• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DREJT DY MARRËVESHJEVE ME GJERMANINË DHE MALIN E ZI, QEVERIA MIRATON NISMAT

July 15, 2015 by dgreca

-Ekskluzivisht për Gazetën Dielli/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015- Qeveria e Republikës së Kosovës miraton nisma për dy marrëveshje, me Gjermaninë dhe me Malin e Zi.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor (marrëveshjen kornizë) me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.
Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe krijon mundësi më të mira të bashkëpunimit afatgjatë të Kosovës me Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar që financohet në kuadër të IPA-s 2014-2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

SOT QEVERIA, NESËR KUVENDI, KOSOVA DREJT RISHIKIMIT TË BUXHETIT TË SHTETIT

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin qeveritar me procedurat e rishikimit të Buxhetit në Kuvendin e Kosovës, duke bërë të ditur se Projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet e Kuvendit me ndryshime të vogla.
Kryeministri Mustafa theksoi se të gjithë jemi koshientë lidhur me kapacitetin e Buxhetit dhe lidhur me mundësitë tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit. Kryeministri po ashtu e vlerësoi faktin se Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe nxjerrin pastaj nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.
Qeveria e Republikës së Kosovës u mblidh sot, ndërsa nesër mbahet seanca plenare e Kuvendit për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar.
Votimi me shumicë e miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë.
Në prezantimin e Projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të Qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar Qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.

QEVERIA E KOSOVËS ANGAZHOHET QË TË GJITHË QYTETARËT TA NDJEJNË VETEN TË SIGURT

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kosovare, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariç, ka ngritur para kabinetit qeveritar çështjen e disa problemeve ndaj të kthyerve në disa komuna të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e pronave dhe jetës së qytetarëve si dhe dënimin e akteve të dhunës. “Gjithsesi se ne kërkojmë dhe do të kërkojmë si Qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet. Ne e dënojmë çdo sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Mirëpo, duhet të bashkëpunojmë, duhet të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, të komunikojmë”, tha ai. Unë si kryeministër, dhe të gjithë ministrat, vijoi Mustafa, jemi të gatshëm që të jemi në ato mjedise ku mund të kemi probleme të tilla.
“Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të ndërmerren masa ligjore. Ne mund të zhvillojmë një bisedë të veçantë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe me organet e tjera në mënyrë që të shohin se çfarë masa do të ndërmerren për të krijuar siguri të plotë të qytetarëve tanë. Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si Qeveri, është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të sigurt dhe që mos të ketë probleme të tilla, që nesër problemet mos t’i dallojmë se a po ndodhin ndaj serbëve apo ndaj shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe duhet të ndërmerren masat e tilla”, tha kryeministri Mustafa.

MBLEDHJA E 38-TË E RREGULLT E QEVERISË MUSTAFA

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 38-të të rregullt dhe miratoi vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhje është miratuar Udhërrëfyesi për vlerësimin ex-post të legjislacionit në Republikën e Kosovës. Vlerësimi ex-post është mjet i rregullimit më të mirë që është definuar me Strategjinë për Rregullim më të mirë 2014-2020 në Kosovë. Ky vlerësim i mundëson administratës publike që të mbledh të dhëna për një akt juridik: sa është zbatuar, sa janë arritur qëllimet e aktit juridik, sa ka realizuar akti efektivitetin e kostos, si dhe për sfidat në realizim dhe implementim të aktit. Këto informata do t’ju shërbejnë institucioneve për të vendosur nëse legjislacioni duhet të ndryshohet apo zëvendësohet me dispozitat të reja.
Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe Koncept dokumentin për fushën e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës. Analiza e përgjithshme e gjendjes së statistikave zyrtare në Kosovë, sipas këtij koncept dokumenti, rekomandon shqyrtimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Statistika zyrtare në Kosovë.
Plotësim ndryshimet e ligjit do të bëjnë harmonizimin me legjislacionin evropian dhe do përmbushen obligimet që dalin nga fusha e statistikave zyrtare në procesin e integrimeve evropiane.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Gjermani, kosova, Mali i Zi, nisma per marrveshje

Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani ndihmon Lagjen e Trimave në Kumanovë

June 2, 2015 by dgreca

Interviste me përfaqësuesin Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani Ritvan Kurtishi/
Nga Beqir Sina – Kumanovë /
KUMANOVE : Gjatë qëndrimit në Lagjen e Trimave në Kumanovë biseduam me Ritvan Kurtishin – anëtari I kryesisë dhe si përfaqësues i Bashkimit të Unionit të Bashkësise Islame të Gjermanisë, i cila thotë se nga kjo e padëshiruar dhe që dëshirojmë të mos përsëritet më të nxjerrim të gjithë ne shqiptarët mësime.Për shumë arsye që na obligojnë ne si shqiptarë, se si tu gjendemi pranë këtyre njerëzve të cilët po kalojnë një gjendje shoku dhe traume në vështërsi të mëdha .
Mbasi atë që pamë këtu është me të vërtet e tmerrshme.
Ne nuk mundemi tua heqim traumat , thotë Kurtishim por kemi mundësi ti ndihmojmë të gjithë materialisht dhe moralisht, për tu treguar se ne jemi me Kumanovën, por duke mos pretenduar se jemi ne ata që do tua ndërtojmë shtëpit e shkatërruara atyre. Një detyrë kjo që i takon pikë së pari shtetit maqedonas, atij që e kreu këtë incident me këtë popullat paqedashëse më 9 dhe 10 maj.
Dhe, ai shton se këtu me sa vrejtëm ne, banorët e Lagjes së Trimave, kan nevojë të menjëhershme të problemeve psiqike, andaj duhet që institucionet emininete ekspertët e traumatizimeve sa më parë të ofrojnë ndihmën e tyre, sepse gjendja është tepër shqetësuses.
Murtishi duke folur për shumën grubullimin e saj dhe shpërndarjen theksojë se:”Ndihmat janë shpërndarë nga 25 xhami anëtare që veprojnë në këtë union. Shuma e mbeldhur megjithëse simbolike është 83 200 euro dhe u janë shpërndarë nevojtareve këtu në Lagjen eTrimave . Kjo ishte mundësia jonë që u munduam sadopak ta lehtësojmë gjendjen në të cilën ndodhen , ne nuk mundemi që t’jua ndërtojmë shtëpitë ,pasi kjo është detyrë e atyre që ua kanë prish këto shtëpi. Banorët janë ne një gjendje të veshtirë e të mjerueshme . Mendojmë se ka pasur mundësi edhe te largohen edhe të mos ndodhte kjo , mirpo pamë që një gjë e tillë nuk është bërë. Na vjen keq për popullatën këtu e në të njëjtën kohë edhe diaspora është shumë e dëshpëruar nga kjo , mirpo ata u munduan t’ju ndihmojnë me aq sa kanë mundësi të 55 familjeve. Pra ne mendojme se deri diku kjo ua lehteson sadopak vuajtjet “.
Kurse lidhur me atë se si arritët të mblidhein këto ndihma? Dhe se përveçse Unionit të Bashkësisë Islame në Gjermani a ka pasur ndihma të tjera?
Ai tha se Unioni i Bashkësisë Islame iu drejtoi kërkesë të gjitha xhamive atje, e kshtu erdhën të gjitha ndihmat e si rrjedhojë ju hpërndanë qytetarëve.
“Natyrisht, po , sespe Bashkimi Europian ka vendosur të ri ndërtojë të gjitha shtëpit e dëmtuara, por ka një solidarizim të madh të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë; në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri,Luginën ë Preshevës dhe shqiptarët e diasorës për të ndihmuar banorët e Lagjes së Trimave” tha për gazetën tonë Ritvan Kurtishin – anëtari I kryesisë dhe si përfaqësues i Bashkimit të Unionit të Bashkësise Islame të Gjermanisë”.

Filed Under: Mergata, Rajon Tagged With: Beqir Sina, Gjermani, ndihme ne Kumanove, Unioni i Bashkesive Islame

Shqiptarët festuan jubileun e 25-të,të motrave Françeskane dhe Krishtlindjet në Gopingen të Gjermanisë

December 22, 2014 by dgreca

Ne Foto: Pamje e korit artistik të “Misionit Katolik në Shtuttgard” me një shfaqje skenike, artistike pranë të pranishmeve në këtë festë të krishtlindjeve me valle dhe këngë!/
nga Asllan Dibrani/
Krishtlindja është njëra ndër dy festat më të mëdha të krishterimit. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit. Pas Pashkëve, Krishtlindja është festa më e rëndësishme edhe për të krishterët shqiptarë. Traditat shqiptare e kërshëndellave janë pjesë e traditës shqiptare me zakonet doket dhe kulluren e vet.
Këto festa tradicionale pothuajse janë identike në kombin shqiptar në Shqipëri në Kosovë dhe tjerat vende ku banojnë besimtarët e krishterë shqiptarë . Manifestimet e krishtlindjeve tek shqiptarët, nuk kanë ndonjë ndryshim në aspektin e kulturës nga familjet e shteteve të Evropës…
Kisha katolike në Shtutgard ,afroj në këtë ambient të këndshëm e komod shqiptarë e dy konfeksioneve pos ati katolik edhe të besimit islam, por edhe ortodoks!
Misioni katolik para pak dite organizoj një mbrëmje familjare në Gopingen , që krijuan një atmosferë festive të madhe kushtuar, krishtlindjeve , me çka edhe në atë tubim ishte numër i madh shqiptarësh të besimit katolik të shoqëruar me të besimit mysliman dhe ortodoks ,por të nacionaliteti janë një komb me një flamur ,një gjuhë dhe një gjak. Kisha katolike në Shtutgard ,afroj në këtë ambient të këndshëm e komod shqiptarë e tri konfeksioneve pos ati katolik edhe të besimit islam ortodoks që ,dhuruan urimet bashëkombasve të vet katolik për festën e krishtlindjeve.
Kjo festë ka vlera te të gjitha familjet që u afruan ,afër njeri tjetrit dhe po sjell lumturi dhe gëzime për festen e krishtlindjeve dhe për vitin e ri që po i afrohemi.
Tubimi pati vlera te dyfishta meqë u festuan dy festa ajo ,për jubileun e 25-të,të motrave Françeskane me shërbim në Shtuttgard dhe Krishtlindjet si festë tradicionale shqiptare në Goppingen të Gjermanisë. Në emër të stafit, të motrave dhe gjithë atyre që u angazhuan për këtë festë, për shumë mot, gëzuar festën tonë më të rëndësishme dhe Krishtlindjen” tha meshtari i kishës katolike në Shtutgart ,At Marian Lorenci që mbajti një meshë kushtuar krishtlindjeve edhe në Shtutgard në të njëjtën ditë në ora 12.h…I përshëndeti të pranishmit, po edhe të gjithë shqiptarët kudoqofshin , për krishtlindjet dhe festat e fundvitit.
Salla e madhe e ishte e zbukuruar në mënyrën më të mirë të jubileut të 25-të,të motrave Françeskane dhe Krishtlindjeve .Pamje ne ceremoninë e takimit njëkohësisht u ndan shpërblime nga z .Vitor Spaqi këshilltar në “Misionin Katolik në Shtutgard.
Fytyrat e tyre tregonin ma se miri një bagazh të pasur të kulturës që u krahasonin me popujt e familjes së shteteve të Evropës. Festa e Krishtlindjeve në këtë mbrëmje , sikur i bënin më humanë, më të dashur e më të sjellshëm këta njerëz që komunikonin vetëm shqip.
Në vazhdim të programit fjalën e morri edhe z.Vitor Spaqi që uroj të pranishmit cilësinë e këshilltarit pran Kishës Shqiptare Katolike për “Jubileun e 25 vjetorit” dhe Krishtlindjeve për vitin 2014.
Ai ndër te tjera tha: Sot kemi shumë arsye të festojmë sepse tashme festojmë se bashku krishtlindjet,por e veçanta është se kemi jubileun e 25-të,të motrave Françeskane të zonjës së papërlyer, të cilat ishin motrat e para që e shkelen ketë vend në viti 1989. Pra erdhën për ta filluar një veprimtari e cila për ato ishte e panjohur!
Me siguri sot ato përkujtojnë përvojat e tyre gjatë kohës së kaluar shpeshherë të mërzitshme, duke e ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me familjet tona, nganjëherë duke derdhur edhe lot por,rilindjen shpirtërore lulëzonin pa pritshëm dhe ky lulëzim tregon praninë tonë në këtë mbrëmje të ngrohtë.
-Të nderuar bashkëkombës ,shumë ëndrra u realizuan ,shumë të tjera u ëndërruan por të gjitha u bënë realitet. Ka akoma shumë punë për tu bërë, por falë kujdesit që kanë Misionaret dhe Motrat tona kjo bashkësi do të gjallëroj edhe më fuqishëm për çështjen tonë kombëtare.
Ky institucion bashkoi shume çka,në rend të parë familjet tona, por ajo që mua me bënë gjithmonë krenare është se bashkuan trojet tona, këtu kemi shqiptare te të gjitha trojeve tona etnike. Pra këtu kemi te bëjmë me bashkim shpirtëror të shqiptareve,sepse ne mesin tone kemi vëllezër të besimit mysliman dhe ortodoks. Atëherë siç thoshte Papa Franqesku, citoj:Shqiptarët janë model bashkëjetese për botën“,pra këtë model duhet ta ruajmë si sytë e ballit sepse,kemi një të kaluar të dhimbshme ,dhe të mundimshme që na i krijuan pushtuesit e përfundoj fjalimin z. Spaqi.
Dy vogëlush dolën pran publikut me këngën “Unë jam shqiptar nga Kosova”.Pastaj pati valle recitime dhe fjalime nga motrat po edhe shfaqje artistike nga grupe artistike në kuadër të” Misionirt Katolik” dhe nga Mirdita të ardhur enkas për këtë festë qe lanë mbresa të mëdha pranë publikut duke u aplauzuar me dhjetëra herë.
Vlerat e mëdha të këtyre takimeve kanë edhe në përmirësimin e brezit të ri që me veshjet ,vallet dhe recitimet për flamurin ,kombin ,Skënderbeun ,Nënë Terezën dhe shumë figura tjera nxisin atdhedashurinë dhe kultivimin e kulturës shqiptare në mërgatë.

Filed Under: Mergata Tagged With: asllan dibrani, Gjermani, Goping, i motrave franceskane, jubileu i 25-te

Familja Zeqiri e terrorizuar nga shtetit maqedonas arriti në Shtutgart të Gjermanisë!

May 7, 2014 by dgreca

Ne Foto: Pritjen e kësaj familje e organizuan Asllan Dibrani , Vitor Spaqi nga Shtutgardi dhe Halit Gashi, që debatuan deri në orët e vona bashkërisht të shqetësuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve dhe pozitën e saj në Ballkan!Nga e majta kryefamiljari Zymer Zeqiri ,Idriz Sinani,Vitor Spaqi ,Asllan Dibrani dhe Halit Gashi me pjesëtaret tjerë të familjes Zeqiri, me datën 06.05.2014 Shtutgard./
Nga Asllan DIBRANI/
Shqiptarët e Mërgatës shqiptare u solidarizuan me familjen Zeqiri , dhanë ndihmën e vet. Ata dënuan oportunizmin e faktorit shqiptar në Ballkan si atë të Shqipërisë , Kosovës ,po edhe të faktorit shqiptar në Maqedoni!
Mbrëmë në orët e vona të natës rreth 23.30 minuta nga Maqedonia arriti familja e kryefamiljarit Zymer Zreqirit, i sulmuar në shtëpi e vet , dy net ma herët nga huliganet maqedonas të nxitur nga shteti dhe politika maqedonase dhe shovinistët e Gruevskit dhe VMRO-së. Gruevskit iu lejua që të zbatojë politikë antishqiptare me terror e dhunë për pastrim etnik në Maqedoni.
Pamje e familjes se Zymer Zeqirit pas arritjes në Shtutgart e strehuar në banesën e zotit Vitor Spaqit, e shoqëruar me z.Idriz Sinanin kryetar i ” Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirinë e Njeriut” me seksion në Maqedoni. Ata u betuan pran fotografisë së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut qe edhe ma tutje do ti dalin zot atdheut kudo që të jenë!.
Ai arriti që të krijojë një gjeneratë të re antishqiptare dhe ky qëndrim u manifestua me rrahjen e të rinjve shqiptarë,familjeve dhe popullatës në tërësi . Sulmi i përditshëm ndaj shqiptareve vrasjet , burgosjet dhe dhuna e pa parë , arriti kulmin me largimin e kësaj familjeje e njohur me qëndresën dhe rezistencën e pa shoqe. Kjo familje dha dëshmor për interesin kombëtar. Deri me tash kjo familje ishte objekt sulmi, pa përkrahjen e asnjë institucioni shqiptar “kukulla” në instancat e Maqedonisë.
Maqedonia po boshatiset nga shqiptaret!
Familja 50-të anëtarësh Zeqiri, ka dhjetë vjet që është nën kërcënimet e vazhdueshme të terrorit dhunës dhe reprezaljeve të ekzekutuara nga huliganëve maqedonas të dirigjuar nga shteti maqedonas i formuar artificialisht me ndihmën e kryekasapit të Ballkanit Sllobodan Mishosheviqit . Dy herë i kanë hedhur bomba në shtëpi, dy herë të tjera i kanë hedhur koktej molotovi, ndërsa më 13 prill, 30-të persona tentuan të hynin me dhunë në këtë familje, ku dhe e shtypën me makinë loken e shtëpisë, 75 vjeçare Sherife Zeqirin. Para dy netësh kjo familje prapë u sulmuar me ç’rast në shtëpinë e tyre hynë grup i madh që lanë të plagosur prapë Sherife Zeqirin ,Besnik Zeqirin 23 vjeçar, i thyen dorën dhe plagë të konsiderueshme pësoj Gjelil Zeqiri, po edhe natarët tjerë u goditen me rrahje masive. U krijuan një terror fizik dhe psikik ndaj kësaj familje, duke e kërcënuar me vdekje ose të shpërngulen nga vendlindja e tyre baba-babadem nga krijimi i botes njerëzore!?…Shpërngulja e tyre, edhe pse po ndodh në shekullin e 21 nuk shqetësoi asnjë politikan shqiptar, por ta shohim se pas shpërnguljes së shqiptarëve nga Maqedonia, kenë do ta përfaqësojnë, apo do të mbesin vegla ma të turpshme akoma të sllavistëve të vegjël maqedonas. Prioritet i debateve në parlamentin e Maqedonisë për faktorin shqiptar, dominon tema e karrierës personale , interesi personal duke e anashkaluar çështjen e shqiptarëve si në fushën politike, atë kulturore dhe etnike. “Braktisja e shtëpisë së familjes Zeqiri nga Radishani, ikja e tyre për në Gjermani, është një plage e vjetër për shqiptarë që po përsëritet edhe tani me programin e sllavo-shovinistëve maqedonas!
Kjo familje nga 16-të veta , të familjes 50-të anëtarëshe Zeqiri nga Radishani i Shkupit, të hënën lanë vatrën e tyre me destinacion Gjermaninë. Ata mbërritën në Gjermani, të shoqëruar me z.Idriz Sinanin kryetar i Forumit ndërkombëtar për të drejtat dhe lirinë e njeriut me seksion në Maqedoni. Në rastin e takimit me zotin Idriz , dha një deklarate shqetësues për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, po edhe konkretisht me rastin e kësaj familje .
-Fillimisht ndihmë ju dolën shqiptarët e emigrant nga Kosova Asllan Dibrani publicist, ish i burgosur politik dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Gjermani , Vitor Spaqi kryetar i Qendrës Kulturore në Shtutgard, dhe këshilltar i Misionit Katolik në Shtutgard,dhe Halit Gashi kryetar nga “Shoqëria Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me qendër në Kosovë.
Këta persona e ndanë shqetësimin shumë serioz me këtë familje të cilën e strehuan të familja e Vitor Spaqit me mikpritjen shqiptare, bujarinë dhe virtytet e trashëguara nga e kaluara dhe zakonet shqiptare. Aty ngrohtësisht u shtrua edhe darka për të gjithë anëtaret e familjes refugjate .Edhe se kishim kushte edhe ne tjerët për ta strehuar këtë familja , zoti Vitor Spaqi këmbënguli qe mos te ndahet kjo familje. Aty fjetën dhe pushuan deri në mëngjesin e sotëm nga e cila ramë në kontakt me disa organe shtetërore gjermane dhe i dorëzuam në Qendrën e Strehimit për të huaj, te ndihmuar deri ne Karlsruhe , me vendosmërinë dhe kërkesën e kësaj familje për kërkim të azilit politik në Gjermani.

Filed Under: Mergata Tagged With: asllan dibrani, familja Zeqiri, Gjermani, Shtutgart

BUQETË POETIKE NGA MIRADIJE GASHI

January 21, 2014 by dgreca

Të njohim krijuesit në mërgim/ Miradije Gashi-Gjermani/

Shkruan:Shaban Cakolli/

Arti  në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe dhunti  natyrore e shpirtërore; në poezi, melodi, pikturë, artistët gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë me kuptime e mesazhe domethënëse të fjalës; sepse  ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, e cila më pas lëkund shpirtin e artistit,që atë botë shpirtërore të e hedh në letër,në opinjon.. Definicioni i artit është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë,gëzimit,hidhërimit apo sfidave të jetës së së vërtetë njerëzore. ”…Prandaj misioni i artit është të na japë kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës. Vepra poetike, artistike për poetin nuk është punë ekipore, por ajo është e lidhur me personalitetin e artistit, si krijim,  dhe është fryt i shpirtit poetik. Frymëzimi poetik në shpirtin e poetit si vepër bëhet i fuqishëm  kur poeti  ka mjeshtri poetike të i jep frymë vargut,vargu i tij të jep mesazh të fuqishëm,i cili bëhet armë e fortë në duar të lexuesit..E tillë është poetja Miradije Gashi,e cila herët nisi rrugën e saj poetike edhe pse koha e saj e nje artisteje ishte e veshtire,poezia  e saj,poezi sfide në të gjitha labirinthet e jetës.Ishte një kohë e cenzurimit të fjalës së shkruar,koha tjetër e mungesës së atdheut,mallit ,dhembjes,por Miradije Gashi nuk ju përkul asnjërës nga kohët,sfidave,stuhirave,por qëndroi së shkëmb,e palëkundur nga bota shpirtërore duke na ofruar art të  çiltër ,të begatë,me vlera e mesazhe të qarta.

Miradije Gashi u lind në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmën (Akademinë Pedagogjike) si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, ku mori titullin: “Arsimtare e grupit klasor”. Menjëherë pas diplomimit zuri punë në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Arllat.Qëlloi që pikërisht në këtë kohë fryn e shfryn furtunat e pushtimit dhe ajo, bashkë me shumë kolegë të tjerë, u vu në shënjestër të sundimtarëve serbë, duke e larguar nga veprimtaria edukatovo-arsimore.

Ajo tashti filloi studimet në Degën e Pedagogjisë të Universitetit të Prishtinës, duke i përfunduar me sukses. Ndërkohë u bë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës. Po atë vit Miradija u angazhua edhe në Kryesinë e Forumit të Intelektualëve të Kosovës.Veprimtaria e saj atdhedashëse, në vitin 1991 u bë sërish shkak i pamundësisë për punë në arsim. Madje, disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga pushteti serb edhe pas lirimit nga burgu. Duke mos e pushuar aktivitetin lidhur me shkollën shqipe, ajo ndalohet nga policia serbe në Komaran, i konfiskohet materiali arsimor dhe merret në pyetje e keqtrajtohet pamëshirë në polici. Mu në këtë kohë ajo merr ftesën që sërish të paraqitet në organet e sigurimit në Mitrovicë. Meqë torturat në organet e hetuesisë serbe ishin si të thuash racion dhe duke qenë nën vëzhgim e përcjellje të vazhdueshme, ajo, në janar të vitit 1994 u detyrua të emigronte në Gjermani.

Sigurisht që edhe në emigrim ajo do ta vazhdojë veprimtarinë e saj arsimore, fillimisht në qytetet e Schwarzwaldit, përkatësisht në “Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve” (VHS), në Villingen-Schwenningen. Atje ajo mbajti kurse dhe ligjëroi gjuhën shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe për të tjerët të cilët interesoheshin për gjuhën tonë.

Miradije Gashi, krahas veprimtarisë arsimore, u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare duke botuar poezi në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po njëkohësisht edhe duke trajtuar tema të ndryshme nga fushë e pedagogjisë. Më se një herë në paraqitjet e saj ajo kishte përdorur edhe pseudonimin “Fanesha”.

Miradija aktualisht jeton dhe vepron në Stuttgart, ku mban mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë. Është prezantuar me poezi në disa antologji, si: Busulla e shpirtit, Trinomi i Lirisë, Një shekull drite etj.

Ky është vëllimi i parë i saj me lirika si libër me vete.Ka dhe një korpus krijimesh në dorëshkrim.

SALI ÇEKAJ

“Demokratët” plot Liri e kanë gojën

Dhe flasin me bujë për fitore,

E populli ëndërron,

Ëndërron ende Lirinë.

Veç të rënët heshtin

Dhe në heshtje asaj i bëjnë roje.

Ndoshta Liria s’gjendet asagjëkundi

E ndoshta diku thellë në tokë fle,

Është në amanetin e atyre që ranë,

Është në zemrën e dëshmorit

S A L I Ç E K A J.PESHA E FJALËS

MIRADIJE GASHI

LETËR NËNËS

Të dua nënë, të dua…sa askënd tjetër

Ndaj sonte dua të ta shkruaj një letër.

Eh, sa herë loti, për ty rrugën m’preu

Akull m’u bë zemra e shpirtin seçma theu!

Eh, nënë e dashur, nëna ime e mirë

Kujtimin largësia çdo ditë ma thërmon,

Veç zemra për ty nënë, e di, s’më gënjen

Ti je si një Yll që n’qiellin tim ndriçon.

Ç’fat ishte ky vallë që larg teje jam…?!

Sa e lumtur do t’isha, po të kisha pranë.

Gjuha e zemrës s’do t’më ngatërrohej aq

E pesha e dhembjes do t’humbte në çast.

Por një re sot, çudi, pranë m’u afrua

Dhe shikimin seç ma mjegulloi n’sy,

Lot, mall e dhembje seç më janë ngatërrua

Por n’zemër, ah, n’zemrën time mërgimtare

TI JE PËR MUA, PRANVERA MË E MADHE

UDHË JETE

I shihni këto rrugë

Me shumë udhëkryqe

E shumë drejtime…?

Në to ka gjurmë njerëzish

Që rendin e s’ndalojnë,

Ca ikin majtas,

E ca djathtas ikin.

Janë udhët e jetës

Që kurrë nuk pushojnë.

MBRËMË

Mbrëmë, ti nuk më pe

Kur unë qava,

As lotët në faqe kur më ranë.

Eh, ç’dhembje

Më pikoi në zemër

Mbrëmë dikur vonë!

Dhe forcë dot nuk gjej

Të të rrëfej, më beso!

Por shpirti im e di

Se ç’dhembje unë kisha

Mbrëmë në gji!

MË KUJTOHET

Më kujtohet një ditë dimri

Helmeta e sllavit në orë mësimi,

Ishte e rëndë, e rëndë ajo ditë

Ishte vetë tmerri që panë sytë.

Në sytë e fëmijëve nuk kishte ngjarë

Në pranga të vihet një mësues me ditar!

Eh, ç’ditë e kobshme e ç’tmerr…!

Mesjetë Bizanti sërish te ne erdh’!

Dhe dielli atë ditë i humbi rrezet

Se Liria atë ditë u lidhë me zingjir,

Ndërsa dita u ngrys më herët

As zogjtë e qiellit nuk ishin të lirë.

Poezi kushtuar motres

VDES NË KËMBË

Në ndodhtë të të takoj

Një ditë…

Nuk do të të njoh

Më beso

… E as s’do të të buzëqesh

Dhe me sy s’do të të shikoj

As të të flas nuk mundem

E as të të dëgjoj.

… …

Nuk do të të buzëqesh

Sepse zemra nuk më bën

As s’do të të shikoj

Se drita më iku nga sytë.

Nuk do të të flas

Se fjalët më ngrinë n’gojë

E as s’do të të dëgjoj

Se zëri më shterroi.

Ndaj mos më kujto të lutem!

Sepse për ty kam vdekur

Përgjithmonë!

Përgjithmonë!

MË DUAJ…

Më duaj si poeti – vargun

Më duaj si drita – agun

Më duaj si fusha – lumin

Më duaj si fëmija – gjumin

Më duaj si zogu – këngën

Më duaj si syri – ëndrrën.

Më duaj…!

QESHJA N’ZEMËR MBILLET

Ç’po ndodh vallë, nuk di as vetë

Sot rrallë shoh dikë të qeshë!

Dikush qesh vetëm me sy

E dikush qeshjen e ka lojë

Dikush as të qeshë nuk di

S’qesh me zemër, po me gojë.

Dikush s’qesh, po veç zgërdhihet

Dikush qan a qesh, nuk dihet.

Rrallëkush ndodh me zemër t’qeshë

Sikur qeshje s’ka mes nesh.

Sikur bota thotë tek sillet:

-Qeshja n’zemër duhet t’mbillet!

NDOSHTA DIKUR

Ndoshta dikur

Ëndërroje të ishe diku në Europë.

E sot, çudi…!

Ndërruan kohë

E ndërruan mote.

Të ikësh do prej këtu

Sa më parë.

Ç’dëshirë e përzirë

Me ëndrra e mall!

Po ç’është ky fat i çuditshëm vallë?!

Është malli, or vëlla, malli

Që në zemër të djeg

E t’bën që të kthehesh

Atje ku ke lind!

NË VEND TË HUAJ

Në vend të huaj

Edhe mendimet rrjedhin në heshtje

I heshtur je dhe vetë ti

Por qetësi,

Qetësi s’gjen askund

Më beso!

Edhe engjëll po t’ishe

A t’ishe vetë njeri

Kristal i mbyllur do t’mbetesh

Në zemër i ndrydhur!

Në shpirt i shtrydhur!

Si një leckë e pavlerë!

MËRGIMTARËT

Vijnë me shpresë

Kthehen me shpresë

Presin me shpresë

Durojnë me shpresë

Jetojnë me shpresë

Vdesin me shpresë.

Shpresojnë gjithë jetën e vet

Mërgimtarët e shkretë!!!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjermani, Miradije Gashi, Shaban Cakolli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT