• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DED GJON LULI NË SHËRBIM TË BASHKIMIT KOMBËTAR

September 28, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli.

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetëra e të reja, sipas orekseve të rastit  të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin ndoshta më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.   Megjithëse këto pengesa, për shqiptarët ishin tepër të mëdha gjatë gjithë historisë së tyre, dëshira dhe ndërgjegjëja e tyre për bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por pa marrë parasyshë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia e shqiptarëve ka plot  raste bashkimesh krahinore dhe fisnore shpirtërore të shqiptarëve, madje janë shënuar edhe përpjekje për organizime panshqiptare, që ndër më të famshmet,  ishin Lidhja Shqiptare e Skënderbeut në Lezhë dhe Lidhja e Prizrenit —  përpjekje këto të udhëhequra  nga figura më të shquara të kombit shqiptar, dhe  të cilët me veprat e tyre patriotike  u dalluan për veprimtarinë  dhe luftën e tyre drejtë bashkimit shpirtëror dhe  kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave është edhe Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.   Me 24 shtator 2015  u mbushën 100-vjetë nga vrasja tradhëtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

https://www.youtube.com/watch?v=ZwWOPluuBaU
 
Deda ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë  në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar i saj, gjë që si e tillë më në fund tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me në krye Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkojnë për tu takuar me Malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpilojnë Memorandumin i cili përmbënte kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin. 
Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë,   një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim në mbarë trojet e veta.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit, siç sugjeron edhe kënga popullore, ishte se Shqipëria donte vedin me sundue.

  Ded Gjo Luli, shkrue ka letër,

t’parit Shkodres o ia ka çue,

Se Shqipnia nuk don tjetër,

  veç don vedin m’e sundue…   

   Si rrjedhim, kërkesat e Malësorëve të shfaqura në Memorandum, i bënë kryengritësit e maleve t’i paraqiteshin botës së atëhërshme si përfaqsues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar.   Lufta për liri e Malësorëve,  ishte simbol i vëllazërimit të kombit  shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë dhe bashkim kombëtar.   Prijsi i Malësisë së Madhe dhe malësorët e tij nuk kishin filluar kryengritjen dhe luftën kundër pushtuesve për përfitime personale, ideologjike ose krahinore, por ishte një nismë e tyre për liri, jo vetëm për krahinën e Malësisë së Madhe, por ishte një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Si e tillë, pra lufta e tyre kishte qëllime mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve mbarë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 100-vjetor të vdekjes së tij, një mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i fateve afat shkurta dhe afat gjata të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre.
 

Frymëzimi dhe e kryengritjet e Ded Gjo Luli dhe të luftës së Malësorëve ndez[n flake gjithë trojet etnike shqiptare për liri dhe vetqeverisje. Si rrjedhojë, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore  e pushtimit turk.  Për një popull i cili dëshironte bashkim kombëtar të trojeve të tija etnike, ndër më homogjenet në Europë, pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër administrativ i imponuar nga otomanët.   Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare  në Kosovë  dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare, duke  çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.   Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj.  Si i tillë,  ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike në një shtet të pavarur, të quajtur Shqipëri.  Vepra e tij dhe e malësorëve të tij, mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi për të jetuar në liri duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve.  

 

Gjithashtu, në këtë 100-vjetor të vrasjes së Ded Gjon Lulit, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi herojtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrënia përkundën në të njëjtin djep — si vëllëzër e motërat tona, të një gjaku, të një kombi, ata dhanë kontributin e madh duke ndezur flake kryengritje mbarë kombëtare, që më në fund çuan në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar me 28 Nëntor, 1912, duke u bërë kështu dallëndyshet që paralajmëruan pavarsinë e shqiptarëve.  Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre — si gjyshët dhe stërgjyshët e shqiptarëve ndër shekuj — i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë si dhe vet-sundimit të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe armiqëve të afërt dhe të largët të kombit shqiptar ndër shekuj.  Ded Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 

Në këtë 100-vjetor të vrasjes në tradhëti të Ded Gjon Lulit, duhet të kujtojmë, se ai dhe kryengritsit e tij malësorë i erdhën në ndihmë tokës arbërore, ndoshta në periudhën më kritike të historisë së saj.  Në një kohë kur dukej sikur shpresave shekullore të shqiptarëve për liri por edhe identitetit arbëror të shqiptarëve po u vinte fundi dhe kur tokat shqiptare ishin venë në ankandë – dhe kur armiqtë e shqiptarëve me influencë nepër kancelaritë e Europës, përpiqeshin të bindin botën se nuk kishte komb shqiptar.  Kryengritjet e malësorëve të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, i treguan Europës se, po këtu ka një komb shqiptar, se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe për here të pare ndër shekuj, ata e ringjallën atë, duke ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.  

 

Si i tillë, Ded Gjon Luli  është i të gjithë Shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike  në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër,  në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e në Tivar.  Trimëria dhe vendosmëria e herojve të kombit si Ded Gjo Luli,  ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi mbarëkombëtare mbrenda kufijve etnikë të shqiptarëve, janë arritje të cilat në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe duhet të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribojnë në formimin e ndërgjegjës dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot.

Në këtë 100-vjetor të vdekjes së Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.    Mungesa e respektit për Ded Gjo Lulin si person dhe e veprës së tij atdhetare do të konsiderohej si një mungesë vlerash kombëtare e brezit të sotëm të klasës politike shqiptare për të cilat luftoi dhe vdiq 100-vjetë më parë Ded Gjo Luli.  Vlerat e tyre ishin të qenët besnik Atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar — besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Ded Gjon Lulit nuk i është njohur gjithmonë kontributi i tij i vërtetë në historinë mbarë kombëtare të shqiptarëve.  Fan Noli, pasi ka shkruar  me një rast se ndonëse Ded Gjon Luli e kishte tërhequr  atë shumë,  “për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Noli shprehet se, “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli.  “Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi,  Dedë Gjo Lulin. Fatkeqsisht është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit. Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Luli, do ta çpikte një të tillë.
                                       

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkimi Kombetar, Dede Gjo luli, Frank shkreli

HISTORIANI I KRIMEVE TË KOMUNIZMIT S’ËSHTË MË!

August 20, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Në fillim të këtij muaji, ndërsa shumica e njerëzve ishin në pushimet verore, ndërroi jetë në Kaliforni në moshën 98-vjeçare historiani, poeti dhe njëri prej heronjëve intelektualë më të shquar botërorë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, anglo-amerikaniRobert Conquest. Megjithëse është mbarimi i gushtit dhe lexuesit gjithnjë ndodhen në pushime dhe ndoshta nuk janë aspak të interesuar të mësojnë për vdekjen e një historiani me përmasa botërore i cili për një gjysëm shekulli dokumentoi krimet e komunizmit, e ndjejë për detyrë ta kujtoj këtë historian dhe intelektual të shquar anglo-amerikan. Ndonëse në median amerikane dhe në atë europiane u komentua vdekja dhe kontributi i tij i çmuar, si njeriu që zbuloi i pari dhe në hollësi krimet e Stalinit, një humbje e tillë meriton të shënohet edhe për lexuesit shqiptarë, të cilët kanë përjetuar krime jo më pak të tmershme se krimet e regjimit komunist të Stalinit, të cilat Robert Conquest i ka dokumentuar, ndër të tjera, në dy veprat kryesore dhe më të njohura të tij, “Terrori i Madh: Spastrimet e Stalinit në vitet 30-ta”, botuar në vitin 1968, dhe ribotuar më 1990, si dhe “Kolektivizimi Sovjetik dhe Uria si Mjet Terrori”.
Historiani Robert Conquest ishte shumë dimensional në veprimtarinë e tij dhe ishte i pranishëm në shumë fushë, si diplomat, poet dhe ndër të tjera edhe si humanist. Personaliteti dhe mendimet e tija kishin ndryshuar gjatë viteve. Ndonëse ai kishte qenë dikurë komunist, pasi ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe në vitin 1937. Ndërkohë,ka qenë mbështetës i Partisë laburiste britanike deri në vitet 70-ta, ndërsa Robert Conquest kishte ndryshuar mendimet politike dhe qëndrimet ideologjike të rinisë së tij, sa që eventualisht kishte vendosur të mbështeste politikën e Kryeministres konservatore britanike, Margareth Thatcher, për të cilën madje shkruante edhe fjalimet e saja. Thuhet se nuk ka anti-komunist më të fortë se një ish-komunist.I tillë ishte edhe Robert Conquest!
Përveë konsultimeve politike, ai njëkohësisht ka kontribuar me punën e tij edhe pranë qendrave akademike konservatore më të njohura të Amerikës, kryesisht duke shkruar dhe duke dhënë mësim në fushën e sigurisë kombëtare dhe të marrëdhënjeve ndërkombëtare. Me dy veprat e lartëpërmendura historike mbi krimet komuniste të Stalinit, ish-komunisti Robert Conquest provoi i pari vrasjet sistematike nga regjimi komunist sovjetik, duke hedhur poshtë njëherë e mirë argumentet komuniste se gjoja ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-vendet komuniste, ishin shoqëri më humane se vendet e tjera, sidomos në krahasim me perëndimin.
Ai dokumentoi në veprta e tija se gjyqet e komunistëve bolshevikë bazoheshin në prova fals, se zhvilloheshin nën tortura, shantazhe, kërcënime dhe gënjeshtra ndaj të akuzuarve. Ai shpjegoi si asnjëherë më parë dhe në hollësi arrestimet dhe interrogimet komuniste, të mohuarit e ushqimit dhe të gjumit si mjete terrori, si dhe abuzimet fizike dhe psikologjike, gjatë proceseve të gjyqeve komuniste. Si rezultat i zbulimeve të Robert Conquest, bota nuk mund të pretendonte më se nuk kishte informacion dhe prova mbi krimet komuniste kundër njerëzimit. Në të vërtet, ekspertët i kanë krahasuar veprat e Robert Conquest, të cilat qarkullonin fshehurazi edhe në ish vendet komuniste, me vepra që u btouan më vonë e të cilat vunë në dukje prova mbi krimet komuniste, si “Gulagu Arkipelag” të Aleksandër Solzhenitsyn, libri “Terri në Mesditë” i Arthur Keslerit dhe me vepra me titull “1984”, e George Orwell-it — libra të cilët gjithashtu informuan botën duke pasqyruar dhe dokumentuar natyrën e vërtetë të komunizmit. Përveçse Robert Conquest kishte dokumentuar krimet komuniste të Stalinit para syve të botës, ai nuk mungoi së kritikuari ashpër edhe disa nga intelektualët e njohur perëndimorë gjatë 1930-ave dhe deri në periudhën e 1960-ave, si vegla të Stalinit dhe mbështetës të regjimit të tij, bazuar në deklaratat që ata kishin bërë për të mohuar krimet e komunizmit, duke i falur ose duke i justifikuar atosi të nevojshme.
Ndonëse, veprat e tija janë lexuar nga miliona veta gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, çka ishte më e rëndësishme, ato tërhoqën edhe vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të Perëndimit të asaj kohe, sidomos të Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe Kryeministres britanike, Margareth Thatcher e cila konsultohej rregullisht me historianin dhe ish-komunistin Robert Conquest në lidhje me ish Bashkimin Sovjetik dhe çështjet e komunizmit. Ekspertë të ndryshëm kanë shkruar se mund të thuhet se Robert Conquest, jo vetëm ishte njeriu i cili zbuloi natyrën e vërtetë kriminale të komunizmit, por si rrjedhim, ai ndihmoi që të ndryshonte edhe pikëpamjet e Perëndimit mbi komunizmin duke e bërë botën perëndimmore më të vetdijshme se ç’po ndodhte me të vëretët në botën komuniste.
Në vitin 2005, Ish-Presidenti George W. Bush e dekoroi historianin Robert Conquest me Medaljen Presidenciale të Lirisë.Me atë rast, ish-presidenti Bush u shpreh se:
“Konfliktet e këtij shekulli të ri kërkojnë që dramat dhe tragjeditë e mëdha të shekullit 20-të studiohen dhe të njihen mirë.Ndoshta si asnjë akdemik tjetër, Robert Conquest ka studiuar atë periudhë me një përkushtim dhe guxim të një intelektuali të vërtetë. Jeta e tij filloi në vitin 1917, viti i Revolucionit rus, pasojat e tmershme të të cilit, ai do t’i dokumentonte në hollësi në librin “Terrori i Madh”, si dhe në shkrime të tjera të rëndësishme. Të vërtetat për të cilat ai ka shkruar dhe folur, nuk kanë qenë gjithmonë në modë, por veprat e tija si dhe mësimet dhe këshillat në lidhje me ideologjitë vrasëse si dhe ndaj atyre personave që u shërbyen ideologjive të tilla, do të jenë gjithmonë të përshtatshme dhe me vend. Sot, perandoria, krimet e së cilës ai zbuloi, ka marrë fund përgjithmonë, ndërsa veprat e Robert Conquest mbeten një testament i përherëshëm ndaj së vërtetës. Ky burrë i mençur dhe elokuent admirohet nga bashkqytetarët e tij amerikanë dhe nga të gjithë ata që duan lirinë”, përfundoi ish-presidenti Bush, duke i dorëzuar atij dekoratën e lartë Presidenciale të Lirisë.
Ndërsa, duke e lidhur kujtimin e Robert Conquest me situatën aktuale në Europë, komentatori i njohur amerikan George Will, shkruan me rastin e vdekjes së historianit të famëshëm se: “Vepra e Robert Conquest është e lidhur drejtë për drejtë me të kuptuarit sot të Rusisë së Vladimir Putinit.Teza e Robert Conquest ishte se jo që udhëheqsit sovjetikë kishin studiuar veprat e Leninit, por që ata ishin të zhytur krejtësisht dhe plotësisht në bazat morale të një regjimi të themeluar nga Lenini, i cili prodhoi makineritë shtypëse të atij regjimi që më në fund prodhoi liderë si Putini.”
Si përfundim i Revolucionit rus të vitit 1917 dhe instalimit të regjimit komunist që pasoi në atë vend dhe në ish vendet komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore, për disa dekada, planeti ishte mbërthyer një një luftë midis lirisë dhe tiranisë. Më në fund, bota po i mëson dalëngadalë tmerret e komunizmit. Por, ndërsa realiteti dhe e vërteta e këtyre krimeve anë e mbanë botës komuniste po zbulohet, është me vend që të kujtojmë njerëz si Robert Conquest, jo vetëm sembrojtën lirinë,por sepse ata njëkohësisht luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në zbulimin dhe dokumentimin qyshë heret, të së vërtetës së krimeve të një regjimi që robëroi një pjesë të madhe të kontinentit europian për disa dekada. I përjetëshëm qoftë kujtimi i këtij burri që zbuloi dhe dokuemntoi pët njerëzimin gënjeshtrën e madhe të komunizmit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, HISTORIANI I KRIMEVE TË KOMUNIZMIT, S'ËSHTË MË!

Një pjesë e murit të Berlinit do të vendoset në qëndrën e re të diplomacisë amerikane të DASH

August 13, 2015 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Departmenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të arrijë të ënjtën më 13 gusht, 2015 në Washington për t’u instaluar në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara në Kryeqëndrën e Departmentint Amerikan të Shtetit (DASH). Në njoftimin e DASH për media, thuhet se vendosja e një pjese të veçantë të Murit të Berlinit në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane, do të bëhet me rastin e 54-vjetorit të mbylljes së kufirit midis Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor, më 13 gusht, 1961.
Departmenti Amerikan i Shtetit njofton se segementi unik i këtij muri që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington, është nënshkruar me dorën e vet nga disa protagonistë që — secili në mënyrën e vet — luajtën rol në shëmbjen e Murit të Berlinit e të cilët janë ende gjallë, përfshirë ish-Presidentin amerikan, George H. W. Bush, ish-udhëheqsin e Bashkimit Sovjetik, Mikhail Borbachev, ish-Kancelarin gjerman Helmut Kohl, ish-Presidenti i Polonisë dhe ish-udhëheqsin e Sindikatës Solidarnoshq, Lech Walesa. Këtë pjesë të Murit të Berlinit që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington e kanë nënshkruar gjithashtu edhe Kancelarja e tanishme e Gjermanisë Angela Merkel dhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker.
Në njoftimin e bërë të mërkurën, DASH thotë se Muri i Berlinit shërben si një kujtesë e përhershme e historisë sonë të përbashkët si dhe e rolit të pazevendësueshëm në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve transatlantike, në të ardhmen. Instalimi i kësaj pjesë të Murit të Berlinit në Qëndrën Amerikane të Diplomacisë do të mbikqyret nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe gjermanë.
Objektivi i Qëndrës së re të Diplomacisë Amerikane në ndërtim e sipër, sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, është për të paraqitur mënyrat e ndryshme të zhvillimit të diplomacisë amerikane si dhe rëndësisë së saj gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara. “Diplomacia dhe puna e diplomatëve tanë në mbi 250-ambasada, konsulata dhe misione të tjera diplomatike, është jetësore për fuqinë dhe imazhin e kombit tonë, dhe janë jetike për avancimin e interesave të tij anë e mbanë globit”, ka theksuar John Kerry. Në këtë Qëndër, ka thënë kryediplomati amerikan, vizitori do të zbulojë fakte mbi veprimtarinë dhe jetën e diplomatëve amerikanë dhe të familjeve të tyre në vende të ndryshme, të cilët me punën e tyre nderojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet e Amerikës anë e mbanë botës. Si shtetas amerikan, nga kjo Qëndër e Diplomacisë, shtoi ai, ju do të mësoni se si diplomacia afekton drejtë për drejtë, jo vetëm interesat dhe mirëqenjen e kombit tuaj, por njëkohësisht ndikon edhe në jetën tuaj personale. Vizitorët nga vende të huaja do të zbulojnë diçka të re mbi Shtetet e Bashkuara që nuk e kanë ditur deri më tani, ka thënë Kryediplomati amerikan Kerry.
Muri i Berlinit ose, siç e ka quajtur ish Kancelari gjerman Villy Brandt, “Muri i Turpit” u shëmbë në vitin 1989, por lufta për shëmbjen e tij kishte filluar shumë më heret. Ishte fjalimi ish-presidentit amerikan, John Kennedydhe deklarata e tij, “Ich Bin Ein Berliner”, (Edhe unë jam Berlinas) në vitin 1963 në Berlinin e ndarë, që i tërhoqi botës vëmendjen mbi fatin e keq të Berlinit dhe të Europës së ndarë nga komunizmi. Ish-presidenti amerikan Kennedy ka thënë me atë rast, se “Ka shumë njerëz anë e mbanë botës të cilët nuk e kuptojnë ose thonë se nuk e kuptojnë ndryshimin e madh që ekziston midis botës së lirë dhe botës komuniste.” Ai u bëri thirrje atyre që të shkonin në Berlin e të shikonin për veten e tyre, ndryshimin midis perëndimit demokratik dhe lindjes komuniste: Lass’ sie nach Berlin kommen!
Ndërsa, 24 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit Kennedy në Berlin, një tjetër president amerikan, ish-Presidenti Ronald Reagan në të njëjtin vend, aty në vijën që ndante Berlinin perëndimor nga ai lindor, në fjalimin e tij historik, i bëri thirrje ish-udhëheqsit sovjetik: “Nëqoftse dëshiron paqën, nëqoftse dëshiron begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën Lindore dhe nëqoftse kërkon liberalizimin…Z. Borbachev, shëmbe këtë mur.”
Fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë në Berlinin e ndarë midis lindjes dhe perëndimit kanë hyrë në histori si ndër fjalimet më të shquara për kohën kur janë mbajtur, fjalime të cilat sipas shumë historianëve kanë influencuar marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në zhvillimet politike në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Si të tilla, fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë — Kennedy dhe Reagan — përcaktuan fatin eventual të Murit të Berlinit, duke mundësuar shëmbjen e tij në vitin 1989 – të atij “Muri të Turpit”, i cili për 28 vjetë qëndroi si simbol i shtypjes së komunizmit dhe i ndarjes së Europës dhe botës.
Sipas disa historianëve, fjalimi i ish-presidentit John F Kennedy në vitin 1963 në Berlin, bëri që bota ta shikonte Murin e Berlinit si simbol të shtypjeve politike të komunizmit, ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut, të popujve nën komunizëm. Ndërsa fjalimi i ish-presidentit Ronald Reagan më 1987, thonë ata, ndikoi drejtë për drejtë, në shëmbjen eventuale të murit. Nënshkrimi i ish-presidentëve amerikanë Kennedy dhe Reagan — në cilëndo pjesë të Murit të Berlinit dhe kudo që të vendosen ato, përfshirë edhe segmentin e veçantë që do të instalohet në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington — është i përjetësuar përgjithëmonë në analet e historisë së diplomacisë amerikane dhe të botës.

Filed Under: Analiza Tagged With: e murit gjerman, Frank shkreli, ne DASH, nje pjese

LUIGJ GURAKUQI NË NJË OPTIKË TË RE

August 10, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ky vit, siç dihet, shënon 90-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (2 Mars, 1925), nga një dorë shqiptare, para një hoteli në Bari të Italisë. Njëri prej personaliteteve më të shquara të Rilindjes Kombëtare, patrioti i flakët dhe demokrati konseguent, Luigj Gurakuqi mori pjesë së bashku me Ismail Qemalin, në lëvizjen patriotike për pavarësinë e Shqipërisë, dhe ndër aktivitete të shumëta patriotike që e dallojshin atë, ishte edhe njëri prej themeluesve të Kongresit të Manastirit. Fan Noli për mundin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, pat lëshuar ofshamën, “Nëno moj, ç’është përpjekur”! Në të vërtetë, mund të thuhet se gjatë 25 viteve të para të shekullit të kaluar, Luigj Gurakuqi ishte i pranishëm në çdo përpjekje, aktivitet dhe tubim në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në nivel kombëtar si edhe në konferencat ndërkombëtare ku diskutohej dhe vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Edhe aty, shkruan autori i një libri për Gurakuqin, ai e mbrojti popullin tonë me mençuri, me energji dhe dinjitet.Edhe atje, në nivelet më të larta të diplomacisë dhe punëve botore,ku fjala dhe urtësia e tij pasqyrojshin atdhedashurinë si dhe përgatitjen e tij me dije e kulturë, të gërshetuar me burrëninë e shqiptarit. “Për besë e burrëni”, ka thënë At Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, “qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet.”

Luigj Gurakuqi, me përjashtim të ndonjë shkrimi të izoluar përrkujtimor aty këtu, është hedhur në harresë zyrtare në këtë përvjetor dhe veçanërisht me të drejtë është kritikuar — nga njerëz më kompetent se unë — mos njohja zyrtare e kontributit të tij me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë — për të cilën Gurakuqi punoi, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si asnjë figurë tjetër e kohës së tij. Megjithëkëtë, ai do të mbetet një prej personaliteteve më të shquara të historisë së kombit shqiptar, qoftë në fushën e atdhedashurisë, qoftë në jetën kulturore dhe letrare, por pa përjashtuar edhe vetitë e tija të burrënisë dhe trimërisë. Fan Noli e ka cilësuar Luigj Gurakuqin si, “gojë mjaltë e zemër hekur”, gjë që sipas Ernest Koliqit, i cili ka shërbyer si sekretar i tij në Tiranë në vitin 1924 dhe si i tillë e ka njohur për së afërmi, ka shkruar se elegjia madhështore e Nolit me epitetet gjeniale, “gojë mjaltë e zemër hekur”, e përshkruan natyrën dhe personalitetin e vërtetë të Gurakuqit, në mënyrë të mrekullueshme.

Fan Noli, Ernest Koliqi dhe bashkohas të tjerë të Gurakuqit,të cilët e kanë njohur dhe që kanë punuar me Gurakuqin fillim shekullin e kaluar nuk janë më. Por fjalët dhe kujtimet e tyre për Gurakuqin — përveç aktivitetit dhe veprave të vetë Luigj Gurakuqit, dokumentacion ky i dorës së parë — bëjnë pjesë me më të autoritetshmet vepra që janë shkruar për Luigj Gurakuqin, gjatë dekadave.

Kohët e fundit më ra në dorë një libër, që besoj se për nga dokumentacioni që mbartë, mund të konsiderohet se bën pjesë gjithashtu ndër veprat më të autoritetshme që janë shkruar mbi veprimtarinë dhe jetën e Luigj Gurakuqit. Është një libër doracak për të cilin autorinënvijon se i paraqet lexuesit të dhëna dhe fakte të reja; “Me këtë vepër kemi pohuar të dhëna të reja për Gurakuqët; kemi nxjerrë nga arkivat dokumente të heshtura; kemi paraqitur letra të pabotuara, të panjohura; kemi venë në dukje ndonjë shkrim mbetë në harresë; kemi zbuluar dhe indetifikuar materiale të harruara, me qëllim që t’i vemë para lexuesit dhe studuesit të ardhëshëm për të dhënë sintezën për këtë figurë kaqë të madhe, por jetëshkurtër. Sepse emëri i mirë i tij do të frymëzojë, në çdo kohë, vullnetet e dobishme të shoqërisë sonë”, shkruan autori i librit që më ra në dorë kohët e fundit.

Një mik i imi, shkrimtari dhe poeti Anton Çefa, para pak kohe më dhuroi librin, me titull, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, të autorit Kolec Çefa, me kryeredaktor Dr. Jusuf Bajraktarin dhe botuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Ky libër me dha shkak për të shënuar edhe njëherë jetën dhe veprimtarinë e këtij patrioti, veprimtari të cilën ai e filloi “me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimëri idealisti dhe e mbylli me burrëni martiri”. Është kjo një vepër që sipas autorit, “hecë nepër gjurmët e figurës së (Luigj Gurakuqit)” dhe si e tillë jep ‘identitetin e tij’, të kësaj figure të rrallë, me mendje të fuqishme, me zemër të virtytshme, me vullnet të palodhur, më i afti për të krijuar unitet shoqëror dhe kombëtar, përfaqsuesi më i denjë i mendimit politik opozitar shqiptar”, ka shkruar autori Çefa.

Çefa pohon se ndonëse në të kaluarën janë shkruar disa libra me vlerë për “këtë visar të paçmueshëm kombtar dhe mozaik virtytetsh shqiptare”, libri i tij është një përpjekje për të qitë në dritë figurën e plotë madhore të kësaj figure të madhe të kombit — të këtij, “Zëdhënsi të idealeve kombëtare, të kësaj shëmbylltyre të virtytit politik, e frymëzuesi të kulturës dhe qytetërimit europian.” Autori shkruan se Luigj Gurakuqi kishte një disiplinë prej guri, një vetpërmbajtje nervore të admirueshme dhe vetkontroll energjishë mendore e fizike, ai nuk e kishte, “hovin zemrak të Fishtës, as këmbnguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andërrimin tërheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës”. Por ndryshe nga këta, shkruan Çefa, Luigj Gurakuqi kishte, “largpamësinë e politikanit, maturinë e diplomatit, kishte forcë Anteu, pa eufori”, dhe ndonëse jetonte në realitetin e botës shqiptare, Gurakuqi e bënte luftën politike mbrenda të gjitha rregullave moralo-etike.Si rrjedhim, këshillon autori, nga Luigj Gurakuqi, “Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos deputetët tanë.”

Në librin e tij, ”Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, autori e cilëson Gurakuqin si “Shënjtin e politikës shqiptare”, si zëri i “Ndërgjegjes së politikës kombëtare”, dhe si më i pastërti dhe më i afti, ndër patriotët më iflakti e ndër politikanët më largpamsi dhe më i ndershmi dhe më i drejti ndër udhëheqsit dhe shtetarët – “I riu që rreshtohet ndër etentë e Atdheut”. Bajram Curri këshillonte, “Pyesim djalin” dukeiu referuar Luigjit të ri.Por, fatkeqsisht këto virtyte personale dhe kombëtare që Gurakuqi posedonte si njeri, si shqiptar dhe si politikan nuk e ndihmuan atë as Atdheun e tij sepse, sipas autorit Çefa, ai jetoi në një kohë kur, “tradhëtia paguhej, shpifja përkrahej dhe akuza nxitej”.

Kolec Çefa në librin e tij trajton edhe marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik, ndërsa kritikon historiografinë komuniste dhe atë që autori cilëson si “periudhë e natës enveriste me besnikët e saj”, të cilët ndër të tjera,për arsye ideologjike kanë paraqitur marrëdhënjet e Luigj Gurakuqit me klerin katolik si jo miqësore. Çefa shkruan se përpjekjet për të paraqitur Gurakuqin si ateist dhe antiklerikalist, për të shtrembëruar marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik shqiptar duke i paraqitur ato si armiqësore, nuk kanë asnjë bazë reale dhe as nuk i shërbejnë së vërtetës historike. Autori u kundërvihet këtyre shtrëmbërimeve historike duke thekësuar marrëdhënjet e ngushta që Gurakuqi ka pasur gjatë gjithë jetës së stij, me ndër të tjerë, At Gjergj Fishten, “si vëllëzër jo vetëm gjaku por edhe shpirti”; me ImzotLazër Mjedën,“si dy bashkpuntorë e dy miq”; me At Anton Harapin, i cili ka shkruar për miqësinë me Luigjin se “NëLuigjin gjeta njeriun, hetova shqiptarin”, me Abat Doçin, “si dy breza veteranësh”, e të tjerë.

E vërteta është se sa më shumë të lexosh për Gurakuqin nga ata që e kanë njohur nga afër, njeriu zbulon se ai ishte miqësor me të gjithë dhe pa dallime, “me parinë dhe me vogjëlinë”. Fan Noli,bashkpuntor i ngushtë me Luigj Gurakuqin,ka pohuar se, “Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë shtërnguar ta respektoj atë.” Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me dokumentacionin e dorës së parë të të dhënave të reja që sjellë autoriteqë botohen për herë të parë, na bën ta njohim më mirë Luigj Gurakuqin dhe si rrjedhim ta respektojmë dhe t’a duam atë edhe më shumë, si model i një patrioti të të vërtetë –edhe për ditët tona — si një politikan i cili ishte kundër, “politikës orientale nga mbrenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë.”Autori ka të drejtë kur shkruan se si i tillë, Luigj Gurakuqi nuk mund të jetë vetëm një “personazh i përkohshëm në historinë tonë”. Por fatkeqsisht duket se si i tillë po trajtohet Luigj Gurakuqi:U harrua me rastin e 90-vjetorit të vrasjes dhe u anashkalua me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

E vetmja gjë që nuk duket se është e përkohëshme është harresa ndaj kujtimit të këtij të “madhi ndër të mëdhejtë” madje edhe në këtë përvjetor, megjithëse ai ia kushtoi gjithë jetën Atdheut të vet. Ndonëse, siç ka thënë At Anton Harapi, “Luigji qe i mbarë Shqipërisë i të gjithë shqiptarëve, por Shqipnia nuk qe për të.”Anashkalimi zyrtar dhe jo zyrtar ndaj kësaj figure të madhe të historisë së kombit shqiptar dhe njërit prej përfaqsusve të idealeve më të larta njerëzore dhe atdhetare tregon fatkqesisht, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë as sot për Luigj Gurakuqin dhe nxitë pyetjen se kush dëshiron që ai të hidhet në harresë të përhershme dhe pse?Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me të dhënat e reja që ofron, hedhë më shumë dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e Luigj Gurakuqit si një model i politikanit shqiptar. Dhe si vepër e tillëshpresojmë që të kontribojë drejtë zhdukjes së mjegullës që e rrethon ende në disa qarqe këtë personalitet të shquar të kombit shqiptar.Pa përkujtimin dhe respektin që meriton Luigj Gurakuqi, jo vetëm në këtë përvjetor por gjithmonë, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve mbetet e zbrazët dhe e varfër.Kujtimi i tij kombëtar do të shërbente gjithnjë në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Për ndryshe, për të përdorur një thënje të vjetër, pa kujtimin e tij të denjë dhe pa vlerat “e njëmendta ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, “I vdiq Ora Shqipënisë.”

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Luigj Gurakuqi, NË NJË OPTIKË TË RE

GËZUAR FITOREN, KROACI!

August 6, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Për disa ditë këtë javë, me ceremoni që kulminuan të mërkurën me 5 Gusht, Kroacia shënoi 20-vjetorin e operacionit ushtarak “Stuhia”,që konsiderohet si operacioni më i madh ushtarak në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore, një luftë kjo që çliroi vendin nga forcat separatiste serbe që kishin pushtuar qytetin Knin dhe zonën Krajina për rreth.   Forcat ushtarake kroate, 20-vjetë më pare, ndërmorën një “blitzkrieg”, një sulm të shpejtë dhe të pa pa pritur, kundër forcave serbe të cilat me ndhmën ushtarake të Beogradit kishin marrë nën kontroll këtë zone, në verën e vitit 1990 dhe kishin detyruar me forcë popullsinë kroate të këtyre zonave të largoheshin së andejmi. 
Ndërsa ish-Jugoslavia ishte në shkatërrim e sipër, krahina e Krajinës u bë një zonë konflikti midis Kroacisë dhe Serbisë, ndërkohë që politikanët serbë vendas të Krajinës, me ndihmën dhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, refuzonin të njihnin autoritetin e qeverisë qëndrore të presidentit kroat, Franjo Tugjman dhe shpallën të ashtuquajturën Republikën Serbe të Krajinës.  Forcat vendase separatiste serbe me mbështetjen e forcave të ushtrisë jugosllave të kontrolluar nga Serbia, vranë në mënyrë arbitrare civilët vendas të kombësisë kroate dhe detyruan me force mijëra prej tyre që të largoheshin nga shtëpitë e veta. 
Me këtë operacion ushtarak, që historianët e cilësojnë si më të madhin në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore, Kroacia mori përsëri nën kontrollin e saj territore të mëdha që kontrollohoshin nga forcat serbe.  Fitorja e Kroacisë mbi forcat serbe të drejtuara dhe të kontrolluara nga Beogradi,  detyroi më në fund diktatorin serb Slobodan Miloseviç që të ulej në tryezën e bisedimeve me qëllim për t’i dhënë fund konfliktit në ish-Jugosllavi. 
Ishte kjo një fitore dramatike e forcave ushtarake kroate që armët i merrnin nga burime të ndryshme në Europë dhe  të cilat njëkohsisht stërviteshin nga ish-ushtarakë amerikanë në pension: Armët nga Europa dhe këshilltarët nga Amerika!  Është kjo një ditë që Kroacia e shënoi me krenari, me vendosmëri, me guxim dhe në pavarësi, anëtare e plotë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian.  Si e tillë, 20-vjetori i Operacionit “Stuhia”, është gjithashtu një ditë e shënuar që çliroi Kroacinë dhe kroatët nga pushtimi dhe dominimi historik serb duke i dhënë kështu fund agresionit brutal të Serbisë ndaj territorit të Kroacisë. Është një ditë që njëkohësisht duhet të kujtohet si një datë që shënoi fillimin e mbarimit të influencës politike dhe ushtarake të  Serbisë në republikat dhe në krahinat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.   5 Gushti ishte pra një ditë e fitoreve dhe e çlirimit të territoreve kroate të pushtuara nga agresioni fashisto-komunist serb, që në kulmin e tij përfaqësohej nga regjimi terrorist i Sllobodan Milosheviçit në Beograd. 
Ishte ky një përvjetor i fitores mbi agresionin serb, i cili këtë javë u përkujtua në Zagreb dhe në qytetin Knin të Krajinës si dhe në mbarë Kroacinë, me ceremoni të rastit dhe me parada ushtarake — përfshirë sipas mediave edhe parakalimin e flamurit të kombit shqiptar në njërën prej tyre. Dihet se gjatë luftërave në Kroaci, një numër i madh luftëtarësh shqiptarë nga Kosova kanë dhënë kontributin e tyre të vyer duke luftuar krah për krah me forcat kroate dhe duke sakrifikuar në luftën për çlirimin e Kroacisë nga pushtuesit serbë — për ta bërë Kroacinë atë që është sot, ose siç ka thënë Presidenti i parë kroat Tugjman,për mundësinë, “Për të pasur një Kroaci”, — një shtet të pavarur, anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.  Me këtë rast në Knin u zbulua monumenti kushtuar presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tugjman si dhe pllaka me fjalët që ai shqiptoi me 6 Gusht, 1995, “E Kemi Kroacinë”, (Imamo Hrvatsku”.  


Kroatët dhe shqiptarët, sidomos gjatë shekullit të kaluar, kanë ndarë një histori të përbashkët, shpesh të hidhur, përball dominimit dhe terrorizimit nga shovinizmi serb. Shqiptarët, me mundësitë e veta, i erdhën në ndihmë Kroacisë për tu çliruar nga dominimi dhe agresioni i Serbisë. Suksesi i deritanishëm i Kroacisë tregon se, ndonëse i dalë nga lufta e 1990-ave, çfarë mund të arrihet kur një vend si Kroacia është serioz për bërjen e reformave për të çuar vendin përpara dhe për të avancuar progresin në fushë të ndryshme, përfshirë politikën dhe ekonominë. Si i tillë, ai vend është një model jo vetëm për  Kosovën dhe për Shqipërinë, por për mbarë rajonin e Ballkanit. 
 
20-vjetë më parë, Shqiptarët i erdhën në ndihmë Kroacisë në njërën prej periudhave më të vështira të sajë, duke e vërtetuar fjalën e vjetër se miku i mirë njihet në ditë të vështira.  Ndërsa në këtë 20-vjetor të çlirimit të saj nga pushtuesit serbë, i urojmë Kroacisë fitoren, shqiptarët presin që Zagrebi mos t’i harrojë miqët e vjetër që i erdhën në ndihmë në kohët më të vështira të historisë së saj, por të përdor rolin e saj udhëheqës si anëtare e Bashkimit Europian dhe e aleancës së NATO-s, në mbështetje të aspiratave, sidomos të shqiptarëve të Kosovës,  për t’iu bashkuar aleancës perëndimore dhe Bashkimit Europian – me qëllim për të çimentuar një lidhje më të ngushtë historike midis dy kombeve, si dhe për një Europë dhe Ballkan më të paqë dhe më të sigurt për të gjithë.  Urime dhe Gëzuar Fitoren!
 
 Parakalimi me flamurin e kombit shqiptar në paradën me rastin e 20-vjetorit të fitores së forcave kroate mbi agresorët serbë, ku siç dihet kontribuan mjaftë edhe luftëtarë shqiptarë nga Kosova në fitoren kroate kundër agresorëve serbë.  

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GËZUAR FITOREN, KROACI!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT