• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zoti Kryeministër: Mos e kthe Vlorën në depo karburanti për Ballkanin Perëndimor

November 1, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Është duke u jetësuar plani i KM-së dhe zv/KM-së Belinda Balluku, për të kthyer Vlorën dhe bregdetin e Zvërnecit në një depo gjigande karburantesh për furnizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor deri në Hungari. Do të ngrihen njëkohësisht disa TEC-e dhe impiante të përpunimit të naftës së rëndë. Kjo do të thotë që gjithë bregdeti i Zvërnecit dhe Nartës në vend të kthehet në një parajsë turistike, do të kthehet në një varr të turizmit për gjithë banorët e asaj zone dhe gjithë Gjirin e Vlorës. Imagjinoni anije cisterna gjigande që pllakosin detin, e do të zbrazen në Triport, dhjetëra trena dhe autobote gjigandë që lëvizin çdo ditë, mbi shina e rrugë, impiantet e përpunimit të naftës dhe TEC-et që djegin çdo ditë mijëra ton naftë, duke shpërndarë në hapësirë helm, që ngordh çdo gjallesë, bimë, kafshë apo shpend, tubacione mijëra metërshe që mbushin, zbrazin, transportojnë, oxhaqe që tymosin mijëra tonelata gaz CO2 në ditë etj,etj. Kam folur për TEC-et lundrues të Bangladeshit dhe deklaratën foshnjarake të Ballukut se: “Këto TEC-ce i ka kërkuar Gjermania me çmime më të larta por Amerika na favorizoi ne duke na i dhënë me çmim edhe më të ulët.” Kjo deklaratë u bë brenda TEC-it lundrues, një grumbull hekurishtesh që shfryn nga të gjitha anët, (do ta shihni po u vunë në punë)  në prani të ambasadores amerikane, që dihet pse ishte atje, duke dëgjuar broçkullat e Ballukut.     

Veç kësaj për të realizuar ato që thamë më lart duhet të qethet e rruhet alla Rilindje, një sipërfaqe prej 200 (dyqind) hektarësh pyll (2.000.000m2) pishash që bëjnë pjesë në mushkritë e Vlorës. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme nga shoqata dhe individë të ndryshëm për bërjen publike të marrëveshjeve për TEC-et, terminalet, e impiantet e përpunimit të naftës nga ministritë përkatëse, duke përfshirë edhe atë të mjedisit, nuk ka asnjë publikim ose përgjigje. Le të argumentojmë:

E para: më 29 korrik të këtij viti Balluku deklaroi: “Të dy TEC-et lundruese janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që i dha organizatës Faktoje.al  (certifikuar  nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve,) Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore  për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar “se Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës.” Pra ministrja gënjeu ditën për diell popullin shqiptar. 

E dyta: Ekspertët shqiptarë të mjedisit (qeveria nuk  i ka fare në llogari) por edhe ata të huaj dalin në të njejtat përfundime se: “Djegia e afërsisht 200.000 (dyqindmijë)  ton naftë në vit që harxhojnë TEC-et lundruese çlirojnë një sasi të tillë CO2 sa do të nevoiten 200.000 (dyqindmijë) hektarë pyje (investim prej 1 miliard euro, për të mbjellë ato pyje).” ta përthithin sasinë e bioksidit të karbonit që çlirohet nga djegia.” 

E treta: Është e mundur (ka ndodhur) që në këto lloj TEC-esh lundrues të prodhuar 40(dyzetë) vite më parë të ndodhin parregullsi ose aksidente dhe nafta e rëndë të derdhet në det. Në rast të një katastrofeje të tillë,  flora dhe fauna detare asgjësohet plotësisht, Gjiri i Vlorës mund të vijë në gjendje normale pas 28 vjetësh. 

E katërta Dy TEC-et lundruese sipas Ballukut do të mbulojnë 15% të konsumit të energjisë të nevojave të Shqipërisë. Si e nxorri këtë shifër? Specialistët, në bazë të të dhënave qw zotwrojnw deklarojnë se të dy TEC-et me kapacitetet e tyre nuk mbulojnë as 8% të konsumit të energjisë që harxhohet në Shqipëri. E vërtetë deri tani është që dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një faturë prej 336 milion euro.

Gjithë këtë lumë gënjeshtrash e zbukuroi KM-ja në intervistën e fundit dhënë Blendi Fevziut se: “ TEC-et lundruese do të punojnë me gaz të lëngët.” Pse të mos gënjejë Belinda, kur KM-ja e bën këtë me lehtësinë me të cilën ngjyros muret e zyrave e fasadat e pallateve?  Kjo është gënjeshtër e madhe e një kryeministri të papërgjegjshëm. Sipas specialistëve që po punojnë për vënien në punë të TEC-ve, lënda e parë do të jetë naftë e rëndë ose mazut. 

Së fundmi: Shqipëria është vend i vogël dhe i ka shumë të kufizuara hapsirat tokësore dhe detare. Si mund të kthehen 2.000.000m2 tokë bregdetare, kryesisht pyll, në depo e impiante përpunimi karburantesh ( pa llogaritur sipërfaqen detare dhe ndotjen e saj) për gjithë Ballkanin, kur vet Zoti i ka krijuar e bekuar ato vende për turizëm!? Kjo është gjëma më e madhe që do i bëhet Vlorës! Nëqoftëse ndodh: Lamtumirë Vlora e ëndërrave turistike! Mallkuar qofshi ju që po u shisni Vlorën pushtuesve dhe shkatërrimtarëve të bregdetit shqiptar! Paskëtaj drita e diellit do të zbehet nën tymin teceve e uzinave të përpunimit të naftës, fije bari e gjethe rrushi nuk ka për të mbirë më andej, e peshqit do të migrojnë në dete të tjera. 

Filed Under: Rajon Tagged With: Gezim Zilja

NENA MERJEME…

October 27, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Vazhdoja universitetin, kur ndodhi kjo histori. Telefon nuk kishte kurrkush në atë lagje varfanjakësh, por lajmi u përhap sa hap e mbyll sytë në të gjitha shtëpitë e ulëta njëkatëshe, bërë me ca pllaka të dyfishta prej tallash druri përzjerë me çimento. Një komshi e thirri tim atë te dritarja dhe i pëshpëriti diçka. Babai i ra ballit me pëllëmbë e thirri me të madhe: Mos more!? Njoftoi mamanë me zë të ulët dhe i tha se e priste te “vakia,” Ime më e tronditur nga lajmi, që mori filloi të fliste për të ziun djalë, që as e fejoi, e as e martoi dot e ëma, se e mori vdekja. Pasta ia mori me zë të lartë: Qaj nëno kërcureja oi,oi/Vdiq djali si luleja, oioi… Nuk kishte ndërmend të pushonte me “oitë,” duke ardhur rrotull nëpër shtëpi, të gjente rrobat e zeza. Më kapi një frikë dhe një ankth, që aman o zot! E tërhoqa fort nga mënga e trikos: Kush ka vdekur o ma? Aman moj, mos qaj kështu, se po dridhem nga frika! Mamaja u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe foli midis lotësh: Kujtimi, tu bëfsha kurban, shoku yt, djali i Merjemes. E kishte zënë bunkeri atje në mal…

Kujtimi (Kujtua) ishte shoku im i fëmijërisë. Sa herë shkonim te shtëpia e tij, nënë Merjemja, një grua plot shëndet e faqekuqe, gjithmonë buzagas, bënte dy feta bukë me sheqer, lagur sipër me ujë dhe në ditë festash me ca pika vaj ulliri.

-Jepja Gimit të keqen nëna, se e ke si vëlla! Dhe mos u largoni shumë nëpër çaire… Kështu e porosiste përherë. Gjithë ditën lante rroba, kujdesej për oborrin gjithë lule, gatuante për familjen e madhe, ushqente pulat e rosat, fërkonte me rërë tenxheretë e tepsitë, që vetëtinin nga pastërtia e i vendoste në parvazin e dritares… I ati e futi Kujton në punë, ende pa mbaruar shkollën e mesme, për të ndihmuar shtëpinë si djali i madh i familjes. Më vonë e morën ushtar në repartin e xhenjos. Montonin bunkerë betoni në kodra e male, ku shpesh u duhej të hapnin rrugën të kalonte traktori ose vinçi. Sapo mori lajmin se djalin e kishte zënë kupola e bunkerit nën vete, Merjemja hapi kujen, shkulte flokët e çirrte faqet si e dalë mendsh. Prunë arkivolin. Merjemja iu hodh sipër dhe u bë njësh me të. Më vonë u ngrit në këmbë dhe urdhëroi:

-Hapeni! Dua të shoh djalin!- Po arkivoli nuk mund të hapej. Shokët e repartit e kishin mbërthyr, që mos të hapej dot. – Mirë,- tha. – E kuptova.

E qetë në dukje, e përkulur mbi arkivol, filloi të qante me ligje. Djalë o djalë ç’të kishte ngjarë? Merjeme a derëzeza. /Të ra përsipër një mal. Merjeme a derëzeza/Ike më bëre hatanë! Merjeme a derëzeza./Mos e deshe mëmën pranë?Merjeme a derëzeza./Të të puthja atë ballë!/ Zemrën se ç’ma bëre plagë./ Unë a derëzeza.

Nga larg kënga vinte si një ninullë, kur vihet fëmija në gjumë, por njerëzit brenda dridheshin si purteka e lotonin si gjethja e shelgut pas shiut. Dukej sikur edhe trarët e tavanit po kërcisnin nga dhimbja, e do të këputeshin nga çasti në çast, duke i zënë të gjithë nën vete. As njëzetë vite nuk kishte mbushur. Sekretari i partisë, një burrë i shkurtër me ca mustaqe si vetulla cjapi, me kapelen e oficerit në kokën e qethur shkurt, iu afrua dhe mëtoi ta ngrinte. Nënë Merjemja ia largoi dorën me neveri.

-Ai ra në krye të detyrës. Ne do t’i propozojmë partisë ta shpalli dëshmor. Gruaja (as 50 vjeçe nuk ishte, por ne na dukej e vjetër) u ngrit befas dhe iu drejtua, duke akuzuar:

– Ju ma vratë! Ti me partinë tënde! Ua dorëzova si pëllumb, të bukurin e nënës. Tani më sillni një grusht kockash dhe as arkivolin s’e hap dot. Qërrohuni nga shtëpia ime! Sekretari i partisë me ca ushtarakë të tjerë ikën, duke murmuritur të pakënaqur.

Ditën e “të shtatave” aty në të gdhirë, Merjemja me të shoqin e të afërmit po përgatiteshin të shkonin në varreza sipas zakonit. Ende pa dalë, pranë portës së hapur, ia behu një ZIL kinez me karroceri. Tre punonjës të komunales filluan të ngarkonin orenditë (një kokosh plaçka) dhe dy policë shoqërues, urdhëruan të zotët e shtëpisë të hipnin në ZIL. Nënë Merjemja nuk njihej më. Me supet e varura, sytë e mekur, faqet e futura brenda nofullave të dala, e veshur krejt në të zeza, me sharpin sterrë, që i mbulonte gjithë ballin, brenda javës ishte shndërruara në fantazmë. I shoqi e mori për krahu dhe ajo si një fëmijë i bindur, shkoi pas tij.

Katër muaj më vonë, dhashë provimet dhe u ktheva në shtëpi. U përqafova me mamanë dhe ajo më tregoi: Vdiq nënë Merjemja. As tre muaj nuk jetoi e varfëra, në atë fshatin, ku i internuan. Iu helmua gjaku e i plasi zemra. I la fëmijët jetimë, koka-koka, njëri pas tjetrit. Atje në fshat e varrosën. Pastaj me sytë e përlotur, më afroi buzët te veshi dhe pëshpëriti: – Qenër u treguan dhe këta komunistët. Mirë që ia vranë djalin, por as ta varrosnin pranë tij nuk e lanë, medemek se paskësh sharë partinë…

Filed Under: Fejton Tagged With: Gezim Zilja

Vëllezërit…

September 29, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Dulja, një fshatar nga Lumi i Vlorës, rreth të pesëdhjetave , kishte dalë jashtë fshatit vetëm dy herë , një herë për vizituar gruan kur e operuan në spital dhe herën e dytë për të çuar vajzën në qytet në shkollën mjeksore. Gruaja shyqyr zotit ishte mirë dhe tashmë Dulja bënte rrugën vajtje-ardhje në tokat e kooperativës; kur kishte ndonjë lek në xhep kthehej te klubi i fshatit e hidhte ndonjë gotë raki. Ishte i lumtur se pas lutjeve të pafundme, kohë më parë e kishin pranuar në Parti dhe vajzës i kishin nxjerrë të drejtën e studimit në shkollë të mesme për mami. Prej asaj dite ishte komunist me tesër partie dhe me kohë mund ta caktonin brigadier. Duke kaluar pranë shtëpisë së vëllait Seferit, u vrenjt dhe i dolën djersë të ftohta. Një nga kushtet që i kishin vënë në organizatën bazë të partisë, ishte të mos shkelte në shtëpinë e të vëllait, që ishte shpallur armik i klasës madje kishte bërë dhe burg. Ai duhet të ndiqte rrugën e vëllait, që kishte rënë dëshmor gjatë luftës së dytë botërore. Përndryshe tesera e partisë do t’i hiqej dhe do ndërpritej dhe shkolla e vajzës.

 Seferi, vëllai i madh që dhe ky kishte dalë dikur partizan, rebel i lindur, sherrin me njerëzit e partisë e kishte nisur, që kur i detyruan të bëheshin kooperativë. Pasi e pa që mund të vinin t’ia merrnin me forcë dy lopët, qetë e parmendës  dhe bagëtinë e imët, si kishin vepruar me shumë fshatarë të tjerë kishte deklaruar: Tu hanë bajgat lopëve të mia këta zagarët me xhaketë mushamaje. Janë djersa ime, gjaku im. Ca do t’i  shes, të tjerat do t’i therr dhe mishin do ta shpërndaj falas në fshat! Dhe ashtu bëri. Shokët e partisë e thirrën, i thanë që kishte vepruar gabim dhe duhet të kërkonte falje.

-Unë falje juve? Përse? A  nuk ishin bagëtitë e mia? Do të bëj ç’të duan me to….  

-Jep shëmbullin negativ dhe vepron si armiku i klasës, duke sabotuar krijimin e kooperativës që është direktivë e partisë. Je shpallur kulak dhe…

– Mua do më flisni, që dola partizan që çilimi e vura kokën në rrezik? Po paskeni qenë bajga fare! Ik ore pirdhuni me gjithë kooperativë e kulakë,! ulëriu si i marrosur Seferi. Në darkë erdhën në shtëpi dy civilë të armatosur, i hodhën prangat dhe e morën me vete. E shpallën armik dhe e dënuan me pesë vite burg nga të cilat bëri tre. Dulja qysh atëherë i preu vizitat, te i vëllai kulak dhe shkonte rrallë.

– Bëj si të duash!- i kishte thënë Seferi. – Unë nuk të detyroj, por hajde hidhi ndonjë sy sat’ëme se me një këmbë në varr ështe dhe nuk të heq nga goja.- Ditën që e ëma shkoi në botën e të shumtëve Dulja qau me të madhe. 

– Boll o Dule! Qaj sa të duash! Plaka nuk ngjallet më,- i thoshnin miqtë.  Po Dulja nuk mbahej: -Se ç’kam një xhëng këtu në zemër e mezi marr frymë. Po si nuk më lajmëroi fare ky Seferi, të kisha marrë bekimin para vdekjes? Sipas zakonit Dulja mori pjesë në drekën e shtruar pas varrimit, zakon shumë i lashtë ky dhe i shenjtë për banorët dhe nuk u duk më në shtëpinë e të vëllait. Pas disa muajsh një darkë nga ato të qetat, se në fshat jeta shkonte pa asnjë ngjarje ( shtëpi-punë, punë-shtëpi) Dules ia dha mendja të shkonte te i vëllai. Priti sa u errësua mirë dhe hapi ngadalë derën e oborrit të shtëpisë, ku ishte lindur e rritur, ( kishte mall për atë derë e sytë iu mbushën me lot) la opingat te shkallët dhe trokiti lehtë. Vëllai e priti me krahëhapur, urdhëroi gruan të therrte një zog e të binte bodilen e rakisë. – Nuk do rri shumë. Po ja erdha për tu parë se edhe malli më kishte marrë.- Vëllai qeshi hidhur, Shtëpitë e tyre nuk ishin më shumë se pesëdhjetë metra larg e Dulja kalonte aty çdo çdo ditë, kur shkonte e vinte nga puna. Uli zërin, iu afrua edhe më vëllait dhe i tha me zë të ulët: – Kam vendosur të vij o vëlla! Po do të vij natën, kur rruga të mos ketë njeri, se këta shokët e partisë… Seferi u nxi i si ajo reja e detit ngarkuar me shi por nuk tha gjë. I trembur e pak i leshtë kishte ardhur Dulja që fëmijë e nuk ia vlente të zemërohej me të. Ngriti kokën e pa gjatë në sy dhe ashtu dhe duke buzëqeshur hidhur i tha: Medemek o Dule vëllai do më vish në shtëpi ëë? 

Dulja u gjallërua dhe u përgjigj: – Po vëlla, po. Natën do të vij…! 

Seferi thithi fort çibukun me dru dëllinje, mbushur me duhan të fortë fshati, e pa gjatë në sy dhe i tha: Vëlla i dashur! Hajde kur të dojë zemra natën, pas mesnate ose në të gdhirë. Dera ime është e hapur për ty gjithmonë. Ama ngule mirë në atë kokën tënde prej komunisti këtë që do të them tani: Sidoqë të vejë puna unë do të vdes ditën, jo natën. Kjo është e sigurt. Ti në daç hajde në daç mos hajde. Punë për ty!

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

Udha e mbarë Lazër Stani!

September 17, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

U largua nga Shqipëria një nga shkrimtarët  më të mirë shqiptar, mjeshtër i tregimit dhe fjalës shqipe, njeriu i ditur dhe i mirë Lazër Stani! Do na mungosh aq shumë o Lazër! Zëri yt, buzëqeshja jote e veçantë, ironia e hollë si fija e flokut, këshillat e mendimet plot vlerë, thjeshtësia dhe eleganca e lindur, kafja dhe rakia 60 lekëshe te klubi i lagjes, mezja te bulmetorja dhe pendesa e përherëshme të nesërmen se dje e tepruam, (pimë shumë,) që përsëritej me Galipin tonë fisnik dhe Flamurin artist,  kush e di nëse do të ndodhë më. Do na mungojnë  diskutimet për shoqërinë shqiptare të molepsur nga e keqja dhe veset, për politikën, e për këtë shtet karagjoz që ngritëm këto tridhjetë vjet. 

Shumë boshllëk krijon largimi i një miku e të mbulon trishtimi. Se janë kaq të pakët e vazhdojnë të mbeten edhe më pak duke u larguar çdo ditë. Nuk të lanë rrugë tjetër i dashur Lazër veç largimit. Nuk të lanë të punoje megjithëse shoqëria ka aq nevojë për njerëz si ty, sidomos kultura, historia dhe letërsia shqiptare. Qysh nga viti 1992 punësimi yt qe “problem.” Ishe i papranueshëm se kudo që shkoje thoshje atë që mendoje dhe rrezatoje dituri e drejtësi. Nuk e pranon dot shoqëria e sotme njeriun si ty. Je nga shkrimtarët më të mirë në këto tridhjetë vite ( për mua më i miri) por duke qenë antikonformist i lindur asnjëherë njerëzit në pushtet nuk të donin afër. Pushtetarët e sotëm të heqin nga puna nëse nuk bindesh, shkruan e firmos gjithçka që të japin. Osh e branë u hoqe kur në qeveri ishin blutë por nuk e gjunjëzove. Po të kuqtë as që donin t’ia dinin. Të flakën nga puna me një letër të pistë pa kuptim. Po ti si njeri plot vlera nuk hape gjyq duke thënë: nuk i dua paratë e tyre. Njerëz potencial si ty, pushtetarët e sotëm nuk i kanë fare në listat e të gjallëve. Edhe në televizionin shqiptar, edhe në ministritë e arsimit e të kulturës edhe në drejtoritë e librit, për ty  njeriun plot kulturë, tregimtar i shkëlqyer dhe vizionar (ashtu si për Bardhyl London, mikun tonë të paharruar) nuk u gjend një vend pune qoftë dhe inspektor i thjeshtë. Sot ministritë e drejtoritë e librit, kulturës e historisë gëlojnë nga të paaftët, nga të paditurit, intrigantët, patronazhistët dhe të pakulturuarit. Kishe një libër të ri nëpër duar që unë të përgjërohesha ta botoje. Dikur ti më dhe atë përgjigjen klasike, të ngjashme me Konicën kur e pyeti Noli, që pse nuk i mbledh shkrimet e boton një libër. Ti mu përgjigje: Ja e botova more Gëzim, po kush do ta lexojë? Sot libri lexohet fare pak ose aspak dhe kjo është nga dramat më të rënda të shoqërisë shqiptare.…

 Udha e mbarë miku im, shkrimtari që rrezaton në letërsinë shqiptare, Lazër Stani! Diell tu bëftë andej nga do të shkosh në Amerikën e largët. Po dije, se pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish! Udha e mbarë…  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, lazer Stani

Pas betonizimit të qytetit dhe shkatërrimit të shesheve historikë, vlonjatët dorëzuan dhe detin

September 14, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Dje në Gjirin e Vlorës bujtën dy “mysafirë’ të qeverise Rama, dy TEC-e lundrues. Ndërkohë në Vlore ka një TEC, që ka kushtuar mbi 100 milion USD, të përfunduar në vitin 2011, me kapacitet 100 MW që emeton në rrjet 97 MW. Ky TEC u ndërtua të shërbente për marrjen e burimeve të energjisë nga burime të ndryshme dhe balancimin e sistemit. TEC-i është lënë pas dore me vite të tëra nga Qeveria. Termocentrali punoi për pak kohë në fund të vitit 2011 derisa ndodhi difekti në kullen e ftohjes. Për të shpenzohen gati një milion euro ne vit per mirëmbajtje, si dhe interesat e kredisë që paguhen nga qeveria shqiptare. Në kushtet e krizës TEC-i duhej të vihej në punë por çuditërisht qeveria sjell nga Bangladeshi dy TEC-e lundrues prodhim i vitit 1997, që punojnë me mazut, ndotin ndjeshëm ambjentin e prodhojnë me çmim të lart.  Ato janë dy grupe motor – gjenerator me prodhim bruto rreth 110 MW, dhe një pjesë të energjisë e përdorin për konsum vetjak. Rrjedhimisht rreth 100 MW do të emetohen në rrjetin e transmetimit, që është thuajse e njëjtë me fuqinë e e TEC-it, ekzistues.

Djegia do të bëhet në motor me djegie të brendshme dhe ndotja per shkak të CO, SO2, NOx dhe pjesezave te ngurta, do te jete shumë më e madhe sesa TEC-i duke u bërë  ndotes të jashtezakonshem për Gjirin e Vlorës dhe duke shkaterruar turizmin në këtë qytet. Këto dy anije do t’i kushtojne KESH-it vetëm qera 83.000 euro /ditë, rreth 60 milionë euro për dy vjet. KESH-i do të blejë lëndën djegëse per prodhimin e energjise rreth 200 euro/MW. Për të bërë te mundur funksionimin e tyre do të duhet të bëhen shpenzime shtesë, për ndërtimin e infrastrukturës: ankorimi në port, furnizimin e (vendosjen e tubacioneve) anijeve me lënde djegëse, marrjen e ujit të detit për sistemin e ftohjes dhe ndërtimin e një linje kabllore per transmetimin e energjise nga anijet etj. Uji për ftohjen e agregateve te TEC-ve lundruese do të merret nga deti dhe do të bëjë që ujrat rreth Gjirit të Vlorës jo vetëm të ndoten por të rriten me rreth 14 gradë. Kjo shkakton kthimin e një pjese të gjirit, ( veç ndotjes nga nafta) në një det të vdekur. Sa i përket energjisë që do të blihet nga KESH-i megjithë qeranë dhe shërbime të tjera ndihmëse shuma për dy vjet do të arrijë rreth 700 (shtatëqind) miljon euro. Kthimi i TEC-it ekzistues në punë, nuk do të kërkonte më shumë se 50 (pesëdhjetë) milion euro. Duket një aferë e pastër abuzive ku sasia e parave të vjedhura është tejet e lartë. Shifrat që dha dje KM-ja për TEC-et lundruese janë jo të vërteta dhe shpejt do tu dalë kallaji.

PS: Pas disa lajmërimeve e thirrjeve Aleanca për Gjirin organizoi dje një porotestë, kundër vendosjes së këtyre përbindshave në Gjirin e Vlorës. Pjësëmarrja nuk i kalonte të tridhjetë vetët, përfshi katër opozitarë të PD-së dhe pesë fejsbukistave. Asnjë deputet, nuk u duk andej, i kuq, blu apo mavi, asnjë portalist i Nostalgjikëve të Vlorës apo asaj me titullin revolucionar ”Vlonjat lind, nuk bëhesh,” asnjë pronar hotelesh, restorantesh, rezortesh nuk u pa, madje as ndonjë nga peshkaterët që pinin kafe aty rrotull. ASNJË. Duket se vlonjatët pas betonizimit të qytetit, shkatërrimit të Sheshit të Flamurit, Sheshit të Pavarësisë  dhe Sheshit para Bashkisë janë dorëzuar plotësisht para aferave e marrëzive të KM-së dhe shpurës së tij.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…
  • VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…
  • Shkollimi i femrës shqiptare në vitet 1913–1939: përpjekje, pengesa dhe arritje
  • Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?
  • Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”
  • 34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar
  • Thank you Congressman George Latimer…
  • “Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!
  • Festivali Shqiptar në Michigan
  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT