Nga Dr.Nail Draga /*Viteve të fundit nga autor të ndryshëm shqiptar janë botuar studime dhe botime të veçanta nga fusha të ndryshme si nga aspekti shkencor, kulturor, artistik, publicistik etj., duke pasuruar fondin e botimeve të tilla në lëmitë përkatëse. Nga kjo gamë e gjerë autorësh bën pjesë edhe Gjon Keka i cili dallohet në hapësirën etnogjeografike shqiptare, për cilësinë dhe sasinë e botimeve. Një nder botimet e tia të fundit është edhe libri “Antropologjia politike”, botuar në nga “Botart” në Tiranë në vitin 2015. Nga vet titulli i këtij libri por edhe lënda e trajtuar del qartë se kemi të bëjmë me një përpjekje të guximshme të autorit, i cili trajton një qasje të re te mendimit politik tek ne shqiptarët. Një kostatim të tillë e themi me faktin se në këtë periudhë posmoniste e cila njihet si koha e tranzicionit, botimet e kësaj natyre kanë qenë të pakta, nga fakti se tek ne ende është i pranishëm mentaliteti i së shkauarës totalitare, për qasjet shoqërore dhe rrjedhat bashkëkohore të shoqërisë pluraliste.Pikërisht duke marrë parasysh të kaluarën tonë në kuadër të ish kampit të vendeve socialiste, termi “antropologji politike” është një term pothuaj i panjohur. Antropologjia apo shkenca mbi njeriun përbën po ashtu edhe fushën e lidhjës se njeriut me shtetin, drejtimin e shtetit nga njeriu dhe pushtetin shtetëror, shoqërinë, shkallët e zhvillimit, kulturën etj.
Ndërsa antropologjia politike e trajton njeriun si personalitet , si individ dhe si qenie kulturore, përkatësisht ka të bëjë me strukturën e sistemeve politike, proceset politike, zhvillimin e shoqërisë, institucioneve, shtetit dhe të kulturës së popujve, duke iu qasur në mënyrë strukturale lidhjeve formale dhe joformale të politikës, proceseve kulturore, sociale, ekonomike etj.
Në kuptimin më të gjërë antropologjia politike është sinonim me politikën, ndërsa ne kuptimin më të ngushtë, ka të bëjë me aftësitë politike të artit të qeverisjes, shtetit dhe politikës, të cilat mund të thuhet se janë edhe sferat mbi njohuritë politike në përgjithësi.Me një fjalë antropologjia politike është pjesë e filozofisë politike e cila hulumton mënyrën e organizimit politik të shoqërisë në një mjedis të caktuar.
Autori në këtë botim më në detaje trajton frymën inspiruese të ideve dhe të teorive të politikës, formimit të shtetëve, legjislacioneve, sistemeve dhe institucioneve politike, kulturës politike, gjuhës politike etj. Pra kemi të bëjmë me një përpjekje të autorit në fushën e shkencës politike, i cili është nder të parët që kësaj çështje i qaset në mënyrë profesionale.Pikërisht këtu qendron edhe vlera e këtij libri, se shumë çështje të pa trajtuara deri më tash nga autorë shqiptarë, me këtë libër vërehet përpjekja e parë profesionale, ne këtë drejtim.
Andaj duke lexuar këtë libër del qartë se shoqëritë tona me të kaluar moniste edhe tash ne pluralizëm kanë sfida të mëdha për të konsoliduar demokracinë liberale, kulturën politike, të drejtën dhe lirive qytetare dhe nacionale sipas standardëve bashkëkohore të shteteve me përvojë demokratike. Ndërsa neglizhenca në ketë drejtim se ende jemi në periudhën e tranzicionit nga koha e monizmit, nuk është fakt bindës, sepse koha prej një çerek shekulli ka qenë e mjaftueshme, për ndryshime cilësore dhe veprime praktike nga klasat politike të subjektëve udhëheqëse. Çdo refuzim për tu ballafaquar me realitetin paraqet dobësi organizative, kadrovike dhe mungesë e vullnetit politik, për avancim dhe zgjidhje të çështjeve kontestuese për shoqërinë në vendin përkatës.Pikërisht në këtë aspekt shumë çështje mund të njihën me mirë nga antropologjia politike, se sa nga fushat e tjera si sociologjia apo shkencat politike.
Nuk ka dilemë se për të shkruar një libër të tillë autorit i është dashur shumë punë, duke konsultuar një literaturë profesionale në gjuhë të huaja, sepse në shqip ajo pothuaj mungon tërësisht.
Dhe në fund e them pa hezitim se si i tillë ky libër duhet të jetë referencë e domosdoshme për studime dhe hulumtime në fushën e sociologjisë dhe të shkencave politike, sepse paraqet studimin me të kompletuar deri më tash në gjuhën shqipe.
*Gjon Keka, Antropologjia politike, Botoi:Botart, Tiranë, 2015