• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

USHTRINË TIME DO TA BËJ

January 3, 2013 by dgreca

Ne fotografi: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku/
Nga Frank Shkreli/
Ishte një kohë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pothuaj pesë vjetë më pare, që fjala ”ushtri” as të mos përmendej si pjesë e shtetformimit dhe sigurimit të shtetit më të ri në Evropë.   Thuhej se Kosova nuk ka nevojë për ushtri, sepse ishte organizata e Atlantikut Verior (NATO) ajo që do të kishte përgjegjësinë për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë në Kosovë.   Por punët po piqen dal ngadalë.   Kosova së shpejti do të festojë 5-vjetorin e pavarësisë së saj.   Në arenën diplomatike është njohur nga pothuaj 100-vende të botës, përfshirë edhe shtetet më të rëndësishme të Përendimit,  anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, megjithëse kundërshtohet pavarësia e saj nga Serbia fqinje dhe miqët e saj shekullorë, Rusia, Greqia, Kina e tjerë.   Kosova si shtet i ri e i pavarur, synon që të bëhet pjesë jo vetëm e Bashkimit Evropian  por edhe anëtare e organizatës ushtarake përendimore, NATO.   Por, për tu bërë anëtare e NATO-s, Kosova ka nevojë për ngritjen e një ushtrie profesionale,  pasi nuk ka ndonjë vend anëtar të NATO-s pa ushtri.

Kohët e fundit po flitet dhe po shkruhet se viti 2013 do të jetë viti i bërjes së një ushtrie profesionale të Kosovës.   Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Agim Çeku tha të Mërkurën për Zërin e Amerikës se krijimi i ushtrisë së rregullt  të Kosovës, ”është një proces i cili tashmë ka filluar me studimin e kapaciteteve që i duhen Kosovës për tu përballur me kërcënimet dhe rreziqet, duke shtuar se një ndër institucionet që mundëson një jetë normale dhe funksionale të shtetit të Kosovës, është ushtria.

Edhe gazeta e ushtrisë amerikane Stars and Strajps (”Stars and Stripes”, në një artikull nga Prishtina, të botuar javën e fundit të Dhjetorit që kaloi, i bashkohet zërave të këtij debati duke thënë se Kosova synon krijimin e një force ushtarake, si  dhe të bëhet anëtare e NATO-s.   Siç dihet në Kosovë, NATO ka rreth 5600 ushtarë të NATO-s, ndërkohë që nja 800 prej tyre janë amerikanë.   NATO, përveç rolit të saj për ruajtjen e paqës dhe sigurisë në Kosovë, ka ndihmuar gjithashtu në krijimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila konsiderohet  si thelbi i një ushtrie të ardhëshme për atë vend.   Gazeta Stars and Strajps thotë se megjithëse ambasada amerikane në Prishtinë nuk komentoi në lidhje me përpjekjet e Kosovës për krijimin e një ushtrie të rregullt, ajo citon shefin e Zyrës së ambasadës amerikane për Bashkpunimin në Fushën e Mbrojtjes, Kolonelin Ray Wojçik të ketë thënë se ”Ne mendojmë se është një rast shumë i mirë për ta, që të shqyrtojnë seriozisht se në ç’drejtim duhet të shkojnë”.

Megjithëse udhëheqsit e Kosovës shpresojnë për antarësimin e tyre në NATO, gazeta e ushtrisë amerikane  thotë se nuk është e qartë se si do të reagonin vendet e ndryshme anëtare të NATOs ndaj ngritjes së ushtrisë së Kosovës, pasi ka kundërshtime madje edhe për statusin që gëzon tani FSK-ja.   Por artikulli citon këshilltarin politiko-ushtarak të ambasdës amerikane Majkël Kreidler se këjo është një situatë  “ku ne përpiqemi të zgjërojmë konsensusin dhe ta çojmë atë në një drejtim pozitiv.’’  Por, shton zyrtari amerikan, “arritja e një konsensusi në Bruksel është shumë e vështirë’’.

Dihet se Amerika mbetet përkrahsja kryesore e Kosovës në shumë fushë, përfshirë edhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si edhe forma të tjera ndihmash për nevojat e sajë, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë. Gazeta Stars & Strajps citon Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjeneralin Kadri Kastrati, i cili i thotë gazetës së ushtrisë amerikane se ”Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik dhe i tillë do të mbeten përgjithmonë”.   Ai vazhdoi duke thënë se, ”Çdo gjë që jemi duke bërë, e bëjmë në bashkrendim me atasheun ushtarak amerikan në Prishtinë si dhe me kolegët  tanë që punojnë në Grupin Këshillues të Natos ose në Zyrën e Bashkpunimit në fushën e Mbrojtjes.”   Sipas gazetës amerikane, roli i ushtrisë amerikane do të jetë kyç në fazën e ardhëshme të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës,  pasi parashikohet që në Qershor të këtij viti të ri-shqyrtohet ligji që mbulon veprimtarinë e kësaj force.   Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish-Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se në këtë proces të ri-shqyrtimit të rolit të FSK-së dhe të ngritjes së ushtrisë së Kosovës, ai është në konsultime dhe beson se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, duke shtuar për gazetën Stars & Strajps se, ”Unë nuk do të formulojë asnjë rekomandim i cili nuk bashkrendohet dhe që të mos pranohet nga Shtetet e Bashkuara”.

 

Sikurë donte të qetësonte jo vetëm partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe rajonin, se ngritja e ushtrisë së Kosovës nuk do të përbëjë asnjë rrezik as kërcënim për asnjë vend të rajonit, Ministri Çeku tha për Zërin e Amerikës të Mërkurën, se ushtria e ardhëshme e Kosovës do të jetë, ”Një forcë për të mirën e vendit, për të mirën e rajonit dhe jo një forcë që dikush duhet ta ketë frikë ose që paraqet kërcënim për dike — por do të jetë një forcë që reflekton siguri për të gjithë.”

Ka ardhur koha që Kosova të ketë ushtrinë e vet.  Ngritja e ushtrisë së Kosovës do të përmirësojë qendrueshmërinë e paqës në vend si edhe në rajon dhe si anëtare, eventualisht  e NATO-s, Kosova dhe ushtria e saj do të kontribojnë jo vetëm për paqën në Evropë, por edhe në botë duke marrë pjesë në misjone paqëruajtëse të NATO-s në zona me konflikte, anë e mbanë botës.

Një këngë e këngëtares së njohur dhe shumë popullore nga Kosova, Adelina Ismaili, e ka titullin ”Ushtrinë time do ta bëjë”, kushtuar luftës në Kosovë dhe ish-Presdentit Ibrahim Rugova.   Le të jetë ky vit, viti kur profecia e titullit të këngës së Adelinës të bëhet realitet, që Kosova t’a bëjë, më në fund, ushtrinë e vet, ashtuqë të bëhet anëtare – aty ku e ka vendin e saj — tek organizmat përëndimore ushtarake dhe ekonomike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë si çdo vend tjetër anëtar i këtyre aleancave.

Filed Under: Opinion, Rajon Tagged With: Agim Ceku, Frank shkreli, Ushtria e Kosoves

GËZUAR VITIN E RI

December 30, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shqiptarët kudo po bashkohen për të festuar mbarimin e një viti dhe fillimin e Vitit të Ri, por edhe fillimin e shekullit të dytë të Pavarësisë Kombëtare.   Ishte fryma e atdhetarizmit të patriotëve të kombit shqiptar të cilët shpallën pavarësinë 100-vjetë më parë në Vlorë, ajo që mbajti gjallë endërrën kombëtare brez pas brezi.  Është pikërisht këjo frymë që në Vitin e Ri dhe në shekullin e dytë të Pavarësisë Kombëtare do ta mbajë të gjallë atë ëndërrë për brezat e ardhëshëm deri në realizimin e saj.  Dëshiroj që Viti i Ri dhe shekulli i dytë i Pavarësisë së Shqiptarëve të jetë një periudhë lirie më të madhe dhe begatie për të gjithë Shqiptarët, gjithmonë me përgjegjësi dhe integritet moral personal, shoqëror dhe kombëtar.

Vaclav Havel, disidenti anti-komunist çek ka thënë se, ”Në secilin prej nesh ekziston dëshira e zjarrtë për një dinjitet të vërtetë njerëzor, për një integritet moral, si edhe për një sens që tejkalon kufijtë ekzistencial të botës.”   Dëshiroj dhe uroj të gjithë bashkatdhetarët kudo që janë, që Viti i Ri dhe shekulli i ardhëshëm i Shqiptarëve të jetë, për të gjithë ne, një periudhë e rritjes së integritetit dhe përgjegjësisë  civile dhe morale për veten tonë, për shoqërinë ku jetojmë dhe për mbarë kombin.

Festat e fund vitit na kujtojnë se vlerat e përbashkëta që ndajmë me njëri tjetrit si Shqiptarë janë më të rëndësishme se sa ndryshimet midis nesh.   Viti i Ri është një rast për një fillim të ri, për realizimin e objektivave personale dhe kombëtare.  Është një moment për të festuar arritjet e deritanishme  dhe për t’u përgatitur për sfidat e ardhëshme, me mirëkuptim dhe bashkpunim me njëri tjetrin, me energji, inteligjencë dhe kurajo,  të vendosur për të punuar së bashku për një të ardhëme më të mirë për të gjithë Shqiptarët kudo.

Nga zemëra uroj të gjithë bashkombasit kudo që janë — e veçanërisht lexuesit e shkrimeve të mia modeste e nganjëherë ndoshta edhe të mërzitshme — që Viti i Ri t’u sjellë jetë, shëndet dhe punë, por edhe paqë e begati, si dhe realizimin e të gjitha objektivave dhe ëndërrave  të parealizuara për ju dhe për familjet tuaja, si dhe për të gjithë ata për të cilët zemëra u dëshiron mirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Urim

XHORXH H. W. BUSH DHE PARALAJMERIMI I KRISHTLINDJES 20-VJETË MË PARË

December 28, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të Ënjten u njoftua se ish presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh H.W. Bush vazhdon të qendrojë në pavionin e kujdesit intensiv në spitalin Metodist të Hjustonit në Teksas.   Fillimisht ai u shtrua ne spital me 23 Nëntor sepse vuante nga bronkiti por,  siç duket gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqsuar dhe tani është nën mbikqyrjen intensive të mjekëve pas një seri ndërlikimesh mjekësore, përfshirë edhe ethet.   Megjithë gjëndjen e rëndë shëndëtsore, media amerikane citon zëdhënsin e ish-presidentit Bush se ai është në gjendje të komunikojë me mjekët e tij dhe mjekët në përgjithësi janë optimistë se ish-presidenti do të mund ta kalojë edhe këte sfidë.

Ish presidenti 88 vjeçar u shtrua në spital muajin e kaluar nga bronkiti. Zëdhënësi i tij tha se zoti Bush u transferua në pavionin e kujdesit intensiv të djelën pas një seri komplikacionesh, përfshirë edhe ethet e vazhdueshme.    Pritet që ai të vazhdojë të qendrojë në spital, ndoshta për një kohë të pacaktuar megjithëse sipas shefes së stafit të ish-presidentit Bush, atij është duke iu berë “perkujdesja më e mirë mjekësore në botë. ”

Ish-presidenti republikan Xhorxh Bush, i cili eshte në moshen 88 vjecare, ka shërbyer si presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një afat presidencial, prej vitit 1989 e deri ne vitin 1993.   Në historinë amerikane dhe botërore ai do të njihet për udhëheqjen e koalicionit të gjerë të kombeve, koalicion ky që detyroi tërheqjen e forcave irakiane të diktatorit Sadam Hussein nga Kuvajti në vitin 1991.   Zoti Bush, si rradhë ndonjë udheheqës tjetër amerikan, ka pasur një karjerë të gjatë prej katër dekadash me detyra të ndryshme me rëndësi në qeverine federale dhe në Kongresin amerikan. Ai ka shërbyer si anëtar i Kongresit, si ambasador i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Republikën Popullore të Kinës pas rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit, si drejtor i CIA-s dhe pas një fushate të ashpër për president mekundërshtarin e tij republikan Ronald Reagan. Kur ky i fundit zgjidhet president, Zoti Bush shërben si zëvendës-president i Presidentit Ronald Reagan për dy afate, nga viti 1981 e deri ne 1989.

Por për ne shqiptarët, ish-presidenti Xhorxh H. W. Bush do të mbahet mendë për të ashtuquajturin “paralajmërim i Krishtlindjes”, një letër secrete këjo që ai i pat dërguar presidentit të atëhershëm serb, dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviç.  Ishte ekkzaktërisht 20-vjetë më pare këtë javë, më 25 Dhjetor – Ditën e Krishtlindjes të vitit 1992.   Mesazhi i ish-presidentit Bush ishte i qartë dhe i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim:  “Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe mbrenda vetë territorit të Serbisë.”

Kjo deklaratë e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave.   Këjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, u përsërit here pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij.   “Jemi të gatëshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet”,  pat thënë Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993.   Dhe, “Politika amerikane nuk ka ndryshuar” pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush.    Dhe më në fund,  vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 tha në Uashington se, “Vija e kuqe ishte shkelur….dhe nuk besoj se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bejme diçka”, pë t’I ndaluar ato.   Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.

Ishte pra këjo politikë amerikane, e përcaktuar dhe e deklaruar nga ish-presidenti republikan Xhorxh H. W. Bush  — dhe e zbatuar nga ish-presidenti demokrat Bill Klinton, e cila më në fund bëri të mundur përdorimin e të vetmit opcion që kishte Amerika dhe aleatët e saj evropianë kundër forcave serbe, e që ishte përdorimi i forcës ushtarake kundër Serbisë për masakrat në Kosovë dhe për shpërnguljen e detyrueshme  të qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta.  Ishte këjo një politikë  që më në fund vendosi fatin e Millosheviqit dhe të Serbisë — por më me rëndësi për historinë e kombit shqiptar është se këjo  politikë e durueshme dhe serioze e prononcuar nga presidenti Xhorxh Bush dhe e përkrahur nga republikanët dhe demokratët, dy partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara — ajo që më në fund çoi në çlirimin e Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore terroriste serbe dhe përfundimisht, në pavarësinë e shtetit të Kosoves, 5-vjetori i së cilës festohet brenda disa javëve.

Duke i uruar shërim të shpejtë dhe shëndet në ditët që i kanë mbetur në këtë botë — në këtë 20-vjetor të paralajmërimit të Krishtlindjes që ai bëri më 25 Dhjetor, 1992 kundër shkeljes së vijes së kuqe në Kosovë nga forcat ushtarake dhe policore të Millosheviçit  — me mirënjohje dhe falenderim përkujtojmë dhe lutemi për shëndetin e ish-presidentit Xhorxh H. W. Bush.

Filed Under: Editorial, Opinion Tagged With: Frank shkreli, Krishtlindjet, paralajmeroii, Xhorxh w Bush

NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT

December 20, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),  (Committee To Protect Journalists),  një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç’prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar.   Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord.   Këto tre vende që sipas KMG,  janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve.  Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’.  Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.   Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”.  ”Kur vriten gazetarët”, tha ai, ”mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.”   Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend.   Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie.  Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend.  Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre.   Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut.  Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin.  Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër — duke shfaqur shqetsimet e tij serioze — çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë  themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë  ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.  Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit.  Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli,  “nëqoftse shumica e popullit   beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi,  edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse  opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje vit vdekjeprures, per gazetaret

SENATORI XHON KERRI, NJË MIK I SHQIPTARËVE, KANDIDATI NUMËR NJË PËR TË ZËVËNDËSUAR HILLARI KLINTON

December 16, 2012 by dgreca

      Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit, media amerikane është mbushur me njoftime të cilat duke cituar burime të besuehsme thonë se Presidenti Obama ka në mend të njoftojë në ditët e ardhëshme emërimin e Senatorit Xhon Kerri nga shteti Masaçusets për të zëvëndësuar Hillari Klinton në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, që konsiderohet të jetë më popullorja nga anëtarët e kabinetit të administratës Obama, ka njoftuar tanimë planet e saj për tu larguar nga posti më i lartë diplomatik amerikan brenda disa javëve.   Specifikisht, rrjeti i televizionit amerikan ABC citon burime të besueshme dhe të afërta me procesin e emërimit, e të cilat thonë se Presidenti Obama ka vendosur tanimë të emëroj Kryetarin e Komisionit të Senatit për Punë  të Jashtëme dhe ish-kandidatin demokrat për president, Xhon Kerri në postin më të rëndësishëm qeveritar, atë të Sekretarit të Shtetit.

      Senatori Kerri njihet si një përkrahës i vendosur i Presidentit Obama, dhe emëri i tij është përmendur si kandidat i mundëshëm, pas tërheqjes nga konsiderimi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara,  Suzanë Rajs — që fillimisht preferohej nga Presdienti Obama — por e cila u kritikua ashpër nga republikanët për deklaratat që bëri pas sulmit kundër misjonit amerikan në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Kris Stivens.

Raporte të ndryshme në mediat amerikane lënë të kuptohet se ka mundësi që Presidenti Obama të bëjë njoftimin zyrtar për emërimin e Senatorit Kerri nga mesi i kësaj jave, si pjesë e një pakoje emërimesh të larta, përfshirë edhe emërimin e ish-senatorit republikan Çuk Hejgël në krye të Pentagonit.

Senatori Kerri është i njohur mirë nga publiku amerikan falë fushatës për president të cilën e humbi kundër republikanit  Xhorxh Bush më 2004.  Në Senatin amerikan ku ka shërbyer për një kohë të gjatë, ai njihet si ekspert në punët e jashtëme, një detyrë këjo që e ka ekspozuar atë edhe ndaj ngjarjeve në arenën ndërkombëtare.   Si i tillë, dhe duke u bazuar në lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Obama, nëqoftse emërohet, ai nuk pritet të ketë ndonjë problem në procesin e miratimit të emërimit të tij në detyrën e Sekretarit të Shtetit, madje as nga senatorët republikanë.

Për fat të mirë tonin, Senatori Xhon Kerri njihet shumë mirë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe ai e njeh mirë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan, por është njohës i mirë edhe i çështjeve shqiptare në Ballkan.   Senatori Kerri, si kandidat i Partisë Demokrate për president në vitin 2004, në një njoftim për media të titulluar ‘Xhon Kerri duke punuar së bashku me Shqiptaro-Amerikanët’’, pat deklaruar se, “përkrahte Pavarësinë e Kosovës; përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet  Euro-Atlantike; përkrahte përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, që të kenë të drejta të barabarta si qytetarë të shoqërive demokratike’’.
Senatori Kerri me atë rast vlerësoi komunitetin shqiptaro-amerikan  duke thënë se brez pas brezi, ju “Si Amerikanë  keni ndërtuar komunitetet tona, duke krijuar mundësi ekonomike dhe begati.  Ju vlerësoni familjen, komunitetin, përgjegjësitë dhe oportunitetin.’’

Në deklaratën e tij drejtuar  shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës presidenciale me 2004, Senatori Kerri gjithashtu vlerëson lidhjet e ngushta të komunitetit shqiptaro-amerikan me vendlindjen dhe  thotë se “marrëdhënje të tilla e bëjnë vendin tonë të fortë  e njëherazi edhe një komb të madhërueshëm’’.  Ai shton duke thënë se lidhje të tilla  i ndihmojnë Amerikës të vendosë dhe të ndërtojë miqësi dhe të lidhë aleanca të forta.  Prandaj tha ai, “nuk është e rastit që populli shqiptar është një ndër popujt më  pro-amerikan në botë.’’

Në deklaratën e 23 Korrikut 2004, që siç duket  ishte një dokument  përmbledhës i mendimeve të tija ndaj shqiptarëve këtu në Amerikë dhe në trojet e tyre në Ballkan, thotë gjtihashtu se beson që  “stabiliteti, demokrcaia dhe begatia në Ballkan janë në interesin e Amerikës’’.  Në lidhje me Kosovën qe shprehur se “propozimet për të ndryshuar ose për t’a ndarë  atë duke u bazuar në vija etnike nuk ndihmon ndërtimin e një shoqërie multi-etnike as nuk përgatit rajonin për një të ardhme në Evropë.’’

Në fund të deklaratës, Senatori Kerri u tha shqiptaro-amerikanëve se “Jam krenar që duke punuar së bashku me ju do të realizojmë ëndrrën e Shqiptarëve, të aleatëve tanë dhe të gjithë atyre të cilët janë të interesuar  për një Evropë në paqë, demokratike, të lirë nga frika dhe shtypjet – një Evropë të tërë dhe të lirë nga Baltiku deri tek Deti i Zi ….e deri në Adriatik.’’

Megjithëse Senatori Kerri nuk ia doli të bëhej president më 2004, shpresojmë që  tetë vjetë pas kësaj deklarate shumë miqësore për Shqiptarët dhe ndërkohë që konsiderohet të emërohet si Sekretar i ardhëshëm i Shtetit nga Presidenti Obama, Senatori Kerri të ketë ruajtur këto ndjenja miqësore ndaj Shqiptarëve.  Gjithashtu shpresojmë që Senatori Xhon Kerri, nëqoftse emërohet dhe miratohet si numër një i diplomacisë amerikane, të rivendosë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: Frank shkreli, kandidat nr 1, per sekretar Shteti, Xhon Kerri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT