• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një arsyetim ndryshe nga shkrimtari Ismail Kadare mbi zhvillimin e folklorit në socializëm

August 17, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje,” një libër me vlera të mëdha të padiskutueshme me jehonë të madhe në kohën që doli dhe më tej, Ismail Kadereja për folklorin në socializëm shkruan: Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë, të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Libri për herë të parë u botua më 1971, u ribotua në 1980 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe në 2002 i ripunuar nga shtëpia botuese “Onufri.” Pjesa  e mëipërme gjendet në të tri botimet. Nëse do të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist këngës popullore. Shumë pak, me vështirësi mund të gjesh aty midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose ninulla, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Le të ilustrojmë shkurt me disa poezi këngën popullore në kohën e diktaturës.

Ninullat. Nina nana po t’përkundi/Hajde gjumë tek pëllumbi/Si Enveri mu bafsh trim/të dhashtë forcë nga gjini im./Fli o djal i nënës fli/Fli se nëna të ka xhan./Fli u rritsh u bëfsh trim/Si Enveri me partizanë. Në këto lloj këngësh zhduket dashuria për njeriun, për nënën, për babën, e fisin, për martesën, lodrat e humorin popullor. Jo! Ka vetëm binom Parti-Enver, që si me çomage godet trurin sistematikish qysh se lindesh, duke krijuar njeriun e indoktrinuar, që para nënës, babës, motrave e vëllezërve të gjakut vendos Partinë dhe udhëheqësin. 

Këngët për dashurinë, nga më të bukurat në gjithë folklorin shqiptar, tashmë zveniten, fishken e thahen. U mungon lëngu i jetës, maghia e vargut brilant të papërsëritshëm, poezia dhe gjetjet letrare të pakrahasueshme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Dashurisë tashmë i këndohej me komandë, dashuria lindte në ara, në mullarët e barit, në fabrika, në garat socialiste, në fshatrat e rilindur nga partia, etj. Por le të ilustrojmë dhe këtu me disa nga ato mijëra vargje të politizuar, ku mungon shpirti i njeriut në të gjitha dimensionet. Tungjatjeta çoban trimi/Si dualltë sivjet nga dimri?/Ylli i malit o çoban!/Me prodhime më së miri/Po ju në bujqësi si ini?/Në rritje shkon bujqësia,/Përparon si industria./Jeta jonë është pranverë,/Me partinë e me Enverë. Është mjelëse me lopë/E dua o shokë me kokë/E dua shokë e dua/Se ajo është për mua/Punëtore s’lodhet kurrë/Në çdo garë merr flamurë.

Këngë trimërie. Përmbi Krujë nalt mbi shkrepa,/Nandhet’ vajza shqipe t’lehta,/Lidhur fort dorë për dorë/Tokës nanë iu ban kunorë… N’gjoks t’Krujës heroine,/Nanddhetë lule çelur rrijnë./Nandhetë lulet e lavdisë,/Fort po i ngroh dielli partisë. Është fjala për gratë dhe vajzat krutane gjatë rrethimit të Krujës, që për të mos rënë në duart e turqve u hodhën nga Shkëmbi i Vajës. Se çfarë lidhje ka ky akt heroik me partinë dhe lavdinë e partisë vetëm mëndjet e sëmura të poetëve komunistë shqiptarë mund ta zbërthejnë. Po këto këngë vazhduan të krijohen e këndohen për dyzetë vjet, duke humbur çdo kuptim njerëzor me politizimet e tejskajshme.

Atdheu. Porse gjumë s’ka kurrë Shqipnia/Syt’ me drit’ na i mbush partia/Shkëlqen djersa e s’njifet loti/Në kët truell me palc baroti/Shkrin çeliku e lulëzon molla/T’gjith’ shqiptarët janë Mic Sokola. U zbeh dhe kaloi në plan të dytë dashuria dhe koncepti për atdheun. Tashmë në plan të parë kaloi Partia. Nuk ka atdhe, Shqipëri, madje as popull shqiptar pa të madhërishmen partinë dhe udhëheqësin legjendar Enver Hoxha.  Midis atij deti këngësh e vallesh për partinë dhe Enverin.  tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” nga janw marrw dhe vargjet e mwsipwrme, që edhe kur përmendeshin heronj të Mesjetës, Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër, duke u shndërruar në këngë propaganduese. Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre: Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati./Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!/Arrestohet sot Reshati,/Do këndojmë për sigurimnë! Për të mos e zgjatur me shëmbuj të tillë të shëmtuar përmendim se vetëm seria e V, vëllimi i shtatë, botuar nga Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, botim i vitit 1986, ka plot 519 këngë të tilla, pa përfshirë transkriptimin muzikor të disave prej tyre. Po përmend këtu edhe marrëzinë kolektive shqiptare pas vdekjes së diktatorit, që çdo shqiptar i detyruar do të shprehte në prozë apo poezi dhimbjen për humbjen e udhëheqësit. Qindra mijëra këngë u thurrën dhe u botuan pastaj nga makina propagandistike e diktaturës dhe jo rrallë u kënduan plot pasion e qurravitje nga jugorët në këngët polifonike dhe nga veriorët me kor e çifteli. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.”  Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsifikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne.  Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.  

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gezim Zilja

Masakra e Manastirit sipas një dokumenti të kohës

August 2, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re, që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër finikësh shqiptarë ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare nën sundimin turk. Ajo që të bën përshtypje veç egërsisë dhe pabesisë turke është sesi arrinte të ripërtërihej, e të nxirte parreshtur komandantë e luftëtarë kjo rracë e pamposhtur shqiptare. Masakra e Mananstirit me shfarosjen e një numri të madh kapedanësh të shquar shqiptarë ndikoi në vonesën e themelimit të një Shqipërie të pavarur shumë më herët se viti 1912. Luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin e do të merrnin hov me kryengritjet e famshme gjatë viteve 1833-1847 të drejtuara nga Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Balil Nezha, Abdyl Bej Koka, Shahin Delvina, Çelo Picari, Zenel Gjonleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Cane Miftari, etj, e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit e Shpalljen e Pavarësisë.AMI BOUE’ (1794-1881) anëtar i pothuaj gjithë akademive europiane të kohës, njihet si studiues, i historisë, zakoneve e traditave të popujve ballkanas dhe më gjerë. Më 1836, gjashtë vjet pas Masakrës së Manastirit ndodhet duke udhëtuar nëpër Shqipëri. Midis shumë të dhënave historike, gjeografike, gjeologjike zakoneve, mënyrës së organizimit të shqiptarëve nën Turqinë etj, ai shkruan edhe për Masakrën e Manstirit. Këto shënime i boton në Paris më 1840, në librin “Shqipëria, në Turqinë europiane,” shtypur në 2011 në gjuhën shqipe nga nga shtëpia botuese “Plejad.” Në librin e mësipërm (faqe 64) ai shkruan për Masakrën e Manastirit: “… Bejlerët e përkëdhelur nga bashkëatdhetarët si dhe nga Veziri i Madh, i tërhoqën shqiptarët në Manastir me preteksin e një feste ushtarake. Të shoqëruar nga 500 luftëtarë ata u pritën dhe u trajtuan në mënyrë të shkëlqyer; por ditën e festës ata i gjetën trupat ushtarake të rradhitura në kuadrat, ku aty nuk gjendej askush për t’i pritur. Asllan (Asllan Kuca) Beu e kuptoi menjëherë se ishin të humbur dhe thirri: “ Kaq e patëm” Këtyre fjalëve Veli (Veliko Jaçe) Beu iu përgjegj: “Kjo është mënyra e rregullt për të përshëndetur, ti mund t’ia mbathësh veçse për turpin tënd dhe timin.” Megjithatë Asllan Beu e shkëmbeu vendin me Veli Beun, para se të hynte në kuadrat. Sapo arritën sinjali për të hapur zjarr u dha, dhe nga kthina e Vezirit dhe kuadratet e ushtarëve shpërtheu një breshëri armësh i pasuar nga një sulm me bajoneta.Të gjithë u vranë me përjashtim të Asllan Beut, i cili mund të shpëtonte por e ndoqi dhe e kapi në një farë largësie nga Manastiri Chior (Qorr) Ibrahim Pasha, i cili e vrau. Kështu përfundoi në vitin 1930, në një mënyrë mizore ajka e fisnikëve shqiptarë…” 

Disa përcaktime nga Ami Boue’ për shqiptarët

1.“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë evropiane. Banorët e Shqipërisë, dhe më tepër akoma të Shqipërisë së Sipërme, kanë profilin si atë të ushtarëve romakë, që duken mbi disa harqe triumfi të perandorëve të parë. Mbase shqiptarët gjendeshin dhe midis luftëtarëve të Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Teutës, të Gencit dhe të perandorëve romakë, sidomos të Dioklecianit, bashkëkombësi i tyre; se këta, zvicerianë të Orientit, kanë qenë kurdoherë gati të shërbejnë për të marrë të holla. Bota i përfytyron kurdoherë si ushtarë të dhënë fort shumë pas plaçkës dhe të këqinj, gjë që s’duket të jetë fare e vërtetë, si e rrëfen shëmbulla e bukur e mirditëve, të cilët më 1810 i refuzuan Ali Pashës të masakrojnë si kasapë kardhiqotët e mbyllur në një shtëpi me mur. 

2. “Shqiptari e përbuz turkun, sepse veten e tij e shikon më të lart, më të mençëm, më të zgjuar…”

3. “Në fund edhe s’do harruar, se shqiptari është kurdoherë gati të marrë fenë e atij që e sundon dhe, sidomos në Epir, shumë veta mund të bëhen të krishterë por, sipas idesë fikse të malësorëve dhe të mirditëve, (mirditorëve. Shën,im) është pothuaj e sigurt që këta s’do t’i shtrohen kishës ortodokse”

*Asllan Beu me Veli bejnë

Në Mecov’ e bën benë

Në Manastir do të vemë

Të kërkojmë ylyfenë

Po s’na e dhanë me të mirë

Do të djegëm Manastirë

*

O Asllan o Veli

Ç’ju qan nëna në shtëpi

Oh të zestë djemt e mi

Ç’ju erth kuka në sini

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Zilja

I huaj në vendlindje…

July 27, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Ky miku im quhet Gani Zeneli. Skelar i vjetër, i shkolluar, vlonjat puro me rrënjë e me degë. E takova rastësisht rreth një kilometër larg fillimit të shëtitores anëdetit, ulur mbi një Gur, ku aty afër derdhet një përrua. Përballë ndodhet ishulli i Sazanit dhe në krah të tij gadishulli i Karaburunit, që shtrihet si një dinosaur gjigant sa të ha syri deri në Llogora. Në të dy anët e kësaj pjesëze me gurë lulëzojnë e shtohen shezllongjet e panumërta, që në muzg dhe në agim duken si varreza luftëtarësh rënë gjatë luftrave botërore. E ngacmova miqësisht me një nga ato batutat që skelarët i kanë aq për zemër….

-U bën shumë vjet që të shoh të lahesh te ky Gur o Gano! Mos vallë e ke grabitur apo e ke privatizuar me ligjin 7501?!

Ganiu nuk ma ktheu batutën! U ngrit ngadalë në këmbë, më pa me sytë e tij depërtues dhe foli i trishtuar:  – Kam mbi 20 vjet që çdo verë lahem këtu që kur na betonizuan Zhironin* tonë të dashur, atje në Skelë. Ishte një plazh familjar  në kufirin që ndan dy dete, Adriatik dhe Jon. Aty pranë ishte Moli ku ankoroheshin anijet tregëtare dhe ato të peshkimit. E mbushën me beton, pa asnjë lulishte, pa asnjë pemë, një marrëzi që as të çmendurit nuk do guxonin t’a bënin. Molin e prishën dhe anijet i degdisën 20 km larg andej nga Triporti. Lë mbi këtë Gur, sandalet, një bluzë sportive dhe çelësat e shtëpisë dhe sodis një copë herë detin, para se të futem, të notoj. Për mua ky Gur është vendlindja ime, vend pushimi, meditimi, është fëmijëria ime, është vatani, atdheu im, dashuria ime e parë dhe e përjetshme. Nuk e mendoj dot jetën time pa këtë copë Guri, të më mohojnë lirinë e të drejtën të rri mbi të e të bisedoj me mikun tim të vjetër, detin e pafund. Madje dhe në dimër vij shpesh ulem mbi këtë Gur e shijoj pamjen sepse në çdo stinë e kohë Gjiri i Vlorës më qetëson e më mahnit me bukurinë e vet. Ka nja tre behare që këtij grumbulli gurësh po i vijnë rrotull pushtetarët e zagarët e të gjitha llojeve e ngjyrave, që mua më shëmbëllejnë si dikur pushtuesit turq, grekë, serb, italianë e gjermanë, që kërkojnë ta zaptojnë e të vendosin pushtetin e çadrave, të shezllongjeve e kafeneve. Grabitqarët dhe të pangopurit zhvasin metra të tëra ashtu tinëz në këtë pjesëz që sa vjen zvogëlohet e ngushtohet. Kjo për mua do të thotë të më përzenë përfundimisht nga vendlindja, nga shtëpia, nga deti e të mbetem pa atdhe. Se më tutje nga të gjitha anët, atdheu im është parcelizuar, privatizuar, kollofitur e përlarë nga zagarë, banditë e qeveritarë e më duhet të paguaj të hy në ato vende të bekuara: ku jam lerë/ ku jam rritur me thërrime/ ku kam folur gjuhën time/ ku kam dashur mëm’ e at’/ ku më njeh ky Gur i that’/ ku rroj me gaz e shpresë /ku kam dëshirë të vdes,- citoi me një frymë Ganiu, Çajupin e Pavdekshëm. – E kupton apo jo se ç’po të them. Të më përzënë e pengojnë të hyjë në shtëpinë time nëse nuk paguaj. Madje dhe hapsira midis dy pallateve ku banoj është privatizuar e bërë parking me pagesë nga pronarët e një hoteli luksoz aty pranë. Atëherë çfarë duhet të bëj unë po ma morën dhe këtë Gur? Të mbetem vend-vidhisur në dheun tim?! Mos e dhëntë Zoti! Portin e Durrësit, të Vlorës, vendet më të bukura në Himarë, Dhërmi, Palasë, Ksamil, Butrint, e gjetkë i shitën ose i dhanë me qera. Kafsho këtu e kafsho atje me ata sojzëzë prokurorë e gjykatës dhe me VKM-ët e qeverisë u kanë lënë pronarëve legjitimë ndonjë rrip toke sa për sherr e shamata, që të vriten me njëri-tjerin e vëlla me vëlla. Ua grabitën pronarëve shekullorë të atyre anëve dhe kanë ngritur mbretëritë e betonit, duke shkatërruar natyrën e duke shtruar rrugë pa rrugë e ngritur rezorte që nuk kanë të bëjnë me turizmin sepse janë qendra banimi ose pushimi për të pasurit. Tani i janë vërsulur Borshit ta gllabërojnë, tjetërsojnë e betonizojnë me lloj-lloj investitorësh strategjikë të emëruar nga qeveria shqiptare. Ama nëse ma prekin këtë Gurin këtu, tre metra larg vijës së ujit atëherë do të bëj atë aktin ekstrem: do ta mbroj me çiften e vjetër të gjahut që e kam me leje. Ta provojnë po deshën të venë dorë në këtë copëz anëdeti: do t’ia zbraz çiften në kokë mbushur me saçme derri, të parit atij që do të firmosë privatizimin e këtyre gurëve. Ndoshta do të ketë të tjerë që do të ndjekin shembullin tim, ndoshta jo. Po këtë Gur me copëzën e tokës, ku ai është mbështetur me qindra vite nuk do të lë ta pushtojnë sojsëzët e hajdutët. Kurrë në Shqipëri nga Velipoja në Ksamil toka të paktën njëqind metra larg nga vija e ujit nuk ka pasur pronar. Tani edhe deti është bërë me pronar madje me dokumenta të rregullta. Vendalinjtë, pronarët e vërtetë të mbetur trokë, disa të kërcënuar me grykën e armëve, ia kanë mbathur e janë shpërndarë si zogjtë e korbit në gjithë botën. Unë nuk kam as fuqi, as moshë e as dëshirë të largohem. Vatani, shtëpia, mbrohet me zemër, me gjak dhe unë këtë do t’a bëj. Shumë do të më quajnë vrasës, por ka edhe nga ata që do të më kuptojnë. Ndoshta do jem i pari në mbrojtje të pronës këta tridhjetë vjet. Më hodhi dorën në sup, më përqafoi i malluar dhe më ftoi për kafe, në kafenetë luksoze matanë rrugës. 

-Kam një merak se e di që do t’i shkruash fjalët e mia. Ama nuk dua të ndryshosh asgjë. Por atë që të thashë do ta bëj, nëse ma marrin…! 

-Do t’a shkruaj, me ndonjë shtesë të vockël. Po emrin do ta ndryshoj pakëz, nuk do shkruaj emrin tënd të vërtetë!

– Hiç mos e ndrysho! As që më kërcet fare, nga këta larot oligarkë, që nuk u ka ikur ende era e dhisë dhe e fanellës së leshit dikur mbushur plot me morra e tani kanë vendosur ligjin dhe kulturën e të fortit. 

Pimë në heshtje kafet dhe u ndamë pa thënë ndonjë fjalë tjetër. U kujtova se unë nuk kisha as edhe një Gur në anëdet të ishte imi. Kisha shumë vjet që endesha të gjeja një vend të përhershëm e ku të lahesha: Në Skelën e Vjetër jo e jo, as te Shkolla e Marinës, as te ish Plazhi i Ri, as te Shkëmbi i Doktorit, as te plazhi me ujërat kristal deri te Tuneli, as te plazhi ish distilerisë…. Një Gur mund ta gjejë dhe unë aty te Ganiu po si i bëhet hallit të gjej një çifte? Apo tani që lajmi do hapet e do të marrë dhenë nuk kanë për të më dhënë leje për mbajtje arme?! Më intrigon shumë idea interesante e Ganiut me atë çiften e vjetër…  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Ministrja Balluku,  TEC-et lundruese dhe heshtja e opozitës

July 18, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) kundrejt një vlere prej 336 milionë euro.Të dy TEC-et lundruese kushtojnë 20 milionë dollarë. Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë amerikane Exclerate Energy 45 milionë dollarë qira ( 63 mijë dollarë/ dita) dhe firmës Renco 22,5 milionë dollarë (31,5 mijë dollarë/dita)  për ofrimin e shërbimit për instalimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e TEC-ve. për dy vjet. Deri tani llogaritet që qeveria shqiptare t’i ketë paguar dy shoqërive rreth 20 milionë euro pa prodhuar asnjë ditë energji. Ndërsa për inceneratorët po hetohet nga SPAK-u për TEC-et lundruese ka një heshtje varri. Opozita (Foltore + Vulë) në qendër dhe në Vlorë për këtë problem nuk pipëtinë fare. Ka diçka që nuk shkon këtu. Ose TEC-et kanë filluar punë dhe këtë e di vetëm opozita ose vet opozita ka ndonjë lidhje me TEC-et që e kompromenton prandaj nuk ndihet. Në zgjedhjet locale opozita nuk e zuri fare në gojë këtë aferë korruptive dhe gjëmën mjedisore që i bëhet Vlorës turistike dhe banorëve të saj, me vënien të punë të TEC-ve.  Po botoj më poshtë disa deklarata të Ministres Balluku lidhur me dy TEC-et e ankoruara në Triport të Vlorës qysh më 9 shtator të vitit 2022. Në to shihet qartë papërgjegjshmëria dhe lehtësia me të cilën shpërdorohen paratë publike. 

Më 29 korrik, 2022 Balluku, deklaroi: “Të dy TEC-et lundruese janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që dha Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar se “ Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës.” Pra Ministrja gënjeu ditën për diell popullin shqiptar.

Më 16 shtator 2022, shtatë ditë pasi erdhën TEC-et, ajo deklaronte plot pompozitet dhe krenari: “Në 1 janar ( Viti 2023. Shën. im) ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike.” Po vjen sërish shtatori dhe energji ende nuk  është prodhuar.

 Në 13 dhjetor të viti 2022, duke parë e vizituar vjetërsirat gjithë ndryshk të prodhuara 26 vjet më parë, deklaroi:“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport.” Një janari u shty në fund shkurti dhe nuk u kërkua ndjesë. Po problemi është shumë më i madh. Në bilancin e vitit 2022, në janar  Balluku do të deklaronte sërish “Ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim, por duke qenë se kaskada sot është në parametra optimalë, nuk është momenti për t’i ndezur. Por sigurisht do të fillojnë të përdoren në momentin më të parë që ne do të kemi nevojë.” Pra as në janar as në shkurt, as në korrik 2023 por kur të kemi nevojë dhe këtë e di vetëm Balluku.  Në këto deklarata,  kuptohet se ato mund të mos përdoren fare dhe paret publike të derdhen në xhepat e hajdutëve. Këtë vit shirat ishin më bollëk kështu që TEC-et nuk u ndezën fare ama dy shoqëritë paguhen plot 94.5 mijë dollarë në ditë në bazë të kontratës. Si mund të ndodhin veprime të tilla ku dhjetëra milionë dollarë paguhen pa marrë asnjë shërbim? Ngaqë Exclerate Energy është shoqëri amerikane dhe e TEC-et i vizitoi personalisht ish ambasadorje Kim? Po aty po vidhet ditën për diell paraja e shqiptarëve… 

PS.Shqiptarët presin nga drejtësia shqiptare të përfundojë hetimet për inceneratorët dhe të fillojë hetimet sa më shpejt me tenderat e rrugëve dhe koncesioneve në shëndetësi. Po me TEC-et e Vlorës kush do të merret? Kush ka firmosur kontratat dhe kush i lëvron faturat? Nëse do të hetohet do të zbulohet një gropë fekalesh që do kutërbojë Shqipërinë deri në Amerikë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gezim Zilja

Ujrat e Syrit të Kaltër do futen në tubacione drejt Italisë

June 8, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Shtypi Puglies shkruante më 31.05,2023: “Acquedotto dall Albania alla Puglia via libera all progettto da un miliardo. Il governo albanese ha dato il via libera all’ acquedotto che colleghera Argirokastro in Albania….” Fjala është për burimin e Syrit të Kaltër. Është një project italo-shqiptar i detajuar që fillimet i ka në vitin 2001 me qeverinë e Fatos Nanos. Aty ishte parashikuar që me realizimin e një vepre të tillë të transferohet në Puglia nga burimet ujore shqiptare një prurje e vazhdueshme jo më e vogël se 4m3/sek që do të thotë 120 milion m3/vit, e drejtuar drejtpërdrejt në rezevuarin ekzistues të Galugnanos nga i cili do të shpërndahet duke përdorur rrjetin ekzistues atje. Sipas studimeve kostua do të ishte 2.000 miliard lireta. Tubacionet pas një përshkimi prej 100km në territorin shqiptar, me tuabacione ujorë prej 85 km kalojnë kanalin e Otrantos, në një thellësi maximale 855 metra. Projekti parashikon tërheqjen e 5.5 m3/sek ujë nga Syri i Kaltër. Destinacioni përfundimatr në brigjet e Puglies do të ishte jo më pak se 4m3/sek. Në project ishin parashikuar disa degëzime në shërbim të qendrave nga kalojnë tubacionet dhe të zonave bregdetare që janë të destinuara për zhvillim turistik me një prurje prej 0,7 m3/sek, pothuaj asgjë. Në projektin e ri është parashikuar të transfrohen 150 milion m3 ujë në vit, që do të thotë që edhe ajo sasi (një curril) uji e parashikuar për zonat nga kalojnë tubacionet të jetë hequr fare. Përfitimet e rajonit të Puglias, një rajon shumë i varfër në rezerva ujore, që po shkojnë drejt shterimit të plotë do të jenë shumë të mëdha prandaj qeveria italiane për këtë investim të ri një miliard dollarësh, që do të realizohet për katër vite, është shumë entuziaste. Si zakonisht qeveria shqiptare ashtu si dhe në bisedimet me kompanitë amerikane para një muaji për ndërtimin e depozitave dhe impiantet e karburanteve në Vlorë e përfaqësuar nga Alket Hyseni, mban heshtje të plotë. Kjo heshtje dhe fshehje e kontratave ashtu si me portin e Durrësit, atë të Vlorës, fushat e naftës, ato minerare e tj, bën të dyshosh se pasuritë shqiptare të nëntokës e mbitokës po shiten ditën për diell për interesa të një grupi të vogël njerëzish. Kurrkund nuk gjen të dhëna të plota (kontratat) për koncesionet apo dhëniet me qera për ato pasuri që përmendëm më lart. Por ç’ndodh nëse Syri i Kaltër kjo mrekulli natyrore dhe shumë tërheqëse për turistët futet në tubacione dhe kalon në Italinë e Jugut?
Së pari: këto zona përfshi Gjirokastërn, Përmetin Delvinën Tepelenën, Himarën, Karaburunin, Zvërnecin, Nartën etj, janë të varfra në burime ujore në krahasim me Veriun dhe Veri-Lindjen e Shqipërisë. Pra nuk ka ujë për të shitur në këto zona. Për rezervat e Ujit të Ftohtë që derdhen në det dhe Buronjat e Kuçit ka tratativa të tjera për ta shitur ujin, kur Vlora digjet në verë për një pikë ujë.
Së dyti: Futja e ujit në tubacione do të sjellë një katastrofë ekologjike për gjithë zonën që laget nga Syri i Kaltër. Ky veprim do të bëjë që në zonën e Delvinës, Sarandës e Gjirokastrës, që lagen nga ky burim të mungojë uji, duke përfshirë dhe ujërat e përroit të Viroit në Gjirokastër që ushqehet nga Syri i Kaltër. Me realizimin e këtij projekti flora, fauna por edhe bujqësia e blegtoria e gjithë kësaj zone do të varen nga moti. Gjithë lugina ka të ngjarë të kthehet në një tokë të thatë. Gjithashtu Lukova e Ksamili nuk do të përfitojnë asgjë nga ky project. Nuk ka asnjë parashikim për gadishullin e Karburunit, një gadishull krejtësisht i thatë. Sipërfaqja e tij është më e madhe se sipërfaqja ku shtrihet qyteti i Vlorës sot. Nëse do të kishte ujë aty mund të priteshin mbi 500.000 turistë në vit. Ky ujësjellës nuk ka parashikuar asnjë pikë ujë për Karaburunin, mbi shpinën e të cilit do të ndërtohen dy rezervuar gjigandë nga 250.000 m3 secili, njëri në mesin dhe tjetri në fundin e tij. As fshatrat turistikë dhe mjaft tërheqës të Zvërnecit dhe Nartës që vuajnë mungesën e ujit nuk do të përfitojnë nga ky project.
Së treti: përse qeveria nuk shpall këtë aferë dhe të thotë se cilat janë përfitimet nga shitja e ujit të Syrit të Kaltër?
E fundit: komuniteti që laget nga ujrat e Syrit të Kaltër nuk është pyetur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë.
PS. Në project është dhe jetësimi i një marrëveshjeje për djegien e mbeturinave të qytetit të Milanos në Shqipëri. Skandali i inceneratorëve e ka bërë të pamundur deri tani një veprim të tillë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gezim Zilja

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT