• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NË KOSOVË NDËRROI EPOKA

March 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Katërmbëdhjetë vjetë më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i  atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për brutalitetin e një fushate ushtrake të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullësisë së Kosovës.

“Ne e ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshmëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar botës fillimin e sulmeve ajërore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj popullësisë shqiptare në Kosovë.

Operacioni ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa anijeve ushtarake kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë –kësaj rradhe në përgjigje të keqësimit të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër popullësisë shqiptare të pa mbrojtur.Zyrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqës dhe sigurisë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s, Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misionin dhe objektivat e sulmit të njoftuar një natë më parë nga Presdenti Klinton, duke thënë se qëllimi, “I operacionit  ushtarak të NATO-s është për të  sulmuar forcat ushtarake dhe ato të policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat ushtarake dhe policore serbe     t’i  shpartallojmë ato dhe më në fund t’i asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.   Nga këjo pikëpmaje, operacioni ushtrarak i NATO-s do të jetë aqë i gjatë dhe aq i vështirë për Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjetë më parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.

Më 3 Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar për paqë duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s ratifikoi marrveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrejdhim, operacionet sulmuese ajërore kundër Serbisë.   “The rest is history”, siç thotë fraza anglisht, ose pjesa tjetër është histori.

Më 17 Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.   Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.   Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë.   Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se “Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik i saj”.

Gjatë këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të përparojë.

Është kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe shtetërore të reflektojnë ashtuqë të shënohen përparime të dukshme drejtë forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në vend, me qëllim që të bindet pikëspari populli i Kosovës, por edhe miqët e saj të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze — që me ndihmën e miqëve të Kosovës — është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat euro-atlantike,  në Bashkimin Evropian dhe NATON.

Me të drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës – pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjetë më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës — ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.   Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një triumf i përmasave historike për kombin shqiptar.   Por, Kosova, si çdo vend tjetër  pëballet me sfida e probleme të mbrendshme dhe të jashtme.   Në arenën ndërkombëtare, aleatët e Serbisë,  Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit.   Por, mbrenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre.   Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë po ashtu të mëdha.Historia e shqiptaraëve është e mbushur me sfida, por gjithmonë në kohë të vështira, shqiptarët janë nda me nder.

Ndërhyrja ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjetë më parë në mbrojtje të popullësisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët.   Tashti është në dorë të Shqiptarëve që të sigurojnë bashkpunimin dhe të fitojnë paqën me njëri tjetrin, me qëllim që të bëjnë historinë e kombit.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Kur ne Kosove, ndryshoi Epoka

DITA NDËRKOMBËTARE E LUMTURISË

March 24, 2013 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

“Jeta, liria dhe përpjekja ose synimi për të qenë i lumtur (Life, Liberty and Pursuit of Happiness), është një frazë nga Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që në të vërtetë nënvijon rëndësinë kyçe që themeluesit e Shteteve të Bashkuara i kushtonin këtij trinomi, duke deklaruar para pothuaj 250-vjetësh se, “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme dhe këto janë Jeta, Liria dhe e drejta për të synuar arritjen e lumturisë.”

Ndërsa këto fjalë konsiderohen nga amerikanët si më të rëndësishmet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara si dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera që rrjedhin nga këto, Organizata e Kombeve të Bashkuara,(OKB) në një përpjekje për të lidhur lumturinë me zhvillimin botëror, ka shpallur 20 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, duke theksuar se fraza nga Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës “Pursuit of Happiness”, që pak a shumë mund të përkthehet si e drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i lumtur –përveç, jetës dhe lirisë — është gjithashtu një e drejtë themelore e njeriut, dhe sipas OKB-së edhe një objektiv i angazhimit të shteteve anëtare të saj për të krijuar rrethanat për realizimin e mundësive që njerëzit të jenë të lumtur në jetën dhe veprimtaritë e tyre.

Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara aprovoi Korrikun e kaluar një rezolutë duke shpallur 20 Marsin si Ditën e Lumturisë anë e, mbanë botës, duke njohur kështu, sipas 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, “rëndësinë që lumturia, të qenët i kënaqur dhe mirëqenja, të cilat si frymëzim i qëllimeve universale, ushtrojnë në jetën e njerëzve anë e mbanë botës si dhe ndikimin e rolit që ato luajnë në arritjen e objektivave politike për të mirën e publikut kudo”.   Është këjo një iniciativë e Kombeve të Bashkuara me të cilën organizata botërore shpreson të inkurajojë vendet anëtare që të marrin seriozisht mirëqenjen dhe lumturinë e shtetasve të tyre dhe jo vetëm t’i përqendrojnë politikat e tyre në zhvillimin ekonomik, pasi sipas disa ekspertëve, pasuria në vet vete nuk e bën njeriun të lumtur as të kënaqur, me fjalë të tjera, paraja nuk mund të merret si një masë e vetme për të matur përparimin e njeriut, shoqërisë, shtetit dhe botës.

Me rastin e Ditës së parë Ndërkombëtare të Lumturisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki moon, u bëri thirrje shteteve anëtare që të ”rithkesojmë angazhimin tonë ndaj një zhvillimi të përgjithëshëm dhe të vazhdueshëm njerëzor dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të ndihmuar të tjerët.   Kur ne kontribojmë për të mirën e përbashkët, ne vetvetiu pasurohemi.   Mëshira promovon lumturinë dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhme që ne dëshirojmë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në mesazhin e tij.

Udhëheqsi i organizatës botërore tha gjithashtu në mesazhin e tij se “liria e njeriut për të bër të mundur realizimin e lumturisë është në qëndër të përpjekjeve njerëzore për ekzistencë.   Popujt anë e mbanë botës,“ tha ai, “dëshirojnë të kenë një jetë më të lumtur, pa frikë e imponime dhe në harmoni të plotë me natyrën.”   Megjithkëtë, tha Ban Ki-moon, mirëqenja materiale është e parealizueshme për shumë veta që jetojnë në një varfëri ekstreme anë e mbanë botës.

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë u sugjerua fillimisht nga shteti i vogël aziatik, Bhutan-i, një vend ky që në mënyrë unike vlerëson progresin e vet duke u bazuar në indeksin e përgjithshëm kombëtar të lumturisë që përfshinë kënaqësinë e jetës, gjëndjen shpirtërore dhe emocionet — dhe jo në indeksin e të ardhurave të përgjithëshme kombëtare, siç bëjnë shumica e vendeve në botë.   Bhutan-i, u kushton të njëjtën rëndësi çështjeve jo-ekonomike të jetës aq sa edhe aspekteve materiale të zhvillimit shoqëror të vendit.

Siç duket, qëllimi i 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke shpallur për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë — është që të pohojë rëndësinë qç ka lumturia njerëzore si një objektiv universal, për tu relizuar.  Për shumë veta, këjo iniciativë mund të duket si qesharake, në një kohë kur Kombet e Bashkuara mund të merren me çështje ndërkombëtare më me rëndësi dhe të një natyre urgjente, por kënaqësia dhe lumturia me vet veten, në vendin e punës, në familje dhe në ambinetin dhe shoqërinë ku jeton njeriu, është një çështje e rëndësishme, për zhvillimin personal të individit si edhe për kontributin ose mungesën e kontributit të personit për shoqërinë ose vendin ku jeton.

Për të gjithë ne që jemi ose kemi qenë në marrëdhënje pune, të qenët i kënaqur dhe i lumtur në punë dhe në ambijentin ku punojmë  është jetike.   Një nëpunës i kënaqur me punën që ka, prodhon  më shumë, është  më i lumtur dhe inovues.   Ndërsa një person i pakënaqur, gjithmonë mund të llogaritet se do të shkaktonjë mosmarrveshje, pakënaqësi dhe konflikte me veten dhe me të tjerët, duke përhapur moskënaqsinë e tij edhe në radhët e të tjerëve.   Në përgjithësi, me njerëz të tillë të cilët nuk janë të lumtur me asgjë, krijohet një atmosferë shumë e keqe e cila dëmton jo vetëm marrëdhënjet shoqërore, por edhe punën në përgjithësi.

Siç duket –duke caktuar 20 Marsin si Ditën Ndërkombëptare të Lumturisë — Kombet e Bashkuara mendojnë se në shekullin 21, lumturia apo mungesa e saj – në vendin e punës, në familje, në shoqëri dhe në politikë — është një çeshtje serioze dhe me rëndësi globale që meriton vëmendjen e kësaj organizate ndërkombëtare, ndërkohë që u bën thirrje vendeve anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe jo-qeveritare që të shënojnë këtë ditë me veprimtari të përshtatshme për të edukuar publikun mbi rëndësinë e saj.

Prandaj, dhe megjithëse me pak vonesë, të gjithëve u dëshiroj kënaqësi dhe lumturi në jetën tuaj personale, në familje, në vendin e punës dhe në shoqërinë ku jetoni.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita nderkombetare, e lumturise, Frank shkreli

GREQIA VEND I KEQ PËR REFUGJATËT

March 21, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI) kritikoi Greqinë për mënyrën se si ajo sillet me refugjatët politikë, të cilët përpiqen të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian nepërmjet Greqisë. Amnesty International i kërkoi Athinës zyrtare që azilkërkuesve nga vendet që janë prekur nga lufta, siç është Siria, tu garantojë sigurinë gjatë qëndrimit të tyre në territorin grek.

Amnesty International përmend rastin e refugjatëve sirinaë të cilët kanë humbur jetën kohët e fundit, në përpjekje për të hyrë në territorin grek, nepërmjet ishullit Lesvos.   Në deklaratën e saj, AI thotë se autoritetet greke kanë gjetur trupat e gjashtë sirianëve të vdekur, përfshirë edhe trupin e një 17-vjeçareje shtatzënë dhe të një nëne me tre fëmijtë e sajë të mitur. Organizata e të drejtave të njeriut thotë se këjo nuk është hera e parë që azilkërkuesit humbin jetën duke u përpjekur të hyjnë në Evropë nepërmjet Greqisë.

“Ndërsa Greqia po shton kontrollet në Evros’’, për të ndaluar hyrjen e refugjatëve në territorin e saj, “azilkërkuesit janë duke u përpjekur të gjëjnë rrugë të tjera’’, tha John Dalhuisen, Drejtor i AI për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Në deklaratën e saj drejtuar autoriteteve në Athinë, Amnesty International thotë se, “Është jetike që autoritetet greke të bëjnë çdo gjë të mundur për të garantuar sigurinë e refugjatëve politikë”, duke shtuar se sistemi grek për azilkërkuesit nuk i përkrah ata aspak” dhe shton se, “refugjatë politikë , përfshirë sirianët dhe afganët, që arrijnë në brigjet e Lesvos mbahen në qëndra të policisë, në kushte tepër mizore dhe shpesh lihen të flejnë nepër rrugë.”   Amnesty International bën thirrje që, “Autoritetet greke të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve për ata që mbërrijnë në brigjet e territorit grek dhe t’japin fund mbajtjes në arrest të azilkërkuesve.   Azilkërkuesit sirianë pa dokumenta, të cilët janë larguar nga konflikti në vendin e tyre, të mos mbahen në arrest dhe as të mos dëbohen’’, dhe njëkohësisht , AI i bën thirrje Athinës që të “ndërmarrë një shqyrtim të drejtë dhe efektiv të kërkesës së tyre për strehim”.

Të ënjtën, deklaratës së Amnesty International iu bashkua edhe organizata bëmirëse franceze, “Mjekët pa Kufij”, e cila kritikoi ashpër Greqinë për trajtimin ndaj refugjatëve politikë që janë larguar nga atdheu i tyre i shkatërruar nga lufta duke thënë se azilkërkuesit trajtohen si imigrantë ilegalë dhe të cilët, sipas kësaj organizate, thuhet se përballen me masa brutale nga policia greke.   Drejtori i Përgjithëshëm i “Mjekëve pa Kufij”, Willem de Jonge i tha agjencisë AFP, se në Greqi, “Ekziston një mungesë e plotë edhe mos vullnet për një përgjigje humanitare dhe solidariteti ndaj azilkërkuesve sirianë, të cilët arrinë në Greqi nepërmjet Turqisë.   De Jong i tha AFP-së se shëndeti i azilkërkuesve, shumë prej të cilëve vuajnë nga tronditje shpirtërore dhe psikologjike, përkeqsohet gjatë qëndrimit të tyre në qendrat ku mbahen në Greqi.

Azilkërkuesit e shkretë sirianë janë vetëm një prej grupeve etnike jo të dëshiruar dhe të keq trajtuar, përfshirë edhe shqiptarët dhe të cilët njëkohësisht përballen me dhunë në Greqi.

Sipas një organizate tjetër të të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, (HRW)  me qëndër në New York, “midis një krize ekonomike dhe tensionesh shoqërore në Greqi, imigrantët dhe azilkërkuesit janë bërë objekt tërbimi e zemërimi ksenofobik” ndaj të huajve.   Human Rights Watch thotë në një artikull të vitit të kaluar se ka dokumentuar përdorimin e dhunës në një numër rastesh e lokalitetesh  –dhe shton duke thënë se viktimat përballen gjithashtu me pengesa të mëdha kur të huajt kërkojnë drejtësi pranë organeve kompetente.   Në artikullin e kësaj organizate thuhet se megjithëse Greqia përballet me presione valësh imigrantësh, nuk ka “asnjë arsye për përdorimin e dhunës mafioze ose për dështimin e policisë, të gjykatave dhe qeverisë greke, për t’u marrë seriozisht me këtë problem.”   Në një raport tjetër të kohëve të fundit për azilkërkuesit sirianë në Evropë, Human Rights Watch thekson se vetëm Gjermania dhe Suedia, të cilat kanë numërin më të madh të kërkesave për strehim, u japin atyre automatikisht njëfarë sigurie e përkrahje, sipas organizatës së të drejtave të njeriut, në Greqi ku gjatë vitit 2011 kanë hyrë pothuaj 10-mijë refugjatë sirianë, vetëm 6 prej tyre kanë siguruar përkrahje në atë vend.

Këtë javë, Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve greke që të garantojnë të drejtat dhe sigurinë e azil kërkuesve në territorin helen dhe organizata tjetër, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Human  Rights Watch tha më heret se,“ky qytetërim i vjetër nuk duhet të lejojë veten të këthehet në një dhunë institucionale kundër imigrantëve”.   Në të njëjtën kohë, pasi thuhet se për këtë problem, Greqia ka nevojë për ndihmën e Komunitetit Evropian, i bëhet thirrje edhe Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë për të garantuar zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë ata që përpiqen të hyjnë në Evropë nepërmjet zonës jug-lindore të kontinentit, në kërkim të një një jete më të mirë dhe më të sigurt.

Edhe gazeta me shpërndarjen më të madhe në Amerikë, Wall Street Journal, në një artikull të gjatë shkruan për fatin e keq të refugjatëve dhe imigrantëve në Greqi.  Ajo thotë se, “Greqia ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare dhe evropiane për të grantuar dhe mbrojtur të drejtat e refugjatëve dhe imigrantëve, por nuk e ka bërë këtë me azilkërkuseit sirianë”.

Si një ish-refugjat politik, unë ndiejë shumë simpati për gjëndjen e refugjatëve të ikur nga diktatura nga çdo kënd i botës  — dhe mund të them me sinqeritet dhe dhimbje për azilkërkuesit e sotëm, se nuk ka gjë më të vështirë kur gjëndesh në një botë të huaj pa përkrahje dhe pa përspektivë për të ardhmen – e në rastin e tyre në Greqi — të përballur edhe me dhunën fizike ndaj tyre dhe nga mos kujdesi që ndaj tyre tregojnë institucionet zyrtare të shtetit. Këjo është një gjëndje që nuk duhet të tolerohet nga Evropa dhe as nga bota e qytetëruar,  në Greqi ose në ndonjë vend tjetër.   Nuk duhet harruar se sot, azilkërkuesit janë sirianët, por vite më parë ishin shqiptarët, polakët, hungarezët,çekët e të tjerë azilkërkues në Evropë dhe më gjërë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Greqia, per refugjatet, vend ikeq

INAUGUROHET PAPA I TË GJITHËVE

March 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të martën Kisha Katolike zyrtarisht inauguroi Papën e ri Françeskun para qindëra mijëra pjesëmarrësish dhe në prani të përfaqsuesve nga më shumë se 132 vendeve, personalitete të larta politike dhe fetare, mbretër, kryetarë shtetesh dhe përfaqsues të feve të ndryshme, përfshirë edhe ata nga komuniteti mysliman dhe hebrej.   Media botërore vuri në dukje me interesim praninë e udhëheqsit botëror të ortodokësve të krishtërë, Patriark Bartollomeun, duke shënuar kështu herën e parë që një udhëheqës ortodoks merr pjesë në inaugurimin e një pape ç’prej përçarjes së madhe midis Ortodoksizmit dhe Katolicizmit, pothuaj një mijë vjetë më parë.Pasi përshëndeti dhe falenderoi udhëheqsit botërorë dhe delegacione të ndryshme nga mbarë bota si edhe trupin diplomatik, — në fjalimin e rastit — Papa Françesku foli për jetën e përditëshme, për jetën aktuale të të gjithë njerëzve, me të gjitha të mirat dhe vështirsitë, duke u bërë thirrje udhëheqsve botërorë dhe të gjithë popujve që të kujdesen dhe të mbrojnë të varfërit.   Ai pruri si shembëll, Shën Jozefin, si mbrojtsin dhe përkrahsin e familjes së shënjtë, duke thënë të pranishëmve se të gjithë duhet të jemi të tillë, “që të mbrojmë të tjerët, ashtuqë të mund të mbrojmë krijesën.”   Me një ton ekumenik, Papa Françesku u tha të pranishëmve nga e gjithë bota se, “Thirrja për të qenë ‘mbrojtës’ nuk u drejtohet vetëm të krishtërve”, pasi, sipas tij këjo fjalë “ka një dimension që është thjeshtë njerëzor dhe përfshinë të gjithë njerëzit…e që do të thotë mbrojtjen e të gjithë krijesave, e të bukurisë së botës…do të thotë respektim për secilin prej krijesave të Zotit, si dhe respektim për ambientin në të cilin jetojmë.”   Sipas Papës Françesk, ‘mbrojtës’ do të thotë gjithashtu “kultivim i miqësisë së sinqertë, në bazë të së cilës ne mbrojmë e përkrahim njëri tjetërin në besim, respekt dhe mirësi.   Sepse në fund të fundit, çdo gjë na është besuar neve që ta mbrojmë, dhe të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen e krijesave të Perendisë.   Të bëhemi, pra mbrojtës të dhuratave të Perëndisë”, tha Papa i ri.

Duke theksuar që “të mos kenë frikë nga mirësia”, Papa Françesku u bëri thirrje, sidomos,  “atyre që janë në detyra përgjegjësie në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore si dhe të gjithë burrave dhe grave të vullnetit të mirë, që të gjithë së bashku të veprojmë si ‘mbrojtës’ të krijesës, si mbrojtës të planit të Perëndisë ashtu siç është skalitur në natyrë, dhe njëkohësisht, si mbrojtës të njëri tjetrit dhe të mjedisit në të cilin jetojmë.”

Duke iu drejtuar personaliteteve të shumëta të politikës dhe udhëheqësve botërorë, Papa tha se “nuk duhet të harrojmë se fuqia ose pushteti politik i vërtetë bazohet në shërbimin ndaj të tjerëve”, duke shtuar se, “vetëm ata (pushtetarë) që shërbejnë me dashuri mund të mbrojnë” njerëzit dhe mjedisin.   “Mos të lejojmë që shënjat e shkatërrimit dhe të vdekjes të shoqërojnë përparimin e kësaj bote”, u tha Papa përfaqsuesve botërorë në Vatikan me rastin e inaugurimit të tij si udhëheqës shpirtëror i Kishës Katolike

Fund javën që kaloi, Papa i ri u takua me përfaqësues të medias nga mbarë bota, dhe duke i përshëndetur ata me fjalët, “miqë të dashur”, ai foli për rolin e medias, si një rol i pazëvëndsueshëm që ajo luan në shoqërinë moderne në të cilën jetojmë.   Pastaj ai u foli mijëra gazetarëve botërorë – të cilët kishin shkuar në Vatikan për të mbuluar zgjedhjen e tij si Papë — mbi ato që ai cilësoi si “treshja e komunikimit”, që sipas tij janë: “E Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”.   Papa Françesku u shpjegoi gjithashtu gazetarëve se si ai erdhi tek vendimi për të marrë emërin Françesk.   Ai u tha atyre se pasi u zgjodh nga konklava e kardinajve, kardinali brazilian, Claudio Hummes i përshpëriti në vesh duke i thënë: “Mos i harro të varfërit”   Fjala të “varfërit”, tha ai, “më mbeti në mendje dhe në zemër”, shtoi ai.   Papa u tha gazetarve se menjëherë më shkoi mendja tek Shën Françesku i Asisit, duke shtuar se, ‘’Shën Françesku ishte një njeri i paqës, njeri i varfër dhe një njeri që e donte dhe e mbronte mjedisin….Unë do të dëshiroja një Kishë të varfër dhe në shërbim të të varfërve”, u tha Papa gazetarëve botërorë.   Shën Françesku rrjedhte nga një familje aristokrate, nga jeta lluksoze e së cilës ai qe larguar për të jetuar me të varfërit e qytetit të tij.

Duke u uruar atyre çdo të mirë në punën e tyre dhe familjeve të tyre, Papa u kumtoi gazetarëve botërorë, bekimin në heshtje, për respekt shtoi ai, pasi “jo të gjithë të pranishmit i përkasin fesë Katolike dhe ka të tjerë që as nuk besojnë.   Unë respektoj ndërgjegjen e secilit prej jush, duke ditur se secili prej jush është fëmij i Perëndisë”, përfundoi Papa

Papa Françesku e përfundoi fjalimin me rastin e inaugurimit të tij dje, me një mesazh shprese për të gjithë, duke thënë se, “në mes të errësirës së madhe, ne sot kemi nevojë të shohim dritën e shpresës dhe të bëhemi burra dhe gra që sjellim shpresën për të tjerët.   Për të mbrojtur krijesat e Perëndisë, për të mbrojtur çdo burrë e grua, dhe duke i konsideruar ata me dashuri dhe dhemshuri, do të thotë të hapësh një horizont shprese për ta, si një dritë që depërton retë e zeza, e që sjellë ngrohtësinë e shpresës për të gjithë.”

Siç i tha gazetës Washington Post Arkipeshkvi Italian Giancarlo Maria Bregantini, Papa Françesku, “Nuk të le përshtypjen e një profesori.   Ai flet si një mik i yti.   Ai i thotë gjërat e mëdha me një ton të thjeshtë.’’  Si i tillë, shënjat e para – duke u bazuar në deklaratat e thjeshta por të sinqerta si dhe në sjelljet e deritanishme –janë se me inaugurimin dje të Papës Françesk, gjërat do të ndryshojnë në Vatikan për nga stili po se po, por duket se edhe nga përmbajtja.   Por vetëm koha do të tregojë se cili do të jetë roli që ai do të luaj dhe influenca që ai do të ushtrojë në të ardhmen, brenda Kishës që ai kryeson si dhe në mbarë botën.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Inagurohet Papa Frenacescu

NJË ZË NGA FERRI I ENVER HOXHËS

February 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi shkrimtari, poeti dhe vuajtësi i burgjeve të regjimit komunist shqiptar, Zoti Visar Zhiti zhvilloi aktivitete këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë New Yorkun dhe Washingtonin, në kuadër të promovimit të dy librave të tij të fundit, ”Rrugët e Ferrit” dhe ”Ferri i Çarë”, një dëshmi okulare e jetës në dy kampet famkeqe të Shqipërisë, Spaç dhe Qafë Bar.   Aty ku torturat, interrogimet, dëshprimi, uria dhe mizori të tjera çnjerëzore, ishin vetëm disa prej tmereve që përshkonin jetën e e përditshme të kundërshtarëve të burgosur politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Njëri prej këtyre të burgosurve ishte edhe shkrimtari i njohur Z. Visar Zhiti.

Sipas të dhënave që më dërgoi Mustafa Xhepa i organizatës shqiptaro-amerikane, Shtëpia e Lirisë, si koordinuese e vizitës,  Zoti Zhiti pati një agjendë të ngjeshur në Washington ku zhvilloi takime zyrtare, përfshirë edhe takimin në Departmentin amerikan te Shtetit, me Z. Christopher Carver, i cili mbulon Shqipërinë.  Sipas të dhënave, në takimin me Z. Zhiti  zyrtari amerikan shprehi interesimin e tij për trajtimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë nga qeveria shqiptare.   Gjatë takimit me vizitorin nga Shqipëria,  Zoti Carver, ndër të tjera, nënvijoi gjithashtu edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri,  duke thënë se Amerika në përgjithësi ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në atë vend.   Zoti Zhiti foli mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri duke shprehur optimizmin e tij për të ardhmen e vendit. Gjatë qendrimit në kryeqytetin amerikan, shkrimtari dhe vuajtësi i tmereve të gulagut komunist shqiptar, bëri edhe një vizitë në Bibliotekën e Kongresit amerikan ku e priti Z. Grant Harris, Drejtor për Evropën i këtij institucioni të njohur amerikan.

Si i ishpërndjekur i regjimit komunist, Zoti Zhiti nuk kishte si të mos shkonte tek memorialin në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit në botë si dhe në muzeumin Laogai, ku ekspozohen krimet e regjimit komunist në Kinë. Aty Zoti Zhiti u takua me Drejtorin e muzeut, Zotin Harry Wu, vizitë këjo e cilësuar si një ”takim mes dy vëllëzërve”, pasi edhe ai vet është një ish i bugosur politik.    Zoti Zhiti vizitën e tij në Washington e përfundoi — siç është traditë me personalitetet shqiptare që vizitojnë kryeqytetin amerikan — me një intervistë tek Zëri i Amerikës.   Pyetjes  së Zërit të Amerikës në lidhje me trajtimin e ish të burgosurve  në Shqipëri , ai  u përgjigj duke thënë  se megjithëse “janë bërë shumë”  për të ndihmuar ish të burgosurit,  ”shoqëria shqiptare duhej të ishte më e ndejshme në këtë drejtim”, dhe se Shqipërisë i mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar”,  të  tyre, shtoi Zoti Zhiti.   Por, ai me megjithëse i vuajtur  si edhe shumë  të tjerë,  me një butësi  dhe pa zemërim as inat   rrëfei  —  atë që më duket se ishte një frustrim i tij se si gjatë viteve pas rënjes së komunizmit e madje edhe sot se — ”gjithmonë mbi krye kishte, një shef, një të dikurshëm që ka urdhëruar dikurë, edhe tani po kështu.”   .  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi për të gjithë.  Është një zë që në thelb  i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material,  me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe  “shefave të dikurshëm” të regjimit komunist  e të cilët ende japin  “urdhëra”.

Zoti Zhiti tha për Zërin e Amerikës se shoqëria shqiptare  dhe shteti, pasi ai me të drejtë ai tha se ”shoqëria dhe shteti janë pjellë e njëra tjetrës,”  i kanë borxh kësaj shtrese, duke venë në dukje se “shoqëria shqiptare ka përfituar shumë nga puna e të burgosurve, nga puna e pa paguar e të burgosurve”, theksoi ai, duke nënvijuar se, “të gjitha veprat e rëndësishme në Shqipërinë dikatoriale i kanë themelet në punën dhe djerësën e ish të burgosurve politikë.   Janë kockat dhe gjaku i tyre në to…boll të bëheshin akcionerë në vepra që edhe sot janë rentabël, këjo do ishte një mënyrë dëmshpërblimi”, shtoi ai, duke përmendur si shembull aeroportin e Rinasit, ”që ka filluar nga të burgosurit, e kanë bërë ata” , tha ai, duke shtuar se madje aty nuk ka asnjë pllakë për dokumentuar këtë fakt të hidhur.  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi.  Është një zë që i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe shty

Me qetësinë e tij shpirtërore, me fjalët e tija të buta dhe pa zemërim e as inat, ai të detyron   t’i   kushtohet vëmëndje deklaratave dhe kujtimeve të tija si dhe të ish të burgosurve të tjerë si At Zef Pllumi e shumë të tjerë,  të cilët  janë përpjekur dhe po përpiqen të  hedhin dritë mbi ato ngjarje e epizode, megjithëse të dhimëshme, të atij kapitulli të errët të historisë shqiptare.  Është e rëndësishme për të mësuar nga ato përvoja të rënda, si individë dhe si shoqëri,  me shpresë që  të mos përsëriten më, dhe ndoshta eventualisht për të bër të mundur heqjen e kësaj barre të rëndë  që ende rëndon mbi ndërgjegjen e kombit shqiptar.    Kujtimet e këtyre heronjve të kombit dhe librat e tyre janë një frymëzim dhe ofrojnë mundësinë e një reflektimi mbi vet natyrën njerëzore, si dhe mbi luftën midis të mirës dhe të keqës.   Këto, jo vetëm që përshkruajnë tmeret e një sistemi anti-njerëzor, si ai i regjimit komunist në Shqipëri, por ata  në të njëjtën kohë nderojnë viktimat e pafajshme të atij sistemi famkeq, me të cilët ata kanë ndarë të njëjtin fat në birucat e atij sistemi.   Besoj se synimi  i Zotit Zhiti dhe i veprave të autorëve të tjerë ish të burgosur është i të njëjtës rëndësi me objektivin për të informuar ne të gjallët që kemi pasur fatin të mos jetojmë nën atë sistem, dhe gjithashtu që nga përshkrimi  i  këtyre përvojave,  brezat e ardhëshëm të mësojnë nga këto  vepra mbi vuajtjet, kurajon dhe qendresën e pa imagjinueshme të shumë  bijve dhe bijave më të mirë të kombit, shumë prej të cilëve nuk patën fatin për të shënuar kujtimet e tyre, pasi  shumica ose u pushkatuan pa gjyq ose vdiqen nepër kampet e përqendrimit, e të cilëve as varri nuk u dihet.

Librat e Zotit Zhiti dhe të ish burgosurve të tjerë shqiptarë si vepra e njohur e At Zef Pllumit, Rrno për me Tregue, janë dëshmi dhe deponime të mbijetuarve të kampeve më të këqia të përqendrimit që ka njohur bota, ato të Shqipërisë komuniste. Ata ishin  ”dëshmitarë të atij shekulli”, dhe siç ka thënë  ish i burgosur  rus,  Dmitry Likhachev, ”është detyra  jonë  njerëzore për të thënë të vërtetën për atë periudhë”.

Në librin e autorit  amerikan Harold B. Segel me titull , The Walls Behind the Curtain, ose Muret pas Perdes, paraqiten  punimet dhe veprat e një numër shkrimtarësh e poetësh  evropianë  të  burgosur gjatë komunizmit.   Ndër ta janë emërat e shkrimtarëve më të mëdhej të Evropës Lindore, si Vaclav Havel, Adam Kuchnik, Eva Kanturkova, Paul Goma, Milovan Djilas, Tibor  Dery e të tjerë.  Është doemethënës fakti se në këtë listë shkrimtarësh të njohur nga Evropa të cilët kanë bërë histori me veprat e tyre,  autori  në këtë libër  për lexuesin amerikan, ka përfshirë edhe  shkrimtarin  dhe poetin shqiptar Visar Zhitin, si një shembull i një personi që e ndienë për detyrë njerëzore për të shkruar dhe për të  treguar të vërtetën për atë periudhë —  por dhe si  simbol  i qëndresës këmbëngulëse dhe i vullnetit të pashtershëm  të shpirtit të shqiptarit për liri e demokraci,  vlera dhe parime këto, për të cilat shumë  dhanë jetën në kampet e përqendrimit  anë e mbanë Shqipërisë dhe Evropës Lindore.

Zoti Zhiti, meriton përgëzimet e të gjithëve për kurajon dhe qëndresën e tij morale si individ dhe si shkrimtar, ndaj një regjimi shpirt-thyes.    Njëkohësisht meriton falenderimet tona për kujtimet e tija nga ajo periudhë e zezë e historisë shqiptare, pasi kujtime të tilla po zhduken dalngadalë me qëllim e pa qëllim, nga një shoqëri që  në mos e krijoi gulagun shqiptar, atëherë të pakën e toleroi.  Është një zë nga ajo e kaluar e trishtueshme e gulagut  shqiptar që duhet të dëgjohet jo vetëm nga  shoqëria shqiptare, por edhe nga bota e qytëruar, si një obligim ndaj të gjallëve dhe ndaj të  vdekurve.

NE FOTO: Zoti Zhiti pranë përmendores  në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit botëror

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje ze nga ferri i Enver Hoxhes, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT