• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAPNI DOSJET ! ASNJË LËSHIM! BASHKIMI EUROPJAN NUK ASHT ANDERR!

June 18, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

HAPNI  DOSJET !/

■Shtator 1990: “Ramiz Alia ishte në sesionin e OKB-së por takon ministrin e jashtëm të B. S., pasi më 30 korrik kishte firmosur një marrëveshje të normalizimit të marrëdhenieve, pasi kishte kundërshtuar marrëdheniet me SHBA. Antoni Athanas e priste ne Boston. Jashtë protestonin shqiptarët kundër diktatorit komunist. Alia përgjigjej:”Qentë le të lehin, karvani shkon përpara” (Marrë nga “R. Alia engjelli apo djalli i tranzicionit” R. Papa, Liria, tetor 1, 1990).

■“Dhjetor 1990: Ramiz Alia: “Ne kemi thënë që teza e jonë ka qenë, deri tani, në kongrese dhe nëpër mbledhje që ne pranojmë pluralizëm mendimi por nuk pranojmë pluralizëm partiak. Kupton, që edhe pranojmë vetëm këto lloje subjektesh politike qe kemi edhe sot…”

■”Dritëro Agolli dhe Gramoz Ruçi kanë mbrojtur idenë e mos lejimit të pluralizmit, fjalë për fjalë nuk mund ta riprodhoj por kjo ishte esenca. Ndërkohë me histeri ka rreshti i parë është çuar Rita Marko, i cili ishte kundër pluralizmit ashtu si edhe Nexhmije Hoxha.

■Nexhmije Hoxha: “Esenca e dekllaratës do ishte ajo që keni thënë juve dhe që i keni dekllaruar edhe Peres Dekuelarit, që Shqipëria duhet pranuar kështu siç është. Kjo duhet jetë esenca e dekllaratës, pastaj se çfare presionesh do na bëjnë, se ka presione te karakerit për të drejta humanitare, por ka edhe presione të karakterit politik që janë te mprehta, persa i përket çështjes delikate të pluralizmit, unë mendoj se ne duhet të mbetemi të patundur, sipas vendimeve të plenumit KQ dhe dekllaratave të prera të shokut Ramiz, se pranimi i partive të tjera do ishte përçarje e unitetit që eshtë problem jetik… Do thotë të dorëzoh çelsat e pushtetit popullor…”

■Duket qartë se Alia nuk donte të lëshonte. Pra, Uashingtoni, ushtronte presion, por Alia ishte i shtërnguar mes Nexhmijes dhe Uashingtonit. Pse thirrej Nexhmija në mbledhjet e Byrosë? Vallë, a drejtonte ajo, si mëkëmbësja e Hoxhës? A ishte Ramiz Alia manekini klloun i rradhës? Alia, duke afruar Xhelil Gjonin, jepte mesazhin, se dontë dorën e fortë, por ngaqë Gjoni ishte nga Dibra, ai kënaqte edhe Nexhmije Xhunglinin, por merrte me të mirë edhe klanin Kapo, sepse Gjoni ishte kunati i H. Kapos, mbase njeriut më të zi, pas Hoxhës te diktatura shqiptare.

■“Kemi shkuar për gjithë natën në Dajt. Nga shtëpia e Hoxhës kemi ngarkuar për gjithë natën, një makinë të madhe IFA, me dokumenta. Ishin shumë dhe na rrinin në kokë, madje, ajo, edhe na bërtiste. Ishte në panik. Të egër ishin edhe eprorët tanë. Kemi shkuar në Dajt, dhe me revolver të koka na kanë detyruar të digjnin çdo gjë.”

■R. Alia: “Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjisaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes… Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur… Pasuria e tyre na përket neve,sepse ne e bëmë…”

■25 VJET: Kriminelët, tradhëtarët, vrasësit, torturuesit, mashtruesit, hajdutët, të korruptuemit, gënjeshtarët, dhunuesit, magallomanët, llomi i shoqnisë sonë, imoralët, karrieristët agjentë..rrugaçë e vagabonda, egoistët injorantë të etshëm per pushtet dhe kolltuk diktatorial… janë në drejtimin e Shtetit “Ringjallja komuniste” në Shqipni! 

■E paimagjinueshme! Europa flenë, Amerika rrenë, Ballkani zien mbrendë…

■Kush nuk siguron HAPJEN E DOSJEVE, pranon “Ringjalljen komuniste”!! 

■Kam nenvizue disa nga emnat naltë që besoj ju sjellin mjaft kujtime të idhta!

■Demokracia e vërtetë nuk mund të vendoset kurrë në Shqipni nga një elitë komuniste! 

■Elita e sotme drejtuese asht vazhdimsi e porosive të Nexhmije Hoxhës e Ramiz Alisë. 

Shteti i mbajtun me forcë nga elita e korruptueme e bijve të komunistëve kriminelë, ka shkatrrue pushtetin gjyqsor, legjislativin dhe ekzekutivin që nuk ishte kurrë pushtet. 

■Sistemi i qeverisjes së sotme nuk asht as demokraci, as tranzicion as post – komunist. 

Ai asht sistem puro komunist me një korrupsion gjigand, që mbahet me pabesi dhe krimin e organizuem nga sigurimi i shtetit, ashtusi në qeverisjen e Hoxhës e Alisë. 

■Në vitin 1990 kur në Shqipni plasën demostratat në Shkoder dhe Kavajë, kur nga Don Simon Jubani shtetit komunist ju imponue Liria e Fesë dhe pluralizmi politik, atëherë kur Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë, organizoi grevat dhe rrëzuemjen e monumentit diktatorit gjakatar Enver Hoxha, dhe menjëherë filloi fushata e zgjedhjeve per Kuvendin Popullor… Europa dhe Amerika nuk duhet të lejonin rrebelet e Vlonës me shkatrrue gjithshka në Shqipni që kishte fillue me hy në rrugen demokratike, po me realizue kerkesen thëmelore të Popullit Shqiptar: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!” 

■Atëherë kur të gjithë Shqiptarët pa dallim Feje dhe krahine, i sollën sytë nga Europa e Bashkueme dhe NATO, atëherë kur Presidentët Amerikanë Reagan e Xhorxh Bush, adhuroheshin nga Populli Shqiptar, tradhëtarët komunistë e inkuadrojnë Shqipninë me 2 Dhjetor 1992 në “Konferencen Islamike”… E megjithate, Vatikani vendosi mardhanje diplomatike me “Shqipërinë ateiste”…Edhe pse Kushtetuta vazhdonte ajo e vitit 1975. 

■Pushtetarët tanë kishin primare regresin politik dhe jo ecjen perpara, rrugë e cila edhe sot vazhdohet në kundershtim me të gjitha perpjekjet e bame nga dy Figurat e Mëdha Botnore në favorin e Shtetit Shqiptar, nga Papa Gjon Pali II dhe Nana Tereze, të cilët, nuk kanë lanë asnjë Veper Atdhetare dhe Fetare në favorin e Shqipnisë Kastriotit, pa realizue me dëshiren ma të madhe Njerzore dhe Paqësore, edhe pse Shqipnia ynë, sot kishte një Popullsi Muslimane disa herë ma të madhe se Kristjane ase Katolike. 

■Kjo politikë e njohun nga Shqiptarët që në “Revolucionin Kulturor të 1967”, vazhdohet nga një elitë fanatikësh anadollakë që kryesohej nga Ramiz Alia e pasuesit e tij, që edhe pse kanë marrë tituj e grada shkencore, vazhdojnë porositë e tij per vorfnimin e Popullit dhe mbajtjen e pushtetit me mjetet ma të imponume të sigurimit të shtetit, i cili kudo dhe kurdo, vemendjen e ka tek bizneset dhe shperdorimet per pasunim personal. 

■Nga elita e vjeter dhe trashigimtarët e tyne, Shqiptarët vetem pengojnë vetveten me hapë Dyertë e Europës së Bashkueme, të garantueme me pikpamjet antidemokratike. 

■Rruga e vetme e mundshme per një dalje nga situata asht angazhimi i elementit të rij, i cili ka perfundue shkollat Perëndimore dhe mund ta bajnë të prekshem vizionin e Tyne të pikpamjeve Demokratike, në sherbim t’ Atdheut. Këtu, vendimtar, asht qendrimi i premë i Drejtësisë kunder korrupsionit dhe zhdukja nga fjalori i fjalës “tolerancë”, per të gjithë ata pushtetarë që shperdorojnë besimin e Popullit dhe voten e Tij. 

■Fillimi i kësaj rruge duhet të jenë zgjedhjet nder Bashkitë e Republikës Shqiptare!

■Elementi i Rij konsiderohet i aftë dhe i pranueshem nga vetë Populli Shqiptar, vetem atëherë, kur garantohet pastertia e figurës me HAPJEN E DOSJEVE !

*Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Melbourne, Qershor 2015. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Hapni Dosjet, non stop

BAVAREZI FRANZ JOSEF SHTRAUS DHE KOPËSHTI SHQIPTAR I KELKAZAVE

June 11, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Ne Foto: F.J. Shtraus takohet me R. Alinë…/
■Kush ishte vizitori gjerman Franz Josef Shtraus që erdhi në Shqipni në vitin 1984 ?!
Kancelari Gjermanisë Helmut Kohl e ka vlersue me këto fjalë Shtrausin: “Një nga Etnit themelues ma të mëdhej të Republikës Federale.” Ndersa z. H.D. Gensher, e vlersoi: “Kontributin e Tij të pazevendsueshëm per ndertimin e demokracisë së mbas luftës në Gjermani.” Ishte themelues dhe drejtues per 25 vjet i Partisë Konservatore Gjermane.
Ishte një nga politikanët ma me eksperiencë dhe ma të fortë të Gjermanisë Perëndimore.
Presidenti amerikan Ronald Reagan e ka quejtë Shtrausin: “Njeri i jashtzakonshëm…”
■Pak fjalë per jeten e Shtrausit: Asht le në Mynih me 6 Shtator 1915. Ka perfundue po në Mynih studimet per letersi greke dhe romake. Në Luftën e Dytë ishte oficer artilerie në Francë dhe BS, u sëmue dhe u kthye në Bavari. Aleatët e nxoren të pafajshëm mbas 1945.
U ngarkue me detyra të randsishme shtetnore prej vitit 1949 dhe njihet si arkitekt i Shtetit Gjermano Perëndimor, që me Adenhauer, atëherë, kur edhe emnohet Minister Mbrojtje nga viti 1956 – 1962. Në 1966 deri 1969 ishte Minister Financash. U lidh me Lindjen per probleme ekonomike, tue u quejtë dhe mbet “konservator progresi”.
■Kryeministri i Landit Bavarisë F. Shtraus, vjen në Shqipni nga Hani Hotit…
Me siguri emnin e Shqipnisë duhet ta ketë “ndigjue gjatë Luftës, kur ishte në BS !!”
Kur po kalonte në rrugen e Taravicës në 21 Gusht 1984, pyeti perkthyesin: “Pse jemi tue udhtue nga kjo rrugë sekrete?”… Nuk kishte asnjë veturë që lëvizte andej…Rruga ishte gjithkah e “sigurueme” me bunkera… Ndersa vizitën e dytë e bani në Maj 1986, me një avion të vogel që drejtonte Ai vetë. Vizitat nuk ishin zyrtare. Në Nandor 1987 erdhi me i urue zyrtarisht Presidentit Ramiz Alia lidhjen e mardhanjeve diplomatike me Shqipninë që me 2 Tetor. Bisedimet e Tij me pushtetarët tanë nuk u publikuen kurr!
■Si e shikon Shtrausi Shqipninë?
Që diten e parë kur Shtrausi vuni kambën në Shqipni, Ai punoi per me krijue lidhje aq sa të rregullta dhe normale, aq edhe mbi baza institucionale. Ngjyra e mardhanjeve ishte mbi bashkpunimin ekonomik, teknik dhe financiar. Takimet e Tij me Adil Çarçanin, Manush Myftiun dhe mbyllja me Ramiz Alinë, i formoi Atij tablon e plotë per Shqipninë.
Në të verteten Shtrausi kerkoi me ngulm një qendrim të rij mbi të drejtat e liritë e njeriut.
Në vitet ma vonë janë dishmitarë dy djelmët e Tij, që shpalosin edhe të vertetat e atyne takimeve ku Shtrausi, mendonte që Shqiptarët nuk duhet të humbin rasën dhe shansin jo të vogel, per proceset demokratike që shpejt do të perfshinin Europen Lindore.
■Per çfarë kishte nevojë Shqipnia simbas Shtrausit?
Vendi ma i mbrapambetun stalinist në Europë, “pika ma e errtë e komunizmit” që shtypej nga Enver Hoxha dhe pasuesi i tij poaq terrorist Ramiz Alia, me një diktaturë nder ma të mnershmet në Europë, dhe me varfni të paimagjinueshme nuk mund të bante asnjë hap përpara me sistemin “mbretnor komunist” që qeverisej. Këto masa kishin vetizolue Shqipninë e bunkerizueme antidemokratike. Pra, duhej kerkue prej tyne liria e ekonomisë së tregut, hapja e kufinjve, heqja e nenit agjitacionit dhe propagandës dhe e drejta themelore e Lirisë Njeriut, “Liria e besimit” e mohueme me kushtetutë.
Ishte hera e parë mbas vitit 1944 që Shqiptarët shpresuen nga Bavarezi Franz J. Shtraus!
■Kujt i “besonte” në vendet komuniste z. Shtraus?
– Vetem falimentimit ekonomik të sistemit komunist botnor! Rezultati ishte vetizolimi!
■Po, tradhëtari i Popullit Shqiptar, krimineli Ramiz Alia, kujt i besoi?!
– Një tradhëtari tjeter si vetes së vet, Onekerit të Gjermanisë Lindore komuniste.
Ardhja e një delegacioni nga Oneker, i kryesuem nga Ministri i Jashtem gjerman, me një “premtim” per Ramiz Alinë, që “nëse Shqipnia, do të vazhdojë rrugen komuniste dhe dogmatike, nga Gjermania komuniste asaj do ti sigurohet e ardhmja e ‘ndritur”!! (1987).
■Një dhomë e madhe në Drejtorinë e Pritjes në Tiranë u mbush me dhurata bizhuterie argjenti dhe ari dhe iu derguen “shokut” Oneker, në shenjë falnderimi nga R. Alia. Vertetë “kushtuen” po, ishte koha kur Populli Shqiptar hante bar…“me ruejtë parimet”!
■Foto Çami dhe Dhimiter Dhora, shkuen dhe prishën marrveshjen me Perëndimorët, se Ramiz Alisë me shokë, nuk i interesonte “as mirqenja, as Europa, dhe as… Shtrausi”!
“Në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni!” Pra, kolltuku!!
■Me 9 Nandor 1989 Muri i Berlinit ra! Ai ra në Berlin po jo, në Tiranë!
■Kopshti socialist i kelkazave nuk pranonte ndryshime…Shqipnia nuk kishte ndryshue asnjë gja nga kushtet e pranueme prej Esad Pashës në “Rrethimin e Shkodres” në 1913.
■16 Prill 1990. Mbas Katovicës, terroristi Ramiz Alia tha nder mbledhje “sekrete”:
“Dy gjëra nuk do t’i lejojmë, këto kurrën e kurrës, e para puna e shumë partive, që do të thotë të lejojmë një parti e Legalitetit apo e Balllit… Këtë kurrën e kurrës, sepse kjo do të thoshte tradhëti e atdheut , mbaroi pushteti popullor mbaroi revolucioni, e dyta ne kurrë nuk do të pranojmë çështjen e pronës private, tregun e lirë të varur mbi pronësinë private…Kjo do të thotë likujdim i socializmit. Po të vijë puna deri këtu, ta kemi parasysh se këtu jemi në Komitetin Qendror, edhe bar do hamë edhe gjak do derdhim. Këtu s’shkon më dhe s’do shkojë më tej, s’mund të shkojë. ..Ne kemi thënë që teza ynë ka qenë , deri tani, në kongrese dhe nëpër mbledhje që ne pranojmë pluralizëm mendimi por nuk pranojmë pluralizëm partiak. Kuptoni, që edhe pranojmë vetëm këto lloje subjektesh politike qe kemi edhe sot…Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha…Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sido që të shkojnë punët, ujë do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të mos shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni nga situatat e vështira që po kalojmë, sepse në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët!
Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!”
■Dhe, menjëherë filluen vrasjet nder kufinjë e, shetitja e kufomave nder tela me gjemba!
■Shikoni me kujdes foton nalt! A nuk ju duket sikur Shtraus mendon… e thotë me vete:
■“Sigurisht, ky gomar, kujton se edhe unë do ha bar në ‘Kopshtin socialist të kelkazave!”
■Shtrausi i superfuqisë ekonomike, politike dhe strategjike e kuptonte mirë në surrat, terroristin që kishte perballë…Ashtusi sot, kuptohen pasuesit e tij mashtrues e rrencakë po, të asaj Parti hajdutësh vrastarë, që na nxorën nga Europa plot 70 vjetë përpara..!
*Ne vijim te rubrikes:”Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…”
Melbourne, Qershor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, Josef Shtraus, Ramiz Alia

100 vjetori I DEDË GAJTANIT

June 8, 2015 by dgreca

Perkujtimore nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto:DEDË GAJTANI-(1915 – 1993)/
KALASË ROZAFATIT/
O mure të vranta të Rozafatit,/
Që tash sa shekuj ju besnikë mbrojës,/
I patë sa orla të zezë msyen këtij shpatit/
Çerdhen shqiponjës!/

Sa ushtri turku këtu e barbarë erdhen,/
Sa herë o shqipe me luftë të kanë mësy,/
Por s’muejt asnjeni ta prishi çerdhen/
As t’pushtojë ty!/

Po njikëtu motit shqipet rromake
Fishklluen rreth teje me te shkye me skjepa,
Por ti,o shqipja shqiptare,i flake
Copë copë në këto shkrepa.

Sa herë t’u sulen ndër kohna të vjetra,
Sa herë t’u sulen ndër kohna të reja,
Ti, O shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu, te foleja.

Të tana këto troje kreshnike, të lashta,
Që grabitqarët ndër shekuj msyne,
Të tana, të coptueme me kocka e rrashta
Të zeza të tyne.

Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrumun e ka djegë mbrendë,
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kenë!

U lëshuen të grabisin, sa herë vandalët
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por te i to ledhe, u thyene valët,
Porsi te i digë.

Ledhet hijeranda të kalasë madhshtore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare,
Porsi ma e bukua, sot permendore
E tokës shqiptare.

O njato mure e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës së Skanderbegut,

Kur fërshllen era n’ato bedena,
Ndalun pranë ledhesh bariu me dele
Kujton Rozafen, që denesë mbrenda
N’ato themele.

Kujton Rozafen, nusen e re,
Që kur të tre vllazent filluen kalanë
Aty për së gjallit e futen në dhe
Të mjerën nanë.

S’i a vune veshin, o lotëve të saja,
Kur vunë themelin përmbi at koder,
Veç keshtu të qendronte, e fortë kalaja
E jote, o Shkoder!

Dhe e fortë kalaja qendroi ndër mote,
Se të fortë e bane këte njata lotë,
Sa s’ka qindruemun si kështjella e jote
Kala jo, në ketë botë!

E se kjajnë duket deri zogjë e malit
Prej mallit të nanës, mbas gojëdhanës së lashtë,
Që u lut e mjera, për hatër të djalit
Me i lane, gjinë jashtë.

Kur s’mund ta rrejshin me xhingla o ‘i gogel,
Kur ta marrë malli, u tha fëminë për mue,
Të i a çojshin nanës, djalin e vogel
Për me e pajtue!

Nën gurë të themelit të kësaj kala,
U lut Rozafa, tu i shkue lotët rrkajë,
Jashtë me i lanë synin e djathtë m’e pa
Djalin e sajë

Se pa te nana, kishte m’u merzitë,
Kishte m’e kputë malli, nanën e mjerë,
Loçken e zemrës, o ditë për ditë
Pa e pa nji herë!

Luti kunetet, luti kunorën,
Burrin e besës, që gojë s’pat çelë,
Jashtë me i lane, nanë zezës dorën
Që fëminë të përkdhelë.

Kadalë, tha unë djepin kam me i përkundë,
Ka me i këndue nana, me i za të letë,
E njomja e nanës, tash bjen në gjumë
E ka me fjetë.

Ka me i këndue nana: “Mos harro, o bir,
Se nana e jote, njiktu asht ba fli,
Që ti të rritesh i fortë dhe i lirë
Për Shqipëri!

Të ka rritun nana me gjak të zemrës,
Gjinë ta ka dhanun, me lot përzi,
Që kurrë, mos të shkelet ky truell prej themres
T’armikut të zi.

Prej vrimes murit, andej nga lindja
Dhe sot do pika binë në tokë ditë natë,
Janë pikat e gjinit, si kallxojnë gjindja,
Të Rozafes së ngratë.

S’a e drejtë me kjamun, Rozafë shkodrane,
Tash lene vajin, për hatër tonë,
Për hatër tandin, sa mija djelm nane
Luftuen gjithmonë!

Në shekuj sa trima me pushkë në dorë,
Për dashtni tande, janë hedhun në flakë,
E kanë dhanë jeten, sa mija deshmorë
Në luftë përgjakë!

O male, o gryga, o termopila,
Kur agon drita, ju u puthë në ballë,
E vjollca e lila e trandofila
Ju hedhë me mallë.

O male të larta, male titane,
Mësuemun me vallet e bumbullimës,
Sa të rrebta dukni ju ndër tufane
E në dritë të vetimës!

Frigen, rrufenat ju s’mund të ju kallin,
Se vaditë jeni, ju me këto luftra,
Krenare e ngrehni në qiellë të kaltër ballin
Edhe ma të bukra!

O male tona, përherë të reja,
Kur shkrepë në qiellë reja, në ju vret ma të nalten,
Të jeni krenare, se kur rrufeja
S’e ka gjujtë balten!

Ju vezulloni sikur diamante
Në qiellin e bukur të Shqiperisë,
Shenat e kjarta e gurra t’argjanta
Këndojnë kangë të lavdisë!

Si tepër të bukur edhe Rozafen
Armiqtë u lëshuen shpesh me e grabitë,
Por të koritun, e thyene qafen
Me faqe të ngritë.
Pushon e heshtun, e vrantë kalaja
E Rozafatit në ditën e sotit.
Tue mejtue ndoshta, luftat e mëdhaja
Që u bane, këtu motit.

Ndoshta këto ledhe, në maje t’ ksaj kodrës,
Ndoshta edhe shqipja, ndalë maje shkrepi,
Mejtojnë rrethimin e gjatë të Shkodrës,
At kohë gazepi!

Rozafë, në dorë turkut kur pate ra,
Vunë nanat tona futen e zezë,
Të shkretat të kqyrshin sa herë tue kja
Edhe tue dnesë!

Thojshin me vehte: O kalaja e jonë!
Ne rrezikzezat sot ç’na ka gjetë!
A thua , mos asht shkruemun me ty gjithmonë,
Në robni me mbetë?

Nuk i këndon zemra as vajzës as djalit,
S’kem darsma as festa ma asnji herë,
Se kjajnë na duket dhe zogjtë e malit
Kur këndojnë në pranverë.

As ma nuk ndihet kanga e malsorit
Mbi male të larta tona kreshnike,
Tue dridhë si para, thellë prej krahnorit,
Kangë ilirike.

Rozafë, kur të shofim robneshë merzitë,
Ma fort merzitna tue të pa kështu ty,
S’na ban si para në qiellë dielli dritë
Ma përmbi kry!

Ndryshe na duken deri gurët e prronit
Ma teper më bahet na e therin kamben,
I kuq na duket, currili i kronit
Kur mbushim shtamben.

I kuq na duket dhe ujët e lumit
Kur shkojmë me shoqe, teshat me i la,
Na duket qielli si ‘i kapak plumbit
Thue asht tue na ra!

Kur fëmijve para, u vumë buken në tryezë,
Që e kem gatue na s‘ka ma mire,
S’di pse edhe buka, na danë ma e zezë,
Dhe e kalojmë vështirë.

S’dijmë çka asht kështu, o e mjera kalaja e Shkodrës,
Që at ditë që turqit pushtuen Shqipërinë,
Gjarpijë na duken vargojt e votrës,
Kur vemë kusinë.

Tue përkundë djepin, tue i këndue letë fëmisë,
Mundohna të shkretat m’e vue në gjumë djalin,
Por se kjajnë të bahet dhe trenët e shtëpisë,
Dhe kangën ndalin.

Që atë ditë që rame, na nën kambë të turkut
Na kalon dita si ‘i mort i zi.
Na duket dera e shpisë, si derë e burgut,
S’të bahet me hi!

Kur dalim në bahçe, kur mbyllim shtegun,
Ose kur ulemi e pushojmë n’oborr,
Na duket para se kem nji të dekun
Që do të çojmë në vorr!

Pyetshin Rozafen me lotë nanat tona
Deri kur do të shofim na atë të zi flamurë?
Edhe u përgjegjte tue kja jehona,
E deri kurë?

Me dijtë te zezën tonë, ti o Rozafë,
Ti do tu ndezshe, vullkan shkëndije,
Nuk do të duroshe, të na rrije mbi qafë
Ma gjatë Turkia.

Rozafa u thotë: Qindroni motra,
E dij sa e idhtë, o asht vetë robnia,
Shpejt do të vijë dita që e lirë të jetë Shkodra
Dhe mbarë Shqipëria.

Motit dhe Roma, e pat pushtue boten
Me ato legjone, me shqipe e krizme,
Por historia tue vertitë rroten,
I mbet një çizme!

Sot dhe turkia shplaka e njerzisë,
Me lufta boten, don m’e përpi,
Por s’ka me i mbetun, veç bishti i Azisë
Rreth Detit të Zi

Rozafë, këto mure janë dishmitare
Të trathtisë për shekuj dhe të Venedikut,
Shpinës kur i binte ushtrisë shqiptare
Në mes flakësh t’armikut.

Përballë armikut, që u dridhte Europa,
Në vend të na ndihmonte, si aleat.
Armikut, turkut, bukë edhe topa
Ai dhanë i pat.

Shqipërinë e vogel, pre e anadollakut,
Sa herë trathtuet, o aleatë të pa besë!
Do të shkruejmë në histore me shkronja gjakut,
Ketë faqe të zezë!

Na pllambë për pllambë o tuj luejtun gishtat,
Ketë truall kuqë kemi, me gjak t’armikut,
Këtu vend nuk kemi, na me ruejtë bishtat
E Venedikut.

Na mbi këto troje të tokës sonë ilire,
Ku shqiptarët flasin shqip, bisht as kambë,
Që mbeten të cungueme të ndoj egërsirë,
Shej s’do të u lamë!

Vlerë historike, në paçin këto gjana,
Që hajnisht hyne, dikur në ketë dhe.
I zoti i tyne t’i mbledhin të tana,
T’i ruejë në muze!

Kur na luftojshim kundra otomanit,
Në luftë Venediku u bashkue me turk,
Prandaj i a hoqen bishtin luanit
Pse u mblue me turp!

E kur u dynde, ti o Cernagore,
E u rrethuen kodrat për rreth me tela,
Sa topa të rrahen, Shkoder mizore,
Sa sharapnela.

Sa gjyle të mëdhaja, plumba peticet,
Fishkëlluen, vetuene, mbi ty, o kala,
Prej Shllimit, Bardhajsh e prej Bërdicet
Shtatë muej pa da.

U bane lendinat tanë gropa, gropa,
Natë ditë tuj të gjuajtun prej Lodertune,
Me mitraloza të randë e me topa,
Por ti s’u tunde!

Natë ditë tue krisun topi në llogore,
Oh sa shpi të Shkodres u bane gërmadhe,
Kujtim janë të mëdhajat gjyle mizore
Mbetë ndër livadhe.

Po njato gjyle që ranë këtu motit,
Do u thonë breznive, që kanë për t’ardhë,
Se gjithmonë Shkodra kje flakë barotit,
Duel faqebardhë!

Për qindresë tande, u habit Ballkani,
Kot në dorë me të shtimun, armiku u mburr,
Ty, mos të trathtonte Esat Pashë Toptani,
S’dorëzoheshe kurrë!

Si në kohna të lashta, si në kohna të vona,
Rozafë, me armikun sa je përleshë,
Deshten të grabisin, por mbete e jona
Edhe do të jeshë!

Se pa dalë fare, me të madh e të vogel,
Në kullat tuaja në barot pa u kallë,
Ty në dorë t’armikut nuk të lëshojmë,moj Shkoder,
Sa të jem na gjallë!

Ende në ditë sotit andej nga maja,
Përmbi ato mure,gjatë atij shpatit,
Se veton të duket natën kalaja
E Rozafatit.

Tue u endë si hije përmbi bedena,
Si me i pa, të bahet prap ato trima,
Kah përmbi armikun shkrepshin si rrfena
Zgjetat vetima.

Danë ajo maje krater vullkanit,
Që shumë ka flakun prej zemre zjarrin,
Lavë e pervlueme, që ushtrisë së sulltanit
Këtu i ka ba varrin.

Kur erdhi turku me ‘i qind toborre,
Shkodren, Rozafen tonë për m’e marrë,
I mbuloi kodrat me’i qind shatorre,
Flamuj gjithfarë.

Sa gurë të mëdhaj lëshuene, gurë të rrumbullakë,
Që zgjeta drejt, shkojshin lart deri n’re,
E në tokë kur bishin, u ndezshin flakë,
Si të shkrepte ‘i rrfe.

O moj kalaja e Rozafatit,
Ti ke me kenë motit nji punë e madhe,
Por na në ditë të sotit në ty shofim të ngratit,
Veçse gërmadhe.

Por këto gërmadha e këto rrefime,
Ku kjajnë bylbylat në dritën e hanës,
Na brez mbas brezi i ruejmë si kujtime
Të dashtuna të nanës.

Sa të bukra krisen, moj Rozafë kangët
Ndër njato kodra për bukuri,
Prej duerve të veta kur flaku prangët
Nana Shqipëri!

Ma i bukur dielli lindi mbas malit,
Në mes reshë së prarueme, shprishun prej veri,
Prej Taraboshit deri në qafë të Cukalit
Shkelqej ylberi.

Si hark triumfit me të bukrat ngjyra,
Mbi ballë të Rozafes kunorë e re,
E Shkodres së bukur, i qeshi fëtyra
E tanë hare!

Po qeshi Shkodra e bukur fare,
Rrethue prej malesh,zbardhue prej bores,
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.

Kënduen fushat, malet dhe valët e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen,
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!

Te ti, me njome të veta për dore,
Vinë sot të mejtueme nanat shkodrane,
E u tregojnë fëmijve njimijë histore
Mbi kalanë tande.
Shenim nga Fritz Radovani:
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë… Prandej edhe nuk perkujtohet në këte 100 vjetor…
Melbourne, Qershor 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 100 vjetori, Dede Gajtani, Fritz radovani

ÇDO DOSJE E NJË TË BURGOSUNIT POLITIK ASHT NJË LIBER ANTIKOMUNIST !

June 5, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
■FRIDA SADEDINI (1914 – 2004)/
ME SHKRUE TË VËRTETËN NUK ASHT KURRË VONË!/
PROCES – VERBAL-
Sot me 17 Maji 1949 merret në pyetje e pandehura Frida Sadedini, e cila deklaron:
Quhem Frida Sadedini e bija e Ahmetit, gjallë (ndodhet në burg) dhe e Martha Dodës në burg e dënueme me dhjetë vjet, jam e datlindjes 1914, lindur në Shkoder, banuese qysh nga 1922 në Tiranë, e pamartueme, e padënueme, me arsim të mesem (5 klasë gjimnaz). Ma perpara nuk jam marrë me ndonji punë, vetem tani 2 vitet e fundit kam sherbye si sherbëtore pranë konsullit Francës Giz, dhe tani së fundi pranë Domeng. Baba ka ushtruar profesionin doktor, nana nuk ka pas ushtrue ndonji profesion, shtresë e lartë.
Tri vjetët e para të shkollës fillore i kam ba në shtëpi, ku më jepte mësim nji mësuese gjermane privatisht, e cila quhej Ana, që mbiemni i saj nuk më kujtohet.
Në vjetin 1924 kam shkue në shkollë në Itali (Bari), ku kam ndejë në kolegjë nji vjet, me bursen e prindërve të mij. Mbas nji vjeti d.m.th. në vjetin 1925 kam emigrue në Itali me baben e me nanën pse ishin “opozitë” dhe ndiqeshin nga Zogu dhe në këtë kohë unë dal nga kolegja dhe vazhdova studimet jashtë, gjithnji në Bari në shkollen Regjina – Elena. Në vitin 1926 largohem me nanen nga Bari per në Romë, ku unë vazhdova mësimet në kolegjë, internat murgeshash, e cila quhej Dorote. Nga Bari u larguem mbasi midis nanës dhe babës kishte dizarmoni, kështu që nana dhe unë u larguem tue lanë baben në Bari. Mbas ardhjes në Romë nana bani demarsh dhe aty nga vitët 1937 – 1938 këthehet në Shqipni, tue më lanë mue në Itali (Romë).
Aty nga viti 1927 ose 1928, jam kthye nga Italia per vakanca, pastaj jam kthye persëri në Itali, ku kam vazhdue mësimet në kolegjë deri në vitin 1929, në këte kohë kam ardhë per vakanca në Shqipni, ku sëmuhem (paratifo) etj. dhe simbas këshillave të doktorëve që thojshin per mue se duhet ndrrue klima (të largohem nga Italia), nana vendosë dhe më largon nga Italia në vitin 1929 dhe më dergon me vazhdue mësimet në Vienë (Austri).
Në Itali pata vazhdue mësimet deri në të dyten gjimnaz. Në Vienë hyna në kolegj që quhej Dame – Disian, në këte shkollë perdorej edhe gjuha frengjisht mbasi aty kishte murgesha franceze dhe per mue kjo ishte nji lehtësi mbasi unë e dijshe frengjishten. Më duket se gjatë shkollës që unë vazhdojshe shkollen në Vienë, nana merrte bursë per mue. Vjetin e parë kam mësue gjuhën. Kam qendrue në Vienë në shkollë deri në vjetin 1934, në këte kohë kthehem në Shqipëri per gjithnji dhe nuk kam vazhdue ma asnji shkollë.
Në shkollë kishe dëshirë dhe kam mësue ma teper letraturë – gjuhë.
Si gjuhë të huaja flas dhe shkruaj mirë italishten e gjermanishten. Dij gjithashtu të flas mirë dhe të shkruaj (me gabime) frengjisht. Frengjishten e kam mësue në familje mbasi baba e nana flitshin në shtëpi gjithnji frengjisht mbasi baba nuk e dinte shqipen.
Nga vjeti 1934 që u ktheva nga Austria kam qendrue vazhdimisht me banim në Tiranë. Perafersisht nga viti 1937 kam shkue në Austri per qejf tek shoqet e mija të shkollës, ku kam qendrue afer nji muej. Në Itali kam shkuar dy herë, heren e parë aty nga vjeti 1938, shkova me marrë nanen e cila ishte sëmurë dhe heren e dytë, në vjetin 1939, se italianët na kishin në sy të keq me qellim që të largohemi nga Shqipëria. Kemi qendrue në Romë nga muej Mars deri në Korrik 1939 dhe jemi këthyer përsëri në Shqipëri. Në vjetin 1942 kemi dashtë të shkojmë edhe njiherë në Itali, mbasi ishte nana e sëmurë, por u penguem nga policia italiane.
Sa siper janë të verteta dhe i firmoj.
E Pandehura: (Frida Sadedini) firma Hetuesi: Toger (Esat Mani) firma.
■18 Maji 1949; Hetimet vazhdojnë…deri në muejn Korrik 1950…15 muej Hetuesi !!
■Frida SADEDINI deklaron:
Gjatë luftës nuk kam ba pjesë n’ asnji Parti as organizatë politike.
Këtu në Tiranë rrethi jem shoqnor dhe që unë kam shoqni ose miqësi me ta janë:
Familja Fuat Toptanit, Tirana me të bijen Dylfiqare, mesa Sanije…Me të bijat e Pjeter Bumçit: Çilen, Albina e Elda… Me Bibika Vilen në Rromë…Me familjen e Gjon Bonattit. të bijen Xita, të bijtë Nikollen dhe Alfredin…Me Agostin Bonattin dhe gruen Gjyljana… Me Ganimet Toptanin (e arrestueme)…Semiha e Hyqmete Toptanin. Zef Guraziun… Me Luçije e Angjela që banin flokët ondulacion…Nuk ua dij mbiemnin…Luçia asht në burg.
Llesh Ndojin nga Mirdita me djalin Gegen… Vinte tek na Skender Shkupi… Njoh në Shkoder Sander, Patrik e Tonin Saraçin…Ida Melgushin…Aurel e Alfred Ashikun…Këta i njoh qysh fëmijë…Luçije dhe Ana Kola që vinin nga Shkodra. Kam në burg kushrij Dod Bardhokun dhe Luigjin…Kam njohë disa nga antarët e misionit anglez në Tiranë …Jacobs shefin e misionit amerikan… Majorin e misionit Francez Visdorf… Mbasi iku misioni erdhi Legata franceze…Pico dhe Henri Giz. Këto i njoh që në Shkoder në vitin 1921…Aty kam njoh edhe daktilografisten Shufie, Chartie që ka ardhë tashti në 1949 …kur unë ishe sherbtore në Ambasadë. Aty nga Giz mësova per arrestimin e Riza Danit dhe Dan Hasanit në Shkoder…Kam njoh edhe Pader Gjadrin, Pader Mëshkallen dhe Guljelm Luken… Nga Preng Previzi ka ardhë një kartolinë, ku kuptohej se asht në Greqi.
Kam njoh edhe Rrok Obotin… Po me këta njerzë nuk kam pasë asnjë lidhje…
***
■Ministria e P. Mbrendshme
Drejtoria e Sigurimit Shtetit
= Dega e VII- të =
■Tiranë, 17 Qershor 1949.
Mbas një shkrese nga kapiten Skënder Vinçani… perpilohet:
■AKT – AKUZA:
Me 3 Janar 1950 i ka sjellë kësaj Gjykatë Proces Verbalet e mbajtura nga ana e Sigurimit të Shtetit kundër: Agostin Bonattit…Frida Sadedinit…. etj… Tiranë 6 Janar 1950…
Gjyqi u formue prej: Kap. I Mustafa Iljazi Kryetar; Kap. I Shaban Hoxha Antar, Aspirant Hilmi Haxhija Antar; Ndihmes Prokuror Ushtarak Kap. II Hilmi Telegrafi, sekretar marshall Et-hem Guda… Gjyqi u caktue me 7 Janar 1950. Mbasi u sollën të burgosurit nga burgu, u caktuan avokatet e mbrojtjes kapitenët Gaqo Stefa dhe Vangjel Gjomeka…
U muar në pyetje F. Sadedini: Unë nuk dij gja per pushtetin, mirë kam rrojtur perpara dhe mirë po rroj tashti… Konsullit dhe të tjerëve u kam bërë nga nji çaj… Nuk më kujtohet që të kemi bisedue gja per Preng Pervizin, letrat i kanë ardhur konsullit, jo mue.
Francezët me mue nuk kanë bisedue kurr per shqiptarë… Ajo nuk pranon asnjë akuzë politike dhe se asht qenë në sherbim të spijunazhit francez…
■VENDIM:
“N’ EMEN TË POPULLIT”
Gjykata Ushtarake e Tiranës e formuar prej:
Kapiten I – Mustafa Iljazi, Kryetar, Kapiten I – Shaban Rexha, Anëtar; N/Toger Veli Lilaj, Anëtar. Nd. Prokurori i Ushtrisë Popullore Kap I – Hilmi Telegrafi dhe sekretar Reshter Nestan Ceka, sot me daten 6 Korrik 1950 dha këte
■Vendim: Në padinë penale të regjistruar nr. 117 Radhorit Themeltar të vitit 1950…:
Agostin Bonati, 2. Skender Konica, 3. Skender Shkupi, 4. FRIDA SADEDINI,
5. Adem Pilku, 6. Guljelm Rasku, 7. Simon Rasku, 8. Gjon Çefa, 9. Pader Paskal Gjadri, 10. Luçia Kola, 11. Gjysh Shkreli, 12 Elena Beçi, 13. Isuf Vrioni, 14. Kosta Meksi, 15. Rakip Strazimiri, 16. Lush Pogu, 17. Agop Kahanexhian, të arrestuar 1949…
■Në perfundim të gjykimit me dyer të mbyllura, asistuan Kap.I Vangjel Gjomeka dhe Kap.II Gaqo Stefo (Avokatë të Ministrisë së Mbrendshme)…Prokurori Kap.II Hilmi Telegrafi kerkon:…Per të pandehuren Frida Sadedini 20 vjet privim lirie e punë të detyruar.Humbjen e të drejtave civile per 5 vjet. E pandehura Frida nuk ka ba rekurs fare dhe nuk ka paraqitë asnjë kerkesë. Në fjalen e fundit e pandehura Frida Sadedini tha: Nuk kam qenë agjente në Legaten franceze. Kerkoj mëshirë. Tiranë, 23 Qershor 1950.
■Simbas nenit 3 dhe nr. 10 të ligjit 372, datë 12/12/1946 i dekllaron fajtorë të gjithë të pandehurit per fajin e spijunazhit. Me anën e këtyre agjentave misionet e huaja kanë mundur të mësojnë të gjitha sekretet e shtetit shqiptar…
***
■Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Lartë Ushtarake
Nr. 233 Regj. Themel. Nr. 161 i Vendimit. Data 29 Korrik 1950.
N’ Emër të POPULLIT
■Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar në Këshillë prej:
Kapiten I – Vangjel Kocanit Kryetar;
Kapiten I – Nonda Papuli Antar; Kapiten II – Hidaji Lagji Antar;
Duke qenë t’ asistuar Sekretar Reshter Kasem Murataj, dhe Nd. Prokurori Kapiten I
– Hilmi Telegrafi, me daten 29 Korrik 1950, shpallë këte Vendim:
■Frida SADEDINI dënohet me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Per 5 vjet humbjen e të drejtave civile elektorale. Konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të
paluajtëshme per të gjithë të dënuarit. U shpall me 8 Korrik 1950. (Vetem firmat)
Gjykata shenon: Së bashku me të dënuarit e sipërm edhe e dënuara Frida Sadedini,
bij e Ahmetit e Martha Dodës, …Arrestuar me 17 Maji 1949, porse kjo nuk ka paraqitur rekurs ankimi. Vendimi i Gjykatës së faktit nuk paraqet ndonji të metë ligjore, prandaj ■Vendosi:
Ky vendim është i formës së prerë. Tiranë 29 Korrik 1950. (Vetem firmat)
Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake: Pasi dëgjoi referatin e Kap. I Vangjel Kocanit,
dhe pasi bisedoi gjerësisht çështjen, ligjëroi vendimin e Gjykatës Ushtarake Tiranë.
***
■Nga viti 1949 zj. Frida SADEDINI, vazhdoi me kenë e burgosun…E interrnueme…Prap e burgosun, e torturueme dhe gjithnjë e dënueme po, por edhe e diskriminueme per ma shumë se 45 vjetë, mbasi Frida Sadedini vazhdoi me kenë e dëbueme edhe mbas 1992.
Martha, ama e Fridës ishte mesa e Preng Pashës, kështu që lidhej me Markagjonët dhe Fisin Pervizi. Edhe kjo lidhje ishte shkak burgosje dhe interrnimi i Frida Sadedinit.
Ajo ishte një simbol i qendrueshmënisë së pathyeshme nder hetuesitë sllavokomuniste të shtetit terrorist të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe organeve të tyne të diktaturës.
Këte Ajo e tregoi edhe në Prill të 1968, kur Frida e shoqnueme me polici u pat sjellë edhe në Shkoder, kur po zhvillohej në Kishen e Motrave Stigmatine gjyqi i montuem nga sigurimi per Klerikët Katolik të Tiranës ku, Frida mohoi të gjitha akuzat e shpifjet…
Ishte hera e parë që njoha një Shqiptare të Maleve Heroike të Mirditës!
Ndoshta edhe një film per Te, sot asht i pabesueshem nga Rinia Shqiptare!
Në vitin 1992 e njoha zj. Frida Sadedini në Shkoder, në Shtëpinë e Markagjonëve ku, me 2004 ka mbyllë edhe sytë bashkë me rrugen e pafund të një Kalvari të pashoq!
■Jo heshtje, Shqiptarë!
Figurat e Nanave dhe Motrave Shqiptare që vuejtën dhe u diskriminuen si pak gra e vajza të vendeve komuniste, në Shqipninë e Donika Kastriotit…
Nuk duhet ti mbulojmë me pluhun turpi…
Ato ishin e mbeten Heroina të Nderueme të Popullit Shqiptar!
■Dosja e sejciles prej Tyne asht një Liber Antikomunist në vete!
Melbourne, Qershor 2015.
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: Dosjet e te burgosurve, Frida Sadedini, Fritz radovani

PIKTORI I PAVDEKSHEM FERDINAND PACI

May 28, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
75 VJETORI…(1940 – 1975)/
Ishte “streha e mëkatnorëve” ase Shkolla Pedagogjike e Shkodres, ku na jepej e vetmja mundësi me vazhdue shkollen e mesme, atëherë… rreth vitit 1952 – 53, që na njohu dhe prej asaj kohë fëminije mbetëm miq të përjetshëm. Mbrenda ndertesës së Gjimnazit të Shtetit “29 Nandori”, ishim edhe ne… të konsideruemit të “deklasuar”…
Edhe Ferdinand Paci, asht le në vitin 1940, me 30 Maji… Ishim moshatarë. Ferdinandi ishte djali i argjentarit Nush Paci, një familje fisnike shkodrane që trashigoi traditat ma të mira të qytetit lashtë, edhe pse lufta e klasave përditë vetem shkatrronte të miren dhe të bukren e ruejtun me mundim e djersë nga qytetarët e Shkodres. Nana e Tij Luçia edhe Ajo, vinte nga një oxhak tjeter i njohun Rasha, me Burra të nderuem…
Një Prind i gjetun në oborrin e asaj shkolle ase fidanishte mësuesish, me Emnin e Tij të Madh në artin e Popullit Shqiptar, Profesor Simon Rrota, na lidhi përjetsisht me shokun e paharrueshëm, të dashtun, të thjeshtë dhe mbi të gjitha besnik i paster dhe trim, me piktorin e ardhshëm Ferdinand Paci. Ishte salla e vizatimit ku Prof. Simoni, punonte me një perkushtim të madh per edukimin tonë, na limonte karakterin tue na pastrue nga të gjitha papastertitë e “shkollës së re komuniste”, dhe tue farkëtue në mes nesh virtytet e nalta të qytetarisë shkodrane, që ishin piksynim zhdukje nga antiveriorët marksistë.
Në kjoftë se atëherë ne kemi kuptue fjalët Atdhedashuni dhe Besë e Bujari, ishte një “lapsë dhe penel” i Prof. Rrotës që na zbukuroi Shpirtin përjetë të jetës!
Vazhduem me shkue në rrethin e pikturës së Shtëpisë së Kulturës, ku me kujdes punonte piktori Vladimir Jani, edhe Ky një ish nxanës i Prof. Simonit, që kishte vazhdue studimet në Itali dhe ishte nder figurat e njohuna të artit në Shkoder. E gjithë kjo punë e Këtyne Burrave, që bahej pa asnjë interes dhe me një qellim të vetem: “Formimi ynë si piktor, per të evitue rrugët e largëta malore e me rreziqe nder skajet e humbuna të Shqipnisë”, formoi në mbrendsinë tonë një karakter ku nuk kishte ma të voglen shkëndi egoizmi. Personifikimi i këtyne perpjekjeve të kultivueme në Shkodranin artist dhe mësues, ka mbetë edhe sot në kujtesë per të gjithë ata që e kanë njoh Piktorin Ferdinand Paci.
Mbasi perfundueme shkollen Pedagogjike, Ferdinandi punoi piktor pak vite në repartin e pikturës së ndermarrjes komunale, prej ku, ma në fund mërrijti me vazhdue Institutin e naltë në Tiranë per pikturë, sigurisht, i vlersuem me maksimalen e notave sëpse, edhe atje “nota maksimale” u fitue prej Tij me sjelljen dhe edukaten qytetare. Njëheri u ba edhe pjesmarrës i ekspozitave kombtare, vetem me aftësitë e veta artistike.
Ferdinandi erdhi në Shkoder në vitin 1966, pikrisht në pragun e “Revolucionit kultural” dhe pa fillue mirë punen si mësues vizatimi, u “këshillue” nga “shokët e Lidhjes” se, “nuk kishte veprue mirë kur me rasen e hapjes së ekspozitës sime personale, në Klubin ‘Vllaznia” në dhjetë vjetorin e maturës, Ferdinandi mbajti fjalen e hapjes… Kjo, nuk i përkiste Atij, se Ai nuk duhej të më vlersonte punen time si i deklasuar…”. Ferdinandi jo vetem, më vuni në dijeni, po edhe më këshilloi tue më tregue rrezikun që po përgatitej nga dashakëqijtë e Lidhjes së Artistëve të Shkodres, kryesisht nga Franc Ashiku me Foto Stamo, të Lidhjes së Artistave të Tiranës, në bashkpunim të ngushtë me sekretarin e ardhëshem të partisë së Rrethit të Shkodres Xhemal Dini.
U rrokullisen shumë ngjarje në atë “Revolucion” të mënershem…
Me 3 Shtator 1975, në Shkoder u hap lajmi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në malet e Thethit të Dukagjinit, dhe pikrisht atje, humbi jeten edhe Ferdinandi…
Një ngjarje e shemtueme si shumë të tjera pranë Rozafës, që vizituem dikur bashkë…
***
Veprat e piktorëve të mëdhej nganjëherë mbesin ato të viteve të rinisë së tyne.
Ndoshta, një rasë e tillë asht edhe krijimtaria e atyne pak viteve të jetës së shkurtë të Piktorit Ferdinand Paci, i cili na la nder disa të tjera vepra edhe dy portretet e Kolë e Nine Gurashit, ku spikatë arti, mjeshtria dhe vlera etnografike e veprave.
Kur veprat e artit ashtusi në rasen e Ferdinand Pacit, vishen edhe me cilësitë Atdhetare dhe morale të Autorit, Ato Piktorin e bajnë Artist të Përjetshëm të Kombit vet!
Ky ishte dhe mbetet përjetsisht edhe Ferdinand Paci…
Vertetë jam larg… Shumë larg… Po, kurrë larg Teje, Mik i shtrenjtë Ferdinad Paci!
Melbourne, Maji 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Ferdinand Paci, Fritz radovani, piktori i pavdekshem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT