• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VIT PËR TË KUJTUAR PRESIDENTIN JOHN KENNEDY

May 31, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Xhon F. Kennedy u betua në detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara më 20 Janar, 1961. Fjalimi i tij me atë rast mbahet mendë si një prej fjalimeve më të rëndësishme dhe më të cituar, në të cilin ai u bëri thirrje amerikanëve që të aktivizohen, duke thënë:  “Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bëjsh ti për atdheun tëndë.”   Duke iu drejtuar vendeve të botës, ai u bëri thirrje që  ato të bashkohen në luftën kundër atyre që ai i cilësoi, si “armiqtë e përbashkët të njeriut: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe luftës.”
Viti 2013 shënon 50-vjetorin e vitit të fundit të jetës së ish-Presidentit të ri amerikan, dhe kalendari i këtij viti është i mbushur me aktivitete përkujtimore nga jeta dhe veprimtaria e presidentit më të ri amerikan i cili u vra në Dallas të shtetit Teksas, 50-vjetë më parë.  Janë planifikuar një numër përkujtimesh me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së njërit prej udhëheqsve më të admiruar jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, si përkrahës i lirisë dhe i demokracisë.    Presidenti Barak Obama, do të vizitojë Berlinin në Qershor për të kujtuar  50-vjetorin e fjalimit të famshëm anti- komunist të presidentit Kennedy, “Ich Bin Ein Berliner”, kur u ka thënë berlinasve të izoluar e të bllokuar nga komunistët, se unë jam me ju, ndonëse edhe “unë jam një berlinas”.   Qyteti Dallas ku është vrarë Presidenti Kennedy do të kujtoj 50-vjetorin e vrasjes dhe është në plan të botohen një numër librash të reja mbi jetën dhe veprimtarinë e John F Kennedy.
Përveç shqetësimeve të tij të mbrendshme të Amerikës në atë kohë,  Xhon Kennedy ishte posaçërisht i shqetësuar mbi mundësinë e shpërthimit të një lufte bërthamore midis kampit komunist të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe botës përendimore, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara,  luftë nga e cila miliona veta mund të kishin vdekur.   Lufta e Ftohët, megjithëse nuk kishte rezultuar në ndonjë përleshje të armatosur midis dy kampeve, ishte diçka ndryshe.   Përveç tjerash, ishte një luftë midis sistemit diktatorial komunist sovjetik dhe sistemit demokratik amerikan të qeverisjes.   Ishte një luftë që shpesh i çoi të dy palët në prag të luftës bërthamore, siç ndodhi me krizën e lindur nga vendosja e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, në vitin 1962 dhe  me krizën  në qytetin e ndarë të Berlinit.
Presidenti Kenndy mbahet mendë, megjithëse me një mandat të shkurtuar nga plumbat e një vrasësi, si një president që donte që Shtetet e Bashkuara të shkonin përpara drejtë së ardhmes, me zbulime të reja në shkencë e teknologji, me përmirësime në fushën e arsimit, punësimit e të tjera.   Por mbi të gjitha, ai donte demokracinë dhe lirinë për të gjithë njerëzit në botë.
Në këtë drejtim, ai themeloi, Korpusin e Paqës, një program ky i cili edhe sot bën të mundur që amerikanët të shkojnë si vullnetarë për të punuar kudo në botë, ku ndihet nevoja dhe  në fusha të ndryshme, si për shembëll në arsim, bujqësi, përkujdesje shëndetsore, ndërtimtari, e tjera.   Presidenti Kennedy mbetet në histori gjithashtu si presidenti amerikan i cili bëri të mundur që Shtetet e Bashkuara të ishin vendi numër një në eksplorimin e hapësirës. “Asnjë vend, që pret të udhëheq vendet e tjera, nuk mundë të mbetet mbrapa në garën për eksplorimin e hapësirës”, ka thënë Xhon Kenned.   Si përfundim i përkushtimit të tij në këtë fushë, Shtetet e Bashkuara qenë të parat që dërguan astronautët në Hënë.
Presidenti Kennedy, gjatë mandatit të shkurtë të tij u përball me një seri problemesh të mbrendshme këtu në Shtetet Bashkuara, mbi të gjitha me problemin e diskriminimit racial të asaj kohe.   Ndasia raciale ishte tepër e theksuar, megjithëse Gjykata e Lartë kishte vendosur se ishte kundër kushtetutës, disa shtete jugore praktikonin gjithnjë diskriminimin kundër zezakëve.Vdekja e Presidentit Kennedy pat shkaktuar dhëmbje të madhe në radhët e amerikanëve dhe anë e mbanë botës.   Megjithë mandatin e shkurtër të presidentit John Kennedy, ai gjithnjë konsiderohet si një ndër presidentët më të mirë të Amerikës dhe mbahet mend për një trashëgimi si udhëheqës i fortë me një personalitet dhe realizime dhe suksese të dukshme, kur të merret parasyshë periudha e shkurtër që ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë.    Ai mbahet mend për gjakftohësinë përballë marrjes së vendimeve shumë të vështira, siç ishte vendimi se ç’duhej bërë në lidhje me raketat bërthamore që komunistët sovjetikë kishin vendosur në Kubën e Fidel Kastros në vitin 1962.   Ai njihej gjithashtu si një orator elokuent, fjalimet e të cilit ishin shumë frymëzuese dhe konsiderohen gjithnjë aktuale edhe sot pas 50 vjetësh.   Megjithëse ai vetë vinte nga një familje e pasur, John Kennedy kujtohet  për programet qeveritare dhe legjislacionin në mbështetje të të varfërve, dhe të moshuarve.   Presidenti Kennedy, si çdo udhëheqës tjetër ka bërë gabime, por gjithmonë shprehte një entuziazëm të madh për të ardhmen, duke besuar se çdo problem mund të zgjidhet me bashkpunim me njëri tjetrin, për derisa interesat e vendit janë mbi të gjitha interesat e tjera.

Ndonëse njëri me mendime  liberale dhe tjetri konservator, në krahasim me presidentë të tjerë, biografi i Presidentit Kennedy, Robert Dallek i tha gazetës USA Today se,  “Presidenti Kennedy dhe  Presdienti Reagan i dhanë këtij vendi një frymë optimizmi dhe shprese.   Ata përfaqësonin vlerat më të mira të këtij vendi.”    Si Presidenti Kennedy ashtu edhe Presidenti Reagan besonin fuqimisht në lirinë dhe demokracinë jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt e botës — ata besonin në shkëmbimin e lirë të informacionit dhe në të drejtat e njeriut.   Pasi ky vit shënon gjithashtu edhe 70-vjetorin e Zërit të Amerikës, ia vlenë të përmendet vizita dhe fjalimi i Presidentit John Kennedy me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës me ç’rast ai ka thënë se, “liria e informacionit është një e drejtë themelore e njeriut”, dhe shtoi se, “Ky është kodi i Zërit të Amerikës.   Ne mirëpresim mendimet e të tjerëve.  Ne kërkojmë shkëmbimin e lirë të informacionit matanë kufijve, oqeaneve dhe perdeve të hekurta dhe murve prej guri.   Ne nuk kemi frikë t’i paraqesim popullit amerikan të vërtetën mbi të mirat dhe të këqiat, as nuk kemi frikë nga idetë dhe fillozofitë e huaja dhe as nga vlerat konkuruese.    Një komb i cili ka frikë të lejojë popullin e vet të gjykojë dhe të vendosë vet,  për të vërtetën dhe gënjeshtrat në një treg të lirë të ideve, ai është një komb i cili ka frikë nga populli i vet.   Prandaj Zëri i Amerikës mban një përgjegjësi të madhe, pasi barra e së vërtetës nuk është e lehtë.”   Në atë fjalim tek Zëri i Amerikës, 50-vjetë më parë, presidenti Kennedy parashikoi revolucionin dhe modernizimin e teknologjisë së medias dhe të shpërndarjes së informacionit nepërmjet internetit, duke thënë se 20-vjetët e ardhëshme do të paraqisnin mundësi  jashtzakonisht të mëdha por edhe sfida të ndërlikuara në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nepërmjet Zërit të Amerikës, që në atë kohë ishte i vetmi mjet komunikimi me popujt e botës,  John Kennedy, në fjalimin e tij me rastin e betimit si president i ri i Amerikës, lajmëroi botën se Shtetet e Bashkuara kishin një udhëheqës të  ri, i cili  e konsideronte përhapjen e komunizmit si një plagë për njerëzimin që vetëm me përdorimin e forcës detyronte zbatimin e një ideologjie kundër vullnetit të popujve të robëruar, një ideologjie që ai e konsideronte si e kundërta e lirisë dhe demokracisë.   Qëndrimin e tij të vendosur  në lidhje me komunizmin ndërkombëtar të kohës, John Kennedy e bëri shumë të qartë kur tha këto me rastin e betimit si president: “Le ta marrë vesh çdo komb, pa marrë parasyshë nëse na e don të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të durojmë çfardo barre  dhe do të përballemi me të gjitha vështirsitë, se ne do të përkrahim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë në botë”.   Më tej, John Kennedy vazhdoi paralajmërimin e tij në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar se, “në historinë e gjatë të botës, vetëm disa brezave u ka takuar të luajnë rolin e mbrojtësit të lirisë në kohën e rrezikut më të madh ndaj saj.   Unë nuk tërhiqem nga këjo përgjegjësi, përkundrazi unë e mirpres atë.   Unë nuk besoj se ndonjëri prej nesh do të ndërronte vendin me  ndonjë popull tjetër ose  brez  tjetër.    Energjia,  besimi dhe devocioni që ne sjellim drejtë këtij qëllimi, do të shëndrisë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë atij dhe – drita nga ky zjarr, me të vërtetë, do të ndriçojë mbarë  botën.”

Fjalimet e John Kennedy janë të llojit që frymëzojnë gjeneratat e të gjitha kohërave,  kur thonte se, “nuk duhet të mbyllim sytë ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis nesh, por le të vlerësojmë interesat e përbashkëta dhe mënyrat me të cilat mund të zgjidhen ndryshimet midis nesh.   Dhe nëqoftse nuk mund t’i zgjidhim tani ndryshimet  që ekzistojnë midis nesh, atëherë të pakën të përpiqemi që të bëjmë këtë botë më të durueshme dhe më të pajtueshme ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis njerëzve.   Sepse, më në fund,  janë lidhjet bazë dhe gjërat e përbashkëta mes njëri tjetërit si banorë të këtij planeti të vogël, ato që kanë rëndësi.   Ne, të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër.  Të gjithë ne punojmë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.   Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm.”

Paqëja në botë ishte për te një vizion i realizueshëm.   “Paqëja në botë”, ka thënë John Kennedy, “sikurë dhe paqëja në komunitete, nuk nevojitë që çdo njeri ta duaj të afërmin e vet, por kërkon vetëm që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri tjetrin, duke u përpjekur që mosmarveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore.”

Siç thuhet edhe në portalin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së John Kennedy, “le të shërbejë ky përvjetor për të celebruar të kaluarën, duke zgjuar të ardhmen”,  dhe të nxjerren mësime dhe shpresa për të ardhmen e njerëzimit nga  një udhëheqës i ri amerikan me kurajo dhe vizion, nga një moment tepër kritik në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës – jeta e të cilit u ndërpre para kohe nga plumbi i një vrasësi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, nje vit, per te kujtuar, presidentin Kennedy

SOLIDARËSIA SERBO-MAQEDONASE KUNDËR SHQIPTARËVE

May 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Në fund të kësaj jave në Ohër të Maqedonisë po mbahet mbledhja 16-të e nivelit të lartë e kryetarëve të Shteteve të Procesit të Bashkpunimit të Evropës Jug-lindore (SEECP). Konferenca me titull, “Solidarësi në Akcion” thuhet se do të trajtojë zgjidhje të përbashkëta rajonale, por me rëndësi globale. Misjon i madh ky që ka marrë përsipër këjo konferencë për rajonin, por pa pjesmarrjen e një pjese të rajonit të rëndësishme të rajonit, pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve.

Presidenti maqedon Ivanov, si organizues i radhës i këtij takimi, ka refuzuar të ftojë në këtë takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me justifikimin se  po të bënte një gjë të tillë, disa shtete të rajonit nuk do të merrnin pjesë në takimin e organizuar nga ai.  Reagimet ndaj përjashtimit të përfaqësimit të shtetit të Kosovës, në personin e Presidentes Jahjaga, ishin të shpejta nga Tirana zyrtare dhe nga diaspora në Amerikë.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) reagoi ashpër ndaj vendimit të Shkupit për të mos ftuar Prishtinën zyrtare në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër.  KKSHA dënoi ashpër vendimin e presidentit Ivanov si dhe prapaskenat e presioneve të qeverive së Serbisë dhe të Bosnjës për të mos ftuar Kosovën në këtë takim rajonal, dhe njëkohësisht dënon fuqishëm edhe autoritetet maqedonase që u përkulën para këtij presioni.  KKSHA, me të drejtë nënvijon faktin se ky qendrim i Serbisë është në kundërshtim të plotë dhe njëherazi shkelë  edhe marrëveshjen e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës, ku Serbia angazhohet se nuk do të bllokojë procesin e integrimit evropian  të Kosovës.  KKSHA, organizata lobiste shqiptaro-amerikane me qëndër në Uashington — e cila promovon të drejtat dhe interesat shqiptare si dhe paqën dhe zhvillimin ekonomik në Ballkan — kritikon udhëheqsin maqedon, Ivanov duke thënë se “ai humbi një rast të volitshëm për të treguar vendosmërinë e tij si udhëheqës, dhe për të venë në dukje frymën e bashkpunimit rajonal si dhe angazhimin e tij ndaj vlerave europiane.”  Organizata shqiptaro-amerikane, në reagimin e saj, thekson se nëqoftse SEECP, si organizatë do të ketë ndonjë rëndësi ose efekt të dukshëm për zhvillimet pozitive në rajon, ajo duhet të zbatojë parimin se “kur një vend përjashtohet nga pjesmarrja në konferencat e saj, atëherë të gjitha vendet janë të përjashtuara.”

KKSHA mirëpriti gjithashtu edhe vendimin e Shqipërisë për të mos marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Ohër, pa pjesëmarrjen e përfqsuesve zyrtarë të Kosovës.

Në një deklaratë në portalin e Presidencës shqiptare thuhet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit të organizatës SEECP.   Ndër të tjera udhëheqsi shqiptar thotë se orgnaizata SEECP, “duhet të mbetet forumi qendror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij”, thotë presidenti Nishani në sqarimin e tij për mos marrë pjesë në mbledhjen rajonale të Ohrit, pa pjesmarrjen e Kosovës.  Presidenti Nishani, pasi shpreh keqardhjen për “thyerjen e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok”, njofton se ai nuk do të shkojë në Ohër duke theksuar, “zhgënjimin (e tij) lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit”, përfundon udhëheqsi shqiptar,  duke shpjeguar arsyen e refuzimit për të marrë pjesë në takimin e SEECP-it në Ohër.

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Z. Jozefina Topalli njoftoi mos pjesmarrjen e saj në takimin e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të procesit të Bashkpunimit në Evropën Juglindore, në kuadër të takimeve të SEECP-it, “në shënjë proteste dhe pakënaqësie për shkak të mosftesës së Prishtinës në takimin e nivelit të lartë të bashkpunimit rajonal.”

Duke refuzuar pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e Ohrit, këjo konferencë e organizuar nga maqedonët, do të ishte më mirë të kishte titullin, “Solidarësia serbo-maqedonase kundër Shqiptarëve”, në vend të titullit, “Solidarësia në Veprim” (“Solidarity in Action”).  Fjala është Solidarësia kundër kujt?  Hipokrizia e mosftesës së Prishtinës nga ana e Shkupit, nën presionet e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, qendron në faktin se SEECP u themelua në vitin 1966, me qëllim për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënjesh së fqinjësisë së mirë, të stabilitetit dhe paqës në rajon. Shkupi e ka dijtur mirë se pa pjesmarrjen e Prishtinës, as Tirana nuk kishte si të merrte pjesë.  Por maqedonëve u ka interesuar më shumë pjesëmarrja e Serbisë se sa prania e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në Ohër.   Ka kaluar koha kur Shqipëria dhe Shqiptarët injoroheshin. Mund të mbahen konferenca, madje edhe të nivelit të lartë, si kjo në Ohër, por ato janë humbje kohe sepse pa  pjesëmarrjen e shqiptarëve nuk as paqë as stabilitet rajonal, dhe as përmërsim të fqinjësisë së mirë midis popujve të Ballkanit.   Duan e s’duan fqinjët e Shqiptarëve, është mirë dhe në interesin e të gjithëve që tanimë të të njohin realitetin në Ballkan. Shqiptarët kanë qenë dhe janë aty, që sipas At Gjergj Fishtës, aty ku, “Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore….ky popull ashtë bash ai popull i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë.   I vjetër sa fosilet, sa stalaktikat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuash prej vetë rranjëve të vjetra, ai ashtë sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të veta.” (At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës, 1919).

Mos të tradhëtohen organizuesit e mbledhjes së Ohrit dhe përkrahsit e tyre në Beograd se pa pa pjesëmarrjen e Shqiptarëve,  nuk do të realizohen objektivat bazë të organizatës SEECP-it, për marrëdhënje të mira fqinjësore dhe transformim të rajonit të Ballkanit në një zonë paqeje dhe stabiliteti – që është një dëshirë e madhe e Shqiptaëve.

*Frank Shkreli, ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, kunder shqiptareve, serbo-maqedonas, solidaritet

ROLI I MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALE

May 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Disa ditë më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati një takim me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqsi shqiptar vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të vendit dhe theksoi “kontributin parësor”, të medias në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Roli i medias është gjithmonë aktual, por siç u tha edhe presidenti Nishani përfaqësuesve të medias shqiptare javën që kaloi, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit presin nga media që të informojë publikun mbi politikën, fushatën dhe zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë arsyeja se pse ekziston shtypi ose media e lirë sidomos gjatë një fushate elektorale është që t’i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike, duke u komunikuar zgjedhësve çështjet me rëndësi me të cilat përballet vendi dhe për të cilat duhet të interesohen votuesit, nëqoftse dëshirojnë të jenë të mirë-informuar se në favor të cilti kandidat ose parti të hedhin votën e tyre.    Nuk është roli i medias që të bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet të votojnë, por kontributi i saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me progamin e partive, mbi qendrimet politike të kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me qëllim që votuesi në bazë të këtij informacioni — të marrë vet vendimin më të mirë që është i mundur se për cilin kandidat ose parti të votojë.   Në asnjë vend nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.

Natyrisht, se në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqsuesit e tyre, gjithmonë përpiqen të përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë kontributin e vet duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike duke theksuar dhe duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të interesuara partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të influencojë debatin publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe publiku në shkallë vendore dhe kombëtare.  Shtypi është, si të thuash, mbikqyrës i zhvillimeve politike, dhe nëqoftse e luan këtë rol në mënyrë të ndershme dhe të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në informimin mbi zhvillimet e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të krijojë një atmosferë më të pranueshme dhe më të njerzishme në marrëdhënjet midis forcave politike dhe  njëkohësisht edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë në gjëndje të kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që informacioni i paanshëm dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e duhur dhe të mirë-informuar.   Roli i medias është mbi të gjitha roli i saj si burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe rolin e edukuesit.   Në këtë fazë të fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në informimin e votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet  dhe qendrimet e partive dhe kandidatëve mbi çështjet me rëndësi të vendit.

Ky është një rol kryesor i medias!   Rol i pazëvëndsueshëm për funksionimin normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha përgjegjësi kombëtare.   Mediat e kontrolluara nga partitë politike, nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit.   E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat duhet  që të sigurojnë mbulimin e të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet publike.

Respektimi ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie funksionale, por edhe jë tregues i respektimit ose jo të lirisë së të shprehurit në përgjithësi. Autoritetet kanë përgjëgjsinë morale dhe kombëtare që të respektojnë dhe të inkurarojnë zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura, ndërkohë që organet mediatike, nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e vet për të mbështetur proceset demokratike nepërmjet mbulimit objektiv dhe të paanashëm të  fushatës së zgjedhjeve dhe jo nepërmjet interesash të ngushta partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht nuk kanë të mirën e përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre por interesat e ngushta e të përkohëshme politike ose ekonomike të tyre.   Ato media mund të jenë të lira por nuk janë të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në punën e tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur.   Media e pavarur, objektive dhe e paanshme është një e drejtë e qytetarit për të qenë i informuar.

Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se, ”Monopolizimi ose përqendrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm.”    Në raportin e fundit organizata Freedom House, tha në lidhje me pavarësinë e medias në Shqipëri,  se “Liria e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por përparimi drejtë rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka ngecur në vend numëro.”

Legjislacioni shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që të furnizojë shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të plotë dhe të saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e informacionit.    Ligji kërkon gjithashtu që entet mediatike të mbulojnë, në mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët dhe partitë pa dallim.   Në një raport parazgjedhor që bëri në Shqipëri, Marsin që kaloi një delegacion amerikan i Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, “Pronarve të medias, redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete mbrenda organizatave të tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të integritetit gazetaresk….”

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur — në një deklaratë për shtyp me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, “Kuvendi i Shqipërisë, entet mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të avancojnë lirinë e medias në Shqipëri.    E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet nga një medie e fortë dhe e pavarur”, nënvijoi ai.

Në një demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të shpalosen dhe të dëgjohen.   Një gazetë ose një media e çfardo lloji qoftë, elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari objektive, të paanshme dhe profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq një numër të madh lexuesish dhe shikuesish.   Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjëshëm si përfaqsues i shtetit duhet të dëgjojë hallet e popullit, nepërmjet medias, e cila duhet të informojë qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e thirrur nga Presidenti Bujar Nishani, me përfaqsues të shtypit dhe medias javën që kaloi, është një nismë që duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe faktor i zakonshëm në marrëdhënjet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të qeverisë, me përfaqsues të medias.Askujtë nuk i pëlqejnë kritikat për ato që mund të shikohen si të meta ose dështime, por një përfaqsues i popullit është i detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të cilat përballen qytetarët dhe media e ka për detyrë morale dhe profesionale të informojë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në standardet më të larta etike të gazetarisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, ne fushaten elektorale, Presidenti Bujar Nishani, roli i medias

KOSOVA SHËNON JAVËN E TOLERANCËS

May 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ministria e Jashtëme e Republikës së Kosovës në portalin e saj njofton se nga 20-26 Maj, në Kosovë zhvillon punimet Java e Tolerancës dhe Pajtimit.   Takimet në Prishtinë, përfshijnë një numër evenimentesh ku do të marrin pjesë përfaqsues komunitetesh dhe udhëheqës nga mbarë bota me qëllim për të zhvilluar një dialog pozitiv dhe të hapur midis tyre.   Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se në takimet e Prishtinës, këtë javë, do të marrin pjesë më shumë se 300 mysafirë nga pothuaj 50 shtete nga pesë kontinente.  Thuhet gjithashtu se respekti dhe mirëkuptimi midis komuniteteve  është një  përparësi e rëndësishme për Kosovën, sidomos kur të merret parasyshë historia e viteve të fundit.

Objektivi i konferencës ndërkombëtare, sipas organizuesve që përfshijnë,  ndër të tjera –Ministrinë e Jashtme të Kosovës, Fondacionin Tony Blair, Fondin e OKB-së  për Zhvillim dhe Këshillin Britanik të Kosovës – është që ti kontribojë dialogut botëror ndër-fetar dhe të ndihmojë  drejtë pajtimit mbrenda Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit, duke venë në dukje se feja është diçka që mund të shërbejë si një fuqi bashkuese dhe jo përçarëse.Në emër të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri deklaroi se, “Ne, si parlament, me interesim të veçantë po i presim takimet e shumta që do të shënojnë vlerat tradicionale të tolerancës të popullit paqëdashës të Kosovës’’ dhe shtoi se, “Java e  Tolerancës”  do  të bashkojë  liderë botërorë në Kosovë, duke konfirmuar dëshirën tonë për të dhënë një kontribut për paqën dhe pajtimin global.”
Në emër të qeverisë së Kosovës, Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi në një deklaratë u shpreh se mirëpret,  “liderët ndërkombëtarë fetarë dhe vizitorët të cilët do të në bashkohen që të shohin nga afër se Kosova është laike për nga karakteri i saj, dhe se ka një respekt të madh për diversitetin dhe dialogun.”   Zevendës ministri  i jashtëm i Kosovës shtoi duke thënë se,  “Shumica e njerëzve anembanë botës dinë për luftën e Kosovës.   Por ata nuk e dinë se komunitetet fetare kanë jetuar këtu së bashku në paqë për shumë breza me radhë.    Trashëgimia jonë kulturore ka marrë formë nga ky diversitet, i cili përfshinë edhe myslimanët, katolikët, ortodoksët dhe hebrenjtë.   Xhamitë dhe kishat mund gjenden pranë njëra tjetrës në shumë qytete tona.   Jemi
të angazhuar për dialog ndërfetar dhe për respekt për të gjithë”, deklaroi zyrtari i lartë i Kosovës, para fillimit të Javës së Tolerancës në Kosovë.
I përndershmi Donald Reeves nga organizata bamirëse e Britanisë së Madhe “Soul of Europe”, (Shpirti i Europës) dhe njëkohësisht edhe koordinuesi i Javës së Tolerancës në Kosovë,  tha se  organizata e tij, “është krenare që mbështetë këtë takim unik botëror  në Kosovë”, që sipas tij, “ do të jetë i një rëndësie të veçantë për debatin bashkëkohor mbi fenë dhe tolerancën.   Jemi shumë të kënaqur që po punojmë së bashku me institucionet e Kosovës për të mundësuar një debat  të tillë progresiv mbi këto tema”, shtoi ai.   Sipas Donald Reeves, organizata “Soul of Europe”, e themeluar në vitin 2000 përpiqet që në misjonin e saj të realizojë fjalët e Nelson Mandelës, i cili ka thënë se, “Paqëja nuk arrihet duke folur me miqët e tu: është e nevojshme që të bëjshë paqë me armiqtë e tu”.
Gjatë Javës së Tolerancës,  Prishtina do të marrë  Gurin e  Paqës, duke iu bashkuar kështu grupit të qyteteve që  në të kaluarën kanë nderuar  viktimat e luftës, me hapësirën kushtuar atyre, dhe me urime për një botë më paqësore, thuhet në njoftimin  e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.    Ky gjest simbolik është përcjellur nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në të gjithë globin.   Sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme të Kosovës, Guri i Paqës do të vendoset në Muzeun Kombëtar  të Kosovës  me pjesmarrjen e  Presidentes Atifete Jahjaga,  zëvendësministrit të Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarit të  Prishtinës, Isa Mustafa.
Njoftohet gjithashtu se Kryeminisitri Hashim Thaçi do të inaugurojë  Monumentin e Holokaustit  në vendin ku ndodhej dikurë sinagoga hebreje e fundit në Prishtinë, vend i cili do të shëndërrohet në një rikujtim të përhershëm i pranisë së rëndësishme të komunitetit të vogël hebraik të Kosovës.    Kosova gjithashtu do të ndajë me të pjesëmarrësit ndërkombëtarë  kodin shqiptar të Besës ose “të nderit”, në bazë të të cilit shqiptarët  shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fund të  javës, takimi i dhjetë jubilar i Grupit të Mëngjesit të Lutjeve të Evropës Juglindore (Lutja Kombëtare e Mëngjesit) do të organizohet në Prishtinë nga Kuvendi i Kosovës, nga 24-26 Maj, në të cilin gjithashtu do të marrin pjesë  udhëheqsit e Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe udhëheqsi i opozitës, Isa Mustafa.
Konferenca ndërfetare e cila do të zhvillohet në Pejë, nga 24-26 maj, — si pjesë e Javës së Tolerancës  — do të jetë gjithashtu një forum i rëndësishëm për debat dhe dialog kritik për
çështjet ndërfetare në Kosovë.   Ministri i Jashtëm  Hoxhaj, së bashku me organizatat ekumenike nga Kosova dhe Britania e Madhe, do të presin  mysafirët, duke përfshirë edhe udhëheqsit e komuniteteve fetare dhe ekspertë nga 42 shtete, të cilët pritet të bisedojnë mbi çështjet e dialogut ndërfetar në Evropë dhe në botë.
Toleranca dhe pajtimi  janë të rëndësishme për paqën në botë por edhe për yhvillimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë    dhe pa dallim.  Njerzit nga natyra nuk janë tolerantë ndaj personave që janë ndryshe , qoftë nga pikëpamja etnike, racore ose fetare. Por për fat të mirë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, bota ka pasur individë me karkater dhe të dedikuar ndaj realizimit të drejtësisë dhe barazisë.  Edhe organizuesit e Javës së Tolerancës në Kosovë, përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe qeveritare të Kosovës, janë një frymëzim për të gjithë, por nënvijon edhe faktin se shqiptarët gjithmonë gjatë historisë nuk kanë okupuar as nuk kanë sulmuar popujt me të cilët kanë jetuar në Ballkan, përkundrazi, shqiptarët siç ve në dukje edhe gatishmëria e tyre për të mbajtur në Kosovë një eveniment të tillë, tregon se ata nuk janë diskriminues në baza fetare dhe etnike dhe se janë tolerantë ndaj kulturave dhe kombësive të ndryshme që jetojnë me ta ose në periferi.  Për të gjithë duhet të jetë e qartë se toleranca dhe pajtimi, jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivel politik e fetar kombëtar,  rezulton në një shoqëri më të drejtë, më të paqë dhe më të barbartë.

Nelson Mandela, një njeri i diskriminuar dhe i abuzuar dhe i cili me dekada u burgos nga regjimi racist i Afrikës së Jugut, dhe i cili më vonë u bë president i atij vendi, në autobiografinë e tij, “Udha e Gjatë drejtë Lirisë”, thotë se, “askush nga natyra nuk lind të urrej të tjetrin për arsye të ngjyrës së lëkurës, për arsye etnike ose fetare.  Njerzit mësojnë të urrejnë të tjerët, dhe nëqoftse ata mësojnë të urrejnë të tjerët që janë ndryshe nga ata, atëherë ata mund të mësohen të dashurojnë, sepse dashuria është më e natyrshme  për zemrën e njeriut se sa urrejta.”

Java e Tolerancës në Kosovë që filloi dje punimet në Prishtinë, është një fillim i mirë, jo vetëm për ti treguar botës tolerancën e shqiptarve,  madje edhe ndaj atyre që  nuk janë treguar tolerantë ndaj tyre, por është njëkohsisht edhe një ngjarje me rëndësi për të avancuar  kauzën e drejtësisë, dialogut ndërkombëtar dhe zhvilimit rajonal.  Për këtë ndërmarrje, qeveria dhe shteti i Kosovës  si dhe sponsorizuesit,  meritojnë  falenderimet e të gjithëve.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, javen e Tolerances, Kosova shenon

NJË JAVË E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMA

May 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Jam i bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me ankth fund javën. Ishte një javë tepër e vështirë për ta por edhe për sistemin politik amerikan, pasi presidenti dhe zyrtarët e tij u përballuan me akuza të ashpëra nga media dhe nga Kongresi në lidhje me zbulimin se Departmenti i Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia Tatimore, kishte venë në shënjëstër grupe dhe organizata konservatore, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit janë përpjekur të aplikojnë për stausin e përjashtimit nga taksat. Sipas njoftimeve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar statusin e tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje liberale që kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë problem. Presidenti Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të Agjencisë Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të ”patolerueshme dhe të pafalshme.” Ai gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të jenë fajtorë, do të mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e masave që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më. Edhe Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci, ”është sigurisht skandaloze dhe e paranueshme” dhe shtoi se ka urdhëruar bërjen e hetimeve nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka kërkuar ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si rrjedhim, kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj agjencie.
Çështja tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z. Obama është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për një periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të agjencisë së njohur të lajmeve Associated Press (AP). Megjithë zemërimet e shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë, që ekspertët ligjorë dhe anlalistët e quajnë si të pa precedencë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder mbrojti të drejtën e entit që ai drejton — për hetimet rreth njoftimit të agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen. Ai tha se këjo nxjerrje informacioni nga agjencia e lajmeve AP “ishte tepër, tepër serioze” dhe se informacioni i nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, “pa ekzagjerim rrezikon popullin amerikan”.
Reagimet ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe i djathtë.
Vet agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary Pruitt protestoi duke thënë se, ”Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm për një konfiskim të tillë të të dhënave të komunikimeve telefonike të agjencisë AP dhe gazetarve të saj. Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to. Ne e konsiderojmë këtë masë të Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat konsitucionale të agjencisë AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.”
Shoqata e Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave telefonike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, të agjencisë AP, lëshoi një deklaratë duke thënë se, “këjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe shkel lirinë kritike të shtypit që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara “. Gazeta Nju Jork Tajms tha në një editorial kritik ndaj administratës Obama, se “Këto taktika nuk do të na frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të frikësojnë burimet dhe kontaktet konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë ablsolutisht jetike për median, për të raportuar mbi punët e qeverisë.”
Gazeta USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, “është e vërtetë se qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por këjo përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është i tepruar. Këjo administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me abuzimin e pushtetit.”
Ndërsa gazeta Uashington Post, e njohur për vijëpn e saj liberale dhe normalisht përkrahse e Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me abuzimet në Agjencinë amerikane të Tatimeve kundër grupeve të djathta konservatore, u shpreh se, “Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane është se pushteti i qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë për qëllime partiake.’’
Kongresi ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e komisioneve të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në lidhje me këto çështje. Kongresistët, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë ndodhur dhe njëkohsisht i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe të sigurojë marrjen e masave që aktivitete të tilla nuk do të përsëritën më. Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetve, John Boehner tha dje gjatë një konferencë shtypi se, “Pyetja ime nuk është se kush do të japë dorëheqjen”, pyetja ime”, shtoi ai, “ është se kush do të ndëshkohet me burg për këtë.” Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti Boehner tha se, “Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet” dhe është e nevojshme tha ai të dime se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i administratës Obama, Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave të kolegëve të tij në Kongres ndaj Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencisë AP, duke thënë se, “e kam shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë Ministria e Drejtësisë. “Është e pafalshme. Nuk ka asgjë që mund të justifikojë një gjë të tillë”, tha udhëheqsi demokrat i Senatit.
Këjo javë ishte me të vërtetë shumë e keqe për presidentin Barak Obama dhe për administratën e tij, sigurisht java më e vështirë e mandatit të tij deri tani. Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në Uashington. Megjithëse siç duket administrata Obama ia shkaktoi vetvetes këto probleme – republikanët me zi kanë pritur për një moment të tillë, duke njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri seancash në Kongres për të zbuluar të vërtetën, jo vetëm për këto dy çështje, por edhe për sulmin terrorist në Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi, ku mbetën të vrarë katër diplomatë amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Christopher Stevens, pasi kohët e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk përputhen me shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në lidhje me atë sulm. Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga Presidenti Obama dhe administrata e tij të vërtetën si dhe pushimin nga puna ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën amerikane. Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera, garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amnadamentet e tjera për një arsye. Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e kishin paraparë rëndësinë e tij. Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, nje Jave e keqe, per administraten Obama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT