• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR DREJTËSI

October 22, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Nuk është vonë kurrë për të dënuar kriminelët dhe krimet e nacizmit dhe të komunizmit.   Deutshe Welle dhe media të tjera gjermane njoftuan ditët e fundit se prokurorët gjermanë kanë përgatitur akuzat kundër një numri personash që thuhet se shërbenin si roje në  kampin nazist të përqëndrimit në Auschwitz, megjithse ka kaluar një kohë e gjatë dhe megjithë faktin se më i riu ndër ta thuhet të jetë jo më pak se 87 vjeç.Njoftohet se zyra e prokurorit gjerman në Frankfurt ka paraqitur një akt-padije kundër një 96-vjeçari — një ndër të fundit që ende janë gjallë — nën akuzën se kishte pasur gisht në vrasjen e mijëra të burgosurve, nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.   Media njofton se personi në fjalë, emri i të cilit nuk njoftohet, kishte qenë anëtar i forcës ushtarake elitare naziste SS dhe si i tillë kishte shërbyer si roje në kampin Lublin-Majanek, në territorin polak të okupuar nga Gjermania naziste, aty ku sipas të dhënave historike, kanë gjetur vdekjen dhjetra mijëra hebrejë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera pakicash etnike. Në një deklaratë të prokurorëve gjermanë, gjithnjë sipas medias, thuhet se personi në fjalë, i cili në atë kohë ishte në moshën 22 vjeçare, “Kishte dijeni për tmerin e vrasjeve të organizuara në masë dhe e dinte se të burgosurit, të cilët përballeshin me fatin e tyre, si të pafajshëm dhe të pa mbrojtur, janë vrarë për arsyet më çnjerzore që mund të merren me mendë.”

Në atë deklaratë të prokurorëve gjermanë theksohet gjithashtu se, “Duke qenë pjesë e grupit të rojeve të burgut”, personi në fjalë i akuzuar nga prokurorët, “ka qenë kontribues në ekzekutimet” (e Festivalit Erntefest) më 3 Nëntor, 1943 ku u u vranë të pakën 17,000 të burgosur hebrejë, pasi u detyruan të hapnin vet varrezat e veta.   Në këtë mënyrë, si roje e burgut, deklaruan prokurorët, personi në fjalë, duke ditur se ç’po nddhte dhe me vullnet, ka “mbështetur këto akte barbare”, thuhet të deklaratën e Prokurorisë gjermane në Frankfurt.

Gjermania, njihet si vendi që gjatë viteve, ç’prej periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore e deri në shembjen e komunizmit dhe më pas, jo vetëm që ka ndjekur për të kapur dhe arrestuar ish-zyrtarët nazistë kudo qofshin ata dhe për t’i sjellur para drejtësisë, por vazhdon të jetë edhe sot shembull për vendet ish-komuniste, për rishikimin e së kaluarës komuniste dhe hapjes së dosjeve.   Me përvojën dhe eskperitzën e saj, Gjermania është duke i treguar vetes dhe të tjerëve se nuk është vonë kurrë të dënohen kriminelët dhe keqbërsit, qofshin ata nazistë ose komunistë, ashtuqë më në fund të mësohet e vërteta e atyre krimeve ç’njerzore.  Këtë e ka bërë dhe e bën edhe për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, me qëllim që ajo histori e tmershme jo vetëm të kujtohet, por të mos harrohet, me shpresë që të mos përsëritet më.

Sipas medias gjermane, rasti i këtij personi dhe të tjerëve si ai, gjykohen duke u bazuar në një standard të ri provash.   Me fjalë të tjera, mjafton që i akuzuari të përballet me drejtësinë, nëqoftse ka punuar në një kamp përqëndrimi ku janë vrarë të burgosurit, madje edhe nëse nuk ekzistojnë prova se ai ka patur lidhje të drejtë për drejtë me vrasjet ose zhdukjen fizike të burgosurëve.

A me të vërtetë duhet të harrohen këta persona dhe krimete tyre, ashtu siç pretendojnë disa — që me dijeni dhe me vullnet kanë marrë pjesë në krime të tilla barbare, qoftë gjatë nacizmit, qoftë gjatë komunizmit — krime të cilat shpesh kalojnë çdo imagjinatë njerëzore, për nga barbarizmi i njeriut kundër njeriut?

Gjermania, e cila i ka provuar duke i përjetuar krimet e të dy këtyre ideologjive vrarëse, thotë: Jo.   I thotë vetes dhe botës, se pa marrë parasyshë sa kohë ka kaluar, nuk mund të vendoset asnjë afat për zbulimin e krimeve dhe as për gjykimin dhe dënimin e atyre personave që kanë marrë pjesë në ato krime ose që kanë qenë dëshmitarë të krimeve kundër njerëzimit, gjatë shekullit të kaluar.   Gjermania, me vepra dhe me prova, i thotë botës se kurrë nuk duhet të skadojë afati që kriminelët të përballen me drejtësinë dhe kurrë nuk duhet të jetë vonë për zbulimin e të vërtetës.

Ky mesazh nuk është vetëm i Gjermanisë për gjermanët, por duhet të jetë një mesazh universal për mbarë botën e qytetëruar, përfshirë botën shqiptare, se pa marrë parasyshë kalimin e kohës, krime të tilla kundër njerëzimit, të kryera nga nacizmi dhe komunizmi gjatë shekullit të kaluar, nuk duhet të tolerohen kurrë nga asnjë shoqëri e civilizuar dhe se kurrë nuk duhet pushuar të kërkohet dhe të zbulohet e vërteta.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KURRË NUK ËSHTË, VONË PËR DREJTËSI!

HAJDUTËT JANË KUDO….SITUATA ËSHTË DËSHPËRUESE

October 19, 2017 by dgreca

VRASJA E GAZETARES SE ANTIKORRUPSIONIT/

1-frank-300x212 

Nga Frank Shkreli/”Hajdutët janë kudo. Situata është dëshpëruese”.  Këto ishin fjalët e fundit të gazetares së vrarë malteze, Daphne Caruana Galizia në portalin e saj, 30-minuta para se të gjënte vdekjen të hënën — një prej gazetarëve më të njohur investigativë në Maltë e ndoshta edhe në Evropë, ndërsa përshkruante gjëndjen e krijuar politike në Maltë. Ajo gjeti vdekjen, nga plasja e një bombe që ishte vendosur në makinën e saj, pak pasi ishte larguar nga shtëpia. Daphne Caruana Galizia njihej për kurajon dhe luftën e saj me penë, kundër korrupcionit, jo vetëm në Maltë, por edhe jashtë kufijve të saj. Portali “Politico” e kishte përmendur më heret gazetaren Galizia si një prej 28 individëve të cilët do të kishin një ndikim të madh në Evropë gjatë vitit 2017, për punën e saj diligjente, në përpjekje për të zbuluar aferat korruptive në skenën politike të Maltës.   Gazetarja Galizia njihej anë embanë Evropës për punën e saj në fushën e gazetarisë investigative.

Rrjeti televiziv ameirkan CNN e cilësoi portalin e saj “Running Commentary”, ose Komenti në Vijim, si njërin prej portaleve më me influencë në fushën politike të Maltës dhe si faktorin kryesor që detyroi Kryeministrin e atij vendi, Z. Joseph Muscat të bënte thirrje për zgjedhje të reja katër muaj më parë, pasi ajo kishte bërë akuza të hollësishme dhe të një pas njëshme, kundër Kryeministrit të vendit, duke akuzuar për lidhjet e tij me skandalin e dalur nga botimi i pautorizuar i të ashtuquajturave “Panama Papers”, pikërisht për lidhjet me familjen Alijev që udhëheq Azerbaixhanin.   Sipas disa burimeve të medias, bashkshortja e Kryeminsitrit maltez ishte akuzuar gjithashtu, ndër të tjera, se kishte një llogari sektrete bankare në Panama, ndonëse sipas raporteve në media, thuhet se këto akuza janë përgnjeshtruar si nga Z. Muscat ashtu edhe nga bashkshortja e tij.

Ndërkaq, megjithse pranoi se gazetarja Galizia ishte ndër kritikët më të ashpër të tij, personal dhe politik, Kryeministri Muscat dënoi, siç u shpreh ai, “pa rezervë” , duke e cilësuar vrasjen e gazetares si “një sulm barbar kundër një personi dhe kundër fjalës së lirë në vendin tonë”, ndërsa urdhëroi shërbimet e sigurisë malteze që të përdorin maksimumin e burimeve të tyre për të zbuluar vrasësit.   Ai u citua t’u ketë thënë gazetarëve se, “Sot ësht një ditë e zezë për demokracinë tonë dhe për lirinë tonë të shprehjes”.

Reagimet ndaj vrasjes barbare të gazetares malteze ishin të shpejta dhe të forta gjithashtu nga burime qeveritare dhe jo-qeveritare edhe jashtë Maltës.   Zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Heather Neuhart e dënoi ashpër vrasjen e gazetares Galizia duke e cilësuar atë si një, “Akt prej frikacaku, që mori jetën e një prej gazetareve më të talentuara dhe të guximshme, të një gazetarje e cila ia kishte kushtuar karierën e saj luftës për zbatimin e ligjit dhe luftës kundër korrupcionit”, duke hedhur sado pak dritë mbi këtë fenomen shoqëror në vendin e saj.   Zëdhënsja e DASH tha gjithashtu se FBI-ja amerikane i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryeministrit të Maltës për ndihmën amerikane në zhvillimin e hetimeve dhe për zbardhjen e vrasjes barbare të gazetares malteze Daphne Curuana Galizia, në moshën 53-vjeçare. Ndërkaq, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, me anë të një deklarate u bën thirrje autoriteteve të Maltës që sa më shpejt që të jetë e mundur të kapen vrasësit dhe të garantojnë drejtësinë për zbulimin e vrasësve të gazetares së njohur.   Sipas këtij enti për mbrojtjen e gazetarëve, Znja Galizia kishte njoftuar policinë e vendit dy javë më parë, se ajo kishte marrë kërcënime për vdekje nga perosna të pa njohur.   “Daphne Caruana Galizia kishte hetuar korrupcionin në fushën politike dhe tregtare, por edhe krimet në radhët e botës kriminale”, thuhet në deklaratën e Komitetit për Mbrojtjene Gazetarëve.  “Prandaj hetimet për vrasjen e saj duhet të jenë të gjithanshme, të besueshsme dhe të shpejta”, shprehet mëtej Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve nga Nju Jorku.

Edhe në Evropë pati reagime të shpejta ndaj vrasjes barbare të gazetares së njohur të Maltës.   Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani, u shpreh në “Twitter” se rasti i gazetares Galizia, “Është një shembull tragjik” i një gazetarjeje e cila “Sakrifikoi jetën, në përpjekjet e sajë për të zbuluar të vërtetën”.   Ndërsa, Drejtori i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativ, Z. Gerard Ryle u bëri thirrje autoriteteve të Maltës që të “Bëjnë hetime të shpejta dhe vrasësit t’i sjellin sa më parë para drejtësisë”.   Ndërsa Komisioni Evropian shprehu shqetësimin e tij të madh për vrasjen e gazetares Galizia dhe e dënoi aktin duke bërë thirrje për kapjen sa më parë të atyre që kryen këtë akt të tmershëm.

“Jemi tmeruar nga fakti se një gazetare shumë e njohur dhe tepër e respektuar, Znja Daphne Caruana Galizia humbi jetën në atë që siç duket ishte një sulm i paramenduar dhe i qëllimshëm”, u shpreh para gazetarëve, zëdhënsi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.  Ai  shtoi se Komisioni Evropian dhe Presdienti i këtij enti, Z. Jean Claude Juncker e kanë dënuar ashpër këtë akt mizor.   ”E drejta e gazetarit — për të hetuar, për të bërë pyetje që nuk janë të lehta për t’iu përgjigjur dhe për të raportuar efektivisht, –është në qëndër të vlerave dhe nevojave tona, e që duhet të mbrohet përhera.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, SE ANTIKORRUPSIONIT, VRASJA E GAZETARES

100-VJETORI I VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT DO TË PËRKUJTOHET NË WAHINGTON

October 16, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Nëntori 2017 shënon 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik.  Historia tregon se një natë tëftohtë në Petrograd, 100-vjetë më parë, një grup i vogël Rojesh të Kuqe morën nën kontroll Pallatin Dimëror dhe instaluan qeverinë e parë komuniste në botë.   Revolucioni Bolshevik shënoi fillimin e një shekulli, gjatë të cilit mbështetësit e ideologjisë komuniste bënë disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur historia e njerëzimit.Me rastin e këtij përvjetori, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, me 7-9 të muajit që vjen, organizon në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku do të marrin pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një numër ekspertësh dhe historianësh të dalluar të kësaj fushe, të ardhur nga Evropa dhe nga Amerika.

1 Gjoni Viktim komuniz

Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington, pjesmarrse e rregullt ne veprimtarite per krimet e komunizmit prane monumentit perkates ne Washington./

Në njoftimin për zhvillimin e punimeve, në shënim të 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, Fondacioni në fjalë shprehet se me këtë rast, “Do të mblidhemi për të nderuar kujtimin e më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit, njëkohësisht, edhe për të festuar lirinë atje ku ka triumfuar tanimë, por edhe për të vazhduar përpjekjet tona, për një botë të lirë nga komunizmi.”

Sipas programit të njoftuar, përkujtimi i viktimave të komunizmit me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik në Rusi, dita e parë e punimeve me 7 nëntor, do të fillojë me një konferencë për shtypin dhe me shfaqjen e filmit, “Gratë e Gulagut”, një film dokumentar ku pasqyrohen tregimet personale tragjike të 6-grave që kanë vuajtur si të burgosura politike në gulagun Stalinist sovjetik.Njoftohet se me 8 Nëntor, në njërën prej sallave të ligjvënsëve amerikanë të Bibliotekës së Kongresit, do të mbahen me këtë rast, ligjërata nga anëtarë të Kongresit, ndërsa panelistë të njohur në fushën e historisë së komunizmit, do të diskutojnë dhe do të shqyrtojnë lidhjet midis ideologjisë marksiste dhe praktikave politike, ekonomike, kulturore dhe të politikës së jashtme, të përdorura nga regjimi i ish-Bashkimit Sovjetik.   Në mënyrë më specifike, thekson programi, ekspertët do të diskutojnë se si idetë e Karl Marksit — në të vërtetë — u pasqyruan në përdorimin e praktikave revolucionare, në themelimin e regjimit komunist Bolshevik dhe të Bashkimit Sovjetik, si entitet politik e shtetëror.   Temat për diskutim, nga një listë e gjatë e disa prej ekspertëve më të njohur të kësaj fushe në Amerikë dhe në Evropë, sipas njoftimit të Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, do të përfshijnë edhe luftën totalitare që sovjetikët kanë përdorur gjatë sundimit të tyre, kundër institucioneve vullnetare që përbënin shoqërinë civile, por do të preken edhe subjekte si imperializmi sovjetik, Kombet e Robëruara nga komunizmi dhe Lufta e Ftoftë, ndër të tjera.

The Victims of Communism Memorial Foundation

Dita e dytë e kujtimit të viktimave të komunizmit në Washington, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, do të përfshijë gjithnjë komente nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara si dhe diskutime nga ekspertë të ndryshëm dhe të njohur botërisht për ekspertizën e tyre historike të komunizmit gjatë shekullit të kaluar.   Ndër subjektet që pritet të diskutohen – sipas programit të njoftuar deri më tani – janë edhe lidhjet midis të Vërtetës, Kujtimit dhe Drejtësisë, me qëllim llogaridhënjen dhe përgjegjësinë për krimet e bëra, por edhe për të pranuar dhe për t’u përballur me të kaluarën e krimeve të regjimeve komuniste.   Përveç kësaj, një vend të posaçëm në diskutimet e ditës së fundit të përkujtimit të viktimave të komunizmit, do të zenë aktivitetet subversive sovjetike jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, përmasat e krimeve të komunizmit mbrenda vendit, si dhe pengesat me të cilat përballen sot historianët në përpjekjet e tyre për të shkruar një histori të vertëtë të krimeve të regjimeve komuniste.   Specifikisht, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik dhe të viktimave të komunizmit, ekspertët e ftuar dhe ligjvensit amerikanë do të theksojnë sidomos edhe rëndësinë e kujtimit, të pajtimit dhe të drejtësisë për viktimat e komunizmit, por edhe rrezikun që paraqesin përpjekjet e tanishme për të treguar, ndryshe nga e vërteta, historinë e periudhës komuniste dhe nëse është e mundur të tejkalohet trashëgimia sovjeto-komuniste dhe nëse, si përfundim, populli rus më në fund, mund të jetojë në liri të vërtetë.

Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, që po organizon ceremonitë në nëntor, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, ka ftuar gjithashtu që në këtë përkujtim të marrin pjesë edhe përfaqsues të shumë nga vendet ish-komuniste, ose ish-Kombet e Robëruara, siç njiheshin me fjalorin e Luftës së Ftohtë.   Njoftohet se nga Shqipëria është ftuar në Washington të marrë pjesë në këtë përkujtim të viktimave të komunizmit edhe Z. Simon Mirakaj — ish i përndjekur politik, familja e të cilit për dekada ka vuajtur internimet e tmershme të regjimit të Enver Hoxhës dhe aktualisht anëtar i Autoritetit për Informim i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga 30 Nëntori 1944 deri në 2 korrik të vitit 1991, në Shqipëri.   Në një intervistë ditët e fundit me gazetën Telegraf në Tiranë, Z. Mirakaj, në kapacitetin e tij si anëtar i këtij Autoriteti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, u shpreh se, “Diktatura komuniste duhet të shihet si një e keqe e përbashkët nga i gjithë spektri politik” shqiptar, duke shtuar se, “Ballafaqimi me të kaluarën komuniste dhe dënimi i saj është një domosdoshmëri për të pasur një të ardhme të sigurt drejtë Evropës së bashkuar.   Çdo nismë për të ndaluar simbolet e komunizmit, mendoj se i shërben të ardhmes, i shërben demokracisë”, përfundoi Z. Mirakaj.

Besoj se gjatë vizitës së tij në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në ceremonitë që do të shënojnë 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, Z. Mirakaj do të gjejë mbështetje të fortë në Washington për qëndrimin e tij se edhe Shqipëria, pas 27 vjetë post-komunizëm, duhet që, më në fund, të përballet seriozisht me të kaluarën e saj komuniste – në këtë 100-vjetor të Revolucionit Bolshevik – duke iu bashkuar pjesës tjetër ish-komuniste të Evropës, për të kujtuar viktimat e shumta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me qëllim dhe shpresë që e kaluara të mos përsëritet më dhe që të ketë gjithashtu një distancim serioz dhe zyrtar nga trashëgimia e atij regjimi, trashëgimi që fatkeqsisht edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli, vihet re kudo në jetën politike dhe shoqërore shqiptare –shpeshëherë me aprovimin zyrtar ose dukuria publike e kësaj trashëgimije trajtohet në heshtje nga ana e e autoriteteve.   Tirana zyrtare e ka për detyrë që, të pakën aq sa Washingtoni, që nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, të tregojë më në fund gatishmërinë dhe seriozitetin e saj që duhet t’i kushtojë rëndësisë së kujtimit të krimeve të komunizmit, të pajtimit kombëtar dhe të drejtësisë për viktimat e e atij regjimi — të gjallë e të vdekur në Shqipëri — ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, e të cilat sot janë anëtare të plota të organizmave euro-atlantike.   Ky duhet të jetë një obligim solemn dhe angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara.

 https://centennial.victimsofcommunism.org/index/schedule

Filed Under: Politike Tagged With: 100 vjetori, Frank shkreli, i viktimave, të komunizmit, Washington

EVROPË, KËTO NUK JANË VLERAT E PËRBASHKËTA!

October 11, 2017 by dgreca

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lavdëroi ish-gjenralin serb Vladimir Lazareviq, një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë, për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO në Kosovë, duke u shprehur se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës.

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Fund javën që kaloi, një numër gazetash amerikane botuan lajmin e përhapur nga agjencia amerikane e lajmeve, Asosiejted Pres, se Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lavdëroi ish-gjenralin serb Vladimir Lazareviq, një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë, për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO në Kosovë, duke u shprehur se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës.

Sikur Serbia të kishte shprehur më parë turpin e saj dhe të kishte kërkuar falje për krimet e shtetit serb në Kosovë kundër popullësisë civile gjatë luftës më 1999, por edhe më parë, gjë që nuk e ka bërë kurrrë,  Ministri serb i Mbrojtjes deklaroi se, “Ka kaluar koha e turpit dhe se tani është koha për një krenari të qetë”, duke shtuar se ish-gjenerali Lazareviq i dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime lufte në ish-Jugosllavi, si dhe ushtarakët e tjerë serb që morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të paarmatosur në Kosovë, “Duhet të dallohen si ndër më të mirët dhe më të guximshmit”, e ushtrisë serbe, për rolin e tyre në luftën kundër popullësisë civile shqiptare të paarmatosur në Kosovë.

I lexon njeriu këto rreshta dhe është e pamundur të mos kujtohen imazhet nga masakrat e civilëve shqiptarë të pafajshëm, si ajo në Reçak, por edhe të tjera mizori, anë e mbanë Kosovës që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore të Millosheviqit.   Masakra kundër një popullësie të pa-armatosur nga kriminelët, “më të mirë e më të guximshmit” e ushtrisë dhe të policisë serbe në luftën e Kosovës, me të cilët tani Serbia, sipas Ministrit serb të Mbrojtjes, jo vetëm që nuk duhet të jetë e turpëruar, por përkundrazi, duhet të krenohet.

Nuk jam në dijeni nëse Bashkimi Evropian ka reaguar ende ndaj kësaj deklarate absurde dhe të pa moralshme – e që është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane – deklaratë kjo e një zyrtari të lartë serb, e për më tepër e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë.   Deklarata e Ministrit serb u bë dy tre ditë para se të mbahej në Prishtinë një konferencë mbi perceptimet publike të Gjykatës së Posaçme për krime lufte, në të cilën mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.   Gjatë debatit, udhëheqsi i Kosovës shprehu dyshimet e tija nëse kjo gjykatë do të mund të venë drejtësi dhe nëse me të vërtetë do të ndihmojë pajtimin etnik në Kosovë.   Dyshimet e Z.Thaçi janë me vend.   Si mund të ketë pajtim etnik në Kosovë – me ose pa Gjykatë Speciale — kur udhëheqsit më të lartë serbë, publikisht dhe pa pikë turpi, lavdërojnë si, “më të mirët dhe më të guximshmit” e ushtrisë serbe, pikërisht ata që kryen krime lufte kundër popullësisë civile të pafajshme dhe të paarmatosur shqiptare?   Si është e mundur që, përballë deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë – tani dhe në të kaluarën —  në kundërshtim me vlerat e sajë, Evropa i hapë rugën Serbisë për antarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosovës i mohohet lëvizja e lirë e pa viza në zonën Shëngen, ndërkohë që, sipas Presidentit Thaçi, ndonëse Kosovës iu premtua se do ta ketë ushtrinë e vet, as ky si një nga premtimet e bëra nga ndërkombëtarët nuk është realizuar?  Sipas tij, këto ishin premtime të dhëna pasi Prishtina zyrtare pranoi krijimin e Gjykatës Speciale, por “ndërkombtarët nuk e mbajtën fjalën”, theksoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë sesionit të mbajtur në Prishtinë.   Për më tepër, ai e cilësoi atë si një gjykatë etnike e cila do të kundërshtohet nga 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, pasi, sipas tij, do të merret me krimet e supozuara të shqiptarëve dhe jo me krimet serbe në Kosovë.

Për gjëndjen e krijuar me Gjykatën Speciale, një pjesë të fajit të ndërkombtarëve duhet t’a marrin përsipër edhe autoritetet e Republikës së Kosovës, sepse nuk janë kujdesur siç duhet për punët e shtëpisë së vet, përfshirë drejtësinë në vend, ose,për  vendosjen e një drejtësi të mirëfilltë”, siç u shpreh Presidenti Thaçi gjatë konferencës mbi “Perceptimin publik të Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, që u mbajtë ditët e fundit në Kosovë.   Megjitë këtë, Z. Thaçi u shpreh optimist se “Gjykata Speciale do të jetë një pikë drejtësi në oqeanin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”.Drejtësia, është një ndër “vlerat e përbashkëta” për të cilat supozohet se Evropa mban qëndrim të fortë, për veten e saj dhe për vendet që aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Serbinë.  Në këtë këndveshtrim, nuk mund të barazohet viktima e krimit me ata që kanë kryer krimin.   Ndëshkimi i krimit është gjithashtu një vlerë e përbashkët.   Zbatimi i ligjit, bazuar në institucionet demokratike kombëtare dhe ndërkombëtare (evropiane) është, pjesë e vlerave të përbashkëta, rrënjosur në besimin se pa drejtësi nuk ka paqë, as në Evropë dhe as në Ballkanin Perëndimor.

Kosova, Serbia dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për një Evropë të forte, të drejtë dhe të vendosur, që i trajton të gjithë njësoj dhe pa dallime, por edhe për një Evropë që dallon viktimën nga ai që kryen krimin.   Vetëm në këtë mënyrë – me ndihmën e një Evrope që mbron vlerat e përbashkëta për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë drejtësinë — do të çohet përpara siguria, liria, demokracia dhe begatia, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor.   E vetmja mënyrë kjo për tu përballur me sfidat e pasojave të luftërave, përfshirë vendosjen e drejtësisë në ish-Jugosllavi, përshirë luftën në Kosovë.   Ishin padrejtësitë shekullore në atë territor që çuan në shpërthimin e konflikteve atje dekadën e fundit të shekullit të kaluar.   Më në fund, do të jetë vendosja e drejtësisë së vërtetë dhe e mohuar për aq shumë kohë, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ajo që do të sjellë paqë dhe stabilitet midis popujve të atij rajoni.   Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë nuk është pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe nuk ndihmon kauzën e një Evrope të lirë, demokratike, në paqë dhe të bashkuar!

Filed Under: Politike Tagged With: E PËRBASHKËTA!, Evrope, Frank shkreli, KËTO NUK JANË, vlerat

RIANGAZHIMI I KONGRESIT AMERIKAN NË MBROJTJE TË LIRISË SË SHTYPIT NË RUSI

October 6, 2017 by dgreca

 

Nga Frank Shkreli

Kohët e fundit vihet re një aktivizim i ri nga ana e Kongresit amerikan në lidhje me lirinë e shtypit në botë, në përgjithësi dhe mbi masat shtypëse të Moskës ndaj gazetarëve dhe organeve të pavarura të medias në Rusi, në veçanti.   Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në Kongresin amerikan u mbajtën dy sesione që kishin të bënin, njëri me keqinformimin rus anë e mbanë botës dhe tjetri me lirinë ose më mirë të themi me mungesën e lirisë së shytpit në Rusi.   Sesioni i fundit, i organizuar nga Komisioni Amerikan i Helsinkit dhe Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në botë, u mbajt të mërkurën e kësaj jave.   Në diskutime morën pjesë, ndër të tjerë, edhe anëtarët e Kongresit, Demokrati Adam Schiff, bashkë themelues i një Grupi Dypartiak të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe Republikani Steve Chabot dhe përfaqsues të organizatave qeveritare dhe jo qeveritare, të interesuara për fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës.  Vihen re gjithnjë e më shumë përpjekje, në radhët e disa anëtarëve të Kongresit amerikan – si rrjedhim i shtypjeve të lirisë së medies sidomos në Rusi, por jo vetëm atje –për një mbështetje më të madhe  për transmetimet e financuara nga qeveria amerikane, siç janë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.

Grupi dypartiak i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë është themeluar në vitin 2006 nga kongresmeni Adam Schiff dhe nga ish-kongresmeni Mike Pence, sot Zëvëndës President i Shteteve të Bashkuara.   Me rastin e themelimit të Grupit të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë, Kongresmeni Schiff kishte deklaruar se, “Shtypi i lirë dhe i pa penguar është jetik për një demokraci të shëndetshme.   Është e pa pranueshme që gazetarët të punojnë në një atmosferë ku kanë frikë nga qeveria se për arsye të punës së tyre, ata mund të burgosën ose ata vetë dhe familjet e tyre mund t’a pësojnë keq vetëm e vetëm se bëjnë detyrën e tyre si gazetarë të lirë.”   Ai pat thënë me atë rast gjithashtu se objektivi i krijimit të këtij grupi ligjvënësish amerikanë për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës — duke nënvijuar censurimin e lajmeve kudo që ndodhë në botë — ishte jo vetëm mbrojtja e gazetarëve nga persekutimi për punën e tyre që bëjnë, por njëkohësisht synon të mbrojë edhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të mirë-informuar dhe për të pasur në dispozicion lajme të lira dhe të pakontrolluara nga autoritetet.   Ndërsa ish kongresmeni Mike Pence (sot Zëvendës President i Amerikës), si bashkë themelues i këtij grupi të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, pat deklaruar me rastin e themelimit të këtij grupi se, “Aty ku nuk ekziston liria e shtypit, aty nuk ka as liri.   Nëqoftse Amerika do të vazhdojë të jetë dritë e shpresës në botë, ne duhet ta mbajmë lartë si ideal dhe ta mbrojmë shtypin e lirë dhe të pavarur, duke e avancuar dhe duke e përhapur nëpër botë, ndërkohë që ta mbrojmë edhe në vendin tonë.   E kam për nder të jem anëtar i këtij grupi burrash dhe grash të Kongresit amerikan të dy partive, qëllimi i të cilëve është mbrojtja e lirisë së shtypit për mbarë njerëzimin”, kishte deklaruar para pak më shumë se 10- vitesh, ish-kongresmeni Pence, sot numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Ishte pikërisht në këtë frymë të mbrojtjes së lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe të qarkullimit të lirë të lajmeve dhe informacionit—deklaruar një dekadë më parë nga Kongresi amerikan — që këtë javë në  njërën prej sallave të Kongresit u mbajt sesioni i organizuar së bashku nga Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe nga Komisioni Amerikan i Helsinkit — kësaj radhe mbi lirinë ose mbi mungesën e lirisë së shtypit dhe mbi sulmet kundër gazetarëve në Rusi dhe në shtetet ish-sovjetike.  Sesioni i Kongresit mbi sulmet ndaj lirisë së shtypit dhe medias së pavarur në Rusi, u mbajt një ditë para se policia të fillonte të ënjtën, bastisje me dhunë kundër një numri aktivistësh, gazetarësh dhe kundërshtarësh të regjimit të Presidentit Putin, anë e mbanë Moskës, përfshirë edhe apartamentin e gazetarit të njohur Andrei Konyakin, i cili raporton mbi raste të mëdha të korrupsionit në vend, njofton portali amerikan i lajmeve Daily Beast.Tema e diskutimeve nga pjesëmarrës të ndryshëm mbi shtypjet ndaj lirisë së shtypit në Rusi, përfshirë Drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet dhe Drejtorin e Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, ishte se shtypi i lirë është gurthemeli i demokracisë, detyra e të cilit është për të mbajtur qeveritë përgjegjëse dhe llogari-dhënëse për punën e tyre ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht të shërbejë si mjet informimi të saktë dhe objektiv për qytetarët.   Historikisht është provuar se qeveritë diktatoriale dhe autoritare e konsiderojnë lirinë e shtypit si ferrë në sy dhe përpiqen gjithmonë të kërcënojnë, të frikësojnë dhe t’i mbyllin gojën gazetarëve dhe shtypit të lirë, duke i bërë gazetarët subjekt të sulmeve të vazhdueshme të tyre.Gjatë diskutimeve, pjesëmarrës të ndryshëm theksuan se gazetarët në Rusi, në periferi dhe në shtetet post-sovjetike përballen me frikësime, bezdisje të lloj-llojshme, me arrestime e madje edhe me vrasje për kryerjen e detyrës së tyre si gazetarë të lirë.   Sipas të dhënave nga media që morën pjesë në sesionin e Kongresit, diskutimet nenvijuan faktin se sa të përhapura janë masat që ndërmerr Kremlini kundër zërave të pavarur si dhe ndaj shtypit të lirë dhe të pavarur.   Debati u përqendrua, jo vetëm për masat që duhen marrë për mbrojtjen e të drejtave dhe të sigurisë së gazetarëve, por edhe mbi ndihmën në të ardhmen dhe për promovimin e lirisë së medies në përgjithësi nga Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë dhe nha ente të tjera qeveritare dhe jo qeveritare perëndimore.

Për të ndihmuar në luftën kundër këtyre përpjekjeve – raporton VOA – kongresmenët Steve Chabot dhe Adam Schiff i thanë Komisionit të Helsinkit se Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, agjencia ombrellë e Zërit të Amerikës, është thelbësore.   Demokrati Schiff, bashkëthemelues i grupit dypartiak të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, u zotua se do të mbështesë përpjekjet e Bordit dhe të Zërit të Amerikës, ndërsa republikani Chabot u angazhua për mbështetjen e tij dhe të kolegëve në Dhomën e Përfaqsuesve, “Për një shtyp të lirë e të pavarur, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Rusi”.

Fatkeqsisht, në shumë vende të botës, përfshirë Rusinë, megjithëse ligji ndërkombëtar qartazi garanton lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së medies, këto të drejta vazhdojnë të shtypen gjerësisht dhe pa asnjë ndëshkim.   Sipas disa statistikave të fundit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, deri më tani këtë vit, anë e mbanë botës janë vrarë 25 gazetarë, ndërkohë që vitin që kaloi ishin arrestuar 259 dhe 55 të tjerëve nuk u dihet fati.   Riangazhimi i Kongresit Amerikan në mbështetje të lirisë së medies në Rusi dhe anë e mbanë botës është i mirëseardhur dhe do të ndihmojë për të bërë të njohura për publikun e gjërë botëror, kërcënimet ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj rreziqeve me të cilat përballen gazetarët, sidomos ata që veprojnë nën regjime autoritare, në vende dhe në kushte të rrezikshme pune.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT