• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LE TË NISEMI SË BASHKU!

September 21, 2020 by dgreca

–NË 50-VJETORIN E VDEKJES SË NEXHAT PESHKËPISË-

-Një thirrje klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare-

                                              Nga Frank Shkreli

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgViti 2020 shënon 50-vjetë nga vdekja e një prej figurave më të dalluara të diasporës shqiptare të shekullit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. Nexhat Peshkëpisë.  Prof. Peshkëpia ishte dhe vazhdon të mbahet mend në komunitetin tonë këtu në Amerikë si një ndër kampionët dhe mbrojtësit e pazevëndësueshëm të lirisë dhe të demokracisë. 

Prof. Nexhat Peshkëpia ishte një anëtar shumë aktiv i Komitetit Shqipëria e Lirë me qëndër në Nju Jork, që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi – organizatë kjo që mbështetej financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ishte anëtar ekzekutiv i Komitetit due njëkohësisht edhe redaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”.  Komiteti Shqipëria e Lirë gëzonte njohjen dhe legjitimitetin si një ent i sanksionuar nga qeveria amerikane, si përfaques i komunitetit anti-komunist shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së ftohtë dhe, njëherazi, përfaqësonte Shqipërinë në komitetin e Përgjithëshëm të Asamblesë së Vendeve të Robëruara Evropiane, organiazatë umbrellë kjo,  që si objektiv të veprimtarisë së saj kishte, përmbysjen e komunizmit në vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore dhe Qendrore.  

Nexhat Peshskëpia kryer shkollën e mesme dhe të lartë në Itali dhe Belgjikë. Më të këthyer në Shqipëri pas shkollimit jashtë, Nexhati qe emëruar mësues i matematikës dhe fizikës në Shkollën Teknike të Tiranës.  Me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, Prof. Peshkëpia iu bashkua forcave të rezistencës dhe ishte një prej organizatorëve të Ballit Kombëtar dhe një prej ideologëve të programit të kësaj partie. Me daljen e lëvizjes komuniste në skenën politike shqiptare dhe që ra nën ndikimin e shpejt të komunistëve jugosllavë, Nexhat Peshkëpia iu bashkua edhe luftës kundër komunizmit, duke shërbyer si redaktor i shtypit anti-komunist dhe anti-fashist.

Ndonëse, fatkeqësisht, nuk ia kam mbërrijtur ta takoja sa ishte gjallë këtu në Amerikë po e kujtoj Nexhat Peshkëpinë me rastin e 50-vjetorit të kalimit në amshim – me fjalët e një prej miqëve të tij më të ngushtë, Karl Gurakuqit, i cili në një shkrim me rastin e vdekjes në vitin 1970, e ka kujtuar kështu mikun e tij Nexhatin: “Ishte Shqiptar i mirë Nexhati.  Atdhetar i kulluet, shembull për të rijt, njeri i ndermë; i kjante zemra kur vrente përçamje e mosmarrëveshje në mes bashkëatdhetarëve, bij të nji gjaku.  Predikonte vëllaznim; për ‘të mjaftonte të ishe Shqiptar, prej çdo krahine dhe menjiherë e afronte dhe me të kjante hallet. Kur ia paten vra vëllain në Tiranë, Manushin e mjerë, më vjen keq më tha sepse nuk e kishte meritue, ka qenë shqiptar i pastër, e ka dashtë Shqipninë, do të kishte dhanë jetën për ‘të.  E pra, u vra e u pushkatua, e për më tepër prej dorës së Shqiptarit”, i ka shkruar Nexhati, mikut të vet Karl Gurakuqit në lidhje me pushkatimin e vëllait të tij, Manush Peshkepisë ditën e 27 shkurtit, 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës, të akuzuar për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike.  

 “Si njëni vëlla ashtu tjetri, si Nexhati ashtu edhe Manushi ishin burra të padjallëzuem”, shkruan Karl Gurakuqi dhe vazhdon: “Të dy predikojshin dashuni ndërmjet vëllazënve shqiptarë, bashkim dhe njisi. Ishin gati tu shtrijshin dorën edhe kundërshtarëve, mjaftonte që veprimet e këtyre të përkojshin me idealet e kombësisë dhe të atdhedashunisë”, ka shkruar Karl Gurakuqi, albanologu, gjuhëtari, përkthyesi, dramaturgu, historiani dhe bashkpuntori më i ngusht i revistes Shejzat të Ernest Koliqit. “Ishte përnjimend Shqiptar Nexhati, me të gjitha virtytet, me të tana vetitë e bukura të racës”, ka kujtuar Karl Gurakuqi 50-vjet më pare, mikun e tij Nexhat Peshkepinë, me rastin e kalimit të tij në amshim.

Nexhat Peshkepia, shkrimtar e poet, në disa prej shkrimeve dhe poezive të tija, shihet se sa mall e kishte Atdheun, se sa shumë vuante në mërgim për Atdheun e tij të largët:

                                “O ti që vjen nga larg,

                                 Nga vendi i lindjes

                                 Më thuaj: Kur vjen vera

                                 Atje në kopshtin tonë? 

                                 Te shtëpia në atë vend të mjerë,

                                 Kumbulla dhe qershija

                                 Çelin gjithmonë lule

                                 Si njiherë?….”


Në çdo shkrim  që lexoj për Nexhat Peshkepinë, ajo që dallon është fakti se ai e donte me gjithë shpirt Atdheun dhe i donte shqiptarët pa dallim feje, krahine a ideologjie, për derisa ata të ndanin me të, “Idealet e Kombësisë dhe të Atdhedashunisë”:  Le të nisemi së bashku, e jo nji nga nji, i porosiste shqiptarët  Nexhat Peshkepia sa ishte gjallë. Edhe sot 50-vjet pas vdekjes dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ai ka të njëjtën porosi për brezat e sotëm të shqiptarëve, si në trojet shqiptare ashtu edhe në diasporë!  Lexoni më poshtë, “Le të nisemi së bashku”, nga Nexhat Peshkepia:

Një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, në vitin 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth interesave të Atdheut due të shqiptarëve — jo një nga një –por të gjithë së bashku! 

Eh, medet!  T’i kishte sot Kombi Shqiptar vetëm 5 Nexhat Peshkepia, anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se ndryshe do të ishin punët e shqiptarëve!


Nexhat Peshkëpia ka lindur në Vlorë më 15 mars 1908 dhe ka ndërruar jetë më 8 shkurt 1970 në Dearborn të shtetit Miçigan, ku kishte shkuar nga Nju Jorku, ku edhe banonte, për të vizituar një kushëri të tijin që jetonte atje.

Frank Shkreli

  See the source imageNexhat Peshkepia i pari nga e djathta, në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastritoit -Skenderbeut (Shejzat)

Prof. Nexhat Peshkëpia ulur midis Mons Dr. Zef Oroshit dhe Inxhinjer Vasil Germenjit

See the source image

                                                 Nexhat Peshkëpia


                                    Nga Kujto.al

                                               Manush Peshkëpia

Financier, poet, publicist, anëtar i Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi në vitin 1910, në Vlorë. Punoi si financier në Bankën Kombëtare. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, bashkë me të vëllanë, Nexhat Peshkëpinë, u transferua në Elbasan. Gjatë luftës qe redaktori kryesor i gazetës «Flamuri». Më 1944 drejtoi emisionin letrar të Radio Tiranës. U arrestua më 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar si «armik të popullit». U lirua pas katër vjetësh. U arrestua sërish më 20 shkurt të vitit 1951, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe, pas një jave torturash, duke u gdhirë 27  shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës.  

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, vdekja e Nexhat Peshkepise

DEMOKRACIA NË KOHË PANDEMIE DHE MAJTIZMI SHQIPTAR

September 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Frank SHKRELI- 15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për të promovuar — me thirrje dhe veprimtari — mbështetjen dhe mbrojtjen e parimeve dhe vlerave të demokracisë, anë e mbanë botës.  Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi këtë ditë duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të ndërtojnë një botë më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, me respekt të plotë për të drejtat e njeriut.

Në sfondin e pandemisë së koronavirusit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, në mesazhin e tij, nënvizoi rëndësinë e demokracisë si një mjet për të siguruar përhapjen e lirë të informacionit, pjesëmarrjes në vendim-marrje dhe llogaridhënie nga autoritetet, për masat që po merren kundër vitusit COVID-19.  “Ç’prej fillimit të pandemisë”, theksoi Sekretari i Përgjithëshëm, “kemi venë re se masat emergjente në luftën kundër virusit janë përdorur, në shumë vende, për të kufizuar dhe për të penguar proceset demokratike dhe hapësirën e veprimtarisë së lirë të qytetarëve. Kjo është, veçanërisht, e rrezikshme, në vendet ku demokracia nuk ka hedhur ende rrenjë sa duhet dhe ku institucionet demokratike janë ende të dobëta”, tha Guterres. 

Edhe para se të fillonte pandemia, ka nënvijuar ai, shqetësimet dhe moskënaqësitë nga popujt, ndaj autoriteteve anë e mbanë botës, po shtoheshin dhe besimi tek autoritetet publike po pakësohej gjithnjë e më shumë dhe kudo.  Sot, theksoi, Guterres, shqetësimet dhe mungesa e shpresës për një jetë më të mirë, sidomos nga pikëpamja ekonomike, po shkaktojnë protesta dhe trazira shoqërore, anë e mbanë botës. “Është e qartë”, përfundoi ai mesazhin e tij, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë se “Sot, qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të dëgjuar ankesat e njerëzve që kërkojnë ndryshime due që autoritetet të hapin kanale të reja dialogimi dhe respekti për lirinë e papenguar për të protestuar, në mënyrë paqësore”. 

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është themeluar në 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së  e cila ka rithekësuar edhe njëherë se demokracia është një vlerë universale e bazuar në vullnetin e shprehur lirisht të popujve, për të përcaktuar sistemet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe kulturore që ata vet dëshirojnë dhe për të vendosur mbi pjesëmarrjen e tyre të plotë, në të gjitha aspektet e jetës së tyre.

Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, edhe Shtetet e Bashkuara theksuan qëndrimin e tyre në mbështetje të demokracive dhe vlerave demokratike. Demokracia është ideal i njohur botërisht dhe respekton liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo njeri.  Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë me 15 Shtator, 2020 theksoi, ndër të tjera, pikërisht, “Të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në proceset e vetëqeverisjes demokratike.  Demokracitë kanë përgjegjësitë e veta para qytetarëve të tyre. Demokracitë respektojnë sundimin e ligjit, mbrojnë jetën dhe pronën private dhe respektojnë liritë, dinjitetin dhe barazinë për çdo person”, është shprehur kryediplomati amerikan, me këtë rast.  

“Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë. Që nga koha kur jemi fëmijë, ne instinktivisht pohojmë aftësinë tonë për tu vetëqeverisur, për të marrë vendime që formojnë jetën tonë.  Si qytetarë, ne e kuptojmë se duhet të jemi të lirë që të angazhojmë edhe të tjerët në debate mbi mençurinë e vendimeve të udhëheqësve politikë, të cilëve u besojmë pushtetin, për të mbrojtur jetën, pronën dhe liritë tona. Dhe, si qenie njerëzore, ne e dimë që nuk mund ta ndërtojmë demokracinë vetëm. Demokracitë janë bashkësi gjithëpërfshirëse të individëve, të cilët janë të lirë të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta që ata kanë përcaktuar lirisht ashtuqë ato të, sepse liria zhbllokon talentet dhe krijimtarinë e të gjithëve”, ka thenë Mike Pompeo.

Sot, bota është prekur rëndë nga një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik, të kohërave moderne, ka nënvijuar ai, duke shtuar se “Demokracitë, qeveritë autoritare dhe diktaturat po sfidohen njësoj nga pandemia e koronavirusit, por vetëm demokracitë janë të lira të debatojnë hapur se si të përgjigjen ndaj kësaj pandemie…Prioriteti i parë i regjimeve autoritare, nuk është shëndeti publik”, tha ai, “por mbrojtja e pushtetit të tyre. Ata nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve të vështira në lidhje me pandeminë.  Autoritarët mbjellin dezinformim, anashkalojnë grupet më të prekura, zgjërojnë masat e kontrollit dhe mbikëqyrjen masive, ndërkohë që edhe pezullojnë shtetin e së drejtës.  Njerëzit vuajnë kur drejtuesit e tyre janë përgjegjës vetëm para vetes ose ndaj partive që ata kontrollojnë”, ka thenë Kryediplomati amerikan, Pompeo në mesazhin e tij, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020.

 “Qeverisja demokratike nuk është e përsosur, por sigurisht është më e mirë se alternativat e tjera të qeverisjes. Shoqëritë demokratike respektojnë të drejtat e njeriut dhe janë më paqësore, më të begata dhe më të sigurta. Ne qëndrojmë pranë të gjithë atyre njerëzëve kudo, që kërkojnë të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me dinjitet, me qeveri demokratike”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, në kujtim të 15 shtatorit, si Dita Ndërkombëtare të Demokracisë.  Fatkeqësisht, edhe kjo ditë kushtuar Demokracisë në botë, në vitin 2020, e gjenë politikën shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të ndarë e të përçarë. Pas 330-vjetë post-komunizëm, ende nuk bien dakort për rregullat e lojës, që kërkon demokracia e vërtetë.   Në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë, atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrëveshje politike, nga të gjitha palët — nga një klasë politike që po i merr frymën zhvillimit të vërtetë demokratik dhe ekonomik të gjithë shqiptarëve.  Për më shumë, tepër shqetësues është fakti që ekstremistë të majtë të politikës shqiptare, po promovojnë, jo demokracinë e vërtetë, por shprehin nostalgjinë e tyre për regjimin diktatorial dhe për vet figurën e diktatorit famëkeq Enver Hoxha, si dhe për gjoja “meritat” e regjimit të tij.

Fatkeqësisht, kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numro dhe shumë mbrapa gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.  Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë si dhe historianë/politikanë, me këmishë të bardhë e me kravata, — më të rrezikshmit për demokracinë, do i quante Ronald Reagan — nuk mund të ndahen nga sistemi komunisto-socialist majtist, edukimi dhe tradita e të cilit i ka brumosur ata dhe një pjesë të madhe të kësaj klase politike.  Duke refuzuar qqë të pakëmn të distancohen nga fryma e kësaj ideologjie majtiste mbytëse, e cila ka formuar karakterin e tyre autoritar politik, kjo klasë politike po ia kalon karakterin, mentalitetin dhe botëkuptimin e saj majtist-sllavo-komunisto-socialist edhe brezit të ri të politikanëve shqiptarë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.  

Në botën shqiptare sot — 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit — ka njerëz që përhapin dyshime mbi meritat e zhvillimeve demokratike duke promovuar ide majtiste dhe duke vendosur në pozita kyçe në qeveri, individë të brumosur, jo me ide të majta të një demokracie të vërtetë – themi të llojit të social-demokratëve perëndimorë, por individë që besojnë se e majta ekstreme i ka zgjidhjet për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët. Suksesi i një qeverie — e majtë ose e djathtë – është nëse ajo është e zoja të plotësojë nevojat bazë të qytetarëve të vet për një jetë normale dhe të sigurt, në liri dhe demokraci.  Në këtë pikë, qeveritë shqiptare të së majtës ekstreme, përfshir komunizmin për pothuaj gjysëm shekulli dhe qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit – kanë dështuar mizorisht! Prova numër një: largimi i qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta, që vazhdon edhe sot. Trashëgimia e kësja klase politike do të mbetet zbrazja e trojeve shqiptare due jo ndërtimi i një demokracie të vërtetë, pro-perëndimore.

Shpresa ime nuk ka qenë kurrë tek politikat majtiste, qofshin ato të “demokracisë” së sotëme 30-vjeçare, qofshin politikat diktatoriale majtiste të komunizmit 50-vjeçar, të “pushtetit popullor”.  Unë e kisha shpresën tek ai që unë mendoja se do të ishte brezi i ri politikës shqiptare, të rinjë e të reja, të rritur e të edukuar pas shembjes së komunizmit – sidomos ata që janë diplomuar nepër universitetet perëndimore. Sa i gabuar paskem qenë. Nuk dua të përmendi emra të këtyre politikanëve të rinjë sepse lista është e gjatë, por gjithkush i di se kush janë këta, të cilëve po u referohem. Por Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini si përfaqësuese e kësaj gjenerate e merr stafetën.  Kur Zonja Shahini u emërua për ministre, unë në të vërtetë e shikova si një hap pozitiv.  Një e re nga Kosova, shumë mirë thashë me vete, e edukuar në perëndim — megjithëse nuk e njihja.  Nuk di se cilat janë arsyet e largimit të saj nga detyra, por deklarata publike që bëri me bindje të thellë gjatë një interviste në televizion, se ajo ishte më majtiste se vet qeveria Rama dhe se edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të punojë për kauzat e majta, në Shqipëri dhe në Kosovë.  Thashë me vete e hangër dreqi edhe shpresën time në brezin e ri të shqiptarëve të edukuar në perëndimin e lirë dhe demokratik. Fatkeqësisht, edhe kësaj herë, më gënjeu shpresa se ky brez i ri mund të bënte ndryshimin epokal. 

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020 nuk e di nëse ky brez i politikanëve të rinjë shqiptarë është aq i korruptuar materialisht dhe politikisht sa janë padronët e tyre politikë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Duket se këta politikanë të rinjë shqiptarë nuk kanë asnjë problem me uzurpimin e plotë të institucioneve qeveritare dhe shtetërore nga një grup ose parti e vetme.  Dhe ketë, pa pikë turpi e quajnë demokraci! Për fat të keq, shënjat janë se këta na qenkan po aq të korruptuar ideologjikisht dhe politikisht, sa edhe klasa politike që këta i shërbejnë — me krenari madje– si mbështetës/e të politikave majtiste eskstreme të shekullit të kaluar, për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – politika dhe ideologji këto të provuara dhe të pranuara tanimë si të dështuara, historikisht, anë e mbanë Evropës dhe botës. Në vend që të punoni për zbatimin e ideologjive tuaja të preferuara majtiste, të dështuara — për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare – përpiquni të pastroni politikën e korruptuar shqiptare, pjesë e të cilës jeni edhe ju, tani.  Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – para se të përcaktoheni si politikanë majtistë, pyesni veten se çfarë të mirash i sollën Kombit shqiptar politikat dhe ideologjitë e viruseve të huaja të politikave majtiste ekstreme që iu imponuan shqiptarëve për pothuaj një shekull!? “Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë”, tha në mesazhin e tij Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos tu mbajë peng e kaluara! 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, shqiptarët ende presin realizimin e ëndërrave të tyre shekullore për liri dhe për një demokraci të vërtetë!

Filed Under: Politike Tagged With: Demokracia ne Pandemi, Frank shkreli, Majtizmi shqiptar

GJUHA SHQIPE DHE KULTURA SHQIPTARE NË DIASPORË

September 13, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Ditën e shtunë me 12 shtator organizata  “Albanian American dual Language and Culture” (Dy-Gjuhësia dhe Kultura Shqiptaro-Amerikane)  dhe Shkolla “Cildren of the eagle” (Fëmijtë e Shqiponjës), organizuan seminarin e tretë shkencor mbi “Metoda arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë” — këtë herë në “zoom”. Seminari organizohet nga Drita Gjongecaj. 

Ky seminar për shkak të situatës pandemike këte vit është organizuar online.  Vitin e parë u realizua në mjediset e Vatrës dhe vjet në konsullatën e Kosovës.  Qëllimi është bashkērendimi i përpjekjeve dhe zgjërimi i tyre në funksion të mësimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë tonë.  Produkti i këtij seminari është i printuar në një një libër ku ndodhen te gjitha referencat dhe prezantimet e kaluara. Shpresohet që kjo përpjekje do shëndërrohet në traditë.   

Më poshtë mund të lexoni një përshëndetje timen në seminarin mbi misionin e ruajtjes së kulturës dhe të gjuhës shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara:  

                                           ————————————-

Mirëmengjesi – përshëndes të gjithë pjesëmarrësit –veçanërisht organizatorët e këtij seminari me drejtuesen zonjën Drita Gjongecaj.  Falënderoj për ftesën kolegën Marjana Bulku.  E ndjej veten të nderuar dhe të privilegjuar të jem me ju sot!

Me kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë seminar për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës shqiptare në botë e veçanërisht këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.

E pranova ftesën edhe për të shprehur respektin tim për organizatorët e këtij seminari si dhe mesueset dhe mësuesit — të cilët as virusi nuk i ndal as nuk i frikëson që të vazhdojnë misionin e tyre fisnik — për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në komunitetin  shqiptaro-amerikan. U lumtë!

Jam i bindur se të gjithë ne jemi të vetdijshëm për rëndësinë që ka dy-gjuhësia, sidomos në botën e sotëme të komunikimit nepërmjet internetit.  Amerika, megjithëse i prinë botës në shumë fusha të zhvillimit, nga pikëpamja e mësimit të gjuhëve të huaja dhe të dy-gjuhësisë, fatkeqësisht, është mbrapa gjithë botës.  

Në këtë mjedis janë rritur e po rriten edhe fëmijt tanë, sidomos ata që kanë lindur këtu, por edhe ata që kanë ardhur në Amerikë në një moshë të re.  Jemi si një pikë uji në një oqean të madh, që të përpinë. 

Misioni i juaj fisnik është që të shpëtoni sa më shumë nga këto pika uji, që të mos i përpijë krejtësisht ky oqean i madh, e aq tërheqës, që e quajmë Amerikë. 

 Brezi i juaj — flas për valën e emigrimit pas shembjes së komunizmit – është shumë me fat.  Fëmijt tuaj janë edhe më me fat, që komuniteti ka individë që posedojnë dijen, mundësitë dhe aftësitë si dhe vullnetin e mirë për t’i organizuar dhe për t’i mësuar, në gjuhën dhe kulturën e tyre të origjinës.  

Jo se duam të krijojmë në Amerikë, republikën tonë shqiptare, por gjuha dhe kultura janë të rëndësishme sepse sa më gjatë që të jetojmë larg gjuhës, traditave dhe kulturës tonë, aq më shpejt do të humbet edhe gjuha edhe traditat, e si rrjedhim dhe përfundimisht — edhe lidhjet me Atdheun. 

Për fat të keq, këtë fakt e dimë shumë mirë ne të brezit të vjetër në këtë vend. 

Një fat tjetër i mirë për brezin e sotëm, është fakti se mundësitë për të vizituar Atdheun janë të shumta dhe pa pengesa, që për ne të brezit të vjetër ishte e ndaluar.  Kjo për brezin e sotëm duhet të shërbejë edhe si një nxitje tjetër për të mësuar shqipen në diasporë. 

Një ënderrë e pa realizuar e intelektualëve më të dalluar shqiptaro-amerikanë të dekadave të shkuara ishte themelimi i një katedre për studime dhe kulturë shqiptare pranë një universiteti të njohur këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk u realizua gjatë jetës së tyre, por ama ndodhi këtë vit kur u hap, më në fund, Katedra e Albanologjisë në Universitetin më të vjetër katolik në Amerikë, De Paul në Çikago, që sot drejtohet nga Dr. Gazmend Kapllani. 

Një shkrim i imi duke njoftuar lajmin e mirë, me titull: “Historike-Themelohet e para Katedër Albanologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, sipas disa botuesve ishte lexuar më shumë se pothuaj çdo shkrim tjetër imi, gjë që mund të jetë një tregues, sadopak, i interesimit për ruajtjen dhe konsolidimin e gjuhës dhe të kulturës shqipe në diasporë, jo vetëm në nivelin e një katedre albanologjike, por edhe në nivelin e shkollave shqipe, në përgjithësi.

Prandaj uroj në këtë 3-vjetor të seminarit Shkencoro-Arsimor që kjo nismë e juaja të vazhdojë dhe të bëhet pjesë e përhershme e jetës dhe aktivitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan, për dekadat e ardhëshme.   

Mos u çuditni nëqoftse nga këto shkolla që ju drejtoni sot, vite më vonë, të dalë një shkrimtar ose shkrimtare, si Jeronim De Rada i Arbëreshëve, i cili do të unjisonte traditat më të mirat e këtij komuniteti me ato të Atdheut të parëve tanë, si një trashëgimi brez pas brezi, që nuk do ta zhduknin as motet as shekujt. Por, falë punës suaj të përkushtuar dhe të vazhdueshme – do të lulëzojë si një shenjë e një tradite të kaluar të lumnueshme, dhe të një të ardhmje më të ndritur, për shqiptarët, jo vetëm këtu në Amerikë, por kudo. 

Siç e dini, Arbëreshët e Italisë edhe sot pas më shumë se 500-vjetësh, e kanë ruajtur gjuhën e të parëve, nën rrethana shumë të vështira — me shkolla shqipe dhe me katedrat e tyre kushtuar promovimit të gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.  

Për këtë, shqiptarët, pa dallim, u janë mirënjohës Arbëreshve të Italisë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës, rrjedhimisht, edhe për rolin që ata kanë luajtur në historinë e Shqipërisë gjatë shekujve.  

Ashtu edhe sot këtu në Amerikën tonë mikpritëse, u jemi mirënjohës dhe u falënderojmë të gjithë ju për mësimin e gjuhës shqipe dhe për promovimin e kulturës shqiptare brezave të rinjë në këtë vend mikpritës, ku kemi gjetur strehimin, lirinë dhe demokracinë.  

Në një botë të huaj – Ju — si misionarë të Kombit, në këtë moment të historisë — u jemi përgjithmonë, mirënjohës!  U jemi mirënjohës mësueseve dhe mësuesëve si dhe veprimtarëve të shumtë të komunitetit për punën tuaj fisnike dhe atdhetare – në baza vullnetare — ndërkohë që ju urojmë shumë suksese në vitet dhe dekadat e ardhëshme.  

Ashtuqë ëndërrat e dikurshme të intelektualëve të komunitetit shqiptaro-amerikanë, si një dëshirë e parealizuar nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof. Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, Prof Peter Prifti e shumë të tjerë — të realizohen më në fund — në saje të punës dhe të përkushtimit tuaj — në vitet dhe dekadat e ardhëshme – jo për një, pasi një e kemi por për më shumë katedra të albanologjisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. 

Nuk jam i sigurt se në çfarë niveli janë marrëdhëniet dhe bashkpunimi i shkollave shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara dhe cili është bashkpunimi i ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë dhe Kosovës me këto shkolla. Por të gjithë e dimë se cili duhej të ishte bashkpunimi. Roli i përfaqësive diplomatike shqiptare – të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës — jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara por kudo në botë — është  tepër jetik dhe i pazëvëndsueshëm në realizimin e objektivave të këtyre shkollave due në mbështetje të misionit të tyre. Kemi pritur 50-vjet që dyertë e diplomacisë shqiptare të hapeshin për ne. Tashti presim bashkpunim.

Më vjen shumë mirë që në këtë seminar marrin pjesë përfaqësues të disa shkollave shqipe në diasporë.  Nëqoftse më lejohet (do dëshiroja të bëj) një porosi: suksesi i juaj sot dhe në të ardhmen do varet shumë nga bashkpunimi i ngushtë midis të gjitha shkollave shqipe në diasporë, në realizimin e objektivave tuaja të përbashkëta për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe promovimin e kulturës shqiptare, në dhena të huaja. 

Dua të përfundoj me një paragraf nga Ernest Koliqi – i cili së bashku me Martin Camajn  mund të kenë qenë njerëzit që kanë përhapur më së shumti gjuhën dhe kulturën shqipe në diasporë,  për shiptarë e për të huaj — e që besoj se përmbledh dhe vlerëson aq bukur punën dhe rolin tuaj në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në dhena të huaja – drejtuar lexuesve të revistës së tij Shejzat në numrin Korrik-Shtator 1969:

“Lexues i dashtun!

Kultura ashtë shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarve shqiptarë nuk dinë me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet.  Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë shka bluejnë mendet ma të ndritura të bashkgjakasëve, si e shohin dhe e paraqesin në pëlhura të tyne botën piktorët tanë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th. ai që kurrë s’kapë në dorë një libër shqip, nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuen mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të kombit, ai veç se ka emnin shqiptar, por sa për të tjera mund të njihet i huej në rrethin tonë. 

Lexues i dashtun, ashtu si e ushqen trupin me bukë e bylmet, ushqeje shpirtin me libra e shfaqje të arteve shqiptare.  Në një skutë të shtëpisë s’ate, mos të mungojnë libri shqip edhe libri në gjuhë të huej që flet për Shqipni.  Në lexim të tyne, gjaku i yt ka me gufue plot hare, se në të ke me ndie frymën e atdheut të adhuruem.”

Besoj se Ernest Koliqi – të cilin kam pas nderin dhe privilegjin ta njoh – p;r mua njëri prej shkrimtarëve të preferuar shqiptarë, ndoshta i dyti mbas At Gjergj Fishtës  – do t’a miratonte shumë punën dhe veprimtarinë tuaj – duke thenë se në punën tuaj, njeriu “ndien frymën e atdheut të adhuruem”.

U falënderoj për vëmendjen dhe u kërkoj ndjesë se e zgjata pak më shumë se ç’duhej.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Frank shkreli, gjuha shqipe, seminari i III

DHIMITËR BERATI – BASHKËPUNËTOR I NGUSHTË I AT GJERGJ FISHTËS DHE ERNEST KOLIQIT

September 8, 2020 by dgreca

-Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes-

Nga Frank Shkreli- Ishte fillimi i shtatorit të vitit 1970. Po bëhesha gati që brenda një ose dy muajsh të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me statusin e refugjatit politik.  Në përgatitje e sipër, fillova tu them lamtumirën e fundit miqëve dhe të njohurve të komunitetit shqiptar në Romë dhe në kampet e refugjatëve.  Fillova takimet me Ernest Koliqin, i cili më sugjeroi që para se të nisesha për Amerikë të takohesha me Dhimtër Beratin. Unë nuk e njihja, por Koliqi mori përsipër që të më takonte me të.  Fatkeqësisht, nuk kaluan as 2-3 ditë dhe u hap lajmi i zi në komunitetin shqiptar të Romës se Dhimtër Berati kishte vdekur në një aksident kur një makinë e kishte përplasur nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend, ditën e martë të 8 Shtatorit, 1970.   Fatëkeqësisht, ashtu mbeta pa u takuar me njëriun e fundit të nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndihmësin e vyer të delegacionit shqiptar në Konferencën  Paqës në Paris me 1919 dhe njërin prej personaliteteve më të njohura të diasporës shqiptare, të arratisur nga regjimi komunist. 

Megjithë meritat e mëdha kombëtare, Dhimitër Berati mbetet ndër ata të harruarit ose ndër ata të dëbuarit, siç janë At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e tjerë. Miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për Beratin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, si në fushën politike ashtu edhe në publistikë.  Dhimitër Berati dallohej qyshë në moshë të re për veprimtarinë e tij patriotike, që në fillim të shekullit të kaluar.  Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë.  Si përfaqësues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar me influencë në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Bukureshti së bashku me Ismail Qemalin due me Luigj Gurakuqin.  Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur. Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme.  

Në faqën e tij të fesjbukut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kujtoi dje Dhimitër Beratin me rastin e 50-vjetorit të vdekjes me disa të dhëna nga jeta e tij që mu dukën tepër të seleksionuara.  Kryeqeveritari shqiptar  Beratin e cilëson si njërin prej bashkëpunëtorëve “të ngushtë” të Ismail Qemalit, ndonëse sikur duket se ankohet për rolin politik  të tij në në vitet e fashizmit, duke thenë se “Berati u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”.  Në të vërtetë, ai ishte më shumë se joshës, se Berati ka shërbyer si Ministër Sekretar i shtetit i Kulturës Popullore, 1941-1943. Duhet të vlerësohet fakti se këto tre vjet që ka shërbyer në qeverinë fashiste, të pakën duket se në sytë e Ramës, nuk ia mohon Dhimitër Beratit  të gjithë kontributin patriotik e publicistik ashtu siç po ndodhë me bashkpuntorët e tij të ngushtë, si Fisha e Koliqi.  Megjith vleërismete positive të Kryeministrit shqiptar për Dhimitë Beratin është gjithmonë e rrezikshme kur një politikan bën vlerësime historike të ngjarjeve dhe personaliteteve sepse do e s’do, është natyra e politikës që disa i trajton si të nenës e të tjerët si të njerkës,  në këtë rast, bazuar në trashëgiminë e ish-regjimit komunist. Ndërsa Fishta, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ende cilësohen si poli-agjentë dhe bashkpuntorë të fashizmit, Dhimitër Berati, megjithëse ka shërbyer në detyra të larta qeveritare në vitet 1941-1943, (lexo ndryshe nga të tjerët) vetëm “u josh nga vegimet e viteve ‘39-43, por pa rënë pre e dogmave totalitare”, shkruan Kryeministri Rama. S’ka dyshim se Dhimitër Berati duhet të kujtohet në ketë 50-vjetor të vdekjes, qoftë edhe nga Kryeministri, por politikanët duhet të jenë të balancuar dhe objektiv në vlerësimet e tyre, ose më mirë mos të falsin fare.  Nuk ka asnjë dyshim për merita të mëdha kombëtare të Dhimitër Beratit, ashtu siç kanë edhe At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e të tjerë — por të cilët mbeten ende të përjashtuar dhe zyrtarisht ende cilësohen si kollaboracionistë dhe të “Dëbuem” nga Atdheu, do të thoshte Fishta – por me të cilët Dhimitër Berati ka bashkpunuar ngushtë, për ideale të përbashkëta, gjithmonë në mbështetje të interesave të larta kombëtare.   

Në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjëndej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshir At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e Kombit shqiptar, që përveç trajtimit të tyre çnjerëzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ai bëri ç’mos që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave të historisë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Enver Hoxha nuka ia doli të zhdukte krejtësisht nga historia, megjithëse kjo fushatë kundër tyre vazhdon edhe sot, ndonëse në heshtje. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe apologjetët e tij sot, nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e këtyre burrave flasin vet. Historia e vërtetë, që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta vigana të Kombit shqiptar, përfshir Dhimitër Beratin dhe bashkpuntoërt e tij të ngushtë, At Gjergj Fishtën dhe Ernest Koliqin, ndër të tjerë, për meritat e tyre të veçanta dhe për kontributin e tyre të përbashkët në mbrojtje të interesave të Kombit të tyre. 

Dhimtër Berati ka dhenë një kontribut të shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, së bashku me At Gjergj Fishtën, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqët dhe aleatët e tyre historikë aty gjëndej mbrojtësi i këtyre të drejtave, Dhimitër Berati.  
Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por megjith rolin e tij historik, ishte detyruar të largohej nga Atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme, përfshir atë fashiste.

 Në mërgim, ai ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat.  Në një shkrim të Dhimitër Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve të Kombit — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”.  Gurakuqi ka shkruar se miqësia midis Fishtës due Beratit, këtyre dy gjigantëve të Kombit, kishte filluar që në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alfabeteve në Manastir dhe ka zgjatë, sipas Beratit, deri sa Fishtën e “Ndieu Perëndia në vjetin 1940”.  Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë ndërsa shton në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, se Berati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin, ka shënuar Karl Gurakuqi.   Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti — në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët — kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doktrinë fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shoqënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, veprat, “Historija e Skëndërbeut” e Naimit dhe “Lahuta e Malëcisë” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshëme ndaj “Atdheut, si një shënjë dashurie ndaj popullit t’onë”, ka shkruar Dhimitët Berati për Fishtën dhe për Naimin.
Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimtër Berati nuk këthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat. Ndonëse, në moshë të shkuar Berati merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve, në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Nju Jork dhe Boston të Shteteve të Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.  kMe atë rast pat mbajtur një fjalim për komunitetin anti-komunist shqiptaro-amerikan, të pas luftës së dytë botërore – një manifestim ky, ndër më të shkëlqyeshmit që ka njohur komuniteti shqiptaro-amerikan, sot e kësaj dite – ku ishin të mbledhur arbëreshë dhe shqiptarë të Amerikës pa dallim besimesh, krahinash as rrymash politike a ideologjike.  Ah, sikur të kishim takime të tilla edhe sot! 
Miku dhe bashkëpuntori i tij i ngusht, Ernest Koliqi ka shkruar për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindasve… dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kunorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhun”.
Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija patriotike – siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkpuntorëve ti tij të ngushtë — At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi — por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike dhe brez pa brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. 

Frank Shkreli

                   Fotot nga Revista Shëjzat e Ernest Koliqit (XIV, 1970 – 7-9)

Dhimtër Berati në Konferencën e paqës në Paris (1919) me Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishtën  

Dhimitër Berati duke folur në darkën e Vatrës në Hotel Americana në Nju Jork, Nëntor, 1969, 50-vjet pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e paqës në Paris, 1919.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkepunetor, Dhimiter berati, Ernest Koliqi, Frank shkreli

DY KONTRASTE RESPEKTI PËR NENË TEREZËN

September 4, 2020 by dgreca

  Me rastin e Ditës kushtuar Nenë Terezës-

 Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgNë Kosovë dhe në Shqipëri, Kisha Katolike Shqiptare po kremton festën e Shenjtës Nenë Tereze (5 Shtator) nën rrethana të vështira – pa pjesëmarrjen e besimtarëve — për arsye të kufizimeve të vendosura si rrjedhim i pandemisë Covid-19 nga autoritet qeveritare dhe shëndetësore të dy vendeve, ashtu si edhe pothuaj ndodhë në mbarë botën. Ente të ndryshme fetare në botën shqiptare po e festojnë me nderime dhe respekt këtë ditë, kushtuar bijës së madhe të Kombit shqiptare dhe nenës së botës, Nënë Terezës, në mënyrën e vet dhe si është më mirë, nën këto rrethana.  Institucionet fetare anë e mbanë trojeve shqitare si edhe individë të ndryshëm po e kujtojnë këtë ditë në mënyrat e veta dhe sipas mundësive, — bazuar edhe në njërën prej shprehjeve të Nenë Terezës e cila ka thenë se: “Ne s’mund të bëjmë gjera të mëdha, por vetëm gjëra të vogëla me dashuri të madhe”.

Më tërhoqi vëmendjen sot vepra e një individi të vetëm në Shkodër, i cili vetëm me nismën e tij personale, ka zgjedhur një mënyrë unike për të nderuar dhe për të kujtuar Nënë Terezën, jo vetëm sot në Ditën kushtuar Shënjtës Nenë Tereze, por çdo ditë. Emri i tij është Leopold Shkreli, të cilin, sipas disa burimeve mediatike, asgjë nuk e pengon që përditë të çojë lule tek shtatorja e Nenë Terezës në Shkodër.

Sipas disa mediave vendore dhe kombëtare, përfshir portalin Shkodraweb”, shkodrani i moshuar, Leopold Shkreli shkon çdo ditë pranë shtatores së “Nënë Terezës” në qendër të qytetit të Shkodrës. Aty ai vendosë lule me qëllim që të mbajë gjallë thirrjen e Nënë Terezës për të dhuruar më shumë dashuri dhe përkujdesje ndaj të varfërve, që ishte misioni i Nenë Terezës dhe Urdhërit të Motërave të saj të përhapura anë e mbanë botës. 

Kjo mund të mos duket si ndonjë vepër e madhe e këtij shqiptari të dalluar e fsinik shkodran, por siç duket Leopold Shkreli e bënë këtë gjest me përkushtim dhe dashuri të madhe që ai ka për Nenë Terezën.  Në një video të publikuar nga Dioqeza Rreshen në facebook shihet qartë pelegrinazhi i përditëshëm  dhe i pa përtesë i Leopold Shkrelit, para shtatores së Nenë Terezës në Shkodër, për të vendosur lule të freskëta aty çdo ditë, duke tërhequr vëmendje dhe admirimin e shumë qytetarëve të Shkodrës dhe më gjërë.

      Personazhi i javës, Leopold Shkreli

Leopold Shkreli nuk besoj se e bën këtë as për ndonjë reklamë as për të tërhjeque vëmendjen ndaj këtij akti humanitar dhe nderimi ndaj bijës shqiptare të njohur anë e mbanë botës, por megjithëkëtë, është e pamundur që ky akt i tij, që nga disa mund të konsiderohet si i vogël, por ama tregon një dashuri të madhe personale të tijën për bijën e Kombit Shqiptar dhe është një akt prekës dhe një frymëzim për të gjithë ne.

Po kush është Leopold Shkreli, i cili ka zgjedhur këtë mënyrë unike për të nderuar dhe respektuar Nenë Terezën, për çdo ditë duke vendosur lule të freskëta para shtatores së saj në Shkodër.  Fatkeqësisht, unë jetoj në Amerikë dhe nuk e njoh Leopoldin, ndërkohë që të dhënat për të në internet janë të paka.  Por, unë kam pasur nderin të njihja vëllain e tij, Dr. Lin Shkrelin i cili ka jetuar në Romë, ashtu si shumë të tjerë të brezit të tij, të përndjekur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ashtu siç ishte edhe vet Leopold Shkreli. Sipas disa të dhënave, Leopoldi, i mitur në atë kohë, u arrestua së bashku me vëllezërit e tij në Shqipëri, pasi një “mik” i familjes u kishte ofruar që të arratiseshin nga vendi, por në vend të arratisjes, ata përfunduan në burgjet e Enver Hoxhës.  Për më tepër, atyre nuk u ndihmonte fakti se vëllai i tyre në Itali Dr. Lin Shkreli, njihej në komunitet si aktivist i Bllokut Kombëtar Indipendent, në përpjekjet e atëhershme për të bashkuar elementët antikomunist shqiptarë, me qëllim rrëximin e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.  Nenë Tereza ka thenë se, “Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”. Leopold Shkreli është, njëkohësisht, një bekim por edhe një mësim për të gjithë ne”, sidomos në këtë ditë kushtuar nenë Terezës.

           Tonin Koka, autori dhe Dr. Lin Shkreli, djathas (i vëllai i Leopold Shkrelit)

(Foto e marrë në Romë, Shtator,1984 tek dera e Pallatit në të cilin thuhet se qendronte Gjergj Kastrioti Skenderbe kur vizitonte Papët e Romës – sot hotel modern “Scanderbeg Pallazo” në kryeqytetin italian)

Më poshtë dy kontraste — kundërshtim dhe kontradiktë — se si një shqiptar, nga dita në ditë, tregon nderimin dhe respektin e tij ndaj një figure të madhe të Kombit Shqiptar, siç është Nenë Tereza, të cilën e njeh dhe e respekton mbarë bota (foto e majtë e shtatores në Shkodër për të cilën kujdeset një individ, Leopold Shkreli) dhe indiferentizmi i shtetit shqiptar ndaj të njëjtës figurë kombëtare dhe fetare, (shtatorja e Nenë Terezës, e “dëbuar” sa më larg nga Tirana, vendosur në Qafë Thanë)

    ..

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita e Nene Terezes, dy kontraste, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT