• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Armiq për vdekje – Ngjarje e vërtetë

September 2, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Kanan Seiti, një ish-i dënuar politik po martonte nipin e vet. -Shyqyr që ja arrita kësaj dite! Lermë o zot, të rroj dhe ca kohë,- thoshte me vete, me sytë e përlotur. Pinte nga pak, shikonte çiftet që kërcenin, këndonin, krejt të shpenguar dhe zemra i bëhej mal. Muzika u ngrit deri në qiell dhe në hyrje të lokalit ia behën njerëzit e nuses. U vendosën përballë me krushqit e djalit dhe ahengu u ngrit disa shkallë më lart. I ra në sy një burrë i moshuar me kasketë, por ende i fortë, energjik, shtatlartë, kockëgjerë, trupmbushur, me një hundë të madhe në formën e tehut të sëpatës, me kostumin fringo, këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe këpucët lustrafin, që udhëhiqte vallen. Burri u shkëput nga vallja, nxorri një tufë pesëmijëshe nga portofoli prej lëkure dhe për disa çaste daroviti çiftin, duke tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve. Kanani e shoqëroi me sy deri sa u ul, përballë tij, dy-tri karrige më tej. Ishte e pamundur të gabonte. Ai ishte Balil Gozhina, ish partizan, ish prokurori i diktaturës, avokat i njohur tashmë siç i kishin thënë. Balili nxori një puro, i preu me nge majën me biçakun e vjetër me këllëf briri, e ndezi me një çakmak të florinjtë, thithi fort puron, filloi të shpërndaje shtëllunga tymi të bardhë gjithandej, duke parë gjindjen me një lloj krenarie të shtirë. Kananit iu shua gjithë hareja, që e kishte kapluar në fillim… 

Në kohën e luftës njerëzit e tij ishin rreshtuar me Ballin ndërsa ata të Balilit me Partinë. Pas lufte komunistët u grabitën gjithçka dhe i lanë të jetonin në një kasolle pranë shtëpisë së tyre. Edhe kaq e keni shumë si armiq të popullit, u kishin thënë. Burrë e grua rropateshin në ndërmarrjet bujqësore. Aty nga vitet shtatëdhjetë hapnin toka të reja sipas udhëzimit të partisë: “Ti bëjmë malet e kodrat pjellore si fushat.” Në pushim, duke ngrënë drekën (sikur më shtyu shejtani, tha më vonë) bukë misri, qepë e ca kokrra ullinj, foli pa të keq: – Pse i hapin këto skërka për tokë buke? Këtu mezi rriten shkurret e jo të bëhet gruri e misri? 

Gjashtë muaj në hetuesi, pyetje e tortura nuk pranoi dhe nuk firmosi asgjë. Akuza: Sabotim me qëllim i ekonomisë popullore. Ndërkohë “lajmi’ mbërriti edhe në hetuesi. Gruan dhe fëmijët ia degdisën në fshatrat e Lushnjës…  Atëherë vendosi:  -Bjemë një letër të bardhë ta firmos. Shkruaj ç’të duash mbi të!- i tha prokuror Balilit. Tashmë e kishte marrë ferra uratën dhe çdo rezistencë ishte e kotë. Dymbëdhjetë vjet u dënua, që i bëri kokërr më kokërr në miniera. Shenjat e torturave dhe mundimeve i kishte ende në trup. Balili kërkonte të shmangte vështrimin e kundërshtarit por Kanani vazhdoi ta shikonte ngultas. “ Si ka mundësi që këta njerëz të jenë në krye përsëri?!” iu drejtua vetes. Kishte parë ish hetues, prokurorë, spiunë, drejtues burgjesh, madje edhe ministra të kohës së diktaturës, që kishin zënë vende kyçe në parlament, ministri dhe në majat e shtetit. “ Të paktën të kishin kërkuar falje për të gjitha të zezat që na bënë, pa për drejtësi nuk bëhet më fjalë.” I hipi gjaku në kokë, por u mundua ta mbajë veten: 

– Balili je zotrote? Prokurori që më dënoi me 12 vite burg për një fjalë goje?

– Ai jam. Të dënova se shkele ligjet e shtetit! Vet pranove e firmose… erdhi aty për aty përgjigja harbutërisht. Kajtazi e humbi gjakftohtësinë, u ngrit në këmbë dhe thirri: “ Për ç’ligje e firmë flet?! Po më ngordhe në dru, more kriminel, më more jetën, më le fëmijët jetim me babën gjallë, më internove vëllezër e motra për një fjalë goje…” Vazhduan të grindeshin me zë të lartë, duke qëndruar secili në të tijën. Balil komunisti, u bë si i marrosur. Nuk ishte mësuar ish-prokurori, tashmë avokat i dëgjuar,  t’a kundërshtonin e jo më ta akuzonin haptaz me zë të lartë si kriminel e vrasës. Kishte bërë ç’kishte dashur dhjetëra vite me fatin e njerëzve dhe ja tani po e turpëronte në mes të dasmës një hiç, një palo ballist.

-Mba gojën kulish ballisti!- shpërtheu Balili. –Ah, kur s’të vrava atje në hetuesi! Vuri dorën në brez dhe kapi revolverin, relike nga koha e luftës.

“Fute në b… atë o Balil, e mbaje shtrënguar, se mua nuk më trembe dot dje e jo sot! Leri këto, e mos u prish dasmën njerëzve se nuk ta kanë borxh!- u përgjigj ish i dënuari politik, duke menduar se ai diskutim në dasmë duhej mbyllur. 

– Ah, nuk ma paske më frikën mua ti more tradhëtar ëë? Shkoi e vate koha ime ë? Po unë të vras tani, ja këtu mu në mes të dasmës. Për ideal të partisë! 

Fliste dhe shkumbëzonte, duke përhapur gjithandej nga protezat që i lëviznin, copa të mëdha pështyme, përzjerë me qepë e thërrime buke. E bardha e syve filloi të merrte të kuqen e gjakut, si atëherë kur jepte dënimet me vdekje, e pushkatonte me dorën e tij armiqtë e partisë. Hoqi nga rripi i mezit revolen dhe ia drejtoi. Kanani sa dëgjoi: – Të vras tani!- ngriti vetullën i habitur, por vetëm kaq. Nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Dy krisma njëra pas tjetrës ja bënë kokën copë, duke ja shpërndanë trutë gjithandej. E shpuar tej e tej nga plumbat, koka iu var mbi gjoks dhe gjithë trupi u shemb mbi tavolinë, duke stërpikur me gjak dasmorët e tmerruar. Një njollë e madhe filloi të përhapej dalëngadalë, duke skuqur mbulesën e bardhë të tavolinës. Gratë ia dhanë ulërimës. Balili dyllë i verdhë, me duart që i dridheshin, vendosi koburen në tavolinë, pa nga njerëzit, që pasi dëgjuan krismat, lanë vallen të tmerruar dhe deklaroi: S’jam fare pishman. Këtë gjë duhet ta kisha bërë kohë më parë…

                                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

Tjetërsimi i shesheve historike në Vlorë, vepër antikombëtare

September 1, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Për Vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është adhurim hyjnor, shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim, që ndryshon rrjedhën e historisë, kur  tradhëtarët e nxjerrin Atdheun në Pazar, ose kërcënohet liria nga pushtuesi i huaj. Mbi të gjitha Vlora është Frymë guximi dhe Atdhetarizmi. 

Çvendosja, ndryshimi, zhdukja e simboleve nga vendet historike, që kanë të bëjnë me themelimin e shtetit të parë shqiptar dhe luftërat e tij heroike për liri e pavarësi nuk janë tallje, apo teka të një njeriu mendjemadh, mburravec e kokëbosh, që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët. Për Vlorën kjo do të thotë t’i zhdukësh apo tjetërsosh historinë e saj unike, traditën, trashëgiminë, frymën patriotike që vlonjati e ka të rrënjosur në gjak. Do të thotë të godasësh në zemër krenarinë kombëtare, të kthesh simbolet e themelimit të shtetit shqiptar, Sheshin e Flamurit, dhe atë të Pavarësisë në Skelë, në lodra, që çvendosen gjithandej, duke ndërtuar simbole të reja betoni pa kuptim, pa lidhje me ngjarjet, mesazhet patriotike e të kthesh flamurin kombëtar në një leckë pa vlerë. Këto veprime përbëjnë një akt të qëllimshëm antishqiptar . 

Vlorën koha e solli të jetë kryezonjë e historisë moderne me dy ngjarje që i vunë vulën shtetit të ri shqiptar dhe vazhdimësisë së tij: Shpalljen e Pavarësisë dhe Luftën e Vlorës më 1920. Sheshi i Flamurit ishte një ansambël i plotësuar me Varrin Monumental të Babait të Kombit, Ismail Qemalit, Monumentin e Ushtarit të Panjohur, Shtizën e Flamurit, Monumentin Madhështor të Pavarësisë, kompleksin e rrallë me katër sferat (topat) që përfaqësonin Shqipërinë etnike me katër vilajetet e saj dhe shatërvani që hijeshonte gjithçka rreth e qark. Gjithë hapsira nga Monumenti gjigand i Pavarësisë ishte e hapur dhe harmonizohej me kodrinën përballë, ku ndodhen Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Heroike të Vlorës më 1920 dhe atyre të Luftës së Dytë Botërore.  Po ç’bëri KM-ja ynë me rilindasit e rinjë!? Rrafshoi piedestalin e Monumentit të Pavarësisë 17 metra të lart, e vendosi mbi “rrota” si shtëpi arixhiu, aty rrotull dhe po nuk i pëlqeu të mund ta çvendosë sërish. Zhduku ansamblin e sferave, katër vilajeteve, simbol i Shqipërisë etnike, amanet i përjetshëm i rilindasve,  me një mendjelehtësi dhe urrejtje të çuditëshme. Ndërpreu lidhjen organike të Monumentit të Pavarësisë me Varrezat e Dëshmorëve, duke ndërtuar një ngrehinë me kollona betoni për stacion autobuzi. Në një intervistë, Muntaz Dhrami, i vetmi nga tre skulptorët mbetur gjallë, do të deklaronte plot trishtim: “…vetëm unë jam gjallë, por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e Monumentit të Pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosjeje, që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin. Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzovalleje …”

Ndërhyrja në sheshin “Pavarësia,” në Skelë,  paraqet një rrëmujë rrathësh betoni pa kuptim. Piramida e dheut, gropa para shtëpizës, ullinjtë e portokallet azmatike, pishat mbërthyer në hekurishte, lisharse e tubo kalamajsh, një kolonadë betoni 200 metërshe, të çojnë në një botë tjetër, që nuk kanë kurrfarë lidhje me Shtëpinë Muze, ku vendosi selinë, qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e “gjallë,” nga ajo kohë e papërsëritshme. U zhduk pa dhënë asnjë shpjegim monumenti i luftëtarit aq të dashur për vlonjatët, Isa Boletini. Ndërtimi së shpejti, duke filluar nga vija e ujit e ndërtesave shumë të larta, fshin nga pamja këtë shtëpizë dykatëshe, që do të duhet busull për ta gjetur në të ardhmen. Shtëpia Muze, zoti KM, duhet të ishte kryeqendra e Sheshit Pavarësia: gjithçka tjetër duhet të vihej në funksion të saj. Ishte rasti (Kjo do të ndodhë!!!) kur mund të ndërhyhej, duke ndërtuar një kompleks muzeal, që i mungon Vlorës e Shqipërisë, në përputhje me arkitekturën e kohës, që të pasqyronte luftën me pushkë e penë të rilindasve tanë nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë me kryengritjet dhe heronjtë e shumtë. Kjo nuk ndodhi prandaj mendoj, që shndërrimi i këtij sheshi është vepër antikombëtare. 

Sheshi tjetër i përçudnuar, është ai para Bashkisë. Para se të fillonte Lufta e Vlorës, organizatorët e kryengritjes i dërguan Ultimatum gjeneral Piaçentinit ( godina e bashkisë sot) dhe kërkuan që trupat italiane të largoheshin nga qyteti dhe rrethinat brenda 48 orësh, ndryshe do të sulmoheshin e do të hidheshin në det. Tekstin e Ultimatumit e përgatiti Avdul Kuçi, jurist, dhe deputet.  (Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi si kriminel lufte, me vdekje.) Ultimatumi iu dorëzua  italianëve nga luftëtari Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Ky gjest i rrallë trimërie e burrërie të trondit dhe sot. Shqiptari trim, që përfaqësonte një ushtri vullnetarësh prej 4.000 vetësh, i kërkon gjeneralit të ushtrisë prej 20.000 vetësh, me armët më moderne të kohës të largohej menjëherë ndryshe pushka do të vendoste drejtësinë. A nuk të mahnit ky veprimt? A nuk të bën krenar, si vlonjat, si shqiptar!? Por në atë shesh mungon simboli, mungon historia, mungon dëshmia, mungon Selim Mallkeqi, luftëtarët e Vlorës dhe mesazhi: Këtu i thonë Shqipëri, i thonë Vlorë! Japim jetën po Vlorën nuk e lëshojmë! Sa herë që njerëzit të kalojnë nga ai shesh të mos harrojnë kurrë ata trima, që mundën një perandori të kohës vetëm me vullnetin dhe dashurinë për atdheun, flamurin dhe lirinë. Doni ta mbani gjallë patriotizmin dhe historinë zoti KM? Doni të dini si luftuan vlonjatët për flamur e për atdhe? Doni që mesazhi i dashurisë për atdheun i Luftës së Vlorës të nderohet e lartësohet? Ndërtoni një monument për luftëtarin trim, Mehmet Selimi mbi kalin e tij, me fustanellë e qylaf, në sup mavzerin dhe në dorë ULTIMATUMIN, duke dhënë mesazhin e përjetshëm: Vlorën nuk e japim! Për Vlorën e derdhim gjakun lumë! Hiqi ato shkallë e pllaka betoni se edhe në Surrel nuk shkojnë e jo në Vlorë, ku çdo pëllëmbë tokë flet për trimëri e heroizëm. Ke ende kohë të korrigjosh e sjellësh në gjendjen e mëparëshme Sheshin e Flamurit e të plotësosh Sheshin e Pavarësisë në Skelë. Nëse jo, jam i sigurt, që herët ose vonë pasardhësit e vlonjatëve, që shkruan faqet heroike të historisë së Shqipërisë, do të kuptojnë se Atdheu është para partive të kuqe apo blu dhe drejtuesve të tyre sharlatanë, të korruptuar dhe delirantë. Ata do të rindërtojnë Sheshin e Flamurit siç ishte madje do ta plotësojnë me ndërtimin e sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri, do të ndërtojnë kompleksin Muzeal te sheshi Pavarësia dhe do të ngrenë monumentin e Mehmet Selimit para sheshit të Bashkisë. Kjo do të ndodhë sepse gjaku i vlonjatëve dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim.   

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja

Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”

August 10, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Pesë ditë pasi në Tiranë u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit, më 25.02.1991, komitetit i partisë organizoi një marshim demonstrativ me punonjësit e Pashalimanit drejt Sheshit të Flamurit, ku do të mbahej një miting në përkrahje të diktatorit. Punonjësve u ishin thënë se do tu paguhej dita e punës.

 Ishte ora rreth 1000 e paradites, kur autobusët, të mbushur plot me punonjës të Bazës së Pashalimanit, ndaluan në  Skelë. Njerëzit filluan të zbrisnin dhe nën komandën e sekretarëve të partisë,  filluan të rreshtohen. Në duar disa mbanin bukën e mbështjellë me gazetë, e të tjerë portrete të Enver Hoxhës e parrulla. Në krye, në gjatësinë e rreshtit, spikaste një beze e kuqe, e shkruar me të bardhë “Enver- Shqipëri” dhe “Vullnetarët e Enverit.” Pa u vënë akoma në lëvizje, turma që udhëhiqej nga drejtori i Pashalimanit, Luto Hasko, dhe titullarë të tjerë të partisë në rreth, filloi të bërtiste “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”. Ndërkohë disa punonjës, tinëz u larguan nga grumbulli, duke mos dashur të shkojnë te Sheshi i Flamurit. 

Sapo turma kaloi “Kulaçin” dhe përparoi rreth 50-metra, si me magji s’dihet nga mbinë rreth njëzet djem, të moshës 25-40 vjeç të gjithë skelarë ose zona përreth. Pjesa më e madhe ishin njerëz të thjeshtë dhe pa ndonjë  angazhim politik. Njoha midis tyre Xhoxhi Priftin, berberin e Skelës; Hamdi Memetin, këpucar; Vilson Haskaj, pilot në port; Namik Mustafaj, teknolog në sodë; Koto Zilja, trainer pranë klubit sportiv “Flamurtari”; Nasip Imeri, saldator në fabrikën e çimentos; Kastriot Axhami, peshkatar; Gjergji Kallçia, Sulo Nebiu, Lefter Islami etj, të gjithë lindur e rritur në Skelë.

-Ndaloni more shkërdhata ku po shkoni!- ulëritën djemtë e Skelës. Doni të ngjallni diktatorin, por nuk kemi për t’iu lënë. Kthehuni se do ta pësoni keq.- Pa komandë, pa udhëheqës, djemtë e Skelës, filluan të ndjekin turmën, që marshonte ( shumë ishin larguar) në mes të bulevardit, ku spikasnin  instruktorët dhe sekretarët e partisë, që lëviznin gjithandej dhe ruanin kompaktësinë e turmës. Me gjithë të sharat dhe ofendimet, “vullnetarët” me portretet e Enver Hoxhës vazhdonin përpara. Atëherë grupi i vogël, që lëvizte paralel me turmën e humbi, durimin. Dikush lëshoi kushtrimin: U bini me gurë komunistëve! I qëlloni me gurë zagarët e Enver Hoxhës! Mos i lini qentë e Enver Hoxhës, të shkojnë në Sheshin e Flamurit! Poshtë komunizmi! Kaq u desh. Dhjetëra gurë filluan të fluturonin mbi turmën, që vazhdonte të thërriste: “Shqipëri, Enver.” Asnjë gur nuk shkonte dëm. Ndërkaq grupi i djemve të Skelës ecte në trotuar, paralel me turmën, duke bërtitur “Liri-Demokraci – Kokë e Dullës në tepsi”. Pa arritur te dera e ish-Kombinatit të Peshkut “Ernest Telman”, pikërisht në krah të bufe “Skelës”, turma stërmadhe e protestuesve të Pashalimanit u ndodh ballëpërballë me ata pak djem, që donin t’i ndalonin. Përplasja ishte e shpejtë dhe e egër. Qëllohej me ç’të mundej. Pas dhjetë minutash, turma u praps, duke lënë në asfaltin e rrugës dhjetëra parulla, portrete, një beze të madhe, të kuqe, të grisur, gurë e copa pllakash të shkulura nga trotuari, shishe të thyera, hunj gardhesh, e gjithfarë sendesh, që mund të përdoreshin në këtë dyluftim të pa parashikuar, trup me trup. Rreshtat e rregullt të punonjësve të Pashalimanit u shpërbënë, duke ia mbathur kryesisht në drejtim të godinës së madhe të komitetit të partisë, që ndodhej aty pranë, të ndjekur nga thirrjet dhe goditjet me gurë të sulmuesve. Turma e gjakosur u shpërnda në të gjitha drejtimet; një pjesë e përbërë nga “Vullnetarët e Enverit” u grumbullua në godinën e komitetit të parties. Për dy orë njerëzit u strehuan në godinë: “vullnetarët” me frikën e djemve të Skelës, që prisnin aty pranë si skifterë gati për t’u përleshur, dhe drejtuesit e punonjësve me instruktorët e Partisë, me shpresën e një marshimi të ri drejt Sheshit të Flamurit. Kundërshtarët në një distancë të afërt shkëmbenin të shara. Një instruktor partie, kërcënoi: -Në burg do t’ju kalbim! Nuk e lëshojmë pa gjak, se me gjak e kemi marrë. Një plakë çame e lagjes që kalonte rastësisht aty, e dëgjo, ktheu kokën dhe mallkoi: – Mos paçi varr, o Zot i Madh!- Nuk i shau, nuk i kërcënoi, nuk kërkoi të hakmerrej, vetëm kërkoi, që ajo farë e njerëzimit që quhej komunizëm, të dënohej përjetësisht me harresë, të mos kishin më, as emër e as varr. Plaka ishte e veshur me tumanet karakteristike të zonës së çamërisë dhe mbi kokë i ndrinte lahuria e bardhë. Nuk e ktheu më kokën prapa. Në ditar atë ditë kam shkruar edhe këto rreshta: “ Shikoja me vëmendje njerëzit e strehuar te godina e K.P-së dhe këta të tjerët, të gatshëm për sulme të reja në qoftë se turma do të nisej përsëri në qendër. Njësoj të veshur, të ushqyer, ndoshta dhe pa ngrënë mëngjes atë ditë, njësoj të varfër, dhe ashtu si unë e im vëlla, kishin në turmë të afërmit e tyre, ndoshta edhe vëllezërit e baballarët. Duke parë instruktorët e Partisë që nuk pushonin së vrapuari midis punonjësve të Pashalimanit mendoja: – Përse i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit, në emër të kujt? Unë isha i bindur se, në qoftë se punonjësit e Pashalimanit do të ishin treguar të vendosur, në marshimin e tyre drejt Sheshit të Flamurit, me siguri te “Kulaçi,” Skela do të kishte patur në të ardhmen një pllakatë për të vrarët e asaj dite. Rrugët e kësaj lagjeje të vjetër, me banorë të varfër, që rrojnë me djersën e ballit, trima e kokëkrisur, do të ishin larë me gjak të pafajshmish. Falë Zotit që kjo nuk ndodhi! Punonjësit një e nga një e dy e nga dy dilnin nga godina e komitetit dhe ia mbathnin për në shtëpi. Mitingu në përkrahje të Enver Hoxhës dështoi në sajë të shpirtit demokratik e guximtar të djemve të Skelës, të etur për liri.”  Për më hollësi shiko librin ditar: Drejt Perëndimit. PS.Kiço Mustaqi bashkë me Xhelil Gjonin ishin themelues të shoqatës ekstremiste, famëkeqe: “Bashkimi i Vullnetarëve të Enverit” më 12 shkurt 1991 në Berat. Marshimet, kërcënimet dhe antimitingjet e anëtarëve të kësaj shoqate ogurzezë për rivendosjen e busteve të diktatorit, do të mbahen mend për një kohë të gjatë, nga ata që i përjetuan ato ngjarje. Më 20.02.1991 populli i Tiranës rrëzoi shtatoren gjigande të diktatorit, duke e tërhequr zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit. Ishte e pamundur që në atë turmë qindramijëshe të lëshoje forcat e armatosura, megjithëse Nexhmia Hoxha deklaronte: “… Të paktën atë çast duhet të vritej një njeri,..”Gazetat Flaka, Tribuna,16.11.1992.”C:\Users\Acer\Desktop\Materialet e plota 2012New folder\Desktop Dokumenta 02-09-2011\DSC09799.JPGnjeri,..”GazetatFlaka,Tribuna,16.11.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Zilja

Dy marrëveshje që fshijnë Vlorën si qytet turistik

August 4, 2022 by s p

Gezim Zilja

Mund të jetë një imazh i oqean

Ky është porti i Vlorës dhe hapsira deri në Zvërnec. një mrekulli e natyrës dhe dorës së njeriut deri sot.. Ky port me kërkesen e saj i jepet një firme private. Pjesa tokësore 5,5 ha që si e shikoni eshte rruar e qethur, në vend të kthehej në park shlodhës që i mungon qytetit, do të mbushet me pallate 20-30 kate sipas nje projekti, të miratuar në zyrat qeveritare. Para pjesës së gjelbëruar (ish soda kaustike) është vendosur një terminal karburantesh, në18 ha me pronar italian , (që vazhdon të zgjerohet) për 99 vjet. Më tej në pjesën e gjelbëruar rreth 200 ha sipas marrëveshjes së qeverisë Rama me companitë amerikane Excelerate Energy dhe Exxonmobile të firmosur vitin e kaluar do të instalohet një terminali gazi, që do shesi gaz në gjithë Ballkanin. KM-ja dhe zv/KM-ja respektivisht Rama dhe Balluku  bënë me dije ashtu tinëz para disa ditësh se në gjirin e Vlores, më sakt në Triport të Zvërnecit,  krahas  zbatimit të marrëveshjes midis  Excelerate Energy dhe Exxonmobile me qeverinë shqiptare për instalimin e një terminali gazi në Vlorë, që do shesi gaz në gjithë Ballkanin, do të instalohen dy anije gjigande që do prodhojnë energji elektrike për dy vjet. Lehtësia me të cilën e thanë këtë lajm ishte sikur në bulevardin Vlorë-Skelë, shtëpive ekzistuese të qejfit (striptease) që gëlojnë në katet dyta të pallateve apo hoteleve do tu shtohen edhe dy të tilla. Në fakt Vlorës ( tani në verë 70% e Vlorës thahet për ujë ose ka ujë një herë në ditë) me këto dy investime është duke iu dhënë goditja e fundit për ta zhdukur nga të gjitha hartat kombëtare dhe ndërkombëtare si qytet turistik. Një nga anijet, prodhim i vitit 1997 është blerë në Bangladesh dhe ka një kapacitet prej 114MWh, ndërsa TEC-i i Vlorës ka papacitet prej 98 MWh. Për ta kuptuar më mirë i bie që anija mund të mbajë në bordin e saj gjithë TEC-in e Vlorës ( një varrezë për të cilën kam shkruar disa herë) e të ketë ende vend bosh për ndonjë TEC më të vogël. Këto anije, TEC-e lundruese,  punojnë me mazut ose naftë të papërpunuar. Ndotja është shumë e madhe ndoshta e papërfytyrueshme, por Instituti i Shëndetit Publik që duhet të merret me këto punë nuk do e mat këtë ndotje as do ia raportojë popullit se nuk e lejon Ministria e Mjedisit. Një anije-TEC  djeg 600(gjashtëqind) ton naftë bruto në 24 orë. Gjiri i Vlorës do të jetë çdo ditë i mbuluar nga reja e zezë e djegies së mazutit apo naftës së pa përpunuar; turistët albanezë e të huaj do të nxiheshin gjithsesi por jo nga rrezet e dielli, por smogu dhe CO2. Llogaritet që  qeveria do paguaj, mbi 50 milion Euro në vit, qira për pushtimin e Gjirit të Vlorës, jo vetëm për territorin e pushtuar, por edhe për ndotjen nga nafta e derdhur në det, ndotjen e ajrit dhe tokës në një rreze prej disa kilometrash. Pas dy  ose më shumë vitesh TEC-et lundruese do të mbeten aty në gji të Vlorës, për të çfryrë ndotje nafte, ndoshta edhe në vite të tjera, e më pas do të mbetet aty si një varrezë gjigande hekurishtesh. Një TEC-i lundrues qeveria do t’i paguaj qira 63.000 USD për cdo ditë për 2 vjet dhe KESH-it do t’i kushtoj 170 USD për cdo MWh energji të prodhuar nga ky TEC me kapacitet 114 MWh.

 Sqarim tjetër i thjeshtuar. TEC-i lundrues do të djegë naftë të rëndë. Sasia e karburantit do të jetë 220 kg/MWh. Sasia e energjisë së prodhuar do të jetë 70.000 MWh në muaj, qe i bie të digjen 15.400.000 kg. Kjo sasi nafte e djegur është e barabartë me furnizimin e 3 milion makinave, që bëjnë 100 km rrugë përgjatë një muaji, ose 100.000 makinave që përshkojnë bulevardin nga sheshi i Flamurit në Skelë përgjatë 1 ore. Kjo për cdo ditë e natë për 2 vjet, apo dhe 20 vite të tjera. Për vendosjen terminalit të gazit dhe pasojat  super katastrofike të tij ndaj ambjentit do të flasim në numrin e ardhshëm. Po e mbyll duke cituar ambjentalistin e njohur vlonjat Lavdosh Ferruni: Ndotja e kësaj lloj industrie  do të bëjë që Gjiri i Vlorës me ndotjen me cipën e naftës që do mbuloj gjirin e Vlorës, me shkatërrimin e faunës së detit në një hapsirë të madhe detare, me ajrin e ndotur që do përhapë përreth e deri në qytetin e Vlorës, me mbetjet sedimentet e djegies së mazutit  mbi Pyllin e Sodës, lagunën e Nartës dhe ullinjtë e vreshtat për rreth, pa përmendur rrezikun e madh të eksplozionit, do ta fshijnë përfundimisht Vlorën nga harta si një vend turistik. Gjiri i Vlorës do mbetet thjesht një gji nafte, mijra njerëz, që aktualisht jetojnë në saj të turizmit do mbeten pa punë. 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gezim Zilja

Nuk jepet me qera atdheu

July 30, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912–1913 ishte një takim i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Më 29 korrik 1913, ambasadorët vendosën formalisht për të njohur  Shqipërinë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.  Konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit, të banuar nga shqiptarë etnikë dhe rreth 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Shqipërisë. Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria, Greqisë. Kur qeveria shqiptare u njoh me vendimet e Konferencës së Londrës, ministrat e qeverisë dhe të tjerë patriotë u mbodhën rreth Ismail Qemalit, me lutje e thirrma të forta, kërkuan që të kundërshtohej vendimi dhe të vazhdonin luftën për Kosovë e Çamëri. Plaku i urtë iu përgjigj: “Bijtë e mi! Në kushtet kur vetëm një pjesë e vogël e vatanit është nën qeverisjen tonë dhe në Jug ka pllakosur greku e në Veri sërbi ka mundësi të humbim edhe më shumë nga ajo që na kanë caktuar. Brezat që do të vijnë pas nesh në mos e zmadhofshin dot Shqipërinë le të mbajnë këtë që do tu lemë ne të njohur nga  Fuqitë e Mëdha.” 

Njëqindedhjetë vjet më vonë Shqipëria është më në rrezik se kurrë, për copëtimin, shkatërrimin, dhënien me qira dhe humbjen e kontrollit mbi 28.000 km2 e saj. Shqipëria rrezikon të humbas një pjesë të sipërfaqes detare me Greqinë. KM-ja ynë, ky piktor aventurier dhe antishqiptar si politikan i “madh” hedh në koshin e plehrave Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe e çon çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pa ia kërkuar kurrkush. Me një servilizëm të paparë dhurohen hektarë të tërë lëndinash e fushash me bukuri mahnitëse në Këlcyrë e Përmet për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Një absurd i madh po ndodh me Portin i Durrësit, nga pasuritë më të mëdha e me karakter strategjik të Shqipërisë në zemër të bregdetit Adriatik. Me vendimin e Belinda Ballukut e të KM-së, pa asnjë diskutim në komunitet e parlament miratohet dhënia falas e Portit të Durrrësit, arabëve të Emirateve të Bashkuara. Janë 80 ha tokë dhe  e 60 ha det që u dhurohet arabëve. Po projektohet që tu dhurohen toka e lëndina në Përmet për ndërtime e rezidenca. Porto Romano një pjesë u është dhuruar oligarkëve shqiptarë prapa të cilëve fshihen shoqëri të huaja mafioze, që kanë ndërtuar rezervuarë nafte jashtë çdo rregulli e kriteri. Një pjesë do t’u jepet hollandezëve për të ndërtuar Portin e Ri të mallrave, dhe po në Porto Romano, KM-ja po u lutetet amerikanëve për të ndërtuar një bazë detare të NATO-s sikur Porto Romano të jetë sa Gjiri i Meksikës. Amerikanët kanë marrë ca dhjetëra ha në Kuçovë, kanë ndërtuar një qytezë disa hektarëshe për muxhahidinët iranianë,  po dhe vende të tjera të pashpallura.  Kjo është e tepërt për një vend me sipërfaqe kaq të vogël si Shqipëria. Porti i Vlorës me 5ha tokë e 5.5 ha akuarium, në zemër të Skelës, me dy kalata 339m dhe 322m, jepet me koncesion për 35 vjet, për pallate buzë ujit, që ligji nuk e lejon. Ish Bazat Ushtarake Detare dhe bregdeti, nga Liqeni i Shkodrës deri në Sarandë, minierat, fushat naftëmbajëse, Butrinti, Syri i Kaltër, kështjellat, pyjet, ujëmbledhësit, dhe dhjetëra koncesione miliardëshe u janë dhënë e po u jepen investitorëve strategjikë, d.m.th pushtetarëve, miqve, kushërinjve, nuseve e dhëndurëve të Rilindjes, pa asnjë kriter ekonomike me kontrata skllavëruese. Prapa këtyre “investitorëve strategjikë” të emëruar nga KM-ja ku nuk mungojnë as gaztorët e estradave e njerëz me nga 100.000 lekë në banka, fshihen emra të tjerë të mafies kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Tani do të jepet me koncesion dhe Pallati i Brigadave dhe ç’të ketë tepruar. KM-së nuk i shkon mendja që tokat shtetërore t’u jepen si kompensim ish pronarëve e të bëhej një lloj drejtësie me pronat. Edhe sikur një ditë të vijë në pushtet një qeveri e drejtë, shqiptarët do të mbeten skllevër të etërve, bijëve, larove të diktaturës dhe peshkaqenëve të mafies së huaj me të cilët bashkëpunojnë mbi dhe nën dhe’. Nuk është çudi, që Zaho Edvin Rama, pas njëzet-tridhjetë vjetësh jo vetëm të jetë kryeministër i Shqipërisë por edhe pronar legjitim i Pallatit Mbretëror prej 36 hektarësh. Kush do ta ndalojë? Qeveritarët dhe deputetët e PS-së për turpin e përjetshëm të tyre firmosin e vulosin me një unitet absurd gjithçka, mjafton që soji dhe sorollopi i tyre të majmen e mos tu hyjë gjemb në këmbë. Në këtë Shqipëri të Rilindjes, 90% e shqiptarëve ndihen të huaj dhe pa asnjë shpresë për të ardhmen. Nëse populli nuk ngrihet në protesta për të ndalur grabitjet e mëtejshme, e rrëzuar këtë qeveri thellësisht antishqiptare, në 28 mijë km2, në vendin e shqiponjave, pas dhjetë-njëzet vitesh,  me shumë gjasa gjuha shqipe do të kalojë si gjuhë e tretë pas anglishtes dhe arabishtes. Dhe ky do të jetë fundi i Shqipërisë. 

PS.Militantët e rilindjes do të thonë se pa investime të huaja nuk ka zhvillim. Plotësisht e vërtetë. Por jo me kontrata skllavëruese ku shteti në vend të marrë, vetëm u jep para koncesionarëve. Mjafton të përmendin fushat naftëmbajtëse dhe minierat e kromit që veçse kanë shkatërruar florën e faunën  përreth, paguajnë rroga mjerane për punëtorët dhe ZERO taksa shtetit me pretendimin absurd se nuk janë shlyer ende (20-30 vjet) investimet që kanë bërë. 

Filed Under: Mergata Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT