• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DREJTË FITORES ME KEN BIBERAJ

September 2, 2013 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ne Foto: Ken Biberaj me autorin, me rastin e hapjes së fushatës së tij, Mars, 2012/

Po afrohet 10 Shtatori, 2013.  Kjo është dita e zgjedhjeve paraprake në qytetin e New Yorkut, ku shqiptaro-amerikani Ken Biberaj përballet me 6 kandidatë të tjerë të Partisë Demokrate në New York për të siguruar zgjedhjen nga votuesit e kësaj partie kandidat për  anëtar të Këshillit të qytetit të New Yorkut.   Ken Biberaj është tani i njohur mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe më gjërë, por edhe nga banorët e Lagjës së Epërme Perëndimore të qytetit të madh të New Yorkut, falë një fushate të organizuar shumë mirë, pothuaj me një përpikmëri të     përsosur, megjithëse këjo është hera e parë që Ken Biberaj zhvillon një fushatë për një kandidaturë politike.   Por megjithkëtë, Ken Biberaj nuk është fillestar as i panjohur i procesit elektoral të Amerikës, pasi ai ka shërbyer  si Drejtor politik  në fushatën për president të Senatorit Xhon Kerri, tani Sekretar Amerikan i Shtetit, në vitin 2004 dhe ka punuar për Fondacionin e presidentit Klinton.  Ai ka studjuar në Universitetin Amerikan në Uashington, në Universitetin Harvard dhe në Universitetin e New Yorkut.   Keni, pra në një moshë të re, ka arritur të ketë një  përvojë të pashoqe politike, akademike dhe të një biznesmeni me përvojë, që e kualifikon atë të bëhet një anëtar i suksesshëm  i Këshillit të qytetit të New Yorkut.  Për një vit e gjysëm, Ken Biberaj ka zhvilluar një fushtatë fillestare mbresëlënse, në përpjekje për të bindur banorët e zonës bashkiake numër 6 të Zonës së Epërme Perendimore të Manhatanit, se ai është kandidati më i përshtatshëm, më energjik dhe njëherazi kandidati më i mirë që ofron zgjidhje reale për problemet e zonës ku ai jeton. Si banor i asaj zone, ai ka theksuar gjatë fushatës se është njohës i mirë i problemeve me të cilat përballen familjet e asaj zone e cila, sipas tij, po ndryshon me një tempo të shpejtë.  Gjatë fushatës së gjatë, ai u ka bërë thirrje bashkqytetarve të vet që  të votojnë kandidaturën e tij në mbështetje të familjeve dhe tregtive të vogëla.
Keni i dha një energji të re fushatës për Këshillin e qytetit të New Yorkut.  Gjatë takimeve para zgjedhore me banorët e kësaj lagje, kandidati Ken Biberaj ka theksuar, ndër të tjera, tre arsyet e tija kryesore se pse ai dëshiron të zgjidhet anëtar i Këshillit të New Yorkut: për të përkrahur cilësinë e jetesës për të gjithë në Lagjën e Epërme të Manhatanit, për të  bërë të mundur investime të reja për zhvillimin e komunitetit në të ardhmen dhe për të mbështetur vlerat e zonës, të cilën ai dëshiron ta përfaqësojë në Këshillin e qytetit të New Yorkut prej pothuaj 10-milion banorësh.  Bazuar në   përvojën e tij politike, akademike dhe tregtare, Ken Biberaj  është kandidati më i mirë dhe më entuziast që, ashtu siç bëri gjatë fushatës,  do të sjellë energji, ide dhe përspektiva  të reja në udhëheqjen e këtij metropoli botëror.
Gjatë fushatës së tij, Keni ka mundur të bindë shumë personalitete të partisë demokrate dhe organizata të ndryshme që veprojnë në këtë zonë të Manhatanit, se ai është kandidati më i mirë ndër gjashtë kandidatët, që duhet të mbështetet duke hedhur votën e tyre dhe të anëtarve të organizatave të tyre për Ken Biberaj, javën që vjen, me 10 shtator.  Ndër përkrahsit entuziastë të kandidaturës së Ken Biberajt janë, ndër të tjerë, ish-goverantori i shtetit të New Yorkut, Dejvid Paterson dhe Shoqata me influencë  e Policëve të New Yorkut.  Duke njoftuar mbështetjen e tij për Ken Biberaj,  Ish-Governatori Paterson deklaroi: “Unë jam duke përkrahur mikun tim të ngushtë Ken Biberaj sepse ai beson në një rrugë më të mirë për të ardhmen e familjes së tij, për miqët  dhe për fqinjtë e tij, por edhe sepse ai përfaqëson një zë të ri dhe të freskët, i gatshëm për t’u angazhuar në procesin politik amerikan.”   Ish Governatori Paterson theksoi gjithashtu se, “gjatë bisedimeve të gjata që ka pasur me Ken Biberaj, në lidhje me problemet që prekin zonën bashkiake numër 6, Keni ka shprehur një qendrim pragmatik dhe realist në lidhje me ekonominë tonë dhe mbi periudhën në të cilën jetojmë, një qendrim ky që ësht unik dhe i rradhë.”    Gvernatori Paterson e cilësoi kandidatin Biberaj si një mendimtar me besim në të ardhmen, me një vision të jashtzakonshëm për të ardhmen e komunitetit ku jeton si dhe për cilësinë e jetesës së banorëve të lagjës.”
Ndërsa  kryetari i Shoqatës së Policëve, Patrik Linç u prononcua në mbështetje të ken Biberaj, duke thënë se, “Jam shumë i impresionuar nga angazhimi i Kenit ndaj çështjeve të rëndësishme për policët tanë si dhe për zotimin e tij për të ruajtur sigurinë e qytetit…..Keni ka energjinë, vizionin dhe gjykimin për të çuarpërpara qytetin e New Yorkut dhe këjo është arsyeja qe orgnaizata jonë po e mbështetë atë për anëtar të Këshillit të qytetit.” Edhe Liga e Votuesve të Nju Jorkut për Ruajtjen e Ambientit, ka njoftuar mbështetjen e Ken Biberaj për anëtar Këshillit të Nju Jorkut.  Presidentja e kësaj Lige, Marsha Bystryn tha me këtë rast se, “Ken Biberaj i njeh mirë çështjet dhe problemet me të cilat përballet Zona numër 6, dhe i mbarë qyteti i Nju Jorkut dhe jemi të bindur se ai do të bëjë ç’është e mundur për përmirësimin e rrethanave të ambientit për të gjithë banorët e Nju Jorkut.  Interesimi i tij për këtë çështje, pasqyron ineteresat më të mira për një ambient të shëndosh në zonën e tij dhe zgjedhja e tij është një hap pozitiv përpara, për lagjën e Epërme të Manhatanit,” theksoi Marsha Bystryn.

Ken Biberaj gjatë gjithë fushatës së gjatë ka premtuar se me zgjedhjen e tij, ai do të sjellë në Këshillin e Nju Jorkut, udhëheqje dhe ide të reja.  Të gjithë përkrahsit e Ken Biberaj — individë dhe organizata me rëndësi shoqërore dhe politike — i kanë arsyet e veta për të votuar për ‘të në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate të martën që vjen.  Por shqiptaro-amerikanët që jetojnë në zonën bashkiake numër 6, si dhe komuniteti më i gjërë shqiptaro-amerikan, kanë arsyen më të madhe, që të gjithë të përkrahim këtë kandidtaurë.  Të gjithë ata shqiptarë me të drejtë vote e që jetojnë në atë lagje duhet të shkojnë e të votojnë në favor të kandidaturës së Ken Biberajt.   Komuniteti shqiptar në Nju Jork tregoi seriozitetin dhe angazhimin e tij të vendosur politik me mbeshtetjen e madhe qi dhanë shqiptaro-amerikanit Mark Gjonaj, i cili u zgjodh si anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.   Kandidatura e Ken Biberaj është rasti i dytë dhe po aq i rëndësishëm sa i pari që komuniteti   javën e fundit të kësaj fsuhate,  të angazhohet me të gjitha mundësitë për të bërë të mundur fitoren e Ken Biberaj të marten që vjen.  Kush e njeh Kenin është i vetdishëm se ai ka punuar aq rëndë gjatë fushatës dhe ka një dëshirë të madhe për të fituar.   Le të bëjmë të pamundurën, në ditët e fundit të kësaj fushate — vullnetarë dhe mbështetës — ashtuqë që të martën mbrëma, komuniteti shiqptaro-amerikan të mund të festojë fitoren historike të Ken Biberaj në Këshillin e qytetit të Nju Jorkut, jo vetëm si një sukses i tij personal por edhe si një zhvillim historik dhe angazhim serioz politik i komunitetit shiqptaro-amerikan në procesin politik të Shteteve të Bashkuara.  Ken Biberaj ka përkrahjen e shumë votuesve dhe të organizatave dhe grupeve të ndryshme në lagjen ku jeton.  Por  një ndër grupeve që duhet të përqëndrohet në këtë fushatë janë  shqiptaro-amerikanët me të drejtë vote, në zonën elektorale  numër 6.  Këjo, për arsye se siç pata thënë në fjalën përshëndetse me rastin e hapjes së fushatës së Kenit marsin e vitit që kaloi, “Ken Biberaj është një histori suksesi e të rinjve shqiptarë të lindur dhe të rritur në Amerikë.  Ai është shëmbull i një historie personale që na bën të gjithë ne të jemi krenarë që jemi amerikanë dhe shqiptarë….Keni është një djal i guximshëm që shikon  vetëm përpara me vendosmëri të fortë, me dëshirën për të dhënë diçka më tepër për këtë komunitet dhe për vendin ku jetojmë — për të bërë pra diçka në shënjë falenderimi për Shtetet e Bashkuara — ky vend që ka bërë aq shumë për ne këtu si shtetas shqiptaro-amerikan të këtij vendi, por edhe për kombin tonë dhe për mirëqenjen e bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan”.

Jam i bindur se nëqoftse fiton, Ken Biberaj, do të japë kontributin e tij  të çmueshëm në qeverisjen vendore të këtij metropoli amerikan, si anëtar i ri në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut – dhe jam i bindur se do të ushtrojë detyrën e tij të re me një cilësi dhe stil të lartë moral e politik – duke bërë krenare familjen e tij dhe njëkohsisht edhe të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.

***
Një Biografi e shkurtër e Ken Biberaj:   Ken Biberaj ka një të kaluar të shkëqyeshme akademike dhe politike.   Para se të merrte diplomën e avokatit nga Universiteti i Nju Jorkut në vitin 2008, Keni ka diplomuar në Universitetin Amerikan në Uashington dhe ka marrë diplomën Master nga Shkolla Kennedy për Qeverisje e Universitetit të njohur Harvard në Boston.  Përveç diplomave prestigjoze akademike, përvoja e tij politike përfshinë punën që ai ka bërë  për fushatën e kandidatit demokrat për president Xhon Kerri (tani Sekretar Amerikan i Shtetit) në vitin 2004, dhe ka punuar për Presidentin Bill Klinton dhe për Fondacionin e tij.  Këjo përvojë në fushën politike me dy gjigandë të politikës amerikane, e bën Ken Biberaj një kandidat serioz për detyrën për të cilën shpresojmë të fitojë të marten.  Për punën dhe veprimtarinë e tij të dalluar akademike, politike si edhe në fushën e tregëtisë e të biznesit, Universiteti Amerikan në Uashington i ka akorduar atij Çmimin e “Një Ylli të Dalluar” me përspektiva të mëdha në jetë, duke u bazuar në kontributet e tija të konsiderueshme  të deri tanishme ndaj shoqërisë, nepërmjet punës së tij profesionale, politike dhe filantropike.  Keni, i cili thotë në biografinë e tij se për shërbim publik ai është frymëzuar nga babai i tij Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë – është i martuar dhe me bashkshorten Valerie dhe djalin e vogël Hadsën, jeton në lagjën ku pret të fillojë jetën politike nëqoftse zgjidhet anëtar i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut.  Ken Biberaj tani për tani punon si zevëndës president i lokalit të njohur dhe prestigjioz, “Russian Tea Room” në Nju Jork.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Drejt fitores, Frank shkreli, me Ken Biberaj

PRESIDENTI OBAMA DHE SIRIA

August 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama tha të mërkurën, në një intervistë me rrjetin publik televiziv amerikan, PBS se ai nuk ka vendosur ende nëse të urdhëroj ose jo një sulm ushtarak kundër regjimit të presidentit  Bashar Asad të Sirisë.   Megjithëse, shtoi ai, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ardhur në përfundimin se javën e kaluar, regjimi i diktatorit sirian Asad ka përdorur armët kimike kundër popullësisë civile të pafajshme – përfshirë edhe fëmijë në gjumë — ku sipas të dhënave kanë vdekur mbi 300-veta në një sulm të vetëm, përfshirë edhe gra e fëmijë, duke shkelur  kështu vijën e kuqe të deklaruar nga Presidenti Obama, para një viti.

Gjatë intervistës, presidenti Obama tha se nuk është aspak i interesuar për një konflikt të zgjatur në Siri, ndonëse, shtoi ai, Pentagoni i ka, “paraqitur atij opcionet e mundëshme për një ndërhyrhje ushtarake dhe tha se ai është duke zhvilluar bisedime intensive me këshilltarët e tij të sigurimit kombëtar”, në lidhje me këtë çështje.   Ai shtoi në intervistën me televizionin PBS se megjithëse nuk ka vendosur ende për ndonjë sulm se ku dhe kur ndaj regjimit sirian të Asadit, ai nënvijoi se duhet që të ketë pasoja ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike kundër njerëzve të pafajshëm,  “me qëllim që armë të tilla të mos përdoren më”.  Përdorimi i armëve kimike konsiderohet krim lufte dhe është i ndaluar me marrëveshje ndërkombëtare.

Gjatë intervistës, presidenti Obama dukej i bindur se ai është i sigurt se regjimi i Asadit është përgjegjës për sulmin me armë kimike të 21 gushtit, në periferi të kryeqytetit sirian.  “Ne kemi ardhur në përfundimin se regjimi sirian, në fakt ka përdorur armët kimike… dhe për këtë duhet të ketë pasoja ndërkombëtare”, ndaj atij regjimi, shtoi ai.   Edhe përfqasuesi i Kombeve të Bashkuara në Siri,  Z. Lakhdar Brahimi njoftoi  të mërkurën se provat dhe dëshmitë tregojnë se ajo që ai cilësoi si një “substancë kimike”, është përdorur kundër civilëve të pafajshëm në Siri.  Ai u tha tekstualisht kështu gazetarëve në Gjenevë: “Në lidhje me atë që ka ndodhur me 21 gusht të javës së kaluar, duket se është përdorur njëfarë substance që vrau shumë njerëz, qindra, definitivisht më shumë se 100, disa thonë 300, disa të tjerë thonë  600, ndoshta 1000, ndoshta më shumë se 1000”, u tha gazetarve në Gjenevë, përfaqsuesi i OKB-s për Sirinë, Z. Brahimi.

Dy tre ditë më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH) Xhon Kerri than ë Uashington se ajo që ka ndodhur në Siri, duhet të “shokojë ndërgjegjen e botës.”   Z. Kerri vazhdoi duke thënë se “Masakra pa dallim e civilëve dhe vrasja e grave dhe fëmijve të pafajshëm me armë kimike është një turp ndaj parimeve të moralit njerëzor”.   “E gjithë bota”, shtoi Z. Kerri, “duhet të jetë e shqetësuar  në lidhje me çdo kërcënim  ose përdorim të armëve kimike dhe këjo është arsyeja se pse bota është e përqëndruar  tani mbi gjëndjen në Siri”, tha krye-diplomati amerikan.   Zyrtarët më të lartë të Amerikës, përfshirë Presidentin Obama dhe zëvendës presidentin Bajdën, vazhdojnë të jenë në kontakt me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe gjetiu, në lidhje këtë çështje.

Ndërkaq, përpjekjet amerikane dhe të aleatëve të saj për  miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara,  për të dënuar Sirinë për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, kanë ngecur për arsye të asaj që zëdhënsja e DASH e cilësoi, “kokëfortësisë” ruse.  Zëdhënsja Marie Harf u tha gazetarve në Uashington të mërkurën se, “ne nuk shohim asnjë mundësi për të shkuar përpara, kur të merret parasyshë kundërshtimi rus për marrjen e ndonjë mase më rëndësi mbi Sirinë, nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.”   Rusia dhe Kina, përkrahse të regjimit të Asadit, pritet të përdorin veton mbi çdo rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të dënonte regjimin sirian për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë së pafajshme civile.

Atëherë ç’duhet bërë. Administrata e Presidentit Obama gjëndet përballë vendimesh të vështira në lidhje me këtë çështje, por është e detyruar  të bëj diçka pasi vet presidenti Obama një vit më parë ka deklaruar se shkelja e vijës së kuqe, dmth, përdorimi i armëve kimike nga regjimi sirian i Asadit do të  shkaktonte ndëryhrjen amerikane.  Duke marrë parasyshë mungesën e bashkpunimit diplomatik në OKB, Gazeta amerikane Nju Jork Tajms sugjeron në një editorial të saj dy ditë më parë se, “Zoti Obama mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, ashtu siç ndodhi me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, duke bashkuar një koalicion ndërkombëtar që do të mbështeste ndërhyrjen ushtarake….në përkrahje të civilëve sirianë.”  Nju Jork Tajms thotë edhe se, nëqoftse presidenti Obama zgjedhë këtë rrugë veprimi, ai atëherë, “do të ketë nevojë për një mbështetje të fortë nga Liga e vendeve Arabe dhe  nga Bashkimi Evropian.”   Dhe nëqoftse ai është i vendosur të ndërhyjë ushtarakisht, objektivi i sulmeve, sipas gazetës Nju Jork Tajms duhet të jetë, “ndëshkimi i presidentit Asad për masakrimin e popullit të vet me armë kimike dhe jo përzierja amerikane në luftën civile të atij vendi.”

Kriza në Siri ka shkatuar shqetësime të mëdha anë e mbanaë botës, përfshirë Evropën dhe Lindjen e Mesme.  Një numër  gazetash në Evropë, në editorialet e tyre, kanë shprehur përkrahje për ndëshkimin e presidentit Asad  për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile, një qëndrim ky që pasqyrohet në editorialin e gazetës irlandeze, “Ajrish Indipendent”, ku thuhet se “Nëqoftse komuniteti ndërkombëtar nuk ndëshkon përdorimin e tillë të armëve kimike kundër popullësisë civile, atëherë mund të thuhet se nuk ekziston asnjë autoritet moral në botë. Mos veprimi në këtë rast do u japë guxim shteteve të tjera despotike, duke rrezikuar dhe kërcënuar sigurimin në rajon”.  Gazeta irlandeze thotë se, megjithse Presidenti Obama është pragmatist, ai nuk dëshiron që të lejë pas një trashëgimi mungese të autoritetit moral duke mos ndaluar krimet kundër njerëzimit, gjatë mandatit të tij…..Megjitëse një ndërhyrje e tillë është plot rreziqe dhe me përfundime të panjohura dhe të paparashikuara, parseprap është një ndërhyrje e nevojshme”, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla, përfundon  komentin e saj gazeta irlandeze.

Ndërsa, Hans Hoyng dhe Kristof Reuter, në komentin e tyre për revistën  gjermane Der Spiegel, shkruajnë në lidhje me përdorimin e armëve kimike nga regjimi sirian se, “Kredibiliteti i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve të tyre perëndimorë është në dyshim.  Kushdo që deklaron që të mos kalohet vija e kuqe dhe pastaj kur kalohet vija e kque, nuk bën asgjë, është më mirë që të mos bëjë kërcnime të tilla në të ardhmen. Sulmi i fundit në Siri me armë kimike duhet të zhdukë rezervimet për një ndërhyrje ushtarake. Gazi helmues është i ndalur  ndërkombtarisht –ndalim i cili duhet të rspektohet.”

Dhe komentuesi, Ari Shavit i gazetës izraelite Haaretz, shkruan se, “Pranvera madhështore Arabe që u përkrah me entuziazëm nga Perëndimi, është këthyer tani një një ngjarje akopaliptike.  Asnjë person i denjë nuk mund të injorojë këto që po ndodhin.  Ajo që duhet të jetë një botë e qytetëruar nuk mund të heshtë më.  Nuk janë vetëm viktimat e pafajshme të Damaskut, por kemi të bëjmë me ekzistencën e konceptit të  një nacionalizmi të moderuar dhe qytetëruar arab si dhe me shpresën se Perëndimi ka ende njëfarë ndërgjegje….Nëqoftse civilët mund të masakrohen me gaz helmues në vitin 2013, pas asnjë ndëshkim, atëherë në gjëndemi përballë mbarimit të botës”, përfundon komentuesi izraelit.

Shtëpia e Bardhë thotë se administrata e Presidentit Obama, tani për tani, nuk ka marrë ndonjë vendim për një sulm ushtarak, megjithse tanimë presidenti ka në tavolinën e tij rekomandimet dhe opcionet për një sulm të tillë, nëqoftse ai vendosë të ndërmarrë një gjë të tillë.  Ndërkaq, analistët thonë se administrata Obama ngurron të përzihet në një luftë civile ndërkohë që me të drejtë i konsideron shumicën e grupeve kryengritëse si të pabesueshme.   Por duket se po arrihet një konsensus, si mbrenda ashtu dhe jashtë administratës – përfshirë edhe në radhët e aleatëve — se përdorimi i armëve kimike nga regjimi diktatorial i Asadit në Siri – kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme.

 

 

 

 

 

 

 
 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Obama dhe Siria

FJALËT E NËNË TEREZËS TINGËLLOJNË GJITHNJË AKTUALE

August 26, 2013 by dgreca

Në kujtim të 103-vjetorit të lindjes/

Nga Frank SHKRELI/

Anë e mbanë botës, përfshirë edhe në kryeqendrën e urdhërit të Nënë Terezës në Kalkuta, u festua me lutje të posaçme 103-vjetori i lindjes së Nënë TerezeS, në përkujtim të mësimeve dhe trashëgimisë së saj dhe njëkohsisht për të kërkuar bekimet e saj.Age Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar, e njohur anë e mbanë botës për punën e saj të palodhur në shërbim të varfëreve, të sëmurve dhe atyre në prakë të vdekjes, lindi në Shkupin shqiptar 103 vjetë më pare, më 26 gusht, 1910.   Me  shembullin e veprës së saj dhe të dashurisë personale për të afërmin sa ishte gjallë,  — megjithse ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë —  ajo nepërmjet  veprimtarisë të motrave të  Kuvendit të saj në më shumë se 120-vende të botës, vazhdon misionin e saj edhe sot duke  u ngjallë shpresat  të pa shpresëve.   Ajo  gjithnjë vazhdon të frymëzojë botën, ashtu që besimin në diçka më të madhe se ne, ta përdorim për punë të mira dhe për një dashuri më të madhe për njëri tjetrin.  Vepra dhe fjalët e sajë vazhdojnë të tingëllojnë gjithnjë si udhëzim dashurie për të gjithë njerërzit, si për katolikët ashtu edhe për jo katolikët, pa marrë parasyshë besimet ose dallimet e tjera anë e mbanë botës.   Bija e kombit shqiptar, edhe në këtë 103 vjetor të lindjes së saj vazhdon të konsiderohet nga bota si një shembull altruizmi, bazuar në punën e saj dedikuar më të varfërve të botës.  Ajo ishte shembull i dashurisë së njeriut për njeriun, në veprim!  Për këto kontribute ndaj botës, Nënë Tereza kishte marrë disa çmime prestigjoze, përfshirë edhe Çmimin Nobel për paqë për punën dhe veprimtarinë e urdhërit të saj për shërbimet humanitare ndaj shoqërisë dhe njerëzimit.

Ky mesazh i Nënë Terezës, dashuria për njërin tjetrin, është sot më i nevojshëm se kurrë – në çdo nivel të jetës së njeriut — ndërkohë që bota po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe politike si dhe me ndasi, kryengritje shoqërore dhe ndasi fetare.  Në këtë pasiguri botërore, njerëzit kanë nevojë për diçka më tepër, për diçka më me vlerë, për diçka me një substancë më të theksuar shpirtërore, për një objektiv e qëllim më të lartë për ta bërë ekizstencën tonë në këtë tokë më të lehtë dhe më të lumtur.   Nënë Tereza me trashgëminë saj dhe me fjalët e saja të pasqyruara dhe të dokumentuara në qindra libra e artikuj e intervista, na mëson të duam njëri tjetrin, me qëllim jo vetëm të mbijetojmë por edhe si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, të kontribojmë në këtë botë, që sado pak të ndihmojmë në përmirësimin e jetës për të gjithë, e sidomos për ata që janë të “varfërit e më të varfërve” –sipas sajë, gjithmonë me dashuri  për të gjithë dhe nepërmjet dashurisë për njëri tjetrin, si krijesa me të drejta dhe obligime të barabarta para Perendisë.

Ndërkohë që bota, për arsye ideologjike, materiale dhe ndasive të ndryshme,  përballet me terrin e shpirtit dhe me mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë qëndron para botës si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku ai jeton.

Kjo shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për vepra të mëdha.  Vetë Nënë Tereza nuk besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për këtë arsye, trashgëmia e kësaj murgeshe katolike me origjinë shqiptare mbetet edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë.

Nënë Tereza e shihte misjonin e vet në këtë botë si një thirrje për të ndihmuar më të varfërit, dhe për të dashur më të afërmin, si një doemosdoshmëri këjo e nevojshme për paqë  jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri dhe në botë.   Për veprimtarinë e saj në këtë fushë, në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqë, “Për punën e sajë në përpjekjet për të mposhtur varfërinë, vuajtjet dhe mjerimin, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim ndaj paqës në botë.”

Për një kohë të gjatë, Nënë Tereza kryente misjonin e saj në vetmi dhe larg interesimit dhe vëmendjes së medias botërore.  Por më 1967, gazetari i njohur i BBC-së Malcolm Muggeridge, mori në intervistë Nënë Terezën, për të cilën deri atëherë, bota nuk kishte dëgjuar shumë.  Pas kësaj interviste, media ndërkombëtare, sidomos ajo perëndimore filloi t’i kushtonte vëmendjen personit dhe punës së Nënë Terezës.  Mediat amerikane e trajtuan atë si një “super-star”.  Ndër të tjera, në atë kohë, gazeta Nju Jork Tajms e deklaroi atë në faqen e parë, si “Një shënjtëreshë të gjallë”, dhe revista Tajms e cilësoi Nënë Terezen si “lajmëtaren e dashurisë dhe të lumturisë” në botë.   Fillimisht, e gjithë këjo famë nuk i pëlqente Nënë Terezës, por me kohë ajo mësoi ta përdorte mjeshtërisht interesimin e medias për punën e sajë, për të përqendruar vëmendjen ndërkombëtare mbi gjendjen e mjerueshme të të varfërve të kësaj bote dhe si një mjet për realizimin e misionit të saj për të ndihmuar më të varfërit dhe të mjeruemit anë e mbanë botës.  Nepërmjet medias, ajo mundi të tërhiqte vëmendjen e personaliteteve më të njohura botërore politike, kulturore e të tjera, si edhe të qeverive dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën e  Kombeve të Bashkuara, para të cilës ajo ishte ftuar të fliste disa herë.
Duke e parë rëndësinë që kishte media si dhe rolin pozitiv që ajo mund të luaj në një shoqëri, Nënë Tereza, me një rast  është shprehur kështu duke iu drejtuar përfaqsuesve të medias: “Shkruani të vërtetën……Mos shkruani vetëm me qëllim për të bërë bujë ose për të provokuar reagime.  Njerëzit do të bëhen produkt i asaj që lexojnë.  Dikush ka thënë se, ‘më thuaj se çka lexon dhe të tregoj se kush je’.  Ata të cilëve Perëndia u ka falë fuqinë, aftësinë dhe talentin, duhet t’i përdorin ato vetëm e vetëm për të adhuruar Atë, dhe për të mirën e të tjerëve.”

Media ndërkombëtare në përgjithësi e ka trajtuar Nënë Terezën dhe punën e saj me respektin që ajo meriton.  Nuk jam i sigurt nëse këjo mund të thuhet edhe për median shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi.  Në një kryeartikull të ditëve të fundit, me titull, “Dy skaje të Krishtërimit që nisën nga trojet tona”, Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane, Illyria shkruan mbi Konstandinin e Madh dhe mbi Nënë Terezen, si“figura globale dhe historike” të kombit tonë.  Ruben Avxhiu,  shkruan ndër të tjera se, “Nënë Tereza u bë një nga simbolet e epokës sonë për shkak të shembullit të saj të shërbimit humanitar e vetëmohues në një periudhë të shpërthimit materialist….murgesha me prindër shqiptarë ndikoi personalisht te udhëheqësit më të njohur botërorë të kohës.”  Ruben Avxhiu thotë se të dy këto figura historike të kombit tonë lakmohen nga fqinjtë tanë në Ballkan “për arsyen e imazhit publik dhe të rëndësisë së simbolit historik” dhe me të drejtë shpreh habi, si edhe shumë vërejtës të tjerë kohët e fundit, se si  “disa myslimanë shqiptarë, sidomos të moshës së re, kanë filluar gjithashtu t’i quajnë këto figura si “sllave”, dhe shpreh keqardhjen  e tij për “urrejtjen ndaj Nënë Terezës”, duke përfunduar se, “në fund të fundit, ajo për çfarë ka pasur më shumë nevojë kjo tokë e ky komb ka qenë dhe mbetet gjithmonë një dimension i plotë tolerance e lirie.”  Nënë Tereza do ishte dakort!

Në një njoftim për median, Kuvendi i Nënë Terezës tha se 103 vjetë më parë, “Zoti i fali botës Nënë Terezën, ashtuqë bota ta dijë se është e dashur për Të dhe se të gjithë jemi fëmij të Perendisë, vëllëzër e motëra me njëri tjetërin….Në botën e sotëme, Nënë Tereza, ashtu siç bëri edhe gjatë jetës së saj, na mëson që të duam njëri tjetërin…”, pa dallim feje, besimi ose ideologjie.  Mesazh ky për të gjithë njerëzit pa dallim, dhe për të gjithë epokat.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 103 vjetori i lindjes, Frank shkreli, se Nene Terezes

QETSOHUNI TË GJITHË- 2013 NUK ËSHTË 1992

August 22, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Është ndezur media dhe interneti, por edhe politikanët shqiptarë kanë dale nga binarët e trenit me reagimet e tyre nga një deklarate të ditëve të fundit të ambasadorit amerikan në Tiranë, Z. Aleksandër Arvizu, i cili duke komentuar mbi zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, citohet të ketë thënë pardje në Jale të Vlorës se,  “Zgjedhjet e 23 qershorit, 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”.  Po të lexosh reagimet ndaj kësaj deklarate duket sikur Ambasadori Arvizu hodhi një bombë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane. Tani, pa marrë parasyshë deklaratën e ambasadorit Arvizu, duhet të jemi të qartë, por edhe të sinqertë se Shqipëria e vitit 2013, nuk është Shqipëria e vitit 1992, në asnjë mënyrë, as nga pikpamja e zgjedhjeve, as nga pikpamja e asgjëje.  Sa për informacion, për ata që ndofta nuk e kanë parë Shqipërinë e vitit 1991-1992, ose për ata që me dashje dhe për dobi politike,  preferojnë të harrojnë të zezat e regjimit komunist të Enver Hoxhës —  unë isha atje me delegacionin e parë e diplomatik amerikan në atë kohë dhe u garantoj se Shqipëria e sodit  ndryshon me Shqipërinë e viti 1992, si dita me natën, nga çdo pikpamje, për më mirë.

Ai qe mendon ndryshe e ka humbur busullen e arsyesë dhe të gjykimit të së drejtës dhe të vërtetës. Nuk jam i sigurt se çfarë ka dashur të thotë ambasadori Arvizu me deklaratën e tij në Vlorë, por jam i mendimit se edhe ai e sheh tani se mund ta ketë thënë këtë gjë në një mënyrë tjetër  dhe nuk është vonë që të thotë, “What I actually meant to say is……. “, ajo që në të vërtetë deshta të thoja është…..Sepse edhe ambasadorët, njerëz janë, bëjnë gabime, gafa dhe jam i sigurt se Z. Arvizu e pranon se edhe ai në kapacitetin e tij si përfaqsues i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, dhe më pare gjatë karjerës së tij, ka thënë gjëra që mund ti kishte komunikuar ndryshe.   Por ambasadori duhet të jetë i kujdesshem dhe t’i mate fjalët me kujdes sidomos në një atmosferë të polarizuar politike dhe mediatike si ajo e Shqipërisë. Duhet të jetë i vetdijshëm, se çdo fjalë që ai thotë do të interpretohet për tua përshtatur qendrimeve dhe interesave politike të momentit të palëve të ndryshëme politike dhe medias shërbetore të tyre.  Është i çuditshëm fakti se edhe sot  pas 20 vjetë marrëdhënjesh midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqipërisë, klasa politike shqiptare por edhe media që e ndjekë e përkrahë atë, ende nuk e kanë kuptuar  esencën e zhvillimit dhe qellimin e këtyre marrëdhënjeve.    Shpeshëherë edhe   ambasadorët amerikanë, dashtë e pa dashtë, kanë renë viktima të këtij menatiliteti politik e mediatik, ku ecuria e këtyre marrëdhënjeve dhe deklaratat e ambasadorëve amerikanë — duke u nxjerrur krejtsisht nga konteksti — përdoren nga njëra ose tjetra palë për qëllimet e tyre politike të momentit.  Kur  më përshtatet mua, ambasadori flet në emër të Shteteve të Bashkuara, por kur ai thotë diçka që nuk më pëlqen mua, atëherë ambasadori amerikan flet në kokë të vet dhe nuk përfaqëson Amerikën. Këjo fatkeqsisht ka qenë vazhdimisht vlerësimi i punës së ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.

Fatkeqsisht, kështu ndodhi edhe kësaj radhe.  Ajo që tha Arvizu në Vlorë, jo vetëm atribohet atij me seriozitetin më të madh, sikur ai  I vuri vulën, e tha Arvizu, tani nuk e luan toka!  Por, për më tepër, për të përdorur këtë deklaratë për qëllimet e veta politike kundër pales tjetër, thuhet se ambasadori Arvizu e bëri ketë deklaratë në emër të Shteteve te Bashkuara.  Madje, ministri i ardhëshëm i punëve të jashtëme të Shqipërisë Ditmir Bushati, duke komentuar deklaratën e Ambasadorit Arvizu në Vlorë — në një përpjekje shterpë për të përfituar pikë për partinë e tij nga një gafë — tha se Arvizu flet në emër të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar  qeverisë në ikje, ministri i ardhëshëm shqiptar tha se ata “Nuk duan të kuptojnë që Ambasadori është përfaqësues i Presidentit dhe flet në emër të SHBA?! ”

S’ka lojë!  Këtë, sipas Z. Bushati, e vulosi ambasadori amerikan, Shqipëria e 2013 është si Shqipëria e 1992 dhe tani jemi ne kalorësit e ketij vendi që do ta bëjmë Shqipërinë lule.  Nëqoftse ministri i ardhëshëm i punëve të jashtëme i Shqipërisë – i cili do të ketë përsipër zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve — mendon se Amerika nuk ka  problem të tjera veç të udhëzoj ambasadorin e vet në Tiranë se çdo të thotë çdo ditë dhe se deklarata e  Z. Arvizu në Vlorë, është me të vertetë qendrimi zyrtar i Amerikes, atëherë… Besoj se edhe vet ambasadori Arvizu do të thonte se për çdo gjë që prononcohet në Shqipëri, ai nuk shprehet me doeomos në emër të Shteteve të Bashkuara.  Por është e vërtetë se ai është përfaqsues i presidentit dhe i adminstratës amerikane në fuqi, por nuk besoj që ai të jetë  këshilluar me Departamentin e Shtetit Amerikan per  komentin, tani famkeq, që ai bëri duke krahasuar zghedhjet e vitit 1991 dhe ato të këtij viti.

Nga ana tjeter, maxhoranca në ikje, të pakën nepërmjet një zëdhënsje, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila sipas medias shqiptare vuri në shënjestër përfaqsuesin amerikan për deklaratëpn e tij në Vlorë,  u shpreh ashpër dhe në mënyrë denigruese ndaj  Ambasadorit amerikan duke thënë se “Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël!  Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike.”

Ndonëse, Zoti Arvizu kësaj radhe, pa dashje, mund të ketë shkaktuar vet ketë rrëmujë në media si dhe reagimet e ndryshme politike me deklaratën e tij të pakujdesëshme në Vlorë — edhe kësaj herë si gjithëherë më parë, ato që thotë një përfaqsues amerikan —  lëvdohen nga njëra dhe kritikohen e denigrohen nga tjetra palë, varësisht interesave politike partiake të momentit. Fatkeqsisht, këjo bëhet nga të dy palët, gjithmonë pa marrë aspak parasyshë interesat afatgjata të mbarëvajtjes së  marrëdhënjeve strategjike shqiptaro-amerikane, për kombin shqiptar. Kështu ka ndodhur me secilin ambasador amerikan në Tiranë gjatë këtyre 20 vjetë marrëdhënjesh diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.  Fatkeqsisht asnjëri prej tyre nuk është larguar nga Tirana, pas mbarimit të mandatit të tyre, pa kritika nga njëra ose tjetra palë.  Ky trajtim, megjith të metat që mund të kenë pasur ata si njerëz dhe si diplomatë, nuk është i denjë për përfaqsuesit e një vendi e miku të madh që vetëm ia ka dashur dhe ia do të mirën kombit shqiptar.

Marrëdhënjet diplomatike miqësore të Shteteve të Bashkuara me kombin shqiptar nuk qenë dhe as nuk janë me një parti politike ose me një tjetër, as me ndonjë politikan ose grup politikanësh, por me popullin shqiptar dhe në interesin afatgjatë të shqiptarëve. Prandaj, qetsohuni, Amerika do të jetë aty, si gjithmonë për kombin shqiptar, për derisa Shqiptarët të dëshirojnë një gjë të tillë.

Në të njëjtin takim në Vlorë foli edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, (BE) Ettore Sequi, i cili nënvijoi sfidat me të cilat përballet Shqipëria për antarësimin e saj në BE, ku ai theksoi  veçanërisht zgjidhjen e çështjes së pronësisë, një çështje këjo gjithnjë e pazgjidhur për shumë shqiptarë dhe njëra nga trashëgimitë e zeza të sistemit komunist që u rrëxua më 1991.

Politikanët shqiptarë dhe media që i shërben atyre, do bënin më mirë që tu kishin venë veshin më me kujdes fjalëve të ambasadorit Sequi, që Shqipëria të plotësojë standardet dhe kërkesat evropiane për antarësim – gjë që për çdo politikan të ndërgjegjshëm shqiptar — duhet të jetë një përparsi këjo e interesit kombëtar për të gjithë  – në vend që të harxhojnë kohë e të prishin kot nervat nga një “lapsus linguae” e ambasadorit amerikan.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, nuk eshet Shqiperia e 1992, qetsohuni, Shqiperia e 2013

“LE TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË”- 50-VJETË NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UT

August 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte muaji gusht i vitit 1963.  Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizja për të drejtat civile e udhëhequr nga prifti protestant, i përndershmi Martin Luther King, kishte arritur kulmin.  Ajo ishte një lëvizje, misioni i së cilës ishte për të siguruar të drejta të barabarta për shtetasit zezakë afrikano-amerikanë  dhe kundër diskriminimit të tyre në aktivitetet e jetës së përditshme në këtë vend.  Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje që t’i siguronte popullit të vet të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën  “ëndërrën amerikane.”Qendra Martin L. King në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxha, në një njoftim për mediat në lidhje me këtë pëvjetor,  shpalosi planet për festimin prej dhjetë ditësh të këtij përvjetori, njëkohësisht u bën thirrje komuniteteve në Amerikë dhe anë e mbanë botës që të marrin  pjesë në përkujtimin e këtij përvjetori duke u rënë kambanave, (me 28 gusht,në ora 3 pa dreke, sipas orës së Uashingtonit), në kujtim të njërit prej fjalimeve më historikë të shekullit të kaluar, fjalim ky që ndryshoi  përgjithmonë Amerikën dhe pati jehonë anë e mbanë botës.

Vajza e Martin L. King-ut,  Bernice King u bëri thirrje komuniteteve të ndryshme anë e mbanë botës që të adaptojnë programe përkujtimore, që sipas saj, “të bashkojnë njerëzit me pikpamje të ndryshme politike dhe kulturore, ashtuqë të festojmë humanizmin e përbashkët në mënyra krijuese dhe shpresëdhënse, në frymën e “ëndërres” së Martin Luther King-ut.

Fjalimi u mbajtë në datën 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit , “Marshimi në Uashington”,  ku morën pjesë mbi 250-mijë marshues, përfaqsues të të gjitha racave, para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington.   Marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi.   Thirrja e marshuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet.

Sipas historianëve dhe bashkpuntorve të ngushtë të tij, Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër.  Por pjesën më të rëndishme, për të cilën ky fjalim mbet në histori, ai nuk e kishte të shkruar.   Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai largon mënjanë fjalimin e shkruar dhe i drejtohet turmës me këto fjalë:

“Unë u them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit dhe të nesërmës  – unë gjithnjë ëndërroj.  Është këjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane. Është një ëndërrë, se një ditë ky komb do të zgjohet dhe do të  jetojë sipas, nenit themelor të kushtetutës, se ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të barabarta.’

Atëherë  sikur deshti që pësëri  të theksonte ‘ëndërrën’’ e tij përtej drejtësisë dhe barazisë midis racave, ai foli për një të ardhme që tejkalonte edhe ndryshimet raciale, duke thënë se, “Ëndërrojë se një ditë në kodrat dhe logjet e shtetit Xhorxha, bijtë dhe bijat e ish-skllevërve dhe bijtë e bijat e ish-skllavo-pronarëve do të kenë mundësinë të ulen së bashku në të njëjtën sofër të vëllazërimit….Ëndërroj se një ditë, katër fëmijtë e mi do të jetojnë në një vend, ku ata nuk do të gjykohen për nga ngjyra e lëkurës së tyre, por për nga karakteri i tyre.”

Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut 50-vjetë më parë, që pothuaj askush nuk e parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit, të vitit 1963.  Ishte e vështirë të parashikohej  50-vjetë më parë – ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun — se, sot në 50-vjetorin e këtij fjalimi historik,  do të ishte një president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, ai i cili do të kryesojë festimet me rastin e këtij përvjetori, ku sipas organizatorëve, do të fillojnë në Atlanta dhe do të vazhdojnë në Uashington për gjithsejt 8 ditë, dhe ku pritet të marrin pjesë me qindra mijëra veta nga Amerika  dhe qindra mijëra të tjerë anë e mbanë botës.  Përfshirë ish-presidentë, kongresmenë e senatorë dhe zyrtarë të qeverisë federale,  si edhe përfaqësues të lartë ndërkombtarë dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombtare.

Më 28 gusht, ditën aktuale të 50-vjetorit të mbajtjes së fjalimit historik, do mbahet një shërbim ndër-fetar në Uashington para ceremonive dhe para se  Presidenti Barak Obama të mbajë fjalimin e rastit,  në shkallët para monumentit të Abraham Linkolnit, ekzaktërisht aty ku 50-vjetë më parë mbajti fjalimin e tij i Përndershmi Martin Luter King, duke i deklaruar kombit dhe botës, se “ Ëndërroj se do vijë dita kur të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të bardhë e zezakë, hebrejë dhe të tjerë, përfshirë katolikët dhe protestanët do të bashkohemi dhe dora dorës të këndojmë së bashku se më në fund jemi të lirë, jemi të lirë më në fund – dhe falenderojmë të Madhin Zot, se më në fund me të vërtetë jemi të lirë.”

Për lexuesit anglisht-folës do të rekomandoja që pot ë kenë mundësi të  ndëgjojnë këtë fjalim në youtube. Është 17-18 minuta i gjatë por është me të vërtetë një fjalim klasik për nga përmbajtja po se po, por edhe për nga mënyra e të shprehurit të këtij oratori të madh.  Është një fjalim plot pasion që të frymëzon për të mbrojtur drejtësinë, është si një gjëmim kundër padrejtësisë, por është njëkohsisht  edhe një fjalim shprese për një ditë më të mirë për të gjithë  bijtë dhe bijat e Perëndisë.  Është këjo një thirrje nga një gjuhë biblike që mundë të keqen me të mirën, nga goja e një predikatori Baptist protestan, por edhe një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij ndaj këtij kombi dhe mbarë njerëzimit.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, i M Luter King, nga fjalimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT