• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100-VJETORI I COPËTIMIT TË SHQIPËRISË

August 2, 2013 by dgreca

Ne Foto: Përballë dallgëve të historisë, të bashkuar rreth një ideali, të një mendimi dhe të një qëllimi.  (Isa Boletini, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi)/

Nga Frank Shkreli/

29 Korriku, 2013 shënoi 100-vjetorin e Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane të kohës mbajtur në Londër më 29 Korrik, 1913.  Disa historianë mund e shikojnë këtë datë si një datë e miratimit përfundimtar të pavarësisë së Shqipërisë, por në të vërtetë, është 100-vjetori i vendimeve të copëtimit të trojeve shqiptare, i cungimit  të Shqipërisë natyrale,  ashtu sikur shqiptarët me mija vjetë në trojet e tyre autoktone,  të ishin plaçkë tregu në duartë e fqinjve të mbështetur nga fuqitë e mëdha të kohës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.  U vendosën kufijtë krejtsisht artificial duke hedhur poshtë dhe duke mos marrë në konsideratë faktet historike, etnike, linguistike dhe gjeografike të shqiptarëve.  Konferenca e ambasadorëve në Londër, këputi për gjysëm kombin shqiptar, i fali Greqisë Çamërinë me kryeqytetin e saj historik Janinën.  Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni i jepen Serbisë, dhe Mali i Zi merr Ulqinin, Tivarin, Plavë e Guci dhe ndanë Malësinë e Madhe për gjysëm duke i falë  Knjazit pjesë të mëdha të Malësisë megjithëse nuk kishte asnjë sllav malazias në ato anë. Por megjithëse duke jetuar në trojet e veta me shekuj, shqiptarët autoktonë të  Kosovës  dhe Shqipërisë veriore, përveç përpjekjeve të suksesshme diplomatike të fqinjve për të asgjësuar kombin shqiptar duke e copëtuar dhe duke e ndarë midis tyre, ata njëkohsisht me diplomacinë e ndyrë të tyre, filluan spastrimin dhe ndërmorën një gjenocid kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre.   Ishte këjo edhe periudha e progaganadës serbe e greke në gazetat e asaj periudhe që përpiqej ti tregonte botës për “egersinë” e shqiptarëve  dhe  si të tillë, sipas tyre,  ata duheshin ”kulturuar” nga “kultura” serbe dhe greke, ose të zhdukeshin fare si popull.  Këtë ata e bënë me efikasitetin më të madh, duke djegur dhe  shfarosur fshatra të tëra shqiptarësh, siç vihej në dukje në një raport të entitetit humanitar amerikan, Carnegie të vitit 1913.

Siç ndodhi fund shekullin e kaluar me tragjedinë e Kosovës,  ashtu edhe 100-vjetë më pare, ishte Amerika ajo që me këtë raport i hoqi maskën dhe zgjoi ndërgjegjen e botës së atëhersheme, mbi krimet dhe gjenocidin e bërë kundër fisit më të lashtë të Ballkanit, Shqiptarëve.    Raportin i vitit 1913 I përgatitur dhe botuar nga Instituti Carnegie, i cili kishte dërguar  një delegacion në Kosovë dhe në Shqipërinë e  Veriut për të parë gjëndjen për së afërmi se ç’po ndodhte atje,     dërguar Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera,   përshkruan atë që kishin parë anëtarët e komisionit:  “Djegie shtëpishë e fshatrash, vrasje me grumbuj mbi popullsinë e çarmatosur e të pafajshme shqiptare, përdhunime që nuk janë parë kurrë më parë, rrëmbime dhe brutalizime të të gjitha lllojeve.   Këto janë mjetet që përdorin trupat serbe dhe malazeze — dhe po përdorin gjithnjë — me qëllim për ta ndryshuar fizioniminë ethnike krahinave që banohen prej Shqiptarësh.”

Edhe sjelljet e  grekëve në jug të Shqipërisë dhe në Çamëri, sipas Edith Durham që kishte vizituar ato zona,  nuk ndryshonin për nga brutaliteti kundër popullsisë shqiptare të këtyre trojeve, duke vrarë e prerë pa mëshirë dhe duke përdorur barbarizmat, vrasjet dhe djegëjet e shtëpive dhe fshtarave shqiptare, ashtu siç bënin sllavët në  anë e mbanë trojeve shqiptare në veri.

Historia e kombit shqiptar ka pësuar tragjedi të papërshkuara, por rrënjët e tij, megjith tundjet e rënda shekullore, kanë qëndruar të patundura. Këjo, falë patriotëve të mëdhej të kombit të cilët megjithë vështirsitë nuk humbën kurrë drejtimin dhe të cilët me largpamje u kanë qëndruar besnikë vlerave dhe bashkimit të kombit.

Ndonëse vetëm 100-vjetë më parë u krijua shteti gjysmak shqiptar, sipas Naim Frashërit, ”Bota që kur është zënë, Shqipërija gjallë ka qenë.”   Në këtë përvjetor, u takon autoriteteve të sotëme kombëtare të jenë të ndërgjegjëshëm dhe njëkohsisht mbi ta bie përgjegjësia  politike dhe morale për të kultivuar një besim të patundur për një të ardhme më të mirë për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ashtu që të bashkuar, të tejkalohen problemet kombëtare të së kaluarës dhe me guxim e vëndosmëri të  shkohet kah e ardhmja përballë rreziqeve dhe furtunave që mund të dalin përpara.  Për liri e pavarësi, Shqiptarët kanë luftuar gjatë gjtihë historisë. Por a kanë qenë të bashkuar.  Kurrë si në kohën e Gjergj Kastriotit-Skenderbe.  Andaj, duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën, të shkohet me besim të patundur përpara, por pa tradhëtuar të kaluarën, pa nepërkëmbur kultin e shqiptarizmit.  Megjithë hallet e tyre, Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë se sot dhe më vetvendosës për fatin e tyre se sot.   Prandaj, ky realitet i ri, le të shërbej si premtim për të ardhmen, për tu renditur me nder në radhën e kombeve të përparuara.   Këjo është përgjegjëgjësia e vet shqiptarëve dhe e udhëheqsve të tyre, dhe jo  e konferencave anti-shqiptare  ose e vendimeve të autoriteteve të ndryshme ndërkombëtare. Por Shqiptarët nuk do të  jenë të vetdijshëm për një të ardhme më të miër për veten, nëqoftse nuk e kuptojnë me të vërtetë historinë  si dhe natyrën dhe origjinën e tyre kombëtare.

Përpjekjet the thirrjet nga jashtë për të rishqyrtuar me qëllim për ta bërë ndryshime në historinë e kombit shqipatr  dhe flirtimet në vet radhët e shqiptarëve, nga njëherë edhe në nivele të larta poltike si në nivel parlamenti, që kanë përfunduar   me deklarata të papërgjegjëshme kohët e fundit, duke mohuar historinë dhe heronjtë kombëtarë të Shqiptarëve si Gjergj Kastrioti – Skenderbe.    Këto përpjekje dhe tendenca, sidomos në radhë të vet shqiptarëve, janë aq të rrezikshme për ekzistencën e kombit shqiptar dhe për ndryshimin e fizionomisë së tij,  sa ishte edhe Konferenca e Londrës 100-vjetë më parë, qëllimi i së cilës ishte që më në fund, nepërmjet coptimit të trojeve shqiptare, të zhdukej kombi shqiptar si entitet dhe si fisi më i vjetër i Ballkanit.   Siç duket, ky është gjithnjë objektivi i disa elementëve të jashtëm dhe i fqinjve të Shqiptarëve, të cilët nga ana e tyre, 100-vjetë e këndej, nuk kanë pushuar kurrë përpjekjet e tyre për të zhdukur racën shqiptare nga faqja e dheut dhe për të ndryshuar fizionominë e Shqiptarve, në çfardo qoftë, ashtuqë ajo të mos mbetet ajo që është: Shqiptare. Vet shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre armiqve të kombit dhe infleuncave të huaja, të cilët gjatë gjithë historisë i kanë paraqitur Shqiptarët si një grumbullim organizimesh primitive.

Është kritike që forcat e shëndosha të kombit, sidomos ato me përgjegjësi politike, kulturore dhe fetare të jenë të vetdijshëm mbi përçarjet serioze që ekzistojnë dhe të njohin natyrën e këtyre forcave që kanë çuar kokë kohët e fundit dhe të cilat siç duket kanë për qëllim për të gërryer dal ngadalë nga vlerat, nga mirëkuptimi dhe nga bashkimi shpirtëror dhe aktual kombëtar i Shqiptarëve.  Këjo është me rëndësi për vet Shqiptarët, por edhe para syve të botës.  Është detyrë dhe përgjegjësi personale e çdo shqiptari, por sidomos e atyre që sot kanë në dorë fatin e kombit – që me energji morale dhe guxim civil — të promovojnë NJË dhe të vetmin identitet kombëtar të të gjithë Shqiptarëve, besimin e plotë në të, nepërmjet unitetit kombëtar dhe të promovojnë politika kombëtare, si dhe vetitë etnike të kombit dhe herojtë e tij, që do të forcojnë identitetin e kombit dhe do të nderojnë gjakun shqiptar, anë e mbanë trojeve tona.

At Gjergj Fishta i cili në veprat e tija u këndon gjithmonë hidhërimeve dhe gëzimeve të historisë së Shqiptarëve, këngën e fundit të Lahutës së Malësisë ia kushton “Konferencës së Londonit”, duke hyrë në temën e konferencës dhe megjith pasojat e rënda të vendimeve të saja, At Fishta gjënë arsye të këndojë me optimizëm duke thënë se 100-vjetë më parë, mbi kalatë e Shqipërisë valvitë Flamuri Kombëtar, “Porsi fleta e Engjllit të Zotit”.  Brohorisin, thotë poeti kombëtar, fusha e male, sepse,

“Për inat të Shkjeve të Ballkanit

Për gazep të atij Sulltanit,

Si premtue kish Perendija

Prapë zojë m’vedi duel Shqipnia”.

Në këtë 100-vjetor të copëtimit të trojeve shqiptare dhe cungimit të tokave të Arbërit, dëshira e të gjithë Shqiptarëve është që Shqipëria të jetë gjithmonë Zojë më vete, dhe që Shqiptarët të jenë të bashkuar me një ide, të një mendjeje dhe një qëllimi. Ashtu qoftë mot pas moti.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: 100 vjetori, Frank shkreli, i copetimit te shqiperise

CIRKUSI POLITIK NË NJU JORK

July 30, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në Shtator mbahen zgjedhjet vendore në qytetin e New Yorkut për Kryetar Bashkie, për anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe poste të tjera administrative të këtij qyteti.  Thuhet këtu në Amerikë se politika është krejtsisht vendore (all politics is local) dhe si e tillë politika vendore është shumë më e rendësishme për interesat jetësore të përditshme për banorët e qyteteve, rretheve administrative e tjera, në krahasim të themi me politikën kombëtare dhe ndërkombëtare që përpilohet në Uashington.  Këjo ndodhë sepse udhëheqsit politikë vendorë janë ata që me të vërtetë ushtrojnë dhe zbatojnë një politikë kritike që prekë  nevojat dhe interesat, në përgjithësi hallet e banorëve vendas, duke filluar nga cilësia e shkollave për fëmijtë, shpenzimet vendore, krimi, taksat, transporti, e të tjera.  Por shërbejnë si shembull për të rinjët e të rejat e komunitetit nga pikpamja të meritave dhe përgjegjsive ndaj komunitetit, por edhe shembull për nga karakteri i zytarve vendas.

Andaj për të ushtruar si duhet dhe me përgjegjësi të drejtën e votës, votuesi duhet të jetë i mirë informuar për kandidatin ose kandidatët për të cilët voton, si nga pikpamja se si ai ose ajo do të mund të zgjidhë problemet e komunitetit më së miri, në krahasim me kandidatët e tjerë,  por gjithashtu, në mendimin tim, edhe për nga këndveshtrimi i karakterit të kandidatëve, të cilët kërkojnë besimin dhe  mbështetjen e votuesve.

Në qytetin e New Yorkut, që është qyteti më i madh i Amerikës, dy kandidatë skandalozë, Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer, i pari ish-kongresmen, detyrë prej së cilës u detyrua të jepte dorheqjen për shkak të një numëri skandalesh seksuale, vetëm e vetëm për tu paraqit tani pas disa vitesh, si kandidat i partisë demokrate për kryetar bashkie të Nju Jorkut, megjithse ka pranuar përzierjen e tij në skandale të tjera seksuale edhe pas largimit të tij nga detyra e kongresmenit.   Tjetri na është, aspak më ultë për nga detyra se ish-governatori demokrat i shtetit të Nju Jorkut, Eliot Spitzer edhe ky i përzier në skandale  të turpshme seksuale me prostituta — i cili u detyrua gjithashtu të largohej nga detyra e  governatorit — ka venë kandidaturën për detyrën me rëndësi të kontrolluesit të qytetit, dmth zyrtarit më të lartë financiar i qytetit të Nju Jorkut.

E pa besueshme!  Për arsye të skandaleve seksuale  të dy ishin detyruar të largoheshin nga detyrat me rëndësi që u kishte besuar populli  vite më parë, dhe tani pas disa vjetësh, duan, pa kurrfarë turpi, të këthehen përsëri në detyra të besimit publik.   Antoni Uiner bile, me bashkshorten pranë tij, pati fëtyrë të pranonte para disa ditësh se kishte vazhduar me skandalet seksuale, madje edhe pasi  u detyrua të largohej nga Kongresi si përfaqsues i Nju Jorkut.   Megjithëkëtë dhe pa pikën e turpit, Uiner kërkon t’i imponohet  përsëri banorve të Nju Jorkut duke u kërkuar votën e tyre për t’i përfaqësuar ata si kryetar bashkie i qytetit më të madh amerikan dhe një ndër qytetet më të mëdha  të botës.

Me të vërtetë, banorët dhe qyteti i New Yorkut meritojnë kandidatë më të mirë, më moral dhe më me karakter se dueti UIner e Spitzer.  Udhëheqës të lartë demokratë në nivel vendor dhe kombëtar, me të drejtë, kanë bërë thirrje për tërhqjen e kandidaturës, sidomos të Antoni Uiner, por deri më sot të dy janë në garë për postet që kërkojnë.   Karakteri dhe morali i politikanëve dhe i kandidatëve për detyra publike në nivel vendor dhe kombëtar është me rëndësi, sepse veprat individuale si skandalet seksuale të Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer –si dështime morale personale — mund të kenë pasoja të këqia edhe për publikun e gjërë.

Votuesit e Nju Jorkut mund t’i falin këta dy politikanë për gabimet dhe skandalet seksuale të së kaluarës, por ama mos të gabojnë dy herë dhe të votojnë rishtas këta dy politikanë të degjenuar në poste publike me rëndësi, siç është kryetari i bashkisë dhe zyrtari kryesor financiar i qytetit të Nju Jorkut. Por më në fund, janë votuesit e Nju Jorkut ata që do ta kenë fjalën e fundit mbi fatin politik të tyre.

Shqiptaro-amerikanë të Nju Jorkut, kini kujdes për ke hidhni votën tuaj të shtrënjtë në shtator, pasi të kini shqyrtuar mirë meritat dhe kualifikimet për postet në të cilat kandidatët e ndryshëm kërkojnë të zgjidhen, por mbi të gjitha pasi të kini vlerësuar edhe karakterin e këtyre dy kandidatëve, të cilët me veprat e tyre jo vetëm që kanë abuzuar me besimin që publiku kishte vendosë mbi ta — por njëkohsisht kanë koritur veten, familjet e tyre dhe Nju Jorkun.

Ne foto: Anthony Weiner,kandidat për kryetar bashkie në New York

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Cirkusi politik, Frank shkreli, ne NY

MBLEDHJA BALLKANIKE E NIVELIT TË LARTË NË SLLOVENI DHE DEKLARATA E NIKOLICIT

July 26, 2013 by dgreca

Presidenti serb, Nikoliç i cili mori pjesë në konferencën  e Brdos, ball për ball me dy presidentë shqiptarë, u tha gazetarve disa ditë para konferencës në Slloveni se Kosova, sipas tij, nuk do të jetë kurrë shtet dhe udhëheqsi serb pohoi se në ”mirësinë” e tyre  serbët na qenkan  gati që  Kosovës t’i japin një “autonomi substanciale”./

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Takimi i kësaj jave i udhëheqsve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë/

           Sllovenia dhe Kroacia organizuan këtë javë në Brdo të Sllovenisë takimin e kryetarve të shteteve të Ballkanit Prëndimor, në një përpjekje nga këto dy vende të vetme ballkanike, anëtare të Bashkimit Evropian, për të rivendosur lidhjet politike dhe ekonomike me qëllim për forcimin e stabilitetit në rajon pas luftërave të përgjakshme fund shekullin e kaluar që shkaktuan vdekjen e rreth 100-mijë vetave anë e mbanë ish Jugosllavisë.

Ky takim u cilësua si një mledhje jo zyrtare, por pjesë e të ashtuquajturit “Procesit Brdo”,  i cili me nismën e Sllovenisë dhe të Kroacisë, filloi më 2010, me objektivin për forcimin e marrëdhënjeve rajonale, ndërkohë që shtetet e Ballkanit Perëndimor përpiqen të plotësojnë kushtet për antarsim në Bashkimin Evropian. Takim ky jo zyrtar , sipas organizatorëve, sepse një atmosferë e tillë bën më të mundur dialogun e hapur e të sinqertë dhe bashkpunimin më të mirë midis udhëheqsve të vendeve pjesëmarrëse në konferencë, të cilat kanë një histori të gjatë konfliktesh dhe armiqësishë — me shpresën  se madje edhe problemet më të ndërlikuara, “mund të zgjidhen me dialog, sinqertitet dhe besim.”

”Procesi Brdo”, është shikuar gjithashtu si një model për zgjidhjen e problemeve me rëndësi midis vendeve të Ballkanit, pasi ky proces, fillimisht ka bërë të mundur zgjidhjen e problemeve edhe midis Kroacisë dhe Sllovenisë, dy vendeve sponsorizuese të këtij takimi. Një ndër objektivat e kësaj konference ka qenë dhe mbetet përpjekja për të identifikuar së bashku projekte që do të çonin në një bashkpunim dhe integrim më të madh midis vendeve të kësaj pjese të Evropës.   Pasi pa integrim dhe bashkpunim midis vet vendeve të Ballkanit Perëndimor, e vështirë, mos e pa mundur, do jetë edhe integrimi  dhe bashkpunimi i tyre me organizmat euro-atlantike, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, megjithse antarësimi në këtë oganizatë varet edhe nga përparimi i shënuar dhe plotësimi i kushteve nga secili vend veças.

Në takimin e Brdos të presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ënjtën, morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, si dhe Presidenti i Bosnje Hercegovinës, i Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, për të dialoguer, në një atmosferë jo zyrtare, mbi bashkpunimin rajonal.   Fotografia nga ky takim në nivel të lartë megjithse jo zyrtar, me dy presidentë shqiptarë rreth tryezës së rrumbullakët, le të kuptohet dhe dërgon një mesazh të pa dyshimtë se fati i shqiptarëve sot është në dorë të tyre dhe se ata janë një faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe fqinjësie të mirë në Ballkan.  Është gjithashtu edhe symbol  krenarie për çdo shqiptar!

Këtyre iu bashkua Presidenti i Francës, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare dyditëshe në Slloveni,  Z. Francois Hollande, me të cilin ata patën rast të  diskutojnë, bashkërisht dhe individualisht, mbi ritmet drejtë antarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bujar Nishani u tha  kolegëve të tij se Tirana zyrtare është e vendosur të plotësojë kushtet dhe se antarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet një prioritet për Shqipërinë, përfshirë edhe  angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit. “Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e standardeve evropiane.   Ky është një proces që kërkon vijueshmëri.   Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian.”- deklaroi Presidenti Nishani.

Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Z. nja Atifete Jahjaga, në takimin e saj me presidentin francez, në Brdo tha  se objektivi kryesor edhe i Kosovës është gjithashtu antarësimi në organizmat euro-atlantike,  duke theksuar se, “me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova dhe BE-ja kanë hapur një marrëdhënie të re kontraktuale.   Ajo u angazhua se, “reformat e nevojshme dhe të domosdoshme në vend dhe procesi i forcimit të demokratizimit të Kosovës do të përshpejtohen në kuadër të rrugës së anëtarësimit në BE”.    Mirëpo,  në një formë ankese ndaj Evropës, Presidentja tha se “Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve në vendet e BE-së dhe vlerësoi se ndihma e Francës në këtë proces do të ishte e më se e nevojshme”.

Pjesëmarrja e Presidentit francez në takimin e udhëheqsve më të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte një shënjë mbështetjeje, jo vetëm nga ana e Francës, por edhe e Bashkimit Evropian, për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të këtij rajoni në komunitetin e vendeve evropiane. Ai e cilësoi vendimin e tij për të marrë pjesë në konferencën e Brdos si, “një shprehje e përkrahjes së Francës për integrimin e mëtejshëm të vendeve ballkanike në strukturat e Bashkimit Evropian”, dhe shtoi se, “Ky takim përbën një mesazh shprese për popujt e Ballkanit, pasi ata mbajnë  mbi supe një përvojë të rëndë”, historike, tha udhëheqsi francez.

Njëra nga këto barrë të rënda që rëndon mbi supet e  sidomos të shqiptarëve  dhe njëkohësisht  pengon edhe përmirsimin e marrëdhnjeve rajonale është politika gjithnjë agresive e Serbisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj.    Megjithse kryeministri i  Kosovës dhe ai Serbisë  kanë zhvilluar bisedime në Bruksel për përmirësimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve, Beogradi  zyrtar dhe Kisha Ortodokse ruse vazhdojnë avazin e vjetër se Kosova në mendjen e tyre na qenka gjithnjë, “provincë” e Serbisë, megjithse pavarsia e saj është njohur tanimë  nga mbi 100-shtete anë e mbanë botës.

Presidenti serb, Nikoliç i cili mori pjesë në konferencën  e Brdos, ball për ball me dy presidentë shqiptarë, u tha gazetarve disa ditë para konferencës në Slloveni se Kosova, sipas tij, nuk do të jetë kurrë shtet dhe udhëheqsi serb pohoi se në ”mirësinë” e tyre  serbët na qenkan  gati që  Kosovës t’i japin një “autonomi substanciale”.   Për këtë, siç duket udhëheqsit politikë dhe fetarë serbë llogarisin në mbështetjen e Rusisë për politikën e tyre ndaj Kosovës.    “Ne presim që Rusia si fuqi e madhe sllave, do të japë mbështetjen e saj, kështuqë problemi i Kosovës të zgjidhet në mënyrë të drejtë,”  i ka thënë kohët e fundit kreu i Kishës Ortodokse serbe Irenej, kryetarit të parlamentit rus, Sergei Naryshkin, sipas agjencisë Itar-Tass-it.Fatkeqsisht, me deklarata dhe qëndrime të tilla ndaj Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe megjithë qëllimet e mira të takimeve zyrtare ose jo-zyrtare të “Procesit Brdo”,  pa normalizimin e marrëdhënjeve shtet me shtet, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë paqë e stabilitet në Ballkan, dhe as antarësim e integrim  të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizmat euro-atlantike.

Angazhimi i “Procesit Brdo”, sipas të cilit “Të gjithë së bashku në Bashkimin Evropian”, me kontributet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të shkohet drejtë një të ardhme të përbashkët evropiane,  do mbetet vetëm aq, një angazhim me fjalë dhe asgjë tjetër.   Është në dorë të Bashkimit Evropian që të detyrojë Serbinë të njohë pavarsinë e Kosovës,  ashtuqë i gjithë rajoni i Ballkanit, sipas deklaratës së Brdos,  të “jetojë në pajtim, begati, siguri, liri shtypi, rend e qetësi dhe në mirëqenje për të gjithë, pa marrë parasyshë prejardhjen e  tyre etnike…. bazuar në standardet, parimet dhe vlerat europiane.”

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe deklarata, e Nikolicit, Frank shkreli, Mbledhja e Sllovenise

SHEKULLI I KLLAPISË

July 22, 2013 by dgreca

Një film mbi shëmbjen  e komunizmit  shfaqet në Kongresin amerikan/
 Nga Frank Shkreli/
Komisioni për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, i njohur  edhe si Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara  njoftoi se ditën e martë  me 23 korrik do të sponsorizojë, në njërën prej sallave të Kongresit, çfaqjen e filmit “Shekulli i Kllapisë”.    Filmi është i bazuar në librin me titull, “Shekulli i Kllapisë: Shëmbja dhe Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik”, e autorit të njohur amerikan të çështjeve ruso-sovjetike, Dejvid Satër,  i cili ka punuar për gazetat Uoll Strit Xhurnal dhe Fajnënshël Tajmas dhe tani punon pranë Institutit Hudson.    Pas shfaqjes së filmit, sipas njoftimit të Komisionit Amerikan të Helsinkit,  anëtarët e Kongresit dhe publiku do të kenë mundësi të diskutojnë  mbi filmin me vet autorin Dejvid Satër  dhe me presidentin e  Radios Evropa e Lirë, Kevin Klose, edhe ai  një ekspert i çështjeve ruso-sovjetike.
Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, i bazuar në librin me të njëjtn titull, botur në vitin 1966 është një kronikë e shëmbjes së regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, dhe tërthorazi në gjithë zonën ish-komuniste, e treguar nepërmjet përvojave personale të individëve të ndryshëm nga të gjitha nivelet e shoqërisë sovjetike,e të cilët kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve transformuese historike që çuan në rrëximin e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në mbarë  Evropën Lindore.   Filmi, i bazuar librin “Shekulli i Kllapisë” i Dejvid Satër, është cilësuar, si “një prej portreteve më të mira psikologjike të Rusisë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave”.    Filmi ka fituar çmimin prestigjioz Van Gough në Festivalin e Filmave në Amsterdam, për vitin 2013 dhe është çfaqur, përveç në Amerikë, edhe në Rusi, në Angli, Gjermani, Kanada e gjetkë.
Dejvid Satër, i cili ka shërbyer si korrespondent në Moskë për gazeta dhe media të ndryshme, përfshirë gazetën prestgjioze amerikane Uoll Strit Xhurnal dhe atë britanike Fajnënshël Tajms,  në rolin e ekspertit ka shkruar një numër librash dhe artikujsh dhe ka dhënë intervista, enteve  më të njohura mediatike të botës, përfshirë edhe Zërit të Amerikës, mbi shëmbjen e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik.    Por, përveç portretizimit të sistemit komunist sovjetik,  libri dhe filmi i bazuar në librin, “Shekulli i Kllapisë”, në të vërtetë portretizojnë  me mjeshtëri edhe tiparet karakteristike të shoqërive të tjera nën regjimet komuniste anë e mbanë Evropës lindore, gjatë “Shekullit të Kllapisë”.   Si korrespondent në Moskë gjatë asaj periudhe fatkeqe por historike, Dejvid Satër ishte dëshmitar i pasojave shkatërruese, për shoqërinë sovjetike dhe për individin, të një ideologjie komuniste fanatike, që sipas tij,ndër të tjera – ishte shkaktare e urisë së përmasave të mëdha në Ukrainë, një idelogji që me ligj urëdhëroi ndalimin e fesë, torturoi, burgosi dhe dërgoi në kampe përqendrimi në Siberi dhe gjetkë, miliona kundërshtarë politikë, etnikë dhe fetarë.   Filmi i Dejvid Satër tregon  me të vërtetë, efektet  dhe goditjet shkatërrimtare shpirtërore dhe materiale të komunizmit mbi shoqërinë dhe individët, të cilët kanë patur fatin e keq të jetonin nën atë regjim.

Në një intervistë për një revistë amerikane, Dejvid Satër ka thënë se filmi, “Shekulli i Kllapisë”, ka të bëjë me “Shëmbjen dhe shkatrrimin e regjimit komunist sovjetik, i parë nga përvoja personale, ashtu siç është përjetuar nga vet popujt sovjetikë”.   Ai thotë se, ” Skenari  i filmit tregon  pasojat e rënda dhe se çdo të thoshte të ndërtohej një shtet i tërë në bazë të një ideje fals e të gabuar dhe se si informacioni i saktë mbi gënjeshtrën e madhe,   më në fund çoi në shkatërrimin e shpejtë dhe të pandalshëm të Bashkimit Sovjetik.”   Dejvid Satër shpjegon se filmi përmban  intervista me persona dëshmitarë të ngjarjeve, dhe konkretizon përvojat e tyre që më në fund çuan  në rrëximin e regjimit komunist.    Skenari i filmit e çon shikuesin në qendrat e KGB-së, aty ku merreshin në pyetje disidentët dhe kundërshtarët politikë të regjimit,  si dhe në kampet e përqendrimit, ku protesta më e vogël e një të burgosuri sjellte ndëshkime të rënda për të dhe për të tjerët, përfshirë izolim në qeli.  Edhe kampet e punës së detyruar të mbushura me kundërshtarë e disidentë politikë të të gjitha bindjeve e të cilët pësonin tortura të llojllojshme, janë gjithashtu pjesë e skenave të filmit.Filmi portretizon Aleksandër Shatravka-n, i cili kishte kaluar kufirin me Finlandën, por finlandezët  e këthejnë mbrapa duke  ua  dorëzuar atë autoriteteve komuniste sovjetike, të cilët si pasojë  e torturojnë në një spital të çmendurish.  Një tjetër, person që shfaqet në film, është Nina Smirnova, një vajzë e re sakate, e cila lutej në një kishë për tu shëruar dhe e cila u persekutua nga autoritetet komuniste, pasi  për mrekulli ajo filloi të ecte rishtas.   Dhe individi i tretë që portretizon filmi, “Shekulli i Kllpisë”,  është një i ri nga qyteti Shadrinsk, i cili besonte vendosmërisht dhe me bindje në ideologjinë komuniste, por i cili ndërkohë mësoi se cili ishte realiteti i regjimit komunist sovjetik ndërsa po luftonte në Afganistan.

I pyetur se cili është objektivi i filmit, Dejvid Satër  tha se “duke treguar realitetin e frikshëm të jetës nën regjimin komunist nepërmjet përvojave personale, filmi ka për qëllim të tregojë se çdo të thotë të jetoje në një shoqëri të bazuar në një ide fals e të gënjeshtërt.   Dhe synon gjithashtu që të kallëxojë pasojat tragjike të përpjekjeve të ideologëve komunistë, për të ndryshuar, me force, natyrën njerëzore…dhe njëherazi për të treguar realitetin se si njerzit ishin të detyruar të jetonin dhe të vepronin në bazë të këtij realiteti të trilluar dhe të rremë.”

Filmi, “Shekulli i Kllapisë” i bazuar në librin me të njëjtin titull i autorit Dejvid Satër, ”hedhë poshtë çdo nocion që ende mund të ekzistojë në disa qarqe dhe në radhët e disa individëve  nostalgjikë, se ideologjia komuniste ishte progresive dhe humane”.   Libri dhe filmi venë në dukje se cila në të vërtetë ishte arsyeja  që u   shemb sistemi komunist, duke u bazuar në dëshmitë  dhe përvojën  e atyre të shkretëve që e pësuan rëndë  nga mos pajtimi i tyre me ideologjinë komuniste, dhe njëkohësisht hedhë dritë mbi arsyet se pse u shëmb perandoria komuniste.

Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, portretizon gjendjen tepër të keqe në Bashkimin Sovjetik, sidomos gjatë 20-vjetëve të fundit të ekzistencës së regjimit të tij, si njëra prej dy fuqive më të mëdha në botë, dhe njëkohsisht nxjerrë në dritë gënjeshtrat dhe deluzionet e regjimit si dhe brutalitetin e policisë sekrete sovjetike KGB ndaj kundërshtarve të regjimit dhe të partisë komuniste.  Autori Satër, me mjeshtëri dhe   pasion paraqet  se si  popujt sovjetikë, por edhe popujt e vendeve të tjera komuniste, jetonin dhe vepronin duke u mbështetur në një gënjeshtër të madhe të një regjimi brutal, siç ishin regjimet komuniste anë e mbanë Evropës.   Dy të këqiat e shekullit të kaluar, nazizmi dhe komunizmi, kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dallonin për nga grupet qe ata kishin në shënjestër për eliminim.   Nazistët përqendroheshin në zhdukjen e një grupi të veçantë etnik, ndërsa komunistët fokusoheshin në zhdukjen e të gjithë atyre, të cilët ata i konsideronin si persona që kërcënonin ekzistencën e regjimit komunist.

Filmi i bazuar në librin e  Dejvid Satër, më në fund,  demonstron se regjimi komunist sovjetik dhe regjimet si  motra anë e mbanë Evropës lindore — duke u mbështetur dhe duke ndjekur një ideologji fanatike që refuzonte të njihte liritë civile dhe të drejtat bazë të njeriut — u këthyen nga ekperimente të mëdha shoqërore, në një katastrofë gjigante dhe falimentin të rëndë për të gjithë.   Sistemi komunist dështoi në mënyrën më fatkeqe për të krijuar “njeriun e ri” dhe “shoqërinë e përfeksionuar”.   Me librin e tij, “Shekulli në Kllapi” dhe tani me filmin kinematografik të bazuar në këtë libër, autori dhe eksperti i çështjeve ruso- sovjetike, Dejvid Satër i ka bërë një shërbim të çmueshëm njerëzimit duke hedhur dritë për publikun dhe tani për Kongresin amerikan,  mbi natyrën e vërtetë të komunizmit, ashtuqë krimet dhe masakrat për të cilat ai flet në këtë antologji kinomatografike të mos përsëriten kurrë më.  Dhe  me shpresë që njerzit të dalin nga kllapia e harresës së mëkateve dhe krimeve si dhe e të miliona viktimave të pafajshme të regjimit komunist sovjetik, dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës lindore.   Këjo duket se është edhe arsyeja kryesore që filmi po sponsorizohet nga Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara për tu shfaqur të marten, me 23 Korrik, në njërën prej sallave të mëdha të Kongresit amerikan.

Filed Under: Kulture Tagged With: age of delirium, filmi, Frank shkreli, Shekulli i Kllapise

OKB-ja DHE TË DREJTAT E NJERIUT NË SHQIPËRI

July 18, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) për të Drejtat e Njeriut  është duke zhvillur punimet e sesjonit të 108-të në Gjenevë, gjatë të cilit po shqyrton raportet mbi gjëndjen e të drejtave të  njeriut në gjashtë vende anëtare të komisionit, ku bëjnë pjesë 167 vende që kanë ratifikuar Konventën mbi të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Shqipërinë.   Gjatë sesjonit mbi të drejtat e njeriut, Komisioni shqyrton zbatimin ose jo të angazhimeve të marra nga vendet anëtare, në bazë të Konventës Ndërkombëtare që kanë nënshkruar, në mbrojtje të të drejtave civile dhe politike.   Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila është miratuar në vitin 1967 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 1976,  thekson të drejtën e të gjithë popujve për vet-vendosje dhe ndër të tjera, njeh të drejtën e çdo personi për të jetuar i lirë dhe në siguri dhe njëherazi ndalon torturën, trajtimin ose dënimin çnjerzor dhe marrjen e jetës në mënyrë arbitrare.  Konventa mbi të drejtat e njeriut njeh gjithashtu të drejtën dhe lirinë e të shprehurit,  të menduarit, të ndërgjegjes, si dhe lirinë e fesë.   Marrveshja ndërkombëtare ndalon njëkohsisht propagandën e luftës dhe urretjet kombëtare, raciale ose fetare.

Përveç delegacioneve qeveritare, përfaqsuese të vendeve anëtare, Komisioni i OKB-së ka ftuar gjithashtu edhe ekspertë nga organizata të tjera të OKB-së, ente jo-qeveritare si dhe përfaqsues të institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut të vendeve anëtare, nga të cilët   dëgjon dëshmitë e tyre në sesjone me dyerë të mbylluara, mbi liritë dhe sigurinë e çdo personi në vendet nga vinë ata.

Punimet e këtij sesjoni përfundojnë me 26 korrik, por seanca e dytë periodike mbi zbatimin  e kësaj marrveshjeje nga ana e Shqipërisë u mbajtë  të marten me 16 korrik. Delegacioni shqiptar në këtë seancë përfshinte përfaqsues nga një numër institucionesh, përfshirë Ministrinë e Mbrendshme, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Arsimit. Mirëpo,  sipas njoftimit për media nga  Zyra e OKB-së në Gjenevë, thuhet se raportin mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut, në emër të qeevrisë së Shqipërisë, e paraqiti përfaqsuesja e përhershme në Zyrën e OKB-ës në Gjenevë, Filloreta Kodra.  Përfaqsuesja e Tiranës, i siguroi pjesëmarrsit se sipas kushtetutës së vendit, Konventa Ndërkombëatre për të drejtat e njeriut është pjesë e sistemit ligjor të Shipërisë.  Ajo përmendi garancitë institucionale në mbrojtje të të drejtave ë njeriut, si Gjykatën Kushtetuese, Zyën e Ombudsmenit si dhe Komisionin për mbrojtjen kundër diskriminimit.  Në emër të qeverisë shqiptare, Filloreta Kodra  i raportoi seancës në Gjenevë se janë shënuar përmirësime të dukshme  në legjislacionin e vendit për barazinë gjinore dhe dhunën në familje, por shtoi se prioriteti mbetet zbatimi i ligjit.  Ajo shtoi se një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare është gjithashtu që të vendoset një bashkpunim më i madh midis qeverisë dhe shoqërisë civile për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut.

Sipas njoftimit të OKB-së në Gjenevë, pas paraqitjes së raportit nga Filloreta Kodra, ekspertët e Komisionit të OKB-së për të drejtat njeriut, diskutuan pikërisht rreth zbatimit të neneve të marrveshjes ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri.   Ata, sipas njoftimit për media, prekën një çështje aktuale në Shqipëri, atë të dhunës kundër grave dhe njëherazi  kërkuan informacion mbi përhapjen dhe seriozitetin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare si edhe  kërkuan informacion mbi masat që janë marrë për të siguruar se rreth rasteve të dhunës, sidomos kundër grave, janë bërë hetime të efektëshme.   Ekspertët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut u interesuan gjithashtu mbi personat e zhdukur, si edhe mbi torturat dhe dhunimet që janë bërë gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, si dhe gjatë luftës në Kosovë.   Ekspertët donin të dinin se çfarë kriteresh po përdoreshin për të rihapur raste të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist dhe nëse këto zhdukje gjatë asaj periudhe njihen gjithnjë, në bazë të ligjeve të tanishme,  si shkelje e të drejtave të njeriut  të  garantuara nga Konventa Ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut?  Dhe nëse personat që kanë kryer akte të torturës janë ndjekur penalisht dhe nëse ata janë dënuar për krimet e tyre, në bazë të ligjit mbi torturat?

Gjatë shkëmbimeve në lidhje me gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndër shqetsimet kryesore zuri vend trafikimi i qenjeve njerzore, një shqetësim ky që nënvijoi dy ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një vizite në Elbasan.

Kryetari i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, përfaqsuesi britanik Nigel Rodley tha se megjithse në Shqipëri  është shënuar përparim ç’prej periudhës komuniste,  në përmbledhje të punimeve të seancës, ai theksoi se është e doemosdoshme që të adresohen problemet që kanë të bëjnë me trajtimin e keq dhe dhunën ndaj femrave si the trafikimin e qenjeve njerzore.   Përfaqsuesja shqiptare  falënderoi Komisionin për atë që ajo cilësoi si, dialog konstruktiv dhe shtoi se qeveria shqiptare është e angazhuar për përmirësimin e gjëndjes së të drejtave të njeriut në vend.   Pritet që në fund të punimeve, Komisioni i OKB-së të botojë raportin përfundimtar të punimeve të kësaj seance mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Tema e të drejtave të njeriut është gjithmonë aktuale dhe kurrë nuk është mjaftë të flitet në mbrojtje të tyre, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Historia botërore, por edhe ajo e kombit shqiptar sidomos periudha komuniste, është plotë raste të hidhura e tragjike ku mosrespektimi dhe shkelja flagrante e të drejtave bazë të njeriut, ka përfunduar në vepra barbare që gjithnjë tronditin ndërgjegjen e njerëzimit.  Njeriu nga natyra dëshiron për veten dhe familjen e tij, të jetojë i lirë dhe të gëzojë të drejtat bazë që sot njihen si të drejtat e njeriut.  Është një term ky që vetëm ka filluar të përdoret pas Luftës së Dytë Botërore.  Ishte një zgjim pas Luftës së Dytë Botërore kur njerzit me ndërgjegje vendosën të mos heshtnin më përballë torturave, vrasjeve internimeve dhe burgosjeve të anëtareve të familjeve dhe të afërmëve të tyre nga tiranët e frymëzuar nga fanaticizmat kombëtare siç ishte nacizmi dhe ideologjitë ndërkombëtare, si   komunizmi.   Ishte Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e viti 1948 që, “njohu se dinjiteti i natyrshëm dhe të drejtat e barabarta dhe të pamohueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, janë themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë.”

Paqa, liria dhe të drejtat e njeriut nuk mbrohen vetëm me deklarata por me vepra, pasi sipas Marrveshjes Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike,“Ideali ku të gjithë njerzit janë të lirë dhe gëzojnë të drejtat e tyre civile dhe politike si edhe lirinë nga frika –  mund të realizohet vetëm e vetëm atëherë kur të krijohen kushtet, ku secili anëtar i shoqërisë të gëzojë të drejtat e barabarta civile dhe politike si dhe të drejtat shoqërore, ekonomike dhe kulturore”.

Këto të drejta janë të thjeshta dhe duhet të kuptohen lehtas.  Në një fjalim në Paris me 1948, Eleanor Roosvelt e pat filluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut, luftë që siç vihet në dukje nga seanca aktuale e OKB-së në Gjenevë — vazhdon edhe sot, duke thënë se, “Nuk duhet të jemi të hutuar mbi domethënjen e lirisë, se cila është liria.  Të drejtat bazë të njeriut janë të thjeshta dhe të qarta që duhet të kuptohen lehtë.  Ato janë liria e fjalës dhe e shtypit, liria e fesë, liria për të demonstruar dhe liria per tu ankuar për pakënaqsitë ndaj qeverisë. Si dhe e drejta e njerzëve për të jetuar të sigurtë në shtëpitë e tyre dhe që personi të jetë i lirë nga kontrollet e pa arsyeshme dhe që të mos arrestohet dhe të dënohet në mënyrë arbitrare  nga autoritetet shtetërore”.

Përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për sigurimin e të drejtave të njeriut vazhdojnë të jenë një sfidë e madhe dhe një mission i pa realizuar.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e njeriut, Frank shkreli, ne Shqiperi, OKB-ja, te drejtat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT