• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAFIZ ALI KRAJA- NDERI I FESË DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR

May 23, 2020 by dgreca

-Gëzuar Festa e Bajramit!/

Hafiz Ali Kraja- Jetoi dhe veproi në tallazet më të vështira të historisë kombëtare të shekullit të kaluar.

    

Nga Frank SHKRELI/

 Dua të rrëfej ç’prej fillimit se, ndonëse kisha dëgjuar për Hafiz Ali Krajën – si një personalitet i madh i Fesë Islame në Shqipëri dhe njëri prej të dalluarve të Kombit shqiptar – nuk dija shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij.  Si përfundim fillova të lexoj ndonjë gjë më shumë nga jeta e tij dhe sa më shumë lexoja aq më i interesuar bëhesha për të kaluarën e tij.  Duke lexuar për Hafiz Ali Krajën – një bashkvendas i imi nga Kraja, afër vendlindjes time – mësova se si shumë bashkohas të tij ai jetoi dhe veproi në tallazet më të vështira historisë kombëtare të shekullit të kaluar.  Sa më shumë të lexojë njeriu për Hafiz Ali Krajën — hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar me Zogun, italianët, dhe i persekutuar deri në ditët e fundit nga diktatura komuniste — aq më i bindur bëhesh se ai i përkiste një brezi atdhetarësh më të spikatur, por që, fatkeqësisht, nuk janë më.  I përkiste atij brezi që mbi të gjitha – megjithëse jetuan në kohëra shumë më të vështira se sot, qoftë rrethana politike ashtu edhe ekonomike  — ishin mbrojtës të patundur të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine –personalitet i cili gjatë gjithë jetës promovoi ideale dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve.  Për fat të keq, si shumë të tjerë patriotë si ai të asaj kohe, edhe Hafiz Ali Kraja ishte i ndjekur e i përbuzur nga disa regjime, qoftë nga Zogu, qoftë nga fashizmi, qoftë nga komunizmi.  Duke lexuar për jetën e Hafiz Ali Krajës, nuk mund të mos bëjmë pyetjen se si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e atdhetare dhe pro-perëndimore të patriotëve si Hafiz Ali Kraja?  Është vështirë të merret me mend se si një brez patriotësh – ajka e Kombit mund të themi e shekullit të kaluar —  pjesë e të cilës ishte pa dyshim edhe Hafiz Ali Kraja — e humbi luftën me një ideologji sllavo-aziatike që shkatërroi çdo vlerë të shenjtë fetare e kombëtare ndër shqiptarët, që mbroheshin nga Haziz Ali Kraja dhe bashkombasit e tij, në kohën që jetoi dhe veproi ai. 

Më kujtohet me një rast, kur isha refugjat në Romë, më 1970, duke biseduar me Profesor Ernest Koliqin mbi humbjen e nacionalizimit shqiptar dhe për fitoren e komunistëve në Shqipëri si dhe për fatin e kqe me të cilin u përballuan intelektualët e përndjekur siç ishte ai vet dhe Hafiz Ali Kraja, ndër të tjerë (i cili mund të shihet në foton më poshtë para Bashkisë së Shkodrës në prill të vititi 1939).  Profesori Koliqi u shpreh me njëfarë optimizmi: Edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbe humbi mbasi habiti botën me luftën dhe fitoret e tija kundër osmanëve, tha ai.  Me gjithë këtë, vepra e heroit kombëtar, -shtoi Profesor Koliqi, nuk u shua. Përkundrazi, theksoi ai, ajo sot e asaj dite vazhdon të lëshojë rreze drite gjithnjë e më tepër.  Kështuqë, -nenvijoi Koliqi, -humbjet tona do të jenë të përkohshme, pasi mendimet dhe ideologjia e patriotëve të vërtetë do të kthehen përsëri në dobi të Atdheut, të cilit ata ia kushtuan jetën dhe veprat e tyre.

Kam drojë se, megjithë optimizmin e Profesor Koliqit, sot 30-vjet pas shembjes së komunizmit, unë nuk shoh ndonjë vlerësim të dobishëm — nga dy shtete shqiptare, Shqipëri e Kosovë të shekullit 21 — ndaj mendimeve, ideve dhe ideologjisë kombëtare të patriotëve si Hafiz Ali Kraja dhe Ernest Koliqi e të tjerë.  Jam i bindur se, fatkeqësisht, kjo mungesë e mendimit të vërtetë patriotik dhe demokratik,  në radhët e klasës aktuale politike të shqiptarëve gjatë 30-viteve të kaluara – sidomos në radhët e brezit që është edukuar në sistemin komunist –ka sjellur situatën e tmershme aktuale politiko- kombëtare, në pikën që gjënden sot shqiptarët.  E kam thenë edhe herë të tjera, por po e përsëris se pa një bazë udhëheqjeje shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shembujve patriotësh të vërtetë shqiptarë, si Hafiz Ali Kraja, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e shumë të tjerë si ata — por të harruar e të përjashtuar nga historia – do të jetë vështirë të ndërtohet një Shqipëri dhe një Kosovë tjetër dhe ndryshe nga ç’kemi sot – një Shqipëri dhe Kosovë të dijes dhe të përparimit, me qëllim për të zenë vendin e vet aty ku u takon, në rendin e kombeve të përparuara. 

Për ata që dëshirojnë të dinë më shumë për Hafiz Ali Krajën, për jetën, veprat dhe atdhetarizmin e tij dhe për kontributin fetar me rastin e Festës së Bajramit, ju sugjeroj që të lexoni një shkrim të hollësishëm dhe shumë interesant, kushtuar njërit prej personaliteteve më të shquara të fesë islame në Shqipëri dhe më gjë, Hoxhës Hafiz Ali Kraja, (1900-1973). Artikulli është shkruar nga studiuesja Ardita Repishti e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)1944÷1991. https://www.facebook.com/AutoritetiDosjeve/posts/3139021976150404?__tn__=K

—————————————————————————————————————–

Këtu më poshtë, po sjellë shkrimin e plotë, nëqoftse dikush dëshiron ta botojë të plotë, ose pjsë pjesë si serial për arsye të kufizimeve hapësinore në gazeta ose portale.  

“Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”. (Hafiz Ali Kraja)

                                      Hafiz Ali Kraja


Hoxhë, publicist dhe atdhetar i mirënjohur, opozitar me Zogun, italianët, dhe i persekutuar deri në ditët e fundit nga diktatura komuniste.

Lindi në vitin 1900 në një familje intelektuale e tregtare-manifakturiste të Krajës, e shpërngulur në Shkodër pas vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), duke lënë jashtë kufirit shtetëror shqiptar krahina të tëra dhe qytete shqiptare. Ali Tari, shkurtim tregues si i biri i Tarit (Myftar Krajës), kreu shkëlqyeshëm studimet fillore në Shkodër, çka i hapi udhën studimeve të mëtejshme në Kajro, në një prej qendrave me të njohura universitare të kohës, në Universitetin e El-Ez–Herit. Hafiz Aliu e kreu atje të gjithë ciklin e formimit të tij teologjik e filozofik dhe pas përfundimit të fakultetit të shkencave islame, u kthye në qytetin e lindjes, ku vendosi të shërbente me devotshmëri, edhe pse iu propozuan shumë poste në Tiranë, mes të cilëve kryeredaktor i revistës prestigjioze “Zani i Naltë”. 
Në 1924, Myftinia e Shkodrës e caktoi teologun e ri si hoxhë e imam të Xhamisë së Plumbit, më vonë në Xhaminë e Parrucës, Fushë-Çelës e ndër xhami të tjera. Në lagjen ku u rrit e zhvilloi aktivitetin Hafizi, u rritën edhe klerikë të tjerë të nderuar myslimanë, të përkushtuar për “atdhe” e “fe”, si priftërinjtë françeskanë të Shkodrës me të cilët bashkëpunuan ngushtësisht e, pa hezituar u vunë në krye të bashkëqytetarëve, përballë turqve e sllavëve, njerëz të ditur e atdhetarë, si Haxhi Idriz Boksi, Sheh Alia e Hafiz Musa Dërguti, Sali Myftiu (plaku dhe i riu), Hafiz Ibrahim Repishti, etj. 

Zotërues i 6 gjuhëve të Lindjes dhe Perëndimit, hulumtues i dijeve njerëzore, Hafiz Ali Kraja iu përkushtua aktivitetit studimor, fetar dhe politik. 
Në vitin 1931, Hafizi u martua me Zenepen, me të cilën patën tre fëmijë, Asimin, Mehdinë dhe Felekun.

Në mes të viteve ‘30 u cilësua si antizogist, bashkёpunëtor i organizatёs “Bashkimi Kombёtar” dhe emigrantёve opozitarë.  Familja e tij mbikëqyrej në Shkodër, ndërsa vetë Hafizi jetoi në Ulqin për 3 vjet me radhë, deri në dhënien e amnistisë. 

Me ardhjen e pushtuesve italianë u zgjodh në përfaqësinë e Shkodrës për në Asamblenë Kombëtare për të nderuar Viktor Emanuelin, detyrë që e refuzoi duke u larguar nё shenjё proteste.  Pasoi internimi në Porto Palermo, me të atin dhe vëllezërit. Pas kapitullimit italian u kthye në Shkodër dhe vijoi aktivitetin e ngjeshur, në bashkëpunim me Atë Anton Harapin, Dom Mikel Koliqin e Padër Pjetër Mëshkallën. 

“Meqë je antifashist, bëhu me ne”, i propozuan komunistët, sipas dëshmisë së mbesës së tij, Satber Tula. Hafizi nuk pranoi, duke pohuar se “na ndan një hendek i madh”. Nё shtator tё vitit 1943, Hafizi iu drejtua besimtarëve myslimanë e katolikë të mbledhur nё xhaminё e Fushё Çelёs, me hytben “Ç’ёshtё komunizmi dhe pasojat e tij pёr popullin shqiptar” dhe përshkallëzoi predikimet në popull mbi atë që do të sillte komunizmi. Kjo bëri që të vijonte përndjekja me komunikatat poshtë derës: “Në emër të popullit, je i dënuar me vdekje!”. 

Përgjatë këtyre viteve, klerikët myslimanë dhe katolikë bashkëpunuan para oborreve të kishave e xhamive, me tolerancë, atdhetarizëm e respekt për njëri-tjetrin, duke iu druajtur mohimit të fesë e besimit nga bolshevikët që mund të merrnin pushtetin. Deri në fund të luftës, Hafizi vazhdoi të predikonte, duke shpresuar në një besëlidhje antikomuniste.

#Fjalimi_historik
Më 31 dhjetor 1940, Hafiz Ali Kraja mbajti fjalën e rastit në varrimin e mikut të tij Atë Gjergj Fishta, e cila ende sot cilësohet historike:

“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcis” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me “Lahutën…” Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se “Lahuta…” e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në “Lahutë…”, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me Ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

Vite më pas, eshtrat e Fishtës u nxorën nga kisha françeskane dhe u flakën dhunshëm në lumin Drin, nga “populli” që do të hiqte dorë nga feja. Kisha u tjetërsua dhe u kthye në kinoteatër.

 #Vitet_e_diktaturës 
“O Zot, ruaje kombin shqiptar prej humnerës së ateizmit!”

Hafiz Aliu ndërmori predikime fetare të posaçme kundër ideologjisë marksiste-komuniste, siç ishte fjala e mbajtur para besimtarëve në xhaminë e Fushë Çelës. Në vitin 1944, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, ai iu vu punës për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme, një front antikomunist, i cili, midis të tjerave, do të hynte në kontakt me forcat aleate dhe do t`u kërkonte zbarkimin, menjëherë pas largimit të trupave gjermane.

Me mbarimin e luftës, komunizmi u instalua për gjysmë shekulli në Shqipëri. Sipas statistikave të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, në vitin 1945, në gjithë territorin shqiptar kishte 1127 xhami e 17 shkolla-medrese, që u rrafshuan pothuajse të gjitha. Mbi 60 klerikë myslimanë u persekutuan, ndër ta Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, etj, Hafiz Ali Kraja dhe të ngjashmit e tij u hodhën në ilegalitet.

#Në_ilegalitet
Gjatë 3 viteve që jetoi i fshehur, Hafiz Ali Kraja u strehua në familjen patriotike të Esat Lezhës, bashkë me nacionalistin antikomunist, Hamdi Sinanaja. Rrinin të fshehur në bodrum. “Ata i kishin dhanë besën njeni-tjetrit me mos ra gjallë në duart e komunistave. Njëherë, – tregon Mehdiu, i biri, – dikush i rrethit familjar kishte spiunue. Erdhën kontroll dhe e bastisën shtëpinë. Ata (sigurimsat) kërkonin bodrumin, por nuk po gjenin kapanxhën… dhe nuk e gjetën. Nuk u shkoi ndërmend se kapaku gjendej bash në votrën e zjarrmit. Gjatë kohës që vazhdonte kontrolli, baba dhe Hamdiu, që i kishin dhanë besën shoku-shokut se nuk do të binin gjallë në duert e komunistave, rrinin në gjunjë përballë njeni-tjetrit me koburet e puquna në tamthat e njeni-tjetrit. Në rast se kapaku hapej, ata njikohësisht do të shkrehnin koburet në tamthat e njeni-tjetrit… Për fat, nuk e gjetën kapakun”.

#Dënimi
“Atë ditë që të fiket ideja e besimit, po atë ditë, njerëzimi është i plandosur në humnerë të shkatërrimit”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

AMANETIN E MBAN TOKA – GËZUAR DITËLINDJEN PROF. ERNEST KOLIQI!

May 22, 2020 by dgreca

20 Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit.  Gëzuar Ditëlindjen i dashur Profesor Koliqi!  /

Nga Frank Shkreli*? Unë e konsideroj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja megjithëse për një kohë të shkurtë, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970.  Deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra, të pakën, dy tre herë në vjet.  Detyrimi im për ta kujtuar atë, rrjedhë nga një letër që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972.  Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim.  Ishte një letër me këshilla tepër të nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh.  N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbajë me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur kam pasë mundësi me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të gjithanëshme – brenda dhe jashtë Atdheut — duke filluar nga viti 1918 e deri në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.

Përveç kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohëdhe në raste siç është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por megjithë kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, i përjashtuar dhe denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i harruar dhe i kritikuar edhe sot — nga pseudo-historianët nostalgjikë të komunizmit ndërkombëtar — 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij, për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.

Por, pasi jeni ende në një gjëndje shokuese shpirtërore  në lidhje me  shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlenë të kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi siç duket, historikisht, ai dhe shumë  të tjerë të dalluar të historisë shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një tjetër.  Ernest Koliqi ishte prëparimtar.  Besoj se ai do të kishte qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mirë të standardeeve evropiane, pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por nuk besoj se do të kishte miratuar shembjen përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës, mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë.

Mund të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në i ish-Teatri Kombëtar — i rrënuar brutalisht më 17 Maj nga autoritetet e qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotëme—në të cilin, në vitin e 1942 strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi.  Në këtë Institut ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha, “Studime e Tekste”, ku bashkpunuan linguistët, juristët dhe folkloristët si the albanologët më të njohur të asaj kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shëjzat, me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare,(Shih foton më lartë) me qellim për të vazhduar vepren e ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit.  Aty shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkpunoi me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit luajti rolin kryesor dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe duke hapur shkolla anë e mbanë trojeve shqiptare, nën ish-Jugosllavinë e vjetër.  “Këto shkolla”, sipas Dr. Rexhep Krasniqit, ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “U bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë”, e atëhershme.  E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë e Ernest Koliqit, ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi mësuesit e mi dhe të bashkmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona, ishin trajnuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që kishte dërguar atje Ernest Koliqi.  Ia kemi borxh atij, sepse, po të mos ishte për këta emisarë të Koliqit dhe për shkollat shqipe që ata hapën në trojet shqiptare, ndoshta as shqip nuk do flisnim sot — unë as të tjerët bashkmoshatarë të mi, e si rrjedhim as brezat pas nesh.

Dëshiroj ta mbyllë këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje nxjerrë nga poemthi me titull, “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë shqiptare një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.  Sidomos në këtë periudhë historike kur në horizontin shqiptar po duken disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi —është për të forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, është “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” – Koliqi prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” –megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar se:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”.  Ky është edhe Besimi që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë — pa marrë parasyshë vështirsitë me të cilat përballet sot Kombi.  Ky është edhe amaneti i mbajtur nga unë në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar të Kombit shqiptar.

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!

Filed Under: Featured Tagged With: Ernest Koliqi, Frank shkreli

Ndryshe nga autoritetet e Tiranës, Shkupi reflektoi!

May 21, 2020 by dgreca

NGA Frank Shkreli*/

Ndryshe nga Tirana zyrtare që turpërisht dhe brutalisht shembi Teatrin Kombëtar mu në mes të Tiranës, Shkupi zyrtar reflektoi më në fund – falë presioneve të ndryshme –mbi vendimin e marrë më heret për shlyerjen e gjurmëve të familjes së Nenë Terezës në sheshin e Shkupit, qendra shpirtërore e shqip-tarëve kudo në botë. ”Na vjen mirë që autoritetet e Shkupit reflektuan pozitivisht dhe zgjodhën rrugën e shtegdaljes, duke i lënë hapësirë dialogut dhe zgjidhjes me konstruktivitet të problemeve të paraqitura.  Fillimisht, u premtua se do të hapet një qasje që do të shërbejë si shteg për pelegrinazh në pllakën përkujtimore që shënon vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës, dhe kjo u bë me vendosjen e zhavorit, pastaj edhe të disa pllakave, por krejt këto, në funksion të gjetjes së zgjidhjes sa më adekuate”, – është shprehur Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani.  “Ne shpre-sojmë”, shtoi ai, “se ky projekt do të përfundojë brenda pak ditësh dhe se kryetari i Shkupit, z. Shilegov, do ta mbajë fjalën, duke rivendosur shenjat e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Terezës dhe hapjen e një shtegu për pelegrinazh”, theksoi ai për median. Ndërkohë, që ditët e fundit në Tiranë, autoritetet e qeverisë shqiptare zhdukën përgjithmonë, në mënyrë të turpshme, një pjesë të historisë kulturore të Shqi-përisë, duke hedhur për tokë Teatrin Kombëtar në mes të Tiranës, disa ditë më përpara në Shkup, bashkia e atij qyteti kishte marrë vendimin për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës në Sheshin e Shkupit.  Gjëja e përbashkët që ndajnë këto dy ngjarje të tmershme antishqiptare është shlyerja e identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare në trojet shekullore të Kombit.  Por ndryshe nga autoritetet e Tiranës zyrtare, autoritetet e Shkupit zyrtar, pas presioneve të ndryshme, duket se janë tërhequr nga vendimi i tyre origjinal për të zhdukur gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës dhe familjes së saj, në qendër të Shkupit.  Kështu, të pakën njofton në portalin e tij Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, nëpërmjet një deklarate të Drejtorit të këtij enti, Dr. Skender Asani. 

Unë e kam ndjekur nga larg këtë zhvillim shqetësues në Shkup, si një sulm jo vetëm kundër Nënë Terezës, por edhe si një përpjekje nga Shkupi zyrtar për të vazhduar politikën për shlyerjen e gjurmëve të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar në atë qytet të vjetër shqiptar.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-duket-se-po-trashen-punet-rreth-truallit-te-shtepise-se-nene-terezes-ne-shkup/

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Ndonëse nuk besoj se këto dy zhvillime të kenë qenë të bashkërenduara, objektivat për shembjen e tyre, në thelb — dashtë e pa dashtë – përfundojnë në zhdukjen e gjurmëve të identitetit shqiptar në trojet e Arbërit.  Ndonëse nuk dimë se kush janë kompanitë e përzgjedhura për të ndërtuar “teatrin e ri” në Tiranë, sipas zyrtarëve maqedonas, parcelën në sheshin e Shkupit e ka blerë kompania Amadeus Group nga Shqipëria, gjatë periudhës së qeverisjes së Gruevskit.  Autoritetet maqedonase janë cituar të kenë thënë më herët se lokacioni i blerë në sheshin e Shkupit nga firma shqiptare “do t’u kthehet qytetarëve”, pikërisht ashtu siç pretendojnë edhe autoritetet e Tiranës, pas shembjes brutale të Teatrit Kombëtar, gjithçka në emër të popullit, por pa e pyetur popullin.  Dikush duhet të shpjegojë dhe të japë përgjegjësi se si, pse dhe në llogari të kujt, vet shqiptarët, me veprimet e tyre —të drejtpërdrejta ose tërthorazi — janë të angazhuar në skema të tilla për zhdukjen e gjurmëve të historisë, të identitetit dhe të kulturës shqiptare, jo vetëm në Tiranë e Shkup, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Këto dy raste, njëra në Tiranë e tjetra në Shkup, pasqyrojnë qartë një mungesë flagrante mos vullneti të angazhimit në mbrojtje të monumenteve, personaliteteve dhe lokacioneve të ndryshme historike shqiptare, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor.  Por, ekziston një ndryshim i madh midis reagimeve të Tiranës dhe Shkupit në lidhje me këto dy raste.  Ndërsa Shkupi po “reflekton”, Tirana zyrtare nuk ka përfillur aspak shqetësimet e grupeve të interesit, artistëve e të tjerëve, që ishin në favor të Teatrit, në një formë ose një tjetër – dhe vendosi më në fund ta hedh në erë, hajnisht, herët në mëngjes, ndërkohë që u arrestuan një numër protestuesish në proces të shembjes së Teatrit, duke arrestuar shumë prej tyre që kundërshtonin shembjen e Teatrit, përfshirë gazetarë.  Reagimi i autoriteteve të Shkupit ishte krejt ndryshe në lidhje me protestat ndaj shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nënë Tere-zës në Shkup.  Si rrjedhim i presioneve dhe protestave nga grupe të interesit ndaj vendimit për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës në sheshin e Shkupit, autoritetet e Shkupit rishqyrtuan vendimin e marrë më herët dhe vendosën ta tërhiqnin përballë protestave.  Drejtori i (ITSHKSH), Dr. Skender Asani deklaroi të martën, së bashku me përfaqësuesit e një numri organizatash që mbajnë emrin e Nënë Terezës, se Shkupi zyrtar ka REFLEKTUAR mbi vendimin e mëparshëm dhe se autoritetet kanë premtuar të rivendosin, “Hapjen e shtegut deri te pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, që ishte bllokuar më herët: “Qyteti i Shkupit ka reflektuar dhe ndonëse bëhet fjalë për një pronë të privatizuar padrejtësisht dhe në kushte të tjera, është arritur të gjendet një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e një shtegu për të vendosur lule te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza, si dhe për përcaktimin e vijave të themeleve të shtëpisë Bojaxhiu”, ka thënë për median, Dr. Asani.

Dr. Skender Asani duket optimist me vendimin e autoriteteve të Shkupit për t’u tërhequr nga vendimi i tyre i mëparshëm, ndërsa u shpreh se “Shpre-sojmë që mos të ketë nevojë të shtrohet më kjo çështje” dhe u angazhua se në të ardhmen do të përpilohet një propozim që do t’u dorëzohet institucioneve përkatëse të kulturës që kjo zonë të shpallet e mbrojtur dhe ajo të mos mund të rrezikohet më nga askush në të ardhmen.  Sepse sipas tij, “Figura e Nënë Terezës është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet, si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpir-tërore e materiale, aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit”, pasi Nënë Tereza tha ai, është “personaliteti që e ka nderuar më shumë se askush tjetër qytetin tonë në botë”. Eh, sikur edhe në Tiranë të mbizotëronte fryma e dashurisë, tolerancës, mirëkuptimit dhe e respektit për njëri-tjetrin, vlera këto që promovonte Nënë Tereza sa ishte gjallë, jo vetëm midis shqiptarëve kudo, por edhe në botë.  Eh, sikur të ndodhte kjo, edhe Tirana zyrtare dhe klasa politike shqiptare në përgjithësi, ndoshta do të kishte një dashuri më të madhe ose të paktën një tolerancë sado të vogël ndaj njëri-tjetrit, kur vjen puna tek ruajtja dhe respekti ndaj trashëgimisë së përbashkët historike të identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës, e mbi të gjitha të veprohet në interes të Kombit dhe jo në favor të interesave të ngushta personale e partiake, në kurriz të shkuarës dhe të ardhmes së brezave.  Të paktën mos ia mbyllni derën një reflektimi pozitiv mbi situatën e krijuar aktuale dhe idesë se si të dilet prej saj, para se të jetë vonë!  Fatkeqësisht, nuk di nëse e shihni, por hapësira për një mundësi të tillë po zvogëlohet, ndërsa atmosfera e radikalizmit po rritet dita ditës, drejt së cilës ju vet po kontribuoni jo vetëm me fjalë, por edhe me veprat tuaja të papërgjegjshme, siç është hedhja në erë e Teatrit Kombëtar, ditët e fundit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Ndryshe Shkupi, teatri

Ushtrimi i gazetarisë së lirë nuk është krim- 30 vjet zhgënjim

May 18, 2020 by dgreca

USHTRIMI I GAZETARISË SË LIRË NUK ËSHTË KRIM –30-VJETË ZHGËNJIM!

Nga Frank Shkreli

Kjo këmishë më poshtë është 30-vjetë e vjetër.  Ishte një këmishë që Departamenti Amerikan i Shtetit vuri në qarkullim në atë kohë për të shënuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, marrëdhënie që ishin ndërprerë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për pothuaj 50-vjet komunizëm, si dhe pjesëmarrjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri në zgjedhjet e para pluraliste.  E ruaj gjithnjë këtë këmishë megjithëse e grisur.  Madje e kam vendosur në një kornizë, si kujtim i një ëndërre dhe një shprese të dikurshme.  E ruaj si kujtim të realizimit të ëndërrës së një pjese dërmuese të shqiptarëve me rastin e shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, si një simbol kur shqiptarët filluan të merrnin frymë lirisht, pas pothuaj gjysëm shekulli komunizëm.  Ashtu mendonim atëherë.  Ndoshta ishim naiv.

E ruaj si kujtim shprese e periudhës Mars/Prill i vitit 1991.  Them si kujtim shprese sepse për herë të parë në Tiranë gjëndej një delegacion zyrtar i Shteteve të Bashkuara, më pak se dy javë pasi ishte nënshkruar në Washington protokolli për rivendosjen e marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve.  Ndërsa shetisnim  mbrëmjeve në Sheshin Skenderbeu, vihej re një atmosferë entuziazmi dhe shprese për ndryshim.  Në veshët tonë brohorisnin thirrjet e rinisë shqiptare: “Liri Demokraci” dhe parullat, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, e të tjera parulla të tilla pro-perëndimore, I shikoje të varura kudo në rrugët e Tiranës dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Këmisha përkujtimore e asaj ngjarjeje me rëndësi – e këthimit të madh historik — në fillim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 30-vjet më parë, kujton periudhën Mars/Prill, 1991 të qëndrimit tonë në Tiranë dhe pjesëmarrjen tonë, si vërejtës zgjedhorë (election observers) në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri:  “Votoni Për Ne”, nuk ishte thirrje që shqiptarët të votonin për ne, sepse ne nuk ishim në listën e kandidatëve, por do u jepte mesazhin shqiptarëve, që të votonin për kandidatët që shpreheshin në mbështetje të lirisë, përfshir lirinë e shtypit, dhe zhvillimeve të reja demokratike në vend.  Që të votonin, pra, për vlerat amerikano- perëndimore, për lirinë e fjalës dhe të shprehurit, si një prej parimeve më të shtrenjta të demokracisë amerikane dhe perëndimore.

Fatkeqësisht, mesazhi i para 30-viteve në këtë këmishë – mesazhi i realizimit të ëndërrës së shembjes së komunizmit dhe i kujtimit të shpresës se, më në fund, ditë më të mira e prisnin Kombin shqiptar — sot është këthyer në një zhgënjim të vërtetë.  Lista e arsyeve për zhgënjimet e mia, ashtu si edhe për shumë shqiptarë — mbrenda dhe jashtë Atdheut –me politikën shqiptare është e gjatë.  Ata që mund të kenë ndjekur kontributin tim modest në publicistikën shqiptare gjatë viteve, mund të kenë venë re përqëndimin tim, ndoshta të tepruar sipas disave, mbi domosdoshmërinë e lirisë së vërtetë të shtypit për një shoqëri vërtetë demokratike   sidomos në vendet post-komuniste në tranzicion.

Prandaj nuk po më durohet pa shprehur zhgënjimin tim të radhës ndaj vendimit të marrë, ditë e fundit, nga autoritetet e qeverisë shqiptare, për të goditur me një tjetër grusht në hundë lirinë e medias në Shqipëri edhe ashtu të plagosur rëndë, tanimë nga masat arbitrare të qeverisë shqiptare.  Televizioni Ora NEWS, një prej zërave të fundit kritikë ndaj qeverisë Rama, ka marrë urdhër nga autoritetet për mbylljen e aktivitetit, një vendim ky që siç duket u tërhoq më vonë, por ORA NEWS nuk u nda pa një gjobë të rëndë nga autoritetet, me arsyetimin se në disa emisione të këtij televizioni nuk ishte zbatuar urdhëri për praninë në studio të jo më shumë se dy personave.  Për mua nuk duhet të ketë asnjë arsyetim që justifikon urdhërin për mbylljen e aktiviteteve të medias, qoftë gazetë, revistë, portal a po televizion. Raportohet se ky udhër, që u cilësua nga drejtuesit e televizionit ORA, si një “skandal dhe i paprecedentë”, është kritikua rëndë nga organizatat e gazetarëve dhe nga disa personalitete të politikës shqiptare, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, Z. Meta.

Ndërkaq, nuk kam parë ndonjë reagim të fortë nga pranitë diplomatike ose nga “ndërkombëtarët” e vendosur në Tiranë ndaj kësaj masakre të fundit të lirisë së medias në Shqipëri.  Ka ardhur koha që ju si përfaqsues të vlerave perçdnimore dhe si mbrojtës të lirisë së medias, të heqni dorëzat dhe të largoni maskat diplomatike kur flisni për lirinë e medias në Shqipëri.  Fjalët nuk mjaftojnë më!  https://telegraf.al/politike/mbroni-lirine-e-medias-te-nderuar-ambasadore/ Në fund të fundit, duhet parë se kemi të bëjmë me një vend–ku liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri gjëndet përballë një rreziku të madh— e për më tepër kemi të bëjmë me një vend i cili si shtet që kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë,  duhet të jetë shembull i ushtrimit të liriës së media dhe jo shkelës brutal i saj.  Ironia e kësaj situate është se OSBE-ja është një organizatë, për të cilën liria e medias me statut, është ndër të drejtat më thememlore që duhe të mbrojë Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë.

Shpresa e një shiptaro-amerikani e 30-viteve më parë — se me shembjen e komunizmit, njëra prej lirive bazë të njeriut — liria e vërtetë e fjalës dhe e medias në Shqipëri — po zhduket.   Televizioni ORA news është ndër mediat e pakta kritike ndaj qeverisë, që përpiqen të ruajnë sadopka një pavarësi nga qeveria dhe nga njeërzit e saj.  ORANews, me disa media të tjera si motra të pavarura është e mbërthyer në një luftë të ashpër dhe të pa drejtë me autoritetet qeveritare, si –Davidi me Goliatin – në mbrojtje të së vërtetës dhe të lirisë së fjalës. siç tregon edhe urdhëri i fundit i qeverisë Rama, fillimisht për të mbyllur, e pastaj për të gjobitur televizionin ORA NEWS.

Kërcënimet, frikësimet, gjobat dhe urdhërat për mbyllje të aktiviteteve legjitime gazetareske të një televizioni nga autoritetet e qeverisë shqiptare, siç është rasti i fundit i ORA News – 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit — janë shkekje të rënda të ligjeve vendase dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare nga autoritetet shqiptare, nënshkruese e të cilave është edhe Shqipëria.  Për më tepër, heshtja flagrante e ambasadave perëndimore dhe përfaqsuesve të tjerë perëndimorë në Tiranë, ndaj këtyre shkeljeve të pashembullta të lirisë së medias në një vend të NATO-s, siç janë sulmet kundër ORA NEWS në Shqipëri, është e papranueshme dhe e pa tolerueshme, 30-vjet pas thirrjeve të shqiptarëve për “Liri, Demokraci” dhe “  E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.   Është koha për të qenë seriozë në mbështetje të lirisë së vërtetë të medias në Shqipëri, të nderuar diplomatë: si përfaqsuesë të atyre vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë, nëqoftse vërtetë mendoni se ato vlera duhet të jenë edhe vlerat e Shqipërisë post-komuniste, demokratike dhe të shqiptarëve të lirë në shekullin XXI!

Një prej këtyre vlerave është liria e shtypit!  Ushtrimi i profesionit të gazetarit nuk guxohet të konsiderohet si krim, në një vend anëtar të NATO-s dhe në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian.  Mos HESHTNI përball këtyre shkeljeve flagrante të lirisë së shtypit dhe të medias në Shqipëri.  “Jam betuar të mos heshtë, kurdoherë që njerëzit kudo durojnë dhe pësojnë vuajtje e poshtërim”, ka thënë i ndjeri Elie Wiesel, njëri prej mbrojtësve më të njohur të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel për paqë.  “Ne duhet pa tjetër të mbajmë një qëndrim në mbrojtje të së vërtetës.  Qëndrimi indiferent ndihmon vetëm shtypësin dhe kurrë nuk është në favor të viktimës.  Nganjëherë duhet patjetër të ndërhyjmë.  Kur rrezikohet jeta e njerëzve dhe kur është në rrezik dinjiteti njerëzor, kufijt kombëtarë dhe ndjenjat personale nuk kanë asnjë rëndësi më.  Kurdoherë që burra e gra persekutohen në një vend të botës për arsye politike, racore ose fetare – në atë moment – ai vend duhet të bëhet qendra e universit tonë”, ka thënë Elie Wiesel.

Të nderuar diplomatë perëndimorë në Tiranë – për ju si përfaqësues të vlerave perëndimore në atë vend, si rrjedhim i krizës aktuale politike, Shqipëria duhet të bëhet për ju — sot për sot — qendra e universit të veprimit tuaj diplomatik.  Mos HESHTNI, ju lutem, por mbroni vlerat perëndimore në Shqipëri, sidomos lirinë e shtypit para se të bëhet vonë — ashtuqë shqiptarët të mos humbasin krejtësisht shpresën e 30-viteve më parë, për liri e demokraci të vërtetë në vendin e tyre – dhe që ju të mos humbni kredibilitetin si shpresa e fundit e tyre. PLEASE DON’T BE SILENT BYSTANDERS!  Në bazë të vlerave perëndimore, gazetaria nuk është krim.  Mbrojeni, pra si një vlerë perëndimore në Shqipëri — jo me deklarata boshe por me vepra!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Gazetaria e Lire

DUKET SE PO TRASHEN PUNËT RRETH TRUALLIT TË SHTËPISË SË NËNE TEREZËS NË SHKUP

May 14, 2020 by dgreca

 – Ka gisht edhe një firmë nga Shqipëria/

Nga Frank Shkreli/

Pardje kisha bërë një analizë modeste mbi njoftimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhej se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.  Unë citova një deklaratë për mediat vendore në Shkup të Shefit të ITSHKSH-së — një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Z. Skender Asani, në të cilën shprehte indinjatën e tij të thellë për këtë veprim të pa përgjegjëshëm.  Z. Asani e ka e cilësuar shlyerjen e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup si, “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Por, sipas një njoftimi sot nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe (shikoni raportin e plotë nga korrespondenti i VOA-s, Isak Ramadani nga Shkupi), trualli nga ku janë shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës, siç kam njoftuar në një shkrim pardje – e për të cilën Z. Asani njoftoi botën para dy ditësh – trualli në fjalë i qenka shitur “vite më parë” një kompanie nga Shqipëria.  Sipas raportit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, i cili sjell sot një reagim të ri në lidhje me ketë çështje nga Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), raporti I VOA-s thekson në lidhje me ketë çështje reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Shkupit, i cili njofton përzierjen e një firme nga Shqipëria, në ketë ndërmarrje, duke thënë:  “Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana e strukturave të mëparshme qeverisëse.  Zoti Shilegov u tha gazetarëve se, sipas VOA-s se  “Ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”.  Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”, ka thënë zyrtari i lartë i Shkupit. “Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963”, raportoi sot, Zëri i Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/shkup-reagime-ndaj-heqjes-së-shenjave-në-shtëpinë-e-lindjes-së-nënë-terezës/5419732.html

Lind pyetja tani. Kush është kjo kompani nga Shqipëria dhe a ka gisht ajo – drejt për drejt ose tërthorazi — në zhdukjen e gjurmëve të truallit të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkup?  Po qeveria shqiptare në Tiranë kishte dijeni për ketë transakcion të blerjes së këtij trualli nga një kompani shqiptare dhe a kishte dijeni Tirana zyrtare se për çfarë qellimi do përdorej kjo tokë eventualisht dhe nëse ishte në plan, ç’prej atëherë, që të shlyheshin gjurmët e shtëpisë së Nënën Terezës në atë vend?  Media shqiptare duhet të bëjë pyetje për ndriçimin e mëtejm të kësaj situate.

Urime Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), i cili po përpiqet t’ia dali në krye kësaj çështjeje dhe të zbulohet se ç’po ndodhë, me të vërtetë, në këtë mes – një zhvillim ky, të cilit të pakën nga një këndveshtrim imi nga këndej oqeanit, nuk i vjen erë e mirë hiç.

Do të ishte një veprim tepër ironik, në mos edhe kriminal, anti-patriotik po se po, që një firmë nga Shqipëria të bëhet shkak i shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkupin, dikurë shqiptar – në përpjekjet e sllavo-maqedonasve për të shlyer gjurmët e identitetit dhe të pranisë historike shekullore të shqiptarëve në trojet e veta. Fatkqesisht, nuk do të çuditesha!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shtepia e Nene Terezes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT