• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VORRI I GJERGJ KASTRIOTIT, “MISTER”… APO..?!

January 16, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, në faqen 1148, fjala mister shpjegohet: “Mister, – i m…1. Diçka e panjohur ose shumë e fshehtë; diçka e errët dhe e pashpjegueshme; fshehtësi, e fshehtë. Mister i madh. Misteret e natyrës. Këtu ka një mister. Mbeti mister nuk u zbulua. Është rrethuar me një mister. Kyçi i misterit çelësi i së fshehtës. 2. Fet. Rit fetar i fshehtë, që bëhej në Greqinë e në Romen e vjeter dhe në vendet e lashta të Lindjes për nder të një perëndije, duke marrë pjesë vetëm priftërinjtë; ceremoni fetare e mbyllur…”

Vetë “Historia e Shqipnisë” sot asht kthye në një “mister”!

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, ka vdekë në Lezhë me 17 Janar 1468, e u vorros aty.

Tue fillue nga Imz. Pal Engjulli, dhe me rradhë njihen figurat e mëdha që aso kohe e rrethonin Prijsin e Madh të Popullit Shqiptar, në luftë kunder turqëve. Sigurisht, me dashtë me folë per fitoret e Kastriotit në 25 vjet luftë të pergjakshme, nuk mundesh mos me zanë me gojë këshilltarët, oficerët dhe strategët legjendarë që ndihmuen Fitoret.

Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Tokat Shqiptare dhe kështjellat historike kanë vazhdue gati edhe dhjetë vjetë të tjera pa u pushtue nga turqit. Në kjoftë se do të donim me tregue se çka u ba nga pushtuesit turq nder këta kështjella mbas ramjes në doren e tyne, do të duhej me u shmangë nga tema, po një fakt dihet: Shqiptarët u qitën fare!

Këte e dishmon Drishti, Kruja, Lezha dhe Shkodra…E kjo shfarosje vazhdoi edhe në vitin 1967, kur edhe Kisha e Vaut të Dejës, u holl në erë nga osmanllinjtë e Enver Hoxhës, vetem pse n’ atë Kishë ishte kunorzue Gjergj Kastrioti me Doniken.

Atëherë, si mund të pranojmë né sot, që kemi të gjitha faktet historike të njohuna, se grupi rrethues i njerzëve të dijtun dhe të provuem që i qendronte pranë deri me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastriotit, se porsa Ai mbylli sytë, e vorrosen e mbas pak vitesh ikën nder dhena të hueja, e Prijsin e Tyne legjendar e lanë me u shkrrye nga turqit në Lezhë?

A mund të pranohet që Imz. Pal Engjulli nuk i njihte turqit? Po tjerët, aq naiv ishin sa mos me u shkue mendja se Eshtnat e Prijsit Tyne, do të shvorrosen, dhe do të treten e hullën në lumin Drin, ashtu si ka veprue pasuesi i tyne anadollak në 1967?

Nëse, dihej se turqit do ta pushtojnë Shqipninë, a thue asnjeni nuk mërrijti me marrë me mend e me parashikue se çfarë do të bajnë turqit, me Vorrin dhe Kishen e Shën Kollit në Lezhë, kur dihej se kudo që turqit vune kamben ata zhdukën të gjithë Shqiptarët, atëherë, si do të qendronte në kambë Kisha me Vorrin e Tij mbrendë?

Largimi i Tyne bashkë me Doniken dhe Gjonin e rij, të birin e Kastriotit, u ba me paramendimin se asnjeni nuk do të kthehej ma në Atdhe, atëherë, me kenë se një veprim i tillë asht i njohun nga të gjithë bashkëkohësit e historianët që rrëfejnë “se si u larguen nga Atdheu i Tyne i dashtun, tue puthë edhe gurtë e prakut të Kështjellës…”, cili asht ai që nuk mendon dhe nuk pranon se “Vorri i Gjergj Kastriotit asht një MISTER”?!

Unë kam mendue gjithmonë se: “Eshtnat e Gjergj Kastriotit sot dikund janë!”

Kur pata mësue sesi kanë mujtë me shpetue pa u tretë në lumin Drin Eshtnat e Bekueme të At Gjergj Fishtës, aq ma shumë më shtohej kurreshtja per MISTERIN e Eshtnave të Bekueme të Gjergj Kastriotit…

Per këte MISTER, një ditë, aty nga gjysa e Qershorit 1996 kemi bisedue gjatë me At Konrrad Gjolaj, në shtëpinë e Tij… Edhe Ai pajtohej me mendimin tim…

At Konrradi paraqiti këte mendim: “Koha e gjatë e pushtimit otoman ka prishë e shkatrrue gjithshka që né na bashkonte me kontinentin Europjan…Qeverisjet anadollake mbas vitit 1912, kanë vazhdue me ba çka nuk mujten as turqit per 400 e sa vjet robni.

Pushtimi sllavo komunist i anadollakëve Enver Hoxha me pasuesit e tij, jo vetem, shkatrroi edhe thëmelet e kulturës Europjane tek né, po zhduku me Gjenocid edhe të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptarë dhe intelektual, që po ndertonin binanë e Shqipnisë.

Vorri i Gjergj Kastriotit vertetë asht një MISTER.

Ky MISTER, sa vjen e bahet ma i panjohun me kalimin e kohës. Ata Shqiptarë, që mund të dinin saktësisht per Vendin e ndodhjes së Eshtnave të Gjergj Kastriotit, sot mund të ishin vetem Provinçialët Shqiptarë të Françeskanëve tanë, të cilët, shumë nga sekretet e Kishës Katolike Shqiptare, ua transmetojnë njanitjetrit kur zevendsohën…

Per fatin e keq të Shqiptarëve, mbas vitit 1944 janë zhdukë shumë “MISTERE”, nga pushkatimi dhe zhdukja e të gjithë Provinçialëve mbrenda një kohe të shkurtë, tue fillue me At Anton Harapin në 1946, dhe po atë vit arrestohen dhe u pushkatuen deri në 1948, At Mati Prennushi e At Çiprian Nika. Vdes në burg Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Palë Dodaj, që duhet të dinte ma shumë se kushdo për ketë MISTER, mbasi ishte një historian i mirfilltë dhe shumë i dijtun. Kështu, mbas vitit 1951, nuk ka ma dëshmitarë!

Dihet saktësisht se në Vorr asht kenë edhe një shishe me kopjon e dokumentit të vorrimit të Kastriotit nga Kisha e Lezhës. Edhe ky dokument ka mbetë MISTER… ”

***

Po, a ka mundsi që një “MISTER”… të transmetohet nder shekuj pa u tregue?

Them, se po, mbasi Historia e Popullit Shqiptar, sa vjen e mbulohet perditë e ma shumë nga të gjithë pseudohistorianë e fallsifikatorë me gënjeshtra…

Ndersa, e VERTETA, në Shqipni mbetë “MISTER”…

Melbourne, Janar 2014.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fritz radovani, mister apo, varri i Skenderbeut

PERMBYTJA… NË ZJARR…

January 12, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: 1944 Buna shkapercen kufinjt’ e vet…/

 Ishte viti 1944… Vjeshtë. Ishim në Dajç të Bregut Bunës tek daja im, Don Kolec Prennushi, që sherbente prift n’ atë fshat prej të cilit, ruej edhe sot kujtime të bukra. …Binte shi pa pushue n’ atë vjeshtë, që edhe pse ishe i vogel atëherë, vetem 4 vjeç, kam kujtime të pashlyeshme. Buna kishte shkapercye çdo kufi…Ajo kishte perbytë të gjitha fshatrat tue fillue nga Ura e Bunës, e deri në daljen në det. Damet nuk llogariteshin.

            Kam pasë rasen me lexue perpjekjen e Mark Kakarriqit, per me i shpetue të gjitha ato zona nga permbytja, tue kanalizue lumin Buna, me një shoqni angleze menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë, po shumë tregtarë dhe antarë të Bashkisë së Shkodres, nuk u pajtuen me mendimin e Markut, se “po na sjellë kaurrin, me ‘ata’ që do të drejtonin ata punime per kanalizim…”. Sa vështirë asht me besue çka shkatrron fanatizmi…

            Uji kishte ardhë deri afer çelës së vjeter, dhe vetem oborri i Kishës dukej si stom, mbasi të gjitha rrugët perrreth asnjena nuk shiheshin nga permbytja. Shtëpijave afer të Lac Gjushit dhe Harapëve, uji u kishte shkue nder shkallat e hymjes. Ishte edhe ftohët. Shenjat e motit që njihen nga fshatarët tregonin se shiu do të vazhdojë. Zot bane mirë!

            Të nesermen me 29 nandor, ishte permbytë edhe gardhi rrethues në kufi me një rrugë që na lidhte me shtëpinë e Lacës, me të cilin daja, kishte miqësi të madhe…

            Laca i kishte tregue dajës, se pritej ardhja e disa vetëve tek Kisha, që partizanët i kanë kapë në një barkë tue lundrue në drejtim të detit per me ikë në Itali. Dhe vertetë, aty nga ora 11 para dreke, zbriten me lundra rreth 200 vetë në oborrin e Kishës, ishin të çarmatosun dhe të lidhun me litarë, të lagun per palcë, dhe me nga një strajcë në dorë…

            Ishin fëtyra të panjohuna…thohej se ishin ballista e “tradhëtarë” që donin me ikë. Disa partizanë i trokitën derës së çelës, hyne në dhomen ku ishte daja, biseduen me té, dhe dolën me vazhdue me ruejtë grumbullin e të kapunëve në ikje. Mbas pak erdhën prap partizanët me tre a kater vetë prej tyne, dhe daja u dha dy sheke djathë dhe bukë, ndersa, gjyshja filloi me gatue bukë tjera per ta. Né fëmijëve na kishte kapë një frikë që nuk dinim ku me hy… Kishim harrue edhe me luejtë me lojnat tona!

            Këta ishin ata “partixhanët”, me emnin e të cilëve na friksonte gjyshja, kur donte me vue qetsinë e rregullin nder mbramje kur né fëmijët shkonim me fjetë…

            Nga dritaria e kuzhinës, që ishte mbas çelës, po shikonim né fëmija dy vetë prej “tradhëtarëve”, që rane në ujë dhe vazhduen me notue mbas mollarëve të sanës, kur dy nga partizanët vazhdonin me i ruejtë derisa ata dy, të kryenin nevojët personale… Filloi pushka, dhe alarmi i “zjarrit” mbuloi fshatin me virrma e krizma mitralozësh…

            Ikën…ikën dy “tradhëtarë”… Zjarr! Kontrolloni ku janë futur! Ndigjohej gjithkah.

            Pushkë e mitraloza me virrmat e egersinave “na sollën çlirimin atë ditë nandori”!

            Një grup partizanësh bash si egersinat, shperthyen deren e qelës me armë në dorë dhe filluen me kontrollue qelen deri nder hatlla… Një grup tjeter moren dajen dhe ikën me kontrollue Kishen, mos u kanë hy aty… Gjyshja, u trondit aq fort sa gati na dukej se po humbte edhe frymëmarrjen nga frika, se, “mos ia moren djalin me e pushkatue”!..

            Nuk ishte asgja e papritun nga bishat e maleve me “yllin e kuq” në ballë!

            ***

            Asht kenë një shprehje që perdorej nga Populli Shqiptar: “Na ruej Zot prej ujit, zjarrit e zabitit…” Data 29 Nandori 1944, na i solli mbrenda një dite “permbytjet, zjarret dhe zabitët partizanë” që me tradhëti të pashoqe të organeve të sigurimit të shtetit, nuk na u hoqen per 47 vjetë! Ishin pikërisht ata tradhëtarë, që nen drejtimin e Enver Hoxhës, i sherbyen me armë në dorë pushtuesëve jugosllavë, grekë, rus, kinezë dhe të gjithë atyne që dishronin humbjen e Hartës së Shqipnisë në Ballkan, permbytjen e Popullit Shqiptar nen zgjedhen sllave, zharitjen e Atdhetarëve tanë, dhe me zabitet ma të poshter që ka njoh Historia ynë, zhdukën, vranë dhe varrosen pavarre mbi 50.000 Shqiptarë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje e perqendrimi, në male, fusha dhe brigje lumejsh…

            Viti 1944 asht viti i pushtimit sllav, viti i shpronsimeve, plaçkitjeve, vrasjeve, interrnimeve, …Dhe me plot gojë robninë e Titos dhe të Stalinit, Enver Hoxha me të gjithë pasuesit e tij tradhëtarë e vrasës e quejtën “çlirim”…

            Mekenëse, sot në këte 70 vjetor të mnershem të Popullit Shqiptar, jemi edhe po vazhdojmë me kenë edhe “antar” të “Konferencës Islamike”…një dëshirë e vjeter e bash atyne terroristëve Enver Hoxha e Ramiz Alia me pasuesit e tyne “vllezër gjaku me turq”, po ua uroj këte vit të 70 vjetorit me vargjet e At Gjergj Fishtës, kushtue “Gjaksorëve”:

                                      “Atje nen vapë t’ Saharës,

  Nder luaj e pardha jeten

  Mizuer, kush don me e shkimun

                              Në gjak t’ vllazenve etjen,

  Atjé, pa kenë vajtue,

Mbaroftë i namët per lak…*”

 

Shpjegim: *Mbaroftë i namët per lak – mallkim: Gjaksit i ardhët vdekja e tmershme në shkretinë i vetem dhe pa njeri pranë…

 

Melbourne, Janar 2014.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Buna, Fritz radovani, ne zjarr, Permbytja, Permbytja ne Shkoder, shkodra

Shqipja i asht veshë per parzëm

January 10, 2014 by dgreca

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Ka disa vite që Shqipja ia ka mberthye edhe krahët e nuk e lè me lujtë vendit…/

Shqipja i asht veshë per parzëm…/

Ajo e frymzon…Ka shkrue…Edhe vazhdon me shkrue…/

Shqipja me dy krenat e veta asht kafazi i krahnorit të Tij, që e mbushë me frymë…

Ky Burrë ka dy palë mushkni…Prandej, nuk e ndijnë kurrë mungesen e frymëmarrjes…

Po, as frikën nuk e njeh! Mburoja e Tij ngjason me parzmorën e Kastriotit…

Shkrimet e Tij të duken sikur janë shkrue me ngjyren e Flamurit…

Dhe shkelqejnë nga ngjyra e puplave të krahëve të Shqipes,

Asht bash Shqipja e çerdheve të Maleve të Bajram Currit…

A e njihni kush asht?

Asht Miku i të gjithë Atyne që kanë Zemer Shqiptare,

Asht ZEQIR LUSHAJ.

Rrnosh sa Shqipja Yte… që t’ ka rrokë aq fort, o Zeqir Lushaj!

Melbourne, Janar 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: asht ves, Fritz radovani, per parzem, shqipja, Zeqir lushaj

1914…100 VJET MA PARË…NJË GJAMË DËSHPËRIMI

January 5, 2014 by dgreca

Ne Foto: At Gjergj Fishta OFM (Grafikë nga FRadovani 2010)/

NJË  GJAMË  DËSHPËRIMI/

Nga At Gjergj FISHTA OFM/

Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka; /

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit/

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá/

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:/

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,/

Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!/

2. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;/

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull luani xêhêt fjetun?!…

4. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

 

8. O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

9..Me parsme tona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11. E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na ngjiti.

12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

Shkoder 1914.
Komenti u përgatitë nga At Viktor Volaj, në vitin 1941, botue me titull“Lirikat”.

Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.

U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

1.Mbaroi Malcija!…: Malësia e Madhe, e cilla shpesh përdoret edhe pa mbiemën.

Megjithse Malazezët nuk pushtuen tjetër zonë veç Hotin e Grudën, me të drejtë Poeti thotë se humbi Malësia, pse Hoti e Gruda janë bajrakët e parë në Malësi e Hoti prini ndër lufta. – Lekë: Kështu thirrën malësorët e Malësisë së Madhe. – me drrasë t’krahnorit: me parzëm; Drrasa e krahnorit asht pjesa e krahnorit ku lidhen brinjtë. – Anmiku shkja…s’ka pse dron: Malësorët ishin kurdoherë nji pritë e fortë kundër sllavëve qi donin të pushtonin Shqipninë. – i dbuem: i karmuem, i qitun jashtë; – pa plang pa shtëpi: pa truell pa strehë banimi. Në këte rasë 575 shtëpi të Hotit e Grudës ikën e lanë vendet e veta, për mos me jetue nën sllavë. Këto dyndje janë kenë të vazhdueshme edhe ma vonë.

2. lkundun: përkundun. – tue lavrue: tue e thye, tue e punue tokën. – pengue: lidhë. – Qi bindën shekullin…: Të cillët çuditën mbarë botën tue luftue në vitët 1911-1912 kundër Turqve të Rinjë.

3. strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ: Me 16 prill natën, Mali i Zi rrethoi Malësinë me 12 bataljone, tue i gjetë Malësorët në befasi. Poeti i krahason me luanin e xanun në strofull fjetë.

4. t’shkelzyeshem: t’shkelqyeshëm, vezulluesa. – pre’ Empirit: pjesa ma e naltë e qiellit. – permallshem: mallëngjyeshem. – tue ferfllue: tue vezullue, tue shndritë. – vreni m’sharte t’nierit: kundroni fatet, punët e njerzimit.

5. viset: krahina; t’perligjuna me luftë e gjak: të shperblyeme, të mbrojtuna me luftë të përgjakun.

6. E mallkue kjoftë Evropa…: “Kjo namë ngjiti me të vërtetë! Mbas tre muejsh, me 28 Korrik 1914, shpertheu ajo luftë e tmershme, e quejtun Lufta e Parë Botnore, e cilla zgjati deri në Nandor të vitit 1918. Në ketë luftë mbetën dhetë miljon të vdekun. Kjenë shkretnue vise, vorfnue shtete, rrxue dinasti të vjetra, as nuk muejt me i prue botës nji paqë të qendrueshme, por shqetësoi zemrat e popujve me traktate të dhunëshme, tue kallë luftën e sotme.” (1941).

7. E prej Lirijet …: Me ia ndalue vrapin qi don me marrë kah Liria. – gobsija e kuj në Malësi…: Me kenëse nuk janë vende të frutëshme as Hoti as Gruda për me mëkambë Malin e Zi, asht politika shoveniste ruse e Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë.

8. sosë: mbarim. – Kaina të kunorzuem: Gjaksorë të kunorzuem; kryetarët e mbretnive, me ketë emen Poeti përmbledhë shtetet qi kundërshtojnë Lirinë e Shqipnisë. – t’ sharruem: të humbun.

9. pallen: shpatën. – shtroje të buta: Poeti paraqet luksin e ambjentit oriental.

10. tue dredhun: tue vringllue. – Tartarit: Me ketë emen quen në përbuzje Turqit e Azisë.

– e poshtnueme: e poshter, për mos mirënjohjen ndaj Shqyptarve, qi kjenë pararojë e sajë.

Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skenderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqipninë.

11. ngelëm: mbetëm. – reshte: bante, shkaktonte tue na nxitë, tue na mundue.

12. sa u nis me u endun: porsa xu fiell, porsa filloi. – skami e kobi: vorfnija e mjerimi.

13. Qyshë nji strofë ma përpara Poeti vé në dukje se shpesh ndera kthehet me dhunë në ketë botë dhe e mira harrohet. Megjithkëte nuk i mbushet mendja pse Evropa, pra: do Mbretni të Mëdhaja, tash qi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë dalë me vete dhe Shqypnisë i asht dhanë Pamvarsija, kërkojnë me e cungue.

14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit. Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

– pa hiri: pa dije, pa pritë e pa kujtue, pa pritmas, pa dashje. – heret si n’e vona: gjithmonë i Pushtetshëm, në të gjitha kohët i Pushtetshëm.

***

Shenim FR: Botohet në 100 vjetorin e padrejtësive ndaj Popullit Shqiptar.

Përgatiti: Fritz RADOVANI/Melbourne, Janar 2014.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz radovani, Nje Gjame deshprimi

AT SHTJEFEN GJEÇOVI-THIRRJE: FALNI GJAKSORËT!..

December 25, 2013 by dgreca

AT  SHTJEFEN GJEÇOVI/

NË VITIN 2014 BAN 85 VJETË, QË E VRANË TRADHËTARËT…/

Shkruan: Fritz RADOVANI/

 

■Vllazen e Motra Shqiptarë !/

Në prag të 85 vjetorit të vrasjes së Martirit dhe dijetarit të madh të trojeve tona Shqiptare, të gjithë Bashkatdhetarëve që kanë humbë njerzit e tyne të dashtun e të shtrenjtë, u drejtoj këte

THIRRJE: FALNI GJAKSORËT!..

 

■KUVENDONI PRANË ATYNE OXHAKËVE TË NDERUEM DHE RRETH SOFRAVE BUJARE SI VLLAZEN…FALNI GJAQET !

 

■JU LUTEM, DUENI FLAMURIN E GJERGJ KASTRIOTIT !

NDER ATA MALE JANË ÇERDHET E SHQIPEVE !

JEPNI BESEN E BURRAVE SI ASHT KENË ZAKONI !

MOS U NGUJONI BRE BURRA, TË ATYNE BJESHKËVE…

MOS IA BANI QEJFIN HASMIT TUEJ SHEKULLOR !..

 

■SHQIPNIA E SHUMVUEJTUN KURRË, KURRË, ASNJËHERË NUK MUND TË RINDERTOHET PA FALJEN DHE PAJTIMIN TUEJ !

 

JA, ÇKA U THA PARA PUSHKATIMIT AT MATI PRENNUSHI, NJË VLLA I AT SHTJEFEN GJEÇOVIT, VRASËSVE TË VET, SLLAVOKOMUNISTË, NË ZALLIN E KIRIT TË SHKODRES:

“JAM I PAFAJSHEM, PO VDES NË KRYE TË DETYRËS S’EME. RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË PAPA, RRNOFSHIN KATOLIKËT, RRNOFTË SHQIPNIA. UA BAJ HALLALLË GJYQIT DHE ATA QË DO TË SHTIJNË MBI TRUPAT TONË TË PAFAJSHEM.”(Arkivi M. P. Mbrendshme, Tiranë, Dosja 1302)

 

 

■KLERIKË SHQIPTARË TË TË GJITHA BESIMEVE !

U prini, drejtoni dhe ndihmoni edhe Ju, shoqatat e grupet atdhetare, që do të punojnë per faljen dhe pajtimin e gjaqeve në vitin 2014 !

 

■Ju lutem, Nana, Motra e Vajza me futa të zeza…

 

Hapni rinisë dyertë e ngujueme nder shula !..

Fëmijët kanë nevojë per me mësue dhe me luejtë …

Banje këte veper Atdhetare e fetare në vitin 2014,

Vitin e 85, të vrasjes së MARTIRIT AT SHTJEFEN GJEÇOVI !

 

            ■Kujtoni, ju lutem, nga At Fishta:

                        Prandej, o Zot, prej qiellet

                        Ti priri sytë mbi né,

                        E ban që puna t’ kthjellet,

                        Si asht mirë për Atme e fé,

                        E gjaku i këtij meshtarit

                        T’ kjoftë falë per komb t’ Shqiptarit.

                                    1914, (Mbi vorr të At A. Paliq, OFM.)

 

                                                Me respekt e shpresë…Autori

 

Melbourne, 24 dhjetor 2013.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: at Shtjefen Gjecovi, falni gjaksoret, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT