• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër e hapur Z. BUJAR NISHANI-Presidenti i Republikës së Shqipërisë

May 8, 2013 by dgreca

I nderur Z. Nishani,/
Mua më quajnë Gëzim Alpion. Po ju shkruaj si një dibran i thjeshtë, për të kërkuar ndihmën tuaj për sa vijon.
I shqetësuar për prapambetjen e krahinës së Dibrës, prapambetje që ka si burim edhe rrugën aktuale torturuese Tiranë – Dibër, më 18 Mars 2013 nisa një peticion online. Peticioni mund të nënshkruhet edhe në formular, përgatitur në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar, për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë online.
Nëpërmjet këtij peticionit do t’i kërkohet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2013, përfundimi i Rrugës së Arbërit sa më shpejt dhe me cilësi, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Deri tani peticioni online është nënshkruar nga mbi 2000 vetë dhe është përkrahur apo përcjellë gjerësisht nga mediat në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Diasporë: Angli, SHBA, Kanada, Zvicër, Itali, Greqi dhe Rumani. Më shumë informacion në lidhje me peticionin dhe përkrahjen e tij deri tani, mund të gjeni në fund të kësaj letre.
Unë nuk jam njeri ‘politik’, por si intelektual nuk jam ‘apolitik’. Përkundrazi, unë mendoj se intelektualët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë transparente dhe konstruktive me qeveri që rezultojnë nga zgjedhje demokratike apo forca politike, që, për qëllim parësor, kanë mbrojtjen e interesave të vendit dhe zhvillimin e tij.
Shpreh bindjen se Ju gjithmonë e keni përkrahur ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Megjithatë, nëpërmjet kësaj letre të hapur do t’ju lutesha që, ashtu si nënshkruesit e shumtë shqiptarë dhe të huaj nga të katër anët e globit, edhe Ju ta dëshmoni këtë përkrahje publikisht, duke e firmosur personalisht peticionin.
Po kështu, jam i bindur se Ju e kuptoni domosdoshmërinë e përfundimit të këtij projekti jo vetëm në kuadrin e rolit pozitiv që do të ketë për Dibrën dhe dibranët, por edhe për kontributin e madh që Rruga e Arbërit, kjo nyje e rëndësishme infrastrukturore në Ballkan, do të luajë për të sjellë shqiptarët më pranë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me popujt dhe vendet fqinje. Rruga e Arbërit është një investim i pallogaritshëm për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Ballkanit në Evropë.
Peticioni nuk ka karakter politik dhe Ju siguroj se nuk do të përdoret nga asnjë institucion shtetëror apo forcë politike para dhe pas zgjedhjeve të qershorit. Unë do t’ju jem mirënjohës për çdo përkrahje që mund t’i jepni peticionit, i cili do të mbyllet vetëm kur të inaugurohet rruga Tiranë – Dibër.
Me shpresë se do të më mirëkuptoni dhe do ta përkrahni peticionin,

Miqësisht,

Gëzim Alpion (Dr)
Birmingham, Angli
gezim.alpion@hotmail.co.uk

Shënim:

E njëjta letër u është drejtuar sot edhe personave që vijojnë:
Z. Sali Berisha, Znj. Jozefina Topalli, Z. Edi Rama, Z. Ilir Meta, Z. Shpëtim Idrizi,
Z. Bamir Topi dhe Z. Fatmir Mediu.

Kjo letër do t’u përcillet edhe mediave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë.
Adresa e peticionit online:

http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides
Mediat që kanë përkrahur dhe përcjellë peticionin deri tani:

1. http://www.rrugaearberit.com/

2. http://gazetaditore.com/2013/03/31/ju-lutem-nenshkruani-peticionin-online-per-ndertimin-e-rruges-se-arberit/

3. http://gazetaditore.com/2013/04/01/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/

4. http://www.fjalaelire.com/biseda/18229.html

5. https://gazetadielli.com/peticioni-per-rrugen-e-arberit-firmose-edhe-ti/

6. https://gazetadielli.com/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/

7. http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=32053

8. http://www.thealbanian.co.uk/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/

9. http://revistajava.al

10. http://www.hermesnews.org/articoli/29358—.asp

11. http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=20118&kat=95

12. http://www.panorama.com.al/2013/04/01/peticion-nga-1-mije-banore-te-ndertohet-rruga-e-arbrit/

13. http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=130012

14. http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047351243/titulli/Diaspora-peticion-per-ndertimin-e-Rruges-se-Arbrit

15. http://www.77news.al/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=16789

16. http://www.sq.kurir.mk/maqedoni/lajme/14246-peticion-per-ndertimin-e-rruges-se-arbrit

17. http://www.gazetatribuna.com/?FaqeID=6&LajmID=3156

18. http://www.nacionalalbania.al/2013/04/diaspora-peticion-per-ndertimin-e-rruges-se-arbri/

19. http://fjala.info/?p=1814

20. http://revistahaemus.blogspot.co.uk/

21. http://www.gazetarrenjet.net/gr/

22. http://www.di-tv.com/tag/dibra-tv/

23. http://tribunashqiptare.net/?p=15147
Tiranë, 3 Maj 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar nishani, Gezim Alpion, leter, presidentit

“Të gjithë shqiptarët janë dibranë”

April 1, 2013 by dgreca

Intervistë me Gëzim Alpion, nismëtarin e peticionin online që i kërkon qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të qershorit, ndërtimin sa më shpejt dhe me standarde të Rrugës së Arbërit/

Prej gati dy javësh ju keni përcjellë për publikun një peticion mbi përfundimin e Rrugës së Arbërit, e cila do t’i dorëzohet qeverisë së ardhshme. Ky peticion deri më tani ka marrë një numër të konsiderueshëm nënshkrimesh, gjë që tregoi se Ju keni prekur një çështje të ndjeshme për njerëzit. Si lindi ideja e peticionit?

Zvarritja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit ka vite që më shqetëson si dibran. Rruga është një çështje që unë e diskutoj sa herë që kthehem në Shqipëri, veçanërisht me intelektualët dibranë në Tiranë.

Jam treguar i përmbajtur, që të mos komentoj në media për këtë çështje, me shpresë se, me gjithë vonesat, rruga do të përfundohej. Po ashtu, në një farë mënyre, nuk kam dashur që shqetësimi im të keqkuptohet apo më saktë, të keqinterpretohet, si përpjekje për të “mbajtur anën” e krahinës time. Por, siç thonë anglezët, “bamirësia fillon në shtëpi” (charity begins at home), dhe Dibra është “shtëpia” ime.

Për herë të parë e kam shprehur publikisht shqetësimin për vonesat në ndërtimin në kohë të Rrugës së Arbërit në korrik të vitit 2012, kur u ndala në këtë temë gjatë intervistës televizive në studio me z. Roland Qafoku.

Dibranët janë njerëz me sedër, mikëpritës, bestarë, fjalëpakë dhe tepër të zgjuar. Mbi të gjitha, dibranët nga natyra janë të duruar. Por edhe durimi i dibranëve ka një kufi.

Ne dibranët kemi një lidhje shpirtërore me Dibrën, që është e një natyre mitologjike. Si shumë dibranë të tjerë që janë larguar nga Dibra apo Shqipëria, edhe unë Dibrën e kam marrë me vete që kur u largova nga Peshkopia në moshën 14 vjeç për të studiuar në Tiranë. Në Peshkopi kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme dhe, në një farë mënyre, fëmijëria është atdheu.

Megjithatë, ka ardhur koha që, të jesh krenar për Dibrën, nuk është e mjaftueshme. Si shumë krahina të tjera në veri dhe jug, Dibra kërkon me të drejtë që të mos lihet më në harresë. Por për të bërë Dibrën në radhë të parë duhet të lëvizim vetë ne dibranët. Dhe për Dibrën mund të kontribohet jo vetëm duke jetuar në Dibër apo në Shqipëri.

Unë do t’ju bëja thirrje të gjithë dibranëve kudo që janë të punojë në “mënyrë vullnetare” për Rrugën e Arbërit të paktën një orë. Nuk them të shkojmë të punojmë fizikisht për ndërtimin e rrugës, por të harxhojmë një orë duke u dërguar mesazhe personale me Email, Facebook, Linkedin dhe Twitter miqve. Mesazhet personale janë gjithmonë të efektshme. Le të sigurojë çdo dibran të paktën 10 nënshkrime për këtë peticion.

Krahina si Dibra janë zemra e Shqipërisë dhe, po qe se vazhdojmë t’i lëmë në prapambetje këta “zona të largëta” (për një vend të vogël si Shqipëria, një shprehje e tillë nuk tregon distancë në kuptimin gjeografik, por prapambetje në zhvillim), siç ka ndodhur në historinë një shekullore të shtetit shqiptar, atëherë kemi frenuar verbërisht zhvillimin e atdheut. Përpara se të shkojmë në Evropë, le të shkojmë në Dibër dhe krahina të tjera të Shqipërisë, dhe nuk e kam fjalën vetëm për rrugën.

Dibra ka qenë gjithmonë e gatshme të sakrifikohet e para për çështjen kombëtare si në luftë kundër agresorëve turq e serb, ashtu edhe ndaj pushtuesve fashistë e nazistë. Po Dibra që gjithmonë ka dhënë, tani edhe duhet të kërkojë. Dibra dhe dibranët duhet të flasin dhe ky peticion është zëri i ne dibranëve të thjeshtë që jemi të ndërgjegjshëm për vlerat unike njerëzore, historike dhe kulturore që Dibra përfaqëson në plan kombëtar.

Çfarë qëllimi ka dhe kujt i drejtohet?

Qëllimi i peticioni është që t’ia bëjë të qartë qeverisë së re që do të rezultojë nga zgjedhjet në qershor të këtij viti se Dibra do ta kërkojë me ngulm përfundimin e Rrugës së Arbërit.

Ky peticion nuk do të mbyllet në qershor; qershori do të jetë, në fakt, koha kur ky peticion do të fillojë në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Unë do të jem i angazhuar me peticionin derisa të inagurohet rruga Peshkopi-Tiranë. Në këtë drejtim nuk do të ketë kompromis. Ky është edhe mendimi i dhjetëra e qindra dibranëve që unë njoh personalisht apo që nuk i kam takuar ndonjëherë, të cilët më shkruajnë çdo ditë për të ndarë mendimet e tyre me mua.

Peticioni nuk ka natyrë politike. Unë, personalisht, nuk kam qenë kurrë dhe nuk jam i aderuar në ndonjë parti politike në Shqipëri. Peticioni nuk do të përdoret nga asnjë forcë politike. Se si do të votojnë dibranët në qershor, ajo është mes tyre dhe ndërgjegjes së tyre.

Nga mesazhet që merrni nga nënshkruesit, cila është përshtypja juaj mbi efektin që po jep peticioni në publik?

Mesazhet e shumta që kam marrë këto ditë nga miq dhe shokë jo vetëm bashkëkombas, por edhe të huaj më kanë prekur shumë. Po ju përmend vetëm dy mesazhe: një mik i vjetër nga Gjirokastra më shkroi se do ta nënshkruajë peticionin “pasi jam shqiptar dhe e di mirë se nuk ka vetëm Shqipëri të Veriut dhe të Jugut, por edhe Dibër të Shqipërisë!”; ndërsa një mik i vjetër nga Berati më shkroi se nënshkrimin e peticionit e shikon si “detyrë”.

Mesazhe përkrahëse kam marrë edhe nga miq dhe njerëz të panjohur nga Vlora, Shkodra, Gramshi, Prishtina, Tepelena, Puka, Mirdita, Tetova, Tirana, Lezha, Durrësi, Shkupi, Mitrovica, Kukësi, Dibra e Madhe, si dhe pothuajse nga të gjitha vendet ku është shtrirë diaspora shqiptare nga Australia në Amerikë, nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Itali. Më ka bërë përshtypje edhe interesimi që një numër redaktorësh si në Tirane dhe diasporë kanë treguar që në fillim për peticionin.

Një numër mesazhesh kam marrë nga kolegë dhe akademikë të huaj nga Amerika, India, Hollanda, Anglia dhe vende të tjera.

Nënshkruesit e peticionit, si bashkatdhetarët apo të huajt, në komentet e tyre me të drejtë theksojnë njëkohësisht rëndësinë e ndërtimit të Rrugës së Arbërit jo vetëm për Dibrën, por dhe për infrastrukturën në këtë rajon të Ballkanit.

Edhe me këtë peticion të thjeshtë, Dibra po bën atë që ka bërë gjithmonë – bashkon Shqipërinë në një identitet të vetëm. Ky peticion ka tretur ndasitë krahinore, duke bërë të gjithë shqiptarët të jenë dibranë.

Ne kemi një popull të mrekullueshëm dhe, sa më shpejt që klasa politike ta kuptojë këtë dhe të vihet në shërbim të tij, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne. Partitë politike shkojnë dhe vijnë, ndërsa Shqipëria dhe Dibra do të mbeten. Problemi është se çfarë Shqipërie dhe Dibre do t’u lëmë brezave të ardhshëm. Ky peticion është fillimi i përgjigjes së kësaj pyetje.

Biografi e shkurtër:

Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 10 tetor 1962. Ai ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe Doktoratën nga Universiteti i Durhamit. Aktualisht është Sociolog në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisë dhe Shoqërisë në Universitetin e Birminghamit në Angli. Alpion është cilësuar nga kritika perëndimore si studiuesi më i mirë i Nënë Terezës në gjuhën angleze. Librat e Dr.Alpion janë botuar në Angli, Amerikë, Kanada, Itali dhe Indi. Dy dramat e Dr.Alpion, ku shtjellohet trajtimi i emigrantëve nga Kosova dhe Shqipëria në Perëndim, janë shfaqur me sukses në disa qytete të Anglisë. (Bisedoi: Bujar Karoshi

Gazeta ‘Rruga e Arbërit’)

Intervista është botuar për herë të parë në gazetën e pa varuar ‘Rruga e Arbërit’, Tiranë, Nr. 3 (83), 1-31 Mars 2013, fq.1-6. rrugaearberit@gmail.com; www.rrugaearberit.com;

 


Ju lutem nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:

http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bujar Karoshi, Gezim Alpion, Rruga e Arberit, te gjithe shqiptaret jane dibrane

Dorëheqja e Papës është një akt i guximshëm

February 13, 2013 by dgreca

Dr Gëzim Alpion, ligjërues në Sociologji në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Birmingamit në Angli, i cili specializohet në sociologjinë e fesë, u intervistua mbi rëndësinë e dorëheqjes së papritur të Benediktit XVI-të nga Pete Morgan i radios BBC WM më 12 shkurt 2013.
Dr Alpion, i cili ka trajtuar në botimet e tij shkencore marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin, temë të cilës i rikthehet edhe në librin që po shkruan tani për këtë misionare, dhe për të cilin do të zhvillojë së shpejti një turne leksionesh në Indi dhe Australi, e vlerësoi vendimin e Papës për të dhënë dorëheqjen si një akt të guximshëm. Kjo tregon se, ndryshe nga para-ardhësi i tij, Gjon Pali II-të, i cili nuk ishte në gjendje të drejtonte Kishën gjatë viteve të fundit të papatit të tij për arsye shëndetësore dhe si rezultat i moshës së thyer, Bendedikti XVI-të e kupton se në kohën tonë dinamike Kishës i duhet jo një figurë kukull, por një udhëheqës aktiv.
I pyetur nëse emërimi i papës së ri do të rezultojë në një Kishë Katolike të ndryshuar, Alpion u shpreh se Vatikani është nga natyra konservator dhe për pasojë, asnje papë, pavarësisht nga autoriteti i tij, nuk mund ta ndryshojë rrënjësisht një institucion thellësisht tradicional. Nga ana tjetër, dorëheqja nuk duhet të shqetësojë Kishën Katolike dhe besimtarët katolikë pasi largimi i Benediktit XVI-të nuk do të rezultojë në përçarjen e Vatikanit, sic mund të kishte ndodhur në mesjetë. Papa i ri do të ketë mbështetjen e Benediktit XVI-të.
Në lidhje me procesin e zgjedhjes së papës së ri, Alpion argumentoi se, edhe pse Benedikti XVI-të nuk do të ketë të drejtën e votës, ai do të luaj një rol të rëndësishëm, edhe pse në mënyrë indirekte, në seleksionimin e kandidatëve dhe emërimin e pasardhësit të tij. Vlen të përmendet se Benedikti XVI-të ka emëruar një numër të konsiderueshëm të kardinalëve të cilët i janë mirënjohës për përkrahjen që u ka dhënë dhe ndajnë me të të njëjtin vizion konservator.
Alpion përfundoi se Benediktit XVI-të nuk i ka pëlqyer kurrë publiciteti, gjë që shpjegohet pjesërisht nga fakti që ai është pikësëpari një dijetar. Disponimin e tij shkencore shtron pyetjen se përse ai pranoi të merrte drejtimin e Kishës në vitin 2005.
Intervista e Dr Alpion mund të ndiqet deri më 18 Shkurt 2013 në – http://www.bbc.co.uk/programmes/p014chwg – (2.34.00 – 2.39.55).

Filed Under: Interviste Tagged With: akt i guximshem, doreheqja e papes, dr, Gezim Alpion

DELEGACIONI I UNIVERSITETIT TE BIRMINGHANIT VIZITOI BALLKANIN

December 9, 2012 by dgreca

 Një delegacion nga Universiteti i Birminghamit vizitoi Ballkanin nga data 4-8 dhjetor 2012. Delegacioni kryesohej nga Profesor Mark Webber, Drejtor i Studimeve të Qeverisë dhe Shoqërisë, dhe përbëhej nga Profesor Stefan Wolff, Drejtor i Kërkimeve Shkencore, Dr Graham Timmins, Drejtor i Programit Arsimor, dhe Dr Gëzim Alpion, Drejtor i Programeve të Kombinuara. Krahas roleve të tyre administrative, anëtarët e delegacionit janë studiues me reputacion ndërkombëtar, interesimi shkencor i të cilëve përfshin politikën, shoqërinë, fenë dhe mediat në Europën Jug-Lindore.

Në simpoziumin e datës 5 dhjetor në Tiranë, që u ndoq nga drejtues universitetesh, përfaqësues të mediave dhe studentë, akademikët nga Birminghami folën për rezultatet e larta të universitetit të tyre në fushën kërkimore-shkencore, programin e tyre të shkëlqyer universitar dhe pasuniversitar, mardhëniet e këtij institucioni me qytetin e Birmingamit si dhe lidhjet ndërkombëtare të universitetit të tyre, që shihen, ndër të tjera, në numrin e madh të akademikëve dhe studentëve të huaj. Pas kumtesave të tyre, anëtarët e delegacionit iu përgjigjen pyetjeve të të pranishëmve.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri delegacioni u prit nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj.

Një edicionin special i emisionit të mirënjohur ‘Tonight Ilva Tare’, i inçizuar në studio me 5 dhjetor me akademikët e Universitetit të Birminghamit, do të transmetohet së shpejti. Ndër të tjera, në këtë program anëtarët e delegacionit folën për arritjet dhe sfidat e universiteteve britanike, ringjalljen e nacionalizmit veçanërisht në Ballkan, si dhe perspektivën që vende nga rajoni kanë për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian.

Programi i turneut të delegacionit të Universitetit të Birminghamit në Kosovë përfshiu një takim me drejtues të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në Maqedoni me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe të Universitetit të Europës Jug-Lindore në Tetovë. Vizita e delegacionit të Universitetit të Birmingamit në Ballkan reflekton interesat shkencore që një numër akademikësh në këtë institucion me famë botërore kanë për Evropën Jug-Lindore si dhe interesimin që akademikë dhe studentë nga ky rajon tregojnë për programet e tij të shkëlqyera universitare dhe pasuniversitare. Vizitat në rajonin e Ballkanit kontribuan në forcimin e lidhjeve ndërmjet Universitetit të Birminghamit dhe universiteteve dhe institucioneve shkencore në Ballkan.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dedelegacioni i Birminghanit, Gezim Alpion

TAKEN 2- NJE PERPJEKJE TJETER PER TE POSHTERUAR SHQIPERINE DHE SHQIPTARET

November 16, 2012 by dgreca

Nga Gëzim Alpion dhe Stephen Schwartz/*

Përktheu nga origjinali në Anglisht Elvana Bilali/

Në një moment qetësie, në sekuencat e para të filmit tё ri tё realizuar, ‘Taken 2’, Bryan Mills, një ish-vrasёs i punёsuar nga qeveria amerikane, tashmë në pension, interpretuar nga Liam Neeson, i rrëfen vajzës së tij Kim (Maggie Grace) se ato çka ai di për Stambollin dhe rolin e rëndësishëm që ky qytet ka luajtur si urё-lidhje ndёrmjet Lindjes dhe Perёndimit, bazohen nё një libër të cilin ai e kishte lexuar gjatë udhëtimit të tij drejt Turqisë, vendi ku ёshtё xhiruar filmi.
Fakti që ai përmend – roli i Bosforit, si një urë lidhëse mes Europës dhe Azisë – është aq banal sa vetvetiu lind pyetja: si ёshtё e mundur qё dikush me njohuri kaq tё cekta pёr botёn, mund të ketë qenë i punësuar në një pozitë me përgjegjësi nga autoritetet Amerikane? Kjo mungesë njohurish, ndoshta mund tё jetё paraqitur me qëllim, për të portretizuar agjentët e qeverisё amerikane si tё metё.

Punёdhёnёsi i kёtij ish-agjenti nuk ёshtё indentifikuar saktёsisht, por mund tё supozohet se Mills ka qenё i punёsuar nga CIA. Pёr rrjedhojё, njё operativ i tillё duhet tё jetё nё dijeni se Ambasada Amerikane nё Turqi ndodhet nё Ankara dhe jo nё Stamboll, gabim tё cilin Mills e bёn kur bisedon me vajzёn e tij. Megjithatë, komenti i mёsipёrm, ku pёrmendet roli i Bosforit, ёshtёtreguesi simbolik mё i rёndёsishёm qё nxjerr nё pah injorancёn e tij.
Gafa tё tilla bёhen akoma edhe mё tё dallueshme nё njё vazhdё skenash, si pёr shembull kur Bryan, pёr tё cilin kjo ishte vizita e parё nё Stamboll, çuditërisht, i jep disa udhёzime ish-bashkёshortes së tij Leonore apo Leni (Famke Janssen) se si mund tё shpëtojë nga vendi i fshehtë ku ёshtё marrё peng tek Grand Bazaar-i (Pazari i Madh) i famshёm nё Stamboll. Ai e udhëzon atë të ndërrojë rrugë, duke kaluar kështu mes korridorëve dhe qosheve konfuzë të cilët edhe një i lindur në atë qytet nuk mund t’i njohë aq me detaje.
Bryan ёshtё njё personazh i dobёt jo vetёm se, sic pёrmendёm mё lart, nuk ka njohuri, por edhe sepse bёn gabime aspak profesionale. Ai ka vёnё nё dijeni ish-bashkёshorten, nga e cila ёshtё ndarё, dhe vajzёn e tij, se detyra e tij nё profesionin e dikurshёm ka qenё ekzekutimi i njerёzve nё operacione klandestine. Njё sjellje e tillё ёshtё e papranueshme dhe absolutisht e paligjshme, pasi njё spiun amerikan, anёtar i skuadrёs sё elitёs ushtarake antiterroriste, apo çdo individ tjetёr i cili kryen detyra tё tilla, duhet tё mbajё tё fshehtё detajet e punёs sё tij, nga bashkёshortёt dhe fёmijёt e tyre.
Detaje tё tilla janё tё parёndёsishme nё dukje, por qё tё bёjnё tё mendosh se Luc Besson dhe Robert Mark Kamen mund tё kenё realizuar sёbashku kёtё dorёshkrim hulumtimesh dhe tё keqshkruar, nёn efektin e lodhjes nga njё udhёtim i gjatё me avion. Besson dhe Kamen pёrdorin njё personazh llomotitёs dhe mburravec si Bryan, duke u kthyer nё njё zёdhёnёs tё qёllimeve tё tyre tё errёta: tё shfryjnё urrejtjen e tyre ndaj fesё islame dhe tё zhvillojnё njё propagandё tё neveritshme kundёr kombit shqiptar, qё ёshtё i vogёl dhe pak i njohur nga tё huajt.
Nё tё vёrtetё, filmat ‘Taken’, janё si anti-amerikanё, ashtu edhe paragjykues për shqiptarët. Nё kёta filma, injorantёt amerikanë shquhen pёr vrasje brutale, dhe shqiptarët pёr tortura dhe trafikim tё qenieve njerёzore. Gjithçka tjetër është e pa rëndësishme. Katalogu i plotë i gafave absurde është shumë i gjatë, por kёtu po pёrmendim disa gabime kulturore, fetare dhe gjuhësore, qё hasen shpesh nё skenar. Disa nga gabimet e poshtё përmendura mund të duken tё parëndësishme, por megjithatё reflektojnё se autorёt e skenarit nuk kanё bёrё hulumtimet e duhura shkencore.

Aktorёt qё luajnё rolin e muslimanëve, në të dy filmat, kanё tatuazhe nё duar. Ashtu si hebrenjtë, edhe myslimanët e kanё tё ndaluar tё tatuojnё pjesёt e trupit tё tyre.

Një musliman nga Tropoja, qytet nё veri të Shqipërisë, i cili ёshtё edhe vendi i origjinës së keqbёrёsve kryesorё tё kёtyre filmave, nuk e quan djalin e tij Marko, i cili ёshtё njё nga kriminelёt (për fat të keq, rol i interpretuar nga një aktor shqiptar, Arben Bajraktaraj) nё ‘Taken 1’ i realizuar nё vitin 2008.
Njё djalё i lindur nga njё baba shqiptar musliman dhe nga njё nёnё e krishterё nё veri tё Shqipёrisё, mund tё quhet ‘Mark’, por ky emёr nuk do tё tingёllonte mjaft ballkanik pёr filmin e Besson-it, kёshtu qё krimineli nё fjalё merr emrin sllav ‘Marko’ – pёr tё cilin edhe serbёt duhet tё ankohen!
Personazhi kryesor shqiptar në ‘Taken 2’, babai i Marko-s, i cili ndjek Bryan dhe familjen e tij, pёr t’u hakmarrё pёr vdekjen e tё birit nё filmin e parё, quhet ‘Murad’. Nё Shqipёri, ky emёr shkruhet dhe shqiptohet me bashkёtingёlloren ‘t’ dhe jo me ‘d’.
Tropoja, vendi nga i cili supozohet tё jetё prejardhja e familjes sё protagonistit nё film, paraqitet si njё vend pa rrugё dhe i pisёt (skenat e Tropojёs nё film janё xhiruar nё Turqi dhe jo nё Shqipёri) kur nё realitet qyteti i Tropojёs ёshtё njё vend malor, ku turizmi ёshtё nё rritje, nё veçanti pёr alpinistё e skiatorё.
Në ‘Taken 2’, shqiptarët janë paraqitur si të fiksuar pёr hakmarrje dhe ndёshkim ndaj armiqve tё tyre duke mos u ndalur përpara asgjëje, duke përfshirë edhe sulmin ndaj femrave.
Kjo qasje, pasqyron njohje tё cekta të gjakmarrjes, qё fatkeqёsisht ёshtё shfaqur sёrisht në Shqipëri nё dy dekadat e fundit. Në këtë kulturë, ‘marrja e gjaku’ qeveriset nga ligji zakonor i njohur ndryshe si Kanun. Ky sistem ligjor tradicional, sanksionon pёrjashtimin e femrave nga gjakmarrja. Kohёt e fundit, vdekja e një vajze të re nё njё rast gjakmarrje në Shqipëri, tronditi gjithë kombin shqiptar.
E vёrteta ёshtё se shqiptarët nuk janë të priur pёr gjakmarrje. Shumica e konflikteve të tilla janë zhdukur nё Kosovё dhe në përgjithësi, shqiptarët duan që të marrë fund njëherë e përgjithmonë kjo traditë.
Përveç kësaj, Murad-i i egër edhe pse supozohet tё ketё prejardhje nga Tropoja, qyteti i zemrёs sё Kanunit, synon tё sjellё Bryan në rezidencën e tij për t’a ndëshkuar. Ky element përbën shkelje tё mëtejshme të Kanunit, sipas së cilit, haku nuk mund të merret në ato shtëpinë hakmarrësit, apo viktimёs së hakmarrjes.
Për më tepër, shqiptarët janë shumё krenarë pёr traditёn e mbajtjes sё premtimit, apo tё Besёs, e cila njihet ndryshe edhe si ‘fjala e nderit’. Në fund tё filmit ‘Taken 2’, Murad-i paraqitet si një njeri që e thyen besën e tij.
Këto gabime nuk janё aq tё rastёsishme sa duken. Për fat të keq, ata dёshmojnё se Luc Besson dhe ekipi i tij kanё lajthitur me njё qёllim tё caktuar.
Me ‘Taken’ dhe ‘Taken 2’, Besson i shton nje tipar tjetёr traditёs sё ‘Cinéma du look’ (traditё e cila doli nё pah pёr herё tё parё nё kinematografinё franceze ne vitin 1980). Sipas Guy Austin (1999), kjo traditë favorizon stilin mbi thelbin dhe spektaklin mbi historinё. Siç duket, Besson beson se kinemaja i jep tё drejtё të shpikë disa komplekse kulturore dhe histori te trilluara, tё paraqesё, tё pёrulё dhe tё shpifё pёr imazhin e njerёzve tё njё kombi tё vogёl, qё lufton pёr t’u njohur me dinjitet.
David Gritten i London Telegraph ёshtё shprehur se ‘‘Taken’ shquhet kryesisht pёr stereotipet e tij raciste kundrejt arabёve dhe europianёve lindorё’. John Podhoretz komenton në The Weekly Standard: ‘Flitet pёr njё amerikan, i cili për të shpëtuar vajzën e tij masakron me dhjetra muslimanё tё kёqinj pa e vrarё ndёrgjegja fare.’
Paragjykimi anti arab në ‘Taken’, është përmirësuar në Taken 2 pasi personazhi Bryan, në Stamboll, punon pёr mbrojtjen e një arabi të pasur. Arabët dekadent janë zëvendësuar me turqit e korruptuar. Ndërsa europianët lindorë mbeten karikaturat kryesore edhe nё kёtё film të Besson-it, të paraqitur ekskluzivisht nga ‘shqiptarët’.
Për të pёrmbushur misionin e tyre ‘fisnik’ për t’i ‘hapur sytë’ botës për rrezikun shqiptar, Besson, bashkë-skenaristi Kamen, regjisori i ‘Taken 1’ Pierre Morel dhe Olivier Megaton, i cili drejtoi pjesën e dytë të kësaj serie, kanë punësuar një grup aktorësh me origjinë nga Kosova, Amerika, Armenia, Holanda dhe Turqia. Megjithatё, aktori kryesor nё tё dy pjesёt e filmit mbetet Neeson, i respektuar nga bashkёkombasit e tij irlandezё pёr ‘rritjen e imazhit tё Irlandёs’ nё botё.

Pёr tё pёrbaltur shqiptarёt, Nesson ndihmohet nga Rade Serbedzija, aktori me origjinë serbe i lindur në Kroaci, i cili luan rolin e Murad-it, patriarkun e bandës.
Serbedzija e ndihmon Neeson në mënyrë efektive, në fjalët e personazhit Bryan, për të praktikuar aftësitë e tij si vrasës. Shqyrtimin e tij pёr ‘Taken 2’, Neil Smith i Total Film e pёrfundon duke thёnё se ‘ёshtё argёtuese tё shohёsh aktorin Neeson t’i vijё hakut tё ashtuquajturit Eurotrash [plehrat e Europës]; e kemi parё qё e bёn mё mirё njё gjё tё tillё nё filma tё tjerё.’
Koment i Smith-it është domethёnёs pasi Eurotrash doli në Amerikë si një term referimi pёr emigrantët e rinj nga Europa Perëndimore dhe turistët e pasur qё sillen me arrogancё nё publik. Ashtu si Besson, Neeson dhe Serbedzija, Smith duket se mendon qё Eurotrash përbëhet nga shqiptarët, turqit dhe myslimanët. Nё kohёn e Geert Wilders dhe tё nxitёsve tё ngjashёm tё propagandёs kundёr fesё islame, ky nuk ёshtё aspak njё vёshtrim origjinal. Gjithashtu, vlen tё theksohet se, ndёrsa familja amerikane paraqitet me ‘fytyra tё freskёta’, tё pastra dhe tё kёndёshme, familja shqiptare paraqitet e shёmtuar, e pisёt dhe e dhunshme.
Filma si ‘Taken’ 1 dhe 2 pёlqehen nga amerikanёt tё cilёt janё tё ‘etur’ pёr kinematografinё e dhunshme – gjё qё spjegon suksesin e menjёhershёm komercial tё ‘Taken 2’ qё nё ditёt e para tё shfaqes. Gjithashtu, njё film si ‘Taken’ komplimenton ankthin e Europës Perëndimore ndaj emigrantët dhe ‘përplasjes së qytetёrimeve’. Besson dhe ekipi i tij pёrfitojnё duke manipuluar dy tregje tё cilёt nё thelb janё shumё të ndryshёm. Prodhuesit seriozё amerikanё, edhe ata tё zhanrit ‘action’, janё distancuar nga prodhimi i filmave anti-arabё dhe anti-musliman.
Askush nuk e mohon faktin se nё Shqipёri krimi ekziston dhe se disa shqiptarë, si individё të çdo kombi tjetër, kryejnë krime jashtë vendlindjes së tyre. Pёr mё tepёr, Shqipëria ka një industri filmi, e cila ka tërhequr mbështetjen e personaliteteve kryesore të kinemasë, si Francis Ford Coppola, dhe nje media qё heton dhe raporton pёr korrupsionin nё mёnyrё tё pёrkushtuar.
Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër në Europë, por kёtu nuk kemi hapёsirёn e duhur pёr tё mbrojtur virtytet dhe arritjet e tyre. Mund tё paraqesim njё listё tё gjatё emrash sundimtarësh romakë (Diokleciani), Doktorё tё Kishës Katolike (St. Jerome), papash dhe figura të tjera nga brigjet e Adriatikut lindor dhe zonat e thella, ku mund tё shtohen edhe njё numёr strategёsh ushtarakё dhe personalitete tё tjerё tё shquar, pёr tё shpёtuar reputacionin e shqiptarёve. Ne nuk po e bёjmё kёtё gjё pasi e quajmё pёrulje t’u kundёrvihemi shpifjeve antishqiptare tё Besson dhe Kamen.
Një komb që ka nxjerrё njё bijё si Nënë Tereza nuk ka pёrse tё shqetёsohet nga filma tё pavlerё. Rёndёsia qё shqiptarёt i japin jetёs dhe dinjitetit njerёzor, u vu re gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore ku, duke rrezikuar jetёn e tyre, ata refuzuan tё dorёzojnё qoftё edhe njё hebre tё vetёm tek pushtuesit nazistё. Ky gjest fisnik nuk u pёrsёrit askund tjetёr nё Ballkan apo nё vendet e Europёs ku dominuan nazistёt, nё Lindje apo Perёndim. Roli i shpёtimtarёve shqiptarёve si ‘Righteous Gentiles’ është i njohur nga Izraeli.
Realizimi i ‘Taken’ nё shkurt tё vitit 2008, muaji kur Kosova shpalli Pavarёsinё e saj dhe realizimi i ‘Taken 2’ nё vjeshtё tё vitit 2012, disa ditё pёrpara se Shqipёria tё festojё 100 vitet e Pavarёsisё sё saj, nuk mund tё jenё rastёsi.
Forcimi i prezencёs sё faktorit shqiptar nё çёshtjet Europiane, sidomos me mbёshtetjen amerikane ndaj Kosovёs, i ka trullosur armiqtё e shqiptarёve nё Ballkan, dhe i ka vёnё nё provё vendet Europiane, qё nё disa raste (veçanёrisht Franca) nuk kanё dashur tё mbёshtesin Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs pёr tё shpёtuar Kosovёn nga agresioni serb.
Në Francë, si gjetiu, premtimi i pa plotёsuar i Bashkimit Europian për antarёsimin e Turqisë, gjithashtu ёshtё pjesё e sfondit ideologjik.

Mbështetja e Shteteve tё Bashkuara iu ofrua Shqipërisё menjëherë pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990-të dhe nё mёnyrё tё veçantё, mbёshtetja e Bill Klinton dhe e Xhorxh W. Bush ndaj shqiptarëve nё Kosovë kundër kolonizimit tё gjatё dhe tё egёr serb, u prishi qetёsinё qarqeve tё caktuar nё Ballkan dhe Europёn Perёndimore qё e shohin me urrejtje shoviniste kombin shqiptar. Kjo nuk ishte hera e parë qё Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs i kanё shpëtuar shqiptarët. Po tё mos kishte ndёrhyrё nё kohё presidenti Woodrow Wilson në vitin 1919, ekzistenca e shtetit tё sotёm shqiptar, do tё ishte vёnё nё diskutim.
Shqiptarët kanë një kujtesë të gjatë historike dhe nuk u bёjnё keq amerikanёve. Prishtina, kryeqyteti i Kosovёs, krenohet me një bulevard, një afresk të madh, dhe një statujë nё kujtim tё Bill Clinton, gjithashtu edhe politikanёt amerikanё janё nderuar me emёrtimin e disa rrugё nё qytete tё Kosovёs, me emrat e tyre. Duke i pёrshkruar shqiptarët si psikopatё tё konsumuar nga urrejtja pёr njё shtetas amerikan, tё vendosur pёr kapjen dhe trasportimin e tij nё Shqipёri, me qёllimin e vetёm pёr ta vrarё atё pak nga pak, Besson dhe ekipi i mercenarёve tё tij, po përpiqen të minojnë marrëdhënien e veçantë mes Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs dhe shqiptarёve, si nё Ballkan ashtu edhe nё mbarё botё.
Aleanca amerikano-shqiptare shihet me sy tё keq veçanёrisht nё Francё dhe nё Britaninё e Madhe – kёtu vlen tё pёrjashtohet roli vendimtar qё luajti qeveria e Tony Blair nё fushatёn e Nato-s nё Kosovё – ku nё elitёn politike ka akoma elementё serbofilё tё cilёt pёrkrahin pretendimet e serbёve pёr tё vendosur hegjemoninё e tyre nё Ballkan.
Zgjedhja e Tropojës, rajonit të Shqipërisë nga ku gjoja vijnё trafikantёt e njerёzve nё kёtё film është një çështje që ia vlen tё eksplorohet. Ka mundësi që pёrzgjedhja e Tropojёs nga Besson dhe ekipi i tij si strehë kriminelesh ёshtё thjeshtё dёshmi e injorancёs sё tyre për këtë krahine tё Shqipёrisё; njohuritё e tyre tё cunguara pёr Tropojёn duket se burojnё nga shkrime sensacionale nё shtypin perёndimor pёr bandat e kriminelёve shqiptarё. Mund tё thuhet se imazhi i Tropojës dhe i veriut të Shqipërisë ёshtё vёnё nё shenjestёr këta njëzetë vitet e fundit edhe si rezulat i reagimeve negative ndaj Sali Berishës, kryeministrit aktual të Shqipërisё, i cili e ka origjinën nga një fshat i Tropojës.
Qyteti i Tropojës dhe veriu i Shqipërisë u bënë viktima të propagandës anti-shqiptare nga fundi i viteve 1990-tё edhe për një arsye tjetёr. Tё ndodhur në kufi me Kosovën, gjatë luftës nё Kosovё, banorët e Tropojës u terrorizuan nga raketat e forcave serbe. Miqtë e Millosheviçit, u pёrpoqёn të frikësonin popullin e Tropojës për tё mos u dhënë ndihmë luftëtarëve shqiptarë në Kosovë, duke luajtur kёshtu të famshmen ‘lojë ballkanike’ të provokimeve, pra tёrheqja e vëmendjes nga një konflikt duke kërcënuar përhapjen e tij. Ashtu si bashkatdhetarët e tyre nё Veri dhe nё tё gjithё Shqipërinё, banorёt e Tropojës nuk u trembёn pёrpara presionit tё serbёve.
Pёrpjekja e Besson-it pёr t’a pёrbaltur kёtё krahinё tё Shqipёrisё nuk ka shumё ndryshime nga pёrpjekjet e dёshtuara tё zviceranes sё etur pёr publicitet Carla Del Ponte, ish prokurore nё Gjykatёn Penale Ndёrkombёtare pёr ish-Jugosllavinё (ICTY) nё Hagё, si dhe pёrpjekjet e njё tjetёr personazhi tё politikёs zvicerane, Dick Marty, të cilët janё tё vendosur ta paraqesin lёvizjen kundёr represionit serb si dhe themelimin e Ushtrisё Çlirimtare tё Kosovёs si tё arkitektuar nga ‘mafia shqiptare’ nga fillimi deri nё fund.
Del Ponte dhe Marty janё tё njohur pёr paturpёsinё e tyre nё gatimin e njё turlie teorish konspirative bajate pёr tё ashuquajturin ‘trafikim tё organeve’ nga robёrit serb, me pretendimin e tё mbajturit peng diku nё Tropojё. Del Ponte dhe Marty deri mё sot nuk kanё arritur  tё paraqesin prova pёr tё vёrtetuar akuzat e tyre ndaj shqiptarёve.
Pёrpjekjet e tyre duhen parё nё kuadrin e fushatёs sё ‘korrektёsisё politike’ e cila synon tё ‘balancojё’ mizoritë e agresorëve serb me krimet e shpikura nё kurriz tё viktimave tё tyre, shqiptarёve; kjo nuk ёshtё gjё tjetёr veçse loja e tupshme dhe e pёshtirё e ‘ekuivalencës morale’. Për fatin e keq tё Del Ponte-s, Marty-it, Besson-it dhe Kamen-it, bota e di se çfarё ndodhi në Kosovë edhe pse ndoshta duket se po e harron, gjё e cila nuk duhet tё ndodhё.
Propaganda anti-shqiptare sllave dhe ajo greke, janё tё prirura tё denigrojnё shqiptarёt, duke propaganduar se popullsia shqiptare ёshtё e pёrbёrё nga shumicё muslimane dhe se tokat shqiptare janё njё strehё pёr terroristёt islamikё. Ndryshe nga fqinjët e tyre në Ballkan, të cilët kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin fenë nё mёnyrё tё paskrupullt, për të justifikuar pretendimet e tyre të padrejta mbi territoret shqiptare dhe tё njёri-tjetrit, shqiptarët dallohen pёr njё tolerance fetare tipike.
Mesazhi i qartё i tё dy filmave, ёshtё se shqiptarёt nuk janё vetёm kriminelё tё rёndomtё por edhe armiq islamik tё qeverisё amerikane dhe tё qytetarёve amerikanё. Gjithashtu, me rёndёsi ёshtё edhe fakti qё Turqia paraqitet si vend i papёrshtatshёm pёr tё qenё pjesё e Bashkimit Europian, pasi, si vend musliman, ёshtё i paaftё tё kontrollojё, madje i lehtёson aktivitetet e kriminelёve dhe terroristёve islamikё. Shqipëria, Turqia dhe feja Islame, me sa duket do tё pёrbёjnё gjithmonё njё kёrcёnim, jo vetёm pёr shtetasit amerikanё dhe pёr qytetarёt e tjerё perёndimorё, por edhe për sigurinë e BE-sё, SHBA-ёs dhe Perëndimit. ‘Hordhitё’ nga lindja me sa duket, po bёhen gati edhe njёherё qё tё kalojnё Bosforin pёr tё shkatёrruar viktimat e civilizuara nё perёndim. Ky është efekti i këtyre filmave për publikun perëndimor.
Disa pyetje duhet t’i drejtohen aktorit Liam Neeson nё lidhje me rolin qё ai ka pranuar tё interpretojё. Në ‘Listën e Shindlerit’ (1993) ai interpretoi rolin e njё protagonisti qё na doli njё ‘nazist i mirё’, qё shpёtoi hebrenjtë nga shfarrosja, me pretekstin e punёsimit tё tyre nё biznesin e tij. Në ‘Michael Collins’ (1996) ai interpretoi një hero revolucionar irlandez, i cili zgjedh terrorizmin si mjet per t’iu kundёrvёnё imperializmit britanik, por qё shpreh keqardhje pёr ligёsinё e tij. Pasi ka interpretuar role si mbrojtёs (megjithёse jo nё mёnyre bindёse) i kombeve të vegjёl në numër por tё vjetёr pёrsa i pёrket padrejtësive – hebrenjtë dhe irlandezёt – ndoshta Neeson mund tё na tregojё nёse e ka vrarё ndonjёherё ndёrgjegja qё ka rёnё dakord tё pasurohet duke fyer njё komb tjetёr tё vogёl dhe tё denigruar, kombin shqiptar?
Ndoshta Neeson mund të interpretojё nё një film të ri, si ‘Lista e Shindlerit’, por në të cilin t’i jepet mundёsia tё shprehё dufin e tij prej nazisti nё kurriz tё hebrejve, tё cilёt portretizohen si tё pёshtirё. Ose, ai mund të realizojё një film tjetёr pёr lёvizjen revolucionare irlandeze, në të cilën tё paraqesё luftëtarët e lirisë si egërsira tё shëmtuara. Paragjykimet anti-çifute dhe anti-irlandeze, qё dikur ushtruan njё ndikim tё madh nё opinionin publik europian, kanё si ekuivalente nё kohёn tonё, frikёn ndaj fese Islame dhe përbuzjen ndaj shqiptarët.
Natyrisht, njё film haptazi pro-Nazist apo anti-irandez nuk do tё sillte pёrfitime dhe as qё do tё konsiderohej pёr xhirim, dhe me tё drejtё. Fatkeqësisht, shqiptarët dhe miqtë e tyre kanë shumë për të bërë, pёr tё edukuar fqinjёt dhe kolegёt nё lidhje me realitetin e historisё sё tyre, aq mё tepёr pёr tё bindur aktorёt shqiptarё qё tё mos pranojnё role tё tillё, qё paraqesin vendin e tyre kaq negativisht.
Ndërkohë flitet se do tё ketё edhe njё pjesё tё tretё tё filmit Taken.

Rreth autorёve:

Dr. Gёzim Alpion
Gëzim Alpion ёshtё lindur nё Shqipёri, diplomuar nё Universitetin e Kajros dhe ka mbrojtur Doktoratёn nё Universitetin e Durham-it ne Britaninё e Madhe. Aktualisht ёshtё Lektor në Sociologji dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara në Departamentin e Shkencave Politike dhe Mardhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Birmingamit në Angli. Alpion konsiderohet si ‘autori më autoritar në gjuhën angleze’ për Nënë Terezën. I botuar fillimisht nga Rougtledge në Londër dhe New York ne vitin 2007 dhe New Delhi nё vitin 208, studimi i tij ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?), qe ka ngjallur shumë debate, u botua nё gjuhёn italiane nga Salerno EDITRICE në Romë, në vitin 2008. Libra të tjerë tё Alpion përfshijnë pёrmbledhjet e eseve ‘Foreigner Complex: Essays about Egypt’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’ botuar në Britaninё e Madhe, SHBA dhe Indi (2008, 2009 dhe 2011). Dramat e tij ‘Vouchers’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008), jane vёnё me sukses nё disa teatro nё Mbretërinë e Bashkuar.

Stephen Schwartz
Stephen Schwartz është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Pluralizmin Islamik në Washington DC, dhe autor i ‘The Other Islam: Sufism and the Road to Global Harmony’ (Doubleday, 2007). Ai është gjithashtu autor i ‘Sarajevo Rose: A Balkan Jewish Notebook’ (2005), botuar në SHBA nga Routledge Macmillan dhe në Britani nga Instituti i Bosnjës dhe Saqi Books. Në vitin 2002, ai boton bestsellerin ‘The Two Faces of Islam: Saudi Fundamentalism and Its Role in Terrorism’ (Doubleday). Libri i tij ‘Kosovo: Background to a War’ (Anthem Press), u botua në vitin 2000 me një hyrje tё shkruar nga Christopher Hitchens. Schwartz është Anёtar i Forumit tё Lindjes së Mesme. Ai ka punuar nё trojet shqiptare dhe ka shkruar gjerësisht pёr çështjet që lidhen me to.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Gezim Alpion, poshtrim shqiptaresh, Stephen Schwartz, Taken 2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT