• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gënjeshtra bëhet dhe ligj anti-Zot

February 9, 2021 by dgreca

Alfons Grishaj/ Kjo fjalë është trajtuar në shekuj nga filozofë, shkrimtarë, doktorë psiko-analistë etj.dhe çdo herë ka pasur një trajtë të re.Philetas of Cos, says: “What I am now saying is false. Is what he says true or false? If it’s true, it is false; if false is true (Modern Philosophy, Roger Scruton, P.- 402)Tek varri i këtij shkrimtari poet ka një epitaf: “Philetas of Cos am I, Twas the liar who made die and the bad nights caused thereby.”Në shoqërinë e dyzuar civile ,gënjeshtra shihet si mjet justifikimi, si grimcë romantike, trajtë humori, mjet përfitimi, mjet jetese, por që në thelb nuk ka asgjë pozitive, sepse, sjell humor shterpë (si të një “mikut” tim…), zhgënjim, pabesi, vuajtje…deri dhe krim.Disa hiqen sikur bëjnë bëma patriotike, por në prapavijën e këtyre bëmave është interesi dhe plaçkitja, dhe kur koha ia zhvesh qëllimin, ata quhen genjështarë !!!Ka njerëz që gënjeshtrën e bëjnë të vërtetë dhe të vërtetën gënjeshtër.Sot gënjeshtra na paraqitet me eufemizma:1-Gënjeshtra quhet “zbukurim!”.2- Shëmtia, “Bukuri e egër!”. 3- Dhuna, “Demonstrim paqësor!” 3- Vrasja, “Konflikt natyror!” 4- Plaçkitja, “Djersë arti!” 5-Polici,“Gjeneral!” 6-Nevojtorja, “Shkarkim poetik!” 7- Shkrepsja, “Televizor me ngjyra!” 8-Kastraveci, “Shkop magjik!” 9-Bukuria, “Aksident natyre!” 10- Grindaveci, “Llafolog modern!” 10- Shkarravina, “Posmodernizëm!”. 11- Nallbani, “ Qëndistar!”. 12- Çobani i dhive, “Kritik letrar”.13- Mashtruesi ordiner , “Vizionar!”.14- Gomari, “ Kalë i rracës arabe!” etj…etj )Do të sjell tre ilustrime të thjeshta për të definuar kur gënjeshtra bëhet krim, kur e vërteta quhet gënjeshtër, dhe kur ajo bëhet ligj:1-Kur pushtetari e kthen gënjeshtrën në pabesi dhe krim: Në fëmijërinë time pata lexuar një libër të vogël që quhej “Simboli Al”. Mendohej që njeriu i parë që zbuloi metalin e butë të aluminit jetoi në kohën e perandorisë romake. Zbuluesi zanatçi bëri një kupë prej alumini e luçidoi dhe ia dërgoi dhuratë perandorit të Romës. Kur Perandori e pa, u mahnit, metal i lehtë, i bukur, i paparë më parë. I premtoi zbuluesit që do ta mbante afër dhe të punonte nën mbikqyrjen e tij, por e gënjeu. Ai, pasi e vrau, ia shkuli zemrën nga gjoksi, e mbushi kupën e lehtë dhe të shkëlqyer me të duke e groposur së bashku zbuluesin dhe misterin Al. Perandori mendonte që shpikësi i metalit do bëhej i famshëm dhe më i pasur se ai dhe mbase do i rrezikonte një ditë fronin, prandaj dhe e gënjeu mjeshtrin me fjalë të bukura deri sa i mori jetën, duke varrosur dhe shpikjen e tij.(a)- Një herë e një kohë, në spitalin e burgut Tiranë u njoha me një person me emrin Ali. Pas një informacioni të gënjeshtërt(nga një “mik”, anëtar partie), Aliu kish vrarë gruan në mënyrë mizore. Pas krimit ai u arrestua dhe u dërgua në psikiatri në pavionin 7 të burgut. Që nga dita e arrestimit, ai nuk fliste dhe nuk hante. Sillej si një skizofren katotonik. Të gjitha përpjekjet e mjekëve për ta bërë të fliste nuk patën dobi. As presionet dhe seancat e elektroshokut nuk ndikuan që ai të hapte gojën. Kishin kaluar rreth 35 ditë që nuk kishte futur gjë në gojë përveç ujit. Një natë çohet nga shtrati dhe afrohet pranë krevatit tim. Lëviza pak jastëkun e vendosa pas shpine duke u ngritur ndenjur:- Vlla çfarë nevoje ke ?- Un’ nuk i besoj asnjenit në kët spital përveç teje…se dhe ti je i heshtun si un, – filloi “vrasësi” dhe vazhdoi më tej, – un’ kam vra grun se m’tha nji shok partie qi gruja jeme ka shku me drejtorin. Nuk ia fali vetit, prandaj jam tue u fik ngadal. Por çka m’dhem ma tepër asht se kur isha tue e kput në kmes, ajo m’ tha: “Ali, po m’vret kot se kurr n’ jet nuk t’ kam trathtu, e Zoti e vraft at’ qi t’ka rrejt se dhe sot qi po m’ vret… prap të du!”. Aliu u ndal për disa sekonda… fshiu lotët prej syve dhe vazhdoi. – Ajo ka pasë dhimbje ka pas dhimbje të madhe…, para se me dekë … theu dhe nji dru sa dora jeme tue u kap për të. Nuk m’ hjeket prej syve kur isha tue e pre në kmes, prap ishte e bukur … O Zot…! Sa do t’ ket vuejt… e un prap jetoj?! Unë nuk e shikova me çudi, sepse jeta më kishte mësuar ta jetoja kohën dhe vendin si filozof! Isha i ftohtë si akulli i mëngjezit në acar. Por në atë kohë, kjo akullnajë që më pat rrethuar nuk më pengonte që të isha logjik dhe i pajisur me një fantazi pa limit. Qe koha e paradokseve, kur krimi shtetëror ishte në çdo qelizë të jetës. Me anë të autosugjestionit ia pata ndaluar vetes sentimentalizmat, duke çimentuar flegmatizmin tim.E parafytyrova këtë skenë sikur të isha i pranishëm.Dhe pse isha i ftohtë, më theri në shpirt duke parë vdekjen e dhimbshme të asaj nuseje të re si shtojzovalle, që sikur të ishte Alfred Hitchcok nuk do ishte në gjendje të ma sillte aq të gjallë figurën e saj sa ma solli nënqenia ime. U çova në këmbë duke i thënë:- Ali ke bërë një mëkat të madh! Nuk e di… nuk e di…por ti nuk je budallë … që me vra me thashetheme të rreme njeriun më të dashur? A mos vallë ky miku jot anëtar partie, e ka ngacmu gruan tënde për vete dhe ka pas frikë se po të tregon ty e prandaj të futi në këtë qorrsokak, sepse tek unë nuk ka pikë kuptimi tjetër…? – Jo more burr, se e kam shok! – U përgjigj ai. Nuk munda me e dëgju më, sepse m’u duk se ishte dhe viktimë e indoktrinimit. Në atë kohë po të dyshoje tek“shokët” e Partisë qe dhe krim, kur vetë Partia e Punës ishte nëna e krimit. -Shko të lutem tek shtrati e mundohu të mbledhësh veten, – iu drejtova, duke i lënë të kuptojë se biseda jonë kish kryer. Aliu m’i nguli sytë e lodhur, uli kokën duke çapluar tek shtrati i vet. Më vështroi dhe njëherë sikur do të hetonte çfarë mendoja dhe pa u shtrirë u mblodh kruspull, duke humbur në botën e pendimit, dyshimit… apo, mbase mendonte sedo ish mëmirë të ndëshkonte gënjeshtarin se gruan e tij…?! Nuk pata dëshirë ta zgjasja bisedën. Biles as të nesërmën, as ditën tjetër nuk i fola. Kisha dëgjuar e jetuar shumë ngjarje të vështira, por kjo më dukej krejt pa kuptim. Siç duket ajo qe biseda më e shkurtër e jetës, por që m’u ngulit thellë deri më sot, e të cilën vendosa ta ndaj me lexuesin.Pas dy ditësh, Aliu u çua në këmbë me hodhi një vështrim…(sikur do më thoshte lamtumirë…) dhe me ato pak fuqi që i kishin mbetur u gjuajt me kokë në qoshe të murit, duke dhënë shpirt!E dija se do të vdiste, por nuk e kisha menduar se ajo qe zgjidhja e tij më e shpejtë. Agronit, shokut tjetër të dhomës,me të përjetuar atë skenë me gjak,i ra të fikët. Ia mbylla sytë dhe u luta për të dhe të shoqen…, dy shpirtëra, viktimë e monstrës gënjeshtër. U luta që ta falnin njëri-tjetrin dhe të bashkoheshin në amshim! Kur erdhën policët dhe “doktorët” u shprehen pothujse njësoj: “ Një qen më pak!” Unë i korigjova:-Jo! Një shpirt më pak që i shpëtoi jetës së gënjeshtërt…! Qenjtë porsa erdhën!. Ato fjalë më kushtuan pak, por asnjëherë nuk u pendova. Tash unë jam i sigurt që çifti i sakrifikuar nga fabrikimi i gënjeshtarit (anëtarë partie) është nën kujdesin e Zotit, dhe gjithashtu besoj se gënjeshtari i truar do ta ketë kaluar një ferr mbi tokë dhe ende digjet në flakët e ferrit, sepse atje ku ka përfunduar, nuk ka parti që ta mbrojë!2-Kur Injoranti dhe shpirtligu e quan të vërtetën, gënjeshtër :Në vitin 1917, në Fatima të Portugalisë, Virgjëresha Mariu shfaqet tre fëmijëve:Lucia dos Santos, Francisco dos Santos dhe Jacinta Marto. Ajo uparaqitet e madhërishme e rrethuar me aureolë më brilante se vetë dielli. Virgjëresha Mari kish veshur një mantel të qëndisur anash me ar dhe mbi duart e mbledhura në gjoks i shndrisnin rruzaret. Ajo i kërkoi fëmijëve që ta donin Trininë e Shenjtë dhe të luteshin përditë me rruzare për të pushuar lufta dhe të kthehej paqja në botë.Kalvari i fëmijëve filloi në momentin që Jancinta i tregoi prindërve… Dhe pse besimtarët shkonin në Kishë dhe besonin në Jezu Krishtin, tregimin e fëmijëve e morën si gënjeshtër. I vetmi që i besoi fëmijët ishte Father Ferreira. Lucia u zgjodh nga Zoja e Bekuar si përçuesja e porosive . Shenjtorja Mari i kërkoi Lucias që të mësonte për të lexuar dhe shkruar për të kuptuar misionin e shenjtë që ajo do të përçonte. Megjithatë shumë njerëz përfshirë dhe Ipeshkvin , Kryetarine Bashkisë…, i quanin fëmijët gënjeshtarë. Lucia nuk dorëzohej : “ Zonja që kemi parë është e vërtetë! ”Duke parë mosbesimin e njerëzve , Lucia i kërkoi Nënës së Krishtit të bënte një mrekulli sepse njerëzit nuk i besonin dhe i quanin gënjeshtarë. St.Mari u premtoi fëmijëve një mrekulli. Lucia u tregoi “besimtarëve” dhe jobesimtarëve që Engjëlli që fliste me ta do të bënte një mrekulli.Me 13 Tetor 1917, u mblodhën në Fatima mbi 70 000 mijë vetë. I pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë(që ishte dhe mosbesuesi më i madh i fëmijëve) së bashku me Ipeshkvin, i cili i“torturoi” fëmijët me pyetje dyshimi. Sepse ai mendonte sesi ishte e mundur që Zoja nuk i qe shfaqur atij, njeriut të devotshëm të Kishës, por i ishte shfaqur fëmijëve?! Me 13 Tetor “dilema” mori fund. Atë ditë ishin mbledhur gazetarë, fotografë, reporterë. Mrekullia ndodhi…, dielli lëvizi në pozicione të ndryshme ku dukej sikur do e përpinte tokën. Disa u lebetitën, disa u gjunjëzuan duke u lutur, disa ia dhanë vrapit! Pra, u desh të ndodhte “Mrekullia e Diellit” që njerëzia të besonin fëmijët, që deri atë ditë vuanin mbi supet e tyre epitetin “gënjeshtarë”, dhe nga të “tillë”, u kurorëzuan me lule!Kur ishim të vegjël, prindërit na mësonin se gënjeshtra është e shëmtuar… se i kishte këmbët e shkurtëra. Ndërsa mësues dhe mësuese ndëshkonin duart e fëmijëve me shkop, kur fëmijët nuk justifikonin të thënat sipas logjikës të rriturit,apo kur tek “zojusha” apo “zoti”, tingëllonte gënjeshtër, si në rastin e ngjarjes në Fatima. Me këtë lloj ndëshkimi primitiv, mësuesit përpiqeshinta ndalonin me dhunë fenomenin që dëmtonte në rritje e sipër formimin psikomotor të fëmijës, (sepse ata nuk e kuptuan kurrë se dhuna është gënjeshtra e paqes), kur në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta: fëmijët që ballafaqohen me dhunën fitojnë instiktivisht refleksin negativ të dhunës.3-Kur politikani e bën gënjeshtrën ligj anti-ZotPara se të zgjidhej President, Joe Biden, e quante firmosjen orderave të pakonsultuar(konsensual) ekzekutiv, diktat! Ndërsa vetë ai, në dhjetë ditë firmosi 25 të tillë dhe pse presidentët e mëparshëm nuk e kalonin numrin (6) gjashtë. Ndër këto urdhëra ekzekutiv…“lulëzoi” një më i shëmtuari në historinë e njerëzimit, ai që meshkujt transgender të mund të garojnë me femrat në kampionatet e tyre. Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend një shëmti e tillë, një gënjeshtër diabolike ku i jep fund natyrës së seksit femër, të drejtës saj natyrale për të treguar aftësitë fizike në sporte të ndryshme. Shkencërisht dhe bioligjikisht, mashkulli është fizikisht disa herë më i fortë se femra, ndërsa teologjikisht jepet shpjegimi se Krijuesi e bëri femrën nga brinjët e mashkullit dhe jo nga toka siç e bëri mashkullin. Parë nën optikën e ligjeve hyjnore, femra, nëna e njerëzimit (siç bëri dhe Nëna e Krishtit, kur gjunjëzoi mbi shtatëdhjetë mijë vetë në Fatima, dhe pse përdori fuqinë hyjnore dhe bëri një mrekulli të tillë, nuk mund të bëhet kurrë Krisht!) është bërë për të qenë e ndryshme nga mashkulli. Kështu sado e fuqishme të jetë natyra muskulare e femrës, ajo mbetet në raport me mashkullin gjithnjë fluide… pjalmi i jetës! Po si mund ta quaj këtë “krater-ligj” që më ka prekur thellë në ndërgjegje e shpirt: çmenduri… shpirtligësi… hanrakllëk…? Ky është ligji degjenaritiv…më anti-njerëzori në historinë e njerëzimit dhe emëroi me bindje të plotë e quaj: Ligji anti-Zot!Në jetën time i kam takuar të gjitha llojet e sojit njerëzor dhe përvoja më ka bërë të konstatoj që më i shëmtuari dhe më i ndyri është… gënjeshtari!

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Ligj-anti-Zot

Një nga Dhjetë Urdhëresat, Gënjeshtra

January 24, 2019 by dgreca

/1 Alfons-Grishaj

….. FILLIMI/

Adami  dhe Eva qenë të parët që thyen urdhëresën e Zotit  me frutin e ndaluar. Që aty njeriu mendoi se do fshihej nga Krijuesi, duke gënjyer vetveten, por jo Zotin. Siç shihet, dashuria për krijesat hyjnore qe në format adhuruese, por jo  urdhëruese… sepse urdhëri nuk ishte bërë vetëdije  ekzistente.

Realiteti vazhdoi i hidhur, dhe shthurja e pabesia detyruan  Zotin t’i tregonte të birit të Lamekut, Noehin, të ndërtonte arkën se, Ai (Zoti),  do të ndëshkonte njerëzimin e pabesë.

Përsëri disiplina skematike dhe bindja ndaj të adhuruarit ishin larg shpirtërores. Ndjesia e përkushtimit ritual pluskonte në sensin pagan. Egërsia dhe brutaliteti nuk kishin kufi deri në fatalitet. Njeriu i vërtetë mund të kërkohej me kandilin e Diogjenit  në ditën me diell.

Ardhja e fenomenit Abraham, përkon me fillimin e ndërgjegjësimit se njeriu nuk qe i rastësishëm në tokë, por kishte një Krijues që fliste me gjuhën e Tij, dhe se  njeriu  ishte i detyruar  të ndiqte disa rregulla jetese  bazë  për të justifikuar frytin e dhënë: Jetën.

Mëkati dhe shpërfytyrimi i njeriut nuk ndalej, gjë që  detyroi Zotin të godiste përsëri tokën: Gomorën dhe Sodomën, jo në përmasat e kataklizmës, por të ndëshkimit lokal. Megjithatë, Hyu nuk u lodh me mirësinë e Tij, i cili flauroi herë pas here njeriun deri me  ardhjen e Profetit Moses, që skaliti prekshëm “Dhjetë Urdhëresat”, mes të cilave  qe: “ Mos dëshmo në rrenë”. Por dhurata më e vyer e Hyut, jeta u keqpërdor prej grykësisë së njeriut, derisa u quajt “gënjeshtër!” Vetë Solomoni Profet (Sulejman në Kuran), njihet si mëkatar… ku i vë dhe  vulën me thënien e tij: “Vanitas vanitatum omnia vanitas!”. Sa dhe sot e kësaj dite, disa e quajnë misterin e jetës: kotësi, gënjeshtër!

Njeriu vazhdoi t’a nënçmonte privilegjin e Hyut, deri me ardhjen e Krishtit (Anno Domini,  Në vitin e Zotit, ose Viti Një) Kryqëzimi dhe ringjallja e Tij e bëri besimtarin të ndërgjegjshëm që fryma e shenjtë ekzistonte dhe njeriu ishte produkt i saj, pra nuk ishte gënjeshtër. Shumë u kthyen dhe jetuan në bazë të ligjeve të sanksionuara  nga Hyu, dhe përballë  rrezikut për jetën asnjëherë nuk gënjyen, “Oh na falni, se ne nuk jemi të krishterë”, por u martirizuan dhe nuk e shkelën besimin ndaj Zotit.

Shekuj më vonë ky martirizim do përsëritej me Klerin Katolik (ku para pushkatimit thanë: Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti mbret!), dhe disa personalitete të Klerit Musliman  Shqiptar të  linçuar  nga Hidrat bolshevike, që kishin për Zot një gënjeshtër të madhe që quhej, Komunizëm. Dhe që të mbahej ky ‘Zot” duheshin flijime njerëzish si në kohën e Keltëve (ligjet barbare të flijimit të njerëzve për Zotat e rremë), ashtu si dhe  në anën tjetër të Atlantikut në qendër të Amerikës, njohur si qyteti i Teotihuacan, “vendi ku lindën Zotat”.

Civilizimi i botës, ngriti kështjella besimi, dhe rëre. Shpata bënte lumenj gjaku, ndërsa pushka, dete… Dega e ullirit nuk u mboll në çdo vend. “Dhjetë Urdhëresat” u shkelën, u nëpërkëmbën mizorisht. Urdhëri: “Mos bëj dëshmi të rreme” ose më saktë,  “mos gënje!”,  u përsos deri në atë shkallë sa dhe pse  mëkat, një pjesë e njerëzimit dhe sot nuk mund të jetojnë më pa të…! Politikanët    mëkatarë, gënjeshtrën e kthyen  në hobi dhe mjet përfitimi ashtu si Kryeministri Rama, që shitjen me centë të ndonjë shkarravine e sjell si justifikim të pasurimit tij!  Ndërsa pseudo-historianët  dhe pseudo-krijuesit, rrenën e stiluan në gavetë ushtrie. Gjithsesi, gënjeshtra  është  mëkat, por mendimi im është se,  gënjeshtra nuk rëndon njësoj si nga njeriu që përpëlitet për të mbijetuar dhe nga ai që e përdor për pushtet dhe privilegje. Nga ana vet, gënjeshtari është i bindur për vërtetësinë e mashtrimit dhe nuk i bën përshtypje, por nëse dikush e gënjen atë, zgavra e karakterit fals e quan fabulën të papranueshme, spekulative dhe shoqërisht të dëmshme e të rrezikshme.

Sot, fabula stiset në atë formë sa lexuesi i pavëmendshëm e merr gënjeshtrën  si asfalt në shkretëtirë, pa e kuptuar se pas këtij iluzioni të asfaltuar qëndron honi përpirës i rërës që fundos iluzionistin e bashkë më të… iluzionin.

Dhe pse, Volteri thoshte: “Fabula është motra e vjetër e historisë”, nuk ka lidhje me ndërrimin e detajeve,  datave, shtesa të emrave të paqenë në ngjarje, por me fabulat e stilit të “Njëmijë e një netëve” apo “Përrallat e Andersenit” që kishin si bazë legjendat e popullit.

Historia Moderne, është e prerë, distancuar nga sajimi, gënjeshtra apo zbukurimi. Divergjenca midis të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk është si  “divergjenca” midis faktit dhe vizionit,  që shfaqet si dhuratë hyjnore dhe novacion, pasi kjo  mbjell fidane realiteti në antipod me  surrealen.

Për mendimin tim, Surrealizmi si lëvizje moderne është më tepër si një aventurë ekspresive kundër-fetare dhe politike (siç e pranojnë dhe vetë ata), se sa rregull dhe disiplinë klasike të jetuarit, menduarit dhe punuarit. Dhe pse, Paul Garon shprehet: “Surrealism, is not only an important method in elaboration the content of  ‘pie on the sky’  but it is only surrealism  that can take pie out the sky and put on in the diner table.”. (Surrealist  Subversions, citim i Sakolsky & Rosemont. F, 105). Realisht, kjo  thënie nuk përkon me të vërtetën e prekshme të tavolinës, por me sajimin e “bukur” dhe  thyerjen e rregullit të universit real, duke promovuar universin e çthurur. Gënjeshtra mund të jetë dhe propagandë, mund të jetë qëllim në vetvete, mund të jetë dhe sëmundje, por kurrësesi nuk mund të  përbëjë  kockën dhe palcin e të vërtetës,  siç na mëson Herodoti.

Nuk e kam ndërmed të bezdis lexuesin me thëniet e  Aristotelit, apo të bëj analogji (për veten tonë) me thënien e Epimenidës për Kretasit…, as të  shtjelloj Strawson, Tarskin etj. lidhur më gënjeshtrën, por vetëm do mundohem të tërheq vëmendjen e ndërgjegjes së atyre që përpiqen të shkruajnë histori: Nuk ka  shëmti më të madhe se devijimi i faktit  historik, antonim i të vërtetës, sëmundje  e karakterit të dobët. Gënjeshtra është si batica në breg që nuk e ndjen ujin derisa të lag, dhe, po të mos largohesh, të  mbulon të tërin.

E kaluara në të tashmen

Me të kaluarën e zezë nuk mund të bëhem mik, por as  nihilist. Me bindje e pranoj se ka pasur muzikë e këngëtarë, talente për t’u admiruar, shkrimtarë të mrekullueshëm, por gjithçka brenda kazanit lunatik. Dhe ndonjë punim serioz  historik, si për shembull:  Studimi i Universitetit të Tiranës për “Gjergj Kastrioti  Skenderbeu Dhe Lufta Shqiptaro-Turke e Shekullit XV, Tiranë 1967,  vishej me  tisin partiak dhe citime marksiste të panevojshme si: “Forcimi i pushtetit… të Skënderbeut në Shqipëri ishte për zotërinjtë venedikas një halë në sy”. F, 50-51. Mbase fjalët e Marksit ishin të sakta për rastin, po thënia e tij nuk u muar për saktësinë e shprehjes, por  për të denoncuar “armiqtë” e jashtëm perëndimorë  që në shekuj “ e patën halë në sy”  Shqipërinë. Siç shihet, nga punimi serioz bie niveli, dhe thënia e Marksit kthehet në art  teneqexhinjsh për të kallaisur bakrin izolacionist perëndimor të Partisë në pushtet. Sepse lexuesi serioz mund të pyes, meqë Venediku e kishte “halë në sy” Skënderbeun, pse bëri atëherë  aleancë me të… dhe anasjelltas? Saktë, kripto-propagandë, ose troç, gënjeshtër!

Siç shihet, kjo  gangrenë u hap në çdo dialog, tekst, poezi dhe  ese të asaj kohe. Sot, emigrantët shqiptarë në perëndim shohin të kundërtën e kripto-propagandës (!) që rrinte si çekan pas çdo personi ëndërrimtar e mendjehapur.

Sikur t’a zbusnim të kaluarën me gjykimin e sotëm perëndimor do të thoja se, të gjitha veprimet e asaj kohe ishin të kushtëzuara ne cungimin e konceptit të lirisë. Kjo kyç dëshirën dhe zbeh aksionin intelektual. Ideja e përgjegjësisë morale për veprimet nuk bie në njeriun e kushtëzuar, por mbi kushtëzuesin e lirisë që dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Vitet e fundit, ne fituam të drejtën të denoncojmë fallsifikimin, propagandën partiake (gënjeshtrën), vrasjet, burgimet, internimet, errësirën,  telat me gjëmba të një rrjeti mizor antinjerëzor… Përveç një pakice serioze studiuesish dhe historianësh, familjet që vuajtën, përfshi këtu disa intelektualë të ndërgjegjshëm të dy krahëve, vërejmë me dhimbje notimin në pauperizmin e vjetër. Disa e bëjnë me qëllim për të mbrojtur sajimet (gënjeshtrat) e veta, të tjerë flasin me hamendje duke ushqyer delirin e kotësisë së kotësive. Ca bashkohen me korin e bretkosave. O Zot! Teleportim fletushkash, gjallesash dhe të vdekurish!  Paradoksi gënjeshtër  vishet  me këmishë anti-plumb, duke asfiksuar të vërtetën. Gënjeshtarëve të vjetër u vinë në ndihmë dhe disa  “andreoid”,  që me urrejtje  duan  të  korigjojnë  të zezën në të bardhë, rrugës së “purifikimit…të zezën e bëjnë gri. Gjeometrikisht… një mëkat i ndarë përgjysëm, purifikim i gënjeshtërt! Atëherë pse hesht shoqëria jonë?!  Oportunizëm ? Për mendimin tim, oportunizmi ka qenë arma më e fuqishme e mbijetesës së shqipëtarëve, dhe këtë art e përdorin dhe sot  pa nevojë. Padiskutim ka njerëz pamëndyshje… të paepur për të  gjetur realen dhe çelsin e thesarit human.

                          Cubat  e Internetit

Fatkeqësisht, e drejta për të shkarravitur ka rënë dhe në dorën e  shpirtkatranëve, paganëve dhe hajvanëve, dhe këto janë sulur me të katra si “qentë në stervinë” për të “eksploruar” internetin dhe  duke shqyer dritaret e diturisë (se derë biblioteke apo librarie nuk shohin gjëkundi), e ashtu qenshe  krijojnë  “5  deri 25 vepra” që po t’i shtrydhësh të gjitha nuk nxjerr dot një epigram! Në këtë kërcim  kangurësh  kanë hyrë  dhe disa plaçkitës seriozë. Kalemxhinjtë e  syrtarëve të vjetër që shkruajnë për “estetikën”, “historinë”… “gjeografinë”   etj,  pa  hapur asnjë libër me dorë apo shkelur  asnjë pëllëmbë tokë të vendeve që shkruajnë. Burimi i shkrimit? Interneti! Dhe pse në internet janë qindra mendime, teori për një objekt  studimi, këtyre “kokave”  nuk u bëhet vonë  për burimin…po ka rëndësi “vepra” dhe turravrap bëjnë turli, me karrota, presh,  patëllxhana e kastraveca, këpurdha portabella, dhe së fundi  hedhin dhe ca bajga të thara si erëza moderne që çorba t’u shitet. O Perëndi! Paradoksi gënjeshtër nuk ka të sosur… është bërë gangrenë!

Pra, në shekullin XXI, gënjeshtra është bërë më virale se kurrë. Virusi mëkatar degjeneron pandërprerë dhe “thumbs up” janë të pakursyera, biles vlera aestetike. Siç shihet, miqësia e internetit nuk ka puls shkencor e as ndërgjegje kualitative, selektive  intelektuale, por vetëm instiktin viziv të shkronjësit, i cili dhe pse paraqet broçkulla e  gënjeshtra  duhet pëlqyer… se është  “miku e internetit”! Siç shihet rrena nuk është më mëkati i “Dhjetë Urdhëresave”, por Miss Zbukurimi (Gënjeshtra) me fustan të bardhë, gjoks klasik qumështor e vithe zanash, këmbë si shishe shampanje, që i bën pushtat të jargojnë, dhe intelektualët insufiçentë të fusin turinjtë në govatat e derrit. Kësaj i thonë: shformim i emancipuar, parathirrmë e pasthirrmës që po troket.

Mendimi im është: Në sensin logjik, çdo objekt ka një shtyllë konceptuale që konfirmon një fakt, dhe nuk ka nevojë imagjinare përderisa përpara kemivetë atë. Inkursioni i imagjinatës përdoret në rastin kur ne shohim objektin eluziv që nuk bind  koshiencën. Mënyra e perceptimit për të krijuar një objekt zgjon ingranazhin mistik të fantazisë që krijon maketin për t’i paraprirë objektit. E kundërta është sajimi imagjinar fantazmagorik që përpiqet të çmontojë  faktin  për të krijuar balonën emocionale pa helium, gënjeshtrën. Ashtu siç mendon dhe Frojd: “emocionalizmi i pavetëdijshëm është i pamundur”, unë mendoj se, ashtu dhe gënjeshtra e pavetëdijshme dhe e paqëllimshme nuk ekziston!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Një nga Dhjetë, Urdhëresat

Kristo Zhakarlliu dhe Çorba e përzier me gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtra

December 27, 2015 by dgreca

Replikë/
*Çorba e përzier me gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtre e Kristo Zhakarlliut/
*z.Kristo Zhakarlliu ju këshilloj se ka ardhur koha të thoni të vërtetën edhe të përzënies së familjes suaj nga Greqia në vitet 1940, me qëllimin e mirë që të ndihmoni për zbardhjen e disa ngjarjeve që lidhen me çamët dhe Çamërinë./
Nga Arben LLALLA/
Në gazetën “DITA” e datës 26 dhjetor ishte botuar një shkrim tendencioz i z.Kristo Zhakarlliut me titull: “ARVANITASIT ARISTIDH KOLA DHE JORGOS MARUNGAS”.
Autor i shkrimit na sjellë disa fragmente me gjysmë të vërtetë të përzier me gjysmë gënjeshtër, por gjysmë e vërtetë dhe gjysmë gënjeshtër nuk mund të quhet e vërtetë, por një çorbë e porositur për të keqinformuar lexuesit, për ti dhënë kah tjetër ngjarjeve.
Në shkrimin e tij emigranti i arratisur në vitet 1950, Kristo Zhakarlliu hedh baltë mbi ngjarjet e vërteta që lidhen me të madhin Aristidh Kola. Publicisti i vjetër z.Zhakarlliu mundohet të uli figurën e poetit dhe shkrimtarit Kolec Trabotinit, atij historianit që jeton në Tetovë dhe fjala është për Arben Llallën.
Edhe pse në moshë të thellë Kristo Zhakarlliu përdorë disa metoda të e vjetra duke krijuar përçarje midis miqve e shokëve, por le ti kthehemi ngjarjeve të vërteta.
Është e vërtetë që Kolec Traboini e njohu nga afër pak vite Aristidh Kolën dhe familjen e tij, diku rreth 5 vite, por miqësia e tyre vazhdoj edhe më tej me anë të telefonatave dhe letrave Ju z.Zhakarlliu shkruani se: “familja e Aristidh Kolës ka kërkuar me të drejtë të pushohet të shfrytëzohet vepra e Aristidh Kolës”. Ju po flisni në emër të familjes Kola z.Zhakarlliu? Unë po ju tregoj se këtë e kanë kërkuar institucionet e sigurimit grek dhe jo familja Kola sepse gruaja e Aristidh Kolës, Nansi Kola me dëshirë të madhe qëndroj në Kosovë nga 6-11 shtatori 2004, ku ju bënë të gjitha nderet ashtu siç i nderon shqiptari vëllezërit dhe miqtë. Ishte shtatori i vitit 2004, rreth 30 arvanitas qëndruan në Kosovë me ftesë të Ministrisë së Kulturës, ku midis këtyre arvanitasve ishte Jorgo Gjeru, Kosta Kazaqi, Nikos Panurgjia, Niko Stylos, at Antonio Bellushi, etj. Këta arvanitas të shoqëruar nga Lirio Nushi, Seferina Seriani, dhe familja ime, u pritën nga Presidenti Rugova, nga Kryeministri Bajram Rexhepi, nga Ministri i Kulturës, Behxhet Brajshori dhe shumë figura të larta të Republikës së Kosovës. Institucionet e Kosovës nderuar me Mirënjohje të larta veprën dhe familjen e Aristidh Kolës. Këto Mirënjohje u tërhoqën personalisht nga gruaja e Aristidhit, Nansi Kola. Komuna e Skënderaj e shpalli Aristidh Kolën “Qytetar Nderi”, dhe ky titull ju dorëzuar Nansi Kolës. Për më shumë z.Kristo Zhakarlliu lexo gazetat e kohës dhe librin: “Aristidh Kola dhe Shtypi Shqiptar”, ku me një kërkim të thjeshtë e gjeni në internet në formën PDF.
Arvanitasit dhe Nansi Kola me kënaqësi vizituan shtëpinë muze të Jasharjave ku u bënë homazhe edhe tek varri i komandanti legjendar Adem Jashari. Qëndroj dy ditë në Prizren, ku vizitojë edhe shtëpinë muze të Lidhjes së Prizrenit, të bashkimit kombëtar. Nansi Kola shprehu në media respektin që ju bë veprës së Aristidh Kolës dhe asaj gjatë qëndrimi në Kosovë.
Nansi Kola, fëmijët, Ksenia dhe Pano, vëllai dhe motra e Aristidh Kolës, me dëshirë të madhe ishin protagonistë të filmit dokumentar të realizuar në 2004 nga Lirio Nushi për jetën dhe veprën e të ndjerit Aristidh Kolës. Zonja Kola ka dhënë lejen e saj për botimin e disa librave të Aristidh Kolës në gjuhën shqipe. E pra, z.Kristo nëse vërtet familjarët e Aristidh Kolës do të dëshironin që vëllezërit e tij të gjakut dhe gjuhës së shpirtit shqiptarët mos të shfrytëzonin veprën e Aristidh Kolës nuk do merrnin pjesë në këto sa shkrova më lartë. Prandaj në moshë të thellë që jeni unë ju lutem mos u bënë vegël e keqdashësve të lidhjeve shpirtërore të shqiptarëve me arvanitasit, por shijojeni pleqësinë duke vizituar trojet e të parëve në Çamëri.
Në tetor 2010, publicisti dhe poeti Kolec Traboini organizojë një Akademi përkujtimore për Aristidh Kolën, dhe z.Traboini i ftoj të gjithë miqtë dhe dashamirësit e familjes Kola. Kush e pa të arsyeshme dhe ndau pak kohë erdhi në atë aktivitet i cili u mbajt në ambientet e Ministrisë së Kulturës në Tiranë.
Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Aristidh Kolës, në korrik 2014, Muzeu Kombëtar në Tiranë organizojë një konferencë përkujtimore ku ishin të pranishëm miq, shok e dashamirës të Aristidh Kolës. Një rrugë në Tiranë mban emrin e nderuar Aristidh Kola. Dhe mendoj z.Kristo se askush se ka të drejtën të ndali respektin që kanë shqiptarët për veprën e Aristidh Kolës. Përse ju pengon juve dhe atyre që fshihen pas penës suaj në këtë rast vlerësimet që i bëhen Aristidh Kolës dhe familjes së tij?
Ju z.Kristo Zhakarlliu shkruani për atë njeriun që jeton në Tetovë që shkruan për Greqinë se ju paska kërkuar materialet për Jorgo Marungën. Përse z.Zhakarlliu thoni gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtre edhe në këtë rast? Z.Kristo, bërtisni fortë pa frikë dhe thoni të vërtetën se ai njeri që jeton në Tetovë është Arben Llalla dhe njiheni shumë mirë. Ne, z.Kristo ke folur me dhjetëra herë në telefon, unë njihem me motrat dhe vëllezërit tuaj, sidomos më Leonidhën të cilin e kam patur fqinjë në Selanik 10 vite, njihem me nipin tuaj që është gazetar në Gjirokastër, etj, etj. Largësia ka bërë që mos të takoheshim sepse ju jetoni në Athinë dhe unë ato vite në Selanik. Unë ua kërkova materialet e Marungës me qëllimin e mirë që të dalin në dritë, mos të flenë në bodrumet për ti zënë pluhuri i harresës. Kam folur disa herë me gruan e të ndjerit Jorgo Marungës dhe ajo mu lut që ta lej anash këtë punë sepse sigurimi grek i kishte futur tmerrin në palcë. Z.Kristo Zhakarlliu përse nuk thoni të vërtetën se si vdiq arvanitasi Jorgo Marunga, ose më saktë se si e vranë në spital? Përse nuk keni shkruar asnjëherë se kush e porositi vrasjen e Jorgo Marungës? Ju keni qenë miq të ngushtë, e pra miku i vërtet e mbron mikun edhe pas vdekjes.
Në përfundim z.Kristo Zhakarlliu ju këshilloj se ka ardhur koha të thoni të vërtetën edhe të përzënies së familjes suaj nga Greqia në vitet 1940, me qëllimin e mirë që të ndihmoni për zbardhjen e disa ngjarjeve që lidhen me çamët dhe Çamërinë. Familja Zhakarlliu nuk janë vllah nga Voskopoja, ashtu siç i dimë dhe thonë vetë ata, por janë nga Çamëria. Familja e nderuar Zhakarlliu kishte vëllazëri me shumë familje shqiptare myslimane në Çamëri, midis tyre me patriotin e nderuar Daut Hoxha, babai i historianit Ibrahim D. Hoxha. Familja Zhakarlliu u përzu nga Greqia ashtu siç u përzunë mijëra familje shqiptare myslimane dhe ortodokse. E pra, z.Kristo Zhakalliu bëni mirë të thonë këtë të vërtetë edhe për familjen tuaj, pasurinë që ua sekuestrojë shteti grek, etj. Ju sugjeroj z.Kristo që të ndalni botimet tuaja të përziera në çorbën gjysmë të vërtetë me gjysmë gënjeshtre, të porositura nga dikush tjetër sepse unë e njoh shumë mirë penën tuaj origjinale.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, corba, Genjeshtra, KristiZharakliu

AH SIKUR…!

July 22, 2013 by dgreca

-Gënjeshtra- /

 Skicë-esé nga DRITA LUSHI/

 Na gënjejnë qysh  në  lindje.

Po, po!

Me një biberon gënjeshtër (rrens), mamatë  na “mashtrojnë”,e na bëjnë  të besojmë  se  kemi  gjirin e tyre në gojë.

E ne, as motakë, në  abc-në  e vetëdijes  sonë  hapvogël  themi :

“Ah sikur!”

“Sikur  të kishte qumësht, ky “gji”, atëherë  do të  ishim më mirë, sa të qetë do flinim!”

E këtë, e themi me sytë, qe ia ngulim mamave tona, të cilat mendojnë se nuk kuptojmë, e vazhdojnë punën të qeta.

Ndonjëherë  zemërohemi aq shumë,  sa qajmë.

Kjo, është  protesta  jonë  e vetme ndaj “gënjeshtrës” që na bëjnë, sapo lindim.

Po  edhe  ne gjithashtu, gënjejmë fëmijët  tanë. Po, po, i gënjejmë në të njëjtën mënyrë.

Një “gënjeshtër” që na e mësuan  të tjerët  qysh në lindje,  e zbatojmë  edhe ne, jo pa kuptuar, por me vetëdije.

Nis  kështu “riciklimi” i gënjeshtrës, dhe trashëgimi  i  saj.

Ne një moshë  pak më  të  madhe, kur i pyesim  mamatë  tona se, si lindëm , asnjëherë  nuk na kanë treguar te vërtetën.

Por ndonjëherë, edhe kur u  themi të vërtetën, fëmijët  s’besojnë.

Pasi i thashë vajzës  sime, që  e kisha lindur me operacion, filloi dyshimi i  saj, se mos  ndoshta,  ish’ e  birësuar, për  faktin se është e vetme.

Disa  gënjeshtra,  i marrim për  të vërteta, e disa të vërteta i marrim si gënjeshtra.

Natyra e njeriut, është  sa e komplikuar  aq  edhe  e pafajshme.

Ndonjëherë na pëlqen të na gënjejnë.

Ndonjëherë, na gënjejnë, dhe ne, bëjmë sikur besojmë.

Ndonjëherë na gënjejnë  dhe  s’e kuptojmë kurrë, gjithë jetën

Na kanë  gënjyer edhe në shkollë.

Na  kanë  gënjyer librat, kur  shkruanin, se ishim vendi më i  lumtur dhe i lirë në botë, paçka se i binim derës së komshiut  në  fund të  pesëmbëdhjetëditëshit, për huanë e zakonshme.

E ne, i gëzoheshim të lumtur kësaj “mrekullie” që natyra ia kishte dhënë vetëm vendit  tonë  të bekuar.

(Oh, ç’gënjeshtër e bukur!Të mundësh të  jetosh e mbijetosh nga një mashtrim!)

E na dhimbsej  bota e “shkretë” e njerëzit e saj të uritur e të varfër!

Në njëfarë mënyrë na gënjyen edhe mësuesit qe na i spjeguan këto libra.

Mësuam të  gënjejmë, për mësimet, për notat e për ndonjë  gjë të vogël.

Gënjyem dhe kur dolëm me  ndonjë djalë, deri në ditën që ai, u bë dhëndërr shtëpie.

Po Sot?

Gënjeshtrat sot, janë kthyer në murlan që  fryn  nga të katër anët.

E ne, të çoroditur mundohemi të mbrohemi, të  strukemi,e  herë-herë të vëmë në punë  imunitetin që organizmi ynë  ka mundur të fitojë  nga përballja,  me thurje e ndërthurje, kompozim e dekompozim  të viteve të gënjeshtërt  e gënjeshtrat  e sa e sa viteve.

Sot  gënjeshtra, ështe modernizuar.

Gënjeshtrat,  veshin  fustanet  e shekullit  të njëzet e një, minifunde  të blera  on line.

Gënjeshtrat  ecin me vetura të shtrenjta, jetojnë  në apartamentpallate.

Gënjeshtrat  s’dalin lakuriq, nuk prostituojnë.

Ato kanë  pronar/e  që i mbajnë  fort, me fanatizëm e xhelozi.

Gati-gati, të vjen  t’a  kesh  “zili” gënjeshtrën.

E ç’bejmë ne, kur kjo  lartohet kaq bukur e hijshëm para syve tanë?

Nisim edhe ne, të  gënjejmë  veten.

A nuk  është  gënjeshtër ndaj  vetes, kur s’duam  të pranojmë  diçka që ndodh  konkretisht,por “ënderrojmë” mënyrën  që do të donim ne?

A nuk genjejme veten,kur nuk arrijmë  dot  atë që duam, kur nuk arrijmë synimin, postin, njeriun që pëlqejmë, mirëqenien, paratë, kur s’mundemi  t’i   blejmë fëmijës atë që do?

Ne keto raste, ndërgjegjia dhe vetëdija naivizohen me dashje prej nesh, per t’ia lënë vendin fantazisë së gënjeshtert, që ne të mos ndiejme shumë zhgënjimin e mos arritjes së qëllimeve tona.

Në çastin që fillojmë të gënjejmë veten, e i shohim ndodhitë, njerëzit, me syrin që do na pëlqente, tashmë,  megjithese të rritur, ashtu sikurse motakë përsëri themi:

“Ah, Sikur!”

E  thirrja dëshirore, vihet në punë me nxitim, larg vetëdijes që s’do të na lejonte  të pranomin gënjeshtrën si trampolinë, për të  arritur  atë  që do të donim.

“Ah, sikur!”- themi në  a-b-c-në  tonë motake.

“Ah, sikur!”- themi ne  y-z-zh-në  tonë maturë.

E pavarësisht se na gënjejnë e gënjejmë, pavarësisht nga timbrimi i bukur në të shqiptuar i “ah, sikur!”, gënjeshtra më  e keqe është ajo ndaj vetes.

Zgjidhja më e mirë  është ndarja me të, për të mos qenë të droguarit-vartës të saj.

Të  jesh  i  lirë, e të shohësh me  sy hapur, nuk është  dhe  aq e vështirë, paçka se mund të  jetë dhe  e dhimbshme, paçka se diku mund të ketë shumë diell, e diku shumë  shi…

“Ah, sikur!”…të mos kishte lindur kurrë gënjeshtra!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ah Sikur, Drita Lushi, Genjeshtra, skice esse

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT