• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza, 4 botime në SHBA, Angli, Indi

October 15, 2017 by dgreca

Routledge boton veprën e Gëzim Alpion ‘Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza’/1 Gezim AlpionsQë nga 2008 ky libër është botuar nga 4 botues të ndryshëm në Angli, Amerikë dhe Indi/

Nga Xhemail Peci*/Vepra e Dr Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli, ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (‘Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza’), u botua nga Routledge në Londër dhe New Yok më 29 shtator 2017. Ky libër e ka gjenezën në turneun e leksioneve që Alpion zhvilloi në Indi në vitin 2005. Përveç autoriteteve fetare dhe akademike, leksionet e Alpion tërhoqën edhe vëmendjen e botuesve. Një prej tyre shprehu dëshirën të botoj një vëllim me shkrime që reflektojnë interesat akademike të Alpion në lidhje me Ballkanin, Egjiptin, Britaninë e Madhe dhe Indinë.

Në 2008 Alpion dorëzoi për botimin librin ‘Encounters with Civilizations’, ku përfshihen 15 punime nga viti 1993, kur ai filloi të botoj si pasuniversitar në Kajro rreth civilizimit faraonik në gazetën ‘The Middle East Times’, deri në vitin 2007. Parathënia e librit është shkruar nga kolegu dhe miku i Nënë Terezës, studiuesi me origjinë kanadeze Profesor Gaston Roberge, autor i më se 20 librave, kryesisht për komunikimin masiv dhe kinematografinë indiane.Në vitin 2009 ‘Encounters with Civilizations’ u botua në Amerikë nga Globic Press. Ndërsa në 2011 doli edicioni i dytë amerikan, këtë herë nga Transaction Publishers. Routledge është botuesi i katërt që e boton këtë vepër në më pak se një dekadë.

Që në fillim, libri tërhoqi vëmendjen e një numri ekspertësh të mediave dhe të disa sociologëve të shquar nga vende të ndryshme të cilët vlerësojnë aspekte të tematikës, njohurive, dhe stilit të Alpion. Në reçencën e tij në revistën shkencore ‘Continuum: Journal of Media & Cultural Studies’, që botohet nga Routledge, studiuesi australian Profesor Brian Shoesmith i Universitetit Edith Cowan thekson: ‘Si çdo sociolog i mirë, Alpion ndriçon thelbin e shoqërisë duke analizuar ata që janë lënë në skajet e saj. Alpion e pareqet të ‘huajin’ nga një këndvështrim që nuk është i zymtë apo shkatërrues por pozitiv dhe sfidues’.Studiuesja britanike Dr Claire Smetherham e Universitetit të Bristol-it, në reçencën e saj, që u botua në revistën shkencore ‘Albanian Journal of Politics’ në Amerikë, thekson se ky libër, i cili ‘të kujton shkrimet e Durkheim-it rreth të ‘huajve’ që vizitojnë vende të ndryshme…mbulon shekuj dhe kultura të shkuara dhe bashkëkohore. Alpion na inkurajon të mendojmë në mënyrë reflektuese dhe kritike rreth besimeve, eksperiencave dhe botëkuptimeve tona, duke krijuar në proces mundësinë për ndryshim dhe për takime me ‘civilizime’ që ndryshojnë nga civilizimi ynë, me të cilët ndeshemi çdo ditë ose personalisht ose nëpërmjet mediave.’Nicolas Pelham, ish editori i gazetës ‘The Middle East Times’, aktualisht korrespondent i gazetës britanike ‘The Economist’ në Jeruzalem, shkruan: ‘Alpion synon të bëj në letër atë që (bashkëkombësi i tij) Muhamet Aliu bëri në politikë (para 200 vjetësh): pra, të çliroj Egjiptin nga psikoza e kompleksit të inferioritetit nacional, t’i rikthej këtij vendi krenarinë kombëtare, dhe të ringjall Egjiptin për Egjiptianët. Në shkrimin e tij të titulluar ‘Kompleksi ndaj të huajve’ Alpion përshkruan esencën e pesë mijë viteve të identitetit Egjiptian me më shumë saktësi se një mijë shkrime gazetash të dërguara nga Kajro’.K. Pabla nga Kolegji Cordia në Indi, në reçencën e saj në revistën shkencore ‘International Journal on Humanistic Ideology’, që botohet në Rumani, ndër të tjera thekson se Alpion ‘trajton disa tema kontroversale në këtë libër. Volumi thekson rëndësinë e mirëkuptimit ndër-kulturor dhe të bashkë-ekzistencës mes civilizimeve. Mesazhi i librit për njerëz nga civilizime të ndryshme është të mirëpresin të ‘huajin’ pa paragjykime.’

Studiuesja britanike Antonia Young e Universitetit të Bradford-it në shkrimin e saj për këtë vepër, që u botua në revistën shkencore ‘Central & Eastern European Review Journal’, thekson: ‘Alpion vështron në mënyrë shumë depërtuese metodat nëpërmjet të cilave shumë individë, por veçanërisht grupe fetare, politike dhe mediat, kanë keq-interpretuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës, përfshirë edhe Malcolm Muggeridge i cili e ‘zbuloi’ atë në 1968’.

Ndërsa akademikja e Universitetit të Kalkutës Profesoresha Bonita Aleaz në shkrimin e saj, që u botua në Indi në gazetën ‘The Statesman’, nënvizon: ‘Dy tipare të rëndësishme nga pikëpamja e sjelljes dhe qëndrimeve e përshkojnë këtë vepër. Autori ka bërë ç’është e mundur që të thurë manifestimet e këtyre tipareve në të gjitha vendet e ndryshme që mbulon libri. Këta dy tipare jane ‘kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve’, si dhe ‘izolimi social’. Aleaz e përfundon shkrimin me këto fjalë: ‘Libri përcjell mesazhe të rëndësishme për ata që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në vend të huaj’.

Akademiku i mirënjohur i Universitetit të Nottingham-it në Angli dhe Presidenti i Shoqatës Britanike të Sociogjisë, Profesor John Holmwood nënvizon: ‘Globalizimi ka nxjerrë në pah një përceptim më të ndjeshëm të ndërlidhjeve të kulturave në një kohë kur përceptimi tradicional dëshmon arrogancën që rezulton nga përceptimi i qendrës së privilegjuar. Dr Gëzim Alpion është një shoqërues ideal në udhëtimet ndër dhe përtej kulturave. Ai sjell një humanizëm sensitiv dhe këndvështrimin e një dijetari mendjemprehtë në trajtimin e një morie kulturash komplekse në botën e përçarë.’

Studiuesi indian Profesori G. Gispert-Sauch, në shkrimin e tij, që u botua në revistën shkencore ‘Journal of Theological Reflection’, ndër të tjera thekson: ‘Një nga tezat kryesore të librit është se ekziston, veçanërisht në akademi, një diskriminim dhe padrejtësi organike ndaj vendeve që nuk përfshihen në Botën e Parë, dhe se Shqipëria dhe vende të tjera në Europën Lindore përjetojnë të njëjtin diskriminim, ashtu siç ndodh me vendet islamike në Azinë perëndimore dhe në kontinentin afrikan dhe atë aziatik. Kjo vepër dallohet për shumë tipare të vlefshme: ky është një libër i domosdoshëm për programe që përqëndrohen në studimin e avancuar të etikës së mediave, veçanërisht pjesa e tretë, që mbyllet me një apel ndaj gazetarëve perëndimorë, apel që në fakt do t’ju vlente të gjithë gazetarëve për të ‘dhënë kontibutin e tyre të çmueshëm për të bërë Europën, unë do të shtoja, edhe botën, një të vetme. Libri, gjithashtu, eksploron rëndësinë e ‘natës së errët të shpirtit’ të Nënë Terezës në kulturën post-moderniste; nxjerr në pah rëndësinë e konceptit sociologjik të ‘kapitalit të famës’ si një variable në kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar, trajton politikën e besimit dhe mugesës së tij në kulturën tonë, shtjellon temën e pronës kognitive dhe intelektuale, si dhe rëndësinë e së drejtës së autorit. Natyrisht, libri na mundëson të mësojmë shumë edhe rreth Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Kjo vepër nxjerr në pah një zë nga skajet që buron në fakt nga brendësia e gjeografisë që ndonjëherë konsiderohet gabimisht si një ‘botë e pasur’ në mënyrë uniforme’.

Dhe se fundi, publicisti dhe shkrimtari i njohur amerikan Stephen Schwartz thekson se ‘libri ofron edhe më shumë prova se Profesor Gëzim Alpion është një nga observuesit më inteligjentë dhe më të mprehtë i kulturës shqiptare, si dhe i përfaqësueses së saj më të famshme në kohët moderne, Nënë Terezës’.

http://amzn.to/2xu63qi & http://amzn.to/2i1tmRr

*Xhemail Peci është poet dhe shkrimtar. Ai ka një MA në Studimet Amerikane,Histori dhe Politikë nga University College London

Londër, 14 Tetor 2017

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Alpion, Nene Tereza, Nga Aleksandri i math

In memoriam për Dr Robert Elsie

October 2, 2017 by dgreca

Kombi shqiptar në zi për gjigandin e Albanologjisë: In memoriam për Dr Robert Elsie/

1 Gezim alpion

Nga Dr Gëzim Alpion-Universiteti i Birminghamit, Angli/2 Elsie

Mësova me keqardhje të thellë se sot u nda nga jeta Dr Robert Elsie, gjigandi i Albanologjisë, autori i më se 60 librave dhe i një numri shumë të madh studimesh të tjera, shumica dërmuese rreth kombit shqiptar.Unë dhe Dr Elsie filluam t’i shkruajmë njëri-tjetrin në fillim të viteve 1990, kur po studioja për doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ishte gjithmonë kënaqësi të merrja prej tij botimet që më dërgonte me një bujari karakteristike.Që nga ajo kohë, ne kemi këmbyer mendime rregullisht në lidhje me një numër çështjesh të ndryshme që trajtonim në studimet tona. Korrespondenca jonë u intensifikua sidomos gjatë tre viteve të fundit, që unë po merrem me një studim akoma në progres për Nënë Terezën.Dr Elsie dhe unë nuk ishim gjithmonë dakord për gjithçka. Në studimin e lartpërmendur, unë e kritikoj publikisht për herë të parë Dr Elsie në lidhje me disa mendime që ai ka shprehur për lidhjen e shqiptarëve me ilirët dhe natyrën dhe përhapjen e kristianizmin në trojet shqiptare.Pavarësisht nga pikëpamjet tona të ndryshme, gjatë tre dekadave që kemi qenë në kontakt, ne kemi pasur një dialog të hapur, profesional dhe gjithmonë brenda normave të kortezisë, të ndërgjegjshëm në të drejtën për të menduar ndryshe, aq e domosdoshme për këdo që është i interesuar në avancimin e dijes.

Ata që më njohin si studiues, e dinë se sa skrupuloz jam për të mësuar edhe detajet më të vogla në lidhje me informacionin që kërkoj. Dr Elsie jo vetëm që u është përgjigjur të gjitha pyetjet e mia, por e bënte këtë gjithmonë me shpejtësi të mahnitshme, pavarësisht angazhimeve të shumta.U ndjeva mire kur para pak muajsh Dr Elsie në një mesazh të shkurtër, ashtu siç duhet të jenë mesazhet të tilla, më përgëzoi për kontributin tim në fushën e studimeve për Nënë Terezën, vlerësim për të cilin do t’i jem gjithmonë mirënjohës.Sot kam humbut një mik dhe koleg të mirë, edhe pse nuk pata kurrë kënaqësinë dhe privilegjin ta takoj personalisht.Dr Elsie ka lënë një prodhimtari të jashtëzakonshme dhe të larmishme si askush tjetër në fushën e Studimeve Albanologjike. Albanologët do t’i jenë gjithmonë mirënjohëse këtij gjigandi të Albanologjisë për përkushtimin shembullor dhe kontributin e veçantë në rritjen e kredibilitetit ndërkombëtar të kësaj fushe ku, pavarësisht arritjeve, ngelet ende shumë për të bërë. Po kështu, Dr Elsie ka mirënjohjen e thellë të kombit shqiptar që gjeti tek ai një mik për jetë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Alpion, In Memoriam per Robert Elsie

Lobimi për Rrugën e Arbërit tani kërkon drejtim të ri

June 25, 2017 by dgreca

1 Gezim Alpion

Shkruan: Dr Gëzim Alpion-Angli/

25 qershor 2017- Zhurma që filluan të bëjnë partitë kryesore në pranverën e vitit 2013 në lidhje me Rrugën e Arbërit më shtyri të konsultohem me disa intelektualë dibranë në Shqipëri dhe jashtë për të gjetur një mënyrë të re për të ngritur zërin në mënyrë të pavaruar për këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore për të cilën dibranët janë mashtruar që nga viti 2005, kur u aprovua fizibiliteti i saj megjithëse pa një projekt të plotë i cili mungon edhe sot.Kjo ishte edhe arsyeja e fillimit të peticionit online për rrugën më 18 mars 2013, peticion që do të qendroj i hapur deri në përfundimin e kësaj vepre sipas standardeve ndërkombëtare. Së bashku me kolegët që përkrahën që në fillim peticionin, e bemë të qartë se iniciativa jonë nuk përbënte një fillim, por një fazë tjetër në përpjekjet lobuese prej tre dekadash të dibranëve për këtë vepër. E veçanta e nismës tonë ishte se ne nuk do të bënim lojën e asnjë force apo kualicioni politik, ashtu siç nuk do të hiqnim dorë nga lobimi, pavarësisht presioneve, sulmeve dhe akuzave, që nuk munguan që në fillim.

Ne i mbajtëm premtimet për më shumë se katër vite, por jo atë të dorëzimit formal të peticionit pranë qeverisë që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Kjo nuk u realizua jo vetëm sepse kryeministri i saj na i mbylli dyert por edhe sepse ajo qeveri falimentoi dy muaj para përfundimit të mandatit.Dorëzimi formal i peticionin nuk përbënte qëllim në vetvete. Objektivi ynë kryesor ishte fillimi i një dialogu konstruktiv me qeverinë. Për fat të keq, kjo nuk na e lejua.

Megjithatë, ne e vlerësojmë dialogun konstruktiv që patëm gjatë katër viteve të fundit me një numër politikanësh në Shqipëri dhe Maqedoni, përfshirë Presidentin Bujar Nishani, Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, dhe Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Këto takime, përfshirë edhe kontaktet e vazhdueshme dhe korrekte me gjashtë deputetët e Dibrës, dëshmojnë se dialogu ndërmjet shoqërisë civile dhe politikës, megjithëse jo gjithmonë i suksesshëm, është i mundshëm dhe i domosdoshëm.Për mua ishte nder dhe privilegj që gjatë katër viteve të fundit të bashkëpunoj, pothuajse çdo ditë, me disa miq dhe kolegë në Shqipëri dhe jashtë për një çështje kaq të rëndësishme për Dibrën e copëtuar, Shqipërinë veri-lindore dhe disa vende ballkanike. Pa përmendur emra, me këtë rast dua t’i falendroj të gjithë për besimin që patën që në fillim në motivet që më shtynë të filloj peticionin. Po kështu, u jam mirënjohës më shumë se 11,000 nënshkruesve të peticionit (8,500 online dhe 2,500 në formularë) për përkrahjen e tyre. Këta përkrahës janë nga çdo zonë e Shqipërisë, Kosovës, Malit te Zi, Maqedonisë dhe çdo vend i botës ku gjenden bashkëatdhetarët tanë. Mes nënshkruesve ka edhe të huaj që i duan të mirën Shqipërisë dhe kombit tonë.

Për mua do të mbesin të pashlyeshme mikpritja dhe përkrahja që gjetëm kudo ku kuvenduam për rrugën në Peshkopi, Maqellarë, Vlorë, Tiranë, Dibër të Madhe, Tetovë, Shkup, dhe Prizren. Bashkë me kolegët e Grupit të Lobimit, u jam mirënjohës të gjitha mediave, editorëve dhe gazetarëve shqiptarë në Ballkan dhe diasporë, si dhe mediave në disa vende të huaja si India, Britania e Madhe dhe Sllovakia, për përkrahjen dhe hapsirën e vazhdueshme që i dhanë lobimit tonë.E shikoj të rëndësishme të theksoj se në katër vitet e fundit Grupi i Lobimit nuk ka pasur asnjëherë një drejtues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk kemi rënë dakord për çdo gjë në çdo kohë por asnjë vendim nuk është marrë pa pëlqimin e të gjithëve. Ka pasur momente kur më është dashur të flas në emër të Grupit të Lobimit. Megjithatë, edhe në këta raste unë kurrë nuk kam qënë drejtues.

Sot në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe së shpejti do të mësojmë kush do ta qeverisë vendin gjatë katër viteve të ardhshme. Kushdo që të fitojë zgjedhjet, ne urojmë që të mos ndjekin shembullin e paraardhësve në shumë gjëra, por veçanërisht në mungesën e vëmendjes ndaj Shqipërisë së ‘largët’ për të cilën Dibra ka kohë që është bërë sinomim.

Duke patur parasysh realitetin e ri politik, mendoj se është në të mirën e lobimit për Rrugën e Arbërit që unë të spostohem, ndërkohë që do të vazhdoj të jap kontributin tim modest për zhvillimin e Dibrës dhe Shqipërisë. Spostimi im do tju jap mundësinë intelektualëve të tjerë të fillojnë pa humbur kohë të mendojnë se ç’duhet bërë që qeveria e re dhe deputetët e rinj të tregojnë konkretisht që në fillim të mandatit se vërtet po e venë ujin në zjarr për të përmbushur premtimet e bujshme elektorale në lidhje me këtë vepër jetike dhe strategjike, dhe jo vetëm.

Filed Under: Komente Tagged With: drejtim të ri, Gezim Alpion, Lobimi për Rrugën e Arbërit, tani kërkon

Të injoruar por jo të dorëzuar

March 18, 2017 by dgreca

Deklaratë për mediat në përvjetorine katërt të peticionit për Rrugën e Arbërit/

Nga Gëzim Alpion/

Në emër të Grupit të Lobimit/

Birmingham, Angli, 18 Mars 2017/

Të indinjuar nga injorimi sistematik i Dibrës nga shteti shqiptar, dhe veçanërisht nga premtimet boshe dhe mashtrimet e qeverive që nga viti 2005, më 18 mars 2013, një grup intelektualësh dibranë në Tiranë dhe jashtë vendit iniciuan peticionin online për Rrugën e Arbërit. Për këtë vepër, dibranët po lobojnë pa reshtur që prej një çerek shekulli, me shprese se, në demokraci, edhe ata do të jenë të barabartë mes të barabartëve.Peticioni filloi para zgjedhjeve si nismë qytetare. Siç premtuam, peticioni ka qëndruar jashtë çdo ndikimi partiak.

Në një vend si Shqipëria, ku shteti nuk funksionin normalisht dhe ku ‘besnikëria prej skllavi’ ndaj pronarëve të partive në Tiranë dhe sejmenëve të tyre, që operojnë me efektshmërinë e metastazave të kancerit në çdo pjesë të vendit, është shndërruar në ‘parim’, nuk u çuditëm kur të djathtët na akuzuan që në fillim se ishim ‘vegla’ të së majtës. Nga ana tjetër, të majtët, të etur për të kapur me çdo kusht shtetin, nga marsi deri në qershor 2013, e panë të arsyeshme të na ‘përkrahin’ me shpresë se ishim ‘të tyret’.

Sapo erdhën në pushet, të majtët veshën petkun e arrogancës, dhe filluan të na sulmonin si individë dhe si grup, duke na bërë presion, shpifur dhe akuzuar se synonim t’u merrnim ‘meritat’ për ‘suksesin’ e tyre të ‘garantuar’.

Kryeministri Edi Rama ka refuzuar kategorikisht të pranojë dorëzimin formal të peticionin që tani ka 11,000 nënshkrues online dhe formularë, dhe të ‘ulë veten’ për të filluar një dialog konstruktiv me Grupin e Lobimit. Megjithatë, Kryeministri Rama nuk ka lënë rast pa folur me superlativa për rolin pozitiv të shoqërisë civile, jo vetëm në disa vende në Perëndim, ku shoqëria civile vërtet vlerësohet, po edhe në Kinë.

Ndërsa sejmenët dibranë të Kryeministrit në qeveri dhe parlament, nuk ngurruan të tallen me dibranët përsëri, duke ua uruar rrugën kur nuk ishte siguruar asnjë qindarkë për ndërtimin e saj.

Si Grup Lobimi, ne nuk arritëm të mbajmë premtimin për t’i dorëzuar qeverisë peticionin formalisht. Për këtë u kërkojmë ndjesë të gjithë përkrahësve. Megjithatë, qëllimi ynë nuk ka qenë dorëzimi formal i peticionit, por këmbëngulja jonë e vazhdueshme që qeveria shqiptare të mbajë premtimet e saj gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 të dhëna në Dibër, se ‘ndërtimi i Rrugës së Arbërit është një prioritet’. Ndaj ne nuk kemi heshtur për mosmbajtjen e këtij premtimi dhe nuk do të heshtim edhe në të ardhmen. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve këtë qershor, ne nuk do të reshtim së lobuari për Rrugën e Arbërit dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të Dibrës. Në këtë drejtim, peticioni ynë është simbol proteste në emër të Shqipërisë së ‘harruar’.Në këtë përvjetor të katërt, duam të ndajmë me intelektualët në Shqipëri dhe diasporë mësimin e hidhur nga përvoja jonë lobuese: Mos u mashtroni nga zhurma që bën kjo klasë politike se gjoja është e interesuar për dialog me intelektualët. Udhëheqësit të radhës nuk i duhen intelektualë atdhetarë e të pakorruptueshëm, por marioneta të arsimuara për t’u hedhur hi syve votuesve në prag zgjedhjesh.Ashtu siç kemi premtuar më 18 mars 2013, peticioni ynë do të mbyllet kur të përfundojë metri i fundit i Rrugës së Arbërit, ndaj ju lutemi vazhdoni të nënshkruani: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Alpion, por jo të dorëzuar, Të injoruar

Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron me Rrugën e Arbërit

July 4, 2016 by dgreca

Deklaratë e Grupit të Lobimit pas interpelancës së 9 qershorit 2016 të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmod Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Mesila Doda/

 Pas debatit të zhvilluar në seancën plenare të datës 9 qershor në Kuvendin e Shqipërisë me objekt “Rrugën e Arbërit”, vërejmë me shqetësim se Qeveria Shqiptare nuk e ka marrë seriozisht çështjen e Rrugës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale në vitin 2013 dhe gjatë miratimit të programit të qeverisë.

Seanca e 9 qershorit 2016 ishte një kopje e shëmtuar e debatit parlamentar të zhvilluar për këtë çështje së paku në 10 vitet e fundit; njëra për të fituar kredo politike në kurriz të çështjes dhe tjetra në përpjekje për të justifikuar vonesat.

Debati parlamentar duhet të synonte së paku, zbardhjen e negociatave mes Qeverisë Shqiptare dhe  ‘China State Construction Company’ si dhe të bënte transparentë koston financiare të debatueshme në këto negociata, në zbatim të ligjit nr. 41/2015, dt. 16.4.2015, të miratuar po nga këta deputetë që ishin në sallë.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përdori shifra të pasakta, të dhëna të vjetruara, mashtrime me të dhënat teknike të projektit, madje arriti deri aty sa të kërcënonte deputetët e parlamentit se “në qoftë se ata vendosin të investojnë në këtë rrugë, gjithë buxheti vjetor për rrugët do të shkonte te Rruga e Arbërit”.

Ky kërcënim është i papranueshëm për ne. Duhet të ishte i tillë edhe për së paku gjashtë deputetë të drejtëpërdrejtë të Dibrës, me në krye Shkëlqim Canin, të cilët, ndërsa në prill të vitit të kaluar deklaronin se “qeveria ka vendosur ta ndërtojë rrugën”, “rruga e shpresës së madhe” “punimet nisin në 2016”,  “dibranët ta gëzojnë rrugën” etj,, tani paturpësisht heshtën. Ata duhet të reagonin me një zë kundër spekullimeve të ministrit Haxhinasto.

Në i ftojmë deputetët në parlament që të mos bëhen më aktorë të skenave të tilla të turpshme. Ne i ftojmë ata të ushtrojnë të gjithë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të zgjidhur financimin e rrugës në një kohë sa më të shpejtë.

Deklaratat pa përgjegjësi të Ministrit të Transportit, jo vetëm që janë të pasakta dhe spekullative, por tregojnë papërgjegjshmëri të qeverisë lidhur me këtë çështje.

Ky debat parlamentar kaloi pa reagimin e duhur nga opinioni publik, përveç ndonjë zëri të vetmuar të anëtarëve të shoqërisë civile apo atyre që kanë lidhje me çështjen. Ne u kërkojmë projektuesve të rrugës të bëjnë publike projektet dhe kostot financiare. Mospublikimi i projektit dhe kostos financiare të nevojshme për ndërtimin e rrugës, është një mënyrë e duhur për të ndihmuar zhvillimin e aferave korruptive sot dhe në të ardhmen në Rrugën e Arbërit.

Megjithatë, premtimi për Rrugën e Arbërit u është dhënë dibranëve nga Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Shkëlqim Cani. Ne kërkojmë prej tyre të distancohen nga deklaratat e Haxhinastos si dhe sa më parë të bëjnë zbardhjen e negociatave me kompaninë kineze. Këto negociata nuk mund të jenë pa fund, por edhe duhet të jenë transparente dhe të ditura për publikun.

Gjithashtu, ftojmë kompanitë shqiptare apo të huaja, të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, të bëjnë publike ofertat e tyre financiare. Të kërkosh të marrësh përsipër ndërtimin e një objekti publik pa zbardhur ofertën financiare, është një mënyrë abuzive në kurriz të takspagueve shqiptare.

Ne, ashtu si dhe më parë, deklarojmë se nuk mbështesim asnjë parti politike, por jemi të vendosur që të ushtrojmë presionin e nevojshëm ndaj ligjvënësve dhe qeveritarëve, në mënyrë që njëherë e mirë të ndahemi nga e kaluara e premtive boshe. Fushata elektorale e radhës është në prag, por ne nuk do të qëndrojmë indiferencë. Ne jemi të vendosur që çështja e Rrugës së Arbërit nuk do të jetë më temë e premtimeve elektorale në Dibër, Mat dhe në lindje të Tiranës.

Dr Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

2 Korrik 2016

_____________________________________________________

Ju lutemi nënshkruani peticionin këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Qeveria Rama, Rruga e Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT