• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË YLL I RI I PARTISË REPUBLIKANE NË SHBA?

February 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjëndjen e kombit.   Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t’ua paraqes ligjvënsve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti.   Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t’i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për  të mbajtur fjalimin dhe për t’ju përgjigjur pretendimeve të presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, Zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta Washington Post citon udhëheqsin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se Senatori Rubio u caktua t’i  përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit,  sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër,  “është  bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe  i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë  që ajo promovon”.

Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinjë në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin.   Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të pare ai  iu paraqit amerikanëve me fjalimin që  mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjetë më vonë.    Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një  ligjvenës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë  atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija — dhe të partisë që ai përfaqëson — për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika.   Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht,  që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhëshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ”Shpëtimtarin e Partisë Republikane”, ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ”komunikuesin më të mirë ç’prej Ronald Reaganit.”  Udhëheqsi i republikanëve në Senatin amerikan, Senatori  Mitch McConnell, tha se, “Marc Rubio mishëron optimizmin  që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës.  Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë  mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike.”

Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç,  ka shërbyer në Dhomën e Përfaqsuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i  Shteteve të Bashkuara nga ky shtet,  në vitin 2010.

Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se besimi i tij në Amerikën u formua heret nga prindërit e tij të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të këtheheshin më në atdheun e tyre.   Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai,  që e ndihmuan të formonte  jetën e tij si person dhe si politikan.  Ai falenderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllëzërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre.   Duke shprehur fillozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se,  ”ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyertë e suksesit për mua” , thotë ai.   Ai shton  se si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misjoni i të cilëve në jetë është që — për fëmijtë e tyre — të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë.   Përsa i përket politikës së  brendshme, ai ndër të tjera është në favor të  balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

 

Senatori Marc  Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se, ”Shumica e Amerikanëve besojnë se kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.”   Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija  duke thënë  se, ”me krenari ka artikuluar qendrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm,  dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë”, dhe se ka ngritur zërin e tij në ”përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, anë e mbanë botës. I vetdijshëm  për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qendrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çeshtjesh aktuale për Amerikën dhe për  botën.  Ai ka theksuar qendrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një  “Shekull tjetër Amerikan”.   Senatori Rubio  ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë.   Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, “gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre”.

E ardhëmja politike e Senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekullimesh në qarqet politike dhe në median amerikane – dhe caktimi i tij për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit, vetem do t’i nxisë edhe më tepër këto spekullime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm iPartisë Republikane për president në vitin 2016.
Caption: Senatori Marc Rubio i shtetit Florida

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, i Partise Republikane, Nje yll i ri

PRESIDENTI OBAMA SHPREH BESIMIN E TIJ FETAR

February 9, 2013 by dgreca

Frank Shkreli/

Të ënjten në Washington u mbajtë ceremonia e përvitshme e ”Mengjesit Kombëtar të Lutjeve”, ku përveç Presidentit Obama,  zevendës Presidentit Biden dhe ku përveç anëtarëve të Kongresit Amerikan ishin ftuar mbi tre mijë pjesëmarrës, udhëheqës dhe autoritetete në fushë të ndryshme nga e mabrë bota.   Është këjo një mbledhje që e organizojnë anëtarët e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve — të cilët rregullisht takohen në Kongres njëherë në javë për lutje.   Këtë traditë e ka filluar ish-Presidenti Dwight Eisenhower dhe për çdo vit presidenti amerikan në detyrë, që së bashku me udhëheqsit më të lartë të vendit nuk ka munguar kurrë nga pjesëmarrja në këtë takim, ku gjithashtu, ftohen dhe marrin pjesë, jo vetëm personalitete politike dhe fetare, por edhe personalitete të dalluara në fushë të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, nga e mbarë bota.   Ky takim është një rast për Presidentin amerikan dhe për pjesëmarrës të tjerë që të shprehin besimin e tyre fetar  dhe për të reflektuar mbi çështje shpirtërore, por edhe politike, për veten dhe për vendin e tyre.   ”Këjo ceremoni është domethënse”,  u tha të pranishëmve Presidenti Obama, është e rëndësishme  ”për ne — si komb dhe si popull — pasi që çdo vit për 61 vjet tani këjo traditë e mrekullueshme lutjesh ka vazhduar.   Mbajtja e përvjetshme e kësaj ceremonie fletë shumë për ne, sepse vit pas viti, në kohë triumfësh dhe në kohë tragjedishë,  në paqë dhe në kriza, ne mblidhemi së bashku, jo si Demokratë e Republikanë, por si vëllëzër e motra, si fëmijë të Perendisë.   Çdo vit, megjithë problemet dhe peripecitë e jetës sonë të përditshme, ne caktojmë një mengjes për tu mbledhur si komunitet i bashkuar në lutje”, tha Presidenti Obama.

Ai u tha të pranishëmve se i bëri përshtypje leximi gjatë ceremonisë nga teksti i Librit të Shënjtë drejtuar Hebrejve, se,  ”Pa besim është e pamundur që të kënaqim Perendinë, sepse kushdo që vjen para Tij, duhet të besoj se Ai ekziston dhe se Ai i shpërblen ata që kërkojnë ndihmën e Tij…jo vetëm për një moment, ose për një ditë, por për çdo moment dhe për çdo ditë”,të jetës sonë, tha presidenti amerikan, Barak Obama.

Presidenti Obama u tha pjesmarrësve në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve se, ”Si të Krishterë, ne besojmë në duartë e gozhduara të Jezu Krishtit.   Por aq shumë amerikanë të tjerë të cilët përqafojnë dhe besojnë në fetë e tyre –si myslimanët dhe hebrejtë, hindët dhe sikët – si dhe të gjithë Amerikanët që besojnë  por edhe ata që nuk besojnë — kanë një besim të thellë dhe të palënkundshëm në kombin e vet.”

Kohët e fundit, tha Presidenti Obama, pata rastin të reflektoja mbi fuqinë dhe forcën e besimit, duke folur për inaugurimin e tij të dytë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë të cilit ai vendosi dorën dhe u betua mbi dy Bibla që ishin përdorur nga dy Amerikanë të mëdhej, atë të Presidentit Abraham Lincoln dhe Biblën e Martin Luter Kingut,  udhëheqsit të të drejtave civile në Amerikë — besimi i të cilëve, sipas Z. Obama, bën jehonë edhe sot.   Ishte e pamundur, tha ai, që me atë rast solemn të mos mendoja për këta dy burra dhe se si të dy këta — në kohë krize e tragjedie si edhe në periudha të pasigurta për kombin tonë, ata i këthyen sytë tek Bibla për të kërkuar ndihmë dhe për të mësuar nga fjala e Zotit — ashtu siç kanë bërë, ç’prej fillimit të këtij kombi, aq shumë presidentë, predikatorë, ligjvenës, juristë e të tjerë.

Duke folur për Dr. Luter King-un, Presidenti amerikan tha se ”ne e dimë se Dr. Kng-u, në Bibël gjënte forcën, në Bibël ai gjënte bindjen dhe në fjalët e Zotit ai zbulonte të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, nga i cili ai nuk hoqi kurrë dorë.  ” Edhe Presidenti Lincoln, tha Z. Obama kishte momente të tilla, ”pasi e kishte parë vendin e tij të ndarë e të përçarë, në një luftë që kishte këthyer vëllain kundër vëllait, dhe familjet kundër njëta tjetrës — këjo tha ai ishte një barrë e rëndë për cilindo president”, duke shtuar se, ”në sytë e presidentit Lincoln, forca e besimit ishte një shënjë përvujtëshmërie që bën të mundur të njohim kufizimet tona dhe si pasojë ai mundi të shikonte imazhin e Perendisë edhe në radhët e atyre të cilët ishin kundërshtarë të tij të vendosur”, shtoi Presidenti Obama.

 

”Në një demokraci kaq e madhe e kaq e ndryshme si këjo e jona”, vazhdoi ai, ”ne përballemi me lloj lloj opinionesh.”,  ‘’Por’’ shtoi ai, ”detyra jonë si udhëheqës në qeveri, ose në biznes dhe si predikues të besimit fetar — është që të kalojmë ditët tona me zemër dhe mendje të hapur, duke kërkuar të vërtetën që ekziston edhe në një opinionin e një kundërshtari, për të bërë të mundur pajtimin e mendimeve dhe arritjen e marrveshjeve që të rezultojnë  — që ne si komb dhe si popull të marrim masa dhe veprime konkrete për zgjidhgjen e problemeve, me të cilat përballemi si komb.”

Duke përfunduar fjalimin e tij të ënjtën para nja 3000 vetave nga Amerika dhe bota,  të cilët morën pjesë në Mengjesin Kombëtar të Lutjeve, Presidenti Obama  tha, ‘’le të mbështetemi në  vendosmërinë tonë e cila bazohet në besimin tonë fetar. Le ti lutemi Zotit që te jemi të denjë i bekimeve të shumëta që Ai i ka dhënë kombit tonë.   Më lejoni gjithashtu që tu them se ne të cilët jemi në pozita të fuqishme dhe me influencë duhet të jemi ndër ata më me përvujtëshmëri.  Dhe le ti premtojnë Zotit  dhe njëri tjetrit, çdo ditë ndërkohë që dielli lind në Amerikë, se ai diell lind  mbi një popull që përpiqet që ta bëjë këtë bashkim të kombit tonë edhe më të fortë e më të fuqishëm.’’

Pas së cilës, Senatori republikan dhe nën-kryetari i ceremonisë, Z. Jeff Sessions, i cili shpeshëherë  është përplasur me Presidentin Obama për çeshtje të shumëta politike dhe ekonomike, e mbylli ceremoninë duke thenë, në një frymë mirëkuptimi se, “ne jemi një komb”, me një president.  “Faleminderit që jeni presidenti  i im.  Falemidnerit që jeni presidenti i ynë”, përfundoi  Senatori republikan Jeff Sessions.

Filed Under: Opinion Tagged With: besimin fetar, Frank shkreli, Presidenti Obama, shpreh

KUR SHQIPËRIA KOMUNISTE NGRITI DOREN KUNDER ZOTIT

February 6, 2013 by dgreca

Më 1985,  për të përkujtuar 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, Qendra Katolike Shqiptare për Informim në Santa Clara të Kalifornisë, nën drejtimin e Z. Gjon Sinishtaj, organizoi një ceremoni përkujtimore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë periudhë tragjike të kombit shqiptar./

Nga Frank Shkreli/

Ishte 6 Shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”,  fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër  ”ideologjisë fetare”  dhe  ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur me ligj Shqipërinë kundër Zotit, si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.   Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak — siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë ,pasojat e të cilit ndihen ende.   Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945,  sidomos kalvari i Kishës Katolike dhe udhëheqsve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi.    Megjithëse rrethanat dhe numëri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej klerikë katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, mysimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist,  nga viti 1945-1960.    Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nepër burgje e kampe përqëndrimi– katolikë, myslimanë dhe ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.    Deri më 1950- komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar aq shumë nga përndjekjet dhe vrasjet sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve.   Lidhjet me Vatikanin për udhëheqsit e Kishës katolike ishin shpallur kundër ligjit.   E gjithë këjo ndërsa në të njëjtën kohë, kushtetuta e Shqipërisë garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Kështuqë në vitin 1967,  kur diktatori Hoxha mbajti fjalimin kundër “influencave fetare dhe zakoneve parapanike”,  influenca e feve në shoqërinë shqiptare ishte minimale për të mos thënë se nuk ekzistonte fare.   Pas fjalimit të Enverit në Shkurt,   Majin të vitit 1967, të gjitha kishat dhe xhamitë që ishin ende të hapura, u mbyllën ose u shëmbën,  dhe në Nëntor të të njëjtit vit, revista letrare ”Nëntori”, njoftoi se gjithsejt në Shqipëri u mbyllën 2,169 objekte fetare dhe bëri njoftimin absurd se Shqipëria tani  ishte bërë zyrtarisht ”shteti i parë ateist në botë.”   Shumica e këtyre objekteve, siç dihet, u shëndërruan në qendra sportive dhe kulturore për edukimin ideologjik të rinisë.    Revista Nëntori mburrej në atë kohë duke shkruar për këtë fushatë anti-fetare se partia dhe shoku Enver ia kanë caktuar rinisë revolucionare detyrën e zbatimit të këtij misioni të madh e historik dhe se nën udhëheqjen e ndritur të partisë dhe shokut Enver, Shqipëria është shteti i parë ateist në botë, shkruante revista Nëntori.

Fjalimi i diktatorit Hoxha me 6 Shkurt 1967 ishte si të themi vaj në zjarrin e fushatës së dhunëshme anti-fetare që regjimi enverist po zhvillonte në atë kohë në Shqipëri.    Media e atëhershme e kontrolluar nga regjimi komunist, në krye me ”Zërin e Popullit”,  e cilësuan dhe e përshëndetën fjalimin e diktatort komunist shqiptar si,  ”një dokument historik pragmatik”  dhe si rezultat i drejtë për drejtë i ”revolucionit të tanishëm kulturoro-ideologjik.”

Megjithëse fatkqesisht, Kombet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar në atë kohë kishin heshtur dhe pothuaj mbanin qendrime indiferente mbi gjenocidin fetar dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrveshjeve ndërkombëtare që garantonin liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare,  nga ana e regjimit stalinist në Shqipëri — kishte persona dhe organizata që ndjenin obligime morale dhe fetare dhe të cilat  ngritën zërin në mbrojtje të të drejtave fetare dhe lirive bazë të popullit shqiptar.

Diaspora shqiptare në Amerikë ishte një ndër ato që nuk harroi kurrë vuajtjet e bashkombasve të tyre gjatë regjimit komunist dhe përpiqej që në mënyra private dhe publike të njoftonte botën mbi persekutimin e besimtarëve dhe për shkeljen e të drejtave bazë të njeriut në Shqipëri.

Më 1985,  për të përkujtuar 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, Qendra Katolike Shqiptare për Informim në Santa Clara të Kalifornisë, nën drejtimin e Z. Gjon Sinishtaj, organizoi një ceremoni përkujtimore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar për këtë periudhë tragjike të kombit shqiptar.   Në atë përkujtim morën pjesë përfaqsues fetarë të diasporës shqiptare, miqë të shqiptarëve  nga Amerika dhe kombe  të tjera,  dhe njëkohësisht  autoritete të larta politike amerikane dëguan telegrame solidarizimi me popullin e vuajtur shqiptar.

Në një mesazh solidarizimi organizuesve, me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipëri,  Presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan shkruante se, ”Për 40-vjetë tani, atdheu i juaj është  nën një regjim që kontrollon lirinë dhe besimin.  Një masë kritike e lirisë që gëzon një vend, është aftësia e popullit të tij për të praktikuar fenë që ai dëshiron.   Por liria e fesë ruhet në zemërat e popullit shiqptar, madje edhe nëqoftse ai nuk është i lirë të praktikojnë këtë të drejtë.   Shpirti njerëzor nuk mund të thyhet as nga regjimet më të egëra.”    Si një profetë, ish-presidenti Reagan e përfundon letrën e tij, drejtuar shqiptarëve duke thënë se, ”Ndërsa ju luteni për të afërmit dhe miqët tuaj, të jeni të sigurt se eventualisht të gjitha tiranitë do të rrëzohen dhe se edhe në Shqipëri do të rivendosen liritë e shtrënjta.”

Ndërsa ish-governatori i shtetit të Kalifornisë Xhorxh Deukmejian, në mesazhin e tij me rastin e 40-vjetorit të përsekutimeve fetare në Shiqpëri u shpreh  se, ”Jemi shumë të shqetësuar për ao që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 40-vjetëve të fundit…Sakrifica personale e klerikëve për fe, liri dhe drejtësi duhet të vlerësohet dhe të mbahet mend.    Unë bashkohem me të gjithë popullin e Kalifornisë për të nderuar këta shqiptarë dhe fenë e tyre.”

Solidarizimi me këtë përvjetor nga Departamenti amerikan i Shtetit erdhi në formë të një telegrami nga Ndihmës Sekretari  i Shtetit Elliott Abrams , i cili iu drejtua organizuesve të ceremonisë  në Santa Klara të kalifornisë  me rastin e 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri duke thënë se, “Shqetësimi juaj rreth persekutimeve fetare në Shqipëri është me rëndësi dhe ne e kuptojmë shumë mirë.  Çështja e lirisë fetare është njëra prej shqetsimeve më themelore e të drejtave të njeriut.  Gjëndja në Shqipëri, vendi i vetëm në botë ku ushtrimi i fesë është praktikisht i ndaluar me ligj – është një njollë e keqe për të gjitha normat e qytetërimit.’’

Me rastin e kujtimit të martirëve të fesë dhe Atdheut më 1985 në Kaliforni, i Përndershmi  Baba Rexhebi  i  Teqesë  Bekatshiane në Detroit  deklaroi se,  “Me këtë rast dëshiroj  të  përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh.  Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën përsekutimin komunist për  arsye të rezistencës së tyre të fortë.  Shumë  ipeshkvinjë, priftërinjë murgesha dhe  laikë katolikë  u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqëndrimit. Ndër ta kishte patriotë , shkrimtarë e poetë të dalluar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare‘’.    Baba Rexhebi tha gjithashtu me atë rast se,  “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit myslima Bektashi. Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u prseektuuan ashpër”, shtoi  Baba Rexhebi  i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara.

Edhe Kancelari i Kishës Ortodokse Shën Gjergji në Boston, i Përndershmi At Arthur Liolin përshëndeti gjithashtu  pjesëmarrësit në ceremonitë përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të fillimit të përsekutimeve fetare në Shqipëri, mbajtë në Santa Klara të Kalifornisë më 1985, duke thënë se, “Liria e fesë dhe lutja e përbashkët është një prej të drejtave bazë të njeritu, e garantuar nga të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe entet ndërkombëtare në mbarë botën. …..Bashkohemi me  besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë shqiptarë, madje edhe me ata që nuk besojnë  për të venë në dukje  tolerancën  unike dhe respektin për njëri tjetrin që populli ynë ka gëzuar me shekuj.”

Megjithë përpjekjet e mëdha dhe masat shtypëse ndaj eliminimit të fesë deri me zhdukjen fizike të klerikëve më të njohur të Shqipërisë, regjimi i Enver Hoxhës, ndonëse edhe me ligj e shpalli Shqipërinë  shtetin e parë dhe të vetëm ateist në botë,  nuk ia doli të çrrjënjoste  ndjenjat e thella  të shqiptarëvempër lirinë e fesë dhe liritë e tjera të nejriut,   me masa siç ishin mbyllja  dhe shëmbja e objekteve fetare,  ashtu siç mendonte dhe shpresonte  Enver Hoxha më 6 Shkurt 1967.Nuk besoj se ndonjë popull tjetër të ketë pësuar  vuajtje, procese gjyqësore dhe vështirsi më të mëdha se sa populli shqiptar gjatë shekullit të kaluar.  Siç ka thënë edhe Papa Gjon Pali i Dytë: “Historia nuk ka parë  ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.   Nëqoftse nuk mund të bëjmë gjë tjetër, atëherë të pakën t’i kujtojmë këto viktima të pafajshme,  të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë, me shpresë që të mos përsëritën më në ato forma ose ndryshe.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: doren, Frank shkreli, kunder Zotit, Kur Shqiperia ngriti

XHON KERRI NË KRYE TË DIPLOMACISË AMERIKANE

February 5, 2013 by dgreca

Gjatë ceremonisë, Sekretari i Shtetit Kerri, në mënyrë simbolike, u tregoi punonjësve të Departamentit të Shtetit pasaportën e tij diplomatike kur ai kishte në moshën 12 vjeçare, pasi babai i tij kishte pa pasë shërbyer si diplomat…/

Nga Frank Shkreli/

Të Hënën, Sekretari i ri amerikan i shtetit, Xhon Kerri arrijti në Departamentin e Shtetit për të filluar detyrën e tij të re, ku u prit me brohoritje, ndërsa  iu drejtua me shaka diplomatëve dhe punonjësve të shumtë të këtij enti, me pyetjen, ”Nëse një burrë mund të drejtojë Departamentin e Shtetit”, një referencë këjo ndaj dy  grave, para-ardhëseve të tij në këtë detyrë, Hillari Klinton dhe Kondoliza Rajs.    Në të vërtetë, ish-Senatori Kerri i cili është 69-vjeç, është burri i parë i bardhë që mban këtë detyrë në 16 vjetë, pasi ç’prej vitit 1997 në këtë detyrë kanë shërbyer Madelinë Ollbrajt, Kolin Powell, Kondoliza Rajs (të dy këta afrikano-amerikanë) dhe Hillari Klinton.

Në ditën e parë zyrtare në detyrën e re, Sekretari i Shtetit Kerri u angazhua se do të përqëndrohet në sigurinë dhe mbrojtjen e diplomatëve amerikanë nga sulmet terroriste anë e mbanë botës, duke thënë se ”ç’prej sot, menjëherë sa të filloj nga puna, prioriteti im numër një është përqëndërimi mbi sigurinë e diplomatëve tanë.”    Ai u tha të pranishëmve se e konsideron Departmentin e Shtetit si një vend pune ku ”mund të arrijmë gjërat më të mira që është e mundur të realizohen në qeveri”,  përfshirë edhe përpjekjet për të siguruar paqën në botë.
Gjatë ceremonisë, Sekretari i Shtetit Kerri, në mënyrë simbolike, u tregoi punonjësve të Departamentit të Shtetit pasaportën e tij diplomatike kur ai kishte në moshën 12 vjeçare, pasi babai i tij kishte pa pasë shërbyer si diplomat. Ai u foli të pranishëmve mbi përvojën e tij si një i ri 12 vjeçar, në Berlinin e pas luftës më 1950-at ku shërbente babai i tij si diplomat, duke thënë se ai mund të kishte shkaktuar një incident diplomatik pasi, duke përdorur pasaportën diplomatike, ai shetiste me biçikletë nepër rrugët e Berlinit të ndarë dhe të shkatërruar nga lufta.    Ai tha se ende i kujtohet se si në pjesën e Berlinit të kontrolluar nga komunistët sovjetikë, ”Nepër rrugë kishte shumë pak njerëz dhe se ata ishin të veshur me rroba të zeza, dhe levizënin me kokën poshtë.”   Sekretari Kerri u tha diplomatëve të sotëm amerikanë  se atëherë, ”në ato rrugë nuk dallohej kurrfarë gëzimi”, në fytyrat e njerëzve  duke shtuar se, kurë  këthehej në Berlinin Përendimor pas vizitave në sektorin lindor të qytetit,  ai ”e ndjente veten i qetësuar” dhe se megjithëse ishte qortuar nga babai i zemëruar që të mos shkonte andej — nga këjo përvojë, shtoi ai, kishte mësuar aq shumë,  ”mbi virtytet e lirisë dhe mbi virtytet e parimeve dhe idealeve tona në bazë të cilave jetojmë”.

Sekretari i Shtetit Xhon Kerri u tha punonjësve të Departamentit të Shtetit se falënderon Presidentin Obama,  ”për besimin që ai ka treguar ndaj tij duke e emëruar atë në këtë detyrë të rëndësishme’’, por shtoi ai  “edhe për besimin në secilin prej jush dhe në punën që ju beni çdo ditë.”   Ish-Senatori Kerri shtoi se, ”Vizioni i Presidentit Obama dhe politikat që ai ka zbatuar gjatë disa viteve të fundit”, sipas tij,  ”pa asnjë dyshim, kanë rivendosur reputacionin e Amerikës në botë”, dhe tha se Presidenti Obama ka nevojë për ndihmë për t’a bërë Amerikën dhe botën më të sigurt, më të begatë dhe më në paqë.

Në fjalën e tij  të hënën para  punonjësve të Departamentit të Shtetit, Sekretari  i ri amerikan i Shtetit nuk  foli mbi iniciativa të reja  që ai mund të ketë ndërmend të ndërmarrë në fushën e punëve të jashtëme dhe ndërkombëtare, as nuk përmendi sfidat e shumëta me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe bota.

Por gjatë dëshmive për konfirmimin e emërimit të tij në detyrën e Sekretarit të ri të Shtetit para Komisionit të Senatit për Marrëdhënjet e Jashtëme, Zoti Kerri  tha se bota është tanimë në dijeni të një numëri sfidash të rrezikshme me të cilat përballemi, veçanërisht në Lindjen e Mesme si dhe në Azinë Jugore dhe Qendrore.   Ai veçoi interesimin amerikan në lidhje me mos përhapjen e armëve bërthamore, duke thënë se duhet që patjetër të zgjidhim  çështjet që kanë të bëjnë me programin bërthamor të Iranit, duke shtuar se, ‘’Presidenti Obama ka vendosur definitivisht, se ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që Irani të mos prodhojë armë bërthamore”.   Përveç këtyre,  Zoti Kerri  tha se bota gjatë luftës së ftohët – e ndarë në dy kampe atë komunist dhe anti-komunist — në shumë pikpamje ishte shumë më e thjeshtë, duke thënë se bota sot dallohet nga probleme tepër të ndërlikuara që nuk njiheshin më parë, siç është dalja në shesh e Kinës si fuqi botërore, e ashtuquajtura ‘’Pranverë Arabe’’, pastaj çështjet e ndërlidhura botërisht dhe të ndëlikuara,  si ekonomia e shëndetësia– çështjet demografike dhe të mjedisit, varfëria, sëmundjet, si edhe përparimet teknologjike, e tjera.

Zoti Kerri u tha gjithashtu senatorëve se ai është i vetdijshëm se, ‘’ne nuk mund të jemi të fuqishëm  në botë, nëqoftse nuk jemi të fortë  këtu në vendin tonë’’, sidomos nga pikpamja ekonomike e financiare,  dhe u bëri thirrje ligjvënsve që të rregullojnë çështjet financiare dhe buxhetore të Amerikës, duke shtuar se ‘’më shumë se kurrë më parë, politika e jashtëme sot është politikë ekonomike’’.   Kështuqë, I tha ish-Senatori Kerri, Komisionit të Senatit për Punët të jashtëme, se ky është momenti për një udhëheqje amerikane, tani është koha  për mendime të freskëta, është një periudhë për të punuar së bashku’’, pasi sipas tij, ‘’rruga përpara nesh është e vështirë”, por përfundoi Zoti Kerri, ‘’Unë besoj se udhëheqja  amerikane në botë është një strategji e doemosdoshme për Amerikën dhe jo diçka që ne bëjmë për hatër ose favor  për  vendet e tjera’’.

Senatori Kerri  është veteran i dekoruar i  luftës në Vjetnam dhe ishte kandidat i Partisë Demokrate për president në vitin 2004.    Zoti Kerri dallohej si njëri ndër senatorët më të informuar  mbi çështjet  ndërkombëtare politiko-ushtarake, ndërkohë që  gëzonte respekt nga kolegët e tij, si demokratë ashtu edhe  ata republikanë.  Prandaj,  megjithë  sfidat e mëdha dhe të ndërlikuara ndërkombëtare, me të cilat ai do të përballohet pothuaj menjëherë — pritet që ai të dallohet edhe në detyrën e rëndësishme  si Sekretar  amerikan i Shtetit.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: amerikane, Frank shkreli, John Kerri, ne krye te diplomacise

KANCELARJA MERKEL: ”NE PO PËRBALLOHEMI ME HISTORINË”

January 31, 2013 by dgreca

 Zhytja e Gjermanisë në fashizëm 80-vjetë më parë duhet të shërbejë si kujtesë për të gjithë, se sigurimi i të drejtave   dhe i dinjitetit bazë të njeriut nuk ndodhë vetvetiu, por nevojitë njerëz me kurajo dhe vigjilentë për t’i mbrojtur ato./                            

Nga Frank Shkreli/

Të mërkurën, Gjermania shënoi 80-vjetorin e ardhjes në fuqi të Adolf Hitlerit, –ose ditën kur vdiq republika Weimar — duke e kujtuar këtë përvjetor me një ekspozitë në Berlin e titulluar, ”Berlini 1933 — rruga drejtë diktaturës”,  ekspozitë këjo që u hap në memorialin e Topografisë së Terrorit, i ndërtuar mbi themelet e kryeqendrës së Policisë Sekrete naziste SS dhe afër një pjese të Murit të Berlinit, që shërbën si një kujtim tjetër i diktaturës së dytë të Gjermanisë, diktaturës komuniste .     Deutsche Welle njoftoi se ekspozita  u hap nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe udhëheqës të tjerë gjermanë.   Këjo rrugë, sipas drejtorit të memorialit, Andreas Nachama, i cili citohet nga agjensia AFP, tregon,  “erozionin e përditshëm të institucioneve demokratike’’, nën regjimin hitlerian, rrugë këjo që eventualisht,  ”mori fund në Auschwitz”,  por jo para se Hitleri të suspendonte të gjitha liritë civile, të anullonte veprimtarinë e partive politike të opozitës,   që dal ngadalë çoi në krijimin e një shteti policor e totalitar.    Me këtë rast, Angela Merkel tha se është me rëndësi të jashtzakonshme që të shënohet këjo periudhë e errët e historisë gjermane — pasi, sipas saj, ardhja në fuqi e Hitlerit qe ”mbështetur nga heshtja e shumicës”.    Lajmet bëjnë të ditur se edhe parlamenti gjerman Bundestag mbajti një ceremoni përkujtimore për viktimat e regjimit të Hitlerit.

Kancelarja Merkel tha se zhytja e Gjermanisë në fashizëm 80-vjetë më parë duhet të shërbejë si kujtesë për të gjithë, se sigurimi i të drejtave   dhe i dinjitetit bazë të njeriut nuk ndodhë vetvetiu, por nevojitë njerëz me kurajo dhe vigjilentë për t’i mbrojtur ato.   Sipas Deutsche Welle-s, Kancelarja gjermane shtoi se Hitleri mundi të merrte fuqinë në dorë, ”sepse një pjesë e elitës dhe e shoqërisë gjermane nuk e kundërshtoi atë, por mbi të gijtha, ai mori pushtetin në dorë sepse pjesa më e madhe e gjermanëve e toleroi atë.   Sepse shumica dërmuese heshti, ” tha Zonja Merkel.

Gjithashtu në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, më 27 Janar, e caktuar si e tillë nga Kombete Bashkaura  në vitin 2005,  sipas agjencisë së lajmeve AFP, Kancelarja gjermane tha në portalin e saj se ”Gjermania ka një përgjegjësi të përjetëshme për krimet e nacional-socializmit, për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, dhe mbi të gjitha, për Holokaustin.   Këjo duhet të jetë e qartë nga brezi në brez, dhe duhet të theksohet me trimëri dhe kurajo morale,  se secili individ mund të kontribojë që racismi dhe anti-semitizmi të mos kenë mundësi të ringjallen më”.

Kancelarja Merkel deklaroi trimërisht  se ndërkohë që, ”Ne jemi duke u përballuar me historinë tonë, ne nuk po fshihemi pas ndonjë perdeje për asgjë  dhe nuk po përmbaheni  duke mos fshehur asgjë nga ato që kanë ndodhur.    Është e doemosdoshme”,  shtoi udhëheqësja gjermane,  ”që ne të përballohemi me këte histori, për të siguruar se jemi një partner i besueshëm në të ardhmen, ashtu siç jemi edhe sot…”.    Zonja Merkel tha, duke iu referuar ardhjes së Hitlerit në pushtet 80-vjetë më parë se,  ”ardhja në fuqi e Hitlerit duhet të jetë një paralajmërim konstant për ne gjermanët”.  Ajo shtoi se,  “fakti që Hitleri mundi të shkatërronte demokracinë gjermane vetem brenda  një periudhe të shkurtër prej  gjashtë muajsh, duhet të shërbejë si një paralajmërim  se çka mund të ndodhë  nëqoftse publiku  zhytet në apati.

Kancelarja gjermane u foli bashkatdhetarëve të saj, por  nepërmjet tyre ajo sikur iu drejtua edhe evropianëve  — por edhe më gjërë – të cilët kanë përjetuar diktaturat naziste, komuniste e të tjera,  duke thënë se,  “një shoqëri dinamike ka nevojë për njerëz të cilët çmojnë dhe kanë respekt për njëri tjetërin, për njerëz të cilët marrin përgjegjësinë për vetveten dhe për të tjerët, për një shoqëri ku  njerëzit marrin vendime të guximshme dhe transparente, si dhe për njerëz  të cilët janë gati të pranojnë kritikën dhe opozitën’’.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit,  u deklaruan, ndër të tjerë, edhe Papa Benedikti  XVI dhe  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama.  Papa Bendikti me origjinë gjermane,  duke folur në Vatikan të djelën që kaloi i tha turmës në sheshin e Shën Pjetrit se “njerëzimi duhet të jetë gjithmonë pararojë kundër përsëritjes së racizmit vrasës e diskriminues….’’,  dhe bëri thirrje “për  respekt  dhe dinjitet për çdo person.’’    Presidenti amerikan Barak Obama, nga ana e tij,  u shpreh se , “duhet të angazhohemi  që të kundërshtojmë urrejtjet dhe persekutimet e të gjitha formave’’.   Presidenti Obama, në emër të vendit të tij u zotua se , “Shtetet e Bashkuara së bashku me komunitetin ndërkombëtar, janë të vendosura që të kundërshtojnë  çdo tiran a diktator që bën krime kundër njerëzimit.”

Kancelarja e Gjermanisë  Angela Merkel, si asnjë udhëheqës tjetër në Evropë,  ka deklaruar pikëllimin dhe turpin  e saj ndaj krimeve që janë bërë nën regjimin nazist dhe komunist në Gjermani dhe në Evropë  si dhe gatishmërinë e saj për t’u përballuar me të kaluarën pa frikë– dhe si asjnë udhëheqës tjetër evropian, ajo përpiqet vazhdimisht të promovojë një  kulturë  kujtese dhe mos harrese në vendin e saj dhe anë e mbanë Evropës, që krimet e kryera nga këto  dy regjime anti-njerëzore të shekullit 20-të, të  kujtohen vazhdimisht dhe me çdo rast – se sipas saj ua kemi borxh viktimave të pafajshme – por gjithashtu siç tha ajo,  që ato krime kundër njerëzimit të mos harrohen nga brezi në brez, ashtuqë të mos përsëriten më.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Holokausti, Kancelarja Merkel, nazizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • 172
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT