• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REVOLTA ANTIKOMUNISTE NË GULAGUN SHQIPTAR TË SPAÇIT – 50-VJET MË PARË

May 12, 2023 by s p

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?”

Nga Frank Shkreli

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”!?  Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.  21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi — Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshir Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”

At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 Maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë: 

“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi. 

Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit — sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç — Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf  –Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.

Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë — unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës –  t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse – “ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!?—duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!

Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera.  Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm — gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore.  Burgjet dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi. 

Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të  Republikës, Zotit Bajram Begaj do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit. 

Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës. 

Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim.  Ka ardhur koha që ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbe në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyert e ferrit komunist si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paqë midis shqiptarëve!

Frank Shkreli

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU VAZHDON TË “PUSHTOJË” AMERIKËN

May 9, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, trim i trimave, i përgjithëmonshmi i Kombit — shqiptar i përmasave botërore, në Ditëlindjen e tij, 6 Maj.  Por, a është i tillë, Gjergj Kastrioti -Skenderbe për të gjithë shqiptarët?!


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ditëlindjen e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu — Presidentja Osmani ka kujtuar ditëlindjen e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – Lajme – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)  

Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e kujtoi Gjergj Kastriotin Skenderbe në ditëlindjen e tij me një deklaratë, fund javën që kaloi — Albin Kurti | Facebook, duke e cilësuar Heroin Kombëtar me këto fjalë:  “Luftëtar i guximshëm e patriot i madh, prijës i shquar dhe strateg ushtarak, politikan vizionar dhe diplomat i shkathët, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, ka mbetur qendror në identitetin shqiptar. Lavdi heroit të kombit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për jetë e mot!”, është shprehur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Ditën e lindjes së Skenderbeut.

Ndërsa në Shqipëri nuk pashë të jetë kujtuar kjo ditë. U vendosën kurora me lule pranë monumentit të Dëshmorve të Kombit – Një akt shumë me vend! 

Por, pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, në Sheshin me të njëjtin emër në Tiranë, nuk lexova të jetë vendosur,  asnjë buqetë me lule për të kujtuar, zyrtarisht, “kryendërtuesin e atdheut të shqiptarëve” – Qofsha i gabuar për këtë, dhe nëse jam i gabuar, kërkoj ndjesë, paraprakisht!  Nejse, duket sikur pozita dhe opozita politike në Shqipëri janë kacafyt në një fushatë për pushtet – “për jetë e vdekje” – dhe nuk kanë kohë as të mendojnë për Skenderbeun, as për historinë e Kombit dhe as për rolin e këtij vigani në historinë e shqiptarëve dhe dhe në ruajtjen e identitetit historik të Kombit shqiptar.  Sidoqoftë, kjo është puna e tyre dhe e votuesve shqiptarë që tolerojnë shkelje të tilla të historisë së kombit dhe të heronjve të saj, si Gjergj Kastrioti -Skenderbe, por të jenë të sigurt, të dy palët e politikës shqiptare, se pa Skenderbeun – nuk shkohet “përpara”, as nuk fitoni të “bashkuar”.

Kam drojë se në këtë fushatë politike në Shqipëri, por jo vetëm, pasi ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur përvjetore të jetës dhe veprimtarisë së Skenderbut kanë kaluar pa u përmendur fare nga disa qarqe të caktuara – duket se edhe sivjet aktivitetet dhe brohoritjet politike në Shqipëri, me qëllim ose pa qëllim, vazhdojnë të jenë pjesë e një harrese që çon drejt shuarjes së kujtimit të tij dhe të veprave të lavdishme të Krye-Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbe. 

NDËRKAQ dhe për fat të mirë, shqiptarët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mundohen që çdo vit ta kujtojnë Skenderbeun, në data të caktuara, për vetën e tyre dhe të brezave këtu, por edhe për amerikanët që edhe ata të dinë e të mësojnë se kush ishte Gjergj Kastrioti-Skenderbeu i Kombit shqiptar dhe kush në të vërtetë janë shqiptarët!?

Komuniteti shqiptaro-amerikan, nën drejtimin e aktivistit të dalluar të komunitetit tonë këtu, Z. Mark Gjonaj, i cili me ndihmën e shumë organizatave shqiptaro-amerikane, organizuan edhe sivjet — në pervjetorin e dytë të shpalljes me emrin “Rruga Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronks të Nju Jorkut — Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me një rrugë të tijën në Nju Jork | Gazeta Telegraf —  u organizua festimi dhe panairi i rrugës. Të Dielën me 7 Maj, për nja 6 orë me mijëra pjesëtarë të komuniteti shqiptaro-amerikan morën pjesë dhe u argëtuan me programe të ndryshme, nga dhjetëra këngëtarë e këngëtare të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Nju Jork për këët qëllim. Ata me kreanri kombëtare, me fjalë, këngë e valle shpalosën traditën dhe kulturën, muzikën, vallet popullore, ushqimet dhe aktivitete të tjera, jo vetëm për komunitetin, por edhe për amerikanët vendas.  Ishte kjo një ditë gëzimi e festimi, në kujtim të Heroit të madh të Kombit shqiptar – aty në hapësirën e rrugës që mban emrin Gjergj Kastrioti -Skenderbeu – këtu në Amerikën e largët u mblodhën shqiptarët nga të gjitha trojet dhe pa dallim — duke shpalosur krenarinë dhe Bashkimin e tyre rreth Kryeheroit Kombëtar.

Ndërsa në një komunitet tjetër shqiptaro-amerikan – që cilësohet si më i vjetri këtu në Shtetet e Bashkuara – në Uster të shtetit Masaçusets, jo larg Bostonit – një kryeqenër tjetër e madhe e shqiptaro-amerikanëve, me 21 të Marsit që kaloi, mësuam se Këshilli Bashkiak i atij qyteti miratoi, në parim, kërkesën e përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan atje për të emëruar një rrugë të atij qyteti me emrin Gjergj Kastrioti- Skenderbe.  Kronika e gazetarit Ardian Murraj në Youtube: VOAL Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way, Public Works Committee, 04 /24 /2023 – YouTube. Sipas këtij informacioni, Komiteti i Punëve Publike të Bashkisë së qytetit të Usterit miratoi, përfundimisht dhe zyrtarisht, me 25 Prill, 2023 vendimin  për nderimin me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Way).  Ceremonia zyrtare festive e nderimit me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të mbahet në prag të Festivalit Shqiptar të Usterit, që pritet të bëhet gjatë fundjavës së parë të muajit Qershor, 2023. 

Shpesh media shqiptare në përgjithësi ia “ben me hile” këtij komunitetit në Uester, duke e qitur në harresë pa të drejtë, pasi edhe sot ashtu si, historikisht, ky komunitet ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve në Amerikë që kanë emigruar heret, por që është ringjallur si të thuash me emigrantë të ardhur dekadat e fundit nga të gjitha trojet shqiptare, por sidomos nga Shqipëria, prandaj vendimi për të emruar një rrugë në emër të Skenderbeut është domethënse për shqiptaro-amerikanët, duke u kujtuar atyre Heroin dhe Atdheun.

“Kjo shënoi me të vërtetë një ngjarje historike pasi lidhet me disa vite jubilarë përkujtimorë së bashku dhe po kaq festive për shqiptarët e Usterit të cilët kanë treguar në vazhdimësi përpjekjet e mërgimtarëve të vendosur këtu gati 150 vite më parë.  Prania e bashkëatdhetarëve shqiptarë dhe të Kosovës (në seancën e Bashkisë) me flamuj dhe kostume popullore ishte e gëzueshme dhe solemne pasi ata bashkohen rreth Heroit të tyre Kombëtar, figurës shumë të dashur për ta, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, ka shkruar me këtë rast gazetari Ardian Murraj në kronikën e tij mbi këtë ngjarje historike për komunitetin shqiptaro-amerikan në Uester dhe për shqiptaro-amerikanët, në përgjithësi.

Gazetari Murraj me të drejtë lavdëron rolin historik të komunitetit shqiptaro-amerikan në Uester të shtetit Massachusetts, “Si një bashkësi që vlerëson dhe shkëmben vlerat e historisë, kulturës dhe traditave të shumë kombësive Usteri u bë qyteti parë në Masaçusets që nderon një figurë legjendare të historisë botërore të lidhur ngushtë me krenarinë e një populli, një histori që bashkatdhetarët shqiptaro-amerikanë kanë filluar ta shkruajnë pasi ata shquhen gjerësisht dhe janë pjesëmarrës në zhvillimet e jetës së këtij qyteti”, është shprehur ai. 

Përkujtimi i Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, sidomos në Shqipëri e Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pa përjashtuar edhe diasporën shqiptare qoftë në Amerikë, qoftë në Evropën Perëndimore – ka shumë rëndësi, sepse siç është shprehur me një rast Ernest Koliqi: “Pak janë ata të huaj që na përfillin. Dikush na urren, shumica harron se ka një komb shqiptar. Kemi nevojë për kuptim e mbështetje sepse shumë paragjykime ushqejnë përgjithësisht të huajt mbi ne dhe çeshtjet tona…”.  Duke shënuar përvjetorë të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, ka shkruar Koliqi, i kujtojmë vetes dhe botës, njëkohësisht, ekzistencën tonë dhe vuajtjet e padrejta që na kanë mbuluar, por njëkohësisht, një përkujtim i tillë i Skenderbeut, sjellë një shërbim të pashoq, Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo. Është obligim moral dhe atdhetar që Skenderbeu të kujtohet dhe të mos harrohet nga diaspora shqiptare në Amerikë, por as nga Shqipëria dhe Kosova.  Përkujtimi i Gjergj Kastriotit -Skenderbeut është një përgjegjësi numër një e udhëheqësve aktualë të Kombit – në të njëjtin nivel siç është përgjegjësia e tyre për mbrojtjen e sigurisë, të territorit shqiptar dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Frank Shkreli

Foto Gazeta Dielli

Foto: Gazeta Dielli

A picture containing text, person, crowd

Description automatically generatedNga akitiviteti nl Bashkinë e qytetit Uester në shtetin Masaçusets

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

30-VJETORI I DITËS NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT:  GAZETARIA NUK ËSHTË KRIM!

May 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

                                                “Një komb delesh do ketë shpejt një qeveri ujqërish”.

3 Maji, 2023 shënon 30-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit. Me këtë rast, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), nepëmjet UNESCO-s, po organizon veprimtari të ndryshme për të shënuar këtë ditë dhe rëndësinë e lirisë së shtypit, si një prej lirive themelore që siguron edhe liritë e tjera bazë të njeriut, të garantuara në Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut në botë. Në një deklaratë të OKB-së me këtë rast thuhet se ç’prej vitit 1993, kur është shpallur Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, është shënuar përparim përparim I dukshëm drejt lirisë së shytpit dhe liriës së të shprehurit anë e mbanë botës. “Mirëpo, liria e fjalës, siguria e gazetarëve në kryerjen e punës së tyre dhe liria e të shprehurit në përgjithsi po sulmohen gjithnjë e më shumë, gjë që prek rëndë lirinë e të drejtave të tjera të njeriut”, thotë OKB-ja.  

Sipas organizatës botërore, “E drejta e lirisë së të shprehurit, që ruhet dhe mbrohet si diçka e shenjtë nga Artikulli 19 i Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, është një kusht paraprak dhe fuqi shtyrse për zbatimin e gjithë të drejtave të tjera bazë të njeriut. Prandaj Dita Ndërkombëtare e Lirisë së shtypit është një thirrje për një rikushtim të ri ndaj lirisë së shtypit, por edhe një angazhim serioz për një media të pavarur, pluraliste dhe të shumëllojshme”, thuhet në deklaratën e OKB-së, në mbështetje të lirisë së shtypit si një e drejtë që, njëherazi, është edhe gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut. 

E drejta e lirisë së të shprehurit është kusht paraprak dhe gur themeli i të gjitha të drejtave të tjera të njeriut —

The right to freedom of expression is a prerequisite and a driver to the enjoyment of all other human rights. PHOTO:UNESCO

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë, në emër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një deklaratë për të shënuar Ditën Ndlërkombëtare të Lirisë së Shtypit, thekson se, “Gazetaria nuk është krim – por është një e drejtë themelore, në një shoqëri të lirë”. Ndërkohë, deklarata shpreh, njëkohsisht, respektin e Presidentit, “për të gjithë gazetarët, reporterët dhe të gjithë punonjsit e medias të cilët, trimërisht, përpiqen të zbulojnë të vërtetën. Statement from President Joe Biden on the Occasion of World Press Freedom Day 2023 | The White House. “Asnjë gazetar – qoftë amerikan, apo tjetër –nuk duhet të rrezikojë jetën as jetesën, ndërkohë që punon për të zbuluar të vërtetën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. “Sot dhe cdo ditë, ne duhet të qëndrojmë pranë gazetarëve anë e mbanë botës për të mbrojtur lirinë e veprimit dhe të drejtat e tyre bazë. Ne duhet të deklarohemi fuqishëm kundër të gjithë atyre që duan t’ua mbyllin gojën gazetarëve. Dhe të gjithë ne duhet të vazhdojmë të mbështesim lirinë e shtypit, që është gur-themeli i demokracisë tonë dhe i demokracive të tjera anë e mbanë botës”, përfundon deklarata e Shtëpisë së Bardhë me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. 

Shumë bukur e mirë këto deklarata në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe në mbështetje të gazetarëve anë e mbanë botës, në këtë ditë kushtuar lirisë së fjalës, qoftë nga Kombet e Bashkuara dhe nga Shtëpia e Bardhë, qoftë edhe nga shtete të tjera, të mëdha e të vogëla, anë e mbanë botës, ndërsa e deklarojnë veten, të pakën për një ditë, si mbrojtës të lirisë së shtypit dhe të gazetarëve.

Të gjithë e dimë se gjëndja e lirisë së shtypit, anë e mbanë botës, është në rënje e sipër, Të drejtat e gazetarëve po kufizohen dhe kërcënohen në mbare botën, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën, qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga grupe interesash korruptive dhe kriminale, të lidhura me institucionet qeveritare.  Gjëndja e nderë e lirisë së shtypit në botë, ka berë që organizata jo-qeveritare, amerikane dhe ndërkombëtare, të shprehin dyshimet e tyre nëse ushëheqsit politikë botërorë dhe organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, me të vërtetë e kanë seriozisht, me deklaratat e tyre në Ditën e Ndërkombëtare të lirisë, në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së të shprehurit. Organizata Freedom House, një ent amerikan që merret me mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit organizoi me këtë rast një diksutim “online”, titulluar me një pikëpyetje: Dita Botërore e Lirisë së Shtypit: Një celebrim i kotë?  Freedom House shprehet se, “edhe pse vendet perëndimore dhe shtete të tjera demokratike kanë deklaruar përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias dhe aksesit në informacion, zëra të fuqishëm brenda disa shoqërive gjoja demokratike vazhdojnë të shpifen dhe të mbjellin mosbesim në media.  Ndërkohë, qeveritë autoritare që nuk besojnë në përfitimet që i vijnë një shoqërie nga një qytetari e mirë informuar, shpesh persekutojnë, burgosin, madje edhe vrasin gazetarë që raportojnë të vërtetën. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit 2023, pyesim se çfarë po ndodhë me lirinë e shtypit si një e drejtë themelore e njeriut. A ka shumë arsye që të festojmë këtë vit? – -Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit? 

Unë tentoj t’u besoj burimeve jo qeveritare në lidhje me gjëndjen e lirisë së shtypit në vendet tona – Shqipëri e Kosovë — për të cilat jemi specifikisht të interesuara për arsye të natyrshme, por edhe për gjëndjen e të drejtave të njeriut në botë, në përgjithsi.  Një tjetër organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, “Reporterët pa Kufij”, me qëndër në Paris në raaportin e saj me rastin e 30-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit njofton se gjëndja e lirisë së shtypit anaë e mbanë botës, është përkeqësuar dukshëm anë e mbanë botës, përfshir edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Për fat të keq, sipas entit, “Reporterët pa Kufij”, Shqipëria ka pësuar një përkeqsim të madh të lirisë së shtypit, në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke u renditur në vendin 96. Ndërsa Kosova ka shënuar një përparim të vogël prej 5 pikësh, nga 61 në 56. Por, fatkeqsisht, të dy shtetet shqiptare renditen në listën e “vendeve problematike”, nga organizata “Reporterët pa Kufij”, sa i përket lirisë së shtypit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ndonëse, përgjithësisht, liria e fjalës dhe e shtypit konsiderohen si gur-themeli i të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut dhe duke marrë parsysh se Shqipëria dhe Kosova ende konsiderohen si “vende problematike”, sa i përket lirisë së fjalës dhe të shtypit, s’do mend se pse këto dy vende — tre dekada pas shembjes së komunizmit – ende konsiderohen si vende “pjesërisht të lira”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave dhe lirive të njeriut në botë.  Ky është vlersimi shqetësues i organizatave ndërkombëtare mbi gjëndjen e lirisë së shtypit dhe të gjitha të drejtave bazë të njeriut për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor – në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Është një vlersim që duhet të shqetësojë edhe shqiptarët kudo, të gjithë ata që janë të interesuar në zhvillimet demokratike dhe liritë bazë të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Përndryshe, siç është shprehur dikur ish-gazetari i njohur amerikan, Edward Murrow, në lidhje me mungesën e lirisë së shtypit, “Një komb delesh do ketë shpejt një qeveri ujqërish”, nëqoftse nuk mbrohet liria e shtypit, si gur themeli i të gjitha lirive të tjera, nga grabitqarët e pushtetit.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

ME ORIGJINË NGA VUKLI I KELMËNDIT TË MALËSISË SË MADHE NË KARRIGËN E GJYKATËSIT NË AMERIKË

May 2, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Në shkrimet e mia modeste në të kaluarën – duke shënuar raste suksesi në fushë të ndryshme të jetës tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam përpjekur të pasqyroj individë me preardhje shqiptare që e kanë dalluar vetën në fusha të ndryshme si në politikë, ekonomi, financa, arsim, kulturë e tregti, e të tjera. Vazhdimisht, kam bërë thirrje dhe vazhdoj të inkurajoj — në atë mënyrën tëme – sa më shumë rininë shqiptaro-amerikane, të shkolluar në këtë vend që të angazhohen sa më shumë në të gjitha aspektet e jetës amerikane, sidomos në ekonomi, politikë e drejtësi. Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan ka një numër të konsiderueshëm histori suksesi në të gjitha fushat, përfshir edhe avoketën të diplomuar, në rritje e sipër, në universitetet më të njohura amerikane dhe të angazhuar në sistemin e drejtësisë të këtij vendi. Disa herë kam pasqyruar edhe fillimet sado të rralla – disa të suksesshme e disa jo aq të suksesshme – të shqiptaro-amerikanëve në përpjekjet e tyre për t’u angazhuar në proceset e politikës amerikane, në nivel vendor, shtetëror dhe federal. Unë jam i bindur se është vetëm fillimi dhe është një fillim që premton, kur të merret parasysh numri i madh i shqiptarëve që kanë kërkuar strehim këtu në Shtetet e Bashkuara pas shembjes së komunizmit dhe çlirimit të Kosovës. Këtu në Shtetet e Bashkuara, diaspora e tre dekadave të fundit, përbëhet nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga mbarë trojet shqiptare, që për fat të keq dhe si rrjedhojë e politikave dështuese në dy shtetet shqiptare, numri i shqiptarëve që po largohen nga vendlindja për në botën perëndimore, po rritet gjithnjë, edhe këtu në Amerikën e largët. Shumë prej tyre, kanë përfunduar në punë të shumë të mira dhe po konkurojnë me më të mirët në Amerikë, për të dhenë kontributin e tyre për zhvillimin e komunitetit tonë dhe të shoqërisë ku jetojnë.

Megjithë një komunitetet të madh, pra dhe shumë të përgatitur shqiptaro-amerikan — nga pikëpamja e arsimit të lartë dhe zotërimit të gjuhës anglisht — gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kisha dijeni për ndonjë rast që një shqiptaro-amerikan të jetë zgjedhur në detyrën e gjykatsit, të pakën në këtë rajonin veri-lindor të Shteteve të Bashkuara ku jeton shumica e shqiptarëve në Amerikë. Jam shumë i kënaqur të njoftoj lexuesit se, më në fund, mund të themi me krenari se kemi një gjykatës shqiptaro-amerikan i zgjedhur me vota dërmuese, nga zgjedhësit e zonës Pleasantville të rajonit Westchester të shtetit Nju Jork.  Me 3 Prill, 2023 bëri betimin John (Gjon) Vukeli, i zgjedhur nga votuesit e Westchesterit në Nju Jork me 21 Mars, 2023, si gjykatës në Pleasantville – me sa dimë, i pari shqiptaro-amerikan në një detyrë të tillë të lartë të drejtësisë, të pakën në këto anë.  Zgjedhja e tij në detyrën e gjykatsit këtu në Amerikë, besoj se shënon vetëm fillimin e shqiptaro-amerikanëve, që zgjedhin këtë fushë të veprimtarisë së tyre – si gjykatës në sistemin amerikan të drejtësisë në nivel të ndryshme rajonale.

Gjykatsi i ri i posa zgjedhur shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukelj rrjedh nga një familje e njohur anti-komuniste nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe – asaj diasporës anti-komuniste shqiptare të arratisur nga regjimi komunist enverist.  Familja e Sokol Dedës, babait të gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan, nuk qe pajtuar me regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe si pasojë familja e tij e pësoi shumë keq sa që është detyrua të arratisej nga vendlindja për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjes së tij, ndërkohë që familja e Sokol Dedës është vendosur në Bronks të Nju Jorkut, si shumë bashkathdetarë të tjerë refugjatë politikë nga malet tona — më shumë se një shekull më parë — për të kërkuar lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut. 

Në fjalimin e tij me rastin e betimit në detyrën e re, Gjykatsi shqiptaro-amerikan me origjinë nga Vukli i Malësisë së Madhe, duke pasur parasysh historinë dhe vuajtjet e familjes nën komunizëm në Shqipërinë e pas Luftës së dytë botërore, shprehu krenarinë për origjinën e tij nga Kelmendi i Malësisë së Madhe dhe mirënjohje  për strehimin që Amerika i kishte ofruar  familjes së tij dhe dhe për mundësitë që ky vend i ka ofruar atij për të arritur karrierë që gëzon sot si gjkatës I zgjedhur. Ndër të tjera, gjykatsi shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukli https://www.youtube.com/watch?v=bX3VG2hRtIY – foli, shkurtimisht, për jetën, karrierën dhe për familjen e tij të vuajtur dhe të përsekutuar nga komunizmi:  “Mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerr nga kjo përvojë e fushatës politike është se ne jetojmë në një vend të mrekullueshëm. Ne, si individë, nuk jemi dakort për çdo gjë, por mendoj se të gjithë ne dëshirojmë të kemi të njëjtat gjëra, të drejta dhe mundësi të barabarta në jetë.  Fushata për këtë detyrë, më ndihmoi të kuptoj se nëqoftse i trajton njerëzit me respekt edhe ata do të respektojnë ty. E gjithë kjo përvojë do të jetë e vlefshme për mua ndërsa filloj dtyrën e re si gjykatës”, theksoi John Vukelj gjatë fjalimit, pasi bëri betimin në detyrën e re. Ai u tha të pranishëmve se kishte edhe diçka tjetër për të ndarë me ta dhe me të tjerë që mund të jetojnë jasht komunitetit, ku ai do të shërbejë si gjykatës. “Kam edhe diçka tjetër për të ndarë me ju”, vazhdoi ai.

Krenar se është shqiptar — “E kam fjalën për komunitetin shqiptaro-amerikan. Nuk e di nëse ka pasur gjykatës shqiptarë amerikanë më parë, qoftë këtu në Nju Jork, qoftë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ndoshta, po, ndoshta jo. Por, unë jam shumë i vetdijshëm për mbështetjen që kam marrë nga komuniteti shqiptaro-amerikan ç’prej kohës që kam njoftuar vendimin për të shpallur kandidaturën time për gjykatës të kësaj zone adminstrative. Komuniteti shqiptaro-amerikan ishte plot krenari për kandidaturën time dhe unë gjithashtu, si pjestar i këtij komuniteti, jam krenar që jam shqiptar”, theksoi ai në fjalën e tij përshëndetse pas betimit. Gjykatsi i ri ndau me të pranishmit disa të dhëna mbi origjinën dhe historinë e familjes së tij: “Prindërit e mi kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. Vëllëzrit e mi dhe unë kemi lindur këtu në Shtetet e Bashkuara. Në familjen tonë kemi folur shqip, kemi dëgjuar muzikë shqiptare dhe kemi marrë pjesë në një grup kërcimtarësh pranë Kishës Katolike shqiptare në Nju Jork. Duke u rritur në këtë vend, mësuam për persekutimet ndaj përindërve të mi, familjes dhe popullit tonë në Shqipëri. Mësuam për vështirsitë me të cilat prindërit e mi dhe paraadhësit tanë ishin përballur, gjë që I detyroi të arratiseshin nga vendi i të parëve për tu vendosur në Shtetet e Bashkuara.  Kjo histori padrejtësish, vuajtjesh dhe persekutimesh të prindërve dhe të para-ardhësve tanë, më ka ndihmuar të përvetësoj një përspektivë në jetë dhe më ka nxitur për të vazhduar studimet në degën e drejtësisë. Unë dhe vëllëzrit e mi jemi përballur me sfidat, me të cilat përballen të gjithë ata të brezit të parë emigrantësh në këtë vend, përfshir sfidën se si të, “nderosh Atdheun e të parëve, dhe njëkohësisht, të bëhesh pjesë e këtij vendi të adaptuar? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje më ishte bërë e qartë që në fillim nga prindërit e mi shumë të mençur”, u tha Z. Vukelji pjestarëve në ceremoninë e betimit të tij. “Ata depërtuan atë mjegullën që i rrethonte, duke na dhenë ne fëmijve të tyre, këshillat dhe vlerat më të mira amerikane: studjo shumë, pastaj edhe pak më shumë, shumë më shumë e ashtu me radhë… Sot mendoj për babain tim, Sokol Deda Vukli. Jam i sigurt se ai është duke shikuar nga lartë dhe jam i bindur se e ndjenë veten shumë krenar në këtë ditë ditë…”, tha ai. 

Më në fund, gjykatsi i ri shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli, bir i Sokol Dedës — i një familjeje fisnkie e bujare, por edhe trime e patriotike nga Vukli i Kelmendit kreshnik të Malësisë së Madhe, që nuk u përkul kurrë para padrejtësive, falënderoi të gjithë ata që votuan për të, ndërsa shprehu krenarinë e tij me rezultatet e votimeve në favor të tij.  Me këtë rast, ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën e familjes, miqëve, komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, përfshir dhe personelin e gjykatës ku do punojë ai për punën e tyre, ndërsa u zotua se do t’i shërbejë me përkushtim komunitetit Pleasantville të rajonit administrativo-juridik Westchester të shtetit Nju Jork. Si një hap i parë në këtë drejtim, ai ka vendosur që angazhimet dhe premtimet që u ka dhënë votuesve gjatë fushatës elektorale, të vazhdojnë të jenë të postuara në portalin e tij, si një kujtesë për votuesit se cilat ishin premtimet e tija dhe nëse dhe si do t’i zbatojë ato premtime gjatë mandatit të tij në detyrën e re. Përgjegjësi ndaj votuesve dhe respekt për mbështjen e tyre, bazuar në premtimet e bëra!

Një hap i parë por i rëndësishëm për gjykatsin e ri shqiptaro-amerikan drejt një karriere të frutshme e të suksesshme. Urime shqiptaro-amerikanit John (Gjon) Vuklit dhe përparime të shpejta atij në nivele edhe më të larta në fushën e drejtësisë dhe të gjykatave shtetërore e federale në Shtetet e Bashkuara. Lartë e më lartë!

Frank Shkreli

                            A person with a beard and mustache

Description automatically generated with low confidenceGjykatsi shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe

Prindërit e gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan John Vukli.  Nëna Gjystja dhe i ndjeri babai Sokol Deda Vukli, nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe, i Lahutës dhe i Xhubletës — Sokol Deda Vukel – VENDIT TIM – kendon Vasel Shkreli – YouTube – Kangë me lahutë nga lahutari shqiptaro-amerikan, Vasel Shkreli kushtuar Sokol Dedës dhe familjes së tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

SOT MË FORT SE KURRË: “QËNDRO SHQIPËRI!”

April 26, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

                                                        30-vjetori i vizitës së tij në Shqipëri

“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!  (Papa Gjon Pali i II, 25 Prill, 1993 në vizitën e tij historike në Shqipëri).

Me 25 prill 2023, Kisha Katolike në Shqipëri dhe shqiptarët kudo, kujtojnë 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në tokën Arbërore. Është kjo një datë e shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por është historike, sidomos për Kishën Katolike në Shqipëri, pasi ajo vizitë – e para në trojet shqiptare — ndodhi aq shpejt pas një periudhe të gjatë e të errët, gjysëm shekullore, kur Kisha dhe kleri shqiptar, në përgjithësi, kishte pësuar vuajtjet, vrasjet dhe persekutimin më barbar të komunizmit, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës dhe botës.

Për të shënuar këtë datë të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve, zëdhënsi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja deklaroi për Radio Vatikanin në gjuhën shqipe se udhëheqsit e Kishës Katolike në Shqipëri po e shënojnë këtë përvjetor “me një tubim në Shkodër, mbrëmjen e 25 prillit, në shenjë falënderimi të Madhit Zot për atë vizitë 30-vjet më parë të Papa Gjon Palit të II në një periudhë aq kritike por edhe shpresëdhënse, në Shqipëri. Vizita kujtohet me kremtimin e një meshe që do të pasohet nga një koncert i përmasave kombëtare nga kori, Musica Nova, nën drejtimin e maestro Harlen Nikolli,” shtoi ai.

Zëdhënsi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja e cilësoi vizitën e Papa Gjon Palit të II dhe Nenë Terezës, që shoqëronte Papën në Katedralën e Shkodrës më 25 prill, 1993, si një, “Demostrim i lidhjes së hershme dhe besnikërisë unikale të katolikëve të Shqipërisë ndaj kishës universale dhe katedres së Shën Pjetrit.”  Sipas zëdhënsit, premtohen një seri programesh nepëmjet të cilave, Kisha po shënon këtë datë të shënuar – 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri — për historinë e Kishës Katolike shqiptare, por njëkohsisht, edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar dhe për marrëdhëniet shekullore midis Vatikanit dhe trojeve Arbërore.  Si rrjedhim, ai njoftoi se edhe në nivel shtetëror, kjo vizitë do të kujtohet me organizime të ndryshme kulturore dhe të tjera.

Gjatë vizitës së tij në Shkodër me 25 prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, përshëndeti para të gjithë shqiptarëve dhe botës, Bijën e Kombit Shqiptar, Gonxhe Bojaxhiun –Nenë Terezën, me këto fjalë: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Por të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte, pikërisht, kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur, e më të varfërve ndër të varfër, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”, ka falënderuar Kombin Shqiptar, Papa Gjon Pali, që i ka falë botës bijën e vet, Nenë Terezën.

Nga Shkodra, Papa Gjon Pali është kthyer — atë ditë të 25 prillit, 1993 — në Tiranë, nga ku, para se të largohej nga trojet e Gjergj Kastriotit-Skenderebe ka përshëndetur Shqipërinë dhe ka falënderuar mbarë Kombin shqiptar për pritjen madhështore që i kishin bërë atij të gjithë shqiptarët me atë rast, pa dallim feje a krahine: “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi momenti i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirë u pafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”, ka përshëndetur Papa Gjon Pali i II duke i dhënë fund vizitës historike të tij në Shqipëri më 25 prill, 1993!

Siç dihet, ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.  I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak, do të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos  të izolimit nga Perëndimi demokratik, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin por edhe dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  30-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe sprovash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot pas 30-vitesh, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi, po kalojnë një periudhë tepër vështirë e dramatike, sidomos, përballë largimit të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore gjatë 10-viteve të fundit: ”Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”! Por edhe thirrja e tij për kujtesën e përhershme: “Që të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja…kjo liri e besimit fetar,të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri me 25 prill, 1993, ndërsa ka theksuar se, sado të vështira qofshin sfidat, ato janë më të lehta për tu përballur sipas tij, “Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, (të dates 25 prill, 1993) le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Se çrregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore, gjithçka është më e lehtë për tu përballur, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër e motra dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 30-vjet më parë, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.  

Respekti, toleranca e pse jo edhe dasguria për njërin tjetrin janë e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja bashjetese dhe tolerance politike drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Me qëllim që shqiptarët, “Të fluturojnë sa më lartë, ashtu si shqiponjat që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, siç është shprehur – Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, 21 shtator 2014.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT