• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse opozita me vulë ose pa vulë nuk e çon në SPAK aferën me TEC-et lundruese të Vlorës?

April 4, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Qysh nga data 09.06.2022 e deri sot kanë kaluar plot 209 ditë nga ardhja i TEC-ve lundruese në portin e Zvërnecit në Vlorë. Dëmet mjedisore nëse ai vihet në punë janë të pallogaritshme. Është folur nëpër TV, në shtypin e varur e të pavaruar por në Zvërnec nuk ka filluar ende të dalë tym e të prodhohet energji elektrike. Nëse për inceneratorët ka një proces gjyqësor, që zhvillohet qoftë dhe me shpejtësinë e breshkës, duhet thënë se inceneratorët punojnë me gjysmën e asaj që është nënëshkruar në kontratë: Bëhet grumbullimi dhe groposja e mbetjeve por nuk ato nuk digjen dhe nuk prodhohet energji elektrike sipas kontratës. Rasti i TEC-ve të Vlorës është se aty po punohet prej shtatë mujash për të realizuar ankorimin e anijeve dhe lidhjen me sisemin energjitik shqiptar. Të gjitha këto punime po i kryen ministria e Ballukut me paratë e shqiptarëve. Por ajo që të trondit e të befason është pagesa që u bëhet dy shoqërive këto 209 ditë (dy vjet është kontrata) që kanë kaluar pa prodhuar energji elektrike dmth pa kryer kurrfarë pune.

63.000 mijë euro/ditë  paguhet për qeranë firma gjoja prodhuese e energjisë, 31.500 euro/ditë paguhet firma tjetër që mirëmban TEC-et lundruese, gjithësej 94.500 euro në ditë.

209 ditëx 94.500 Euro-ditë = 19.750.500 euro kanë parlarë dy shoqëritë e huaja nga mishi dhe kockat e shqiptarëve pa bërë asnjë punë dhe pa harxhuar kokërr leku. Sipas të dhënave të besueshme brenda TEC-ve gjenden gjashtë punëtorë të huaj, që dalin herë-herës për të marrë rrezet e diellit të marsit.  Nëse për inceneratorët u ngrit një grup pune nga opozita dhe e çoi çështjen në SPAK për këtë rast kjo nuk ka ndodhur. Fushata për zgjedhjet lokale në qytetin e Vlorës shkon e qetë, pa shumë zhurmë ose si thuhet në marsh të parë, kryesisht në facebook. A duhet PD-ja e Vlorës, kandidati për kryetar bashkie dhe stafi i tij, të protestonte dhe ta denonconte këtë rast të paktën në mediat locale!? A ka fuqi dhe resurse njerëzore PD-ja e Vlorës ta hartojë një dosje penale dhe ta paraqesë në SPAK për këtë aferë korruptive dhe dëmet e pallogaritëshme mjedisore që shkakton vënia në punë e këtyre TEC-ve? Mendoj që po por nuk kuptoj përse presin që gjithçka të vijë nga Qendra si qëmoti… Bashkia nuk merret pa u ndeshur ndershmërisht me kundërshtarin, duke treguar jo vetëm mangësitë ( PS e drejton pushtetin local qysh nga viti 1997) në qytet, që janë të shumta por edhe duke paraqitur një plan real e të besueshëm, që opozita me njerëzit e saj mundet dhe ia dalin ta qeverisin shumë  më mirë se të majtët Vlorën. 

Filed Under: Sociale Tagged With: Gezim Zilja

Shporrini TEC-et lundruese nga Vlora

February 23, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Në këtë zallamahi korrupsioni, aferash, intrigash, vjedhjesh, spiunllëqesh, e kodoshllëqesh, që ka pllakosur Shqipërinë, hyn dhe afera me TEC-et lundrues, që po instalohen (nuk ka afat në kontratë për vënien në punë) prej shtatë muajsh në Triport të Vlorës. Qysh nga data 04.09.2022 që këto hekurishte të braktisura në Bangladeshin e largët, mbërritën në Gjirin e Vlorës nuk kanë prodhuar as edhe 1(një) MWh energji. Megjithatë në bazë të kontratës së nënshkruar nga ministrja e gjithëditur shqiptare dhe aprovuar nga KM-ja, globalisti shqiptar, firmat e huaja me të cilat është bërë afera kanë marrë gjithsej për qera dhe mirëmbajtje deri më 10.02.2023 shumën e llogaritur si më poshtë:
Ditë gjithsej 26+31+30+31+31+10=159 ditë
Qira në Euro 63.000Euro/ditë x 159ditë = 10.017.000 Euro
Mirëmbajtje 31.500 Euro/ditë x 159 ditë = 4.908.500 Euro
Gjithsej 10.017.000 Euro + 4.908.500 Euro = 14.925. 500 Euro
Gjithë kjo shumë që mund të jetë edhe më e madhe ( përjashto paratë shqiptare që po harxhohen për instalimin, thellimin e detit dhe lidhjen me sistemin energjitik të RSH-së) u është paguar firmave të huaja pa prodhuar deri më 14.02.2023 asnjë “gram” energji elektrike. Pyetja është shumë e thjeshtë për deputetët e PS-së, ministren Balluku (mori me vete dhe ambasadoren KIM kur mbërritën këto vjetërsira në Vlorë,) dhe ndonjë kokëtul: Si ka mundësi të paguhen dhjetëra milionë (qindra milionë në vazhdim) euro duke marrë si këmbim zero energji elektrike? A nuk është kjo një aferë e pastër korruptive? A nuk është mëkat për këtë popull që është bërë për gjynah, e në shumicë po arratiset nëpër botë ( Rruga jonë dreqo rrugë/Zgjatet për një copë bukë.) dhe ka qindra vjet që nuk ia del të mbush barkun me bukë!? A është e ndershme, logjike, shoqërore, fetare vëllazërore e ligjore kjo që po ndodh me popullin shqiptar? A ia vlen të sakrifikohet një popull i gjithë për një grup grash e burrash brenda e jashtë parlamentit, që sot zotërojnë 95% të pasurisë së shqiptarëve? Drejtësia shqiptare (Jo Ylviu dhe ylivinjtë) ka shancin të hyjë në historinë e këtij kombi, duke bërë detyrën e saj karshi popullit të vet dhe asaj për të cilët paguhet. Le të caktojë SPAK-u një prokuror edhe atë me më pak përvojë por trim dhe atdhetar të kontrollojë problemin e TEC-ve në Vlorë. Ndoshta fijet do të na çojnë edhe te skandali, që ka shpërthyer me drejtuesin e lartë të FBI-së këto ditë. Përndryshe nuk ka si paguhen kaq miliona dollarë nga një vend kockë e lëkurë, që nuk mbush barkun me bukë, kotekot apo për “bamirësi?!” Mirë do të ishte që vlonjatët e çdo ngjyre të linin një ditë kafenetë, partitë, filozofitë, historitë me luftëra e trimërira e të shkonin të shikonin me sytë e tyre se ç’po ndodh në Triport. Ndoshta do kuptojnë se ç’po gatuhet atje (veç TEC-ve) në të ardhmen për qytetin e tyre me terminalet e karburanteve dhe rafineritë që do të ngrihen për përpunimin e tyre.
PS. Më e rëndë është gjendja me portet e Durrësit e Porto Romanos. Nuk ka matematicien, ekonomist apo inxhinier me dy gram mend në kokë të mos kuptojë se në atë vend, ku nuk është marrë parasysh Strategjia e Sigurimit Kombëtar të RSH-së dhe në kundërshtim me marrëveshjen e SA-së me BE-në, po i bëhet gjëma Shqipërisë. Porti i Durrësit dalëngadalë po shkon në gjendje kome. 28 milionë euro grant nga BE-ja për zgjerimin e modernizimin e portit të Durrësit u anulluan. Operatorët po hedhin në gjyq qeverinë shqiptare për prishje kontratash arbitrarisht dhe kësaj i duhet të paguaj qindra milionë dollarë gjobë. Porto Romano më i madhi në Ballkan dhe më i bukuri në Europë sipas Ballukut, do të paktën 10 (dhjetë) vjet të ndërtohet me të gjitha parametrat bashkëkohorë si thotë Balluku, edhe sikur paratë të jenë të siguruara. Ndërkaq operatorët dhe anijet tregëtare po spostohen të marrin shërbime në portet e Malit të Zi, Kroacisë dhe Selanikut.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja

PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE

January 27, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Jam socialist, jam familje dëshmori- këmbëngul një shoku im socialist. -Çfardo që të ndodh unë jam i majtë. Familja ime ka derdhur gjak për këtë vend, prandaj mirë, keq jam me Partinë Socialiste. Nuk e kupton njeriu i indoktrinuar se partitë shkojnë e vijnë e Atdheu mbetet. Një pensionist/e  pas tridhjetë vitesh demokraci deklaron para kamerave televizive dhe miljona shqiptarëve: Pensioni nuk më del as për të ngrënë bukë, dhe e kaloj si mos më keq muajin. Por unë socialist do jem deri në vdekje. As ky nuk kupton se partia nuk është atdheu e që partitë  në Shqipëri kanë qenë e janë pronë private e kryetarit. Kjo bindje e verbër nuk ka të bëj  fare me ndonjë program politik, ekonomik, kulturor, të përparuar, nuk ka të bëjë, me zhvillimin dhe mirëqënien e popullit, as me forcimin në përgjithësi të atdheut e kombit. Djem e vajza të reja, që u rreshtuan në brigadat partizane i bashkoi urrejtja kundër pushtuesit me pjesën më të përparuar të njerëzimit, kundër fashizmit e nazizmit. Vështirë që ata djem e vajza, që u vranë në luftë të dinin ç’ishte komunizmi, doktrina e Marksit, diktatura e proletariatit, revolucioni proletar dhe ylli me pesë cepa i Leninit dhe Stalinit. Ata nuk ranë dëshmorë, që në Shqipëri të vendosej diktatura e proletariatit e Shqipëria të katandisej vendi më i varfër në Europë. Diktatura ngriti kultin e partisë dhe udhëheqësit të gjithëditur e të pavdekshëm, ngriti e kultivoi një art, kulturë, moral e edukatë ndryshe nga ajo tradicionalja, që i kishte rezistuar kulturës së pushtuesve, duke ruajtur gjithçka që kishte të bënte me atdheun e identitetin kombëtar. Një ushtri e tërë njerëzish e ashtuquajtur elitë, shkrimtarë, poetë, artistë, dramaturgë, kineastë ekonomistë filozofë, inxhinierë me në krye sekretarët që pillte me shumicë Shkolla e Lartë e Partisë, u vunë në shërbim të përjetësimit të rregjimit komunist. Ata bombardonin e tridhnin trutë e shqiptarëve në kopshte, shkolla, universitete, qendra pune, këshilla lagjesh e lloj lloj organizatash të përbëra nga oficerë të liruar, spiunë, njerëz përversë e langaraqë të çdo kallëpi. E di Partia, E di udhëheqja, E di i Madhi fare. Shumë nga ata që dolën malit për çlirimin e atdheut u bënë kurban nga vet partia, kur kundërshtuan politikat e saj të terrorit e kolektivizimit komunist. Të tjerë u detyruan të ulnin  kokën ose të ktheheshin nga çlirimtarë në kriminelë për të ruajtur sundimin e Enver Hoxhës. Fjalët Shqipëri, Komb, Atdhe u zbehën dhe të parat dolën fjalët, parti, popull dhe Enver. Mjerisht kulti i partisë dhe individit vazhdon edhe në ditët tona. Ai shfaqet në të dy krahët djathtas e majtas dhe kjo shihet qartas në dhunën e shfaqur nga përfaqësuesit e saj në parlament. 

Ngjarjet e vitit 1997 ishin një dramë e rëndë për vendin dhe shënoi një hap të madh mbrapa të demokracisë. Menjëherë të dy partitë ranë dakord të shpallej amnistia e përgjithshme. Asnjë nuk u dënua nga krerët e pozitës dhe opozitës, nuk u gjykua për falimentimin e vjedhjen e firmave piramidale, vrasjet dhe shkatërrimet e institucioneve. Edhe sot militantët e partive, njerëz të indoktrinuar të ndarë në kampe armike zgjasin gishtin tregues duke thënë njeri-tjetrit. Ju, ju jeni vrasësit e shkatërruesit, e vitit 1997, duke bërë që të mos zbulohet kurrë e vërteta. Ditë më parë opozita kërkoi që të ngrihet një grup parlamentar për hetimin e udhëtimeve të kryeministrit me avion taksi. Grupi parlamentar i PS-së i përbërë nga militantë, njëzëri e kundërshtoi këtë nismë.  Pyetja është e thjeshtë: Nëse je i pastër pse do kundërshtosh një hetim të tillë? Madje vet kryeministri duhet ta kërkojë këtë hetim. Asnjë deputet socialist nuk ngriti zërin e të thoshte: Le të ngrihet! Ku është e keqja këtu? Edi Rama, Sali Berisha, Fatos Nano apo Ilir Meta nuk janë Atdheu, nuk janë kombi shqiptar, nuk janë të pavdekshëm. Ju kokëshqope që viheni në rradhë qofshi deputetë apo ishër,  ministra apo ish të tillë, punëtorë apo të papunë e pensionistë  mos i mbroni! Edhe ju o analistë që qelbni ekranet me sofizmat tuaja çdo mbrëmje, që u shërbeni partive në mënyrën më të poshtër për një rrogë kërkoni drejtësi e mos bëni sipas interesit vetjak. Nëse ata duhet të përballen me drejtësinë ju të parët kërkoni një gjë të tillë. Edhe për ngjarjet e vitit 1997, edhe për Gërdecin, edhe për 21 janarin, edhe për PPP-të edhe për portin e Durrësit, edhe për kontratat skllavëruese të naftës e kromit etj etj. Partia nuk është atdheu, që me militantizmin tuaj po bëni që drejtuesit ta shpien drejt greminës. Atdheu është mbi të gjitha, është i të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Atdheu është i pavdekshëm o kokëshqope!!

Filed Under: Fejton Tagged With: Gezim Zilja

Instalimi i TEC-ve lundruese në Vlorë, aferë e pastër korrupsioni

December 14, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Dy ditë më parë Ministrja Balluku, pasi parashtroi planin për ndërtimin e një sërë rrugëve të reja foli se tashmë nuk do të përdoret fasho e 800 kilovat/orëshit, për familjet shqiptare sepse qeveria mendon për popullin dhe rënia e reshjeve ka qenë e bollshme. Por reshjet, shtoi ajo, do të jenë deri më 17 dhjetor. Dhe si një kujdestare fëmijësh naivë vazhdoi: Për të kursyer ujin ( nuk do të ketë më shira vallë deri dhjetorin tjetër?! ) do vihen në punë dy TEC-et lundruese të ardhura nga Bangladeshi të ankoruara në Portin e Zvërnecit. Edhe shejtan edhe budalla thotë një fjalë e urtë e popullit të stërvuajtur shqiptar. TEC-et u muarën nga fundi i botës, shëmbull unik ky në Evropë, sepse gjoja do të kishte krizë të rëndë energjitike. Në maj dhe qershor KM-ja çau ekranet e televizioneve me konferenca demagogjike mbi krizën energjitike që do të pllakoste në Europë për shkak të luftës në Ukrainë. U tha që TEC-et lundruese do të përdoren gjatë muajve të thatësirës qershor-shtator 2022 për të kapërxyer krizën. Madje Balluku, me paditurinë e saj të admirueshme, tha që SHBA-të favorizuan Shqipërinë sepse këto makina rrangallë të ndaluara në Europë i kërkoi dhe Gjermania dhe ia dhanë Shqipërisë madje me çmim më të ulët. Shumë e ulët steka e inteligjencës me këto argumenta foshnjarakë të Ministres. Le të arsyetojmë pak.

1.Ministrja gënjeu kur tha se gërmadhat që do të prodhojnë energji do të vihen në punë muajt e verës. Muajt e verës na kanë lënë shëndenë e TEC-et prodhuan zero energji elektrike.
2.Në zonën ku janë vendosur TEC-et po vazhdon puna për thellimin e detit mbasi nuk plotësohen kushtet (zhytje 3,5m) për ankorimin e anijeve. Puna për thellimin po shkatërron pyllin me hedhjen e rërës dhe ujit të kripur në zonën pyjore ekzistuese. Gjithë vlerën e ndërtimit të infrastrukturës e paguan qeveria shqiptare.
3.Anijet që do të prodhonin energji elektrike gjatë verës u ankoruan në portin e Zvërnecit më 9 shtator. Qysh nga kjo datë, duke iu referuar kontratës së lidhur (TEC-et janë marrë me qira për dy vjet) me shoqërinë amerikane qeveria do t’i paguajë kësaj qira 100.000 USD për cdo ditë. Deri në janar pa prodhuar asnjë ditë energji qeveria shqiptare do tu paguajë TEC-ve lundruese 120 ditë x100.000 USD/ditë=12.000.000 USD. Për dy vjet prodhojnë ose jo energji kemi: 720ditë x100.000USD/ditë=72.000.000 USD. Theksoj vetëm për qera. Nuk po llogarisim këtu sesa do ia blej KESH-i, TEC-ve kilovat/orën i detyruar nga kontrata, pavarësisht sa është çmimi në tregun e lirë.
4. Anijet do të furnizohen nga toka me bote gjigandë deri në tridhjetë ton për të cilat do të rrafshohen rreth 2(dy) ha pyll për tu parkuar, shkarkuar e vendosur tubacionet.
5. Puna po vazhdon por leja mjedisore nuk është dhënë ende nga ministria përkatës, gjë që përbën shkelje të rëndë të legjislacionit shqiptar. Sa u tha më lart duket qartë se kemi të bëjmë me një vjedhje të turpshme të taksapaguesve shqiptarë. Kontrata me TEC-et lundruese duhet të anullohet dhe opozita duhet ta kallxojë në SPAK këtë aferë të turpshme.
Rezervat ujore të hidrocentraleve janë të bollshme. Shira e borë do të ketë e rezervat do të rriten. Shqipërisë edhe për pesë muaj i mjafton energjia që prodhon vetë, madje KESH ka filluar me kohë shitjen e energjisë. Atëherë përse duhet të vihen TEC-et lundrues në punë? KESH-i shet energji jashtë Shqipërisë dhe blen nga dy rrangalla që qelbin dynjanë me djegijen mazutit? Sa mend do të kuptohet që po vidhet ditën me diell?

Filed Under: Sociale Tagged With: Gezim Zilja

Sofua dhe dhia malteze…

November 24, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Një ditë të zakonshme vere, për t’iu shmangur të nxehtit shkuam në fshat. U ulëm në një lokal nën hijen pemëve, ku të bënte shpirti rehat dhe porositëm diçka freskuese. Dikur vjen kamerieri me tri shishe  birrë dhe thotë, duke treguar me gisht: I keni nga Sofua. Ky ishte një burrë aty te të gjashtëdhjetat, i mbajtur, me mjekër si të Ismail Qemal Vlorës, e si doli më vonë muhabetçi i thekur. Erdhi u ul, pa marrë leje, veprim i çuditshëm për zakonet e banorëve të atyre anëve. 

-Bëmani kabull!- tha. – Unë more njerëz quhem Sofo Labi, denbabaden nga ky fshat. Kam shitur gjithë ç’kisha me tokë, vreshta e bagëti për t’i çuar fëmijët jashtë shtetit dhe ia dola. Plaka ka kohë që më ka lënë dhe jeton atje lart. Ngriti kokën,  bëri me gisht nga qielli dhe u përlot. – Kur do ikte më porositi: Sofo të keqen Marua, lerë rakinë se kur pi, fillon e flet gjepura. Po unë nuk flas gjepura, as llafazan nuk jam. I dua njerëzit! Ishte i këndshëm Sofua dhe buronte mirësi. Morëm dhe nga një birrë tjetër tashmë me porosinë tonë. 

– Çupa u martua andej nga Amerika dhe ka trembëdhjetë vjet që nuk ka ardhur në Shqipëri. Dy nipat i kam parë vetëm në fotografi. Plaka e pati peng që nuk mundi t’i përkëdhelte. E lante celularin me lot e vetëm thoshte: U bëfsha kurban për ju! Vajza premtonte se do të vinte po aha! Se ç’punon në një piceri. Djali shkoi në Angli, dhe ka pesë vjet që nuk më telefonon. A është, a s’është gjallë, a ka rënë në burg? Se ç’kam dëgjuar për ca “shtëpi bari.” andej. I vogël ishte, as shtatëmbëdhjetë nuk kishte bërë, i padalë, i pa mësuar mirë, fshatar hesapi, po këtu nuk donte të rrinte sikur ta vrisje. Kruajti një copë herë kokën e vazhdoi: Ja dhe këtu jetohet. Ata, që u shita unë tokën kanë mbjellë hektarë të tërë me vreshta e kanë ngritur një kantinë vere. Papritmas pushoi. Se nga ia behu një dhi ngjyrë kafe, nga ato pa brirë, që në gjuhën e vendit u thonë “ dhi malteze” dhe i vuri kokën  mbi gjunjë. Burri e përkëdheli, këputi disa gjethe mbi manin sipër nesh dhe ia afroi. Dhia fërkoi nja dy herë kokën mbi pantallonat e Sofos dhe filloi të përtypej. 

-Po më falënderon,- tha Sofua. -Nga gjithë ky dynjallëk kjo më ka mbetur. Ndërsa dhia përtypej, i përkëdhelte fytyrën, xhufkën mbi majën e kokës dhe e puthte në ballë. Dhia me sy të gjelbër, mjaft të mëdhenjë e të bukur bindej qetësisht dhe ia afronte edhe më shumë kokën, nxirrte gjuhën e lagur dhe i lëpinte duart. Ne u mahnitëm! Nuk kishim parë një lidhje të tillë midis njeriut dhe një kafshe të “pabindur” si dhia. Çuni i lokalit, zgjati një degë mani plot me gjethe po dhia ktheu kokën mënjanë. 

-I do nga dora ime more, i do…- psherëtiu thellë Sofua. Sapo mori degën e manit nga djali, dhia zgjati gjuhën e saj të hollë dhe filloi të shijonte gjethet…

-E mora në qafë dhe këtë. Mbeti vetëm me mua. As cjap nuk mori këtë vit. E kam vendosur. Do ia jap Sheros, çobanit të fshatit… Puna ime u pa: mori rrokullimën, që kur shita ç’pata e ku pata. Pastaj iu drejtua dhisë: -More vesh moj? Do të çoj të rrish me shokët e shoqet e tua! Të marrësh cjap e të bëhesh me bina’, se mbete pas meje.

Pasi mbaroi gjethet, dhia filloi të qëllonte lehtaz me kokë gjunjët e Sofos. Menduam se donte gjethe të tjera por kur Sofua i zgjati disa të tilla, dhia i refuzoi dhe vazhdonte ta godiste me kokë. 

-Më duket u mërzit. Nuk do të rrijë më këtu. Do ngrihem se fillon e blegërin e nuk pushon më. Po dua tu pyes o njerëz të shkolluar se kam një xhëng këtu në zemër, që po më merr frymën:  ku kam gabuar unë? I rrita fëmijët duke punuar ndershmërisht, me gjithë dashurinë prindërore si pak të tjerë në fshat. Përse nuk ndenjën këtu fëmijët e mi se mall e gjë kishin plot, po shkojnë e rropaten prapa diellit?! Mua të më falin gjithë arin e botës nuk iku nga ky vend, ku kam varret e gjyshërve, të nënës e babës, ku kam atë çikë shtëpi, që më ka mbetur dhe oborrin me pjergull. Po ku ka si ky vend, me mal, me det, me fusha e lumenjë, ku dielli nuk lodhet së ndriçuari tokën? Mbetëm të gjithë pa gojë dhe asnjë nuk po përgjigjej. Sofua na pa një copë here, pastaj rrudhi lehtaz buzët. Donte të shtonte diçka tjetër po blegërimat e dhisë tashmë mezi linin të dëgjoheshin fjalët e tij. 

– Ika se nuk më le rehat kjo lanete. E mora përgjigjen. Faleminderit! Ne pamë njëri-tjetrin në sy të habitur. Pasta iu kthye dhisë: Më turpërove! Nuk me le të bëja një dorë muhabet! Dhia e kënaqur hidhej e lodronte rreth e qark Sofos, duke i fërkuar kokën hera-herës te gjunjët. Ky lidhi duart prapa, e me trupin pak të kërrusur nisi të ecë.  Dhia e sigurt tashmë që Sofua ishte i gjithi i saj, e ndoqi nga pas, duke bërë ca meee,memeee të zgjatura. Blegërima sa vinte e dobësohej, derisa u shua plotësisht. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
  • Nga non-paper i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë tek oferta për heqjen e asteriksit!
  • DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË
  • MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT