• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT MË FORT SE KURRË: “QËNDRO SHQIPËRI!”

April 26, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

                                                        30-vjetori i vizitës së tij në Shqipëri

“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!  (Papa Gjon Pali i II, 25 Prill, 1993 në vizitën e tij historike në Shqipëri).

Me 25 prill 2023, Kisha Katolike në Shqipëri dhe shqiptarët kudo, kujtojnë 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në tokën Arbërore. Është kjo një datë e shënuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por është historike, sidomos për Kishën Katolike në Shqipëri, pasi ajo vizitë – e para në trojet shqiptare — ndodhi aq shpejt pas një periudhe të gjatë e të errët, gjysëm shekullore, kur Kisha dhe kleri shqiptar, në përgjithësi, kishte pësuar vuajtjet, vrasjet dhe persekutimin më barbar të komunizmit, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës dhe botës.

Për të shënuar këtë datë të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve, zëdhënsi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja deklaroi për Radio Vatikanin në gjuhën shqipe se udhëheqsit e Kishës Katolike në Shqipëri po e shënojnë këtë përvjetor “me një tubim në Shkodër, mbrëmjen e 25 prillit, në shenjë falënderimi të Madhit Zot për atë vizitë 30-vjet më parë të Papa Gjon Palit të II në një periudhë aq kritike por edhe shpresëdhënse, në Shqipëri. Vizita kujtohet me kremtimin e një meshe që do të pasohet nga një koncert i përmasave kombëtare nga kori, Musica Nova, nën drejtimin e maestro Harlen Nikolli,” shtoi ai.

Zëdhënsi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja e cilësoi vizitën e Papa Gjon Palit të II dhe Nenë Terezës, që shoqëronte Papën në Katedralën e Shkodrës më 25 prill, 1993, si një, “Demostrim i lidhjes së hershme dhe besnikërisë unikale të katolikëve të Shqipërisë ndaj kishës universale dhe katedres së Shën Pjetrit.”  Sipas zëdhënsit, premtohen një seri programesh nepëmjet të cilave, Kisha po shënon këtë datë të shënuar – 30-vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II në Shqipëri — për historinë e Kishës Katolike shqiptare, por njëkohsisht, edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar dhe për marrëdhëniet shekullore midis Vatikanit dhe trojeve Arbërore.  Si rrjedhim, ai njoftoi se edhe në nivel shtetëror, kjo vizitë do të kujtohet me organizime të ndryshme kulturore dhe të tjera.

Gjatë vizitës së tij në Shkodër me 25 prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, përshëndeti para të gjithë shqiptarëve dhe botës, Bijën e Kombit Shqiptar, Gonxhe Bojaxhiun –Nenë Terezën, me këto fjalë: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Por të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte, pikërisht, kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur, e më të varfërve ndër të varfër, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”, ka falënderuar Kombin Shqiptar, Papa Gjon Pali, që i ka falë botës bijën e vet, Nenë Terezën.

Nga Shkodra, Papa Gjon Pali është kthyer — atë ditë të 25 prillit, 1993 — në Tiranë, nga ku, para se të largohej nga trojet e Gjergj Kastriotit-Skenderebe ka përshëndetur Shqipërinë dhe ka falënderuar mbarë Kombin shqiptar për pritjen madhështore që i kishin bërë atij të gjithë shqiptarët me atë rast, pa dallim feje a krahine: “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi momenti i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë, fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirë u pafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”, ka përshëndetur Papa Gjon Pali i II duke i dhënë fund vizitës historike të tij në Shqipëri më 25 prill, 1993!

Siç dihet, ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.  I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i II, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak, do të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos  të izolimit nga Perëndimi demokratik, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin por edhe dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  30-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe sprovash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot pas 30-vitesh, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi, po kalojnë një periudhë tepër vështirë e dramatike, sidomos, përballë largimit të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore gjatë 10-viteve të fundit: ”Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”! Por edhe thirrja e tij për kujtesën e përhershme: “Që të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja…kjo liri e besimit fetar,të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri me 25 prill, 1993, ndërsa ka theksuar se, sado të vështira qofshin sfidat, ato janë më të lehta për tu përballur sipas tij, “Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, atëherë që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, (të dates 25 prill, 1993) le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Se çrregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore, gjithçka është më e lehtë për tu përballur, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër e motra dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 30-vjet më parë, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.  

Respekti, toleranca e pse jo edhe dasguria për njërin tjetrin janë e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja bashjetese dhe tolerance politike drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Me qëllim që shqiptarët, “Të fluturojnë sa më lartë, ashtu si shqiponjat që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, siç është shprehur – Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, 21 shtator 2014.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli

30-VJETORI I TAKIMIT MEKSI-CLINTON

April 24, 2023 by s p

30-VJETORI I TAKIMIT TË ISH-KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ALEKSANDËR MEKSI ME PRESIDENTIN BILL CLINTON DHE ZËVËNDËS PRESIDENTIN AL GORE NË SHTËPINË E BARDHË

Nga Frank Shkreli*

Ishte 22 Prilli, 1993 – 30- vjet më parë – Muri i Berlinit ishte shembur, regjimi komunist i Enver Hoxhës – të pakën në sipërfaqe dukej se kishte rënë —  dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane — pas një ndërprerjeje të njëanshme prej pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi diktatorial komunist enverist – ishin rivendosur me 15 mars 1991. Delegacioni i parë diplomatik amerikan vajti menjëherë në Shqipëri për të filluar kontaktet e para dhe kishte ndërmarrë hapat e parë për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mars/prill, 1991, në Tiranë.  Ekzistonte një entuziazëm i paparë deri atëherë nga Tirana zyrtare dhe Kombi shqiptar në përgjithësi, por edhe nga Washingtoni zyrtar, për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy kombeve tona – të ndërprera, aq brutalisht, për pothuaj 5 dekada nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.

Gjithçka kishte filluar me këmbë të mbarë në marrëdhënie e reja—ose të njoma – aq shumë inocente që dukeshin në atë kohë – përball realitetit të sotëm, midis dy kombeve tona. Ish-Presidenti i Shqipërisë, Dr Sali Berisha, i ftuar nga Presidenti George H. Bush i vjetër, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit 1992.  

Një vit më vonë,  me 22 Prill, 1993 Kryemistri i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi ishte ftuar në Washington nga Presidenti demokrat Bill Clinton.  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Clinton kishte ftuar udhëheqës shtetesh e qeverish nga Evropa Lindore/Qendrore për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut të Hollokaustit në Washington, Prill, 1993. Takimi ishte gjithashtu edhe një rast i mirë për udhëheqsit e rinj amerikanë që të takoheshin me disa prej udhëheqsve post-komunistë të Evropës Lindore/Qendrore, me të cilët do merreshin për 8-vitet e ardhëshme të mandatit Clinton/Gore. 

Shqipëria përfaqësohej nga Kryeministri i saj, Aleksandër Meksi me delegacionin e tij, i cili zhvilloi një takim me Presidentin Clinton e që pas pak kohë, takimit iu bashkua edhe Zevendës Presidenti Al Gore. Të dy udhëheqsit amerikanë u treguan shumë të interesuar për zhvillimet demokratike në Shqipëri por edhe për zhvillimet në rajon, duke marrë parsyshë luftën në ish-Jugosllavi. Të gjithë e dinin se ishte çeshtje kohe që lufta do përhapej edhe në Kosovë. 

Shqipëria kishte treguar interesim që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt bisedimi Meksi/Clinton, në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Ndër vendet që përfaqësoheshin në atë tubim të organizuar nga Shtëpia e Bardhë ishin Shqipëria, Portugalia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Moldova dhe natyrisht edhe Izraeli, pasi kremtohej hapja e Muzeut të Hollokaustit në Washington.

Qysh atëherë, Shqipëria kishte treguar interesim e saj që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt edhe i takimit Meksi/Clinton në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryeministri i parë post-komunist i atij vendi, i qeverisë së dalë nga Partia Demokratike e Shqipërisë me delegacionin e tij (Arian Starova dhe Roland Bimo) në takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton dhe Zëvendës Presidentin Al Gore në Shtëpinë e Bardhë, 22 Prill, 1993.   (Autori në të djathtë të fotos)

Frank Shkreli

*Shënim nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 

    Sikur të ishin dy miq të vjetër…para takimit zyrtar – 22 prill, 1993

Filed Under: Interviste Tagged With: Frank shkreli

GJEKË MARINAJ: “PARADIGMA E PARAJSËS – Poezi për dashurinë”

April 22, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence “Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë evropianë…Kur lexojmë poezinë e tij për kalimin e Akeronit, lumit të sketërrës, atë që ndan jetën nga vdekja, s’ka si të mos na kujtohet episodi prekës, ku ai, djaloshi i ri, u arratis dramatikisht nga Shqpëria totalitare më 1990, duke kapërcyer me “not” një lumë, që shërbente si kufi”. (Ismail Kadare për librin më të fundit, “Paradigma e Parajsës), të poetit dhe shkrimtarit Gjekë Marinaj).

Dr Gjekë Marinaj, poeti dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan është i mirënjohur tashmë, jo vetëm në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet mbarë shqiptare.  Ata që ndjekin veprimtarinë e tij si poet e shkrimtar, përkthyes, kritik letrar, botues dhe filozof, e dinë se Dr. Gjekë Marinaj vazhdon të kapërcej kufijt dhe kufizimet intelektuale, që dekada më parë, kishte imponuar mbi të dhe të gjithë bashkatdhetarët e tij, regjimi barbar komunist enverist, për pothuaj një gjysëm shekulli. Përveç veprimtarisë së tij si poet e shkrimtar dhe si profesor që jep mësim në një prej universiteteve më të njohura në shtetit Teksas të Shteteve të Bashkuara – poeti me origjinë nga Malësia e Madhe – me kontributet  dhe kapacitetet e tija intelektuale të përmasave botërore, Dr. Marinaj nderon veten, komunitetin shqiptaro-amerikan, por mbi të gjitha i jep një emër të mirë Kombit shqiptar dhe shqiptarëve kudo. Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë evropianë”, është vlersimi që i bënë, Ismail Kadare librit më të fundit të Gjekë Marinajt —“Paradigma e Parajsës – Poezi për dashurinë”. 

Me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirse, ai njihet tanimë, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës, si një intelektual i dorës së parë, i cili ka tejkaluar me guxim dhe kuriozitet, jo vetëm kufijt gjeografikë midis kombeve dhe kontinenteve, por edhe kufijt e mirëkuptimit midis njerëzve, kulturave dhe gjuhëve botërore.  Poeti shqiptaro-amerikan, Dr Gjekë Marinaj ka siguruar një reputacion ndërkombëtar tashmë, për tu pasur lakmi nga çdo kush, si një mbështetës dhe promovues i diplomacisë kulturore dhe si ndërmjetës midis letërsisë dhe filozofisë në shoqëri dhe në botë.   Frank Shkreli: Gjekë Marinaj, poeti erudit malësor shqiptaro-amerikan po pushton botën me poezinë e tij | Gazeta Telegraf

Akademiku, poeti dhe shkrimtari ynë i nderuar nga Malësia e Madhe — i palodhëshëm dhe shpesh i paarritshëm në fushën e veprimtarisë së tij të gjithëanshme – ka pasuruar jo vetëm botën shqiptare por mbarë botën, në kuptimin e vërtetë të fjalës – me mbi 20-vepra, të përkthyera dhe të botuara në më shumë se një dyzinë gjuhësh të huaja, në disa kontinente. “Marinaj është një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit 21, siç ishte Pablo Neruda në shekullin 20-të”, vlerëson poetin shqiptaro-amerikan për veprën e tij më të fundit, “Paradigma e Parajsës – Poezi për dashurinë”, ndër të tjerë edhe Gazeta Gyeonggi nga Seuli i Koresë së Jugut. Ndërsa gazeta Washington Daily News shprehet për poetin toinë malësor, se “Gjekë Marinaj është poeti për të cilin bota ka pritur kaq gjatë.”

Libri i fundit që Dr Gjekë Marinaj ka botuar në shqip nga Shtëpia Botuese, “Faik Konica” në Prishtinë – besoj se së shpejti, siç ka ndodhur me librat e tij më të hershme, do të përkthehet gjithashtu edhe në gjuhë të huaja, është “Paradigma e Parajsës –me 51 poezi gjithsejt kushtuar, siç shkruan vet autori, “bashkshortes sime Dusitës në 30-vjetorin e martesës.”  Përveç poezive dedikuar bashshortes së tij me rastin e 30-vjetorit të martesës së tyre, Gjekë Marinaj ka përfshirë në këtë vëllim edhe poezi të tjera të pabotuara më parë, sipas autorit.

Mua më pëlqen poezia në përgjithsi, por nuk mund të them se jam i aftë të gjykoj as të vlerësoj poezinë e Gjekë Marinajt, apo ndonjë poeti tjetër, ashtu siç do të bënte një poet i mirëfillt, pasi fatkqesisht, nuk është një fushë me të cilën jam marrë në jetën dhe karrierën time. Por, ajo që vej re dhe që mund të them deri diku me siguri — me aq sa mund të gjykoj unë — vepra e fundit e Gjekë Marinajt por edhe të tjera në përgjithësi të këtij poeti e shkrimtari, tashti i njohur botërisht për meritat e tija letraro-artistike dhe jo vetëm e që pasurojnë bibliotekat shqiptare dhe botërore. Po jam i bindur se Gjekë Marinaj po jep një kontribut edhe më të rëndësishëm, në nxitjen e forcave pozitive kombëtare dhe ndërkombëtare, forcave krijuese të mirëkuptimit njerëzor – në botën tonë shqiptare, po se po, por edhe anë mbanë botës.  Të gjithë ata që dinë më shumë për poezinë dhe që njohin mirë veprimtarinë poetike të Gjekë Marinajt, shprehen se poezia e tij pasqyron me guxim dhe aftësi të jashtzakonshme motivet e ditëve tona, duke u marrë edhe me problemet e realitetit tonë, qoftë madje edhe subjekti i dashurisë ose mirëkuptimi midis njerëzve, kulturave dhe gjuhëve. Trajtimi i subjekteve bashkohore është i rëndësishëm për poetin si një mjet që ndryshon veten, ndërsa përpiqet të ndërrojë, njëkohsisht, edhe botëkuptimet dhe psikolgjinë e të tjerëve për rreth.

“Gjatë kompozimit të këtyre vargjeve kam besuar si gjithmonë, se vjershat e dashurisë, nëse të menduara mirë dhe të shprehura mirë, me kulturë të lartë gjuhësore e dhunti të vërtetë poetike, e kanë aftësinë për të bërë ndryshime pozitive në jetën tonë. Midis tjerash ato mund të na edukojnë, frymëzojnë, argëtojnë dhe të na japin mundësinë për ta kuptur veten dhe botën më mirë,” shprehet autori në parathenjen e librit të tij më të fundit, “Paradigma e Parajsës – Poezi për dashurinë”.

E thonë ekspertët se Gjekë Marinaj me poezinë e tij ka sjellë një frymë të re që ka filluar të përshkojë jo vetëm poezinë shqiptare, por edhe atë botërore, si një domosdoshmëri e kohës, si një afrim i saj me jetën bashkohore moderne të ditëve të sotëme, përtej kufijve gjuhësorë, politikë dhe intelektualë.  Është një frymë e re që siç duket ka tërhequr tashmë vëmendjen e personaliteteve eskpertë më të njohura të poezisë

botërore por edhe të qarqeve akademike amerikane dhe ndërkombëtare, gjë që duhet të na bejë të gjithëve krenarë për veprimtarië dhe reputacionin ndërkombëtar të poetit dhe shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Dr Gjekë Marinaj.

Po e përmbylli këtë shënim modest me rastin e botimit më të fundit të poetit Dr. Gjekë Marinaj – me një vlerësim nga Z. Wole Soyinka, autorit e poetit nigerian dhe fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1986: “Kur miku im Prof. Jerry Kuye më tha se kishte zbuluar një poet të veçantë nga të gjithë poetët që ai kishte lexuar më parë, mendova se poezitë (që ai m’i la për t’u hedhur një sy) do të ishin të shkruara me numra apo simbole abstrakte, e jo me shkronja. Vetëm pasi i lexova ato, të cilat mbanin për autor poetin Gjekë Marinaj, e kuptova se ku ishte fjala. Nëse Marinaj vazhdon të shkruaj kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët, e gjithë bota letrare do e kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese të Prof. Kuye’s për Gjekën”, ka shkruar në librin e Gjekë Marinajt, fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1986, nigeriani Wole Soyinka.

Përballë këtyre vlerësimeve nga disa prej emrave më të njohur të letërsisë botërore, për veprën e fundit të poetit shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinajt — fjalët e mia do të ishin të tepërta, të panevojshme dhe të padobishme.

Frank Shkreli

Soyinka in 2018
Image result for ismail kadare

Wole Soyinka, autori e                        Ismail Kadare

poetit nigerian dhe fituesi i

Çmimit Nobel për Letërsi

në vitin 1986

A child standing in front of a chalkboard

Description automatically generated with medium confidence

                  V A book cover with a person's face on it

Description automatically generated with low confidence

Për të interesuarit, libri mund të gjëndet në Amazon books — Paradigma e parajses: Gjeke Marinaj: 9780982576748: Amazon.com: Books

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frank shkreli

“NGA SOT KEMI NJË COPËZ KOSOVË NË ZEMËR TË KALABRISË”

April 13, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidenceKështu u shpreh Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj këto ditë në Kalabri.  Ajo gjëndet në mesin e Arbëreshve të Italisë me ftesë të komuniteteve të ndryshme arbëreshe të rajonit të Kalabrisë.  Sipas portalit të zyrës së Presidentes Osmani, gjatë vizitës së saj në Kalabri, ajo zhvilloi takime veças me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të atij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me komunat arbëreshe të asaj zone. Ndërkohë që, në një ceremoni të veçantë, në komunën e Frasnitës, Presidentes Osmani do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”. Presidentja Osmani, në ditën e dytë të vizitës së saj në Kalabri, është takuar edhe me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

Presidentja Osmani ishte ftuar të vizitojë Universitetin Kalabria ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e atij universiteti të njohur.  Në të gjitha këto takime, thuhet në njoftimin e Presidencës së Republikës së Kosovës, se Zonja Osmani do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë ku jetojnë arbëreshët, si dhe mbi bashkunimin e institucioneve të Kosovës për të ndihmuar komunitetet arbëreshe për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani, thuhet në njoftimin për vizitën.  Ndërkaq, theksohet se gjatë vizitës së saj në Kalabri, Presidentja e Kosovës mori pjesë në aktivitete të shumta me një përqëndrim në traditën, ritet dhe kulturën arbëreshe.

Zonja Osmani e ka cilësuar komunitetin Arbëresh në Itali si një shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen që i bënë me këtë rast vëllezërit dhe motrat arbëreshe. “Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e Rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve”, është shprehur Presidentja e Republikës së Kosovës, në takimet e saj me Arbëreshët.  

Udhëheqsja e Republikës së Kosovës i shprehi falënderimet e saja komunës së Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”, akorduar asaj nga kjo komunë arbëreshe. Ky çmim është një mirënjohje, para së gjithash, për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, ka thenë Presidentja Osmani. Gjatë qendrimit të saj në atë zonë, “në zemër të Arbërisë”, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, është inauguruar sheshi, i cili tani e tutje, do mbaj emrin e Republikës sonë, sheshi, “Kosova” — një copëz Kosovë mu në zemër të Kalabrisë, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani.  

Presidentja e Republikës së Kosovës ka thenë se “Identiteti kulturor e gjuhësor është pjesë e çmueshme e identitetit dhe kulturës shqiptare, Prandaj, ruajtja e tij është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka shtuar ajo duke theksuar se, “Festa e Valleve” gjatë vizitës së saj në komunat në komunat Çift dhe Frasnitë, është një dëshmi e ruajtjes së këtyre traditive shekullore ndër Arbëreshët, ka theksuar Zonja Osmani. 

Kosova, Shqipëria dhe mbarë Kombi Shqiptar u kanë shumë borxhe Arbëreshve, të cilët për pothuaj 600-vjet, ata ruajtën gjuhë e tradita në Italinë mikëpritëse. Me në krye poetin e madh arbëresh, Jeronim De Radën – apostullin e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shumë intelektualë arbëreshë, gjatë shekujve mblodhën dhe ruajtën vlerat, gjuhën dhe traditat, rezultatin e frutëshëm, e të cilave e shohim edhe sot të shpalosur gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës në zonat arbëreshe të Italisë.  “Pesë shekuj besnikërie të nji jete kalue në hullin e dokeve arbnore, larg trollit të dheut të të Parëve, u ligjuen në vepër të De Radës, e cila i dha veshtrim të lumnueshëm mërgimit shekullor të Arbëreshvet”, ka shkuar Ernest Koliqi, edhe ky vet një kontribues i madh i ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe traditave në komunitetet arbëreshe në Itali, shekullin e kaluar. “Prandaj, na Shqiptarët, që muarme në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th fytyrimin e Shqipnisë së lirë, duhet t’i jemi mirënjohës, jo vetëm Poetit të Makjit (De Radës) por edhe vëllazënvet të nji gjuhe e gjaku që nën qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”, ka shkruar Profesor Ernest Koliqi, në artikullin me titull, “T’u jemi mirënjohës Arbëreshvet të Italisë”, botuar në revistën e tij Shejzat, VIII, 1964. Kombi shqiptar u është borxhli dhe duhet t’u jetë mirënjohës Arbëreshvet, sepse sipas Ernest Koliqit, “Nepër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbreshët e Italisë kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerzor e kombtar, që i Nalti Perendi u caktoi atyre, kur në nji stinë duhie e tmeri, kanë lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në vis të huaj, me ikonat (e tyre) fetare dhe me hire shqiptare.”

Këto hire, këto bukuri e hijeshi shqiptare, për të cilat ka shkruar Ernest Koliqi 60-vjete më parë në revistën Shejzat, përfshir identitetin kulturor e gjuhësor të Arbëreshve, e për të cilat foli edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Kalabri — e që sipas saj janë, “Pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare. Prandaj, ruajtja e tyre është jetike për gjithë Kombin tonë”, ka theksuar Presidentja e Republikës së Kosovës,

Ruajtja e identitetit kombëtar vërtetë është jetike, qoftë në trojet shqiptare, qoftë edhe jashtë tyre siç janë Arbëreshët e Italisë, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin shqiptar, shpesh të gjunjëzuar gjatë historisë, por kurrë i humbur!  Ky ishte edhe mesazhi i vizitës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në krahinat arbëreshe të Italisë, këto ditë por dhe simbolika e pritjes madhështore që i akorduan asaj vëllëzërit edhe motrat arbëreshe të “gjakut ynë të shprishur”!

Frank Shkreli 

*Fotot janë marrë nga faqja fejsbuk e Presidencës së Kosovës

May be an image of 11 people

May be an image of 2 people

     

No photo description available.
No photo description available.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

PAPA FRANÇESKU ME KARDINALIN SHQIPTAR ERNEST SIMONIN PËR BEKIMIN “URBIS ET ORBI”, ME RASTIN E PASHKËVE, 2023

April 8, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Fjala dhe bekimi drejtuar, “Urbi et Orbi” –qytetit të Romës dhe Botës mbarë – është bekimi dhe rasti më solemn i Kishës Katolike dhe rezervohet për rastet më solemne të Kishës, siç janë Pashkët e Krishtlindjet. Bekimet “Urbi et Orbi”, drejtuar qytetit të Romës dhe Botës, jepen nga e ashtuquajtura “loggia” e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, normalisht në orën 12 të mesditës dhe transmetohen anë e mbanë botës nga enti evropian, European Broadcasting Union dhe nga lidhje të tjera transmetuese botërore. Predikimi dhe bekimi me këtë rast përfundon me përshëndetje dhe urim nga Papa, për festën e rastit, në shumë gjuhë të huaja, përfshir gjuhën shqipe.

Një lajm shumë i bukur ky! Këtë të djelë të Pashkëve (2023), krah për krah me Papa Françeskun në atë platformë për të bekuar “Urbi et Orbi” dhe për të përshëndetur Botën mbarë me rastin e kësaj feste të madhe për Kishën Katolike, do të jetë Kardinali shqiptar, Ernest Simoni, sipas një njoftimi nga Radio Vatikani shqip. Ky lajm më solli ndër mend kohën gjatë luftës së ftohtë kurnë raste të tilla edhe Zëri i Amerikës transmetonte pa vonesë përshëndetjet e Papës, drejtuar botës në gjuhë të ndryshme, përfshir edhe gjuhën shqipe.

Natyrisht se ky është një moment historik dhe i paharrueshëm për Kardinalin Ernest Simonin, personalisht, por edhe për Kishën e vuajtur Katolike shqiptare. Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar | Gazeta Telegraf. E gjithë bota do mësojë se megjithë përpjekjet prej gjyësm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për ta zhdukur atë dhe klerikët e saj nga faqja e dheut, Kisha Katolike shqiptare qenka gjallë.

Reagimi i Kardinalit shqiptar për të qenë bashkë me papën në këtë moment ishte, kuptueshëm, tepër emocionues dhe i papritshëm. “Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit Shêjt në bekimin “Urbi et Orbi”, si kardinal daikon”, është shprehur Kardinal Simoni për Radio Vatikanin – “lêne ma me kremtue të dielen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë”, ka thenë ai.

Është ky një moment vërtetë i rëndësishëm në jetën e Ernest Simonit, Kardinalit të moshuar 94-vjeçar nga Shqipëria, përfaqsues i Kishës së martizuar Katolike Shqiptare, i cili është emëruar kardinal nga Papa për dëshminë e tij dhe besnikërinë e tij ndaj fesë së tij gjatë 28-viteve burgim e punë të detyruar, “besnik i patrembur”, siç e ka quajtur atë Papa Françesku, duke filluar nga viti 1961 e deri në vitin 1991.

“E kush do ta besonte, kur diktatura korrte e grinte kryekreje meshtarët, se njëri prej tyre do të ngjitej një ditë të lumnueshme Pashkësh, aty ku ngjiten përfaqësusit më në zë të krishterimit? “Armiku i popullit” i akuzuar se kishte kremtuar Meshë për pushimin e pasosur të Presidentit katolik John Fitzgerald Kennedy, i vrarë në Dallas në vitin ’63…”, thuhet në lajmin e botuar për këtë ngjarje nga Radio Vatikani dhe citon një deklaratë të Kardinal Ernest Simonit mbi përvojn e tij në burgjet e Enver Hoxhës:

“Kur isha në burg” – kujton ai – “e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje, ku na kërkohej të trathtojshim deri dhe përmbajtjen e rrëfimeve. Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.

Kjo, ishte jeta e kardinalit! Megjithatë, kurrë nuk e humbi shpresën: “Nuk do ta kisha besue kurrë se mbas aq shumë goditjesh, dhimbjesh mizore të shkaktueme prej zinxhirëve që m’i shtërngonin tmerrësisht kyçet, mbasi më kishin heqë lirinë e, mbi të gjitha, pa mujtë me ushtrue shërbimin e priftit për t’i shërbye njerëzve dhe për të shpallë Lajmin e Madh të Shëlbimit, do të jetojshe tashti ditë kaq të bukura, të pasuna me dhanti shpirtnore në shërbim të besimtarëve, për shpëtimin e shpirtënve. Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t’i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit”, ka përfunduar Kardinal Ernest Simoni reagimin e tij ndaj nderit që i ka bërë Papa Françesku këtij prelati të lartë të Kishës Katolike Shqiptare, duke e ftuar t’i bashkohet atij me rastin e festës së Pashkëve për të uruar, bekuar dhe për të përshëndetur mbarë botën me këtë rast.

Jetë të gjatë edhe Kardinalit Ernest Simoni, ashtuqë edhe ky të jetojë për të dëshmuar duke treguar krimet barbare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, por kundër një Kombi të zënë rob për një gjysëm shekulli!

Paqë të gjithë shqiptarëve me Zotin dhe me njëri tjetrin!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT