• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRROI JETË AMBASADORI (JAMES PARDEW)XHEJMS PËRDU

June 7, 2021 by dgreca

 NDËRROI JETË AMBASADORI XHEJMS PËRDU: NJË KONTRIBUES I VYER I PAQËS DHE DREJTËSISË NË BALLKANIN PERËNDIMOR/

Nga Frank Shkreli/

        Shumica e diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë amerikanë të cilët gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit XXI kanë lenë gjurmë të pashlyeshme në promovimin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut ppër shqiptarët kudo, si për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për arsye të moshës, po zhduken një nga një. Jam i mendimit se ua kemi borxh të pakën t’i kujtojmë me një THANK YOU – me rastin e kalimit të tyre në amshim – për kontributin që kanë dhënë për lirinë due për të drejtat e shqiptarëve.  Pasi besoj, se falë angazhimit të tyre bota shqiptare, në përgjithësi, megjith problemet e shumta me të cilat përballet sot, është mirë se ç’ishte 30-vjetë më parë.

Me 2 Qershor, 2021 ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare, njëri prej këtyre burrave, ish-Ambasadori amerikan Xhejms Përdu.  Ambasadori i ndjerë ka shërbyer, ndër të tjera poste, si ambassador i Shteteve të Bashkuara në Bullgari, por unë kam pasur privilegjin dhe nderin ta njihja Ambasadorin e nderuar gjatë shërbimit të tij në Washington si Zëvëndës Këshilltar i Posaçëm i Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit për çështjet Ballkanike gjatë konfliktit në Kosovë dhe vendosjes së paqës atje nga viti 1999-2001, si dhe më përpara gjatë luftës në  Bosnje dhe kur përfaqësonte Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes në grupin negociues të Shteteve të Bashkuara që siguroi arritjen e marrëveshjes Dejton, që i dha fund luftës në Bosnje.  Para se t’i përvishej diplomacisë, Xhejms Përdu ka pasur një karjerë të shkëlqyeshme në detyra të ndryshme ushtarake në Pentagon.   Në ketë kapacitet, ai kryesonte mbledhjet e përfaqsuesve të enteve të ndryshme të degës ekzekutive të qeverisë federale (inter-agency meetings) — që merreshin me çështjet ballkanike — me qëllim të bashkrendimit të veprimeve dhe masave qeveritare, gjatë konlikteve në Ballkan.  Nuk ishte pra diplomat i karrierës, por me një përvojë të dyfishtë në ushtri dhe diplomaci, ai besonte në zgjidhjen e konflikteve nepërmjet ushtrimit të një diplomacie të profilit të lartë, mbështetur me forcë ushtarake, po të ishte nevoja.

 
KUSH ISHTE AMBASADORI XHEJMS PËRDU?

Ambasadori Përdu ka pasur pra një karrierë të gjatë dhe të dalluar ushtarake dhe diplomatike. Para se të fillonte karrierën e tij diplomatike, Z. Përdu ka shërbyer në ushtrinë amerikane për 27 vjet, në detyra të larta të inteligjencës, përfshirë, ndër të tjera, postin e zëvendës Drejtorit për Inteligjencë dhe Drejtor i Inteligjencës së Jashtme, në periudhën e shembjes së komunizmit anë e mbanë Evropës lindore dhe qendrore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai doli në pension nga ushtria amerikane në vitin 1994 për të filluar një karrierë të re në diplomaci. Gjatë krizës ballkanike, Xhejms Përdu ishte në qendër të zhvillimeve dhe të veprimtarive politiko-diplomatiko-ushtarake të Shteteve të Bashkuara në atë rajon, duke filluar që në vitin 1995, fillimisht si pjesëmarrës në negociatat e ish-ambasadorit Riçard Holbruk për të ndaluar luftën në Bosnje, e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ambasadori Përdu llogaritë në rezymenë e tij profesionale edhe detyrën e krye/negociatorit amerikan në bisedimet e Ohrit midis palës shqiptare dhe palës sllavo-maqedonase. Z. Përdu ka kryesuar gjithashtu edhe task-forcat, ose grupet ndër-qeveritare të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, të organizuara nga Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) dhe nga Pentagoni gjatë krizave në Ballkan, ndërkohë që ka shërbyer edhe si këshilltar politik pranë Aleancës së NATO-s.  Fillimisht, Z. Përdu u emërua Drejtor i Zyrës përgjegjëse për Ballkanin në Departmentin e Mbrojtjes dhe nga viti 1996 e deri në vitin 2008 ka shërbyer në DASH. 

“Ai është i njohur në qarqet ballkanike dhe e njeh mirë Ballkanin”, ka thënë për ish-ambsadorin Përdu, Ndihmës Sekretari aktual i Shtetit, Filip Riker, edhe vet ky një njohës shumë i mirë i çështjeve ballkanike.  Duke filluar nga viti 1966 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Amb. Përdu ka qenë në qendër të politikës amerikane kushtuar Kosovës dhe si i tillë ka luajtur një prej roleve kryesore në zhvillimet politike, diplomatike, ushtarake dhe ndërkombëtare, të cilat me në fund — nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara — çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nga viti 1999 e deri në 2001, Ambasadori Përdu ka shërbyer si Zëvendës këshilltar i posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin gjatë luftës së NATO-s në Kosovë dhe si i tillë ka marrë pjesë në bisedimet diplomatike për paqe, që pasuan konfliktin. Në këtë kapacitet, Z. Përdu ka zhvilluar, bisedime edhe me krye-kriminelin serb Sllobodan Millosheviç dhe me udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës. Në Uashington ai ka shërbyer si bashkërendues i Misionit Verifikues Ndërkombëtar dhe pas fushatës së suksesshme të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Z. Xhejms Përdu ka luajtur rol të rëndësishëm në vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë dhe në krijimin e institucioneve qeveritare dhe të sigurisë në atë vend.

Përveç punës së tij të dalluar në lidhje me fatin e të ardhmes së Kosovës, Ambasadori Përdu është marrë gjithashtu edhe me të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi në rajonin e Ballkanit. Sekretari i Shtetit, në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush, Gjenerali Colin Powell e ka dërguar Ambasadorin Përdu në Maqedoni, në verë të vitit 2001, për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit etnik që kishte arritur përmasat që rrezikonin të fusnin Maqedoninë në një luftë civile, me pasoja të rënda, jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë rajonin e Ballkanit. Pas disa javë negociatash, palët arritën marrëveshjen e quajtur “Marrëveshja e Ohrit”, e nënshkruar nën mbikëqyrjen e Ambasadorit Përdu dhe përfaqësuesit evropian, në gusht të vitit 2001. Më vonë, nga viti 2005-2008, Ambasadori Përdu ka shërbyer në detyrën e Zëvendës Ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili ka mbikëqyrur stafin ndërkombëtar për Operacione dhe Menaxhim Krizash me qendër në Bruksel, me përgjegjësi — ndër të tjera — për zhvillimin e politikës së NATO-s ndaj Kosovës. Falë përvojës së tij të gjatë në konfliktet e Ballkanit, Ambasadori Përdu ka marrë pjesë edhe në bisedimet e Grupit të Kontaktit, si përfaqësues i NATO-s, bisedime këto që kishin të bënin me zhvillimin e politikës ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe njëherazi ka dhënë ndihmesën e tij edhe OKB-së për të ashtuquajturin Plani Ahtissari, përpjekje këto që më në fund përfunduan në pavarësinë e Kosovës. 

Ushtaraku i karrierës i këthyer në diplomat, Xhejms Përdu ka përmbledhur përvojat e tija dhe rolin jetik të Shteteve të Bashkuara në luftërat Ballkanike 1995-2008. Libri i Ambasadorit Përdu, botuar me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, titullohet: “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan”, është historia e parë gjithë përfshirëse e një ndërhyrjeje të suksesshme shumëkombëshe në Ballkan, 1995-2008, e treguar nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili gjendej në qendër të veprimtarive dhe përpjekjeve të drejtë për drejta diplomatiko-ushtarake, për të parandaluar krizat due më vonë, si njëri prej përpiluesve kryesorë i politikave për zgjidhjen eventuale të konflikteve në atë rajon. Ai, ndër të tjera, përshkruan në hollësi se si i ndjeri Riçard Holbrooke dhe përfaqësuesit amerikanë që erdhën pas tij, ndihmuan për të ndaluar ose parandaluar luftëra shkatërruese në Bosnje, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni. Në librin e tij, ai flet për dramën njerëzore në luftë, por edhe në fushën e diplomacisë, duke pasqyruar njëkohësisht edhe motivet, karakterin, talentin dhe dobësitë e udhëheqësve të rajonit me të cilët i është dashur të punonte gjatë asaj periudhe. Në kujtimet e tija, “Ambasadori Përdu demonstron se përdorimi i fuqisë ushtarake amerikane për të pakësuar dhe për të eliminuar vuajtjet njerëzore, është në përputhje të plotë me vlerat amerikane”, thuhet në vlerësimin e librit nga ana e botuesit. Megjithëse kanë kaluar disa vite nga luftërat në Ballkan, libri i Z. Përdu është gjithashtu një kujtesë due mësim edhe për situatat e sotëme të krizave në botë se pa udhëheqjen e vendosur të Shteteve të Bashkuara dhe pa një bashkëpunim shumëkombësh, është e vështirë të merret me mend zgjidhja e krizave kritike ndërkombëtare, kudo qofshin ato. 

Në një vlerësim të librit të Ambasadorit Përdu, Marc Grossman, ish-Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Politike është shprehur se amerikanët duhet ta ndjejnë vetën të lumtur që Ambasadorin Përdu, siç ishte shprehur edhe ai vet, vite më parë, “e kishte tërhequr diçka në Ballkan”.  Ish-diplomati i lartë amerikan, Z. Grossman vlerëson se Ambasadori Xhejms Përdu ka kontribuar pa ndërprerje dhe pozitivisht për kauzën e paqes dhe të drejtësisë në atë pjesë të Evropës, të prekur nga dhuna. Ai e cilëson librin gjithashtu si një studim të rëndësishëm se si dhe kur duhet të përdoren të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe ushtarake të shtetit, për të realizuar objektivin e misionit të caktuar.

Profesori David L. Anderson i Universitetit Shtetëror të Kalifornisë ka vlerësuar librin “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Balkan” të Ambasadorit Përdu duke thënë se, “Rekomandimet e tija në favor të një diplomacie aktive, për lidhjet që duhet të ekzistojnë midis përdorimit të forcës kur është e nevojshme dhe përdorimit të diplomacisë, si dhe rëndësia që ka stabiliteti evropian për politikën e jashtme amerikane – janë këshilla dhe porosi me shumë vlerë për zyrtarët e sotëm publikë në Amerikë dhe për udhëheqsit ndërkombëtarë”.

Si i tillë, Ambasadori Xhejms Përdu është karakterizuar nga disa ekspertë të çeshtjeve të politikës së jashtme dhe të ndërhyrjeve ushtarake, si një pasues i doktrinës së Woodrow Wilsonit: mbështetës i fortë i përhapjes së demokracisë në botë, promovues i fortë i vet-vendosjes së popujve, kundërshtar i izolacionizmit dhe mos ndërhyrjes ushtarake dhe si i tillë favorizonte angazhimin e fortë ushtarak dhe diplomatik të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar shpërthimin e krizave dhe luftërave në zona konflikti, siç ishte Ballkani Perendimor gjatë 1990-ave.

Me rastin e kalimit të tij në amshim, falënderimet e mia më të përzemërta për këtë figurë të rëndësishme të politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj fatit të shqiptarëve në Ballkan.  Duhet të jemi mirënjohës që Ambasadorin Përdu e “kishte tërhequr diçka në Ballkan”.  Si i tillë, vlerësoj se Ambasadori Xhejms Përdu ishte njëri prej diplomatëve amerikanë të asaj periudhe — i duhur si diplomat dhe në kohën e duhur si mbrojtës i interesave dhe i të drejtave të shqiptarëve për vet-vendosje, pikërisht kur ato të drejta, tragjikisht, po kërcënoheshin ndoshta si asnjëherë më parë.  Xhejms Përdu, në frymën e ish-Presidentit amerikan Woodrow Wilson, mbrojtësit të vet-vendosjes së popujve — përfshirë Shqipërinë një shekull më parë – la gjurmë të pashlyeshme si një mbrojtës i vendosur i kauzave mohuara të shqiptarëve për liri, demokraci dhe drejtësi në mbarim të shekullit XX dhe në fillim të këtij shekulli.  Krenar që e njofta sado pak si një njeri të butë, të durueshëm dhe i respektueshëm me të gjithë në takimet me të – por edhe mirënjohës ndaj tij për kontributin e tij historik për lirinë dhe vet-vedosjen e shqiptarëve në trojet e veta. Pushofsh në paqë, Ambasador Xhejms Përdu!

Frank Shkreli

…Picture of James W. Pardew

                    Ballina e Librit të Kujtimeve të Ambasadorit James W. Pardew

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, James Pardew, Nderroi Jerte

TË ZHDUKURIT E PERIUDHËS KOMUNISTE NË SHQIPËRI KËRKOJNË DREJTËSI!

June 2, 2021 by dgreca

TURP PËR QEVERINË SHQIPTARE DHE PËR DIPLOMATËT PERËNDIMORË NË TIRANË QË HESHTIN! /

Nga  Frank Shkreli/ “Që nga viti 1991, qasja e të gjitha qeverive — socialiste dhe demokrate– “është kalibruar të mos shqetësojë gardën e vjetër”, tha një diplomat që e ndjekë këtë çështje nga afër. (Fred Abrahams)/

Nga rrjetët sociale mësova se javën që kaloi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH 1944-1991 dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) organizuan në Shkodër një aktivitet në kuadër të projektit: “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: Të zhdukurit në komunizëm”, i mbështetur nga Bashkimi Europian. 

Sipas njoftimit të AIDSSH, ekipi i Autoritetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, së bashku me Shoqatën e ish-të Përndjekurve të Shkodrës dhe të ish-të Përndjekurve të Malësisë së Madhe zhvilluan një udhëtim në terren, në zonën e Mbishkodrës, atje ku është organizuar kryengritja e parë antikomuniste në 1945 dhe ku Sigurimi i Shtetit ishte angazhuar fuqimisht, që vitet e para të vendosjes së regjimit komunist deri në perëndim të tij, thuhet në njoftimin për aktivitetin e javës së kaluar, kushtuar të zhdukurve në kohën e komunizmit.  Është shumë me vend që u mbajt një aktivitet i tillë – sidomos në Shkodër the rrethinë — me temën siç u tha “për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese”.  Më la përshtypje gjithashtu edhe pjesëmarrja e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Z. Del Monaco, pasi përfaqsuesit diplomatikë perëndimorë në Tiranë, gjatë këtyre tre dekadave post-komunizëm, nuk kanë treguar ndonjë interesim të madh për të kaluarën komuniste as për fatin e mijëra të zhdukurve gjatë komunizmit në Shqipëri, — me përjashtim të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.  Ndonëse më ra mirë që Ambasadori Del Monaco mori pjesë në këtë aktivitet, u zhgnjeva menjëherë pasi lexova deklaratën e tijë për median me këtë rast. Është një deklaratë e diplomatit evropian, që në të vërtetë, në vend që të “rritet ndërgjëgjësimi për drejtësinë” dhe për “të zhdukurit në komunizëm” për të publikun shqiptar, që siç thuhet ishte edhe tema e atij aktiviteti në Shkodër — duhet që urgjentisht, për të kaluarën dhe krimet komuniste në Shqipëri — të ndërgjegjësohen diplomatët perëndimorë në Tiranë, por edhe më me rëndësi është që autoritetet e larta politike shqiptare të ndërgjegjësohen gjithashtu due të mbahen përgjegjëse, pasi sot ata udhëheqin atë shtet.  Unë nuk kam shpresë as ndonjë iluzion se autoritet shqiptare do të bëjnë një gjë të tillë, por prisnim që përfaqasuesit diplomatikë perëndimorë të ishin pak më mirë të informuar.

Kur Ambasadori Del Monaco u pyet mbi aktivitetin kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, pas pjesëmarrjes në veprimtarinë e organizuar, ai u përgjigj se, “Si qenie njerëzore që jemi nuk mund t’i justifikojmë në asnjë mënyrë këto shkelje madhore ndaj qenieve të tjera njerëzore duke i mohuar atyre emrin apo një varrim të denjë. Realisht, e vlerësoj shumë veprimtarinë e mëngjesit të sotëm, sepse për mendimin tim në të u shpreh shumë qartë gatishmëria e përbashkët e autoriteteve shqiptare dhe shoqërisë civile për ta trajtuar seriozisht dhe konkretisht çështjen në fjalë. Mund të dëshmoj se, edhe nga ana jonë, në bisedat që zhvillojmë vazhdimisht me autoritetet qendrore në Tiranë marrim të njëjtin mesazh serioziteti, vullneti dhe konkretësie.” Seriozisht e ka ky, zotëria?!

“Gatishmërinë e përbashkët të autoriteteve shqiptare për ta trajtuar këtë çeshtje”, tha përfaqsuesi i lartë i OSBE-së! Për cilat “autoritete shqiptare” e ke fjalën Z. Ambasador?  Më lejoni Z. Ambasador që tu sjellë reagimet më të fundit mbi të atë që ju e cilësoni si, “gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të trajtuar këtë çeshtje”, gjatë tre dekadave të kaluara.  Jo nga unë – por nga ente dhe organizata ndërkombëtare që merren me fatin e të zhdukurëve në botë, përfshirë periudhën komuniste në Shqipëri.  Fatbardhësisht, ka individë dhe organizata ndërkombëtare që i shohin punët ndryshe në Shqipëri nga ç’i shohin diplomatët perëndimorë. Prej të gjithë juve – diplomatë evropianë dhe amerikanë në Tiranë – presim pak më shumë shumë – në të vërtetë presim shumë më shumë prej jush – presim që për viktimat e komunizmit dhe për perridhën komuniste në Shqipëri të thoni të VËRTETËN dhe mos HESHTNI, siç bëni ju aktualisht dhe siç kanë bërë para-ardhësit tuaj në atë vend, për tre dekada tani.

Ndryshe nga diplomatët perëndimorë në Tiranë të cilët mbrojnë dhe mbështesin “vijën e partisë”, ja çfarë thonë media si “Le Figaro” për skandalin e patronazhistëve: PS fitoi me metodat e sigurimit | Gazeta Telegraf, organizatat ndërkombëtare (qeveritare dhe jo-qeveritare) si dhe individë të njohur që merren me të drejtat e njeriut në përgjithësi, mbi gjoja “gatishmërinë e autoriteteve shqiptare”, siç u shpreh zyrtari i lartë i OSBE-së në Tiranë,  për tu përballur me historinë dhe fatin e të zhdukurve të komunizmit në Shqipëri.   Në një raport të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ICMP [ALBANIAN LANGUAGE] Raporti i ri i ICMP paraqet rekomandime për të përmirësuar përpjekjet e Shqipërisë për të dhënë llogari për personat e zhdukur nga periudha komuniste,  i kërkohet Shqipërisë që të bëjë më shumë për çeshtjen e personave të zhdukur nga periudha komuniste në Shqipëri: “Rekomandimet e raportit kërkojnë të sigurojnë që rastet e personave të zhdukur të hetohen në mënyrë efektive dhe të drejtat e familjeve të të zhdukurve për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimet janë mbështetur,” tha Matthew Holliday, Shefi i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP, gjatë mjë takimi në internet ku morën pjesë përfaqësues të autoriteteve shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar.  “Autoritetet shqiptare kanë një detyrim ligjor për të dhënë llogari për personat e zhdukur nga periudha komuniste – përgjegjësia e shtetit dhe veprimi i shtetit janë thelbësore. Puna e ICMP në të gjithë botën demonstron se personat e zhdukur mund të identifikohen me saktësi në përputhje me sundimin e ligjit, madje edhe dekada pas zhdukjeve”, u shpreh Shefi i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP.

Vitet e fundit, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, (ICMP) e ka ndjekur nga afër çeshtjen e të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, por nuk ka qenë e vetmja organizatë që ka bërë një gjë të tillë. Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nepërmjet “Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyruara ose të Pavullnetshme”, ka vizituar Shqipërinë në dhjetor 2016 për tu informuara mbi fatin e të zhdukurve në periudhën komuniste në Shqipëri.  Të pakënaqur me ato që kishin parë e dëgjuar nga autoritetet e vendit për këtë çeshtje, një vit më vonë botoi një raport tepër kritik ndaj qeverive shqiptare të tre dekadave të kaluara duke deklaruar, ndër të tjera se, “Shqipëria ende nuk është marrë në mënyrë adekuate me shkeljet e të drejtave të njeriut, të kryera midis vitit 1944 dhe 1991”,  kjo sipas OKB-ës.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, (ICMP) vlerëson se lartë nga 6,000 persona u zhdukën nën regjimin komunist në Shqipëri në periudhën midis 1944 dhe 1991, ndërsa burime të tjera thonë se numri është shumë më i madh. Trupat e tyre nuk u kthyen më në familjet e tyre, ndërkohë që vendndodhja e mbetjeve të tyre mortore është e panjohur për të afërmit e mbijetuar, sipas ICMP.

Në një artikull kushtuar këtij subjekti të dhimbshëm për familjet e të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shqipëri – botuar dy muaj më parë në Balkan Insight — aktivisti i njohur i të drejtave të njeriut dhe Drejtor i organizatës së njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë, Human Rights Watch, Communist-Era Disappearances Still Haunt Albania (hrw.org) Z. Fred Abrahams shkruan se, “Mijëra familjeve, të dashurit e të cilëve u zhdukën nën sundimin komunist në Shqipëri, u është bërë përsëri padrejtësi nga dështimi i autoriteteve (shqiptare) për të gjetur eshtrat e tyre”. Zoti Abrahams vazhdon duke shtuar se detyrimet e Shqipërisë — ndaj të zhdukurve nën diktaturën komuniste në Shqipëri dhe ndaj familjarëve të tyre që ende sot kërkojnë eshtrat e tyre – janë më se të qarta.  “Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilën Shqipëria është palë, mbulon të drejtën e jetës dhe shteti ka një detyrim procedural kur kjo e drejtë abuzohet.  Shqipëria është gjithashtu palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë e cila kërkon hetime dhe ndjekje penale kur njerëzit zhduken ndërsa janë nën kujdesin e shtetit”, thekson Z. Abrahams i Human Rights Watch, ndërsa nënvijon se, “Në maj 2018, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë inkurajoi Shqipërinë, “të dyfishojë përpjekjet e saj për të hedhur dritë në mënyrë efikase mbi zhdukjet e imponuara që ndodhën gjatë regjimit komunist”.  Shqipëria duhet të hetojë këto krime, të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës dhe të sigurojë dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre, thuhet në raportin e komitetit të OKB-së.  Ky duhet të jetë sot edhe mesazhi i diplomatëve amerikanë dhe evropianë në Tiranë. Prandaj, mos heshtni! Qindra mijëra familjarë të të zhdukurve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshir Shtetet e Bashkuara – presin prej jush, në minimum — një qëndrim moral dhe thrirje për drejtësi ndaj kësaj çeshtjeje. 

Autoritetet shqiptare të gjitha ngjyrave politike gjatë këtyre 30-viteve tranzicion — i njohin mirë detyrimet e tyre dhe të shtetit shqiptar si dhe obligimet ndërkombëtare që kanë marrë përsipër si përfaqsues të shtetit shqiptar në lidhje me të zhdukurit gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe për nevojën për të hapur, më në fund, dosjet e ish-Sigurimit kriminal të regjimit komunist, me qëllim që të identifikohen edhe qindra vendndodhjet e eshtrave të tyre, anë e mbanë Shqipërisë. Por, kjo nuk ka gjasë të ndodhë, sipas Z. Fred Abrahams i cili në artikullin e tij citon një diplomat të huaj që ka ndjekur këtë çeshtje në Tiranë se, “Që nga viti 1991, qasja e të gjitha qeverive, socialiste dhe demokrate, “është kalibruar të mos shqetësojë gardën e vjetër”.  

Nëqoftse politika shqiptare, përfshir edhe politikanët aktualë — socialistë dhe demokratë e të tjerë — të këtyre tre dekadave të fundit nuk dëshiron të “shqetësojë gardën e vjetër” komuniste, çfarë arsyeje kini ju të nderuar diplomatë perendimorë që heshtni për një çeshtje kaq të rëndësishme morale.  Edhe ata ishin shqiptarë, shumë prej tyre përfaqësues të ajkës së kulturës, gjuhës, historisë dhe politikës së asaj kohe, të pafajshëm, përfshir gra, pleq e fëmij — ndonëse si të huaj në vendin e vet — janë trajtuar dhe vrarë dhe ekzekutuar në mënyrën më brutale, vetëm e vetëm, se kundërshtonin regjimin komunist të Enver Hoxhës.   

Dua ta përfundoj këtë shënim, megjithëse pak si i gjatë, me lajmin që posa më ra në dorë se javën që kaloi, Kosova përmbylli procesin e gërmimeve në njërën prej varrezave masive në Kizhevak të Serbisë ku u bë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës (shqiptarë) që kanë qenë në këtë lokacion.  Ndonëse dy shtete por një Komb, ndryshe nga trajtimi i të zhdukurve të komunizmit në Shqipëri, në Kosovë çështja e të zhdukurve gjatë luftës së fundit trajtohet me përgjegjësinë dhe me seriozitetin më të madh moral e kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Trajtohet ndryshe sepse në Kosovë ekziston vërtetë ndërgjegjësimi human dhe nevoja për zbardhjen e këtyre rasteve, jo vetëm nga publiku por edhe nga autoritetet më të larta qeveritare si dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë.  Fatkeqësisht, ky ndërgjegjësim, për një çeshtje me kaq rëndësi morale dhe drejtësie, mungon në Shqipëri, qoftë në radhët e autoriteteve të Tiranës, qoftë edhe në mjedisin e diplomatëve perëndimorë në kryeqytetin shqiptar, siç duket nga frika që të mos “shqetësohet garda e vjetër” komuniste e cila ushtron gjithnjë një influencë vendimarrëse në vend, pre e së cilës duket se kanë renë edhe përfaqësuesit perendimdorë në Tiranë.  Si rrjedhim, në Shqipëri mungon një angazhim dhe përkushtim serioz në krahasim me zotimin e qeverisë së Kosovës javën që kaloi, “Për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë”.  Nuk kërkohet asgjë më pak as më shumë se vendosjes së drejtësisë edhe për të zhdukurit e periudhës së komunizmit në Shqipëri dhe për familjarët e tyre që presin për tre dekada tani për të zbuluar vendndodhjen e eshtrave të dashurve të tyre!

Filed Under: Politike Tagged With: drejtesia e munguar, Frank shkreli, Te zhdukurit e Komunizmit

DOM NIKOLLË KAÇORRI, STRATEGU I HARRUAR I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

May 31, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin 1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste besimit musliman.Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që festonte Pashkë e Bajram.  Siç është traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.  Më vonë, numri dy i qeverisë shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat Zentralfriedhof të Vjenës. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.

Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e kalimit të tij në amshim — të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në përgjithësi.  Në një homazh të veçant kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se, “Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë.  Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.

Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund, largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në  politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet në komentin e RV.

Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes.  Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar.  Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit — fatkeqësisht, as atëherë as sot — këtij kleriku katolik — në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:  

*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:

…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës.  Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të hershme dhe të vonë — me motivin e vetëm — që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde…”


“…Pas shpalljes së pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.  Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë…”.

 “Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”.  Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik…”.

“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”   

(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë, që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste sllavo-komuniste,  por edhe harresa sot e këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve post-komunizëm! 

Mbetet për tu parë se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike — të shfaqura publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave — të disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë.  Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar — periudhën pra kur jetonte dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit.  Prandaj, nëqoftse më lejohet të parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye ideologjike e të tjera — me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit — nuk rëndon mbi të, por mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar. 

Frank Shkreli 


                  See the source image..

Thuhet se edhe në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Krej të Lurës na qenka një pllakë që e identifikon atë objekt si “Monument Kulture” të Republikës së Shqipërisë! S’ka nevojë për koment. Fotografia flet vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dom Nikoll Kaçorri, Frank shkreli, pavaresia

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

NË KOLEGJIN HARVARD TË SHTETEVE TË BASHKUARA KUJTOHET TRAGJEDIA E ÇAMËRISË SHQIPTARE

May 15, 2021 by dgreca

                   NGA FRANK SHKRELI/

Këtë të djelë me Maj, 2021 në Kolegjin Harvard në Cambridge të shtetit Masaçusets, jo shumë larg nga qyteti i Bostonit, do të organizohet një diskutim me titull: Shqiptarët Çam të Greqisë: 77 vjet mohim, me pjesëmarrës Dr. Isa Blumi dhe Dr. Rudina Jasini.   Ky njoftim është përhapur për mediat dhe të gjithë të interesuarit nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvard-it. Në njoftim bëhet thirrje që të interesuarit t’i bashkohen diskutimit mbi Çeshtjen Çame me historianin Dr. Isa Blumi i Universitetit Stockholm dhe me Doktoren e shkencave juridike, Rudina Jasini, eksperte e ligjeve ndërkombëtare penale dhe e të drejtave të njeriut, pranë Universitetit Oxford.  Diskutimi i dy ekspertëve do të zhvillohet nepërmjet platformës “webinar” duke filluar nga ora 11- para dite sipas orës së Bostonit, këtë të djelë më 16 Maj dhe do të pasohet me pyetje-përgjigje. Diskutimi do të drejtohet nga Deni Hoxha, Kryetari i Shoqatës së Studentëve shqiptarë në Harvard, sipas njoftimit të studentëve shqiptarë të Harvard-it, të shpërndarë disa ditë më parë në rrjetët sociale.

Kolegji Harvard administrativisht është pjesë e Universitetit të njohur botërisht, Harvard, më i vjetri universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i themeluar në vitin 1636, por që edhe pas më shumë se 400 viteve në ekzistencë, gjithnjë vazhdon të tërheq, udhëheqsit dhe akademikët më të njohur të botës, por edhe studentët më të mirë nga të gjitha anët e botës.  Në këtë ambient edhe studentët shqiptarë të këtij instituti të lartë të dijës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë themeluar Shoqatën e Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard. Është kjo një organizatë e cila bashkon studentët me origjinë shqiptare si dhe studentët e kombësive të tjera të interesuar për kulturën, historinë dhe çeshtjet aktuale të Shqipërisë dhe Shqiptarëve.  Shoqata shërben si një ent që ve në dukje — për komunitetin akademik të Harvardit por edhe më gjerë — çeshtjet shoqërore, ekonomike, historike dhe politike që u interesojnë Shqiptarëve anë e mbanë botës, duke organizuar diskutime, ngjarje kulturore, forume e tjera.  Është në këtë frymë që këtë të djelë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit të Harvardit do të zhvillojë diskutimin via platformës “webinar” mbi çeshtjen çame – 77 vjetë mohim. Të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë ftohen të regjistrohen sipas informacionit më poshtë në njoftimin e bashkangjitur.

Historiani, filozofi, poeti dhe novelist Xhorxh Santayana i cili ka studiuar pikërisht në Kolegjin Harvard – ku edhe po organizohet diskutimi për masakrën e Çamërisë — ka një thenje që i atribohet atij në lidhje me nevojën për tu përballur me krimet e historisë: “Ata të cilët nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsërisin atë”.   Historia e Kombit shqiptar është plot masakra nga të fqinjtë kundër shqiptarëve dhe nga shqiptari kundër shqiptarit. Mjafton të kujtojmë 50-vjet krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Historia njeh – por për të cilat nuk flitet aq sa duhet — masakrën e Çamërisë, atë të Tivarit dhe masakrat e shumta otomane, serbe e malazeze kundër shqiptarëve gjatë shekujve, përfshir edhe krimet kundër njerëzimit të forcave terroriste të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit atje, me qëllim të spastrimit etnik.

Ata që më njohin e dinë se unë (megjithëse nuk jam vetëm) kam humbur shpresën në këtë klasë politike shqiptare të 30-viteve të kaluara se ata do të sjellin ndryshimin – se ata pas pothuaj 50-vjet robërie komuniste do të sjellin lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë dhe pa dallim, se ata do ishin udhëheqësit shqiptarë post-komunistë që më në fund – të çliruar nga ideologjia komuniste – do të përballoheshin me të kaluarën e vështirë me krimet dhe me masakrat e kryera kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve historike shqiptare. Ishte një shprersë e kotë! Shpresa ime dhe e shumë të tjerëve mbetet brezi i ri i shqiptarëve  brenda dhe jashtë trojeve, por sidomos shspresoj në të rinjët shqiptarë që po edukohen në Perëndim, siç janë studentët që po organizojnë këtë të dielë diskutimin, në nivel akademik në një institucion të lartë arsimor amerikan, siç është Harvard College, mbi çështjen e Çamërisë, të cilën ata e përmbledhin duke dhenë një historik të shkurtër të kësaj tragjedie: 

“Çështja Çame: Pushtimi Grek i Çamërisë 1912-1913 i la Shqiptarët Çamë jashtë kufijve të vendit të tyre të lindjes. Nga 1913 e tutje, popullsia Çame Shqiptare ra në mënyrë të dukshme për shkak të persekutimit, dëbimit të detyruar dhe spastrimit etnik. Shtytja e fundit ishte në 1944-1945 kur nisi një fushatë brutale nga forcat greke kundër popullsisë shqiptare çame autoktone. Forcat paraushtarake greke 

kryen një numër mizorish në shkallë të plotë, përfshirë masakra ndaj burrave, grave dhe madje edhe foshnjave. Ndërsa bota mbylli sytë ndaj kësaj masakre, rreth 25,000 refugjatë çamë kaluan kufirin në Shqipëri dhe mbi 2,000 Çamë u vranë.  Sot, Çamët formojnë një komunitet prej të paktën 250,000 banorësh në Shqipëri, 100,000 në Turqi dhe 70,000 në Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Shqipërisë shpalli 27 Qershorin si Ditën e Gjenocidit Grek Shovinist kundër Shqiptarëve të Çamërisë. Ndërsa, 77 vjet më vonë, Greqia ende mohon ekzistencën e çeshtjes çame dhe madje mohon edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi”, thuhet në njoftimin për media të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard.

Prezantuesit kryesor të çeshtjes Çame në këtë diskutim janë Dr. Isa Blumi, Porfesor i Asociuar i Studimeve turke dhe Lindjes së Mesme në Universitetin e Stokhomit, i cili do të flasë për rrënjët historike të ngjarjeve që çuan në okupimin e Çamërisë dhe në pushtimin përfundimtar nga forcat greke, gjë që çoi në aneksimin e imponuar ndërkombëtarisht të asaj krahine duke e ndarë njëherë e mirë nga  territoret e tjera shqiptare. Profesor Isa Blumi do të flasë gjithashtu edhe për mekanizmat ndërkombëtare që kanë lehtësuar ndarjen e ish-territoreve otomane, bazuar në kritere që çuan në shpopullimin e Çamërisë nga shqiptarët autoktonë.

Ndërsa folësja tjetër në ketë diskutim, Dr. Rudina Jasini, aviokate due studiese e specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në fushën e të drejtave të njeriut në Univresitetin e Oksfordit do të ofrojë për pjesëmarrësit një përspektivë të thellë të sfidave ligjore dhe politike të çeshtjes Çame si dhe mënyrat due rrugët ligjore dhe forumet ndërkombëtare ku mund të diskutohet çeshtja Çame. 

Një nga tiparet më karakteristike të përballimit me të kaluarën historike dhe zbulimit të së vërtetës është dëshira për të njohur atë histori dhe për të vendosur për të kërkuar drejtësi me ligj për grupet e dëmtuara dhe të shtypura, historikisht. Shumë aspekte të historisë së Çamëve Shqiptarë janë shumë pak të njohura, ose të keq-interpretuara, falë një numri të madh masash dhe dekretesh të miratuara nga qeveritë dhe autoritetet greke gjatë dekadave.

Përshëndes Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit Harvard për nismën e tyre fisnike dhe uroj që ky diskutim të jetë një kontribut i vyer drejtë vendosjes së drejtësisë dhe të zbulimit të vërtetës historike dhe vuajtjeve të shqiptarëve çamë.   Është vërtetë një freski shpirtërore, morale dhe patriotike kur sheh një grup studentësh shqiptarë të edukuar në Perendim — e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara — të interesuar për të trajtuar ngjarje të rënda nga historia e hidhur e Shqiptarëve, siç është çeshtja Çame.  Seminare të tilla në nivel akademik, jo vetëm që kontribojnë në zbulimin e së vërtetës historike mbi çeshtjen Çame, por ndihmojnë, njëkohësisht, edhe në ndërtimin e urave të pajtimit midis dy vendeve dhe dy popujve, duke forcuar kështu paqën dhe sigurinë në rajonin ballkanik dhe në Evropë. 

Image

Filed Under: Featured Tagged With: 77 Vjetori, Frank shkreli, Harvard College, Tragjedia Çame

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT