta në në të vërtetë inkurajonte përhapjen e komunizmit.  Njëri prej këtyre kritikëve të politikës së deri atëhershme amerikane karshi Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit, ishte Presidenti Ronald Reagan i cili artikuloi për popullin amerikan se politika e detantes me komunizmin botëror kishte dështuar dhe si e tillë duhej ndryshuar, pasi ajo nuk kishte sjellur as paqë as bashkjetesë midis lindjes dhe perendimit, siç pretendonin mbështetsit e saj.  Për më tepër, Ronald Reagan besonte se politika e “detentes” nuk do të sillte as një përfundim të kënaqshëm të luftës së ftohtë dhe as nuk   ndalonte ish-Bashkimin Sovjetik që të zgjëronte dhe të përhapte influencën e tij komuniste anë e mbanë botës.  Sipas presidentit Reagan, sovjetikët e konsideronin politikën dhe diplomacinë amerikane të “detentës”, si të brishtë dhe si një dobësi e diplomacisë amerikane në botë nga e cila mund të përfitonte vetëm komunizmi ndërkombëtar, në kurriz të politikës së mbrendshme dhe ndërkombëtare së Shteteve të Bashkuara.  Ishte kjo një politikë që vzahdonte të mohonte lirinë dhe të drejtat e njeriut të popujve, sidomos në vendet e sferës komuniste në Europë por edhe anë e mbanë botës, mendonte ish-Presidenti Reagan.  Ronald Reagan ishte bindur se po të gëzonin lirinë e vërtetë, popujt nën zgjedhën komuniste do të zgjidhnin demokracinë si alternativë dhe jo të jetonin nën regjimet diktatoriale komuniste.

Mbrenda vendit, Amerika e fundit të 1970-ave gjëndej gjithashtu në një situatë përkeqsimi eknomik, të rritjes së inflacionit dhe të papunësisë, çmimeve të larta të naftës, e tjera.  Shtoja kësaj situate edhe turpërimin me të cilin përballej Amerika në atë kohë, si përfundim i mbajtjes peng të diplomatëve amerikanë nga regjimi islamik në Iran.  Si president, Reagan i kishte deklaruar luftë gjithashtu edhe terrorizmit ndërkombëtar.  Pas provave se regjimi i Kadafit në Libi kishte pasur gisht në një sulm kundër ushtarëve amerikanë në një klub të Berlinit perëndimir – ai urdhëroi sulm ajror kundër Libisë, gjë që ia mbylli gojën Kadafit për disa dekada.

Në këtë atmosferë të tensionuar politiko-ekonomike, mbrenda dhe jashtë vendit, u zgjodh dhe veproi presidenti Ronald Reagan.  Falë artikulimit të besimit të tij në lirinë e shënjtë dhe në sigurimin e të drejtave të njeriut për çdo person anë e mbanë botës, në vitin 1980, populli amerikan e zgjodhi president të Shteteve të Bashkuara si një alternativë për t’iu kundërvenë kësaj situate të mbrendshme dhe botërore.  E gjithë politika dhe programi i tij është cilësuar nga historianët si “Revolucioni i Ronald Reagan”, që përfshinë rivendosjen e begatisë dhe të zhvillimit ekonomik mbrenda vendit dhe sigurimin e paqës në botë, duke përmirsuar kapacitetet e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Mbrenda vendit dhe sidomos në Europë, me përjashtim të ish-kryeministres britanike Margareth Thatcher, ishin të shumtë skeptikët dhe kundërshtarët e programit të Ronald Reagan.  Më  duhet t’i kujtoj lexuesit se si rrjedhim i zbatimit fillimisht të politikave të mbrendshme dhe të jashtme të Presidentit Reagan, në atë kohë u zhvilluan protesta të mëdha këtu në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që Europa perëndimore ishte çuar në këmbë, ndërsa miliona protestues anë e mbanë kontinentit bënin demostrata dhe protesta të shpeshta madje edhe me dhunë, kundër “kaubojcit” amerikan i cili me politikat e tija arrogante kundër komunizmit, do të shkaktonte luftën e tretë botërore.  Politika e mbrendshme dhe e jashtme e dy mandateve të ish-presidentit Reagan është vlerësuar nga historianët dhe vet presidenti Reagan konsiderohet  tani si njëri prej presidentëve më të suksesshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara. 

Deshta që këtë histori ta lidhi disi – ndoshta jo me aq sukses — me gjëndjen aktuale politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, si rrjedhim i zgjedhjes së republikanit Donald Trump për president, pasi ka disa ngjashmëri, ndoshta jo midis këtyre dy personaliteteve, por ka krahasime të situatës së atëhershme me të sotëmen, qoftë në marrëdhëniet e mbrendshme qoftë në punët e jashtme me të cilat përballet sot Amerika.  Me këtë nuk dua të them se Donald Trump është Ronald Reagan.  Këtë nuk e besoj.  Unë kam patur fatin, si shumë bashk-moshatarë të brezit tim që të ishim dëshmitarë, nga afër dhe nga larg, të suksesit të veprimtarisë politike të Ronald Reagan si presdient i Amerikës, si në arenën ndërkombëtare  ashtu edhe në punët e mbrendshme të vendit.  E them me bindje të plotë se nuk besoj se Donald Trump është Ronald Reagan. Respekti im për Ronald Reagan është tepër i lartë dhe nuk lejon krahasim.  Por ajo që dua të them është se të gjithë ne, para se të bëjmë deklarata paragjykuese dhe të pa baza, megjith kundërshtimet ndaj Donald Trump, duhet të ndalemi dhe të marrim frymë qetësisht, ashtuqë të pakën të tregojmë respekt të drejtën dhe lirinë e votës të popullit amerikan, të shprehur në zgjedhjen e Donald Trump.  Donald Trump mund të bëhet president i mirë, i keq ose disi mesatar. Këtë gjykim nuk mund ta bëjmë tani, këtë vetëm koha do ta tregojë.  E vërteta është se nuk e di askush tani se çfarë presdienti do të jetë Trump, sepse ai ka edhe dy muaj që të fillojë nga detyra. Duhet marrë parasyshë se historikisht, premtimet dhe deklaratat e fushatave politike, ndryshohen, disa zbatohen e shumë të tjera injorohen, varsisht edhe nga gjëndja dhe zhvillimet e pa-parashikueshme në të ardhmen në Amerikë dhe në botë.

Ronald Reagan kishte të drejtë kur thonte se një pjesë e madhe e botës nuk e kuptojnë ende se Amerika do të thotë liri, se liria është diçka e veçantë dhe çmueshme për amerikanët.  Prandaj, kritikët e Donald Trump, sidomos ata jashtë vendit, para se të hedhin gjykimet dhe paragjykimet e tyre ideologjike kundër vendimit të votës së amerikanëve, bëjnë mirë që pikëspari të vlerësojnë lirinë dhe të drejtën e votuesve amerikanë për të zgjedhur presidentin e vet, i cili sipas vlersimit të tyre, i kupton sfidat dhe problemet me të cilat përballet vendi dhe bota dhe cilit kandidat dhe cilës parti ia japin votën e lirë dhe ia besojnë qeverinë për katër vitet e ardhëshme.  Donald Trump ishte vetëm njëri prej fituese, pa dyshim më fituesi kryesor në këto zgjedhje.  Nuk duhet harruar se përveç zgjedhjes së Ronald Trump për president, populli amerikan votoi gjithashtu republikanët me shumicë në të dy Dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve. Dhe jo vetëm kaq. Shumica e shteteve amerikane, bazuar në votën e lirë të amerikanëve në zgjedhjet e fundit, Partia Republikane ka siguruar fitoren e shumicës së governatorëve si dhe asambleve të shteteve  anë e mbanë vendit.  Nga ky kënd vështrim, Presidenti i zgjedhur Trump dhe Partia Republikane, kanë një mandat jo vetëm në nivel federal por edhe shtetëror dhe vendas.  Shpresojmë se republikanët do të dinë ta përdorin pushtetin që u kanë dorëzuar amerikanët me votën e tyre të lirë.  Zgjedhjet, natyrisht kanë pasoja dhe duan ose nuk duan kritikët e Donald Trump, sidomos kritikët e jashtëm, se populli amerikan, shumica e të cilëve mendojnë se vendi është tani në rrugë të gabuar – me zgjedhjen e Donald Trump dhe të republikanëve në përgjithsi – kanë votuar për t’i dhënë këtij vendi një drejtim tjetër në të gjitha fushat, përfshirë sigurinë dhe marrëdhëniet ndëkombëtare.

Kjo natyrisht mbetet për tu parë, por në këtë ndërkohë duhet të kemi durim dhe të presim. Kritikët e Donald Trump, përfshirë edhe disa udhëheqës të lartë qeveritarë, sidomos në Europë, të mos humbasin besimin tek populli amerikan dhe të kenë besim tek Amerika si vendi i lirisë dhe të kuptojnë, siç është shprehur ish-presdienti Reagan – se liria, sidomos vota e lirë, është diçka e veçantë për amerikanët.  Të jeni të sigurt se me zgjedhjen e Donald Trump, amerikanët nuk kanë humbur as arsyen as gjykimin.  Fatkeqsisht, kritikët e rezultatit të zgjedhjeve të fundit në Shtetet, jo vetëm që nuk njohin mirë Amerikën, por as nuk vlerësojnë të drejtën e votës së lirë të amerikanëve, ndërkohë që e tregojnë veten edhe injorantë ndaj mënyrës se si, historikisht, funksionon sistemi politik në Amerikë.  Tri degët e qeverisë amerikane janë krijuar nga baballarët e këtij kombi me qëllim që as njëra prej këtyre degëve, përfshirë degën ekzektuive të presidentit, të mos mbizotërojnë njëra mbi tjetrën, por të kontrollojnë dhe të balancojnë njëra tjetrën.  Ata që besojnë në këtë parim, nuk kanë nevojë të shqetësohen se për cilin kandidat ose për cilën parti hidhet vota e lirë e amerikanëve. Unë nuk pretendoj të them se presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe shumica republikane në Kongres do të jenë aq të suksesshëm sa ishte ish-Presidenti Reagan.  Kjo mbetet për tu pa në muajt dhe vitet e ardhëshme, por besimi im në sistemin amerikan dhe në lirinë e Amerikës në përgjithësi dhe tek vota e lirë e amerikanëve në veçanti, më bëjnë të flejë rehat natën.       

 

 

 

.

                                    

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e votes, mos nencmohet, se amerikaneve

RREZIK PËR MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE?

November 10, 2016 by dgreca

1-shkreli-frankNga Frank Shkreli/Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara.  Dhe për çka?  Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova.   Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se sipas tij, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”.  Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.  Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump.  Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.

Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar sa që njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë, se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri?  A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme?  Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria?  Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi kryesor i të drejtave të shqiptarëve.Për ndryshe duhet bërë pyetja se pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama?  Është e pabesueshme që të merret me mendë që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh.  Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, mua nuk më kujtohet ndonjë rast që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët — as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratën e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.

Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur. Reagimet ndaj deklaratës së tij duket se nuk ia çajnë fort kokën.   Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët shqiptarë do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të kryeministrit të tyre, si masë të parë dhe ndër të tjera masa, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është  kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera.   Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake. 

 Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë që është, falë kryesisht rolit amerikan në rrëximin e komunizmit në Europë përfshirë Shqipërinë që të përzihet drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij siç është  edhe e të gjithë neve.  Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: është e drejta e jote të kritikosh Trumpin ose këdo tjetër, po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër?  Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?

 Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti dhe as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar ose të një partie.  Sa për dijeni, Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe lidhjet me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike, bazuar në interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë.  Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në Kosovë është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë.  Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre.  Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës.   Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj edhe sot rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë për nga antarësia partiake, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Megjithë ndasitë që ekzistojnë në çdo komunitet, në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar.  Ka ditur të krijojë mbështetje për Shqipërinë dhe për Kosovën dduke kultivuar përkrahjen për shqiptarët nga presdientë amerikanë, republikanë dhe demokratë, si dhe nga anëtarët e Kongresit amerikan të të dy partive.  Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër midis dy partive politike amerikane kur vjen puna për mbështetjen e intersave të shqiptarëve për të cilën ka punuar për shumë dekada komuniteti shqiptaro-amerikan.   Përballë deklaratës së Z. Rama, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — të rëndësishme dhe të patjetërsueshme — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë?  A po ndoshta preferon të lobojë për një parti amerikane kundrejtë një tjetre.  Jo se do të ketë ndonjë influencë në këtë përpjekje, por gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare kur kryeministri i një vendi si Shqipëria të shpallet publikisht pro ose kundër një kandidati në fushatën amerikane për president.   Kjo nuk hecë në Amerikë dhe nuk pranohet as nga njëra as nga tjetëra palë politike amerikane.    Është kjo një përpjekje që do përçante jo vetëm mbështetsit amerikanë të kauzave shqiptare, por do të shkaktonte ndasi të ngjashme si në kohën e komunizmit edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla, nga një udhëheqës shteti.

Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si një individ ose si udhëheqës të qeverive të ndryshme që kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia.  Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim nga ndonjë president ose kryeministër i ndonjë vendi që të ketë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve bilaterale siç bëri Edi Rama në rast se fiton Donald Trump.  Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar më ashpër se askush kandidatin republikan duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal.  Madje as Meksika nuk ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket si një alternative gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.

Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga reagimet e më të mirëve udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë.  Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet.  Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën. Por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe positive, theksoi kryeministri kanadez.   Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk e kritikoi as nuk e mbështeti kandidatin Trump dhe as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Donald Trump.  Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.

Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, siç nënvijoi ndër të tjera edhe Trudeau, ashtu si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm.  Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju dhe qeveria juaj si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë për president.  Uroj gjithashtu që në fund të vizitës tuaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës në Amerikë, të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe se kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve këtë vit, nuk do të ketë kurrfarë pasojash në marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme në Prishtinë, për të kundërtën. Këtë ua ke borxh shqiptarëve. Kjo është përgjegjësia jote.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, rrezik per marrdheniet, shqiptaro-amerikane, Trump

MOMENT HISTORIK NË SHTËPINË E BARDHË

November 10, 2016 by dgreca

1-frank

Nga Frank Shkreli/

1-trump-obama

Kjo ndodhë vetëm në Amerikë! Në më pak se 70-orë pas përfundimit të zgjedhjeve tepër të ashpra presidenciale në Amerikë, Presidenti demokrat në detyrë Barak Obama u takua, për herë të parë, me presidentin e zgjedhur republikan Donald Trump për të biseduar mbi tranzicionin paqësor qeveritar, nga administrata e Obamës në administratën e ardhëshme Trump.  Thuaj çka të duash për Amerikën dhe për problemet e saja, ky gjest është një imazh që e bën Amerikën, ajo që është, vendi më i mirë në botë, vendi i tolerancës politike, pa marrë parasyshë se sa të ashpra dhe divergjente janë qëndrimet politike midis partive dhe sa të pa tolerueshme që mund të duken pikpamjet e politikanëve ndaj njëri tjetrit.  Kur merr fund fushata dhe argumentet pro dhe kundër, të parët e këtij vendi i shtrijnë dorën njëri tjetrit dhe konsultohen me njëri tjetrin se cila është mënyra më e mirë për bashkpunuar me njëri për të mirën e vendit.  Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë nuk do të thotë se Amerika është këthyer në një parajsë politike ku nuk ka më antagonizma dhe mosmarrveshje politike – jo, por tregon se ekziston vullneti i mirë midis palëve për një tranzicion paqësor të qeverisjes dhe të dëshirës për të punuar në interes të kombit, në fushën e mbrendshme politike dhe në marrëdhnjet ndërkombëtare.  Presidenti Obama dhe presidenti i zgjedhur Trump, me takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë, përcaktuan tonin për respektin ndaj njëri tjetrit dhe të përkrahsve të tyre politikë dhe për ritheksuan meritat e traditës amerikane për një tolerancë dhe bashkpunim  sa më të madh politik, pa marrë parsyshë ndryshimet midis partive politike që ata përfaqsojnë.  Z. Obama iu drejtua Z. Trump duke i shprehur gatishmëroinë e tij për ta ndihmuar sepse, sipas presidentit Obama, nëqoftse ti del me sukses, atëherë edhe vendi ynë del me sukses.”   Dy personat më të fuqishëm në vend duan t’i tregojnë amerikanëve dhe botës, se megjithë polemikat e fushatës, kur vjen puna më fund, ata më së pari janë patriotë amerikanë dhe jo republikan ose demokrat dhe si të tillë duan të konsultohen dhe të punojnë së bashku për të mirën e vendit dhe në mbështetje të interasave të shënjta të kombit në marrëdhëniet me vendet e tjera,  të cilat ndoshta nuk ia duan të mirën Amerikës.     

Takimi ishte planifikuar fillimisht të zgjatë 15-20 minuta ose më së shumti gjysëm ore, por zgjati gjithsejt një orë e gjysëm.  Kur të merret parasyshë fushata presidenciale që sapo mori fund me zgjedhjen e republikanit Trump për president dhe fjalët dhe komentet e ashpra që këta dy burra kanë përdorur ndaj njëri tjetrit gjatë asaj fushate, takimi i sotëm ishte me të vërtetë një moment historik.   Presidenti Obama tha pas takimit se është “shumë i inkurajuar” nga takimi të cilin e karakterizoi si të “shkëlqyeshëm”. Ndërkaq, presidenti i zgjedhur Trump u shpreh se ishte “Nder për tu takuar me presidentin Obama”, duke shtuar se takimi me presidentin Obama zgjati më shumë se ç’ishte paraparë dhe mund të shkonte më gjatë.  Ai tha gjithashtu se “biseduam për një numër situatash, disa të mira e disa të vështira”.  Presidenti i posa zgjedhur tha gjithashtu se pret të ketë edhe takime të tjera me Presidentin Obama. Ndërkohë që gazetarët po largoheshin nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i ardhëshëm Trump u dëgjua të kishte thënë se Presidenti Obama “Është një burrë shumë i mirë.”

Nga ana e tij, Presidenti Obama u shpreh para gazetarve se ai do të bëjë çdo që të mundur për të ndihmuar presidentin e zgjedhur Trump gjatë këtij tranzicioni, që të dalë me sukses prej ditës së parë kur të fillojë nga detyra më 20 janar dhe njëkohsisht i bëri thirrje popullit amerikan që të bashkohen për zgjidhjen e sfidave, përballë të cilave gjëndet vendi.  Ndërkaq, edhe Zëvëndës Presidenti në detyrë Joe Biden u takua sot gjithashtu me Zëvëndës Presidentin e ardhëshëm Mike Pence.

Presidenti Barak Obama ishte shprehur të mërkurën se megjithë ndryshimet politike që ka me Donald Trump, ai do të ndiqte shembullin e para-ardhësit të tij, ish-presidentit George W Bush për të bërë çdo gjë të mundur për të siguruar që tranzicioni të jetë sa më me pak probleme që të jetë e mundur.  Presidenti Obama tha se “Tetë vjetë më parë, unë dhe Presidenti Bush kishim shumë ndryshime politike me rëndësi me njëri tjetrin, por stafi i presidentit Bush u tregua aq profesional dhe aq dashamirës ndaj nesh, në bashkpunimin me stafin tonë për një tranzicion të qetë dhe pa asnjë problem.  Kështuqë edhe unë kësaj radhe kam urdhëruar stafin tim që të ndjekin shembullin e stafit të presidentit Bush”, që të ndihmojnë si është më mirë stafin e presidentit të ardhëshëm Trump në këtë faqë të tranzicionit, shtoi Z. Obama.

Pasi të bëjë betimin me 20-janar, presidenti i ardhëshëm Trump do të ketë mundësinë të bashkqeverisë me shumicën republikane në të dy dhomat e Kongresit, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve duke bërë më të lehtë realizimin dhe zbatimin e shumë programeve të premtuara prej tij, megjithse edhe në radhët e republikanëve ka kundërshtarë dhe nuk ka një qëndrim të vetëm mbi Donald Trump-in as mbi programet dhe politikat e tija, kështuqë ai mund të hasë në kundërshtime edhe në radhët e përfaqsuesve të Partisë Republikane në Kongres.  Pas takimit me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur Trump u nis për në Kongresin amerikan për tu takuar dhe përtë bashkrenduar politikat me udhëheqsit republikanë, me të cilët ka pasur gjithashtu mosmarrveshje gjatë fushatës, por ndihma dhe mbështetja e të cilëve do t’i duhet për të zbatuar politikat, planet dhe programet që ai u ka premtuar zgjedhsve amerikanë në fushatën që posa mori fund se do t’i realizojë gjatë mandatit të tij si President i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, moment historik, ne Shtepine e Bardhe

DONALD TRUMP ZGJIDHET PRESIDENT, MEGJITHATE TOKA VIJON E RROTULLOHET NORMALISHT RRETH DIELLIT….

November 9, 2016 by dgreca

* Megjithse shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj ndjellnin zi se në rast të fitores së Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi.Toka gjithnjë rrotullohet rreth diellit dhe bota vazhdon jeten normale./1-trump-ok-6

* Mbrëmë para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump se, “Çfardo të ndodhë sonte, dielli do të lind përsëri nesër dhe se Amerika do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti Obama./

* Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes./

*.  Duke treguar dinjitetin e humbses edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president, demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren.  Donald Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën…/

1-frank

Nga Frank Shkreli/Fushata e tejzgjatur dhe e lodhëshme për president të Shteteve të Bashkuara, më në fund u mbyll të martën me zgjedhjen e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Megjithse shumë veta në Amerikë dhe jashtë saj ndjellnin zi se në rast të fitores së Donald Trump, bota do merrte fund, kjo nuk ndodhi.  Toka gjithnjë rrotullohet rreth diellit dhe bota vazhdon jeten normale.  Këtë e dinte më së miri edhe Presidenti i tanishëm Barak Obama, i cili bëri një fushatë të fortë kundër Donald Trump, në mbështetje të kandidatës demokrate Hillary Clinton.  Mbrëmë para se të njoftoheshin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, Presidenti amerikan siguroi bashkatdhetarët e vet dhe tërthorazi edhe botën, të gjithë ata që mund të ishin të shqetësuar me fitoren re kandidatit republikan Donald Trump se, “Çfardo të ndodhë sonte, dielli do të lind përsëri nesër dhe se Amerika do të vazhdojë të jetë gjithnjë vendi më i mirë në botë”, u shpreh Presidenti Obama.Në traditën më të mirë të kulturës politike amerikane, Presidenti Obama i telefonoi Donald Trump për t’i uruar fitoren dhe e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi tranzicionin e qeverisjes.  Duke treguar dinjitetin e humbses edhe kundërshtarja e tij gjatë fushatës shpesh tepër të ashpër për president, demokratja Hillary Clinton telefonoi Zotin Trump për t’i uruar fitoren.  Donald Trump, nga ana e tij uroi Zonjën Clinton dhe familjen e saj për fushatën që zhvilluan dhe e falënderoi atë për shërbimin e saj ndaj Atdheut tonë, tha ai.  Presidenti i ardhëshëm amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij drejtuar kombit me rastin e fitores, theksoi se ka ardhur koha që të shërojmë plagët e ndarjes dhe të përçarjes, ndërsa u bëri thirrje, “republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve anë e mbanë këtij vendi, që të bashkohemi si popull dhe si komb.”  Ai u angazhua se do të shërbejë si president i të gjithë amerikanëve, pa dallim.   Duke iu referuar atyre që nuk e kanë mbështetur në të kaluarën, Donald Trump kërkoi prej tyre “Këshillat dhe ndihmesën, me qëllim që të punojmë së bashku për të unifikuar vendin tonë të madhërishëm”, theksoi presidenti i ardhëshëm amerikan.

Edhe pas fitores së Donald Trump pra, kjo është gjithnjë Amerika që e kemi njohur deri tani — betejë e fushatave dhe e debateve politike të ashpra elektorale — por më në fund me gjithë të metat e këtyre fushatave – kjo është ende edhe Amerika e pajtimit, e shtrirjes së dorës midis kundërshtarëve politikë e angazhimit dhe e përpjekjeve të tyre për të punuar së bashku për të mirën e vendit.

Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, në fjalimin e tij Donald Trump e siguroi botën se ndërsa administrata e tij do të kujdeset pikëspari për interesat kombëtare të Amerikës ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës, Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e tij, “Do të kenë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet që duan të kenë marrëdhënie të mira dypalëshe me ne.  Presim të kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjithë.”  Ai shtoi se, me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet do të kërkojmë gjërat që na bashkojnë, “Jo armiqësi, jo konflikt, por partneritet”, theksoi Trump në fjalën e tij drejtuar komunitetit ndërkombëtar.

Fitorja e Donald Trump nuk është vetëm një fitore për të.  Është shumë më e madhe dhe unike në historinë politike të Partisë Republikane dhe më gjërë.  Jo vetëm që ai fitoi si kandidat i Partisë Republikane për President si një njeri që nuk merrej me politikë më parë — por republikanët siguruan shumicën edhe në të dy dhomat e Kongresit amerikan – Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve — mbeten nën kontrollin e Partisë Republikane, gjë që ia bën më të lehtë atij zbatimin e programeve dhe politikave që u ka premtuar votuesve amerikanë gjatë fushatës.  Në mendimin e shumë vërejtësve, fitorja e Trumpit është, siç e ka quajtur ai, një lëvizje, një revolucion i votuesve kundër elitës politike amerikane, një situatë politike e pa parë ç’prej kohës kur u zgjodh president Ronald Reagan, 36 vjetë më parë.  Por çdo fitore ka edhe humbësin ose humbësit e vet.  Natyrisht se humbësja kryesore është Hillary Clinton dhe Partia Demokrate e cila dështoi jo vetëm të siguronte presidencën por edhe dy dhomat e Kongresit, që mbeten gjithnjë nën kontrollin e Partisë Republikane.  Por ka edhe humbës të tjerë në këtë mes, të cilët ishin krejtësisht të gabuar me parashikimet e tyre mbi kandidaturën dhe fitoren e Donald Trump – përfshirë këtu median, sondazhet, analistët dhe opinionistët, elitën politike, aleatët dhe përfaqsues të biznesit.  Askush nuk parashikoi fitoren e Donald Trump, përkundrazi të gjitha këto grupe dhe individë e paraqisnin si të pamundur një gjë të tillë megjithse sondazhet kanë treguar se 7 nga 10 amerikanë nuk ishin të kënaqur me mënyrën se po shkonin punët në Amerikë.  Për më tepër ata mendojnë se Amerika është në rrugë të gabuar dhe kërkonin ndryshimin e status-quosë.

 

Natyrisht se megjithë fjalimin që mbajti mbrëmë Donald Trump dhe megjithë premtimet për bashkpunim me të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij, mbetet për t’u parë që pas një fushate të ashpër politike, nëse ai do të mund të bashkojë vendin dhe të mbajë premtimet.  Donald Trump është në kuptimin e vërtetë të fjalës, njeriu që nuk është marrë me politikë – njeriu që gjithë jetën e tij është marrë me biznes dhe që ka vepruar jashtë politikës — i pari pra në historinë amerikane pa përvojë politike dhe ushtarake të mëparshme, që zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.  Prandaj dyshimet rreth mënyrës se si do të veprojë ai në Shtëpinë e Bardhë, do të vazhdojnë nga skeptikët, mbrenda dhe jashtë vendit.

Por tani është koha për tu qetësuar. Fitorja e Donald Trump nuk do të sjellë fundin e botës, siç tha edhe Presidenti Obama.  Amerika do të vazhdojë të jetë Amerikë.  Kushtetuta amerikane garanton se asnjë person dhe asnjë institucion ose degë qeveritare ka monopol mbi pushtetin.  Dhe falë sistemit politik amerikan prej tri degësh qeveritare — të përpiluar nga baballarët e këtij kombi shekuj më parë — asnjë individ përfshirë edhe presidentin amerikan, nuk mund të bëhen diktatorë.  Presidenti kontrollohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqsuesve dhe megjithëse janë nën kontrollin e republikanëve, siç ishim dëshmitarë edhe gjatë fushatës, as republikanët nuk janë të gatëshëm të ndjekin sy mbyllur politikën e Donald Trump-it.  Kështu vepron sistemi politik amerikan. Nuk është as një person, madje qoftë ai edhe presidenti, as një degë e vetme e qeverisë që i bën gjërat në kokë të vet.   Por mënyra se si vepron gjithashtu sistemi amerikan, historikisht, është një dëshmi se ata që sot janë të kënaqur me fituesin, do të zemërohen eventualisht kur të shohin se disa prej premtimeve të bëra gjatë fushatës nuk do të zbatohen dhe kështu fillojnë të balancohen edhe politikat.

Në këtë situatë të re politike amerikane, përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe botës shqiptare në përgjithsi, përfshirë diasporën do të kisha një këshillë: ne si shqiptaro-amerikan jemi anëtar të njërës ose tjetrës parti, demokratë ose republikanë apo të pavarur politikisht.  Si të tillë kemi të drejtën e votës dhe bazuar në ndërgjegjen tonë jam i bindur se kemi hedhur votën tonë për  kandidatët ose kandidatet e partisë tonë të preferuar në nivel kombëtar, shtetëror ose vendor.  Ky është një privilegj dhe nder i veçantë për të gjithë ne si individë që jetojmë në Shtetet e Bashkuara dhe si të tillë duhet ta trajtojmë.   Jo vetëm si komunitet shqiptaro-amerikan në terësi, por edhe si udhëheqës të shqiptarëve kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, nuk është një gjë e mençur për interesat kombëtare shqiptare dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithsi si komb shqiptar të tregohemi haptas për një kandidat, ose për një parti.  Është me rëndësi, për të gjithë ata që u japin  rëndësi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që kombi shqiptar të ruaj balancin e ndërtuar për shumë kohësh tani në marrëdhëniet e tij me dy partitë kryesore politike amerikane si dhe me përfaqsuesit e tyre qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe sidomos në Kongres. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pa marrë parsyshë fituesit dhe humbësit në zgjedhjet amerikane – duhet të jenë dhe të kultivohen si marrëdhënie afatgjata të interesit të përbashkët, por më shumë në interesin e shqiptarëve, midis dy kombeve dhe jo si lidhje të përkohshme midis individëve dhe partive. Mos të luhet me këto marrëdhënie për interesa personale. Kombi shqiptar ka nevojë për Shtetet e Bashkuara!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Trum zgjidhet President, Frank shkreli, toka rrotullohet njesoj

MBËSHTETJE PËR SUZANNA SHKRELIN

November 4, 2016 by dgreca

1-frank

Nga Frank Shkreli/

Po afrohet 8 nëntori dita e gjykimit, dita e zgjedhjeve të përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të Kongresit dhe të Senatit amerikan.  Siç dihet tanimë, një kandidate për në Kongresin amerikan në këto zgjedhje — për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, si femër dhe shqiptaro-amerikane — është Suzanna Shkreli, e cila po garon në zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigen, si kandidate e Partisë Demokrate amerikane. /

2-suzana-shkreli-2-300x269

Suzanna Shkreli ka siguruar tanimë mbështetjen me rëndësi për kandidaturën e saj nga Presidenti Barak Obama si dhe nga disa senatorë të Shteteve të Bashkuara, zyrtarë vendorë dhe madje edhe nga këngëtarja e njohur amerikane e muzikës pop, CHER.

Ndërkaq, të ënjtën, Suzanna Shkreli njoftoi në faqen e saj të “Facebook-ut” se kishte marrë mbështetjen nga gazeta “State News”, e Universitetit të Shtetit të Miçigen.  Dikush mund të thotë se çfarë rëndësie ka një mbështetje e tillë nga një gazetë universitare.  Rëndësia e mbështetjes nga kjo gazetë është se “State News” është zëdhënse e këtij universiteti që është i nënti universitet në Shtetet e Bashkuara për nga madhësia, me mbi 50,000 studentë — që është pothuaj popullësia e një qyteti mesatar — që mbulon një sipërfaqe prej 40 kilometra katrorë.

Në editorialin e 3 nëntorit, në mbështetje të kandidaturës së Suzanna Shkrelit për Kongresin amerikan, bordi redaksional i gazetës “State News” të Universitetit Shtetëror të Miçigenit, thuhet se, “Zgjedhjet e 8 nëntorit janë më të rëndësishme se vetëm vendimi se kush do të jetë presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara.” Gazeta universitare u bën thirrje studentëve dhe banorëve të lagjës East Lansing, të cilët kanë të drejtë vote, të votojnë në lagjën elektorale numër 8.  Bordi redaksional njofton lexuesit se “Gazeta State News ka vendosur të mbështesë kandidaten e Partisë Demokrate Suzanna Shkreli në lagjën elektorale numër 8 të Kongresit Amerikan”.

Gazeta u kujton lexuesve se Shkreli ka siguruar mbështetjen e Presidentit Barak Obama dhe shton se “mosha e re e saj do të sjellë një frymë të freskët në Dhomën e Përfaqsuesve.”  Suzanna Shkreli, thuhet në editorialin mbështetës punon tani si prokurore dhe shton se, “Nëqoftse zgjidhet, ajo do të sjellë të njëjtat ideale dhe parime në Kongresin amerikan ku do të punojë për miratimin e ligjeve për ndalimin e diskriminimit në vendet e punës.”  Gazeta thotë se bazuar në përvojën e saj, ajo do të luftojë në Kongresin amerikan për të siguruar, ndër të tjera, edhe ri-autorizimin e ligjeve në mbrojtje për viktimat e abuzimit në familje, duke shërbyer si përfaqsuese për të gjithë ata që mund të mendojnë se nuk kanë asnjë zë që flet në emër të tyre.

Bordi redaksional i gazetës State News të Universitetit Shtetëror të Miçigenit, në editorialin e saj, u bën thirrje votuesve të zonës elektorale numër 8 që të votojnë për kandidaten e Partisë Demokrate për Kongres, pasi sipas tyre, “Suzanna Shkreli është një kandidate që mund t’i besojnë studentët, sepse çështjet që janë me rëndësi për ta, do të jenë gjithashtu edhe prioriteti i saj” nëqoftse zgjidhet si anëtare e ardhëshme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, “Dhe kjo është arsyeja se pse gazeta State News mbështetë kandidaturën e Suzanna Shkrelit për Kongres në zonën elektorale numër 8” të shtetit Miçigen.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, merr mbeshtetje, Suzana Shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT