Nga Fritz RADOVANI/
Në fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, në faqen 1148, fjala mister shpjegohet: “Mister, – i m…1. Diçka e panjohur ose shumë e fshehtë; diçka e errët dhe e pashpjegueshme; fshehtësi, e fshehtë. Mister i madh. Misteret e natyrës. Këtu ka një mister. Mbeti mister nuk u zbulua. Është rrethuar me një mister. Kyçi i misterit çelësi i së fshehtës. 2. Fet. Rit fetar i fshehtë, që bëhej në Greqinë e në Romen e vjeter dhe në vendet e lashta të Lindjes për nder të një perëndije, duke marrë pjesë vetëm priftërinjtë; ceremoni fetare e mbyllur…”
Vetë “Historia e Shqipnisë” sot asht kthye në një “mister”!
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, ka vdekë në Lezhë me 17 Janar 1468, e u vorros aty.
Tue fillue nga Imz. Pal Engjulli, dhe me rradhë njihen figurat e mëdha që aso kohe e rrethonin Prijsin e Madh të Popullit Shqiptar, në luftë kunder turqëve. Sigurisht, me dashtë me folë per fitoret e Kastriotit në 25 vjet luftë të pergjakshme, nuk mundesh mos me zanë me gojë këshilltarët, oficerët dhe strategët legjendarë që ndihmuen Fitoret.
Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Tokat Shqiptare dhe kështjellat historike kanë vazhdue gati edhe dhjetë vjetë të tjera pa u pushtue nga turqit. Në kjoftë se do të donim me tregue se çka u ba nga pushtuesit turq nder këta kështjella mbas ramjes në doren e tyne, do të duhej me u shmangë nga tema, po një fakt dihet: Shqiptarët u qitën fare!
Këte e dishmon Drishti, Kruja, Lezha dhe Shkodra…E kjo shfarosje vazhdoi edhe në vitin 1967, kur edhe Kisha e Vaut të Dejës, u holl në erë nga osmanllinjtë e Enver Hoxhës, vetem pse n’ atë Kishë ishte kunorzue Gjergj Kastrioti me Doniken.
Atëherë, si mund të pranojmë né sot, që kemi të gjitha faktet historike të njohuna, se grupi rrethues i njerzëve të dijtun dhe të provuem që i qendronte pranë deri me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastriotit, se porsa Ai mbylli sytë, e vorrosen e mbas pak vitesh ikën nder dhena të hueja, e Prijsin e Tyne legjendar e lanë me u shkrrye nga turqit në Lezhë?
A mund të pranohet që Imz. Pal Engjulli nuk i njihte turqit? Po tjerët, aq naiv ishin sa mos me u shkue mendja se Eshtnat e Prijsit Tyne, do të shvorrosen, dhe do të treten e hullën në lumin Drin, ashtu si ka veprue pasuesi i tyne anadollak në 1967?
Nëse, dihej se turqit do ta pushtojnë Shqipninë, a thue asnjeni nuk mërrijti me marrë me mend e me parashikue se çfarë do të bajnë turqit, me Vorrin dhe Kishen e Shën Kollit në Lezhë, kur dihej se kudo që turqit vune kamben ata zhdukën të gjithë Shqiptarët, atëherë, si do të qendronte në kambë Kisha me Vorrin e Tij mbrendë?
Largimi i Tyne bashkë me Doniken dhe Gjonin e rij, të birin e Kastriotit, u ba me paramendimin se asnjeni nuk do të kthehej ma në Atdhe, atëherë, me kenë se një veprim i tillë asht i njohun nga të gjithë bashkëkohësit e historianët që rrëfejnë “se si u larguen nga Atdheu i Tyne i dashtun, tue puthë edhe gurtë e prakut të Kështjellës…”, cili asht ai që nuk mendon dhe nuk pranon se “Vorri i Gjergj Kastriotit asht një MISTER”?!
Unë kam mendue gjithmonë se: “Eshtnat e Gjergj Kastriotit sot dikund janë!”
Kur pata mësue sesi kanë mujtë me shpetue pa u tretë në lumin Drin Eshtnat e Bekueme të At Gjergj Fishtës, aq ma shumë më shtohej kurreshtja per MISTERIN e Eshtnave të Bekueme të Gjergj Kastriotit…
Per këte MISTER, një ditë, aty nga gjysa e Qershorit 1996 kemi bisedue gjatë me At Konrrad Gjolaj, në shtëpinë e Tij… Edhe Ai pajtohej me mendimin tim…
At Konrradi paraqiti këte mendim: “Koha e gjatë e pushtimit otoman ka prishë e shkatrrue gjithshka që né na bashkonte me kontinentin Europjan…Qeverisjet anadollake mbas vitit 1912, kanë vazhdue me ba çka nuk mujten as turqit per 400 e sa vjet robni.
Pushtimi sllavo komunist i anadollakëve Enver Hoxha me pasuesit e tij, jo vetem, shkatrroi edhe thëmelet e kulturës Europjane tek né, po zhduku me Gjenocid edhe të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptarë dhe intelektual, që po ndertonin binanë e Shqipnisë.
Vorri i Gjergj Kastriotit vertetë asht një MISTER.
Ky MISTER, sa vjen e bahet ma i panjohun me kalimin e kohës. Ata Shqiptarë, që mund të dinin saktësisht per Vendin e ndodhjes së Eshtnave të Gjergj Kastriotit, sot mund të ishin vetem Provinçialët Shqiptarë të Françeskanëve tanë, të cilët, shumë nga sekretet e Kishës Katolike Shqiptare, ua transmetojnë njanitjetrit kur zevendsohën…
Per fatin e keq të Shqiptarëve, mbas vitit 1944 janë zhdukë shumë “MISTERE”, nga pushkatimi dhe zhdukja e të gjithë Provinçialëve mbrenda një kohe të shkurtë, tue fillue me At Anton Harapin në 1946, dhe po atë vit arrestohen dhe u pushkatuen deri në 1948, At Mati Prennushi e At Çiprian Nika. Vdes në burg Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Palë Dodaj, që duhet të dinte ma shumë se kushdo për ketë MISTER, mbasi ishte një historian i mirfilltë dhe shumë i dijtun. Kështu, mbas vitit 1951, nuk ka ma dëshmitarë!
Dihet saktësisht se në Vorr asht kenë edhe një shishe me kopjon e dokumentit të vorrimit të Kastriotit nga Kisha e Lezhës. Edhe ky dokument ka mbetë MISTER… ”
***
Po, a ka mundsi që një “MISTER”… të transmetohet nder shekuj pa u tregue?
Them, se po, mbasi Historia e Popullit Shqiptar, sa vjen e mbulohet perditë e ma shumë nga të gjithë pseudohistorianë e fallsifikatorë me gënjeshtra…
Ndersa, e VERTETA, në Shqipni mbetë “MISTER”…
Melbourne, Janar 2014.