• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U NDA PREJ NESH MONSINJOR RROK MIRDITA

December 8, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte ky lajmi pikëllues këtë javë nga një njoftim për mediat dhe për publikun nga Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës.  Lajmi na tronditi meghithëse kishim marrë vesh se gjëndja e tij shëndetsore nuk ishte aq e mirë, prap se prap nuk na e merrte mendja se Mons Miridta do të ndahej prej nesh kaq shpejt. Ky lajm i zi, shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kanë njohur Monsinjor Rrok Mirditën, nga komuniteti shqiptaro-amerikan ku ai ka shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjetë, para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë  në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe nga shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare që e kishin njohur dhe me të cilët kishin pasur kontakte, në radhët e të cilëve kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine dhe Atdheut të tij.

Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës — për një kohë edhe bashpuntor i tij në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të.  Si i tillë, ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër dhe në jetën e të cilëve ka lujatur rol dhe ka lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme.  Nëqoftse më lejohet,  për rolin e tij në jetën time dhe të familjes mjafton të përmendi se si bashkvendas dhe të njohur që ishim me të dhe familjen e tij, në  vitin 1975 Dom Rroku  pranoi me një shprehje miratimi, të ndërmjetësonte si “shkues” për fejesën me bashkshorten time Vitoren, që përfundoi në  martesën që vazhdon për 40-vjet tani. Sot, por ndoshta edhe atëherë, mund të duket si diçka e jashtzakonshme për një meshtar që të shërbente si shkues, por i tillë ishte Mons Rrok Mirdita, i gatëshëm për të shërbyer, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por gjëndej edhe në fusha të ndryshme familjare dhe shoqërore.  Unë dhe familja i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt në shënjë nderimi të thellë për rolin që ka luajtur në jetën tonë dhe të familjes.

Si rrjedhim, ashtu si edhe shumë shqiptarë, unë ruaj konsideratën më të madhe për punën dhe veprimtarinë fetare dhe atdhetare prej 50-vjetësh të Monsinjor Rrok Mirditës, qoftë në  vendlindje  në rrethin e Ulqinit, qoftë në Amerikë, qoftë më në fund edhe në Shqipëri, ku luajti rolin kryesor për ringjalljen e Kishës Katolike të martirizuar për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës, që kishte pasur në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, anëtarët e të cilit brutalisht i vrau, i burgosi dhe i torturoi deri në zhdukje. Me arrijtjen e tij në Shqipëri, Mons. Mirdita, përballet me një gjë gjëndje të mjerueshme shoqërore dhe fetare, me një vend që kishte mbyllur kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë me një vendim absurd, kishin shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe Zotin.

Si Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë  emërohet dhe shugurohet nga miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i Dytë në fillim të 90-ave. Ndër veprimtaritë e tij të shumëta gjatë asaj periudhe, si drejtor i  entit bamirës të Kishës Katolike,  Caritas-it Shqiptar nga viti 1994 deri në vitin 2000, ai me vetitë e jashtzakonshme  mendjeje e zemre që e dallojshin — ashtu siç vihet në dukje edhe në njoftimin e Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë — Mons Mirdita siguron ndihma nga vende dhe institucione të ndryshme katolike anë e mbanë Europës, por edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, për t’i ardhur në ndihmë popullësisë së varfër në Shqipëri, por njëkohsisht edhe popullit shqiptar të vuajtur dhe të terrorizuar të Kosovës nga   forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe të Millosheviqit gjatë dekadës së vështirë të 90-ave.  Gjatë asaj periudhe,  Kisha Katolike Shqiptare në New York kishte  organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova.

Parardhësi dhe mbështetsi i Mons Rrok Mirditës në New York, Dom Zef Oroshi me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962, pat deklaruar:  “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej.  Këjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe. Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.”

Nuk ka asnjë dyshim, për ata që e kanë njohur dhe që kanë ndjekur jetën dhe veprimtarinë e Mons Rrok Mirditës, se në të vërtetë ishte Arkipeshvi i Durrës -Tiranë, i cili për fat të keq u nda prej nesh para pak ditësh, ai që “shkëndinë e vogël”, për të cilën pat folur Mons Zef Oroshi në vitin 1962 —  Arkipeshkvi Rrok Mirdita ishte ai që shëndërroi, atë shkëndi të vogël në një “Dritë të Madhe”, dritë e cila sot me krenarinë dhe besimin e padyshimtë në pasurinë etnike të trashëguar nga të parët dhe në traditat fetare dhe kombëtare shqiptare, të gërshetuara me kulturën e shëndosh amerikano-perëndimore, më në fund, “shëndritë në votrat e errësueme të Atdheut”.

Kjo është merita dhe trashëgimia e Mons Rrok Mirditës, i cili me entuziazmin e tij pat sjellur një bashkpunim të zellëshëm e të frutshëm në komunitetin shqiptaro-amerikan duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë dhe bashkpunimit të këtij komuniteti dhe mbarë shqiptarëve në Shtetetet e Bashkuara, pa dallim. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që  Mons Mirdita me bashkpuntorët e tij arrijti të kapërcente kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe  më në fund nën drejtimin e tij, ia dolën me realizimin e objektivit të lartë fetar e kombëtar, ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale të New Yorkut që sot është bërë jo vetëm qëndër fetare, por edhe një qëndër kombëtare me rëndësi e shqiptarizmit dhe e vëllazërimit midis shqiptarve të besimeve të ndryshme.  I ftuar nga Papa Gjon pali i dyt,  Mons. Mirdita pranon këtë thirrje the privilegj historik   që veprën em madhe të filluar në Amerikë, t’a vazhdonte në Atdhe, për të filluar një agim të ri për Shqipërinë, siç pat shkruar një gazetë amerikane në atë kohë.   Me transferimin e tij në Shqipëri, ai angazhohet për ringjalljen e Kishës Katolike duke ndërtuar, ndër të tjera, edhe Kishën Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, edhe kjo një qëndër shërbimesh fetare dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët, por një qendër kjo që Mons Rrok Mirdita e shëndërruar në bashkrendimin e veprimtarive të shumta në fusha të ndryshme bamirëse përfshirë, sipas njoftimit të Arkipeshkvisë, ” fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur”, ndër të tjera.

Humbje e madhe e një udhëheqsi kishtar, i pajisur me cilësi të një prijsi të palodhur e i pa shkurajuar përball vështërsive, ia hyri punës me gjoks, me ndihmën e shumë përkrahsve ai kapërceu vështërsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri.  Unë, dhe besoj shumë të tjerë, do të ushqejmë  dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkpunimin e këshillat, por për më tepër për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare, trashëgimi që besoj se do të sjellë lulëzime dhe punë të tjera të mbara për Kishën Katolike në Shqipëri dhe anë e mbanë  trojeve shqiptare, në dobi të mbarë kombit. Jo vetëm Kisha Katolike, por bota shqiptare në përgjithësi, ka humbur një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjthmonë në përputhje dhe në lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare.  Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin si indivdidë dhe si komunitet kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë humbjen e tij. Si bashk-udhtarë nepër këto shtigje – vëllëzërve dhe familjes së tij më të gjërë — si pjesëmarrës në zinë që e goditi, u shprehim ndjenjajt dhe përdhimtimet tona më të sinqerta. Ai pushoftë në paqë dhe ju Zoti u forcoftë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, RROK MIRDITA, U NDA PREJ NESH MONSINJOR

AMERIKA PËR KOSOVËN

December 3, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Marrëdhënjet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përshkruhen si, historikisht, të shkëlqyeshme ç’prej sulmeve ajrore të NATO-s  që i dhanë fund fushatës brutale të policisë dhe ushtrisë së diktatorit terrorist Millosheviq kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës që më në fund çojë në pavarsinë e Kosovës e deri në ditët e sotëme. Sulmet e NATO-s të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara ishin një provë historike se spastrimet etnike në Europë — në këtë rast kundër shqiptarëve të Kosovës — nuk do të toleroheshin në prak të shekullit të 21-të.

Washingtoni vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa është i angazhuar në përpjekjet, në nivel ndërkombëtar, për njohjen e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur ende, si dhe për antarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe për ta antarësuar Prishtinën në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshirë organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Në të vërtetë, duket sikurë Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim se sa vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.  Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme kanë theksuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë dhe mbeten një partner i vendosur i Kosovës, dhe kanë nënvijuar në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të  bëhet antare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqë me fqinjtë e saj.

Vazhdimësinë e këtij partneriteti  historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe kryeddiplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, i cili në fjalimin që mbajti me këtë rast tha se, “Në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës”, dhe shprehu falënderimet e të gjithë atyre në Amerikë, që siç tha ai, “E kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjelltë.”  Dhe duke folur mbi marrveshjet dhe dialogun me Serbinë — të cilat kanë ngjallur kritika dhe kundërshtime, madje edhe dhunë në parlament dhe gjetiu –kryediplomati amerikan pranoi se vendimet e Prishtinës zyrtare ishin vendime të vështira politike, por siguroi udhëheqsit dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e vendit të tij duke thanë: “Mos u gaboni, se ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.” Ai nenvijoi se, së bashku “Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku me ju, për në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë atë  në rrezik”, u shpreh John Kerry.

Ai theksoi se megjithë përparimet e bëra,”për ndërtimin e një Kosove të fuqishme dhe me prosperitet”, prapseprap Kosova ende ka shumë për të bërë. Kryediplomati amerikan shtoi se për të krijuar një Kosovë të fuqishme dhe të begatë, “Nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve ndaj vlerave siç është mbështetja për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta themelore për çdo demokraci.”

Ai u përqëndrua gjithashtu mbi ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës duke thënë se, “Dhuna është e papranueshme.  Kuvendi i Kosovës”, nënvijoi ai, ” duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë.  Në një vend demokratik”, u tha të pranishmëve dhe mbarë Kosovës John Kerry, “Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët, ndërsa gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. 

 Sikurë po i drejtohej jo vetëm ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, por edhe debateve  shpesh të ashpëra në Kuvendin Shqipërisë, kryediplomati amerikan, u shpreh duke porositur — si përfaqsues i një vendi mik të shqiptarëve — se,  “Debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.” 

Siç duket i shqetësuar mbi situatën politike në Kosovë, ai u bëri thirrje të gjitha partive që të “dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre në interesin e vendit”.  Sekretari Amerikan i Shtetit në fjalimin e tij në Prishtinë  shprehu falenderimet e tija për mikpritjen bujare dhe të ngrohtë që iu bë, duke theksuar se më e rëndësishme se vizita e tij atje, është theksoi ai “partneriteti që kemi midis nesh për të ecur përpara”, duke shprehur shpresën se, “Do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi përvoja edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe në vitet në vijim”, përfundoi kryediplomati amerikan fjalimin e tij në Prishtinë.

Fjalimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry u mbajtë në Prishtinë për veshët e klasës politike të Republikës së Kosovës, por jam i mendimit se këto fjalë, nga një përfaqsues i një vendi mik i vjetër i shqiptarëve,ndonëse u prononcuan në Prishtinë, ai fjalim kollaj mund të mbahej edhe në Tiranë. 

Prandaj lind pyetja, jo vetëm për udhëheqsit politikë të Kosovës, të cilëve iu drejtua John Kerry drejtë për së drejti, por edhe për udhëheqsit në Tiranë, nëse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve sot janë të aftë dhe të gatëshëm dhe nëse në fakt duan që të përforcojnë mëtej marrëdhënjet, historikisht të forta, midis dy kombeve dhe nëse njëkohsisht janë të gatëshëm të përqafojnë vlerat dhe traditat që bashkojnë Amerikën me kombin shqiptar.

Natyrisht se për nga gjeografia, Kosova gjëndet në Europë dhe fati i saj është i lidhur me atë kontinent, por porositë miqësore të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Prishtinë janë këshilla vullnet mira që  shpresohet se do të forcojnë mëtej marrëdhënjet midis dy vendeve — në dobi të dy palëve — dhe do t’i shërbejnë përparimit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës dhe populllit të saj. Por, njëkohsisht do të forcojë paqën dhe stabilitetin afatgjatë në atë pjesë së kontinentit europian.  Në këtë moment të historisë, pa paqë dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, humbin si Shqipëria ashtu edh Kosova, por dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. A janë të gatshëm shqiptarët që më në fund të angazhohen seriozisht për sundimin e ligjit, të luftojnë krimin dhe korrupcionin dhe të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtuqë të meritojnë më në fund antarësimin e tyre në Bashkimin Europian?  Demokracia e vërtet u shpreh John Kerry, “Kërkon, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin, dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen, dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë.”

 Sekretari Amerikan i Shtetit, u angazhua gjatë vizitës së tij në Prishtinë se, “Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje”, duke pohuar se kombi im, “ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare  e të tjera.”

Fjalët e kryediplomatit amerikan, ishin shprehjet miqësore dhe angazhimi si edhe dëshira e tij për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënjeve midis Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në emër të cilës ai foli.  Por, mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi do të punojnë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra drejtë realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, i cili e dëshironte Kosovën, “Shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Filed Under: Analiza Tagged With: AMERIKA PËR KOSOVËN, Frank shkreli

DREJTËSIA SHQIPTARE

December 1, 2015 by dgreca

Shkruan: FRANK SHKRELI/

Ish Drejtor i Divizionit te Euro-Azise ne Zerin e Amerikes/

Media të ndryshme kanë botuar lajmin për dekorimin e 1000 ish-funksionarëve të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë –ku përfshihen ish-prokurorë, gjykatës të regjimit enverist, si dhe ish-agjentë të Sigurimit të shtetit — me “Medaljen e Mirënjohjes”.  Thuhet se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ua kishte akorduar këtyre këtë mirënjohje vitin që kaloi, ndonëse nuk jepet ndonjë shpjegim se pse lista u njoftua vetëm ditët e fundit.

Duke lexuar një lajm të tillë, njeriu është i detyruar të pyes veten mos shoh endërra me sy hapur.  Një rast i tillë nuk mund të gjëndet në asnjë vend të botës, sidomos kur të merret parasyshë fakti se shteti shqiptar ka dekoruar edhe disa prej viktimave të këtyre ish-zyrtarëve komunistë të dekoruar nga qeveria shqiptare në vitin 2015.  Me ketë masë, qeveria shqiptare barazon viktimat me kriminelët të cilët janë nga ata që urdhëruan dhe kryen vrasje, torturuan, burgosen dhe në përgjithësi ndërmorën disa prej krimeve më të shëmtuara të shekullit të kaluar — jo kundër armiqëve të kombit shqiptar — por kundër vëllëzërve dhe motrave të tyre shqiptare, vetëm e vetëm se ata nuk ishin dakort me një ideologji të huaj sllavo-aziatike,që iu imponua kombit shqiptar pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore.  Nga të dekoruarit janë disa të cilët gjatë 45 viteve të regjimit komunist ishin pjesëmarrës në fushata spastrimesh, torturimesh dhe zhdukjesh fizike të kundërshtarve të pafajshëm të regjimit.”Të gjithë bashkvuajtës, të gjithë bashkfajtorë”,   barazim i viktimës me vrasësit.

Vërtetë se regjimi komunist, ashtu si në mbarë Europën lindore, ishte një tragjedi edhe në historinë moderne shqiptare.  Por,këta nuk po na lënë ta harrojmë atë histori edhe pot ë duam. Njoftimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa prej këtyre që dihet se ishin pjesëmarrës në krimet, të cilat mund të konsiderohen si ndër më të shëmtuarat në historinë e njerëzimit, është edhe më tragjik për faktin se tani në këtë periudhë të historisë për kombin shqiptar, kur Shqipëria dhe Kosova po përpiqen t’i bashkohen Europës duke premtuar që të adaptojnë ligjet dhe normat shoqërore, vlerave të botësperëndimore duke u larguar sa më shumë nga e kaluara e saj komuniste është një shenjë ogurzezë për një të ardhme më të mirë në radhët e vendeve të përparuara.  Dekorimi i sigurimsave, i gjykatësve dhe i prokurorëve të regjimit komunist, të cilët kanë dënuar me vdekje, me burg dhe internim të mbrendshëm mijëra shqiptarë të pafajshëm, nuk ka të bëjë aspak me vlerat europiane as me vlerat dhe moralin dhe as me vlerat e shqiptarit në përgjithësi.  Fatkeqsisht, tregon se shumë pak ka ndryshuar mentatiteti I kësaj klase politike të rritur e të edukuar nën regjimin komunist, regjim që konsideronte se jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë përballë pushtetit, e sidomos jeta e kundërshtarit, hiç e hiç.  

Për më tepër, dekorimi i këtyre ish-zyrtrëve komunistë është një shuplakë dhe ironi mizore dhe torturuese ndaj të përndjekurve shqiptarë të atij sistemi, të cilët ende janë gjallë, dhe njëkohsisht ky vendim nga ana e qeverisë përbën një vrasje të dytë edhe të atyre që vdiqën dhe u torturuan nga regjimi komunist, në duartë e disa zyrtarëve dhe sigurimsave tani të dekoruar — në shënjë falënderimi — për “punën e mire” që kanë bërë,në burgjet dhe kampet  komuniste të përqendrimit, anë e mbanë Shqipërisë.  Qeveria shqiptare, nepërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, me shpërndarjen e këtyre dekoratave ish-zyrtarëve dhe ish agjentëve të Sigurimit famkeq të regjimit të Enver Hoxhës, nuk ka bërë asgjë më pak se sa një shkelje brutale të drejtësisë ndaj atyre të shkretëve, që këta zyrtarë me vendimet e tyre, i kanë pushkatuar, i kanë abuzuar dhe i kanë dhunuar të drejtat e tyre bazë të njeriut. 

Dekorimet janë edhe një nepërkëmbje fyese e të drejtave të njeriut të të përndjekurve të atij regjimi, të cilët për fat janë gjallë e të cilët kanë mbijetuar ferrin e burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit. Shumë prej tyre kanë vdekur gjatë këtyre 25-viteve ose kanë marrë rrugën e gurbetit ose sillen duar kryq e të papunë, në varfëri të skajshme anë e mbanë Shqipërisë – të pa dekoruar dhe të panjohur.  Një gjë e tillë nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës ish- komuniste dhe me sa di unë as në ndonjë vend tjetër që pretendon se është në rrugën e demokracisë dhe që dëshiron të përqafojë vlerat dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të përcaktuara qartë nëDeklaratën Universale të të drejtave të njeriut, në të cilën thuhet se, “njohja e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave të barabarta për të gjithë antarët e familjes njerëzore, është baza e lirisë, drejtësisë dhe e paqës në botë.”  Ndërsa theksohet se “shkelja dhe urrejtja ndaj të drejtave të njeriut kanë përfunduar në akte barbare të cilat kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzimit”. Të tilla ishin edhe aktet e regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet, sidomos kundërshtarëve të tijtë pafajshëm — barbare dhe jo njerëzore.  Vendimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa personave, të cilët gjatë karjerës së tyre kanë kryer këto barbarizma, me të vërtetë duhet të tronditin edhe ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve. 

Çfarë qeverie është kjo e cila dekoron kriminelët e ish-regjimit komunist dhe e cila, drejtë për drejtë ose tërthorazi, me këtë vendim dënon edhe njëherë viktimat e gjalla dhe të vdekura të atij regjimi, duke falënderuar ata që ndërmorrën ato krime të shqiptarit kundër shqiptarit?  Si mund të merret me mend se kjo qeveri është serioze mbi ato që i premton popullit shqiptar dhe për të cilat u deklaron miqëve ndërkombëtarë  në lidhje me reformat që thotë se do të ndërmarrë ose është duke ndërmarrë në drejtësi dhe në gjykata, kur shpërndanë mirënjohje dhe falenderime për kriminlët?  Mungesa e drejtësisë në Shqipëri, tha kohët e fundit ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova është arsyeja që vendi po humbë shumë investime dhe shkaku se shumica e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të jetojnë diku tjetër se sa në vendin e tyre. Ambasadorja çeke në Tiranë, është cituar të ketë thënë se nëse nuk miratohet sa më shpejt reforma në drejtësi, që të largojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, nuk është bërë asgjë në Shqipëri. Në vend të që largojnë nga detyra, këta i dekorojnë!

Shqipëria nuk mund të zhvillojë një demokraci të mirëfilltë, sepse demokracia e vërtetë nevojitë, jo dekorimin e ish-zyrtarëve dhe ish-sigurimsave, por kërkon si kusht paraprak, që personat të cilët kanë mbajtur gjallë regjimin komunist për pothuaj gjysëm shekulli, të largohen  më në fund nga  detyrat e larta të qeverisë dhe të shtetit, ashtu që me largimin e tyre të perëndojë njëherë e mirë edhe politika e atij regjimi, trashëgimia e së cilës ndihet dhe shihet edhe sot kudo në shoqërinë shqiptare, e sidomos në qarqet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë edhe parlamentin. 

Por shpresa nuk humbet kurrë për ndryshime të mirëfillta në Shqipëri. Andaj në këtë periudhë demokracie të brishtë, kush janë ata burra e gra të guximshëm(e) që të përballen trimërisht dhe drejtë për drejtë me të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe njëkohësisht të marrin përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe për mbarë kombin shqiptar?  

Kjo gjeneratë politikanësh anë e mbanë trojeve shqiptare ka një përgjegjësi të madhe mbi krahët e vet, ndoshta më të madhe se ndonjë herë tjetër në historinë e kombit shqiptar, për arsye të mundësive që u paraqiten shqiptarëve në këtë moment të historisë.   “E ardhëmja”, ka thënë ish Senatori amerikan Robert Kennedy, “nuk u përket atyre të cilët janë të kënaqur me gjëndjen e sotme, ose që janë indiferentë ndaj problemeve të përbashkëta dhe të cilët kanë frikë përballë ideve dhe idealeve të reja dhe projekteve të guximshme.”  E ardhmja, ka thënë Kennedy, “u përket atyre të cilët mishërojnë vizionin, arsyen dhe guximin për një angazhim personal ndaj idealeve të mëdha të shoqërisë.E ardhmja jonë mund të duket si tepër e largët dhe e parealizueshme në krahasim me vizionin që kemi, por e ardhmja jonë nuk është krejtësisht jashtë kontrollit tonë….Është puna e duarve tona, e harmonizuar me arsyen dhe parimet, ajo që do vendosë fatin tonë”. Ish senatori amerikan sugjeron se drejtë realizimit të këtij objektivi nuk duhet harruar se “ata që jetojnë me ne dhe pranë nesh, janë vëllëzërit tanë, të cilët ndajnë me ne të njëjtin fat të një jete të shkurtë në këtë planet.Se edhe ata kërkojnë siç kërkojmë ne – dmth.asgjë tjetër, përveç mundësisë dhe të drejtës për të kaluar një jetë të kënaqshme dhe të qëllimt.”  Për të realizuar këtë objektiv shoqëror, ka nënvijuar Robert Kennedy, “Ne duhet të njohim dhe të pranojmë barazinë e plotë njerëzore të popullit tonë, pikëspari para Perëndisë, edhe para ligjit por edhe në këshillat dhe në administratën shtetërore.”

Në të njëjtin fjalim, Robert Kennedy është shprehur se ai ishte një, “kundërshtar i vendosur i komunizmit sepse ai sistem ngre lartë shtetin mbi të drejtat e individit dhe të familjes, por edhe sepse në atë sistem nuk ekziston liria e fjalës, e protestës, e fesë dhe as liria e shtypit, karakteristika këto të një shteti totalitar.  Komunizmi nuk kundërshtohet duke imituar diktaturën e tij, por duke ruajtur gjithmonë dhe duke shtuar liritë e individit në vendin tonë dhe kudo në botë… por edhe duke mbështetur drejtësi të barabart për të gjithë. ”

Demokracia e vërtetë, liritë bazë të njeriut dhe të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët  para ligjit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis tyre, qofshin ato politike, ideogjike, fetare ose krahinore, nuk realizohen dhe as nuk sigurohen  me punën e ish-zyrtarëve të komunizmit enverist të cilët në jetë dhe me punën e tyre zyrtare gjithnjë imitojnë diktaturën.  Në mendimin tim modest, sido që ta merrësh, dekorimi i 1000 ish-zyrtarëve komunistë, është një akt i pa-pranueshëm dhe ogurzi për një shoqëri që me fjalë pretendon se dëshiron integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, por nga ana tjetër dekoron ish zyrtarë të komunizmit dhe injoron thirrjet e miqëve ndërkombëtarë dhe të popullit të vet për reforma rrënjësore në drejtësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesia Shqiptare, Frank shkreli

ÇLIRIMI I KOSOVËS

November 27, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Zyra për Informim e Universitetit Shtetëror të Tetovës  (USHT) njoftoi se fund javën e kaluar më 21 nëntor, në njërën prej hapësirava të këtij universiteti u promovua  versioni shqip i librit, “Çlirimi i Kosovës –Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve”, e autorit amerikan David L. Phillips, përkthyer në gjuhën shqipe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku.  Njoftohet se në promovimin e librit mori pjesë edhe Profesori Phillips, Drejtor i Programit për Paqë dhe të Drejta të Njeriut në universitetin e njohur amerikan Columbia të New York-ut si dhe një numër personalitetesh vendase të botës politike dhe akademike, përfshirë  profesorë dhe studentë të universitetit.Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti autorin David Phillips , “si një mik, koleg dhe intelektual me përmasa globale”, librin e të cilit përkthyer në gjuhën shqipe e përurojmë tha ai, me krenari, “Në ambientet tona, tashmë të shëndërruara në arenë të avancimit të vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore dhe kombëtare.”  Rektori i USHT, Prof. Ameti, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e autorit David Phillips, tha se ndonëse ai është amerikan, ai njëkohsisht, “është një shqiptar që ia kalon cdo shqiptari”, pasi për më shumë se dy dekada të jetës së tij, David Phillips ia ka kushtuar çështjes shqiptare, i cili me shkrimet e tija ka sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë botëror, mbi padrejtësitë historike dhe shoqërore si dhe për shtypjet e pa para politike dhe ideologjike kundër shqiptarëve.  Sipas njoftimit të zyrës së informimit të USHT, me këtë rast folën edhe personalitete të tjera të botës akdemike dhe politike, përfshirë recensentin e vëllimit, Prof. Dr. Fehari Ramadani i cili theksoi se libri, “Çlirimi i Kosovës -diplomacia  këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”, i  autorit David L Phillips, e përkthyer në  gjuhën shqipe me një mjeshtri të madhe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku, përmban të dhëna mjaft interesante dhe sjell dëshmi të rëndësishme për vorbullën e luftërave që çuan në shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë.”  Në këtë libër, vazhdoi ai, “ne gjejmë shumë informacione dhe tema me interes, të cilat vazhdojnë të mbeten aktuale edhe në ditët e sotme”.   Autori, sipas Prof. Dr. Fehari Ramadani, është treguar shumë i kujdesshëm në paraqitjen e ngjarjeve dhe të fakteve.  Për më tepër, shtoi ai, ky libër bazohet në përvojën personale të autorit, i cili ka punuar për çështjen shqiptare për më shumë se njëzet vjet”, u shpreh Prof. Dr. Fehari Ramadani.

Në këtë promovim, njofton Zyra e Informimit e USHT, ishte i pranishëm edhe ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili duke folur për veprimtarinë e David Phillips, u shpreh se për kontributin e tij që ka dhënë gjatë gjithë jetës për çështjen shqiptare, David L. Phillips “meriton të jetë ambasador i popullit shqiptar në SHBA”.  Ai e cilësoi David L. Phillips, si një njeri i cili “nuk i le të zënë pluhur dosjet e çështjeve dhe të problemeve shqiptare”, theksoi ndër të tjera, ish ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, z. Arben Çejku.

Ndërsa përkthyesja e këtij vëllimi në gjuhën shqipe, Mr.Sc., Gjyla Çeliku tha gjatë promovimit se libri, i autorit David Phillips, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”,  pasqyron në hollësi rolin e diplomacisë amerikane karshi zhvillimeve dhe ngjarjeve në Kosovë.  Të gjitha këto të dhëna të përfshira në libër, nënvijoi ajo, “dëshmojnë se autori ka qenë një nga aktorët kryesorë që ka realizuar një agjendë intensive me autoritetet politike të kohës, si në rajon ashtu edhe në arenën  ndërkombëtare”, tha përkthyesja e këtij libri, Mr.Sc. Gjyla Çeliku.

Ndërkaq, David L.Phillips më dërgoi kumtesën që kishte mbajtur me rastin e promovimit të versionit shqip të librit të tij mbi Kosovën në USHT.  Në fjalën e tij, profesori Phillips u ka thënë të pranishmëve tha se librin, “Çlirimi i Kosovës”, ai ia kishte dedikuar ish-ambasadorit amerikan, të ndjerit Richard Holdbrooke. Sipas David Phillips, roli i ambasadorit Holbrooke ka qenë aq i madh dhe aq vendimtar sa që pa ndihmën e tij, tha Phillips, Kosova nuk do ta arrinte kurrë pavarësinë e saj. Andaj, tha ai, vdekja e Riçard Holbrooke ishte një humbje e madhe për të gjithë botën dhe se librin “Çlirimi i Kosovës” ia kishte dedikuar ish-Ambasadorit Holbrooke për kontributin e tij ndaj lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot Kosova.  “Holbrooke ishte i dedikuar për të mbrojtur viktimat e konflikteve me dhunë”, shtoi Phillips.

Libri “Çlirimi i Kosovës” është mbi të gjitha një histori e diplomacisë, pohoi autori, në të cilin pasqyrohen aktet terroriste të regjimit brutal të Millosheviçit, ndërhyrja e NATO-s më 1999, pavarësia e Kosovës dhe roli që kanë luajtur për Çlirimin e Kosovës, dyzina zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikanë gjatë asaj periudhe.  Autori Phillips u tha të pranishmëve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se përsa i përket atij, ai “Është shumë krenar që Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Serbisë për të mbrojtur Kosovarët. Ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr  nga Shtetet e Bashkuara ishte një moment i madhërishëm si për Amerikën ashtu edhe për Kosovën”, nënvijoi ai.  Phillips foli në universitetin e Tetovës edhe për rolin obskurantist të Rusisë në lidhje me situatën në Kosovë atëherë, ashtu siç po luan edhe sot të njëjtin rol obskurantist në Siri në mbrojtje të regjimit kriminal të Bashar Al Assad-it. Phillips tha se, në fushën diplomatike dhe ushtarake, Kosova na ka dhënë mësime me rëndësi  se si fitohet paqa dhe foli mbi gjëndjen e tanishme dhe mbi sfidat me të cilat po përballet Kosova. Ai tha se, “Mungesat dhe dështimet e politikanëve të sotëm të Kosovës “Nuk duhet të përdoren nga disa qarqe kundër pavarësisë së Kosovës dhe as për të penguar Kosovën që të zëjë vendin që i takon në familjen e kombeve.”

“Megjithëse Kosova është një demokraci e re”, tha ai, “kjo nuk është arsye për të përdorur gazin lotësjellëssi protestë me qëllim që të pengohet mbledhja e Kuvendit të Kosovës. Në një demokraci, politikanët i zgjidhin ndryshimet midis tyre nepërmjet negociatave e dialogut dhe jo me dhunë”, u shpreh autori i librit, Çlirimi i Kosovës dhe njohës i mirë i problemeve të Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Universitetin Shtetëror të Tetovës, David Phillips sikur fajësoi udhëheqsit e tanishëm të Kosovës, pozitë dhe opozitë, për problemet e atij vendi ndërsa u shpreh se “Kosova ka nevojë për udhëheqës të ri…të cilët janë të pastër, të pa korruptuar dhe të cilët i kushtohen shërbimit publik dhe atij kombëtar”.  Ai u shpreh se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm, por theksoi ndërkaq se marrveshja e prillit ishte një marrveshje e keqe për Kosovën prej të cilës ajo nuk përfitoi asgjë, madje as liberalizimin e vizave, tha David Phillips. Phillips tha se qëllimi i Millosheviqit ka qenë gjithmonë ndarja e Kosovës dhe ndarja e Kosovës në baza etnike mbetet gjithnjë objektivi i Serbisë. Prandaj, shtoi ai, është e rëndësishme që Kosova e tërë dhe e lirë të integrohet sa më pare në institucionet euro-atlantike dhe të bëhet anëtare Kombeve të Bashkuara.

Ai tha gjithashtu se është shqetsues fakti se shumë të rinjë e të reja po largohen nga Kosova dhe u shpreh se shfaqja e islamit radikal në radhë të shqiptarëve është tepër shqtesuese.  Llogaritet, shtoi ai, se 1200 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe  Shqipëria i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Rinia shqiptare ndihet e dëshpëruar dhe e pa përspektivë, tha Phillips. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë për të përforcuar partneritetin me Kosovën dhe njëkohsisht t’i dërgojnë një mesazh popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara janë pranë tij. Afrimi i shqiptarëve me Perendimin është mënyra më e mirë për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm, tha David Phillips, gjatë promovimit të versionit shqip të librit të tij , “Çlirimi i Kosovës.

Më në fund, autori i librit “Çlirimi i Kosovës” tha në Tetovë se sfida e ardhëshme për shqiptarët është krijimi i asaj që ai quajti, “një fqinjësi (neighborhood) më të afërt të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor”, duke shtuar se nuk po fliste për “Shqipërinë e Madhe”, por për një serë aktivitetesh, përfshirë ato tregtare, arsimore dhe ambientale, të cilat do të përbënin një solidarizim interesash të përbashkëta, theksoi David Phillips.“Është krejtë normale”, shtoi ai, “që Shqiptarët të krijojnë një komunitet të vërtetë mbarëkombëtar në Ballkanin Perëndimor.”  Duke përmendur përsëri emrin e Richard Holbrooke si historian dhe diplomat, të cilit ia dedikoi librin, “Çlirimi i Kosovës”, David Phillips, u tha të pranishëmve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se, rasti i Kosovës nuk është as hera e parë as e fundit që Shtetet e Bashkuara futen në luftë për të ndaluar gjenocidin kundër njerëzimit. Ai u shpreh se shpreson që diplomatët e ardhëshëm amerikanë të mësojnë nga përvoja e Kosovës, një përvojë, hollësitë e së cilës janë të dokumentuara në librin, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve” —  tashti edhe në shqip – dhe promovimi i së cilës u bë fund javën e kaluar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Clirimi i Kosoves, David L Philips, Frank shkreli

“SHTETI ISLAMIK DUHET TË ASGJËSOHET”

November 24, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Kështu u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama gjatë një konference që zhvilloi të martën me shtypin së bashku me presidentin francez Francois Hollande, pas takimit dhe bisedimeve të tyre kokë më kokë, në Shëpinë e Bardhë.  Në fillim të konferencës me shtypin, Presidenti amerikan e siguroi Presidentin e Francës dhe nepërmjet tij, popullin francez se, “Si amerikanë ne do të mbështesin miqët tanë”.   Udhëheqsi amerikanë, me një gjuhë më të ashpër se çka përdorur deri më tani, u tha gazetarve se, “Terrorizmi i sponsorizuar nga Shteti Islamik nuk mund të tolerohet”, duke shtuar se ai “duhet të asgjësohet” dhe se këtë do ta bëjmë së bashku.  Ai e cilësoi terrorizmin si “një murtajë që na kërcënon të gjithëve.”

Objektivi i vizitës së Presidentit francez në Washington ishte që të merrte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një koalicion më të gjëtë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS-it e që do të përfshinte edhe Rusinë në luftën kundër terrorizmit.  Por rrëximi i një aeroplani rus nga Turqia të martën, që ajo tha se ndodhi në territorin e saj ajror, duket se ndërlikoi disi bisedimet midis dy udhëheqsve. Të dy udhëheqsit u bënë thirrje Turqisë dhe Rusisë që të punojnë dhe të bisedojnë së bashku për të mos e keqësuar  mëtej situatën e krijuar nga rrëximi i aeroplanit luftarak rus.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara sugjeroi  gjatë konferencës me shtypin që zgjati një orë, se nëqoftse Rusia do të përqendronte disa nga këto aktivitete të fundit ushtarake kundër Shtetit Islamik, këto konflikte dhe gabime  mund të evitoheshin më kollaj.  Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se ndonëse po pret për hollësi të mëtejshme mbi incidentin që ndodhi në hapësirën turke, “Turqia ka të drejtën e vet të mbrojë territorin dhe hapësirën ajrore të saj”.  Ai u shpreh gjithashtu se Moska është më e interesuar të mbështesë diktatorin sirian Bashar Al Assad se sa të luftojë kundër  terroristëve të Shtetit Islamik.  Ai cilësoi pak si me ironi mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit për regjimin diktatorial të Bashar Al Assadit, si “një koalicion prej dy shtetesh”, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë një koalicion prej më shumë se 60-shtetesh”, që sipas tij ka, “ndërprerë aktivitetet terroriste dhe kanë sulmuar pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak.”

Ndërkaq, media citon Presidentin rus Putin të ketë  reagur ndaj  incidentit të rrëximit të aeroplanit rus nga forcat turke, duke thënë se rrëximi i aeroplanit rus nga Turqia “do të ketë pasoja të rënda për marrëdhënjet midis dy vendeve”, gjë që, sipas vërejtësve politikë, do të komplikojë me siguri përpjekjet e Presidentit Hollande, kur të vizitojë Putinin në Moskë mbrenda dy ditësh, me qëllim për të krijuar një front të gjërë ndërkombëtar në luftën kundër ISIS. Deri tani  Rusia ka refuzuar gjithnjë tu bashkohet thirrjeve për largimin e presidentit të Sirisë Assad nga pushteti.  Si rrjedhojë, zyrtarët francezë, përball kësaj situate të re të krijuar nga rrëzimi i aeroplanit rus nga Turqia, citohen nga media të jenë shprehur  se në vend të bashkpunimit ata do të përpiqen të realizojnë të pakën një  angazhim për një bashkrendim ndërkombëtar të aktiviteve kundër Shtetit Islamik. Megjithkëtë,  Presidenti francez theksoi  optimizmin e tij se “mbarë bota është e angazhuar” në luftën kundër ISIS dhe se shpreson të sigurojë më shumë bashkpunim edhe nga Rusia, e cila mbështetë regjimin e  diktatorit Assad dhe aeroplanët e të cilës po sulmojnë forcat moderuese që janë kundër regjimit të Assadit, në vend që të luftojë kundër  terroristëve të Shtetit Islamik.

Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca falë ndihmës nga agjensi të zbulimit të fshehtë amerikan, ka shtuar sulmet ajrore kundër kundër objektivave kryesore të Shtetit Islamik.  Ndërkaq, gjatë konferencës me përfaqsues të medias në Shtëpinë e Bardhë të martën, Presidenti i Francës, Hollande, shprehu falënderimet, solidaritetin dhe mirënjohjen e tij dhe të popullit francez për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit të tij pas sulmeve në Paris.  Ai deklaroi se me Shtetet e Bashkuara, “ne ndajmë të njëjtin qëndrim dhe besim ndaj lirisë”.  Ai, njëkohsisht, bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët  aktvitetesh ushtarake kundër terrorizmit pas sulmeve në Paris dhe ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Shteti Islamik.

Komentatorët politikë theksojnë se ishte Franca ajo që është sulmuar kësaj radhe nga terrorizmi dhe si rrjedhim është Presidenti Hollande ai i cili po kryeson përpjekjet për një koalicion të gjërë ndërkombëtar kundër ISIS dhe jo udhëheqsi i botës së lirë, Presidenti Obama, për të cilin 66% e amerikanëve shprehen se ai nuk ka një plan të qartë për të asgjësuar Shtetin Islamik.  Vërejtsit politikë thonë gjithashtu se Washingtoni e Parisi mund të kenë të njëjtin objektiv për zhdukjen e kësaj murtaje, por duket se midis tyre ekziston një divergjencë e cila pasqyrohet në pikamje të ndryshme politike se si duhet dhe cilat janë masat që duhet të merren,  për  realizimin e këtij objektivi të përbashkët për asgjësimin e Shtetit Islamik.

Filed Under: Analiza Tagged With: duhet te asgjesohet, Frank shkreli, Shteti Islamik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT